• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat…

September 18, 2013 by dgreca

Intervistë ekskluzive per DIELLIN me shkrimtaren, poeten, esseisten, kritiken letrare dhe Sekretaren e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, dr.Yllka FILIPI/

 Bisedoi Raimonda MOISIU /

      Dr.  Yllka FILIPI  ka mbrojtur  Doktoraturën në fushën e Letërsisë së Krahasuar, Universiteti i Tiranës  (2009-2012). Është specializuar në degën e Letërsisë duke përfunduar  Studimet e Thelluara Pasuniversitare, Master Shkencor (2006-2008), pranë këtij Universiteti. Studimet e larta i ka kryer në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, dega  Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1995-1999). Shkruan kritikë, poezi, prozë dhe ese. Ka botuar në periodikë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare,  si një zë unikal në letërsinë moderne shqiptare. Aktualisht jeton dhe punon në New York, ku bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Illyria dhe revistën Kuvendi në Michigan. 2011 e në vazhdim Zv/Kryetare e Katedrës së Studimeve e Hulumtimeve, të Mendimit Kritik Modern të Presidencës së LNSHP, U.S.A

Është autore e këtyre veprave:

*Trekëndëshi universal i Bermudeve, Dante-Migjeni-Kadare, studim krahasues, 2012

*Post Hekuba vëllim poetik, Ombra GVG, 2011

*Me ipsum ames (roman postmodern), M. Barleti, 2010

*Eternitas  (vëllim poetik, ) M. Barleti, 2009

*Eshtra tempujsh, (cikël poezish të zgjedhura,) 2009

*Dante-Kadare, studim kritik, Albas 2008

Ka fituar këto çmime letrare

 Qershor 2012  Çmimi poetik Ndërkombëtar “Azem Shkreli II”, Ennepetal, Gjermani

Maj 2011 Çmimi i Parë, në Festivalin Ndërkombëtar të poezisë, TPSH, Vushtrri, Kosovë

Prill.2011 Çmim Special, Fituese në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Poetik, Muza Poetike Pegasi Albania 2011.

Krijimtaria e saj është përfshirë në disa antologji si

* 100 Poetë për dashurinë, (Lirika shqiptare dhe botërore) 2012,

* Korsi e hapur,  2012, në 14-gjuhë të botës, etj.

–Dr.Yllka,- Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në gjininë e prozës, poezisë apo publicistikës? Ç’mund të na thoni mbi fillimet e karrierës suaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?

Poezia është arti ku shpirti nënvizon epërsinë e tij, që herët në shkrimet e mia. Grimcat e para filluan të gëlonin që në fëmijërinë e hershme, por eksperiencat e vërteta morën formë të përcaktuar qartë, vetëm në vitet e gjimnazit, e më tej. Aftësitë imagjinative më jepnin dorë të lirë në pikturimin e tablove të ndryshme shpirtërore, aty ku rridhnin brengat, dramat, idilet e njerëzimit dhe nuk e lejonin intuitën të mbetej pezull. Udhëtim i bukur? Udhëtim mbreslënës? Unë do ta quaja udhëtim i përjetshëm drejt jetës, drejt dashurisë.

 -Isadora Duncan shkruan: Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë,  megjithëse  arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithcka,  ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?

Një përfaqësim i tillë i artit i gërshetuar edhe me faktin e të qenurit femër, pavarësisht “mbikqyrjes” së vështirë dhe të rreptë si edhe përkushtimit fizik, nuk e ka lënduar aspak dashurinë time për të. është gjëja më e bukur që buron nga shpirti dhe niset fluturim për në shpirtra të tjerë, si një lloj ngushëllimi hyjnor ndaj dhimbjeve të njërëzimit. Si një shpresë.

-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, prindërit, artet, letërsia apo  njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?

E gjithë kjo është një kompleksitet figurash, imazhesh reale dhe fiktive, një galeri e tërë detajesh që kanë ndikuar në frymëzimet e mia, por padiskutim një mbështetje e jashtëzakonshme për të ecur përgjatë kësaj rruge me të papritura, shira e stuhi, kanë qenë prinderit e mi. Simbol i vetësakrifikimit për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Burim i pashtershëm frymëzimi për mua, është Eros-i, im bir 9-muajsh.

-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj  Eshtra tempujsh, Eternitas, Post Hekuba) në gjuhë të huaj dhe bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

Kanë rrjedhur natyrshëm, ashtu një e nga një si pikat e shiut mbi xham, e formohen rrëkeza, më vonë ndoshta luginëza…është një kënaqësi e jashtëzakonshme tek i sheh të rriten…

-Kur shkruani, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

Frymëzimet janë spontane, Muzat nuk trokasin asnjëherë, vijnë ashtu papritur, në studio, në natyrë, në rrugë, në vetmi, mes turmës, në rërë, në kafene, shpesh edhe në gjumë…

 -Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj? Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi proteste me ton qytetar e intelektual?

Unë e shoh si një energji që buron nga një tjetër energji supreme e cila trazon shpirtin njerëzor, ngacmon, flijohet. Shpërfillja, nëpërkëmbja, dhunimi i të drejtave të gruas më irriton pa masë. Shën Maria ishte grua…Muzat janë gra tronditëse gjithashtu.

 -Shumë lirika dashurie. Çfarë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

Dashuria është formë e finalitetit të forcës për të mbijetuar, sa kohë jeton veçan çdo koncepti intrigues, ajo perceptohet larg nga urrejtja, si një formë finale e gjallimit të së mirës së përjetshme, gëzimit dhe madhështisë universale.

-Romane, studime poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë?

Me secilën prej tyre përjetoj një lidhje të veçantë e nuk mund t’i dalloj, por mund të them se kam shumë dobësi për poezinë… Aty ndihem më e sigurtë. Një shtëpizë prej qielli, realitet i dytë trupi e shpirti.

 -Ju jeni edhe prozatore, biles keni sjellë një formë të re në prozën bashkëkohore . -kujtojmë këtu romanin Me ipsum ames (Të më duash mua, vetëm), tashmë një shkrimtare e afirmuar, autore e disa librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë?

Ky roman është shkruar në kohën kur isha ende një studente e apasionuar e letërsisë, në vitin e tretë dhe për vite me radhë qëndroi në sirtarët ku ruheshin dorëshkrimet e mia. Nuk guxoja ta hidhja në treg me frikën e asaj risisë që nuk përqafohet kurrë në fillim… Tanimë më kanë mbetur  shumë pak kopje nga ky libër.

Për mendimin tim është më i thjeshtë kalimi nga poezia në prozë. Blatohet mrekullisht me nënvetëdijen. Të kundërtën nuk mund ta perceptoj dot. Shtysa vjen natyrshëm nga dëshira për t’u vetëshprehur në mënyra të ndryshme.

–Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një proze, në rastin tuaj, të tregimit apo romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

Do të citoja këtu një mbishkrim të zbuluar në tempullin e Isis-it (Nëna natyrë): Unë jam gjithçka ç’ka qe, është e do të jetë gjithmonë. E asnjë mortor s’do të mund të ma ngrejë vellon që më mbulon fytyrën. Shpesh i sjell personazhet nga koha në akohorësi dhe i preh në gjirin e natyrës. I ngjan një sfide nga ku buron pafundësisht , një tjetër lloj sfide e vetvetes për të mos u rrëzuar në grackat e kohës, harrimit.

-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

Subjekti i këtij romani ka lindur si një shëmbëlltyrë reale dhe virtuale e qenies bashkëkohore me përthyerjet, dritëhijet apo qerthujt simbolikë të jetës, tej destinëve ekzistencialë që vërtiten paralelisht  midis dashurisë dhe vdekjes. Ai është drama e asgjësimit fizik dhe shpirtëror të qenies mbi të cilën kumti i dashurisë ngadhnjen mbi gjithçka. Një vepër e hapur  në të cilën konotacionet artistike gërshetohen me dramën e njeriut të kohëve moderne. Erdhi ai tek unë! Tepër insistues!

–Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?

Inspirimi është thjesht një energji supreme nga e cila pashpjegueshmërisht buron forcë, tharm, limfë. Ajo bëhet ujë dhe shuan zjarrin e shpirtit tim.Realiteti është ngacmues, misteret gjithashtu. Ushqim shpirtëror, sui generis në llojin e vet. Proporcion i bollshëm dhe alternativ.

 Ju shkruat librin “Dante, Migjeni, Kadare”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, për   argumentimet  tuaja rreth letërsisë bashkëkohore, si  reminishencë mesjetare, a mund të dimë diçka më shumë mbi të?

Kjo nismë është një përçapje hulumtuese për të ndriçuar hijet dhe gjysmëhijet e ambjenteve ku lëvizin figurat të cilat japin përmasat fantazmagorike të ferrit deri në kohërat moderne. Pra, jemi në kërkim të një strukture të ferrit gjithkohor. Të parë në këtë këndvështrim (përtej parapëlqimeve personale), janë ngritur paralelizma duke hyrë kështu në tejhorësinë arkitekturore  infernale që shpalosin veprat, gjë për të cilën kritika ka folur pak ose aspak. Janë alternuar metoda polidimensionale studimore si ajo strukturaliste, semiotike, komparativiste, simbolike, psikoanalitike etj, të cilat kanë krijuar mundësinë e ndriçimit të mjegullës infernale e cila bashkon këta autore, në dukje, jo fort të ngjashëm. Vizionet reale që sjell Migjeni mbi mjerimin e viteve’30 dhe lëngatën e kombit të tij, përkojnë intuitivisht me  imagjinatën danteske në  përfytyrimet fantastike   të përtejbotës.   Ndërsa Kadare, me vetëdije të plotë, është i përgjegjshëm kur huazon prej Dantes tablot vizionare të skëterrës. Ferri migjeno-kadarean ngrihet mbi strukturën e ferrit dantesk, duke harmonizuar arkitektonisht universalizimin e vuajtjes brenda tij.

-A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

E kam menduar disa herë. Skena dhe libri në fakt kanë dallime të dukshme midis tyre. Mendoj se ka goxha tkurrje dhe shpesh copëtim të membranës imagjinative të autorit në momentin kur në skenë hyn regjisori. Bëhet një lloj binomi sintagmatik që nuk ka lidhje varësie mes veti. Regjisori shpesh është bashkëautor e rëndon edhe një autor i mëvetësishëm i cili mund të krijojë (i detyruar nga rrethanat)”një vepër të re”.Veçse trilli dhe dialogu, sigurisht zbehen, dhe vepra humb shumë…A mund të gjendet ky binom brenda një njeriu të vetëm…?

-Teoritë e përkthimit janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme për kohën tonë. A e ka nxitur përkthimi i veprave tuaja,  ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?

Patjetër, pasi ti e di tashmë, se diku, pas një dere a një pragu zemre dikush pret me padurim një ngushëllim shpirtëror edhe në një gjuhë ndryshe nga ajo e nënës…është gati si një ëndërr e cila merr kuptim në konfiguracionet globale të subkoshiencës, pa njohur kufij nacionalë, etnikë, gjuhësorë…Zgjohet më shumë dëshira për komunikim virtual me lexuesin tënd, i cili nuk të braktisë kurrë, veç ti duhet gjithnjë, të mos e zhgënjesh asnjëherë.

–Shkrimet e veprat tuaja të përkthyera, kanë një reputacion për një lloj vitaliteti, në të cilin fokusi është i qartë dhe i gjallëruar. Kjo vërehet tek të gjithë librat tuaj. A mendoni se një lloj kurioziteti intelektual është burim edhe për ta shkruar veprën në dy gjuhë?

 Sigurisht, kjo është një shtysë e cila krijon natyrshëm një lidhje dyjare harmonike dhe luhatëse drejt të njëjtit shpirt që diktohet në dy gjuhë. Atij shpirti që sipas Kant-it,nga pikëpamja e ndijimit estetik nënkupton një parim gjallues të mendjes…

–Në cdo lloj karriere –nënkuptoj karrierën tuaj në letrat shqipe dhe në botën e artit, a keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qënë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?

Zhgënjimet janë pjesë e pandashme e atij parashtrimi arbitrar që na dikton destini substancial jetësor. Dhe kur është pjesë e jetës, kuptohet ndodh edhe në art. Por  fatmirësisht unë e përceptoj atë si jashtë qënies, ndaj shpesh e gjej veten në kërkim të self-reliance…dhe kjo më jep  impulse aktive të cilat shndërrohen shpejt në forcë për të vazhduar…

Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?

 Volteri thotë: Qielli na ka falur vetëm dy gjëra për të na shpërblyer nga të gjitha mizeriet e jetës, shpresën dhe gjumin. Shpesh ndihem e tkurrur si një amebë në turbullirë, por që çuditërisht e gjen shpejt atë ujin e kthjellët e gjithë romancë të sipërfaqes duke u larguar nga kthetrat e filozofisë së dëshpërimit në këtë botë të thërrmuar copë e çikë. Për ku? Drejt sublimes.

 – Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti  “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si shkrimtare, studiuese  e poete, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore   dhe ato ndërkulturore. Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?

Ka një kompleksitet idesh lidhur me këtë çështje, por në fakt në të gjitha epokat, realitetet janë gjendur të përzier, të ndërthurur, siç shpesh gjendet i ndërthurur vetë njeriu mes qerthujve të rrugëtimit së tij. Konfuzionet janë thjesht hije që zhduken me lindjen e  agimeve të reja. Vetëm atëherë kur një komb do tentojë ta mbyllë hendekun mes kulturës dhe primitivizmit brenda vetes, vetëm atëherë do të kemi arritje standartesh, idealesh, besimesh, shpresash. Shën Agustini ka thënë se një popull bëhet nga njerëz të bashkuar në dashurinë për diçka. Ne duhet ta duam më shumë diçka veten, vendin tonë. Nga kjo dashuri do të lindë ardhmëria e kombit.

 Pse shkruan dr. Yllka Filipi …?

Katharsis. Sikur ta dinit se sa magjepsëse janë Muzat… lufta bëhet paqe, shpirti bëhet dritë.  Si një lloj rilindjeje e brendshme e krijuesit… mbi të zakonshmen dhe vulgaren duke marrë trajtat e së epërmes. Një ngazëllim i subkoshiencës  drejt të pazakonshmes.

-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

Kjo rrugë është e gjatë dhe pothuaj e pafund. Mbetet shumë e shumë për të bërë. Kam në duar surpriza të këndshme për horizontin e pritjes, atë lexues që shpreson se gjithnjë gjendet diku për ty: ti, i gatshëm për t’ia vjedhur kohën, ai, i gatshëm për të ta dhuruar. Në projektet e mia gjenden disa guacka gjigande ku strehohen rregullisht Muzat. Ato thjesht më magjepsin dhe unë thjesht jam gjithnjë në kërkim të jehonave… si në një gjysmëëndërr. Më zgjon shpesh klithma e kojrilave, ajo klithmë që trondit të gjithë poetët në mërgim…

–Kush është dr.Yllka Filipi,-ku jetoni aktualisht? 

Kur isha fëmijë më joshnin po aq sa edhe më tmerronin misteret, (i përfytyroja kurdoherë të zeza në intuitën dhe kërshërinë e vocërrakut), ndërsa sot përpiqem të zbuloj enigma gjithfarëlloj. Ndoshta është kjo një mënyrë arratisjeje e individit ndaj botës së trazuar, apo një përpjekje cisterciane për të zbuluar të panjohurat, a enigmat e shpirtit njerëzor, me një ndjenjë puritanizmi sociocentrik duke gjetur strehë në këto limane të braktisura nga stuhitë e të mbushura me dritë. Një formë e skajshme  e ultrabotës, në përtej oqeanin ku jetoj, në NewYork.

–A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot? Sapo jeni zgjedhur Sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, cfarë do të thotë kjo për ju?

Jeta njerëzore është e gjitha një ngjarje madhore gjurmët e së cilës e shoqërojnë individin nga e shkuara drejt ardhmërisë, si pjesë e pashkëputur e nënshtrimit të vetes nga ëndrrat, vetmitë, pasionet, zhgënjimet, racionaliteti i pastër. Janë të gjitha hallka të një zinxhiri të vetëm paradigmatik. Me emrin e guximshëm jetë.

Këtë zgjedhje e shoh si një detyrë e cila kërkon përkushtim, devotshmëri dhe dëshirë për të mbajtur gjallë amanetin mbi një shekullor të udhëheqësve shpirtërorë të intelektuakëve shqiptarë në Amerikë Noli, Konica e më tej, me veprimtarinë e pasur atdhetare, artistike dhe shkencore,  në skalitjen e tipareve të diasporës mbarë. Të gjithë mërgimtarët duhet të jenë Ambasadorë të Kulturës së vendit të tyre, gjuhës, historisë, traditave dhe shpirtit të kombit. Një matricë universale vlerash.

–Sa ju mungon Shqipëria në New York?

Atdheu, është një ndjesi e çuditshme manjetike që të thith kah vetja, edhe pse kah brenga. Perceptimet poetike e konvertojnë këtë të fundit intuitivisht me të dy kahet nga  lumturia. Dhe ti si i verbër vrapon përjetësisht me shpirt e me zemër drejt tij. Dhe koka Të mbet’ gjithnjë mbrapa…

-Autorët tuaj më të preferuar…

Nga letërsia botërore: Homeri, Dante, Kafka, Kamy, Sartri, Pamuk… Nga letërsia shqiptare: Kadare, Camaj, Podrimja, Shkreli…

-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

Sigurisht që ekziston. Në formate dhe mënyra universale. E shoh me shume optimizëm këtë gjini, pasi pas viteve’90,  bumi i shpërthimeve, sipas këndvështrimeve të reja, gëloi edhe aty. Koha do të bëjë seleksionimin e vet të rreptë, kuptohet, pasi koha nuk e njeh komercializmin, ajo rrjedh e rrëmben tentativat e brishta, por argumentimet e cimentuara mirë do të mbeten. Kështu që dalëngadalë ajo integrale e turbullt konfiguracionesh kriticiste do të qartësohet duke u bërë kështu një bazë e shëndoshë për veprat e ardhshme.

-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe  për shkrimtaret femra në përgjithësi…

Të jesh femër, të dhurosh jetë do të thotë të jesh poezi, të jesh univers. Midis kufijve të ngushtë të filozofisë transhendale të jetës, femra është i vetmi privilegj: njësi qiellore e substancës së postuluar.  Aty ka shpirt, ujë, tokë, diell dhe energji, ndoshta supreme. Qoftë talentet e reja, qoftë ato të konsoliduarat duhet të memorizojnë se Parajsa fillon me fëmijët dhe mbaron me librat.

 Ju Faleminderit!Intervistoi: Raimonda MOISIU

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: dr. Yllka Filipi, Interviste, Raimonda Moisiu

Ish kryeministri Sali Berisha:”Kace viktima e fundit e albanofobise”

September 18, 2013 by Administrator

Ish kryeministi shqiptar, Sali Berisha ka përdorur profilin e tij në facebook për të shkruar edhe ai diçka në lidhje me fushatën kundër mesfushorit shqiptar të PAOK-ut, Ergys Kaçe.

” Të dashur miq, prej disa javësh viktima e fundit e albanofobisë është bërë futbollisti i talentuar shqiptar që luan ne ekipin e klubit PAOK të Selanikut dhe  Kombëtaren tonë, 20 vjeçari Ergys Kaçe” shkruan Berisha.

Ai më tej ka thënë se “ Shkak i stuhisë raciste mesjetare kundër yllit të futbollit është bërë postimi prej tij në Facebook i një fotoje personale, në të cilën ai ka dalë me një bluzë ku shkruhet UÇK. Këtë betejë e nisën nazistët grek, dhe dihet se rracizmi është ideologjia e tyre. Por mjerisht, drejtues të klubit sportiv PAOK nga trysnia e nazistëve apo albanofobia e tyre, duan të ndëshkojnë me një standart mesjetar futbollistin”.

Berisha ka thënë se ky presion është një fatkeqësi jo vetëm për klubin por edhe për vet qytetin e Selanikut “Në rast se qëndrimi i tyre ka në bazë urrejtjen për UÇK-në, atëherë eksponentet e Agimit të Artë duhen konsideruar më të civilizuar pasi së paku janë të hapur. Një bluze e UÇK-se nuk është dhe nuk mund të jetë kërcënim për asnjëri. Shqipëria dhe Kosova janë të percaktuar qartë për respektim të plotë të kufinjëve ekzistues, por për çdo shqiptar ajë përfaqëson djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, që me sakrificën e tyre sublime i’u rikthyen shqiptarëve të pushtuar, lirinë dhe dinjitetin e munguar dhe bënë edhe Ballkanin më të lirë, më të drejtë! ” përfundon Berisha.7a5f8e7f2c3709352c617f300cda6479_L-300x200

Filed Under: Featured

Mit’hat Frashërit dhe alarmi i tij për grekët

September 18, 2013 by dgreca

*Mesazhet qe vijne nga njeri prej apostujve ë shqiptarizmës/

*Autoqefalia e kishes ortodokse është domosdoshëmri, duan apo nuk duan grekët/

Debatet e bëra në Përmet para ca kohësh për problemet e shtëpisë së kulturës dhe tendencat alla greke për uzurpimin e saj në emër të kishës me nxitje Janullatosi dhe greke, po aq sa edhe debatet për heqjen e portretit të Presidentit të Republikës nga institucionet, ka krijuar një klimë të veçantë të padëshirueshme. Në këto kohëra të trazuara për ne shqiptarët që gjithnjë nuk kemi marrë hakën tonë si në troje dhe në vlerësimet nga Europa, kemi lënë pas dore ato përpjekjet e bëra nga figurat e nderuara të kombit që bënë Rilindjen Kombëtare të shekullit 19 me Abdyl Frashërin, Samiun dhe Naimin dhe të tjerë, po aq sa edhe Fan Nolin që bëri autoqefalinë e kishës sonë ortodokse.

I kemi lënë në hije, sepse kështu e deshi koha e tranzicionit, por në fakt jemi në një shekull të ri për të cilin ne shqiptarët themi se duhet të bëhemi faktori më solid për përparimin tonë si komb, por edhe në drejtim të vendosjes së autoritetit të figurave që janë pjesa më e nderuar e këtij kombi. Ne flasim se Ismail Qemali u bë theleuesi i shtetit shqiptar, por jam i bindur se themelet e këtij shteti i hodhën rilindasit në bashkëpunim të Jugut me Veriun, të Toskëve me Gegët. Kështuqë pasadhësit e tyre, siç është Mit’hat Frashëri, i cili aq shumë bëri për këtë vend dhe mendimet e tij dhe thëniet e tij në kohë për qëdnrimet eddnryshme që mbahen sot, ato duken sikur janë thënë enkas për këtë kohë të re. kur ne sot bëjmë veprime dhe xheste antidemokratike, ne i japim më shumë argumenta antishqiptarëve për të na u kundërvënë siç kanë bërë grekët dhe serbët.

Nëse diktatori Hoxha që nga ardhja në pushtet hoqi portretet e personaliteteve që i bënin nder kombit me këshillat e jugosllavëve, po aq shumë edhe u retushuan figura të tilla edhe nga fotografitë për t ëkënaqur shijet primitive të Enverit, roikthimi në po të njejtat veprime na risjell në kohën e së shkuarës, kur edhe Europës dhe Amerikës i thamë ndal duke bunkerizuar diktaturën. Koha pret shqiptarët si gjithë Europa dhe jo qeverisje kudnër Europës që gjithnjë na tërheq veshin për paudhësitë q ëbëjmë.

***

Kur vjen puna tek qëndrimet e sotme të Janullatosit dhe klerikëve të tij me ndihmën dhe yshtjen e Greqisë zyrtare, Mit’hat Frashëri është sa i vërtetë aq edhe racional, kur ai në Athinnë, në datë 7 nëntor 1925, i jep një informacion të detajuar lidhur rreth bisedimeve të tij me autoritete të larta të shtetit grek, pikëpamjet e tyre të gabuara për ortodhoksët shqiptarë, numrin dhe karakterin etnik, çështjen e shtimit të shkollave greke për minoritetin, kundërshtitë për autoqefalinë e kishës shqiptare.

Çfarë thotë Mit’hat Frashëri, fjalët e tij duket sikur janë shkruar edhe për këtë johë :

“Z.Ministër! Si vazhdim ne telegrafi im i 4 Ct, relatif me konvensionin për nënshtetësinë dhe tendenca që çfaqetë në Ministri Helenike për të bashkuarë këtë çështje me atë të shkollavet greke:

Më 3 Ct, vajçë ne Drejtori Gjeneral të kuvendonj se amiral Haxhi Qiriakoja si axhami dhe provizor nukë mirretë me punët e zyravet. Kisha një tok sende për t i thënë, midis të tjerave ajo e Maxhar Dinos, e pesë fëmijëvet shqiptarë në Konicë që (veç shtëpivet) u kanë marrë dhe drithët e arësë. Për Maxharin më dha fjalë se të nesërmen do ta thëresë vetë ta pyesë dhe të kupëtojë punën. Edhe me të vërtet kështu bëri. Që me 4 Ct, Maxhar Dinoja u la i lirë në Athinë duke u detyruarë që të paraqitetë çdo ditë në polici. Për Koniciotët më dha fjalë se do të shkrojë në Konicë. Për punën e konvensionit më tha se do jipetë një afat i ri, po shtoj, edhe Shqipërija nukë mban zotimet e saj, dhe duke thirurë Z.Kolokotroni çeli çështjen e shkollavet greke. I thashë se po bisedonj jo zyrtarisht, me qenë se nuk kam no një autorizim, as që Qeverija ime më ka bërë no një komunikim gjer më sot.

Kupëtova se:

1. Greqija beson që në Shqipëri ka dyqind e tridhjetë mijë ortodoksë-grekër, prej të cilëve vetëm 300 janë shqipëtarë, që duanë Shqipënë; të tjerët janë grekër dhe duanë greqishtenë;

2. Se kisha Shqipëtare duhet të jetë autonome dhe jo autokefale;

3. Se ortodoksët shqipëtarë duanë mprojturë prej Greqisë;

4. Se Z.Ahmet Zogu ka bërë zotime për këtë punë kur ishte në Beligrad;

5. Se tani duhetë që edhe Shqipërija të bëjë një marrëveshje, një konvension për këta sende me Greqinë.

Me një fjalë Zoti Ministrë, Greqija kërkon të lozë përkundrejt Shqipërisë atë rol që ka lojturë Rusi e Carëvet përkundrejt Tyrqisë së Sulltanëvet. Refutova pretendimet e Ministrisë Greke, po, me qenë se ishte bërë vonë, prëmë vajta dhe pashë Kolokotronin, në zyrë të ti. Biseduamë afëro një orë e 15 minuta. I dhashë të kupëtojë se çështja e Minoritetevet, me qenë se kemi 20.000 grekofonë, në Shqipëri nukë duhet të përdoretë si veglë politike, se kështu ka qenë edhe teori e Greqisë (me anë të delegatit të saj Politis) në Shoqëri të Kombevet, më 1924;

Se, me ingjerencën që po bën Greqija në Shqipëri, po çel udhën për ingjerencën sllave në Maqedoni;

Se, as në Poloni s ka më shkolla ruse, as në Maqedoni shkolla bullgare, as në Rumeli Orientale shkolla greke, as në Rumani shkolla greke, as në Çekosllovaki shkolla gjermane për sllavët;

Se, Shqipërija po mban me të hollat e saja shkolla greqishte për grekofonët, jo për hatërin e Greqisë, po për hatërin e Shoqërisë së Kombevet, me qenë se çështja e Minoritetevet ka të bëjë me S.d.N dhe jo me Greqinë;

Se, Greqija duke u përzjerë me punët e brendëshme të Shqipërisë, do të bëhetë shkak që të ftohenë të dy Shtetet dhe mbase Shqipërija të kërkojë një mik tjatrë;

Se, Shqipërija nukë do të permetojë që një Shtet i huaj të përzihetë në punët e saj të brendshme;

Se, Z.Ahmet Zogu, edhe në ka bërë no një premtim si njeri privat në Beligrad, ky premtim s ka të bëjë me qeverinë Shqipëtare.

Sa për kishën, për të cilën Z.Kolokotroni thoshte që është gati të verë në shërbim tënë ndërhyrjen e tij, i thashë se Shqipëria është gati të çojë një komision në Patrikanë, ku Patriku të vendosnjë se do ta njohë autokefale, gjë e cila duhet t i vijë mirë edhe Greqisë që është shtet ortodoks, dhe jo të jemi të varurë nga patrikana e cila sot është nënë influencën tyrke me qenë se Patriku vetë dhe gjithë parësi e Fanarit janë nënështetas tyrq. Si mbarova këto kuvendova, si pa dashurë, e suallmë fjalën mbi situatën e Shqipëtarëvet në Greqi; mbi shtrëngimet që vuajnë; mbi mënyrën me të cilën qeverija greke i ndalon që të rrojnë, ose i shtrëngon që të ikënë; mbi programin sistematik që ndiqetë nga ana e qeverisë qendrore greke për këto sjellje, me gjithë deklaratat e bëra në Lausanne dhe në Genevë; mbi të përzënët e 35.000 Shqipëtarëvet të Kostur dhe Fllërinës; qysh tani ata të mjerë vijnë në Shqipëri. Edhe konkludova: Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; po prapë Greqija do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzërë me pahir, me dru dhe të rahurë, më teprë se 60.000 Shqipëtarë.

Argumentet e mija e impresionuanë Z-in Kolokotroni. Po këto fjalë dua që t ja them sot ose nesrë, edhe Z-it Pangalos, edhe Z-it Kaftanxhogllu, edhe Ministrit të ri që u emërua die. Sot ose nesrë do të kem një bisedim të gjatë me zheneral Kondulin, mbi të cilin do të bënj një raport të veçan. Ju lutem, passi të studiohetë ky raporti im, të më rrëfehetë kthielltazi pikëpamja e Qeverisë sënë. Ju lutem prapë të mbahem në kurent të demarshevet, kërkesavet dhe pretendimevet që bën Ministri grek, do verbalisht do me nota. Do të qe fort nevojë që të më komunikohenë mua kopjet e notavet ose teksti i bisedimevet.

Pranoni, ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mia me nderim”.

***

A mund të thotë kush tjetër më shumë se çfarë ka thënë e trajtuar realisht dhe shqiptarisht një pinjoll i njerëz prej familjeve më shërbëtore ndaj kombit si gjithë Frashëllinjtë dhe gjithë ata që bënë gjithçka për kombin.

Ndoishta akademikët tanë të nderuar do të duhet të jenë në lartësinë e duhur për të risjellë në kujtesën e kombit burrat e shtetit si Mit’hat Frashëri që i bën kombit ato shërbime që nuk po i bëjnë sot qeveritarët tanë të rinj dhe që fatkeqësisht ua hoqën portretet dhe ua fshehën veprat. Kur ne harrojmë figurat e nderuara dhe veprat e tyre të lartësuara, detyrimisht që në mes tonë do të futen Janullatosit dhe grekët, serbët dhe “viçët” e tjerë të antishqiptarizmit.

Përgatiti : Hyqmet ZANE

Filed Under: Analiza Tagged With: alarmi per greket, Mit'hat Frasheri

Një libër i ri nga Renata Topçiu për lashtësinë e gjuhës shqipe në rumanisht

September 18, 2013 by dgreca

Shkruan:Mira SKENDERAJ/

    Këto ditë u botua libri me studime në fushën e gjuhësisë së krahasuar, në rumanisht, “Frazeologji rumuno-shqiptare” i studiueses, Dr. Renata Topçiu. Studimi është kurorëzimi i një pune disavjeçare i autores, i cili pason botimin e fjalorit akademik shqip-rumanisht, fjalor i përmasave të mëdha, me mbi 41.000 fjalë dhe rreth 50.000 shprehje frazeologjike, lokucione e proverba. Sipas studiueses, ka qenë ky fjalor akademik shtysa kryesore për të ndërmarrë një studim të gjerë krahasues mbi frazeologjinë e shqipes dhe rumanishtes. Vetë titulli i librit, i cili nuk specifikon një segment të veçantë të studimit të kësaj fushe, sugjeron faktin se kemi të bëjmë me një vështrim gjithëpërfshirës të frazeologjisë në terrenin e dy gjuhëve. Në parathënien e librit theksohet se studimi zgjeron problematikën studimore, duke përcaktuar disa drejtime kyçe: identifikimi i burimeve leksikore kryesore që kanë ushqyer thelbësisht frazeologjinë e shqipes dhe rumanishtes, krahasimi i tipologjive të formimit frazeologjik, me evidentimin e analogjive, por edhe të gjedheve specifike për secilën gjuhë, identifikimi i disa mekanizmave gramatikorë, funksionalë në fushën e frazeologjisë në dy gjuhët si dhe përqasja e mekanizmave stilistikorë që mundësojnë formimin frazeologjik. Interes të veçantë në këtë libër paraqesin vërejtjet gramatikore që lidhen me përkimet apo me mospërkimet gramatikore në dy gjuhët, vërejtje të sugjeruara nga studimi i mirëfillte i frazeologjisë. Disa dukuri gramatikore të përbashkëta për dy gjuhët që analizohen i atribuohen trashëgimisë së vjetër gjuhësore të shqipes e rumanishtes, shpesh paralatine. Po kështu, përpjekja për të motivuar historikisht, apo nga pikëpamja e kulturës popullore dhe psikologjisë kolektive, një sëre shprehjesh frazeologjike paralele, risjell fragmente, imazhe të një jete të lashtë, apo aspekte të strukturës etiko-morale të shqiptarëve, shpesh shumë të afërta apo identike me ato të rumunëve.

Në këtë mënyrë, autorja ka vendosur ballë për ballë të dy sisteme frazeologjike, duke synuar zbulimin e pikave të përbashkëta që kanë të bëjnë me përmbajtjen leksematike të njësive frazeologjike, me strukturat morfo-sintaksore, me tendecat stilistikore paralele etj, për të përcaktuar shkallën e afërsisë së këtyre sisteme.

Për rrjedhoje, hetimi shumëplanësh ka nxjerrë në pah jo vetëm një numër tepër të madh paralelesh frazeologjikë në shqip e rumanisht, takime tipologjike e strukturore, por edhe veçori e aspekte të përbashkëta të antropologjisë kulturore e të qytetërimeve përkatëse, që interferojnë, shpesh, me kulturat e tjera ballkanike e më gjerë.

Sipas autores, e cila mbështet në një parim të gjuhësisë së sotme europiane (M. Gross) se strukturat formale të togfjalëshave frazeologjikë nuk ndryshojnë nga ato të togfjalëshave të lirë”, konfrontimi i sistemeve frazeologjike të shqipes e rumanishtes, në fakt, vë përballë sistemet gjuhësore të këtyre gjuhëve. Rezultatet që dalin nga kjo përballje kontrastive mbështesin rezultatet e arritura deri me sot në fushën e marrëdhënieve gjuhësore midis shqipes e rumanishtes në fushë të leksikut, gramatikës, sintaksës, formimit të fjalëve, por edhe mund të kundërshtojnë konkluzione mbi aspekte të tjera.

Libri “Frazeologji rumuno-shqiptare” mbush një boshllëk të literaturës ekzistuese mbi marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-rumune në fushë të frazeologjisë, por ajo sjell, njëkohësisht, fakte të reja të përkimeve gjuhësore, kulturore, etnografike, mitologjike, historike e psikologjike midis dy popujve të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve e rumunëve. Akademiku, gjuhëtari dhe albanologu rumun, Grigore Brancus, do të shprehej në parathënien e këtij libri se “Nga gjuhëtarët rumunë që kanë hetuar ngjashmëritë frazeologjike të rumanishtes dhe shqipes janë Sextil Puscariu, Al. Philippide, Pericle Papahagi, Al. Rosetii, Th Capidan, Gr. Brancus, Catalina Vatasescu etj., ndërsa ndër gjuhëtarët shqiptarë mund të kujtojmë Al. Xhuvanin, Eq. Çabej, Mahir Domi, Spiro Floqi, Emil Lafe, Jani Thomaj etj. Znj. Topçiu vazhdon me sukses punën e tyre. Kurse specialistja e gjuhës shqipe, znj. Catalina Vatasescu bashkëpunëtore e vjetër shkencore në Institutit të Studimeve të Europës jug-lindore pranë Akademisë së Shkencave të Rumanisë do të shprehej për këtë studim: “Studimi që na është paraqitur është rezultat i një aktiviteti shkencor intensiv. Bie në sy mënyra se si është menduar dhe janë zgjidhur shumë probleme të karakterit teorik si dhe vëmendja me të cilën është mbledhur një material gjuhësor mbresëlënës. Ky subjekt ka një shkallë të lartë vështirësie sepse bëhet fjalë një studim që krahason dy gjuhë. Autorja e punimit të doktoraturës është një njohëse e mrekullueshme e rumanishtes, jo vetëm e gjuhës shqipe, cilësi që del në pah, sidomos, në kapitullin e komenteve stilistike të disa njësive frazeologjike ekzistuese në dy gjuhët. Ky punim është i shkruar qartë, me një stil të ngjeshur dhe elokuent.”

Pritet që ky libër të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, i cili , me siguri, do të zgjonte interesin jo vetëm të specialistët, por edhe për të gjithë ata që janë të interesuar për gjuhësinë dhe lashtësinë e gjuhës shqipe.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: liber i ri, Mira Skenderaj, nga Renata Topciu, pashtesi e gjuhes shqipe, rumanisht

KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDERON FILIP RIKER

September 18, 2013 by dgreca

Zonja Hilary Clinton do te jete pjese e darkes qe organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA)/

Nga Frank Shkreli*/

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) ose (NAAC) në anglisht)  si çdo vit edhe sivjet organizon darkën e 17-të gala me 27 Shtator në sallën e njohur Cipriani në rrugën 42, në qëndër të qytetit të Nju Jorkut.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e ka bërë traditë tanimë që në këtë darkë vjetore në Nju Jork të nderojë individë,  personalitetete të njohura nga politika, qoftë amerikanë, shqiptare ose të tjerë, të cilët sipas KKSHA-së, në mënyrë unike kanë ndihmuar kombin shqiptar.  Gjatë 17 vjetëve të kaluar, KKSHA ka nderuar personalitete të larta të politikës amerikane dhe botërore, siç janë Presidenti Bill Klinton, Kryeministri Toni Blerë, Sekretarët Amerikanë të Shtetit Madelinë Ollbrajt dhe Xhejms Bejker, Gjenerali  Ueslli Clark, Senatorët amerikanë Bob Dolë dhe Çuk Shumer,  Presidentin e Finlandës Marti Ahtisaari,  Ambasadorët  amerikanë Frank Uisner, Nik Bërns, Uilliam Uoker, Kongresmeni Eliot Engel, e të tjerë.

Këtë vit, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka vendosur që kësaj liste unike të personaliteteve  të shquara amerikane, që kanë ndihmuar shqiptarët, sidomos gjatë dy dekadave të fundit të historisë së tyre, t’i shtohet edhe emëri i ambasadorit dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Filip Riker, të cilit, në fund të këtij muaji, do t’i dorëzohet çmimi prestigjoz, “Duartë e Shpresës”.   KKSHA gjithashtu do nderojë me çmimin për “Arritjet Jetësore”, profesorin Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel, i cili njihet për filozofinë e tij “për të transformuar jetën e njerëzve më të varfër të botës nepërmjet nismave të përbashkëta publike dhe private si dhe biznesit shoqëror”.

Darka vjetore e KKSHA-së mbahet gjatë punimeve të Asambalesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtuqë që bën të mundur pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe udhëheqës të tjerë nga Ballkani, ambasadorë të vendeve rajonale, zyrtarë të qeverisë federale amerikane, përfaqsues të medias dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan. Këtë vit pritet që në darkë të marrin pjesë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjerë.  Burime të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan njoftojnë se edhe Hillary Klinton dje vonë iu përgjigj pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në darkën vjetore.  KKSHA e cilëson këtë darkë si një rast i veçantë për të  lartësuar kulturën dhe traditat shqiptare në Amerikë, por njëkohësisht edhe për të venë në dukje marrëdhënjet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.

Unë kam pasur privilegjin ta njoh Ambasadorin Riker dhe të ndjekë karjerën e tij nga afër – sidomos atë pjesë që kishte të bënte me marrëdhënjet amerikano-shqiptare — gjatë viteve të mia në Uashington dhe mund të them me sinqeritetin më të madh se Filip Riker ishte dhe vazhdon të jetë njëri prej promovuesve më të përkushtuar të marrëdhënjeve të ngushta midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Z. Riker, me prezencën e tij, është si të thuash simbol i këtyre marrëdhënjeve, po të merren parasyshë vizitat e tij të njëpasnjëshme në Shqipëri e në Kosovë, por dhe në rajon, si dhe intervistat dhe prononcimet e shumëta të tija mbi gjëndjen në Ballkanin Perëndimor.  Duket sikurë ai kurrë nuk i heqë nga mendja Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe marrëdhënjet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e rajonit.  Zoti Riker është optimist për të ardhmen e Ballkanit si dhe për rolin që Shqiptarët duhet të luajnë në rajon si dhe për  të ardhmen dhe vendin që u takon atyre në sofrën e madhe të kombeve të Europës.

Gjithmonë duke i gjykuar punët bazuar në realitetin dhe faktet e situatës aktuale — dhe plot durim diplomatik — Ambasadori Riker gjatë karjerës së tij ka vazhduar të promovojë zhvillimin dhe konsolidimin e lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, me një perspektivë historike.  Gjatë një interviste vitin e kaluar me analistin e njohur amerikan Janush Bugajski me rastin e 100-vjetorit të Shqipërisë, Z. Riker tha se, “Nëqoftse u hedhim një vështrim dy dekadave të fundit, duke marrë parasyshë 100-vjetë të pavarësisë së Shqipërisë, përparimi i shënuar gjatë kësaj periudhe ka qenë i jashtëzakonshëm.  Merr me mendë se sa të mbrekullueshme janë  arritjet e shënuara vetëm prej rrëximit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.”  Ky është fakt, por Z. Riker gjithmonë realist, tha gjatë të njëjtës intervistë se në Shqipëri “mbetet shumë për tu bërë, sidomos në rrugën drejt Europës dhe integrimit europian, bërja e reformave që janë mirë të përcaktuara nga pikëpamja europiane, sidomos në fushën e zbatimit të ligjit dhe të funksionimit të gjykatave”, ndër të tjera.

Si prioritet i detyrës së tij, Ambasadori Riker ndjekë nga afër edhe situatën në Kosovë, duke qenë njohës i mirë gjithashtu i fakteve dhe i realitetit në atë vend.  Në intervista dhe prononcime të shumëta, si në Uashington ashtu edhe në Prishtinë, mesazhi i tij, në emër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ka vazhduar të jetë se Uashingtoni është kundër  ndryshimit të kufijve, si rezultat i trazirave në veri të Kosovës, dhe se ato promovojnë dialogun dhe bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi Europian.  Në emër të Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Marrëdhënjet me Europën dhe Euroazinë, ka thënë se në këtë periudhë historike të sajë, Kosova ka mundësitë e mëdha për konsolidimin e shtetit demokratik, stabil dhe të begatë, në rrugën e tij drejtë integrimit në familjen e popujve europianë.  Drejtë këtij qëllimi, Ambasadori Riker u ka bërë thirrje institucioneve dhe popullit të Kosovës që të punojnë rëndë dhe të përqendrohen në ndërtimin e institucioneve.  Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, Z. Riker ka premtuar  ndihmën e Uashingtonit zyrtar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara janë partnere të Kosovës.  Kemi marrëdhënje shumë të ngushta.  Ne kemi bërë shumë për të ndihmuar Kosovën, dhe shtetasit e saj të të gjitha grupeve etnike dhe feve ashtuqë që vendi të realizojë potencialin e vet.”

Ambasadori Riker mund të konsiderohet si një “troubleshooter”, dmth si një diplomat që dërgohet në vende me konflikte e trazira për tu përballur me krizat dhe për t’i zgjidhur ato, që për të është një kompliment.  Ai ka shërbyer si diplomat në zonat më të vështira për një diplomat amerikan, në zona lufte, përfshirë Ballkanin dhe Irakun dhe për këtë ai është nderuar për punën e tij  të shkëlqyer nga Departmenti Amerikan i Shtetit me çmimin prestigjoz, “Edward Murrow for Excellence in Public Diplomacy” për vitin 2000-2003.

Gjatë viteve, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka nderuar personalitete më të njohura dhe më me influencë të politikës amerikane, botërore dhe shqiptare, por asnjë prej tyre nuk ka punuar më rëndë, më me seriozitet dhe më me përkushtim, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Ballkan dhe për promovimin  dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve tani mirë të konsoliduara midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën, se sa Ambasadori dhe Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Filip Riker.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptrao-Amerikan

Filed Under: Komente Tagged With: Filip Riker, Keshilli Kombetar, nderon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT