• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

SPROVË PËR TË SHPJEGUAR ORIGJINËN E EMRIT “TIRANA”

September 25, 2013 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. GJIKA/

Shpjegimet që janë dhënë deri sot për origjinën e emrit Tirana, duke e lidhur me emrin e qytetit Teheran, ose me fjalën Tiran-i, janë të papranueshme nga studjuesit shqiptarë dhe të huaj. Për mendimin tonë edhe mendimi se kjo fjalë mund të jetë me origjinë latine, nuk është i qëndrueshëm.

Duke vlerësuar rëndësinë e problemit, edhe pse nuk jam specialist i kësaj fushe studimore, guxova të hartoj këtë sprovë. Nuk mendoj se me këtë sprovë mund të arrihet shpjegimi përfundimtar, por po guxoj ta hap diskutimin rreth këtij problemi, duke meduar se mund të ndihmoj në procesin e ecjes drejt zgjidhjes. Guximin e mora i nisur nga shtysa që na jepte gjatë leksioneve vetë profesori ynë i paharrueshëm Eqrem Cabej, autori i Fjalorit Etimologjik më të mirë të gjuhës shqipe.

Për shpjegimin e origjinës së emrit Tirana mendoj se duhet të kemi parasysh disa të rrethana gjeografike, historike, toponomastike dhe fonetike.

1. Me merin Tirana është quajtur prej kohësh dhe vijon të quhet jo vetëm qyteti, por edhe fusha, që përshkohen prej lumit Lana, pra emri i këtij lumi duhet të ketë qenë në zanafillën e fjalës përkatse.

2. Kronologjikisht, së pari me këtë emër duhet të jetë emëruar fusha, dhe më pas qendra e banimit, e cila u krijua në atë fushë, pikërisht anës lumit Lana, aty ku ndodhet edhe sot qyteti.

3. Lumi Lana para viteve 50-të të shekullit të XX-të, kur u sistemua në shtratin e drejtë prej betoni, kalonte nëpër fushë dhe nëpër qytet si një lumë me shumë dredha.

4. Nga ana fonetike prania në fjalën Tirana e bashkëtingëllores “r” e butë në mes dy zanoresh, tregon se në kohën kur vepronte fenomeni i rotacizmit (kthimi i “r”-së në “n”) bashkëtingëllorja “r” duhet të ketë qenë një “rr” (“r” e fortë), ose një “r” e butë e shoqëruar me një bashkëtingëllore tjetër. Po të kishte qenë një “r” e butë midis dy zanoresh në fillim të erës sonë, sot do të kishim dy forma për këtë fjalë. Në gegërisht do të kishim formën Tinana dhe në toskërisht formën Tirana, ashtu si kemi dy forma për emrin Vlona / Vlora.

Duke mbajtur parasysh këto tëdhëna gjeografike, historike, toponomastike dhe fonetike, po fillojmë sugjerimet tona.

Fusha ku dridhej e përdridhej lumi Lana në fillim të erës mendoj se është quajtur “fusha ku tirret Lana”. Me kalimin e kohës, mbas përdorimesh të shpeshta kjo shprehje mund të jetë rrudhur e të ketë formuar kompozitën “Tirrlana”, si emër vendi për të emëruar fushën ku kalonte lumi Lana. Më vonë kjo fjalë është thjeshtuar edhe më në formën “Tirrana” duke asimiluar bashkëtingelloren “l”. Më pas është zhvilluar zbutje e “rr”-së së fortë në “r” të butë.

Skema e ndryshimeve të fjalës mund të paraqitet kështu: Fusha ku tirret Lana > Fusha e Tirrlanës > Fusha Tirrana (e Tirranës) > Fusha (fshati) Tirana.

Formën e sotme Tirana e hasim që në shekullin e XVI, të përmendur prej Marin Barletit në veprën Historia e jetës dhe e bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Filed Under: Featured Tagged With: emri Tirana, Thanas Gjika

KRYENGRITJA E VJESHTËS 1913 NË DIBËR E MAQEDONINË SHQIPTARE

September 25, 2013 by dgreca

 Ne Foto; Kryengritësit e Dibrës me artilerinë e zaptuar kundër ushtrisë serbe

 Shkruan:Eugen SHEHU/

    22 Marsi i vitit 1913,do të shënonte për shqiptarët fillimin e një tragedie të gjatë dhe të dhimbshme. Caktimi i kufijve të rinj,ku jashtë shtetit amë mbetetshin treva të tëra etnike shqiptare,zonat më urbane të saj,mbeten ende sot dëshmi e papërgjegjshmërisë historike të Fuqive të Mëdha, përfaqsuesit e të clave në Londër,një Jug të Evropës e coptonin,ata  dremitnin të përgjumuar në kariget e tyre të fëlliqura me turpin e historisë.Indiferenca e tyre do të dërmonte flakët  e një populli të “vogël”,po aq sa do të shndronte në pafundësi Ballkanin,ne një “fuqi baroti”.

Merret lehtë me mend se një gjë të tillë,nuk mund të ishte e rastësishme në Londër.Për trevat lindore dhe verilindore shqiptare,pat qenë e interesuar së tepërmi Sërbija,madje që në dhjetorin e vitit 1912,atëherë kur nuk kishin kaluar veç disa ditë nga shpallja e indipendencës shqiptare.E kaptuar prej sindromit të “Stara Sërbijës” duke lakmuar  përnjëmend ujërat e ngrohta të Adriatikut,politikanët,shkenctarët,studiuesit,ushtarakët,kjo aradhë çmendurake e Beogradit,nuk nguronte aspak të deklaroheshin për coptimin e Shqipërisë e për më tej,për zhdukjen edhe fizike të shqiptarëve.Beogradi pos terrorit e dhunës fizike,parashihte edhe masa të tjera,me ç’rast donte të dilte “i larë” me Evropën.Kështu,në një telegram që Pashiqi i dërgonte më 19 dhjetor 1912,kryekomandantit të trupave serbe në Shkup,pos të tjerave e porosiste ; “Bëni çfarë të jetë e mundur që,nesër prej arnautëve të parisë së Pejës,Gjakovës,Prizërenit dhe Dibrës,të dërgojnë telegrame në Londër,në emër të krahinave të tyre dhe t’u luten ambasadorëve të Francës, Gjermanisë,Italisë,Rusisë,Austrohungarisë dhe sër Eduard Greit,që krahinat e tyre të mbeten nën qeverimin serb,pa u bashkuar me Shqipërinë bregdetare.Ata duhet patjetër të pohojnë se shumica e banorëve flasin serbisht,ndërsa më të paktët në numër,që nuk flasin këtë gjuhë,rrojnë në harmoni me serbët dhe kështu duan edhe në të ardhmen”.(Arkivi Qendror i shtetit,Tiranë. Fondi I.Erebara viti 1912-1914,dosja 14,fleta 18 ).

Ndërsa në drejtim të Londrës u nis ndonjë zë korbi që binte në sinkromë coptimin e trojeve arbërore,ishin me qindra e mijëra burra të shqipërisë të cilët firmosën me laps e me besë,kërkesën për ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare,me idenë se ky komb,ndër më të vjetrit në ballkan është i aftë të vetëqeveriset,të rrojë e lulëzojë falë guximit,mençurisë dhe trimërisë së tij.Me rëndësi është të theksohet se këto telegrame drejt Londrës,u nisën nga të gjitha trojet shqiptare prej Presheve deri në Ulqin,prej Vlore deri në Kumanovë.Menjëherë pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, përcaktoi në mënyrë definitive dhe arbitrale,kufijtë e rinj të Shqipërisë,në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare u ndje dhuna e pashembullt e “Cërna Rukës”.Të mësuar me aromë gjaku,pjestarët e kësaj bande çetnike u shpërndanë nëpër viset shqiptare duke shtypur me zjarr çdo lloj qëndrese që mund të vinte prej trevave të shkëputura padrejtësisht prej shettit amë.Famëkeqi Dragutin Dimitrieviq,në krye të kësaj organizzate,ishte i gatshëm të kryente çdo lloj krimi,vetëm e vetëm për t’u hapur udhë formacioneve të ushtrisë së rregullt serbe.Ndër të parat masa me karakter thellësisht policorë,që Sërbia ndërmori në Maqedoninë Shqiptare,ishte çarmatimi i dhunshëm i banorëve të kësaj treve.Ditën apo natën,me apo pa paralajmërim,ata hynin në kullat e banesat e shqiptarëve të kësaj treve,duke bërë kontrolle të rrepta për gjithshka.Kur gjendej ndonjë armë,më e keqja ishte arrestimi i meshkujve të shtëpisë,dhe kur nuk gjendej,atëherë ulurimat e çetnikëve serbosllav arrinin qiellin.Ata konfiskonin gjithshka që gjenin në shtëpi ,kinse pushkët mbaheshin të fshehura dhe në disa raste (në Strugë,Kërçovë,Gostivar,Tetovë e Kumanovë) u dogjën mjaftë shtëpi shqiptare. Por nuk mund të mbaronin me kaq vuajtjet e banorëve të Maqedonisë Shqiptare.Me urdhër ushtarak të administratës vendore,këta të fundit,iu nënshtruan me dhunë një varg punëve nga më të rëndat fizike siç ishin hapja e trasheve për luftime të ardhshme,apo hapja e rrugëve të cilat hynin në planet luftarake strategjike të Beogradit.Mosha e banorëve të Maqedonisë Shqiptare,të cilët bënin punë të detyruar pa asnjë lloj pagese,nuk njihnin asnjë kufi.Që prej 15 vjeç e deri më 70,djemtë dhe burrat e këtyre viseve etnike shqiptare,ishin të detyruar të punonin angari,nën goditjet e kërbaçëve të serbosllavëve.Në një raport të “Naçellnikut” të Dibrës S.Popoviç,dërguar komandës supreme lidhur me emrin e ndërtimit të rrugëve,më 10 maj 1913,pos të tjerave thuhej se gjysma e rrugës Dibër – Gostivar që e lidhte këtë qark me Shkupin,kishte përfunduar kryesisht me punën e detyruar të banorëve të Rekës.Ndërsa po me punë të detyruar do të përfundonte së shpejti rruga Dibër-Strugë.S.Popoviç,në këtë njoftim është i detyruar pos të tjerave të pohojë varfërinë dhe mjerimin e banorëve të maqedonisë shqiptare ndërsa shkruan ; “Banorët e mjerë të Rekës,duhet të punojnë vetëm me duar për të thyer shkëmbijtë gigante të luginës së Radikës”(Sërpski izvori za istoriata në makedonskiot narod 1912 – 1914 . Skopje 1979, faqe 105).

Ndërka “naçallniku” i qarkut të Tetovës,në një njoftim për komandën supreme në po këto ditë,bën fjalë për punën e detyruar të banorëve të Maqedonisë shqiptare për riparimin dhe zgjerimin e rrugës ; Shkup-Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Prilep etj,si edhe hapjen e rrugës në drejtim Gostivar – Dibër, e konsideruar tejet e rëndësishme në pikëpamje strategjike.Gjithashtu ky far naçellniku kishte mundur forcërisht të grumbullonte edhe disa forca shqiptarësh të cilët do të vireshin në dispozicion për hapjen e rrugës Kërçovë – Ohër.Madje ishin me qindra shqiptarët,të cilët me kafshët e tyre apo karroca,transportuan për muaj të tërë në qarkun  e Kumanovës,lëndë drusore e materiale të tjera për Armatën e Tretë të Shkupit.Është e natyrshme që këto punë angari,taksat apo detyrimet e tjera,kishin një qëllim final,nxitjen e mërive shekullore ndaj shqipatrëve.Tek e mbramja,përpara shqiptarëve të Kosovës ose në këto troje tona etnike në Maqedoninë Shqiptare,shtroheshin dy zgjidhje ; ose largimi i shqiptarëve përgjithmonë nga vatrat stërgjyshore,ose nënshtrimi i plotë ndaj zgjedhes sllavomaqedonase.Krahas masave të tilla me karakter shtypës dhe gati asgjësues,Beogradi nisi të godasi edhe kulturën,gjuhën dhe fenë myslimane të shqiptarëve.Në Gostivar,Kërçovë, Manastir,Shkup e Tetovë u mbyllën shkollat në gjuhën shqipe dhe u zavendësuan ato me shkolla në gjuhën serbokroate,shqiptarët ose duhej të braktisnin shkollat ose përfundimishtë duhej t’i mirrnin dituritë e tyre,përmes gjuhëve sllave.

Në këtë garë të shfrenuar të shkombëtarizimit të shqiptarëve nuk mungoi të japë “kontributet” e saj,as kisha ortodokse sllave.Politika fetare e Beogradit synonte të kthente me dhunë popullsinë e Maqedonisë Shqiptare në fenë ortodokse për të patur më të lehtë pastaj,asimilimin shpirtëror të tyre.Ndonëse kjo masakër shpirtërore nuk u relizua plotësisht,ajo më pastaj u shëndrua në një masakër fizike të llahtarshme.Kështu,në një letër të dërguar nga trevat e Dibrës dhe e botuar në revistën “Makedonskiji Gllas” thuhet tekstualisht kur flitet për masakrën në Raven të Gostivarit  ku mjaft prej popullit aty nuk iu përgjigj thirrjes së kishës ortodokse sllave për të ndëruar fenë : ”Popullsia në Raven iu nënshtrua një thirjeje të përgjithshme,ndërsa shtëpitë u dogjën të tëra.Në përgjigje të lutjes për mëshirë,serbet u propozuan shqiptarëve që kishin mbetur gjallë të pranonin fenë serbe,ose përndryshe do të thereshin deri tek fshatari i fundit… Banorët myslimanë që kishin mbetur të gjallë e pranaun këtë propozim” ( “ Makedonskij Gllas “ më 2 mars 1914 ).

Dëshmitarët e kësaj fushate të egër terrori,ka qenë në Maqedoninë Shqiptare,në vitin 1913 edhe studijuesja e famshme angleze Edit Durham.Në kujtimet e veta për këto masakra,ajo pos të tjerave ka shkruar se shqiptarët e kësaj treve të cilët nuk pranonin të pagëzoheshin i hidhnin në akullin e lumit ose i digjnin në turrën e druve të ndezura.Deri në këtë pikë arrinte marëzia serbe.Por gjithsesi,të gjitha këto masakra shtypëse dhe terrori represiv,u kulmuan në shtatorin e vitit 1913,atëherë kur Beogradi spalli haptas aneksimin e Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare.Ky akt,do të përbënte ndërkaq fillimin e një kryengritjeje të madhe ku shqiptarët e trevave lindore dhe verilindore e patën kuptuar përfundimishtë se fatet e tyre mund t’i zgjidhte vetëm gryka e pushkës.

Lëvizja e kaçakëve shqiptarë, e cila dukej se ishte tulatur pas 28 nëndorit të vitit 1912,tanimë u rizgjua duke njohur edhe një organizim konkret në zonat e okupuara nga sllavomaqedonasit.Elez Isufi,Hasan Pristina,Isa Bolentini etj,në krye të çetave të tyre me luftëtarë shqiptarë,mundën të organizojnë disa luftime të befasishme,me ç’rast lëvizja çlirimtare mirrte krahë.Veçanërisht në Dibër në mesin  e shtatorit,u shënua një organizim konkret i forcave vullnetare shqiptare i cili çoi në arritjen e një startegjie të përbashkët luftarake.Mendoi të përmend në këtë rast se mjaft prej bejlerëve të Dibrës dhe Maqedonisë Shqiptare,dhanë ndihma konkrete nga ana e tyre,në para të cilat shërbyen për blerjen e armëve si edhe ushqimeve për kryengritjen.Pas aktit të aneksimit të Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare,mbreti i serbisë Pjetri i Parë,nxitoi të firmosë planin e luftës kundër Shqipërisë të propozuar nga ministri serb i luftës Vili Bozhanoviq,me ç’rast Divizionit të këmbësorisë “Morava” i bashkangjiteshin edhe disa reparte speciale të artilerisë.Ora e madhe kishte rënë.

Më 21 shtatorë 1913,trimat e Dibrës të ndarë në formazione luftëtarësh deri më 200-250 burra,nisën luftimet kundër formacioneve të rregullta të ushtrisë serbe.Brenda dy ditëve në krejt Dibrën dhe Maqedoninë Shqiptare,u përcuall kushtrimi në luftë kundër Serbit.Ky kushtrim,përmblodhi në gjirin e vet,më shumë se tre mijë luftëtarë të sprovuar në sa e sa beteja. Formacionet luftarake serbe,nuk mundën të përballen dot me furinë e sulmeve të para të kryengritësve.Duke lënë qytetin e Dibrës,ata mundën të sigurojnë pozicionet e favorshme për të ruajtur urën e lumit Radikë,me çrast do të siguronin kalimin e tyre për në treva të Maqedonisë shqiptare.Në ndihmë të tyre u nis edhe një repart nga Ohri por pa sukses.Trimat e Dibrës dhe Maqedonisë shqiptare,duke kaluar valët e Radikës të veshur dhe të armatosur,mundën tu dalin prapa krahëve forcave serbe të cilat lanë pranë brigjeve të lumit,qindra të vrarë dhe të plagosur.

“Në 20-26  shtator 1913,kryengritja u zhvillua në një vijë ngjitëse.Brenda kësaj kohe ajo përfshiu të gjithë krahinën e Dibrës,dhe u shtri në një hapësirë që arrinte deri në afërsi të Resnjës (Në malin e Prishtinës),të Manastirit (në malin e James),të Velesit dhe të haneve të Zdunjës pranë Gostivarit. Ushtritë okupatore dhe pushtetarët lokalë serbe u dënuan prej këtyre viseve”.( “Dibra dhe etnokultura e saj “ Tetovë 1995 , faqe 305 ).

Në të vërtetë,pas sulmeve të kryengritësve shqiptarë në Gostivar,Kërçovë,Strugë e Tetovë,formacionet luftarake serbe u tërhoqën.Ata nuk mund të përballonin shpirtin kryengritës të shqiptarëve të Dibrës dhe Maqedonisë Shqiptare të cilët nuk vonuan t’i dërgojnë edhe një telegram Fuqive të Mëdha ku deklaronin  se trojet e tyre i bashkangjiten përfundimishtë shtetit amë Shqipërisë.Ndërkaq nuk duhet lënë në harresë faktin që me nënpunësit serbosllavomaqedonas të administratës vendore,kryengritësit shqiptarë u suallën me korrektësi duke mos kryer asnjë vepër terrori apo hakmarrjeje.Kjo flet edhe një herë për pjekurinë dhe idetë largpamëse të kryengritjes së shtatorit në Maqedoninë Shqiptare.Është fakt i pamuhueshëm se në këtë kryengritje,u ngritën së bashku,shqiptarët mysliman dhe ata të krishterë duke dëshmuar kësisoj se për këtë komb të vejtër dhe autokton të Ballkanit,liria është më e shtrenjtë nga gjithshka.Ndonëse zotëruan plotësisht pushtetin kryengritësit e Maqedonisë Shqiptare,nuk ndërmuarën asnjë akt dhune edhe ndaj pakicave etnike të tjera siç ishin maqedonasit apo bullgarët,përkundrazi,shumë prej tyre,të armatosur u vunë nën komandën e kapedanëve tetovarë,gostivaras apo kërçovarë.Dhe e paimagjinueshmja është ky qëndrim i kryengritësve shqiptarë,mbahej në një kohë kur serbët patën deklaruar me zë të lartë ; “Se i kanë vënë vehtes qëllim të çfarosin me gra e fëmijë,të gjithë shqiptarët që jetojnë brenda kufirit të ri  serb”.(Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë.Sipas dukumentave të Vjenës.Dosja 64/17 , raport i Starckut nga Beogradi dërguar Bertholdit ).

Të dhënat e burimeve arkivore,flasin për një përqëndrim të madh të forcave serbe në trevat e maqedonisë shqiptare.Kështu,vetëm në Manastir me rrethina ishin dislokuar 1400 ushtarë të regjimentit 16 serb,si edhe katër bateri artilerie me afro 400 ushtarë dhe oficerë të përgaditur. Gjithashtu në Prilep,Krushevë dhe Kërçovë,ishin vendosur për çdo vend nga 1 regjiment të cilët mbështeteshin nga artileria e Divizionit “Morava”.Forca ushtarake serbe kërkuan të futeshin edhe në rrethina të Tetovës e Gostivarit por ata u pritën me pushkë nga kryengritësit shqiptarë të atyre trevave.Luftimet u zhvilluan në datat 25-27 shtator në Maqedoninë Shqiptare,jo vetëm e rritën lartë  moralin e kryengritësve,por tërhoqën edhe vëmendjen e Beogradit,i cili nuk vonoi të hartonte planet e reja ndaj “rebelëve”.Në ditët e zhvillimit të këtyre luftimeve,kryengritësit e Maqedonisë Shqiptare treguan heroizëm të pashoq.Veçmas betejat e zhvilluara përgjatë grykës së Radikës,si edhe në Kërçovë e rrethina të Gostivarit,dëshmuan shpirtin e lartë të vetëmohimit dhe dëshirën e madhe të këtyre burrave për të qenë kurdoherë të lidhur me shtetin amë.Në këto luftime,trimat e Maqedonisë shqiptare rrëfyen jo vetëm pjekurinë në vendosjen e administratës shtetërore por sidomos edhe përgjegjsi të lartë në pikëpamje strategjike,ata u ndeshën me formacionet serbe në ato momente dhe në ato vende ku ishin të sigurtë për fitore.Kjo solli që pas mjaft të vrarëve nga ana serbe,t’u mireshin atyre një sasi e konsiderueshme armësh ku nuk munguan edhe topat e artilerisë,me ç’rast u paisën formacionet kryengritëse shqiptare.Përkundër shtypit të Beogradit,i cili e paraqiste kryengritjen e shtatorit 1913 në Dibër e në mbarë Maqedoninë shqiptare,si vepër e disa myslimanëve “mosmirënjohës”,Evropa po e kuptonte se ndarja e kufijve dhe coptimi i shqipërisë ishte shkaku kryesorë i tërë këtyre trazimeve.Janë një sërë dokumentash autentike të Austrohungarisë,Italisë,Rusisë e deri të Anglisë të cilat provojnë karakterin e vendosur të kryengritësve shqiptarë për të mos iu nënshtruar coptimit tragjik të trojeve të tyre shumshekullore. Mendoj të sjell në këtë rast,disa fragmente të arkivave të Ministrisë  së jashtme të Anglisë,përkitazi me ngjarjet e shtatorit të vitit 1913,të marra sipas informacioneve të z.C.A.Greik,nënkonsull anglez në Manastir.Pos të tjerave,në këto informacione thuhet tekstualisht ; “Meqë rezistenca serbe ishte e vogël,banorët e Dibrës myslimane dhe të lkrishterë u ngritën kundër nënpunësve administrativ të cilët ikën për në Strugë.Atyre së shpejti iu bashkangjitën trupat serbe që kishin mbetur gjallë,të cilët kishin zënë pomicione në kahjen midis Dibrës dhe Strugës.Dibra është marrë nga malësorët me 22 të këtij muaji,numëri i saktë i humbjeve serbe nuk dihet.Oficeri që komandonte këtu ishte i mendimit se humbjet e tyre silleshin rreth numrit 200 dhe 300 ushtarë… Bejlerët e Dibrës qenë jashtëzakonisht të pakënaqur me caktimin  ekufijve,i cili i ndan ata nga tokat e tyre në Shqipëri,vetëm e vetëm për hirë të përfshirjes në shetin serb të një minorateti të parëndësishëm sllav me më pak se 10 përqind popullsi,pa asnjë arsye strategjike,etnografie apo justifikim ekonomik.Ky kufi do të ndajë popullatën e Matit,Lurës,Kalisit dhe Dardhës, e mandej edhe një pjesë të Lumës nga qyteti i Dibrës,i vetmi treg i vendit i hapur për në shtetin e tanishëm.Kjo do t’i ndante këta po ashtu,edhe prej teqeve dibrane të Këllec-Babasë dhe Shaban Dedes,të adhuruara nga myslimanët deri në Krujë,ku ishte zakon që nga “Kryesitë e shehlerëve”,të gjithë llojet e mosmarveshjeve të zgjidhen pa kurrfarë marre në pyetje,të cilët kishin vlera të mëdha praktike,krahasuar me manastiret e zbrazëta apo kishat e pa shfrytëzuara përmes të clave,shtetet e krishtera ballkanike shtrijnë pretendimet territoriale të tyre… Kryengritja e shtatorit… në esencë është drejtuar kundër vendimeve të padrejta të konferencës së Amabasdorëve në Londër”

( Dibra dhe etnokultura e saj “ vëll I , Tetovë 1995 , faqe 301 – 302 ).

Në datat 26-28 shtator 1913 veçanërisht të ashpra u zhvilluan luftimet në shpatet e Jamen mbi Kërçovë si edhe në hanet e Mavrovës.Forcat kryengritëse të Maqedonisë shqiptare,ndonëse të pakta në numër (krahasuar me forcat serbe) dhe të armatosura keq e mos ma keq,mundën të zhvillonin disa beteja heroike ku ranë në sy,jo vetëm patriotizmi por edhe shpirti i lartë i sakrificës.Këta kryengritës,vlen të thuhet se patën në këto momente,ndihmë të madh edhe të pakursyer të fshatarëve të Gostivarit,Kërçovës e Strugës,të cilët nxuarën nga sepetet e vjetra fishekët e fundit dhe ua dhanë kryengritësve.Për rjedhojë më 28 shtatorë 1913,Mavrova,Kërçova e deri Gostivari me rrethina “dominohen plotësisht prej forcave kryengritëse të cilat kërkojnë bashkimin me Shqipërinë “(Arkivi Qendrorë i shtetit –Tiranë.Fondi 71 , dosja 4 , fleta 2 ).Këtë lajm e jepte në Vlorë,edhe vet Haxhi Vehbi Agolli,i cili ishte vënë në krye të administratës shtetërore në Dibër.Po në këto ditë,forcat kryengritëse mundën të vendosin pushtetin shqiptar edhe në Ohër,Strugë e Resnjë ku ndonëse se rezistenca serbe ishte më e madhe,gatishmëria e popullit të kësaj treve për t’u rreshtuar me kryengritësit ishte tejet e madhe.Megjithëse në këtë drejtim,Divisioni “Morava” pat dërguar rreth 2000 forca të armatosura deri në dhëmbë,brenda katër pesë ditëve humbjet e serbëve ishin tejet të mëdha.Në mjaft raste,ushtarët serb u fshehën në shtëpitë e  sllavomaqedonasve të këtyre trevave duke dëshmuar pos të tjerave se ishin të dyzuar në kauzën për të cilën luftonin.Prijësat e kryengritësve të Maqedonisë shqiptare,nga ana e tyre,kishin dhënë urdhëra të prerë që ushtarët apo oficerët serb që zotëronin nga ushtria e tyre,të trajtoheshin si robër pa u hakmarrur. Po pikërisht në fund të shtatorit,atëhrë kur u duk se kryengritja do të përfshinte edhe vise të tjera shqiptare,Beogradi vendosi të sundojë me dorë të hekurt.Tërheqja e tij,nga ana taktike kish të bënte vetëm me një riorganizim të forcave,duke vënë tanimë në dispozicion të shtypjes së kryengritjes,në Maqedoninë shqiptare,me mijëra ushtarë dhe oficerë të Divizionit “Morava” të armatosur deri në dhëmbë dhe të vendosur për të vënë në jetë planin e “tokës së djegur”.Në natën e 30 shtatorit 1913 mijërat e ushtrisë serbe,patën rrethuar Ohrin,Strugën,Prilepin,Mavrovën dhe Kërçovën.ata formalisht u kërkuan forcave kryengritëse që t’i lëshonin pozicionet pa luftë, e më tej të shkonin në shtëpitë e tyre.Prijësat popullorë të Maqedonisë Shqiptare nuk mund të gënjeheshin përballë këtyre propozimeve.E vërteta është se Qeveria shqiptare e asaj kohe,ndiqte me vëmendje situatën në tervat e saj të aneksuara nga Sërbija por kushtet për të ndihmuar kryengritjen mendoj se kanë qenë tejet të pafavorshme.Një inkursion i ministrit të luftës së qeverisë shqiptare,Mehmet Pashë Derallës,si edhe dërgimi i disa armëve në Maqedoninë Shqiptare,kanë një rol,por në kontekstin e ngjarjeve ky akt nuk mund të kishte ndonjë peshë të madhe.Qeveria shqiptare,në vjeshtën e vitit 1913,ishte e kërcënuar prej fqinjëve të vet deri në mosegzistencën e saj,pa pyetur më tej,për problemet e brendshme aq shumë të koklavitura.Protestat e politikanëve shqiptarë nëpër kancelaritë  evropiane,sigurisht që binin në vesh të shurdhur. Gjithsesi kryengritësit e Maqedonisë shqiptare,nuk mund të pranonin të lëshonin armët,për t’u pajtuar përgjithmonë me idenë e coptimit të tyre si edhe ate të robërisë nën terrorin serbosllav.Ata luftuan trimërisht në pozicionet e tyre,përballë një lukunije ujqish të etur për gjak.Në Kërçovë e rrethina,beteja vazhdoi plot 36 orë dhe vetëm në mbrëmjen e 1 tetorit 1913,forcat e divizionit “Morava” mundën të pushtojnë qytetin.Ndërkaq,më 2 tetor,forcat serbe,pas luftimesh të aspra me kryengritësit pushtuan Strugën dhe Ohrin duke vendosur edhe aty pushtimin e egër serb dhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre formacioneve,muarën edhe qytetin e Pogradecit,brenda kufijve të shetit amë shqiptar. Tashmë dhuna dhe terrori serb,shkonin drejt një strategie të përcaktuar qartë,prej elaborateve famëkeqe të inicuar në Beograd.Të dhënat burimore dhe ato arkivore,flasin për ate,se vetëm në vijën Ohër – Gostivar u dogjën rreth 180 fshatra të cilët ishin të banuar ndër shekuj me shqiptarë etnik. Kinse për ndihmën që i dhanë “rebelëve” shqiptarë,të gjithë këta fshatra i mbuloi tymi i zjarrit dhe ndërsa banorët e pafajshëm u ngjiteshin pyjeve,ata i prisnin mitralozët dhe pushkët e formacioneve serbe të divizionit “Morava”.Në Kërçovë,aty ku gjithmonë ka qenë i ndezur prushi i rezistencës,serbët dërguan rreth 4000 ushtarë dhe oficerë të cilët në dy javët e para të muajit tetorë 1913,vetëm në 11 fshatra të kësaj treve,dogjën më shumë se 1500  shtëpi të gjitha të banuara prej shqiptarëve etnikë.Ndërsa me qindra familje nga Gostivari e rrethinat,duke patur shtëpitë e djegura dhe asnjë mjet jetese,iu drejtuan shtetit amë,duke u vendosur më së shumti në Elbasan dhe Tiranë.

Ndonëse po shtypej me masa të tilla repressive,revolta popullore në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare,asesi nuk mund të shuhej prushi i shqiptarizmës .Shqiptarët po dëshmonin qëndresën,madhore për bashkimin e kufijve të copëtuar padrejtësisht në Londër.Shtypi i kohës shkruante ; “Po buçasin në të katër anët e dheut trimëritë shqiptare.Këto janë ata që na tregojnë se “stara serbija” s’është veçse vendi i thjeshtë : Shqipëri.Këto lajme i japin Evropës një mësim të plotë që kurrë shqiptari s’do të durojë nën zgjedhe”. ( Gazeta . “Liri e Shqipërisë “, datë 12 tetorë 1913 ).

Ajo papërgjegjësi e madhe e byrokracisë dallkauke evropiane,përsëri e nxjer kombin shqiptar para sfidave të përgjakura në mijëvjeçarin e ri.Shqiptarët kanë forcë dhe moral për ti përballuar.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Kryengritja e Dibres

Në Montreal filloi viti shkollor i shkollës shqipe

September 25, 2013 by dgreca

Nga Ajet Nuro/Montreal, Kanada/

Ditën e shtunë në datën 21 shtator 2012, në Montreal u hap viti shkollor në shkollën që mban emrin e bamirëse së shquar shqiptare Nënë Tereza. E veçanta e këtij viti shkollor është fakti që, drejtuesit e Bashkësisë së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal e kanë bërë mësimin e gjuhës shqipe dhe rrjedhimisht shkollën shqipe, prioritetin e tyre numër një të punës së tyre. Kështu që nga zgjedhjet e reja gjer në ditën e hapjes së shkollës, Bashkësia ka organizuar disa aktivitete dhe ka ngritur në këmbë një strukturë të tërë për mirë funksionimin e shkollës shqipe. Kështu është organizuar një forum enkas për shkollën shqipe nga i cili doli një komision që organizoi rishikimin e programit dhe përshtatjen e tij në përshtatje me orientimet e forumit të qershorit 2013. U përzgjodhën mësuesit që do të realizojnë programin e ri dhe u sigurua baza materiale. Duke mos dashur të citojmë të gjithë ata që ndihmuan në këtë aksion, një merit i takon përgjegjësit për edukimin në këshillin drejtues të bashkësisë z. Gerti Bajraktari që ishte edhe kryesues i të gjitha veprimtarive për mbarëvajtjen e shkollës shqipe.Duke parë pjesëmarrjen e prindërve dhe fëmijëve të tyre në ditën e parë, mund të themi se puna e kaq muajve i ka dhënë frutat e para. Sigurisht, ngelet shumë për t’u bërë pasi në Montreal mendohet se jetojnë 3-4 mijë shqiptarë dhe nëse bëjmë një raport të thjesht shifrash, numri i nxënësve pjesëmarrës duhet të ishte dhe më i lartë.

Në ceremoninë e hapjes së vitit shkollor ishin të pranishëm veç prindërve dhe nxënësve, edhe kryetari i Bashkësisë së Shqiptarëve të Montrealit z. Hysni Marku, anëtarët e kryesisë zotërinjtë Idriz Beha, Besnik Bashi, Ilir Orana, Gerti Bajraktari e Ajet Nuro si dhe kryetari i komisionit për të ardhmen e shkollës shqipe dhe selisë së Bashkësisë së Shqiptarëve ë Kebekut në Montreal z. Laze Leskaj.

Z. Hysni Marku duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe tek fëmijët tanë si shprehje e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar si dhe rëndësinë që i ka kushtuar këshilli drejtues i bashkësisë mbarëvajtjes së shkollës shqipe.

Pastaj anëtari i kryesisë së Bashkësisë së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal, z. Gerti Bajraktari prezantoi dy mësuesit që do të sigurojnë mësim-dhënien në dy grup moshat (5-8 vjeç dhe 9 deri në 13 vjeç) zotin Alban Zeneli dhe zonjën Etleva Xhaferi.

Drejtues të shoqatës dhe prindrit e pranisëm shkëmbyen mendime për mbarëvajtjen e procesit mësimor

Drejtuesit e shoqatës kishin marr masat për t’u ofruar të pranishmëve pije freskuese dhe ushqime të çastit si dhe dhurata për fëmijët pjesmarrës.

Pastaj filloi regjistrimi dhe dita e parë e mësimit. Uroj më që entuziazmi i ditës së parë t’i shoqëroj fëmijët tanë gjatë gjithë vitit shkollor. Vit të mbar dhe suksese!

Montreal, 22 shtator 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ajet Nuro, ne Montreal, Shkolla shqipe

KËNGËT MË TË HERSHME PËR LUFTËN E VLORËS, 1920

September 25, 2013 by dgreca

Krijuesit e parë të folkorit të EHLV gjenden në burimin e këngës/

Nga  Albert HABAZAJ*/ studiues

Krijimi folklorik e ka një fillesë krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në qarkullimin folkorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike[1]. Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e parë. Një nga këta poetë modestë të popullit, që s’ humbi, si humbisnin dikur emrin, duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Vlorës (1900 – 1978).

Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj., patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtëpërdrejtë, aty për aty, ngyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia. Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e trimësisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, – thonë banorët e Lumit të Vlorës – e ka zënë buba atë punë!...Kjo është shkalla sipërore e vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim.

Këtu e ka zanafillën rrëfimi i këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy – tre strofa dyshe, shtruar,vënçe, pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy – tre strofa dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne, si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim, ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me bri!/  E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/ Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.

Janë 54 vargje monokolonë, në interpretim recitativ, që përbëjnë këtë këngë të gjatë me nota realiste, të cilat mund t’i quajmë edhe historia e LV në këngë; që na shkakton emocione të fuqishme me frymën baladeske, e cila mban në këmbë lëndën e këngës, ku trimëria dhe dhembja për të njohurit, bashkëfshatarët, trimat e rënë shkrihen në një masë bazike, që i ngjiz krijuesit – luftëtar nderimin për të rënët, forcën dhe frymëzimin, që nuk është vetëm krisma e pushkës, që sjell fitoren, por, ajo e shoqëruar me krismën e këngës, e bën më të afërt, më të bukur, më madhështore dhe fisnike fitoren ndaj pushtuesit matanas. Historia na ka njohur me shumë trima, heronj e dëshmorë të LV, 1920, dhe njerëzit e dinë që LV ka patur shumë heronj. Ndoshta krijuesi mund ta ketë njohur atë “det me trimëri”, por atij dhe komunitetit të tij nuk i interesojnë të gjithë. Xh. Gjika këndon për ata që ka të “tijët”, për dëshmorët e rënë, për ata që ka njohur më nga afër, për ata me të cilët ka luftuar ai me çetën e tij të Tërbaçit. I këndon kryetrimit Selam Musai të Njëzetës; i këndon komandantit të çetave të Rrëzës, kapedanit Sali Murati, nga Vranishti, se Vranishti është fqinji juglindor; i këndon patjetër Selman Hysenit, vëllait të tij, komandantit të çetës së Tërbaçit; i këndon Hodo Zeqirit të Dukat, komandantit të çetës së Dukatit,  se Dukati është fqinji perëndimor; i këndon edhe Toto Hosit nga Bolena, se Bolena është fqinji lindor dhe Tërbaçi i tij ka shkuar mirë me fqinjët ndër kohëra, ka patur vajtje – ardhje, si i thonë banorët. Është rasti të evidentojmë se deri në ç’imtësi e detaje futet kënga: “mori tri plagë plumbi”  apo “ i ra gjylja në kërci”. Dhe këtë e bën vetëm ai që ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarje, në tym e flakë, se po të mos ishte kështu, të tjerët që kanë qenë në llogore me trimat, me të rënët nuk do ta pranonin dhe nuk do ta këndonin këngën e tij dhe, më keq akoma, ai do të ishte i shpërfillur dhe i përbuzur nga komuniteti. Realiteti dhe koha ka vërtetuar se ky krijues dhe marrës këngësh ka qenë pjesëmarrës e mbetet i besueshëm, se nuk është kontestuar dhe për vlerat e tij shpirtërore dhe për plagët e luftës është vlerësuar edhe nga komuniteti. Nuk e quajmë të tepërt që Xhebro Gjika është vlerësuar me dekoratën më të lartë që jep Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”: “Personalitet i shquar i Labërisë”, sikurse dhe Mato Hasani i Bratit e pak të tjerë që mbartin vlera të tilla dhe shembulli i tyre jep mesazhe për sot dhe nesër. Na bëri përshtypje nga teksti vlerësimi i krijuesit popullor për trimin: “luftëtar si ai”, duke përdorur spontanisht shkallën më sipërore të krahasimit, që ai trim krahasohet vetëm me veten, se s’ka me kë të krahasohet  e të tjerët do të krahasohen me të. Një krahasim i bukur e origjinal del i dallueshëm tek kjo këngë, që tregon edhe adhurimin e krijuesit, njëkohësisht bartës i këngës, kur këndon: “ m’u si sorkadhi me bri”,  duke dhënë figurativisht cilësinë e trimit, si një djalë  me trup të hajthëm, të hollë, të zhdërvjellët e të hedhur, që shumë të lehtë e të shkathët e bën era e lirisë, dhe që sakrifica sublime që bëri Hodo Zeqiri e bën sorkadh mali dhe i zbukuron emrin heroik.

Historia lokale e komunitetit tërbaçiot, na tregon se nga Tërbaçi kanë qenë 226 atdhetarë pjesëmarrës në LV, ku kanë dhënë jetën dy dëshmorë (shehitë u thoshin atëherë). Kujtesa e më moshatarëve ka ardhur si stafetë tek të më pasmit nëpërmjet rrëfimit gojë më gojë, gjithashtu edhe nëpërmjet botimeve monografike apo kujtimeve të të parëve. Sipas Mujo Gjondedës, shënojmë këtë ngjarje: “Në LV, ku i pari i këtij fshati, Halim Xhelo në Beun të Velçës mblodhi burrat e krahinës, hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi, si organizator, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë. Këtë çetë e komandoi biri i fshatit Selman Hysen Gjondeda. Në këtë luftë fshati i Tërbaçit dha dy dëshmorë: Sali Selman Gjikën dhe Qamil Mezin Cacën. Gjithashtu, në këtë luftë pati dhe shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës Selman Hysen Gjondeda. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët, por pa pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndoi kësaj epopeje: “Ç’ është kështu si dëgjojmë! / Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë”[2].\


[1] XHAGOLLI, Agron, Etnologjia dhe folkori shqiptar, vep. e cit., f. 16.

[2] GJONDEDA, Mujo H., “Të njohësh gjakun tënd”, Toena, Tiranë, 2010, f. 20.

*) Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail  Qemali”, Vlorë, ALBANIA

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, kenget e hershme

Shqiptarët sipas armiqeve shekullore, Serbëve

September 25, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri XHARRA/ Gjakovë/

Kush janë shqiptarët sipas  serbëve?  Pse ne ishim të atillë ,vetëm ashtu si donin serbët të na paraqisnin? Pse Europa iu besonte? Pse shqiptarët njiheshin në Europë vatëm ashtu  dhe të tillë si ç`na përshkruanin serbët? A punonte koha për ne? Edhe kur punonte , a e dinim t`a çfrutëzonim atë kohë? A mos vallë Europa po i ribindet vetëm shkrimeve dhe përshkrimeve serbe  për ne? Ku jemi ne?  Pyetjet janë të panumërta,por edhe mundësia qe t`i përgjigjemi  është e panumërt. Aq shumë ka shkrime serbe për ne ,kundër nesh dhe për përjashtimin tonë ; sa që edhe nëse do të botonim përditë nga një libër si kundërpërgjegje dhe me fakte bindëse nuk do të mundnim t`i errësonim të gjitha ato që janë shkruar nga serbët  për ne. Ku ishim ,dhe ku jemi? Me shkrime po mendoj. Apo a ishim të tillë dhe a jemi sot të tillë si po duan të tjerët?

Në letrën e botuar me 3 janar 1913 ,në gazetën :Temps” dr.G.M. Jakshiqi në mënyrë shumë të “bukur” –sipas serbëve e ka paraqitur shtrirjen jonatyrore të shqiptarëve jashtë kufinjëve të” vërtetë” të Shqipërisë: në Sanxhakun e Novi Pazarit, në Fushën e Kosovës ,nëpër Sërbinë e vjetër dhe nëpër Maqedoni. Shtrirja e shqiptarëve ,jashtë kufinjëve të Shqipërisë paraqitej si një lum vërshues , i cili del nga shtrati i tij ( sepse s` është kush t`ia rregullon shtratin); dhe se tani ( 1913)  erdhi koha që ai lumi shkretues-vërshues të kthehet në lum të qetë dhtë plleshëm. Që të kthehet në shtratin e tij është detyra  Shteteve të Mëdha të  brengosura, të cilat e zgjidhin problemin e kufinjëve të Shqipërisë  ,dhe ato do t`a bëjnë këtë nëse e vendosin  Shqipërinë në ‘megjet “ e saja natyrale.

A ishte kush që në atë kohë t`i kundërvihet kësaj letreje?Apo, a donte kush dhe a e kishte kush fuqinë,besueshmërinë dhe dëshirën  që gjërat mos të  shkojnë sipas dëshirës së serbëve; dhe që shqiptarët sipas serbëve të rahatoheshin një herë e përgjithmonë në “shtratin” e tyre  naturor?

Shikoni se si i spjegohet Europës qështja  shqiptare: ”Lumi shkretues-vërshues shqiptarë nuk është dalur nga shtrati për shkak të shpejtësisë së madhe të rrymimit që e ka  e aq ma pak që është dalur nga shtrati i tij për shkak  të sasisë së madhe të ujit për të vërshuar.” Por e tëra është përgaditur nga të tjerët duke ia ndërruar shtratin e “vërshimit” sipas nevojave të veta politike. Lumi vërshues  i shqiptarëve iu nevojitej turqëve në mënyrë që turqit të mbajnë pushtetin mbi popujt që e kërkonin lirinë (?) Shtrirja e shqiptarëve  jasht lumit të tyre nuk është e vjetër ,ia mbushin mendjen Europës. Kufinjtë e Shqipërisë si shtet  i pavarur ( e ka fjalën për kohën e Skënderbeut) ishin shumë të vegjël , edhe shkurt në kohë; ashtu edhe më vonë si  krahinë ndër Turkun. Ata kufinjë nuk ndërrohen as në dy shekujt e parë të pushtimit turk.   Ata ishin në një hapësirë të vogël. Europa vetëm ndegjon. Serbët flitnin e nga ana e shqiptarëve dilnin esatpashatë. Por vetëm në kohën kur turqëve iu filluan të dalin dorësh popujt e krishterë e posaqërisht Serbët, atëherë shqiptarët e paskan pas kalur “megjen” e tyre. Shqiptarët qenkan përdorur  nga Turqit për shuarjën e lëvizjeve për liri si dhe përhapjen e muslimanizmit.

“E vërteta “që është pak e njohur ,e të  cilën Serbet mundohen ta plasojnë në Europë në kohën e thyerjeve të mëdha në kohën kur ne ende mundoheshim ta ruajmë gjumin pesëshekullorë ,në kohën e lëvizjeve vendimtare për një të ardhme shumë të  rrezikshme për ne; serbet mundohen të “rregullojnë” shumë padrejtësi që iu paskan pas bër atyre  gjatë historisë. Ajo “ e vërtetë”  ishte ,se shqiptarët kishin një rol të madh në përhapjen e muslimanizmit dhe shqiptarizimin  me dhunë të  serbëve të “ pastër” që ishin në kufijë me atë Shqipëri që s`paska pas egzistuar kurr.

Por thonë ata : “ që mos të na shihet se ne e kemi në shenjestër vetëm marrëdhënjet e serbëve me shqiptarë , ne do ta japim edhe historinë e shkurtër të vendbanimit shqiptar në Sanxhak, i cili nuk ishte muhamedan por i krishter. dhe dhunën ndaj tyre prej vetë shqiptarëve,me këte të tregojmë  si plotësim se si shqiptarët muhamedanë ishin pa kurrfarë vetëdije kombëtare,por vetëm shërbyes të urdhërkryes të turqëve në muslimanizimimin e të krishterëve të robëruar.”

Pra ,po e shofim viktimën e terrorit shqiptarë ndaj serbëve të pastër në kufirin e ngushtë me Serbët.

E njejta lojë edhe tani,serbët viktima të shqiptarëve dhe përgjegjës historik për “vuajtjet” e tyre. Kurse ne prap s`mundemi të ndahemi nga ajo që” mëndja e robëruar është pasojë e shpirtit  dhe e trupit të robëruar. Robëria i njef një mijë mënyra me të cilat e skllavëron mendjën e të robëruarit;dhe mendja si e tillë përkundër lirimit të saj fizik mbetet prapnë kthetrat  e lartëmadhërisë së saj-ish robërisë.”

Edhe sot ka thyerje të mëdha, edhe sot nuk ka përfunduar asgjë Ende sot : “ Bac` s`u krye”.

Jo që po e them unë, por çka po shofim dhe çka po dëgjojmë e kemi vetëm një përsëritje të së kaluarës jo të largët; 100 vjeqare.

Të shofim se si spjegohen shqiptarët sipas  serbëve,po e them shqiptarët sipas serbëve ,sepse vetëm ata kanë folur për ne,na kanë përhapur na kanë cunguar , na kanë sjellur nga malet na kanë paraqitur njerzë me bisht ; sepse ne nuk dinim të flisnim ,nu donim të flisnim apo nuk na lejonin të flisnim.:” Vendbanime të arnautëve të besimit të krishterë në terenin serb në kohët e kaluara kishte kryesisht nëpër qytete si Prishtinë, Vidin., Novi Pazar,Krushevac,Prokuplje ,Nish dhe Çupri ( Acta Bulgariae polissimum ecclesiastica (Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII, 339). Këta paskan pas qenë tregëtarë dhe zanatlinj që erdhën në qytete ku kishte karakteristika katolike dubrovnikase. por kishte edhe andej e këndej të shpërndarë nëpër fshatra të cilët qenkan larguar për ti ikur dhunës së bashkëfisnorËve muhamedan apo të shpërndarë nga vetë turqit për qëllime politike. Në të gjitha ato vende shqiptarët e krishterë si edhe të krishterët tjerë ishin të shkelurit e perandorisë. Pra largë kufirit të ngushtë të Serbisë me Shqipërinë paska pas pasur shqiptarë e edha të krishterë (Pohimi serb i një të vërtete e cila sa do që tentohej të mëshifej ajo iu ikte nga klishetë e përgatitur për botën perëndimore) .

Shqiptarët në Kaqanik paskan pas ardhur  si   plaçkitës në shek XVI-të ,të cilët i zënin pritë karavaneve ,dhe vritnin e plaçkisnin vetëm e vetë për të plaçkitur e të përkrahur nga turqit.(?)”Fakte” ,”fakte” të atilla që edhe historianin më të kujdesshëm Europian  e çojnë në drejtim të gabuar.

“ Muhamedan në gjysmën e shekullit XIX-të ia arrijtën të i muslimanizojnë  Serbet Katolik (?) në rrethin e Prizrenit ,Gjakovës dhe në disa vende të Kosovës,si dhe Serbet ortodoks që u shqiparizuan dhe u muslimanizuan në shekullin e XVIII-të.”  Një shkrim i gazetës “ Novine Çitalishta Beogradskog” nr.12.12 Mars 1848 shkruan:” Peshteri dhe Biori janë dy vende të vogla në mes të  Shkodrës, Bijelo Poljes dhe Novi Pazarit ,vende ku nuk ka pushtet ,por vetëm me anë të forces së fiseve jetojnë ,ka shtëpi ku janë  nese janë dy vëllezër njëri beson në Krisht e tjetri në Muhamed,njëri falet e tjetri kryqohet. Në disa shtëpi janë nga tre vëllezër dhe që të tretë mbahen për turqë,kurse babën e kanë Serb.dhe kështu djemtë falën karsi i ati kryqohet “.  Procesi i muslimanizimit të Serbëve ortodoks paska pas filluar vonë në këto anë dhe në kushte shumë të vështira

E vërejtët mënyrën e “vajtimit” serb karshi botës në shekullin e kaluar. Por sot ata çka flasin për ne? Zoti e di. Por e dijnë edhe bashkëbiseduesit e serbëve, të cilët vetëm se pohojnë me krye  duke i dëgjuar çpifjet serbe të cilat ende  janë aktuale për botën.

E ne ,a mundemi që me ndërgjegje të plotë të dalim para botës e të themi :jo,nuk është e vërtetë se çka thonë serbet për ne.? Ku po e dijmë se çka po thonë serbët për ne?Posi me qenë aty:,sjelljet tona flasin dhe dokumentojnë dhe s`ka nevojë të jemi aty.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, shqiptaret sipas serbeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT