• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

DOKUMENTE ARKIVORE, PAK TË NJOHURA,PËR MIGJENIN MËSUES NË VRAKË

August 20, 2013 by dgreca

Me rastin e 75-vjetorit të vdekjes te poetit Kombetar, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni)/

 Nga: Prof. Murat Gecaj/

1.

– Me shkresën e Ministrisë së Arsimit nr.l574, datë 8.5.l933, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Millosh (Gjergj) Nikolla propozohet mësues në katundin Vrakë të Shkodrës, me  l60 fr. ari në muaj, ” mbasi i naltpërmenduni ka krye Normale të Ballkanit. Të dy ( është fjala dhe për mësuesin shkodran Lin Çurçia,-shënimi im, M.G.) të përmendunit hynë për së pari në shërbim të arësimit”.

(AQSH i RSH, F. Këshilli i Ministrave,viti 1933, Dosja IV-338, fleta 564)

–  Miratohet me Vendimin e KM, nr.874-a, datë l3.5.l933 ( Po aty, f.565)

– Drejtoria e shkollës plotore “Skanderbeg”-Shkodër, me shkresën nr. l2/VI, datë 27.5.l933, njofton se Millosh Nikolla filloi detyrën si mësues në fshatin Vrakë të Shkodrës, më 27.4.l933. ( Po aty, f.569).

2.

Mbretnia Shqiptare

Shkolla mikste-Vrakë

Nr.31                    P.T. INSPEKTORISË S’ ARSIMIT

SHKODËR

Kam nderin me i njoftue asaj P.T. Inspektori se sot u paraqit në krye të detyrës titullari i kësaj shkolle dhe filloi mësimet rregullisht.

Zav.Kryemësuesi

Millosh Nikolla

Vrakë, më 27.4.l933

( M.Kraja, ” Migjeni mësues”, faqe 31, fotokopje dokumenti)

3.

Në raportin për vitin arsimor l932-l933, me shkresën nr.79/ IV, datë l.7.l933, të Inspektorisë së Arsimit Shkodër, për shkollën e Vrakës thuhet se ajo:” ka pasë 4 klasë kolektive, dy nga dy”, me mësues të klasave I-II Millosh Nikollën ( klasa I me 25 nxënës, klasa II me l4 nxënës) dhe klasat III-IV me mësues Cin Bushatin. Shënohet se mësuesit: ” kanë punue me zell e kujdes dhe me harmoni të plotë midis tyne”.

( AQSH i RSH, MA, 1933, D.14, f.115 )

4.

Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), me shkresën nr.l0, datë 3 mars l934, kryemësues i shkollës mikste në Vrakë të Shkodrës, e informon (me shkrim dore e kaligrafi të bukur)  drejtorinë e shkollës “28 Nandori” të Shkodrës: ” mbi gjymsen e parë të vjetit shkolluer”.Aty tregon se mësimet filluan më 25 shtator l933. Më tej, shënon se: “para fillesës së mësimevet janë kenë regjistrimet” dhe u regjistruan 245 nxënës. “Por, tue marrrë parasysh ngushtësinë e lokalit shkollor dhe kapërcimin e moshës së detyrimit shkollor, në marrëveshje me Inspektorinë e Arsimit në prezencë, me datë 5 Tetuer l933, numri i nxanësvet asht paksue në l34   (dhe me shkrim,-shënimi im, M.G.). Tash, në kohët e fundit, me shpërnguljen e familjeve të nxanësvet në Jugosllavi, ky numur ende asht  paksue në 98 (dhe me shkrim,-shënimi im, M.G.). Migjeni shënon se ndjekin mësimet rregullisht 80 nxënës. Më tej tregon se, siç dihet, kjo shkollë ka qenë private, deri në mbylljen e tyre dhe se mësimet jepeshin përgjithësisht në gjuhën serbe. Ndërsa: ” Mësimi i shqipes asht kenë i caktuem ka nji orë në ditë, por-defakto-as kjo orë në ditë nuk asht ekzistue,-se çdo aktivitet serioz prej nji mësuesit shqiptar asht kenë i penguem. E mjaftë asht prej këtyne mësuesve që kanë muejt me ia mësue fëmivet germat e shqipes dhe disi këndimin- verte pa kuptim, por prap mund të shenjohet nji hap i vogël përpara”.

Më tej, Migjeni shënon, në shkresën e tij, se programi i shkollave fillore nuk është venë në zbatim, pasi: “nxanësit nuk e dinë shqipen, se në të gjithë katundin nuk dëgjohet as një fjalë të gjuhës shtetnore”. Pastaj thotë se katundi i Vrakës përbëhet prej 6 lagjeve: Boriç’ i Math, Boriç’ i Vezirit, Gril, Omarej, Rrash e Kullaj. “Fëmitë e këtyne tri lagjeve mrame kanë thye gjuhën për shqyptimin e shqipes jo me aq vështirësi të madhe, për arsye se kanë pasë marëdhanje me malsorët n’anë të Lindjes e të Veriut; nsa tri lagjet e para janë fare t’ izoluem.Por, në kohën e fundit, mjerisht, nxanësit që kanë pretendue ta mësojnë shqipen ma mirë, dmth prej lagjeve Rrapsh e Kullaj, të gjithë janë shpërngulun”.

Më poshtë, Migjeni vijon të tregojë se kujdesi i mësuesve për ta përdorë shqipen jashtë shkollës ka qenë: “gadi fare i pafrytshëm, sidomos tash- kurse trutë e njoma të fëmive janë bllokuem me andra mbi një “Dhe të premtuem”. N’orët e mësimit asht evitue sërbishtja sa asht mujt ma tepër”. Më tej shton: ” I arsyeshëm asht pamë mospërdorimi ma hapt i serbishtes, pse fëmija nuk ia vejnë veshin të folunit shqip, kurse e dinë se po ajo vet do t’i thohet e shtjellohet serbisht”. Pastaj Migjeni vijon: “Nji cilsi të fëmive jo të lavdrueshme në pikëpamje të formimit të karakterit, kjo asht pretenza të padisin shoqishojnë për asgjesend” dhe tregon se kundër këtij “korupcioni fëminuer, personeli mësimuer ka veprue me sukses”.

Në mbyllje të informacionit të tij, Migjeni shënon se, për të pasë sukses në këtë punë, kërkohen mjete mësimi me numër të mjaftueshëm dhe të tërhiqen fëmijë në shkollën e Vrakës dhe nga katundet Shtoj i Ri e Shtoj i Vjetër:  “e në këtë mënyrë, ky ndërlikim gjuhe dhe mentaliteti kish me ba të veden”. Gjithashtu, propozon se duhet ” një ndërtesë ma e madhe dhe me vend ma të përshtatshëm”.

(AQSH i RSH,Fondi MA, 1934, D.131, f.118-119 )

5.

Me shkresën nr.20, datë 8 qershor l934, mësuesi  Millosh Nikolla e informon Inspektorinë e Arsimit në Shkodër, nga shkolla e Vrakës ku shërbente,për nxënësit e klasave të ndryshme. Kështu, në klasën e parë: regjistruar – 77, të rregullt-27, kaluan-l0; në klasën e dytë: l9-6-4; në klasën e tretë: l3-7-4; në klasën e katërt: 11-1,-,-; në klasën e pestë: l5-5-5. Aty shënon se: në klasën e parë ishte mësuese Sofije Kushi, në klasën e dytë- Dhimitër Kushi e në të tjerat- M.Nikolla: ” puna e të cilit- në përdorimin e sa ma të haptë të gjuhës shtetnore nga ana e nxansvet- asht përfundue me sukses”.

Po në këtë shkresë, M.Nikolla (Migjeni) tregon se regjistrimet janë bërë më l8 shtator dhe mësimet filluan më 25 shtator l933. Në pikën 1 ankohet për zvogëlimin e numrit të nxënësve, nga shkaku i shpërnguljes së prindërve në Jugosllavi. Ndërsa në pikën 6 shënon: “Gjendja e ndërtesës nuk asht e pëlqyeshme”. Kërkon të ketë dhe mjete mësimi, që mungojnë.Në fund shënon se për “javën e drunit” janë hapur gopa, por kanë mbetur ashtu, pasi nuk janë dërguar fidanët e kërkuar!…

( AQSH i RSH, MA, l934, D.131, f.120-121 )

Shënimi im:Këto dokumente, pa ndonjë koment të veçantë, për jetën dhe veprën e mësuesit dhe Poetit tonë të madh Kombëtar, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), kur ai ishte mësues në Vrakë të Shkodrës, i kam nxjerrë vite më parë, nga Arkivi Qendror Shtetëror i RSH-së, për përdorim vetjak. Siç e shihet, sipas rregullave arkivore të asaj kohe, vetëm një pjesë e origjinalit është venë në thonjza. Pjesa tjetër është sqaruar nga ana ime, duke i qëndruar saktësisht përmbajtjes së origjinalit të dokumentit.

Tiranë, 20 gusht 2013(Bust i Millosh Gjergj Nikollës-Migjeni (13 tetor 1911-26 gusht 1938)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dokumente arkivore, mesues ne Vrake, per Migjenin

TETE VITET E VESHTIRA TE SHTETIT SHQIPTAR

August 20, 2013 by dgreca

*Romani  “Drithërimat e katërmbëdhjetës “ i autorit Manxhar Taka,ndricon nje perjudhe te erret te Historise Kombetare/

* Shteti grek,nëpërmjet falangave të krimit  pa u tërhequr të tëra trupat greke të pushtimit , krijuan një manovër politike , duke  sajuar shtetin monstër të Vorio Epirit, më në krye  lunxhotin  Zografo , mbështetur nga ushtarakë dhe banditë profesionistë, kryesuar nga kapiteni  himariot Spiromilo .

Shkruan: ILLO FOTO/ New York/

Këto ditë , dolli nga botimi , romani historik  “Drithërimat e katërmbëdhjetës “ i autorit  Manxhar Taka , shqiptaroamerikan , me banim në Bronx –NY.  Botusi është “ KUMI” , në Tiranë .

Vitet , pas pavarësisë së Shqipërisë dhe pikërisht viti  katërmbëdhjetë , përbëjnë një  periudhë të errët dhe shumë dramatike , të shtetit të sapokrijuar , nga Heroi Kombetar, diplomati  Ismail Qemali . Janë 8 vite të vështira të shtetit shqiptar.   Kufijtë zyrtarë , përcaktuar nga Konferenca e ambasadorve ,përmblidhin brënda tyre më pak se gjysma e territorit të banuar me popullsi autoktone shqiptare . Kosova dhe Çamërija, që janë palca e kombit, mbetën nën Serbinë dhe Greqinë , por fqinjët ballkanikë  e donin të tërë Shqipërinë .

Shteti grek,nëpërmjet falangave të krimit  pa u tërhequr të tëra trupat greke të pushtimit , krijuan një manovër politike , duke  sajuar shtetin monstër të Vorio Epirit , më në krye  lunxhotin  Zografo , mbështetur nga ushtarakë dhe banditë profesionistë , kryesuar nga kapiteni  himariot Spiromilo .

Tradhtarët shqiptarë , nën rason e kishës ortodokse organizuan në Gjirokastër , kongresin , për shpalljen e shtetit të sajuar .  Përfaqësusit të Labërisë ,  e kundërshtuan kongresin . Argumenti i tyre ishte bindës : “ Ne e kemi shtetin . Është ai që themeloi Ismail Beu . Të punojmë , të tërë bashkë , që ky shtet të forcohet dhe të lulëzoi . Nuk na duhet shtet brënda shtetit “ . Këto tha Sulo Beqiri , perfaqesuesi i fshatit Golem , në kongresin epirot  famkeq të Gjirokastres , në muajt e pare te vitit 1914. Ortodoksët e jugut të Shqipërisë , që ata i quajnë Vorio Epir dhe vëndësit grekër  , janë historikisht shqiptarë , në trojet e tyre , madje janë shqiptarë , që i janë përkushtuar kombit , në kohët më të vështira të jetës . Këto janë zona, ku kanë  lindur , jetuar dhe punuar  burra  mëmëdhetarë , si Petro Poga ,  Koto Hoxhi , Pandeli Sotiri , Gravil Meksi , Vangjel Zhapa  Andon Zako, Ilia Dilo Sheperi  dhe mijra të tjerë, patriotë  me eshtër, që kombi i ka vendosur në altar.

Shqiptarët e Kongresit të Gjirokastrës dhe të ashtuquajturit  qeverritarë të Vori Epirit , ishin  llumi i shoqërisë të krahinave ortodokse të  jugut . Ata e krijuan qeverrinë tradhtare , perfaqesuese te shtetit fantazme te Vorio Epiritpor që pretendohej te ishte prej qafës se Llogorase e deri ne veri te qytetit te Korces, ne Maliq dhe ndërmorën ekspeditën e çmëndur , për të nënështruar me armë rajonet e Korcës, Kolonjës, Permetit, Gjirokastrës, Sarandës dhe malësinë e Labërisë , që fillon në Kardhiq dhe mbaron në Lumin e Vlorës , që quhet shkurt krahina e Kurveleshit. Labërija u pushtua me një luftë të ashpër , midis  fshatarësisë së vëndit dhe forcave qeverritare greke  të trainuara  dhe  të drejtuar nga ushtarakë të mësuar në akademira  të shquara të kohës . Nuk bëhej fjalë as për  afërsi numerike. Vullnetarët lebër ,  si aleat të pa mposhtur , kishin  popullin e krahinës, me armë të thjeshta  dhe terenin , ku kishin lindur  dhe  e njifnin me pëllëmbë . Cdo pushtues i huaj e kishte pasur të vështirë ose te pa mundur për te kaluar qafat e Rehovës dhe te Kaparjelit.

Lufta e ashpër vazhdoi , për jetë a vdekje . Armiku e theu frontin lab dhe te gjithe Shqiperise se Jugut me humbje të  mëdha në njerëz , armatim dhe veçanërisht në moral .  Ushtrija mbretërore greke , nën flamurin e rreckosur të shtetit Vorio Epir, hyri në zonën e Kurvelishit dhe kreu reprezaljen më të madhe , që kishte ndodhur ndonjëherë në këtë krahinë rebele . Popullsia u shpërngul  , drejt veriut shqiptar , drejt Vlorës; u bënë muhaxhirë . Forcat vullnetare ,  nëpër maja malesh,  i mbronin  karvanet e gjata , që mundën t’i largoheshin ballafaqimit me andartët grekë , që   në armatimin e tyre kishin thikën . Thika e andartit grek  është mizore  . Janë me mijra njerëz të  shkuar nën thikën greke . Greku nuk e ka pas quajtur fitoren , po qe se nuk kalon mbi kufoma grash dhe fëmijësh të therur . Këtë makrabitet kombëtar grek , më shumë se kushdo e provoi Panariti, Permeti , Labërija shqiptare dhe 30 vite më von edhe Çamërija .

Eksodi i Labërisë dhe gjithe jugut te Shqiperise, drejt Vlorës ishte biblik . Ai u pasua nga eksodi çam dhe , nga ai Kosovar . Të tëra pjesët e terrorizuara , kanë udhtuar drejt gjirit të nënës , drejt Shqipërise kontinentale . Eksodi i banorëve te jugut të Shqiperisë u ndesh me një eveniment historik , negativ sa dhe vetë eksodi . Turmat e Haxhi Qamilit mësynin , drejt jugut . Shqipërija përjetoi kaosin më të madh , që njifet .

Në krah të vullnetarve labë u ndodhën çetat Patriotike të   Çerçizit  dhe Selam Musait . Në mbështetje llogjistike  të luftës labe u ndodh garnizoni i policisë hollandezë , që kishte ardhur , për formimin e xhandërmarisë shqiptare. Mbreti i shqiptarve , princi gjerman Vidi , i vizitoi muhaxhirët  në Vlorë dhe i përgëzoi , për trimërinë e treguar, në mbrojtje të shtetit Shqiptar . Bilanci i kësaj lufte të pabarabartë ishte tragjik : U vranë 7 mijë burra , gra dhe fëmijë, u rrafshun 7 mijë shtëpi dhe 192 fshatra dhe u perzune me dhune prej vendbanimeve te tyre mbi 100 mije njerez te pafajshëm.  Nuk besoj se gjëndet gjykatës , që këtë katastrofë , mos ta emëroi genocid të pastër .

Kjo është pjesa e historisë , që autori Manxhar Taka e ka vënë në qendër të romanit, por gjithashtu me nje stil mjaft terheqes dhe ne menyre te besueshme, autori, përmes ketyre ngjarjeve tragjike shtjellon edhe fatin e familjes se Nimet Bejkos. Familja Bejko nuk është e ndarë nga fati i fshatit , krahinës dhe Shqipërisë . Vetë familja golemase , është Labërija kryengritëse dhe qëndrestare , ndaj një armiku  shekullor dhe të  pa ngopur me gjak njeriu .  Mjeshtërija e autorit , qëndron në faktin e thjeshtë , që na i jep të plotë kuadrin historik  dhe familja Bejko mbetet illustrim i ngjarjeve historike . Kjo familje , ka ndjekur të tëra eventet njerëzore : ka martuar djalin e vetëm , Zamirin , në zjarrin e luftës . Kryefamiljari , la stanin dhe rrëmbeu armën , duke u bërë efektiv i ushtrisë vullnetare .  Plaka e shtëpisë , Leme  , u trasportua kalapiç , në exodin , drejt Vlores . Nusja , Jerina , u përdhunua nga dy andartë , por arriti të vijonte jetën bashkëshortore . Fëmijën e parë , e lindi në exod dhe të dytin , me emrin kuptimplot Lirim , e lindi , kur u kthyen në fshatin e shkrumbosur, por të lirë .

Ne , si lexus, duke ndjekur jetën 2 vjeçare të familjes , Bejko , kemi ndjekur dhe etapat e luftës , të trajtuar mjeshtërisht nga autori . Personat historikë janë të emërtuar me emrat realë : Zografo , Spiromilo, Çerçiz Topulli , Hasan Xhiku , Princ Vidi, Haxhi Qamili  etj . Bëmat e tyre janë të pa prekura . Ata lëvizin në roman , me autoritetin dhe prestigjin , që u siguron emri historik  .

Nj nga personazhet e spikatura te romanit, është  Sulo Beqiri, nje luftetar nga Golemi, ky burrë me çika , qe përfaqësoi Labërinë në Kongresin famkeq të voriepirotve në Gjirokastër, personifikon inteligjencën dhe  atdhetarizmin e krahinës dhe më gjerë .

Po the Sulo Beqiri , ke thënë të tëra , që lidhen me luftën e pa barabartë , por heroike të Labërise , ndaj një pushtusi  të pa ekuilibruar mendërisht . Mizoritë  e andartve grekë , brezat ja kanë përcjellë , më shumë vërtetësi njeri tjetrit . E kam në sy portretin e Sulos , ashtu siç e ka përshkruar Manxhar Taka , kush nuk e parafytyron , le të shofi statujën e Çërçizit , në Gjirokastër . Natyrisht nuk mjafton vetëm pamja e jashtme . Botën e brëndshme dhe veprimtarinë e tij heroike , na i ka përshkruar me detaje dhe besnikërisht autori i romanit  .

Nuk kam lexuar ndonjë roman tjetër , që ta ketë prekur qofte edhe tagent , këtë kënd të errët të historisë tonë , po ashtu edhe ndonjë veper tjeter e gjinive te tjera artistike . Pse ka ngelur e errët kjo periudhë historike ?   Grekve nuk u ka interesuar ta ekspozonin , këtë histori vrastare . Shqiptarët u frenuan nga prononcimi i Enver Hoxhës , për dy protogonistë të kësaj periudhe . Mjaftoi , që Enveri e cilësoi Princ Vidin, lojë të fuqive të mëdha , kundër pavarësisë të shqipërisë dhe Haxhi Qamilin , përfaqësus të fshatarësisë , kundër regjimit . Këto vlerësime  të pa vërteta , larguan historianët dhe letrarët nga ky problem i rëndësishëm historik , për vërtetësinë e të cilit, duhet të jenë të interesuar dhe grekrit modernë , që kanë këputur lidhjet me të kaluarën e errët shoviniste –kriminale .

Disa vite më parë ,  bisedoja me ish mësusin e fshatit , Hormovë , ku ka ndodhur masakra e  katërmbëdhjetës . Ai ishte miku im , Dhimo Hila,  që  më tregonte se u kish dhënë hartim të lirë nxënsve të klasës   shtatë. Njeri prej hartimeve ishte shkruar kështu : Bota e gjallë përbëhet nga 4 Klasa  biollogjike : Shoqëërija njerzore , kafshët shtëpijake , kafshët e pyllit dhe klasa e andartëvë grekë . Natyrisht e vlerësova shëlqyshëm , më tregonte  mësusi Dhimo .

Memoria historike funksionon . Historija , sado , që të tjetërsohet, do ta gjejë guri vëndin . Për të vërtetën historike janë të interesuar brezat e të tërë popujve , qofshin viktima dhe agresorë . Të vërtetës historike i shërben romani i bukur i M. Takës . Organet shtetërore dhe shkencore , kryesisht ato albanologe , lipset ta shofin me  vëmëndje  romanin e Takës dhe të gjejnë mundësinë e botimit të tij , në gjuhën greke dhe angleze . Megjithse është romani i parë i autorit , mjafton , që Manxhar Taka , të quhet romancier . Këtë fjalë duhet ta thotë kritika jonë .

E kaluara  historike , nuk i pengon popujt shqiptar dhe grek  , që të gjejnë gjuhën e paqes dhe të bashkëppunimit , në një fqinjësi vëllazërore. Të tërë fqinjët e Ballkanit kanë episode tragjike , të së kaluarës . Jetojmë një shekull pasi kanë ndodhur këto ngjarje historike , sado makabre qofshin . Kemi nevojë të  gjejmë     mënyra , për t’i anashkaluar , në shërbim të bashkëpunimit të ngushtë ekonomik dhe kulturor ; gjë që e kanë realizuar mirë qeverritë greke dhe ato  shqiptare postkomuniste.  Qeverrija  shqiptare e zgjedhur , ka dekllaruar botërisht  se Greqija është aleat strategjik.  Është zgjidhja e duhur  dhe në kohën e duhur , për të arthmen e  përbashkët europjane të vëndevet tona fqinje  .

Illo Foto / Studjus në NY – 12 gusht 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Dritherima e katermbedhjetes, Illo Foto, manxhar taka

Populli shqipëtar në zgrip

August 20, 2013 by dgreca

Nëse unë e kritikoj një mohues të kombit ,unë po e rëndojkna papunësinë? Ku ka llogjikë,kjo akuzë ? Nese unë si historian i demaskoj mbrapështitë turke ,serbe,greke; me këte  si mund ta rendoj çështjen  tonë sociale? Gabim je or djalë?Mendo më drejtë , mendo shqip! (f.xh)/

Shkruan:Fahri XHARRA/

Populli shqipëtar në zgrip; po përsëritet e keqja . “Në fund të shekullit te 19-të kur na u dobsua Turqija,(dhe mbetem përfundimisht nën Serbi ) shkune disa fshatar te pleqnari Xhemajl Abrija dhe e pyten? Xhemajl Aga… Po na pysin per regjistrim ” A jeni Shqiptar a musliman” e nuk po dime si me u pergjigj! Shkrunu kurrkusha ju tha Xhemajl aga.. Si bre kurrkusha i than fshataret!
-Po, kur nuk e dini se c’ka jeni ,ma mire me u shkru si kurrkusha.”

Buza e një gremine dhe  i një shkëbi të thepisur quhet :Zgrip . A jemi  ne në zgrip?

Çfarë absurdi i llojit të vet , ka filluar të promovohet nje komb i ri  që disa po e quajnë veten ” Osmanlli ” .Çudia e madhe se , Skenderbeu dhe lufta e tij po perpiqet te cilësohet si ” Lufte Fetare ” nga disa hoxhallarë duke  i cituar disa historianë dhe sipas tyre kjo na qenka ” e verteta ”. Kësaj i thonë :”Te mohosh veten” .Feja duhet ti sherben kombit , shtetit , atje ku vepron . Askush nuk eshte kunder Fese, por nuk duhet të lejohet që të behet instrumentalizimi dhe as politizimi i saj ! Kjo është e papranueshme ! Nese ciliido, personalitet fetar i cilesdo Fe nuk është edhe Kombetar , atëherë ata me apo edhe pa vetedijen e tyre janë kundër vetes , e edhe kunder fesë . !(A.Hoti)

Zgripi i humnerës kombëtare është shumë afër. Zgripi është pika e fundit,fundi, mbarimi i diçkaje Sa jemi ne në zgrip? Kush është vënë në krahun antikombëtar duke gdhendur (grryer) në trupin e etnisë së vet në emër të Islamit. Ku i kemi hoxhallaret atdhetar, të cilët duhet të jenë të parët që t’u kundërvihen këtyre fundrrinave të shitura për ca para e salltanete që ua ofrojnë sektet ekstreme islame arabo-turke?!… Këta e shfrytzojnë gjendjën anarkike në Kosovë për t’i mberri qëllimet e tyre të errëta në dëm të kombit shqiptar.(DIG)

A duhet të flasim nga froni, fron ky që e braktisëm me shekuj, a duhet të flasim nga malli  për zërin tonë burimor shqiptar?

“Në qendër të kacafytjes (një fjalë disi më e saktë në këtë rast), ishte Gjergj Kastrioti, por, siç ndodhte shpesh me zotin Gjergj K., kur hynte në skenë, gjithë çështjet madhore të kombit shqiptar, Rilindja, gjuha shqipe, zanafilla ilire e shqiptarëve, raportet e mitit me historinë, vetë çmitizimi dhe mitet e rrejshme shqiptare, do të ndërlikoheshin rreth tij.  Dy grupimet që do të ndesheshin, “albanologët e rinj”, ose rimohuesit, siç u quajtën shkurt, dhe kombëtaristët, kundërshtarët e tyre, do të përdornin kundër njëri-tjetrit gjithë minierat e gjuhës shqipe, çka do të ishte një festë për përpiluesit e fjalorëve, nëse ende kishte të tillë.Thënja “patriotizmi, streha më e fundit e horrave”, ishte ajo që, më shumë se çdo tjetër, do të përdorej në kronikën shqiptare.(I.Kadare)

Por strehsat nuk po dorëzohen lehtë. Ata e kanë kuptuar se do të ishte më mirë të përdorin më pak sharje e më shumë logjikë. Kështu, në vend që të kuptojnë se po e trondisin botën, duke shpallur se sa skandaloze ishte amësia ose atësia e rreme e jonë,po vehen në zhbirimin e ca dokumenteve  dhe ca hartave të ca arkivave, me ngulm të vërtetojnë osmanitetin tonë. Zgripi moral ,historik dhe identitar i një kombi të lashtë.

Edhe rusët paskan ”hise” në tokat e Kosovës .” Me marrjen e tokave serbe , me marrjen e krahinës së Kosovës dhe Metohisë, nacionalistët shqipëtar i rrëmbyen edhe disa pjesë tokeje të Rusisë në Kosmet. Kisha ortodokse ruse , në t`ashtuquajturën Kosovën e pavarur i ka në pronësi disa kisha ,pasuri kishtare dhe disa fshatra të cilat rusëve në shekullin e mesëm iu paskën falë serbët. Këte e vërteton urdhëri i Car Lazarit të cilin e kishte nënshktuar ai në vitin 1380.( Rusi imaju zemlju na Kosmetu , V.Novosti 18,08,13 Beograd).” Zgripci tëhollohet dhe bëhet edhe më i lehtë për rënje në humnerë.

Po as Rusia e as kisha ortodokse ruse nuk kanë egsistuar në vitët 130,1381. Por sidoqoftë, serbet flasin e ne mirremi me luftërat në Siri dhe Egjypt.

” Në brigjet e Bosforit ,jetojnë bile 3 milion njerëz me prejardhje nga këto anë (serbia fxh) ,të cilët në menyrë nëncmuese (pezhorative) i kemi quajtur ” poturice”. Sigurisht që nuk ishte fjala për migracion klasik ,por për emigracionin e të shpërngulurve të fesë muslimane memera turk  i cili ka zgjatur me shekuj,por që të cilët janë ngusht të lidhur metokën e stëgjyshërve të tyre (Веровали или не: У Турској живи девет милиона Срба!)

Mos po iu duket kjo një lojë serbo-turke në mohimin e etnisë së 7 milion shqiptarëve në Turqi ( Sipas serbëve 9 milon serb) ? Loja e ardhshme është kërkimi i pronave në Kosovë, nga shqiptarët (serbet) e shperngulur në Turqi.

Pra ,në vend se të shkojmë në Libi , Siri , Egjypt  të shikojmë më shumë për zgripin tonë të cilin po na e gëdhendin dhe pergadisin.

Hani , ju hani! Hani e mos u ngopshi ! (fxh)/

19.08.13, Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, shqiperia ne zgrip

Një grua si Sara PANARITI, bashkeshortja e editorit 20 vjecar te Gazetes DIELLI

August 20, 2013 by dgreca

Sara Panariti/ Gruaja që i dha jetë bibliotekës së “Vatrës”. Dorëshkrimet e Konicës dhe kujtimet për Nolin/

Ajo quhej Sara. Në janarin e vitit 1952, ajo do të kalonte orë të tëra duke sistemuar bibliotekën e madhe të të shoqit, në zyrën e federatës panshqiptare “Vatra”. Sara, një grua që i kishte dashur gjithnjë librat, nuk e mendonte se sëmundja e të shoqit, Qerim Panariti (ai ishte shtruar në spital), do ta fuste atë drejt një bote që do ta joshte përmes letrash. Në morinë e librave që po sistemonte në bibliotekën e madhe të “Vatrës”, ajo u ndal në dorëshkrimet e Faik Konicës, të cilat ishin ashtu siç ai i kishte lënë në studion e tij para vdekjes. Një mori letrash, të cilat Sara kërkonte t’u gjente fundin, duke rendur mes fjalëve për të zbuluar të gjithë historinë. “Në janar të vitit 1952 unë isha i shtruar në spital për një operacion të lehtë. Në këtë kohë më zëvendësonte në zyrë gruaja ime, Sara, e cila në kohën e lirë filloi të ndante veç e veç dhe t’i klasifikonte shkrimet e ndryshme të Konicës, të shkruara në shumë gjuhë. Gjatë kësaj pune ajo zbuloi këtë dorëshkrim, e lexoi dhe kaq shumë e bëri për vete stili dhe përmbajtja e materialit sa erdhi drejt e në spital, tërë entuziazëm, të më mbushte mendjen ta jepja për botim”, do të kujtonte më vonë Qerim Panariti. Dorëshkrimi që Sara zbuloi, do të ishte dhe libri që do të shënjonte prozën e parë moderne shqiptare, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.

Kur Panariti do të lexonte dorëshkrimin që Sara ia solli me një frymë në spital, do të kuptonte se ai nuk ishte një shënim i thjeshtë, por një libër të cilin Konica e kishte shkruar me shumë kujdes. “Më vonë e lexova edhe unë vetë dorëshkrimin, më pëlqeu dhe menjëherë vendosa të mos e lija të shkonte dëm kjo punë me vlerë, pa marrë parasysh sa duhej bërë për përgatitjen e tij. Pasi e lexova dorëshkrimin, e kuptova se nuk ishte material i mjaftueshëm për ta justifikuar botimin e tij si një histori të Shqipërisë. Prandaj i hyra punës dhe me ndihmën e sime shoqeje, i zgjerova kapitujt e plotë në një seri prej dhjetë esesh, që dolën të shkruara me një stil të këndshëm e vetjak. Meqë nuk donim të largoheshim nga stili i përpiktë dhe i këndshëm i Konicës, ne gjendeshim në një rrugë pa krye, kur duheshin plotësuar disa zbrazëti aty-këtu. Në shumicën e rasteve ia gjetëm fillin kësaj pune, duke e plotësuar materialin me pjesë nga shënimet dhe fjalimet e autorit ose duke ndjekur me kujdes pikat e referimit. Në shumë vende dilte e nevojshme të shtoheshin pjesë të reja, të cilat tregohen në shënimet në fund të faqeve. Më në fund unë kam përfshirë në shtojcë edhe një nga pamfletet e Konicës, sepse përmban material të vlefshëm për historinë e Shqipërisë”, kujton Panariti. Sara do të merrte përsipër daktilografimin e shënimeve të Konicës, të cilat nuk ishin të lehta, duke i ngjitur pjesë shënimesh, duke kontrolluar referimet, dhe mbi të gjitha, duke u treguar si një nga kritikët më të rreptë. E dashuruar pas librave, Sara do të bëhet një nga kontribuueset më të denja të ruajtjes së arkivit të pasur të “Vatrës”, me të cilën do të punonte deri pak kohë më parë kur u nda nga jeta.

Në memorien e Sarës nuk ishin vetëm librat që gjeti në atë bibliotekë, por dhe personazhe të ndryshme të rëndësishme të historisë shqiptare, që i takoi në ato zyra, apo përkrah të shoqit, Qerimit. Një ndër këto personazhe ishte edhe Fan Noli. “Nuk e njihja peshkop Nolin derisa u martova. Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Burri im ishte mik shumë i mirë i tij dhe ata kishin lidhje të ngushta. Zyra e ‘Vatrës’ ndodhej në Huntington Avenue në Boston dhe apartamenti i peshkopit ishte pranë saj në Blagden Street, kështu që ai e vizitonte shpesh Fan Nolin. Apartamenti i tij ishte shumë i hallakatur dhe i mobiluar thjesht, shumë pak mobilie, por shumë libra”, do të rrëfente ajo kohë më parë në një bisedë me studiuesin e Nolit, Nasho Jorgaqi. Sara tregonte se Noli i vizitonte dy herë në vit. “Ai e kishte të vështirë të ngjiste shkallët, sepse çalonte pak dhe e kishte akoma më të vështirë të zbriste. Fakti që ai dhe burri im ishin aq miq, ishte shumë e çuditshme, sepse burri im ishte mysliman, megjithatë, ai ishte shumë i afërt dhe i devotshëm ndaj peshkopit. Ai e çmonte aq shumë peshkopin sa, edhe pse ishte mysliman, shkonte shpesh në kishë”, tregonte ajo. Noli do të vlerësonte temperamentin dhe pasionin e gruas për t’u përfshirë në biseda. “Gruaja jote ka karakter të këndshëm”, do t’i thoshte Noli gjatë një takimi me humor Qerimit. “Peshkop Noli kishte sens të shkëlqyer humori. Duke e ngacmuar burrin tim, i thoshte: Pse nuk bëhesh prift? Do të ishe prift i mirë dhe gruaja jote ka karakter të këndshëm, kështu që do të bëhej priftëreshë e mirë”, tregonte ajo. Kjo grua ndihej me fat që kishte mundur të ishte aq pranë njerëzve që kishin kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare. Që në takimet e para me Qerimin, burrin e saj të ardhshëm, ajo e kishte ndier pasionin e madh të këtij njeriu për atdheun e tij. Kthimet e tij të vona në shtëpi, pas punës në gazetën “Dielli”, do të kuptoheshin lehtë nga gruaja, e cila e dinte se sa shumë vlenin rreshtat e shkruara në shqip në atë gazetë në SHBA. “Im shoq dhe Noli kishin shumë gjëra të përbashkëta. Qëllimi i tyre mbizotërues ishte përkushtimi ndaj çështjes shqiptare, nacionalizmit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Që të dy ishin të interesuar për shtimin e koleksionit të literaturës shqiptare, sepse kur erdhën shqiptarët në fillim në Amerikë, nuk kishte asgjë. Peshkop Noli përktheu shumë libra, mes të tjerash Shekspirin dhe ‘Rubairat’ e Omar Khajamit. Ai shkroi ‘Historinë e Skënderbeut’ në shqip dhe në anglisht dhe përktheu shumë poezi origjinale; shkroi edhe shumë pjesë liturgjike. Përmes përpjekjeve të burrit tim dhe të shoqërisë ‘Vatra’ u organizua një banket dhe të ardhurat iu dhanë peshkopit, që t’i përdorte për botimin e librit ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’. Libri për Skënderbeun u botua nga ‘Vatra’, kur burri im ishte botues i ‘Diellit’”, do të tregonte ajo për Jorgaqin. Duke iu referuar bisedave me të shoqin, ajo thotë se Noli shkoi në Harvard, sepse vendosi të krijonte një bazë të mirë në anglisht, me qëllim që të kryente atë punë që donte të bënte. “Fan Noli mund t’ia dilte në të dyja botët. Shumë herë anëtarë të klerit të huaj ose gazeta të huaja mund të funksionojnë vetëm në gjuhën e tyre, por peshkop Noli dhe burri im mund t’ia dilnin po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare.
Noli zbulohet si talent i aktrimit dhe notar.
Fan Noli kishte aftësi dramatike dhe ndoshta mund të ishte bërë aktor shumë i mirë. Grupi teatral ku kishte marrë pjesë u shpërnda, pasi mbeti në mes të katër rrugëve në Egjipt, pa para. Ai duhet të ketë pasur aftësi dramatike, ndryshe nuk do të mund të mbante të mbërthyer për një kohë aq të gjatë ata që e dëgjonin. Ishte shumë tërheqës, kur fliste ai, ti e dëgjoje”, kujton Sara. Disa herë ajo ndiqte shërbesat e kishës vetëm për të dëgjuar zërin e tij, sepse duke mos qenë shqiptare, nuk e kuptonte gjuhën.
“Kur flisnin me njëri-tjetrin, im shoq, Qerimi dhe Noli, bisedat e tyre kalonin nga filozofia te letërsia, nga arti te historia, por subjekti për të cilin flisnin më shumë ishte Shqipëria dhe problemet e saj. Fan Noli ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Por nuk flisnin ndonjëherë për sportin, edhe pse burri më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm. Megjithatë, ai nuk kishte shumë kohë për gjëra si këto, sepse vazhdimisht lexonte, studionte dhe krijonte diçka. Kjo ishte e mrekullueshme! Noli kënaqej me piknikët e shqiptarëve të diasporës.
Peshkopi kënaqej kur shkonte në piknikët e shqiptarëve, ku do të ulej e të rrinte me anëtarët e rëndësishëm të kishës. Ai ishte vegjetarian dhe pëlqente frutat, kështu që në këta piknikë do të gjendej gjithmonë një shportë me fruta për të”, kujtonte Sara. Një tjetër pasion i Nolit sipas saj ishte muzika. Atij i ishte bërë zakon që çdo të premte të shkonte në një koncert simfonik. Sara, kjo grua, dhe pse nuk ishte shqiptare, gjatë gjithë jetës së saj u ndie si e tillë… Duart e saj ndihen në çdo libër a dorëshkrim që kaloi në zyrat e “Vatrës”.(Kortezi gazeta Shqip)

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: nje grua si ajo, Sara Panariti

DETINA ZALLI, VAJZA QË E PËRZGJODHI HARVARDI PËR KËRKUSE SHKENCORE DHE PEDAGOGE TË BIOLOGJISË MOLEKULARE

August 20, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

 * Historia e Shkencëtares 26 vjecare,Detina Zalli,që kapërceu racizmin  e bashkemoshaterve angleze ne shkollen publike si një e fëmije emigrantësh dhe ngjiti shkallët e dijes me një shpejtësi të pazakontë./

* Si nisi ëndrra e Harvardit, si një lojë dhe u kthye në një garë të ethshme, ku ajo u shpall fituese mes një grupi të madh nga e gjithë bota, që e kërkonte atë vend?/

* Dy motrat binjake, doktore të Shkencave, Detina në degën e biologjisë molekulare, ndërsa Argita në atë  të Imunologjisë/

*Në shtator shkencëtarja e re do të nisë të provojë edhe një fushë të re, atë të pedagoges. Ajo do t’u japë studentëve të mjekësisë lëndën “Facial Anatomy Development and Genetics”.

               Nga Detina Zalli pata marrë një përshëndetje me shkrim kur ajo pat ardhë  në Universitetin emërmadh të Harvardit në Boston për doktoraturën në Biologji molekulare. Ndërmjetëse e lidhjes ishte Aurora Karameti Ndrio, vajze nga Lushnaj, e bija e Zoi Ndrios. Deti, sic e thërrasin shkurt, më shkruante se do të vinte në Nju Jork dhe se mund të takoheshim.Takimi i atëhershëm nuk u realizua, edhe për shkak të shëndetit tim.Prezantimi i Detinës ishte fare i shkurtër:”Edhe unë si ju jam nga Lushnja. Në fakt babai im është nga Bubullima e Lushnjës, por unë kam lindur në Patos-Fier dhe jam larguar andej në vitin 1999 së bashku me prindërit dhe motrën binjake, Argitën. Jam përzgjedhur përmes konkursit që të realizoj doktoraturën për Biologji Molekulare në Harvard”.

  Kur mësova nga Vera Mjeku se Detina Zalli ishte përzgjedhur si një nga kandidatet e Albanian-American Success sotories”, natyrisht që më erdhi mire dhe mendova se ishte koha për të shkruar për të.U lidha me Detinën për të mësuar historinë e jetës së saj për  t’ua përcjell lexuesëve bashkombas. Lexojeni, ia vlen. Është një histori me të papritura, tamam si në përralla. Familja Zalli është nisur si qindra e mijëra familje të tjera shqiptare në rrugët e panjohura dhe pa destinacion të paracaktuar të refugjatëve.

                    ***

    Histori e dy motrave binjake nga qyteti i Fierit është sa e vecantë aq dhe  me të papritura. Janë fëmijë të prindërve emigrantë që ia nisën aventurës drejt shtetit britanik me para të marra borxh dhe në një rrugë me shumë të papritura.Iu premtua rrugëtimi me avion, por përfunduan si thasë sipër një mauneje.

Ishte vitit 1999. Qëndrimi në Fier ishte bërë i pamundur. Prindërit vendosën që të emigronin. Po ku? Aso kohe flitej shumë për Anglinë e cila krahas Amerikës ishte një nga mbështetëset potenciale të luftës në Kosovë. Vetë kryeministri Tony Blair qe shprehur se “ duhet të korrigjojmë historinë në marrdhëniet e Evropës me kombin shqiptar.”

    … Dhe familja Zalli vendosi që të nisej drejt Anglisë. Grupet e “bizneshit” të trafikut kishin krijuar zinxhirin e zgjatur që niste nga Shqipëria dhe kalonte nëpër shtete të Evropës, e zgjatej deri në Anglinë e largët. Duheshin para. Shumicën e shumës familaj Zalli u detyrua që t’i merrte borxh. U premtuan për të shkuar në Londër shumë shpejt me aeroplan, por pastaj përfunduan sipër një mauneje, ilegalisht.Pas një udhëtimi raskapitës prej 8 ditësh e tetë netësh arritën.

-Kur e kujtoj atë udhëtim, më dridhet trupi, shprehet Detina në një rrëfim për gazetën Dielli.

  Ajo dhe motra binajke, Argita, ishin fëmijë 11 vjecarë dhe rrugëtimi i vështirë në një makinë të mbuluar ku të zihej fryma ishte një aventurë e dhimbshme, por kishet dhe më keq. Qindra e mijëra familje kishin udhëtuar në kushte më më vështira, madje jo pak patën humbur dhe jetën.(Lexojeni te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: argita, dalip greca, Detina, dy motrat Zalli, harvardi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT