• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

Shtetet e Bashkuara të Amerikës bojkotuan Serbinë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara

April 11, 2013 by dgreca

* Incidenti i rëndë në AP të OKB-ës, Presidentia e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës” Munira Subasic u nxorr me forcë nga rojet e sigurisë nga salla e OKB-së

* Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mërkurën udhëhoqën një bojkot të një takimi të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së duke e quajtur atë si “paekuilibruar” dhe “provokuese”

NGA BEQIR SINA/

KOMBET E BASHKUARA NY: Debatin e sotëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, me temë “Roli i drejtësisë ndërkombëtare dhe pajtueshmëria midis popujve,” e kanë bojkotuar disa vende, në mesin e tyre edhe SHBA, Kanadaja, Jordania, dhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ndërsa, disa vende e kan quajtur një përpjekje e Serbisë dhe kryetarit serb të Asamblesë së Përgjithshme, Vuk Jeremiq, për të minimizuar krimet që kanë kryer serbët në Ballkan në vitet e 90-ta.

Burime diplomatike, nga New Yorku, thanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mërkurën udhëhoqën një bojkot të një takimi të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, ku merrte pjesë edhe Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç, i cili e nisi fjalimin e tij me një sulm të ashpër mbi gjykatat ndërkombëtare për krime lufte.

Sipas axhensive të lajmeve, thuhet se Misioni i SHBA – në New York, e dënoi takimin e organizuar nga kreu i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç i Serbisë, duke e quajtur atë si “paekuilibruar” dhe “provokuese”.

Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i janë bashkëngjitur në këtë bojkot  edhe Kanadaja, Jordania dhe disa vende të tjera, si dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, insitucione ndërkombëtare ligjorë, të cilat e kan bojkotuar, gjithashtu këtë ngjarje, që kritikët brenda OKB-së,  thanë se ky takim sipas tyre ishte një përpjekje nga Serbia për të devijuar vëmendjen nga roli i saj në luftërat ballkanike të pas viteve 1990.

Ish Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç, i cili mban postin e radhës së Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, sipas disa burimeve diplomatike, thuhet se refuzoi të lë përfaqësues të familjeve prej masakrës së Srebrenicës të vitit 1995, kryer nga ana e serbëve të Bosnjës, të flasnin në këtë ngjarje.

Diplomatët e huaj – thanë, se shumica e përfaqësuesve të tyre nga vendet evropiane, në OKB, dërguan përfaqësuesit e tyre të nivelit të ulët zyrtarët në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, ku Serbia dhe Ruanda kanë bërë sulme të hapura mbi Gjykatat Ndërkombëtare të vendosura pas luftërave Ballkanike dhe gjenocidit në Ruandë.

Presidenti ultra-nacionalist i Serbisë Tomisllav Nikoliq, tha në Asamblenë e Përgjithëshme e cila përbëhet nga 193-anëtarë se ” Prokurorët dhe gjykatësit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) u sollën në mënyrë të njëanshëm ndaj të pandehurve serbë”

Presidenti i radhës së AP-së, Vuk Jeremiç refuzoi të lë të flasë Shoqatën” Nënat e Srebrenicës” – një grup që përfaqëson familjet e 8,000 burrave dhe djemve muslimanë të vrarë në qytetin Serbenicë – që të marrin pjesë në këtë ngjarje.

Munira Subasiq, presidente e Shoqatës “Nënat e Srebenicës”, e quajti fjalimin Jeremiç dhe përjashtimin e saj nga përfaqësuesit e viktimave si “fyese”.Presidentia Nënat e Srebrenicës, Munira Subasiq, tha se ajo po vinte në Nju Jork, edhe pse ajo nuk ishte e ftuar për të folur në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës.
“Vuk Jeremiç nuk  ka menduar as për boshnjakët apo kroatët,” tha ajo. “Ai vetëm e ftoi palën serbe dhe njerëzit që nuk e dinë se kush është kush në Bosnje.”
Subasic tha se Jeremiqi e mban takimin “për të paraqitur serbët sikur ata janë viktimat më të mëdha.”

Erin Pelton, zëdhënëse e misionit amerikan në Kombet e Bashkuara, tha se Shtetet e Bashkuara ” nuk pajtohen fuqishëm” me lëvizjen Jeremiq, si e ka quajtur ajo ; “për të mbajtur një debat të paekuilibruar, inflamatorë në tematikë, sot në rolin e drejtësisë penale ndërkombëtare në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-ës” dhe në pajtim me këtë SHBA, nuk do të marrën pjesë tha Pelton.

Kryetarët e gjykatave ndërkombëtare dhe disa zyrtarë të lartë të OKB- refuzuan të marrin pjesë.Megjithatë, kreu i OKB-së Ban Ki-mun foli në takim dhe mbrojti me forcë rolin në rritje të drejtësisë ndërkombëtare.

Incidenti i rëndë në AP të OKB-ës, Presidentia e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës” Munira Subasic u nxorr me forcë nga rojet e sigurisë nga salla e OKB-së

Munira Subasiq, Presidentia e Shoqatës “Nënat e Srebrenicës” u nxorr me forcë nga rojet e sigurisë nga salla e OKB-së, gjatë debatit publik mbi punën e gjykatave ndërkombëtare penale. Në shenjë irritimi gjatë kohës që po fliste Presidenti serb Tomislav Nikoliq, ajo shfaqet me flamurin që lexon ‘Republika Srpska – gjenocid”. Kryetarja e Shoqatës se Nënave të Srebrenices,”Munira Subasiq u ngirt në këmbe me një triko të veshur ku shkruhej “Srebrenica-pravda je dostizna” dhe “Republika Srpska je genocidna tvorevina”. Siç u tha më vonë, trikoja e veshur ishte e djalit të mitur të zonjës Subasiq, të vrarë në Srebrenicë.

Ambasadori i Jordanisë në OKB-ë, ka deklaruar se ai dhe vendi i tij, “e kan bojkotuar këtë takim  mbi drejtësinë penale ndërkombëtare të organizuar nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Vuk Jeremiq, për shkak se nuk janë të përfshirë viktimat e luftës në Bosnje dhe se kishte njoftime se disa vende kan për të sulmuar ITCY dhe  OKB-në për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë”.

Princi Zeid Al Husein dhe ambasdori i Liechtenstein-Kristian Wenewaser, mbas incidentit sponsorizuan një konferencë për shtyp për dy grupe të dy viktimave – Munira Subisiq, Presidenten e Shoqatën  Nënat e Srebrenicës dhe Shoqata e Dëshmitarëve të mbijetuarit e gjenocidit.

“Delegacioni i im e ka bojkotuar takimin e AP nga një ndjenjë e zemërimit në mënyrë, që presidenti i Asamblesë së Përgjithshme ka shfrytëzuar pozitën e tij dhe kjo temë e rëndësishme, e cila është roli i Drejtësisë Penale Ndërkombëtare në Pajtimin, të ketë për qëllimë nisjen e një sulmi të pamerituar nga Partia Radikale Serbe kundër Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë “, tha ambasadori jordanez.

“Ne besojmë se është detyra jonë, për të krijuar një hapësirë në mënyrë që zërat e viktimave të luftës në Bosnjë gjithashtu mund të dëgjohen”, tha Zeid.

Ambasadori i Liechtenstein Kristian Wenewaser ka shprehur shqetësimin e tij se Jeremiq “është duke e shfrytëzuar Asamblenë e Përgjithshme për të ndjekur qëllimet e veta politike, për të cilat ai nuk e ka të qartë se çfarë ai duhet të bëjë si presidenti i Asamblesë së Përgjithshme”.

“Është shumë e trishtuar se kjo është një mundësi e humbur për të çuar përpara drejtësinë penale ndërkombëtare ,” tha Wenewaser, duke shtuar se “Ai(Jeremiq) ka refuzuar për të bërë këtë një ngjarje gjithëpërfshirës që mbulon drejtësinë ndërkombëtare në të gjitha aspektet e saj.”

 

Filed Under: Kronike Tagged With: bojkot Serbise, ne Asamblene e OKB, SHBA

AGIM RAMADANI- Nga Eposet e Karadakut

April 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugen Shehu/

 Ka njerëz fisnikë që atdheun e tyre, atë qiell e mal që i rriti, ata gurrë dhe drurë që e rrethuan, atë djep të përkundur me ujvara eposesh të kahershëm, e kanë mbrojtur me pushkë. Ata janë thirrur në luftë dhe kanë dhënë jetën përmes krismash lirie. Ka të tjerë që e kanë dashur atdheun përmes imazheve të fuqishëm të artit, përmes magjisë së tingujve apo ngjyrave, përmes konotacioneve që ngjallin vargjet e një poezie. Edhe kjo është dashuri. Se dashuria e atdheut nuk matet me kut por me shpirt dhe shpirti dhëmb kurdoherë kur dhëmb zemra e kombit dhe,pashmangshmërisht, si prej një force kozmike edhe pushka edhe penda nisen njëherësh për në rrugëtimin e lodhshëm; të shuajnë brengat e Atdhuet.
Tek Agim Ramadani, deri në çastin e mbramë, kanë jetuar së bashku edhe poeti edhe luftëtari, edhe piktori i madh edhe patrioti i flaktë, por edhe shpirti guximtar. Inspirimin për artin ja ka falur natyra e bukur e Kosovës kreshnike, ai reliev i thyer dhe i blatur dhimbjesh të mëdha. Ai e ka ndjerë brengën e madhe të atdheut qoftë edhe kur merrte në duar penelin,qoftë edhe kur merrte penën të shkruante, qoftë edhe kur më pas, rroki armën. Tek karakteri i Agim Ramadanit, janë ndërthurur si tek pak kush prej nesh, qetësia dhe mendimi përpara fletës së bardhë apo tablos, me vrullin dhe dinamizmin e pa përmbajtur në beteja, atëherë kur ishte fjala për të mbrojtur nënën e babën,motrën e vëllanë, pyllin dhe malin, votrën dhe livadhin, shkurtAtdheun.
Lindur në bjeshkë të Kosovës martire, Agim Ramadani do të dallohej qysh në fëmijëri për ndjenjat e holla prej artisti: Më pas duke lexuar në gjuhën e bukur shqipe, duke ngarendur në malet e kodrat e Karadakut kreshnik, vetëdija e këtij djaloshi duket se u trondit prej një të vërtete të madhe. Mbi supe malesh e kodrash të Gjilanit, sikundër në supe malesh të krejt Kosovës martire, më shumë se rebeshe shirash, më shumë se mjegullnaja, vareshin epose kreshnikësh. Shpirti i Agimit, nuk mund të mos ndjente këto epose që vinin prej larg, për të shkuar sërish larg. Kumti i tyre do ftonte Agimin dhe krejt gjeneratën e vet t’i sendërtonte këto epose, t’i përcillte ata me po atë heroizëm që etnitë e lashta arbërore i patën lindur.      Demonstratën e ditëve të para të prillit 1981, Agim Ramadani e përjetoi si një rizgjim i madh. Një paralele e çuditshme! Rizgjimi i natyrës, ai riciklim i njëmendë i natyrësh do të zgjonte në shpirtërat e gjeneratës studentore të Kosovës, shpresën e lirisë. Agim Ramadani ishte piktor.Ai mund të merrte telajon,penelat, bojërat dhe mund të ngjitej livadheve për të ngat jetuar pranverën. Agim Ramadani ishte poet. Ai mund të rrëmbente fletoren dhe lapsin duke medituar pranë lumenjëve a përrenjëve që i gëzoheshin shkrirjes së dëborërave.Agim Ramadani ishte luftëtar. Dijet e marra në shkollën ushtarake në Zagreb e shtynin të ishte në radhët e para të barikadave studentore. Ai nuk vonoi, ç’prej atij momenti Agim Ramadani do të ngarendëte në krejt viset e Kosovës kreshnike, do të fliste aq bukur, do të çonte peshë zemrat e gjeneratës së vet, do të organizonte, do të drejtonte luftën guerile që toka e qielli i Kosovës të ishin të lirë, që atdheu të mos frigohej prej kurtheve, planeve makabër dhe dhunës etnike të kalkuluar në qendrën e shovenizmit sllav, beograd. Kësisoj për të ardhur në pranverën e mënxyrshme të vitit 1999. Evropa (e pandërgjegjshme deri më atëherë) dhe krejt qytetërimi i saj, po përballeshin në shkurt-marsin e këtij viti me një nga shfaqjet më shnjerzore, më të shëmtuara, më primitive, të gjenocidit të egër shoven serbosllav ndaj racës së pastër shqiptare. Kryekrmineli i racës sllave, tashmë në gjygjin e Hagës, e shfrytëzoi periudhën tri javore, midis dy takimeve të Rambujes duke shpërndarë urgjnetisht forcat që do të realizonin spastrimin masiv ndaj shqiptarëve.

  Mbi 40 mijë trupa ushtarake pushtuese të rregullta, me dhjetra mijëra paramilitarë kriminele, 1 mijë tanke dhe 700 graka artilerie do të lëshoheshin si lukuni ujqish, ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare. Një zyrtar i lartë i OKB-së, Stefan di Nistoura, do të deklaronte; “Ajo që po ndodh sot në Kosovë është tragjedia humanitare më cinike, me e kalkuluar dhe planifikuar me një logjikë të akullt, të cilët unë, nuk e kam parë në asnjë rast, gjatë 29 vjetëve që punoj për Kombet e Bashkuara” (Gazeta “Ushtria”-Tiranë,12.03.1999).
  Agim Ramadani së bashku me Rustem Berishën, Bislim Zyrapin, Sali Çekun, Naim Malokun, Ramush Haradinajn e dhjetra prijës të tjerë, patën organizuar dhjetra beteja, duke mos dashur të lënë nismën ushtarake në duart të pushtuesve shoven serbosllav. Fjalëpak por trim e patriot, Agimi do të jepte në këto luftime shembullin e vyer të një kuadri, i cili do të përballej vetë me armikun, në pozicionin më të vështirë, duke dashur të ruaj në çdo moment jetët e bashkëluftëtarëve të vet. Në Dukagjin a Drenicë, në disa prej aksioneve të kryera prej trimave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të binte në sy dëshira e Agim Ramadanit për të fituar me çdo kusht, për të shporrur saora bandat kriminele serbosllave nga toka arbërore. Shpirti i një luftëtari dhe artisti, në këtë rast dhemb dyfish.
Në marsin e vitit 1999, gjeografia e spastrimit etnik serbosllav kish përfshirë zona të tilla si: në Veri: Podujevë-Mitrovicë-Drenicë; në Perëndim: Pejë-Gjakovë-Deçan; në Jug: Malishevë-Suharekë-Prizëren. Ndër objektivat kryesore të beogradit shoven ishte egzodusi i dhunshëm i shqiptarëve etnik nga trojet e veta, për të afruar deri diku një ballancë banorësh me pakicat serbe etj. në Kosovë, ku më pas lehtësisht do të bëhej një referendum për shkrirjen e Kosovës në territorin serb. Ndaj gjatë egzodusit të paparë ndonjëherë, shqiptarëve u merreshin dokumentat e indentifikimit dhe hidheshin në zjarr me qëllim që këta mos të identifikoheshin si banorë të atyre viseve. Mërria e pushtuesve serb ka kaluar gjdo kufi. ”Aktualisht rreth 80 për qind e fshatrave të Kosovës janë mbështjellë me tym e flakë. Ky zjarr i është vënë Kosovës nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe me urdhër të Millosheviqit dhe me vendim të parlamentit të atij shteti. Politika e “tokës së djegur” nuk po zbatohet për herë të parë në Kosovë nga pushtuesi serb. Unë e njoh mirë historinë e popullit tim, atë e kam mësuar qysh në fëmijëri, në këngët e djepit kur gjyshja më thoshte: U bëfsh trim për Kosovën !” (“Burrat e Kosovës e kanë vendin në UÇK” intervistë e Kolonel Bislim Zyrapit. Gazeta “Ushtria”Tiranëmë8mars1999).
Agim Ramadani, në ditët e para të marsit 1999, gjendet në shtetin amë. Ndonëse nuk dinte gjë për fatin e prindërve të vet, ndonëse ndiqte me dëshprim eksodin biblik të bashkëkombasve të vet përmes zjarreve dhe krismave, ai me mprehtësinë e një ushtaraku të vërtetë, do të bashkohej rreth idesë së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për një operacion mësymës në shkallë të gjërë kundër makinës ushtarake pushtuese serbosllave. Ai do të organizonte luftëtarët e Brigadës 138, në rrethina të Kukësit dhe ndërkaq do të influenconte tek eprorët më të lartë të tij për fillimin e menjëhershëm të mësymjes, pasi kjo mësymje do të krijonte parakushte të favorshme për futjen e forcave të NATO-s në vise të Kosovës. Pikërisht në këto momente, falë guximit të Agim Ramadanit dhe qindra prijësve të tjerë të UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm hartoi planin për çlirimin e Kosovës, duke patur si bazë nisjeje, tokën kufitare ndërshqiptare. Ky plan mori emrin e koduar “Shigjeta” dhe përfshinte brezin e mësymjes: mali i Kallabakut – mali i Markofçes, Ferizaj-Prishtinë me dy drejtime operative. Drejtimi i parë; Padesh-Kosharë-Junik-Klinë. Drejtimi i Dytë; Helshan-Pashtrik-Rahovec-Malishevë-Prishtinë. Sipas të dhënave që ndodhen aktualisht në arkivin e ministrisë së Mbrojtjes, në Tiranë, operacioni në fjalë do të zhvillohej në tri faza. Faza e parë, do të ishte lufta në Koshare, e cila do të fillonte me futjen në luftim të trupave të përqëndruara në Papaj. Faza e dytë kish të bënte me kalimin në mësymje në drejtimet e Pashtrikut ndërsa faza e tretë do të ishte thellimi i mësymjes drejt Koritnikut dhe Kallabakut.
Në operacionin “Shigjeta” (po sipas të dhënave në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë) parashikohej një bashkëveprim i ngushtë i forcave të UÇK-së që mësynin përballë, me ato që vepronin në shpinë të armikut, në mënyrë të veçantë në zonën e Pashtrikut dhe Dukagjinit. Për drejtimin e operacionit, në frontin e vështirë të Koshares dërgohet Brigada 138 e komanduar prej Rustem Berishës dhe Agim ramadanit. Ndërsa përfaqsues pranë këtij formacioni luftarak, nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së u dërgua Nasim Haradinaj. Në memoaret e luftës shënohet; ”Forcat e drejtimit të parë operativ, nën komandën e Rustem Berishës, me shef shtabi Agim Ramadanin, në mirëkuptim të plotë me përfaqsuesin e shtabit të Përgjithshëm Nasim Haradinaj, morën detyrën luftarake nga SH.P.UÇK-së me këtë përmabjtje, pasi të shpërthenin kufirin Shqipëri-Kosovë, të kapnin pikën strategjike Rasën e koshares dhe të hapnin korridorin e furnizimit, duke u lidhur me zonën e Dukagjinit, nën komandën e Ramush Haradinajt. Në të pastajmen, me krahmarrjen nga e majta, të rrethonin dhe asgjësonin forcat armike në qytetin e Gjakovës e rrethina dhe të vazhdonin mësymjen në drejtim të Klinës” (H.Katana “Tri dimensionet e luftës çlirimtare të Kosovës” Tiranë 2002 , faqe 69-70 ).

Në muzgun e ftohtë të 8 prillit 1999, Agim Ramadani do të shkonte pothuajse pozicion në pozicion ku rrinin të gatshëm bashkëluftëtarët, vëllezërit e tij. Ndonëse e dinte realisht çdo të ndodhte të nesërmen, ndonëse pati biseduar me komandant Rustemin për rreziqet që duhej të kalonin, përsëri në sytë e tij i ngazzëllente një dritë e çuditshme. Prej asaj drite buronin shpresë e besim që përcilleshin të tilla, tek luftëtarët në llogoret e Papajt. Prej asaj drite, 320 djemtë trima të UÇK-së, do të merrnin zemër e do të shndrroheshin në 320 shqiponja në mbrojtje të viseve arbërore. Ato biseda miqësore gati nën zë, ato rrahje shpatullash vëllezërore, ajo heshtje që jo rrallë, flet sa mijëra fjalë së bashku, do të ishin ndërkaq parathënie e një lirie që vinte mundimshëm tok me përrenjtë e gjakut.
Të nesërmen, ende pa zbardhur mirë, gurët dhe drurët e Koshares do të jetonin krismat e papara ndonjëherë të armëve të UÇK-së. Vonë, në mbrëmjen e asaj dite, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së do të njoftonte në Tiranë e ma gjërë se; ” Në orën 03:30, datë 9 prill 1999, forcat e UÇK-së, që veprojnë në rajonin e Junikut ndërmorrën një sulm të befasishëm kundër forcave serbe që ishin të stacionuara në fshatin Koshare dhe ato të Karakollit, 100 metër në perëndim të Kashares. Fillimisht u goditën forcat e karakollit, ku u vranë rreth 38 ushtarë serb dhe u rrethuan forcat serbe të strehuara në shtëpitë e fshatit Koshare. Në agim të ditës, forcave serbe u vinë në ndihmë forca të tjera nga fshati Batush, por tanket u goditën nga forcat tona dhe u asgjësua 1 tank, 1 transportues i blinduar dhe dy makina me ushtarë. Atëherë forcat serbe u tërhoqën në fshatin Batush dhe goditën me artileri forcat tona që kishin rrethuar fshatin Koshare të banuar nga ushtarët serb. Djemtë e Kosovës po luftojnë me kasapët e Serbisë që janë të veshur me blind dhe po fitojnë mbi këtë përbindsh me fytyrë njeriu. Fitojnë djemtë e Kosovës se luftojnë për lirinë e atdheut të tyre, ndërsa ushtarët serb u ngujuan në bodrumin e Karakollit dhe dridhen nga frika. Në këtë luftim prej disa orësh, na kanë rënë në fushën e nderit luftëtarët Bashkim Jashari, Agush Logu, Ramiz Krasniqi, Rifat Qehaj dhe na kanë plagosur Bujar Maloku e Smajl Trofaj. Forcat tona kanë bërë dy rrethime dhe një vijë mbrojtëse, për të mos mundësuar ardhjen e forcave serbe nga Batusha… Luftimet vazhdojnë” (Gazeta“Ushtari“më10prill1999).
Në luftimet e egra të 9 prillit, Agim Ramadani do të udhëhiqte grupin e tij të luftëtarëve, pikërisht në frontin më të rrezikshëm, aty ku makina ushtarake serbe mbrohej me të gjitha llojet e armëve. Luftëtari dhe artisti i madh, ndonëse e shihte se marrja e Koshares ishte tejet e vështirë, nuk u lëkund për asnjë çast edhe atëherë kur vrapoi për të mbyllur sytë e puthur në ballë bashkëluftëtarët e vet të rënë në fushë nderi, të rënë nga breshërit e armikut. Një ditë më pas, atëherë kur Beogradi shoven, e ndjeu se po i rrëshiqiste toka nën këmbë, u hodh në sulm me gjithë arsenalin e vet të forcave dhe mjeteve luftarake. Sërisht djemtë e Brigadës 138, bashkuan gjokset dhe supet duke u shndrruar në karakolle të përjetshëm lavdie dhe heroizmi për kombin e tyre. Por në këtë qëndresë emblematike, do të binte i përgjakur predhash, kryeqëndrestari, Agim Ramadani. Ai që e donte aq shumë jetën e kombit, falte tani jetën e vet, blatonte shpresën e madhe të artistit tek e nesërmja e atdheut. Fronti i çarë i koshares pati përparsitë e veta në ngjarjet që rrodhën më pas. Jehona e epopesë së Koshares u përcuall tejembanë viseve etnike shqiptare, madje kudo në çdo çip të globit ku shqiptarët ndiqnin me ankth në shpirt fatin e vëllezërve të tyre të UÇK-së. Thyrja e kufirrit shqiptaro-shqiptar, ishte mesazhi i madh i shpresës së popullit shqiptar, e sidomos atij të shpërngulur nga trojet arbërore të Kosovës, i cili tashmë shpresonte në kthimin e tij në vatrat e veta dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare. Luftëtarët e frontit të Koshares ishin të parët që dhuruan jo vetëm gjakun por edhe shpresën e madhe për popullin e Kosovës, në ato ditë të shpërnguljes masive: Kështu, ndërsa eksodi biblik i shqiptarëve ndalej, kortezhi pambarim i njerëzve i drejtohej qytetit të Bajram Curit me trupat pa jetë të trimave në krahë. E dhimbshme ajo ditë e 12 prillit 1999. E dhimbshme të mbaje në shpatulla trupin e burit të Karadakut. Qysh mund ta nxinte atë zemër të madhe, ay arkivol? Por zemra dhe amaneti i Agim Ramadanit nuk ka heshtur. Ajo rreh diku si dikur, në faqe të flamurit të lirisë së Kosovës. Përjetësia e burrit fitoi ardhmërinë sublime. Brigada 138 mori emrin Agim Ramadani, ndërsa Kosova tashmë nuk e ndjen këmbën e pushtuesve shoven serbosllav.Por thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar,që na patën rrethuar me gjëmba e mina komunistët serbosllav e shqiptar ende kolliten ,Shqipërisë i duhen gjymtyrët e saja,këto ishin amanetet e dëshmorëve.Kosova asht Shqipëri

Bern.Zvicër

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Ramadani, eposet e karadakut, Eugen Shehu

Komisioni i Jashtëm rikthen rezolutën e vitit 2004 për çështjen Çame

April 10, 2013 by dgreca

LETRA DREJTUAR KRYEPARLAMENTARES JOZEFINA TOPALLI DHE DEKLARATA PAS KOMISIONIT TE JASHTEM PARLAMENTAR/

Anëtarët e Komisionit të Jashtëm diskutoi rezolutën Çame. Por kjo seancë nuk ka kursyer surprizat, kur kryetari i komisionit Fatos Beja ka risjellë në vëmendje rezolutën e viti 2004 për një çështje të tillë. Sipas tij, kjo rezolutë nuk mund të injorohet.
I gjendur përballë një fakti të tillë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nxitoi të saktësonte se “rezoluta e 2004 në procesverbal del sikur nuk është miratuar. Ne dimë që kjo rezolutë është rrëzuar në atë vit. Po të ishte miratuar do dilte në fletoren zyrtare”.
Por kryetari Beja ka deklaruar se nuk duhet bërë një rivotim, vetëm një rregullim në procesverbal, pasi rezoluta është votuar një herë, nuk votohet për së dyti.
Në vlerësimin e Idrizit, fshehja e këtij dokumenti përbën një dëm të madh shoqëror se asnjë qeveri nuk i është referuar asaj.
Për këtë arsye, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri ka fajësuar ish kreun Kuvendit Servet Pëllumbin duke kërkuar që t’i paraqitet drejtësisë ka falsifikuar dokumente.
Ndërkaq deputeti, Katsriot Islami kërkoi që të sqarohet rezoluta e 2004.
Kështu, pritet që në mbledhjen e radhës të rishikohet pikërisht një rezolutë e tillë.

LETRA DREJTUAR KRYEPARLAMENTARES, JOZEFINA TOPALLI

 

Kryetares së parlamentit

Shkëlqesisë së saj, zonjës Jozefina Topalli

 

E nderuar zonjë,

Siç është bërë e ditur Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka paraqitur në Parlament që në dhjetor të vititi 2012 projektrezolutën « për zgjidhjen e çështjes çame ».  Kjo projektrezolutë synon zgjidhjen e çështjes çame në kuadër të Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, Konventës Europiane të Lirive dhe të Drejtave të njeriut, dhe të drejtës ndërkombëtare në përgjithësi.

 

Në mbledhjen e Komisionit të jashtëm të Parlamentit të datës 10 prill 2013, Kryetari i Komisionit, zoti Fatos Beja na bëri të ditur ekzistencën e një rezolute të miratuar tashmë në datën 8 prill 2004, për çështjen e popullsisë çame.

 

Në kushtet kur sipas procesverbalit të asaj seance, të vendosur në dispozicion nga administrata e këtij Kuvendi, kryetari i Kuvendit asokohe, ka thënë se kjo rezolutë nuk është miratuar ; (bashkangjitur procesverbali i asaj mbledhjeje) ;

Në kushtet kur kjo projektrezolutë nuk është bërë publike në asnjë numër të Fletores Zyrtare të vitit 2004 ;

Në kushtet kur ashtu siç deklaroi, as Kryetari i këtij Komisioni nuk e gjente në aktet parlamentare këtë rezolutë ;

Në kushtet kur sipas nesh, prej 9 vjetësh nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e çështjes çame, mbi bazën e kësaj rezolute që është miratuar, apo të kuadrit ligjor ndërkombëtar,

Me qëllim që Kuvendi i sotëm të mos bëhet palë në zhdukjen e këtij akti dhe të ruajë dinjitetin e vet,

 

Si deputetë të PDIU-së, kërkojmë :

  1. Të certifikohet nëse kjo projektrezolutë është miratuar në 8 prill      2004 ;
  2. Pas certifikimit, rezoluta duhet të marrë fuqi ligjore duke e bërë      publike në Fletoren Zyrtare, sipas parimit kushtetues të publicitetit të      akteve parlamentare ;
  3. Në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit, të lexohet përmbajtja e saj      si dëshmi e afirmimit edhe njëherë të vullnetit parlamentar të shprehur në      8 prill 2004, dhe për t’i ofruar dhe njëherë qeverive të Shqipërisë një      bazë referimi të palëkundshme në lidhje me çështjen çame.
  4. Të merren masa për të hetuar rrethanat e zhdukjes së këtij akti      dhe mospërfshirjes së tij në Fletoren Zyrtare të kohës.

 

 

Shpëtim Idrizi                                                                                    Dashamir Tahiri

 

 

Deklaratë për shtyp e PDIU-së

 

Kryetari Idrizi në Komisionin e jashtëm : na duhet një tekst konsensual i Rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame ;

 

Kryetari i Komisionit Beja : ka një rezolutë të miratuar në 8 prill 2004 ;

Idrizi : Ky është skandal. Kryetarja e parlamentit të shprehet nëse ajo rezolutë ka fuqi të plotë ligjore apo jo dhe ta botojë në Fletoren Zyrtare;

Në këto 9 vjet pas diskutimit të atij teksti, asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e çështjes çame !

Sot në mbledhjen e Komisionit të jashtëm të Parlamentit, kryetari i PDIU-së, zoti Shpëtim Idrizi shprehu dhe njëherë nevojën e miratimit të një dokumenti konsensual për zgjidhjen e çështjes çame. Ai e vlerësoi projektin alternativ të propozuar nga kreu i PS-së, por kërkoi që teksti përfundimtar të ishte rezultat i kontributit  të të gjithë partive.

Për çudinë e të gjithëve, kryetari i Komisionit të jashtëm, zoti Fatos Beja paraqiti si të miratuar tekstin e një Rezolute që Kuvendi e kishte marrë në shqyrtim në 8 prill 2004. Bëhet fjalë për atë tekst për miratimin e të cilit Shoqata Çamëria kishte organizuar një protestë e cila përfundoi në mënyrë të dhunshme nga forcat e policisë. Sipas zotit Beja, ky tekst, i cili kurrë nuk u bë publik në Fletoren Zyrtare gjendej në arkivin e Kuvendit. Duke replikuar në lidhje me këtë fakt të ri, zoti Idrizi shprehu habinë sesi një dokument kaq i rëndësishëm të mund të fshihej dhe të mos botohej në Fletoren Zyrtare. Ai kërkoi që Kryesia e parlamentit të shprehej në mënyrë përfundimtare në lidhje me vlerën zyrtare të tekstit, dhe që ai tekst të shërbente dhe sot si bazë për veprimin diplomatik të qeverisë në zgjidhjen e çështjes çame. « Kanë kaluar 9 vjet prej atëherë, tha zoti Idrizi, dhe asgjë nuk është për bërë zgjidhjen e saj. Në këto kushte, Parlamentit i duhet të shprehet dhe njëherë në lidhje me zgjidhjen e çështjes çame. Parlamenti duhet ta imponojë qeverinë ta trajtojë këtë çështje si duhet në takimet diplomatike. E kuptoj rëndësinë e Traktatit të miqësisë, por ai Traktat ka funksionuar vetëm për grekët, për varrezat e ushtarëve të tyre, për pronat e minoritarëve, etj, dhe asgjë s’është bërë për ne shqiptarët. Në të gjithë rastet ne kërkojmë shfuqizimin e Ligjit të Luftës », përfundoi ai.

Po sot, dy deputetët Idrizi dhe Tahiri i dërguan një shkresë Kryesisë së Parlamentit ku i kërkojnë të shprehet zyrtarisht dhe pa vonesë në lidhje me miratimin ose jo të Rezolutës në 8 prill 2004, dhe t’i japë asaj Rezolute fuqi të plotë ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: fshehja e dokumentit, Idrizi, rezoluta came

Historike! Kombetarja e futbollit per femra, kualifikohet per ne Kampionatin Boteror Kanada 2015.

April 10, 2013 by Administrator

Shqiptaret qe banojne ne Kanada, por edhe ata qe jetojne ne USA, do te kene mundesine te ndiekin nga afer Kombetaren e Futbollit te Femrave. Ekipi yne Perfaqesuese do te luaje ne elemininatoret e Kampionatit Boteror qe do zhvillohet ne Kanada.  Kombëtarja Shqiptare e futbollit të femrave ka befasuar në debutimin e saj në fazën paraeliminatore për kualifikimet e Kampionatit botëror që mbahen në korrik në Suedi. Shqipëria është kualifikuar pas fitores së sotme kundër skuadrës së Luksemburguz me rezultat 2:1. Dy ndeshjet e tjera Shqipëria kishte mposhtur Letoninë me rezultat të pastër 2:0, derisa kishte barazuar me Maltën vendase 1:1. Shqiperia ne pjesmarrjen e vet te pare zyrtare ne kuader te Eliminatoreve  Kupa e Botes 2013  per Femra arrin suksesin e madh te kualifikimit.  Vajzat e drejtuara nga trajneri Altin Rraklli kane fituar ndeshjen e trete e te fundit ne grup perballe Luxenburgut me rezultatin 2-1. Keshtu pas barazimit me Malten vendase 1-1, fitores me Letonine 2-0 dhe sot me Luxenburgun 2-1 me gola te shenuar nga Jashari dhe Velaj. Kuqezinjte jane ne krye te grupit  me 7 pike ne tre ndeshje qe do te thote kualifikim i suksesshem per ne etapen tjeter te eliminatoreve teper te rendesishme te kompeticionit me te madh te futbollit per femra Kupa e Botes.

A.K

Filed Under: Sport

Kampionati Boteror! Peshëngritje, Godelli fiton medalje të artë në shtytje.

April 10, 2013 by Administrator

Shtangisti kuqezi arriti të ngjitet në podin më të lartë, duke mbajtur mbi supe 177 kilogram në stilin e shtytjes, një shtangë e ngritur për rikthimin e tij si kampion, për tifozët e pranishëm në pallatin e sportit “Asllan Rusi” por dhe për kombin e tij.

Djaloshi nga Peqini arrin të realizojë shpresën e shqiptarëve për një medalje ari dhe pse nuk arriti ta marrë në dygarësh, ku mori medalje bronxi, ashtu si dhe në shkëputje.

Në fakt kur Daniel Godelli shfaqet në pedanë për stilin e shkëputjes së peshës 169 , ka me vetë dhe qindra tifozë por dhe peshën e madhe të emocioneve, për të mbajtur lart flamurin shqiptar. në provën e parë, nxitohet dhe shtanga I shpëton nga duart, por e dyta është e saktë, dhe tashmë Danieli është në zonën e medaljeve. Azeri Hasanov ngre 150 në të tretën dhe Godelli për të varur të paktën medaljen e argjendtë në qafë nevojitet të provojë më shumë. shtangisti nga peqini, tenton me 153 por nuk arrin dot ta mbajë lartë shtangën duke u pozicionuar i treti për medaljen e bronztë.

Dielli.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT