• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Pse Nikoliç “ndihëmon” për bashkimin e shqiptarëve?!

August 19, 2013 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian.

“Serbinë tash e pret një periudhë e zhvillimit dhe prosperitetit, gjendemi në rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe jemi këmbëngulës që të mos e pranojmë pavarësinë e Kosovës, saqë jemi të gatshëm ta rrezikojmë atë rrugë, e cila është ardhmëria jonë, por ekziston diçka që quhet krenari”, tha Tomisllav Nikolliq, gjatë takimit të sotëm në Beograd, me presidentin e fondacionit “Barack H. Obama”, Abongo Malim Obama.

Ky ishte lajmi i të shtunës dhe të dielës. Po a është dhe a do të mbetet një lajm i ri, fakti që Nikoliç refuzon kategorisht njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur e sovran? Një retrospektivë e zhvillimit të ngjarjeve prej më shumë se njëzet vitesh na njeh me faktin se të gjithë presidentët e kryeministrat e Serbisë, të gjithë shefat e diplomacisë së saj, të gjithë krerët e Kishës Ortodokse Serbe, të gjithë emrat prominentë të Alkademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit, pa përmendur çetnikët e të gjitha kohërave dhe rrymave, kanë refuzuar të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Këtë e ka bërë edhe Milosheviçi, edhe Koshtunica, edhe Tadiç, po e bën Nikoliç, pasuesi i Vojisllav Koshtunicës, i cili me platformën e tij antishqiptare të vitit 1995 rekomantonte shfarosjen e shqiptarëve përmes shpërnguljes, ushtrimit ekstrem të dhunës, deri edhe të infektimit të tyre me virusin e SIDE-s. Pra, shqiptarët janë mësuar me çmendurinë politike, ushtarake, paramilitare, policore, barrikaduese, shkatërruese e asgjësuese të Serbisë, çmenduri, të cilën e shohim çdo ditë të na shfaqet në veriun e Mitrovicës e kudo ku serbët kanë mundësi ta shfaqin.

Por ajo që bën përshtypje në këtë rast është se deklarata e presidentit të Serbisë i drejtohet vëllait të Barak Obamës, Abongo Malim Obama. Kjo i jep një dimension të ri konceptit revanshist të Serbisë për Kosovën. Kjo do të thotë se Nikoliç kërkon aleatë në SHBA për revanshin e tij politik në Kosovë. Ndoshta i shkon mendja se mund të tërheqë edhe presidentin e SHBA-ve në aventurën e tij, njehrësh të zakontë e njëkohësisht të pazakontë, për shkak të një marrëveshjeje që dy kryeministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar më 19 prill të këtij viti në Bruksel.

Një deklaratë e tillë e shpallur në sytë e një prej personaliteteve më të njohur, me lidhje gjaku me presidentin Obama, duket edhe si një sfidë e llojit të veçantë, të cilën vetëm nacionalistët, ekstremistët dhe terroristët serbë dijnë, kanë guximin dhe vetëdijen e tillë që ta bëjnë. Një prej tyre, presidenti serb, Nikoliç, nuk bën përjashtim nga garnitura nacionaliste e Serbisë e gatuar me mentalitetin e doktrinave të shumta shoviniste si ajo e Naçertanies se Ilia Garashaninit, apo platformat e tjera të mëvonëshme, duke filluar me Cvijiçin, Pashiçin, Çubrilloviçin, Rankoviçin e deri te Sllobodan Milosheviçi. Breza të tërë të mëkuar me mitin për Kosovën kanë lënë pasardhësin e tyre të denjë në krye të shtetit të Serbisë, me emrin famëkeq, Tomisllav Nikoliç, për shkak të angazhimit të tij krah Shejshelit dhe Milosheviçit për asgjësimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.

Pa bërë shumë histori, le të kthehemi te realiteti i sotëm në Kosovë, Serbi e në rajon, për të saktësuar sa reale dhe logjike është deklarata e Nikoliç. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e lidhjeve midis tyre. Kjo marrëveshje vazhdon të negociohet për zbatimin praktik të saj. Ajo ka në themel të saj njohjen e realitetit në Kosovë, dmth vendosjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke mbajtur parasysh faktin se tashmë Kosova funksionon si shtet i pavarur e sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së. Nëse i heq marrëveshjes midis Prishtinës e Beogradit këtë substancë të sajën, atëherë ajo bëhet e paqenë. Nëse e zhvesh marrëveshjen e 19 prillit nga pranimi i realiteteve të reja të krijuara me formimin e shtetit të Kosovës, atëherë vjen pashmangshëm dështimi i përpjekjeve të BE-së dhe baroneshës Eshton për vendosjen e paqes e të sigurisë në Europën Juglindore. Ndërkaq duket se Nikoliç është i pakënaqur me marrëveshjen në fjalë nënshkruar nga aleati i tij, Daçiç e kryeministri shqiptar, Thaçi. Ai luan rolin e kalit të Trojës në normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe bën diversion politik përkarshi SHBA-ve, Europës, Kosovës e shqiptarëve në Ballkan si dhe përkarshi disa udhëheqësve politikë në Beograd, të cilët preferojnë Brukselin në këmbim të Kosovës.

Një analizë e ftohtë e situatave që zhvillohen, çon në përfundimin e pakontestuar, sipas të cilit Serbia e ka të pamundur kthimin mbrapsht të proceseve integruese e bashkëpunuese rajonale, si kushti kryesor i hapave integruese në Bashkimin Europian. Por pengesa Nikoliç si dhe pengesa të tjera të kësaj natyre do të zgjasin procesin e integrimit jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin. Mësë paku deklarata e tij do të trimërojë serbët e veriut të Kosovës, me qëllim që ata ta refuzojnë projektin europian të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Se do të ndodh kështu duket edhe në disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit. Qeveria e Serbisë vendosi të krijojë strukturat e saj të ashtuquajtura legale aty ku jetojnë serbët në Kosovë. Ishte ky një vendim provokativ që i kundërvihet drejtpërdrejt marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill. Strukturat paralele në veri të Kosovës u mblodhën dhe vendosën gjithashtu që të refuzojnë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me të cilat do të njihej autoriteti i Prishtinës në këtë pjesë të Kosovës.

Po t´i shtojmë deklaratës së Nikoliç të gjitha ndodhitë kundraproduktive në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë duket qartë se nuk do të jetë lehtë zhvillimi komplementar i të gjithë rajonit e në veçanti integrimi në BE e në NATO. Prandaj Prishtina zyrtare si dhe strukturat joqeveritare, institucionet, njerëzit që kanë kompetencën të marrin vendime, të gjithë shqiptarët, madje dhe Tirana zyrtare, shqiptarët në Maqedoni, ata në Serbi, në Malin e Zi kanë detyrimin të përcaktojnë sjelljen e tyre në rrethana, të cilat Beogradi mund t´i imponojë. Derisa presidenti i Serbisë deklarohet kaq hapur kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj atëherë duhet marrë në konsideratë dhe duhet vlerësuar si serioze situata që mund të krijohet pas kësaj. Refuzimi i Beogradit do të çojë domozdoshmërisht në refuzimin e Moskës, pra legalisht do të pengohet jo vetëm përparimi e integrimi i saj, por edhe pranimi në OKB.

Tashmë statuskuoja në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë do të shndërrohet në një pengesë serioze për të gjithë shqiptarët në rajon, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, jo vetëm në kuptimin e krijimit të hapësirës “Shengen” të Ballkanit, por edhe më gjerë. Nëse Nikoliç është serioz në deklaratën për mosnjohjen “kurrë” të pavvarësisë së Kosovës, atëherë edhe shqiptarët duhet të bëhen më seriozë në reagimin e tyre të përbashkët. Një plan B është vërtet i domozdoshëm. Ky plan duhet të përfshijë në programin e tij një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Kjo do të thotë se në të duhen planifikuar çeshtjet e risendërtimit të hartës politike të rajonit, jo më në bashkëbisedim me Serbinë e Nikoliçit e të Milosheviçëve të rinj, por më bashkësinë ndërkombëtare.

Nëse kemi parasysh diversionin serb të pandërprerë, atëherë duhet shkuar kah gjetja e një zgjidhjeje, e cila jo vetëm i jep Kosovës të drejtën e shtetësisë, por e bën të pamundur ndërhyrjen e Beogradit në punët e saj të brendshme. Zgjidhje të tilla nuk janë pak, ato janë disa. Një prej tyre është vendosja e rendit kushtetues në veri të Kosovës, pa i marrë leje Beogradit. Një tjetër zgjidhje është krijimi i një konfederate fillimisht Shqipëri-Kosovë dhe më pas bashkë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, madje të hapur, nëse do të dëshironte, edhe për Serbinë.  Unë po përmend këto dy opcione, të cilat nuk janë të lehta për t´u realizuar. Por në të vërtetë realizimin e tyre po e lehtëson vetë Serbia. Njësoj siç bëri Milosheviçi para vitit 1999. Nëse Milosheviçi nuk do të kishte hequr autonominë e shqiptarëve, nëse ai nuk do të kishte shkaktuar masakra e dhunë të tmerrshme që tronditi botën kundër shqiptarëve, zor se shqiptarët do ta kishin përkrahjen e botës për të patur shtetin e Kosovës. Pra, Milosheviçi mori jetë njerëzish, shumë jetë njerëzish, por është fakt se e lehtësoi qëndrimin e Perendimit në vendimmarrjen për Kosovën. Kështu po ndodh dhe do të ndodh edhe me udhëheqësit e sotëm e të ardhshëm të Serbisë, të cilët vijojnë ose do të vijojnë të udhëhiqen nga ideologjia fashiste e parardhësit të tyre. Qëndrimi i tillë çfarë ë shfq vazhdimisht presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka dy efekte pozitive, kompaktëson shqiptarët në idenë fikse të një zgjidhje radikale dhe përfundimtare të probllemit të tyre në dobi të lirisë e të demokracisë dhe mënjanon shumë prej vështirësive për t´u njohur ndërkombëtarisht kjo zgjidhje.

Zhagitja e mëtejshme e problemit të Kosovës dhe shtetësisë së saj të njëmendtë, kokëfortësia e Beogradit për të krijuar edhe më tej problem të panumërta, me idenë fikse të “neutralitetit ndaj statusit”, si dhe format e stërholluara të refuzimit të pavarësisë si ajo e logos së Republikës në fletët e votimit, vetëm se çojnë në radikalizimin e veprimeve në Kosovë. Nikoliç u përpoq në Beograd që ta bindë vëllain e presidentit amerikan për të mbështetur këto veprime të çmendura të tij dhe nëse Kosovës i hiqet bindja se “Amerika është me ne”, atëherë ky vend si dhe gjithë rajoni nuk do të kenë më qetësi. Kjo do të thotë që integrimi euro-atlantik të shtyhet për një kohë të gjatë, kjo do të thotë një cikël i ri i izolimit rajonal, kjo do të thotë hezitim i investimeve të huaja në Europën Juglindore. Dhe gjithë kësaj situate të padëshirueshme as për serbët vetë i kontribuon Tomisllav Nikoliç si dhe bëshkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeverisjen e Beogradit.

Ndërkohë në Bashkimin Europian deklarata të tilla priten ftohtë e nuk vihet re asnjë shqetësim, ndonëse ndonjë deklaratë elektorale e politikanëve shqiptarë është interpretuar me forcë si “destabilizuese për rajonin”. Ky qëndrim i dyfishtë I Brukselit, pra kjo politikë proserbe dhe antishqiptare, duhet të marrë fund, ndryshe Stefan Fyhle me shokë nuk kanë pse akuzojnë viktimat e të shpërblejnë agresorët. Deklarata e Nikoliç ishte një aggression i ri kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Mësë paku ajo shërben si thirrje për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo nuk është pak, nëse kemi parasysh që sponsor i asaj marrëveshjeje është Bashkimi Europian.

Por në Bruksel e kanë më të lehtë të bëjnë presion ndaj Thaçit, sesa ndaj Nikoliçit e Daçiçit. Prej këtej buron presioni që bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të mos përdorur simbolet e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Nëse ndodh kjo, atëherë marrëveshja e Brukselit është ajo çfarë thonë serbët, shkurt një marrëveshje me parimin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë duhet të presim që nesër në Beograd të nisë iniciativa tjetër politike e diplomatike për të ridiskutuar për statusin e Kosovës. Dhe kur kjo të jetë pikë diskutimi, atëherë deklarata e pavarësisë, e lexuar me aq bujë nga Hashim Thaçi, do të rrëzohet, sepse do të duhet një deklaratë tjetër “pavarësie” apo “varësie”, e cila nuk do të jetë e formatit të deklaratës së 17 shkurtit 2008. Shkurt ka dy rrugë, ose duhet mbrojtur lufta e popullit shqiptar në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, ose duhet shkuar drejt një zgjidhje, të cilën e dëshirojnë serbët agresorë e për të cilën ata bëjnë presion të vazhdueshëm. Nëse udhëheqësit politikë në Prishtinë vihen përkrah ambicjeve të Beogradit, atëherë shqiptarët do të promovojnë një udhëheqje tjetër më dinjitoze për zgjidhjen përfundimtare të çeshtjes së tyre, në funksion të lirisë së pakushtëzuar nga askush.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqiptareve, Enver Bytyci, ndihmon, per bashkimin, pse Nikolici

RAMADAN ZASKOCI,MESAZH I ARDHUR PREJ KRISMAVE LUMJANE

August 19, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEH/

 Po të hypish në malin e bukur të Sharrit,po të hedhish vështrimin në vargun e bjeshkëve që zbresin poshtë në një bukuri mahnitëse,do të mrekullohesh sigurisht me krahinën e Lumës.Luginat pjellore midis Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi,ujrat e kulluar të bjeshkëve të ngelin të pashlyera në kujtesë, ashtu siç mbetet bukuria e shenjtë e peisazheve në celuloidin e filmit.Por bukuria e Lumës alpine do të ishte sidoqoftë e mangët pa bukurinë e shpirtërave njerzore që gjalluan aty në shekuj.Këta shpirtëra jo vetëm me jetën e tyre,por edhe me vdekjen e tyre,treguan se ishin të gjërë të thellë sa Luma,buçare dhe besnike deri në frymën e fundit ndaj lirisë së trojeve stërgjyshërore.

Ramadan Zaskoci qe padyshim një prej tyre. Një fat i mbrapshtë dhe i çuditshëm,paracaktoi lindjen e këtij trimi të ardhshëm.Një fat që gjithsesi,me trillimet e veta nuk mund të luante dot gjatë,me jetën e këtij djali.Ramadani i vogël,lindi në burgun e Prishtinës.Qelia e errët dhe e ftohtë,ishte jataku i parë i tij. Askush nuk shtiri pushkë sipas zakonit,askush nuk urroi sipas zakoneve të vjetra shqiptare,askush nuk këndoi në odën e madhe të burrave.Në errësirën dhe ftohtësinë e qelisë,në shtatorin e viti 1860,nënë Humneja mbështjellte me frymën e saj trupin e të birit duke e ushqyer me qumësht e dhimbje.Jeta i pat paracaktuar këtë fat vogëlushit ngase i jati i tij,Selmani,pat luftuar vite me radhë me armë në dorë kundër ushtrisë Osmane.Disa herë,koshadhet i bënë prita burrit të Lumës por ai u shpëtoi atyre.Disa herë krerët e parisë së Lumës e këshilluan mikun e tyre që t’i ulte armët që shkrehte ndaj Portës së Lartë,por Selman Zaskoci nuk dëgjoi.Prandaj ai u burgos familjarisht,në prtje të vendimeve të gjygjit ushtarak.Kur një prej xhandarëve të burgut,në fshehtësi i tha se gruaja të ka lindur djalë,Selmani iu përgjigj buzëgaz se tash e tutje për asgjë nuk do të kthehej më prapa.Kështu përmes qethullit të halleve,do të rridhte më pas krejt jeta e Ramadanit të vogël.Mbas vrasjes së babait,ai do të detyrohet të punojë si yzmeqar pa i mbushur ende të dhjetë vitet.Natyrisht i mungon dashuria atërore,lodrat e bukura të fëmijërisë, shoqëria gazmore.Fëmijëria i ishte vrarë përfundimisht.Të vetmet nete gëzimplota,ishin ato kur kthehej në shtëpi dhe nëna gjente kohë t’i këndonte këngë trimash e t’i fliste për zanat e shtojzavallet që dilnin natën anës Drinit.

Kur ishte 15 vjeç,Ramadani u detyrua të lërë fshatin dhe të shkojë për bukën e gojës në Prizëren.Aty djali Lumjan nuk përton të punojë edhe kamarier në një kafe ngase duhej të jetonte vetë por edhe të mbante familjen.Në kafe hynin e dilnin plot njerëz e midis tyre edhe patriotë.Në bisedat e tyre kishte filluar të ishte e pranishme ideja e një autonomie e krejt vilajeteve shqiptare të cilët nuk mund të duronin më zgjedhën shekullore të osmane. Veçmas me birin trim të Lumës,do të bisedonin Ymer Prizëreni dhe Shuaip Spahiu.Pasi u bindën në trimërinë dhe ndershmërinë e tij,ata nisën të flasin hapur me Ramadanin i cili anipse i rritur mes hallesh,kishte një trup të drejtë si lastar,muskuj të fuqishëm dhe sy zhbirues.Ndër organizatorët e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,Ramadan Zaskoci do të jepte mendimet e tij jo vetëm të guximshëm por edhe të pjekura,sa u përket vendimeve luftarake.

Pushka e parë që trimi i Lumës,do ta shkrepte në ndezje të idealeve autonomiste të Lidhjes së Prizërenit,ishte ajo e gushtit,të vitit 1878.Dihet tashmë se Kongresi i Berlinit,në mënyrë krejtësisht të padrejtë,i fali trevat e Plavës e Gucisë,Malit të Zi.Për të sendërtuar  këtë krim etnik,në Prizëren,në krye të mijëra vetëve,mbrrin Mehmet Pashë Maxhari.Organizmat ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,për t’i treguar të dërguarit të Sulltanit se ishin kundër këtij coptimi të trojeve,vendosën së pari ti bëjnë atentat,telegrafistit të tij,Sokrat Argjiriadhit.Kjo detyrë kaq e vështirë iu besua Ramadan Zaskocit dhe dy miqve të tij të ngushtë.Ka qenë pikërisht data e 27 gushtit të vitit 1878,kur përmes mizerisë së ushtarëve osman,Ramadani me dy trimat e tjerë,mundi të depërtojë mrekullisht dhe u gjend fare afër telegrafistit.E shtëna e armës dhe thirrja e kotë e telegrafistit,suallën konfuzion në pazar me ç’rast Ramadani dhe miqtë e vet,duke qenë të lumtur pse kryen misionin u larguan si era.Krisma e pushkës së birit të Lumës,do të dëgjohej jo vetëm në Prizëren por deri larg,nëpër shtypin e Evropës.Ajo pushkë do të parathoshte zgjim të vetëdijes nacionale të nëpërkëmbur prej natës osmane.Ato krisma,do t’u kumtonin jo vetëm Fuqive të Mëdha por sidomos fqinjëve tanë,se Shqipëria nuk mund të ishte një kafshatë që mund të kapërdihej lehtë prej kujdo.Pas atentatit aq të bujshëm,kur Ramadani u takua me të vëllanë e vet,Rexhën dhe ky e lavdëroi për trimëri,biri i Lumës iu përgjigj : “Kur kapaklia shkrep për me mbrojt votrën,krisma e saj ndigjohet 100 hapa larg votrës.Por kur ajo shkrep për me mbrojt trollin e Shqypnis,atëherë zani i shkon deri larg Berlinës”.

Pas këtij atentati trimëror,Ramadan Zaskoci do të lidhej plotësisht me burrat e tjerë të Shqipërisë që luftonin për autonominë e saj së bashku me Islam Spahinë dhe Ymer Prizërenin,ata do të ndërmerrnin disa arsione luftarake duke bërë të mundur krijimin e disa zonave të lira të trojeve tona. Nëse mendimtarët e mëdhenj të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit si Abdyl Frashërit,Iljaz Pashë Dibra, e dhjetra të tjerë,patën guximin dhe kurajon e madhe të ngrinin zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave kombëtare,padyshim ata u mbështetën në trima si Ramadan Zaskoci,Islam Spahia,Ded Gjo Luli,Hasan Ferri  e mijëra burra të tjerë pushka e të cilëve mbronte me gjak çdo pëllëmbë të Shqipërisë sonë Etnike. Më 1 nëntor 1878,Ramadan Zaskoci,në krye të dhjetra trimave lumjanë,merr pjesë në tubimin që Dega e Lidhjes për Dibrën,organizon së bashku me Abdyl Frashërin.Në këtë tubim,kur nuk mungoi as bujaria dhe as besa tradicionale dibrane,pos të tjerave u vendos :

“Së pari-bashkimi i Shqipërisë së lartëpërmendur në një vilajet dhe caktimi si qendër e vilajetit i një qyteti që ndodhet afër dhe që ka lidhje me gjithë krahinat e tij.

Së dyti-të gjithë nëpunësit që do të jenë në Shqipëri,duhet të dinë gjuhën  evendit.

Së treti-të përhapet arësimi dhe në shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe.

Së katërti-të zbatohen vendimet që do të merren për reformat e dobishme për shëndetin dhe kombin,nga ana e kuvendit të përgjithshëm,i cili do të mblidhet çdo vit,katër muaj në qendrën e vilajetit.

Së pesti-të ndahet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit për tu shpenzuar për përparimin e arsimit si edhe për ndërtime publike”. ( Arkivi i Institutit të Historisë,Fondi Lidhja e Prizërenit,dokumenti 17 ).

Mendoj se prej të gjithëve ne,tashmë është i pjekur dhe i pandryshuar mendimi se Lidhja Shqiptare e Prizërenit,është një ndër epopetë më të mëdha e të ndritura të popullit tonë në mijëvjeçarë. Mesazhet e kësaj epopeje jo vetëm që transmetohen nga brezi në brez,por rezonojnë ende nën drita të reja,deri në ditët e sotme.Parë në këtë rrafsh,padyshim që Ramadan Zaskoci është ndër protagonistët e kësaj faqeje të ndritur në historinë tonë.Mirëpo duhet thënë se egërsia me të cilën Porta e Lartë,nisi të shtypë lëvizjen tonë kombëtare (pas viteve 80 të shekullit të kaluar) nuk ishte parë ndonjëherë në krejt viset e pushtuara të Perandorisë të Osmane.Ishin mbi 20 batalione osmane të cilat  të armatosura deri në dhëmbë kaluan Selanikun,Shkupin dhe iu drejtuan visive të Dibrës dhe Kosovës,aty ku në fakt ishte foleja e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Marsi i vitit 1881,do të përgjakej prej disa betejave radhazi ku u dëshmua jo vetëm egërsia osmane por sidomos shpirti kryengritës i popullit tonë i cili përpara lirisë së trojeve të veta nuk vinte asnjë besë tjetër. Shtimja, Slivova dhe sidomos Caraleva gjëmuan në pranverën e vitit 1881 prej gjëmimeve të topave e pushkëve.Tashmë Ramadan Zaskocin e shohim jo vetëm si trim,atentator dhe luftëtar të sprovuar.Më tepër se kaq,figura e tij lartësohet prej pjekurisë dhe peshës së fjalës.Nën komnadën e birit të Lumës,viren qindra burra e djem sytë e të cilëve kërkonin veç beteja për trojet amtare.Së bashku me Islam Spahinë,Bajaram Currin e Bajram Gjanën,Ramadan Zaskoci ndërmerr veprime të përbashkëta luftarake duke u bërë simbol i qëndresës kulmore të krejt visive të Lumës ndaj ekspeditave të Portës së Lartë.Është më se kuptueshme,që përballë këtyre mijëra jeniçerëve osman,formacionet luftarake shqiptare të Lidhjes së Prizërenit,të goditeshin rëndë.Po tu shtosh këtyre betejave edhe mospërkuljen e disa krerëve shqiptarë të nacionalizmit tonë të sapolindur,bindesh se vështirë që organizmat ushtarake shqiptare të qendronin në këmbë.Kështu në dimërin e vitit 1881,Dervish Pasha,kishte kryer një sërë reprezaliesh në Kosovë e Dibër,duke djegur plaçkitur e shkretuar fshatra të tëra,si edhe duke vrarë mijëra,njerëz.Me këto veprime shtazarake.Porta e lartë kërkonte t’u jepte “mësim” shqiptarëve që këta,të ulnin kokën përgjithmonë.

Sidoqoftë edhe në këto kushte,atdhetarët e shquar shqiptarë,nuk u përkulën.Ata kanë qenë dhe mbetën si ata lisat e lartë që durojnë furtunat e mëdha për t’u ringritur akoma më të mëdhenj pas këtyre furtunave.Anipse për kokën e Ramadan Zaskocit,ishin paguar shuma të mëdha  floriri,ai nuk mund të rrinte i fshehur dhe i friguar.Sipas zakonit të lashtë lumjan,mbledh rreth vehtes dhjetra trima(të cilët ishin të martuar dhe kishin të paktën një djalë) dhe kryen disa aksione trimërore duke shfaqur dukshëm frymën e mosnënshtrimit të bashkëkombasve të vet ndaj dhunës të egër të Portës së Lartë. Diku sulmon një garnizon dhe merr armë e municione për çetën,diku u jep ultimatume serbëve që të mos shkelin hapësirat shqiptare,diku bën atentat ndaj shërbetorëve të verbër të Turqisë e më tej grish burrat e Lumës të lidhin besën që mos t’i lëshojnë skurrë armët.Në një dokument të atyre kohëve thuhet tekstualisht ;”Brenda krahinës së Lumës disa luftëtarë qëndrojnë maleve,kanë kundërshtuar urdhërat e Dervish Pashës,madje kanë guxuar të sulmojnë ushtarët e perandorisë”. (Arkivi i Institutit të Historisë,viti 1881,dokumenti Nr.1 dosja nr.3).

Pas këtyre ngjarjeve,Luma do të percillej jo pa shqetsim,me rrethet më të larta të Perandorisë. Shpirti kryengritës i popullit të saj do të shkëlqente në sa e sa beteja,ç’prej vitit 1881 e deri në vitet e fundit të shekullit.Porta e Lartë,duke paraparë në këtë shpirt kryengritës të lumjanëve,humbje të mëdha politike dhe ushtarake u rrekën të ndëronte strategjinë e saj.Kështu ajo nisi të falte me dekrete të veçantë disa prej trimave lumjanë duke dhënë idenë se Sultani ish mik me shqiptarët.Por çuditërisht,në asnjë prej këtyre dekreteve,nuk u shkrua për “Faljen” e Ramadan Zaskocit i cili me sa dukej do të ishte armik deri në fund i sundimit osman.Sidoqoftë,kjo nuk do ta ligështonte askurrë burrin i cili i pat dhënë besën atit të tij e krejt atdheut se veç liria do të bënte që ai të kthehej në vatrën e ngrohtë familiare.Detyrimet osmane për rekrutimin e djelmoshave lumjanë,Ramadan Zaskoci iu përgjigj me qëndrimin e prerë se “Na nuk kena djem për asqerë na kena djem për pushkë e veç për vatanin tonë”.Thirrjes së trimit iu përgjigjën qindra djem të Lumës të cilët rrëmbyen armët dhe mbushën rradhët e çetave shqiptare,në roje të kufijve tanë etnike.

“Duke vlersuar rezikun e jashtëm që këcënonte trojet amtare dhe nevojën e mbajtjes të forcave ushtarake në vend,popullsia e kazave të Prizërenit,Lumës dhe ajo e Sanxhakut të japin sasinë e rekrutëve të caktuar nga autoritetet qeveritare”.(Arkivi Qendror i shtetit,fondi 17,dos.nr 13).

Si një refleks i Lidhjes së Pejës,së vitit 1899,do të shfaqej në vitin 1901,kuvendi i besës dhe i kushtrimit të lumjanëve.Nën emrin simbolik “Dheu”,trimat e Lumës,bashkonin gjokset dhe armët,në institucionin e lashtë moral shqiptar,të besës.Përfaqsuesit legjitimë të krejt visive të Lumës,në këtë kuvend të “Dheut” shpallën pos të tjerve platformën e tyre: luftë e papajtueshme si ndaj Portës së Lartë ashtu edhe ndaj Serbëve,të cilët,mësynin jo rrallë kufijtë etnike shqiptare.Ky kuvend zgjodhi kryesinë prej 18 burrash trima e me influencë në krejt Lumën dhe kryetar Ramadan Zaskocin i cili me ç’rast u betua edhe një herë se jeta e tij do të ishte veç e lidhur me fatet e viseve arbërore.Besëlidhja “Dheu” funksionon ç’prej 1901 e deri në vitet 1909-1911.Në parametrat gati të një kushtetute,ky mekanizëm bese,u kthye në simbol të bashkimit të lumjanëve rreth idesë kulmore për autonominë shqiptare.Janë me qindra kuvendet,beslidhjet,partimi i gjaqeve,të kryera në këto vite,ku u ndie jo vetëm maturia por edhe ndershmëria dhe shpirti i madh i burrit Ramadan Zaskoci. Ndodhte që dy lumjanë të ishin betuar për të luftuar deri më vdekje sho-shoqin,por përpara fjalës së bekuar të kryetrimit të tyre,ata heshtnin e s’u mbetej mëri në damarë veç dashuri vëllezërore. Vite 1904-1905,do të kalonin plot rrebeshe në viset e Dibrës dhe Kosovës.Tashmë vetëdija kombëtare shqiptare kish nisur të zgjohej dhe prej këtij zgjimi trembeshin jo vetëm autoritetet turke në vilajetet shqiptare por edhe vet Porta e Lartë.Veçmas në Lumë,u dërguan disa  herë radhazi ekspedita ndëshkimore për marrjen me forcë të taksave dhe rekrutëve.Barbarisht u dogjën kulla,barbarisht u malltretuan dhe vranë shqiptarë,barbarisht u rrëmbyen djem 10 vjeçarë prej gjokseve të nënave. Por Lumjanët asesi nuk u nënshtruan. I paisur me dhuntitë e prijësit popullor, e strategut të maleve, Ramadan Zaskoci mundi të organizojë disa prita që edhe sot mund të merren si modele të mençurisë dhe trimërisë popullore.Arti ushtarak i mësuar në male e gryka,triumfonte kësisoj ndaj ekspeditave ndëshkimore të udhëhequra prej oficerëve me akademi të Stambollit. Epokale do të mbetet beteja në Grykën e Morinës,në vitin 1909.Por përpara kësaj beteje,kishin pasuar disa të tjera në Pejë,Prizëren e Gjakovë me ç’rast forcave osmane u ishin shkatuar dëme të mëdha.Duke parë se revolta shqiptare sa vinte e rritej,në verën e vitit 1909,Porta e Lartë,dërgoi drejt visive të Kosovës e Dibrës gati 15 batalione ushtarësh të komanduara prej Xhavit Pashës.Hierarku i lartë i ushtrisë osmane,kish marrë bekimin e Sulltanit,me ç’rast kish premtuar një nënshtrim total të shqiptarëve.Ndaj në mbështetje të tij nuk munguan repartet më moderne të asaj kohe. Ramadan Zaskoci,me të marrë lajmin,mbledh në mënyrë urgente pleqësinë e “Dheut” dhe merr mendimin e bashkëluftëtarëve të tij.Të gjithë njëzëri aprovojnë rezistencën e armatosur. Ndërkaq është dhënë kushtrimi dhe djem,burra, e pleq (prej 10-70 vjet) rrëmbyen armë,sopata e ç’të mundnin duke u organizuar në çeta vullnetarësh.Ramadan Zaskoci,bëri ç’ishte e mundur që,në vijën e parë të mbrojtjes,të vinte burrat më me përvojë e të armatosur mirë ngase e dinte që trupa e Xhavit Pashës do të ishte tepër e fuqishme.Ai vetë nuk mungoi të shkonte pozicion me pozicion,të këshillonte e t’u jepte zemër bashkëluftëtarëve të vet.

Beteja nisi e ashpër dhe Xhavit Pasha rrahu me artieri të rëndë pozicionet e lumjanëve në dy anët e Grykës së Morinës.Falë këtyre mburojeve natyrore,formacionet vullnetare shqiptare, e zbrapsën vrullin e sulmit të parë e mandej ndërmuarën edhe kundërgoditje sidomos në shpatet e Drinit të Bardhë.Xhavit Pasha ndërmerr valën e dytë të sulmit pas dy-tri ditëve duke kombinuar goditjet me artileri dhe manovrat krahmarëse.Ndërkaq,mençurisht Ramadan Zaskoci,duke u organizuar në thellësi e duke pritur përforcime prej Kosove e Dibre.Dhe ai nuk mund të gabonte.Prej tejdrinit, Kalisit,Dollovishtit e Malaziut erdhën qindra vullnetarë shqiptarë të armatosur ndërsa forcat e Elez Isufit kishin nisur marrëshimin në drejtim të Morinës për të vënë armikun midis dy zjarreve.Edhe Qafa e Kolsjanit,u zu prej forcate të Islam Spahisë dhe Bajram Gjanës duke kërcënuar realisht përparimin e forcave turke.Gati dy muaj rresht,në shtator-tetor të vitit 1909,u zhvilluan dhjetra luftime të përgjakshme.Tashmë,askush prej vullnetarëve shqiptarë nuk tërhiqej.Për ta ishte më se e qartë se kjo betejë do të ishte lavdia e tyre e nesërme ose pluhuri i harrimit që mund të binte. Nën thirjen majëkrahi,në vjeshtën e këtij viti,shpatet e maleve të Lumës gjëmuan prej batareve dhe në vend të mjergullës pat veç tym baroti.Drini i bardhë u la me gjak e ndër 10 jeniçerë turq,binte edhe nga një trim shqiptar Shtypi i asaj kohe,duke iu referuar vetë ushtarakëve turq në këtë betejë shkruante : “Për sa shuplak që na kanë dhanë njerëzit tuaj,pohoi një ushtarak turk për luftimet në Lumë,kaq ngushtë e pamë veten,saqë po të mos na vinin në ndihmë taborre të tjerë… Kjem t’u ra të gjithë në dorë të shqiptarëve.Edhe pak ditë me pas zgjat,asnji prej nesh nuk ishte kthyer…” (Gazeta “ Dielli”, Boston,numër 34, 19 nëntor 1909 ).

Si kurodherë edhe në këto beteja spikatën guximi dhe mençuria e Ramadan Zaskocit.Në krejt betejat e zhvilluara,në krye të një grupi trimash,biri i Lumës u gjend kurdoherë në vijën e parë të sulmit. Ai  su frigua aspak e askurrë edhe kur gjylet i ranë tek këmbët,edhe kur bataret e repta ja hoqën sharkun e murrme prej krahëve.Jeta riniste tek ai me forcë më të madhe prej krismave të armëve,ashtu siç rinis jeta e pemëve në mars. Në vitet 1909-1914 ,përpjekjet e tij me kahje nga shqiptarizma ishin të paprera.Tashmë emrin e Ramadan Zaskocit e mbajnë në buzë me respekte jo vetëm Luma e Dibra po krejt Kosova e Shqipëria.Takohet me Ismail Qemalin dhe i jep besën në emër të krejt Lumës,ka miq të ngushtë Hasan Prishtinën dhe Islam Spahiun,nga tmerr i turqve,është kthyer tashmë në tmerr për serbët. Natyrisht ai nuk do të pajtohej askurrë me coptimin e trojeve shqiptare.Në shtatorin e vitit 1914,niset për në Bicaj ku do të lidhej edhe një herë besa e do të jepej kushtrimi për të ruajtur kufijtë tanë etnike.Askush s’mund ta ndalte trimin e Lumës t’u flasë burrave me fjalë burri.Por sigurisht kanë dashur ta ndalojnë qindra serbë që i bëjnë pritë dhe e plagosin rëndë.Pas tri deceniesh lufte paprerë,Ramadan Zaskoci, ndjen ta lënë fuqitë.Shokët e marrin në krahë dhe e vendosin në një jatak të sigurtë.

Ka qenë vjeshta e parë e vitit 1914.Me një merak të madh për të nesërmen e atdheut të vet,Ramadan Zaskoci mbyll sytë.Vallë ç’mund të ketë qenë mesazhi i fundit i këtij vigani luftërash e bese ? Natyrisht,ai i lirisë i përcjellë në gjakun e lumjanëve përmes krismave të armëve.

Bern-Zvicër(Ne Foto:  Ramadan Zaskoci në Pikturë)

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, permes krismave, Ramadan Zackoci

Një thirrje për qeverinë e re…

August 19, 2013 by dgreca

Nga Zyba Hysen Hysa/

“Shqipërisë po i ndodh si kalasë së Rozafatit, që ndërtohej ditën dhe prishej natën, ndaj edhe sikur të kem fatin e gruas që u muros për të qëndruar kështjella, do ta pranoj, vetëm dua të ngre zërin tim që të mos i dëgjoj e të mos e shoh më ndërtimin pa leje dhe prishjen me leje, se në vendin tonë kanë ardhur e kanë ikur pushtues pas pushtuesi, por asnjë nga pushtuesit, nuk prishi ato që ndërtonte ai që ikte, ndërsa në kohën e sotme, që jemi pa pushtues, pa armik në vatra, po bëhem mynxyra të papara e të padëgjuara…”

Shpesh dëgjoj nëpër biseda që thuhet: “Edi Rama(nuk thonë as Kryeministri) do i prishë të gjitha ndërtimet pa leje në Vlorë… Edi Rama do heqë të gjithë drejtorët e shkollave… Edi Rama…” I dëgjoj dhe nuk hyj në biseda e aq më shumë të debatoj, nëse bën mirë, apo bën keq, por pse ta fsheh, më zë një dridhmë që as vetë nuk e ndaloj dot, një dridhmë që pak nga pak më shndërrohet në makth, se këto deklarime i kam dëgjuar sa herë ndërrohen qeveritë këtu në Shqipërinë tonë të dashur. “Ëh… rënkonte vendi,/ Sa herë vinin mizoritë,/ Ëëëëëh rënkon edhe qielli,/ Kur hipin, zbresin qeveritë…”

Shqipërisë po i ndodh si kalasë së Rozafatit, që ndërtohej ditën dhe prishej natën, ndaj edhe sikur të kem fatin e gruas që u muros për të qëndruar kështjella, do ta pranoj, vetëm dua të ngre zërin tim që të mos i dëgjoj e të mos e shoh më ndërtimin pa leje dhe prishjen me leje, se në vendin tonë kanë ardhur e kanë ikur pushtues pas pushtuesi, por asnjë nga pushtuesit, nuk prishi ato që ndërtonte ai që ikte, ndërsa në kohën e sotme, që jemi pa pushtues, pa armik në vatra, po bëhem mynxyra të papara e të padëgjuara…

Ka vite që nuk më shkitet nga mendja një skenë e parë në një pyll buzë rrugës, kur një burrë po priste një pemë të lartë dhe pema u rrëzua me një oshtimë, që ngjante si rënkim e një të riu të rrëzuar nga një plumb i pabesë. Shtanga dhe lotova, se ai vazhdonte të priste më radhë… Po kjo vazhdoi në gjithë vendin, vazhdon edhe sot, priten e digjen pyje pafund… kjo gjë u bë edhe në 97, ku u shkatërruan fabrika, uzina, kombinate… vreshta, ullishte, kanale ujitëse… se kështu po “dënonin” sistemin diktatorial, vramë dhe njëri – tjetri me një egërsi më të egër se diktatura e diktatorit, në emër të “demokracisë” dhe ku ishim… në diktaturë, ku shkuam… në një formë më të egër diktature dhe ne sa koha shkon ndalojmë frymën dhe dëgjojmë të na çilet një dritëz demokracie, një dritëz shprese për paqe, për vëllazëri mes shqiptarësh, po si do ta kemi këtë, ku pa zënë kolltukët, dëgjohen kërcënime?? Cilët janë demokratët? Po socialistët? Po …? A nuk janë të gjithë shqiptarë? A nuk flasim të gjithë shqip? Nuk jemi të një gjaku? Pse do të “përshëndetej” populli me masa ndëshkimore pa i përshëndetur me dëshirën e mirë për të gjetur një gjuhë të përbashkët që edhe ato që janë ndërtuar pa leje të mos prishen, por të shpallen pasuri shtetërore, se një që vjen e ndërton në pronën time pa më pyetur, ai ka dy rrugë: Ose brenda një afati ta prishë vetë, ose ajo të më kalojë mua, kështu edhe këto ndërtime, se është mund, djersë dhe investim, që është bërë, mbase pa dokumente, por patjetër me leje, se nuk u ngrit një kështjellë me rërë të njomë, ashtu siç bëjnë fëmijët buzë detit dhe ta fshijë dallga, por është dashur punë e kur paskan qenë pa leje, ku ishte pushteti vendor që i ka lejuar? A nuk ishte kjo socialiste, apo në ato rrethe ku ka qenë i partisë demokratike e kur erdhën në pushtet bënë të njëjtën gjë??

O zot i madh! Kur do mbarojë kjo Odise?! Nuk e ka fajin ujku që ha tufën, por bariu që nuk e ruan, ndaj unë doja të dëgjoja nga kjo qeveri që të thoshte: “Nuk do të lejohen më ndërtime pa leje, ato që janë bërë në prona publike, i kalojnë shtetit për t’i menaxhuar për të mirën e popullit…” e cila do kishte më shumë vlerë, sesa të shkojnë me ceremoni për t’i prishur, ajo gjë krijon makthe, jo ndërgjegjësim, se po të veprohej kështu, asnjë nuk do të guxonte të ndërtonte pa leje, se do t’i konfiskohej… apo me drejtuesit e shkollave. Ç’faj kanë drejtuesit që i vinin mësuesit në rresht, kur ata urdhëroheshin nga lart? Po, jam dakord, të shikohen të paaftët, që edhe mund të ketë, por të aftët të trajtohen nga shteti si drejtorë dhe jo si komisarë të partisë. Ata janë si të gjithë, mësues, por kanë qenë të detyruar, janë shqiptarë e kanë të drejtë të punojnë, nëse duam arsim (jam e bindur) ata bëjnë arsim, nëse duam politikë, ato nuk kanë rrugë tjetër, bëjnë politikë. E keqja nuk është tek drejtorët, por tek qeveria. Nëse qeveria e re, do dijë të drejtojë, edhe ata do i përgjigjen detyrës, ashtu siç kërkohet. Fshesë e këtyre do ishte një përsëritje e gabimeve, duhet të mësojmë të drejtojmë, jo të shkatërrojmë…

Që në fushatë dëgjoja biseda mes kolegësh: “Po fitoi PS, unë do bëhem drejtor se jam i LSI – së, – thoshte njëri, ndërsa unë, – thoshte një tjetër, do të bëhem nëndrejtor, se jam e PS- së…” dhe këto bëheshin në sy të drejtorëve aktualë e krijohej një gjendje, si të ishin armiq. Unë besoj, se më “fshesën” e qeverisë së re, do të bëhet i njëjti gabim i qeverisë që iku dhe kjo më çon të mendoj, se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë e nuk ndryshon asgjë nga kushdo që ta marrë pushtetin, se politikanët tanë nuk udhëhiqen nga ideja: “Ç’mund të bëjmë për popullin”, kjo mbaron me mbarimin e fushatës dhe populli nuk ekziston më si nocion e jo më si qëllim.

Unë i uroj qeverisë së re një rrugëtim paqësor dhe bashkëpunues me gjithë shqiptarët, sidomos, me intelektualët dhe mendjet e ndritura të vendit tonë. Le të merret ky shkrim si një shqetësim që vjen nga populli, se krijuesit kanë veti që pëshpërimat dhe psherëtimat e popullit t’i kthejnë në thirrje që shteti t’i dëgjojë dhe të reflektojë…

Filed Under: Opinion Tagged With: qeverise se re, thirrje, Zyba Hysa

Po kërkohet qe edhe serbet brenda Kosovës te mos e njohin shtetin e Kosovës

August 19, 2013 by dgreca

nga Bekim REXHEPI/

Janë zgjedhjet e ardhshme te 3 Nëntorit, ato te cilat ua qartësojnë serbeve të Kosovës që të mos e njohin definitivisht Kosovën si shtet të tyre. Në fakt ne kishim dilema se një dite Serbia mund ta njoh pavarësinë e Kosovës, madje ishim afër një shprese dhe gjase se ndofta janë bisedimet apo vetëm përmes tyre Serbia më në fund do të qartësohet politikisht ndaj realitetit të krijuar në Kosovë.

Janë zhvilluar një varg bisedimesh dhe janë bërë një varg marrëveshjesh me Serbinë, sa i përket Kosovës dhe gjendjes së saj. Por të gjitha këto bisedime dhe të gjitha këto marrëveshje akoma nuk kanë sjellë ndryshime të theksuara ne raportet shqiptaro serbe.

Politika zyrtare e Kosovës ka bërë disa hapa në drejtim të përmasimit të këtyre raporteve duke ua falur edhe krimet, edhe dëmet nacionale. Por, serbet këto raporte nderë etnike as edhe sot nuk orvaten ti relakësojnë në dobi të vetë raporteve por orvaten që ato ti shfrytëzojnë akoma ne dobi te ultranacionalizmit të tyre.

Duke iu kthyer dhe një herë çështjes së zgjedhjeve të tre nëntorit, zgjidhje qe po synohet të fusin edhe popullatën serbe të veriut. Është për tu analizuar nëse serbet e Kosovës ne këto zgjedhje do të dalin masovikisht apo vetëm sa për të përmbushur një lloj komoditeti politik për pushtetin në Prishtinë, i cili më shumë është i interesuar të fus serbet në zgjedhje për shkak të pushtetit se sa ti fus në shërbim të shtetit dhe vet serbëve. Është tashmë e çartë se propozimi për datën e tre nëntorit ka rrjedhë nga qeveria serbe ne Beograd, dhe më pas ka akorduar edhe qeveria në Prishtinë, që data për zgjedhjet në Kosovë të jetë tre nëntori. Por përpos këti propozimi të qeverisë serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë që përbën një absurditet politik (sepse çfarë do të ishte reagimi i Serbisë nëse qeveria e Prishtinës do të propozonte një datë për zgjidhjet në Serbi). Absurditeti nuk ka te ndalur, shih se çfarë presioni ka KQZ-ja e veçanërisht anëtaret e Komisionit Qendror Zgjedhor, rasti i z. F. Maloku, është rast qe tregon se si funksionon pushteti dhe jo shteti kushtetues.

Nuk duhet injoruar rasti i z. Maloku, sepse ai do të ngjeshi edhe me shumë faktin se Kosova nuk qeveriset nga shteti kushtetues por nga pushteti qe e ka kapur shtetin me gjithë kushtetutë.

Kryetarja e KQZ-së Daku, është jashtë mandatit të saj, sepse ka udhëtuar disa herë në Bruksel duke marrë pjesë në dialogun politik. Gjithashtu zonja Daku, ka urdhëruar kryeshefin ekzekutiv të KQZ-së që të bëjë zëvendësimin e zyrtarëve komunalë në komunat në veri të vendit me individë të propozuar nga qeveria serbe, me çfarë është jashtë mandatit dhe shkel pavarësinë e vet KQZ-së.

Valdete Daka, orvatet të spekuloj akoma më shumë duke ritheksuar se “deri tash akoma nuk është diskutuar se si do të duket logoja në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit”.

Çfarë logo-je tjetër duhet të kenë zgjidhjet në Kosovë, përpos asaj logo-je shtetërore. Këtu orvatet të mënjanohet simbolet shtetërore dhe për hir të pushtetit, duke i dhënë të drejtë qe edhe serbëve të Kosovës të mos e njohin Kosovën si shtet të tyre. Përse të mbahen zgjedhjet ne veri të Kosovës nëse ato nuk e legjitimojnë pushtetin e vendit atje?! Ato mund të mbahen atje vetëm nëse e legjitimojnë një pushtet i cili i përgjigjet shtetësisë së Kosovës, në të kundërtën është më mirë të mos mbahen fare siç po orvatet të mashtrohet vetëm opinioni i brendshëm shqiptar sepse opinioni serb është i qartësuar sa i përket zgjedhjeve në Kosovë.

Serbet do të hynë ne zgjedhjet e Kosovës nëse këto zgjedhje ua mundësojnë serbëve të Kosovës të mos i pranojnë domosdoshmërish institucionet e Kosovës. Simbolet shtetërore janë shumë të rëndësishme dhe nuk duhet lëshuar pe qe ato të zhbëhen, për shkak të një procesi që në esencë nuk do të legjitimoj asgjë. Më mirë të mos zhvillohen zgjedhjet e tre nëntorit fare se sa të hiqet dorë nga simbolet. Është gati e njëjta gjë sikur me fusnotën që morri Kosova nga koncesionet që më herët i bëri Serbisë, e në fund ajo edhe pse morri fusnotën për Kosovën, serish i bojkotoi të gjitha takimet ku morën pjesë përfaqësuesit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, brenda Kosoves, po kerkohet, qe dhe serbet, Shtetin e Kosoves, te mos e njohin

E treta e verteta!

August 19, 2013 by Administrator

Skenderbeu fiton Superkupen! Laci nje penallti larg endres.

Nga Albano Kolonjari.

Per here te pare ne historine e tij 104 vjecare Skenderbeu arrin te fitoje SuperKupen e Shqiperise. Per te caktuar fituesin e ketij trofeu luajten perballe njeri-tjetrit Skenderbeu, Kampion i Superliges dhe Laci fitues i Kupes se Shqiperise per sezonin 2012-2013. Ne kete takim u luajten 120 minuta loje (1-1) dhe u gjuajten njembedhjete penallti, ku fati i buzeqeshi skuadres korcare qe fitoi 5-4. Ndersa korcaret pas tri titujve kampion, arriten te fitojne per here te pare SuperKupen e Shqiperise, lacianet ishin veten nje penallti larg endres se tyre. Ndeshja nisi me gol per korcaret te cilet ne te shtaten minute kaluan ne avantazh me ane te Pejic. Pas golit te shenuar skuadra korcare kontrolloi lojen ne mesfushe, duke mos i lene shume hapsira sulmueseve kundershtare. Pikerisht ndersa korcaret menduan se e fituan trofeun, eshte futbollisti Buljan qe ne te 94 minute (4 minuta shtese), barazonn rezultain ne 1-1. Korcaret nuk u besojne syve. Nga ana e tyre lacianet marrin “zemer”, dhe shtesa 2X15 eshte e bukur dhe ne fushe zhvillohet nje lufte e forte sportive. Por ne 30 minutat nuk do te sillnin ndryshim rezultati. Te dyja skuadrat e drejtohen gjuajtjes nga pika e bardhe e penalltise. Fati u buzeqesh korcareve te cilet fitojne 5-4. Kjo ishte hera e trete qe korcaret “luftonin” per te fituar kete trofe, por ne te dyja rastet perballe Tiranes deshtojne (1-0, 2-1). Lacianet luajten per here te pare per fitimin e nje trofeu te tille. Sot ekipi i Skenderbeut do te udhetoje drejt Ukrahines ku do te luaje ne ndeshjen play-off-it perballe Cernomorets Odesa. Takimi eshte i vlevshen me Europa Lige. Me ekipin e Odesa luajne dy futbolliste shqiptare, Elvis Bakaj dhe Kristi Vangjeli. Per kete te fundit Desha do te jete shume emocionuse pasi ai luan perballe skuadres se vendlindjes se tij, Korces.

SKENDERBEU-LACI 1-1

(4-3 pen)
Golat: Pejic 7′ / Buljan 93′
SKENDERBEU: Shehi, Ademir, Arapi (Arapi 82′), Vrapi, Radas, Lilaj, Orelesi, Muzaka (Fagu 100′), Abazi, Pejic, Morina (Ribaj 73′). Trajner: M.Josa.
LACI: Bakaj, Kastrati (Haliti 65′) (Nino 91′), Ndreka, Buljan, Carls, Sefgjini, Veliaj, Teqja, Zefi, Vucaj, Nimani (Shazivari 73′). Trajner: S.Nica
Gjyqtare: Enea Jorgji, Redi Avdo, Ergin Doda
Kartone te verdhe: Arapi 42′, Lilaj 63′, Orelesi 74′, 95′, Ademir 79′, Vrapi 120′ / Ndreka 71′, Sefgjini 120′
Karton i kuq: Orelesi 95′ / Carls 69′

Humben penalty.

Skenderbeu: Ademir

Laci:Bakaj, Zefi.

 

1989: KS Dinamo (finalja, 11 Janar, 1990: 2-0 vs. KF Tirana)

1990: KS Flamurtari Vlorë (finalja, 11 Janar, 1991: 3-3 EX, 5-4 PEN. vs. KS Dinamo)

1991: KS Flamurtari Vlorë (finalja, 11 Janar, 1992: 1-0 vs. KF Partizani Tirana)

1992: KS Elbasani (finalja, 10 Janar, 1993: 3-2 EX. vs. KS Vllaznia Shkodër)

1993: Nuk jepet Trofeu sepse një ekip fiton kampionatin dhe kupën (KF Partizani Tirana)

1994: KF Tirana (finalja, 8 Janar, 1995: 1-0 vs. KS Teuta Durrës)

1995: Finalja KF Tirana vs. KS Teuta Durrës (nuk u luajt)

1996: Nuk jepet Trofeu sepse një ekip fiton kampionatin dhe kupën (KF Tirana)

1997: Finalja KF Tirana vs. KF Partizani Tirana, (nuk u luajt)

1998: KS Vllaznia Shkodër (finalja, 9 Janar, 1999: 1-1 EX, 5-4 PEN. vs. KF Apolonia)

1999: Nuk jepet Trofeu sepse një ekip fiton kampionatin dhe kupën (KF Tirana)

2000: KF Tirana (finalja, 13 Janar, 2001: 1-0 vs. KS Teuta Durrës)

2001: KS Vllaznia Shkodër (finalja, 15 Shtator, 2001: 2-1 vs. KF Tirana)

2002: KF Tirana (finalja, 14 Shtator, 2002: 6-0 vs. KS Dinamo)

2003: KF Tirana (finalja, 16 Gusht, 2003: 3-0 vs. KS Dinamo)

2004: KF Partizani Tirana (finalja, 17 Gusht, 2004: 2-0 vs. KF Tirana)

2005: KF Tirana (finalja, 21 Gusht, 2005: 0-0 EX, 5-4 PEN. vs. KS Teuta Durrës)

2006: KF Tirana (finalja, 2-0 vs. KS Elbasani)

2007: KF Tirana (finalja, 4-2 vs. KS Besa)

2008: KS Dinamo (finalja, 2-0 vs. KS Vllaznia Shkodër)

2009: KF Tirana (finalja, 16 Gusht, 2009: 1-0 vs. KS Flamurtari Vlorë)

2010: KS Besa (finalja, 16 Gusht, 2010: 3-1 vs. KS Dinamo)

2011: KF Tirana (finalja, 18 Gusht, 2011, Korçë: 1-0 vs. KS Skënderbeu)

2012: KF Tirana (finalja, 19 Gusht, 2012, Tiranë: 2-1 vs. KS Skënderbeu)

2013: FK Skenderbeu

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT