• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

Humanizmi ka vetëm një matës: shpirtin!

June 3, 2013 by dgreca

Të riut Leonard Bardheci i ardhur nga Gjakova i shpëtohet jeta falë ndihmës së shqiptarëve për ndërhyrjen kirurgjikale në zemër /

 Në foto: Marash Bardheci duke interpretuar në një aksion te Kafe ” KUVENDI”, Leonardi prapa dhe këngëtari Zef Duhani duke i mbajtur mikrofonin./

Nga Pjetër Jaku/

Ditën e enjte me 23 Maj 2013, realizohet ndërhyrja kirurgjikale në zemren e 17 vjeçarit Leonard Bardheci, djali i  rapsodit të njohur nga Gjakova, Marash Bardheci. Operacioni zgjati 9 orë e 30 minuta dhe, vetëm pas 24 orësh u konstatua se ndërhyrja kishte dalë e sukses’shme si dhe u premtua nga mjekët që, pas dy muajsh i riu do të jetë i aftë të luaj basketboll, sporti i preferuar i tij, falë gjatësisë dhe të dhënave fizike.

Djaloshi i lindr me defekt në zemër, e cila sa vinte e rritej dhe kishte arritur kufijtë që rrezikonin jetën e tij! Paraqitja e tij, si e vetmja rrugë e shpëtimit, ishte Kisha e Shën Palit, që falë përkushtimit human dhe të palodhur të famullitarit të kësaj Qendre, Don Fran Koles, si dhe shqiptarve bujar e të gjindshëm në kësi rastesh, u realizua që, në një kohë rekord të grumbulloheshin 94300 dollarë, ku nga këto, 80 mijë do të paguheshin për këtë operacion, ndërsa 14 300, si dhe pjesa tjetër që do mundësohet këto ditë, do të ruhen për nderhyrjen tjetër në sy, e cila kushton 20 mijë dollarë. Kisha e Shën Palit ndërhyri në spitalin e  njohur “ Childrens Hospital of Michigan. Co DMC int.s “ për ta zbritur shumën e kërkuar për këtë ndërhyrje, e cila normalisht kushtonte 170 mijë dollar. Ndërhyrja e kësaj Kishe bëri që të  zbritej në 80 mijë dollarë.

Bash për këtë ne takuam Famullitarin e kësaj Kishe, Don Fran Kolen. Pas sqarimit të tij me dokumenta të ruajtur dhe sistemuar në një dosje të veçantë, mësojmë për gjithë rrugën e ndjekur, deri në realizimin me sukses të shpëtimit të jetës së djaloshit.

“Fillimisht,- thotë Don Frani,- sapo u njohem me rastin, thirrem një komision të përbërë nga aktivistë të njohur, si: Kujtim Qafa, Donika Bardha, Zef Zeka, Gjon Marku, Luigj Gjokaj, Mondi Rakaj, Gjokë Gojani, Petrit Thaqi, Nikollë Pepaj dhe Gjon Oroshi. Hapi i dytë ishte komunikimi me qendren spitalore për të mundësuar uljen deri në kufijtë minimal të pagesës dhe sigurisë së ndërhyrjes se sukses’shme. Ishim  të lumtur kur arritem uljen në  80 mijë dollarë të  pagesës për ndërhyrjen kirugjikale dhe sigurinë, pothuajse të plotë të shpëtimit të djaloshit dhe normalizimit të jetës së tij në të gjitha parametrat  e një moshatari, pa asnjë problem mjeksor. Menjëherë pas kësaj, komisioni në drejtimin  dhe konsultimin tim iu vu punës dhe, falë bujarisë  e ndjenjës humane të shqiptarëve, veçanërisht malësorëve, u realizua që për një kohë rekord të mblidhej shuma e kërkuar, duke siguruar operacionin më të vështirë, atë të zemres.”

Don Frani, jo vetëm që ndjehej i lumtur, por edhe garantonte ndjekjen e procesit deri në normalizimin e plotë të jetës së djaloshit, megjithëse ishte në valen e punëve të tjera, në grumbullime fondesh për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ç’ndodh me ne shqiptarët?

Jemi aq të padurueshëm, sa të përgojojmë edhe ndihmat  humane, kur bëhët fjalë për shëptimin e një jete. Me paturpësinë më të madhe, thuhet lart e poshtë ( si gjithnjë! ) pa asnjë fakt, vetëm  sajime trilluese, se operacioni është paguar nga “X” apo “ Y” dhe drejtuesi i Kishës së Shën Palit i ka mbajtur ato para të grumbulluara, sa Don Fran Kola kërkon nga lteri sqarimin e secilit që do t’i paraqitej për këtë problem. Të gjitha paratë e grumbulluara për këtë rast janë dërguar në spitalin ku është kryer  ndërhyrja, ndërsa pjesa prej 14 e 300 dollarësh ruhet për ndërhyrjen e dytë, atë të syve. Si mund të punosh në një komunitet ku thashethemet janë në plan të parë? Përse ndodhin këto dhe kush i shpërndan kësi shpifjesh të turpshme? Në përgjithësi njihen nga komuniteti. Jo vetëm kaq, por ata veçohen nga komuniteti, duke mos pasë mundësinë më të vogël t’i bëjnë keq përsonit të cilin e  kanë vënë në shenjestër, vetëm pse dallohet në të gjitha aksionet kombëtare dhe fetare, njerëzore dhe humane. Don Fran Kola dha për këtë rast nga rroga e tij modeste 6 mijë dollarë, kur të tjerët kishin mundësi të jepnin shumë më shumë se ai, por ai i gëzohet edhe një dollari që jepet për t’i shpëtuar jetën dikujt, cilido qoftë ai! Sa japin këta që përgojojnë të jerët? Minimalizimin e mundshëm, edhe pse  paraqiten si biznesmen!

Don Frani, pa dashur të di për këto, falenderon të gjithë ata që ndihmuan këtë rast dhe në të gjitha rastet e paraqitura. Pokështu, familjarët janë deshmitarët më të mirë se si është vepruar dhe, falenderojnë nga zemra gjithë ata  që mundësuan shpëtimin e  jetës së djalit të tyre.

Filed Under: Kronike Tagged With: Leonard Bardheci, Pjeter Jaku

Federata Panshqiptare “ Vatra” krijon degën e saj në Toronto

June 3, 2013 by dgreca

Rëndësia historike e krijimt të kësaj dege/

Nga Pjetër Jaku/

Hapat e matur të Federatës Panshqiptare “ VATRA” po tregojnë rezultatet e para se ky organizem historik i të njohurve Noli dhe Konica, mund të jetë në të vërtetë çadra ku të fusin kokën shqiptarët. Pas përpjekjeve disamujore dhe kontakteve të vazhdueshme me aktivistë shqiptarë të komunitetit  të Torontos, ( ku flitet të jenë më shumë  se 40 mijë shqiptarë ), arrihet që me 02 Qershor 2013, në një drekë promovuese, të krijohet Dega e Vatrës, për të parën herë jashtë kufijve të Amerikës, me qellimin për t’u përhap në gjithë diasporën shqiptare edhe në kontinente të tjera. Missionerët  e përhapjes së  shkëndijave të kësaj vatre, më shumë se 100 vjeçare, kësaj herë qenë Pishtari i Demokracisë, Kryetyari i Degës së Vatrës së Detroitit, Alfons Grishaj që, pas kontakteve të vazhdueshme të Pjetër Jakut me  aktivistë të Torontos  dhe mbështetjes së Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Buçaj, të vijnë te kjo ditë.Nga Hoteli “ Best Western Primrose” në qendër të Torontos, deri te restoranti “  The Open Cork” me më shumë se gjysmen e punonjësve shqiptarë, ku ishte lajmëruar takimi, për shkak të trafikut tepër të rënduar vonojmë afro dy orë. Megjithatë , afor 20 vetë priten derisa të mbrrrinim ne. Në një mjedis komod, si në një dhomë pritjeje, aktivisti Tony Sufaj, i cili gjithë paraditen qëndroi me ne dhe, që kishte  njoftuar takimin, e  mori fjalën duke përshendetur  inicuesit e promovimit të kasj dege të organizates historike  Vtara, si dhe duke  prezantuar para  miqëve në Toronto, Alfons Grishajn, Pjetër  Jakun dhe Mondi Rakaj që kishin udhëtuar nga Detroiti. Në fillim takuam me  fjalët e ngrohta të kamerjeres më të re Silvana, ardhur nga Fani i Mirditës, vetëm para tri vitesh dhe tani e sistemuar me dokumenta.

Alfons Grishaj, përshëndeti të pranishmit dhe  ndihmesën e tyre për të krijuar Degën e Torontos, në emër të Kryetarit të Federatës Panshqiptare “ Vatra” Dr. Gjon Buçaj, (të cilin të pranishmit e dëgjuan në spikerfon) dhe të Degës së Detroitit.  Grishaj, pasi foli shkurtimisht për historikun dhe rëndësinë e kësaj Federate, një organizëm krejt ndryshe dhe shumë më i rëndësishëm se shoqatat krahinore dhe parcelizuese, të cilat edhe ato kanë  rëndësi në jetën komunitare, ua dha fjalën Pjetër Jakut dhe Mondi Rakaj, të cilët sqaruan pjesë të Kanunores se kësaj organizate. Përshëndetën takimin  nga telefoni i tyre edhe Kujtim Qafa nga Detroiti e Kolec Ndoja nga Florida, aktivistë të njohur të çështjes shqiptare. Anëtarët më të rinj të dëgës më të re, që për angazhime familjare nuk kishin mundësi të ishin të pranishëm, ose të prisnin aq sa pritën të tjerët, nëpërmjet thirrjeve aprovuan qënien e tyre në këtë degë, duke pranuar angazhimin e tyre edhe nëse u ngarkohen detyra.

Pas diskutimit të aktivistëve Zef Dekaj, Roland Isaj, Qamil S. Llashtica, Blerim Saraçi, Pjetër Stolaj u kalua  në zgjedhjen e kryesisë drejtuese të kësaj dege. Zef Dekaj, njëri nga aktivistët e njohur shqiptar të Torontos, nënvizoi faktin se kryesa e kësj dege duhet zgjedhur me kujdes, pasi komuniteti ynë ka  në mesin e tij përsonalitete të kultures dhe shkencës dhe, që të zgjerohet sa më shumë, kërkohet një drejtim cilësor. I prpozuar për drejtimin e kësaj dege, Zefi nuk e pranoi, pasi kishte dhe angazhime të tjera të kësaj natyre. Blerim Saraçi propozoi Tony Sufaj për detyrën e kryetarit dhe, ngaqë ishte takimi i parë i kësaj dege, zgjedhjet të bëheshin të hapura, por pas diskutimesh të sinqerta. Të konsultuar më Statutin  erdhën në vendimin që kështu të bëhëj. Pas diskutimeve u zgjodh  kryesia e kësja dege e përbërë nga:

Tony  Sufaj, Kryetar

Qamil  S. Llapashtica, Nënkryetar

Roland  Isaj, Sekretar

Zef  Dekaj, Arkëtar

Anton  Brungaj, anëtar

Imelda  Prifti, anëtar

Aurel  Vata, anëtar

Pas zgjedhjeve të kryesisë, të pranishmit  diskutuan lirshëm për takimet e ardhëshme dhe nevojën e bashkërendimeve të aktivitetve me degën e Detroitit. Zef Dekaj propozoi që Dega e Detroitit së shpejti të  vij në Toronto në një aktivitet të përbashkët për të parë konkretisht se si do zgjerohej dega më e re, në vetëm pak javë. Pjetër Stolaj vuri në theks nevojën e vëzhguesve për aktivitetet që do të zhvilloi dega, si dhe krijimin e fondacionit  të saj, ndaj edhe u vendos, që në Statut të ketë edhe vëzhgues. Artisti i fjalës dhe ish drejtuesi i radios së shqiptarëve në Toronto, Roland Isaj, gjatë fjalës së tij nënvizoi faktin se shqiptarët në Toronto, por edhe kudo në botë, meritojnë një vëmendje më të madhe nga Qeveria Shqiptare dhe ajo e Kosovës.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Kanada, Pjeter Jaku, Toronto, Vatar krijon dege

PO Ç’KA ELVIS ROSHI ME MONUMENTIN E DY GISHTAVE TË FITORES NË KAVAJË

June 3, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kavaja është simbol i demokracisë në Shqipëri, e njohur si bastion antikomunist. Gjithmonë e deklaruar djathtas me votën e sovranit. Në zgjedhjet lokale të fundit në bashki fitoi përfaqësuesi i PS, Elvis Roshi, i cili u bë i njohur si personazh i kronikës rozë nga një dramë sentimentale të përdorur asaj kohe politikisht.

Sot shtypi i Tiranës e kishte futur prapë në kronikë Elvis Roshin, jo në atë të gossipeve rozë, por në gossipet e fushatës ku kryebashkiaku i Kavajës pretendoka që, në rast fitoreje të PS, ndër prioritetet e tij të jetë heqja nga qendra e qytetit të monumentit simbol të dy gishtave kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që mori pikënisje në Kavajë. Kjo lëvizje do t’i paraprinte lëvizjes së studentëve ende pa dalë në skenë Berisha apo Rama. Revolta e parë antikomuniste në Shqipëri daton pikërisht më 25 mars 1990, kur në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes Besa-Partizani, gjithë stadiumi u ngrit në këmbë me parrullat „poshtë diktatura“, „liri-demokraci“ dhe qyteti pati reprezalje nga regjimi. Elvis Roshit si qytetari nr. një i qytetit i bie të kujdeset për këtë monument dhe jo ashtu si ka ndërmend të veprojë.

Gazeta Panorama pas deklarimeve të liderit socialist Edi Rama, në një vizitë elektorale në Kavajë, se ky bust do t’i sillet Kryeministrit në Tiranë, sjell konfirmimin e vetë kryebashkiakut të qytetit Elvis Roshi, i cili paska thënë tekstualisht se “Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter, e pastaj do t’ia çoj kryeministrit Berisha dhe do t’ia lë para derës së Partisë Demokratike”. Vulgaritet.

Po përse, kjo do të jetë rruga e reformave, që të çrrënjosin simbolet antikomuniste? Kur PS do t’i duhet që rrugën e reformave ta nisë duke u pastruar tërësisht nga simbolet komuniste! Po me çfarë simboli do ta këmbejë Elvis Roshi monumentin e dy gishtave? Me kazmën e çekanin apo me grushtin e diktaturës së proletariatit!

Simboli i dy gishtave është një simbol paqësor, simbol i fitores. I përdorur nga Berisha që më 1992, kur u rrëzua sistemi diktatorial, si gjest i huazuar dhe i shfrytëzuar gjatë përmbysjeve të regjimeve totalitariste asaj kohe.

Përse nuk e përdor Rama simbolin e dy gishtave, çfarë të keqe ka ky simbol? Simboli „Victory“. « The V sign is the symbol of unconquerable will! » «Simboli V i dy gishtave është simbol i vullnetit të pamposhtur! » Thënie e njohur e Uinston Çurçillit (Winston Churchill) gjatë luftës të Dytë Botërore. Gishtat e fitores i ka përdorur ai dhe Dwight Eisenhower. Edhe Nixon, dhe do të vazhdojnë t’i përdorin. Kush është fans i Beatlesave, duhet ta ketë parasysh një foto të John Lennon me Yoko Onon me gishtat e fitores si protestë kundër Luftës në Vietnam. „V“e fitores e ka përdorur po ashtu Lech Walesa, edhe Presidenti George Bush senior.

Dy gishtat e fitores janë ngritur lart edhe gjatë Pranverës Arabe në Libi nga ata që rrëzuan Gadafin. E do të vazhdojnë e ta përdorin në vijimësi, si simbol i paqes, pa pyetur aspak për „idetë gjeniale“ të Elvis Roshit, apo shefit të tij. Është një simbol që nuk konsumohet. Që ka mbijetuar. Është një simbol entuziast, edhe populist.

Pra ta fokusosh fushatën tek heqja e simbolit të dy gishtave, simbolit të fitores të së mirës kundër të keqes, të demokracisë mbi tiraninë, është mjerim i madh. Nonsens i mirëfilltë politik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Elvis roshi, Kavaje, monumenti i dy gishtave

“GURGULLIMA” E SHPIRTIT POETIK…

June 3, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.Ka shumë kohë, që njihem me kolegun dhe mikun e letrave, Namik Selmani. Ai ka profesion të parë mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, lëndë të cilën e jep me pasion e profesionalizëm. Por, po aq e dashur për të, është edhe krijimtaria letrare. Numri  26 (nga të cilët 9 vëllime poetike), i veprave të tij, sigurisht, nuk është i vogël. Por, kryesorja, duhet nënvizuar se, në to, ai ka derdhur fjalën e ëmbël shqipe, aty rrahë pulsi i një atdhetari të flaktë e krijuesi të talentuar. Jo vetëm në vëllimet me poezi, por edhe në ato me prozë, shquhet për ndjenja të fuqishme dhe për shpirtin shpërthyes.

Në këto çaste, ndërsa shfletoj librin më të ri të Namikut, sjell në kujtesë udhëtimin e përbashkët, në përbërje të një grupi të vogël të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Atë e kryem, në  pranverën e vitit 2011, me nismën e të ndjerit Dr.Ibrahim Gashi. Ndërmjet nesh, Namiku u shqua për shkathtësinë e veprimeve, por dhe se krijoi e recitoi poezi të reja, gjatë vizitave në Shkup, Preshëvë, Prishtinë e Ulqin. Ato i përshkonin ndjenjat e forta atdhetare, dashuria për trojet amtare shqiptare stërgjyshore dhe dëshira e pashuar për t’i parë ato të bashkuara, sa më shpejt. Se atë e thërriste dhe e thërret përherë zëri i Çamërisë martire, bir i denjë i të cilës është.

Përmbledhje e  shkrimeve, me përshtypje nga ato vizita tonat, ishte libri im publicistik, “Rrahin zemrat arbërore”(Tiranë, 2011). Në faqet e fundit, me kërkesën time dhe pëlqimin e atij, botova poezitë e Namikut: “Zëri i Atdheut”, “Anës lumit të Vardarit” , “Kalaja e gjuhës shqipe” dhe “O,sa mirë, të jeshë në Preshevë!”

                                                        2.

Për ato, që shkrova më sipër, bëhesh dëshmitar, që në poezinë e faqes së parë të vëllimit të ri poetik, me titullin shprehës, “Bëj të zë, po të merr era!”  Cikli, me të cilin hapet ky libër, është: “Atdheu, brenda vetes”. Pra, në një farë mënyre, e vërteton më së miri edhe mendimin e thënë më lart. Duke shprehur një realitet të hidhur të së shkuarës, ai nisë të ligjërojë: “E donim Atdheun/ edhe kur tratë e doganës na ndalën ëndrrën…”. Dhe më tej: “E donim Atdheun/ edhe kur shkronjat shqipërore  na i gjakosën e na i vranë!”(“Zëri i Atdheut”).  Me frymëzim e pasion dhe po në këtë linjë, ai shkruan  edhe te poezitë: “Aromë Çamërie” e “Këngë e ngrohtë, që vjen nga Joni”,  te “Magjia e Beratit”, “Festa e plisit”, “Mani i mëhallës”, “Lulet e Gostivarit”, “Në Shkodër”, “Për ty, Malishevë” (recituar atje, me rastin e “Ditës së Kulturës Çame”) ose “Fjongoja e një libri për Atdheun” etj.

Ndjenja e dashurisë për vendlindjen, për tokën stërgjyshore, është më fisnikja dhe më e madhja për çdo shiptar. Për atë “u shkrinë si qiriri” dhjetëra e qindra atdhetarë, duke mos kursyer mendjen, zemrën as shëndetin e tyre. Njëri nga ata ishte edhe Hasan Tahsini, të cilit poeti ynë i drejtohet me fjalë nderimi e krenarie: “Me fjalën e ëmbël, ligjëruar dikur te djepi,/ti flisje me shekuj si ushtarë të venë në radhë,/ju flisnje djemëve frashërllinj me fjalë të forta lisnajash,/ të stisura në Kalanë e pathyeshme të shpirtit arbëror” (“Trëndafil i diturisë”). Ndërsa për përhapësin e palodhur të shkronjave shqipe, Josif  Bagerin, mirënjohja e brezave nuk shterron: “Një hambar me shkronja shqipe paske hedhur/ e Reka, Nistrova, të kanë dhënë një shall flladi,/e Gostivari nxjerr nga sepetet kujtesën dritëndezur…”.

Po, ky poet, i shprehë fjalë nderimi e falënderimi të veçanta edhe kapedanit popullor, Isë Boletinit, i cili u bë gardë mbështetëse e fuqishme, në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, mbi 100 vjet më parë, pra më 28 Nëntor 1912. Kryetrimi përbetohej, se ndër breza do ta ruajmë këtë akt të shenjtë dhe këtë fitore historike, të arritur me dituri, djersë e gjak shqiptarësh: “Kur t’i humbë diellit rrezja dhe kur hana të mos ndrisë,/ do na gjeni në bedena, në shërbim të Pavarësisë!” (“Balada e Princit të Pavarësisë”).  Ndërsa Flamurin tonë Kombëtar do ta mbajmë kurdoherë lart e më lart, sepse: “Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit…”. E bukur është edhe balada për Çelo Mezanin (“Moj martinë, që vrave trimin!”), si dhe ajo kushtuar poetit Din Mehmeti (“Ugari i fjalës”) dhe tjetra për Ali Podrimjen, për të cilin shprehet me fjalë zemre: “Të donim kapiten të patutur, në Anijen arbërore të Fjalës…”.

Si çdo autor tjetër, vargjet më të bukur të shpirtit të tij poetik, N.Selmani i derdhë në kujtim të Nënës, me të cilën: “Në ditënetët kalëruam bashkë, mes borës e prushit/ e kurrë nuk na munguan sytë e saj, ndër mote” (“Kur thehet kroi i jetës”). Po me kaq dhimbje e mall të pashuar i thurë vargje edhe babait, mbetur larg tij, të cilit i drejtohet: “Ti, engjëll krahëhapur, atje ku humbë dhe kufiri…”. Por autori i këtij libri i përjeton edhe mendimet e ndjenjat e trishta të njerëzve me aftësi të kufizuara shëndetësore. Për këtë, ai shprehet në poezinë “Karroca e poetes”. Me gjithë fatkeqësinë, qa ajo ka, dashurinë për jetën e shfaqë, duke shkruar vargje optimiste dhe prandaj shprehet për të: “Oo, gjeni xixëllonja për Zanën, që jetën e sfidoka!”

                                            3.

Në ciklin e dytë të këtij vëllimi, “Gurgullima e shpirtit”, janë 50 poezi, nga gjithësej 86, që ka ai. Gjithashtu, autori e vazhdon aty ritmin e zhdërvjelltë të krijimeve të tij poetike, duke prekur tema të ndryshme jetësore. Ato janë si një ujëvarë mali, që hyjnë thellë në shpirtin e lexuesit dhe ngjallin ndjenja të bukura, të freskëta. Duke e kuptuar mirë shpirtin e ndjeshëm të kolegut poet, me “një trastë ëndrrash”, i drejtohet atij, se ka ditur t’ia lexojë mirë “kodin sekret” (“Ah, poeti im!”). Ndërsa në poezinë “Motiv popullor” shprehet: “Prita, prita shtiza syri,/ sa njëmijë gjyle të nxehta…”. Prej saj e ka marrë emrin tërë vëllimi poetik, ku janë edhe këto radhë të frymëzuara: “Bëj të zë, por të merr era,/ të bën lule dhe polen,/ përmbi buzë çelë luleshqerra,/ përmbi ball një diell zbret”. Por dhe e vijon më tej këtë mendim, te poezia tjetër, “Bëj të zë,  me vrap prej ere”. Një vajzë, me sinqeritetin e moshës, i drejtohet mikut të saj: “Sot jam bërë  e tëra një pulëbardhë, me krahë të brishtë ëndrre…” (“Besomë, miku im!”).

Pastaj, poezi pas poezie, autori na “zbërthehet” me ndjenjat e natyrshme të dashurisë njerëzore, e cila ia rrëmben mendjen dhe zemrën cilitdo. Të tilla mund të përmendim këtu: “Ç’po ndodhë kështu?”, “Duke të pritur ty”, “Eja”, “Erashka e shpirtit”ose “Këngë pas kënge, zgjova natën”(motiv çam), ku autori i përmbyllë vargjet e tij: “I derdhë rrezet varg te shtrati,/për ty digjem e ringjallem,/ në qerpikun dritë behari”. E pastaj vijojnë poezi tjera “të grunjta”, duke na u paraqitur Namiku një poet lirik, me ndjenjat shpirtërore të një djaloshi (ha,ha). Prandaj nuk ndalet e thurë vrullshëm vargje të kësaj natyre, si  te poezia “Mjalti”, ku lexojmë: “Të dy, qenkemi kthyer në hoje mjalti pranvere…”. Duke vazhduar me poezitë: “Moj e bukura, luleshqerrë”(motiv popullor), “Molla, që na bëri të gjithëve, Adamë e Eva”, “Muzeu i përkëdheljeve”…Te poezia “Në flatrat e flaturuara”, shprehë një dëshirë, e cila i pëlqen gjithësecilit: “Dua të  shlodhem në lëndinën e gjoksit të zjarrmuar,/ të më këndosh disa ninulla, që vetëm ti ua di burimin e etur…”. Ndërsa te poezia tjetër, “Serenata e pakënduar”, na flet për një ëndërr të plotësuar: “Ooo, sonte jam mbret, me thesare mbushur,/ teksa buzët e përvëluara i zbres gushes…”.

Lexuesi ndjen kënaqësi, duke e vazhduar leximin e poezive me temë dashurie, disa nga të cilat janë përsëri me motive nga Çamëria (“Trëndafil, me gjemba mbushur”), por dhe nga Shkodra (“Eja, eja, luleborë!”). E, si me një himn të bukur për ndjenjën mbarënjerëzore, autori e ka renditur në fund poezinë, “Sot, preka dashurinë”. Aty janë edhe këto radhë  të frymëzuara: “Isha bërë pjergull, rreth trupit tënd të lisnajtë,/kishte humbur vetë koha, kur emrin ta pëshpërita!…”.

…Në mbyllje të këtyre radhëve, e përgëzojmë kolegun e mikun Namik Selmani, për  vëllimit e ri poetik, “Bëj të zë, po të merr era…” dhe i urojmë shëndet të plotë, krijimtari të frytshme, arritje në detyrën e edukatorit e mësimdhënësit dhe lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 3 qershor 2013

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, namik Selmani, Poezite

TURQIA NË TYM

June 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për disa ditë rrjesht tani, protestuesit në Sheshin Taksim të Stambollës kanë zhvilluar protesta anti-qeveritare, të cilat filluan si një demonstratë kundër një plani urban ndërtimi në tokën e një parku, por të cilat, eventualisht, morën përmasa kundër qeverisë  dhe poltikave të Kryeministrit turk  Recep Tayyip Erdogan Erdogan.   Demonstratat nga protestuesit, të cilët Kryeministri turk  Erdogan i cilësoi si ”elementë ekstremistë”, janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në Turqi për një periudhë të gjatë.   Policia, ndërkaqë, ka ndërmarrë masa të forta kundër protestuesve disa prej të cilëve kanë marrë guximin, të përballen me forcat e mëdha policore, duke marshuar drejtë zyrave të Kryeminstrisë.   Policia ka përdorur gaz lotësjellës,  dhe Ministria e Mbrendshme e Turqisë ka thënë se mbi 1700 veta janë arrestuar, ndërkohë, që sipas saj, shumë prej tyre janë liruar tanimë.   Deri tani, mediat ndërkombëtare njoftojnë se ka pasur shumë të plagosur nga dhuna policore ndaj  protestuesve.

Por mënyra se si u soll qeveria Erdogan me protetsuesit paqësorë, duket se zemëroi shumë qytetarë turq, të cilët iu bashkuan protestave, pasi  u shprehën për  median se ata besojnë në një shoqëri shekullore, jo në dogma fetare, ndërsa akuzojnë qeverinë me baza islamiste të Kryeministrit Erdogan, se pas dhjetë vjetësh në pushtet, aid he qeveria e tij po bëhen gjithnjë më autoritarë.

Reagimet nga organizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut mbi përdorimin e tepruar të forcës me dhunë  nga autoritetet turke , ishin të shpejta dhe denoncuese, ndërsa aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë edhe Uashingtonin, i bën thirrje qeverisë turke që të tregohet e matur dhe të mbrojë të drejtën dhe lirinë e të shprehurit.   Duke iu përgjigjur   pyetjejes së një  gazetari fund javën që kaloi, në lidhje me autoritarizmin në rritje e sipër të Kryeministrit Erdogan dhe nëse protestat anti-qeveritare nëTurqi, mund të jenë shënjë e një përkeqësimi të gjëndjes në rajon — zëdhënsja e Departmentit Amerikan të  Shtetit (DASH), Xhen Psaki, u përgjigj duke thënë se, “Ne jemi të shqetësuar në lidhje me numërin e njerëzve që u plagosën kur policia shpërndau protestuesit në Parkin Gezi të Stambollës”.  “Ne besojmë”, tha zëdhënsja e DASH, “se stabiliteti, sigurimi dhe begatia afatgjatë e Turqisë garantohen më së miri duke mbrojtur liritë bazë të fjalës së lirë, të të drejtës për tu mbledhur dhe për të protestuar, që siç duket,  ishin këto të drejta që po ushtronin protestuesit.   Mbrojtja dhe zbatimi i këtyre lirive është  jetësor për çdo demokraci të shëndoshë”, komentoi ajo duke dhënë reagimin zyrtar amerikan. Ndërkaq ,Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri that ë hënën  se Shtetet e Bashkuara janë duke e ndjekur për së afërmi situatën  në Turqi dhe se janë të shqetsuara nga lajmet që thonë se është përdorur forcë e tepruar nga policia kundër protestuesve.   Ai shtoi duke thënë gjithashtu se Uashingtoni është tepër i shqetësuar nga numëri i madh i personave të plagosur, gjatë protestave.   Kryediplomati amerikan u tha gazetarve sot në Departmentin Amerikan të Shtetit se, “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht lirinë e plotë të të shprehurit, përfshirë të drejtën e njerëve për të bërë protesta paqësore, sepse këjo është themelore e demokracisë.   Zoti Kerry nenvijoi se komentet e tija nuk kanë për qëllim ndërhyrjen në punët e mbrendshme të Turqisë, por janë një shprehje e sinqertë  e rëndësisë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë vlerave të demokracisë në të gjitha vendet.”   Ai gjithashtu u bëri thirrje, “të gjitha palëve që të mënjanojnë provokimet dhe dhunën.”

Zëdhënsja e DASH u tha gazetarëve se natyrisht ne kemi parë raportet e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, mbi ato që po ndodhin në Turqi.   Organizata Amnesty International në një deklaratë në portalin e saj mbi protestat në Turqi, citon Drejtorin e Amnesty International për Europën, Xhon Dalhuisen, i cili e cilësoi ndërhyrjen e policisë atje si një, “përdorim të shëmtuar i forcës së tepëruar policore në Stambollë”,  dhe nënvijon se, “përdorimi i forcës së tepëruar  me dhunë në Turqi është rutinë, diçka e zakonshme, normale — por përgjigja e egër ndaj protestave krejtësisht paqësore në sheshin Taksim, është me të vërtetë një përgjigje e turpëshme.”    Ndërhyrja e egër e policies turke, thotë organizata Amnesty International, “ka ndezë dhe pezmatuar gjëndjen nepër rrugët e Stambollit, ku kanë mbetur të plagosur me dyzina njerëz.”Amnesty International shton se, “Autoritetet turke duhet të marrin masa urgjente për të parandaluar vdekje dhe plagosje të tjera,  dhe njëkohësisht u bën thirrje atyre të lejojnë protestuesit që të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore për të protestuar , dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë publikut”, ndërkohë që janë plagosur lartë nga 1000 protestues dhe ka pasur të pakën dy të vdekur,  sipas  orgnaizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International.

Drejtori i Amnesty Interational për Europën, Xhon Dalhuisen shtoi se, “Është e qartë se përdorimi i forcës nga ana e policisë turke ndaj dhunës që  në vetvete ishte tepër e vogël nga ana e protestuesve — nuk u nxit nga dhuna e demonstruesve, por nga dëshira (e autoriteteve) për të ndaluar dhe për të diskurajuar çdo lloj proteste.”

Amnesty International thotë gjithashtu se megjith keqësimin e krizës, autoritetet turke nuk po tregojnë asnjë shënjë se ata do të ndryshojnë drejtimin politik  ose nëse do të marrin masat e nevojshme për të siguruar sigurinë e demonstruesve dhe të  publikut në përgjithësi.   Si rrjedhim, Amnesty International u bën thirrje urgjente aktivistëve të saj anë e mbanë botës që të marrin masa në lidhje me gjëndjen e krijuar në Turqi dhe njëkohsisht  i bën thirrje Kryeministrit turk, Erdogan, “që menjëherë t’i japë fund dhunës policore, arrestimeve të dhunëshme dhe arrestimeve pa afat”  të protestuesve, dhe u bëhet thirrje autoriteteve që të ndërmarrin një “hetim të pavarur dhe efektiv në lidhje me dhunën”, dhe të mbajë përgjegjës ata që kanë kryer  dhunë dhe abuzime ndaj protestuesve paqësorë.   Mediat ndërkombëtare njoftojnë nga Stambolla dhe Ankaraja se protestat anti-qeveritare kanë filluar të përhapen anë e mbanë vendit, si një shënjë e moskënaqësisë së protestuesve ndaj asaj që ata konsiderojnë si një politikë autoritare e qeverisë së Kryeminstrit Erdogan,  politikë këjo që, sipas tyre,  kërcënon liritë individuale të qytetarëve, ndërsa  përpiqet  t’i imponojë shoqërisë turke një agjendë politike konservatore me bazë në dogma fetare.   Sipas lajmeve dhe imazheve në televizion, pjesëmarrësit në këto protesta janë kryesisht në moshë të re dhe thuhet se vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë turke, por Kryeminsitri turk i cilëson ata si një pakicë “plaçkitësish” dhe “ekstremistësh”, të cilët po përpiqen t’i imponojnë shumicës vullnetin e tyre dhe njëherazi ngarkon me faj partitë kryesore të opozitës se janë ato që po manipulojnë protestat për qëllime të veta partiake, si dhe akuzoi grupe të pa emër, “të mbrendshme dhe të jashtme”, të cilat sipas tij, duan të dëmtojnë Turqinë.Por siç duket,  Presidenti i Turqisë Abdulah Gul, nuk i shikon këto protesta me të njëjtin këndveshtirm politik si kryeministri Erdogan.   Ai u tregua më i kuptueshëm ndaj kërkesave të protestuesve duke thënë se zhvillimi i protestave paqësore është një e drejtë demokratike dhe shtoi se “demokracia nuk do të thotë vetëm mbajtja e zgjedhjeve”, por sipas presidentit Gul demokracia, “duhet të lejojë edhe shprehjen e lirë dhe të natyrshme të pikëpamjeve të ndryshme, në situata të ndryshme dhe me kundërshtime dhe mendime opozitare të lloj llojshme”.

Reagimi i ashpër ndaj protestave paqësore në Turqi nga qeveria e Kreministrit Erdogan ka shkaktuar shqetësime jo vetëm në radhët zyrtare amerikane, siç vihet në dukje nga komenti i zëdhënses se DASH, por edhe në median amerikane, e cila ka raportuar gjërë e gjatë mbi protestat dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve turq në Stambollë.  Gazeta Nju Jork Tajms në një editorial të saj thotë se “Z. Erdogan shpesh ka folur në lidhje me angazhimin e tij për të zhvilluar Turqinë si një vend model demokratik dhe si një fuqi politike dhe ekonomike rajonale……por mos toleranca e tij në rritje e sipër karshi atyre që kundërshtojnë politikat e tija, përpjekjet e tij për të frikësuar median si dhe planet e tija për të ndryshuar kushtetutën, me qëllim për t’i dhënë kompetenca më të mëdha presidencës, detyrë për të cilën ka në plan të kandidojë më 2014, me objektivin për të zgjatur periudhën e pushtetit të tij — janë tepër shqetsuese”,  komenton Nju Jork Tajms dhe përfundon duke thënë se “Megjithëse Z. Erdogan ka fituar në tri zgjedhje…. revolucionet e pranverës arabe kanë treguar se sa shpejtë mund të ndryshojnë fatet politike…..Në këtë moment të rrezikshëm, Z. Erdogan dhe partia e tij duhet të tregojnë angazhimin e tyre serioz në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtës për tu mbledhur dhe për të protestuar, si dhe të deklarojnë zotimin e tyre për të plotësuar nevojat e popullit turk”, përfundon editoriali i gazetës amerikane Nju Jork Tajms, në lidhje me protestat dhe dhunën e përdorur kundër demonstruesve nga policia turke.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, Turqia ne Tym

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT