• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Shehi i thote Jo Neftcit! Skenderbeu barazon ne ndeshjen e pare 0-0.

July 17, 2013 by Administrator

Skënderbeu doli pa pësuar gol nga një transfertë vërtet e vështirë, ndaj një kundërshtari potent si Neftci Baku, dhe ushqen kësisoji shpresën për t’u kualifikuar në kthim, në Korce pas një jave. Bardhekuqte e Mirel Josës kanë zhvilluar një 90 minutësh heroik, sidomos në pjesën e dytë, kur u është dashur të përveshin mirë mëngët në mbrojtje të portës së Orges Shehit, por jane ndihmuar deri diku edhe nga fati ne disa raste.

Azerët e kanë kërkuar me të gjitha mënyrat golin e avantazhit, kanë krijuar jo pak raste, por kanë gabuar në finalizim. Pengesë e pakalueshme për ta ka qenë vecanërisht Orges Shehi, i cili ka bërë pritje të mrekullueshme. Tensioni ka qenë jo i paktë, cka duket edhe në tetë kartonët e verdhë të akorduar nga kryesori qipriot, megjithatë loja është zhvilluar brenda normave të “fair-play”-it.

Skenderbeu eshte mbojtur per pjesen me te madhe te ndeshjes, por edhe ka tentuar dhe madje rrezikuar qe ne fillim te takimit. Pergatitjet e Joses mesa duket kane qene te suksesshme ne ditet paraardhese pasi vendosja ne mbrojtje dhe disiplina ka qene perfekte.

Skënderbeu e ka nisur i vendosur mjaft mirë në fushë, me repartet që vendosin ekuilibër mes tyre, ku mesfusha ka kreativitet dhe i jep frymëmarrje lojës së kuqebardhëve. Nuk futet aspak me frikë në fushën e lojës skuadra e Mirel Josës, përkundrazi, tenton “të mbrohet duke sulmuar”. E bën këtë nëpërmejt dy krahëve, ku funksionon Gilman Lika dhe Sefa, ndërkohë që Shkëmbi dhe Sabien Lilaj filtorojnë gjithcka nëpër këmbët e tyre në mesfushë. Orelesi është i kudondodhur me ndërhyrjet e tij decizive, sidomos në aspektin shkatërrues të manovrës ofensive të vendësve, ndërsa Pero Pejic betet shqetësim konstant për mbrojtjen e Neftcit. Kroati shtatlartë shpenzon shumë energji, tërhiqet deri mbrapa për ta marrë topin, por bie shpesh në kurthin e pozicionit jashtë loje, që aplikon skuadra vendëse. Portieri Orges Shehi tregohet në lartësinë e duhur në rastet që krijojnë azerët, duke pritur me zotësi disa topa të adresuar në kuadratin e tij, ndërkohë që mbrojtja me Ademir, Gvozdenovic, Radas dhe Arapi bëjnë një punë të madhe në mbajtjen sa më larg të kundërshtarit. Natyrisht, Neftci është më kërkues dhe e rrit lojën e tij me kalimin e minutave, krijon edhe ndonjë rast sporadik, por nuk ka qetësinë e duhur në finalizim. Kombinimet e vendësve deri në zonën korcare janë për t’u admiruar, ata luajnë shtruar dhe me një pasim, aplikojnë murin në zona të vogla dhe arrijnë të dalin plot befasi para portrierit Orges Shehi. Fatmirësisht, ky i fundit tregon gadishmëri të lartë, por edhe sulmuesit azer gabojnë në konkludim, ndaj goli nuk del në dritë. Skënderbeu ia del të zhvillojë 45 minuta lojë të bukura, me qartësi taktike dhe me kooperim mes reparteve. Nëse i mungoi dicka në këtë pjesë të parë, kjo ishte iniciativa individuale e elementëve të spikatur si Gilman Lika, Shkëmbi apo Pejic. Gjithsesi, Josa duket qartë se i ka udhëzuar të tijtë të mos bëjnë gabime, të mos kalojnë në aventurë dhe t’ia bëjnë hyzmetin para së gjithash mospësimit të golit.

Loja rinis pa zëvendësime për të dyja skuadrat. Vijon e njëjta “muzikë” te korcarët, që mbrohen mirë dhe me forca të shumta tashmë, ndërsa Neftci e kërkon me ngulm golin. Azerët arrijnë të fitojnë terren me kalimin e minutave, e kanë më së shumti topin në zotërim, por vijojnë të shfaqin të njëjtën “sëmundje” si në 45 minutat e para. U mungon finalizimi, ndërkohë që aksionet e tyre janë të rrjedhshme deri në zonën e Shehit. Aty mbetet i pakalueshëm portieri durrsak i Skënderbeut, që vijon të bëjë pritje spektakolare dhe shpëtimtare. Kjo i nevrikos jo pak vendësit, që pas minutës së 70-të derdhën totalisht e me forca të shumta në gjysmëfushën korcare. Trajneri i tyre bën edhe zëvendësimin e parë, duke freskuar dicka në repartin e sulmit, ndërsa i udhëzon azerët të sulmojnë nga krahët, me synimin final krosimin në qendër të zonës kuqebardhë. Rastet nuk u mungojnë vendësve, madje shpërdorojnë disa prej tyre në mënyrë të pabesueshme, por fati në këtë ndeshje duket se është me korcarët. Ata vuajnë presingun asfiksues të azerëve, që shfaqin më tepër freski fizike, ndaj detyrohen të godasin topin pa adresë në drejtim të mesit të fushës, ku Pejic tenton të mbajë topin, por bie në darën e tre mbrojtësve kundërshtarë. Duken qartë veprimet e sforcuara në aspektin fizik të korcarëve, sepse kanë shpenzuar shumë në këtë drejtim dhe janë disi deficitarë karshi vendësve. Kjo shoqërohet me ndërhyrje të gabuara, duke e cuar në katër numrin e kartonëve të verdhë për kampionët e Shqipërisë (Ademir, Arapi, Sefa, Abazi). Josa vendos ta bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 81-të, teksa aktivizon Abazin në vend të Sefës, ndërsa nuk vonon të hedhë në fushë edhe Nimagën për Gilman Likën.

Misioni per te ruajtur barazimin 0-0 mbyllet me sukses, ndaj një kundërshtari tepër solid dhe të përbërë me elementë cilësorë, por që shfaqi pikën e vet më të dobët, finalizimin. Në këtë dobësi të azerëve ka padiskutim meritën e tij edhe portieri Orges Shehi, që ka zhvilluar një ndeshje “për kornizë”, duke evituar dy-tre gola të sigurtë në kuadratin e të tijve dhe mbajtur Skënderbeun në “pole position” për të kaluar turin. Ndeshja e klthimit, pas një jave në Korcë, do të vendosë gjithcka, por nisur nga faktori fushë dhe mbështetja e madhe e tifozërisë korcare, shpresat janë të mëdha për juglindorët.

NEFTÇI – SKENDERBEU 0-0

NEFTÇI: Stamenković, D.Silva, Mitreski, Bertucci, Shukurov, Sadygov, Abdullayev (Imamverdiyev 69′), Flavinho, Wobay (Nasimov 86′), Ramos, Platje. Trajner: Boyukagha Hajiyev
SKENDERBEU: Shehi, Arapi, Gvozdenovic, Radas, Ademir, Lilaj, Shkembi, Orelesi, J.Sefa, G.Lika (Nimaga 86′), Pejiç.
Trajner: Mirel Josa
Gjyqtarë: L. Trattou, M. Soteriou, A. Kyriakou (Qipro)
Kartonë të verdhë: Sadygov 22′, Mitreski 77′, Shukurov 81′, Flavinho 90+2′ / Ademir 59′, Arapi 65′, Sefa 79′, Abazi 90+2′

Filed Under: Featured

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me Kryetar të ri

July 17, 2013 by dgreca

Kryesia Ukrainase e OSBE-së ka njoftuar te merkuren se Ambasadori Florian Raunig nga Austria është emëruar Kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, dhe zyrtarisht do të marrë detyrën në 1 Tetor 2013.Ambasadori Raunig ka lindur në vitin 1967 në Bazel të Zvicrës. Ai është një diplomat karriere dhe ka shërbyer më parë si Ambasador i Austrisë në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ambasadori Raunig ka studiuar për shkenca politike, filozofi dhe drejtësi dhe është diplomuar pranë Universitetit të Vjenës. Flet rrjedhshëm gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht dhe italisht. Është i martuar dhe ka dy vajza.

Raunig do të zëvendësojë në këtë post, ambasadorin e OSBE-së në detyrë, Eugen Wollfarth. Deri në Tetor 2013 kreun e OSBE-së në vendin tonë e mban Zëvendës Kryetari Robert Wilton(Kortezi TV Ora News)

Filed Under: Kronike Tagged With: Florian Raunig, Kryetari i ri, ne Tirane, nga Austria

Ambasadori Amerikan: Shqiperia ka problem me trafikimin e qenieve njerëzore

July 17, 2013 by dgreca

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexandër Arvizu tha se Shqipëria nuk ka bërë sa duhet kundër trafikimit të qenieve njerëzore, krim të cilin e quan me të tmerrshmin që ekziston në Botë. Deklaratën diplomati amerikan e bëri nga qyteti i Elbasanit ku mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbi parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

” Disa prej jush mund të jenë familjarë me raportin e përvitshëm të trafikimit të personave që përgatitet çdo vit nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe që mandatohet nga Kongresi Amerikan. Ndonëse është bërë përparim, përsëri sipas vlerësimit tonë është vënë re që ka pasur rënie performance nga ana e qeverisë shqiptare nga ana e trafikimit, dhe rezultati praktik i saj ka qenë që Shqipëria ka lëvizuar poshtë në shkallë në atë që quhet lista e dështimit të Grupit 2” tha Arvizu.

Ambasadori është optimist se gjërat do të përmirësohen, pasi siç zbuloi edhe vetë, Arvizu ka marrë premtimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës se qeveria e majtë do të bëjë maksimumin në këtë drejtim. Dhe për këtë SHBA do të vijojnë mbështetjen.

Në komunikimet tona me Ramën, dhe Metën, dhe disa aktorë të tjerë kemi folur që qeveria e re duhet ta ketë një nga gjërat që duhet të marrë parasysh, ndërsa do të fuqizohen ndihmat që do të ofrohen. Një rast specifik i gjërave që ne po përpiqemi të bëjmë është që IOM është duke marrë një grant prej 500 mijë dollarësh për çështjet e trafikimit në Shqipëri. Dhe me të vërtetë ky është një shembull shumë specifik një partneriteti të nisur në nivelin vendor në Elbasan ndaj dëshiroj të falenderoj pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët nën drejtimin e Bashkisë, dhe ne si SHBA do të vazhdojmë të kemi partneritet ma sa njerëz të mundemi,por jo vetëmn në çështjen e trafimimit që është një krim i tmerrshëm, por edhe me çështje të tjera që kanë nevojë të trtajtohen siç është korrupsioni, sepse ligjet egzistojnë dhe janë të mira” shtoi ambasadori.

Një tjetër pikë e rëndësishme në këtë drejtim për ambasadorin ëstë edhe bashkëpunimi më i fortë mes policisë dhe prokurorisë.

“U kënaqa kur pashë kur presidenti organizoi një takim me të ashtuquajturën istitucione të pavarura, dhe qartazi guri i themelit të demokracisë është kur institucionet të mund të veprojnë të pavarura. Por mesazhi që duhet të përcillet është që policia dhe prokurorët duhet të punojnë së bashku pasi performanca juaj matet në fakt me se sa mirë ju do të punoni së bashku. Për këtë arsye ka nevojë që të ketë arrestime më të sukseshme, ndjekje penale, gjithashtu edhe dënime të fajtorëve. Qofshin këto çështje korruptive, raste të pandëshkushmërisë ose raste kriminale që meritojnë të ndëshkohen. Kjo është ajo që qytetarët e Shqipërisë kërkojnë dhe kjo është ajo që ata meritojnë” shtoi ai.

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë edhe kryetari i bashkisë Elbasan dhe Organizata Joqeveritare që veprojnë në këtë qytet

Filed Under: Featured Tagged With: Arvizu, i qeneieve njerezore, shqiperia, trafiku

Putin: Nuk lejojmë që Snowden të dëmtojë raportet tona me SHBA-në

July 17, 2013 by dgreca

Raportet Rusi-Amerikë janë shumë më të rëndësishme sesa çështja Edward Snowden!/
Por, megjithatë Snowden ka shkaktuar tensione mes dy superfuqive, pasi Rusia refuzon ta ekstradojë tek autoritetet amerikane.
Megjithatë, presidenti rus, Vlladimir Putin, duke folur para gazetarëve nga qyteti lindor Chita, mbrojti të drejtën e Moskës për të pasur një politikë të jashtme “të pavarur” pasi Shtetet e Bashkuara përsëritën thirrjen e tyre që t’i dorëzohet Snowden.
“Lidhjet tona bilaterale (Rusi-SHBA), sipas meje, janë shumë më të rëndësishme sesa grindjet rreth punës së shërbimeve të sigurisë”, tha Putin.
Moska zyrtare, madje, edhe ka paralajmëruar ish-kontraktorin e Agjencisë Kombëtare Amerikane të Sigurisë që Rusia nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të tij, i cili do të dëmtonte raportet me Shtetet e Bashkuara.
Snowden ka mbetur i ngujuar në aeroportin e Moskës Sheremetyevo, që nga 23 qershori, kur është larguar nga Hong-Kongu nga frika se do të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara.
Të martën Snowden ka kërkuar azil të përkohshëm në Rusi.
Ndërsa autoritetet ruse i kanë ndaluar Snowdenit që të publikojë çfarëdo dokumenti tjetër të shërbimeve sekrete përderisa është në tokën ruse.
“Kemi paralajmëruar zotin Snowden se çfarëdo aktiviteti nga ana e tij, i cili mund të dëmtojë raportet Rusi-Shtete të Bashkuara është i papranueshëm për ne”, ka thënë Putin të mërkurën.
Informatat që Edward Snowden u ka dhënë medieve ndërkombëtare flasin për një vëzhgim të paprecendentë të Shteteve të Bashkuara në telefoni mobile dhe internet.
Programet e mbikëqyrjes që kanë përdorur autoritetet, kanë shkaktuar një debat të gjerë në Amerikës rreth ligjshmërisë së masave të tilla dhe kufirit që duhet të ketë qeveria në jetën private të njerëzve.
Raportet për programet dikur sekrete, kanë shkaktuar fërkim edhe në raportet e Washingtonit me një numër të shteteve aleate, përfshirë ata kryesorët në Evropë.
Në fillim të këtij muaji gazeta britanike “The Guardian” ka cituar informata të marra nga Snowden, që thonë se Washingtoni ka spiunuar 38 ambasada dhe zyre të përfaqësive evropiane, si ato të Japonisë, Turqisë, Francës, Italisë dhe Greqisë.
Javën e shkuar, ndërkaq, magazina gjermane “Der Spiegel” ka raportuar se cak i spiunimit ishin edhe zyrat e BE-së në Washington, New York dhe Bruksel, dhe se përveç këtyre, edhe komunikimi në Gjermani është mbikëqyrur.
Për shkak të gjithë kësaj rrëmuje, presidenti rus, Vlladimir Putin, dëshiron që Edward Snowden të largohet sa më parë nga Rusia, pasi atij i kanë ofruar azil disa shtete të Amerikës Latine.
Kreu i Komitetit për Mbikëqyrje Publike, në kuadër të Ministrisë së Brendshme, Anatoly Kucherena, i cili edhe po ndihmon Snowdenin me kërkesën e tij për azil të përkohshëm në Rusi, tha të mërkurën se rasti i amerikanit të arratisur do të zgjidhet për pak ditë.
“Mendoj se Snowden do të largohet nga aeroporti në ditët e ardhshme. Edhe pse, megjithatë, disa dokumente ende kërkojnë kohë për t’u proceduar, por mendoj se e tërë kjo punë do të mbarojë brenda javës. Pastaj do të shqyrtohet çështja e dhënies apo jo të azilit të përkohshëm për zotin Snowden”, tha Kucherena.
Të martën mbrëma, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, përsëriti që Snowden duhet t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore amerikane, pasi ai akuzohet për vjedhje të dokumenteve shtetërore dhe rrjedhjen e informatave sekrete në publik.
“Qëndrimi ynë është që Snowden duhet të dëbohet (nga Rusia) dhe të kthehet prapa në Shtetet e Bashkuara, dhe se atij nuk duhet t’i lejohet që të hipë në fluturime tjera përveç atij që është i nevojshëm për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk është aktivist i të drejtave të njeriut. Ai nuk është disident. Ai akuzohet për publikim të dokumenteve sekrete”, tha zëdhënësi Carney.
Sido që të jetë, Ministria Federale Ruse për Migracion, tha se procedurat e rishikimit të aplikacioneve për azil, mund të zgjasin deri në tre muaj, para se të vendoset nëse Snowden do të marrë azil të përkohshëm.(Kortezi: Radio Evropa e Lirë)

Filed Under: Featured Tagged With: marrdheniet me SHBA, Putin, Snowden

Skandali i NSA-së: çfarë dinte Merkeli?

July 17, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kancelarja Angela Merkel – sipas kritikëve ajo di më shumë nga sa pranon/

Komisioni parlamentar i Bundestagut, që mbikqyr aktivitetet e shërbimeve të fshehta, kërkon të mësojë se çfarë dinte qeveria gjermane për aktivitetet e NSA-së në Gjermani. Por mundësitë e tij janë të kufizuara.

A kanë qenë të informuara shërbimet e fshehta gjermane për aktivitetet e përgjimit të amerikanëve? Sa atentate janë shmangur në Gjermani falë informacioneve të shërbimit sekret të SHBA-së, NSA? Këto janë disa nga pyetjet me të cilat merret aktualisht në Berlin Instanca Parlamentare e Kontrollit (PKGr). Të martën (16.7.’13) ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU), dha sqarime para kësaj instance, për vizitën e tij të fundit në SHBA. Friedrich qendroi javën e kaluar në Uashington për të kërkuar informacione për survejimin në internet të shtetasve gjermanë nga NSA.

 Detyrat e instancës së kontrollit

Se çfarë i ka thënë saktësisht PKGr-së ministri Friedrich nuk dihet, pasi i ashtuquajturi “komision i shërbimit sekret” i Bundestagut, mblidhet me dyer të mbyllura. Detyra e tij është kontrolli i shërbimeve të fshehta gjermane: Shërbimit Informativ (BND), Shërbimit Ushtarak Mbrojtës (MAD) dhe Mbrojtjes së Kushtetutës. 11 anëtarët e komisionit nga të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament, duhet të mbajnë në mbikqyrje si përfaqësues të zgjedhur të popullit, aktivitetet e shërbimeve të fshehta dhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë. Deputetët nuk lejohen megjithatë të përcjellin në grupet e tyre parlamentare apo në opinion ato që dëgjojnë në takimet e komisionit.

“Brenda komisionit ne mund të kërkojmë informacione të tjera, mund të kërkojmë të shohim dosje, mund të kërkojmë të raportojnë dhe persona nga qeveria”, shpjegon anëtari i kësaj instance, Hans-Christian Ströbele, punën e PKGr-së. “Ne mund të lëvizim disa gjëra, pro vetëm atëherë kur qeveria na jep informacione”, thotë deputeti i gjelbër në bisedë me Deutsche Welle-n.

Wolfgang Nešković, ish-anëtar i komisionit për shërbimet e fshehta, kritikon pamundësinë e kësaj instance për të vepruar. Anëtarët e tij nuk mund të detyrojnë qeverinë dhe shërbimet e fshehta të japin informacione. Funksioni kontrollues praktikisht shfuqizohet. “Kjo mund të krahasohet me një kontroll biletash në tren, ku fatorinoja nuk i kërkon pasagjerit të tregojë biletën por mjaftohet me fjalën e tij se ka biletë të vlefshme”, thotë Nešković për punën e PKGr.

 

Merkel duhet të japë sqarime në komision

 

As Hans-Christian Ströbele nuk është i kënaqur me politikën e informacionit të qeverisë kundrejt komisionit. Ai kërkon që kancelarja të japë personalisht sqarime para PKGr-së. “Ajo duhet të tregojë vetë para parlamentit se çfarë dinte dhe çfarë di. Deri tani për këtë na është dashur të pyesim gjithnjë ministrat”, thotë Ströbele. “Ajo është në fund të fundit shefja e kancelarisë dhe Shërbimit Informativ është në varësinë e kancelarisë.” Pra Merkel duhet të dijë më shumë nga sa ka pranuar deri tani për përgjimin e qytetarëve gjermanë nga NSA-ja, thotë Ströbele.

Sipas informacioneve në medie Shërbimi Informativ në raste pengmarrjeje gjatë viteve të kaluara, i ka kërkuar vazhdimisht NSA-së të dhëna të ruajtura komunikacioni mbi gjermanët e rrëmbyer. Këtu lind natyrshëm pyetja: nga e dinte BND-ja se këto të dhëna ekzistonin dhe nëse kishte dijeni BND-ja, a nuk duhej të kishte atëherë dijeni edhe qeveria?

“Zonja Merkel do të sillet sikur nuk ka ditur asgjë”, tha për Norddeutscher Rundfunk, Steffen Bockhahn, përfaqësues i partisë “E Majta” në PKGr. “Zyra e kancelares e di dhe edhe vetë kancelarja duhet ta dijë, që ne kemi marrë shumë të dhëna nga amerikanët dhe britanikët”, shprehet i sigurt Bockhahn.

Ministri i Brendshëm Friedrich pas vizitës së tij në SHBA, u përpoq të justifikonte survejimin nga NSA me luftën anti-terror. Ai tha se pesë atentate në Gjermani janë shmangur falë sinjalizimeve nga shërbimet sekrete të SHBA-së. Por ministri mundi të japë të dhëna konkrete vetëm për dy raste. Bëhet fjalë për plane për atentate të të ashtuquajturve “Grupi i Sauerlandit” dhe “Celula e Dyseldorfit”.

Përfaqësuesit e opozitës në PKGr janë skeptikë: “Nëse ministri i Brendshëm shkon në Shtëpinë e Bardhë dhe aty i thuhet se janë penguar pesë atentate por ai njeh vetëm dy raste, atëherë është logjike të pyetet se cilat janë tre të tjerat”, tha kryetari i komisionit, Thomas Oppermann nga Partia Socialdemokrate (SPD), për radion Deutschlandfunk. Edhe ai do që atentatet terroriste të pengohen, “por kjo natyrisht nuk justifikon përgjimin total të gjithë popullsisë nga një shërbim informativ i huaj”, tha Oppermann .( Kortezi DW)

 

Filed Under: Rajon Tagged With: me shume, Merkel dinte, Skandali i NAS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT