• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Dialog mbi tolerancën fetare në Kosovë

September 17, 2013 by dgreca

Nga Leonat Shehu/

Në Kosovë, përfaqësuesit e bashkësive fetare, thanë se udhëheqësit fetarë kanë rol të rëndësishëm në forcimin e respektit dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Ata i bënë këto komente gjatë një konference për dialogun ndërfetar të organizuar nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, tha se bashkësitë fetare në Kosovë nuk kanë probleme mes vete, madje ato kanë një bashkëpunim të ngushtë.
“Të gjitha bashkësitë fetare pa dallim japin një kontribut të çmuar në kultivimin e bashkëjetesës e tolerancës dhe gjithnjë kanë dëshmuar se janë faktorë stabiliteti në vend dhe gjithsesi këtë do të vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen. Dialogun ndërfetar nuk ka nevojë ta promovojmë, këtë e kemi dëshmuar përgjatë shekujve se ne duke jetuar pranë njëri tjetrit e jetojmë me realitetin pa asnjë dallim e diskriminim mbi baza fetare”, tha myftiu Tërnava.
Kreu i kishës ortodokse serbe në Kosovë, peshkopi Teodosije tha se kisha ortodokse ka mbështetjen e bashkësive tjera fetare në përpjekjet e saj për të mbijetuar dhe ruajtur vlerat e saj në Kosovë.
“Me krenari mund të them se ne udhëheqësit fetarë në Kosovë kemi një mirëkuptim të thellë dhe pajtohemi për atë që është më thelbësore e që ka të bëjë me jetën, mbijetesën, respektimin e ndërsjellë dhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”, tha peshkopi Teodosije.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, bëri thirrje për rritjen e përgjegjësisë së ndërsjellë ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve civile dhe shtetërore.
“Bashkësitë fetare duhet të marrin përgjegjësinë e promovimit të paqes dhe pajtimit në mes njerëzve dhe të mësojnë besimtarët e vet, që derisa i binden mësimit të Hyut të mos bien në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret shoqërore mbi tokë. Duke ditur të zgjedhin atë që i takon Hyut e atë që i takon Cezarit, por kërkojmë edhe nga Cezari që të respektojë atë që i takon Hyut. Por, edhe shteti duhet të jetë i aftë që të mos bie ligje të tilla që mund të cenojnë besimtarin të mbajë ligjet e Hyuit”, theksoi ipeshkvi Gjergji.

Udhëheqësi i Kishës Ungjillore Protestante të Kosovës, Driton Krasniqi, tha se Kosova është hapësirë e përbashkët e të gjitha besimeve.
“Shoqëria e Kosovës është përcaktuar për bashkëjetesë ndërmjet feve duke e kristalizuar në këtë mënyrë rrugën e Kosovës për integrime evropiane. Cdo ditë takoj njerëz që nuk e duan imponimin fetar dhe as ekstremizmin si formë të besimit. Sot, diversiteti fetar është trashëgimi, por pluralizmi fetar vërtet përbën një arritje”, tha zoti Krasniqi
Udhëheqësi i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, tha se në Kosovë, paragjykimet fetare kurrë nuk u shndërruan në urrejtje.
“Pozicioni i veçantë gjeografik i Kosovës ja mundëson me qenë vend i urrë kalimit shumë të rëndësishëm për shkëmbimet mes popujve, kombeve në të gjitha rrafshet, njerëzor, kulturor, fetar, politik dhe ekonomik”, tha zoti Demiri.
Drejtuesit e bashkësive fetare në Kosovë, u bënë thirrje institucioneve që të punojnë për rregullimin juridik të pozitës dhe funksionimit të tyre.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dialog ne Kosove, toleranca fetare

Rubrika: Tingëllime vëndemrash ilire- KU JETON ONHESMI SOT?

September 17, 2013 by dgreca

Në gjurmët e një vëndemri të  lashtë/

Nga NELSON ÇABEJ/

Deri sot nuk ka qënë e mundur që Onhesmi (greqishte e vjetër Ὄγχησμος dhe latinisht Onchesmus) të radhitet krahas atyre vëndemrave ilirë që provojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme.

Onhesmi mendohet të ketë qënë qytet-port i kryeqendrës së fisit të madh iliro-epirot të kaonëve, Phoinike (sot fshati Finiq). Ai u themelua nga shekulli III p.e.s. Pas rrënimit të qytetit nga inkursionet barbare dikur në shekullin VI (551) , emri i qytetit nuk del më në burimet historike dhe gradualisht u fshi edhe nga kujtesa historike e banorëve të rajonit.

Në shekullin XIX, topografi dhe antikuariani britanik, koloneli William Martin Leake1 tregon se në vëndin e Onhezmit të lashtë, rreth dy shekuj më pare, kishte parë rrënoja të shumta të qytetit të lashtë të rrethuara nga mure me rreth njëzet kulla. Brënda mureve gjëndeshin akoma mbeturina kishash, shtëpish dhe hauzesh. Muret e lashta shërbenin si një vathë e madhe për kopetë e dhënve të shqiptarëve që dimëronin aty bagëtinë, në kohën që fshatrat e tyre ishin të mbuluara me borë. Brënda mureve tani gjëndej një vëndbanim vogël, që, sipas tij, njihej me emrin Skala/Skela, emër që vinte nga turqishtja Iskéle. Në port ishin edhe zyrat e doganës. Në majën e malit në rëzën e të cilit ndodhej Skala/Skela gjëndej kisha e dyzet shënjtorëve (greqisht Άγίου Σαράνταα ‘dyzet shënjtorët’). Nga fillimi i vitëve 30 të shekullit XIX pranë kishës Ali Pasha Tepelena ngriti edhe një fshat të ri (çiflig të tij), që u quajt me po ketë emër, Άγίου Σαράντα. Deri nga fundi i shekullit XIX ky port i vogël u njoh kryesisht si skela e Delvinës ose thjesht Skela, ku ka punuar për pak kohë si nëpunës dogane poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Vetëm nga  vitet 30 të shekullit XX ajo filloi të njihej shkurt me emrin Saranda. Edhe italianët e kanë njohur atë si Santi Quaranta (dyzetë shënjtorët).Në burimet e shkruara Onhesmi del për herë të  parë  te Ciceroni (106-43 p.e.s.) 2, në  gjysmën e parë  të  shekullit I p.e.s., në një letër që ai i shkruante Attikusit:

“Unë arrita në Brindisi në 24 nëntor, pas një udhëtimi me fat: aq bukur “frynte  nga Epiri onhezmitja – më e buta e të gjitha flladeve”

Në  gjysmën e dytë  të  shekullit I p.e.s. Onhesmi përmendet nga Straboni, i cili tregon se

“Në këtë interval është Panormos (Palermo e sotme në Himarë –shënimi im – N.R.Ç) një port i madh në qendër të maleve Keraune dhe pas këtyre maleve vjen Onhesmi, një tjetër port, përballë të cilit gjenden skajet perëndimore (duhet veriore – N.R.Ç.) të Kerkirës (Korfuzit të sotëm)”3.

Pas tij, Dionisi i Halikarnasit, që ka jetuar në shekullin I p.e.s. dhe në shekullin I të erës së re, ka shkruar:

“Trojanët prej Butrotit, duke ndjekur anën e detit arritën tek limani që atëhere quhej Anhisi e që sot ka një emër të  paqartë  (pra, me sa duket, Onkesmi  apo Ankiasmos)  dhe prej këndej, pasi i ndërtuan një faltore Afërditës, çanë detin Jon.”4

Ptolemeu, në shekullin II jep si koordinata të gjirit të Onhesmit (Ὄγχησμος λιμήν) 450 20’ dhe 380 35’, duke e vendosur atë afërsisht midis limaneve Panormos dhe Kasiope5. Më së fundi, në shekullin VI, Hierokli në “Synecdemus” (Guidë) bën fjalë për Ankiasmos (Άγχιασμός), që ai e rendit pas Finiqit (Phoinike) dhe para Butrintit (Bouthrotos)6 dhe që në kohën e tij bënte pjesë ndër dymbëdhjetë qytetet e Epirit të  Vjetër.

Sipas A. Baçes, ndonëse vëndbanimi ishte më i lashtë, tiparet e qytetit ai fitoi nga shekulli I p.e.s. kurse shkallën më të lartë të zhvillimit ai e arriti në shekujt II-III. Pas shekullit IV, kriza e sistemit sklavopronar dhe dyndjet barbare kushtëzuan rënien e tij. Në shekullin VI (viti 551), sulmi i 300 anijeve ostrogote të prira nga Totila, solli rrënimin e qytetit7.

Kështu, nga burimet historike të sipërpërmendura ne kemi shturë në dorë këto materiale:

1. Variantin më të hershëm të emrit të qytetit, që del te Straboni në shekullin I p.e.s. në  formën Onkesmos (Ὄγχησμος)3, te Dionisi i Halikarnasit4, por edhe te Ptolemeu5.

2. Emrin Onkesmites të erës që frynte në Kaoni nga jug-perëndimi,

3. Variantin më  të vonë të  tij, Ankiasmos (Ἀγχιασμός), që del së pari te Dionisi i Halikarnasit në  shekullin I e më  së  fundi te Hierokli në shekullin VI6.

Mungesa thuajse e plotë e e njohurive mbi leksikun e ilirishtes e bën të vështirë dhe të pasigurtë çdo hamendje rreth prejardhjes së emrit të lashtë të kë tij qyteti.

Për grekët e lashtë, siç është shprehur Dionisi i Halikarnasit, emrat Onkesmos dhe Ankiasmos kanë qenë të paqartë. Atëhere mund të pyetet se ç’kuptim mund të kishte në ilirishte ky vëndemër.

Në vëndemrin Onhesmos mund të kemi të bëjmë me një kompozit (on dhe kesm-os). Kjo on- do të mund të dilte nga rrënja indoevropiane *we – fryn, nga e cila ka dalë emri *wentos – erë. Në ilirishte, ashtu si dhe në greqishten e lashtë (άνεμος), w ballore do të  binte duke dhënë  *ent– à *ant à *an (shndërimi nt > n është karakteristik për ilirishten).

Gjymtyra e dytë e kompozitës, kes–kias, mund të ketë dalë nga një rrënjë  indoevropiane *kai – ngrohtësi, që mund të evoluonte si vijon:

*kai à *kes à *kias, e ngrohtë

Nga sa më sipër mund të konstruktohet një herë forma më e lashtë “an(os) + *kes = *Ankes, të cilën na i jep Dionisi i Halikarnasit si Ankis, që mund të kishte kuptimin  “i ngrohur nga era”, por prejrejardhja e -m- së në evolucionin *Ankes à *Ankesmos mbetet e pashpjeguar.

Shpjegimi i prejardhjes së vëndemrit Onkesmos mund të jetë vështirësuar edhe nga shtrëmbërimet e mundshme në shqiptimin dhe shkrimin e këtij vëndemri iliro-epirot nga autorët e lashtë grekë e romakë. Evolucioni i vendemrit, deri në shekullin VII, në bazë të regullave të fonetikës së protoshqipes, që lindi në shekujt e parë të erës së re, mund të përfytyrohet si vijon:

 

Onkesmos                      shekulli  I   p.e.s.

Ankesmos                             “      “     “.

Ankiasmos                            “      II    “.

*Ankiasma(s)                        “     III    “.

*Nqashma = Ngjashma        “      VII    “.

*Gjashma                              “      IX    “.

 

Tanimë kemi arritur në momentin e dytë themelor të këtij hetimi. Në burimet e shkruara  mesjetare bizantine kjo formë e konstruktuar, Gjashmë, nuk gjëndet, por në toponiminë e sotme lokale të tërheq vemendjen ekzistenca e vendit të quajtur Gjashtë, dhe e toponimit të lidhur me të, Qafa e Gjashtës, që gjëndet në hyrje e në afërsi të drejtpërdrejtë  të Ankesmosit të lashtë (Sarandës së sotme)  si një rrugë kalimi për në këtë qytet të lashtë e të ri bregdetar. Të dhënat e gërmimeve arkeologjike tregojnë madje se themelimi dhe zhvillimi qytetit Onkesm ka nisur nga “Gjashta”, duke u shtrirë gradualisht drejt detit.

Emri i qytetit mund të jetë zhdukur nga vetëdija e popullsisë lokale por ka pasur gjithënjë  një qafë që të shpinte në qytetin e zhdukur dhe një vëndbanim në afërsi të tij. Në atë  qafë dhe në atë vëndbanim mund të jetë përjetësuar emri i qytetit në format *Qafë e Gjashmës dhe Gjashmë.

Shndërrimi Qafë e Gjashmës në Qafë e Gjashtës është produkt i etimologjisë popullore   (nga gjermanishtja Volksetymologie), një dukuri gjuhësore e shndërrimit të formës së një fjale “pa kuptim” (për shkak të mosnjohjes së prejardhjes së saj) në një fjalë “me kuptim”. Në rastin e Gjashtës, ajo mund të ketë dalë nga Gjashma në një periudhë kur kujtimi i qytetit, tanimë nën tokë, ishte shuar. ‘Gjashma’, nuk ka ndonjë kuptim në shqip por ajo merr kuptim me një ndryshim “të vogël” të m-së në t, duke u shndërruar në numërorin themelor gjashtë. Etimologjia popullore është burim i shumë fjalëve, në gjuhë të ndryshme indoevropiane. Nje rast i mirënjohur i ngjashëm në latinisht është ai i veprimit të etimologjisë popullore në evolucionin e emrit të një qyteti pararomak në Italinë e jugut. Qyteti Maloeis, në greqisht kishte kuptimin “me fruta”. Pasi Italia e jugut ra nën pushtimin romak, këta të fundit që, sigurisht, nuk e dinin prejardhjen e emrit të qytetit u munduan t’i jepnin “kuptim”, ta etimologjizonin Maloeis-in  dhe e gjetën atë në një fjalë latine që tingëllontë e afërt me të, Maleventum, që donte të thoshte “era e keqe”, që për latinët “kishte kuptim” edhe pse s’kishte asnjë lidhje me prejardhjen e emrit origjinal të qytetit.

Lidhur me prejardhjen e vëndemrit Qafa e Gjashtës duhet mbajtur parasysh edhe se numërorët në Shqipëri nuk përdoren për të emërtuar qafat. Mund të përfytyrohet që ky “numëror” i përdorur si vëndemër mund të lidhet me ndonjë ngjarje historike, me një betejë të gjashtë trimave, me një vepër të gjashtë shënjtorëve, etj. por kjo ka fare pak të gjarë sepse historia hesht dhe gjurmë të tilla nuk ekzistojnë në vëtëdijen e popullit a në folklor. Prejardhja e këtij vëndemri nga ndonjë mit lokal ka akoma më pak të gjarë jo vetëm sepse nuk ka të dhëna për ndonjë mit “me gjashtë”, por edhe se në mitologjinë shqiptare numri “gjashtë” nuk ka gjetur përdorim.

Çdo shpjegim i prejardhjes së vëndemrit Gjashta duhet të marrë parasysh shkretimin e qytetit sipasojë e dyndjes  ostrogote nga mesi i shekullit VI. Me këtë do të bëhej i kuptueshëm edhe fakti që Onkesmi gjatë Mesjetës nuk dihet të jetë përmendur. Por prania e një muri rrethues të periudhës bizantine në pjesën perëndimore të qytetit, e manastirit të “dyzetë shenjtorëve” në malin mbi Sarandë dhe ndërtimi i kalasë së Lëkursit, nga shekujt XVI-XVII, në jug-lindje të Onkesmit, tregojnë se edhe në qoftë se jeta në këtë vendbanim ka qenë shuar fare, ai mund të ketë shërbyer si skelë, siç vazhdoi të ishte deri në fund të shekullit XIX. Kur u shpall pavarësisa e Shqipërisë, në 1912, këtu kishte vetëm një vëndbanim  fare të vogël me vetëm 118 banorë e madje akoma në vitin 1927 kjo skelë e Delvinës ishte ende një vëndbanim fshatar i vogël me rreth 800 banorë.

Në kushtet e shuarjes së plotë të kujtimit të Onkesmosit të lashtë nga vetëdija e popullit, pozicioni gjeografik dhe ndikimi mbizotërues në jetën shpirtërore i manastirit të “dyzetë shenjtorëve”, “Aji Saranda”, bënë që fshati, dhe qyteti tanimë anonim, që po rritej në gjirin e tij, të marrin emrin Saranda.

Në qoftë se kjo hipotezë do t’i rezistojë kohës dhe kritikës, ky është një shëmbull impresiv i faktit që vëndemrat e lashtë mund të ruhen për kohë shumë të gjata dhe duhen kërkuar, sigurisht në forma të ndryshuara, në rajonin rreth vendbanimit origjinal.

Referencat

1. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, f. 9-12.

2. M. Tullius Cicero, Letters to Atticus 7.2: “Brundisium venimus vii Kalend. Decembr. usi tua felicitate navigandi; ita belle nobis “ flavit ab Epiro lenissimus Onchesmites”.

3. Strabo, Geography 7.7.5: “ἐν τούτῳ δ᾽ ἐστὶ τῷ διαστήματι Πάνορμός τε λιμὴν μέγας ἐν μέσοις τοῖς Κεραυνίοις ὄρεσι, καὶ μετὰ ταῦτα Ὄγχησμος λιμὴν ἄλλος, καθ᾽ ὃν τὰ δυσμικὰ ἄκρα τῆς Κορκυραίας ἀντίκειται”

4. Dionysius of Halicarnassus, Antiquitates Romanae, Libri I, 51.2 : “Τροία καλούμενος. ἐκ δὲ Βουθρωτοῦ παρὰ γῆν κομισθέντες ἄχρι λιμένος Ἀγχίσου μὲν τότε ὀνομασθέντος, νῦν δ᾽ ἀσαφεστέραν ἔχοντος ὀνομασίαν, ἱερὸν καὶ αὐτόθι τῆς Ἀφροδίτης ἱδρυσάμενοι διαίρουσι τὸν Ἰόνιον ἡγεμόνας ἔχοντες τῆς ναυτιλίας”.

5. Claudii Ptolemaei,  Geographia,  III, 14, 2.

6. Hieroclis Synecdemus. Red B. G. Teubner, Leipzig, 1843, 652, 3.

7. Baçe, A. (1982). Qyteti antik Onhezm Saranda – Almanak 2. f. 63-66.

Ne Foto: Finiqi sot

Filed Under: Kulture Tagged With: Ku jeton Onhesmi, Nelson Cabej

ABDYL KELLEZI NË KOTË TË VLORËS, NGA DREJTOR FERME, SHPËRNDARËS KARBURANTI…PUSHKATIMI…

September 17, 2013 by dgreca

Bisedë me të mbesën, Holta Këllezi, që jeton në Toronto të Kanadasë, e cila u internua në moshën 6-7 muajshe/

 Nga Gëzim Llojdia/

Kota është një qytet-fshat. Ndodhet buzë Shushicës dhe ka një vjetërsi moshe prej 50 vjet. Është krijuar si fillim fermë blegtorale e Llakatundit aty nga viti ’61. Më vonë ndahet dhe bëhet më vete fermë bujqësore e blegtorale. Një soj bashkimi  ku ata nga fshatrat që nuk  e hanin dot punën atje gjenin marifetin dhe zbritnin ne fermë. Kota ka qenë një vend i heshtur. Aty nga viti ‘20,kur u bë lufta,u vendos një garnizon ushtarak dhe është vrarë një gjeneral. Një shqiptar nga Shkoza me emrin Kanan Mazeja theu nofullat thonë aty pikërisht ku ka qenë porta e fermës gjatë luftimit me italianët,aq deshën rapsodët që t’i thurnin rapsodi :”Kanan Mazeja nga Shkoza me një nofull copa-copa…,dhe këtë vend që ishte i humbur e shkretuar i vunë edhe  bejte të tilla si :”Obobo se çënka Kota më e mirë se Europa…. Thoshin këta,pra bejtexhinjtë. Emri i saj ka një legjende interesante dhe intriguese. Unë këtë e kam lexuar nga një mësues tërbaciot vite më parë,italianët  e kishin ngritur garnizonin e quanin kuotë 860 m ,ajo ishte kodra,duke u shqiptarizua ajo erdhi dhe u quajt nga kuotë në Kotë…Kota ka qenë një qendër e internimit. Peta që ishte një sektor i saj ka pasur vetëm të persekutuar. Në Kotë u internuan zv/kryeministri i diktaturës  Abdyl Këllezi deri ditën që u muar dhe u pushkatua. Një pasdite maji sollën në këtë qytezë të vogël dy skoda,ngarkuar me rraqe. Në Kotë ,thonë për vaki dhe rrahje mblidhen të gjithë .Në fakt nuk ishte asgjë nga të dyja .Kishin sjellë anëtarin e byrosë politike,  zv/kryeministrin,kryetarin e komisionit te planit të shtetit shqiptar,Abdyl Këllezin. Në atë fermë internuan edhe familjen e Vasil Katit,madje Pranverën ,në Tiranë e njihni, ishte shpallur mis Tirana në fshehtësi. Ndërkaq në këtë fermë u mbyllën me internim edhe motra e Xhevdet Mustafes  ,dhe gjyshërit e Tedi Papavramit, doktori plak dhe e shoqja, vuajtën ikjen e  nipit në Francë. Ferma buzë Shushicës  kishte një sektor të sajën që quhej Petë dhe e kishte vetëm me të internuarit ordiner,siç i quante regjimi qindra familje që ikën pas viteve ’90 nëpër fshatrat dhe qytetësit e tyre ose mbeten atje mes baltës në  dimër dhe pluhurit të zhegut. Kjo e fundit ka mbetur gërdallë. Sot atje  në atë sektor pa ujë  të pijshëm, por me dy liqene artificiale,jetojnë vetëm  dy familje.

***

Zv/kryeministri ishte me bashkëshorten Safeten e thërrisnim ne një grua fisnike nga Kosova. Dhe tre djemtë,Leonin,Yllin dhe Maksin. Si dhe nusen e djalit dhe një vajzë të vogël. Njëri nga tre fëmijët e zv/kryeministrit ra në dëshpërim dhe kaloi një depresion gjithë kohën e internimit .Zv/kryeministriy i dhanë një hyrje të zgjeruar dhe pas disa ditësh ai filloi punë si drejtor i fermës së Kotës. Ndërkaq tre fëmijët e tij dhe nusja e djalit u sistemuan në punë shtetërore. Këllezi doli ditën e parë për të shkuar në punë me një kostum të zi.Shkoi në  fermë dhe pyeti:”Ku janë forcat sot në korrje gruri, ku ne Buallar? Mori administratën e hypi në makina dhe u nis vetë .Të nesërmen përsëriti këtë pyetje:”ku janë forcat sot korrje gruri në Petë, hypi administratën dhe rinis kështu një punë duke e bërë fermën të ndriste. Të gjithë këto ndryshime  u raportuan lartë. Mirëpo dihet se fati ishte paracaktuar .Kështu vunë spiunët që në atë fermë nuk mungonin dhe s’ishin të paktë, për t’u kundërpërgjigjur;Punon armiku për të fshehur të vërtetën…Një ditë atij i erdhi gjysma e keqe,urdhri i trishtimit. Hiqej nga drejtor ferme dhe vendosej shpërndarës karburanti, pra të zihej me zetoristët e shoferët që ai regjim i kishte nën hyqmën e tij.Megjithatë ai gojë kyçur çdo ditë shkonte i përpiktë të hapte rubinetin e naftës dhe një mbrëmje korbi erdhi më i zi se i pari lajm. E morën. Që nga ajo natë ai nuk u pa më në vajtje ardhjet e tij  në fermë  e vogël. Lajmi i pushkatimit të tij u muar vesh në një biçim salle kulture që kishte ferma. I kishin dërguar edhe familjes lajmë që të vinte. Erdhi bashkëshortja Safetja dhe djemtë. I deleguari lexoi letrën e KQ të PPSH ku thuhej se armiku Abdyl Këllezi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua,sall buçiti ;”Poshtë armiku” dhe i binte këmbëve në çimento,ndërsa asaj bashkëshortes së tij i ndrisnin pikëzat e lotit. Të nesërmen   bashkëshortja vuri në kokë një shall të bardhë,shenjë zie. Ç’praj asaj dite djemtë dhe nusja e djalit ju vunë punës,i mbyllën në shtëpi dhe fituan një respekt që askush nuk mundi ti haronte, për  edukatën,moralin dhe normat e larta të jetës,sado që i provokonin,i ndiqnin e i torturonin nëpër punesat më të zeza,ata mbetën deri në fund fisnik të një jete internimi.

****

Pranvera e vitit 1975. Orët e fillimit të internimit dhe zhdukjes nga skena politike të ish-ministrit,anëtarit të Byrosë politike .Ditë maji. Dy skoda me rimorkio lëvizin nga dyert  e bllokut të udhëheqjes shqiptare. Ndërkaq dy automjetet e rënda morën drejtimin për në jug të vendit. Blloku dhe rojet e armatosura mbyllën portat. Atje udhëheqësi sapo ishte zgjuar kur u shua zhaurima e skodave. Enigma e kureshtarëve kur ndiqnin automjetet, që largoheshin  .

-Iku dhe një nga Byroja politike!

Tani automjete do të shtegtonin nëpër asfaltin e butë tej kryeqendrës së vendit. Njerëzia brenda tyre  shikonte brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi. Në sytë e tyre,vërtet lexoje:-Për ku ishte drejtimi i automjeteve?

Të dhëna në dy automjetet ishin 7 pjesëtarë të familjes Këllezi, të tjerët punonjës të sigurimit. Në automjetin  e parë udhëtonte ish-kryetari i komisionit të planit të shtetit me bashkëshorten në tjetrën, tre djemtë, Leoni me bashkëshorten Marjetën dhe vajzën 6 muajsh,Ylli dhe Maksimi.

15 qershori 1975 flitej se ishte lexuar një buletin nëpër të gjithë institucionet shtetërore, ku godiste si armik Abdyl Këllezin. Vetëm ca kohë më parë po më konkretisht  në maj të vitit 1975 ,Abdyl Këllezi u shkarkua nga detyra e anëtarit të byrosë politike. Tre djemtë e tij dhe nusja e djalit Marjeta u hoqën nga puna për ti përcjellë në internim .Leoni asaj kohe punonte në Institutin e fizikës bërthamore. Ishte specializuar në  Kinë. Leoni më kishte folur për jetën në Kinë. Me tregonte anekdota dhe kinezërit e pafund.

Ne ,tha kishim me vete mjeshtrin e uzinës traktori që do të bënte  kopje sepse kinezët nuk i jepnin gjithçka. Mjeshtri shikonte me sy kur dhe i vizatonte në hotel gjithë çfarë kishte parë me sy. Një herë tjetër na shpunë për të vizituar fshatin e lindjes së Maos .Udhëtuam me tren,me avion me makinë,tre ditë për të mëritur në Shaoshan. Atje nuk kishte kuzhinë evropiane. Ata kishin dëgjuar që shqiptarët hanë pilaf dhe na kishin përgatitur një lloj çorbe d.m.th pilaf, që notonte në gjalpë . Leoni i rrëfente bukurish bukur ndodhitë .Ylli gjendej gjatë asaj kohe në universitete më ngjanë në inxhinieri. Kur përfundoi zborin ushtarak  e fakultetit shkoi direkt në internim. Ndërsa Maksimi pësoi një traumë të rëndë.

***

Kur dy skodat me rimorkioi qëndruan në buzë mbrëmje në një qytezë të tipit socialist, kallaballaku, që u mblodh aty pyeste kurioz se kush po vinte për internim. Bëhej fjalë për zv/kryeministrin e qeverisë, anëtarin e byrosë politike. Në pallatin dy kate ndërtuar në vitin 1962, tip sovjetik në katin e dytë kishte ditë, që skuadra e ndërtimit po meremetonte hyrjen ku do të strehoheshin të internuarit, mirëpo nuk njihej se kush do të ishin banorët. Në atë zonë sillnin shpesh të internuarit e regjimit por ca më larg saj në një sektor ku vdisje për ujë dhe të hante të gjallë balta në dimër dhe pluhuri në zheg të verë,quhej  Petë. Qyteza, quhej Kotë dhe ishte krijuar vetëm në vitin 1961,si ndërmarrje  blegtorale fillimisht dhe më vonë bujqësore. Aty ishte administrata, zyrat, rrjeti i dyqaneve të shërbimeve të NTSH, pallate banimi, ofiçina, furra e bukës, kinemaja  e vjetër te vatra e kulturës, shkolla 8 vjecare, postë-PTT .

Gjendej në këmbë të fushë së Ahmete, poshtë ishte lumi dhe sipër maja e gjatë. Atë ditë unë kam parë zv/kryeministrin, që u fut direkt në banesë. Abdyl Këllezi i emërua drejtor i fermës bujqësore:”Kanan Maze” të Kotës. Ishte operativ. Që ditën e parë pyeti:- Ku punojnë forcat e punës?

-Në korrje gruri.

Urdhëroi dy makina mblodhi administratën dhe vetë shkoi  në krye të punëve. Kështu veproi çdo ditë.

Ku janë kombajnat sot?

-Në Brusnje. Makinat dhe administrata shkonte ku punonin njerëzit dhe nxirje buka e gojës. Vetëm pas ca muajsh erdhi urdhëresa ,që Abdyl Këllezi hiqej nga drejtor ,çuditërisht dërgohej të furnizonte me naftë  automjetet e fermës. Më  datën  4 shtator Abdyl Këllezi arrestohet. Abdyl Këllezi ish-ministër dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si “armik i popullit. Atë ditë vjeshte e thirrën si zakonisht.

-Të kërkojnë te karburanti. Ish-anëtari i Byrosë Politike mori çelësat e cisternës, xhaketën e hollë dhe dolli nga pallati .Mirëpo BC-ja e degës ishte fshehur pas pallatit të parë ku ishte edhe rruga. Aty i hodhën prangat lexuan akuzën në emër të popullit , ndërsa anëtari i Byrosë politike shikonte për të fundit herë banesën ku kishte lënë,bashkëshorten ,tre djemtë, mbesën e vogël 10 muaj  dhe nusen e djalit. Një ditë të vitit 1976  buzë-mbrëmje fronti thirri një mbledhje për të lexuar një nga të shumtat buletine, që përcilleshin në popull direkt nga udhëheqja e lartë. U thirrën edhe familja e Këllezit ndërsa i deleguari lexoi buletinin ku flitej se Abdyl Këllezi ishte pushkatuar. Bashkëshortja dhe djemtë mbajtën një qëndrim burrëror.

Unë  i kam njohur në internim tre djemtë e familjes Këllezi. Nusen e djalit Marjetën dhe Holtën e vogël dhe më pas Dorianin ,që lindi në atë qytezë të vogël. Për këtë familje fisnike është folur gjatë. Qëndrimi  i tyre atje ka qenë  i pashembullt.Pasqyra  e punës dhe qëndrimit të tyre na rrëfen lëndën që ka dhuruar tek ata Zoti ynë. Ndrit pasqyra. Tek shpirti  i diellit. Unë do t’u rrëfej atë që ata e kanë bërë pak ose aspak nëpër medium. Marjeta, Leoni, Ylli arrin të realizonin nga dy-tre norma në ditë në punët më të vështira siç ishte qilizma,hapja kanali etj. U ngrinin normën. U ngritën normat, mirëpo ata të tre arrinin të bënin nga tre norma në një ditë. Në këto kushte u rritë edhe Holta Këllezi në atë qytezën e vogël ,që zgjerohej buzë lumit. Çapkënia vajzë. Mësuesit u vunë përpara një dileme të madhe. Ç’duhej bërë me këtë vajzë të shkëlqyer?

10 ishte pak nga njohurit e saj që i dhuronin të dy prindërit.

Marjeta Kellezi ka Studiuar në Universiteti i  Tirane. Fakulteti i Shkencave te Natyrës , dega fizike.Kishte lindur më 1952…

***

Holta Këllezi është mbesa e ish-anëtarit të Byrosë politike të Shqipërisë. U lind në bllok. 6-7 muaj shkoi në internim në një nga fermat bujqësore në jug të vendit. Dielli i praruar lind në lindje,ndonëse gjelbërimi zë fill në mërmërin pranverore. 16 vite pra diku në vitet ‘91 më vonë,mbante statusin e të qenit e lirë në vendin e vet. “Kreshtat” përmbi biografin e saj nuk do të njolloseshin më me nënshkrimin: ”mbesa e armikut të popullit”. U shkollua dhe sot punon në Kanada.

Disa të dhëna : Ka Studiuar në University of  Tirana. Eshte e martuar me Gjergji Vani. Flet shqip,English,Italisht. Ka lindur më Dhjetor 16.

Përshëndetje Holta:- Dua të bëjë një interviste me ty.

-Pyetja-Ju keni lindur ne bllok por u rritet ne internim. Ç’farë mund të thoni për këtë kontraste?

Holta Këllezi:Unë nuk e kam njohur jetën e bllokut pasi kam shkuar në internim 6-7 muajsh kështu qe nuk kam arritur kurrë te bej dallimin midis këtyre jetëve. Unë njoh vetëm një jete fëminore, atë të internimit.

-Ju keni shkuar ne internim rreth 7 muajsh dhe u larguat ne vitet ‘90.Si ishte jeta ne internim?

Holta– Jeta në internim ishte e vështirë sidomos vitet e para te fëmijërisë i kujtoj si tepër te vështira dhe jo në perspektiven e jetës së gjithë familjes sime por në perspektiven e një fëmijë që mundohej të kishte një jetë normale, por që në cdo hap i bëhej me dije, që ishte jo si gjithë të tjerët.

-Ju u kanë mohuar të drejtat si nxënëse e dalluar a mund t’më thoni raste?

Holta:-Ishte pak e vështirë ta kuptoja pasi në moshë të vogël nuk arrin të perceptosh pse ti duhet të jesh ndryshe nga të tjerët. Mbaj mend, që deri në klasë të parë asnjë fëmijë s’luante me mua dhe jo se nuk donin por sepse prindërit kishin frike ti lejonin fëmijët e tyre të luanin me mua .Kur kam shkuar në klase të parë e të dytë, kam filluar të kem shokë dhe ja di për nder mësueseve të mija të shkollës fillore, që u thonin fëmijëve te shoqëroheshin me mua .Me pas duke u rritur kam pasur shoqëri shumë të mirë, që vazhdoj ta mbaj dhe tani.

-Si e kishit menduar jetën nëse nuk do te hapej vendi ynë drejt Evropës?

Holta- Me thënë te drejtën do duket ndoshta pak e çuditshme, po unë gjithmonë kam besuar në ato vite me pafajësinë e një fëmije që po të mësoja patjetër do më jepej e drejta e shkollimit të lartë,kurrë nuk më shkonte ndër mend që do jetoja përjetë në fshat,ndoshta ka qenë një sens i brendshme që më fliste,s’di, po kurrë s’kam qenë pesimiste si tip. Nuk më shkonte në mend kuptohet, që do ndodhnin gjithë ato ndryshime por fakt është që shpresa e mban njeriun gjallë,prandaj ndoshta dhe motoja e jetës sime gjithmonë ka qenë:bëj gjithçka ke në dorë dhe më e mira do të ndodhe”

-Me se merrni aktualisht?

Holta-Aktualisht kam prej vjetësh që jetoj ne Toronto_Canada,jam e martuar me dy çuna dhe punoj ne fushën e stomatologjisë .Jam e kënaqur me jetën time dhe e jetoj jetën ne maksimum.

-Prindërit tuaj kane vuajtur mjafte dy intelektual u dërguan direkt ne punët e bujqësisë si e kane përjetuar dramën e vuajtjes.

Holta– Prindërit e mi janë shume te shtrenjte për mua, sa je fëmijë nuk e kupton se ç’farë kane bërë apo ç’farë kane arritur ne jete .Duke u rritur kam kuptuar më shumë dhe kam arritur ti vlerësoj në maksimum jo vetëm për sakrificat që  bënë në jetë por mbi të gjitha për ata çka janë. Dy njerëz të mrekullueshëm që megjithëse sistemi i goditi shume fort nuk ndryshuan po ngelën po ata të mrekullueshëm. Ajo çka vlerësoj më shumë ke ta është qe më mësuan të mësoj ,punoj fort, të jem e ndershme ,të respektoj gjithë njerëzit pavarësisht prejardhjes apo statusit te tyre social,të kem një buzëqeshje në fytyre dhe mbi të gjitha, të mos urrej asnjë e askënd. Kjo e fundit është një arritje e madhe për mua pasi vuajtjet e bëjnë njeriun shumë lehtësisht të urrej. Dua të përmend pak njeriun me të cilin kaloja pjesën më të madhe, të kohës në internim,njeriun që ishte i pari të më dilte në mbrojtje kur dikush më ngacmonte dhe që më përcolli një fortësi mendore,gjyshen time të dashur, që tani s’jeton më. Them se kam qenë me fat, që në jetën time jam rritur nga prindër të këtij niveli dhe nga një gjyshe, që çdo kush do e kishte zili.

-Faleminderit Holta!

-Faleminderit prej jush!

Filed Under: Interviste Tagged With: Gezim Llojdia, Holta Kelelzi, Kote, mbesa e Abdyl kellezit, Vlore

Histori: Çfarë ndodhi më 17 shtator?

September 17, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1787 – Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u nënshkrua nga delegatë të 12 shteteve në Konventën në Philadelphia të Pensilvanisë. Kushtetuta amerikane është Kushtetuta më e vjetër në botë ende në veprim.

1884 – Një gjykatës në Okland të Kalifornisë vendos një rekord te ri, duke zgjidhur 13 çështje kriminale brenda 6 minutave.

1934 – Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik shkëmbejnë nota diplomatike dhe vendosin lidhje në nivel konsullor. Mbreti Zog e pa këtë kontakt të ri me Moskën si hapje të mundshme të një rruge për të dalë nga vështirësitë financiare, tani që marrëdhëniet me Italinë ishin tensionuar dhe marrja e ndonjë huaje nga Roma dukej e pashpresë. Ky hap i Mbretit Zog, pa dashje, do t’i hapte udhën edhe shtimit te hyrjes së literaturës komuniste në vend.

1983 – Vanessa Williams, Mis Nju Jork, u kurorëzua Mis Amerika. Williams ishte gruaja e parë zezake në historinë 62-vjeçare të konkursit Mis Amerika që fitonte këtë titull. Williams e dorëzoi kurorën kur disa foto që e tregonin atë lakuriq u botuan në revistën Penthouse. Gjithësesi, Vanessa Williams vazhdoi të gëzojë popullaritet si këngëtare dhe aktore..

2011 – Në Tiranë del për herë të parë në kinema filmi “Falja e gjakut”, edhe pse filmi kishte muaj që shfaqej në Evropë, ku ishte nderuar me çmimin Ariu i Argjend në festivalin e Berlinit, për skenarin më të mirë. “Falja e Gjakut”, një bashkëpunim amerikano – shqiptar (Joshua Martson – Andamion Murataj), tërhoqi vemendjen jo vetëm për fenomenin shqetësues që trajton, por edhe sepse suksesi në Evropë ri-nxorri në dukje faktin se realizimi i tij nuk ishte përkrahur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqiperisë. Filmi “Falja e Gjakut” u propozua edhe per çmimin Oskar në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, por Akademia në Hollywood e hoqi nga lista pas disa ankesave se filmi nuk ishte prodhim shqiptar.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 17 Shtator

EKSPOZITA E KRESHNIK XHIKUT NË ALEKSANDRIA DO TË JETË E HAPUR DERI NË 7 TETOR

September 17, 2013 by dgreca

Kreshnik Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj./

Nga Astrit Lulushi/

Në Galerinë e Lidhjes së Arteve, në Aleksandria afër Washingtonit, u hap këto ditë ekspozita “Structural Elements”,e skulptorit të njohur shqiptar dhe amerikan, Kreshnik Xhiku. Ekspozita pritet të qendrojë e hapur deri më 7 tetor.

Arti i Kreshnik Xhikut i përket kryesisht rrymës abstrakte, që e bën vizitorin të mos pyesë se çfarë është, por t’a shijojë atë. Në këtë ekspozitë të re vetjake, Kreshnik Xhiku eksploron midis figuratives dhe abstraktes në kufijtë që i bashkojnë ato.

Duke përdorur drurin dhe metalin, here-herë edhe tekstile – shoqëruar me ngjyra – Xhiku krijon forma strukturore, ku duket qartë dora e artistit; druri, për skulptorin Xhiku, përfaqëson ngrohtësinë dhe shërben si kundër-peshë ndaj ftohtësisë së metalit. Druri, gjithashtu, është një element lidhës me vendlindjen e skulptorit, që ri-zgjon ndjenja që nga koha e fëmijërisë kur druri ishte elementi kryesor ngrohës.

Dhe kjo mënyrë të shprehuri e afron shikuesin, sjell rezultat – sepse krijon harmoni mes fantazisë dhe formës, pa humbur veçoritë e secilës. Me ketë, skulptori Xhiku tregon se shprehja është sa e qartë aq edhe e perhumbur dhe se për të shprehurit nuk ka mënyra fikse. Abstraktja i jep mundësi artistit të dalë jashtë standarteve kufizuese.

Në fillim të shekullit të XX, shumë skulptorë i shtynë kufijtë e mënyrës shprehese të artit te tyre. Ata “tradhëtuan” botën e dukshme në favor të abstraktes, duke argumentuar se thelbi i një forme a sendi është jo në sipërfaqe dhe se thelbi është e vërteta. Këta artistë u quajtën avangardë dhe i vunë vetes si qëllimim jo të riprodhonin botën siç e shihnin, por të eksperimentonin në formën e saj. Që nga ajo kohë, skulptura abstrakte ka ofruar truall për eksperimente të tilla në formë, përmasë, dhe teknikë, duke u shkëputur nga metodat tradicionale.

Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj. Karrierën si artist, Kreshnik Xhiku e ka filluar që në Shqiperi, si i diplomuar e më pas profesor në Akademinë e Arteve ne Tirane.

Ambasadoi i Shqipërsië në SHBA, Gilbert Galanxhi, i pranishëm në ekspozitë, i tha Zërit të Amerikës se veprimtaria artistike e Kreshnik Xhikut i bën shqiptarët në Amerikëtë ndjehen krenarë me artin dhe kulturën e tyre. Ndërsa kolegu i skulptorit Xhiku, Vasil Rrokaj, kishte udhëtuar 6 orë me makinë nga shteti Kenektikat, për të parë këtë ekspozitë.

Në Amerikë, atë e thërrasin “Nik” Xhiku. Punimet e tij janë ekspozuar në shumë vende në Evropë e SHBA. Skulpturat e Kreshnikut zbukurojnë sot parqe e hapësira publike. Përveç skulpturës abstrakte, pasioni i Nik Xhikut është skulptura monumentale. Ndër veprat e tij përfshihen shtatorja e Skënderbeut mbi kalë në sheshin e kishës katolike shqiptare të Shën Palit në Michigan; ajo e Nënë Terezës në një park publik në Ohajo, shtatorja e Ahmet Zogut në Tiranë; apo busti i Skënderbeut në Londër. Dora e këtij skulptori shqiptar ka lënë gjurmët e veta edhe në Memorialin që Amerika ngriti para disa viteve për të rënët e saj në Luftën e Dytë Botërore.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleksandria, Astrit Lulushi, ekspozite, Kreshnik Xhiku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT