• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Dilemat e mbretit Zog në arkivat amerikane

August 29, 2013 by dgreca

NGA AGRON ALIBALI/

“Në ora 6 të mëngjesit të datës 5 prill 1939 në Tiranë u dëgjuan të shtëna topash, 101 për të qenë të saktë, që shpallnin lindjen e Princit të parë të Shqipërisë, emri i të cilit ishte Skënder pas Skënderbeut të madh, heroit kombëtar të Shqipërisë i shekullit të 15-të i cili i qëndroi me sukses pushtimit otoman të Shqipërisë për 20 vjet me rradhë”. Kështu do t’i shkruante ndër të tjera Departamentit amerikan të Shtetit Ministri amerikan në Tiranë, Hju [Hugh] Grant në një Raport të zgjeruar dhe të hollësishëm lidhur me pushtimin italian të Shqipërisë.Leka Zogu, i cili u nda nga jeta me 30 nëntor 2011, erdhi në këtë botë pikërisht në kohën ndër më tragjiket jo vetëm për Shqipërinë, por madje edhe për botën mbarë, sepse 7 prilli në fakt shënonte pragun e Luftës së Dytë Botërore. Prirjet pro-amerikane të Ahmet ZogutI jati i tij, Ahmet Zogu ishte përpjekur objektivisht qysh në hapat e para të shtetit modern shqiptar, dhe më tej me ardhjen në pushtet si Ministër i Brendshëm, President dhe Mbret, që të fuqizonte pavarësinë e vendit, ta modernizonte atë sa më shumë dhe ta orientonte kah Perëndimi. Mirëpo Ahmet Zogu vërente me shqetësim të madh në vitet 1937-1939 politikën agresive të Musolinit, prirjet gllabëruese të Gjermanisë në Evropën Qendrore si dhe politikën e zbutjes që zbatonin Anglia dhe Franca.Duke mos përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake apo pushtimi italian të vendit, Zogu ndofta llogariste se Shqipëria, edhe pse do të kishte në krah vendet fqinje, nuk do të mund t’i bënte dot ballë invazionit pa patur mbështetjen energjike të Anglisë dhe Francës. Mirëpo duke vërejtur indiferencën e këtyre të fundit, qysh herët Zogu hodhi sytë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi që në mendjen e shqiptarëve mbahej si shpëtimtari i pavarësisë dhe i integritetit përballë pabesisë së Fuqive Evropiane. Pikërisht në kryeqytetin amerikan Zogu mbante prej vitesh si të dërguarin e tij fuqiplotë Faik Bej Konicën, kultura, erudicioni, mprehtësia dhe cilësitë e tjera të rralla të të cilit, e kishin rradhitur atë ndër diplomatët më të respektuar në Ëashington.Mirëpo Zogu nuk dukej se ishte plotësisht i kënaqur prej Faikut. Zërat për zëvendësimin e tij qarkullonin ja rrallë në kryeqytetin shqiptar në vitet 1937-1938, dhe këtu ndofta ndikonte edhe largësia gjeografike, si dhe mungesa e takimeve të drejtpërdrejta midis tyre.Nga ana tjetër, dokumente nga arkiva e Departamentit të Shtetit sjellin në vëmendje komunikimin shumë të sinqertë midis Mbretit dhe Ministrit amerikan në Tiranë Grant. Aty del se Mbreti kishte gjetur tek Ministri Grant një kanal të sigurt komunikimi e përçues të besueshëm dhe të saktë të mendimeve dhe mesazheve të tij për Presidentin Ruzevelt [Roosevelt]. Mbreti i shpaloste Ministrit Grant, për shembull, programin e tij ekonomik e shoqëror, që ishte mjaft i afërt me atë të Presidentit Ruzevelt, si edhe shqetësimet e tij për gjendjen e trazuar në Evropë e për rrezikun e Luftës Botërore. Mbreti Zog madje planifikonte të bënte një vizitë zyrtare në Ëashington, që do të përkonte me Panairin Tregtar Botëror të Nju Jorkut, të parashikuar në qershor 1939. Për më tepër ai kishte nisur për vizitê në Amerikë në mars të vitit 1938 edhe motrat e tij. Mirëpo Grant kishte lidhje të rregullta pune edhe me Mehmet Konicën, diplomatin e shquar shqiptar, të besuarin e Mbretit dhe vëlla të Faikut. Me të vërtetë, Mehmet Konica ishte në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin amerikan dhe shpesh i përcillte atij mendimet dhe opinionet e Mbretit për çështje të ndryshme.Martesa MbretëroreNatyrisht, hapi më i rëndësishëm pro-perëndimor i Mbretit Zog ishte martesa e tij me 27 prill 1938 Mbreti Zog me konteshën hungareze Geraldina Apponyin, e cila kishte prejardhje amerikane nga e ëma, Gladys Virginia Stjuart [Steëart], e bija e diplomatit amerikan Xhon Henri Stjuart [John Henry Steëart] dhe ishte e besimit katolik. Lidhjet dhe prejardhja amerikane të Konteshës Geraldinë e rrisnin rëndësinë e hapit të Ahmet Zogut, si dhe natyrisht, simpatinë e saj në popull. Njëkohësisht, Mbreti po përpiqej të kishte në anën e vet edhe Vatikanin. Në një raport konfidencial të 30 janarit 1938 për një bisedë midis një punonjësi të Legatës Amerikane në Tiranë dhe At Bonfil Polit, përfaqësues i Kishës Katolike në Tiranë, ky i fundit do të deklaronte se “Selia e Shenjtë ka përfunduar një marrëveshje me Mbretin Zog sipas të cilës fëmijët e lindur nga kjo martesë do të jenë të besimit katolik, pavarësisht nga gjinia e tyre, dhe se gruaja do të mbetet e besimit katolik.” Kontesha e hijshme hungarezo-amerikane ishte takuar vetëm disa muaj më parë me Mbretin e Shqiptarëve dhe dashuria midis tyre kishte qenë e rrufeshme. Dasma u bë në kryeqytetin shqiptar në një datë që përkonte me atë të Gjergj Kastriotit disa shekuj më parë. Madje edhe vetë prejardhja hungareze e Mbretëreshës së ardhshme sillte në kujtesë lidhjet e hershme midis Gjergj Kastriotit të Arbërisë dhe Hunyadit të Hungarisë. Veç, kësaj here rreziku ndaj aleancës arbëroro-magjare nuk do të vinte prej otomanëve në lindje, por prej një Duçeje të çmendur në Perëndim. Të gjitha përgatitjet si dhe ceremonia e martesës mbretërore përbënin një rast të rrallë për Shqipërinë e Ahmet Zogut për t’u paraqitur me dinjitet të plotë para Evropës dhe botës. Mbreti shqiptar, i cili kishte arritur të vendoste rregullin e rendin e brendshëm, kishte siguruar një mirëqënie relative për popullin e vet, si dhe njëfarë vlerësimi të respektueshëm në rrafshin ndërkombëtar, tashmë po hidhte vështrimin drejt së ardhmes së dinastisë së Zogollëve në fronin shqiptar. Për arsye vendi, dasma e Mbretit me Konteshën Gjeraldinë nuk do të trajtohet këtu, por veç po botojmë, për here të parë, shpalljen me Programin e Bashkisë së Tiranës me rastin e martesës mbretërore. Mbretëresha Geraldinë kërkon strehim në Legatën AmerikaneNë kushtet e gjendjes shumë të rënduar ndërkombëtare, në fillim të prillit 1939, Mbretëresha Geraldinë priste të lindte fëmijën e parë, Lekën e ardhshëm, të cilit madje i kishte kaluar data e pritshme. Në atë kohë kishte ardhur në Tiranë thuajse tërë rrethi familjar i saj, përfshirë gjyshen dhe nënën e vet. Ndofta vetëm një penë kadarejane mund të përshkruajë se çfarë vlonte në mendjen e Mbretëreshës shqiptare në ato ditë të papërsëritshme. E shqetësuar për gjendjen e vendit dhe të sajën, në mbrëmjen e së Dielës, 2 prill 1939, Mbretëresha Geraldinë vendosi të kërkojë ndihmën dhe mbrojtjen e vetë Ministrit Amerikan në Tiranë. Kërkesa për strehim në Legatën Amerikane u bë prej kushërirës së saj, Konteshës Seherr-Thoss, vajza e diplomatit të shquar amerikan Henri Uajt [Henry White], ish-Ambasador dhe anëtar i Komisionit Amerikan të Paqes në Paris. E ndodhur në Tiranë, Kontesha i telefonoi gruas së Ministrit Grant atë mbrëmje dhe pasi i shpjegoi se Geraldina, “që priste të lindte në çdo kohë” ishte tejet e shqetësuar si pasojë e pushtimit të pritshëm të Shqipërisë, “pyeti nëse ne mund ta pranonim Mbretëreshën në Legatën Amerikane”. I ndodhur para një kërkese për strehim të bujshme dhe konfidenciale, por gjithsesi të qartë, edhe pse të tërthortë, Ministri Grant menjëherë ftoi Konteshën të vinte në Legatë për ta biseduar çështjen drejtpërsëdrejti. Përgjigja e Ministrit Grant ndaj këtij demarshi të pashembullt ishte po aq e pashembullt, por gjithnjë brenda kuadrit diplomatik, respektimit të zakoneve të vendit dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Pa e zgjatur, ai e siguroi Konteshën, që ndërkohë “kishte mbërritur tejet e trazuar” në ndërtesën në Rrugën e Elbasanit, se “do të ishte i lumtur ta pranonte Mbretëreshën në Legatë nëse vetë Mbreti do ta dëshironte këtë gjë”. Ai mandej këshilloi që ky mesazh t’i përcillej menjëherë Mbretit prej vetë Konteshës Seherr-Thoss si dhe prej Kolonelit Zhiró [Girault], i cili ishte burri frëng i Nënës së Mbretëreshës.” Përgjigja erdhi pak para mesnate nëpërmjet telefonit. Kontesha Seherr-Thoss dhe vetë nëna e Mbretëreshës i shpjeguan Ministrit Grant se mesazhi i ishte përcjellë Mbretit dhe se, në emër të tij, Ministri i Jashtëm Z. Libohova, i kishte siguruar ato se nuk kishte kurrfarë rreziku të afërt.”Pa dyshim Ministri Hju Grant kishte demonstruar një akt të madh kurajoje dhe humanizmi, duke patur parasysh edhe faktin se urgjenca e momentit nuk i kishte lënë as kohë për të komunikuar me qendrën. Po ashtu, strehimi i Mbretëreshës Gjeraldinë në Legatën Amerikan do të kishte sjellë pa dyshim ndërlikime jo të parëndësishme në të drejtën ndërkombëtare, që lidheshin me parimin e paprekshmërisë së selisë diplomatike, me strehimin atje të familjarëve të kryetarit të shtetit, por do të ndikonte së tepërmi edhe në opinionin botëror. Prandaj, para këtij hapi, nëse Granti do të kishte ngurrimin më të vogël, vetë “komunikimi me qendrën”apo “marrja e autorizimit” prej saj do të kishin mjaftuar si sebep për të shmangur ndërhyrjen amerikane në këtë krizë të pashembullt personale dhe ndërkombëtare. Gjithsesi, sot pas 72 vjetësh kemi të drejtë të pyesim se vallë çfarë rrjedhe do të kishte marrë historia e Shqipërisë, dhe pa dyshim edhe e Luftës së Dytë Botërore, nëse vërtetë Mbretëresha Gjeraldinë do të ishte strehuar dhe do të kishte lindur Princin Leka e gjendur nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërkohë që vendi kërcënohej apo ishte në gjendje pushtimi.A do të ishte stepur Musolini para mureve të Legatës Amerikane në Tiranë? A do të mund t’i jepte Mbretit Zog kjo mbrojtje e pacënueshme e ofruar nga Shtetet e Bashkuara për gruan dhe djalin e tij – mundësinë për të organizuar rezistencën e armatosur kundër pushtuesit?Apo mos valllë Mbreti Zog – i gjendur në gjendjen kritike midis lindjes së djalit dhe pushtimit të pritshëm të vendit – llogariste ftohtë se qëndresa ishte e kotë, se Shqipëria dhe populli shqiptar ishin braktisur prej Fuqive Evropiane dhe lënë nën vullnetin e Musolinit, dhe pra, çdo qëndresë, përveç “protestës”, do të sillte veç viktima të panumërta?Takimi i fundit me Mehmet KonicënTë Hënën, me datë 3 prill 1938, pak para mesditës, Ministri Grant do të takonte për herë të fundit në jetën e tij mikun e vet Mehmet Konica. Sipas Grantit, Konica ishte në gjendje të jashtëzakonshme tensioni mendor. Granti do të raportonte më vonë se, sipas Konicës, italianët kërkonin ri-interpretimin e Traktatit të Aleancës, se Mbreti kishte refuzuar të diskutonte traktatin, dhe të Premten e kaluar i kishte nisur Musolinit përgjigjen përfundimtare me anë të adjuntatit personal, Gjeneral Serreqit.“Jemi përballë një ultimatum të vërtetë”, i deklaroi Mehmet Konica Ministrit Grant, “edhe pse kërcënimi për invadim nuk është bërë haptas. Praktikisht ata kanë urdhëruar Mbretin që të abdikojë. Kjo është sjellje prej brigandësh. Nuk mund ta mendoj se si mund të merret një veprim i tillë ndaj një vendi aleat. Mirëpo ne kemi marrë masa paraprake. Mbreti do të rezistojë. Do të ketë luftë, dhe Madhëria e Tij do të tërhiqet në malet. Besoj se fqinjët tanë ballkanikë do të na furnizojnë me armë, municione dhe ndihma me qëllim që ta ndihmojnë Shqipërinë”.Lindja e Princit dhe biseda e fundit me MbretinNdërkohë, në mesditën e 5 prillit 1939, disa orë pas lindjes së Princit Leka, Ministri Grant me bashkëshorten do të shkonin në Pallatin Mbretëror për të nënshkruar Regjistrin Mbretëror në nderim të lindjes së Princit Trashëgimtar. Lajmi i lindjes u shpall në Radio Tirana, madje edhe në gjuhën angleze. Sipas Raportit të Ministrit Grant, njoftimin në gjuhën angleze e lexoi Frederik Nosi, përkthyes zyrtar i Legatës Amerikane në Tiranë, i cili kishte zëvendësuar pak kohë më parë Kolë Kuqalin.Të Enjten me 6 prill 1939, në ora 12.30, Ministri Grant u prit për herë të fundit në audiencë nga Mbreti Zog. Takimi zgjati 45 minuta. Granti e raporton atë hollësisht në lëndën dërguar Departamentit të Shtetit. Sipas Grantit, Zogu i shpjegoi diplomatit amerikan ultimatumin italian, refuzimin që ai u kishte bërë kërkesave të Musolinit. Ai më tej deklaroi se, ndryshe nga Çekosllovakia, shqiptarët do të rezistonin, por kjo do të ishte njëfarë rezistence për protestë, sepse “nuk mund të qëndronin gjatë kundrejt një force të madhe dhe të fuqishme ushtarake”. Në një moment të caktuar, duke përmendur faktin se italianët kishin zgjedhur “kohën më delikate kur Mbretëresha priste fëmijën” Mbreti hodhi vështrimin nga dritarja dhe mezi po mbante lotët. “Për një çast – shkruan Grant – mendova se do të ngashërehej, por menjëherë ai e mblodhi veten dhe e ruajti qetësinë që kishte shfaqur gjatë gjithë takimit”.Mbreti Zog më tej la të kuptojë se ndjente veten krejt të braktisur nga Evropa dhe se nuk kishte marrë premtim ndihme as nga fqinjët, dhe as nga Anglia dhe Franca. Në fund të takimit, Ministri Grant e pyeti Mbretin nëse kishte ndonjë mesazh për Presidenti Ruzevelt. Përgjigja ishte tejet domethënëse, madje profetike:“Mund t’i thoni Presidentit tuaj të madh Ruzevelt se unë i përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe miqësore dhe dëshiroj t’i sugjeroj se demokracitë e mëdha duhet ose të vendosin të fuqizojnë veten deri në piken kur mund t’i përballojnë me sukses agresorët e fuqive totalitare, ose përndryshe, të përgatiten që t’i shohin vendet e vogla të kapërdihen një nga një”.Fati i Gjeraldinës, Mehmet e Faik Konicës dhe Lef NositVeç tridhjet orë më pas Italia do të pushtonte Shqipërinë dhe “rezistenca për protestë” e Mbretit Zog do të shuhej shpejt. Rrokullisja e papritur e ngjarjeve dhe humbja e pavarësisë së vendit përbënte një tronditje të pashembullt për këdo. Mirëpo pikërisht në çaste të tilla, njerëzit tregojnë karakterin, virtytet morale, atdhetarinë dhe qëndresën e tyreSipas Ministrit Grant, Mbreti i kishte kërkuar Mbretëreshës që ta pranonte ofertën amerikane për të qëndruar në Legatë, porse ajo kishte ngulur këmbë që të mos ndahej nga i shoqi. Sot, pas 72 vjetësh, veç mund të përfytyrojmë dilemën e madhe shekspiriane të Mbretëreshës shqiptare: të qëndroj apo të mos? Gjeraldina u kthye në atdheun e saj të ri 63 vjet më vonë, më 2002, për t’u prehur në dheun e tij për gjithnjë.As Mehmet Konica nuk mundi të qëndrojë në atdheun e pushtuar. I quajtur gjithnjë si kundërshtar i prirjeve aneksioniste të italianëve, Mehmet Konica e kishte të qartë se jeta e tij do të ishte në rrezik po të qëndronte në Shqipëri. Ka rëndësi të theksohet, gjithsesi, që Mehmeti ndofta për protestë, nuk iu bashkua karvanit të Zogut, por sipas Ministrit Grant, u largua nëpërmjet Jugosllavisë. Mehmet Konica do të ndërronte jetë pas Luftës së Dytë Botërore jashtë atdheut dhe në gjendje të vështirë ekonomike.Ndërkohë, me 11 prill 1939 Faik Konica njoftonte me theks të qartë ironie Departamentin e Shtetit se kishte marrë një telegram nga një “i ashtuquajtur Komitet Administrativ i Përkohshëm”, ku njoftohej se “Mbreti dhe qeveria ishin larguar” nga vendi, dhe se ishte formuar Komiteti Administrativ Provizor i kryesuar nga Xhafer Ypi dhe anëtarë Zef Kadaria, Kosta Marku, Izedin Beshiri, Pertef Pogoni, Llambi Aleksi dhe Mihal Sherko. Faik Konica instruktohej që të mbante lidhje të mira me Ambasadën Italiane, të dëgjonte Radio Tiranën dhe “të qetësonte bashkësinë shqiptaro-amerikane dhe student shqiptarë” atje. Pushtimi italian i Shqipërisë e tronditi në mënyrë të pandreqshme jetën personale, shoqërore dhe profesionale të Faikut, i cili do të vdiste i vetmuar në kryeqytetin amerikan në 15 dhjetor 1942.Së fundit, me 30 qershor 1939, Ministri Grant do t’i niste një tjetër Raport Sekretarit të Shtetit. “Kam nderin të bashkëpërcjell për informim, por edhe për arkivën e Departamentit të Shtetit, një kopje facsimile të dokumentit të pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në Vlorë me 28 nëntor 1912. Dokumenti, vazhdon më tej z. Grant “ka sot një kuptim të veçantë” dhe m’u dhurua me bujari nëpërmjet përkhtyesit zyrtar të Legatës, Z. Frederik Nosi, prej xhaxhait të tij z. Lef Nosi, një shqiptar i shquar dhe atdhetar…”. Lef Nosi, i cili në vitin 1944 do të angazhohej fare shkurt në krye administratës shqiptare duke përcjellë një akt që më shumë përçonte vazhdimësinë e shtetit shqiptar në rrethana tejet të koklavitura, pas Çlirimit të vendit do të arrestohej, gjykohej dhe pushkatohej nga regjimi komunist si bashkëpunëtor me nazizmin.Ndërkohë që statusi i Mbretërisë Shqiptare në ato ditë të zeza të prillit 1939 dukej sikur kishte ngrirë fill pas lindjes së Princit Leka, për njëfarë kohe pavarësia e Shqipërisë kishte mbetur veç në kurorën e saj, në kujtimin e popullit si dhe në arkivat e patriotëve.

Filed Under: Histori Tagged With: agron alibali, dilemat ne arkivat ameriakne, Mbreti Zog

Maks Velo: Intermexo në vargje dhe vizatime

August 29, 2013 by dgreca

Nga Luan Rama/

Herën e fundit që Maks Velo ishte në Paris, nuk arrita ta takoja. Por një mesazh më njoftoi për librin e tij të sapo botuar në Paris nga shtëpia botuese EMAIL me titullin e thjeshtë «Paris». E mora librin në duar dhe krahas vizatimeve në tush e flamastër, lexova poezitë e tij për Parisin dhe menjëherë mu shfaq figura e tij e menduar, udhëve të këtij kryeqyteti që për Maksin është më shumë se për ne të tjerët: është vëndlindja e tij. Po, prindërit e tij ishin këtu kur ai do të lindëte një ditë të vitit 1935, nën një nga ato çati të plumbta që ngacmojnë ende shpirtin e tij përmes pastelit dhe vargut poetik. Gjatë këtyre dy dekadave, rikthimet e tij në Paris u përngjajnë prehjeve, përkundjeve, nostalgjisë së kujtesës. E megjithatë, poezia e tij rrallë herë është e gëzueshme. Eshtë një poezi e trishtë, «bodleriane», e trishtë ashtu siç është dhe ecja e tij buzë lumit të Seine-s, sikur të ketë mbi supe një barrë të madhe. Ja pse shpirti i tij këndon trishtë me poezinë Dhe pesha e jetës rëndohet: «Tani kuptojmë të vërtetat/ gëzimet nuk na gënjejnë më/ dhe hidhërimet e ligësitë/ i presim gjakftohtë, pa zë/ Eci anës Senës, lumit të qetë/ në të kundërt të rrjedhës ;/ më kot kërkoj të takoj/ burimin e pastërt, fillesën».

Këto vargje në këtë libër të parë të llojit të vet në Shqipëri si “Livre d’Artiste”, e bëjnë atë një lloj Sizifi, pasi vërtet, nëse Maks Velo është një zë që kërkon të ndalë të keqen, fjalën e tij gjithnjë kanë dashur ta mbysin, ta deformojnë apo për shkak të saj ta sulmojnë duke fyer gjithë vuajtjen e tij në burgjet totalitare. Por artisti është kokëfortë. Ai nuk do ta ndalë luftën e tij për të Drejtën, për Progresin, pasi në vizionet e tij është gjithnjë Ardhmëria. Ai e ka njohur «tunelin» dhe gjithnjë i ka mbajtur sytë drejt dritës që shfaqej në fundin e saj. Pra ai nuk është disfatist, përkundrazi, një pesimist entusiazt. Ja pse dhe «fillesa» e tij ka simbolikën e vet : është idealja. Dhe për këtë, piktori-poet ka filozofinë e tij, një filozofi e vjetër sa bota, siç e shkruan dhe në poezinë tjetër Vëllezër njerëz: «Kështu pat thënë François de Montcorbier:  «Vëllezër njerëz që mbas nesh do të vini/ kundrejt nesh mos kini zemër të egërsuar»… Dhe Velo vazhdon: «E përfytyroj çdo mbrëmje në tavernë/ në njërën dorë ka broken plot me verë/ tjetrën poshtë fustanit të bukuroshes… »

«Vëllezër-njerëz!» Këto dy fjalë kanë një tjetër peshë në gojën e një artisti që ka provuar linçimin. Duket qartë se ky artist është i zhgënjyer nga shoqëria ku jeton. Jo pse ai priste të jetonte në një shqëri ideale siç e kishin projektuar dikur utopistët More apo Campanella, por sepse ai kishte shpresur se në këto dy dekada, pas shëmbjes së diktaturës,  shoqëria shqiptare do të ngjiste shkallët e së Drejtës, të Qytetarisë dhe të Respektit ndaj tjetrit e ku fjala «vëllezër» do të kumbonte me një krenari të ligjshme dhe do të bëhej një emërtim i përbashkët i njerëzve që kërkojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Por nëse artisti kërkon që ata që do të vijnë, gjeneratat e tjera, të mos kenë një «zemër të egërsuar», këtë e thotë sepse kjo ndjesi nuk ka përfshirë vetëm atë, por ajo është bërë një shprehi e përditshme, e dukshme, në pamje direkte apo përmes mediave, ku është lehtë të përbaltësh, të dhunosh, të fyesh, të vrasësh të përgojosh, jo vetëm artistin apo njeriun që kërkon të përfaqësojë vullnetin e popullit, por krijesën njerëzore që lind e lirë dhe aspiron të jetë i lirë dhe i barabartë me të tjerët. Dhe kjo padyshim e bën artistin të trishtë, që dhe kur vjen në Paris, që kërkon për të fjetur në hotelin më të lirë, (Verlaine, Rimbaud apo Van Gogh a nuk i provuan këto mansarda të vjetra, por me aq shumë dashuri?), ai përsëri të kujton gjëndjen e tij shpirtërore e materiale:   «Hotelin me shkallë druri/ të ngushta spirale që kërcasin/ e paguaj nga mbetja e faturave të jetës…» Po, artisti jeton veç në sajë të artit të tij. Ai nuk ka rendur pas pasurisë, ofiqeve, kompromisit me pushtetin, militantizmit politik për të përfituar privilegje e para. Ai nuk ka dashur ta cënojë asnjëherë identitetin e tij. Dhe kjo nuk e ka penguar artin e tij. Përkundrazi, i ka dhënë shpirt, vibrim, forcë, siç e gjejmë dhe në poezinë e tij kushtuar Van Gogh-ut, piktorit të preferuar, emrin e të cilit, hetuesi në burg ia thoshte atij në mënyrë të shëmtuar, pasi hetuesi i dikurshëm shqiptar, kjo vegël e dhunës, kujtonte se Van Gogh, ky «borgjez i fëlliqur» dhe idhull i Velos,  duhej të ishte ndonjë armik i madh i stalinizmit! Ja çfarë shkruan Velo në librin e tij për pikëtakimin me Vincent dhe Téo Van Gogh në Over-sur-Oise, jo larg Parisit, ku piktori ishte tërhequr në vitet e fundit të jetës së tij e ku para një fushe me grurë, atje ku hidhte penelatat e tij mbi kavalet, një ditë kishte vrarë veten: «Van Gogh në Over-sur-Oise/ pikturoi çdo gjë:/ kishën e vogël në arën me grurë/ doktor Gashenë/ dhe bashkinë me flamur./ Çdo telajo ishte një festë/ siç pjekim bukët për të diel./ Vetëm për varret/ të vetin dhe të Téo-s/ nuk pati kohë!»

Vështroj pastelet impresioniste të Velos, skicat dhe imazhet e mjegullta të një Notre-Dame, një Sacre-Cœur, Pont Neuf, Eiffel apo Louvre, ato vizatime krah poezive të tij, dhe shumë kujtime të viteve të shkuara më çojnë në pikëtakimet tona në Paris, në ekspozitat e tij kur piktori rrethohej me aq shumë dashuri nga artëdashësit francezë, atëherë kur prezantonte ciklet e tij të dhunës totalitare e më pas, librat si Commerce des jours, etj. Skica të mrekullueshme në Paris apo Aubergenville, kur kujtimet e burgut ishin ende të nxehta, digjnin dhe klithnin me ngjyrën e tyre të zymtë. Velo ndjek një traditë të njohur tashmë në Francë, atë të shkrimtarëve-piktorë, të letrarëve artistë. Poeti i njohur Henri Michaux ishte gjithashtu një piktor i mrekullueshëm ashtu si mjaft të tjerë, ndërkohë që dhe i shtrenjti ynë Ernesto Sabato, pas letërsisë iu kthye dashurisë së tij të herëshme, pikturës. Vargje thurrnin dhe Arp e Miro. A nuk pikturonte aq bukur dhe me një simbolikë të madhe Victor Hugo, apo Proust, i cili në faqet e dorëshkrimeve të tij vizatonte shpesh mjediset ku zhvilloheshin ngjarjet apo portretet e personazheve të tij ? Fantazma e «të dënuarit me vdekje» lindi te Hugo se pari në vizatimet e tij, para se të bënte «pleduarinë» e tij kundër «dënimit me vdekje». Ngjyra, linja, dhe poetikja të pleksura bashkë brënda një shpirti që kërkon të flasë e ku gjuha herë ka trajtën e shkronjave e herë atë të ngjyrave. Që në kohë të vjetra, Leonardo Da Vinçi fliste për këtë konkurencë mes poezisë dhe pikturës në traktatin e tij të famshëm për pikturën, «Trattato della pitura». Leonardo vinte pikturën mbi poezinë, ndërkohë që poetët e Antikitetit, të traditës homerike apo të epokës së Virgjilit roman, e vinin poezinë në majën e Olimpit të arteve. Në historinë e artit ka ndodhur që piktorët janë kthyer në poetë. Siç duket ata e kanë ndjerë tmerrësisht nevojën e Fjalës. Përse vallë? Me siguri që ndjenja e parë përballë një imazhi ka qënë një ndjesi poetike. Kështu ata, pa kuptuar, kanë mërmëritur së pari poezinë me dëshirën për të thënë atë që do kërkonin të thonin përmes pikturës, ashtu siç shkruan dhe Velo ne një nga poezitë e tij: «Mjegulla/ si ekran kinemaje pa zë/ Sena ngrihet lart/ lundron mbi retë/… » Vegime të tilla kisha lexuar në poezitë e Arthur Rimbaud-së kur shkruante për katedralen e ngritur në qiell.  Ishte një imazh që kishte përballë. Apo më mirë një refleks i katedrales në ujin e lumit që shkonte. Gjatë një shekulli, historianët e artit dhe biografët e tij janë përpjekur ta deshifrojnë këtë varg dhe duket se ia kanë mbërritur. E duke menduar kështu, ne rivijmë gjithnjë me mëndjen tonë në shëtitjet e Velos në Saint-Michel dhe rrugicat e Quartier Latin, në shtëpitë e vjetra dhe historike të Marais-ë së kohës së Revolucionit, në Sheshin e Bastilles apo buzë Senës, në Quai Voltaire, nën dritaret ku u shua shpirti i iluministit të madh Voltaire. Buzë Senës, me dhjetra herë ai është ndalur pranë bukinistëve të deshifrojë botën e atyre njerëzve dhe magjinë e këtij qyteti kaq të lidhur me librin:  «Poshtë kapakut metalik/ varur në shpinën e Senës/ dyqani më i vogël në botë/ por dhe më fisnik/ me libra ngjeshur/ mezi marrin frymë/ vendosur në rradhë, si reparti për Hymn… »

Dhe Maks Velo ulet për një çast, rrëmben lapsin dhe vizaton mbi letrën e bardhë Punon në tush apo pastel. Tashmë përballë ka katedralen Notre-Dame dhe këmbana të Parisit. E tek skicon konturet e saj, vargjet ngjizen brënda shpirtit të tij : «Kupola në miniaturë/ varur në qiell/ si këmborët në qafën e dhive… ». Po. Gjithçka është asociacion imazhesh, ndjesish, idesh, simbolesh. Ashtu siç dhe ky piktor-poet shkruan poezinë Kolazh : «Qielli i Parisit/  letër pastel në gri… » Maks Velo, i cili e di se jeta ka qënë e vrazhdë me të, (jo jeta, por sistemet politike), përsëri është një poet i fjalës si dhe i formave, pra një artist delikat. Kujtoj një ditë të largët, 15 vjet më parë kur në periferi të Parisit, në një dhomë të marrë me qera e të improvizuar në atelier, ai jetonte né kushte spartane : letër, laps dhe një frymëzim të pagjumë. Buka e tij e përditëshme ishte ai frymëzim që vinte nga pikëtakimi që kishte me Parisin e ëndërruar. Nuk e kam pyetur asnjëherë nëse në Spaç e ka ëndërruar Parisin, nëse ka përjetuar një Paris imagjinar, ku kishte parë dritën e parë të jetës dhe ku kishte jetuar me librat e piktorëve dhe poetëve të tij. Me siguri që po. Pasi Parisi për të, si dhe për gjithë bashkëvuajtësit e tij ishte atdheu i Lirisë. E pra në këtë vënd-lindje, (ai mund ta quajë me shumë dëshirë këtë) ai krijonte artin e tij, larg çenzurave, diktateve, interesave të ngushta e meskine. Ishte ai dhe piktura. Artisti përballë artit. Artisti si pjellë e Artit.

Gjatë dy dekadave, Parisi u bë një prehje e shpirtit të këtij artisti. Sa herë kthehej në Tiranë, shpirti i tij ishte një tallaz, sepse Velo nuk e duronte demagogjinë, hipokrizinë, kompromisin me pushtetin e vogël. Maks Velo e shikonte dhe e sheh si të shenjtë emrin Artist dhe misionin e artistit. Artisti është mbi pushtetet : aristët, filozofët, intelektuali i vërtetë, këta pinjollë të Sokratit që dinë të shkojnë drejt «demosit», që dinë të flasin në emër të vetvetes dhe në emër të popullit, që kanë kurajon të dalin në shesh, të protestojnë, të ngrenë zërin, të gatshëm për sakrificë. Kështu, duke ardhur në Paris, i lodhur nga kaosi e trazirat e mëdha në vëndin e tij, Velo kërkon njëkohësisht dhe prehjen. Ecën buzë Senës ndalon me një mik në bistrotë pariziane dhe pranë një gote vere vizaton e thurr vargje: «Pi verë/ në buzë kam tërë Francën e vjetër… » Vallë ka në gojë shijen e një Baudelaire, një Rimbaud, të këtyre dashnorëve të mëdhenj të verës dhe poezisë ?.. Apo ngjyrat ngazëlluese të një Degas, Bonnard, Cezan, ku pastelet e tij të fundit ndjenin mallin e impresionistëve. Velo vështron linjat e këtij qyteti sikur ky qyet të kishte trajtat e një vajze të bukur, dhe kështu ai kërkon t’i këndojë ashtu siç i këndonte njëherë një Apollinaire apo një Cocteau e Max Jacob, të cilët ishin piktorë e poetë njëherësh. Për Velon, «Çdo gjë është e butë/ çdo gjë është ëndërr/ perfeksion spontan / në gri, në blu/ është jeta në rozë…» Dhe tek ai humbet tutje në sfondet e urave të shumta mbi Seine, përkundur nga zëri i një Edith Piaff «Jeta në rozë», («La vie en rose»), ne rithemi me ëndje vargjet e tij mbi urat e këtij qyteti që lidhin brigje dhe shpirtra: «Urat e Parisit si këmbë të bukura femrash/ futur në Senë/ fustani i ngritur sipër/ bërë urë… » Dhe papritur imagjinojmë gjithë urat e botës si këmbë grash, që lidhin e pleksin në vetvete jetë e dëshira, dashnorë të humbur gjer dhe pikëllime e vetvrasje. Pikëtakimet e Velos me Parisin, vargje të kthyera po aq poetikisht në frëngjisht nga Evelyne Noygues janë si «Intermexo» të këndshme, herë të trishta e dëshpëruese për atë çka dëshiron artisti e herë me një dritë shprese. Sidoqoftë, vargjet e pastelet e këtij libri, janë një homazh, si mijra homazhe që artistë të botës i bëjnë Parisit, këtij qyteti që ngërthen aq shumë nostalgji, ëndërra e dëshira të mëdha.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Luan Rama, Max Velo

Albania’s Sworn Virgins

August 29, 2013 by dgreca

In Albania, a “sworn virgin” is a biological female who has chosen to take on the social identity of a man for life. It’s a tradition dating back hundreds of years that still exists in the Albanian Alps, as well as to a lesser extent in other parts of the Western Balkans. The practice developed from the Kanun, an archaic patriarchal set of laws that began to be used mostly in northern Kosovo and Albania in the 15th century. This ancient codex states that women are the property of their husbands, which strips them of some basic rights and freedoms, such as being able to vote in local elections, conduct business, earn money, smoke, wear a watch, or even swear out loud.
By taking an irrevocable oath to live as a sworn virgin (“burnesha” in Albanian) in front of village or tribal elders, a woman can be elevated to the status of a man, thereby becoming entitled to all the rights and privileges of the male population. Besides taking a vow of lifelong celibacy, Burnesha women usually don the trappings of masculinity to underline their transition from male to female — cutting their hair, wearing male clothing, and sometimes even changing their names. They often adopt male mannerisms and gestures so thoroughly that they became second nature.
There are various reasons why these women would turn their backs on their birth gender. Some young women took the decision to avoid being forced into an arranged marriage, often with a much older man. In other instances, it was the only way in which a woman could inherit her family’s wealth. This was particularly important in a society where blood feuds have frequently resulted in the deaths of many men, which can leave families at risk of losing all their assets with no male heir to inherit them. Some have said they became sworn virgins simply because they felt more male than female.
American photographer Jill Peters has traveled to northern Albania to meet and photograph some of these women who have spent most of their lives living as men. As modernity slowly creeps into Albania’s remote rural regions, the tradition of sworn virgins appears to be in terminal decline. It is estimated that there are only a few dozen aging burnesha left in the country. Consequently, Peters’ photos may well provide a valuable record of a cultural phenomenon that could soon become a thing of the past. Her “Sworn Virgins Of Albania” is an ongoing project and she is also working on a documentary film about this topic.

Filed Under: Histori Tagged With: Albanians, Sworn virgins

PRAG SULMI NE SIRI?

August 29, 2013 by dgreca

Ban Ki MUN: Ekspertët e OKB-së largohen të shtunën nga Siria/

Ekipi i hetuesve të OKB-së për armët kimike që po mundohen të verifikojnë nëse forcat qeveritare në Siri kanë përdorur apo jo armë kimike do të largohen nga ky shtet, të shtunën.
Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, të enjtën.
“Ata do të vazhdojnë aktivitetet e tyre të hetimit deri nesër, pra të premtën dhe nga Siria do të largohen mëngjesin e së shtunës dhe mua do të më raportojnë menjëherë pasi të dalin nga Siria”, ju ka thënë Ban gazetarëve.

Ekspertët e OKB-së prap në zonën e “sulmit me armë kimike”

Një ekip iu ekspertëve të armëve të OKB-së është larguar nga hotel ii tyre në Damask dhe është nisur drejt vendit ku dyshohet që forcat qeveritare siriane kanë përdorur armë kimike, raporton Reuters.
Kjo është dita e tretë që ekipi i ekspertëve të OKB-së do e vizitojë vendin ku i kanë kthyer sytë e gjitha bota në pritje të verifikimit të sulmit që shumë shtete perëndimore janë të bindur se ka ndodhur.
Aktivistët dhe mjekët në zonën e kontrolluar nga rebelët kanë thënë se gjashtë veturat e konvojit të OKB-së pritet ta vizitojnë vendin e sulmit në periferinë lindore Ghouta të kryeqytetit sirian, Damask.

Obama: Ende nuk është vendosur për sulm ndaj Sirisë

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se shteti i tij “konkludon” se qeveria siriane ka realizuar një sulm të madh me armë kimike kundër civilëve, javën e kaluar.
Duke folur në një televizion amerikan të mërkurën, Obama ka thënë se ai ende është duke e vlerësuar opcionin e një sulmi të mundshëm ushtarak për të dënuar Sirinë, për sulmin e 21 gushtit në periferinë e Damaskut që aktivistët thonë se ka vrarë qindra persona.
Megjithatë, Obama është zotuar se çfarëdo reagimi amerikan do të dërgojë një “sinjal të fuqishëm” te presidenti sirian, Bashar al Assad.
Të mërkurën, pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit nuk kanë arritur marrëveshje për një draft rezolutë të hartuar nga britanikët që kërkonte autorizim për përdorim të forcës.

Rusia, ashtu siç pritej, e ka kundërshtuar intervenimin ndërkombëtar.

Të njejtën ditë, presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Hassan Rohani kanë thënë se diplomacia është mënyra më e mirë për të zgjidhur krizën.Rusia thotë është papjekuri diskutimi për intervenim në SiriNjë zyrtar i lartë rus ka thënë se thirrjet për intervenim ushtarak në Siri janë “një sfidë e fshehur” e statutit të OKB-së.
Ministria e jashtme ruse ka njoftuar se zëvendësministri i jashtëm, Gennady Gatilov ja ka thënë këtë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Hagë, të mërkurën.
Rusia ka thënë se është papjekuri nëse diskutohet përgjigja ndaj sulmi që dyshohet se është bërë me armë kimike në Siri para se inspektorët e OKB-së të përfundojnë hetimin e tyre.
Presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se SHBA-të janë të e dijnë me siguri që qeveria siriane ka përdorur amë kimike gjatë një sulmi që është kryer më 21 gusht në periferi të Damaskut.
Sidoqoftë, Obama ka thënë se ende nuk ka vendosur për sulm ushtarak kundër regjimit të Bashar al Assad.
Gjatë ditës, parlamenti britanik pritet të diskutojë çështjen e intervenimit ushtarak në Siri.

Filed Under: Featured Tagged With: Ban Ki-Mun, Obama, Prag Sulmi ne Sirim, Putin

KOSOVE- Sfidat e “rrezikshme” para zgjedhjeve të nëntorit

August 29, 2013 by dgreca

Fakti që në Bruksel nuk është arritur marrëveshje për çështjen e pamjes së fletëvotimeve për zgjedhjet vendore të tre nëntorit, ka bërë që në Kosovë të nisin diskutimet nëse zgjedhjet janë të rrezikuara.
Shqetësimin e parë e ka ngritur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se “Kosova është në një gjendje jo të favorshme”, pasi që sipas tij ky proces ka implikime të mëdha politike.
“Ndjeshmëria është e lartë dhe politike. Ne e dimë se vendimi është i KQZ-së, por prapë është politike. Meqenëse është një situatë e tillë ndoshta duhet të jemi sa më të kujdesshëm. Po bëhet fjalë për integrimin e veriut dhe për disa ‘gëlltitje’ që po duhet t’i gëlltisim disa gjëra që të mund të ndodh integrimi“.
“Por, nuk duhet të nxitojmë të biem shumë ulët në shumë hapa. Për atë, sikur se e shihni, nuk është arritur ndoshta deri të një marrëveshje tash. Shpresojmë që ta gjejmë një formë për t’i mbajtur zgjedhjet”, deklaroi Haradinaj në komunën e Shtërpcës, derisa ka prezantuar kandidatin e AAK-së  për kryetar komune.
Në pyetjet e gazetarëve se çfarë qëndrimi do të ketë AAK-ja, nëse nga fletëvotimet hiqen simbolet sheqerore, Haradinaj pranoi se nuk është i sigurt në qëndrimet e tij.
“Nuk jam i sigurt në qëndrimin tim dhe tonin për shkak se jemi në mes të një dileme se a duam t’i ndalim zgjedhjet, mos t’i mbajmë, apo duam t’i mbajmë në veri. Ata po e dinë se ne kemi interes t’i mbajmë zgjedhjet dhe po vendosin vazhdimisht pengesa, ndoshta edhe me idenë që ne mos t’i mbajmë zgjedhjet në veri për shkak se në fund do të fitojmë nëse i mbajmë zgjedhjet në veri, Kosova fiton“.
“Pra kohë pas kohe po na vijnë pengesa si kjo e tashmja. Pra është në interesin e Kosovës të gjenden mënyra për t’u mbajtur zgjedhjet në veri”, u shpreh Haradinaj.
Kurse, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, konsiderojnë se pavarësisht që e thonë të kundërtën, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq janë duke arritur marrëveshje lidhur me temat të cilat janë duke i diskutuar në Bruksel.
Analisti politik Behlul Beqaj thotë se kjo ndodh për faktin se të dyja qeveritë e të dyja vendeve, nuk duan që të ketë reagime lidhur me marrëveshjet e arritura.
“Deklarimet publike objektivisht vërtetojnë të kundërtën ngase pavarësisht se nuk pranohet se është arritur ndonjë rezultat, ndoshta çështja e konkretizimit të marrëveshjes po kryhet pa e ditur audienca e gjerë“.
“Në ketë kuptim kur është në pyetje vazhdimi i dialogut mendoj se duhet të jemi shumë kureshtarë në analizën e atyre gjërave të cilat nuk thuhen, e objektivisht po kryhen. Ngase kemi reagimet e opozitës në Serbi, sikurse se kemi dhe pakënaqësitë e subjekteve në Kosovës për gjëra të cilat po veprohet e të cilat objektivisht nuk kanë qenë subjekt i bisedave”, tha Beqaj për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, mendon ngjashëm duke deklaruar se Kosova dhe Serbia tashmë për shumë çështje janë dakorduar.
Sipas Kursanit të dy kryeministrat me takimet e tyre po duan të tregojnë se sa të vështira janë bisedimet Kosovë- Serbi.
“Unë mendoj se zgjedhjen, në këtë rast për energjetiken dhe telekomin, korniza për to vetëm është e ditur për kryeministrat dhe janë marrë vesh dhe vetëm po ngecin, kinse te disa detaje”, tha Kursani për Radion Evropa e Lirë.
Kursani po ashtu tha se me lëshimet që Kosova është duke i bërë karshi Serbisë, duke filluar nga ajo për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve, sipas tij, është hapur rrugë për atë shtet që të ketë kërkesa nga më të ndryshmet, edhe për çështje të brendshme në Kosovë.
“Meqenëse tanimë i është hapur rruga Serbisë që të ndikojë edhe në detajet më të vogla të vendimmarrjes brenda në Kosovë, atëherë jo vetëm këto zgjedhje, por duket se edhe shumë çështje të tjera të brendshme të Kosovës do të varen nga kushtëzimet që Serbia do t’ia bëjë kësaj qeverie”, tha Kursani.
Ndryshe, Florjan Dushi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afati i fundit për caktimin e dizajnit të fletëvotimit në tërësi është data 25 shtatori.(kortezi:Anton Konushevci)

Filed Under: Komente Tagged With: ne Kosove, Sfidat e zgjedhjeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT