• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

MAFIA NUK BËN DOT ZGJEDHJE – OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORIN

February 27, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I pyetur më 2001 nga një media e Tiranës se a mendoj që në Shqipëri atëherë mund të bëheshin zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, unë jam përgjigjur se mafia nuk mund të bëjë as zgjedhje të lira, as zgjedhje të ndershme, as zgjedhje demokratike, mafia nuk mund të bëjë fare zgjedhje, mafia mund të bëjë vetëm farsë zgjedhore, mafia mund të bëjë vetëm mashtrim zgjedhor.
Medet për të, klasa politike e Shqipërisë, pa folur për periudhën para 2001, nuk e ka përgënjeshtruar ndonjëherë as gjatë këtyre 12 viteve të mëvonshme përcaktimin e mësipërm, përkundrazi vetëm sa e ka përforcuar bindjen time dhe bindjen e gjithkujt tjetër që i shikon me sytë e realitetit zgjedhjet në Shqipëri dhe të gjitha dukuritë që burojnë nga ato zgjedhje.

Nga njohësit e saj, mafia përshkruhet si një sistem i mbivendosjes së më të fortëve ndaj më të dobtëve. Bosi më i fortë kryeson kupolën e klanit, klani më i fortë kryeson kupolën e mafias përkatëse rajonale, mafia më e fortë rajonale kryeson mafiat më të gjera në shkallë vendi apo në shkallë ndërkombëtare. Ligjin e bën më i forti dhe pasojat i vuan më i dobëti. Meritat i merr më i forti dhe fajet i merr më i dobëti. Kurorat i merr më i forti dhe gjembat i merr më i dobëti. Të gjitha përplasjet, të gjitha marrëveshjet, të gjitha grindjet, të gjitha pajtimet bëhen për hapësira në terren dhe për hapësira në fusha të veprimtarisë – si politikë, ekonomi, trafiqe, kontrabanda, korrupsion. Për mbarëvajtjen e punëve të saj, mafia ka ritualet, kodet, rregullat, instancat. Në dukje xhungla të karakterizuara nga kaosi, nga anarshia, në të vërtetë, nga brenda mafiat karakterizohen dhe shquhen nga organizimi i përkryer, nga disiplina e hekurt, nga profesionizmi i lartë. Prej këndej mafia edhe ka marrë emërtimin tjetër: krim i organizuar. Armiku kryesor i mafias është shteti ligjor, është ligji, prandaj ajo synon që ta bëjë të pamundur funksionimin e ligjit, ta shdërrojë shtetin në një realitet iluzor, ta shndërrojë ligjin në një realitet iluzor, t’i bëjë njerëzit që, në skenat me iluzionistë, të mos iu besojnë syve të tyre, por t’iu besojnë asaj që iu servirin iluzionistët me ekipet e tyre dhe me rekuizitat e tyre.

Në vend që ta forcojë, konsolidojë dhe përkryejë institucionin e zgjedhjeve, si institucionin e vetëm ku populli ushtron sovranitetin e tij drejtpërdrejt nëpërmjet votës së tij të lirë, klasa politike e Shqipërisë ka bërë gjithçka për ta dobësuar këtë institucion, për ta komprometuar, për ta manipuluar, për ta shpërfytyuar dhe çoroditur, nga një palë zgjedhje tek të tjerat. Kështu institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri është shndërruar në arenën më të madhe e më të sofistikuar ku klasa politike ka ushtruar profesionin e saj të iluzionistes mafioze, i vetmi profesionizëm të cilin ajo e ka përfituar në këto vite të të ashtuquajturit pluralizëm politik.

Pikërisht më 2001, zgjedhjet në Shqipëri prodhonin një rezultat thellësisht të shtrembëruar, prodhonin edhe një dukuri monstër, siç ishte dukuria “Dushku”, ku nga një fshat i vetëm prodhoheshin 13 deputetë. Kjo realizohej falë ligjit zgjedhor mazhoritar me korrigjim proporcional, i cili favorizonte partinë kryesore, duke grabitur në mënyrë të përbindshme votat e partive të tjera. Ky ligj zgjedhor do t’i shndërrohej të njëjtës parti në bumerang katër vjet më vonë, më 2005, nëpërmjet dukurisë “SuperDushku”. Një tjetër truk iluzionist më 2009 do të prodhonte përsëri zgjedhje të diskutueshme.

Nga zgjedhjet qendrore tek ato lokale, deri edhe sot e kësaj dite, ka vazhduar dukuria e regjistrave të banorëve, dukuria e listave zgjedhore, dukuria e mbushjes masive të kutive, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit nëpër kuti edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Alaskë, edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Australi apo në Zelandën e Re, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit në kuti edhe nga ata që kishin ndërruar jetë prej dhjetëra vitesh tashmë, dukuria e votimit disa herë brenda të njëjtës ditë nëpër qendra të ndryshme votimi. Për të përmbysur realitetin e votës, klasa politike ka përdorur shërbimet shtetërore të informimit dhe të rendit, ka përdorur administratat shtetërore qendrore dhe lokale, ka përdorur hordhitë e militantëve, ka përdorur deri grupet kriminale më famëkeqe, ka përdorur autoritetin dhe ndikimin deri tek bosëve më të famshëm të krimit.

Shiblerja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e votave, nëpërmjet parave të thata në dorë, nëpërmjet punësimeve të familjarëve, nëpër dhënies së vizave për jashtë shtetit, nëpërmjet dhënies së favoreve apo premtimeve të favoreve, ka qenë dhe mbetet një nga dukuritë e shtrembërimit të realitetit të votës gjatë gjithë këtyre viteve. Tregu i shitblerjes bëhet më fitimprurësi duke përfshirë në vertikalen dhe horizontalen e tij komisionet dhe komisionerët nga instancat më të larta deri tek ato më të ulëtat.

Klima që i ka karakterizuar zgjedhjet deri sot ka qenë gjithnjë mbytëse për elektoratin, ka qenë frikësuese, e mbushur me shantazhe, me sulme, kundërsulme, sharje, me shtim galopant të krimit, sidomos të krimit makabër, ka qenë mediatizimi ekstrem i kësaj klime, kanë qenë tonet e larta, thirrjet mbi thirrje, britmat mbi britma, skenat ngjethëse në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, çjerrjet në konferencat e shtypit, shkëmbimet e sarkazmave mes zëdhënëseve të haremeve partiake dhe qeveritare, shpërndarja nëpërmjet ekranave të vegjë e duhmave të alkoolit, duhmave të parfumeve, shfryrjet e gogësimave nga gojët e hapura të politikanëve drejt e në fytyrën e publikut të tulatur e të nemitur.

Elektoratit në Shqipëria asnjëherë nuk i është mundësuar të dijë se për kë po voton, të dijë se kë ka sjellë në pushtet nëpërmjet daljes së tij tek kutia e votimit, nuk e di se çfarë lidhjesh kanë pasur me Sigurimin e Shtetit, me strukturat e spiunazhit brenda Partisë së Punës së Shqipërisë, çfarë lidhjesh kanë pasur me shërbimet e huaja antishqiptare, çfarë lidhjesh kanë pasur e kanë me botën e krimit të periudhës së tranzicionit drejtuesit e zgjedhur apo të emëruar gjatë këtij tranzicioni. Kundërshtimi i elektoratit shqiptar ndaj kësaj dikurie është bërë gjithnjë e më pasiv, duke parapëlqyer të rrijë në shtëpi, duke pranuar që të qeveriset jo nga më të mirët e më të mirëve, pora nga më të këqijtë e më të këqijve.

Në qoftë se në Shqipëri do të arrihet që votuesi të hedhë fletën e tij të votimit në mënyrë krejtësisht të pandërmjetësuar nga frika apo nga trysnia e kujtdo, në qoftë se kjo votë e tij do të numërohet, në qoftë se ajo do të shkojë në adresën e koalicionit apo partisë për të cilën ai ka votuar, në qoftë se të gjithë votuesit do t’iu binden vetëm urdhërave të ndërgjegjes së tyre, në qoftë se kjo bindje e çdo votuesi do të zbatohet pikë për pikë në rezultatin zgjedhor atëherë do të kemi realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, atëherë do t’ia kemi siguruar Shqipërisë institucionin e zgjedhjeve, atëherë do të kemi siguruar institucione të dala nga vota e popullit, atëherë do të kemi institucione që mund të flasin në emër të sovranit, pra në emër të popullit.

Në qoftë se votuesi do të marrë zemër që të dalë masivisht në votime, të hedhë fletën e tij të votimit për të përzënë nga ekranet e vegjël të përditshëm e të përnatshëm të buhaviturit nga viagrat, të nxirët nga injeksionet apo tymosjet, të çakërqejfurit a të çakërdisurit nga pushteti i gjithanshëm, të krekosurit nga plotfuqia, të pëlciturit nga vetëkënaqësia, pra, në qoftë se votuesi do të gjejë guximin të çlirohet nga tranzicioni, atëherë do të kemi një rezultat të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, një shtet, një shoqëri të shanseve të reja, një shtet dhe shoqëri të shpranguar në vullnetin e tyre për t’i kundërshtuar mafiat.

Duke folur në emër të sovranit, shumicat e derisotme, në të vërtetë vetëm sa kanë keqpërdorur, nëpërkëmbur, shkelur dhe poshtëruar emrin e sovranit, nderin e sovranit, fytyrën e sovranit, dinjitetin e sovranit, vetëm sa kanë uzurpuar institucionin e sovranit, kanë bërë vetë sovranin, ndërsa sovranin e kanë dëndur me iluzionin e lirisë, demokracisë, fanarit evropian dhe perëndimor, sa për t’ia pasur zili gjithë bota. Në të vërtetë, mafias iluzioniste të Shqipërisë, sidomos për lehtësinë e pashembullt me të cilën ka realizuar qëllimet e saj, është për t’ia pasur zili edhe vetë i famshmi Copperfield, iluzionisti deri sot me suksesin më të madh komercial, me një rekord të paarritshëm Gines, me çmime të panumërta ndërkombëtare nga industria argëtuese.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mafia, nuk mund te beje, Skender Bucpapaj, zgjedhje

Uashington : Një grup zëdhënsish nga qeveria Kosovës, po njihen me përvojën amerikane

February 27, 2013 by dgreca

Nga BEQIR SINA, Washington /

 WASHINGTON D.C: Një delegacion i zëdhënësve të qeverisë së Kosovës ndodhen këto ditë në kryeqytetin e SHBA, Uashington për të marrë pjesë në një seri takimesh dhe vizitash për çështje të komunikimit publik dhe të marrëdhënieve të qeverisë me shtypin, publikun, që njihen me përvojën amerikane. Ata vijnë kryesishtë nga kabinetet e qeverisë së Kosovës; dy prej tyre janë nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ministria e shëndetësisë, ajo e marrdhënieve publike, pushtetit lokal, financave, ministria e ambientit dhe ajo e palinfikimit si edhe ajo forcës së sigurisë së Kosovës..Dje, në Uashington delegacioni nga Kosova, tha se ka kaluar një ditë në Kongresin amerikan për të parë nga afër se si punojnë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërkohë që sot do të ketë takime në departamentin e Shtetit dhe atë të Drejtësisë

Ndërkohë, që po vijojnë vizitën, mysafirët nga Kosova, në hotelin “Four Session”, mbrëmë patën rastin të marrin pjesë në një pritje që dha ambasada e Kosovës, në Uashington me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në një pritje ku përveçë korit diplomatik në Uashington, kishin ardhur disa prej anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, qeverisë amerikane, leder të komunitetit dhe verprimtarë të dalluar.

Delegacionin nga Kosova në një takim të shkurtër e përshëndeti edhe miku i madh i shqiptarëve në Kongres, kongresisti demokrat i Nju Jorkut, bashkëkryesues i grupit të Çështjeve shqiptare në Kongres , Eliot Engell
“Jam shumë i gëzuar që po takohem me ju, tha kongresisti Engel në këtë ditë të shënuar për Kosovën, kur së bashku ne po festojmë pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke vlersuar këto takime të cilat sipas tij i kontribojnë edhe më shumë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara dhe të forcimit të aleancës dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.”

Anëtarët e delegacionit të qeverisë së Kosovës, i thanë gazetës Bota sot, se ata po viztoin SHBA , në mënyrë që të përfitohet nga praktikat amerikane, dhe që njihen me përvojën amerikane se si bëhet komunikimi pubilk dhe mërrëdhëniet shtyp me qeverinë nëpërmjet zëdhënseve të tyre.. Delegacioni nga Kosova, tha se pritet të zhvillojë gjatë këtyre ditëve edhe një serë takimesh të rëndësishme në Departamentin e Shtetiti dhe të Drejtësisë, institucionet e tjera të larta amerikane, kongresin dhe senatin amerikan.

Ata do të kenë gjithashtu edhe një vizitë disa ditore në Karolinën e Veriut në Really dhe Charlotte, ku do të njihen nga afër me përvojën amerikane në nivel lokal dhe shtetëror. Kjo është një vizita e parë e zëdhënësve të ndryshme të kabineteve të qeverisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një nga anëtarët e këtij delegacioni Dr. Faik Hoti drejtor në Departamentin e Shëndetësisë, i tha gazetës sonë se është majft i kënaqur me këtë vizitë. Ai vlersoi lart edhe kaoncidecën e kësaj vizite më festimet e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, që u mbajtë mbrëmë në Uashingon ku delagcioni i tyre mori pjesë, pritjen që dha ambasada e Kosovës në Uashington me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Dr. Hoti u shpreh se është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe që një delegacion i zëdhënësve qeveritar i cili po ndjek një program të lidershipit organizuar nga qeveria Amerikane, që në mënyrë koicidence po marrim pjesë edhe në shënimin e pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në kryeqytetin e SHBA, Uashington, një pritje kjo e organizuar nga ambasada e Kosoës në SHBA..

Ai tha se:”Ky është një moment jashtëzakonisht i lumtur që së bashku me miqt tanë të mëdhenjë , kogresmen, dhe zyrtarë të qeverisë amerikane, lider të komunitetit shqiptarë në SHBA, dhe bashkëatdhetarët tanë të festojmë së bashku, me njërëz që kan kontribuar shumë në pavarësinë dhe lirë e kosovës dhe ndajnë së bashku me ne të njëjtin gëzim për këtë ditë të shënuar. për shtetin më të ri të botës dhe zhvillimin e arritjeet e tij.” shprehet Dr. Faik Hoti drejtor në Departamentin e Shëndetësisë së qeverisë së Kosovës .

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Eliot Engel, tkim, vizitojne Washingtonin, zedhensit e Koosves

KOMUNA E MALËSISË, LOJË POLITIKE E PODGORICËS

February 27, 2013 by dgreca

Nga Xheladin Zeneli/

Çështja e Komunës së Tuzit (Malësisë) është pjesë e programit,pothuajse e të  gjithë subjekteve politike shqiptare dhe të disa organizatave joqeveritare  dhe njëkohësisht është një ndër kërkesat e tyre kryesore.Gjithashtu,kjo çështje ka qenë temë e diskutimeve të niveleve të ndryshme,temë e disa elaborateve e projekteve, si dhe shkak i  protestave paqësore.

Kurse, që nga viti 1997 e deri më sot,së paku pesë herë është premtuar jetësimi i Komunës së Tuzit me të drejta të plota nga ana e qeveritarëve malazez  ,por deri më sot asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur.Poashtu,kërkesa e Komunës së Tuzit shpeshëherë ka qenë objekt negocimi në mes partisë në pushtet dhe faktorit politik shqiptar. Gjatë fushatave të ndryshme parazgjedhore ,në të kaluarën,zyrtarët e partisë në pushtet,duke përfshirë edhe kryetarin Millo Gjukanoviq, kanë vizituar trevën e Malësisë vetëm me një qëllim : që duke premtuar realizimin e komunës,të mbledhin vota  për Partinë Demokratike Socialiste (DPS).Dhe për fat të keq, deri më tani,kjo politikë ka pirë ujë.

Gjatë gjithë kësaj kohe,jo vetëm ndaj çështjes së Komunës së Tuzit,por në përgjithësi ndaj Malësisë,është udhëhequr një politikë neglizhente,inferiore dhe diskriminuese nga ana e Podgoricës zyrtare e cila është qasur çështjes së Komunës së Tuzit vetëm atëherë kur ky pushtet ka  parë mundësinë e përfitimit të vet politik.Pra, partia në pushtet e Millo Gjukanoviqit (PDS), e ka shfrytëzuar dhe gjithnjë vazhdon që t’a shfrytëzojë  deri në  maksimum kërkesën e drejtë të banorëve të Malësisë për  interesat,nevojat dhe qëllimet e veta politike . Sepse nuk shpjegohet ndryshe zvarritja me paramendim ,tashmë më shumë se dy dekada ,e realizimit të Komunës së plotë duke kushtëzuar jetësimin  e saj me arsyetime të pakuptimta dhe absurde.

Edhe sot ,çështja e Komunës së Tuzit është bërë temë e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat janë të  parashikuara që të mbahen me 7 Prill të këtij viti. Siç njoftojnë mediat, subjekteve politike shqiptare të cilat janë pjesë e koalicionit qeveritar,fillimisht iu është kërkuar për të mbështetur kandidatin e PDS-së, Filip Vujanoviq për president në zgjedhjet e muajit Prill.Si këmbim, partia në pushtet e Gjukanoviqit (PDS)) do të zhvillojë më vonë referendumin “konsulltativ” për statusin e plotë të komunës Tuzit.Përsëri, qeveria malazeze ,në mënyrë perfide dhe të kalkuluar,tenton që të përdorë çështjen e Komunës së Tuzit, si  mjet  për të arritur qëllimet e saja politike.Tani shtrohet pyetja se deri kur çështja e Komunës së Tuzit do të jetë objekt i marrëveshjeve apo çështje  kushtëzimi i njërës palë (pra, qeverisë  malazeze) ndaj palës tjetër(përfaqësuesve të subjekteve nacionale shqiptare) !?

Një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë lidhur me mosrealizimin e Komunës së plotë të Tuzit ,mban edhe  faktori politik shqiptar i cili nuk ka qenë sa duhet i vendosur apo këmbëngulës,unik dhe konsistent lidhur me  çështjen në fjalë,që nga fillimi.Gjithashtu,faktori politik shqiptar ka lejuar që shpeshëherë të manipulohet,nga ana e partisë në pushtet,në mes tjerash edhe me çështjen e Komunës, e cila ka përfituar nga ndasitë dhe nga mosuniteti i subjekteve politike shqiptare. Edhe në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, partitë politike apo kualicionet shqiptare që janë pjesë e qeverisë,deri më sot, nuk kanë arritur qendrim të njëjtë dhe kanë dallime sa i përket asaj  se a duhet apo nuk duhet përkrahur kandidati i PSD-së(DPS-it) për president të Malit të Zi.

 

 

Tendencat e shkëputjes së një komune dhe paradokset politike në rajon

 

Kur  janë në pyetje pozita e popujve pakicë në hapësirën e shteteve që u krijuan nga shpërbërja e Jugosllavisë,paradoksi më i madh është aplikimi i standardeve të ndryshëm (të dyfishtë,nganjëherë edhe të trefishtë)  në zgjidhjen e statusit të tyre brenda shtetit të tanishëm ku ata jetojnë. Të marrim për shembull serbët në veri të  Kosovës të cilët me përkrahjen e heshtur të komunitetit europian, po angazhohen për autonomi politiko-territoriale apo status special i cili, si i tillë  paraqet sfidë serioze për integritetin dhe tërësinë shtetërore të Kosovës.

Rasti tjetër i kërkesave ekstremiste serbe në rajon,paraqet iniciativa e Komunës Lubinje,territor  brenda Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës,me popullsi  shumicë të nacionalitetit serb.Komuna e Lubinjës gjindet në pjesën jug-lindore të Hercegovinës afër kufirit shtetëror me Malin e Zi dhe nëTetor të vitit të kaluar siç njofton portali  informativ në gjuhën malazeze (http://www.vijesti.me/ e datës 26/10/2012),zyrtarët e kësaj komune planifikojnë që të ftojnë banorët e vet  në referendum me qëllim që të votojnë për shkëputje nga republika e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe t’i bashkangjiten Malit të Zi !? Këte vendim ata e mbështesin  në Ligjin për referendum dhe në iniciativën qytetare të Republikës Serbe( RS) e cila është në fuqi që nga viti 2010. Nëse vjen deri te realizimi i një referendumi të tillë,ky do të ishte rasti i parë në këtë hapësirë të Ballkanit ku një komunë e një shteti fqinj shkëpuet dhe i bashkangjitet një shteti tjetër. Lidhur me këtë lajm, për befasi,nuk pati asnjë reagim nga instancat ndërkombëtare.

Derisa në njërën anë,një komune (komuniteti) të një shteti fqinj, i ofrohet mundësia e shkëputjes nga shteti të cilit ato i takojnë,në anën tjetër një pjese të shqiptarëve në Mal të Zi,respektivisht Malësisë,vazhdimisht iu mohohet një ndër drejtat e tyre fundamentale,e drejta e vetëqeverisjes së plotë lokale,si kërkesë minimale e shumicës autoktone shqiptare  në këtë trevë.Atyre, pra banorëve të Malësisë ,tash disa vite me rradhë iu është imponuar e ashtuquajtura Komunë urbane dhe sot  iu ofrohet njëfarë referendumi “konsulltativ”,i cili sipas disa ekspertëve të fushës përkatëse ,një gjë e tillë nuk ka bazë ligjore dhe do të duhej të ishte i papranueshëm.

Banorët e Malësisë kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të barabartë,ashtu si edhe bashkësitë e tjera etnike në Mal të Zi dhe kërkesa e tyre nuk kërcnon integritetin e shtetit të Malit të Zi dhe është  në përputhje me të gjitha ligjet,kartat dhe konventat ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale dhe decentralizimin e pushtetit ,prandaj edhe mos realizimi i drejtës së formimit të Komunës së plotë të tyre, është i pabazë dhe i pajustifikueshëm.

Është imperative që shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik të ngrisin zërin e tyre tani dhe  në mënyrë të unifikuar e me këmbëngulsi të kërkojnë  realizimin e Komunës së plotë të Tuzit,pa asnjë llojë referendumi dhe pa kurrfarë kushti apo ultimatumi nga ana e qeverisë së Malit të Zi,përndryshe çështja e realizimit ,të një ndër kërkesave më jetike të shqiptarëve në këtë shtet,do të vazhdojë që edhe më tutje të jetë lojë poltike e Podgoricës.

New York, 27 Shkurt 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Komuna e malesise, Loje e Podgorices, xheladin Zeneli

A Journey through Visar Zhitis Inferno

February 26, 2013 by dgreca

BY: Ervin Dine/

Growing up in the concentration camps of Albania did not make an early impression on me, I was a child and didn’t really understand the circumstances around me.  My father was in prison at the time and I did not know why, every one was afraid to talk.  Now having had open conversations and studied history I know that I grew up behind the Iron curtain and Albania had even thicker iron on that curtain then most other nations.  My father had the privilege of serving his time in prison with one of our nations best writers and poet.  At that time he was not allowed to showcase his talent, but now we have the fortune to read the history of Albania’s prisons as if we were there.  The Albanian American freedom house recently held a promotion for both of Zhiti’s Books The Trails of Hell and Hell Broken.  Many of the speakers not only praised these important pieces of our history but also made clear that Zhiti is at the top of present day Albanian literature. He is the true dissident.

Times were tough the party was trying to set examples and Mr. Zhiti was one of the many victims that were persecuted and thrown into what we would consider today subhuman conditions.  What is more amazing is that he tells his story in a way where he tries to find the good in every one and everything.  In an interview on top channel a few months ago when asked if his persecutors were just uneducated animals, he responded, “no on the contrary they were well educated and knew and understood world literature, but according to them they did not allow it to skew their thought and get in the way of the party’s agenda.”  Most people would look at and despise these persecutors especially when they treated humans in the manner in which Visar explains in his first chapter.  “I sleep on the floor of the cell, I cover myself with my coat.  One blanket they gave me, I don’t want to use, its dirty, full of dust, and it has filled my face with pimples.”  This is just one of the instances in a book full of pain and tragedy, through Zhiti here we relive his trial or show trial, because the decision had already been made become a spy or end up in prison.

During the book promotion called the Trial of New York one of the speakers Mergim Korca very eloquently spoke of the books and their importance.  Mr. Korca the son of another Albanian patriot and anticommunist martyr made clear that Zhiti is one of the best writers of our time, his book is not only a great read but our history as well.  Like my father his father was imprisoned as well, not because he did anything wrong but simply because of his intellectual abilities.  Albania’s regime at the time saw intellect as a threat to its existence and people like Xhevat Korca, Visar Zhiti, Lek Mirakaj and many others were better off in prison.  That prison to this day has not had a concrete documentation of its horror and terror.  As Mergim mentioned that terror is narrated by Visar Zhiti in such an artistic fashion that puts you in the story.  When reading it I feel like I am reading the story of my father and grandfather and the many courageous souls who lived through that Inferno.

Finally while many have suffered and pained through a regime that was not only physically and emotionally abusive but it ruined lives and whole families.  We as Albanians need to not only be proud that we have someone like Visar Zhiti to tell that story, but we need to understand that this story needs to become known to the world. To this day many foreigners including intellectuals are not aware of  what was actually going on in Hoxha’s regime.   Foreigners know that we were a communist nation enclosed to the rest of the world but they don’t realize just how gruesome that regime was.  As Edmond Burk said  “those who don’t know history are destined to repeat it.”  If we don’t keep in mind what happened to many people in our nation we will continue on the same path.  Mr. Zhiti should be considered a national treasure, but in Albania those in power are members of the old regime and books like these are not very interesting to them.  Instead writers that were regime collaborators are now considered dissidents and are millionaires.  Mr. Zhiti and his outstanding talent is still left to hold an everyday job in Albania just to make ends meat.  During his speech at the New York promotion Visar mentioned something that has still stuck with me, “a few weeks ago I received a call from a former operative inviting me to celebrate the opening of his new business.”  Someone that considered him an enemy and that was probably one of the people that was responsible for his imprisonment is now celebrating a new business in democratic Albania.  We need to be mindful of our past and ask ourselves are we transitioning towards democracy, or will Albania go back to relive Visar Zhiti”s Inferno.

Filed Under: Kulture Tagged With: A Journey through, Visar Zhitis Inferno

NJË TAKIM I KËNDËSHËM ME POETIN DHE SHKRIMTARIN E NJOHUR, VISAR ZHITI

February 26, 2013 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Nëqoftëse Gjyqin e Parë Moral ndaj komunizmit, organizata shqiptaro – amerikane “Shtëpia e Lirisë”e bëri për librin e zotit Bedri Blloshmi kushtuar dy të rinjëve poetë, Leka dhe Vilson Blloshmi, të cilët Byroja Politike injorante e asaj kohe më në krye Ramiz Alinë, “zbuloi”, se tek vargjet e tyre për “Natyrën” dhe “Lulet e Verës”, shprehnin edhe  mendime “të rrezikëshme”, prandaj i pushkatoi, një të ngjajshëm me të nga tematika, por me nivel shumë më të lartë artistik dhe fillozofik, kjo organizatë më 18 Shkurt në lokalin e Hotelit Royal Regency, këtu në New York, organizon një Gjyq të Dytë, këtë herë për dy librat e fundit të shkrimtarit të madh dhe të njohur, zotit Visar Zhiti; “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i Çarë”, ku përshkruhen dy nga kampet më çfarosëse të atij sistemi; “Të Spaçit” dhe “Qafës së Barit” dhe unë si moderator i këtij takimi, pata kënaqësinë që ta drejtoj.

Pjesmarrja qe tepër e madhe, sa u detyruam që të shtojmë edhe karrike të tjera, por ajo që ia ngriti edhe më shumë vlerat këtij aktiviteti, ishte prezenca edhe e mjaft intelektualëve, midis tyre zoti Sami Repishti, zoti Mërgim Korça, kryetari i organizatës “Vatra”, zoti Gjon Buçaj sëbashku me bashkëshorten e tij, nën kryetari zoti Agim Rexha, familje të persekutuara nga ai regjim si Familja Selfo, Familja Luzaj, Mirakaj, Omari, Tezha, Çoku, Velaj e mjaft të tjerë; Bashkëvuejtës të autorit, që me humor ata e thërrisnin njëri tjetrin “Shok klase”, ndërsa për ta zbardhur këtë takim, merrnin pjesë edhe disa nga mediat e komunitetit këtu, si gazetari dhe editori i gazetës “Dielli”, zoti Dalip Greca, gazetari i “Bota Sot”, zoti Beqir Sina,  kameramanë nga organizata dhe shoqata të ndryshme kosovare etj.

Të ftuarit fillimisht u ngritën më këmbë, për të dëgjuar egzekutimin e dy hymneve; Të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më mbas aktiviteti u quajt i hapur.

“Nëqoftëse shkrimtari i madh Rus Aleksander Solzhenitsyn me librat e tij ka përshkruar tmerret e Guljakëve të Siberisë në kohën e Stalinit, një të ngjajshëm me të edhe nga niveli, ku përshkruhen burgjet dhe kampet e regjimit komunist të diktaturës së Enverit, e kemi në duar edhe ne sot dhe për këtë urojmë autorin, zotin Visar Zhiti, i cili me këto dy libra po i jep shoqërisë sonë një kontribut mjaft të rëndësishëm”

Ky ishte motivacioni me të cilin prezantuesi i këtij aktiviteti bëri hapjen dhe më mbas fjalën e mori aktivisti i njohur, zoti Zef Bala, i cili ndër të tjera i uroi autorit mirseardhjen dhe të kalojë ditë gëzuara, për sa kohë do qëndrojë këtu në Amerikë, ndërsa shkrimtari, publiçisti dhe intelektuali i njohur zoti Mërgim Korça, që mori mbas tij fjalën,  me profesionalizëm u bëri një analizë të thellë dhe shkencore këtyre dy librave dhe duke e ngritur autorin në nivelet më të larta, ai u shpreh se është krenari për ne shqiptarët që vargje nga ky poet, i gjejmë të shkruara sot në “Piazza Navona” të Romës,  ndërsa duke shkëputur episode nga fjalimet dhe shkrimet me kujtime nga dy diktatorët e komunizmit; Enver Hoxha dhe Ramiz Alija, ai ironizoi ideollogjinë e tyre sa mafioze, aq dhe fallco. Më mbas fjalën e mori antari i bordit drejtues të organizatës “Shtëpia a Lirisë” zoti Mustafa Xhepa, i cili me shifra dhe fakte, i tregoi audiencës krimet dhe masakrat që janë kryer nga ai regjim banditesk. Diskutimet vazhduan me zotin Muhamet Omari dhe më pas me një poezi të bukur prej “Një shoku të klasës së autorit”, zotit Ilir Spata dhe kur para mikrofonit doli zoti Visar Zhiti, salla gumëzhiti nga duartrokitjet.

Nëqoftëse gjyqi i detyruar nga diktatura, m’u bë disa dekada më parë, tha ndër të tjera ky autor, sot jemi mbledhur për t’u bërë atyre “Gjyq Moral”. Atyre që morrën mijra jetë njerzish dhe çfarrosën ajkën më të mirë intelektuale të kombit; Atyre që “Homerin e Shqipërisë”, siç e kanë cilësuar poetin Gjegj Fishta edhe kufomën mbas vdekjes ia hodhën në lumin “Drin”; Atyre që Et’hem Haxhiademin e madh, e helmuan vetëm një javë përpara se të lirohej dhe ky gjyq ka vlerë edhe më të madhe, sepse zhvillohet në Amerikë, në vëndin më demokratik të botës.

Por është pak e çuditëshme, komentoj unë, autori i këtij shkrimi, se vetëm pak javë më parë, në një emision të “TV Klanit”  një profesor i djeshëm, por që vazhdon të japë mësim edhe sot, duke folur për kriminelin Mehmet Shehu, u shpreh se paska qënë, sipas tij, një burrë shteti! Kjo të bën që të pyesësh veten se si është e mundur që këta njerëz me  mentalitete të tilla, jo që janë ende në aktivitet, por edhe në institucione tepër delikate, sepse kanë të bëjnë me edukimin e brezit të ri! Pse ndodh kjo? Për mendimin tim, sepse shoqëria jonë shqiptare vazhdon që të mbetet akoma indiferente si dikur dhe nuk kemi kurajo dhe shpirt demokratik për të reaguar ndaj këtyre çfaqjeve të tilla kaq flagrante. Por indiferentizmi i tepruar, ka sigurisht dhe pasoja që ne shqiptarëve, për fat të keq, gjithmonë na ka kushtuar. Por edhe diçka tjetër, e cila edhe kjo ka mbetur e trashëguar nga ai sistem;Vazhdojmë që të kemi ende në farë urrejtje për njerëzit e edukuar, për intelektualët e mirëfilltë apo për dikë me prejardhje nga shtresat e njohura të shoqërisë sonë dhe preferojmë më shumë një që e ka origjinën “Nga Baza”, siç propogandohej atëhere. Po a nuk e provuam se duke zgjedhur karrocierë, shoferë, mjelëse lopësh, apo të tjerë si këta, për të na drejtuar, u degraduam në atë farë feje, sa kur u hapën dyert dhe dolëm në skenë, lemerisëm botën! A është nevoja që të bëjmë akoma eksperimente të tilla?

Edhe këtu në komunitetin tonë në Sh.B.A kemi mjaft intelektualë, por që nuk kemi edhe aq dëshirë për t’ua dëgjuar zërin, në mënyrë që të përfitojmë nga njohuritë e tyre, nga horizonti dhe bagazhi i gjërë që ata kanë

“Një gjë të mirë pati ai sistem, thotë përsëri zoti Visar Zhiti në librin e tij “Rugët e Ferrit”, sepse veçoi fisnikun nga harbuti”, por kjo ndarje e detyruar minimizoi, siç kërkonte regjimi, influencën e njeriut të mirë, të edukuar dhe të ndershëm tek pjesa tjetër. Por çfarë solli? Shumfishimin maksimal të se keqes dhe këtë raport të prishur, që për fat të keq, akoma egziston, duhet medoemos ndrequr, sepse ndryshe shoqëria do ketë gjithmonë probleme.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hasan Kostreci, promovim, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT