• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

PROMOVIM HISTORIK I LIBRIT TË PROF. NUSRET PLLANËS NË UNIVERSITETIN E GJENEVËS

October 21, 2013 by dgreca

Shkruan:Endri PODA/ Asistent dhe  Doktorant i Universitetit t Gjenevës/

‘‘Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999’’,ribotimi i pestë i plotësuar dhe i shtypur perfekt në Shtypshkronjën « Arbëria Design », në Tetovë, vazhdoi rrugëtimin e tij të suksesshëm të promovimit, në Gjenevë të Zvicres. NËn kujdesin e ShoqatËs sË StudentËve ShqiptarË tË Gjenevës (AEAG-ShSShGj) dhe falë përkushtimit të z. Emrush Tafili – ish i burgosur politik, profesori i mirënjohur Nusret Pllana u mirëprit mes shumë pjesëmarrësish në një nga sallat më prestigjoze të Universitetit të Gjenevës.

Fjalën e hapjes e mori Fortesa Mehmeti, anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Studentëve pranë këtij Universiteti, e cila pasi prezantoi shkurtimisht aktivitetet e Institucionit studentor shqiptar, përshendeti të pranishmit, mes të cilëve znj. Mira Bregu (diplomate pranë Misionit  të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Gjenevë), z. Arjan Kashtanjeva (zv. Konsull i Republikës së Kosoveës në Gjenevë), z. Salih Sefa (Konsull i Republikës së Kosovës ne Zyrih), z. Ali Mehmeti (Kryetar i Komunitetit Shqiptar në Gjenevë) dhe z. Thierry Apothéloz (kryetar i komunës Vernier në Gjenevë).

Ali Mehmeti vuri në dukje rëndësinë që mbart dokumentimi i krimeve mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, ndërsa Mujë Shala (anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Studentëve), theksoi se amaneti i dëshmorëve të atdheut për një Kosovë të lirë dhe demokratike duhet çuar deri në fund.

Më pas, për të pranishmit u shfaq, dokumentari ‘‘Rrugëtimi i një libri nëpër botë’’. Ky dokumentar shoqëronte të gjitha promovimet e suksesshme të profesor Pllanës, dhe mbi të gjitha deshmonte përkrahjen e fuqishme të çështjes shqiptare prej profesorëve dhe intelektualëve të Universiteteve më prestigjioze botërore.

Pas përfundimit të dokumentarit, Profesor Pllana iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve dhe të pranishmëve tjerë. Në qasjen e tij, profesori nënvizoi rëndësinë historike të dokumentimit të masakrës serbe ndaj shqiptarëve të pafajshëm, vrasjen e më shumë se gjysëm milioni shqiptarëve në periudhën e viteve 1844-1999, nga regjimet fashiste serbe, mosbarazimin e viktimës me dhunuesin, dhe gjithashtu dëshiren e madhe të shqiptarëve të Kosovës për t’u integruar sa më shpejt në strukturat euro-atlantike. Në shenjë kënaqësie me përgjigjet e Profesor Pllanës, të pranishmit në sallë e përcillnin atë me duartrokitje të shpeshta frenetike. Vlen të theksohet se, libri në fjalë me ribotimin e pestë të radhës, i sajuar në shtatë gjuhë : shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht është pasuruar edhe me 140 faqe maeriale shtesë, shokuese dokumentare si ; Masakra e Bujanit e vitit 1912, Masakra e Kabashit dhe Korishës, Masakra e Konjuhit e vitit 1912, Masakra e Studimes, Masakra e Therandës(ish- Suharekës), Masakra e Paklekut, Masakra e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, Masakra e Fortesës(ish Bella Cerkës), Masakra e Izbicisës, Masakra e Kralanit,  Masakra e Skënderajt me rrethinë, emrat e rreth 1600 fëmijëve të vrarë në periudhën e viteve 1981-1999, Lista e kriminelëve serbë me më shumë se 300 emra prej tyre, si dhe Kapitulli i fundit i librit i titulluar : « Të tjerët për librin… », me 21 kumtesa, recensione, komente e vështrime të autorëve më të njohur evropianë e botërorë për librin e Profesor Pllanës.

Pas një bashkëbisedimi tepër miqësor me gazetarin dhe publicistin e mirënjohur zvicerian z. Raymond Zoller, ky i fundit e falënderoi profesorin për studimin e tij dhe e nxiti që të vazhdojë kërkimet e tij shkencore, me qëllim  ndriçimin e lexuesit me të tjera fakte të pazbuluara deri më sot.

Në fund, pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me profesorin në një banket të përgatitur nga organizatorët.  Prof. Pllana, pasi nënshkroi për lexuesit e tij, premtoi se do ta vazhdonte me energji të pashterueshme, misionin e tij atdhetar, anë e mbarë  botës.

Pa ngurrim mund të themi, që në Gjenevë, çështja shqiptare në përgjithësi dhe libri publicistik ‘‘Terrori i Serbisë  Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999’’ në veçanti u vlerësuan me notën 10.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Endri Poda, ne Gjeneve, Prof. Pllana, Promovim historik

NËNA TEREZE: I DESHA NJERËZIT ME DASHURINË E HYJIT

October 21, 2013 by dgreca

Nga Prof. Anton Berisha/

“…në kohë të errëta, ajo është një dritë që flakëron dhe ndriçon; në kohë të egra është një personifikim i gjallë i Ungjillit të dashurisë së Krishtit; në kohë që Zotin e duan të vdekur, ajo paraqet Hyjin që jeton midis nesh, plot e përplot me hire e të vërteta[1]…Kurrë nuk e kam provuar një ndjesi aq të përsosur të njëjtësimit njerëzor ashtu si me Nënën Tereze midis të varfërve të saj. Dashuria e saj për ta, reflektimi i dashurisë së Zotit, i bën aty të gjithë të njëjtë si vëllezër e motra në kuptimin e një familje, megjithëse ndryshojnë dukshëm për cilësi intelektuale e kulturore, për bukuri trupore e për hijeshi[2]”./Malcolm Muggeridge/(Londër 1971)

 Ta njohësh mirëfilli Agneze – Gonxhe Bojaxhiun[3] – Nënën Tereze dhe veprën e saj domethënë shumë më tepër se sa ta njohësh punën e një motre, e cila nga viti 1928 hyri në Rendin e Loretos (në Dublin të Irlandës) [4] dhe nga viti 1948[5], kur e braktisi këtë rend të shquar e të nderuar kishtar – për arsye se “Zotynë dëshiron që unë të jem një motër e lirë, e veshur me varfërinë e kryqit[6]”, e deri në ndërrimin e jetës, më 5 shtator 1997, iu përkushtua krejtësisht njeriut, veçmas të varfërve nga më të varfrit, duke u kujdesur e duke vuajtur bashkë me ta.

Ta njohësh mirëfilli punën e saj të bërë në Kalkutë të Indisë e në qytete të tjera të këtij shteti, po dhe në shumë vende të ndryshme të botës, dhe besimin e palëkundur të saj për Hyjin, domethënë ta njohësh më mirë shpirtin dhe fatin e njeriut në përgjithësi, mundësitë e pakufishme të veprimit e të mbarësisë së jetës njerëzore, sidomos nevojën për t’u flijuar për tjetrin, që në qenësi nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë, më i dobishëm për njerëzit me të cilët jeton dhe për botën që i përket.

Të merresh me tekstet e lutjeve, me letrat dhe me mendimet e Nënës Tereze, të shkruara ose të thëna në raste të ndryshme, dhe t’i interpretosh ato nënkupton ta njohësh mirëfilli Biblën dhe një varg veprash të shquara të kësaj fushe[7], që vetvetiu të ndërlidhin me trashëgiminë që krijoi krishterimi tek njerëzimit për 2000 vjet, po dhe me pjesë të trashëgimisë më të hershme të dijes së njeriut në përgjithësi; nënkupton ballafaqimin me disa nga dukuritë më të qenësishme dhe më komplekse të njeriut e të botës së tij, të cilat u bënë objekt shqyrtimi shekuj me radhë nga mendjet më të ndritura të njerëzimit dhe që do të bëhen objekt interesimesh përderisa do të ketë jetë njerëzore.

Kjo gjë shprehet përmbledhtas dhe në parathënien e librit Nëna Tereze. Kujtimi dhe mesazhi të shkrimtarit spanjoll, José Luis González – Balado: “E them me bindje se ende, pas botimit të librave të mi mbi Nënën Tereze dhe veprën e saj, jeta e saj dhe shpirti i saj (…) nuk mund të përfshihen në faqet e një libri ose të shumë librave[8]”, mendim që të kujton atë që thuhet në Ungjillin e Gjonit për librat që do të mund të shkruheshin për Birin e Hyjit, Krishtin: “Ka dhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin” (Gjn 21, 25).

Edhe fjalët e ipeshkvit, Angelo Comastri, përligjin faktin se secili që merret me jetën dhe me veprën e Nënës Tereze, dashur e padashur, gjendet para vështirësive të madha, të thuash të pakapërcyeshme:

“Me dëshirë i vë në formën e shkrimit disa kujtime personale për Nënën Tereze të Kalkutës, po në të njëjtën kohë ndihem pak ngushtë të flas për të. Në të vërtetë, e kam parasysh se Nëna Tereze nuk mund të definohet, nuk mund të përshkruhet, nuk mund të rrëfehet për arsye se burimi i jetës së saj kridhet në misterin e vetë Zotit[9]”.

Është fakt i pamohueshëm se vepra e Nënës Tereze ishte dhe mbetet një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit për dashurinë për Hyjin dhe për dashurinë dhe flijimin që bëri për njeriun, sidomos për të varfrit, për fëmijët jetimë e për të braktisurit. Ajo zbatoi me përpikëri urdhrin e Ungjillit: “Duajeni njëri – tjetrin sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” (Mt 22, 39).

Nëna Tereze iu përkushtua Zotit, dashurisë së tij me gjithë qenien e saj me qëllim që, po me atë dashuri, t’i donte njerëzit dhe të kujdesej për ta. Ajo ishte e bindur se Hyji është krijues i çdo qenieje dhe se jeta njerëzore në qenësi “është vetë jeta e Zotit në ne[10]”. Qysh në moshën e re ajo ishte e bindur se Hyji na ka dhënë “shpirtin e virtytit, të dashurisë e të urtisë” (2Tim 1, 7).

Besimin e Nënës Tereze në Hyjin e përligjin në mënyrë të pamëdyshtë edhe këto fjalë të saj:

Çdo frymëmarrje imja, çdo shikim im, çdo veprim

do të jetë një akt i Dashurisë hyjnore

e çdo gjë që do të bëj

do ta bëj për dashurinë tënde, o Zot i dashur[11].

Nëna ia pati dhënë Zotit besën shqiptare, që, sipas Kanunit të maleve nuk bëhet dysh, se çdo veprim të saj do t’ia kushtonte Atij dhe Birit të tij, Krishtit, Zotit konkret, tokësor, duke pranuar dhe pësimin më të rëndë nëse nuk do t’i përmbahet fjalës së dhënë:

“I kam dhënë besën Zotit, që ka për pasojë mëkatin vdekjeprurës, t’i jap çdo gjë që Ai do të më kërkojë[12]” me qëllim që “ta ndez dritën e dashurisë në zemrën e secilës krijesë të Zotit[13]”.

Dashurinë për njeriun për njeriun Nëna e përligj duke filluar nga motrat e rendit[14], Misionaret e Dashurisë, që flijoheshin për më të varfrit e të varfërve me dashurinë hyjnore dhe tek çdo jeriu që e takoi[15]. Për të ato ishin dhurata më e çmueshme dhe më e madhe që i kishte dhuruar Zoti:

“Po nisem për Amerikë, mirëpo zemra ime, mendja ime dhe gjithë qenia ime mbetet me ju…S’kam frikë t’ju lë për arsye se e di se ju jeni dhurata më e madhe që Zoti më ka dhënë[16]” dhe “Nuk e di çka provojnë njerëzit e tjerë, po unë i dua motrat e mia ashtu siç e dua Krishtin, me gjithë zemër, me shpirt e me mendje, me të gjitha forcat e mia[17]”.

Nëna kishte një besim e dashuri të pakufi për motrat; çdo gjë që mbërrinte e lidhte me flijimin dhe me lutjet e tyre; edhe gëzimi dhe vuajtja e tyre ishin të sajat: “Edhe pse nuk mund t’ju takoj dhe personalisht t’i flas secilës prej jush, për çdo ditë jeni të pranishme në lutjet e mia. Juve ju përket mirënjohja ime më e thellë për ndihmën që jepni për t’i shërbyer të varfrit dhe për të gjitha flijimet tuaja e për lutjet tuaja. Vuajtjet tuaja, të pranuara për dashurinë e Jezusit, janë burim i shumë mirësive (hireve). Ju merrni pjesë me gjithë zemër në gjithçka që bëjmë[18]”.

Arsyeja e një dashurie të këtillë të Nënës Tereze dëshmohet me faktin që e pohonte ajo vetë:

“Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri. Sa më e thellë është dashuria ime për Krishtin, aq më e thellë është dashuria për motrat e mia, aq më i madh është zelli për të shkuar drejt të varfërve[19]”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Javair Pérez De Cuéllar-i, më 26 tetor 1985, me rastin e 40- vjetorit të themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar, para anëtarëve të Asamblesë dhe të mysafirëve të tjerë pati thënë midis të tjerash:

“Gjendemi në një sallë të diskutimeve. Në rrjedhë të kohëve në këtë podium kanë kaluar njerëzit që janë çmuar më të fuqishmit. Sot kemi mundësinë t’i urojmë mirëseardhjen gruas realisht më të fuqishme në rruzullin tokësor. Nuk e besoj se ka nevojë ta paraqes, për arsye se ajo s’ka nevojë për fjalë. Nëna Tereze kërkon fakte. Jam i bindur se ajo që do të ishte më e mira është t’i shpreh nderimin e të them se ajo është më e fuqishme sesa unë dhe sesa të gjithë ne. Ajo është Kombet e bashkuara! Ajo është paqja në botë[20]”!

De Cuéllar-i nuk e vlerësoi Nënën Tereze – gruan më të fuqishme në botë – për ndonjë fitore të saj luftarake ose të dëshmimit të fuqisë së saj fizike, por për pasurinë e saj shpirtërore, për arsye të kujdesit, të flijimit e të dashurisë së jashtëzakonshme që tregoi sidomos për të varfrit e më varfërve, për të braktisurit dhe të harruarit nga familjaret dhe shoqëria, që vdisnin rrugëve në mjerim e të përbuzur, pa pasur, së paku, qoftë edhe një “vdekje të qetë e të denjë”, siç thoshte Nëna. Në çdo të varfër, në çdo fëmijë me të meta fizike e mendore, në çdo të gërbulur Nëna shihte krijesën e Hyjit, njeriun, vëllain, motrën, të afërmin, dhe për të shfaqte dashurinë hyjnore: “Për mua secili prej tyre është Krishti[21]”.

Nëna dhe Misionaret e Dashurisë i donin me dashurinë e Hyjit të gjithë njerëzit – të gjithë të varfrit – pa dallim: “Kjo është ajo që Jezusi ka ardhur të na mësojë: si të duam, si ta duam njëri tjetrin, pa shikuar ngjyrën e lëkurës, kombësinë, pa shikuar se kush është i pasur ose i varfër, të gjithë jemi vëllezër e motra. Unë dua që ju (u drejtohej motrave të saj) ta ndani me mua kënaqësinë që të duam[22]”. Së këndejmi, vazhdon Nëna, “Absolutisht s’kemi asnjë vështirësi të punojmë në vendet me besime të ndryshme religjioze. Të gjithë i trajtojmë si fëmijët e Zotit. Janë vëllezërit dhe motrat tona dhe dëshmojmë për ta një nderim të madh. Detyra jonë është t’i ndihmojmë këta persona, të krishterë ose jo të krishterë, të bëjnë vepra të dashurisë. Secila vepër e dashurisë, e bërë me zemër, të afron te Zoti”[23].

Duke e qartësuar dhe më tej qëllimin e punës e të flijimit të Misionareve të Dashurisë, Nëna thoshte: “S’kemi kërkuar kurrë që t’i konvertojmë në krishterim ata për të cilët kujdesemi. E qenësishme është që, çfarëdo qoftë ai, ta gjejë Zotin nëpërmjet religjionit të vet. Ajo që shpëton është besimi në Zotin. Është më pak e rëndësishme se nga çfarë pikëvështrimi mbërrihet tek Ai[24]”.

Nëna dhe motrat e saj jetonin për të tjerët, duke dhënë “gjithçka për kujdesin ndaj varfërve pa kompensimin më të vogël[25]…”. Me flijimit për të tjerët: “Motrat, si dhe Nëna Tereze, duken sikur të mos kenë nevoja personale. Gjithë kujdesi i tyre duket t’i drejtohet Hyjit dhe nevojave të atyre që ato u shërbejnë në emrin e tij. Ndjekin shembullin e Nënës duke parë atë që nuk e vërejnë të tjerët dhe duke përmbushur veprat e tyre shpirtërore e të mëshirësisë në mënyrë të jashtëzakonshme[26]”.

Nga viti 1948, kur mori lejen e eprores së rendit të Loretos, nënës Gertrude, dhe vendimin e papës, Piu XII, të dilte nga rendi i përmendur dhe të themelonte Misionaret e Dashurisë, gjithë jetën e vet e shkriu për të varfrit e më të varfërve dhe të mjerët e më të mjerëve. Këtë përcaktim Nëna Tereze e mbështeti në parimin e qenësishëm që e përmbledh me këto fjalë: “Nuk mund të lejojmë që një krijesë e Zotit të vdesë buzë rrugës si një kafshë[27]”.

Rreth flijimit të jashtëzakonshëm e të vijueshëm të Nënës Tereze për këta njerëz ati Brian Kolodiejchuk, postulator i procesit të lumturimit[28] të saj, shkruan sa vijon:

“Me jetën e saj të flijuar në shërbim të të varfërve, Nëna Tereze përqafoi të njëjtin fat të Krishtit[29]”.

Pra, Nëna Tereze me jetën e vet dhe me flijimin e bërë për njerëzit e harruar nga të tjrerët, zbatoi urdhrin e Ungjillit: “Kush dëshiron të jetë i pari le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve” (Mt. 9, 35) dhe “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje” (Mt 16, 24).

Për Nënën, përkatësisht për Misionaret e Dashurisë të jesh i varfër nuk nënkuptonte të mos kesh ta hash bukë, të mos kesh kulm mbi krye, po nënkuptonte dhe braktisjen nga njerëzit, varfërinë shpirtërore, tërheqjen në vetmi, dhënien pas shfrimeve të kota që shpien në rrënimin e jetës, siç ndodh me ata që përdornin drogën. Nëna thoshte “Varfëria nuk nënkupton vetëm të kesh uri për bukë, po, para së gjithash, është uri e tmerrshme për dinjitet njerëzor. Kemi nevojë të duam dhe të jemi dikush për dikë tjetër. Bëhet gabim kur i dëbojmë (largojmë) njerëzit nga ne. Jo vetëm ua kemi mohuar të varfërve një copë bukë, po duke menduar se ata s’kanë asnjë vlerë e duke i lënë të harruar nëpër rrugë, e kemi mohuar dinjitetin njerëzor, që është e drejta e tyre si bij dhe bija të Zotit. Bota sot nuk është e uritur vetëm për bukë, por të jetë e dashur dhe e dëshiruar[30]”.

Shkrimtari dhe gazetari i shquar anglez, që, ndër të parët e bëri të njohur në mënyrë të denjë punën dhe flijimin e Nënës Tereze dhe të Misionareve të Dashurisë jashtë Indisë, Malcolm Muggeridge[31], në bisedën “historike” që e bëri me Nënën (për BBC) theksoi ndër të tjera “Duke e mohuar vetveten, ajo do ta gjejë vetveten[32]”, ose “Duke hequr dorë nga vetvetja, ajo bëhet e vetvetes[33]”.

Me besimin në Hyjin dhe me veprimin e vet të nxitur e të drejtuar prej Tij, Nëna Tereze bëhet krejtësisht e Hyjit dhe shndërrohet në vegël të Tij: “Gjithçka që bëjmë e bën Zoti nëpërmjet nesh[34]”.

Në rrjedhën e zbatimit konkret të parimit të rëndësishëm – t’i dojë të gjithë njerëzit njësoj  pa marrë parasysh shtresën shoqërore dhe përcaktimin – Nëna i deshi dhe u kujdes veçanërisht për të varfrit e të braktisurit, pa dallim se dhe nga vinin, ç’moshë kishin dhe cilit besim i përkitnin. Këtë gjë më së miri e shprehin fjalët e saj drejtuar Hyjit:

“Zoti im, sipas vullnesës sime të lirë e me ndihmën e dashurisë sate, unë dua të rri këtu nëpër rrugë me të varfrit për të përmbushur dëshirën tënde. Nuk dua të kthehem prapa: komuniteti im janë të varfrit (…) Shtëpia ime është shtëpia e të varfërve. Jo thjeshtë e të varfërve, po e të varfëve më të varfër (…) Të atyre që nuk ia dalin të qajnë, pse i kanë derdhur të gjithë lotët. Të atyre që shtrihen në kalldrëmet e rrugëve, duke ditur se po vdesin, ndërsa të gjithë të tjerët u kalojnë pranë pa u kushtuar atyre kujdes. Të atyre që kanë nevojë jo aq shumë për një shtëpi me tulla, po për një zemër që i kupton. Të atyre që janë të uritur, jo aq shumë për ushqim, sesa për fjalën e Hyjit. Të atyre që kanë nevojë jo aq shumë për t’u veshur, po për dinjitet, pastërti e drejtësi. Të atyre që janë të braktisur, të padëshiruar, ata që nuk i do askush, që kanë pësuar në rrjedhën e jetës, për arsye se dhe ata janë të varfër, shpirtërisht më të varfrit e të varfërve, në ngjasimin e të cilëve, ti, Zoti im, fshihesh, duke pasur etje për dashurinë time, saktësisht ashtu siç fshihesh në bukën e eukaristisë[35]”.

Me flijimin e vet e të motrave të veta për më të varfrit dhe më të mjerët Nëna nuk mendoi ta ndërronte botën. Ajo ishte e vetëdijshme se puna që bënte ajo dhe motrat e saj ishte punë e përvuajtur, nuk ishte tjetër pos një pikë ujë në oqean:

“Ne vetë jemi të bindura se ajo që bëjmë është vetëm një pikë (ujë) në oqean. Mirëpo, sikur kjo pikë të mos ishte në oqean, besoj se oqeani do të kishte diçka mangu, për arsye se i mungon ajo pikë. Për shembull: sikur të mos i kishim shkollat tona në lagjet e varfra (të qytetit të Kalkutës – v. ime) – s’janë gjë, janë vetëm shkolla të vogla fillestare, ku u mësojmë fëmijëve ta duan shkollën, të jenë të pastër e gjëra të tjera – sikur të mos i kishim këto shkolla të vogla, ata fëmijë, ata mijëra fëmijë do të mbetnin nëpër rrugë. Pra, kemi dy mundësi: ose t’i marrin dhe t’u ofrojmë diçka atyre, qoftë edhe krejt pak, ose t’i lëmë në rrugë. E njëta gjë vlen edhe për shtëpinë e njerëzve që janë në prag te vdekjes dhe për shtëpinë e fëmijëve. Sikur të mos e kishin këtë shtëpi, ato kreatura që i kemi mbledhur do të kishin vdekur nëpër rrugë. Besoj se e paguan barra qiranë që ta kemi atë shtëpi, qoftë edhe për pak persona që mund të vdesin në mirësi me Zotin dhe në paqe[36]”.

Qenësia e punës – flijimit të Nënës dhe të Misionareve të Dashurisë është se ato dhanë shembullin konkret, të bërë me përkushtim e përvujtëri të paparë, si mund dhe është e nevojshme që njerëzit e varfër dhe të mjerët të duhen me dashuri hyjnore, të kujdeset për ta me mirësinë dhe me dinjitetin më të madh.

Për të konkretizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të veprës së Nënës Tereze po sjell në vijim disa mendime, që, besoj, janë të rëndësishëm për ta kuptuar atë në disa përbërësit kryesorë të saj.

Kryeipeshkvi i Kalkutës, mons. Henry D’ Souza, theksonte se varfëria e jashtëzakonshme në Indi, sidomos në qytetin e Kalkutës, ku Nëna Tereze jetoi nga viti 1929, e tronditi atë thellësisht sa e bëri të ndryshojë, siç ndodhi me faktin që me punën dhe me flijimin e vet e të motrave – Misionaret e Dashurisë dhe të Vëllezërve misionarë të Dashurisë për më të varfrit dhe të mjerët, Nëna e ndryshoi Indinë:

“Po, India e ka ndryshuar Nënën Tereze, duke e detyruar me dhunën e varfërisë, ta përfillë çështjen e të varfërve nga më të varfrit. Mirëpo edhe Nëna Tereze e ka ndryshuar Indinë, duke e kundërshtuar mentalitetin fatalist dhe duke e rivendosur vlerën e pazëvendësueshme të individit[37]”.

Pra, në “ferrin e jetës së Kalkutës”, ku të varfrit vlerësoheshin “rrobë e pavlerë” dhe të “dënuar” nga Zoti, Nëna dhe motrat e saj me flijimin e pashembullt përligjen domosdonë e vlerës e të dinjitetit të çdo qenie njerëzore.

Duke folur për këtë dukuri Sandro Bordignano vë në dukje: “Për Nënën Tereze i varfi bëhet ‘profet i humanitetit të ri’. Ndoshta ende e adhurojmë për së tepërmi hyjnoren e përparimit për të pranuar njerëzoren e thellë të fjalëve të saj[38] (…) Besoj se asnjë filozof e as humanist nuk e ka ndjesinë kaq të gjallë të njerëzimit e të vlerës së secilës qenie njerëzore; takimi me kryetarin e bashkisë ose me kardinalin, me të gërbulurin ose me të varfrin, e shqetëson në të njëjtën mënyrë[39]”.

Nëna u kushtoi kujdesin e pashembullt të varfërve, po me veprimin e saj dhe i shenjtëroi ata, siç thekson bashkëpunëtori i saj, ati Langford:

“…Nëna Tereze ka punuar jo vetëm për shpëtimin e të varfërve, por edhe për shenjtërimin e tyre, domethënë për shndërrimin e tyre të plotë, me qëllim që të përmbushet plotësisht potenciali i tyre dhe dinjiteti i tyre në Zotin[40]”.

Për ta zbërthyer veprën e Nënës Tereze, që shumë prej atyre që qysh gjatë jetës e quajtën “Ungjilli i gjallë[41]”, çdo gjë duhet lidhur me besimin e saj të patundur në Hyjin dhe në Birin e tij, Jezu Krishtin, dhe në lutje[42], që ishte mjeti dhe burimi kryesor i jetës dhe i flijimit të saj për njeriun. Nëna jo rastësisht e pati shpallur veten “Shërbëtorja vullnetare e vullnesës së Zotit[43]”.

Në të vërtetë, Nëna na shpalos vetë, me qartësi mahnitëse, qenësinë e jetës e të veprimit dhe të gjithë asaj që mbërriti në jetë dhe në Misionaret e Dashurisë:

“Jam vetëm një grua e varfër që lutet. Duke u lutur, Zoti më ka mbushur zemrën me dashuri dhe kështu kam mundur t’i dua të varfrit me dashurinë e Hyjit[44]”.

Edhe rëndësinë e lutjes Nëna e shpreh në mënyrë thellësore, që është nga mendimet më të veçanta në gjithë traditën e krishterë:

“Lutja nuk është të kërkosh. Lutja është të vihesh në duart e Hyjit, të vihesh në shërbim të Tij dhe të dëgjosh zërin e Tij në thellësinë e zemrës sate[45]”.

Përmes lutjes Nëna Tereze i njësoi tokën dhe qiellin[46], konkreten dhe hyjnoren; lutja i bëri të mundur të vepronte me përkushtim e me dashuri hyjnore dhe t’i pranonte vuajtjet e njerëzve si të vetat dhe të bashkëvuante me ta. Ajo i shërbeu ta përballojë varfërinë, zhgënjimin, t’i përballojë dhimbjet, vuajtjet e veta dhe të të tjerëve. Varri i saj në Shtëpinë amë në Kalkutë, ndodhet pikërisht në vendin ku ajo, e gjunjëzuar, lutej me orë të tëra.

S’do mend se Nëna Tereze ishte një qenie njerëzore si të gjithë të tjerat, që në jetën e përditshëm përjetoi gëzimin dhe vuajtjen, dhimbjen dhe mjerimin. Mirëpo, ajo e bëri themel të veprimit të saj grishjen e Krishtit në kryq “Kam etje”, që e frymëzoi, i dha fuqi dhe guxim t’i përballonte vështirësitë dhe të papriturat e jetës konkrete. Këtë ajo e thotë në Letrën e Varanasit – Testamentin shpirtëror (25 mars 1993), dërguar motrave të Misionareve të Dashurisë[47] dhe pjesëtarëve të degëve të tjera misionare[48], të gjitha të themeluar nga ajo.

“Kam etje” për të ishte dashuria konkrete për tjetrin, ishte mirëkuptimi që secili njeri duhet të ketë për të afërmin; ishte etja për dashuri që e bën shpirtin e njeriut të pasur, njerëzor, hyjnor. Kush ka etje – dashuri për të afërmin – sidomos për të mjerët, ai ka etje – dashuri dhe për Hyjin. Nëna thoshte:

“Qe dashuria të jetë e vërtetë, para së gjithash, duhet të jetësohet për të afërmin tim… kjo dashuri më shpie tek dashuria e Zotit[49]”.

Në tekstet e ndryshme e të shumta, Nëna vë në dukje një gjë me rëndësi të shumëfishtë: Hyji ka nevojë për dashurinë e njeriut, për dashurinë tonë për arsye se duke u njësuar dhe duke u bërë njeriu një me dashurinë e Tij, ai (njeriu) pasurohet me dashuri të tillë për ta dëshmuar atë tek të tjerët, duke filluar nga prindërit, nga vëllai e motra, nga më i afërmi e për të vazhduar tek secila krijesë e Zotit.

Në Letrën e Varanasit, Nëna e bëri publike atë që i kishte ndodhur duke udhëtuar për Darjeeling, të Indisë (rrëzë Himalajeve) më 10 shtator 1946 (ku ishte nisur për të marrë pjesë në ushtrimet shpirtërore), me ç’rast përjetoi “Thirrjen brenda thirrjes” të Birit të Hyjit, Krishtit (thirrjen e parë të Tij ajo e përjetoi më 15 gusht 1922 në Kishën e Letnicës në Kosovë).

Thirrja e dytë e ndryshoi rrjedhën e jetës e të veprimit të Nënës Tereze. Pas 10 shtatorit të vitit 1946 veprimin e saj e cilësoi një përmasë e dukshme hyjnore, që e theksuan shumë nga njerëzit që bashkëpunuan e jetuan me të, “një praní të dritës”[50] së Hyjit që kishte dhe rrezatonte. Gazetarja e shquar italiane, Franka Xambonini, shkruan për takimin e saj me Nënën Tereze në Romë (më 26 prill 1990):

“Edhe një herë tjetër përjetova magjepsën e pranisë së saj. Më dha atë bekimin që buron nga fytyra e një qenieje hyjnore; një ndikim shpirtëror që indianët e quajnë dershan, një perceptim i së vërtetës së një qenieje më të lartë. Një minutë në praninë e një shenjti i fshin malet me mëkate, thonë shkrimet indu. Për të pranuar dershan rradhë (të tërë) turmash pritnin të kalonte Mahtma Gandhi. Sot ngarendin rreth Nënës Tereze kur e shohin nëpër rrugë të Kalkutës[51]”.

Kjo cilësi dhe kjo veçanti e Nënës përligjet edhe nga fjalët e kardinal Martini, i cili u takua shpesh me të:

“Sa herë që, në dhjetëvjetëshat e shkuar, e kam takuar Nënën Tereze të Kalkutës(…) kam fituar përshtypjen e thellë, si të një krijese jashtë asaj të përditshmes, gati si vegim të një qenieje që nuk i përket kësaj toke, edhe pse me aftësinë t’i administrojë gjërat konkrete tokësore. Kishte në të një të përbashkët unike të butësisë e të forcës, të shpirtshmërisë e të konkretësisë, të përvujtërisë e të vetëdijes së dinjitetit e të misionit të saj, që me bënin të më shfaqej si diçka, rrënjët e së cilës nuk dukej të ishin në këtë botë[52]”.

Edhe fjalët e motrës Nìrmala e përligjin thellësisht përmasën hyjnore të Nënës Tereze:

“Më kujtohet se sytë e Nënës Tereze shikonin përtej kësaj bote. Nëna Tereze i qe dorëzuar në mënyrë të thellë, absolute, vullnesës së Zotit e, Zoti, e përdori si vegël për dashurinë e tij[53] (…) Zemra e Nënës digjej nga dashuria për Krishtin – Eukaristinë (në kungim), të cilit ajo ia kushtoi krejtësisht dhe paanësisht jetën e saj, me një besim të përzemërt në Të, e Ai e shndërroi (Nënën Tereze – v. ime) në Veten e vet. Kështu, kur njerëzit e shihnin atë, në realitet e shihnin vetëm Krishtin[54]”.

Duke u bërë pjesë e dashurisë së Hyjit, Nëna Tereze i deshi njerëzit me atë dashuri dhe atë dashuri e barti sidomos tek të mjerët, tek të braktisurit dhe tek të gërbulurit për t’ua lehtësuar dhembjet dhe vuajtjet, siç thotë bashkëpunëtori i saj, ati Langford: “Na ka mësuar (Nëna Tereze) që, në emër të Zotit, ta përqafojmë cilindo që nuk është i dashur, cilindo që e gjejmë në veten tonë dhe tek të tjerët. Nëpërmjet saj Zoti e ka vënë dorën e vet mëshiruese në dhembjen tonë dhe në plagët tona[55]”.

Vlerën e jashtëzakonshme të veprës dhe të figurës së Nënës Tereze e përligji dhe Kongresi amerikan në qershor të vitit 1997 me rastin e dhënies së Medaljes së artë:

“Kongresi amerikan vlerëson se Nëna Tereze ka bërë një ndikim vendimtar në çdo sektor të jetës dhe në çdo kënd të botës…Sipas vlerësimit të Kongresit amerikan Nëna Tereze është një vegël e vullnesës së Zotit. Dashuria për Zotin, që vinte nëpërmjet Nënës Tereze, ka ndikuar në mënyrë të pashlyeshme dhe e ka ndërruar historinë njerëzore. Nëpërmjet shembullit personal Nëna Tereze i drejton dhe u tregon njerëzve si mund të jetohet në dashuri për njerëzimin[56]”.

Më duket me vend që këtë kumtesë ta mbyll me dy mendime nëpërmjet të cilave ndriçohet rëndësia e jashtëzakonshme e veprës dhe e mendimit të Nënës Tereze që shtrihet në tri përmasa kohore: dje, sot dhe nesër.

Papa Gjon Palit II një vit pas vdekjes së Nënës Tereze (më 1998), tha:

“Saktësisht një vit më parë, në muzgun e 5 shtatorit, vdiq në Kalkutë Nëna Tereze. Kujtimi i saj mbetet i gjallë në secilin prej nesh, në gjithë Kishën dhe në tërë botën. Çfarë vepre të mrekullueshme ka ditur ta përmbushë deri në fund kjo grua me shtat të vogël, lindur në një familje të përvuajtur, me forcën e besimit në Zotin e të dashurisë për të afërmin! Nëna Tereze ka qenë një dhuratë e Zotit për të varfrit nga më të varfrit e në të njëjtën kohë, (dhuratë) për dashurinë e saj të jashtëzakonshme për më të mjerët… Përkushtimi i saj i tërësishëm Zotit, përligjur prej ditë në ditë në lutje, u shndërrua në një përkushtim të plotë për të afërmin. Në buzëqeshjen, në gjestet e në fjalët e Nënës Tereze, Jezusi ka ecur nëpër rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vazhdon të bëjë në Misionaret e Dashurisë e në Vëllezërit misionarë të Dashurisë, që përbëjnë një familje të madhe të themeluar nga ajo. U shprehim falënderimin bijave dhe bijve të Nënës Tereze për përcaktimin e tyre radikal ungjillor dhe lutemi për të gjithë këta që të mos ndërpresin t’i rrinë besnikë hirit që Shpirti i Shenjtë pati ngjallur në Themeluesen e tyre[57]”.

Motra, Mary Nìrmala Joshi, pasardhësja e parë në drejtimin e Misionareve të Dashurisë, pas pesë vjetësh të ndërrimit të jetës së Nënës Tereze tha:

“Dëshmia dhe mesazhi i saj janë bërë të çmueshëm për persona të çdo feje, si shenjë që Zoti edhe sot e do botën. Në pesë vitet e fundit pas vdekjes së saj shumë vetë i janë drejtuar asaj për të kërkuar ndihmë dhe kanë provuar dashurinë e Zotit përmes ndërmjetësimit të saj…Të gjithë të sëmurët, ata që vuajnë dhe gjithë ata që kërkojnë ndihmën e Zotit gjejnë tek Nëna Tereze një mike që ndërmjetëson për ta[58]”.

Jam i bindur se hiri i Hyjit, edhe nëpërmjet Nënës Tereze, bijës së Tij dhe bijës së popullit tonë, e cila tashmë është në Vatrën e dritës së Tij, do ta ndriçojë e do ta vërë për së mbari njeriun tonë dhe botën që ai i përket.

Kozencë, qershor 2010(Dielli-arkiv)

 [1] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974, f. 144. Titulli i origjinalit Malcolm Muggeridge, Something Beautiful for God. Mother Teresa of Calcutta. Harper & Wow. New York 1971.

[2] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 18.

[3] Emri i pagëzimit në kishë i Nënës Tereze ishte Agneze (shqiptohej Anjeze), ndërsa Gonxhe ishte emri përkëdhelës që e pë56rdornin prindërit dhe të afërmit. Rozë ishte emri i nënës së Nënës Tereze, e njohur si Drane. Kola ishte babai, ndërsa vëllai Lazri dhe motra Ag-ja.

[4] Është ndër rendet më të vjetra themeluar për herën e parë më 1609 nga Mary Ward, ripërtërirë më 1821 në Irlandë nga motra Teresa Ball, e cila nga viti 1841 dërgoi motrat në Kalkutë të Indisë.

[5] Leja nga Vatikani për themelimin e rendit Misionaret e Dashurisë mbërriti në Kalkutë të Indisë më 18 gusht 1948.

[6] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 68.

[7] Shih për përkimet e mendimeve të Shën Palit me ato të Nënës Terze në librim tim Shën Pali dhe Nëna Tereze. Qasje besimit – dashurisë për Hyjin e për njeriun. “Maluka”, Tiranë 2009; botimi i dytë i plotësuar: “Sanctae Crucis”, Prishtinë 2009.

[8] José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2003, f. 7..

[9] Angelo Comastri, Madre Teresa. Una goccia d’acqua pulita. Paoline. 4ª Edizione, Milano 2007, f. 29.

[10] Sipas Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 220. Shih dhe José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio, vep. e përm., f. 20.

[11] Madre Teresa di Calcutta, Il mio libro di preghiere. A cura di Francesco Follo. Mondadori, Milano, 2002, f. 445 – 446.

[12] Shih Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”. A cura di Brian Kolodiejchuk. Rizzoli, Milano 2008, f. 39 dhe f. 370.

[13] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 252.

[14] Nocionin rend këtu e përdor në kuptimin e kongregatës.

[15] Në Letrën e Shën Pali dërguar filipianëve thuhet “Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua me dashurinë e Jezu Krishtit” (Fil 1, 8).

[16] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline 8° Edizione, Milano 2007, f. 105.

[17] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”., vep. e përm., f. 254

[18] Madre Teresa. La gioia di amare. 365 meditazioni quotidiane. Oscar Mondadori, ottobre 2009, 18 maggio.

[19] Cituar sipas Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 69.

[20] José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio, vep. e përm., f. 108..

[21] Shih Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa. Traduzione di Alessandra Borgonovo e Claudia Valentini. Rizzoli. Milano, 2009, f. 23.

[22] Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”. Raccolta di preghiere. Tratti dagli scritti di Madre Teresa a cura di Padre Giuseppe Giacomelli, Editrice Shalom, 2000, f. 43.

Në librin Madre Teresa di Calcutta, La gioia di darsi agli altri. A cura di José Luis Gonzáles Balado. Oscar Mondatori, Milano 2oo7, f. 75, Nëna Tereze thotë: “Nuk përpiqemi që t’ua detyrojmë të tjerëve fenë tonë. Përpiqemi vetëm të veprojmë në atë mënyrë që Krishti ta kalojë Dritën e vet dhe Jetën e vet në ne dhe, nëpërmjet nesh, në botën e varfër. Kërkojmë të veprojmë në atë mënyrë që të varfrit, çfarëdo që të jenë besimet e tyre, duke parë, do të vërejnë afrimin drejt Krishtit… ”

[23] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 198.

[24] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 199.

[25] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 104.

[26] Eileen Egan – Kathleen Egan, Madre Teresa e le Beatitudini. Queriniana. Brescia, 2000, f. 102.

[27] Cituar sipas Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 23.

[28] Lumturimi i Nënës Terese u bë më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

[29] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 157.

[30] Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 116.

[31] Filmi i tij dokumentar për Nënën Tereze dhe për motrat – Misionaret e Dashurisë me titull “Something Beautiful for God. Mother Teresa of Calcutta” – Të bëjmë diçka të mirë për Zotin” bashkë me librin e tij, me të njëjtin titull, shërbyen si bazë për shumë autorë që shkruan dhe botuan libra për Nënën Tereze.

[32] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 10.

[33] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 11.

[34] Mario Bertini, Sulle strade di Madre Teresa. 2° Edizione, Paoline. Milano 2003, f. 124.

[35] Marrë nga Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 165.

[36] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 118.

[37] F. Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 100.

[38] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 61.

[39] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali, vep. e përm., f. 44.

[40] Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 73.

[41] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 80.

[42] Shih më gjerësisht për lutjen dhe rëndësinë që Nëna Terze i jepte asaj në studimin tim: Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze. “Fjala hyjnore”, Prishtinë 2005.

[43] Madre Teresa, Sorridere a Dio. Esperienze – preghiere spunti di riflessione. Diciannovesima edizione. San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2003, f. 73.

[44] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente., vep. e përm., f. 27.

[45] Madre Teresa di Calcutta, Il mio libro di preghiere, vep. e përm., f. 6.

[46] F. Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 78.

[47] Shih më gjerësisht për këtë në librin: Nëna Tereze, Testamenti shpirtëror. Shqipërimin nga italishtja dhe analizën Anton Nikë Berisha. “Fjala hyjnore”, Prishtinë 2008.

[48] Pos Misionaret e Dashurisë (1950) Nëna Tereze themelo dhe katër degë të tjera: Vëllezërit misionarë të Dashurisë (1966); Motrat kontemplative (1976) kushtuar lutjes dhe ndërmjetësimit për të varfrit; Vëllezërit kontempaltivë (1979) dhe Etërit misionarë të Dashurisë (1984), për t’u ofruar ndihmë dhe shërim shpirtëror motrave dhe vëllezërve misionarë të Dashurisë. Shih Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 24.

[49] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali, vep. e përm., f. 38.

[50] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi. 3° Edizione, Paoline Editoriale Libri, Milano 2003, f. 19.

[51] F. Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 164.

[52] Marrë nga “La repubblica” më 18 tetor 2003.

[53] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta. 37 Collana Campioni. Ellenici, Leumann (Torino), 1999, f. 21.

[54] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta, vep. e përm., f. 27..

[55] Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 158 – 159.

[56] Në emër të Kongresit Amerikan këto fjalë i tha deputeti Jachson Junior më 9 qershor 1997. Cituar sipas Cristina Siccardi, Madre Teresa. Tutto iniziò nella mia terra. San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2009, f. 173.

[57] José-Luis González-Balado, Madre Teresa, il sorriso degli ultimi. Città Nuova Editrice, Roma 2005, f. 190.

[58] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep.e përm., f. 116.

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Nik Berisha, I desha njerezit, me dashurine e Hyjit, Nena Tereze

Pistat e reja të Rezolutës Çame

October 21, 2013 by dgreca

SHKRUAN: MENTOR NAZARKO*/

Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame më në fund u botua në Fletoren Zyrtare, duke nënkuptuar një dokument deri diku detyrues për politikën e jashtme shqiptare. Jo rastësisht duke iu referuar asaj, ministri i Jashtëm grek tha se nuk e njihte këtë fakt, ndërkohë që në qëndrimet e institucioneve shqiptare po vihet re një lloj aktivizimi i tyre në drejtim të ngritjes së kësaj çështjeje në kontaktet dypalëshe. Po vihet re se çështja çame në sytë e këtyre institucioneve nuk është më një çështje inekzistente apo individësh, por çështje në dosjen diplomatike dhe çështje kolektive.
Rezoluta përfaqëson me të vërtetë diçka simbolike për komunitetin çam, sepse është një tekst de facto i miratuar në një sallë parlamenti të rrethuar nga ky komunitet, i cili i përplasur me policinë, u përgjak, u izolua në rajone të ndryshme policie. Vetëm 9 vjet më vonë ajo konsiderohet e miratuar dhe de jure. Në të vërtetë, ky tekst bart presionin e madh grek që u ushtrua mbi palët në momentin e miratimit parlamentar (ose në vigjilje të tij), ndërsa gjatë punimeve në Komisionin e Jashtëm nuk u ndje ky presion. Të dy partitë kryesore, PS në pushtet dhe PD në opozitë, së bashku me parti historike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, e miratuan me konsensus tekstin. Por ama, kur projektrezoluta mbërriti në sallën e Parlamentit, tensioni që vinte nga jashtë- nga presioni diplomatik i Greqisë dhe nga thirrjet e protestuesve të grupuar nga shoqata “Çamëria”, u pa se Berisha iku nga salla, ndërsa Nano urdhëroi të vetët që të mos e votonin, ose të abstenonin. Me gjithë manovrat e deputetëve të caktuar për të ndaluar rezultatin pozitiv, nëpërmjet abstenimeve të shumta, madje dhe ndikimin mbi vetë kryetarin e Parlamentit, Rezoluta sot është në fuqi.
Duhet mbajtur parasysh diçka në kontekstin historik. Shqipëria ende nuk ishte anëtare e NATO-s. Konsiderohej si diçka  e jashtëzakonshme iniciativa e Adriatikut, ndërmarrë nga SHBA-të për Shqipërinë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Pra, Parlamenti i Shqipërisë tregonte guxim në raport me presionin e një vendi anëtar të NATO-s, i cili kishte një votë apo një veto në raport me anëtarësimin eventual të Shqipërisë në vëllazërinë atlantike. Po sot që Shqipëria është anëtare e NATO-s, si duhet parë kjo Rezolutë?
Teksti në fjalë në fakt kapërcen dhe pritshmërinë e vetë komunitetit çam, sepse kapërcen projektrezolutën e paraqitur nga vetë Shoqata në atë vit, por ama është ndërkohë shumë më konkret duke reflektuar qoftë kuadrin tërësor të të drejtave të këtij komuniteti apo komunitetit shqiptar në përgjithësi, qoftë referenca shumë të sakta në pikëpamje kohore për të drejtën e pronësisë. Ndihet se në këtë tekst ka punuar me shumë gjasa dhe avokati i njohur, ndoshta eksperti më i mirë i çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Greqi, Agim Tartari.
Komentet nen për nen
1.Rezoluta hapet me bazamentin diplomatik dhe ndërshtetëror ku mbështetet teksti i rezolutës, duke e konsideruar vetë rezolutën si kontribut në marrëdhëniet e mira dhe në favor të paqes e sigurisë. Qasja që ndihet veçanërisht te ky paragraf është: zgjidhja e një problemi kaq të madh të së shkuarës kontribuon në përmirësimin e klimës së sigurisë dhe paqes mes dy vendeve. Sigurisht dhe heqja e ligjit të luftës, respektivisht abrogimi i tij, i efekteve të tij kryesore ndikon thelbësisht në këtë objektiv të sigurimit të paqes.
2.Referimi te Konventa Europiane, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare, të njohura nga të dyja palët, është referim te një kornizë që ofron shumëçka për të drejtat e shqiptarëve në Greqi, veçanërisht të komunitetit çam. Përmendet dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e OKB-së, e cila është miratuar më herët sesa Konventa Europiane. Ndërkohë ka referime dhe për dokumente të tjera ndërkombëtare, që është term i gjerë, por që mund të lëvizë nga ato që lidhen me institucionet e drejtësisë, si GJND etj., deri te konventa më specifike për gjenocidin, krimet e luftës etj. Në këto akte ndërkombëtare flitet për të drejtën e mosdiskriminimit mbi bazë etnike, fetare, kombësie, të drejtën e gëzimit të lirë të pronësisë etj.
3.Referimi te fryma e Traktatit të miqësisë ofron një koncept shumë të gjerë që, i mbështetur mbi aktet e tjera ndërkombëtare të përmendura më sipër, krijon bazën më të rëndësishme juridike ku mbështeten pretendimet e komunitetit çam. Ky Traktat, si çdo traktat dypalësh, ka në themel të vet parimin e reciprocitetit.  Me një fjalë, çfarëdo që kërkohet prej një shteti, i duhet ofruar dhe shtetit tjetër. Greqia, e cila, me shumë gjasa, siç pohojnë ekspertë të Ministrisë së Jashtme të asaj kohe, ishte autorja e projektit në linja kryesore, nuk mund ta shmangte banalisht këtë parim, ndaj në këtë Traktat reciprociteti ndihet qartësisht i përmendur dhe i konsideruar. Pra, flitet për të drejta minoritare, flitet për të drejtën e pronësisë, për mësimin e gjuhës dhe trashëgiminë respektive kulturore, përfshi përmendoret, për zgjidhjen e konflikteve në frymën paqedashëse, dhe eventualisht përdorimin e institucioneve ndërkombëtare në rast të dështimit të negociatave dypalëshe. Ka një rilexim pasurues të këtij Traktati në dritën e reciprocitetit, i cili realisht ka funksionuar vetëm për palën greke. Ky traktat duhet të funksionojë edhe për palën shqiptare në territorin grek. Për këtë, çdo akt ligjor grek që bie në kundërshtim me Traktatin, sepse cenon zbatimin e tij për shtetasit shqiptarë, do duhet të shfuqizohet.
4. Shprehja “është koha… për zgjidhjen… e të drejtave çame”, në fakt ngjan shumë interesante. Viti 2004 është afro 10 vjet pasi ish-ministri i Jashtëm grek, sot President i Greqisë, zoti Papulias, i kishte thënë homologut të vet Serreqi, se “duhet të kalonte pak kohë që të krijohej mundësia e shqyrtimit të çështjes çame”, sepse sipas tij “plagët ishin ende të hapura”. Pra, Parlamenti i Shqipërisë ngjan se i përgjigjet kështu zotit Papulias: ka ardhur koha për zgjidhjen e çështjes çame. Fryma e Traktatit të miqësisë është korniza apo çadra më e mirë për një kuadër tërësor të këtyre të drejtave.
5.Nëse më sipër thuhet se “është koha…”, atëherë është normale që “qeveria të shtojë përpjekjet”. Por, nëse në paragrafin e mësipërm flitet për një kuadër tërësor të drejtash që duhet të rishqyrtohen, Kuvendi nëpërmjet kësaj rezolute e vë theksin kryesor mes tyre te “çështja e pronave dhe pasuritë e tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame”. Në fakt, kjo çështje është jo vetëm e komunitetit çam, por edhe e shqiptarëve të tjerë të Greqisë, por Kuvendi ka dashur të theksojë komunitetin çam si përbërësen kryesore të kësaj popullsie. Ndërkohë, në përgjigje të shqetësimit të disa maksimalistëve brenda komunitetit, e drejta e pronësisë është e vetmja e drejtë e cila siguron të gjithë të drejtat e tjera si pasojë dhe ndërkohë është e vetmja e drejtë e cila mund të pretendohet më lehtësisht në kontekstin aktual të marrëdhënieve me Greqinë. Madje dhe në institucionet ndërkombëtare kompetente, pa krijuar konflikt të fortë me këtë shtet që ka rëndësinë që ka në rrafsh rajonal dhe global. Pra, Greqia s’ka asnjë bazë në refuzimin e kësaj të drejte për shtetasit shqiptarë me origjinë çame ose jo, që kanë të drejta pronësore në Greqi. A është rastësor apo jo referimi te popullsia çame dhe jo te qytetarët e tjerë, kjo është pa rëndësi për komunitetin çam, por kërkon një lloj pyetësori të autorëve të këtij teksti. A mendojnë ata se vetëm komuniteti çam ka pretendime pronësore, apo ata ngatërrojnë të gjithë shqiptarët e Greqisë me çamët? E njëjta gjë dhe në paragrafin e mëposhtëm. 6.Ligji i Luftës nuk prek vetëm pasuritë e popullsisë çame, pasi ata morën shtetësi shqiptare.
Paragrafi me referencën për Ligjin e Luftës është paragrafi më i qartë dhe më konkret i gjithë tekstit.
Së pari, ai pohon se Ligji i Luftës është ende në fuqi, sepse është në fuqi efekti kryesor i këtij ligji: sekuestroja konservative. Sekuestroja konservative sipas Ligjit të Luftës duhet të binte automatikisht me heqjen e gjendjes së luftës apo me rënien e cilësimit armik të Shqipërisë, dhe respektivisht dhe të shtetasve të saj si shtetas armiq. Ky cilësim duhet të ketë rënë sipas të drejtës ndërkombëtare me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në 1971, apo në 1987, kur kryeministri Papandreu e shpalli këtë heqje me komunikatë qeveritare, apo me firmosjen e Traktatit të miqësisë në 1996, që në të vërtetë ngjan shumë me një traktat paqeje. Ama autoritetet greke nuk kanë respektuar procedurat e parashikuara në ligjin e luftës të nëntorit 1940, ndaj shumë ekspertë grekë thonë se Ligji i Luftës është ende në fuqi. Për më shumë sekuestroja konservative mbetet ende në fuqi, si efekti më kryesor i këtij ligji, së bashku me pretendimet e ekstremistëve grekë mbi Vorio Epirin.
Së dyti, ai konsideron se nevojitet një zgjidhje e shpejtë qoftë në aspektin teknik, qoftë në atë juridik, e cila duhet të jetë një zgjidhje kolektive dhe jo një zgjidhje individuale siç thonë autoritetet greke, të cilat ftojnë që qytetarët shqiptarë t’u drejtohen gjykatave të vendit të tyre apo Strasburgut, si tha Venizelos. Po a ka mundësi reale që një problem kaq i madh, pra që prek një numër kaq të madh qytetarësh, të zgjidhet me procese gjyqësore individuale? Po koha që rrjedh, komplikimet që bart, shtimin e trashëgimtarëve apo vdekjen e tyre etj. etj?
Së treti, parë në këtë perspektivë – atë të pronave, të heqjes së sekuestros konservative, Parlamenti shqiptar kërkon ngrirjen e ligjit grek Nr. 2664, i cili vendoste një afat 7-vjeçar për regjistrimin e gjithë pronave në Greqi, shto dhe një dy vjeçar për konfliktet e mundshme, dhe pas këtij 9-vjetëshi vënien e gurit të rëndë mbi çështjen e pronave shqiptare në Greqi. Sot kjo kërkesë ngjan e kapërcyer, por ajo duhet të përkthehet në shtyrjen e afatit kohor të parashikuar prej këtij ligji për regjistrimin e pasurive shqiptare në hipotekat greke.
7.Parlamenti i sugjeron qeverisë veprimin konkret: krijimin e grupeve të posaçme të punës dhe i kërkon përshpejtim. Pse? Sepse në të vërtetë grupe të tilla u krijuan që para Traktatit, por ama nuk vazhduan funksionimin. Ndërkohë, sipas Traktatit, grupe të tilla duhet të ngrihen jo vetëm për çështjen e pronësisë, por edhe çështje të tjera sipas parimit të reciprocitetit. Kjo u ripohua në takimin me Venizelos dhe ngjan se ka qenë kërkesa e autoriteteve tona.
8.Prapa fjalisë diplomatike, ku flitet për rregullimet ligjore që duhet të bëjë qeveria greke, fshihet gjithashtu një sugjerim i rëndësishëm i mbështetur mbi një të vërtetë absolute, që jo rrallë injorohet nga politika qeveritare. Traktati i miqësisë nuk është imediatisht i zbatueshëm, por ai ka nevojë për rregullime ligjore përkatëse që përmenden më sipër: abrogimi i Ligjit të Luftës, respektivisht heqja e sekuestros konservative. Po ashtu duhet të abrogohen ato ligje greke të cilat konsiderohen si pjesë e Kushtetutës greke dhe që kufizojnë ushtrimin e lirë të së drejtës së pronësisë së qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe që janë në kundërshtim me nenin 15 të Traktatit të miqësisë. Në këtë nen duket ndikimi i ekspertëve më të mirë, respektivisht i avokatit Agim Tartari në formulimin e tij.
9.Edhe paragrafi mbi nevojën e njohjes ndërkombëtare të këtij teksti ka rëndësi të jashtëzakonshme: ndërkombëtarizimin e problemit. Ai duhet të ndodhë sipas rezolutës, që në fillim dhe jo si kushtëzim nëse qeveria greke nuk reagon pozitivisht. Pra, edhe ky nen e bën këtë rezolutë më të avancuar se projektrezoluta e dhjetorit 2012 apo dhe ajo e prezantuar prej komunitetit çam. Brenda shprehjes “qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit”, nënkuptohen fuqitë e mëdha që kanë ndikim absolut te Greqia, dhe institucionet do të ishin Bashkimi Europian, Këshilli i Europës, apo dhe institucionet e drejtësisë europiane dhe botërore. Prej këtij neni të fundit rrjedh automatikisht detyrimi i qeverisë shqiptare që t’ia dërgojë tekstin e rezolutës këtyre fuqive të mëdha të paktën, ashtu si dhe vetë Bashkimit Europian.

  • E dergoi per Diellin Sali Bollati

Filed Under: Analiza Tagged With: e ceshtjes came, Mentor Nazarko, per zgjidhjen, Pista te reja

EDHE NJË HERË PËR KATOVICËN SHQIPTARE DHE HALLET TONA

October 21, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca/

U desh një deklaratë e politikanit të së majtës, Servet  Pëllumbi, në intervistë me gazetarin Roland Qafoku në Channal One TV, që politika shqiptare dhe media bashkë me të, të nisin një furtunë në gotën e ujit.Pyetja shtrohet: Ka apo nuk ka Katovicë shqiptare? Ka apo nuk ka fjalim të Ramiz Alisë në Byronë Politike? Cilat janë pikat e takimit mes Katovicës Polake, ku Gorbaçovi lëshoi tezat e reja të orientimit të komunistëve në mbarë kampin e shpartalluar për t’u konvertuar dhe asaj çfarë ndodhi me Shqipërinë që pat deklaruar se nuk ishte as lindje as perëndim, dhe se nuk do ta tradhëtonte komunizmin.

Duke qenë se para 15 vitesh e kam botuar një koment-editorial në gazetën Republika, pas një dokumenti të servirur nga deputeti i atëherëshëm i Partisë Demokratike,Tomorr Malasi, ende sot nuk mund të pohoj se ai dokument ishte apo jo origjinal sepse  nuk i kisha mundësitë e verfikimit.

Kur profesori i Filozofisë Marksiste-Leniniste, e risolli këtë përfolje në fokusin e medias, por pa përmendur atë ç’ka ishte shkruar 15 vite të shkuara, nuk mund të heshtja, dhe përmes gazetës Dielli online, i rikujtova profesorit se ai dokument që po pretendon se e servir për të parën herë, është servirur një herë 15 vite të shkuara. Shkrimi i Diellit u botua edhe në Tiranë në disa gazeta të përditshme. Pyetja që shtrova për Servet Pëllumbin ishte: Përse heshte atëherë dhe përse zgjodhe këtë kohë për të thënë atë që pretendon se “ zotëron dokumentin origjinal”? Përse nuk fole sa qe Ramiz Alia gjallë. Nëse kjo është e vërtetë, pra se Byroja Politike është mbledhë dhe Ramiz Alia ka dhënë udhëzimet e kalimit të butë dhe të kontrolluar nga socializmi në kapitalizëm, përse nuk dëshmojnë anëtarët e Byrosë Politike, derisa nuk kanë ikur të gjithë nga kjo botë! Ka ende ish anëtarë të Byrosë Politike gjallë, përse nuk shkon investigimi i gazetarëve deri tek ata?

24 vjet pasi qenka mbajtë ai fjalim, si nuk arritën historianët apo dhe politologët, që ta zbardhnin të vërtetën? Ka apo jo procesverbale? Po pas 15 viteve, pasi u hodh kjo tezë në shtyp, pse s’pati reagime? Dyshimin e mosegzistencës e shton edhe fakti se dokumenti i servirur nuk ka numër protokolli, por vetëm shënimin “top secret” dhe vitin e mbledhjes së Byrosë Politike, 1989. Së paku ai dokument që më qe vënë mua në dispozicion, nuk e kishte datën.

Në emisionin e dytë që organizoi gazetari Roland Qafoku në Channal One TV, më ftoi dhe mua si pjesë e panelit të tij që të bëja një prononcim publik për atë ç’ka kishte ndodhë 15 vite të shkuara dhe çfarë mendoja unë për vërtetësinë e dokumentit të servirur. Pyetjes së tij nëse unë besoja apo jo në Katovicën Shqiptare, egziston apo jo një dokument origjinal; ka mbajtë apo jo një fjalim të atillë Ramiz Alia, iu përgjigja indirekt duke iu referuar një novele të shkrimtarit dhe gazetarit Filip Çakuli, botuar në shtypin lokal para rrëzimit të sistemit diktatorial. Në novelën e tij, Çakuli, lunate me paradoksin. Subjekti ndërtohej mbi këtë fabul: Sulltani ka thirrë në raport Skënderbeun. Pasi e lëvdon për trimëritë në beteja, që ia kanë ndritë faqen Perandorisë Osmane, parathotë se një ditë, ai, Skënderbeu, do të bëhej armiku i atij vetë, Sulltanit dhe Perandorisë; do të dredhonte nga beteja e Huniadit, do të merrte 300 kalorës, do të shkonte në fortesën e Krujës, do t’i priste kokën zotëruesit turk dhe do të bëhej zot i saj. Do të mblidhte Kuvendin e Lezhës, do të krijonte beslidhjen shqiptare dhe do të bashkonte rreth vetes të gjithë princat shqiptarë. Për 25 vjet, i kish thënë Sulltani, ti Skënderbej, do të jeshë kryezot i Shqipërisë dhe do t’i fitosh betejat dhe do t’i mposhtësh rrethimet tona duke triumfuar.Ti do të përdorësh strategjinë e qëndresës në kështjella, ku do të mbashë pak forca, dhe një pjesë të forcave do ta fshehësh në pyje. Unë do të përdor nipin tënd, Hamzanë,si kalë Troje, i cili do të kundërvihet ty, unë do ta fitoj një betejë, por nuk do të mposht dot.Pas 25 vjetësh ti do të vdesësh nga ethet e malarjes dhe unë do ta ripushtoj Shqipërinë. Ne, turqit do të qëndrojmë 500 vjetë në Shqipëri si në shtëpinë tonë. Pas 500 vitesh, me 28 Nëntor 1912, një tjetër shqiptar, do të dalë nga oborri i Padishahut dhe do të shkojë në Vlorë për të shpallë Pavarësinë. Ai do të jetë Ismail Bej Qemali…

Kjo përbënte shkurtazi fabulën e novelës së Çakulit. Po ku qëndron pikëtakimi me Katovicën shqiptare dhe pasojat e saj? Pikëtakimi qëndron në dokumentimin me shkrim në paskohën e rrëfimit të ngjarjeve.Shkruhet pasi ato kanë ndodhë. Kështu dhe Katovica shqiptare që i referohet “dokumenti origjinal” i Pëllumbit apo ai që na seviri Tomorr Malasi,para 15 viteve, ka gjasa që të jetë sajuar pasi kanë ndodhë ngjarjet.Shkurt, ka gjasa që të jetë sajesë prej dikujt që kërkon kaos dhe tymnajë.

Ramiz Alia ka vdekë dhe në të gjallë të vet nuk e zuri në gojë Katovicën. Po të ishte e vërtetë ai do të mburrej me të dhe do ta shkruante në kujtimet e veta.Dy personazhet kryesorë, që lakohen si mbartës të pushtetit të mbikqyrur besueshmërisht, Sali Berisha dhe Fatos Nano, e kundërshtuan tezën e profesorit të Filozofisë. Berisha e quajti Katovicën e Pëllumbit, si përrallë nga e kaluara dhe vetë Servetin, bolshevikun e fundit, ndërsa Fatos Nano, që e mori Partinë Socialiste në mirëbesim nga Ramiz Alia, e ironizoi Katovicën e Servetit si “broçkullat e Pëllumbit”. Po ashtu ish sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, dëshmoi se asgjë nuk ka ardhë nga Gorbaçovi dhe se asnjë mbledhje nuk ishte bërë në Byronë Politike, për kalimin e pushtetit sipas tezave të Gorbaçovit. Të gjitha këto ka gjasa të jenë të vërteta, por ç’rëndësi ka?

Në vështrimin tim nuk ka rëndësi fare nëse ka egzistuar apo jo një dokument i tillë. Është organizuar apo jo një mbledhje e Byrosë Politike, ku Ramiz Alia të ketë dhënë udhëzime që në fakt i gjejmë të materializuara sot në Shqipërinë e trazuar. Katovica është një dukuri e vendeve të Lindjes, ku klasa që kishte pushtetin përpiqej ta lëshonte atë përkohësisht me rënie të lirë, të runate kokën, dhe mundësisht gjithçka të realizohej pa viktima nga radhët e saj. Fakti se Katovica e Gorbaçovit ka ndodhë, askush nuk e mohon.Tezat, janë po ato që “dokumenti” i Katovicës shqiptare i vë në gojën e Ramiz Alisë.

Është e vërtetë se pluralizmi nisi me njerëz të besuar,janë të pakët ata që e kundërshtojnë këtë tezë. Hidhini një vështrim historisë 23 vjeçare të partive shqiptare dhe shihni se kush i ka udhëhequr ato.Tek të gjitha ka një skemë si nisje me porosi nga lart, diku me gjurmë të lexueshme, e diku jo. Po i referohemi vetëm njërës, Partisë Social Demokrate të ish Ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushi. Lëvizjet e tij duket se janë të përllogaritura dhe të inskenuara fort mirë: E dha dorëheqjen në ditët e shkurtit 1991, pasi kishte qenë tek gjuri i Ramiz Alisë në ditët e nxehta të grevës së studentëve. Më 20 shkurt u rrëzua busti i Enver Hoxhës, me 21 shkurt Gjinushi mblodhi Komisionin nismëtar në një nga zyrat e Pallatit të Kulturës të kryeqytetit, ku u vetëshpall me urdhër nga lartë, kryetar i Partisë Socialdemokrate. Një miku im, pjestar në atë takim, më ka treguar se gjithçka dukej e parapërgatitur. Paradite u mblodh komisioni, programi kishte qenë gati pa u themeluar partia, dhe nuk e kishin mbajtë të fshehtë autorin e atij programi, ishte Agim Popa, i njohur si teoricien i Komitetit Qendror të PPSH, (thonë se një pjesë e programeve të partive të reja kaluan nga duart e Sofokli Lazrit). Po në atë mbledhje të prirur nga Gjinushi, pjesmarrësit ishin njoftuar se pasdite do të vinin nga rrethet 300 vetë, që do të ishin edhe firmëtarë të krijimit të Partisë. Një nga të nëntë themeluesit në atë takim, ishte ngritur dhe kishte guxuar të shtronte një pyetje: Po si u lajmëruan këta 300 vetë dhe kur? Ne po mblidhemi për të parën herë, apo jo?! Përgjigja ishte rrëshqitëse. Dhe pasdite të treqindët kishin ardhë edhe pse në bulevard ishin tanket, që ishin nxjerrë për të treguar forcën e pushtetit në rënie, mbledhja ishte bërë në godinën qendrore të Universitetit. Skenari flet vetë. Po partitë e tjera, si u krijuan me kryetarë të gatshëm? Ndoshta kjo nuk ka më rëndësi pas 23 vjetësh.

Mendoj se nuk ka nevojë që të debatohet gjatë, e lagu s’e lagu, ka apo jo dokument të Katovicës shqiptare, gjasat janë se ajo nuk egziston, por nga ana tjetër, Katovica shqiptare si fenomen, ka ndodhur. Ky është fakt sepse tezat e Gorbaçovit të hedhura në Katovicën Polake, janë të materializuara në Katovicën shqiptare, qoftë edhe rastësisht. Fatkeqsisht, në Shqipëri, demokracia ka mbetur e brishtë, e thyeshme, pushteti vazhdon dhe po i merr frymën shtetit. Për të marrë pushtet shkatrrohet shteti, nuk respektohen institucionet. Ëndrrat e studentëve kryengritës për ta parë vendin në Europë, është bërë tepër e largët dhe tranzicioni ka mbajtur peng integrimin. Marrja e ftesës si vend kandidat për në BE, kot serviret si sukses i politikës, kaq i tejzgjatur, ai dëshmon dështimin e klasës politike, mungesën  e kulturës demokratike, moskrijimin e klasës së politikanëve profesionistë, mungesën e qytetarisë të të bërit politikë, dominojnë sherret në vend të dialogut, pozita dhe opozita flasin me njëra tjetrën si prapa gardhit, jo ballazi. Korrupsioni përbën plagën lënguse që po i zë frymën shoqërisë, militantizmi dhe nepotizmi, u kanë zënë vendin profesionistëve etj.

Shqipëria është ende në udhëkryq, pronarët janë  mes katër rrugëve, vazhdon odisea e kërkimit të pronava deri në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, të përndjekurit janë ende të pa integruar, nacionalizmi tradicional nuk ka mundur të ngrejë kokën dhe nuk ka përfaqësim konkurues politik, partitë e djathta tradicionale, u copëzuan, ish komunistët u kthyen më shpejt se ç’pritej në kapitalistë, madje më shpejt se ç’pretendonte Katovica. Shihni statistikat e Parlamentit shqiptar, në ç’krah janë më të pasurit? Janë tek e majta. Shtypi na ka servirur lista se ndër 10 deputetët më të pasur të Parlamentit Shqiptar, tetë janë të së majtës që zotërojnë miliona, ku kampioni socialist numëronte më shumë se 30 milionë Euro!

Katovica shqiptare ka dhe një tjetër tregues, përveç kthimit të komunistëve në kapitalistë të pasur; ata janë rikthyer edhe me plot pushtet politik absolut, pra kanë ruajtur dominionin udhëheqës. Shtypi flet se shumë pinjollë të ish KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të Byrosë politike, vegjetojnë në administratën e pushtetit qendror. Nga Ministria e Jashtme vjen shifra e 18 punonjësve të atillë! Lustracioni i përfolur ka mbetur në letër. Prona nuk ka shkuar tek i zoti. Të përndjekurit ende nuk kanë marrë hakun e krahëve të vet përveç kalvarit të mundimshëm të dënimeve. Dënimet e ish përgjegjësve të krimeve të komunizmit nuk është kryer. Ish pjestarët e nomenklaturës udhëheqëse janë në pushtet politik dhe atë ekzekutiv. Në Parlament, ku bëhen ligje demokratike, ka ende ish ministra të sistemit komunist. Ç’rëndësi ka nëse është diskutuar apo jo në Byronë Politike nga Ramiz Alia për skenarin e kalimit të pushtetit në duar të besuara? Komunistët edhe sot bëjnë ligjin.Ata gjende me shumicë edhe në pushtet edhe në partitë politike, -në pozitë po se po, por nuk mungojnë as në opozitë. Kjo është Katovica shqiptare, që duhet të na shqetësojë.

Filed Under: Featured

E di Italia se shqiptarët e bënë atë të bashkuar?

October 21, 2013 by dgreca

“Të gjithë arbëreshët janë heronj. Ata që thonë të kundërtën nuk e njohin historinë”./

Xhuzepe Garibaldi (1807-1882)/

Shkruan: Fahri Xharra/

Shqiptarët me pjesëmarrjen e tyre aktive e dhanë një kontribut të madh në lëvizjet kombëtare në Europën e shek.XIX-të ,pjesëmarrje e cila mund të quhet edhe fenomen historik i kohës i një rëndësijeje  të veçantë që e rradhit atë në popujt heroik. Të kthehemi tek Revolucioni i Greqisë -1821 , pastaj në luftën për pavarësinë e Rumanisë , formësimin e Serbisë dhe të Malit të Zi . Por sot e kemi fjalën për një çlirim dhe bashkimin  tjetër të madh – të Italisë.

Pas Skënderbeut ,shek XV-të shqiptarët gjetën strehim në tokat e Italisë . ata u shpërndanë nga Abruzio e deri në Siçili.Aty u gjenden edhe të parët tjerë pasardhësit e Ilirëve.

Shqiptarët me Lëvizjen e Garibaldit të vitit 1860  e çuan Italinë në bashkimin dhe pavarësimin e saj. Atdheu i dytë i arbëreshëve në vitet 1844 dhe 1848 u ballafaque  me kryengritjet e mëdha, në të cilat shqiptarët ishin pjesë e rëndësishme e betejave të përgjakshme dhe si të tillë edhe u burgosën edhe u persekutuan ,u pashkatuan dhe u varën me thirrjen në gojë : “Rroftë liria, rroftë Italia”.

Tirania e Burbonëve i nxiti në luftë kundër tyre eshe arbëreshët si Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi, te cilët u ndodhën  edhe në qeverinë e shpallur të Republikës së Napolit -1799.

 

* Gjatë luftës për mbrojtjen e Republikës së Romës, Garibaldit i shkoi mendja tek Anita, që e kishte lënë në Nicë. Mori penën dhe i shkroi këto rreshta:

“Anita ime e dashur… Ne luftojmë mbi Xhanikolo. Ky popull është i denjë për të kaluarën e tij të madhe. Këtu njeriu di të jetojë, di të vdesë, këtu njerëzit vriten me thirrjen “Rroftë Republika”. Vetëm një orë nga jeta jonë në Romë vlen sa një shekull. E lumtura nëna ime që më lindi në një epokë kaq të bukur për Italinë!…”

E shoqja, që ishte grua guximtare, e gjeti rrugën për të hyrë në qytetin e rrethuar. Dy ditë më vonë, mbi Xhanikolo u duk një grua që u ndal dhe po fliste me ushtarët. Njeri prej tyre i tregoi se ku ndodhej Garibaldi. Ky në këtë çast, ktheu kokën dhe, si në një ëndërr gëzimi u turr drejt së shoqes së adhuruar dhe e shtrëngoi në gjoks. Pastaj e mori për dore dhe u kthye nga shokët;

– Ja Anita ime, këtej e tutje do të kemi një ushtar më shumë. ( ngaArbëreshët dhe Bashkimi i Italisë) *

“Në vitin 1859 nisi lufta e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Kësaj here doli në skenën e historisë Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar i luftërave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali pas një përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i kthyer tanimë në një figurë simbol, do të ngjallte shpresat e italianëve për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e tij. Heroi legjendar zuri të përgatitej për luftën e madhe që e priste. Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një ekspedite në brigjet e Sicilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm revolucionari italian, Roselino Pilo dhe ai arbëresh, Françesko Krispi.” (Arjan Th. Kallço)

Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë: vajza arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin italian fshehur në gji dhe do ta valëviste pas fitores së kryengritjes në qiellin e lirë të kryeqendrës së Sicilisë.

Siç dihet, me betejën e Kasertos, më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë. S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe historike për fatin e Italisë është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm. Këta pasardhës të Skënderbeut, jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse. “Gjatë Risorxhimentos, – shkruan historiani Cezaro Lambrozo, – arbëreshët e Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të atdheut të tyre të dytë”.

**

Mungesa e delegacionit të Serbisë më rastin e festimeve për 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë,  sigurisht që nuk do të vihet re nga vetë italianët. Nga ana tjetër, prania e dy delegacioneve me zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria do të shihet si dicka e natyrshme jo vetëm se tani shqiptarët kanë dy shtete por sepse i natyrshëm ka qenë edhe kontributi i shqiptarëve ndër vite për Bashkimin e Italisë.**

(Kontributi i shqiptarëve në bashkimin e Italisë ,Ilirian Dahri2011 )

Vetë Heroi i dy botëve e kujton këtë fakt në kujtimet e tij: “Nga asnjë vend tjetër i botës nuk mund t’ia dilnim me sukses në marshimin tonë, përvecse nga Hora e Shqiptarëve”. Pra që në fillimet e tij Xhuzepe Garibaldi u mbështet tek arbëreshët të cilët më pas do ti cilësonte trima.

Xhuzepe Garibaldi u lind në Nicë më 4 korrik 1807, vdiq në ishullin Caprera më 2 qershor 1882, revolucionar dhe luftëtar për lirinë dhe bashkimin e Italisë.

** *

Pas rënies së Republikës së Romës, Garibaldi me vullnetarët e tij filluan tërheqjen e tyre heroike. Ai me këtë rast iu tha ushtarëve:

– Luftëtarë, ja çfarë ju afroj atyre që duan të më ndjekin pas: uri, të ftohtë, mungesë strehe, mungesë municioni, por gjithnjë syhapur në beteja dhe pa gjumë, marshime të gjata dhe përleshje me bajoneta. Tani kush e do atdhenë le të më ndjekë pas. Kësaj thirrjeje iu drejtuan katër mijë vullnetarë, që ndoqën pas heroin e tyre.

***

19.10.13 Gjakovë

 

Filed Under: Featured Tagged With: e bashkuan, E di Italia, Fahri Xharra, se shqiptaret, Xhuzepe Garibaldi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT