• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Në kujtim të dëshmorit të kombit

August 18, 2013 by dgreca

Ne Foto:Remzi  Ademi (1952 – 1998)/

Qëllimi im, nuk është thjesht një përshkrim nekrologjie që rëndomtë shkruhet në këto raste, kur përkujtojmë një figurë sublime të martirizuar në tabanin kombëtar. Do mundohem të kaloj përtej, përtej së madhërishmes- pa dyshim, këtë e meritojnë burrat e dheut siç ishte i madhi Remzi Ademi – alias Petrit Kodra!

… Gjatë këtij mijëvjeçari trungu shqiptar u copëtua dhe ricopëtua me dhjetëra herë, megjithatë burrat e dheut nuk ngarendën së vepruari për liri e bashkim kombëtar. Që përtej Lidhjes së Prizrenit, deri tek ditët tona, shqiptarët janë në rrugë të mbarë për të realizuar aspiratat e tyre të natyrshme siç është liria dhe bashkimi ynë kombëtar, ku secili do të frymojë i lirë në atdheun e vet.

Pa dyshim se kjo do kohë, punë të pareshtur, seriozitet, sakrificë, bashkëveprim mendjesh të ndritura, përkushtim, fisnikërim shpirti e ndërgjegje. Të shkruash për luftën çlirimtare, për këta burra të dheut, mbi të gjitha është përgjegjësi, mirëpo kjo nuk nënkupton se ne duhet të heshtim!, jo, përkundrazi, ne duhet t’i kujtojmë të gjithë ata që morën pjesë në luftën çlirimtare, të shkruajmë për ata që ranë, për ata që shpëtuan, për ata që ishin kuadro dhe luftëtarë, për ata që e ndihmuan luftën fizikisht, moralisht dhe materialisht, me një fjalë për ata që atdheut i dhanë diçka më shumë nga të tjerët… Dikush do të kujtojë emocionet që ka ndier kur ka veshur uniformën e UÇK-së dikush do të kujtojë luftën, dikush rëniet e shokëve, dikush heroizmat e tyre, dikush sokolat dhe sokoleshat që hidheshin mbi tanket e pushtuesit, dikush amanetin e tyre, dikush me emocione e sentimentalizëm, dikush me dinakëri e servilizëm, dikush me mburrje e krenari, dikush me këngë e dashuri, pa dyshim se të gjitha këto së bashku kompletojnë historinë tonë më të re!…
Deshëm apo jo, lindja e radhëve të UÇK-së, në rrafshin kombëtar, vuri themelet e historisë sonë më të re duke këputur kështu prangat e çelikta të robërisë shekullore, duke rimëkëmbur dinjitetin tonë kombëtar, duke detyruar botën e civilizuar që t’i thërrasë ndërgjegjes, ngase mbi shqiptarët e Kosovë atëbotë po ushtrohej një gjenocid i paparë nga pushtuesi barbar serb.

… Kaluam Alpet shqiptare (ashtu si shumë luftëtarë të lirisë), radhës po i printe Azem Syla, Qenë Qenaj, Halit Naxhaku, Hysni Geci, Driton ? (nga anët e Vushtrrisë), Brahimi nga Hasi, një luftëtar tjetër nga Prizreni (emri i të cilit nuk po më kujtohet) e disa të tjerë. Deri tek kufiri, ku na kishin përcjellë dhe furnizuar me armatim Haki Drenica, Zeqë “Çopa”, Hamëz Morina, Gani Veseli etj. Pas shumë peripecive te asaj nate, dita na gdhiu në fshatin Goden. Burrat e këtij fshati na futën në kullat e tyre (një kullë dykatëshe e vjetër ku ishim ne, i zoti i saj, një djalosh rreth të 25-tave, arsimtar, babanë nuk e kishte pasur, vetëm të ëmën), na shtruan për të ngrënë, na shëruan trupin dhe shpirtin, duke na siguruar se të gjallë nuk na japin!… Si të shprehem ndjenjash; kishte disa vite që nuk kisha dëgjuar fjalë burrash si ato të Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit et. “Të gjallë nuk ju japim!”… Këta ishin burrat e Godenit legjendar, të cilët pritën, strehuan dhe përcollën shumë çlirimtarë të Kosovës…, kjo sakrificë më pas atyre u kushtoi me jetë, pushtuesi barbarë serb, gati në përfundim të luftës në shenjë hakmarrjeje ekzekutoi 22 burra nga ky fshat! Lavdi e përjetshme atyre, përkulje deri në tokë para jush, para burrave, nënave, grave, nuseve dhe motrave të Godenit zemërmadh! Kurrë mos qoftë e harruar buka dhe konaku juaj, kurrë mos u shoftë fara e juaj o burra të dheut, o burra të Godenit zemërmadh!…
Ju lumtë goja mor burra, ju ndritë konaku besa e nderi juaj- ia ktheva me gjithë shpirt të zotit të shtëpisë, se edhe ne këto armë nuk i kemi vënë krahut kot, nuk do ta koritim as konakun tuaj, dhe as Kosovën! Aty bëmë një pushim të mirë, pas dite nga Gerqina dhe Lipovica morëm drejtimin për në Demjan, shoferi i makinës ku ishim ne, kishte qenë profesor i kimisë një burrë rreth të dyzetave e ca, të rritej zemra dhe shpirti, kudo ambient shqiptar, kudo ushtarë të UÇK-së, kudo gatishmëri për të dhënë jetën si me le në shërbim të atdheut – e mahnitshme! Dhe kështu gjatë tërë asaj pasdite, shtab pas shtabi, dikur vonë arritëm në Malishevë e fare vonë në Shtabin e Kleçkës heroike, atje, mu në zemër të Kosovës. Aty takuam shokët, luftëtarët e lirisë: Jakupin, Hashimin, Lulin, Çelikun, Ramën, Gazetarin, Musën, Llucin, Tonin, Micin, Vogëlushin, Bukuroshin e dhjetëra të tjerë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk është më në mesin tonë – Lavdi e përjetshme heroizmit dhe veprës së tyre!

Pas ca ditësh isha ngarkuar me përgjegjësi që nga ana logjistike të inspektoj rajonin e Suharekës e gjithandej deri në Prizren. Tërë kohën më shoqëroi epror Musa. Më pastaj nga Prizreni ( unë dhe Musa), duhej të kalonim në Shqipëri për çështje furnizimi. Ato ditë sulmet serbe ishin të furishme, pas një rezistence të madhe, kishte rënë Malisheva, armatimet ishin jo të mjaftueshme, ushqimet po ashtu, si të thuash ishte një gjendje e pafavorshme për forcat çlirimtare. Me gjithë armatimin shumë herë më të paktë se armiku, megjithatë ushtarët tanë ishin në nivel të përgjegjësive, me moral të pamposhtur, tërë kohën në istikame, po luftonin, po ia merrnin këngës dhe po bënin edhe hoka për ditën që po linin mbrapa…, kjo të bënte me krahë dhe të jepte kurajë si askund në botë: shqiptarët po mbijetonin!
Pas ca ditësh, erdhi koha që të ndaheshim. U përshëndetem fort mes vete. “Daja” më dha një shkresë që kisha për ta përcjellë në rrethin e Krumës për çështje furnizimi. Aty nga mbrëmja (mesi i korrikut ‘98), kaluam në Therandë, pa dyshim nën përcjellje të sigurt të luftëtarëve të lirisë. Të nesërmen vëzhguam një shtab rajonal të Therandës, bëmë një renditje të kompanisë, verifikuam gjendjen, bëmë edhe një bisedë shumë vëllazërore, morale-politike, ku këmbyem shumë mendime dhe përvoja rreth luftës sonë çlirimtare. Tek po vëzhgonim, nën shoqërimin e Xhavit Bajraktarit ( tani Dëshmor i Kombit), nuk ishte e vështirë të vëreje epërsinë; ato anë kishin qenë më të furnizuara me armatime, me ushqime dhe me pajisje sanitare, krahasuar me anët e Kleçkës, të Malishevës dhe të Drenicës në përgjithësi, kjo ishte shpresëdhënëse se çështja jonë megjithatë po ecte mirë, ishin përvoja të mira.

Pas dy-tri ditësh kaluam në rajonin e Prizren, më saktësisht në Vrri të Jeshkovës. Tani nuk i kam fiksuar emrat e shumë fshatrave të atyre anëve, kaluam nëpër shumë vende të rrezikshme, madje çdo përballje me pushtuesin nënkuptonte zjarr të përnjëhershëm!
Më kujtohet fshati Grazhdanik, ku kalonim afër një kishe, ishte një pozicion mjaft i papërshtatshëm, aty shpeshherë  pozicionohej milicia serbe- siç na njoftoi përcjellësi ynë. Më vonë mësove me dhimbje se pikërisht në atë zonë kishte rënë zemërluani Komandant Remzi Ademi. Më në fund u futem në rajonin e Vrrinit. Më vjen keq që as sot e kësaj dite nuk i mësova tamam emrat e shoferëve që na shoqëruan gjatë gjithë asaj kohe, që nga Kleçka e deri në Lybeqevë (malësi e Vrrinit), e deri në Mazrek të Hasit e në Krumë. Më sa mbaj mend njëri nga ta quhej Milaim, ishim në detyrë, dhe nuk lejohej që t’i prezantonim emrat njëri-tjetrit. Unë prezantohesha vetëm si “Drenica”, si zakonisht takimet e para ishin me rojat, të cilat pasi që na legjitimonin, na hapnin rrugë, duke na drejtuar për në shtabe, apo vende ku ata ishin të pozicionuar e fortifikuar. Ishte mbrëmje dhe nuk po e kapja dot natyrën përreth. Na përcollën gjer në Shtab të Vrrinit, një shtëpi dykatëshe siç dukej ende e papërfunduar (e pa meremetuar tërësisht), në mes të një kopshti të vogël të rregulluar me shije, dhe, siç e vërejta të nesërmen, ky shtab, kishte një pozitë të mirë fortifikuese.

Erdhi momenti i pritur: përpara na doli komandant Remzi Ademi – alias Petrit Kodra. Na priti krahëhapur, me buzagaz e dashamirësi. U ulem brenda në zyrat e Shtabit. Petriti dukej ca i lodhur me një zbehje të dukshme në fytyrë, si gjithmonë buzagaz dhe pedant, i rregullt, i rruar, i pastër. Mbante syze ca të errëta, tani me flokun e tij ca të thinjur, i qetë, i matur në bisedime, fliste qartë dhe shtruar për gjendjen që ishte në ato anë, për mobilizimin e masave, për furnizimin, për strategjinë luftarake dhe për shumë gjëra tjera. Ishte intelektual i rrallë, trim i patundur, me një fjalë atdhetar i kompletuar si rrallëkush. Ai kishte kaluar një jetë të tërë në shërbim të atdheut, duke qenë pjesë përbërëse dhe organizator i ilegales së hershme, një nder të parët e aksioneve të ndryshme, tani edhe të luftës, pra me armët e lirisë në dorë të cilat i kishte ëndërruar prej kohësh. Koncepti i qartë politik dhe aftësia e tij organizative respektohej nga të gjithë. Kishte durim dhe kulturë dëgjimi për mendimin e tjetrit, aq sa ishte edhe i vendosur dhe i pa kompromis në idetë e tij çlirimtare. Me kërshëri dëgjonte këshillat që i ofroheshin, për të cilat herë pas here mbante edhe shënime. Kështu duke biseduar gati na zbardhi dita. Të nesërmen, sa u zgjuam nga gjumi, gjëja e parë që më zuri syri në shtabin ku ishte Komandant Petriti, ishte vërtet një rregull ushtarake, aty vërejta edhe rendin shtëpiak (që s’e kisha hasur në shumë shtabe tjerë), ishte përpiluar me aq kujdes nga vetë Petriti, për t’u admiruar: koha e zgjimit të ushtarëve nga gjumi, koha e stërvitjes, e vakteve të ushqimit, e trajnimit, e furnizimit, orari i rojave, si dhe masat disiplinore për të gjithë ata që thyejnë rregullin. Në fund të rregullores kishte edhe vulën e Shtabit të UÇK-së për Vrri, të nënshkruar nga Komandat Petrit Kodra, me një fjalë gjithçka e kompletuar!

Kjo më fascinoi, një veprim dhe rregull ushtarak që i vinte erë institucioni! E përgëzova shumë sinqerisht për këtë, për gjithë atë punë dhe përkushtim… veç tjerash ai po mbante po me aq pedanteri edhe arkivin e luftës, çdo gjë ishte për t’u admiruar. Kjo e bënte atë edhe më të dashur dhe më të respektuar para ushtarëve të lirisë. Atij nuk i kthente kush fjalën mbrapsht, nën komandën e tij ushtarët ishin të gatshëm që të flijoheshin kurdo dhe kudo që e kërkonte interesi i atdheut, diçka madhështore. Gjatë ditëve në vijim për aq sa qëndruam në Vrri, vëzhguam edhe fortifikatat e tjera që ishin ngritur aty, pa dyshim dhe gatishmërinë luftarake atje. Tani të shoqëruar nga Komandant Drini, vizituam të gjitha pikat ushtarake, pozitat e tyre, madje u futëm deri në lagjen “Tusus”, të cilën forcat serbe ditë më parë e kishin djegur dhe granatuar, më kujtohet se në kopshtin e një shtëpie të djegur mora një domate të skuqur që përkohësisht kishte mbetur pa të zot!…
Në pikën fortifikuese ku quhej pozita ose fortifikata e vreshtave, takova edhe luftëtarin trim Naser Berishën, pastaj aty ishte edhe një luftëtar nga Duboci i Drenicës e dhjetëra ushtarë të tjerë me të cilët u përshëndetem përzemërsisht. Së bashku ndamë mendime dhe çaste të këndshme, gjithnjë duke marrë kurajë të re për këta trima viganë. Në fakt, Komandant Drinit për këtë pikë, pra të “Vreshtave” i dhashë vërejtjet, apo më mirë me thënë sugjerimet e mia, pikë kjo që ishte përballë ish-“Farmakosit”, njëkohësisht i paraqita edhe kërkesën që me intervale dyjavëshe, ushtarët e kësaj zone të dërgoheshin në Drenicë, në mënyrë që të këmbenin përvoja të kapshme dhe konkrete nga terreni.

Më pastaj, nën shoqërimin e eprorit Xhemshit Krasniqi dhe të zotit Drin, vizituam edhe Spitalin Ushtarak të Vrrinit! Në atë kohë aty po kuroheshin pesë ushtarë të plagosur rëndë e lehtë, ata i kishin ndaluar plumbat me trupin e tyre, duke bartur armatim mbi kurriz për furnizimin e bashkëluftëtarëve tanë. Njërin nga bashkëluftëtarët e tyre, që kishin rënë në atë pritë, kishte rezultuar si i humbur, për fat u gjend i gjallë pas dy-tri ditësh! A ka diçka më madhështore … bijtë e shqipes ballëlartë, me shtatin e larë me gjak, me shtatin si bajrak. Qofshin të nderuar përjetë bijtë e tokës mëmë!
Natyrshëm shtrohet pyetja: nëse kemi bërë mjaftë për dëshmorët e kombit, për invalidët e luftës, për familjet e tyre?!, them se jo, të paktën mos t’i harrojmë, mos t’i mohojmë, mos t’i anashkalojmë, mos t’i anatemojmë ata, se na vret i madhi zot!…

Spitali Ushtarak i Vrrinit, një ndërtesë trekatëshe, me të gjitha kushtet e volitshme, si: ujë, banjë, kanalizim, mjete sanitare, dy infermiere, një mjek, pa dyshim kjo përkujdesje ndihmonte shumë të plagosurit dhe në vend se ne t’ju jepnim atyre kurajë, ata na dhanë neve!

Gjithnjë të shoqëruar nga Xhema, kaluam nga kuzhinë e cila ishte në mes të fshatit, ajo mbahej pastër dhe kishte ushqime me kalori të mjaftueshme, kjo edhe i mbante mirë ushtarët, për çka edhe përgëzova kuzhinierin. Diku pas dreke po ktheheshim drejt shtabit: kudo që kaluam nëpër fshat na përshëndetën burrat, gratë dhe fëmijët e fshatit. Një nënë burrërore, na doli përpara, na mori ngryk, duke na i rrahur shpatullat na tha: “ I lutem Zotit që t’ju ruajë nga e liga, o bijtë e mi!”… M’u mblodh një lëmsh në grykë: nënat tona legjendare, sa kanë pritur e përcjellë bijtë e vet, sa nuk i pritën dot, sa mbetën me kujtimin e tyre, me këngët për ta, me pjellën e tyre që e shtrëngojnë fort në gji si amanetin e tyre më të shtrenjtë, lënë në prehrin e tyre, nënat tona madhështore, a thua do t’ju dalim hakut ndonjë herë?! Po, vetëm çlirimi dhe bashkimi i plotë i kësaj toke të zhuritur i shëron plagët e trupit dhe të shpirtit tuaj o nëna të dashura, o nëna zemërmëdha shqiptare!…

Më poshtë takuam disa fëmijë të cilët po loznin rolin e ushtarëve të lirisë?! Kishin hedhur krahut ca “pushkë” lodra prej druri; njëri hiqej si “komandant” dhe i rreshtonte “ushtaret”, tjetri po jepte raport: ”Zoti Komandant, ushtarët janë gati për sulm!”… Ta them të vërteten, mezi i mbajta lotët, e përqafova njërin nga ta, duke e pyetur nëse kishte dëshirë për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së. Po, ma ktheu me sa zë që kishte, por nuk po na le tata – duke bërë me dorë nga Shtabi, sa herë që ne kërkojmë të bëhemi ushtarë, ata na thonë: Sa të rriteni edhe pak, sa të rriteni edhe pak!…
Mirë, do t’i them unë xhaxhi Petritit dhe do t’ju pranojë… ata ikën, duke brohoritur me një urraaa të madhe dhe vazhduan me lojën e tyre. Mua më dogji diçka në zemër dhe me vete thashë: a thua mor zoti i madh; sa nga këta fëmijë në tërë tokat e shqiptarisë do të mbesin pa përqafimin e më të dashurve të tyre, të cilët do të bien në altarin e lirisë!?… Po, çmim të lartë paska liria e tokës sonë të dashur! Pa dyshim liria do gjak, por pa më të voglin dyshim se edhe fëmijët e Vrrinit, si dhe fëmijët e mbarë shqiptarisë, nesër do të bëhen ushtarë të mirëfilltë të cilët do ta mbrojnë sovranitetin dhe pacenueshmërinë e tokave shqiptare gjithandej…

Tek po përpëlitesha në mendime, po vëreja për anash Drinin, Musën dhe Xhemën e të tjerët që po na shoqëronin, kishim arritur tek Shtabi. Me të hyrë në oborr, na doli përpara Komandant Petriti i cili na qortoi për vonesën. Mora pozicion gatitu dhe i thashë:
“Zbato rregulloren shtëpiake për shkelje të rendit, jam gati t’i nënshtrohem dënimit!”…
U përqafuam po me aq mall. Si duket ishte mërzitur, por edhe shqetësuar për vonesën tonë.
– Është kohë lufte, – më tha, dhe nuk po me rrinte zemra në një vend.
– E di ti që jeni futur deri në lagjen Tusus, pra deri në Prizren!?… dhe për këtë e qortoi Drinin!

Pas pak, së bashku me Petritin (në zyrën e tij), biseduam për shumë gjëra, në fakt ai sqaroi për organizimin në ato anë, për pengesat që po i nxirrnin në veçanti anët e Opojës dhe të Zhurit, si nga pushtuesi serb, ashtu edhe nga bashkëpunëtorë të okupatorit, madje kishte edhe vërejtje të tjera që tani mbase i ka lënë koha mbrapa. Po afronte mbrëmja. Ne duhej të merrnim rrugë për Shqipëri, për arsye objektive Petriti më propozoj që të ndërrojmë itinerarin e udhëtimit. Ai, na dha disa lidhje tjera, dhe ne ato ndoqëm: fillimisht në anët e Hasit shkuam te një mesoburrë që kishte qenë bukëpjekës në Shtabin e Likocit të Drenicës, pastaj ai na orientoi për në fshatin Mazrek, ku rrugën për në Shqipëri do të na siguronte një djalë sokol mali që quhej Kujtim. Andej nga luadhet e hoxhës, një natë e tërë rrugëtim, më të gdhirë, kaluam “Varrin e mirë”, duke bërë një pushim tek “Stanet”, në gjirin e shkëmbinjve të tokës mëmë, që na kishin mbështjellë si mburojë, tani më as kush nuk kishte fuqi që të shpjegojë peripecitë e atij rrugëtimi për të siguruar një grusht barot për lirinë e atdheut, për lirinë e tokës shqiptare- Kosovë halla djersa dhe gjaku ynë!…

Erdhi koha e ndarjes edhe me Komandant Petritin. U përqafuam shumë. Nuk do ta harroj kurrë “nurin” e tij të asaj dite…!? M’i bëri, si të thuash, dy kërkesa ose më mirë të them m’i shtroi dy nevoja: nën 1), më tha se i duhej takuar edhe një Kapllan Shatrin (diku në rrethinë të Cyrihut ), dhe nën 2), më tha se kishte nevojë të ishte për pak kohë në Gjermani, për t’i rregulluar disa punë personale që i ishin grumbulluar atje.
Vërtetë Komandanti i madh Petrit Kodra, mbase nuk arriti që t’i kryejë disa obligime familjare ose të tjera që kishte pasur në Gjermani, por ai burrë i madh i shqiptarisë, ai vigan i patundur, i përfundoi me sukses shembullor të gjitha punët dhe detyrat e Atdheut!
Komandant Kodra ra për liri dhe për bashkim të tokave shqiptare! Emri dhe vepra kolosale e Remzi Ademit – alias Petrit Kodrës, mbeti e përjetshme!

Remzi Ademi ka krijuar celulat e para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit. Më 13 gusht të vitit 1998, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte emëruar Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë kthimit nga takimi i mbajtur në Kleçkë, më 15 gusht 1998, ai hasi në pusinë e forcave të milicisë serbe në afërsi të fshatit Nashec, ku në luftë e sipër bie dëshmor i kombit.
Urtia njerëzore thotë:
– “ Koha do të shëroj vetëm plagët e trupit, por jo edhe të shpirtit!”…
Lavdi e përjetshme emrit dhe veprës së madhe të Komandant Remzi Ademit!

15 gusht 2013
Mehmet BISLIMI

Filed Under: Histori Tagged With: Mehmet Bislimi, ne kujtim, Remzi Ademi, te deshmorit

Frojdi – Tributë e gjeniut

August 18, 2013 by dgreca

Frojdi  në 150 vjetorin e lindjes së tij /

Ne Foto:  (Sigmund Freud, 1856-1939)

Nga LUAN RAMA/

„Acheronta movebo“ – Edhe ferrin do ta trazoj

Në dorëshkrimin e veprës së tij madhore „Interpretimi i ëndrrave”, Frojdi kishte shkruar anash termat latine: „Acheronta movebo“ – që do të thotë „Edhe  ferrin do ta trazoj“. Dhe jo më kot. Frojdi (Freud) e dinte se po shkelte në terrene të pashkelura më parë, në zona të errta të shpirtit njerëzor ku askush nuk kishte shkelur më parë: madje në botën e ëndrrave. Cili ishte ky ferr? Vallë ishte vërtet një ferr apo diçka e lindur bashkë me „’homo sapiens“? Sigurisht, diçka që vinte nga mugëtira e kohrave, nga shekujt e largët të gjenezës së shoqërisë njerëzore, nga qytetërimet e vjetra e më pas ato greko-romake. Dhe ferri u trazua. Frojdi filloi të depërtojë në errësirat e thella, në atë që atëhere konsiderohej „anomalitë njerëzore“. Frojdi ishte i bindur në misionin e tij dhe se po zbulonte diçka të madhe shkencore edhe pse e pranonte, siç do të shkruante ai më pas në një letër dërguar mikeshës dhe pacientes së tij Marie Bonaparte, stërmbesës së Napoleonit, se „Gjenitë janë njerëz të padëshirueshëm. Familja ime mund t’ju thotë se sa i kollajshëm jam në jetën e përditëshme. Pra nuk jam një gjeni“. Megjithatë Frojdi e la gjurmën e tij historike si një gjeni. Që nga vdekja e tij më 1939, korrente të shumta filozofike përqafuan idetë e tij, duke përshkuar shtigje të tjera të psikoanalizës, një prej të cilëve ishte francezi i famshëm  jacques Lacan.

Në këtë 150 vjetor të lindjes së tij, përkujtimi i emrit të Frojdit vjen fill pas përkujtimit të 250 vjetorit të Amadeus Mozart, vjenezit tjetër të madh, i cili e ngriti muzikën në piedestalet dhe në shkëlqimet më të mëdha. Qindra veprimtari i janë kushtuar themeluesit të psikoanalizës: ekspozita, konferenca, kolokiume, retrospektiva kinematografike e dokumentare, etj që lidhen me jetën dhe veprën e Frojdit. Mijra vizitorë vizituan shtëpinë e tij në Vienë, në 19 Bergasse, ku ai kishte dhe kabinetin e tij dhe ku kaloi 78 vjet të jetës së tij, apo shtëpinë e tij ku kaloi momentet e fundit të jetës, në Hampstead të Londrës (në 20 Maresfield Gardeus), kur u detyrua të largohet nga histeria naziste meqë ishte çifut, dhe ku është divani i famshëm (origjinali) i Frojdit ku për 40 vjet ai vendoste mbi të pacientët e tij për të bërë analizën e psikikës së tyre. Pikërisht atje në Londër, shtëpia ku më pas do qëndronte vajza e tij psikoanaliste, Ana Frojd, do të kthehej nga ajo në muze, ku gjënden gjithashtu dhe 6 mijë letra të Frojdit. Interesant është fakti që ai divan u kthye në një lloj simboli apo miti, i cili tërhoqi artistë të mëdhenj si Andy Warhold apo Marx Erns, të cilët i u referuan në veprat e tyre divanit të Frojdit.

Influenca e Frojdit gjatë shekullit XX-të ka qënë padyshim e jashtëzakonëshme, edhe pse të tjerë psikoanalistë shkuan në drejtime të tjera, apo filozofë të tjerë e kundërshtuan atë (filozofi francez Gilles Deleuze me veprën e tij “Anti-Edipi”), por baza e tij, studimi i inkoshiencës, ishte një revolucion i madh, të cilin disa historianë e kanë krahasuar me zbulimet e mëdha në fushën e shkencës, duke kujtuar Kopernikun, Galileun e të tjerë. Mendimi i Frojdit ishte padyshim një rrugë e re dhe revolucionare për të kuptuar thelbin e shoqërisë njerëzore dhe të njeriut vetë. Shumë studjues, biografë e kanë përqasur gjithashtu teorinë frojdiane dhe me inferioritetin femëror, nisur nga jeta personale e intime e tij. Dhe në fakt vetë Frojdi e ka shprehur kërtë nël ibrin e tij „Seksualiteti femëror“, duke shkruar se „gruaja e njeh faktin e kastracionit (ndrydhjes së dhunëshme) dhe me këtë ajo njeh gjithashtu superioritetin e burrit me inferioritetin e saj“. Të kutojmë se bëhet fjalë për fundin e shekullit XIX-të, kohë kur gruaja ishte ende nën pushtetin e burrit.  Në fakt këto ide të Frojdit lidheshin dhe me jetën e tij bashkëshortore, pra me Martha Bernayes, e cila ishte totalisht e eklipsuar nga jeta shkencore dhe publike e Frojdit, duke ju përkushtuar familjes. Nga ana e tij, Frojdi kishte adhurueset e veta, të cilat ishin njëkohësisht dhe pacientet e tij si Marie Bonaparte, Lou-Andreas Salomé, një nga gratë më të bukura e të çuditshme të asaj kohe, etj.

Psikoanaliza do të jetë thelbi i vetë jetës së Frojdit. Interesant është dhe fakti kur një ditë, për ti shpjeguar vajzës së tij 14 vjeçare, Ana, se çfarë ishte psikoanaliza, ai i kishte thënë: “A i shikon ato ndërtesa me façada të bukura? Por gjërat nuk janë gjithnjë kaq të bukura sa ç’shihen në façadë. E njëjta gjë ndodh dhe me qëniet njerëzore”. Dhe kështu Frojdi vazhdonte të depërtonte dhe analizonte atë ç’ka fshihej pas fasadës njerëzore. Padyshim nje kërkim i vështirë, i lodhshëm, cfilitës dhe me njëmijë pyetje të cilave vështirë t’i përgjigjeshe. Një nga kërkimet e tij interesante ishte “seksualiteti fëminor”. Tek Frojdi, “seksualiteti fëminor” nuk është aktiviteti seksual siç është tek të rriturit, por më tepër “kërkimi i kënaqësisë”. Cdo individ, pavarësisht nga mosha është në kërkim të kënaqëisë dhe kërkon ta plotësojë këtë nevoje duke përdorur një pjesë të trupit të tij apo të mjedisit që e rrethon. “Seksualitetin fëminor” Frojdi e ndante në disa periudha të moshës fëminore si stadi oral (nga lindja deri në moshën 18 muajshe); stadi anal (deri në moshën 3-4 vjeç); stadi “phallique”, pra ai i penisit apo më pas “kompleksi i Edipit”, ku pikaset agresiviteti dhe xhelozia në marrëdhëniet at-bir e më gjërë.

Eshtë e njohur sudimi i tij rreth “Hansit të vogël”, djalit të një mikut të tij. Frojdi shkruan se si lindja e motrës së tij të vogël e vendos atë në një gjëndje xhelozie, pasi ai humb vëndin e të qënit objekti i vetëm i dëshirës së nënës së tij. Po kështu thëniet e nënës së tij se “po bëre faj do ti themi doktorit që të ta presë bibilushin”, fëmijën e tmerron. Ai fillon të identifikohet me penisin… Nga imagjinarja, fëmija kthehet në realiteti, duke parë penisin si produkt të vetvetes. Por Frojdi kërkon të depërtojë dhe në jetën apo fëmijërinë e gjenive të artit, siç bëri ai me studimin që botoi për jetën dhe krijimtarinë e Leonardo Da Vinçit, nisur nga refleksionet rreth disa episodeve të relatuara nga jeta e Da Vinçit. Edhe pse faktet më pas nuk dolën se ishin reale, pavarësisht nga kjo, në planin e përpunimit të teorisë së tij, ato janë mjaft domethënëse. Pikërisht në tekstin “Një kujtim fëmijërie e Leonardo Da Vinçit”, shfaqen idetë e tij të para mbi narcisizmin. Por ky tekst është njëkohësisht dhe mjaft kuptimplotë rreth sublimitetit dhe krijimit të artit.

Frojdi hapi padyshim një shteg që të çonte në depërtimin e botës njerëzore gjer në skutat më të fshehta dhe më të errta të saj. Por njeriut të sotëm i mbetet ende shumë rrugë për të bërë në këtë fushë, për të dshifruar atë çka ndodh në të vërtetë në trurin dhe shpirtin tonë, në endrat, përfytyrimet dhe fantazmat tona, në pasionet, jetën seksuale, frikën ndaj vdekjes, ankthet, emocionet në gjithshka që përmbledh impulset e jetës sonë. Vallë gaboi Frojdi që vuri „libido“-n në bazë të teorisë së tij? Libido! Bota e çliruar me shfaqjen e feminizmit modern dhe bota e dikurshme apo dhe e sotme e kastruar (ku ndrydhen ndjesitë dhe dëshirat seksuale) në botën fetaro-muslimane apo atë të mirëfilltë totalitare, ku njdjenjat ndrydheshin me anë të forcës, burgut, internimit, me dënimin e homoseksualëv me burgje të rënda dhe përçmim “vrasës”, dhe ku nuk mund të flitej për fjalën „libido“, edhe pse një gjeneral i famshëm, besnik i partisë, masturbohej për të shfryrë dëshirat e tij përballë asaj që ishte e „pamundur“. A është vallë „libido“ në esencë të akteve tona? Libido + koshience (ndërgjegje) + inkoshiencë.

Frojdi, ky pesimist i madh që influencoi mendimin e shekullit të XX-të duket se na ka treguar udhën për të deshifruar diçka nga ëndrrat dhe dëshirat tona…

Kush ishte Sigmund Frojd?

Sigmund Frojd, një nga gjigandët e filozofisë dhe mjeksisë moderne, lindi më 6 maj të vitit 1856 në një qytezë të vogël në Freiberg të Moravisë, (sot Pribor i Republikës Çeke, 200 km larg Vienës), në një familje hebre gjermanofone. Babai i tij ishte një tregëtar i stofrave, por 3 vjet më vonë ai do të falimentonte dhe familja u detyrua të instalohej në Lajpcing. Një vit më vonë ata u larguan që andej dhe u vendosën në një lagje çifute të Vjenës. Në adoleshncë, për provimet e shkollës, Frojdi përktheu veprën e Sofokliut „Edipi mbret“ dhe që atëherë Edipi do të bëhej një personazh qëndror në jetën e tij filozofike. 16 vjeçar, ai kaloi një aventurë me nënën e një prej shokëve të tij të shkollës. Në vitet universitare studjoi filozofinë dhe i përkushtohet fiziologjisë dhe mjeksisë. Në moshën 20 vjeçare ai hyri në rrethet shencore të Vjenës dhe studioi biologjinë në Trieste të Italisë. Më pas u lidh me shkencëtarin e njohur Josef Breuer. Pikërisht në këtë kohë ai e ndroi emrin e tij Sigismund në Sigmund. Më 1882 ra në dashuri me Martha Bernayes, e cila ishte pesë vjet më e madhe se ai. Një vit më vonë provoi kënaqësinë e kokainës. Botoi studimin “Uber coca”, rreth efekteve të dobishme të kokainës në terapi, çka solli sulmet e kolegëve të tij vienezë. Në këtë kohë filloi të shkruajë për ëndrat dhe interpretimin e tyre. Me filozofin Ernst Brucko ai studjoi efektet e kokainës mbi organizmin e njeriut. Më 1886, në Vjenë, ai hapi një klinikë private ku punoi si neurolog duke perdorur gjithashtu dhe elektro-terapinë. Me Martën do të kenë 6 fëmijë, 3 djem dhe 3 vajza. Në vitin 1887 ai filloi të praktikojë hipnozën dhe u zgjodh anëtar i Shoqatës Mjeksore të Vjenës. Botoi disa studime dhe përmes një burse filloi të punojë në Francë, së pari pranë një prej profesorëve më të shquar të kohës në fushën e neurologjisë dhe histerisë, profesori Jean Charcot. Ai do ta adhuronte profesorin francez dhe do t’i shkruante të dashurës së tij se „Charcot po i shkatërron idetë e mia. Vallë fara e tij a do të prodhojë tek unë frutet e veta? Nuk e di, por dije se askush gjer më sot nuk ka patur një influencë kaq të madhe tek unë se sa ai“. Në këtë kohë Frojdi studjon fenomenet e histerisë, të hipnozës dhe të sugjestionit. Ai do të thellohej në idenë e profesorit Charcot se për të shëruar histerinë duhej shkuar drejt “gjësë gjenitale”. Më pas ai praktikoi metodën „catharsis“ të përpunuar nga Breuer, ku i kërkohet pacientit të hipnotizuar që të kërkojë në kujtesën e tij rrethanat e shfaqjes së simptomave të sëmundjes. Duke shkruar rreth histerisë ai do të nënvizonte : “Njeriu sëmuret nga histeria në sajë të një kujtimi. Eshtë ringjallja haluçinante e një skene që ka luajtur një rol të veçantë dhe të rëndësishëm në sëmundjen“. Më 1895, bashkë me Breuer, botoi „Studime mbi histerinë“, ku ai shkruan për „Ana O.“ një nga pacientet e tij dhe që është hapi i parë i teorisë frojdiane dhe frut i një pune dhjetë vjeçare me pacientët që vinin në kabinetin e tij. Pas kësaj ai do të përdorte termin  „psiko-analizë“. Më 1887 ai i shkruan mikut të tij Wilhelm Fliess se „i sëmuri që më preokupon më shumë është vetja ime“. Gjëndja e tij ishte mjaft e rëndë, por sidoqoftë studimet e tij njohin suksese të veçanta. Më së fundi ai e braktisi teorinë e histerisë dhe i u kushtua psikoanalizës, duke pohuar se ka zbuluar „kompleksin e Edipit“. Eshtë koha kur ai vazhdon të përdorë kokainën dhe të pijë shumë duhan. Më 1898 botoi veprën e tij „Seksualiteti dhe etiologjia e neurozave“. „Shkaqet më domethënëse të çdo semundje neorotike, – shkruante ai, – duhen kërkuar tek faktorët që lidhen me jetën seksuale“. Një vit më vonë botoi „Interpretimi i ëndrrave“ dhe më pas emërohet professor në universitetin e Vjenës me titullin „Dozent“. Në këtë periudhë ai u njoh me psikiatrin e famshëm zviceran Carl Jung me të cilin do të ketë një miqësi të gjatë dhe një admirim të veçantë. Më 1905 botoi „Tri ese mbi teorinë seksuale“, ku flet gjërësisht mbi seksualitetin në moshën fëminore. Më 1914, Frojdi nuk u deklarua kundër luftës që shpërtheu në Europë dhe dy djemtë e tij u mobilizuan për të shkuar në front. Çuditërisht, emrat e fëmijëve të tij ishin të lidhura gjithnjë me njerëz të shkencës dhe politikës që ai kishte amdiruar: Olivieri ishte quajtur kështu në kujtim të Oliver Cramwell, politikanit që kishte ndihmuar çifutët për tu vendosur në Angli; Ernst, në kujtim të mikut të tij, fiziologjistit Ernst von Brücke; Sofia, në kujtim të emrit të mbesës së mikut të tij profesorit Hammerschlag apo Anna në kujtim të bijës së këtij profesori, etj.

Botimet e tij shkencore u bënë gjithnjë e më të njohura në rrethet shkencore të të gjithë botës. Por shoqëria e tij e gjatë me Jung, më së fund mori fund. Më 1915 botoi librin “Inkoshienca” dhe një vit më vonë “Mësime paraprake në psiko-analizë”, “Zija dhe Melankolia” (ku fut nocionin e ndjenjës së fajit), etj. Në vitin 1918 filloi analizën me vajzën e tij Ann (Ana) Frojd, me të cilën kishte lidhje shumë të afërta, fakt që u bë i njohur vetëm në vitin 1960. Madje Ana dinte dhe historitë e fshehta dashurore të Frojdit, në një kohë që nëna e saj, apo gruaja e Frojdit, ishte në shtëpi. Analiza me të bijën u zhvillua nga viti 1918 gjer në vitin 1921, për tu përsëritur përsëri në vitet 1924-1925. Megjithatë shënimet rreth kësaj analize psikike nuk janë bërë ende të njohura dhe mbahen në arkivat e “Muzeut Frojd”. Një pjesë e këtyre arkivave do të happen vetëm në vitin 2013.

Në vitin 1920, Frojdit i vdes vajza e tij Sofia. Ndërkohë, Ana Frojd futet në Komitetin e fshehtë të Psikoanalizës që ishte krijuar nga Frojdi dhe miqtë e tij. Më 1925 Frojdit i shfaqet një kancer në gojë. Djali i vajzës së tij i vdes ne moshën 4 vjeçare nga turbekulozi dhe kjo ngjarje e trondit rëndë. “Nuk mund ta duroj këtë dhimbje të madhe, – shkruan ai. – Më duket se kurrë në jetën time nuk kam provuar një dëshpërim të tillë”. Por vetë Frojdi është një i sëmurë rëndë. Atij i duhet të verë një protezë në gojë, në nofullën e sipërme, në mënyrë që të flasë, të hajë apo të pijë duhan. Më 1925 ai takoi në Berlin gjeniun tjetër të shekullit, Anjshtajnin dhe më pas u njoh me shkrimtarin e madh francez Romain Rolland. Ai tashmë ishte një personalitet mjaft i njohur dhe Hollivudi i propozoi 100 mijë dollarë për një film për dashuritë e tij të famëshme, por ai nuk i pranoi. Ndërkohë u njoh dhe me shkrimtarin e shquar gjerman Thomas Mann. Më 1933, librat e tij janë në turrën e librave që digjen nga nazistët në sheshet publike. Madje në vitin 1938, një grup nazistësh kontrollojnë në shtëpinë e tij dhe arrestojnë të bijën, Anën, të cilën më pas e lëshojnë. Pas botimit “Le Moi et le Ça” (1923), të “Pengesa, simptoma dhe ankthi” (1926), të «Aveniri i iluzionit » (1927), « Gjëndja e vështirë e kulturës » (1930), në vitin e fundit të jetës së tij ai arriti të botonte dhe « Moisiu dhe Monoteizmi », lidhur me refleksionet e tij mbi qytetërimin judeo-kristian. Gjëndja e tij në këtë kohë ishte tepër e vështirë, pasi ai në fund të fundit ishte një çifut. Ja pse me ndërhyrjen e presidentit amerikan Ruzvelt, ai mundi të shkonte në Londër, ku turmat entusiazte londoneze e presin si një hero të vërtetë. “Për herë të parë dhe në moshë të thyer, – shkruan ai, – kuptova se çdo të thotë të jesh i famshëm”. Por dhimbjet e kancerit i u bënë të padurueshme. Atëhere, i vendosur, ai i kërkoi mjekut të tij personal që ti bëjë një inxheksion me një dozë të fortë morfine që të mund ti japë fund jetës së tij. Por njeriu i madh, darvinisti që filloi të interesohej për monoteizmin në fundin e jetës së tij, tashmë e kishte trazuar ferrin njerëzor: „Acheronta movebo“…Ky ferr ka mbetur i trazuar ende dhe sot.

Askush nuk mund ta mohojë gjeninë e tij

Intervistë me filozofen franceze Elisabeth Rudinesco./

 – Këtë vit festohet 150 vjetori i lindjes së Frojdit. Por cili është akti themeltar i veprës së tij?

– E.R. – Janë disa dhe së pari libri i tij “Studime mbi histerinë” e vitit 1895. Akti i dytë është futja e fjalës psikoanalizë në vitin 1986, nisur nga punimet e kolegut të tij Josef Breuer për të cilësuar psikoterapinë, pra kurënmjeksore perms fjalës. Akti i tretë është braktisja në vitin 1987 e teorisë së tij të seduksionit sipas të cilës neuroza ka për origjinë një lloj abuzimi ose një trauma reale seksuale.  Frojdi hoqi dorë të shpjedonte neurozën nga traumatizmi. Hipoteza se femrat hiqsterike kishin qënë vajza mbi të cilat kishin abuzuar në fëmijërinë e tyre, ai e zëvëndësoi me idenë e habitëshme  se ne vetë vuajmë nga “fantazmat” tona, brënda nesh. Kështu frojdi kalon në anën e inkoshiencës (jo-ndërgjegjes) dhe fillon te analizojë ëndrat, çka e bëri vetëm ai. Edhe dijetarë të tjerë janë interesuar për të njejtat gjëra por jo në të njëjtën mënyrë. Ai krijoi njësistem metafizik, një teori të përgjithëshme të inkoshiencës njerëzore dhe të psiqizmit, për çka i u drejtua tragjedisë së Edipit, të cilës i dha një vlerëm itike universale, ashtu si dhe figurave të Eros-it, të Thanatos, etj.

– A mund të flitet për psikoanalizën?

– sigurisht, edhe pse disa rryma janë distancuar nga ajo, duke filluar nga vitet 1930. Psikoanaliza është metoda teurapetike frojdiane e praktikuar nga të gjitha korentet shkencore që mbahen si frojdiste, pavarësishte nga divergjencat që kanë rreth teorisë së seksualitetit. Qëllimi është që permes fjalës tëm jekohen sëmundjet psiqike;

– Pram und të themi se si bazë do të ishte inkoshienca ?

– Po, inkoshienca, por dhe seksualiteti dhe dëshira. Inkosheinca është fjala që gjetur më shumë kundërshti. Ka disa që thonë se kjo ka ekzistuar gjithnjë, çka është e vërtetë, por ata harrojnë se Frojdi e ngriti atë si teori në një mënyrë krejt moderne. Ka të tjerë që thonë se kjo  se është thjesht diçka shpirtëzrore e cila nuk provohet, pra nuk shihet në skaner. Të tjerë pranojnë se e kanë inkoshiencën por e paraqesin atë duke thënë se ajo nuk influencon dhe nuk përcakton veprimtarinë e tyre. Përsa i përket dëshirës, Frojdi i ka anashkaluar praktikave seksuale dhedimensionit gjenital për të krijuar një teori të dëshirës, të “libido”-s, të pilsimeve dhe vrullit seksual. I ndikuar nga darvinizmi, Frojdi e mendon njeriun si një përzjerje kafshore në impulsionet dhe aspiratën e tij nsublimitetin apo zotërimin e pasioneve. Në këtë vështrim, Frojdi ishte një teoricien e lirisë dhe jo i kënaqësisë seksuale. Ai kishte një concept mjaft romantik të emancipimit dhe një reference të dyfishtë në ndryshimet që kanë dy sekset mes tyre. Kjo diferencë, në sytë e tij është po aq “natyrale” sa dhe e “ndërtuar”, po aq “anatomike” sa dhe “identitare”. Në këtë kuadër, në ditët tona kemi një lloj regresi. Ne lëmë fushën e dëshirës për tu interesuar kryesisht për praktikat seksuale me kusht që ato të kushtëzohen nga morali. Ne shkojmë apo hepohemi midis pornografisë dhe puritanizmit, ndërkohë që mendimi frojdist nuk ishte as për njërën dhe as për tjetrën, as për kënaqësinë seksuale pa kufi dhe as për frustracionin që të bën fajtor. Në SHBA gjejmë të dy fenomenet: kërkesa për një trup që kënaqet plotësisht dhe nga ana tjetër ku nje Zot e ndalon lirinë e seksit. Këto shoqëri bëhen perverse.

– U fol për aktet themeluese, por cilat janë ato që krijuan pikerisht shkuputjen me të kaluarën?

– Mund të citojmë “Interpretimin e ëndrrave” të vitit 1900. Frojdi largohet nga nocioni kyç i ëndrrave dhe përpiqet të gjejë domethënien racionale të ëndrrave duke u nisur nga asociacionet e lira që mund të bëjë ai që ka ëndëruar pikërisht në momentin e zgjimit të tij. Më 1905 kemi studimin e tij “Tri ese mbi seksualitetin”. Më pas, vitet 1914-1917-1923, janë vitet që lidhen me „aparatin metafizik apo e quajtur ndryshe metafiziologjik, që i lejon atij të formulojë teorinë me konceptet e tij të famshme si inkoshienca, prekoshienca, „unë“, „le ça“, „surmoi“, etj. Duke filluar nga viti 1919, të nesërmen e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kemi një epokë tjetër: Frojdi fut idenë e pulsionit të vdekjes. Më vonë, duke filluar nga viti 1930 ai orientohet drejt një refleksioni mbi trashëgiminë hebraiko-kristiane dhe gjenezën e qytetërimeve përmes botimit të librit të tij „Gjëndja e vështirë e kulturës”, „Aveniri i një iluzioni“ dhe së fundi “Moisiu dhe feja monoteiste“. Frojdi ishte një hebre pa Zot, i ç’hebraizuar. Ai ishte ateist. Kategoritë e së mirës dhe të keqes ai i mendon tashmë nën dritën e një kundërvënieje midis qytetërimit dhe barbarisë, duke kuptuar se qytetërimi nuk është e thënë se është vetëm perëndimor dhe se barbaria nuk mund të shihet vetëm te „Tjetri“ apo i „Huaji“, por brënda vete njerëzimit. Pra ajo është universale. Frojdi i përket gjeneratës së mendimtarëve të epokës „Lumière“, pra të atyre që besonin njëherësh si në perfeksionin human ashtu dhe në mundësinë e një regresi të mundshëm drejt së keqes.

– Atëhere seksualiteti fëminor ka qënë një skandal i madh, apo jo?

– Në vitet 1850-1888, një debat i madh dhe i pasionuar zhvillohej mbi seksualitetin fëminor. Ç’ishte vallë masturbimi fëminor? Vallë fëmija ishte një i çmëndur? Ishte pervers apo gjysëm i çmëndur? Atëhere masturbimi fëminor mjekohej me trajtime organike, kirurgjikale dhe dhunë fizike. Gjatë dhjetë vjetëve (1886-1896) Frojdi ka punuar në pediatri. Si neurolog ai konsultoi 275 fëmijë të sëmurë nervorë, para se të krijonte teorinë e psikoanalizës. Ai ishte kundër dhunës fizike ndaj fëmijëve, si një trajtim mjeksor. Kështu, pyetjes nëse masturbimi fëminor apo i të rriturve ishte patalogjik ai i u përgjigj përmes teorisë së seksualitetit fëminor. Ideja e tij ishte se çdo qënie fëminore është një lloj „perversi polimorf“. Masturbimi, eksitimet seksuale fëminore janë patologjike, por janë dhe normale. Kjo gjë atëhere u quajt skandaloze. „Vetëm në moshë të rritur, individi arrin stadin e seksualitetit „non objectale“, pra që nuk e shesh vetveten si objekt i dëshirës së tij. Teza e shkollës vieneze, pra e Sigmund Frojdit dhe Ana Frojdit ishte se nuk mund të analizohen fëmijët në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ajo bëhej atëhere përmes thënieve dhe tregimeve të prindërve të tyre.

– Ç’mund të shënohet nga fëmijëria dhe marrëdhëniet e tij me prindërit?

– Ai e adhuronte nënën e tij dhe ishte shumë i ndjeshëm ndaj poshtërimeve që i bënte asaj i jati i tij. Kishte dobësi të veçantë për nënën. Ja pse ai e kuptoi më mirë revoltën e djemve ndaj baballarëve se atë të vajzave ndaj nënave dhe etërve të tyre. Në korespondencën e tij me Wilhelm Fliess gjëndet një frazë përçmimi ndaj babait të tij të cilin ai e sheh si një „pervers seksual“ që abuzon, në një kohë kur ai ishte ende dishepull i teorisë së seduksionit.

– A ka influencuar dhimbja e tij pothuaj 20 vjeçare, (nga një kancer në nofull), për refleksionet e tij?

– Nuk dimë nëse Frojdi, idenë e pulsioneve të vdekjes e shprehu ne mënyrë teorike para apo pasi i u shfaq kanceri. Pas vdekjes së vajzës së tij, Sofia, në vitin 1920, dhe vdekjes së nipit të tij, ai u dëshpërua shumë. Por vetë ai thotë se mbi këtë ide kishte menduar që në vitin 1914. Sidoqoftë të gjitha këto ngjarje të dhimbshme kanë ndikuar tek ai dhe mendimet e tij. Frojdi mendonte shumë për vdekjen. Ai tmerrohej nga ditëlindjet. Por megjithatë ishte dhe një stoik ndaj vdekjes siç e tregoi  në fund, duke vendosur vetë për largimin e tij nga kjo botë.

– A është psikoanaliza një shkencë?

– Po, psikoanaliza është një shkencë humane, pra nuk është një shkencë e natyrës edhe pse Frojdi do të donte ta lidhte atë me shkencat e natyrës. Ishte si të thuash ekuivalente me sociologjinë dhe antropologjinë. Ajo mbështetet mbi proçedura racionale. Ajo nuk është pjesë e mjeksisë. Ditën që ajo u bë shkencë, ajo la pas shumë dhimbje. Ndërkohë, shekulli XIX nuk mendonte më se vdekja i përkiste zotit. Që nga ajo kohë do të ishte mjeku që do të konstatonte lindjen apo vdekjen e njeriut.

– Dhe megjithatë Frojdi e cilesonte veten si shkencëtar.

– Po, si një dijetar « darvinist », meqë ai kishte përpunuar një teori që shpresonte të konfirmohej nga biologjia. Në fillimet e tij ai ishte i pasionuar pas fiziologjisë. Por pas martesës së tij me Martha Bernays, ai duhej të fitonte para që të mbante familjen, duke u angazhuar si neurolog dhe aspak si psiqiatër. Frojdi nuk interesohej shumë ndaj psikozës. Ai nuk e kishte menduar se të parët që do të merreshin me psikoanalizën do të ishin psiqiatrit.

– Çfarë mbetet sot nga frojdizmi dhe pse frojdizmi është një teori e rëndësishme?

– Ne jetomë në një shoqëri që e di se inkoshienca ekziston. Ne e dime se kur flasim, ne themi jo atë që besojmë se duam të themi. Lapsuset, lojrat e fjalëve, etj, kanë një efekt që lidhen me të vërtetën dhe kjo gjë sot nuk kundërshtohet. E gjithë terminologjia frojdiane bën pjesë në kulturën tonë (inkoshienca, klivazhi, « refoulement », fantazmat që krijojmë, etj). Aq më tepër që vepra e Frojdit studiohet në të gjitha universitetet e vëndeve perëndimore, herë si letërsi e herë si filozofi. Gjenia e Frojdit është se ai i u drejtua legjendës së Edipit të tragjedisë së Sofokliut për ta shndruar të gjithën në një diçka krejt tjetër dhe për të krijuar një mit të familjes evropiane. Frojdi bën diçka tjetër me Edipin dhe Hamletin, ndryshe nga Sofokliu dhe Shekspiri. Një nga arësyet se përse Frojdi e bëri botën për vete është se së pari ai i riaktivizoi mitet greke, se ai mendoi për problemet tona psikologjike në dritën e tragjedive të mëdha. Nëse nuk do ti kishte shkruar këto raste si romane, Frojdi nuk do të ishte veç thjesht një profesor i psikologjisë. Ai i dha forcën e një miti themeltar dhe e bëri inkoshiencën fatin e psikikës moderne.

 Universaliteti i mitit të Edipit/

Mikkel Borch-Jacobson mbi Frojdin dhe kompleksin e Edipit/

Profesori i letërsisë së krahasuar në universitetin e Uashingtonit, Mikkel Morch-Jacobson, duke i u referuar mitit të Edipit dhe transformimit në teori nga ana e Frojdit, shkruan :

« Për Frojdin dhe dishepujt e tij, ishte « auto-analiza » e bërë në nëntor të vitit 1897 ajo që i lejoi atij të zbulonte kompleksin e Edipit. Në një letër dërguar Wilhem Fliess, Frojdi kujton një udhëtim me tren me nënën e tij, nga Lajpcingu drejt Vienës, kur ai ishte dy vjeç e gjysëm. Ai mendon se në këtë moment ai e ka parë të jëmën nudo dhe ka ndjerë « libido », pra kënaqësi ndaj saj ». Më pas, Frojdi i shkruan mikut të tij se « kam zbuluar ndjenjën e dashurisë ndaj nënës dhe të xhelozisë ndaj babait, dhe këtë e konsideroj si një ngjarje universale të fëmijërisë së njeriut në përgjithësi ». Duke bërë këtë përgjithësim fantastik, ai na la pas teorinë e universalitetit të kompleksit të Edipit ».

Thënie dhe citime nga vepra e Frojdit/

« Doktrinat fetare janë që të gjitha iluzione, të patregueshme, ku askush nuk është i detyruar ti shohë si të vërteta dhe ti besojë ato. Disa prej tyre janë të pabesueshme dhe me shumë kontadiksione në gjithshka që i përbën. Eksperienca na ka mësuar me mundim realitetin e kësaj bote ndryshe nga këto teori që duke patur parasysh ndryshimet psikologjike mund ti krahasojmë ato me ide delirante. Në shumicën e këtyre doktrinave nuk mund të gjykojmë në vlerën e së vërtetës ». (« Aveniri i një iluzioni »)

«  Kur bëhet fjalë për çeshtjet fetare, njerëzit ndjehen fajtorë për të gjitha të këqiat e mundëshme të këaj bote. Filozofët tjerrin domethënien e disa fjalëve gjersa ato të ruajnë diçka nga kuptimi i  origjinës së tyre. Ata quajnë Zot abstraksionet e vagëta që janë krijuar, dhe tashmë, përballë botës së Zotit dhe besimtarëve që besojnë tek ai, ata mund të krenohen se kanë njohur një lloj koncepti më të pastër e më superior mbi Zotin, edhe pse ky Zot është veçse një hije pa substancë ». ( « Aveniri i një iluzioni »)

« Ne kemi pikasur se deformimi qe a pengon të kuptojmë ëndrën është efekt i një çenzure që e ushtron veprimin e saj kundër dëshirave të papranueshme dhe inkoshiente ». Por ne nuk kemi pohuar natyrisht, se çenzura është i vetmi faktor që krijon deformimin. Studimi më i thellë i ëndrës na lejon në fakt të kostatojmë që në këtë gjë, në shfaqjen e këtij fenomeni, marin pjesë dhe faktorë të tjerë krahas çenzurës.

 

(« Simbolizmi tek ëndrrat »)

« Trajtimi psikoanalitik përbën në vetvete veçse një shkëmbim fjalësh midis pacientit (ai që analizohet) dhe mjekut. Pacienti flet, tregon ngjarje të së kaluarës së tij, ankohet, tregon dëshirat që ka provuar dhe emocionet e tij. Ndërsa mjeku preokupohet për ecurinë e ideve të pacientit, i zgjon atij kujtimet, e orienton vëmëndjen e tij në disa drejtime, i jep atij shpjegime dhe vëzhgon tek ai reagimin e kuptimit apo të mos-kuptimit që shkaktohet tek i sëmuri“.

«  Në thelb, askush nuk beson në vdekjen e vetvetes, dhe në inkoshiencën e tij, secili është i bindur në pavdekësinë e tij. »

 

« Dialli është ende marifeti më i mirë për ta shfajësuar Zotin ».

 

« Idetë fetare që na shfaqen si dogma nuk janë produkt i një eksperience apo rezultati përfundimtar i një refleksioni. Ato janë iluzione, pra realizim i dëshirave më të herëshme, më të forta dhe më të ngutshme të njerëzimit : sekreti i forcës së tyre është është forca e këtyre dëshirave. Por ne e dimë tashmë : përshtypja e tmerrëshme e dëshpërimit fëminor ka zghuar dëshirën për të qënë i mbrojtur dhe duke dashur të duhemi njëkohësisht, pra nevoja që ati e ka plotësuar këtë. Por meqë ky dëshpërim zgjat gjithë jetën, kjo ka bërë që njeriu të jetëdhënë fort paz një ati tjetër, një at kësaj rradhe akoma më i fuqishëm ».

(« Aveniri i një iluzioni »)

 

Leksik/

 

Inkoshiencë : Në gjuhën e zakonëshme nënkupton teorinë e proçeseve mendore që nuk janë të menduara me ndërgjegje. Në studimet e para, Frojdi e përcakton atë si një sistem të përbërë nga gjëra të larguara në thellësi të vetvetes, që i kanë shpëtuar instancave të tjera (prekoshiencës dhe koshiencës, pra ndërgjegjes).

Libido : Frojdi e përdor këtë term latin për të nënkuptuar dëshirën seksuale, për të përcaktuar një manifestim dinamik të pulsimeve seksuale në jetën psikike.

Neurozë : Nënkupton tërësinë e simptomave që flasin për ekzistencën e një konflikti psikik, rrënjët e të cilit gjënden kryesisht në histori fëminore të individit.

Edipi : Në referencë me mitin e Edipit, ky term nënkupton kompleksin e identifikuar nga Frojdi në të cilin ai fut tërësinë e dëshirave dashurore që një fëmijë ndjen për prindërit e tij.

Psiko-analizë : Kjo fjalë shfaqet nga pena e Frojdit në vitin 1896 në frëngjisht në termin « psycho-analise ». Psiko-analiza është metoda terapetike frojdiane e praktikuar në ansamblin e të gjitha korenteve që mbahen si frojdiste. Karakteristika e saj është që përmes fjalës të trajtosh shqetësimet e psikizmit të njeriut.

Pulsioni i vdekjes : Me origjinë nga inkoshienca, ai bën që personi në mënyrë përsëritëse vendoset në gjëndje të dhimbëshme, si pasojë e eksperiencave të kaluara më parë.

« Refoulement » : Eshtë një proçes ku tentohet që ide apo shfaqje që lidhen me pulsime, të qëndrojnë në sferën e inkoshiencës, dhe si të tilla ato shkaktojnë një gjëndje jo të mirë dhe të dhimbshme tek individi.

 

Disa vepra kryesore të Sigmund Freud (Frojd)

 

– Studime mbi histerinë, 1895

– Interpretimi i ëndrave, 1900

– Mbi ëndrën, 1901

– Tri ese mbi teorinë e seksualitetit,1905

– Mbi psikoanalizën, 1910

– Një kujtim i fëmijërisë së Leonardo Da Vinçit, 1910

– Totem dhe tabu, 1913

– Inkoshienca, 1915

– Mësime paraprake në psiko-analizë, 1916

– Zija dhe Melankolia, 1917

– Hyrje në psikoanalizë, 1917

– Përtej principit të kënaqësisë, 1920

– Aveniri i një iluzioni, 1927

– Gjëndja e vështirë e një qytetërimi, 1930

– Moisiu dhe feja monoteiste, 1930

– Mbi seksualitetin femëror, 1931(bot. në “Udhëkryqet e kohës”), L.Rama)

Filed Under: Kulture Tagged With: e Gjeniut, Frojdi, Luan Rama, tribute

Magarevo dhe Nizhopoli fshtrat ku banoni shqiptarët ortodoks

August 18, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kisha e Shen Dimitrit ne Magarevo/

Nga Arben LLALLA/

Shpeshherë kemi lexuar rreth shqiptarëve ortodoksë të Rekës në Maqedoni të cilët janë asimiluar dal ngadalë si pasojë e presioneve të ndryshmet. Por për veç fshatrave të Rekës shqiptarët ortodoks kanë banuar në fillim të shek.XX në zonën e Kavadarcës në dy fshatra, KONOPIŠTA dhe MREŽIČKO. Në këto dy fshatra disa banorë janë deklaruar të fesë ortodokse me kombësi shqiptare në fillim të shek.XX, por ne, do flasim edhe për dy fshatra të tjerë që ndodhen afër qytetit të Manastirit që dikur kanë banuar shqiptar ortodoks, ndërsa sot banorët janë deklaruar maqedonas dhe vlleh. Bëhet fjalë për fshatrat MAGAREVO dhe NIZHOPOLE. Por si u asimiluan shqiptarët ortodoks të këtyre dy fshtrave?

Magarevo dhe Nizhopoli janë dy fshatra që ndodhen në Republikën e Maqedonisë afër qytetit të Manastirit, në kufi me Greqinë dhe Shqipërinë. Këto dy fshatra janë ato raste ku shqiptarët e krishterë u asimiluan ndër vite për shumë arsye.

Në shekujt e mëparshëm shqiptarët në mungesa të shkollave shqipe mësonin në shkollat turke, greke, bullgare, serbe dhe vllehe. Kjo bëri në ato vite që studiuesit e huaj ti identifikonin si popullsi jo-shqiptare. Si pasoj për fat të keq kemi mungesa informacioni për numrin e vërtetë të shqiptarëve në Ballkan gjatë shek.XIX dhe fillim të shek.XX, sidomos për shqiptarët e krishterë.

Nga shek. XVIII në Magarevo banonin rreth 5-6 familje sllave, por nga fundi i viteve 1770 në fshat u vendosën shumë familje vllehe shqip-folëse nga Linotopi si dhe shqiptar ortodoks nga Kolonja dhe Bithkuqi i Korçës. Thuhet se në këtë fshat në fillim të shek.XIX ka patur rreth 13 mullinj dhe Megarovo ose Magarevo njihej si pronë nën sundimin e Seit Rustem Beut, Kajmakam i Manastirit. Nga disa të dhëna na informojnë se në këtë fshat nga viti 1845 erdhën edhe disa familje të tjera shqiptare nga Bithkuqi të ftuar nga familjet vendase tashmë të Magarevës. Në përgjithësi banorët e këtij fshati merreshin me bagëti dhe numri i banorëve i kalonte 3.000 njerëz. Në lulëzimin e tij fshati ka patur disa shkolla ku mësohej në gjuhën greke dhe vllehe. (Asimilimi i shqiptarëve në kohën e perandorisë osmane bëhej me anë të shkollave ku pjesa e shqiptarëve mysliman mësonin në shkollat turke ndërsa shqiptarët ortodoks nëpër shkollat greke, bullgare, serbe dhe vllehe).

Në librin Etnografia e Vilajeteve të Adrianopojës Manastirit dhe Selanikut të botuar në Stamboll më 1878, në pasqyrën e statistikave shkruhet se në fshatrat Magarovo, Tërnovo dhe Nizhepole jetonin 3.000 vlleh dhe 500 shqiptar.

Historiani grek Apostol Vakalopulos (1909-2000) shkruan në librin Historia e Maqedonisë 1354-1833, se në fund të shek.XVIII në Megarovo erdhën disa familje shqiptare nga Kolonja dhe Bithkuqi. Ka edhe shumë burime të tjera greke që shkruajnë se në këtë fshat kanë jetuar shqiptar ortodoks, por për më gjerë i mbten të ardhmes për të shkruar.

Sot Magarevo është një fshat i vogël dhe në regjistrimin e vitit 2002 u deklaruan 64 maqedonas dhe 24 vlleh.

Fshati Nizhepole është tjetër fshat në Maqedoni afër qytetit të Manastirit që pothuajse ka të njëjtën histori si Magarevo. Ish-ministri i arsimit të Bullgarisë Vasili Kënçov shkruan më 1900 se në Nizhopole banojnë 250 shqiptar të krishterë, 190 bullgarë dhe 2.030 vlleh.

Në përfundim duhet thënë se e rëndësishme është se kur nuk ekzistonte shteti shqiptar dhe institucionet kombëtare, të huajt na kanë sjellë të dhëna për popullsinë shqiptare ortodokse dhe myslimane edhe pse këto të dhëna mund të jenë të cunguara duke tkurrur sa më shumë realitetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, fshatra, Magarevo dhe Nizhopoli, me ortodokse, shqiptare

Shqipshkrimi, një problem diplomatik shqiptaro-grek

August 17, 2013 by dgreca

Nga Aleksander Cipa /

 Në të gjitha rrjetet sociale dhe në median e paktë të emigrantëve shqiptarë në Greqi gjatë këtij sezoni të pushimeve verore, zien një ankesë drejtuar qeverisë së Shqipërisë. Prej muajit dhjetor të vitit të kaluar (2012) të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi dhe që jetojnë në këtë vend fqinj me Shqipërinë, nuk u lejohet të rikthehen nëse vizitojnë atdheun e tyre, për shkak të shqipshkrimit të toponimit grek ku kanë lindur. Ky nuk është thjesht një problem social, ndonëse i tillë përjetohet prej disa mijëra fëmijëve dhe prindërve shqiptarë në emigracion. Tashmë ky është një problem diplomatik i ngritur fatkeqësisht në nivelin e baraspeshimit nga pala greke, me çështjen e marrëveshjes detare mes dy shteteve, e cila, siç dihet, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.
Mediat shqiptare në Greqi e kanë të ripohuar tashmë arsyen se si dhe kur lindi ky problem, ndërsa mediat në Shqipëri ende nuk e kanë fokusuar dhe aq më keq nuk e kanë të qartë zanafillën.
Ndërkohë që pala zyrtare greke e bazon refuzimin e mëtejshëm të shqipshkrimit të toponimeve greke në pasaportat e fëmijëve të emigrantëve, në dokumente të OKB-së, (mbi standardizimin e toponimeve të të gjitha shteteve anëtare), më konkretisht në respekt të Udhërrëfyesit të Toponimeve të Grupit të Ekspertëve të OKB-UNGEGN.
Natyrisht që Athina është kujtuar për këtë udhërrëfyes vetëm gati 10 muaj më parë, ndonëse për mbi 15 vjet asnjëherë nuk është ankuar për kësi çështjesh të shqipshkrimit në pasaportat e emigrantëve shqiptarë. Por, po Athina zyrtare kur e sheh të udhës, lëshon shkresa pranë pikave kufitare me Shqipërinë që për disa ditë, kryesisht festash dhe kremtimesh, të mos merret në konsideratë kjo çështje e shqipshkrimit.(!) Problemi kaq i dhimbshëm dhe preteksti aq privues për mijëra e mijëra shqiptarë, tashmë është ngritur në nivelet më të larta të komunikimit ndërshtetëror. Madje, kryeministri në ardhje Edi Rama, në vizitën e kësaj jave private në selitë e Kryeministrisë dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, e kryerenditi këtë ankesë emigrantësh, si më emergjenten. Kuptohet vetvetiu se sa i zhbërë është rendi i çështjeve dhe problemeve që duhen trajtuar mes dy qeverive, ndërsa njëra është ende e padekretuar zyrtarisht dhe tjetra (ajo në Athinë) është në pikun e një krize për shpëtimin e vendit nga falimenti.
Problemi i zvarritur dhe fëmijët e penguar shqiptarë, për shkak të shqipshkrimeve të toponimeve greke nuk është thjesht një aspekt që buron dhe lidhet thjesht me shërbimet diplomatike apo edhe me mijëra familjet e emigrantëve. Kjo është një çështje që rizbulon edhe një herë falsitetin antihuman që karakterizon kapriçiot e Greqisë shtetërore në raport me Shqipërinë shtetërore. Një kapriçio, e cila konvertohet në lëndim dhe vuajtje te komuniteti disa qindra mijësh i emigrantëve që tashmë janë gati shtetas të natyralizuar në vendin fqinj. Kapriçio të tilla nuk mbjellin më as kompleks e as nënshtrim, por thjesht konservojnë akumulime ndjenjash dhe kontestimesh të brendshme. Pengime të tilla shtetërore potisin në targete të caktuara grupesh dhe individësh në Shqipëri dhe Greqi, ndjenja negativiste dhe paragjykime farëkëqija.
Botimi i njëkohshëm i shkrimit të kolegut Robert Goro në shumicën e të përditshmeve të Tiranës dhe në gazetën “Tribuna” në Greqi, me titull: “Fatkeqësisht linda në Greqi”… (Emigrant në vendin fqinj, dje mbahej peng prindi, sot fëmija), ishte një tërheqje maksimale e vëmendjes publike për problemin. Ky shkrim merrte shkas nga postimi i një 14-vjeçareje shqiptare në Greqi, e cila është e penguar të udhëtojë drejt atdheut të saj për pushimet verore për këtë shkak.
Por nëse këtij reagimi do t’i bashkoheshin edhe reagimet e grupeve të të drejtave të emigrantëve dhe të njeriut në Shqipëri, nëse do të kërkohej që Komiteti i Helsinkit të Shqipërisë të kërkonte reagimin solidar të Komitetit të Helsinkit në Greqi, apo grupeve të të drejtave të njeriut në këtë vend, atëherë nuk do të vijohej e njëjta gjendje dhe i njëjti indiferentizëm.
Ministri i Jashtëm në detyrë, zoti Aldo Bumçi, për këtë çështje mund edhe të pasojë takimin jashtë radhe me homologun e vet grek Venizellos, përderisa takimi i së mërkurës në zyrën e homologut të tij i ambasadorit Dervishi në Athinë, duket se ende nuk e ka dhënë reagimin zgjidhës.
Pengimi shtetëror i fëmijëve të emigrantëve për të vizituar në çdo kohë atdheun e tyre, natyrisht që ka një shkak dhe arsye zyrtare për qeverinë greke, pra buron nga e drejta për respektim të dokumentit të OKB-së. Mirëpo njëkohësisht ky pengim mbart dhe shënon shkelje të disa konventave dhe kartave të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe sidomos të të miturve, aq më tepër që ata janë emigrantë.(!) Si e tillë, kjo shkelje duhej relatuar me kohë pranë organizmave ndërkombëtarë, sikundër edhe duhet ecur me shpejtësi administrative drejt një zgjidhjeje që nuk sjell pasoja dhe cenime në të drejtën dinjitare të gjuhës së secilit vend në dokumentet kombëtare. Në këtë kazus shqiptaro-grek, vlen edhe diplomacia e reagimit intensiv dhe këmbëngulës, por edhe ajo e sensibilizimit dhe e relatimit në kohë pranë organizmave ndërkombëtarë. Shoqatat e emigrantëve dhe sidomos organizmat e të drejtave të emigrantëve dhe njeriut, në rastin grek për shkak të shqipshkrimeve të toponimeve, me kohë duhej të kishin informuar zyrat e posaçme të OKB-së dhe të Brukselit. Në kësi rastesh autoritetet ndërkombëtare e kanë më të lehtë të ndikojnë mbi autoritetet respektive të dy shteteve për të mos përdorur për qëllime dhe interesa politike, si “karrem” emigrantët. Për ta bërë këtë, ende nuk është vonë. Ndonëse edhe kësaj here emigrantët shqiptarë ia falën dëshirën dhe kënaqësinë për të shijuar verën e atdheut së bashku me fëmijët e tyre, sjelljes dhe diabolizmit shtetëror ballkanas.(Shqip)

Filed Under: Analiza Tagged With: aleksander Cipa, diploamtik, nje problem, Shqipshkrimi, shqiptaro-grek

MISTERI I JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT*

August 17, 2013 by dgreca

Shënim i Editorit: Si sot më 17 gusht 2010, Peter Prifti mbylli sytë përjetë. Ai ishte nje intelektual i perkushtuar per ceshtjen shqiptar ne pergjithesi dhe per Kosoven, ne vecanti. U kujtoftë për mirë nga gjithë atdhetarët! Po risjellim një nga shkrimet e tij në kujtim dhe mirënjohje!/

***

NGA PETER PRIFTI*-

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”

Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?

Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.

Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.

Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.

Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.

Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.

Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe  Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye  që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.

Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.

Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.

Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.

(Ish editor i Diellit dhe sekretar i Vatres 1958-

* Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT