• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

Zgjedhjet: Vritet një person, plagoset kandidati në Laç

June 23, 2013 by dgreca

Një incident i rëndë është regjistruar në ditën e votimeve në Shqipëri, ku një person ka humbur jetën pranë një qendre votimi në Laç, dhe një tjetër është plagosur.

Ne Foto: I vrari ishte emigrant, simpatizant i LSI, nderkohe qe i plagosuri eshte kandidati i PD/
Nga Radio Europa e Lire/

Siç njofton korrespondentja jonë në terren, emri i viktimës është Gjon Pjetër Gjoni, dhe është komisionar i LSI-së.
Forcat e rendit të Qarkut të Lezhës njoftojnë se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të qendrës së votimit në Laç, e cila mbetet momentalisht e bllokuar, kurse procesi i votimeve është mbyllur.
Policia dyshon se viktima ka pasur një konflikt paraprak në qendrën e votimit, me një simpatizant të partisë kundërshtare.
Policia e Lezhës dyshon se konflikti është shkaktuar për shkak të përkatësisë politike të palëve të përfshira në incident, i cili eskaloi me të dalë nga qendra e votimit.
Incidenti besohet se ka ndodhur rreth orës nëntë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, e dënoi sot dhunën që shpërtheu jashtë një qendre votimi në Laç, ku si pasojë vdiq një person dhe u plagosën tre të tjerë.
Sequi është pjesë e ambasadorëve të huaj që po vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, ndërsa bëri thirrje për një proces të qetë e paqësor zgjedhor.
Ambasadori i Brukselit tha që standardet evropiane e përjashtojnë dhunën si një mjet për zgjidhjen e problemeve, ndërsa paralajmëroi se gjatë ditës do të vizitojë vendin e incidentit, për të mësuar më shumë rreth shkakut që ishte i kobshëm për komisionarin socialist.
Dhunën në Laç e ka dënuar edhe kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Evropën Jug-lindore Eduard Kukan, i cili tha se BE-ja pret nga Shqipëria që të zhvillojw procesin zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Dhuna është e papranueshme në zgjedhje. Duhet hetuar, e nuk duhen nxjerr përfundime paraprake”, tha Kukan.
Edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka bërë thirrje për qetësi, dhe ka njoftuar se më vonë gjatë ditës do të shprehet për mediat.
Ndërkaq, i plagosuri nga ky incident ndodhet në spitalin ushtarak në Tiranë.

* * *

Shqipëria sot vendos për fatin e saj, se kush do ta qeverisë në katër vitet e ardhshme, në zgjedhjet të cilat pritet të përcaktojnë të ardhmen e shtetit në integrimet e mëtejshme të saj në Bashkimin Evropian.
Në orën shtatë janë hapur 5508 qendra votimi, ku do të mund ta hedhin votën e tyre mbi 3.3 milion persona me të drejtë vote.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithçka ka rrjedh pa probleme në hapjen e qendrave të votimit, kurse kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi ka bërë thirrje për dalje në votime.
“U bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në fshehtësi. Gjithashtu, u bëj thirrje komisionarëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lënë mënjanë ndikimit politike”, u shpreh Lleshi për mediat pas votimit.
Prej rënies së komunizmit dy dekada më parë, Shqipëria ka pasur gjithnjë probleme në organizimin e zgjedhjeve të rregullta, andaj e ka të kushtëzuar kalimin e këtij provimi demokratik për të mbajtur zgjedhje fer, për t’u integruar në BE.
Afro nëntë mijë vëzhgues në total, kanë marr detyrën për të mbikëqyr procesin zgjedhor në Shqipëri, prej të cilëve 1,000 janë të huaj.
Mbi 6200 forca policore janë angazhuar për të ruajtur qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në garë për të drejtuar qeverinë shqiptare janë dy koalicione të forcave politike, demokratët konservativë të prirë nga kryeministri Sali Berisha dhe socialistët opozitar që i udhëheq Edi Rama.
Këto dy forca politike janë mbledhur në koalicion me parti të tjera, ku Berisha udhëheq Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, ndërsa Rama Aleancën për Shqipërinë Evropiane.
Votimet mbyllen në orën 19.00(Kortezi: Radio Europa e Lire)

Filed Under: Kronike Tagged With: plagoset tjetri, vritet nje person, Zgjedhjet shqiptare

Shqipëri, nisin votimet për zgjedhjet e përgjithshme

June 23, 2013 by dgreca

Nga Ilirian Agolli/

Shqipëria nisi sot votimin për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare pas një fushate entuziaste të dy koalicioneve më të mëdha, për të cilat parashikohen rezultate të ngushta. Procesi i votimit është hapur normalisht në pjesën më të madhe të vendit me shqyrtimin e materialeve zgjedhore nga komisionerët dhe pas kësaj rutine nis votimi i qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare numri i përgjithshëm i votuesve është rreth 3,3 milionë shqiptarë me të drejtë vote, megjithatë një numër i konsiderueshëm i tyre nuk jetojnë në Shqipëri për shkak të emigrimit masiv.

Njoftimet e para tregojnë se materialet zgjedhore janë shpërndarë normalisht në të gjithë vendin dhe komisionet janë të gatshme për të regjistruar garën, e cila ka filluar të paktën 6 muaj më parë. Edhe pse me 3 karrige bosh, KQZ-ja me 4 anëtarë bëri të mundur pajisjen e komisioneve në 12 qarqe me materiale të zakonshme të votimit, ndërsa nuk u realizuan dot 2 eksperimentet për numërim elektronik të votave në Fier dhe për verifikimin e kartave të identitetit në kryeqytet.

Veprimtaria e KQZ pritet të vështirësohet me kalimin e kohës, kur duhet të mbyllet procesi i votimit dhe kur duhet të administrohen rezultatet me 5 vota komisionerësh. Në komisionet e qendrave të votimit anëtarët janë ndarë midis forcave kryesore, ndërkohë që janë angazhuar një numër i madh vëzhguesish partiakë dhe të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë. Ata kanë koordinuar veprimtaritë për të mbuluar 12 qarqet dhe për të vërejtur nëse do të ketë parregullsi të mëdha apo manipulime të qëllimshme.

Qeveria ka deklaruar angazhimin e saj të plotë për zgjedhje të lira dhe të rregullta, megjithatë këto deklarata nuk i kanë qetësuar dyshimet e opozitës për manipulimet me listat dhe kartat e identitetit. Militantë të të dyja koalicioneve janë përfshirë në mbikëqyrjen e kujdesshme të procesit zgjedhor ku ekziston një mosbesim i gjerë për veprimet e kundërshtarëve. Raporti i parë i vëzhguesve ndërkombëtarë do të jetë të hënën mbasdite dhe raporte më të detajuara priten gjatë ditëve në vazhdim.

Një tjetër dilemë e procesit është nëse humbësi do të njohë rezultatin duke fashitur dyshimet mbi procedurat. Në proceset zgjedhore të Shqipërisë, është bërë tashmë e zakonshme që njerëzit votojnë të qetë gjatë gjithë ditës por tensionet dhe mosbesimet kthehen në mbrëmje gjatë numërimit të votave.

BE ka deklaruar se këto zgjedhje janë një provë e rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe gadishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet europiane.(Kortezi: VOA)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ilirian Agolli, nisin zgjedhjet

Pese arsye për të djathtën dhe Sali Berishën

June 22, 2013 by dgreca

Shkruan:Alfred LELA/

Taksë e sheshtë apo progresive?/

Dilema për taksën e sheshtë, pra 10 përqind të të ardhurave i kalojnë shtetit, apo një rritje progresive e taksës, sa më të mëdha të jenë fitimet aq më e lartë ajo, nuk është e re dhe as nuk është shqiptare. Ajo bëhet shqiptare dhe shndërrohet në debat, që në fakt duhet të përcaktojë votën, për dy arsye themelore: e para, ne e dimë modelin që do të ofrojë z. Berisha nëse fiton, taksën e sheshtë, por nuk dimë modelin e një qeverie të majtë. Kjo sepse dy krerët e së majtës janë për një taksim të ndryshëm. Z. Rama është për taksim progresiv duke e bërë këtë model të ri pjesë të programit përmbysës të Rilindjes, ndërsa z. Meta, kryetar i LSI, ish-zëvendëskryeministër në qeverinë Berisha, është më i prirur për të mbajtur taksën e sheshtë. Kjo sa i takon rrafshit politik, por nuk duhet harruar një ‘teknikalitet’ gjithashtu i rëndësishëm. Ekspertë të ekonomisë në vend janë hezitantë për kthimin te taksa progresive, jo se janë kundër saj si të tillë, por sepse sistemi ynë fiskal e ka më të lehtë absorbimin apo mbledhjen e taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë, theksojnë ata, është më e lehtë për t’u vjelë dhe më e lehtë për t’u abuzuar. Teori që vazhdon me një tjetër shtjellim sipas të cilit, para se të kalohet te debati mbi llojin e taksës, duhet filluar me riparimin e sistemit fiskal. A paguhen taksat dhe detyrimet, dhe një kontroll më i imtë mbi to është më ‘ekonomike’ dhe ‘smart’ sesa debati mbi llojin e taksës, i cili zhvlerësohet nëse sistemi ka aq vrima sa një pjesë e taksapaguesve arrijnë t’u shmangen detyrimeve. Këta ekonomistë përmes artikujsh në shtyp kanë kërkuar menaxhim të informalitetit, që sipas tyre ende është përcaktues në ekonominë shqiptare dhe më pas ‘luksi’ që kërkon ‘barazia’ e taksës progresive. Ata që janë edhe më të zjarrtë në mbrojtjen e simplicitetit të taksës së sheshtë tregojnë me gisht nga taksat absurde të presidentit socialist francez, i cili detyroi individë me të ardhura të larta të largohen nga vendi.

Estetikë apo siguri?

Për t’u katapultuar me mendje në modelin e nesërm qeverisës duhet mbajtur një sy vëzhgues edhe nga fushatat elektorale të dy partive kryesore. Fushata e së djathtës, ose e liderit të saj Berisha, ka lëvizur në tre akse duke u zhvendosur ritmikisht nga njëri në tjetrin, por pa dalë prej tyre. Turi zgjedhor i Demokratëve ka nisur me town hall-e, për të kaluar më pas te mitingjet dhe për të prekur fazën përmbyllëse me biseda apo intervista nëpër studiot televizive. Sigurisht, pjesë e së gjithës kanë qenë edhe përurimet e rrugëve, ujësjellësve apo punëve të tjera publike. Por fushata e PD nuk ka lëvizur nga ky aks sigurie, duke u bërë nganjëherë edhe e mërzitshme në përsëritjen e vet.

Fushata e Partisë Socialiste, ose më saktë e liderit të saj Rama, i është nënshtruar një luhatjeje në kurs duke i provuar të gjitha: mitingjet, udhëtimet me autobus, intervistat në studio televizive, këndet e fjalës. Risia qëndron jo vetëm te stili i tyre, për Shqipërinë sigurisht, sepse ato janë imitime të fushatave anglo-amerikane, por te ndërthurja. Të përditshme të ndryshme kanë raportuar se ato që janë nisur si mitingje kanë përfunduar si kënde fjale për shkak të pjesëmarrjes së ulët, por gjithsesi përtej kësaj ka vuajtur mesazhi i cili ka ardhur i hallakatur. Estetikisht, megjithatë, fushata e socialistëve ka qenë më lart se e demokratëve, e modeluar kjo e fundit brenda kufijve dhe notave të sigurisë. Edi Rama, kreu socialist është treguar madje cinik kur ka futur në ligjërim edhe moshën e kryeministrit Berisha duke u bërë thirrje të tijve që të zgjedhin mes pikëçuditëses (atij vetë) dhe pikëpyetjes (shefit të qeverisë). Duke i ftuar pra në një moment estetik përballë një momenti përvoje e sigurie, kur koha jo vetëm në kontekst botëror, por edhe shqiptar është në kërkim të sigurisë më shumë se estetikës. Zgjedhja e së dielës merr edhe një kthesë të tillë: një lider që ofron siguri në kohë krize apo një tjetër që tundon me estetikë?

Konteksti europian ‘e majtë e djathtë’, dhe pse?/

Në rrethet e majta në Shqipëri ekziston një keqkuptim i madh kur kërkohet për një simbol që përfaqëson suksesin e së majtës. Vendet skandinave, thonë me një gojë të majtët, që kanë mbetur pa një atdhe ideologjik pas rënies së Bashkimit Sovjetik, turpërimit të Kubës, ekzibicioneve të Chavezit, tashmë të ndjerë, dhe groteskut koreanoverior që i ngjan si dy pika uji, hiq armët bërthamore, Shqipërisë së Enver Hoxhës. Mëtim i rrejshëm megjithatë, të paktën nëse marrim si të vërtetë një speciale prej dhjetëra faqesh të revistës britanike “The Economist” që shtjellonte gjerë e gjatë, pikërisht vendet skandinave dhe modelin e tyre ekonomik. Milton Friedman, teoricieni i madh i liberalizmit ekonomik ku u mbështetën Reagan e Thatcher, ‘do të ndjehej si në shtëpi në vendet skandinave’, shkruan The Economist. Revista i mëshon idesë se suksesi i Skandinavisë i detyrohet pikërisht shtetit të vogël dhe menaxhimit privat, duke e ilustruar edhe me shembullin e një spitali të madh shtetëror në Suedi, i cili në prag të falimentimit, iu kalua një kompanie joshtetërore që e shndërroi në rentabël duke kombinuar publiken me privaten.

Përballja ‘e majtë e djathtë’ në kontekstin europian shkon dërrmueshëm në favor të së djathtës. Angela Merkel në Gjermani është shembulli më ilustrativ dhe ajo kërkon një mandat të tretë së shpejti dhe shihet ndërkohë si fituese. Italia pa dështimin spektakolar të së majtës kur ajo edhe pas bunga-bungës së Berlusconit nuk arriti të krijonte dot një mazhorancë dhe u nda në zgjedhjet e fundit vetëm me një përqindje të papërfillshme me Il Cavaliere, duke shtyrë jashtë politikës Bersanin. Ky i la vendin Lettas, një të majti që ka po aq lidhje me Berlusconin. Në Greqi qeveria e kryeministrit të djathtë Samaras, paketë pas pakete shpëtimi, po mundohet ta mbajë larg falimentit vendin e shtyrë në humnerë nga zgjerimi përtej shtatit të vet i shtetit të paraardhësit, socialistit herditar Papandreu.

Restauracion historik duke filluar nga zogizmi apo enverizmi?

Republika shqiptare si shtet i pavarur, dhe me një jetë mbi 6 muaj, ka nisur në fillimvitet ‘20 me Ahmet Zogun. Republika e kthyer në monarki u ndërpre nga pushtimi i vendit për t’u takuar me një tjetër republikë të ashtuquajtur popullore, socialiste të Enver Hoxhës, një vështrim historik mbi të cilën është i panevojshëm. Sidomos në mandatin e dytë, qeveria e djathtë e Sali Berishës edhe pse në pushtet me të majtët e Ilir Metës, e ndoshta pikërisht e shtyrë prej kësaj, ia riktheu Legalitetin periudhës së Zogut duke e zgjatur mbrapa në kohë edhe themelimin e republikës shqiptare në vitet ‘20 të shekullit të shkuar, për t’u takuar aty me Zogun dhe forcat e së djathtës. Përkundër kredos së të majtës, e cila shenjon mesin e viteve ’40, kur në pushtet erdhën komunistët, si datëlindje të Republikës. Kjo zgjedhje historike e Berishës nuk është futur te arritjet, por si qasje është reaganiste (një tjetër moment i takimit me Reaganin përveç reaganomics të parapëlqyer prej shefit demokrat). Pikërisht Presidenti amerikan i mëshonte një përballjeje kulturore, përveç, ose në mungesë të asaj ideologjike në përballjen mes palëve politike. Propozimi i Berishës ishte: Zogun në vend të Hoxhës. Ose, ju Enver Hoxhën, unë Ahmet Zogun.

Kjo, edhe si refleks ndaj përpjekjeve për Restauracion historik të së majtës, të paraqitura me një ngjyrë dhe glamour të ri nga kreu socialist i bashkisë, më vonë kryetar i PS, Edi Rama. Në formën e Natës së bardhë, Pezës së babë Myslymit si qendër hip e majtizmit të ri shqiptar; një vend për Rexhep Qosjen, enveristin kosovar në aulat e së majtës, katër parti komuniste në koalicionin aktual, ditirambet për Mehmet Shehun si burrë shteti nga eksponentë të së majtës tradicionale, e të tjera. Ky kthim i Legalitetit përkundër një rikthimi të Enverizmit është gjithashtu pjesë e dilemës së 23 qershorit. Pra, Zogun apo Enverin?

Një lider apo dy liderë?

Edi Rama dhe Ilir Meta, dy krerët e koalicionit të majtë dhe njëherësh kandidatë për kryeministër, kanë dalë dje, një ditë para heshtjes zgjedhore që është sot, dhe dy ditë para ditës së zgjedhjeve, që është nesër, si për të zbutur dyshimet se aleanca mes tyre është solide. Kjo ka ardhur pas një muaji dyshimesh e hamendësimesh frymëzuar edhe nga qëndrimet e të dyve përgjatë fushatës: z. Meta nuk e ka përmendur ‘vëllain e madh’ të koalicionit si kryeministër të pas 23 qershorit, nëse e majta i fiton zgjedhjet, ndërsa Rama, kryesisht ia ka lënë nominimin e vetes si kryeministër kandidatëve për deputetë në qarqe apo në Tiranë, të cilët nëpër sheshe apo ‘kënde fjale’ kanë bërtitur me sa u ka mbajtur zëri “kryeministri Edi Ramaaaaaaaaaaa’. Të dy janë, megjithatë përballë liderit solo, Sali Berishës, kryeministër i vendit për tetë vjet në kërkim të një mandati të tretë që do të përbënte precedent historik për një vend si Shqipëria, së cilës në trazimet e veta nuk i ka pëlqyer të qeveriset gjatë dhe me votë njëherësh, përjashto rastet e monarkut Ahmet Zogu apo diktatorit Enver hoxha. Sali Berisha vjen ta kërkojë historinë e tij brenda historisë së Shqipërisë me anë të votës. Vende të tjera e liderë të tjerë e kanë mandatin e tretë: Helmut Kohl, Margaret Thatcher, apo Angela Merkel që do ta kërkojë mandatin e tretë dhe, sipas gjithë gjasash, do ta marrë. Qeveritë socialiste me dy koka e shumë ngërçe, shqiptarët i kanë provuar ndërkohë gjatë përplasjeve të shumta në lidershipin socialist, sidomos në mandatin e tyre të dytë 2001-2005. Një qeverisje e luhatur me dy mëtues për kreun e saj, edhe pse me shije tjetër, nuk do t’u shkonte përshtat shqiptarëve, sidomos në kohë krize.(Kortezi:Mapo)

 

Filed Under: Komente Tagged With: dhe et djathten, per Sali berishen, Pese arsye

Reeker: Shqipëria të mbajë zgjedhje të rregullta

June 22, 2013 by dgreca

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se të gjitha palët duhet të respektojnë rezultatin/

 Nga Isak Ramadani/

 Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, tha se u takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Ai tha se ka rëndësi të madhe që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke mbajtur zgjedhje të rregullta. Roti Reeker i bëri komentet gjatë një vizite në Shkup, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

VOA: Zoti Reeker në fillim të muajit maj, gjatë një dëshmie para Komisionit Amerikan të Helsinikit ju theksuat se “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se që zgjedhjet të jenë në përputhje me standartet ndërkombëtare duhet të respektohet pavarësia e institucioneve; debati politik duhet të jetë konstruktiv dhe i civilizuar; dhe populli shqiptar duhet të ketë besim si në procesin zgjedhor, edhe në rezultatin e zgjedhjeve”. A mendoni se sot, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet, Shqipëria ka shans që këtë herë t’i përmbushë standartet ndërkombëtare?
Philip Reeker: Dua të theksoj se Uashingtoni dhe Brukseli, miq të Shqipërisë, po i ndjekim me shumë vëmendje zgjedhjet, procesin deri në ditën e votimeve, mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe reagimin për rezultatin e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme për popullin e Shqipërisë që këto zgjedhje të kryhen në një formë të tillë që është e përshtatshme për një vend anëtar të NATO-s. Ne jemi krenarë që Shqipërinë e kemi partnere në NATO. Ata duhet të marrin masa që populli shqiptar t’i besojë procesit elektoral dhe që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane. Kjo do të krijonte bazën për fazën e ardhshme të integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.

VOA: Duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i administrojë zgjedhjet me 4 anëtarë. Si do të ndikojë kjo për zhvillimin e zgjedhjeve? A mendoni se zgjedhjet do të rrezikohen?

Philip Reeker: Një nga gjërat për të cilat kam folur dhe jam shprehur qartazi më parë përpara Kongresit, është se për të plotësuar standartet ndërkombëtare, institucionet duhet të shihen si të pavarura dhe plotësisht funksionuese. Moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket certifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. Ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kemi theksuar se kjo është një çështje e rëndësishme të cilës i duhet kushtuar vëmendje. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se populli shqiptar, shtetasit me të drejtë vote, kanë më pak besim tek procesi, si rezultat i vazhdimit të vështirësive me statusin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, partitë politike, kandidatët, si qeveria edhe opozita, kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet, dhe ato kanë përgjegjësinë t’i zhvillojnë këto zgjedhje në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s, në mënyrë që gjithë populli shqiptar të ndihet krenar për to.

VOA: A ekziston shqetësim në Uashington se rezultati i zgjedhjeve nuk do të pranohet nga ndonjëra prej palëve?

Philip Reeker: Le të kujtojmë se në Shqipëri ka mjete ligjore për të apeluar rezultatin e zgjedhjeve përmes sistemit të gjykatave. Si e zhvillojnë fushatën partitë politike, si i zhvillon zgjedhjet Komisionmi Qendror i Zgjedhjeve, si numërohen votat, si zgjidhen mospajtimet, si reagon publiku dhe partitë politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të qartë rreth të ardhmes së Shqipërisë. Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se të gjitha këto aspekte do të kenë rol shumë të madh në përcaktimin e ritmeve dhe hapave të ardhshëm të statusit të Shqipërisë si vend kandidat, dhe do të ishte me pasoja reale nëse do të kishte mosmarrëveshje të gjata dhe të papajtueshme rreth rezultatit. Do të kishte një ndikim për shembull, në vlerësimin që vendet e tjera do t’i bëjnë Shqipërisë përsa u përket kërkesave për viza, do të kishte ndikim se si investitorët e huaj do ta shikojnë Shqipërinë, do të ngrihen pikëpyetje për stabilitetin, për pavarësinë dhe për forcën e institucioneve demokratike. Pra të gjitha këto do të kenë ndikim të madh për të ardhmen e Shqipërisë, për të cilën të gjithë votuesit në Shqipëri janë të interesuar. Ne presim udhëheqje, kandidatë dhe institucione të përgjegjshme që këto zgjedhje t’i zhvillojnë në mënyrë të rregullt dhe më pas, pasi votimi të mbarojë, t’i zhvillojnë fazat e tjera po me rregullsi.

U takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Është sinjal i rëndësishëm që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla. Në rajon kemi parë zgjedhje të zhvilluara mirë, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, që kanë plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta sipas përcaktimit të OSBE/ODIHR-it. Unë kam besim se edhe në Shqipëri kjo mund të ndodhë, por ajo kërkon përpjekje serioze nga të gjitha palët, nga qeveria, opozita, të gjithë kandidatët, institucionet dhe të gjithë banorët, për të kërkuar që këto zgjedhje të jenë të mira për Shqipërinë dhe për të ardhmen e Shqipërisë.

VOA: Meqë KQZ-ja nuk do të jetë në gjendje ta certifikojë rezultatin e zgjedhjeve, a është e pranueshme që rezultati të certifikohet nga Kolegji Zgjedhor?

Philip Reeker: Ligjet e Shqipërisë, kushtetuta e Shqipërisë, parashikojnë procedura ligjore për këto raste. Siç e theksuam, duke mos e plotësuar KQZ-në, do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Këtë e kemi theksuar shpesh herë. Por megjithë managësitë e KQZ-së, si qeveria edhe opozita kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë dhe në frymë, ligjet. Duke ndjekur ligjet, duke respektuar institucionet dhe pavarësinë e tyre, atëhere edhe elektorati, popullsia, banorët do të kenë besim tek procesi. Përpjekjet për të vonuar ose manipuluar procesin do ta gërryenin më tej besimin e publikut tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek partitë si përfaqësuese të ligjshme të interesave të qytetarëve. Qytetarët e Shqipërisë dhe unë kam folur me shumë prej tyre, presin që zgjedhjet të shënojnë përparim, ata duan të jenë krenarë nga zgjedhjet, të jenë krenarë nga ato që kanë arritur, të thellojnë më tej integrimin euro-atlantik, të tërheqin më shumë investime të huaja dhe të kenë atë qëndrueshmëri dhe begati që meritojnë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Isak Ramadani, per zgjedhjet shqiptare, Reeker

Hoxhaj: Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

June 22, 2013 by dgreca

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka përkrahjen e dy të tretave të nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës që të anëtarësohet në këtë institucion. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci.

RADIO EVROPA E LIRË-Zoti Hoxhaj, sipas informacioneve të fundit, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Konsideroni se janë pjekur kushtet për këtë veprim?

ENVER HOXHAJ-Javën e kaluar ne jemi anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe ne gjatë këtyre muajve të fundit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe kemi hartuar një dokument strategjik dhe mund t’ju them që ne së shpejti do të aplikojmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Ka dy institucione që janë vendimmarrëse për pranimin e një anëtarësimi të tillë. Së pari është Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme. Këshilli i Evropës i ka 47 anëtarë. Prej këtyre 47 anëtarëve, neve na duhen dy të tretat, ku bëjnë pjesë 34 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Por, edhe në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën do të ketë që do të votojnë pro anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës.
Kurse, niveli i dytë i vendimmarrjes është Asambleja e Përgjithshme, e cila përbëhet nga deputetët e parlamenteve nacionale të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Mendoj se ne, si Ministri e Punëve të Jashtme e kemi mbështetjen e 37 vendeve që të anëtarësohemi në këtë Këshill. Tani mbetet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të punojnë me kolegët e tyre deputet të Asamblesë së Përgjithshme me qëllim që ne të bëhemi anëtar.
Mendoj që është çështje javësh dërgimi i kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, që do të ishte anëtarësimi më i madh që ka pasur Kosova këto pesë vjetët e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË-Anëtarësimi mund të jetë një proces. Sa konsideroni se do të zgjasë?

ENVER HOXHAJ-Po, anëtarësimi është një proces që mund të zgjasë dy deri në tri vjet, meqë vendeve të rajonit, si Maqedonisë, i ka marrë dy vjet, Serbisë po ashtu, kurse Bosnjës tri vjet. Ka dinamika të ndryshme të anëtarësimit. Kjo nënkupton që nga koha e paraqitjes së aplikacionit dhe nga verifikimi i progresit të brendshëm që do të duhet të bëhet sa i përket përparimit në sundimin e rendit dhe ligjit, respektimit të drejtave të njeriut dhe miratimit të disa konventave që anëtarësimi të jetë i plotë.

EVROPA E LIRË-Nëse mund të kalojmë në një temë tjetër… Dialogu Prishtinë – Beograd në nivel të kryeministrave ka vazhduar këto dy ditët e fundit. Cilat janë rezultatet. Ka përparime?

ENVER HOXHAJ-Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, të dy kryeministrat janë takuar disa herë. Ka pasur përsëri një proces dialogues që ka zgjatur disa orë. Sipas kontakteve të mia direkte me kryeministrin Thaçi, ka përafrim në çështje konkrete, siç është organizimi dhe data e mbajtjes së zgjedhjeve. Ka përafrim edhe sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë dhe zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë.
Por, do të duhej që ditët në vijim grupet teknike nën udhëheqjen e zonjës Tahiri edhe më tutje t’i qartësojnë disa çështje si telekomi, energjetika, që janë kryesisht teknike dhe më pak politike.
Marrë në tërësi ka një përafrim, por duket që do të ketë nevojë ende për punë.

RADIO EVROPA E LIRË-A është arritur përparim i mjaftueshëm në dialog që Kosova të marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave i BE-së për nisjen e negociatave për MSA?

ENVER HOXHAJ-Kosova ka bërë përpjekje maksimale që me një dialog për normalizimin e relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë, të bëhet një partner i rëndësishëm evropian. Në këtë proces kemi bërë disa hapa që të arrihet marrëveshja dhe kuptohet që vendimet që janë marrë dhe të cilat nuk kanë qenë të lehta, kanë qenë vendime në të mirë të Kosovës dhe rajonit, por edhe në favor të mbështetjes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian karshi rajonit të Ballkanit dhe politikës së zgjerimit.

Andaj, Republika e Kosovës duhet të shpërblehet nga Brukseli për sjelljen e saj evropiane dhe shumë konstruktive në një proces të tillë.
Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit (MSA) është kyç, jo vetëm sa i takon agjendës evropiane të Kosovës dhe integrimit të saj në BE, por është kyç edhe sa i takon forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës meqë është një marrëdhënie kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së. Ky do të ishte një argument i fuqishëm edhe jashtë Evropës se si të tjerët duhet ta shohin shtetësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË-Ministria e juaj ka reaguar tejet ashpër në lidhje me dorëheqjen e zyrtarit ndërlidhës në Beograd, Lulëzim Peci. Mund ta shpjegoni pse erdhi deri te dorëheqja dhe pse u desh të reagohet në atë formë?

ENVER HOXHAJ-Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep.
Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën.
Sidomos duhet veçuar edhe pretendimin e tij se ai ka pasur gjoja konflikt me kryeministrin, se kryeministri gjoja qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë – nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën.
Dialogu aktual ka të bëjë me fazën fillestare të krijimit të bazës se si do të normalizohen këto marrëdhënie.

RADIO EVROPA E LIRË-Po komunikata e MPJ-së, e cila nga opozita u cilësua si cenim i integritetit të Lulzim Pecit, duke u bazuar në thashetheme. A kanë bazë ato akuza që u përmendën në të?

ENVER HOXHAJ-Mendoj që të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës edhe këto të cilat formojnë koalicionin qeverisës, edhe ato të opozitës, duhet të interesohen për temat, që janë jetike të politikës së jashtme dhe jo për çështje të politikës së brendshme, realisht shpenzohet aq shumë zhurmë.
Çdokush që synon të thotë diçka për politikë të jashtme, duhet ta shtrojë pyetjen se si Kosova në këto 10 vjetëve të fundit është prapa vendeve të rajonit për 10 vjet me agjendën e tyre evropiane.
Kuptohet që shpjegimi racional është se ne e kemi shpallur pavarësinë para 5 vjetësh, por duhet të angazhohemi që agjendën tonë evropiane ta bëjmë agjendë të të gjithëve. Mandej, kemi vështirësi të mëdha në integrimin e Kosovës në sistem ndërkombëtar.
Edhe më tutje kemi sfida sa i përket forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe shumë elemente, të cilat janë të natyrës së politikës së Jashtme. Dhe, fakti që unë nuk dëgjoj sugjerime, propozime dhe këshilla për tema, të cilat e përbëjnë politikën e jashtme të një vendi, mendoj që deklaratat që janë bërë për një rast të caktuar, nuk do të meritonin shumë vëmendje.(Kortezi:Zijadin Gashi)

Filed Under: Interviste Tagged With: aplikon per anetaresim, Hoxhaj, kosova, ne Keshillin e Europes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT