• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

Zbulohen 130 mijë emra me xhirollogari të fshehta

April 5, 2013 by dgreca

Një hetim global gazetaresk i ka zbuluar emrat e 130 mijë njerëzve nga 170 vende, që dyshohet se i kanë deponuar paratë e tyre në xhirollogaritë e institucioneve financiare jashtë shteteve të tyre, që vlerësohen si parajsa të tatimeve.
Të dhënat e tilla janë zbuluar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), që është një rrjet i reporterëve në më tepër se 60 vende dhe medieve kryesore ndërkombëtare, me seli në Washington.
Në këtë listë përfshihen personat e ndërlidhur me bashkëshorten e zëvendëskryeministrit të Rusisë, Igor Shuvalov, presidentit të Azerbajxhanit,Ilham Alijev, me gruan dhe vajzat e tij.
Michael Hudson, redaktor i rrjetit, i tha Radios Evropa e Lirë se kanë dështuar të gjitha përpjekjet për të kontaktuar bashkëshorten e Shuvalovit.
“Bashkëshortja e zëvendëskryeministrit rus Igor Shuvalov, ka një kompani në ishujt Virgin. Ne bëmë përpjekje të marrim komentet e saj, por ajo ka refuzuar. Së këndejmi ne nuk e dimë se për çfarë përdoret kompania. Fakti që dikush ka një kompani të tillë, nuk do të thotë domosdoshmërish që bëhet fjalë për diçka të keqe, por ngre çështjen e transparencës”.
“Përse e keni kompaninë? Çfarë afarizmi zhvilloni? A ka para që janë nxjerrë jashtë vendit tuaj? Këto janë ai lloj i pyetjeve që ne u shtrojmë zyrtarëve tatimorë dhe atyre për sundimin e ligjit gjithandej nëpër botë, derisa ata shqyrtojnë rastet e tilla”, tha Hudson.
Ai shpalosi hollësi rreth llogarive të Alijevit.
“Ne kemi gjetur se tri kompani janë regjistruar në ishujt Virgin në vitin 2008 në emrin e të bijave të presidentit të Azerbaigjanit, Ilham Aliev.  Ato ishin 19 dhe 23 vjeçare në atë kohë. Në regjistra, personi që ato e kishin emëruar si drejtor të kompanive ishte Hassan Gozal, një manjat, perandoria afariste e të cilit është ngritur mbi kontrata miliarda dollarëshe me projektet masive ndërtimore të presidentit. Ne bëmë përpjekje të kontaktojmë me familjen presidenciale dhe me zotin Gozal, por nuk arritëm të sigurojmë komentet e asnjërit prej tyre”.
Ky rrjet i gazetarëve njoftoi se afro 2.5 milionë dokumente, që kanë rrjedhur nëpër kanale sekrete, tregojnë se njerëzit e pasur i shfrytëzojnë parajsat e taksave për t’i fshehur paratë e tyre.
Një ish shef i ekonomistëve në kompaninë globale konsultuese,McKinsey&Co, ka vlerësuar se më se 2100 miliardë dollarë mund të fshihen në llogaritë e tilla të jashtme.(a.konushevci)

Filed Under: Kronike Tagged With: 130 mije, te fshehta, xhirollogari

Rezoluta Came, hidhet hap i rendesishem drejt miratimit ne Komisionin e Jashtem

April 5, 2013 by dgreca

JA 13 PIKAT E REZOLUTES, E CILA SHKAKTOI SHERR MES DEPUTETIT IDRIZI DHE KUNDERSHTARIT TE REZOLUTES, VANGJEL DULE/

Takimi i sotshëm në komisionin e jashtëm për rezolutën çame shënoi një hap para në procesin e miratimit të rezolutës. Relatorërët bënë prezantimet e analizës së tyre ku Z. Kadilli kërkoi më shumë kohë për të siguruar më shumë ekspertizë për rezolutën ndërsa Z. Minxhozi shprehu rezerva vetëm për tekstin dhe formën me të cilën janë paraqitur kërkesat. Z. Idrizi shprehu vullnetin për të shqyrtuar formulimin kërkesave dhe për t’u përqendruar tek çështjet më thelbësore të rezolutës. Ai vuri në dukje që rezoluta jo vetëm vë në vend një padrejtësi historike por edhe jep një kontribut të vlefshëm për një fqinjësi sa më të mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë duke kërkuar heqjen e Ligjit të Luftës dhe  ri-aktivizimin e Traktatit të Miqësisë. Anëtarët e komisionit sugjeruan që deputetët propozues të takoheshin me relatorët për të siguruar një version sa më konsensual dhe për të paraqitur në seancën tjetër një version të përmirësuar. Ky takim mes deputetëve propozues të PDIU-së dhe relatorëve u la për të dielën në orën 10:30 .
Mbledhja e ardhshme e komisionit të jashtëm u caktua për të martën e javës që vjen dhe u ra dakord që në të shqyrtohet konkretisht dhe hollësisht përmbajtja e versionit të ri të përmirësuar të rezolutës për të kaluar mandej në finalizimin e procesit.Rezoluta Çame ka sjellë ‘përplasjen’, e kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule në Komisioni e Politikës së Jashtme në Parlament. Mbledhja u hap me pretendimin e Dules i cili deklaroi se Kokmisioni po shkel Kushtetutën, pasi me rregulloren e re nuk ka asnjë bazim ligjor ku të mbështeten kërkesa e PDIU-së. Kreu i Komisionit Fatos Beja qaroi se nuk ka shkelje
Deklarata e Dules ka sjellë reagimin e deputetëve të PDIU-së, si replikë tha se në bazë të proceduarve jemi brenda kuadrit ligjor.
“Kjo çështje rëndon mbi të drejtën e 300 mijë shqiptarëve. Është një gjenocid që është njohur nga parlamenti shqiptar në ’94. Ky spastrim etnik ka shkelur të gjitha të drejtat e njeriut”, u shpreh Idrizi. Ndërkohë, deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri iu drejtua Dules se “ ngatërron rezolutën Çame me Kushtetutën grek”.
Relatorët e cështjes kanë pasur qëndrim unanim në pretendimin e tyre që diskutimi dushe të shtyhet për shkak se duhet një studim akoma me i thellë. Relatori Fatbardh Kadilli njëherësh deputet i PD-së kërkoi më shumë për konsultim pasi komisioni nuk është ende gati për relacionin. “Kërkojmë më tepër kohë që të punojmë më me seriozitet” shtoi Kadilli.
Ndërkohë, relatori Qemal Minxhozi (deputet i PS), kërkoi shtyerjen e diskutimit me qëllim ruajtjen e interesit kombëtar. “Përmbajte e rezolutës e papranueshme, të ristrukturohet. Të shtyhet diskutimi për të ruajtur interesin kombëtar”, tha Mminxhozi.
Si replikë kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi akuzoi relatorët se i janë shmangur takimeve dhe nuk i janë përgjigjur. Idrizi tha se cështja Çame rëndon mbi të drejtën e 300 mijë shqiptarëve dhe se gjenocidi është njohur nga parlamenti shqiptar në vitin ’94. Sipas Idrizi rezoluta synon normalizimin e marrëdhënieve të Greqisë dhe Shqipërisë, por duke shtuar se fqinji duhet të heqë ligjin e luftës.
“Kjo çështje rëndon mbi të drejtën e 300 mijë shqiptarëve. Është një gjenocid që është njohur nga parlamenti shqiptar në ’94. Ky spastrim etnik ka shkelur të gjitha të drejtat e njeriut. Rezoluta tenton të normalizoje marrëdhëniet mes 2 vendeve. Ne si shqiptarë edhe mund të falim, por s’mund të harrojmë. Janë vrarë njerëz dhe grabitur pasuri pa asnjë justifikim. Janë vrarë njerëz dhe grabitur pasuri pa asnjë justifikim ligjor. Pala greke ka thënë se kjo është çështje juridike”, tha Idrizi.
Idrizi duke theksuar se rezoluta Çame nuk kërkon ndryshim kufijsh, por të drejtat e çamëve shtoi: Kemi 5 muaj që ‘vetëvritemi’ në këtë komision. Relatorët s’na kanë pranuar të konsultohemi Jemi larguar si refugjatë nga shtëpitë tona. Nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por të drejtat tona, por kërkojmë riaktivizimin e traktatit të miqësisë, heqjen e ligjit të luftës”.
Deputetja socialiste Arta Dade, akuzoi kreun e PDIU-së se po vë njerëzit në presion, pasi relatorët kanë punuar mirë.
Ndërkohë, gjatë diskutimeve dhe debateve të forta mes përfaqësuesve të PDIU-së dhe kreut të PBDNJ, Vangjel Dule , ku i fundit braktisi Komisionin pasi deklaroi se se nuk mund të jetë pjesë e një komisioni rrugaçërie. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të PBDNJ-së,. Shpëtim Idrizi i cili i tha: “Mbaj gojën se edhe mund të ndryshoj gjuhën”.
Komisioni i Politikës së Jashtme në parlament vendosi të premten që relacioni përfundimtar i rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame të paraqitet të martën.
Votimi i rezolutës Çame në parlament është vendosur si kusht nga PDIU për pjesëmarrjen e saj në koalicionet paraelektorale. Gjatë fjalës së tij Vangjel Dule kërkoi bazë parlamentare të aktit të jashtëm për rezolutën.

REZOLUTA ÇAME
REZOLUTA ÇAME

1. Rezoluta njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të   gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje   me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi   gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin   mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e   Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve.2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë,   ish-shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së   riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të   drejtave të tjera të pakicave kombëtare.3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe   2637/1940 i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në   veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive   shqiptare.

4.Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e   refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit   civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë   akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5.Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me qeverinë e   Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të   sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin   përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e   shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e   statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të   përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera   nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve,   ish-qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të   përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë   shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që, në   kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së   Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që   gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së   Arsimit dhe të Shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologe të nxisë heqjen në   tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë   palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në   lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të   njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian   dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke,   për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi   diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi,   ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Komisioni i Jashtem, rezoluta came

Bektash Cakrani :Motoja E Jetës Time Ka Qenë Mbi Pasurinë E Familjen ,Atdheu

April 5, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

 Ka një gen në ADN e fisit Cakrani . Patriotizmi. I pandalshëm dhe i pashueshëm. Mund të zbehet por nuk njohu shuarje kurrë. Dielli i jetës në ardhje ,e solli në Cakran. Kërthiza ju pre me urimin ardhsh për mëmëdheun i mbarë .Viti ishte sosur 1871. Ndërkaq dritëza e Përndritjes kombëtare kishte filluar rrezatimin. Në vitet 1900-1908 Bektash Cakrani ,shkruan studiuesi Asqeri Llanaj ,sëbashku me atdhetarët e tjerë në Fier, Berat, Tepelenë, Vlorë, Mallakastër ndiqte me vëmendje gazetat që botonin kolonit shqiptare në Bukuresht, Kajro,Sofje dhe Manastir ku pasqyroheshin ngjarjet si dhe tablo nga jeta e shqiptarëve në Kosovë. Camëri,Maqedoni e krahina të vendit. Atij I vinin gazetat nga Berati dhe Vlora si “Shqipëria”,Drita,”Albania,Kombi,Shqyja e Shqypënisë”, ku shkruanin Shahin Kolonja, Grmeno, Asdreni, Mosi, Bagëri. Në tetor të vitit 1908 me këshillën e I.Qemalit u themelua klubi atdhetar ‘Labëria” ku pjesëmarrës është si dhe Hajredin Cakrani. Me iniciativën e vëllezërve Cakrani krijohet në Cakran një degë e klubit Labëria . e cila vihet në dukje nga letërkëmbimet e Ibrahim Abdulait, Hamza Isait. Kristo Karbunarës. Nga viti 1909 kemi një lëvizje të patriotëve shqiptarë Bektashi udhëton drejt Stambollit ku takohet me XH.Ypin dhe djalin e I.Beut. Në letrën, që I.Qemali u dërgon anëtarëve të klubit “Labëria’, u bënë të qartë se pushteti i Abdyl Hamitit u ka sjellë mjaftë të këqija popujve të robëruar”.Gjeografia e lëvizjeve  të patriotëve shënon koordinatat të reja sepse arrestimet,burgosjet, reprezaljet janë pjesë e një strategjia perandorake otomane ku sipas konsullit austro-hungarez Kraus në relacionin dërguar Vjenës më 4 qershor 1909 u arrestuan 13 vjet I.Abdullai, E. Xhaferi, D. Shaska, A. Beqir, M. Shara. Kristo Karbunara sjell të dhëna ku flitet se  atdhetarët vlonjate e mallakastriot mërguan në Korfuz,Itali dhe ndër vise të tjera,ku odiseja e udhëtimit të tyre përshkruhet me varkë nëpër Jon përmes  dallgëve. Ftesa e Dervish Himës  për klubin Labëria në mars të vitit 1910 për të dërguar në Manastrit 3 përfaqësonjës për kongresin e dytë rezultojnë delegatë Bektash Cakrani,Ibrahim Abdullai, Jani Minga, Abaz Mezini. Hapja e shkollës  shqipe të Cakranit ruan vulën e bejlerëve të Cakranit .Kjo mund të shënohet një gur  qoshje në vendin e shqipeve.  Kristo Karbunara në kujtimet e tij dhe në dëshmitë  e Gaqo Floqit, Viskë Baba Tasit dëshmohet se Bejlerët e Cakranit  kishin paguar mësonjësit shëtitës jo0 vetëm për katundin e tyre por edhe për katunde të tjerë si Gorishovë, Buzmadh, Klosë. Në fjalën e Hajredin Cakranit në ditë çeljen e shkollës shqipe tha se në  Cakran familja Cakrani janë lexuar në alfabetin shqip librat botuar në Bukuresht e Stamboll, si Abetarja e Veqilharxhit, e Sami Frashërit,”Bagëti e Bujqësi,”Qerbelaja”,”Lulet e verës” dhe vjershërimi të tjera të shkruara nga Naim beut . Për shkollën shqipe të Cakranit flet Thanas Floqi,kur ishte ende mësues në këtë shkollë  lajmërohet prej ti të ndodhej në Vlorë në nëntor 1912 në ditët në prag të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Ndër dokumente të shumta .Citojmë Gazeta ’Liri e Shqipërisë” Sofie,Nr 19 dt 09/09/1911 shkruan se të bijtë e Kahreman be Cakranit në Mallakastër pa marrë parasysh prishjen pasurisë së tyre ,që arrin në tre mijë lira turke  të ardhura në vit,nxorën  maleve një çetë për të luftuar kundra turkut,çeta kryesoj prej Bektash Cakranit. Ka dokumente të shumta dhe gazeta shqip që shkruajnë për patriotët shqiptarë citohet Bektashi dhe të tjerë  në prag të shpalljes së pavarësisë .Gazeta Dielli e Bostonit, në 21 në vjeshtë të parë vihet në dukje se krahas Bektash Cakranit në beteja kundër turqve në Pazar të Cakranit .me trimëri luftuan kryetarët dhe luftëtarë të çetave shqiptare. Duke renditur të gjitha lëvizjet patriotike të periudhës së viteve 12 pikëzohet një aktivitetet i shkëlqyer patriotik si rrallë kush. Prill- maj 1912 gjatë fushatës elektorale  Bektashi përkrah kandidaturën e Ismail Qemalit. Prill 1912 vjen Ismail Beu që Vlorë. Takim me krerë midis të cilëve gjendet edhe Bektash Cakrani. Bektashi merr përsipër organizmin kryengritjes anti-turke së bashku me 360 shpirt. Emri i Bektashit regjistrohet në kronika gazetash shqiptare që përhapen në disa shtete të botës. Gusht 1912 thirret në Fier një kuvend është prezent Ismail Beu dhe Luigj Gurakuqi,ka folur aty edhe Bektash Cakrani. Në takimin e Cakranit ku gjendeshin Ismail Beu dhe Gurakuqi, Bektash Cakrani tha :”Neve na u desh bashkë me atdhetarët beratas e vlonjatet,një punë madhe që ju të ishit përfaqësuesi ynë sepse lakejt xhonturq doni shërbëtorin e tyre …Ka të dhëna të mbledhura nga studiues dhe të sintetizuara në një libër nga Asqeri Llanaj për figurën e Bektash Cakranit se   deri në vitin 12 Bektashi dhe i vëllai i tij Hajredini mobilizuan mjaftë vullnetarë në zonën e Mallakastrës .Ky autor citon faktin se në 9 nëntor 1912 atdhetarët në Vlorë,berat,Mallakastër e kudo kanë marrë ndërkaq njoftimin  se :krerët shqiptarë do të mblidheshin shpejt për fatin e vatanit të tyre..Ismail Beru do të dërgonte telegramin :”Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës dhe Vlorë është shumë  e nevojshme. I thërrisni të gjithë deri sa të arrij unë.Mbani qetësin dhe ruani bashkimin. çështja jonë  politike u sigurua..Në Vlorë ngrihet kom,misioni përgatitor i Kuvendit Kombëtar ku ishin Xhemil bej Vlora,Qazim Kokoshi,Hasan Sharra, Ibrahim Abdullai, Abaz Mezni, Alem Mehmeti, Thanas Floqi, Jani Minga, Leonidha Bezhani, Qamil Risilia, Bektash Cakrani etj. Në telegramin që Bektashi i dërgon Haziz Pashë Vrionit, thuhet :’Shkëlqesisë së tij Azis Vrioni dhe shokëve të ndershëm të Beratit. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Shkëlqesia e tij Ismail Qemal Beu me shokët e e tij të ndershëm janë nisur prej Budapestit drejt për këtu që të gjenden në që të gjenden në mbledhjen e përgjithshme kombëtare e cila do të bëhet në Vlorë dhe kanë lajmëruar telegrafisht se nesër mërijnë në Durrës .Në telegramin që erdhi porosit që të dërgohen atje karroca ose kuaj për të hipur prej Beratit….Në 21 nëntor 1912 nga Durrësi L. Gurakuqi dërgonte këtë telegram në Vlorë me këtë përmbajtje:’Ethem Beut e Bektash Cakranit,ose Qazim Kokoshit në Vlorë:’ Me urdhër të Ismail Qemal Beuit, ju bëhet me dije se pas dy orësh duhet të ndodheni në zyrën telegrafike .Luigj Gurakuqi. Qëmtojmë nj dokumentacion të pasur për këtë figurë historike .Kështu përmendet se në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe ngritje të flamurit kombëtar vëllai i tij Hajredini ishte delegatë dhe anëtar i Pleqësisë .Bektashi u emërua nga Qeveria e Vlorës në Drejtorin e Thesarit. Ka një ndihmesë në ngritjen e administratës së kësaj qeverie. E veçantë është se shtypi i kohës e përmend Bektash Cakrani në kronikat e tij. Reporterët  e këtyre shkrimeve janë atdhetarë të njohur si Thanas Floqi.Ibrahim Shyti, Leonidha Naci ,Dom Mark Vasa, Sali Nivica,Muco Qulli,Josif Bageri. Kordinatat që  tregojnë lëvizjet e këtij atdhetari janë mbështetja e Princ Vidit. Në Kongresin e Lushnjës  delegati i Mallakastrës Bektash Cakrani, përshëndeti të gjithë delegatët që morrin pjesë në këtë  me vlera jetike për kombin shqiptar. Falënderoi organizatorët lushnjarë për mikpritjen dhe kujdesin e treguar në mbrojtjen e kongresit.E panjohur deri më sot është vizita e kryeministrit Sulejman Delvinës në Cakran..Epopeja  e Luftës s ë Vlorës është një gjurmë e thellë  e patriotizmit shqip[tar që la Bektash Cakrani si anëtar i shtabit drejtues. Në vitin 1921 midis emrave të shquar të parlamentit është Bektash Cakrani.Lufta e Dytë Botërore nga kujtimet e Avdul Agalliut thuhet se  në fillim të prillit  1939,Bektash beu i Cakranit erdhi dhe bisedoi në Fier e Vlorë  me miqtë e tij Beqir Velo, Aristidh Ruci,Toli Arapi,Beqri Sulo,Ibrahim Abduallai,dotor Simonidhin e Dervish Hekalin për situatën krijuar dhe robërimin e ri të atdheut duke pritur atë me zemëratë. Pas revoltave në Vlorë,Fier,Berat, ai shkruan një letër Musa Jukës  ku i kërkonte sqarime mbi të zezën që po i binte në kokë vatanit nga Italia. Në vitin 1942 zgjidhet Kryetar i Këshillit Nacional-çlirimtar të krahinës së Mallakastrës .Më 7 prill 43  largohet  nga Kryetar  i Nacl. Në fund të prillit 19432 thirret në Tiranë nga Bahri Omari,Skënder Muco.Nuredin Vlora  Bej, Ali Klisyra për tu përfshirë në organizatën Balli Kombëtar.Njihet dhe ky dokument që zbulon se Bektashi është arrestuar në vitin 1940 dhe ishte internuar në Porto Romano. Fitoren e Frontit ai priti në banesën e tij duke  pritur ngjarjet e kohës . Në vitet 45-46 filluan gjyqet popullit .Burgoset në Vlorë ndërsa gjyqi i Ballshit e pushkaton. Bektash Cakrani ka deklaruar në gjyq :’Pas Këshillit Nacional-çlirimtar në krahinën e Mallakastrës u bashkova me organizatën e BK, e cila sipas dekalogut kishte një program të mirë për interesat e popullit dhe atdheut. Por ky program mbeti në letër në kushtet që rrodhi lufta,ai nuk u zbatua. U përpoqa më mish e me shpirt për atdheun dhe kurrë nuk kam bashkëpunuar me pushtuesit nazist për të cilët kisha mendimin se do të pësonin një fund tragjik me luftën e  tyre të padrejtë….Kurdoherë kam punuar për atdheun,sepse motoja e jetës time ka qenë mbi pasurinë e familjen ,Atdheu.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Atdheu, familja, Gezim Llojdia, moto e jetes, Nektash Cakrani, pasuria

Vazhdon të bjerë çmimi i arit

April 5, 2013 by dgreca

Është hera e parë, që nga viti 2001 që ky metal fisnik të pësojë një rënie të tillë çmimi përgjatë dy kuartaleve me radhë/

Çmimi i një unze të arit të pastër ka rënë brenda vetëm tri ditëve nga 1.603 në 1.540 dollarë. Është hera e parë, që nga viti 2001 që ky metal fisnik të pësojë një rënie të tillë çmimi përgjatë dy kuartaleve me radhë.
Sipas një analisti të Commerzbank, përgjegjës për këtë rënie është mosdurimi i investitorëve financiarë. “Humbjet e mëdha të shënuara të martën dhe të mërkurën kanë ardhur përmes tregjeve “Futures”. Deponuesit e mëdhenj financiarë po tërhiqen nga tregu i arit, kështu që ka mundësi që paratë po kalojnë në aksione”.

Një rol të madh në këtë rënie e luan edhe ekonomia e SHBA-së. Megjithatë, sipas analistëve, çmimi i unzës së arit deri ne fund të vitit parashihet të rritet deri në 1.800 dollarë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bie cmimi, i arit

Diaspora- Studentët kosovarë paguajnë para të majme për të punuar në Gjermani

April 5, 2013 by dgreca

Për çdo vit, 180 studentë nga Kosova lejohen të shkojnë në Gjermani për të punuar. Por, një kompani e ka shndërruar këtë në një biznes fitimprurës për veten, shkruan FAZ/

Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan në numrin e saj të të enjtes për një keqpërdorim në nivel të skandalit, që sipas saj e bën një agjenci për ndërmjetësimin e punëtorëve nga Kosova në Gjermani.

“Për çdo vit, 180 studentë nga Kosova lejohen të shkojnë në Gjermani për të punuar. Në fakt, ata duan të fitojnë para, por një kompani e ka shndërruar këtë në një biznes fitimprurës për veten”, shkruan gazeta.

Në Kosovë, të rinjtë, nëse janë me fat, mund të gjejnë ndonjë punë si kamerier në ndonjë restorant apo për t`i rregulluar shtretërit në një hotel. Të tjerë mund të punojnë mbase në bujqësi, ose në pastrim. Puna është e rëndë dhe e kufizuar kryesisht për tre muaj. Për këtë arsye, këtu në Prishtinë, kërkohet vetëm një gjë: Puna në Gjermani.

Për çdo vit, Agjencia Federale e Punësimit ofron punë verore për rreth 180 studentë nga Prishtina. Kjo është detyrë e një zyre për ndërmjetësim (ZAV), një sektori të Agjencisë për punësim, e cila rekruton po ashtu edhe specialistë të informatikës dhe mjekë nga jashtë. Në këtë rast ajo ofron vende pune për të cilat në Gjermani pothuaj nuk ka të interesuar. Në Kosovë, ndërkaq, konkurrojnë për to me qindra studentë. Në rastet kur mund ta bëjnë këtë! Për faktin se vetë konkurrimi kushton, shkruan gazeta, plot 105 euro.

“Partneri kooperues i ZAV në Kosovë, AFK, nga procesi konkurrues ka bërë një biznes fitimprurës. 105 euro i kërkon gjatë këtij viti për ndërmjetësim “Abeitsförderung Kosovo” (AFK). Kështu njoftojnë studentët dhe kështu del edhe nga dokumentet e Ministrisë kosovare të punës. Nga 180 ndërmjetësime, në këtë mënyrë mblidhen afër 20 mijë euro.

Dhe problemi këtu është se ZAV, i ka konfirmuar gazetës se partneri kooperues nga Kosova në fakt nuk do të duhej të merrte fare para nga studentët kosovarë që i ndërmjetëson. Por, ZAV po ashtu, gjatë gjithë pesë viteve të kaluara nuk e ka kontrolluar asnjëherë punën e AFK-së.

“Kjo është vërtetë para e madhe. Ai që fare ka mundësi të punojë në Kosovë si student fiton ne mes 100 dhe 150 euro në muaj”, thotë Fisniku. Ai ndjek studimet në semestrin e gjashtë të gjermanistikës ndërsa i financon ato përmes punës verore në Gjermani. Vitin e kaluar Fisniku ka bartur paketa dhe ka shpërndarë letra, në Wiesbaden. 105 eurot për të konkurruar, ia kishte huazuar një i afërm i tij që t`ia kthente pas punës verore.

“Unë nuk kam tjetër mundësi të vi në Gjermani”, thotë ai dhe prandaj as nuk është ankuar për çmimin e lartë të pagesës për ndërmjetësim.

– Ministria, ka vërejtje për rritjen e pagesës por është e kënaqur se studentët nuk ndalen në Gjermani

Gjatë termineve me rastin e konkurrimit në AFK asnjëri nga studentët nuk kishte guxim të vinte në pikëpyetje procedurën. “Ne jemi gjithnjë dy veta në zyrë. Biseda me zyrtarin gjerman zgjat pesë minuta. “Ai pyet se prej nga vijmë dhe përse duam të shkojmë në Gjermani. Pastaj ai kryqëzon në formular se çfarë pune mund të bëjmë ne atje. Kundrejt dhjetë eurove të tjera, zyrtari i AFK-së të jep një certifikatë për njohjen e gjuhës…”

Terminet për konkurrim bëhen në një zyrë të Ministrisë së Punës, në një ndërtesë përdhese në afërsi të qendrës së Prishtinës. “Migrations-Service-Center” quhet zyra. Hafiz Leka, shef, i sektorit për punësim në Ministrinë e Punës flet për suksesin e bashkëpunimit shumëvjeçar me ZAV. Por shpejt shihet se ai në këtë rast nuk ka parasysh interesin e studentëve.

“Deri më tash të gjithë janë kthyer nga Gjermania, gjithmonë me kohë dhe gjithmonë vullnetarisht. Asnjëri nuk ka provuar të mbetet  atje”.  I pyetur për bashkëpunimin me AFK ai tregon për një memorandum nga viti 2008. Me të është sqaruar se AFK merr përsipër administrimin dhe gjithë komunikimin me institucionet gjermane. Ministria jep në dispozicion falas lokalet për terminet për konkurrim pasi që AFK nuk posedon zyra të vetat në Prishtinë, thotë Leka. Një nëpunëse e ministrisë i pranon aplikacionet për punë dhe i bën gati ato. Pastaj, i dërguari nga ZAV i kryen bisedat me aplikuesit.

Por, Ministria e Punës ka shprehur interesimin që ta udhëheqë projektin drejtpërdrejt me ZAV, pa pjesëmarrjen e AFK-së. Kjo, sepse, duket qartë, edhe nëpunësit e ministrisë janë habitur me zhvillimet rreth pagesave që duhet të bëjnë studentët për aplikim. Ato janë rritur në vazhdimësi që nga nënshkrimi i memorandumit në vitin 2008 e këtej.

Nga 20 euro sa ishin në fillim, qenë bërë 40 dhe së fundi janë ngjitur në 105 euro, thotë Leka. Si përgjigje për kërkesën për sqarim që e ka bërë ministria, AFK ka “sqaruar” se: 5 euro duhet të paguajnë studentët për aplikim, 20 euro “për shpenzimet administrative” si dhe një “kaucion” prej 80 eurosh. Këto të fundit u kthehen studentëve vetëm në rastet kur atyre nuk u gjendet punë. Ndërkaq, shpenzimet për certifikatën gjuhësore nuk figurojnë fare në llogari. “Paratë shkojnë të tërat në AFK. Puna e ministrisë është falas”, thotë Leka. Ministria ka po ashtu kapacitetin që gjithë procedurën e aplikimit ta bëjë pa pagesë”.

– Qendra në Gjermani nuk di asgjë!

Por ky informacion nuk ka arritur fare në adresë të ZAV. Kjo pranon se e ka ditur që kërkohen 40 euro në emër të një paushalli për përpunimin e aplikimeve, si posta, pagesat e telefonatave etj. Kjo shumë është vlerësuar si e arsyetueshme. Parimisht ZAV punon vetëm me partnerë që emërohen nga autoritetet zyrtare. Në këtë rast nga ministria kosovare e punës. Por tash do të rishikohet besueshmëria e AFK-së.

Nga ana tjetër punëtori gjerman i AFK- së, i cili mbikëqyr i vetëm punën në Kosovë i hedh poshtë akuzat, në një kundërshtim me shkrim. Sipas tij, nuk ka marrëveshje me ZAV që do t`ia ndalonte atij rritjen e çmimit të shërbimeve të ndërmjetësimit. Ai thotë se faturat e paraqitura janë të fryra. Sipas tij, shumë studentëve u janë zbritur pagesat. Ai nuk jep shifra të sakta por vetëm e prezanton dhënien e certifikatës për gjuhën prej 10 eurosh si “çmim më të ulët në treg”.

Fisniku dhe kolegët e tij ndërkohë shikojnë për mundësi të tjera. Në Kosovë, persona privatë kanë hapur agjenci ndërmjetësimi të cilat ofrojnë punë në Gjermani ose në Itali. Këto agjenci janë edhe më të shtrenjta se AFK. Kush nuk arrin t`i paguajë, mbetet rrugëve. Ashtu sikurse Arsimi, i cili vitin e kaluar ka pjekur hamburgerë në Göttingen, në një pompë benzine në autostradën A7.

“Këtë vit nuk pata paratë e nevojshme për të konkurruar në ZAV”, thotë ai. Pa të hyra plotësuese, Arsimi nuk mund t`i vazhdojë studimet. Tashti, ai shpreson se një mik i tij nga Gjermania do t`ia sigurojë një punë. Në çfarëdo mënyre. “Kryesorja: me punue”.

(B.SH.-Albinfo.ch)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: diaspora, ne Gjermani, studentet kosovare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT