• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

Kryeministri i Kosovës vazhdon vizitën në SHBA

June 13, 2013 by dgreca

Nga Zamira Edwards/

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon vizitën në Shtetet e Bashkuara me një sërë takimesh me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë, përfshirë edhe nën presidentin Joe Biden. Dje, kryeministri Thaçi mbajti fjalimin kryesor në konferencën me titull, Forumi ekonomik Trans-Atlantik: ndërtimi i urave në mbarë Mesdheun, e organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SAIS të Universitetit Johns Hopkins.

Fjalimi i kryeministrit Thaçi në Uashington përkoi me 14 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës së viteve 1998-1999. Zoti Thaçi tha se gjatë 14 vjetëve të fundit, e veçanërisht në 5 vjetët e fundit që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka bërë një përparim të madh për të krijuar klimën e nevojshme për investime ndërkombëtare. Ai shprehu mirënjohjen e Kosovës për angazhimin amerikan dhe tha se ekonomia e Kosovës është e hapur për amerikanët dhe ndërkombëtarët.
“Kosova është vend i hapur për biznes, dhe ka hapur rrugën për investitorët amerikanë dhe gjithë të tjerët. Qytetarët e Kosovës u janë shumë mirënjohës amerikanëve dhe ekonomia jonë është e hapur për ju. Kosova po ndërton demokraci të fuqishme, një ekonomi të tregut të lirë dhe duam që ju të jeni pjesë e saj”.
Gjatë konferencës, një vemendje e veçantë iu kushtua zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Marrëveshja u siguron serbëve në veriun e Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë, ndërsa fillimi i zbatimit të saj në terren është kusht për përparimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane. Kryeministri Thaçi shprehu optimizëm për zbatimin e marrëveshjes dhe ecjen përpara të Kosovës drejt integrimeve evropiane.
“Jam i bindur se kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për momentin në Kosovë, është vendimi më i drejtë i mundshëm për Kosovën dhe Serbine. Është një marrëveshje nga e cila fitojnë të gjithë, jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe rajoni dhe investimet ndërkombëtare, ato të BE-së, amerikane dhe prania e NATO-s”.
“Kjo marrëveshje ndër të tjera siguron të drejta shtesë dhe gjithë përfshirëse për pjesën veriore të Kosovës me shumicë etnike serbe. Qeveria jonë po bën përpjekje të integrojë serbët etnikë dhe institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ne po krijojmë komuna me shumicë serbe, që garantojnë të drejtat politike, ekonomike dhe social-kulturore. Ne duam të sigurojmë se komuniteti serb i Kosovës do të mbrohet, do të gëzojë të drejtat, do të respektohet kultura e tyre, institucionet fetare, përfshirë kishat dhe manastiret”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në pjesën veriore të Kosovës do të duhej që brenda këtij viti të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal që do të organizoheshin dhe mbikëqyreshin nga Misioni i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. Kryeministri Thaçi vuri në dukje se kjo marrëveshje mbështetet nga shumica në Kosovë, ndërkohë që gëzon mbështetjen edhe të komunitetit ndërkombëtar, por ajo ka edhe kundërshtarët e saj, tha zoti Thaçi.

“Kosova është një histori suksesi të plotë, të investimeve ndërkombëtare, por edhe punës tonë në vend. Tani jemi në një fazë të re, të integrimeve atlantike dhe jam optimist dhe me besim të plotë se edhe kjo fazë do të ecë ngadalë, por e sigurtë dhe do të jetë e realizueshme. Qëllimi dhe vizioni ynë është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe jam i bindur se këtë do ta arrijmë”.

Zoti Thaçi pranoi se integrimet evropiane nuk janë të lehta, por Kosova po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur kërkesat e këtyre integrimeve dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e me Bashkimin Evropian.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: ne SHBA, Thaci Hashim, vizita vazhdon

14 vjet nga zbarkimi i NATO-s në Kosovë

June 13, 2013 by dgreca

Bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje ushtarëve të KFOR-it. Me lot gëzimi në sy, me brohoritma “NATO, NATO”… I konsideronin shpëtimtarë të tyre.

Nga Valona Tela/

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Që atëherë, kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb.
Fillimisht numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.
Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Si pasojë e saj, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sot, katërmbëdhjetë vjet pas zbarkimit, janë rreth 5,600 trupa të NATO-s që vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.
Gati nëntë vjet pas zbarkimit të NATO-s, përkatësisht më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit.
Shteti i ri është njohur nga rreth 100 vende dhe është i angazhuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Për këtë qëllim, së fundmi, ka nënshkruar edhe marrëveshje me Serbinë për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve.
Dita e Lirisë së Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesë në histori. Sipas shumë vlerësimeve, 12 qershori është dita e rreshtimit të botës demokratike përkrah popullit të shtypur të Kosovës.
Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe.

Filed Under: Kronike Tagged With: 14 vetori, i nderhyrjes, ne Kosove, se Natos

Petku i urrejtjes nën petkun fetar

June 13, 2013 by dgreca

Në kohën kur episodi i imamit nga Prizreni ende nuk është përmbyllur si duhet, prapa petkut fetar sërish nis një debat tjetër, hero i kujt, në aspektin fetar, ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu./

Nga Bekim Bislimi/

Ligjërata e një imami në një xhami të Prizrenit, mbi parimet morale të gruas, është bërë shkaktare e debateve dhe polemikave të ashpra në mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë, për mënyrën se si predikohet islami nga disa klerikë të këtij religjioni në vend.
Mënyra e tillë e predikimit është vënë edhe në shënjestrën e kritikës së disa deputeteve të Kuvendit të Kosovës, publicistëve si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët pretendojnë se imami në fjalë ka fyer gjininë femërore.
Hapësira mediale, e cila u është dhënë këtyre debateve, nga njohësit e mediave konsiderohet si kryerje e detyrës që kanë mediat, por, sipas tyre, shumë herë mediat marrin rol protagonizmi në këto debate.
Profesor Milazim Krasniqi, shef i degës së Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, vlerëson se jo rrallë mediat ngrenë probleme dhe ngjarje të caktuara në përmasa më të mëdha se sa është vlera reale e tyres, por megjithatë, siç thotë ai, ato e kryejnë punën e tyre.
Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e debateve të ashpra, të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit, më shumë janë të motivuara politikisht.
“Tragjike në krejt këtë është se e përdorin fenë, e përdorin islamin paqësor, ndjenjat fetare, për instrumentalizim në qëllimet politike. Kështu që në këtë aspekt, mendoj se ky është një dëm i madh që i bëhet vetë natyrës së vërtetë të islamit paqësor”.
“Në anën tjetër, i bëhet një dëm i madh edhe vetë politikës, sepse duke futur një fjalor të ashpër dhe primitiv në diskursin politik, në të vërtetë, rritet edhe ashpërsia e komunikimit politik dhe zhvlerësohet edhe ajo që ka mbetur nga vlera reale e politikës si aksion dhe si veprim”,
vlerëson Krasniqi.
Në anën tjetër, njohësit e rrethanave të zhvillimeve sociologjike dhe të religjionit, vlerësojnë se asnjë komunitet etnik apo fetar nuk mund të jetë imun ndaj qasjeve të tilla ekstreme, si dhe ndaj predikimeve me tone fyese dhe denigruese për njerëzit, qoftë prej faltores kur imami thirret në emër të predikimeve fetare, qoftë edhe prej pozicionit të deputetit, gjë që ka qenë rast.
Profesor Ismajl Hasani, ekspert i sociologjisë së religjionit, thotë se problemi tashmë qëndron tek ajo se sa është në gjendje shoqëria kosovare të mobilizohet për amortizimin e këtyre dukurive dhe izolimin e rasteve të veçanta, që shkaktojnë dëme, për të cilat dukuri, sipas tij, ka pasur paralajmërime.
“Shfaqjet e fundit që janë të lidhura me paraqitjet e individëve nën petkun e predikuesve ose mbrojtësve të qasjeve të ndryshme radikale në predikimet fetare, janë diçka tjetër prej asaj që është zhvillim normal i religjionit. Nuk po ndodh asgjë e re në Kosovë, në raport me atë që Departamenti Amerikan i Shtetit para katër vjetësh ka hartuar një raport ku parasheh mundësinë e paraqitjes së rrymave të ndryshme ekstremiste në Ballkan, e me fokus të veçantë Kosovën”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Shkaqet që nxisin debatet dhe polemikat për religjionin, si dhe vetë debatet dhe polemikat, sipas profesorit Milazim Krasniqi, po bëhen me qëllim të ndryshimit të agjendës, në kohën kur Kosova ka probleme shumë më të mëdha ekonomike, politike dhe sociale, se sa debatet e kësaj natyre.
“Dikush është i interesuar për ndërrimin e agjendës, për ta imponuar këtë çështje dhe për ta mbajtur në agjendë, si dhe përmes saj të prodhojë tensione politike dhe fetare. Në anën tjetër, ky debat ka hapur, për herë të parë ndoshta, edhe një konflikt të brendshëm, brenda vetë komunitetit mysliman, sepse një pjesë e participuesve kanë shkuar shumë larg në agresivitetin e tyre në këtë temë, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur, si të thuash, e stepur ose edhe e zhgënjyer me ta”, thekson Krasniqi.
Profesor Krasniqi shton se niveli i dytë, siç e quan ai, i konfliktit, shkon në raport me pjesët tjera, do të thotë, me laikët, agnostikët si dhe me besimet tjera. Sipas tij, dëmi është shumë më i madh se sa që mund të vlerësohet tash, prej këtij debati, të cilin ai e vlerëson si të pakëndshëm.
Por, profesor Hasani vlerëson se shkaqet që nxisin debate të tilla për religjionin, janë sporadike dhe se komuniteti mysliman në Kosovë ka kapacitete që t’i mbajë të izoluara dhe këtë edhe duhet ta bëjë. Në të kundërtën, siç thotë ai, alarmi është i ndezur.
“Shoqëria kosovare mobilizohet dhe i tejkalon këto, normalisht, duke marrë masa institucionale, në rastin konkret, brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Është i nevojshëm që të hapet dialogu brenda bashkësisë dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë. Absolutisht, një ofendim i tillë, një fyerje e tillë e 50 për qind të popullsisë, nuk mund të kalojë pa u penalizuar, sepse fjala publike ka peshë, kudo që shqiptohet. Nuk ka imunitet, absolutisht, predikimi, nëse është i veshur me petkun e urrejtjes, denigrimit dhe ofendimit publik”, vlerëson Hasani.
Institucionet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës të ndërmarrë masa për ligjërimet e këtilla. Dhe, në kohën kur episodi i imamit nga Prizreni ende nuk është përmbyllur si duhet, prapa petkut fetar sërish nis një debat tjetër, hero i kujt, në aspektin fetar, ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Filed Under: Featured

Carl Leonhard Reinhold dhe një studim i dobishëm filozofik (I)

June 13, 2013 by dgreca

Nga ArjanTh.Kallço/* 

Relativizmi që propozon ballafqime dhe analizon lidhjet është motori që e përparon njohjen.
Për relativizmin në shekuj ka patur mendime të kundërta dhe perceptime të ndryshme të filozofëve të cilët janë marrë me këtë problem. Sot relativizmi ka marrë një formë tjetër dhe quhet kulturor dhe debatet rreth këtij termi nuk kanë të sosur. Nëse nisemi nga thënia e Protagorës, nga relativistët e parë, Njeriu është masa e gjithçkaje, atëherë do të fokusoheshim tek njeriu si faktori kryesor i jetës dhe si rrjedhim edhe i fushave të ndryshme ku ai është në qendër të vëmendjes, ku bën pjesë dhe filozofia. Por nëse për filozofinë ateiste problem është mëse i qartë, pra është njeriu dhe vetëm njeriu, për disa filozofi të tjera, ai nuk është veç një krijesë e një fuqie absolute. Në këtë pikë relativizmi njerëzor zhduket, duke ia lënë vendin absolutizmit hyjnor. Nuk ka dyshim se individi njeri, duke qënë një qënie e vogël përballë botës së madhe dhe shoqërisë, është kudo dhe kurdo i kapur nga relativizmi, sado inteligjenca e tij të jetë superiore. Kësaj logjike dhe arsyetimi do t’i kundërvihej një relativizëm tjetër njerëzor, por i veshur me absolutizmin e doktrinave fetare të cilat ata mbështetin dhe interpretojnë, por që nuk i përfaqësojnë dot. Edhe filozofi më i keq para këtij fakti objektiv nuk ka asnjë mundësi që të mos e pranojë karakterin relative të ngjarjeve dhe historisë. A është gjithçka e vërtetë siç thoshte përsëri Protagora? Duhet të vendosim pikat mbi i lidhur me të vërtetat, pasi jot ë gjitha të vërtetat janë të tilla. Një prej të vërtetave, nëse kjo do të quhej e tillë, që duhet gjithmonë provuar është ekzistenca e fuqive hyjnore në këtë lëmsh polemikash dhe filozofish. Mbështetësit e filozofisë absolutiste as nuk e marrin në konsideratë faktorin njeri para zotit, kështu që edhe vetë ata janë të pafuqishëm në shpjegimin e së vërtetës që sipas tyre është më e madhja dhe një herë e gjithmonë e pandryshuar. Pra kemi një botë që çdo ditë ndryshon, por një absolutizëm që mbetet gjithmonë i njëjtë. A nuk është ndryshimi baza e njohjes? Kur njeriu njohi më shumë, dikur apo sot? Edhe vetë abslutistët, ndoshta në heshtje, e pranojnë dhe duhet ta pranojnë këtë vërtetësi. Një moment interesant për diskutim është një artikull i historianit Italian, Adriano Prosperi, lidhur me relativizmin kur thotë se Relativizmi është macja e zezë e të gjitha fondamentalizmave fetare. Kush propozon një të vërtetë ekskluzive nuk toleron që malli i vet të vendoset mbi të njëjtin banak me të tjerët, i krahasuar dhe i analizuar, ndoshta i përcaktuar si një produkt historik, me datën e lindjes dhe lidhjet e farefisnisë me ata të konkurrencës. Nuk ka dyshim se kultura perëndimore është e gatuar me relativizëm: e zbulojmë sa herë që ballafaqohemi me dallimet kulturore të vendeve ku është historia e ditëve tona – mekanizmat elektoralë demokratikë sjellin në pushtet partitë fetare. Shtrohet pyetja, sa lloje relativizmash ka? A janë të gjithë të dobishëm apo të dëmshëm? Si t’i harmonizojmë që të mund t’i afrohemi sa më shumë të vërtetave të veçanta e më pas duke i mbledhur, të pretendojmë elementë absolutë? Nëse do t’i referohemi të parës, do të thoshim se në morinë e kontradiktave të botës, edhe relativizmi nuk mund t’i shpëtojë dy kaheve; atij pozitiv dhe negativ. Por tek Prosperi merr natyrë tjetër. Ai thotë se duhet bërë një dallim i nevojshëm : ka një relativizëm banalizues, ai që shprehet në mendimin se nuk ka sgjë të re mbi këtë tokë dhe ka një relativizëm stimulus, ai që ballafaqon, analizon dhe kërkon të kapë lidhjet. Kur Makiaveli e ballafaqoi Mozenë me Numa Pompilion dhe fenë antike e Romës me atë të Romës katolike, bëri hapin cilësor që e dallon relativizmin banalizues nga ndarja intelektuale të atij që vendoset si vëzhgues përtej dhe para objektit të vëzhguar. Me fjalët e historisë së kulturës, fitorja e pikëpamjes së vëzhguesit u mor me kulturën europiane në një hark të gjatë kohor, nga 1400 italiane tek Iluminizmi, duke kaluar përmes zbulimit të Amerikës dhe tragjeditë e luftrave fetare dhe të kolonializmit benediktin të misionarëve kristianë. Askush nuk mund ta mohojë se ka edhe relativizma të dëmshëm, p.sh njeriu nuk është fuqi para zotit, duke ia hequr kështu mundësinë e besimit dhe fuqinë e madhe të tij në ndryshimet e ndryshme shoqërore. Ka edhe relativizma të dobishëm, p.sh, sado që ne të besojmë tek fuqia e një gjeniu, nuk mund ta barazojmë me një njeri të mbinatyrshëm që do të na i zgjidhte të gjitha problemet që sot gëlojnë në botë. Fantazia e zgjidh nëpërmejt fantashkencës, duke krijuar personazhe që kanë fuqi të jashtëzakonshme dhe mund të parashikojnë dhe parandalojnë gjithçka. Natyra relativiste e shoqërisë është më e dukshme në kulturë, ku edhe faktet e pamundësisë absolute, shfuqizohen sapo hyn në kontakt me kultura që nuk i ke njohur ndonjëherë. Karakteri individual i njohjes është një prej hallkave të domosdoshme që i paraprin njohjes në nivel global, por gjithësesi kurrë i plotë. Në esenë e vet Prosperi vazhdon : Por ky rrugëtim u propozua dhe vazhdon të bëhet në jetën e personave dhe mund të kryhet në hapësirën e një jetë individuale. E tregon rasti i Carl Leonhard Reinhold, një autor i rëndësishëm në kulturën e gjuhës gjermane. Për cilësitë e tij si shkrimtar mjafton të thuash se pa veprën e tij filozofia e Kantit nuk do ta pushtonte botën e shkollës dhe universitetit në shekullin e artë të idealizmit filozofik. Por arsyeja që na çon tek studimi i tij, duhet kërkuar në biografinë intelektuale të njërit prej studiuesve më të njohur dhe lexuar të fenomenit fetar dhe të teologjisë politike. Pa këtë shkrimtar ndoshta Jan Assmann nuk do t’i lindtte ideja bazë e veprës Mozeja egjiptian. Nga kjo merr shkas libri i Reinholdit Misteret hebraike ose masoneria më e vjetër fetare me hyrjen e shkruar posaçërisht nga Assmani. 

*Universiteti Fan S. Noli, Korçe

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Carl Leonhard Reinhold

PATRIOT APO TRADHËTAR?

June 13, 2013 by dgreca

Ne Foto: Personi që nxorri në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të   Sigurimit Kombëtar./

Nga Frank Shkreli/

Një javë e sa më parë, gazeta britanike Guardian dhe gazeta amerikane Uashington Post botuan informacione për programin e fshehtë të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara për përgjimin e miliona telefonatave dhe komunikimeve në internet.   Personi që nxorri në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super secrete të   Sigurimit Kombëtar.Ndërsa Uashingtoni zyrtar po vlerëson dëmet e shkaktuara nga publikimi i pa-autorizuar i programeve të fshehta dhe ndërkohë që komisione të ndryshme të Kongresit Amerikan kanë njoftuar mbajtjen e seancave dëgjimore në lidhje me këtë çështje, zëdhënës të qeverisë amerikane, para Kongresit dhe në media — janë duke mbrojtur programin e mbledhjes në masë të informacioneve mbi tabulatet telefonike — duke thënë se ky veprim u ndërmor në bazë të një urdhëri të fshehtë të një gjykate që miratonte mbledhjen e informacionit nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar.   Qeveria amerikane dhe mbështetsit e këtij programi thonë se përdorimi i kësaj praktike është me rëndësi për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet dhe kërcënimet për sulme terroriste, pasi ky program ndihmon në identifikimin e personave ose grupe personash që mund të kenë kontakte me terroristë, të cilët duan të dëmtojnë këtë vend, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke filluar nga 11 Shtatori i vitit 2001.   Qeveria amerikane gjithashtu, shpjegon në deklaratat e saja,  se këto përgjime u ndërmorën bazuar në nenin 215 të ligjit federal mbi përgjimet brenda vendit, e që njohet si “Akti Patriot”, i miratuar gjatë administratës së Presidentit Xhorxh W. Bush, pas sulmeve të Al Kaidës. Qëllimi i këtij Akti është për tu dhënë kompetenca më të mëdha agjencive të fshehta për të përgjuar komunikimet elektronike për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist.    Presidenti Barak Obama ka nënshkruar zgjatjen e afatit të këtij ligji edhe për katër vjetë të tjera. Më heret këtë javë,  ai e mbrojti programin e përgjimeve telefonike  duke thënë se “Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të parandalojmë sulmet terroriste.   Ndonjë shkelje modeste e privatcisë që ndodh kur kontrollohen tabulatet, por pa dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike –krahasuar me përfitimin — ia ka vlejtur,” tha Presidenti Obama.
Gjithashtu në mbrojtje të këtij programi, Drejtori i Agjencisë për Sigurimin Kombëtar, gjenerali Keith Alexander i tha dje një seance të Kongresit se të dhënat nga programi i përgjimeve kanë mundësuar parandalimin e dyzina sulmesh dhe komplotesh terroriste, duke shtuar se praktika të tilla janë jetike për mbrojtjen e atdheut.   Ai i tha gjithashtu Kongresit se dëshiron të informojë popullin amerikan se, “ne po përpiqemi të jemi transparent, të mbrojmë të drejtat dhe liritë civile si dhe privatcinë, por në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e këtij vendi”, tha gjenerali Alexander.Ky ligj, siç pretendojnë zyrtarët,  mund të lehtësojë punën e agjencive të fshehta amerikane për të mbledhur informacione mbi sulme të mundëshme terroriste, por praktikat që lejon ky ligj në këtë angazhim, janë kritikuar dhe kundërshtuar ashpër nga indidvidë dhe organizata që mbrojnë të drejtat civile dhe privatcinë individuale, duke thënë se agjencive të fshehta dhe të rendit publik u janë dhënë kompetenca tëpër të mëdha, sidomos në kryerjen e përgjimeve të vazhdueshme elektronike.    Madje, madje, në lidhje me këtë, janë njoftuar tanimë, një numër padishë kundër qeverisë federale, duke filluar nga Bashkimi Amerikan i Lirive Civile, (e njohur me inicialet anglisht ACLU), organizatë e cila e ka quajtur praktikën e grumbullimit të informacionit si tepër alarmuese.   Duke njoftuar dje padinë kundër qeverisë federale, organizata ACLU tha se programi i fshehtë i Agjencisë së Sigurimt Kombëtar shkelë seriozisht të drejtat e amerikanëve.

Ish-nëpunësi me kontratë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Eduard Snouden, personi që pa autorizim nxorri në dritë programin e fshehtë për përgjimin e telefonatave, gjëndet tani në Hong Kong.   Lajmet bëjnë të ditur se Ministria Amerikane e Drejtësisë është duke marrë në shqyrtim padinë kundër tij për ta ekstraduar dhe për ta hedhur atënë gjyq nën akuza kriminale.   Në Hong Kong, Eduard Snoudën i dha një intervistë gazetës kineze në anglisht, “South China Morning Star”, gjatë së cilës ai u shpreh se nuk ka në mend të këthehet ë Amerikë dhe shtoi se fatin e tij ua ka lënë në dorë gjykatave dhe popullit të Hong Kongu-ut.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, publikimi i njoftimeve mbi programin e përgjimit të telefonatave dhe burimeve të tjera të internetit, ka shkaktuar një debat të ashpër në media dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë, qoftë mbi njoftimin e këtyre sekreteve, qoftë edhe mbi personin, Eduard Snoudën,i cili pa autorizim informoi botën për ekzistencën e këtij programi të fshehtë përgjimi.   Nga një anë, një numër individësh dhe organizatash, si të majta ashtu edhe të djathta, kanë shprehur zemërimin e tyre në lidhje me ekzistencën e këtij programi përgjimesh të fshehta, ndërsa disa anëtarë të Kongresit Amerikan thonë se kanë qenë në dijeni të këtij programi dhe se e mbeshtesin atë si një mjet për të parandaluar sulmet  terroriste kundër popullit amerikan, siç tha kryetarja Komisionit të Senatit për Zbulimin, Senatorja demokrate Dajanë Fainstain.  Ndërsa Senatori republikan Lindsi Graham tha se, ai nuk i shikon veprat e Eduard Snoudën si vepra patriotike por i konsideron ato si akte kriminale dhe se si të tilla, ai “Shpreson se do ta ndjekim Z. Snoudën deri në fund të dynjasë me qëllim që ai të përballet me drejtësinë.”

Vet, Eduard Snoudën i tha gazetës kineze “South China Morning Star”, e cila botoi disa citime nga intervista në uebsajtin e saj, se ai nuk e konsideronte veten, “as tradhëtar dhe as hero, por thjeshtë një amerikan”, duke shtuar se ai gjëndej në Hong Kong, jo për të ikur nga drejtësia, por siç tha ai, “jam këtu për të zbuluar një kriminalitet”.

Nëse Eduard Snoudën është hero apo tradhëtar është ende heret të thuhet, me shpresë që njoftimet e tija pa leje, të mos kenë dëmtuar sigurimin kombëtar të këtij vendi dhe që njoftimi i këtij programi të fshehtë të mos përfundojë në humbje jete.   Por në mos asgjë tjetër, — nxjerrja në shesh dhe njoftimi për ekzistencën e programit të fshehtë të përgjimit nga ana e qeverisë amerikane të miliona telefonave të amerikanëve, —  ka nxitur një debat të ashpër, por të doemosdoshëm, siç tha edhe vet Presidenti Obama, mbi nevojën për të pasur një program të tillë të fshehtë përgjimi për parandalimin e sulmeve terroriste dhe që njëkohësisht të  mbrojë të drejtat civile dhe privatcinë e shtetasve amerikanë, të garantuara nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, PATRIOT APO TRADHËTAR?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT