• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

VISAR ZHITI, I dënuari politik me 10 vite burg bëhet ministër i Kulturës

April 4, 2013 by dgreca

Kuvendi votoi shkarkimin e ministrave, Edmond Panariti, Edmond Haxhinasto dhe Vangjel Tavo. Si dhe votoi ministrat e rinj, në postin e Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministër i Jashtem, Aldo Bumçi, ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti dhe Ministër i Ekonomisë Florion Mima./

Shkrimtari i mirënjohur, Visar Zhiti nga një i dënuar nga diktatura me 10 vite burg politik, bëhet ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.

Visar Zhiti u lind më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. Në vitin 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik ”Rapsodia e jetës së trëndafilave”, botim që s’u jetësua dot, pasi dorëshkrimi interpretohet nga redaktorët e shtëpisë botuese shtetërore si “shtrembërim i realitetit socialist”. Mjaftoi vetëm kaq, për ta dënuar pastaj më 1980 me 10 vite burg.

Arrestimi i Visarit, erdhi pas denoncimit që i bënë redaktorët e libri të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë, që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: ”Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj”.

Pasi kaloi nëtë muaj në hetuesi, duke i provuar gati të katër stinët e vitit aty në qeli, Visari doli në gjygj aty nga mesi i prillit i vitit 1980-të. Gjygji u bë në qytetin e Kukësit me dyer të hapura dhe me ftesa, duke zgjatur për dy ditë.

Visar Zhiti nuk i pranoi akuzat që i bëheshin duke u shprehur: “Në letërsi gjërat janë gjithmonë subjektive dhe si të tilla ato lënë mundësi për keqinterpretime. E për këto nuk mund të quhesh armik”. Pas këtyre fjalëve, prokurori e akuzoi atë se po bënte përsëri agjitacion e propagandë dhe aty në sallë. Në përfundim trupi gjykues e dënoi me dhjetë vjet burg politik dhe heqjen e të drejtës së botimit përgjithmonë kur të dilte nga burgu.

Tre katër vitet e para të dënimit, Visari i vuajti në burgun e Spaçit duke punuar me tre turne nëpër galeritë e minierave të piritit. Më pas ai u dërgua në kampin e Qafë- Barit (Pukë) duke punuar në minierat e akullta të saj, që dikur specialistët sovjetikë i kishin cilësuar si të papërshtatëshme për të punuar fuqi njerzore. Edhe në ato kushte Visari gjente mundësinë për të shkruar poezi…

Gjatë afro tetë vjetëve në ato burgje, ai shkroi rreth 400 poezi duke i nxjerrë të gjitha prej andej, me anë të nënës së tij kur i vinte për takim. Po në burgun e Spaçit ai shkroi dhe një roman të vogël, i cili i humbi gjatë kontrolleve që bëheshin nga komanda e kampit.

Pas lirimit nga burgu, Visar Zhiti ka botuar disa libra

Libri i tij i parë me poezi është:

”Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993

Pastaj vijojnë me rradhë:

”Koha e krisur”, Tiranë, 1993

”Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, Tiranë, 1994

”Mbjellja e vetëtimave”, Shkup, 1994

”Dyert e gjalla”, Tiranë, Eurorilindja, 1995

”Kohë e vrarë në sy”, Prishtinë, ”Rilindja”, 1997

”Si shkohet në Kosovë, Tiranë, ”Toena”, 2000

”Rrugët e ferrit”, Tiranë, 2001

Visar Zhiti ka shkruar edhe librin ”Pazari i Këpuctarit”

”Molla e dënuar”, Poozi të zhgjedhura, (Condemned Apple),

përkthyer nga Robert Elsie, (Los Angeles: Green Integer, 2005).

Poetit Visar Zhiti në vitin 1991 iu dha çmimi italian për poezi “Leopardi d’oro” (Leopardi i artë), kurse në vitin 1997 ai mori çmimin prestigjioz “Ada Negri”.

Përveç kësaj krijimtarije të frytshme, Visar Zhiti ka punuar si gazetar, kurse më vonë, pas shembjes së komunizmit, ka punuar në shërbimet administrative të Kuvendit të Ri Shqiptar në vitin 1996 u zgjodh deputet në parlament.

Mbas realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999. Së fundi ka punuar në Ministrinë e Jashtme.

Kuvendi votoi shkarkimin e ministrave, Edmond Panariti, Edmond Haxhinasto dhe Vangjel Tavo. Si dhe votoi ministrat e rinj, në postin e Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministër i Jashtem, Aldo Bumçi, ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti dhe Ministër i Ekonomisë Florion Mima./

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i Kultures dhe Turizmit, minister, Visar Zhiti

Thellimi i tragjedisë çame në vitet 1934-1938

April 4, 2013 by dgreca

Nga Shkruan Eugen SHEHU/

Në përgjithsi çështja çame, ndonëse e lindur menjëherë pas Konferencës së Londrës të vitit 1913, vijoi në mënyrë tragjike në krejt deceniet që rodhën më pas.Shteti helen, për të shkombëtarizuar këto vise, vuri në radhët e parat ë forcave të veta,pikërisht andartët, këta ultranacionalistë helen, të cilët për t’iu shpëtuar burgjeve për krimet që patën bërë ndaj vëllezërve të tyre të një gjaku, nuk munguan të ndërmarrin gjithfarë kryqzatash ndëshkuese ndaj shqiptarëve etnikë, jo vetëm në Camëri por edhe në vise të tjera të Greqisë në të cilën jetonin prej vitesh. Siç kemi përmendur edhe më lartë, reprezaljet e helenëve ndaj shqiptarëve etnikë në çamëri, në fillim të viteve të 30-të të shekullit të kaluar, erdhën duke u shtuar. Përballë situatës tejet të rëndë, ishin me dhjetra e dhjetra familje, të cilat pa patur as minimumin jetik, duke dashur të mos haroheshin nëpër shkretëtirat e Anadollit, kapërcenin në mënyrë të fshehtë kufirin politik me Shqipërinë, duke kërkuar drejtpërsëdrejti mbrojtjen e shtetit amë.Në këto vite, me dhjetra familje patën vërshuar në Shqipëri, si prej Preveze e Filatit ashtu edhe nga Praga,Janina apo Pramithia.Në këto kushte,Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu, duke paraparë se ky vrull emigrimi drejt shtetit amë ishte i pandalshëm dhe krejt i natyrshëm, dha porosi pranë Ministrisë së ekonomisë, në ato vite, të ngrihej, posaqërisht për këtë problem Zyra e Emigracionit.Merret lehtësisht me mend se nuk ka qenë rastësi vendosja në funksionin e kryetarit të kësaj zyreje, të intelektualit çam Ruhi Deliu me origjinë nga Margëllçi i Camërisë.Pikërisht me nismën e kësaj zyre, shteti shqiptar i asaj kohe, ngriti edhe tri fshatra për të pritur çdo rast banorë të tjerë nga çamëria, të përndjekur me mjete nga më monstruozet prej Athinës Jo pa qëllim këto fshatra u ngritën në Qarkun e Gjirokastrës ( pranë kufijve brutalë të vendosur më 1913 ) pasi këto familje shqiptarësh etnikë, do të mund të ktheheshin nesër, në karakolle të parat ë qëndresës shqiptare në rast sulmesh të andartëve grekë.

Në fillim të vitit 1934, Qeveria shqiptare i dërgoi përfundimisht Athinës, ultimatumin se nëse nuk shiheshin të drejtat e shqiptarëve etnikë në Camëri, do të merreshin masa kundërvepruese ndaj minoritetit grek në Shqipëri.Kuptohet Qeveria Shqiptare nuk mund të merrte fushata ndëshkimore, por së pari u mjaftua me mbylljen e shkollave në gjuhën greke dhe në vend të tyre vendosi mësues të gjuhës shqipe. Këtë veprim, atdhetari shqiptar në Gjenevë, Lec Kurti e spjegoi si parakusht për çeljen e shkollave shqipe në Camëri, ku gjuha amtare po harrohej, ku të pakët mësues të shqipes dergjeshin varreve apo ishin vrarë prej thikës së kriminelëve të Athinës. Qeveria greke pamvarsisht prej premtimeve në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ndërmori këtë radhë një vargmasash prej propagandistike, për t’a shmangur sa më shumë problemin kryesor, gjenocidin etnik nëpërmjet bandave të të ashtuquajturit Vorio Epir.Ishin pikërisht këto banda që ndërsa u vërsulën me valë sulmesh të reja ndaj popullsisë së pambrojtur çame, organizuar edhe në Athinë, përpara ambasadës shqiptare aty, një demonstratë duke hedhur parulla deri në djegjen e shtëpive shqiptare në çamëri.Këto demonstrata ku shihej qartë dora e Athinës, vijuan më pas në qytetet shqiptare brenda kufijve politik të Greqisë, siç ishin ;Filati,Patra,Janina etj.Veprimet të tilla ( ndonëse paqësore prej frike) mbështetësit e teorisë për Vorio Epirin organizuan edhe pranë konsullatës greke në Gjirokastër.Por kjo demonstratë nuk zgjati veçse disa minuta, pasi sheshi i qytetit në fjalë u mbush me shqiptarë me flamuj kombëtar në duar duke kënduar këngë të shumta, deri edhe për trimat e Camërisë.Pas kësaj, Athina u tërhoq, ndonëse vijonin të shkruheshin në pothuaj të gjitha qytetet,“vullnetarë“ për të shpëtuar Vorio Epirin.Madje vetë shtypi grek, në tetorin e vitit 1934, nuk mungoi të publikojë edhe grupin që do të drejtonte veprimet.“Këto u janë besuar z.Kristo Kristovasili-President, z.Ilia Sukaris-ushtarak,z.Teodor Mergios-avokat“. ( Arkivi Qëndror i Shtetit-Tiranë. Fondi 35 , dosja 28, fleta 281 ).

Ndërkaq edhe vetë Athina, gjatë kësaj periudhe ndihej e futur keqaz në kështjellën e krizave politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake.Një grup oficerësh të Athinës, më 2 mars 1935, pasi kishin bërë për veti disa oficerë me pushtet në marinë, mundën të hedhin në duar dy kryqëzorë dhe tri destrojerë të paisur plotësisht me municione luftarake. Të nesërmen me këto paisje tejet moderne të asaj kohe, grupi i oficerëve që organizuan grushtin e shtetit, iu drejtuan Kretës, aty ku ishte strehuar Venizellosi.Me urdhër të njërit prej këtyre oficerëve, kolonel Canakaqis, me të vënë këmbë në tokë, ushtarët grekë pushkatuan dy prej mbështetësve kryesorë të venezillosit, guvernatorin e deriatëhershëm si edhe guvernatorin aktual. Pasi muarën Kretën terroristët grekë vodhën dhe plaçkitën ç’të mundnin dhe aty ku hasnin në kundërshtime vepronin me thika apo me bajoneta të pushkës.Athina u tremb keqas nga kjo ngjarje dhe filloi të reagojë menjëherë. Ajo dërgoi flotën e saj detare sidomos rreth Kretës, duke dashur të shmang sa më shpejt të ishte e mundur katastrofën që po i kanosej.Rreth 7-8 mijë forca ushtarake ngarendën të mbysin puçin ushtarak me çdo çmim. Ndonëse terroristët u gjendën të rrethuar, falë armatimeve dhe teknikës luftarake që dispononin, ata mundën t’i shmangeshin goditjes së drejtpërdrejtë me ç’rast mundën të shpëtojnë kokën disa prej ishujve në afërsi të Rodit, të cilët ndodheshin ç’prej vitit 1912, nën protektoratin Italian.

Një prej gjeneralëve që ndoqi me „mllef“ të madh, deri në fund, terroristët-miq të tij,gjatë asaj kohe ishte greku famëkeq Jani Metaksa. Ai mundi të përfitonte nga rrëmuja e kaosi që sundonte në Greqi, për të mbledhur rreth vehtes mjaft prej ushtarakëve të pakënaqur nga qeverisja e mëparshme.Në këtë mënyrë dinakëria e Metaksës nuk nguroi të vinte në veprim edhe një mekanizëm politik tjetër. Ai dhe oficerët të cilët e shoqëronin, shpallën se duhej rikthyer në pushtet Mbreti i Greqisë, Gjergji, kinse ai kishte përkrahjen  e Europës dhe do të mund të përcillte në Athinë këtë përkrahje. Këtu vlen të thesojmë, se shumë prej qeveritarëve në vitin 1935, shpallën publikisht se e njihnin Mbretin Gjergji dhe prisnin rikthimin e tij në fron, dhe natyrisht se ndaj kësaj oferte edhe vetë Mbreti i Greqisë nuk mund të rrinte duarkryq.Ai organizoi një fushatë të tërë politike e propagandistike për lejimin e marrjen së fronit mbretëror.Një prej parakushteve të këtij rikthimi ishte vendosja e metaksës në krye të forcave ushtarake. Kështu, më 21 prill 1936, gjeneral metaksa u vu në krye të qeverisë së Athinës.Shumë prej çështjeve shtetërore do të mbuloheshin këtej e tutje prej tij, gjithashtu „komanda uhstarake detare dhe tokësore shpallën vartësinë e tyre ndaj qeverisë së kryesuar nga Metaksa“(Gazeta „Besa“ – Tiranë 29 prill 1936 , faqe 4 ).

Pas fitores së fashizmit në Gjermani, Itali e Spanjë në Ballkan për të parën herrë kjo ideologji e urryer vendosej në Greqi.Edhe fashizmi nuk pyeti aq shumë për fatin e popujve ku lindi dhe u zhvillua, ai u tregua tiran sidomos në ata popuj të cilët nuk e përqafuan.Veçanërisht një prej dimensioneve më kriminale të fashizmit ishte lufta e hapur e tij ndaj minoriteteve apo vendeve që historia në mënyrë krejt cinike i copëtoi për të kënaqur orekset shovene të Fuqive të Mëdha.Kështu ndodhi edhe me shqiptarët etnikë në Camëri.“Në gushtin e vitit 1936, mevendosjen e diktaturës fashiste nga Metaksai, viktima e parë sihte popullsia çame.Fashistët e orës së parë, tregëtari Stavri Koçoni dhe oficeri i gjandarmërisë Zambeta filluan goditjet sistematike në Filat,Pituljetë dhe Gumenicë për zhdukjen e popullsisë çame.U shkua deri atje sa populli i Paramithisë u ndalua me violencë të fliste në gjuhën shqipe.Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë duke u përpjekur të kundërverë të krishterët shqiptarë ndaj atyre myslimanë.Kjo politikë shtetërore nuk kaloi pa lënë gjurmë pasi popullsia e këtyre zonave në shumicën dërmuese ishin të paarsimuar dhe sa për rrethet intelektuale, këta nuk mund të komtrollonin situatën“.(Gaze“Camëria“shtator 2002)

Ngase pushteti vendor administrativo-ushtarak, ishte kurdoherë në duart e grekërve, edhe në fshatin më të largët të Camërisë, Athina u përpoq të sinkronizonte veprimet me çdo mjet, me këtë pushtet për të shkombëtarizuar shqiptarët etnikë brenda kufijve politik të saj.Në këto momente, e ideuar prej Athinës erdhi porosia për të zhdukur sa më parë emrat e fshatrave shqiptarë, duke dashur të fshinte në këtë mënyrë simbolet e memories kombëtare. Kështu, brenda pak javëve u ndryshuan emrat në shqip të fshatrave ;Spatari,Golbaqi,Picari,Varfanji,Arpika dhe u zavendësuan këta me emra grek si ;Trikoforo,Ella,Aetos,Parapotume,Perdhika etj. Sikur puna të kish mbetur me kaq, ndofta shqiptarët etnikë nuk do të mërziteshin aq shumë,pse ata nuk do të haronin askurrë emrin e fshatit ku patën jetuar gjysh-stërgjyshërit e tyre.Por fjala është fill pas vendosjes me dhunë të këtyre emrave, në këto fshatra u panë kolonët e parë helenë,ardhur familjarisht prej ishujve të largët të Greqisë.Të përkrahur nga pushteti vendor dhe sidomos nga xhandarmëria greke, këta kolonë u vendosën në shtëpitë më të mira të këtyre fshatrave, duke përzënë prej andej shqiptarët etnikë të pambrojtur, kinse dikur ata patën qenë fshatra helene por i patën zaptuar „barbarët“ shqiptarë. Tanimë operacionet ndëshkimore ndaj popullsisë së pambrojtur çame organizoheshin dhe drejtoheshin jo vetëm me urdhër të Metaksës por me vetë miratimin dhe bekimin e Mbretit të Greqisë.Për ta patur nënkontroll sa ma të plotë dhe për të vepruar në mënyrë sa ma energjike për shkombëtarizimin e këtyre trevave shqiptare, Metaksa urdhëroi një ndarje të re administrative për krejt Camërinë duke e copëtuar dhe afruar komandën helenike vendase me qarqet antishqiptare të Athinës.Në këtë mënyrë Camëria e Mesme dhe Camëria veriore u shpallën njësi administrative më vehte me kryeqendër Gumenicën, ndërsa Camërinë Jugore e copëtuan midis qyteteve dhe fshatrave greke, për të pasur sa më të lehtë kolonializimin e tyre.“ Përballë pushtetit të papërgjegjshëm shtypës e shovenist të Metaksait, çamërit u gjendën krykëput të pambrojtur, e vetmja mënyrë e mbrojtjes për ta u bë besëlidhja apo betimi i kahershëm, shtimin dhe fuqizimin e të cilit, ata vetëvetiu e ndjenë si kushtin më të domosdoshëm.Ai i mbajti të bashkuar gjatë gjithë kohës së diktaturës.Dhe nëse plot nga burrat e rrezikuar mund të shpëtonin nga zhdukja, kjo ndodhi pikërisht për hirë të atij bashkimi besëlidhës.Falë atij betimi mjaft atdhetarë të rrezikuar u arrit të kaloheshin fshehurazi brenda kufirit të shtetit shqiptar“.(I.D.Hoxha „Viset Kombëtare shqiptare në shtetin grek“ Tiranë 1998, faqe 247 ).

Dinakëria greke do të nxiste sidomos grindjet midis shqiptarëve qysh se këta mësonin fjalët e para në gjuhën e tyre.Me një plan të përcaktuar deri në imtësi, fëmijët e krishterë shqiptarë, me të lindur dërgoheshin në kishë dhe pagëzoheshin me emra grek.Më pas, nëpër vitet që po vinin këta fëmijë do të ngulitnin mirë në kokë fjalën e priftit e cila (kinse merrej fjala e Zotit) sipa të cilit ,“kush nuk është i krishterë, është armiku ynë !“.Kjo armiqësi e cila ushqehej me aq „kujdes“ prej priftërinjëve grek, tek fëmijët e krishterë shqiptarë, duam apo s’duam ta pranojmë sot, hapi hendek të thellë në vitet që pasuan në Camëri, midis popullsisë shqiptare të krishterë dhe asaj myslimane të çamërisë.Kjo pasi fëmijët duke u mbrojtur me fjalën e priftit grek dhe duke qenë larg ndikimit të atdhetarëve të vërtetë të Camërisë, dalëngadalë harruan traditat dhe kodet morale-zakonore të shqiptarëve, iu përshtatën më tepër mentalitetit helen duke u asimiluar krejtësisht përgjatë decenieve që kapërcyem.Në librin e tij studimorë me titull,“Istoria tis periohijes Igumenicas 1900-1950“të autorit I.G.Sharra,diku ku flitet për armiqësinë e mbjellë midis fëmijëve shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare, shkruhet se ata arrinin deri sa „t’i çanin kokën me gurrë njëri-tjetrit“.

Ndërkaq një tjetër interesim ishte për djemtë e vegjël të Camërisë, në mbrendësi të kufijve të shtetit amë shqiptar.Ata jo vetëm që ndjenin lirinë mbi supe por ishin të kënaqur që mësonin së toku me bashkëkombasit e tyre, qofshin këta të krishterë apo myslimanë.Për më tej, meqenëse fshatrat me shqiptarë të ardhur nga Camëria sa vinin e shtoheshin, për shkollimin sa më të plotë të këtyre djemve u vendos që të ndërtohej në Sarandë edhe një kovikt model, një ndërtesë e vogël ishte paguar prej disa atdhetarëve çamë por klasat sa vinin e shtoheshin.Shtapi shqiptar i asaj kohe na bën  me dije se ; „Kovikti Camëria“ përmbledh në gjirin e vet një numër të madh nxënësish, të përbërë nga djem të viseve të ndrashme të Shqipërisë së lirë dhe irredente, të cilët marrin aty dritën e parë të kulturës shqiptare… Në një bashkëfjalim që pati drejtori ynë me kryeministrin Koço Kota, në lidhje me konviktin në Sarandë, vuri re se kryetari i qeverisë është në dijeni të plotë të kësaj çështjeje dhe interesohet me zemër për realizimin e saj.“Vetë Mbreti ynë, i deklaroi kryeministri,ka urdhëruar Ministrinë e Arsimit që të hyjë në marrveshje me Kryqin e Kuq Shqiptar që të ndërtohet sa më shpejtë godina që i nevoitet koviktit „Camëria“. ( Gazeta „Demokratia“ Gjirokastër  25 korrik 1937 ).

Edhe gjatë vitit 1938 qeveria fashiste greke vazhdoi në mënyrë sistematike dhunën e saj të pashembullt ndaj banorëve të pafajshëm të Camërisë.Mbreti i Greqisë, në unison me dhunën koloniale shovene të Musolinit dhe Hitlerit, ndërmorri një varg reformash administrative, posaçërisht për të përzënë shqiptarët prej vatrave stërgjyshore dhe për t’i kolonizuar ato treva me popullin helen.Fashizmi i cili po pushtonte çdo ditë e më shumë territore të reja e fashiti edhe atë luftë të shtetit shqiptar në mbrojtje të bashkëkombasve të vet.Diplomacia evropiane u gjend e papërgaditur dhe nuk mund të merrej me zërat e popujve të vegjël që shtypeshin e dhunoheshin, ndërsa harta e Evropës çdo ditë Caktonte kufij të rinj.Në këto kushte plaga e gjenocidit helen ndaj trevave të Camërisë vazhdonte të rishte gjak.

Bern-Zvicër

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, i tragjedise Came, ne vitet 1934-38, thellimi

Rezoluta Çame nuk është kuti Pandore, ajo kërkon drejtësi njerëzore…!

April 3, 2013 by dgreca

NGA ERVIN FETAHU

Nuk po zgjatem tek mitologjia dhe historiku i “Kutisë së Pandorës “ ku simbolizohej izolimi i shumë të këqijave, e përpasojë njerëzit largoheshin për mos u ndeshur e përballur me problematikat që ajo mbarte në brendinë e saj. Jo më kot, po godas dhe kundërshtoj ashpër filozofinë dhe frikën  e cila në kohën e shkuar, të largët apo të afërt,pra pak vite më parë,dukej sikur mbërthente e reflektonte në mendjen e një pjese të politikës, kjo nga mosdashja apo mosinformacioni këtë nuk mund ta di,por ama, di që i ka  mbajtur këta politikanë konfuzë dhe të paqartë, duke mos votuar herën e parë,pra ne vitin 2004 prezencën e rezolutës së shqiptarëve të Çamërise, të drejtën e popullatës çame,e cila kërkonte një zë të fortë dhe unanim të institucionit më të lartë të vendit tonë,siç ishte “Parlamenti Shqiptar”. Sot mesa duket jemi në kushte tjera,të cilat na favorizojnë në çdo aspekt duke mos e çuar ne mendje të kundërtën. Rezoluta nuk është asgjë më tepër se  një e drejtë njerëzore e humane, e cila  simbolizon solidaritetin kombëtar ndaj kësaj popullate martire.Boll të shfeltojmë pak historinë do të vërejmë se shqiptarët e Çamërisë janë një nga unazat dhe hallkat më të forta të kollonës vertebrale të kombit shqiptar.Po na soset durimi,kemi gati 70 vjet në “truallin amë” ku kërkojme dorën e ndihmës dhe solidaritetit për hallin tonë madhorë, dhe asnjëherë nuk kemi parë një angazhim seriozë zyrtar, ashtu siç i ka hije shtetit shqiptarë,për këtë popullësi të dëbuar e përndjekur nga vatrat e tyre shumëshekullore.Koha nuk pret më, çështja çame duhet konsideruar si melhemi e balsami i marrdhënieve midis dy shteteve fqinj. Ajo synon drejtësi dhe ura bashkëpunimi të cilat më shumë se kurrë na lypen “Sot” dhe vetëm sot. Marrdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërise medomosdo duhet të kalojnë nga kjo çështje,e cila që në gjenezën e saj ka okupuar dhe angazhuar faktorin kombëtar dhe atë ndërkombetar si një nyje gordiane, ku direktë apo indirektë terhqite vëmendjen e kancelarive dhe diplomacive të huaja. Kurrësesi nuk mund ta lemë në harresë këtë amanet, nuk mund ta lejojmë pa e trajtuar në gjithë specifikat që ai mbart.Këto 20-të  vite  tranzicioni disi të stërgjatur të vendit tonë,”kauza çame” ka ndjekur një sërë zhvillimesh, të cilat për të qenë të sinqertë kane qenë disi te ngadalta, me gjithe dëshiren e komunitetit tonë për të ecur më shpejtë drejt përmbushjes së ketij amaneti.Por ama,sot jemi në një çast të volitshëm,si asnjëherë nuk kemi pasur në parlament dy deputetë përfaqësues të kauzës tonë,dhe ja tek erdhi ora ku rezoluta të parashtrohet dhe paraqitet për votim tek 140-të deputët e parlamentit shqiptar.Opinioni publik ka vite e vite që është i përgatitur për këtë rezolutë,sepse mundi dhe sakrifica e shqiptarëve të Çamërise dhe bashke me ta edhe shqiptarët e tjerë patriot orientoheshin drejt këtij synimi,patjetër një nga këto objektiva madhore ishte votimi I rezolutës në kuvendin e shqipërisë. Pra pikërisht ngritja dhe propozimi në grup ekspertësh të hartonte me kujdes gjithë pikat kruciale,dhe më pas ta dorëzonte në parlamentin shqiptar për votim.Mendoj se jemi në limitet e kohës,s’kemi pse vonohemi,s’kemi pse druhemi, të gjithë ata që sadopak marrin vesh nga e drejta ndërkombëtare e dine fare mirë se sa shumë organizma ndërkombëtare që merren me të drejtat e minoriteteve si objekt studimi,ku “popullata çame autoktone” zë një vendë specifik ,si trajtimi i të drejtave dhe identiteteve etniko-religjoze, ku shumë katedra të fakulteteve si Harvardi, Oksfordi apo Miçigani, trajtojnë në mënyrë të hollësishme,në publikimet e tyre të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë, në aspektin të drejtave që derivojnë si grup etniko-lingual dhe religjoz që burojnë prej qindra e mijëra vjetësh. S’ ka se si mos të angazhohet seriozisht parlamenti ynë, kur kjo çështje është tashmë trend i kohës,ku për më teper që e ka edhe detyrim kushtetues të merret me problemin madhorë dhe plagën e hapur të shqiptarëve Çam. Jam i bindur se çështja çame do të jetë një precedent pozitiv për të zgjidhur shumë çështje të mbetura pezull midis Shqiperisë dhe Greqisë,të cilat janë gangrenë për vetë shtetin grek,siç mund të jetë një nga këto probleme të shumta edhe çështja e pronës ku bashkë me shqiptarët e Çamërisë përfshihen edhe shumë shqiptarë të Shqipërisë. Ku dihet fare mirë se të drejtat pronësore të shqiptarëve e kalojnë territorin e Çamërisë,pra ato zgjaten në shumë territore të tjera si Thesalia, Selaniku, Kavalla, Traka e gjetkë, dhe këtu nuk po flasim për kuptimin e rëndomtë të pronës,por për shenjtërinë që ka trualli jonë,po flasim për mijëra vjet autoktoni të cilat janë të shoqëruara me vula të arta si “krisovule apo tapi” me një gjenalogji që të mahnit për nga saktësia,dhe këto i njeh e drejta jonë historike,i njeh e drejta ligjore,i njeh tradita dhe kultura jonë e pasur. Një tregues optimist është edhe një debat i kahershëm midis shtetit Turk dhe atij Grek për rikthimin e objekteve pronësore,individuale,religjoze dhe kulturore respektivisht të nënshtetasve të dy vendeve. As më shumë e as më pak shteti jonë duhet të fillojë nga ketu e të kërkojë në mënyrë aktive dhe dinamike,me anë të pikave të arsyeshme që përmban ky projekt-rezolutë,me pak fjalë gjithë ato çka na takojnë nga trashëgimia jonë dhe asgjë më shumë.Rezoluta do angazhonte shtetin tonë që në çdo takim bilateral, me ngritjen e një komisioni dypalësh ku të diskutohej për pikat që parashtrohen brenda saj,e jo ta lejë çështjen çame si përmendje sporadike me gjysëm zëri të mekur.Nëse Greqia pretendon se është vend me qasje europiane,i takon të distancohet nga masakrat e ushtruara mbi ne gjatë fillimshekullit të kaluar,pse jo dhe një falje publike,shembuj ndjese kemi plot,Gjermania ka kërkuar falje për shfarrosje ndaj Hebrenjve,poashtu Izraeli kërkoi ndjese ndaj shtetit Turk,dhe kjo jo shumë,por pak ditë më pare për maskren e anijes humanitare drejt Rripit të Gazës, pra ndjesa nuk është gjë tjetër veçse një xhest fisnikërie. Kthimi i gjithë të drejtave “legale” pronësore, kulturore dhe religjoze, të cilat janë të shumta në numër e në vlerë , patjetër do të na bënte ti shikonim gjërat me sy optimist.Do doja të cekja shkurtimisht disa monumente muzeale, që na bëjnë të ndihemi krenar,edhe pse ka shumë herë më shumë se kaq,por po e filloj me kishën e prijësit legjendar  “Gjin Bue Shpata”,e cila ndodhet në Filipjadhe,dhe druhem ta them,por me ato çka kam lexuar ajo gjendet në kushte mjerane. Duke kaluar më pas tek xhamia muze e “Asllan Pashës” në Janinë, varrin e “Ali Pashë Tepelenës” sërisht në Janinë,dhe pa harruar gjimnazin “Zosimea” ku prej tij kanë dalë një pjese e mirë e korithejve të rilindjes kombëtare.I bindur dhe me keqardhje theme, se zyrtarisht asnjë nga shtetarët tanë nuk i ka vizituar këto monumente trashëgimie, për mos përmendur më tej pazaret,çarshitë,kullat,xhamitë,teqetë dhe tyrbet e shumta.Ndërsa nga pala tjetër dhe kur nuk ka gjë për të vizituar,modoemos shpikin diçka. E pra këto janë pjesë e identitetit tone kombëtar,e kush tjetër veç nesh do kujdeset dhe interesohet për këto vepra të rralla monumentale qe i kanë rezistuar shekujve.Sot më shume se kurrë jemi ne epokën e teknologjisë së shpejtë informative,ku çdo studiues që dëshiron të hulumtojë për çështjen çame e ka gjithë mundësinë e informacionit, dhe aty shikon fare lehtë se sa shumë është përmendur kjo çështje në librat e autorëve dhe studiuesve të huaj, saqë me vete pëshpërit e thua,sa pak paskam ditur për Çamërinë…!   Në informacionet e mia,janë gati më shumë se 300 libra dhe autor të huaj,ku dikush direkt e dikush indirekt,apo diku në mënyrë tangente kanë trajtuar gjurmët që ka kaluar çështja çame në gjithë dimensionet e saj historike,etnike,religjoze,diplomatike,humane dhe mbi te gjitha si nje popullatë e vuajtur,me një spastrim etnik nga më të egrit në gadishulin e Ballkanit.Nuk arrij dot ta kuptoj “Akademinë e shkencave të Shqipërisë” heshtje totale, asnjë reagim zyrtar prej saj për këtë çështje kaq patriote dhe sensitive.Ndaj klasa jonë politike duhet të jetë krenare dhe e privilegjuar që në këtë legjislacion u hidhet për votim në tavolinat e tyre kjo rezolute fisnike,që bart mbi vete çelësat e miqësisë së mirë mes dy vendeve duke parë nga e ardhmja dhe njëkohësisht mos harruar të shkuarën,duke falur dhe jo duke urryer, ndërkohë të gjitha këto bëjnë pjesë në kuadrin e të drejtave dhe lirive të njeriut.Dhe nëse ka një popullësi shqiptare qe “de juro” është në bashkimin europian,ajo sigurisht ështe popullësia çame…!

Filed Under: Opinion Tagged With: ervin fetahu, nuk eshte kuti, Pandore, rezoluta came

U PLAGOS ZEMRA JONË OR VËLLA SE VDIQ SHKRONJËSI SHPIRTNDRITUR NAIM BE

April 3, 2013 by dgreca

PATRIOTËT  E FAMILJES MUKA/

NGA GËZIM LLOJDIA/

Ing T.Muka më dorëzoi një material historik rreth dy patriotëve të fisit Mukaj.Një dokument me vlerë  besoj se i përkiste Ahmet Muka . Ndërsa interesi shtrihet tek viti mbi të cilin flet përmbajtja e dokumentit shkruar nga Ahmet Muka.

Dokumenti i AQSH 50407  me këto të dhëna: 11 shëndre 328/912

Duke parë se greku morri Korcën dhe po përparon me ushtri të mëdha,Këshilli I Ministrave,vendosi që të hiqen tejshkrimet gjashtë mbretërive të mëdha,ne kërkojmë qe ti jepet fund luftës Turko-Greke se me ken se kjo luftë po bahet mbi dhe shqiptare. A.Muka

AQSH F149 v1912 D4 f11.

Duke shfletuar  dokumentet e kohës  në fillim të shekullit  të XX  midis atdhetarëve të tjerë është edhe emri i Osman Mukës,shkruan Prof.Dr B.Gace tek gazeta Labëria”  Maj 2001 thotë se : midis atdhetarëve të tjerë është emri  i Osman Mukës. Në shkollën e mesme teologjike të Stambollit dëshmohet se kishte mësuar tre gjuhë të huaja. Historiani Gace shprehet se ai do të kujtohet me respekt nga një sërë atdhetarësh patriot shqiptarë që punoni për çështjen shqiptare. Fakti tjetër është se në vitet e vrullshme të përndritjes shqiptare të emërtuara:Lidhja shqiptare e Prizrenit’ ai kishte zënë miqësi me  vëllezërit Frashëri. Nga arkiva e shtetit për Lidhjen e kryer në Frahër.Arkivi e shtetit: “Baba Alushi biri i Dalip Frasherit,nismëtar i mbledhjes së Frasherit. Pati si shoke që e ndihmuan në atë vepër,Sami,Abdyl,Naim Frasheri, Orhan bej Pojanin, Pandeli Calen,Nasuf Novoselen, Ismail bej Zharkovijn,Hysni bej Leskovikun ,Muhamet Ali Pashë Beratin (Vrionin),Ismail Pashë Dibren, Kostandin Kristoforidhin,Jani Vreton, Hoxhë  Tahsimin, si  dhe shume parti të viseve të ndryshme.

”Momenti  i varrimit të poetit kombëtar mbetet e  pashlyer nga kujtesa. U plagos zemra jonë or vëlla se  vdiq shkronjësi shpirtndritur Naim be. Dhe shpendët nuk fluturuan këtë sabah në qiellin e Stambollit. Vitet e shkollimit definohen nga vitet 1889-1905.

Është oficer  i perandorisë në Stamboll,Selanik,Prevezë. Lëvizja kundër turqve në fillim shekulli ka gjetur edhe përkrahjen e Osman Mukës .Kjo ishte si një shtysë për ta larguar nga ushtria. Kanë qenë H.Prishitna, N.Draga që kanë  të cilët kanë kërkuar rikthimin e tij në ushtri në fillim Berat në garnizonin e Janinës dhe në Vlorë. Shpallja e Pavarësisë  kombëtare në qytetin e Vlorës  e gjen nëpunës të emëruar në prefekturën e Vlorës duke u bazuar edhe në kontributin e tij që kishte ndërmarr në vitet 1911 deri në shpallje të Pavarësisë. E than nga jugu kështu:Ku ka rrjedhur do pikoj-do vejë soji në sojë.

Mësohet se Osman Muka është kryemyfti i Vlorës .

 

Ahmet Muka

Për kontributin e këtij vlonjaku gjejmë edhe këtë pasazh historie ku përmendet Ahmet Muka:Ky kontribut i Butkës, vlerësohet në histori krahas atij të figurave të njohura të historisë së Shqipërisë si Isa Boletini, Ahmet Lepenica, Ahmet Muka, Tol Arapi, Azis Çami, Thanas Beni, Cen Sharra etj….

Ahmet Muka ishte djali i patriot Osman Muka. Lindi në 1885-1947.

Shkollimi:Stamboll kryeqendra  e perandorisë.

Degët  e studimit janë:drejtësi,ekonomi në shkollat ushtarake.

Punësimi:Janinë. Zvkomisar policie në qytetin e flamurit,pas shpalljes së Pavarësisë.

Aktiviteti :

Viti:1919-Pjesëmarrës në demonstratën anti taliane te xhamia e tabakëve.1920-Lufta e Vlorës e gjen pjesëmarrës në Barcalla,Beun.Sinjali i kryengritjes u dha me 29 maj 1920, kur ne malin e Barçallase ne Dukat, u mblodhën paresitë e qytetit dhe fshatrave të Vlorës shkruan  studiuesi E.Memishaj.Ne këtë kuvend u vendos: “Kundërshtimi i armikut dhe me arme dhe gjer ne shuarje e shfarosje të njërës pale, ne qofte se nuk do te lironte vete e me te mire vendin e zaptuar pa asnjë të drejtë … dhe me pas u ngrëne një e nga një e me radhe, plot qetësi por me një shprehje te rende e një lloj solemniteti ne fytyrat e ashpra, te djegura nga dielli e te rrahura nga era, dhe u betuan ne Kuran: “Me therte me gjithë ç’kam…”Ne Barçalla u zgjodh një Këshill Kombëtar prej 30 vetesh, nga gjiri i te cilit doli nje komitet i ri, “Mbrojtja Kombetare”, i përberë prej 12 anetaresh. Kryetar i Komitetit u zgjodh Osmen Haxhiu. Me daten 2 qershor 1920, komiteti “Mbrojtja Kombetare”, e vendosi seline ne mal te Beunit, mbi fshatin Vajze. Ne mbledhjen e datës 4 qershor 1920, major Ahmet Lepenica u emërua Komandanti i Përgjithshëm.Ngarkohe me këtë barre shume te shenjte dhe te rende.”, thuhet ne urdhrin e emërimit lëshuar ne Malin e Beunit, mbi Vajze, të datës 4 qershor 1920, dhe te firmosur nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare”.Këshilltar i këtij burri nga Lepenica ishte Ahmet Muka. Një informatë e vlefshme për O.Mukën e gjejmë tek Ëikipedia;Lufta e Vlorës”.Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën” e shoqërisë së bashku me trupat vullnetare. Bandën e drejtonte muzikanti Thoma Nasi. Nuk mbetën pas as fetarët në këtë luftë, ku spikasin Babai Teqes Tepelenës Ahmet Turhani Baba Xhaferi Përmet, Don Marku, myftiu Osman Muka, etj. Një rol të veçantë pati edhe Xhovani Valencia, arbëresh magazinier në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat shqiptarëve.

Ahmet Muka ishte pjesëmarrës në kryengritjen e Fierit .Çfarë ishte kjo kryengritje?Ëikipedia sqaron dhe sjell detajet:Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Rebelimet” pasi ishte ngritja krye e një turme të udhëhequr nga një organizatë kundër Mbretit dhe qeverisë.  Zona e Lëvizjes : Fieri, Lushnja dhe Skrapari.Në vitin 1934 u krijua një organizatë e fshehtë me qendër në Tiranë dhe me degë në disa qytete e krahina të tjera. Në të bënin pjesë ish-oficerë, komunistë, bejlerë që kishin konflikte me Zogun, tregtarë, nëpunës etj. Në vitin 1935 Organizata vendosi të bënte kryengritje. Plani ishte që kryengritja të shpërthente në Tiranë e të përhapej në pjesën tjetër të vendit, por nga organizimi i dobët ajo shpërtheu vetëm në Fier, prandaj mbeti në histori me emrin Kryengritja e Fierit. Organizatorët e rebelimit ishin Musa Kranja (zv. rrethkomandant i xhandarmërisë së Fierit), Zenel Hekali (arsimtar), Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi etj.

Lirohet si pjesëmarrës në këtë lëvizje . Pjesëmarrës në lëvizjen çlirimtare për çlirimin e vendit nga pushtuesi u inkuadrua në çetën e Dajtit, kjo çetë partizane  u formua në vitin 1943 nga urdhri i  B.B dhe drejtuesit e tjerë të lëvizjes. Ahmet Muka e gjeti gjallë   çlirimi i vendit ndërkohë që ai kishte luftuar me armë kundër pushtuesit të vendit. Shërbimi i tij është regjistruar  në  formacionet partizani ku ka shërbyer si ushtarak deri në kohë mërgimin  e madh dhe të përhershëm në vitin 1947.

Emrin e këtij patrioti e gjejmë te Biblioteka publike e qytetit të Vlorës. Në një rrëfim  që ka kryer L.Gjika ish-drejtore e këtij enti kulturor në Vlorë rreth krijimit të bibliotekës së këtij qyteti dhe dhurimit në fondin e saj nga patriot e intelektualë të qytetit:Kohë më vonë ,kryesisht pas luftës së dytë,me fondin ekzistues ,atë të Eqrem bej Vlorës mori formë ky institucion kulturor në këtë qytet është pasuruar nga dhurimi i revistave,librave e tj nga patriot si Ibrahim Shyti,Ali Asllani,Musa Jonuzi,Dr Ali Mihali,Jani Minga,Reis Golemi,Kristo Karbunara,Mateo Matathia ,Pepe Zevi,Murat Trbai,Ahmet Muka.

 

Filed Under: Histori Tagged With: e familjes Muka, Gezim Llojdia, Patriotet

Koncert pranveror i maturantëve të Liceut T.T.Koço

April 3, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th Kllaco/

Pranvera me kalendar ka trokitur edhe në qytetin e Korçës, data 21 mars që për koinçidencë është jo vetëm dita e parë e stinës, por edhe Dita ndërkombëtere e Poezisë, dhe krahas përpjekjeve të natyrës për rizgjim, një tjetër natyrë kërkon të njëjtin fat, shpirti i njeriut që shkon në një sinergji të dukshme me të. Natyra në të gjitha stinët e saj është një muzikë që na shoqëron gjatë gjithë vitit, edhe pse herë e ngadaltë dhe e qetë, herë rrjedhëse dhe e gëzuar. Por edhe vetë muzika është, në notat e saj, një natyrë që kur krijohet nga autorët, ka të njëjtat karakteristika si të shpirtit. Ecin me të njëjtin hap jo vetëm me ndjeshmërinë e njeriut, por edhe të vetë shoqërisë. Por natyra është poezi dhe një poezi e veçantë, pasi pjesë e saj janë të gjithë elementët që e përbëjnë atë. Poezia e natyrës ka edhe një specifikë tjetër, shumë poetë e kërkojnë në promovimin e  poezisë së tyre, fatin e madh që kanë edhe muzikën e natyrshme që i shoqëron. Muzika nga ana e vet është poezi dhe poezia muzikë. Në këtë gërshetim natyre, muzike dhe poezie – një pranverë e vërtetë nuk do të ishte e tillë, nëse do të mungonte një prej tyre.

Ditën e shtunë në sallën e koncerteve të Liceut artistik T.T.Koço, nxënësit maturantë, pak kohë para provimeve të maturës, i dhanë shenjën e parë pranverës në qytet me tingujt dhe me talentin e tyre që në vite është konsoliduar. Një orë e gjysëm do të mjaftonte që ta kuptonim se ndijimet dhe perceptimet tona nuk do të ishin iluzion apo realitete të krijuara nga një lloj virtualizmi teknologjik. Talenti i nxënësve as që mund të vihet në diskutim, është krenaria e tyre, e shkollës që po i formon dhe e vetë qytetit që gjithmonë ka ditur të nxjerrë dhe edukojë talente. Në interpretimin e tyre nuk mungonte muzika instrumentale e autorëve të huaj dhe shqiptarë, si dhe ariet e operave më të shquara të gjenive italianë. Një numër simbolik i nxënësve më të mirë të shkollës, 7 mes pianistëve, violinistëve dhe këngëtarja që tashmë e ka kolaudimin edhe në skenat shqiptare, Maria Prifti. Më pas një kënaqësi e dytë për të pranishmit, minikoncerti i orkestrës së harqeve, që në një hark kohor dy vjeçar ka dhënë disa koncerte në Korçë, Pogradec dhe Elbasan. Në repertorin e orkestërs ishin pjesë të autorëve shqiptarë si Lara, Disdari, Gaci, ndërsa të autorëve të huaj Shopeni, Faja, Bethoven dhe Debysyja etj.

Veprimtaria e së shtunës është në vazhdën e veprimtarive që organizon vetë shkolla dhe mësuesit e tyre, me synimin që të stimulohen nxënësit më të mirë maturantë, pasi ndodhen para një sprove të vërtetë dhe vendimtare për të ardhmen e tyre, konkurimi për të qënë pjesë e studentëve të universitetit të Arteve në Tiranë, por pse jo edhe në ato europiane. Koncertet janë pjesë pasaporta e kësaj shkolle, duke dashur të tregojë se pavarësisht problemeve që po kalon në përgjithësi shkolla shqiptare, vullneti dhe pasioni për të nxjerrë talente nuk ka munguar dhe nuk mungon. Si të gjitha shkollat e specializuara, edhe liceu ka nevojë për një mbështetje nga shteti shqiptar, pasi artistët e ardhshëm do të jenë elita e artit tonë dhe ambasadorët e saj nëpër botë. Por mbështetjen e vet duhet ta sigurojë edhe DAR-i, Bashkia dhe të gjitha institucionet dhe sponsorët që e kanë për zemër artin, pasi tek ata nxënës pasqyrohet dhe përkujdesja dhe dashuria për rrugëtimin e tyre. Një bord prindërish nuk do të mjaftonte kurrë që t’i përmbushte synimet e shkollës. Në këtë aspekt liceu është një gur i çmuar, shumë më ndryshe nga të gjitha shkollat e tjera të qytetit dhe të qarkut, që nuk duhet të humbë traditën e mrekullueshme të krijuar në vite. Talentet e shumtë sot mbushin skenënë e vetë Universitetit shqiptar, të ekranëve televizive, të galerive të shumta në vend, por edhe skenat dhe ekranet botërore. Mjaft të kujtojmë disa prej emrave si Johan Botka, Ina Petrollari, Majlinda Lubonja, Edi Kolaneci, Thomaidha Tili që jo vetëm shkëlqejnë si instrumentistë në orkestrat me emër europiane, por janë edhe pjesë e stafeve akademike ku ata punojnë.

Aktualisht – në bisedë me z.Koço Vrame – mësojmë se nxënësi Llambi Cano para disa kohësh ishte në Bruksel, ku kreu një Masterclass disa ditor. Vlen të theksohet një fakt tepër domethënës: ishte i vetmi nxënës, përfaqësues shqiptar, në konkurs, ku dhe u përzgjodh mes shumë konkurrentëve nga Europa, nga një juri ndërkombëtare.

Pjesë e pandarë e veprimtarive vjetore janë edhe nxënësit e 9 vjeçares, me koncertet e tyre dhe me ekspozitat figurative të organizuara në shkollë dhe në qëndrën kulturore V. Mio.

Koncerti i maturantëve do të shfaqet së shpejti edhe në qytetin e Bitolës me ftesë të Liceut të muzikës të atij qyteti, në kuadrin e bashkëpunimit midis dy shkollave simotra, por edhe për një binjakëzim të mundshëm mes tyre. Kjo në sajë të ndihmës dhe mirëkuptimit të dy bankave, BKT, FIB dhe të disa prindërve të Bordit të shkollës. Liceu i Korçës prej vitesh, një bashkëpunim të ngjashëm e ka me shkollën e Follorinës, ku dhe janë organizuar koncerte, edhe të përbashkëta, në shkollat respektive.

Biseda vazhdon më tej për muzikën shqiptare sot që është shndërruar në një muzikë thjesht me natyrë komerciale, pa identitet bindës dhe jashtë shijeve për të gjithë artdashësit shqiptarë. Nga këto lloj shkollash, por edhe nga institucionet tona kërkohet një impenjim që të ruhet tradita për një muzikë të kultivuar në nivel europian dhe botëror. Ne – vazhdon Vrame – realisht jemi në Europë dhe kemi edhe pjesën tonë përfaqësuese në trashëgiminë botërore me krijimtari të shumta – prandaj duhen forcuar barrierat ndaj antiartit dhe antivlerave. Shijet e vërteta të publikut për muzikën e kultivuar, nuk mund të vijnë vetë, ato duhen krijuar, formuar dhe reklamuar, pra kërkohet një ndërgjegjësim mbarëqytetar se shijet, si të gjitha shijet dhe dituritë, duhen kultivuar. Përballë komercializmit kemi nevojë për këto lloj shijesh.

Kriza e sotme edhe shpirtërore është një prej krizave të shumta që e ka përfshirë shoqërinë shqiptare dhe kjo duket në investimet e pakta për kulturën tonë kombëtare. Por nëse krizës i shtojmë dhe indiferencën e vetë institucioneve edhe lokale, ishin të ftuara të merrnin pjesë në koncert të gjitha institucionet e qytetit dhe të Qarkut, askush nuk erdhi, atëherë nuk ka nevojë për konkluzione të shumta. Një shoqëri që nuk interesohet për kulturën e vet, rinia sot as nuk e merr fare në konsideratë faktorin shije të vërteta dhe estetike, ka kohë që ka vdekur shpirtërisht. Të jetosh në një vend ku traditat e bukura po zhduken dhe të rrish e bësh sehir sesi shijet po degradojnë, gjithnjë e më shumë drejt banalitetit, do të thotë të mos e vrasësh mendjen për qytetarët dhe njerëzit e këtij vendi, duke ia lënë gjithçka në dorë një tregu me shije të tjetërsuara dhe bajate. Edhe në art dhe kulturë shoqëria ka nevojë për një elitë të vërtetë që të jetë udhërëfyesja e saj, por kur politikat kulturore lihen në dorë të inkopetentëve, të militantëve, o zot, do të dëgjosh edhe çudira nga goja e tyre, si p.sh që personalitetet e fushave të ndryshme, mund të shpallen edhe ata që nuk kanë më të voglin kontribut në to. Kjo është fytyra e një shteti që synon të ballafaqohet me Europën dhe botën.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Th Kallco, K Tashko, koncert, shkolla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT