• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Shqipëria bën përparim në trajtimin e korrupsionit

August 10, 2013 by dgreca

Nga Merita Bajraktari për Southeast European Times/

Zyrtarët shqiptarë përshëndetën një raport nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës që tha se Shqipëria ka bërë përparim në përpjekjet e saj kundër korrupsionit.

“Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshilli të Evropës arrin në përfundimin se Shqipëria ka zbatuar tashmë në mënyrë të kënaqshme ose mori masa në mënyrë të kënaqshme për të gjitha 12 rekomandimet e përmbajtura në raundin e tretë të raportit të vlerësimit,” vuri në dukje grupi.

Ky vlerësim u përqendrua në dy tema: akuzat e transparenca e fondeve të partive. Raportet e raundit të parë e të dytë të përputhjes u hartuan më 2009 e 2011.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e lavdëroi raportin e vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis Tiranës e grupit të Këshillit Evropian mbi çështjet legjislative e luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, analistët e shtetasit thanë se vendi ka shumë punë për të bërë.

“Nëse ka ndonjë gjë që Shqipëria vazhdon t’a ketë problematikë e nuk ka rezultate, është lufta ndaj korrupsionit. Ndoshta Berisha e grupi i Këshillit Evropian e kane fjalën thjesht për arritje në kuadrin ligjor, domethënë miratimin e ligjeve kundër korrupsionit, por sa për zbatimin e këtyre ligjeve dhe kur vjen puna për zbatimin e tyre në praktikë, sidomos në fushën e korrupsionit, gjendja është alarmante,” tha për SETimesMirela Bogdani, një profesore e shoqëruar në Universitetin e Tiranës.

“Në letër, të gjitha këto raporte të vlerësimit e të përputhshmërisë sipas grupit duken në rregull,” tha për SETimesAgron Alibali. “Në realitet, masat e rekomanduara e të zbatuara nuk duket se  kanë ndonjë ndikim të konsiderueshëm në terren e për më tepër ngrenë probleme të juridiksionit territorial e të barazisë para ligjit”

Kryeministri i caktuar Edi Rama bisedoi me BBC më 18 korrik lidhur me përpjekjet kundër korrupsionit e përsëriti vendosmërinë e tij ndaj kësaj detyre. Korrupsioni “është diçka që mund të përballohet e të mundet,” tha ai.

Shqipëria u bë anëtare e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit Evropian më 2001. Grupi është njësi e rëndësishme e vlerësimit e Këshilli të Evropës në fushat e çështjeve ligjore e përpjekjeve kundër korrupsionit.

Vlerësimi i katërt i grupit do të përqendrohet në parandalimin e korrupsionit lidhur me anëtarët e parlamentit, gjyqtarët e prokurorët.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Merita bajraktari, ne trajtimin e korrupsionit, shqiperia ben perparime

Kosova do të përqendrohet në burimet e energjisë së ripërtëritshme

August 10, 2013 by dgreca

Nga Linda Karadaku/

Me qëllim që të mundësohet zhvillimi i energjisë së qëndrueshme, me karbon të ulët në përputhje me kërkesat e BE-së, Kosova duhet të nxisë përdorimin e burimeve të energjisë së përtëritshme, thanë zyrtarët.Qymyri përdoret tani për të krijuar rreth 90 përqind të elektricitetit të konsumuar në Kosovë dhe është një kontribues kryesor në nivelet e larta të dioksidit të karbonit e ndotjes.

Me miratimin e vendimit të Sekretariatit të Këshillit Ministror të Energjisë mbi nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme në dhjetor 2012, Kosova u angazhua në bërjen e 25 përqind të energjisë së saj nga burime të përtëritshme deri më 2020.

“Do të ishte jo-realiste të parashikoje prodhimin e plotë të energjisë nga termocentralet e qymyrit me të ripërtëritshme. Dhe duhet të mbajmë parasysh se të gjitha burimet e ripërtëritshme, përveç hidrocentraleve të mëdhenj, gjithsesi kanë nevojë për një skemë subvencionesh. Subvencionet duhet të jenë më të mëdha në qoftë se çmimi i elektricitetit do të jetë nën kostot e prodhimit,” tha për SETimesJanez Kopac, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Kosova kohët e fundit hartoi një Plan Veprimi të Energjisë së Përtëritshme Kombëtare që vendos synime për krijimin e elektricitetit, transportit dhe ngrohjes e ftohjes. Plani vë një hartë udhëzuese e masa sesi Kosova do të arrijë qëllimin e saj deri më 2020.

“Vendim-marrësit dhe zhvilluesit e projekteve të energjisë duhet të kryejnë vlerësime të ndikimit në mjedis, duke ndjekur standartet e larta mjedisore të BE-së e të përdorin teknologjitë më të mira në dispozicion për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe ndikimet e lidhura me shëndetin publik të projekteve të energjisë. Termocentralet ekzistuese me qymyr në Kosovë kanë një ndikim të madh negativ mjedisor,” tha Kopac.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës tha se politikat e saj mbështeten në kërkesat e BE-së.

“Politikat e Republikës së Kosovës për ndërtimin e rigjallërimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë mbështeten në kërkesat e Bashkimit Evropian për mjedisin e shfrytëzimin me efektshmëri të burimeve të energjisë,” tha ministria për SETimes.

Rinora Gojani, një studiuese për Institutin për Politikën e Zhvillimit në Kosovë, tha se energjia e krijuar nga qymyri nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën.

“Kosova duhet të analizojë të gjitha burimet e energjisë. Por para së gjithash, ajo duhet të analizojë masat e efektshmërisë së energjisë. Një ‘negavat’ është më mirë se një megavat, në kuptimin që energjia që është kursyer si një rezultat i përdorimit të duhur është shumë më mirë sesa krijimi shtesë,” tha ajo për SETimes.

Gojani tha se Kosova ka burime të mira të energjisë së ripërtëritshme. Ajo vuri në dukje se një studim i kryer nga Daniel Kamen, një shkencëtar i energjisë në Universitetin e Kalifornisë në Bërkli, tregon se Kosova mund të mbulojë 38 përqind të konsumit të saj të energjisë nga mundësitë e erës, ujit dhe ato diellore.

Autoritetet e Kosovës pranojnë, megjithatë, se kjo do të jetë një sfidë.

“Gjetja e një ekuilibri në mes plotësimit të nevojave për energji e mos-dëmtimit të mjedisit dhe për pasojë shëndetit është një sfidë për të cilën kërkohet të zhvillohen strategji të përshtatshme që kënaqin të gjitha palët për aq sa është e mundshme,” tha për SETimes ministria e zhvillimit ekonomik.

Shtetasit që jetojnë në zonën e Obiliqit/Fushë Kosovës, në rrethinat e Prishtinës ku janë termocentrale, vuajnë pasojat e prodhimit të energjisë me bazë qymyrin.

Banorja Durime Sinani tha se familja e saj bleu një apartament atje për shkak se çmimet e apartamenteve janë më të lira, por ai është “një vend shumë i keq për të jetuar.”

“Nuk i hapim dritaret nga era e ndotja. Rrobat është vështirë të thahen sepse duhet të gjejmë njëkohë kur mund t’i nxjerrim në ballkon. Këtu jetojnë vetëm ata që nuk kanë mundësi për të bërë një zgjidhje më të mirë banimi,” tha Sinani për SETimes.Ne Foto: Centralet e qymyrit janë një burim i emetimeve të larta të dioksidit të karbonit e ndotjes së mjedisit, thanë ekspertët. [AFP]

*Për Southeast European Times në Prishtinë

Filed Under: Ekonomi Tagged With: burimet e energjise, kosova, Lindita Karadaku, se riperteritshme

Respekti për trashëgiminë kulturore s’ka çmim

August 10, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Kur një shoqëri priret të pasurohet me çdo kusht , duke harruar  pasurinë historike, atëherë ka dalë nga natyra e vet. Trashëgimia kulturore dhe artistike e një kombi nuk mund të shpërdorohet, aq më keq të shkatërrohet, pas çdo ndryshimi që pëson shoqëria në rotacione sistemesh apo qeverish. Trashëgimia i përket popullit, i përket vendit, i përket memories sonë të përbashkët, i përket të ardhmes. Të gjithë jemi dëshmimtarë të asaj që ndodhi dhe po ndodh me tarshëgiminë tonë kulturore pas viteve ’90 e në vazhdim. Do ta quaja një mendjelehtësi të shtetit shqiptar që ende nuk po zgjohet nga mpirja apo trullosja e viteve të “demokracisë anarkiste”. Sa pjesë e trashëgimisë kombëtare u zhduk, u vodh, u dogj në këto vite? Askush nuk e di, nuk flet apo nuk dëshiron të flaës, pasi mund  të jenë bashkëfajtorë në krimin më të shëmtuar ndaj kombit. T’ia mohosh të ardhmen trashëgimisë kulturore, duke ia zbehur të shkuarën, nuk është gjë tjetër veç një shëmti që flet qartë për paasftësinë tonë si komb për të mbrojtur atë që krijuan brezat dhe që na e lanë trashëgim që të krenoheshim para kulturës botërore. Nga qeveria e re, vecanërisht nga ministria përkatëse kërkohet një veprim energjik dhe i fuqishëm ndaj cdo abuzimi apo tolerimi që mund t’I bëhet kulturës sonë. Së pari duhet ndryshuar mentaliteti drejtues i vetë ministrisë që të marrë masa të rregullojë administrimin e mirë të të gjitha siteve, të monumenteve, të muzeve dhe gjithckaje që lidhet me kulturën. Së dyti destinimi i një pjese të mirë të buxhetit duhet të jetë synimi kryesor i qeverisë edhe i vetë parlamentit shqiptar, pasi shembujt e trashëgimisë botërore flsin qartë për vlerën e madhe të saj, por edhe për vetë zhvillimin e turizmit kulturor. Ta shkrutosh buxhetin në dëm të ruajtjes së kulturës, për interesa dytësore politike, është njëlloj sikur ta kryejë vetë shteti i pari krimin ndaj kulturës. Këto ditë më surpizoi një artikull në disa gazeta italiane që fliste për një ngjarje që për fat të mirë u mbyll pozitivisht. Le të jetë ky një shembull i koordinimit të politikave të duhura kulturore si nga qeveria dhe parlamenti. Politika duhet të tregojë se mbi interest e vockla partiake të luftës për pushtet dhe financa, duhet të triumfojë arsyeja kombëtare. Financime bosh për mitingje apo kongrese partish vlejnë shumë, shumë më pak sesa e gjithë puna për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore. Por çfarë ma ngacmoi kureshtjen që ta shkruaja këtë artikull? Një fakt tepër domethënës: dorëshkrimet e shkrimtarit të famshëm Italian Xhovani Verga.

80 vjet zagjtën kërkimet e familjarëve, kjo në anën private të aspektit, pasi edhe vetë shteti nuk ndenji duarkryq, që të rigjeheshin dorëshkrimet e Xhovani Vergës, midis të cilave romane, novella, letra, boca, vizatime dhe shënime. Bëhet fjalë për materiale të çmuara që përfshijnë edhe dhjetra mikrofilma me prodhimtari letrare dhe dorëshkrime që i përkasin Fondit Vergian dhe që vlerësohen rreth 4 milionë euro. A nuk do të ishte rasti që ministria e re, znj. Kumbaro, që edhe vetë i përket sektorit të kulturës, të mendonte që ta fillonte detyrën e vet me një sërë urdhëzimesh për të krijuar Fondacione të veçanta, bashkë me familjarët, për shkrimtarët dhe artistët tanë më të mëdhenj? Do të ishte një hap serioz për ta evidentuar të gjithë kulturën tonë të së shkuarës, duke i krijuar kushte që ajo të dalë e plotë. Në mediat italiane me të drejtë u fol për një sukses rekuperimi i dorëshkrimeve të shkrimtarit verist dhe ishte vërtet një sukses i koordinimit të mirë të punës në të gjitha instancat shtetërore. Ky sukses u arrit edhe në sajë të Repartit të ruajtjes së trashëgimisë artistike të karabinierëve që i sekuestruan veprat, me një numër prej 36 dorëshkrimesh origjinale.

Historia e ngjarjes merr jetë në vitet ’30, kur i biri i Vergës ia dorëzoi materialet një studiuesi prej Barcelone, por pa mundur që ta shtinin më në dorë. Dorëshkrimet i kishte trashëguar e bija, por që refuzonte t’ia kthente familjarëve. Meritë pati edhe një nismë e Parlamentit qysh nga viti 1957 deri në vitin 1977, por pa sukses, duke i konsideruar veprat me dobi publike, pavarësisht se ishin mbajtur pa të drejtë nga studiuesi, me vlerë shumë më të lartë për trashëgiminë kombëtare italiane.

Ngjarja mori rrjedhë tjetër, kur Sektori i kulturës në Lombardi, u njoh me një ankand të propozuar nga e bija e studiuesit dhe që në momentin e parë, e deklaroi me interest ë rëndësishëm kulturor, duke urdhëruar kalimin në një depozitë pranë qëndrës së kërkimit, Fondi i dorëshkrimeve, të Universitetit të Pavias.

Nëse edhe tek ne do të koordinohem mirë punët që lidhen me kulturën tonë kombëtare, këtu nënkuptoj disa ministri, por detyrimisht me përmirësimet e domosdoshme që lidhen me qëndrimet ndaj universiteteve, edhe universitetet tona shtetërore mund të japin kontributin e madh në evidentimin e kulturës sonë. Do të ishte në nderin e studiuesve të shumtë që të mos mjaftoheshin vetëm me tema konferencash, por të kalonin në veprime konkrete dhe secili prej tyre të adoptonte në punën e vet një shkrimtar apo artist të së shkuarës dhe t’ia dedikonte të gjithë kujdesin dhe vëmendjen e duhur. Kështu do të merrte udhë të mbarë një prej çështjeve që çdo shqiptar do ta kishte përzemër.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, kulturore, respekt per trashegimine

SHKO NË SARAJEVË TË KUPTOSH SHQIPËRINË!

August 9, 2013 by dgreca

Në Foto:Ambasadori i Shqipërisë në Bosnje, Flamur Gashi/

Nga Ylli POLOVINA*/

Më 30 korrik, ora 15.30, takimi i ambasadorit shqiptar në Sarajevë, Flamur Gashi, me Pane Shkërbiç, president i Agjencisë për Zgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Europës Juglindore e Qendrore, zgjati afro tridhjetë minuta. Kur më në fund i porsaardhuri nisi të zbriste shkallët për të ikur dhe në oborrin e ambasadës kreu ceremoninë e fundit të protokollit, një foto të përbashkët dhe shtrëngimin e duarve, pikërisht kur bashkë me dy shoqëruesit e bashkëpunëtorët e tij u drejtua për te makina, papritur ktheu rrugë dhe na u riafrua. I gjendur pothuaj rastësisht në atë ngjarje dhe i befasuar nga ajo që pashë gjatë gjysmës së orës së takimit, në fund të bisedës së tij me ambasadorin i pata thënë se për çfarë u bëra dëshmitar, kur të kthehesha në Tiranë, do të shkruaja diçka për gazetën e shumëlexuar “Shqip”. Tashmë, siç duket me një peng për diçka ende të pathënë, Pane Shkërbiç na hodhi të dyve duart në shpatulla dhe mua më tha: “Të lutem një gjë duhet ta thuash nga ana ime për gazetën. Në qoftë se dikush do të më merrte dhe do të më hidhte nga aeroplani me parashutë në Shqipëri, duke mos e ditur ku jam dhe se ku po bie, me atë që pashë gjatë vizitës sime atje, do të thosha se jam ose në Amerikë ose në një shtet perëndimor të Europës”. Pastaj, pa e fshehur emocionin, shqiptoi: “Ta dish, unë e dua shumë sinqerisht Shqipërinë dhe më është krijuar një bindje e jashtëzakonshme për ata njerëz dhe atë vend”.

Dhe, për t’i përcjellë lexuesit jo thjesht një informacion, nënshtetasi boshnjak Pane Shkërbiç është me origjinë serbe. Kur gjatë takimit të tij me ambasadorin e pata pyetur nëse ishte dakord me pavarësimin e Kosovës, më ishte përgjigjur pa mbajtur pezull asnjë rrokje: “Pa dyshim, Kosova e meriton të jetë shtet më vete”. Zoti Shkërbiç para viteve nëntëdhjetë kishte qenë për të gjithë Bosnjë-Hercegovinën shefi i redaksisë së gazetës jugosllave me tirazh të lartë “Osllobozhdenije”. Agjencia që ai tashmë drejton, është një mekanizëm i madh përzgjedhjeje dhe promovimi i nxitësve të biznesit në të gjithë Ballkanin dhe po ashtu të një pjese të madhe të kontinentit. Grupet e saj të punës vëzhgojnë në këto hapësira dhe kanë të regjistruar si kandidatë për t’u seleksionuar dhe vlerësuar me çmime të posaçme plot tre mijë personalitete të këtij profili. Këtë vit, në edicionin e njëzetetetë, i cili u mbajt më 4 korrik, ora 18.00, në hotelin e madh “Holiday” në Sarajevë, ku gjendeshin për t’i bërë jehonë edhe dyqind gazetarë të akredituar në BH, si edhe gjashtë televizione e transmetuan live në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, u shpallën fitues edhe shqiptarët Flamur Gashi (iu dha titulli “Ambasadori më i mirë”), kryebashkiaku i Prishtinës, akademik Isa Mustafa (si kryetari i bashkisë së kryeqytetit më të mirë për inkurajimin e biznesit) dhe Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. Ky vlerësim i qartë për çfarë përfaqësojmë të spikatur në Ballkan e përtej, përveç të tjerash do të thotë që në një album tepër luksoz të botuar së shpejti nga agjencia e drejtuar prej Pane Shkërbiç dhe bashkëpunëtorëve të tij, i shpërndarë kudo nëpër qendrat e zhvillimit ekonomik të Europës, në një nga faqet hyrëse do të ketë të rreshtuar edhe flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës. Agjencia për Zgjedhjen e Promovimin e Menaxherëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Europës Juglindore dhe Qendrore, e cila e peshon forcën ndikuese dhe autoritetin e saj edhe prej numrit përherë e më të madh të sipërmarrësve, që në edicionet e saj të përvitshme të ndarjes së çmimeve vijnë me avionë privatë, mbulon 40 shtete të kontinentit, përfshi deri tani Gjermaninë, Hungarinë, Austrinë dhe Francën. Si personalitete të vitit, gjithnjë për aftësi të spikatur në nxitjen e klimës favorizuese për biznesin, kanë marrë çmime edhe presidenti malazez, si edhe ai kroat.

Episodi i mësipërm në Bosnjë-Hercegovinë nuk është as i vetmi dhe as më përfaqësuesi i një të vërtete, të cilën jo të gjithë bashkëkombësit tanë e dinë: në këtë vend shqiptarët i çmojnë shumë. Fillimisht je i sigurt se për këtë lidhje të veçantë ka luajtur rol të parë historia e më tej se një mijëvjeçari, pastaj, ndoshta, edhe një fill i lehtë përbashkues i besimit fetar mysliman, patjetër edhe lufta heroike, por edhe e tmerrshme, kundër sulmit serb, në vitet 1992-1995. Dëshmori i parë i saj është inxhinieri Bajram Zenuni, i cili në ditën e fillimit të agresionit, më 2 maj, ndërsa ishte për punën e zakonshme në stacionin e antenave të radiotelevizionit të Sarajevës, mes shpërthimit të papritur të predhave armike që po e goditnin tërbimshëm, u telefonoi eprorëve brenda në qytetin tashmë të tronditur nga nisja e kësaj lufte që do të zgjaste pesë vite dhe me kronikat e saj të dhimbshme do të trondiste tërë botën, duke u thënë se nuk do të lëshonte asnjë centimetër territor nga stacioni. “Jam shqiptar, kishte deklaruar, dhe si i tillë, po të jetë nevoja, do të vdes këtu”. Dhe që po atë ditë ra në mbrojtje të Sarajevës.

Por ajo që na u duk se kishte ushtruar ndikim të posaçëm në këtë imazh mjaft pozitiv tonin në BH, ishte pasviti nëntëdhjetë. Kjo Shqipëri e mbas diktaturës, të cilën ne nga brenda e njohim për problemet që ka në themel, atje ishte adhurim. Të gjithë me të cilët biseduam, sarajevas të thjeshtë apo profesorë, veprimtarë politikë ose fetarë, sipërmarrës apo drejtues të agjencive të njohura turistike, admironin ritmin e lartë të ndryshimit tonë. U dukej si një revolucion zhvillimi, i cili që prej dy dekadash e sidomos dhjetë vitet e fundit, vraponte përpara e nuk donte të lodhej, të ndalte. “Gjithçka ju e kini transformuar, këmbëngulnin ata, e kini përmbysur për mirë”. I habiste energjia e shqiptarëve, lëvizshmëria dhe temperamenti i tyre, prirja drejt modernes, fryma proeuropiane, sensi i paepur kombëtar. Të zënë në befasi nga ky kult shqiptar, përpiqeshim t’u thoshim se vuajmë nga jo pak të meta, se në vendin e tyre, për shembull, vepronte aq fort ligji sa kush nuk i paguante taksat deri ditën e caktuar si kufi mujor, e shembnin ndëshkime të rënda. U kujtonim se në linjën e tramvajit të tyre, ku bileta ishte një markë e gjysmë vendase, kontrollorët po të të kapnin pa biletë të dënonin me një gjobë njëqind markëshe dhe guxoje, po deshe, të mos e shlyeje! Megjithatë sarajevasit nuk jepeshin, Shqipëria u dukej bukuria e dheut, ca më shumë kur në mes futej edhe bregu i pafund i dy deteve tanë të ngrohtë, si edhe ushqimi i shijshëm.

Imazhi ynë i mirë, si një vend me njerëz të zotë, u rrit edhe më 25 korrik, kur në mbrëmje, në stadiumin e Sarajevës, skuadra futbollistike e Kukësit, nëpërmjet ruajtjes taktike të një barazimi, fitoi mbi vendasen. Për fat isha aty në këtë çudi. Kam fiksuar gjithçka, që nga siluetat në fushë dhe loja shumë elegante e ekipit kuksian, deri tek inteligjenca e grupit të tij stërvitës, po ashtu edhe fizionomia tepër pasionante, e përkushtuar dhe e sinqertë e presidentit të klubit, Safet Gjici. Një qytet i vogël shqiptar të mposhte Sarajevën e famshme treçerek milionëshe mu në zemër të Ballkanit! Ishte si në eposin e Mujit dhe të Halilit.

Këto ditë pritet që tenderin e uniformave të policisë së Bosnjë-Hercegovinës ta fitojë një kandidat me ofertën më të mirë. Ai është një shqiptar nga Tirana. Dyqind biznesmenë nga BH ka dërguar deri tani ambasada jonë, në bashkëpunim me autoritetet vendase, në Shqipëri. Në vitin 2010, kur për herë të parë, në muajin gusht, nisi punën në Sarajevë përfaqësia jonë diplomatike, nga 6700 turistë të këtij vendi, të vetëdeklaruar se patën shkuar në vendin tonë, vitin e kaluar shifra kërcyese shkoi në 31 800.

Pamja jonë në “pasqyrën e Sarajevës”, ndërsa kemi boll të meta, por edhe ndaj nesh prej disa mjediseve të huaja ngulmojnë me tendencë jodashamirëse paragjykime negative, mbase na bën mirë. Një vetëvlerësim, qoftë edhe psikologjikisht, na nxit dhe jep besim. Për fat jemi më të mbarë nga sa të prapë mbahemi apo e dimë veten. Sidomos jemi më pozitivë nga sa na vizaton politika jonë me mënyrën dekurajuese se si ajo e zhvillon së brendshmi luftën e saj për rivalitet e kontroll të pushtetit mbi territor. Edhe pse kur qeverisin kanë merak ta zhvillojnë vendin e tyre, në polemikën e përditshme verbale, me gjuhën që përdorin, ta mërzitin Shqipërinë.

Gjatë disa ditëve të qëndrimit në Sarajevë, aty ishte edhe një ekip nga “Top Channel”. Ishte ai i Marin Memës, i emisionit “Shqipëria tjetër”. Nuk e di çfarë theksi do t’i vendosë kur ta shfaqë, në vjeshtë, por edhe ata qenë një risi e bukur. Trupë xhirimi me ritëm e shije perëndimore. Ndërsa Marini vërtiste kudo, për të gjetur detaje, sytë e tij vetëtitës dhe Edmond Sevi i pafjalë rendte pa pushim për ta fiksuar nëpër vapë kamerën e rëndë, shoferi i tyre, Dashnor Koroni, një çast, me një dinjitet të hijshëm, nxori nga xhepi dhe na tregoi teserën e Partisë Demokratike. Marin Mema, kritikues, për shkak të profesionit, i kësaj qeverie tashmë në ciklin e ndërrimit, tek e shihte këtë skenë, e shkëndijonte vështrimin me krenari.

Shqipëria nuk është e bukura e dheut, por aspak edhe e sëmura e Ballkanit. Ajo është e shëndetshmja e gadishullit, më ambiciozja për ndryshim, me sa duket edhe më realizuesja. Por duhet të shkosh në Sarajevë për ta kuptuar dhe ndier këtë.
*(Botuar në gazetën “Shqip” më 5 gusht 2013)

 

Filed Under: Rajon, Reportazh Tagged With: shko ne Sarajevo, shqiperine, te kuptosh, Ylli Polovina

A DUHET TË KETË MORAL NË POLITIKËN E JASHTËME

August 9, 2013 by dgreca

Nga vizita në Turqi e kryeministrit të ri, Edi Rama/

 Nga Frank Shkreli/

Shkak për këtë shkrim u bënë vizitat e  fundit  të Kryeminstrit të ardhëshëm të Shqipërisë, Z. Edi Rama në Turqi,  Greqi dhe Itali, ku sipas deklaratave të tija për median, gjatë dhe pas vizitave, qëllimi i  tij  ishte për të hapur një kapitull të ri në marrëdhënjet me këto vende që ai i cilësoi si ”partnerë strategjikë” të Shqipërisë.

Në një intervistë me Top Channel, Kryeministri i ardhëshëm shqiptar, deklaroi  se “Ne jemi të gatshëm që të ngremë në një nivel të panjohur deri tani marëdhëniet me Turqinë që e konsiderojmë një partner strategjik”.

Edhe për Greqinë,  Z. Rama tha se megjith problemet e së kaluarës me fqinjin në jug, u shpreh i gatëshëm, siç tha ai, të “Hapë një kapitull të ri’’, në marrëdhënjet midis Tiranës dhe Athinës.

Shqipëria dhe shqiptarët, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, kanë nevojë për miqë të afërm e të largët, pasi si numër, shqiptarët janë një komb i vogël  dhe i shtypur, i harruar dhe i nepërkëmbur për shekuj, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht nga këto kombe, tani “partnerë strategjikë” të Shqipërisë,  duke mos lënë jashtë kësaj liste edhe Serbinë, që kanë bërë kërdinë mbi shqiptarët.   Janë ekzaktërisht këto vende që gjatë historisë së kombit shqiptar, jo vetëm u kanë mohuar shqiptarëve lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e plotë  të tyre, por janë përpjekur me mish e me shpirt  t’i zhdukin ata nga faqja e dheut si komb dhe të ndajnë trojet shqiptare midis tyre.   Por etja për liri, bashkim dhe pavarësi e shqiptarëve, bëri që kombi shqiptar të mbijetojë sado i vuajtur e i përgjysmuar.

Është shumë me vend që Zoti Rama i bëri këto vizita në Turqi, në Greqi dhe Romë para se të fillojë zyrtarisht nga detyra e kryeminsitrit , ndonëse si për çdo vend tjetër, marrëdhënjet me fqinjtë – megjith historinë e hidhët  të shqiptarëve me fqinjtët e tyre–duhet të jenë prioritare, për nga vet natyra dhe afërsia gjeografike dhe pragmatizmi politik, por edhe për nga interesat ekonomike.   Si të tilla, marrëdhënjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me këto vende tani  të “partneritetit strategjik”,  sipas Z. Rama do të jenë në favor të, “një Shqipërie më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.”

Por, ky  “partneritet strategjik’’ me këto tri shtete, pa dyshim me rëndësi për politikën kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, nuk mund të realizohet në një zbrazëti morale dhe në mungesë të konsideratave historike dhe të politikave aktuale të këtyre tre vende ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Sepse, qëllimi i kësaj politike të “partneritetit strategjik”,  duhet të jetë diçka më tepër se vetëm një proces.  Duhet patjetër të ketë qellime për arrijtjen e disa rezultateve të caktuara.  Si “partnerë strategjikë”, të Shqipërisë, nën kuptohet se me ta ndahen vlerat  madhore të njerëzimit, siç janë zbatimi dhe resepktimi i të drejtave bazë të njeriut, lirisë së fjalës, lirisë së shtypit  e të tjera, për vet shtetasit e këtyre vendeve dhe më gjërë.  Nëqoftse këto vende nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë këto të drejta për popujt e vet, atëherë si do respektojnë ata këto të drejta dhe norma ndërkombëtare për shqiptarët kudo.  Nuk mund të mos binte në sy deklarata e Z. Rama gjatë vizitës në Turqi, kur tha se “Turqia do të shërbejë si shembull’’ për Shqipërinë, ndërsa në të njëjtën kohë, në sheshet turke, policia dhe forcat e sigurimit rrahnin me shkopinjë dhe derdhnin gaz lotësjellës kundër protestuesve paqësorë.   Edhe sjelljet e këqia të Greqisë me imigrantët, përfshirë edhe ata shqiptarë, njihen mirë nga të gjithë.  Organizata të ndryshme europiane dhe ndërkombëtare kanë venë në dukje rregullisht, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Turqi dhe në Greqi.

Natyra e këtyre regjimeve besimi i tyre në normat dhe standardet ndërkombëtare dhe se si ato i zbatojnë këto në sjelljet  me popujt e vet, ka shumë rëndësi edhe për marrëdhënjet shtet me shtet, pra për marrëdhënjet edhe të Shqipërisë me këto vende.

Konsideratat  gjeografike, ekonomike dhe kulturore për një fillim të ri në marrëdhënjet me këto tre vende,  të cilat  pa dyshim janë në interesin kombëtar,  duhet të kenë si bazë një politikë të jashtme të bazuar në moral dhe në zbatimin e standardeve të njohuara ndërkombëtarisht ndaj respektimit  të lirive dhe të të drejtave bazë të njeriut.   Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ngulin këmbë për këto standard, pasi ata vetëm përfitojnë nga zbatimi i normave ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut që tani janë bërë pjesë e pa ndarë e marrëdhënjeve shtet me shtete dhe ë nivel ndërkombëtar.    Merre me mendë se çdo të kishte ndodhur një dekadë më parë në rastin e Kosovës, nëse bota perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara,  nuk do të kishte si barometer moral këto standarde ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së kombeve për vetvendosje.  Pa këtë bazë morale në politikën e jashtme  dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare nuk do të kishte as 14 pikat e Uodrou Uilsonit, njëra prej të cilave  garantoi  vetvendosjen dhe pavarësinë e shteteve  ballkanike, përfshirë  pavarësinë e Shqipërisë.

Kështuqë, liria dhe siguria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në trojet e veta, siç është provuar edhe historikisht,  varen shumë nga karakteri dhe morali, nga vlerat, etika dhe pranimi i parimeve universale   nga ana e regjimeve që qeverisin vendet  tani, “partnere strategjike” të Shqipërisë.

Politika e Tiranës zyrtare ndaj këtyre vendeve duhet të jetë me doemos strategjike dhe praktike për kohën, por ama gjithmonë e bazuar në standardet më të larta morale të njerëzimit dhe mbi të gjitha duhet të jetë një politikë që është në interesin afat-gjatë të kombit.    Gjithmonë duke patur në mend fjalët pragmatike të Ministrit të Jashtëm britanik, (1848) Lord Palmerston-it, se, “Ne nuk kemi as aleatë  dhe as armiqë të përhershëm.  Por interesat tona kombëtare janë të vazhdueshme dhe të përhershme.  Janë këto interesa, pra, që e kemi për detyrë t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë.”

Është e natyrshme që vende të ndryshme kanë interesat e veta kombëtare, si dhe rrugën e zhvillimit,  të traditave dhe kulturave të ndryshme.  Secili vend gjithashtu do të ndjekë rrugën e vet në zhvillimin e demokracisë dhe të reformave shoqërore, por e drejta e njerëzve për të pasur një zë në shoqërinë ku jetojnë, është jetësore për krijimin e një shoqërie të qendrueshme dhe të begatë – gjë që çon drejtë një shoqërie më të hapur e më transparente dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe më në fund në një botë më të mirë për të gjithë.  “Partnerë strategjik’’ nënkupton miq të ngushtë, pothuaj si në familje, ku bisedohen e diskutohen gjërat haptas.  Marrëdhënjet me “partnerë strategjikë” nënkuptojnë respekt dhe mirëkuptim të përbashkët dhe nuk janë marrëdhënje bazuar në leksione për mohimin, rishkimin ose ndryshimin e historisë në marrëdhënjet me këto vende.

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë kërkuar miqësi me fqinjtë dhe me të tjerët, kanë kërkuar marrëdhënje të ngushta me popujt dhe institucionet e Ballkanit dhe më gjërë. Kështuqë nuk mund të fajësohen shqiptarët për mungesën e një partneriteti më të madh në të kaluarën midis Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto vende, tani, “partnere strategjike”.  Tani  lindë pyetja: nëse Turqia, Greqia dhe Italia, do e konsiderojnë  Shqipërinë dhe shqiptarët si partnerë strategjikë, apo si vëlla i vogël?  Zoti Rama u ofroi atyre jo vetëm miqësi dhe solidaritet,  por “partneritet strategjik”.   Cila do të jetë përgjigja e Athinës, Romës dhe Ankarasë?

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Frank shkreli, morali i politikes se jashtme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT