• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

Takimi i Brukselit: KUSH FITOI E KUSH HUMBI?!

April 3, 2013 by dgreca

Përmbyllja pa marrëveshje e takimit të dy prillit ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në Prishtinë shihet me pasoja, si për vendosjen e normalitetit në pjesën veriore, ashtu edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Bazuar në pozicionet e palëve në bisedime, pakkush më në Prishtinë pret që të ketë ndonjë kthesë në këto negociata. Insistimi i palës serbe që në Kosovë të krijohet pushteti i nivelit të tretë, që do të nënkuptonte një autonomi për pjesën veriore, konsiderohet si i papranueshëm.
Pozicioni serb në negociata ishte që të kthente prapa procesin duke synuar një ri-rregullim të gjithë sistemit kushtetues në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes, Atifete Jahjaga.
Mosarritja e marrëveshjes, shton Tahiri, ndikon në vazhdimin e status quo-s në veri, si dhe e bën të vështirë integrimin e serbëve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në atë pjesë.
“Është me problem shtrirja e pushtetit me mjete ligjore e juridike në atë pjesë të vendit (veri). Thjesht, mbetet gjendja çfarë ka qenë. Por, s’kemi fituar askush nga procesi i bisedimeve dhe as agjenda evropiane, mirëpo as qytetarët e Kosovës dhe as rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vazhdon status quo-ja, por me një shije të keqe, sepse bisedimet për ta tejkaluar këtë status-quo, kanë dështuar”, vlerëson Tahiri.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, shprehet i rezervuar në lidhje me epilogun e takimit të 2 prillit në Bruksel. Ai thotë se nuk ka çfarë t’i shtojë asaj që e ka thënë përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, në lidhje me këtë proces.
“T’u japim pak kohë kryeministrave që të kthehen nëpër vendet tyre dhe të diskutojnë me njerëzit se çfarë ndodhi në takim dhe më pas mund ta diskutojmë se si të ecim tutje”, shprehet Zhbogar.
Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian ishte vendosur në top-agjendën e procesit të integrimit evropian për të dyja vendet. Me mosarritjen e marrëveshjes, si pasojë, Serbia mund të humbë apo shtyjë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim ën BE, përderisa Kosova nisjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Por, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, shprehet optimist se Kosova nuk do të ndëshkohet në këtë rast.
“Data 15 prill është përmendur gjithmonë si datë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë. Besoj shumë që Kosova nuk do të preket nga nënshkrimi apo mosnënshkrimi i marrëveshjes dhe do të marrë rekomandimin dhe do të hyj në negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që përfshinë edhe dialogun mbi liberalizimin e vizave më vonë si proces i ndarë, por i rëndësishëm, në mënyrë që të mos mbetemi peng të sjelljeve të Serbisë”, thotë Haziri.
Për analistin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, gjasat që të shpëtohet ky dialog janë të vogla. Dallimet mes palëve janë thelbësore, thotë ai dhe nuk pret që të arrihet ndonjë marrëveshje në një afat të shkurtë kohor.
“Zonja Ashton sigurisht ndihet e dëshpëruar dhe gjasat që të kemi një vazhdim serioz të dialogut janë të pakta. Me siguri që dikush nga faktori ndërkombëtar do të bëjë edhe një tentativë, por ajo do të jetë e fundit dhe testi i fundit. Prandaj, perspektiva e një marrëveshjeje është shumë e vogël, kurse dallimet janë shumë të mëdha”, thekson Rashiti.
Sidoqoftë, Naim Rashiti thotë se është mirë që dialogu të mos shpallet i vdekur, në mënyrë që të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe të synohet që në një fazë tjetër të rihapen bisedimet.
“Rreziku është që nëse dialogu politik shpallet i vdekur, i mbyllur dhe pasuksesshëm, rrezikon edhe marrëveshjet e dialogut teknik dhe rrezikon sigurinë”, vlerëson Rashiti.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i zhvilluar në nivel të kryeministrave dhe me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, kishte si qëllim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: kush fitoi, kush humbi, Takimi i 8 i Bruxelit

KRIJOHET DEGA E RE E VATRES NE WESTCHESTER, NEW YORK

April 3, 2013 by dgreca

Ashtu sic ishte njoftuar edhe më parë, pas punës parapërgatitore, u krijua dega e Vatrës në Westcheste në New York. Akti themelues u realizua në datën 2 Prill 2013. Në këtë dega janë të anëtarësuar 22 anëtarë të Vatrës që jetojnë në atë zonë. Pjesa më e madhe e anëtarëve janë të rinj të sukseshëm në fusha të ndryshme të financës, biznesit, avokatisë etj. Me shume se 30 per qind e anetareve jane femra. Dega ka njoftuar se do të bëjë prezantimin të premten me 5 prill 2013, ora 6 e mbrëmjes.

Në takimin e së martës, Dega ka bërë dhe zgjedhjet e drejtuesëve të saj si më poshtë:

Presidenti: Nick Markola
Vice President: Ylli Cakani
Sekretare: Olgerta Mungo
Arkëtar: Danny Blloshmi

Filed Under: Kronike Tagged With: e re e Vatres, krijohet dega, ne Westchester, NY

BANDA DHE VULLNETARËT E VATRËS NË LUFTËN E VLORËS DHE NË KONFLIKTIN ME GREKËT NË KUFIJTË JUGORË

April 3, 2013 by dgreca

Vatrani Thoma Nassi, krijues i Bandës zyrtare të Shtetit Shqiptar/

NGA DALIP GRECA/

Në një mesazh që mora këto ditë nga kompozitori dhe etnomuzikologu i njohur Vasil L Tole, u informova se me 11 prill 2013, në sallën e aktiviteteve të Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes(QKMBM) në Tiranë, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, do të organizohen veprimtari kushtuar Bandës muzikore të Vatrës. Veprimtaria do të jetë komplekse; do të ketë një Ekspozitë fotografike kushtuar Bandës Vatra, si themel i Bandës së Shtetit Shqiptar, një tablo për aktivitetin e bandave të tjera muzikore në Shqipëri, ekspozitë me fotografi që përfshijnë shek. XIX deri në ditët e sotme.

Po ashtu do të organizohet edhe një Akademi Përkujtimore kushtuar krijuesit të bandës, kompozitorit Thoma Nassi dhe rolit të bandës në zhvillimet muzikore dhe politike në Shqipërinë e viteve 1920- 1930, ku do të referojnë studiues të njohur të kësaj fushe Eftim Dodona, Frederik Stamati, Koço Gjipali dhe Vasil S. Tole.

Me këtë rast i është propozuar Ministrit të Mbrojtjes z. Arben Imami, që të dekorojë me “Medaljen e shërbimeve të veçanta”  banden muzikore shqiptaro-amerikane “VATRA” dhe themeluesin e saj Thoma NASSI per rolin e tyre të jashtezakonshëm në Luftën e Vlorës-1920 dhe në krijimin më pas të Bandës zyrtare të shtetit shqiptar, sot Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura.
Në mjediset e jashtme të QKMBM-së (ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë), në përfundim të aktivitetit parashikohet organizimi i një koncerti festiv nga Orkestra Frymore Kombetare e Forcave te Armatosura- OKFKA. Federata Vatra do të japë kontributin e saj me materiale fotografike dhe arkivore në këtë veprimtari.

SI LINDI BANDA E VATRËS

… Është rasti që të ndjekim gjurmët e Bandës së Vatrës nga Worcester-i, Massachusetts në Shqipëri.

Banda”Vatra” kishte për themeluesThoma Nassi. Ajo lindi në Worcester, Massachusetts, më 1917. Kjo e dhënë vjen nga themeluesi i saj Nassi, por  në një shkrim të botuar në Dielli në prill 2012, Frederik Stamati dhe Ariola Prifti, japin datën 17 dhjetor 1916, ndërkohë që po aty konfirmohet se në vulën mbi instrument është stampuar data 11 dhe jo 17. Në kujtimet që ka lënë Nassi e përshkruan bandën Vatra si një krijesë që e kërkoi koha. Ajo përbëhej nga emigrantë të zakonshëm që nuk kishin as përvojë dhe as dije muzikore. Natyrisht që kishte edhe njerëz të dijshëm në të, sic ishte dhe kompozitori i Hymnit të Vatrës, Ajdin Asllani, i diplomuar në Bukuresht. Por pjesa më e madhe ishin punëtorë që punonin tërë ditën në fabrika, por me vullnet dhe dëshirë arritën që brenda një viti të mësonin dhe të përballonin me sukses koncerte të shumta në Boston, Worcester, New Bedford, Massachusetts, në Camp Devens, në Portland, Biddeford, në Maine, dhe në qytete dhe qyteza të tjera, koncerte të cilët u dhanë për llogari të Kryqit të Kuq Amerikan dhe organizatave të tjera të bamirësisë. Ndërkohë ekzistonte në SHBA dhe një bandë tjetër muzikore e djemëve shqiptar të Amerikës, në Jamestown në New York, e cila drejtohej nga korçari tjetër, Thoma Vishnja.Kjo quhej banda “Sofia” për nder të Mbretëreshës Sofia, e shoqja e Princ Wiedit dhe ishte krijuar që më 1915.

Në pranverën e vitit 1920 ishte hedhur idea e dërgimit të një grupimi të konsiderueshëm emigrantësh në Shqipëri për të ndihmuar çështjen kombëtare. Prej kohësh nën drejtim e Aqif Përmetit kishin nisur përgatitjet për stërvitjen e trupave vullnetare dhe rreth 120 ushtarë ishin të gatshëm për t’u nisur drejt Shqipërisë. Bashkë me ta ishte hedhur ideja që të nisej edhe banda muzikore e Vatrës, si dhe disa atdhetarë të dijshëm, që me kontributin e tyre do t’i ndihnin çështjes kombëtare.

Problemi qëndronte se kush do ta drejtonte bandën muzikore të Vatrës? Thoma Nassi ishte i vetmi që kishte përvojën e duhur dhe njohuri profesionale. Ai asokohe sapo qe liruar nga ushtria amerikane, ku kishte shërbyer si drejtues i një orkestre. Nassi e kishte një arsye njerëzore që të hezitonte për t’u nisur, pas lirimit nga shërbimi ushtarak ishte martuar. Në shënimet e lëna në formë kujtimesh ai e pohon se “nusja e re ishte një arsye hezitimi”, por për shkak se banda nuk mund të shkonte pa drejtuesin e saj dhe se ai ishte i vetmi që mund ta kryente atë detyrë, i dha fund mëdyshjes dhe u nis së bashku me grupin muzikor.

Udhëtimi u realizua me një anije italiane, por italianët u nxorën shumë pengesa gjatë kalimit në Itali, siç u nxorën edhe në Shqipëri, ku i shpallën ”persona non grata”. Pas një qëndrimi të shkurtër në Brindizi, anija u lejua që të nisej drejt portit të Durrësit. Populli i priti me brohoritje në port, edhe pse italianët që atë kohë mbanin të pushtuar Durrësin, e shtuan përshëprimën dyshuese për misionin e tyre.  Duke qenë se përveç Durrësit, italianët mbanin të pushtuar edhe Vlorën, Tepelenën, Sarandën e Gjirokastrën, i shihnin dhe i trajtonin si persona të dyshmtë bijtë e shqiptarëve të Amerikës. Pas një qëndrimi disaditorë në Durrës u nisën me kamionë drejt Tiranës, ku populli, qeveria e përkohshme dhe klerikët i pritën me brohoritje, lule dhe bujari. Qeveria e kishte kuptuar vlerën e një turneu të bandës së Vatrës për të rritur moralin e popullatës dhe për ta bërë atë më koshiente për çështjen kombëtare, që ishte e kërcënuar.

KONCERTE NGA SHKODRA NË GJIROKASTËR, ELBASAN, SARANDE E DELVINE, NE DRASHOVICE, NE LLOGORET E LUFTES SE VLORES(Lexoje te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: anda e Vatres, Thoma Nassi

Një trio e fuqishme e Dr.N.Pllanës para opinionit evropian

April 3, 2013 by dgreca

Nga, BLERTA BAJRAMI/ Glattbrugg, Zvicer/

Zëri kumbues i Nusret Pllanës në bjeshkët e Berishës,, Ju flet Kosova e Lirë,, të shtunën më 30 mars 2013, jehoi fuqishëm edhe në Glattbrugg të Kantonit te Zürichut në Zvicër. Ky zë autokton, tanimë nuk fliste në rrethana të një lufte të përgjakshme siç ishte ajo e viteve 1998/99, por tanimë ai fliste përmes tri veprave publicistike – dokumentare ; librave ,,Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999,, « Intervenimi i NATO-s në Kosovë », si dhe  përmes filmit  që u shfaq para kurbetçarëve shqiptarë këtu ,, Rrugëtimi i një libri nëpër botë,,. Librat, bashkë me filmin , që pasqyrojnë luftën dhe punën më shumë se njëzetëvjeçare të studiuesit,  Prof.Dr. Nusret Pllana, në arkivimin dhe kompletimin e fakteve dhe dëshmive rrënqethëse të masakrave dhe dhunës që ka ushtruar pushtuesi serb mbi popullin shqiptar për rreth dy shekuj, ka rrugëtuar nëpër shumicën e shteteve dhe vendeve të globit, deri në Australinë e largët, si dëshmi e një kohe të barbarizmit dhe krimeve të të çmendurës së Ballkanit, Serbisë fashiste. Edhe në Zvicër, si edhe çdo kund ku udhëtori autori Pllana bashkë me librin, qindra mërgimtarë shqiptarë kishin ardhur për të parë dëshmitë tronditëse të cilat ishin mbledhur në një libër  dhe ishin përkthyer në shumicën e gjuhëve të huaja botërore.

Moderatori i tubimit me bashkëatdhetarë, Mr.sc. Metush Zenuni, njëherit edhe bashkëluftëtar dhe koleg i autorit të librit, Prof. Dr. Nusret Pllana,  në fjalimin e tij  i njoftoi të pranishmit lidhur me rëndësinë e librit ,,Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999,, në të cilën në mënyrë faktografike dhe të dokumentuar, sjell të dhëna rrënqethëse për terrorin serbomadh mbi popullin shqipëtar, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë 1998 -1999. Ai poashtu duke i faleënderuar mërgimtarët për kontributin e dhënë gjatë gjithë kohës së pushtimit të trojeve shqiptare, tha se, fatkeqësisht edhe sot, ndihma juaj është ende shumë e nevojshme në propagandimin e çështjes shqiptare, e në veçanti në përkrahjen financiare të ribotimit dhe përkthimit edhe në shumë gjuhë tjera të këtij libri(serbisht, maqedonisht, rusisht, greqisht, kinezisht, arabisht e spanjisht), i cili është dëshmi e pa kontestueshme për të gjitha ato mizori, masakra, vrasje e dhunime që ka ushtruar pushtuesi serb mbi popullin shqiptar. Atë që nuk e bëri Qeveria e Kosoves dhe Akademitë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, po e  bën Prof.dr.Nusret Pllana i vetëm, duke vazhduar kështu edhe më tutje, luftën e tij kundër pushtuesit serb, kësaj radhe jo sikur dikur me mikrofon në dorë nga malet e Berishës, por me pendë dhe dëshmi që e tronditën botën e qytetëruar, deri në Amerikën mike dhe Australinë e largët.

Më pas, para të pranishmëve u shfaq filmi dokumentar ,, Rrugëtimi i një libri nëpër botë,, në të cilën jepen të dhëna kronologjike  të udhëtimit të autorit Nusret Pllana, bashkë me librin e tij në shumicën e qendrave evropiane e  botërore, përmes së cilës njoftohet opinioni botëror për gjenocidin serb  mbi shqiptarët. Në filmin dokumentar vërehej qartë përkrahja dhe përgëzimet që mori autori i librit, si nga shqiptarët që jetojnë në shtetet perëndimore, në SHBA dhe në shtetet skandinave, por më të rëndësishme ishin përshtypjet e shumë studiuesve të huaj(publicistë, historianë, gazetarë, politikanë, profesorë universitetesh eminente, nënkryetarë shtetesh)  të cilët me dhimbje e shqetësim flisnin për ata që kishin parë në këtë libër, pa mundur asnjëri prej tyre ta shfletoj deri në fund.

Pjesa e fundit e këtij takimi, kaloi në debate shumë miqësore,  në mes të pranishmëve me autorin e librit Prof. Dr. Nusret Pllana dhe penalistët tjerë të tryezës, Mr.sc. Metush Zenuni, Murat Jashari, Xhevat Zeka dhe Bejtullah Tahiri. Folësit e shumtë, me shqetësim të madh,  dhanë vlerësimet e tyre për filmin dhe librat e autorit Pllana, duke e  quajtur si një punë voluminoze  dhe shumë të domosdoshme, sidomos tani kur Kosova dhe Serbia po zhvillojnë negociata për të zgjidhur çështjen e konfliktit shqiptaro – serb.

Në këtë aspekt, Shkurte Babanaj duke falënderuar për praninë e autorit në Zvicër, shprehu shqetësimin e saj për mospunën dhe neglizhencën që po shfaqin institucionet e Kosovës, në përkrahjen e nismave, qoftë edhe individuale, për të diskredituar Serbinë para opinionit botëror, dhe se siç tha ajo, është shumë e nevojshme që ky libër t’i ofrohet në tavolinën e bisedimeve Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq.

Debatuesit gjithashtu patën kritika lidhur me mungesën e përkujdesjes të  institucioneve të Republikës së Kosovës,  për shkak të rëndësisë që ka libri për njoftimin e opinionit kombëtar dhe atij botëror, për  dhunën dhe terrorin që ka ushtruar pushtuesi serb mbi shqiptarët për rreth 150 vjet. Në fjalimin e tij, Xun Çetta, rëndësi të veçantë i kushtoi strukturës së ndërtimit të filmit ,, Rrugëtimi i një libri nëpër botë,, në të cilin siç tha ai, shihen qartë vështirësitë e autorit gjatë gjithë këtij udhëtimi marathonik, bashkë me librin nëpër botë, sidomos në grumbullimin e materialeve incizuese, jo gjithë herë me kamerë profesionale.  Kjo tha z.Çetta, është pasojë e mospërkrahjes  së Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, e cila është dashur ta mbulojë gjithë aktivitetin dhe punën e autorit me mjete propaganduese, financiare, politike e diplomatike, meqë tash Kosova ka edhe ambasadorët e saj në shumicën e këtyre shteteve.

Folësja tjetër,  Blerta Bajrami, vajza e Komandantit të UÇK-së në Kaçanik, Agim Bjrami- ZEFI, e emocionuar dhe e rrënqethur me atë që pa, tha se si e re, e rritur në mërgim, ka pasur shumë pak informacione për krimet  dhe masakrat në luftën e Kosovës, dhe se siç tha ajo, tani po e shoh më mirë pse qenka vrarë  babai im në luftë dhe, po krenohem edhe më shumë me babain tim dëshmor.

Veprimtari dhe juristi Ragip Shala nga Malisheva, poashtu tha se, lufta me Serbinë nuk ka përfunduar akoma , por ajo tani po vazhdon me forma të tjera,  më të rënda se lufta frontale e viteve 1998/99. Qeveria e Serbisë tha ai ka botuar librin ,, Bella knjiga o Kosovo ,, dhe diplomacia e Beogradit dhe e Moskës , pasi e kanë përkthyer në  12 gjuhë botërore, atë e kanë shpërndarë nëpër ambasada të shteteve të ndryshme, për të mbuluar krimin dhe për ta shpallur veten gjoja se  janë viktima të ,,terrorizmit shqiptar“. Është për ta përshëndetur autorin e këtij libri, vazhdoi Shala, për një punë kaq të madhe që është duke bërë, Prof. Nusret Pllana megjithatë  është një  individ , është i vetmuar, një ambasador i papaguar i çështjes shqiptare, ndërsa në këtë betejë përballë projekteve famkeqe serbe, do të duhej të ishte Republika e Kosovës, me të gjithë mekanizmat shtetëror të saj.

Fiqerete Haziri, artiste nga Tropoja, e tronditur poashtu nga ajo që pa në film dhe në librin e Nusret Pllanës, tha se ky  libër duhet të futet nëpër testet shkollore të Historisë së popullit shqipëtar dhe se nxënësit, studentët dhe të rinjtë tanë, brenda dhe jashtë shtetit, duhet të mësojnë nëpër shkolla dhe fakultete për maskrat dhe dhunën që ka ushtruar pushtuesi serb mbi shqiptarët.

Studentja e Universitetit të Zurichut, Doruntina Dema nga Struga, poashtu duke përgëzuar autorin e librit, prof.dr. Nusret Pllanën tha se, ky libër është shumë i nevojshëm për të informuar botën për dhunën serbe mbi shqiptarët, si dhe shprehu shqetësimin e saj për mos interesimin e kolegeve të saja studentë keëtu në Zvicër, të cilët pak po punojnë në propagandimin e çështjes shqiptare, dhe se ato bile edhe nuk kishin shprehur interesim as për të ardhur sonte këtu për të parë punën shkencore të studiuesit Pllana.

Pyetjeve të debatuesve iu përgjigj autori i librit ,,Terrori i Serbisë Pushtuese mbi

Shqiptarët 1844 – 1999,,  prof.dr. Nusret Pllana, i cili pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen  e tyre,  siç tha ai nga e gjithë gjeografia shqipëtare,  tha se është fatkeqësi për botën e qytetëruar që u ka rënë hise kjo racë e  çmendur karpatiane, që në gjak e kënë një defekt  gjenetik, urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. Megjithate, Serbia tha ai, një ditë duhet  të përgjigjet para drejtësisë ndërkombëtare për gjenocidin mbi shiqptarët, për vrasjen e më tepër se 570.000 shqiptarëve, në periudhën midis viteve 1844-1999.  Gjatë këtyre më shumë se njëqind e sa viteve,  Serbia ka ushtruar dhunë dhe terror intenziv kundër shqiptarëve, madje edhe duke vrare gra  shtatëzëna e fëmijë të vegjël, që as në kohë të mesjetës nuk mbahen mend  këso barbari. Vetëm në luftën e fundit në Kosovë, edhe pas Intervenimit humanitar dhe ushtarak të NATO-s në Kosovë, u vranë rreth 18.000 shqiptarë duarthatë, prej tyre 1600 fëmijë të moshave të ndryshme, dhe rreth 20.000 femrave të dhunuara. Duke folur për librin ai tha se, gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit, ka udhëtuar në qendrat kryesore, evropiane e botërore, për ta informuar opinionin përparimtar  lidhur me masakrat dhe dhunën serbe kundër popullit shqiptar, duke shtuar se, është fatkeqësi për Ballkanin dhe Evropën, që një Serbi gjenocidale të lejohet të futet në Evropë me gjithë këtë këtë « bagazh » të krimeve dhe barbarive gjenocidale që i ka bërë mbi shqiptarët, boshnjakët, etj. Është përgjegjësi historike tha ai, që një Serbi e tillë të futet në familjen e madhe evropiane pa i larë borgjet ndaj shqiptarëve, të cilat vetëm për shkak të dëmeve materiale( pa i llogariur ato në njerëz) bëjnë qindra miliarda dollarë, e të shpallet fajtore botërisht në Tribunalin e drejtësisë ndërkombëtare të Hagës, për gjenocidin ndaj shqiptarëve.  Kjo libër tanimë është pjesë e bibliotekave dhe zyreve të shumë shteteve e qendrave të vendosjes në botë, e përkthyer në pesë gjuhë të botës, e cila së shpejti do ta « përjetoj » ribotimin e pestë të saj, duke ia shtuar edhe gjuhën suedeze, serbe dhe maqedone.

Pas shfaqjes së filmit dokumentar, Prof. Nusret Pllana, i shoqëruar nga përfaqësuesi  i familjes së dëshmorëve të kombit Murat Jashari dhe veprimtarë tjerë vizituan familjen e dëshmorit të kombit, Agim Bajrami, ku u prit nga bashkëshortja e Agimit, zonja Zarije Zenuni – Bajrami dhe fëmijët e saj Blerta, Burimi dhe Florimi.

Glattbrugg, Zvicër, 30.03.2013

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Blerta Bajrami, Prof. Nusret Pllana, promovohet ne Glattbrugg, zvicer

Princi Leka II: Pse qau babai në çastet e fundit të jetës

April 3, 2013 by dgreca

Nga Rezarta Delisula*/
NE FOTO:Pronci Leka II ne Vater, 26 prill 2012, vizite me rastin e 100 vjetorit te themelimit te Federates “Vatra”/
Ai është një djalë i edukuar, i kulturuar, e me të folurën e tij të qetë, të bën ta dëgjosh me kujdes. Në këtë drejtim i ngjan shumë atit të tij, të cilit me kalimin e viteve, ka nisur t’i ngjasojë edhe në portret. E takojmë Princin Leka II, në rezidencën mbre-tërore në qendër, takim që përkoi me ditëlindjen e tij të 31-të. Me politesën karakteristike, ai pranon të na japë kohë dhe të flasë për një moment shumë të vështirë të jetës së tij, humbjen e babait, njeriut që e mësoi mbi të gjitha të jetë ky që është sot, një djalosh me zemër e mendje të madhe. Në këtë intervistë të dhënë për “Gazetën Shqip-tare”, Princi Leka II na përcjell përjetimet, bisedën e fundit me të atin, planet që ka në të ardhmen dhe veçantinë e punës së tij, tashmë si këshilltar i presidentit.
Dje festuat 31-vjetorin dhe është hera e dytë që e festoni ditëlindjen tuaj pa babain. Sot, gati 18 muaj pas vdekjes së tij, cila është pjesa në të përditshmen tuaj ku ia ndjeni më tepër mungesën? 
Më mungon jashtëzakonisht dashuria prindërore, afërsia që kishim dhe diskutimet që ndanim çdo ditë së bashku. Më mungojnë këshillat e tij në aktivitetet e përditshme, të shprehurit lirshëm për problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe Kombi shqiptar, si dhe e ardhmja e tij. Janë gjithnjë një sërë gjërash nga më të thjeshtat që të kujtohen kur humbet njerëzit më të dashur, krahas dhimbjes së përhershme shpirtërore që nuk shërohet kurrë.
Dy humbje të njëpasnjëshme brenda pak vitesh, nëna dhe babai, … a ju kanë rritur para kohe? 
Unë kam qenë me fat, edhe si fëmijë i vetëm, që gjithnjë kam ndjerë shumë dashuri nga prindërit e mi dhe nëpërmjet edukimit ata më kanë dhënë gjithnjë mbështetje. E gjitha kjo dhe, jeta në vetvete në situata specifike, të jep pjekuri dhe forcë që të përballesh me sfidat e kohës, dhe mund të them se prindërit e mi më kanë përgatitur mirë e me një edukatë shembullore. Në sajë të formimit tim, të edukatës dhe përgatitjes, unë ndjej shumë përgjegjësi dhe detyrim për të përmbushur aspiratat e Familjes Mbretërore, si simbol i unitetit të Kombit shqiptar, dhe për këtë kam një besim të patundur.
Keni pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me Mbretin Leka I, keni po ashtu një ngjashmëri shumë të madhe edhe në fizik; çfarë keni marrë më shumë prej karakterit të tij? 
Durimin, gjakftohtësinë, vetëpërmbajtjen dhe përkushtimin ndaj idealit që ne besojmë.
Cila ka qenë biseda e fundit me babain tuaj në fund të nëntorit 2011 kur ai u shua? 
Biseduam për z. Ramush Haradinaj, i cili në atë kohë ndodhej në Gjykatën e Hagës, dhe kjo bisedë u zhvillua pas vizitës në spital të vëllait të tij, Gjeneral Daut Haradinajt. Babai kishte një respekt të veçantë për familjen Haradinaj dhe sigurisht, për të gjithë ata që sakrifikuan për idealet kombëtare me gjakun dhe jetën e tyre. Padyshim, unë kam trashëguar të njëjtën dashuri për këtë familje, si dhe për familjen Jashari dhe familjen Rugova.
Cili ka qenë meraku i babait tuaj? 
Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë merak vetjak apo familjar. Ai ua kushtoi gjithë jetën e tij idealeve kombëtare, një Shqipërie të lirë, demokratike dhe të begatshme në kuptimin perëndimor të fjalës. Meraku i parë ishte shembja e diktaturës komuniste dhe pavarësia e Kosovës, që u realizuan dhe i përjetoi. Pas kësaj, merak kishte një Shqipëri më të begatë dhe një komb të bashkuar, – aspiratë kjo që i mbetet brezit tonë për ta realizuar. Sistemin e Monarkisë Kushtetuese nuk e shihte aq si ambicie personale, sesa si një sistem më të efektshëm dhe të përshtatshëm mbarëkombëtar.
Vjet erdhën në Tiranë eshtrat e Ahmet Zogut, gjyshit tuaj; a ndiheni më i lehtësuar nga kjo ngjarje dhe cili ka qenë roli juaj në gjithë këtë? 
Viti i kaluar ishte një vit i paharruar për gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, si vit jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë, dhe në këtë kuadër u bë i mundur dhe rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog, ngjarje për të cilën unë i jam shumë mirënjohës qeverisë. Roli im ishte si anëtar i Komisionit Qendror, posaçërisht për këtë eveniment, dhe gjej rastin të falënderoj z. Flamur Noka, Aldo Bumçi, Lulzim Basha dhe Ekrem Spahia për punën e palodhur. Njëkohësisht, falënderoj tej mase edhe ambasadorin tonë në Francë, z.Ylljet Aliçka, për ceremoninë solemne të organizuar në Paris, ku morën pjesë shumë personalitete të shquara të qeverisë franceze dhe të aristokracisë evropiane. Pa dyshim që mirënjohjen më të thellë, Familja Mbretërore ia dedikon kryeministrit, z. Sali Berisha, pa të cilin, rikthimi i eshtrave, rindërtimi i Mauzoleumit dhe përmendorja kushtuar Mbretit Zog në Tiranë do të ishin të pamundura.
A ishte ky, një premtim juaji i mbajtur? 
Kjo është e vërtetë, por jo e gjitha. Ne, me të vërtetë jemi të qetë që dinjiteti i Familjes Mbretërore u vu në vendin që i takon, por duhet menduar dhe punuar edhe për gjithë ato familje pro-monarkiste që janë persekutuar çnjerëzisht gjatë periudhës së regjimit komunist. Eshtrat e Mbretit Zog nuk do të gjejnë qetësinë e plotë pa u vënë në vend edhe dinjiteti i përkrahësve të tij, dhe ky nuk është vetëm një obligim i Familjes Mbre-tërore, por mendoj se duhet të jetë obligim i gjithë shoqërisë demokratike, për të cilën ata u persekutuan.
Thoni që eshtrat e Mbretit Zog nuk do gjejnë qetësinë e plotë pa u vënë në vend dinjiteti i përkrahësve të tij; çfarë nënkuptoni me këtë? 
Unë shpresoj që me realizimin e përfundimin e Mauzoleumit të Familjes Mbre-tërore, do të kemi mundësi që të bëjmë një mur kuptimor, për të gjithë ata njerëz, ato familje që kanë sakrifikuar e kanë dhënë kontributin e tyre për ndërtimin e shtetit shqiptar në kohën e Ahmet Zogut, por edhe që janë persekutuar në regjimin komunist, për të siguruar që historia e tyre të mos harrohet nga populli shqiptar, dhe në këtë drejtim, ne e kemi obligim që si Familje Mbretërore, të sigurojmë që të vërtetat historike të mos harrohen nga gjeneratat që do vijnë e nga rinia e sotshme.
Kur do të bëhet bashkimi i të gjithë anëtarëve të Familjes Mbretërore në Mauzoleumin e ndërtuar? 
Pyetja është e drejtë, pasi fillimisht Mauzoleumi i ndërtuar në vitin 1936 u quajt “Varri i Nënës Mbre-tëreshë” dhe në kujtesën e popullit ky emërtim nuk u shua edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste, e cila në mënyrë barbare kishte shkatërruar varrin e një nëne. Deri tani në Mauzoleumin e rindërtuar prehen eshtrat e gjithë anëtarëve të familjes, me përjashtim të Nënës Mbretëreshë Sadije, së cilës dhe iu kushtua ky Mauzoleum në kohën e Mbretërisë.
Projekti ynë imediat është që Nëna Mbretëreshë Sadije të jetë së bashku me djalin dhe nipin e saj, si dhe me Mbre-tëreshën Geraldinë dhe Mbretëreshën Suzanë, duke restauruar themelet e varrit origjinal si pjesë përbërëse e plotësuese të Mauzoleumit të rindërtuar dhe ndërkohë, duke krijuar edhe një dimension tjetër historik, për t’u treguar brezave të rinj egërsinë dhe aktet çnjerëzore të regjimit komunist.
Babai juaj, Mbreti Leka I, u shua vetëm pak ditë pas 28 nëntorit 2011, e fjalët që u thanë ishte se ai lëshoi lot në shtratin e vdekjes kur pa flamurin që e kishte kërkuar nga ju ta vinit në dritaren e dhomës së tij në spital. E vërtetë? 
Kjo është absolutisht e vërtetë, ishin çastet më emocionale e më të paharruara. Mbreti në ato momente nuk ishte në gjendje të fliste dhe unë kujtoj prekjen e flamurit me dorën e tij… vështrimin nga dritarja ku e vendosëm flamurin… disa pika lot që u rrokullisën… e që nuk i kisha parë kurrë në sytë e këtij njeriu të fortë… Të tjerat, mund t’i imagjinoni vetë.
Cila ka qenë këshilla më e vlefshme që ju ka thënë Mbreti Leka I? 
Dëgjoji të tjerët. Nuk ka rëndësi rangu që ka në shoqëri personi që flet. Konsiderojeni atë sikur të jetë njeriu më i fuqishëm, duke i vlerësuar mendimet e tij dhe jo vetëm mënyrën e të shprehurit.
Po ju, e këshillonit ndonjëherë për diçka? Për tymosjen e duhanit, për shembull? 
Jam përpjekur gjithnjë t’ia largoj duhanin, por pa sukses. Ai kishte lirinë për ta zgjedhur vetë mënyrën e tij të jetës. Siç duket, kishte shumë strese dhe duhani e qetësonte.
Elia, krah jush për shumë vite tashmë; do kemi dasmë sivjet siç është përfolur apo është ende herët? Detajet, nëse ka ardhur momenti t’i zbuloni?
Jemi ende duke bërë plane dhe do t’ju informojmë në kohën e duhur.
Nga Ministria e Jashtme si këshilltar, i të Brendshmes deri në 2012-ën e, prej pak muajsh në Presidencë si këshilltar politik. Cila nga të tria është puna më tërheqëse, ajo që ju bën të mendoheni më gjatë, me më shumë përgjegjësi, edhe pse në thelb janë të ngjashme? 
Secila nga detyrat ka pasur të veçantat e veta, por them se kam qenë me fat që gjatë gjashtë viteve më është dhënë mundësia të përfitoj përvoja të ndryshme. Nëse puna në Ministrinë e Brendshme ishte shumë teknike, në Ministrinë e Jashtme ishte më tepër dinamike, ndërsa në Presidencë ka karakter më krijues. Më kujton studimet e mia, kur qëndroja gjatë duke shkruar dhe analizuar çdo zhvillim nëpërmjet llogarive të detajuara.
Keni punuar me presidentin aktual Bujar Nishani si këshilltar i tij edhe në Ministrinë e Bre-ndshme; aty u vendos komunikimi mes jush, pasuar më pas edhe me ftesën për t’u bërë kë-shilltar i tij? 
Jam shumë i nderuar që presidenti Nishani më propozoi të bëhem pjesë e kabinetit të tij, gjë të cilën unë e konsideroj së pari si vlerësim të punës sime në Ministrinë e Punëve të Brendshme. E ndjej që na bashkon një gjë e përbashkët dhe shumë e rëndësishme: Dashuria për Kombin shqiptar, pavarësisht nga forma e qeverisjes së shtetit, ku ndajmë pikëpamje të ndryshme. Por synimet dhe qëllimet tona janë plotësisht të njëjta: Të punojmë me përkushtim për të mirën dhe begatinë e popullit dhe Kombit shqiptar.
Sa kohë keni pa shkuar në Afrikën e Jugut, vendin ku u lindët e rritët? 
Nuk jam kthyer në Afrikën e Jugut qysh nga viti 2002 kur erdha për herë të parë në Shqipëri dhe mund të them se këto 11 vite kanë kaluar me një shpejtësi të pabesueshme.
Ju mungon ajo pjesë e fëmijërisë suaj? 
Unë kam shumë kujtime të bukura për Afrikën dhe shpresoj se në një kohë të përshtatshme, së bashku me Elian do të vizitojmë vendin ku kam kaluar fëmijërinë time. Çdo gjë bëhet në kohën e duhur.
Mbani qen tani? E keni pasur pasion, apo jo? 
Qentë janë krijesa të mrekullueshme dhe mbajtja e tyre ka qenë në traditën e familjes sonë. Di se edhe gjyshi im, Mbreti Zog, ka pasur një të tillë.
Cilët janë miqtë që ju ndenjën më pranë pas humbjes së babait? 
Ju them se jam me shumë fat që kam pasur një mbështetje të gjithanshme vitin e kaluar. Miqësia është një gjë shumë e rëndësishme. Më kanë rrethuar kaq shumë miq, sa nuk numërohen.
Ka pasur njerëz që dikur, kur Leka I ishte gjallë vinin e pas vdekjes së tij u ‘zhdukën’? 
Unë vetë kam zgjedhjet e mija, por miqësia e vërtetë mbetet gjithnjë e tillë, pavarësisht nga rrethanat dhe situatat që ndodhin. Babai im ka pasur shumë miq gjatë jetës së tij dhe ata kanë mbetur përsëri të tillë.
Sot jeni trashëgimtari i vetëm i fronit mbretëror; si janë marrëdhëniet tuaja me Partinë e Legalitetit? 
Është një marrëdhënie e natyrshme, pasi Partia e Legalitetit ka qenë dhe është mbështetësja kryesore e Monarkisë. Është një zë i rëndësishëm për vizionin që kanë pasur gjyshi dhe babai im për një Shqipëri moderne dhe të lirë si dhe një komb të bashkuar e të fortë. Partia e Legalitetit synon një shtet të mirëfilltë ligjor, për një familje të shëndoshë, duke ruajtur traditat më të mira të popullit shqiptar. Ajo është një parti konsekuente ndaj vlerave morale dhe kundër çdo devijimi. Është parti që ka në programin e saj krijimin e kushteve të përshtatshme për rimbajtjen e një referendumi lidhur me formën e organizimit të shtetit, duke synuar vendosjen e sistemit të Monarkisë Kushtetuese, si sistemi më garant i demokracisë dhe prosperitetit të popullit, gjë kjo e dëshmuar pothuajse në të gjitha Monarkitë evropiane dhe shtetet më të zhvilluara të Evropës dhe të botës.
Keni bërë kërkesë për kthimin e pronave të familjes suaj, së fundmi dhe Pallatit të Brigadave; keni besim se do i merrni? 
Unë kam kërkuar që Pallati i vjetër Mbretëror të jetë i hapur për gjithë publikun. Ai është një pasuri, e ndërtuar nga gjyshi im, Mbreti Zog, si shenjë e dashurisë së tij ndaj Mbretëreshës Geraldinë. Tirana duhet të krenohet me historinë dhe kulturën e saj, dhe periudha e Monarkisë është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë dhe kulturës së kryeqytetit. Për sa u përket pronave, unë jam i sigurt se edhe Shqipëria do të veprojë si vendet e tjera të Rajonit për trajtimin e këtij problemi, si dhe për statusin që gëzojnë Familjet Mbretërore në këto vende.

  • Dergoi per Diellin, z. Sulejman Gjana

Filed Under: Interviste Tagged With: ne castet e fundit, Princ Leka II, pse qau babai, Rezarta Delisula, te jetes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT