Nga Luan Rama/
Jeta ka ndryshuar shumë në Tiranë. Ndërtime dhe banesa me arkitekturë gjithnjë e më interesante, komplekse industriale, parqe, galeria arti, dyqane mode, etj. Këtij peizazhi të ri nuk i mungojnë dhe dyqanet e verërave, që shpesh i sjellin nga Franca dhe Italia. Dhe tani këta tregëtarë, dinë t’i zgjedhin ato. Madje verërat po i bëjnë me emër restorantet që i mbajnë, ku né krye, padyshim, janë verërat franceze, ato me të cilat mburret Franca. Duket se shqiptarët, që i janë rikthyer verës, po kërkojnë të ringjallin traditën e dikurshme, atë për të cilën flasin dhe udhëtarë të huaj të shekujve XVI-XIX, kur shpesh flisnin dhe për verën e mirë shqiptare. Dhe jo vetëm në jug, por dhe në luginat malore të veriut shqiptar, ku shquheshin në rradhë të parë murgjit e manastireve katolike, benediktinë apo françeskanë… Por mjerisht, mijra e mijra hektarë vreshta u shkatërruan vetëm gjatë kohës së tranzicionit. Lumturisht, jo pak njerëz tashmë i kanë kthyer sërrish sytë nga vreshtat. Pronarët e restoranteve me emër, sot mendojnë të prodhojnë verërat e tyre, siç ndodh dhe në Francë, Itali apo Spanjë, ku vera është art dhe një nga vlerat e tyre të mëdha. Dëshira e tyre është të prodhojnë verë. Por jo vetëm kaq. Eshtë një pasion i ngjashëm me ata që adhurojnë artet, që koleksionojnë pikturat, etj. Për më tepër është diçka e shëndetshme, e këndshme, që të afron me miqtë. A nuk thoshte Plutarku se «Vera ka vetinë që të bën të flasësh hapur, lirshëm dhe të thuash të vërtetën»? A nuk fliste Shakespeare për «shpirtin e padukshëm të verës», ndërkohë që Napoleon-i kishte shprehjen e famëshme: «Pas de vin, pas de soldats», («Po s’ka verë, s’ka as ushtarë»). Verën «Bordeaux» e duan dhe e kërkojnë në të gjithë botën. Shqiptarët e njohin pothuaj të gjithë, edhe pse verërat e Bourgogne-s janë si «zonja» më hijerënda, aristokratike e që të përhumbin me sharmin e aromën e tyre. Nëse shekuj më parë kishte Akademi Arti, tashmë ka dhe Akademi të Verërave. Enologët, somelierët, degustatorët mblidhen dhe ndajnë çmime. Gjithçka është kthyer në një ritual klasik. Francezët, kur duan të krahasojnë verën e Bordeaux-së, (Bordosë), me atë të Bourgogne-s, (Burgonjës), për të parën thonë «Ajo» dhe për të dytën «Ai», meqë është një verë disi e rëndë dhe e fortë. Vera e Bourgogne-s (atdheu i «La Tâche», «Vosne-Romanée», «Richebourg», etj,) ka tokën e mirë, ndërsa ajo e Bordeaux-së ka shumë më tepër diell.
Vera e hyjnisë
Hyjnia e verës, e dehjes dhe e vreshtës, në antikitetin grek është Dionisi, apo Bachus në botën e romakëve. Mitologët e njohin Dionisin si një hyjni më komplekse sesa Bachus (Bakun), pasi zemërimi i tij ishte i pamëshirshëm. Dionisi ishte pjellë e Zeusit dhe e një gruaje njerëzore, e vdekshme, e quajtur Semele. Por meqë ajo e pikasi Zeusin në momentin e shfaqjes së tij me shkëlqimin më të madh, (çka s’duhej ta shikonte), ajo u vra nga rrufeja. Atëherë Dionisi ishte në barkun e nënës dhe Zeusi e mori dhe e fshehu nga xhelozia e vajzës së tij legjitime, Hera. Pra ai e mbrojti dhe ia dha të kujdesej mikut të tij besnik Silen, tek i cili kishte besim të madh. Pra Dionisi u rrit nga Silen dhe Nimfat, Meneadat dhe Satirat. Për t’i shpëtuar përndjekjes së gruas së Zeusit, Dionisit iu desh të bëjë shumë udhëtime dhe ta shijojë siç duhet këtë jetë. Sigurisht, verërat e atëherëshme nuk ishin si këto të sotmet. Tek Iliada dhe Odiseu flitet për verërat «pramnios», vera e Pedasos, Arné, Histie apo vera e Epidaure. Verëra të njohura në këtë epokë në Greqi ishin ajo e Ismaras, në Thrakë, e cila dehu Polifemin. Vera prodhohej në Lesbos, Kios, Samos dhe eksportohej në Egjipt, veçanërisht ajo e Lesbos, ku ishte dhe tempulli i Dionisos, e cila ishte një verë shumë e alkolizuar. Vera e Kios ishte një verë «lluksi» dhe që është cituar nga njëzet autorë antikë, ndërsa ajo e Thasos kishte një ngjyrë të bukur të kuqe.Para se grekët ta bënin verën të dëgjuar ne Mesdhe, ishin hebrejtë ata që në Dhjatën e Vjetër flasin gjithnjë për verën dhe vreshtat. Madje që në fillimet e hershme, Bibla shkruan për kataklizmën dhe se «Noe filloi të mbillte një vreshtë». Por vreshta tek hebrejtë kishte një vlerë të madhe simbolike: Isaie i këndon Hedad-ës këngën e dashurisë për vreshtën «E dashura ime kishte një vreshtë në një bregore pjellore…» Në tekstin e famshëm që përmblidhet në Dhjatën e Vjetër, Kënga e Këngëve, më e bukura këngë e dashurisë së botës së vjetër, nuk mund të ishte veç një himn i dashurisë dhe i verës: «Eja i dashuri im, le të dalim nëpër fusha/ ta kalojmë natën nëpër fusha/ Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshta për të parë nëse vreshta ka lëshuar lastarë/ nëse kanë çelur lulet e tij…» Më pas, në Dhjatën e Re, ishte Jezuja që e shndërroi ujin në verë në dasmën e Kana-s dhe kjo ishte mrekullia e parë e tij. Ndërsa sot ka një proverb që thotë: «kush di të pijë di dhe të dashurojë/ kush di të dashurojë, di dhe të pijë». Padyshim qëk jo na kujton Omar Khajamin dhe të tjerë arabë që i kënduan verës, duke rreikuar me jetën e tyre.
Gjuha e verës
Kur erdha për herë të parë në Francë dhe si diplomat më binte rasti të isha i ftuar në tryeza ku shërbehej verë e mirë dhe ku paraqitja e verës dhe pirja e saj kthehej në një lloj ceremoniali, unë nuk e kuptoja mirë gjuhën e verës. Një ish ministër, Jacques Augarde, tek i cili disa herë kemi qënë me çiftin Kadare, vera vërtet ishte një ritual. Ishte krenaria e të zotit të shtëpisë. Për verën flitej si për një bizhuteri të rrallë, flitej sikur të ishte një femër e pështjellë nga rroba veluri, parfume të ndryshme, se kishte trup të jathmë, etj. Por shpejt fillova ta mësoj «abc»-në e kësaj gjuhe, pasi vera trajtohej me delikatesë, sikur të ishte një vepër arti rreth të cilës kritikët e mbledhur duhej të thonin fjalën e tyre. Kisha dëgjuar një gazetar francez që duke folur për një verë të mirë «Petrus», (të familjes «Pomerol»), thoshte : «Petrus» është si një perde teatri që hapet në skenën e pallatit tuaj »… Të tjerë, këtë lloj vere e quajnë «xhevahir» apo «mrekullia e tetë e botës» dhe kjo jo pse është vera e preferuar e monarkisë angleze. Në darkën e kurorëzimit të Elisabeth II më 1953, u pi vetëm verë «Petrus», e ardhur posaçërisht nga Franca, traditë kjo që do të vazhdonte në ceremonitë princore. Jo më kot, «Petrus» është sot pjesë e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s, ashtu siç është dhe një parcelë e vogël vreshte në Montmarte, në pjerrësinë pas bazilikës së «Sacre-Cœur». Pranë hardhive të vreshtës së «Petrus», vreshtarët mbjellin dhe trëndafilë, për të parë shëndetin e hardhisë… Në një libër të botuar kohë më parë Fjalori i dashnorëve të verës, kritiku letrar, publiçisti i njohur dhe gazetari televiziv francez Bernard Pivot shkruante se «Vera është kulturë. Eshtë kultura e një produkti universal të konsumit. Asgjë tjetër nuk e tejkalon bukën dhe verën tek njeriu që në kohën më të vjetër dhe lindjen e njerëzimit. Madje vera, në tregimet e Antikitetit greko-romak e tejalon dhe bukën…»
Por le t’i kthehemi gjuhës së verës dhe atyre që rreth tavolinës, pasi ngrejnë gotën, e rrotullojnë lehtas verën brënda gotës, i marrin pak erë që të mbushen me aromën e saj dhe e kthejnë lehtë, duke e mbajtur pak çaste në gojë. E pastaj ata thonë lehtas : «Eshtë e parfumuar, … ka elegancë, ka trup të bukur… është ekspresive dhe ka velur… Në historikun e verës ka hyrë shprehja : «Vetëm barbari e kthen gotën me fund”, ndërkohë që Victor Hugo shkruante se «Zoti krijoi ujin, njeriun dhe verën».
Vera e artistëve
Jo rrallë, në mjedise artistësh, biseda rreth verës bëhet pasionante. Shkrimtarë, aktorë teatri e kinemaje, regjisorë, piktorë, etj, të gjithë shprehin admirimin e tyre për verërat. Madje dhe femrat. Madje disa prej tyre janë kthyer dhe në «ustallarë» verërash, d.m.th. që jo vetëm të dijnë ta shijojnë por dhe ta prodhojnë atë. Aktori i njohur francez Gerard Depardieu i ka vreshtat e tij në luginën e Loire-s, të blera që në vitin 1983. «Si në të gjitha kohërat, – thotë ai, – edhe sot vera është Krye-Fjalë… vreshtar nuk bëhesh, por lindesh i tillë… » Vallë një dhunti e fshehur? Me siguri. «Unë i dua verërat, pasi ato më tregojnë histori, historinë e një vreshtari, të një vëndi. Adhuroj verën «Haut-Brion», «Pape-Clement», «Cheval Blanc». Adhuroj të zbuloj ndonjë prodhues të vogël vere që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por që vera e tij më thotë diçka». Jean-Louis Trintignant, po aq i njohur gjithashtu nga spektatori shqiptar i filmave, edhe ai ka vreshtat e tij. Jo rrallë e sheh të bredhë nëpër vreshta, në një gjëndje të përhumbur dhe poetike. Ai nuk është ndonjë pirës i madh. Atij i mjafton një gotë të ndjejë e shijojë verën përmes shijes, aromës, ngjyrës, asaj ndjesie të pashpjegueshme që të lë në qiellzë dhe nuk të shqitet për një kohë të gjatë. Aktorja Carole Bouquet ka rënë në «dashuri» me verërat italiane të Toskanës e veçanërisht të Sardenjës. Madje ajo i ka blerë vreshtat atje, ku ka ngritur një shtëpi fshati dhe një furrë pizash dhe shpesh atje mblidhet me fshtarët vreshtarë dhe miqtë që i vijnë nga Parisi për të shijuar verën e saj. Charles Baudelaire, autori i vëllimit të famshëm poetik Lulet e së Keqes, i kushtoi himne të shumta verës, aq sa historianët e biografët e tij të parë mblodhën shkrimet e tjera të tij, «ode për verën» dhe botuan një libër më vete. «Vera është e ngjashme me njeriun, – thoshte ai. Poezitë e Paul Verlaine për nektarin e verës janë gjithashtu janë të mrekullueshme. E cili poet atëherë nuk i ka kënduar verës? Njihet pasioni i madh i shkrimtares franceze Colette për verën. Madje në kujtimet e saj ajo tregonte se që 3 vjeç, i ati i jepte të pinte verë. Kjo më kujton nënën time kur i vogël më jepte hashash që të flija, apo kohën kur si kineast shkoja në zonën e Korçës dhe shikoja fshatarë që ushqenin fëmijët me një përshesh bukë me verë. Colette tregonte se vajzë e re, «pak nga pak, gotë pas gote, fshahurazi, unë e zbraza qilarin e verërave të familjes. Nëna ime i mbyllte sërrish shishet e filluara, duke vështruar nga faqet e mia që skuqnin nga verërat e mira franceze ». Në historinë e arteve njihet që Voltaire, Diderot dhe Mozart pinin verërat më të mira. Ndërsa amerikanët, nga Jefferson tek Rockfeller, Henry James apo Kenedy, ishin të apasionuar pas verës “Petrus”.Shumë dekada më parë, artistë të mëdhenj që pëlqenin verërat, (e kush vallë nuk e ka pëlqyer atë ?) u angazhuan madje dhe në krijimin e etiketës së tyre. Në muzeun e verërave të Rothschildë-ve, janë etiketat origjinale të «Mouton de Rothschild» të pikturuara nga dora e Picasso-s apo Dali, Miro, Chagall, Kandinsky, Georges Braque, Warhool, Balthus, emra të mëdhenj të artit të pikturës. Ishte ministri i Kulturës André Malraux, ai që dhe inaguroi këtë muze verërash, meqë Rotschildët i dhanë verës dimensionin e famën e artit. Madje, Placido Domingo ka krijuar këngën «La Chanson de Mouton»… Një himn për verën Rothschild. Në ditë në shtëpinë e tij në Honfleur, miku im piktor Valdet Hamidi, më tregonte verën që i kishte sjellë një vreshtar, i cili i apasionuar nga piktura e tij ia blinte me verërat e tij, për të cilat, Hamidit i duhej të gjente vënd pasi bëhej fjalë për qindra e qindra shishe. Dukej kështu sikur vera konkuronte me pikturën. Eshtë e vërtetë që shesh artistët dinë ta vlerësojnë verën, ndoshta pse dhe ajo di t’i përkundë ata. Ismail Kadare është një sqimëtar në verë, veçanërisht të Bordaux-së, («Margaux», «Saint-Julien», «Saint-Estèphe», «Latour», «Laffitte»…). Shpesh në tavolinë, ajo që shikon ai është më tepër karta e verërave, se ç’verë do te pijë dhe jo se çfarë do të hajë. Dhe nuk e ka për keq ta kthejë dhe një verë 300 prej eurosh, duke thënë se ndjehet një aromë e lehtë tape apo myku.
Vera e koleksionistëve
Nuk ka pak kohë që në Londër, në një shitje ankand, një shishe vere e fundit të shekullit XIX, u ble nga dikush me shumën e 97.000 euro. Një shifër e jashtëzakonëshme, sikur ajo shishe të ishte derdhur në flori. Blerësi i saj ishte një koleksionist, të cilin e mbytën me intervista gazetarët dhe krah të cilit qëndronte një nga njohësit më të mëdhenj të verërave, amerikani William. Përse vallë një çmim kaq i madh? Mos vallë verërat po kthehen në vepra arti? Pauline Rothschild, është trashëgimtare e familjes së Rothschild-ëve të Francës, e Philippe Rothschild, i cili e filloi aventurën e verërave në moshën 24 vjeçare dhe arriti që verën e prodhuar ta bëjë që më 1973, me dekret presidencial të Georges Pompidou-së të klasifikohet ndër verërat më të mira franceze, duke iu shtuar klasifikimit të bërë në vitin 1855: «Mouton de Rotschild». Ajo padyshim ka një nga koleksionet më të pasura të botës në verëra, duke filluar së pari me verërat e tyre. Por sot ka koleksionistë që nuk prodhojnë verë. Ata janë veçse amatorë të mëdhenj. Njëri nga ata, francezi M. Chasseuil, i cili dikur merrej me tregëtinë e avionëve dhe që sot pasioni i tij janë verërat, ku ndër 25.000 shishet që ka në qilarët e tij të posaçme per verën, disa janë si margaritarë si p.sh. një seri e «Romanée-Conti» që nga viti 1904, «Château Petrus» e vitit 1945, «Cheval Blanc» e 1947 apo një shishe likeri e vitit 1912 që shërbehej në anijen e famshme «Titanik» e që sot kushton 10.000 euro. Por në koleksionin e tij janë dhe shishe nga anija e mbytur «Marie-Thèrese» në Detin e Kinës në vitin 1872, të cilat ia kishte blerë zbuluesit të saj. Ndërkohë një shishe tjetër vere «Siracuse» e blerë në vitin 1985, sot kushton 30.000 euro. Një qilar i tillë por sigurisht shumë më i madh por dhe mjaft më i pasur, është ai i restorantit të famshëm në Paris «La Tour d’Argent», të cilin mjerisht nuk e kam shijuar pasi në të çmimet janë marramendëse. Jusuf Vrioni, një natë para se të kthehej në Shqipëri në kohën e luftës, në ndarjen me të dashurën e tij kishte pirë verë pikërisht në atë restorant, siç më thoshte një ditë në intimitet. Restoranti që gjatë ditës është disi diskret, në mbrëmje, aty buzë lumit të Seine-s, shndrit nga dritat në horizontin parizian. Por ky restorant ka sot rreth 400.000 shishe vere në qilaret e tij të nëndheshme. Por sigurisht, jo të gjitha verërat janë mitike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me hyrjen e trupave hitleriane në Paris, somelieri i restorantit, një natë përpara, e kishte mbyllur me mur një pjesë të qilareve, në natën e 14 qershorit të vitit 1940. Verërat më të mirat dhe të rralla, ai i futi në atë kthinë që u hap vetëm pas lufte, nga ky shpëtuan nga etja e gjeneralëve gjermanë verëra të famshme por dhe unikalet si, “Chateau Citron” e 1858, “Chateau Grouand” e 1870, “Chateau d’Yquem” e 1871, “Clos de Vougeot” e 1870 apo një “Romanée-Conti” e 1874, etj. Shumë koleksione verërash ranë prehë e pushtuesve gjatë kësaj lufte në Francë: 1 milion e gjysmë shishe vere u morrën nga gjermanët në vitet 1940-1944. Gjeneralët dhe së pari udhëheqësit nazistë preferonin vetëm verërat franceze. Gebels preferonte verërat e mira të Bourgogne-s (Vosné-Romanée; Chambertin), ndërsa Goering ato të Bordeaux-së, ndryshe nga Ribbentrop që preferonte më shumë “champagne”. Shumica e bashkëpuntorëve të Hitlerit ishin koleksionues verërash. Një nga kënaqësitë më të mëdha të Goering, ishte kur në mbrëmje hapej një “Chateau Laffitte”. Më 4 maj të vitit 1945, kur Divizioni francez “Leclerc” ishte në Bavière, në vilën e Hitlerit në Berghof, ata shkuan të pushtonin dhe një kështjellë të fortifikuar të quajtur “Adlershorts” “Vëndi i shqiponjave”). Dhe fshehur, në një sallë të madhe nën tokë, ushtarët francezë gjetën mijra shishe të verës më të mirë franceze si, “Margaux”, “Saint-Estèphe”, ”Talbot”, “Latour”… E megjithatë, dhe armatat sovjetike, kur u kthyen drejt Moskës, në plaçkën e luftës kishin jo pak nga verërat (si dhe tablotë e mjeshtërve të Renessancës), e gjetura në tunelet e ushtrisë naziste. Në historinë e verërave, kuptohet që monarkët, mbretërit, apo njerëzit e mëdhenj kishin verërat e tyre të preferuara dhe që padyshim ishte nga më të mirat në epokën e vet. Napoleon-i pëlqente shumë një verë të Bourgogne-s, që quhet “Chambertin” dhe që sot është me famë, por ç’e do se Napoleoni i hidhte dhe një çikë ujë, që ta kishte mëndjen të freskët…Por ajo që është e dhimbshme dhe e pafalshme për Francën është se sot ato 2,7 ha me vreshtën e verës Cambertin e bleu tashmë një … milioner kinez!
Kali i bardhë, i kuq dhe i zi…
S’ka pak kohë që Sara, ime bijë, më solli një shishe verë të mirë. Ajo e dinte që vera është një nga pasionet e mia dhe u habita kur pashë një “Cheval noir”, (Kali i zi” i llojit të “Saint-Emilion”), verë të cilën në këto 20 vjet në Francë nuk e kisha shijuar, meqë prodhimi i saj është i pakët: vetëm një vreshtë prej 5 hektarësh, merlot. Po ajo aromë e përafërt e manaferrës dhe “cassis”, po ajo shije si dhe e pararendësve të familjes së tij: “Cheval Blanc”, (Kali i Bardhë”) dhe “Cheval Rouge”, (“Kali i Kuq”). Në fakt, një “Cheval Rouge”, e kemi pirë me Fatos Nanon, i cili njihet si njohës i verërave dhe që unë atëherë nuk e njihja këtë verë. Më pas kam patur shansin ta shijoj dhe një «Cheval Blanc» 18 vjeçar. Kjo verë ka një «rrobë» të kuqe rubini, me një tufë aromash frutash, manaferrash, luleshtrydhesh. Nga kjo verë njihen si sublime prodhimet e vitit 1947 dhe ajo e vitit 1982. Sigurisht, verërat kanë evolucionin e tyre, ato «piqen», «hedhin shtat» të shtrirë në qilaret e zgjedhur me kujdes për temperaturën e tyre. Ajo mund të jetë e lehtë, e rëndë, acide, tonike, e parfumuar, e gjallë apo «vif», pra që e ndjen menjëherë në qiellzë, etj. Verë «étoffé» apo «corsé», është ajo verë që si të thuash ka «mith», alkool, koloraturë dhe që në gojë është e trashë. Verërat e mira të Bordeaux-së bëhen të «arrira» në kufirin e 4-20 vjetëve, ndryshe nga verërat e Alsace, (Reisling, Pinot), që «piqen» në 2-6 vjet. Verërat klasifikohen «Grand Cru», «Premier Cru», «Cru Classé», «Cru Bourgeois», etj… por sidoqoftë, siç më thotë dhe miku im Gjergj Themeli, ky apasionues i verërave dhe vreshtave, klasifikimin e vitit 1855 francezët nuk e kanë ndryshuar, veç me një përjashtim: «Mouton de Rothchild». Ja pse vera është frut i një punë shekullore, është një eksperiencë që kërkon dashuri, inteligjencë dhe përkushtim.
Siç tregon Bernard Pivot, në fund të ciklit të misionit të tij «Bouillon de Culture» më 2001, «edhe unë iu përgjigja pyetsorit që u bëja të ftuarve me emër gjatë dhjetë vjetëve të emisionit tim. Pyetjes së nëntë se «Në cilën pemë, bimë apo kafshë do të donit të mishëroheshit pas vdekjes, unë iu përgjigja: në një hardhi «Romanée-Conti». Në sytë e mij, për gojën, qiellzën dhe zemrën time, vera më e mirë në botë është «Romanée-Conti». Në fakt, gjatë një misioni të mëparshëm ai kishte ftuar dhe një shkrimtar, Richard Olney, i cili kishte shkruar një libër mbi verën «Romanée-Conti», dhe me këtë rast, të vetmen shishe me këtë verë «millesime 1982», që Pivot mbante në shtëpi si diçka të shtrenjtë, e mori në studio, gjatë transmetimit dhe e hapi. Por nuk shpresoj që ai ta ketë shijuar atë ashtu siç e meriton të shijohet një verë si ajo që ende nuk kam mundur ta pi. «Romanée-Conti» e vitit 1969 tani ka arritur kulmin e «pjekjes» së saj, ndërsa ajo e vitit 1965 vazhdon të «piqet», ndërkohë që ajo e vitit 1961 është në perfeksionin e vet dhe nuk duhet lënë për më tej. Kjo vreshtë legjendare, më ka bërë që të shkoj ta shohë realisht në luginat e Bourgogne-s, në një tokë të pjerrët, puqur me vreshtat «Nuits de Saint Georges», dhe që në vetvete përmbledh veçse 8 hektarë. Një vreshtë mitike.
Sigurisht, vera është një gjë e gëzueshme, por siç thotë dhe një thënie latine, ajo duhet pirë me masë. A nuk thoshin latinët se «pa verë, jeta shkon si një valë e ftohtë» (sine Bachio vita friget» ?
Atëherë «pini verë tani ! – Sine Bacchio Venus friget»!