• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Verërat, këto vepra të vërteta arti…

August 27, 2013 by dgreca

Nga Luan Rama/

Jeta ka ndryshuar shumë në Tiranë. Ndërtime dhe banesa me arkitekturë gjithnjë e më interesante, komplekse industriale, parqe, galeria arti, dyqane mode, etj. Këtij peizazhi të ri nuk i mungojnë dhe dyqanet e verërave, që shpesh i sjellin nga Franca dhe Italia. Dhe tani këta tregëtarë, dinë t’i zgjedhin ato. Madje verërat po i bëjnë me emër restorantet që i mbajnë, ku né krye, padyshim, janë verërat franceze, ato me të cilat mburret Franca. Duket se shqiptarët, që i janë rikthyer verës, po kërkojnë të ringjallin traditën e dikurshme, atë për të cilën flasin dhe udhëtarë të huaj të shekujve XVI-XIX, kur shpesh flisnin dhe për verën e mirë shqiptare. Dhe jo vetëm në jug, por dhe në luginat malore të veriut shqiptar, ku shquheshin në rradhë të parë murgjit e manastireve katolike, benediktinë apo françeskanë… Por mjerisht, mijra e mijra hektarë vreshta u shkatërruan vetëm gjatë kohës së tranzicionit. Lumturisht, jo pak njerëz tashmë i kanë kthyer sërrish sytë nga vreshtat. Pronarët e restoranteve me emër, sot mendojnë të prodhojnë verërat e tyre, siç ndodh dhe në Francë, Itali apo Spanjë, ku vera është art dhe një nga vlerat e tyre të mëdha. Dëshira e tyre është të prodhojnë verë. Por jo vetëm kaq. Eshtë një pasion i ngjashëm me ata që adhurojnë artet, që koleksionojnë pikturat, etj. Për më tepër është diçka e shëndetshme, e këndshme, që të afron me miqtë. A nuk thoshte Plutarku se «Vera ka vetinë që të bën të flasësh hapur, lirshëm dhe të thuash të vërtetën»? A nuk fliste Shakespeare për «shpirtin e padukshëm të verës», ndërkohë që Napoleon-i kishte shprehjen e famëshme: «Pas de vin, pas de soldats», («Po s’ka verë, s’ka as ushtarë»). Verën «Bordeaux» e duan dhe e kërkojnë në të gjithë botën. Shqiptarët e njohin pothuaj të gjithë, edhe pse verërat e Bourgogne-s janë si «zonja» më hijerënda, aristokratike e që të përhumbin me sharmin e aromën e tyre. Nëse shekuj më parë kishte Akademi Arti, tashmë ka dhe Akademi të Verërave. Enologët, somelierët, degustatorët mblidhen dhe ndajnë çmime. Gjithçka është kthyer në një ritual klasik. Francezët, kur duan të krahasojnë verën e Bordeaux-së, (Bordosë), me atë të Bourgogne-s, (Burgonjës), për të parën thonë «Ajo» dhe për të dytën «Ai», meqë është një verë disi e rëndë dhe e fortë. Vera e Bourgogne-s (atdheu i «La Tâche», «Vosne-Romanée», «Richebourg», etj,) ka tokën e mirë, ndërsa ajo e Bordeaux-së ka shumë më tepër diell.

 Vera e hyjnisë

 Hyjnia e verës, e dehjes dhe e vreshtës, në antikitetin grek është Dionisi, apo Bachus në botën e romakëve. Mitologët e njohin Dionisin si një hyjni më komplekse sesa Bachus (Bakun), pasi zemërimi i tij ishte i pamëshirshëm. Dionisi ishte pjellë e Zeusit dhe e një gruaje njerëzore, e vdekshme, e quajtur Semele. Por meqë ajo e pikasi Zeusin në momentin e shfaqjes së tij me shkëlqimin më të madh, (çka s’duhej ta shikonte), ajo u vra nga rrufeja. Atëherë Dionisi ishte në barkun e nënës dhe Zeusi e mori dhe e fshehu nga xhelozia e vajzës së tij legjitime, Hera. Pra ai e mbrojti dhe ia dha të kujdesej mikut të tij besnik Silen, tek i cili kishte besim të madh. Pra Dionisi u rrit nga Silen dhe Nimfat, Meneadat dhe Satirat. Për t’i shpëtuar përndjekjes së gruas së Zeusit, Dionisit iu desh të bëjë shumë udhëtime dhe ta shijojë siç duhet këtë jetë. Sigurisht, verërat e atëherëshme nuk ishin si këto të sotmet. Tek Iliada dhe Odiseu flitet për verërat «pramnios», vera e Pedasos, Arné, Histie apo vera e Epidaure. Verëra të njohura në këtë epokë në Greqi ishin ajo e Ismaras, në Thrakë, e cila dehu Polifemin. Vera prodhohej në Lesbos, Kios, Samos dhe eksportohej në Egjipt, veçanërisht ajo e Lesbos, ku ishte dhe tempulli i Dionisos,  e cila ishte një verë shumë e alkolizuar. Vera e Kios ishte një verë «lluksi» dhe që është cituar nga njëzet autorë antikë, ndërsa ajo e Thasos kishte një ngjyrë të bukur të kuqe.Para se grekët ta bënin verën të dëgjuar ne Mesdhe, ishin hebrejtë ata që në Dhjatën e Vjetër flasin gjithnjë për verën dhe vreshtat. Madje që në fillimet e hershme, Bibla shkruan për kataklizmën dhe se «Noe filloi të mbillte një vreshtë». Por vreshta tek hebrejtë kishte një vlerë të madhe simbolike: Isaie i këndon Hedad-ës këngën e dashurisë për vreshtën «E dashura ime kishte një vreshtë në një bregore pjellore…» Në tekstin e famshëm që përmblidhet në Dhjatën e Vjetër, Kënga e Këngëve, më e bukura këngë e dashurisë së botës së vjetër, nuk mund të ishte veç një himn i dashurisë dhe i verës: «Eja i dashuri im, le të dalim nëpër fusha/ ta kalojmë natën nëpër fusha/ Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshta për të parë nëse vreshta ka lëshuar lastarë/ nëse kanë çelur lulet e tij…» Më pas, në Dhjatën e Re, ishte Jezuja që e shndërroi ujin në verë në dasmën e Kana-s dhe kjo ishte mrekullia e parë e tij. Ndërsa sot ka një proverb që thotë: «kush di të pijë di dhe të dashurojë/ kush di të dashurojë, di dhe të pijë». Padyshim qëk jo na kujton Omar Khajamin dhe të tjerë arabë që i kënduan verës, duke rreikuar me jetën e tyre.

 Gjuha e verës

 Kur erdha për herë të parë në Francë dhe si diplomat më binte rasti të isha i ftuar në tryeza ku shërbehej verë e mirë dhe ku paraqitja e verës dhe pirja e saj kthehej në një lloj ceremoniali, unë nuk e kuptoja mirë gjuhën e verës. Një ish ministër, Jacques Augarde, tek i cili disa herë kemi qënë me  çiftin Kadare, vera vërtet ishte një ritual. Ishte krenaria e të zotit të shtëpisë. Për verën flitej si për një bizhuteri të rrallë, flitej sikur të ishte një femër e pështjellë nga rroba veluri, parfume të ndryshme, se kishte trup të jathmë, etj. Por shpejt fillova ta mësoj «abc»-në e kësaj gjuhe, pasi vera trajtohej me delikatesë, sikur të ishte një vepër arti rreth të cilës kritikët e mbledhur duhej të thonin fjalën e tyre. Kisha dëgjuar një gazetar francez që duke folur për një verë të mirë «Petrus», (të familjes «Pomerol»), thoshte : «Petrus» është si një perde teatri që hapet në skenën e pallatit tuaj »… Të tjerë, këtë lloj vere e quajnë «xhevahir» apo «mrekullia e tetë e botës» dhe kjo jo pse është vera e preferuar e monarkisë angleze. Në darkën e kurorëzimit të Elisabeth II më 1953, u pi vetëm verë «Petrus», e ardhur posaçërisht nga Franca, traditë kjo që do të vazhdonte në ceremonitë princore. Jo më kot, «Petrus» është sot pjesë e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s, ashtu siç është dhe një parcelë e  vogël vreshte në Montmarte, në pjerrësinë pas bazilikës së «Sacre-Cœur». Pranë hardhive të vreshtës së «Petrus», vreshtarët mbjellin dhe trëndafilë, për të parë  shëndetin e hardhisë… Në një libër të botuar kohë më parë Fjalori i dashnorëve të verës, kritiku letrar, publiçisti i njohur dhe gazetari televiziv francez Bernard Pivot shkruante se «Vera është kulturë. Eshtë kultura e një produkti universal të konsumit. Asgjë tjetër nuk e tejkalon bukën dhe verën tek njeriu që në kohën më të vjetër dhe lindjen e njerëzimit. Madje vera, në tregimet e Antikitetit greko-romak e tejalon dhe bukën…»

Por le t’i kthehemi gjuhës së verës dhe atyre që rreth tavolinës, pasi ngrejnë gotën, e rrotullojnë lehtas verën brënda gotës, i marrin pak erë që të mbushen me aromën e saj dhe e kthejnë lehtë, duke e mbajtur pak çaste në gojë. E pastaj ata thonë lehtas : «Eshtë e parfumuar, … ka elegancë, ka trup të bukur… është ekspresive dhe ka velur… Në historikun e verës ka hyrë shprehja : «Vetëm barbari e kthen gotën me fund”, ndërkohë që Victor Hugo shkruante se «Zoti krijoi ujin, njeriun dhe verën».

 Vera e artistëve

 Jo rrallë, në mjedise artistësh, biseda rreth verës bëhet pasionante. Shkrimtarë, aktorë teatri e kinemaje, regjisorë, piktorë, etj, të gjithë shprehin admirimin e tyre për verërat. Madje dhe femrat. Madje disa prej tyre janë kthyer dhe në «ustallarë» verërash, d.m.th. që jo vetëm të dijnë ta shijojnë por dhe ta prodhojnë atë. Aktori i njohur francez Gerard Depardieu i ka vreshtat e tij në luginën e Loire-s, të blera që në vitin 1983. «Si në të gjitha kohërat, – thotë ai, – edhe sot vera është Krye-Fjalë… vreshtar nuk bëhesh, por lindesh i tillë… » Vallë një dhunti e fshehur? Me siguri. «Unë i dua verërat, pasi ato më tregojnë histori, historinë e një vreshtari, të një vëndi. Adhuroj verën «Haut-Brion», «Pape-Clement», «Cheval Blanc». Adhuroj të zbuloj ndonjë prodhues të vogël vere që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por që vera e tij më thotë diçka». Jean-Louis Trintignant, po aq i njohur gjithashtu nga spektatori shqiptar i filmave, edhe ai ka vreshtat e tij. Jo rrallë e sheh të bredhë nëpër vreshta, në një gjëndje të përhumbur dhe poetike. Ai nuk është ndonjë pirës i madh. Atij i mjafton një gotë të ndjejë e shijojë verën përmes shijes, aromës, ngjyrës, asaj ndjesie të pashpjegueshme që të lë në qiellzë dhe nuk të shqitet për një kohë të gjatë. Aktorja Carole Bouquet ka rënë në «dashuri» me verërat italiane të Toskanës e veçanërisht të Sardenjës. Madje ajo i ka blerë vreshtat atje, ku ka ngritur një shtëpi fshati dhe një furrë pizash dhe shpesh atje mblidhet me fshtarët vreshtarë dhe miqtë që i vijnë nga Parisi për të shijuar verën e saj. Charles Baudelaire, autori i vëllimit të famshëm poetik Lulet e së Keqes, i kushtoi himne të shumta verës, aq sa historianët e biografët e tij të parë mblodhën shkrimet e tjera të tij, «ode për verën» dhe botuan një libër më vete. «Vera është e ngjashme me njeriun, – thoshte ai. Poezitë e Paul Verlaine për nektarin e verës janë gjithashtu janë të mrekullueshme. E cili poet atëherë nuk i ka kënduar verës? Njihet pasioni i madh i shkrimtares franceze Colette për verën. Madje në kujtimet e saj ajo tregonte se që 3 vjeç, i ati i jepte të pinte verë. Kjo më kujton nënën time kur i vogël më jepte hashash që të flija, apo kohën kur si kineast shkoja në zonën e Korçës dhe shikoja fshatarë që ushqenin fëmijët me një përshesh bukë me verë. Colette tregonte se vajzë e re, «pak nga pak, gotë pas gote, fshahurazi, unë e zbraza qilarin e verërave të familjes. Nëna ime i mbyllte sërrish shishet e filluara, duke vështruar nga faqet e mia që skuqnin nga verërat e mira franceze ». Në historinë e arteve njihet që Voltaire, Diderot dhe Mozart pinin verërat më të mira. Ndërsa amerikanët, nga Jefferson tek Rockfeller, Henry James apo Kenedy, ishin të apasionuar pas verës “Petrus”.Shumë dekada më parë, artistë të mëdhenj që pëlqenin verërat, (e kush vallë nuk e ka pëlqyer atë ?) u angazhuan madje dhe në krijimin e etiketës së tyre. Në muzeun e verërave të Rothschildë-ve, janë etiketat origjinale të «Mouton de Rothschild» të pikturuara nga dora e Picasso-s apo Dali, Miro, Chagall, Kandinsky, Georges Braque, Warhool, Balthus, emra të mëdhenj të artit të pikturës. Ishte ministri i Kulturës André Malraux, ai që dhe inaguroi këtë muze verërash, meqë Rotschildët i dhanë verës dimensionin e famën e artit. Madje, Placido Domingo ka krijuar këngën «La Chanson de Mouton»… Një himn për verën Rothschild. Në ditë në shtëpinë e tij në Honfleur, miku im piktor Valdet Hamidi, më tregonte verën që i kishte sjellë një vreshtar, i cili i apasionuar nga piktura e tij ia blinte me verërat e tij, për të cilat, Hamidit i duhej të gjente vënd pasi bëhej fjalë për qindra e qindra shishe. Dukej kështu sikur vera konkuronte me pikturën. Eshtë e vërtetë që shesh artistët dinë ta vlerësojnë verën, ndoshta pse dhe ajo di t’i përkundë ata. Ismail Kadare është një sqimëtar në verë, veçanërisht të Bordaux-së, («Margaux», «Saint-Julien», «Saint-Estèphe», «Latour», «Laffitte»…). Shpesh në tavolinë, ajo që shikon ai është më tepër karta e verërave, se ç’verë do te pijë dhe jo se çfarë do të hajë. Dhe nuk e ka për keq ta kthejë dhe një verë 300 prej eurosh, duke thënë se ndjehet një aromë e lehtë tape apo myku.

 Vera e koleksionistëve

 Nuk ka pak kohë që në Londër, në një shitje ankand, një shishe vere e fundit të shekullit XIX, u ble nga dikush  me shumën e 97.000 euro. Një shifër e jashtëzakonëshme, sikur ajo shishe të ishte derdhur në flori. Blerësi i saj ishte një koleksionist, të cilin e mbytën me intervista gazetarët dhe krah të cilit qëndronte një nga njohësit më të mëdhenj të verërave, amerikani William. Përse vallë një çmim kaq i madh? Mos vallë verërat po kthehen në vepra arti? Pauline Rothschild, është trashëgimtare e familjes së Rothschild-ëve të Francës, e Philippe Rothschild, i cili e filloi aventurën e verërave në moshën 24 vjeçare dhe arriti që verën e prodhuar ta bëjë që më 1973, me dekret presidencial të Georges Pompidou-së të klasifikohet ndër verërat më të mira franceze, duke iu shtuar klasifikimit të bërë në vitin 1855: «Mouton de Rotschild». Ajo padyshim ka një nga koleksionet më të pasura të botës në verëra, duke filluar së pari me verërat e tyre. Por sot ka koleksionistë që nuk prodhojnë verë. Ata janë veçse amatorë të mëdhenj. Njëri nga ata, francezi M. Chasseuil, i cili dikur merrej me tregëtinë e avionëve dhe që sot pasioni i tij janë verërat, ku ndër 25.000 shishet që ka në qilarët e tij të posaçme per verën, disa janë si margaritarë si p.sh. një seri e «Romanée-Conti» që nga viti 1904, «Château Petrus» e vitit 1945, «Cheval Blanc» e 1947 apo një shishe likeri e vitit 1912 që shërbehej në anijen e famshme «Titanik» e që sot kushton 10.000 euro. Por në koleksionin e tij janë dhe shishe nga anija e mbytur «Marie-Thèrese» në Detin e Kinës në vitin 1872, të cilat ia kishte blerë zbuluesit të saj. Ndërkohë një shishe tjetër vere «Siracuse» e blerë në vitin 1985, sot kushton 30.000 euro. Një qilar i tillë por sigurisht shumë më i madh por dhe mjaft më i pasur, është ai i restorantit të famshëm në Paris «La Tour d’Argent», të cilin mjerisht nuk e kam shijuar pasi në të çmimet janë marramendëse. Jusuf Vrioni, një natë para se të kthehej në Shqipëri në kohën e luftës, në ndarjen me të dashurën e tij kishte pirë verë pikërisht në atë restorant, siç më thoshte një ditë në intimitet. Restoranti që gjatë ditës është disi diskret, në mbrëmje, aty buzë  lumit të Seine-s, shndrit nga dritat në horizontin parizian. Por ky restorant ka sot rreth 400.000 shishe vere në qilaret e tij të nëndheshme. Por sigurisht, jo të gjitha verërat janë mitike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me hyrjen e trupave hitleriane në Paris, somelieri i restorantit, një natë përpara, e kishte mbyllur me mur një pjesë të qilareve, në natën e 14 qershorit të vitit 1940. Verërat më të mirat dhe të rralla, ai i futi në atë kthinë që u hap vetëm pas lufte, nga ky shpëtuan nga etja e gjeneralëve gjermanë verëra të famshme por dhe unikalet si, “Chateau Citron” e 1858, “Chateau Grouand” e 1870, “Chateau d’Yquem” e 1871, “Clos de Vougeot” e 1870 apo një “Romanée-Conti” e 1874, etj. Shumë koleksione verërash ranë prehë e pushtuesve gjatë kësaj lufte në Francë: 1 milion e gjysmë shishe vere u morrën nga gjermanët në vitet 1940-1944. Gjeneralët dhe së pari udhëheqësit nazistë preferonin vetëm verërat franceze. Gebels preferonte verërat e mira të Bourgogne-s (Vosné-Romanée; Chambertin), ndërsa Goering ato të Bordeaux-së, ndryshe nga Ribbentrop që preferonte më shumë “champagne”. Shumica e bashkëpuntorëve të Hitlerit ishin koleksionues verërash. Një nga kënaqësitë më të mëdha të Goering, ishte kur në mbrëmje hapej një “Chateau Laffitte”. Më 4 maj të vitit 1945, kur Divizioni francez “Leclerc” ishte në Bavière, në vilën e Hitlerit në Berghof, ata shkuan të pushtonin dhe një kështjellë të fortifikuar të quajtur “Adlershorts” “Vëndi i shqiponjave”). Dhe fshehur, në një sallë të madhe nën tokë, ushtarët francezë gjetën mijra shishe të verës më të mirë franceze si, “Margaux”, “Saint-Estèphe”, ”Talbot”, “Latour”… E megjithatë, dhe armatat sovjetike, kur u kthyen drejt Moskës, në plaçkën e luftës kishin jo pak nga verërat (si dhe tablotë e mjeshtërve të Renessancës), e gjetura në tunelet e ushtrisë naziste. Në historinë e verërave, kuptohet që monarkët, mbretërit, apo njerëzit e mëdhenj kishin verërat e tyre të preferuara dhe që padyshim ishte nga më të mirat në epokën e vet. Napoleon-i pëlqente shumë një verë të Bourgogne-s, që quhet “Chambertin” dhe që sot është me famë, por ç’e do se Napoleoni i hidhte dhe një çikë ujë, që ta kishte mëndjen të freskët…Por ajo që është e dhimbshme dhe e pafalshme për Francën është se sot ato 2,7 ha me vreshtën e verës Cambertin e bleu tashmë një … milioner kinez!

 Kali i bardhë, i kuq dhe i zi…

 S’ka pak kohë që Sara, ime bijë, më solli një shishe verë të mirë. Ajo e dinte që vera është një nga pasionet e mia dhe u habita kur pashë një “Cheval noir”, (Kali i zi” i llojit të “Saint-Emilion”), verë të cilën në këto 20 vjet në Francë nuk e kisha shijuar, meqë prodhimi i saj është i pakët: vetëm një vreshtë prej 5 hektarësh, merlot. Po ajo aromë e përafërt e manaferrës dhe “cassis”, po ajo shije si dhe e pararendësve të familjes së tij: “Cheval Blanc”, (Kali i Bardhë”) dhe “Cheval Rouge”, (“Kali i Kuq”). Në fakt, një “Cheval Rouge”, e kemi pirë me Fatos Nanon, i cili njihet si njohës i verërave dhe që unë atëherë nuk e njihja këtë verë. Më pas kam patur shansin ta shijoj dhe një «Cheval Blanc» 18 vjeçar. Kjo verë ka një «rrobë» të kuqe rubini, me një tufë aromash frutash, manaferrash, luleshtrydhesh. Nga kjo verë njihen si sublime prodhimet e vitit 1947 dhe ajo e vitit 1982. Sigurisht, verërat kanë evolucionin e tyre, ato «piqen», «hedhin shtat» të shtrirë në qilaret e zgjedhur me kujdes për temperaturën e tyre. Ajo mund të jetë e lehtë, e rëndë, acide, tonike, e parfumuar, e gjallë apo «vif», pra që e ndjen menjëherë në qiellzë, etj. Verë «étoffé» apo «corsé», është ajo verë që si të thuash ka «mith», alkool, koloraturë dhe që në gojë është e trashë. Verërat e mira të Bordeaux-së bëhen të «arrira» në kufirin e 4-20 vjetëve, ndryshe nga verërat e Alsace, (Reisling, Pinot), që «piqen» në 2-6 vjet. Verërat klasifikohen «Grand Cru», «Premier Cru», «Cru Classé», «Cru Bourgeois», etj… por sidoqoftë, siç më thotë dhe miku im Gjergj Themeli, ky apasionues i verërave dhe vreshtave, klasifikimin e vitit 1855 francezët nuk e kanë ndryshuar, veç me një përjashtim: «Mouton de Rothchild». Ja pse vera është frut i një punë shekullore, është një eksperiencë që kërkon dashuri, inteligjencë dhe përkushtim.

Siç tregon Bernard Pivot, në fund të ciklit të misionit të tij «Bouillon de Culture» më 2001, «edhe unë iu përgjigja pyetsorit që u bëja të ftuarve me emër gjatë dhjetë vjetëve të emisionit tim. Pyetjes së nëntë se «Në cilën pemë, bimë apo kafshë do të donit të mishëroheshit pas vdekjes, unë iu përgjigja: në një hardhi «Romanée-Conti». Në sytë e mij, për gojën, qiellzën dhe zemrën time, vera më e mirë në botë është «Romanée-Conti». Në fakt, gjatë një misioni të mëparshëm ai kishte ftuar dhe një shkrimtar, Richard Olney, i cili kishte shkruar një libër mbi verën «Romanée-Conti», dhe me këtë rast, të vetmen shishe me këtë verë «millesime 1982», që Pivot mbante në shtëpi si diçka të shtrenjtë, e mori në studio, gjatë transmetimit dhe e hapi. Por nuk shpresoj që ai ta ketë shijuar atë ashtu siç e meriton të shijohet një verë si ajo që ende nuk kam mundur ta pi. «Romanée-Conti» e vitit 1969 tani ka arritur kulmin e «pjekjes» së saj, ndërsa ajo e vitit 1965 vazhdon të «piqet», ndërkohë që ajo e vitit 1961 është në perfeksionin e vet dhe nuk duhet lënë për më tej. Kjo vreshtë legjendare, më ka bërë që të shkoj ta shohë realisht në luginat e Bourgogne-s, në një tokë të pjerrët, puqur me vreshtat «Nuits de Saint Georges», dhe që në vetvete përmbledh veçse 8 hektarë. Një vreshtë mitike.

Sigurisht, vera është një gjë e gëzueshme, por siç thotë dhe një thënie latine, ajo duhet pirë me masë. A nuk thoshin latinët se «pa verë, jeta shkon si një valë e ftohtë» (sine Bachio vita friget» ?

Atëherë «pini verë tani ! – Sine Bacchio Venus friget»!

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: si vepra arti, Vererat

“Lufta” De Biazi-Erik Hamren! Sadiku:”Kam zgjedhur Shqiperine”

August 27, 2013 by Administrator

Nga Albano Kolonjari.

Loret Sadiku ka dy ftesa. E para nga traineri i Kombetares Shqiptare Xhani De Biasi dhe e dyta nga traineri i Kombetares Suedese Erik Hamren. Sadiku thote se e ka bere zgjidhjen e tij dhe kjo eshte Shqiperia. Mediat suedese kane bere te ditura vendimin e tij:”Sadiku väljer Albanien framför Sverige: “Det är lite känsligt” “Enligt Roar Hansen är han Sveriges bästa mittback. Nu väljer Loret Sadiku spel för Albanien istället. Ring imorgon så kan jag berätta, säger han till.” “Sadiku ka zgjedhur te luaje me Shqiperine”. Qendermbrojtesi i skuadres suedese Helsingborg ishte ftuar dy here nga De Biazi per ndeshjet me Norvegjine dhe Armenine, por Sadiku kerkoi kohe qe te jepte nje pergjigje pozitive duke deklaruar:”nuk jam gati”. Pak dite me pare Sadiku deklaroi se kishte vendosur te luante per kuqezinjte:”Ishte nje vendim i veshtire. Duhet te mendoja gjithcka dhe per vendimin tim jam keshilluar edhe me families time. Futbolli ne Shqiperi po permisohet shume”. Mesohet se deklarata e tij ka vene ne levizje te menjehereshme drejtuesit e Kombetares Suedese. Traineri Erik Hamren ka kerkuar at binde Sadikun te refuzoje ftesen e Shqiperise. “Kam biseduar me Marcus Allback dhe i kam treguar per zgjidhjen time. Sigurisht qe une kisha menduar edhe per ftesen e Suedise, por Shqiperia tregoi dashuri me te madhe. Allback dhe pse ishte i zhgenjyer tha se e kuptonte vendimin tim dhe se e respektonte ate”. Nuk eshte e qarte nese dy refuzimet qe Loret Sadiku i beri Kombetares Shqiptare kishin te benin me mundesine per nje aktivizim me Suedine apo thjesht ai kerkonte kohe. Nuk dihet se sa do te ndikoje tek De Biazi fakti qe Sadiku ka refuzuar dy ftesat e para. Menaxheri i Kombetares Bushi, njeriu qe ka negociuar me Sadikun, dje beri te ditur se jane kater emra te cilet do ti afro hen kuqezinjeve:”Agron Mehmeti, Shkelzen Gashi, Atdhe Nuhiu, Armir Abrashi”, duke mos permendur ketu emrin e Loret Sadikut.

Filed Under: Sport

Plug-Pullers Take Note: Science Finds That Some “Vegetative State” Patients are Aware

August 27, 2013 by dgreca

In pictures:Lorina Naci/

by Michael Cook/

Canadian neuroscientists have detected conscious activity in a patient who has been in a “vegetative state” for 12 years using functional magnetic resonance imaging (fMRI). Writing in the latest issue of JAMA Neurology, they claim that “in this study we establish for the first time that some entirely behaviorally nonresponsive patients can use selective attention to communicate”.

Lorina Naci and Adrian M. Owen of Western University, in Ontario, examined three patients who were believed to be completely unresponsive after severe brain injuries, two of them in a minimally conscious state and one in a vegetative state. They were able to “respond” by focusing their attention in a way which could be picked up with the fMRI scanner. Two of them communicated repeatedly and accurately. Many bedside assessments had completely missed their capacity for willed behaviour. (See video of Lorina Naci explaining the findings.)

“These results suggest,” they write, “that some patients who are presumed to mostly or entirely lack cognitive abilities can have coherent thoughts about the environment that surrounds them.”

The plight of patients in so-called vegetative state can be awful. Research has shown that up to 40% are misdiagnosed and actually have some degree of awareness.

In a commentary on Naci and Owen’s study, one of America’s leading neurologists, James L. Bernat, says that the data is quite convincing and “that it underscores the duty to treat them as sentient persons, to optimize their ability to communicate, and to reduce their suffering”. He writes:

“We can justifiably assume that as the level of awareness increases in a patient with a brain injury, so does his or her capacity to suffer. The patients in [minimally conscious state] discovered by fMRI studies to have been wrongly diagnosed as being in [a vegetative state] deserve our efforts to reassure them that we know they are aware, to establish a reliable communication system to the fullest extent possible, and to adequately address their medical, emotional, and palliative care needs just as we currently do with our awake and aware but profoundly paralyzed patients with [locked-in syndrome].”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Lorina Naci, Vegetative State

KOÇO KOTTA-BURRI QË LARTËSONË NDERIN E KOMBIT

August 27, 2013 by dgreca

Ne Foto: Koco Kotta1888 – 1949/

 Shkruan Eugen SHEHU

 Kombi kurdoherë ka nevojë për burra të mëdhenj,ashtu siç kanë nevojë lumenjtë për borën e maleve,ashtu siç kemi nevojë të gjithë ne për ajrin dhe dritën.Vepra dhe jeta e këtyre burrave,po aq sa ndriçojnë disa emra të përveçëm,aq edhe mund të shuhen,nën netët e zeza të ideologjive.Por në vetvete,prushi i shqiptarizmës së tyre,mbetet kurdoherë i pafikur.Këta burra,me veprën e tyre, përbëjnë ashtin e memories së kombit.Koço Kotta e merriton plotësisht një përcaktim të tillë.

Lindi në Korçë,në vitin 1888.Në vitin 1895 fillon mësimet e para në shkollën fillore të qytetit, e cila,falë përpjekjeve të mëdha të patriotëve shqiptarë të atyre trevave,pat filluar t’u mësonte bijve të shqipes,gjuhen e mëmës së tyre.Korça e fillimshekullit të njëzetë,po gjallërohej gjithnjë e më tepër nga shqiptarizma,çetat e komiteteve të Kolonjës,Manastirit e Starovës, e patën detyruar prefektin turk të qytetit,të ndërmerrte disa herrë ekspedita ndëshkimore,por sapo u ngjiteshin maleve,  ktheheshin nën breshërinë e plumbave të komitëve shqiptarë. Në vitet 1902-1906, Koço Kotta,vazhdon studimet e mesme në Korçë e Manastir,duke shfaqur haptaz dëshirën e tij të madhe për dije.Ai ndërkaq  parandjen se lëvizja autonomiste shqiptare është në rritje dhe shumë shpejt do të trokasë në dyert e historisë.Me ndihmën e prindërve dhe disa patriotëve të tjerë korçarë,ngase në studimet e mesme pati rezulltate të larta,vazhdon më tej stdudimet universitare në Athinë,për jurispondencë dhe administratë shtetërore.Edhe këtu,djaloshi korçar do të binte në sy për përgaditjen e lartë kulturore.Qarqet helene të Athinës,kërkuan me ngulm gjatë kohës që Koço ishte në Universitet,t’i injektonin në shpirt,antishqiptarizmën,por asesi nuk mundën.Djaloshi trupëhedhur prej Korçe,në bisedë me shokët dhe pedagogët e Universitetit,shprehej kurdoherë se vendlindja e tij ishte krahinë shqiptare prej shekujsh dhe se ortodoksët korçarë,mbeteshin kurdoherë bij të denjë të shqiptarizmës.E vërteta është se mbas mbarimit të studimeve universitare,Koço Kotta mbaron edhe një specializim për pedagogji dhe mbase njohu mirë gjuhët greqisht,anglisht,serbisht,italisht i propozohet të punojë në Athinën e atyre viteve.Djaloshi nga Korça,preferon të shkojë në atdhe,duke dashur që krejt ato dijeni të marra nëpër vite,të mund  t’ua transmetojë bashkëkombasve të vet.

Në Shqipëri,ai bie në kontakt me patriotët Kristo Luarasin,Mihal Grameno e Sali Butka,tek të cilët parasheh vrullin e asaj lëvizjeje të fuqishme autonomiste,që rritej dita ditës.Koço Kotta,do të ishte kësisoj,ndër nismëtarët e ngritjes së flamurit në qytetin e Korçës,përmes reaksionit të fuqishëm të andartëve grekë,të cilët bënë çmos që kjo trevë,të mos bashkohej me aktin madhorë të ngritjes së flamurit si edhe njohjes së pavarsisë së Shqipërisë.Zëri i tij i bukur kumboi në mitingun madhështor të fundnëndorit 1912,kur mijëra patriotë të Korçës,Kolonjës e Starovës, u tubuan nën flamurin kuqezi dhe marrshet e këngëve patriotike shqiptare.

Në janarin e vitit 1913,me këmbënguljen e madhe të patriotëve korçarë,të cilët ja njihnin aftësitë,Koço Kotta shkon në vlorë,me ndihmë të qeverisë së shtetit të parë shqiptar, e cila ishte rrethuar prej njëmijë e një hallesh e rreziqesh.Aty në shoqërinë e Luigj Gurakuqit dhe Bedri Pejanit, biri i Korçës do të kontribojë sa të mundet lidhur me reformat arsimore në Shqipëri.Këtu,Koço Kotta do të bashkohet edhe me atdhetarin tjetër,Sali Gjykën,duke ndarë me të krejt problemet organizative të arësimit shqiptar.Ndonëse kryen funsionin e kryesekretarit në ministrinë e arsimit,24 vjeçari Koço Kotta,do të shkonte vetë në këmbë,nëpër qytete e fshatra,duke bërë çfar ishte e mundur,për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe,si edhe për pasijen e tyre me mjetet e domosdoshme për të funksionuar.Dihet tanimë se çfar manovrash politike dhe ushtarake ndoqën fqinjët shoven,për të parandaluar me çdo kusht veprimtarinë e qevrisë shqiptare,të dalë nga kuvendi historik i Vlorës.Me dorheqjen e Ismail Qemalit,pas disa muajsh,u formua qeveria nën drejtimin e Turhan Pashës, e cila u përpoq të shpëtonte me çdo mjet pavarsinë e kërcënuar të territoreve shqiptare,të caktuar padrjetësisht në Konferencën e Londrës më 1913.Edhe në këtë qeveri Koço Kotta,kreu me dlirësi dhe inisiativë,funksionimin e drejtorit në Ministrinë e Arsimit,duke u përpjekur në çeljen e një sërë shkolave shqipe.Në vjeshtën e vitit 1914,shkon në qytetin e Shkodrës,ku nis menjëherë përpjekjet për kryerjen e reformave të mëdha arsimore:Këtu mirëpritet nga Terenc Toçi,Sali Gjyka e atdhetarë të tjerë Shkodran të cilët,shihnin tek djaloshi nga Korça,jo vetëm aftësinë organizuese në rrafsh të arësimit,por sidomos prushin e pafikur të shiqptarizmës së tij.Në këto vite,në Shkodër,ishte krijuar komiteti “Krahu Kombëtar”,në themel të të cilit,qëndronin,idetë dhe veprimtaritë për independencën politike,morale dhe shpirtërore të qytetit verior të Shqipërisë.Duhet kujtuar se në vitet 1915-1918,Shkodra ka qenë një trevë tejet e lakmuar prej malaziazve,me ç’rast “Krahu Kombëtar” kreu besnikërisht misionin e vet atdhetar kunër pushtuesve malazias.Për 1 vit rresht,në krye të këtij komiteti,atdhetarët shkodranë,vendosën Koço Kottën.Me ngjarjet madhore të janarit 1920,atëhrë kur mbahej në Lushnjë Kuvendi historik për krijimin e një qeverie të pavarur shqiptare,Koço Kotta do të ngarendë i pari,në vorbull të ngjarjeve.Me vendimin unanim “të gjithë përfaqsuesve të krahinave shqiptare z.Koço Kotta, zgjidhet sekretar i Kongresit”(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,Fondi Kongresi i Lushnjës, dosja 7 fleta 4 ).Në krah të burrave të shquar të Shqipërisë si  Hoxhë Kadriu,Mehdi Frashëri,Ahmet Zogu, Bajram Curi etj,djaloshi nga Korça do të vinte të gjitha forcat,për të nxjerrë kombin e vet prej trazirave të brendshme dhe të jashtme,për të çuar Shqipërinë drejt një të ardhmeje sa më demokratike e të bashkuar.

Në vitet 1922-1923,Koço Kotta emrohet prefekt në Berat.Në këtë funksion,ai do të punonte pa u lodhur,si për vendosjen e rendit dhe të qetsisë,po aq edhe për edukimin e brezave të rinj,me idetë e shqiptarizmës.Me nismën e tij si prefekt,në mjaft shkolla të Beratit e rrethinave të tij,këndohej hymni kombëtar çdo mëngjes,ndërsa nxënësit puthnin flamurin kuqezi.Veçanërisht në lidhje me patriotin e madh Sali Gjukën,ai ndërmori një varg masazh në këtë qytet,për të nxitur ndjenjat atdhetare të popullit të Beratit,këtu duhet nënvizuar se në fillimet e punës si prefekt Koço Kotta u muarr nëpër gojë prej parisë myslimane të qytetit,por vizioni largpamës dhe veprimet konkrete atdhetare bënë që burri nga Korça të bëhej mik me parine myslimane,po aq sa me ortodoksit beratas.Ndërkaq,emri i tij tanimë përmendej me respekt,në rrethet e nacionalistëve shqiptarë.Në zgjedhjet parlamentare të 27 dhjetorit 1923,Koço Kotta zgjidhet deputet i këtij parllamenti.Së bashku me zërat e nacionalistëve tjerë,do të bashkohej edhe zëri i Koço Kottës,me betimin e madh për të qenë kurdoherë shërbestar i kombit dhe ruajtjes i vendosur i tërësisë toksore shqiptare,ç’prej dhjetorit e deri në prillin e vitit 1939,Koço Kotta,do të dëshmonte në parllament ( madje në vitet 1926-1928 dhe 1930-1935 në funksionin  e kryetarit të parllamentit shqiptar) pjekurinë politike dhe guximin për të përballuar çdo situatë.Në vjeshtën e vitit 1926,kur pas shumë trazirash të mbrendshme,u duk se Shqipëria po ecte drejt rrjedhave normale të zhvillimit,qeveria shqiptare,në mënyrë demokratike,duke spjeguar rrugët dhe format e zhvillimit të kombit,kërkoi prej dhomës së deputetëve shqiptar,parapëlqimin e përfaqsuesve të popullit.Pas debatesh të shumta,fjalën e mori kryetari i parllamentit,z.Koço Kotte,i cili pos të tjerave do të shprehej : “Nuk mungojmë sot,të shfaqim kënaqësinë e thellë për organizimin e mirë të ushtrisë dhe gjindarmërisë,duke qenë të sigurtë se ky organizim dhe përmirësim,i përshtatet plotësisht mbajtjes së qetësisë së vendit dhe aplikimit të ligjeve,tue qenë nën vështrimin e posaçëm të Shkëlqesisë Suaj,prej kah,ç’do shqiptar, mëson bindjen në ligje,rregull e disiplinë.

Populli shqiptar,i mërzitun prej ideve të kalueme dhe i bindun që prishja e qetsisë,ven në rrezik qenien dhe gjallnin e shtetit asht gati për çdo sakrificë dhe në çdo rast,per të perballë e ndalue çdo lëvizje për prishjen e qetsisë,që fatbardhësisht mbretëron në të gjithë Shqipërinë e që lakmohet prej botës.Populli shqiptar e çmon shumë dhe asht i sigurtë se qetësia e vërtetë që mbretëron anë e mbanë Shqipërisë, rrjedh ma tepër prej hijes madhështore të Shkëlqesisë Suaj, e prandaj ju adhuron një popull i tanë.Ju adhuron populli shqiptar,se Shkëlqesa Juej,dijti me i sigurue,atë që ai dëshiron dhe që ka derdhur gjakun : lirinë dhe qetsinë,dy burime perparim të gjithfarshëm.Me këtë liri e qetësi,populli shqiptar sot ka arsye të lavdërojë me shumë dashuri,Residentin e vet, shpëtimtarin e Kombit,se nën hijen e tij,asht tue hedhun hapa të mëdha e të sigurtë në udhën e përparimit”. ( “ Bisedimet e Dhomës së Deputetëve ” Shtypshkrojna  “Luarasi”  – Tiranë 1926, faqe 185 ).

  Në vitin 1928,me shpalljen e monarkisë shqiptare,Koço Kotta,është ndër përkrahësit kryesorë të Mbretit të Shqiptarëve,Ahmet Zogut.Njohës i temperamentit të popullit të vet,por edhe duke paraparë situatat ballkanike dhe evropiane,së brendshmi,ai është i bindur për vendosjen e monarkisë dhe bën çfar është e mundur për vendosjen e rregullave dhe ligjeve të mbretërisë,në terrenin konkret të ideve dhe trazirave shqiptare.Ai zgjidhet kryeministri i parë i monarkisë,duke dëshmuar kështu jo vetëm afërinë e tij në ide me Mbretin Zog,por edhe besimin e madh që ushqenin nacionalsitët shqiptarë të asaj kohe për burin e Korçës.Në këtë funksion,Koço Kotta,kreu edhe detyrën tjetër,ate të Ministrit të Brendshëm,duke dëshmuar në çdo moment,jo vetëm pjekurinë,por edhe aftësinë në kapërcimin e situatave të vështira që Mbretëria Shqiptare kalonte në vitet e para të mëkëmbjes së saj.Të kësaj periudhe,janë me dhjetra urdhëra,të firmosura prej Koço Kottos,ku bëhet fjalë pos të tejrave,për organizimin e rojës kufitare.Ky organizim,parashihte jo vetëm vendosjen e disa reparteve në kufijtë si në veri e sidomos në jug,por edhe marrjen e një sërë masash për gatishmërinë e reprateve të Ushtrisë sonë Kombëtare,në ruajtjen e kufijve.Bashkëpuntor i afërt i Mbretit Zog, biri i Korçës,do të rriste pandërprerë aftësitë luftarake mbrojtëse,të trupave shqiptare,duke paraparë kurdoherë me largëpamësi situatat politike në Ballkan,dhe ato brenda shtetit shqiptar.Por edhe brenda grupimeve politike në Shqipëri,roli i kryeministrit shqiptar të asaj kohe do të ishte tejet i madh.Askurrë,biri i Korçës,nuk i shihte shqiptarët të ndarë në barikada të ndryshme duke luftuar me armë kundër njëri-tjetrit.Madje edhe kur bashkëkombasit e vet,pozicionoheshin si të tillë,me urtësinë dhe pjekurinë politike që e karakterizonte Koço Kotta,do të ishte kurdoherë pajtues i mërive të verbëra.Ka qenë pikërisht kjo veti e karakterit të tij,çka bëri që në zgjedhjet e nëndorit 1932,në  seancën e parë të parllamentit shqiptar,në mënyrë unanime,Koço Kotta të zgjidhet kryetar i këtij parllamenti.Përmes duartrokitjeve,i emocionuar,ai do të shprehej më 3 dhjetor 1932, në këtë seancë.”Zotërinj të ndershëm ! E ndjej për detyrë t’u falenderoj nga zemra per zgjedhjen time si kryetar i kesaj dhome.Koha e gjatë,qe kam veprue si kryetar i parlamnetit,do të jetë edhe pas këtej,një garanci për zellin dhe paansinë në kryerjen e detyrave që më ngarkon kjo kryesi. Nga ana tjetër jam i bindur,se të gjithë të nderuemit kolegë,do të më japin ndihmën dhe përkrahjen e duhur,që kështu mund të arrijmë të përmbushim misionin e naltë që na është ngarkue prej popullit dhe kësisoj të realizohet shpresa për nderë të popullit dhe të Sovranit tonë”.( “Mbretnija Shqiptare.Bisedime në Parlament”.Legjislatura II,Sesioni i parë.Viti 1932-1933, faqe 6-7 ).

Në nëndorin e vitit 1936,pas dorëheqjes së Mehdi Frashërit si kryeministër i qeverisë shqiptare,Mbreti Zog,thërret sërish Koço Kottën.Mbreti i Shqiptarëve  e pat kuptuar lëvizjet e nëndheshme aneksioniste italiane dhe për të  mos cënuar sovranitetin e vendit të vet,thirri pikërisht burrin e mençur dhe nacionalsitin e vendosur,Koço Kottën.”Me urdhër të Mbretit Zog,datë 8 nëndor 1936,zoti Koço Kotta emërohet në funksionin e kryeministrit të Shqipërisë “. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi kryeministria.Dosja personale e K.Kottës,fleta 124 ).

Tre vitet e qëndrimit të tij në këtë funksion,do të ishin vite lufte dhe pune,vite sakrificash të mëdha,për të drejtuar qeverinë shqiptare,në ate vorbull betejash politike që përgatitën Luftën e Dytë Botërore.Fjalëpak,por tejet i guximshëm,Koço Kotta,do të mbetej deri në fund,diplomati atdhetar, i cili u shndrrua në barikadë të fuqishme kundër synimeve aneksioniste të Italisë fashiste.Tejet vizionar,duke bashkëpunuar me Mbretin Zog,biri i Korçës,dijti të ece përmes praktikave qeverisëse që e largonin Shqipërinë prej rreziqeve,duke e afruar me rrjedhat e cilvilizimit botëror.Kështu për të ardhur deri në ditët tragjike të prillit 1939,me vendim të parllamentit shqiptar familja mbretërore dhe vetë Mbreti Zog u detyruan të mërgojnë jashtë Shqipërisë.Ngase pat mbajtur një qëndrim të hapur antiitalian,miqtë e këshillojnë Koço Kottën që të largohej nga Shqipëria,burri i Korçës shkon në vendlindje dhe gjen aty mikpritjen e ngrohtë korçare,por autokolonat ushtarake italiane e detyrojnë të kapërcejë kufirin dhe të kaloj në Greqi.Pak gjëra dihen për periudhën 1939-1944,të cilën ish kryeministri dhe ish kryeparllamentari shqiptar, e kaloi në Greqi.Por dihet se ai disa herë shkoi ilegalisht në Korçë duke krijuar lidhje të ngushta me nacionalistët shqiptarë të trevave të jugut.Dihet gjithashtu se ai mbeti deri në fund,një antikomunist i vendosur.Është kjo arsyeja që në janarin e vitit 1945,komunistët grek,pasi e arrestojnë, e dërgojnë,Koço Kottën,në Shqipëri,në duart gjakatare të klikës komuniste të Tiranës.Në ditët e para të prillit 1945,Koço Kotta del në gjygjin-farsë të drejtuar prej shërbetorit të serbëve,Koçi Xoxes.Ndaj e shoh të udhës të sjell në këto radhë,vetëm disa rreshta nga akuzat qesharake që iu bënë,personalitetit të madh shqiptar Kottës.

“ Koxi Xoxe : Ke vepruar kundër interesave të larta të atdheut.Ke ndihmuar dhe kontribuar në përhapjen e imperializmit fashist italian dhe përgaditjen  e terrenit.Ke qenë në lidhje me qevrerinë kuislinge të Tiranës dhe me organizatat tradhëtare,Balli Kombëtar dhe Legaliteti.Je përpjekur për realizimin e një marrëveshje që kishte qëllimin bashkimin e reaksionit shqiptar dhe ate grek,me qëllim që të shuaje lëvizjen popullore çlirimtare në Shqipëri,marrveshje që nuk u arrit dot për shkaqe të pavarura nga vullneti yt.Për këtë marrveshje ti ishe përfaqsues i Legalitetit,ç’ke për të thënë ?

Kostaq Kotta… Unë mund të jemë përgjegjës vetëm për dy periudhat që kam qenë në qeveri…

Koxi Xoxe : Nuk na intereson të na bësh histori,por të na tregosh pse nga dita e 7 prillit nuk u organizua rezistencë ?

Kostaq Kotta ;… Më 7 prill të vitit 1939,qeveria janë jo vetëm që nuk u frikësua,por organizoi edhe rezistencë të armatosur,duke bërë ate që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila,ishte shumë herë më e armatosur se qevria e jonë.Pikërisht,ate që se bëri qeveria çekosllovake e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar …

Koxi Xoxe : Ti ke thënë në deponimet e tua në hetuesi se qevria nuk e bëri rezistencën aktive ose pasive pasi nuk kishte mjete ?

Kostaq Kotta : Jo,jo,përkundrazi,qeveria vendosi rezistencë aktive.

Koxi Xoxe : A u bë kjo rezistencë ?

Kostaq Kotta : Edhe unë mund t’ju them që unë personalisht i kamë sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë.U mor vendimi nga qevria për rezistencë dhe nota italiane nuk u pranua .

Koxi Xoxe ; Po ti në deponimet e tua ke thënë se ne nuk kishim mjete për të bërë rezistencë ?

Kostaq Kotta ; Unë pjesën time si qeveri e bëra.Në rast se ka pasur ndonjë neglizhencë,kjo u takon Forcave të Armatosura.

Koxi Xoxe ; Kur shkove ti këndej ?

Kostaq Kotta ; Ditën e 7 prillit,Mbreti shkoi në Zemblak,ndërsa unë të shihja ç’bëhej në Korçë.

Koxi Xoxe ; A të tha Veli Vasjari se populli ishte gati për rezistencë ?

Kostaq Kotta ; Përkundrazi,prefekti i Korçës,Veli Vasjari na tha të mos vinim atje pasi qe prishur qetsia dhe të burgosurit kishin dalë nga burgu.Xhandarmëria nuk siguronte dot qevrinë.Me gjithë këto unë kam vajtur vetë në Korçë dhe atje Kryebashkiaku më ka thënë se populli dhe tregtarët të tubuar,kërkonin të luftonin e bënin rezistencë.

Koxi Xoxe ; Në bashki unë kam qenë vetë si antar dhe bashkë me 16 delegatë të tjerë e 3 mijë vullnetarë prisnin  Koço Kottën për të organizuar rezistencën !

Kostaq Kotta ; Nuk  e di këtë gjë.Kështu më tha kryetari i bashkisë Agathokli Xhitoni.

Koxi Xoxe : Ne,Fejzi Alizoti,na ka thënë se Koço Kotta ishte kundër rezistencës ! (Pyetet Fejzi Alizoti si dëshmitar dhe provohet e kundërta e thënieve të Koxi Xoxes.Më pas lexohen deklaratat e Konstandin Mines dhe Frederik Nosit,kundër K.Kottës).

Koxi Xoxe ; Po pse dëshmojnë këta,mos vallë të kanë inat !?

Kostaq Kotta : Si thashë nuk kam firmosur ndonjë akt nënshtrimi.Unë po të isha i atij mendimi nuk do të kërkoja të hyja në marrveshje për një lëvizje këtu në Shqipëri.

Koxi Xoxe ; Kur dhe pse erdhe në Selanik ?

Kostaq Kotta ; Pas kapitullimit të Italisë erdha nga Athina në Selanik për të hyrë në Shqipëri,se në gazetat kisha mësuar se Shqipëria ishte indipendente…

Koxi Xoxe : Nga Balli dhe qevreia u caktove me anë të Xhavit Leskovikut si delegat i Legalitetit në aleancën ushtarake me reaksionin grek ?

Kostaq Kotta ; Këtë letër e mora vesh këtu dhe më ka ardhur shum keq.Është krejt absurde që me një letër të një organizate të panjohur të prezantohem për një aleance ushtarke”.(Arkivi Qendror i shtetit Tiranë,Fondi Kryeministria,dosja personale e Koço Kottës ).

Pradoksalisht,ky burrë i mençur dhe atdhetar i madh,dënohet me burgim të përjetshëm.Por ndërsa shihnim sa krenarisht sillej edhe në birucat e errëta të dorës kriminele komuniste,atdhetari korçar, komunistët gjakatar prapëlqyen vdekjen  e tij të mynxyrshme.E lanë ditë të tëra pa bukë,deri sa Koço Kotta,emri i të cilit i bënte nder kombit të vet,mbylli sytë përgjithmonë,në vitin 1949.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, koco Kotta

Shenjat e “lindjes” së një diktatori!

August 27, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI*/

Njeriu nuk lind diktator qysh në momentin e parë që vjen në jetë, ditën që lind, por ai formohet ideologjikisht me kohën.Edhe Hitleri, po të lexosh mbi jetën e tij ose të shohësh dokumentarë, nuk lindi diktator por u formua gjatë jetës. Shembull: Në kohën kur ai nuk fitoji të drejtën për të filluar studimet në fushën e pikturës, pati një demoralizim të theksuar. Në atë kohë, ai, pa asnjë të ardhur financiare, përfundoji në lypës nëpër Vienë…..po, po në lypës rrugësh. Po në ato momente, një shok-mik i njohur i tij që ishte çifut e merr – strehon në dhomën e tij. Duke qenë shok me këtë çifutin, ai hyri në shoqërinë dhe merrte pjesë në aktivitetet që organizonin këta!

Më pas, e dimë të gjithë nga historia se si veproi ai me hebrenjët!

Dhe, një individ, ka forcë të madhe të ndryshojë, për mirë apo për keq, sistemet!

Rastet nuk janë pak në historinë botërore, duke marrë si shembull vitet e fundit, fillimin e viteve 1900, filluar qysh nga diktatori-vrasësi në masë të 8 Milion Rusëve (e thotë historia) të Leninit- kamufluar në të ashtuquajturin “Revolucion të Sindikatave” e më pas të Musolinit, Hitlerit, Stalinit, Frankos, Mao Ce Dunit, Enver Hoxhës, Pinoçetit dhe shumë të tillë që janë akoma në vitet që jetojmë në shtete të ndryshme!

Edhe këta diktatorë, si pa kuptuar e filluan karrierën e tyre, masa e popullit nuk e ndjeu qysh në fillim se çfarë e priste nga këta individë. Por ja që, këta arritën të bëjnë e të ndryshojnë rrjedhat e historisë sipas tekave të tyre.

A ka Hashim Thaçi, mundësinë, kapacitetin ideologjik të sipërpërmendurve? JO. Ai nuk mund të influencojë në botë, por, atij i mjafton thjeshtë Kosova. Dhe shenjat janë që ai, deri në një masë të madhe procentuale, ia ka arritur qëllimit me Kosovën-popullin shqiptar!

Janë me dhjetëra veprime dhe ngjarje në këto vitet e fundit, të bëra nga Hashim Thaçi që tregojnë frymën diktatoriale të tij.

Kush e nënvleftëson, është i gabuar.

*(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ”Lajm”)

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, shenjat e diktatorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT