Nga Dalip Greca/
U desh një deklaratë e politikanit të së majtës, Servet Pëllumbi, në intervistë me gazetarin Roland Qafoku në Channal One TV, që politika shqiptare dhe media bashkë me të, të nisin një furtunë në gotën e ujit.Pyetja shtrohet: Ka apo nuk ka Katovicë shqiptare? Ka apo nuk ka fjalim të Ramiz Alisë në Byronë Politike? Cilat janë pikat e takimit mes Katovicës Polake, ku Gorbaçovi lëshoi tezat e reja të orientimit të komunistëve në mbarë kampin e shpartalluar për t’u konvertuar dhe asaj çfarë ndodhi me Shqipërinë që pat deklaruar se nuk ishte as lindje as perëndim, dhe se nuk do ta tradhëtonte komunizmin.
Duke qenë se para 15 vitesh e kam botuar një koment-editorial në gazetën Republika, pas një dokumenti të servirur nga deputeti i atëherëshëm i Partisë Demokratike,Tomorr Malasi, ende sot nuk mund të pohoj se ai dokument ishte apo jo origjinal sepse nuk i kisha mundësitë e verfikimit.
Kur profesori i Filozofisë Marksiste-Leniniste, e risolli këtë përfolje në fokusin e medias, por pa përmendur atë ç’ka ishte shkruar 15 vite të shkuara, nuk mund të heshtja, dhe përmes gazetës Dielli online, i rikujtova profesorit se ai dokument që po pretendon se e servir për të parën herë, është servirur një herë 15 vite të shkuara. Shkrimi i Diellit u botua edhe në Tiranë në disa gazeta të përditshme. Pyetja që shtrova për Servet Pëllumbin ishte: Përse heshte atëherë dhe përse zgjodhe këtë kohë për të thënë atë që pretendon se “ zotëron dokumentin origjinal”? Përse nuk fole sa qe Ramiz Alia gjallë. Nëse kjo është e vërtetë, pra se Byroja Politike është mbledhë dhe Ramiz Alia ka dhënë udhëzimet e kalimit të butë dhe të kontrolluar nga socializmi në kapitalizëm, përse nuk dëshmojnë anëtarët e Byrosë Politike, derisa nuk kanë ikur të gjithë nga kjo botë! Ka ende ish anëtarë të Byrosë Politike gjallë, përse nuk shkon investigimi i gazetarëve deri tek ata?
24 vjet pasi qenka mbajtë ai fjalim, si nuk arritën historianët apo dhe politologët, që ta zbardhnin të vërtetën? Ka apo jo procesverbale? Po pas 15 viteve, pasi u hodh kjo tezë në shtyp, pse s’pati reagime? Dyshimin e mosegzistencës e shton edhe fakti se dokumenti i servirur nuk ka numër protokolli, por vetëm shënimin “top secret” dhe vitin e mbledhjes së Byrosë Politike, 1989. Së paku ai dokument që më qe vënë mua në dispozicion, nuk e kishte datën.
Në emisionin e dytë që organizoi gazetari Roland Qafoku në Channal One TV, më ftoi dhe mua si pjesë e panelit të tij që të bëja një prononcim publik për atë ç’ka kishte ndodhë 15 vite të shkuara dhe çfarë mendoja unë për vërtetësinë e dokumentit të servirur. Pyetjes së tij nëse unë besoja apo jo në Katovicën Shqiptare, egziston apo jo një dokument origjinal; ka mbajtë apo jo një fjalim të atillë Ramiz Alia, iu përgjigja indirekt duke iu referuar një novele të shkrimtarit dhe gazetarit Filip Çakuli, botuar në shtypin lokal para rrëzimit të sistemit diktatorial. Në novelën e tij, Çakuli, lunate me paradoksin. Subjekti ndërtohej mbi këtë fabul: Sulltani ka thirrë në raport Skënderbeun. Pasi e lëvdon për trimëritë në beteja, që ia kanë ndritë faqen Perandorisë Osmane, parathotë se një ditë, ai, Skënderbeu, do të bëhej armiku i atij vetë, Sulltanit dhe Perandorisë; do të dredhonte nga beteja e Huniadit, do të merrte 300 kalorës, do të shkonte në fortesën e Krujës, do t’i priste kokën zotëruesit turk dhe do të bëhej zot i saj. Do të mblidhte Kuvendin e Lezhës, do të krijonte beslidhjen shqiptare dhe do të bashkonte rreth vetes të gjithë princat shqiptarë. Për 25 vjet, i kish thënë Sulltani, ti Skënderbej, do të jeshë kryezot i Shqipërisë dhe do t’i fitosh betejat dhe do t’i mposhtësh rrethimet tona duke triumfuar.Ti do të përdorësh strategjinë e qëndresës në kështjella, ku do të mbashë pak forca, dhe një pjesë të forcave do ta fshehësh në pyje. Unë do të përdor nipin tënd, Hamzanë,si kalë Troje, i cili do të kundërvihet ty, unë do ta fitoj një betejë, por nuk do të mposht dot.Pas 25 vjetësh ti do të vdesësh nga ethet e malarjes dhe unë do ta ripushtoj Shqipërinë. Ne, turqit do të qëndrojmë 500 vjetë në Shqipëri si në shtëpinë tonë. Pas 500 vitesh, me 28 Nëntor 1912, një tjetër shqiptar, do të dalë nga oborri i Padishahut dhe do të shkojë në Vlorë për të shpallë Pavarësinë. Ai do të jetë Ismail Bej Qemali…
Kjo përbënte shkurtazi fabulën e novelës së Çakulit. Po ku qëndron pikëtakimi me Katovicën shqiptare dhe pasojat e saj? Pikëtakimi qëndron në dokumentimin me shkrim në paskohën e rrëfimit të ngjarjeve.Shkruhet pasi ato kanë ndodhë. Kështu dhe Katovica shqiptare që i referohet “dokumenti origjinal” i Pëllumbit apo ai që na seviri Tomorr Malasi,para 15 viteve, ka gjasa që të jetë sajuar pasi kanë ndodhë ngjarjet.Shkurt, ka gjasa që të jetë sajesë prej dikujt që kërkon kaos dhe tymnajë.
Ramiz Alia ka vdekë dhe në të gjallë të vet nuk e zuri në gojë Katovicën. Po të ishte e vërtetë ai do të mburrej me të dhe do ta shkruante në kujtimet e veta.Dy personazhet kryesorë, që lakohen si mbartës të pushtetit të mbikqyrur besueshmërisht, Sali Berisha dhe Fatos Nano, e kundërshtuan tezën e profesorit të Filozofisë. Berisha e quajti Katovicën e Pëllumbit, si përrallë nga e kaluara dhe vetë Servetin, bolshevikun e fundit, ndërsa Fatos Nano, që e mori Partinë Socialiste në mirëbesim nga Ramiz Alia, e ironizoi Katovicën e Servetit si “broçkullat e Pëllumbit”. Po ashtu ish sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, dëshmoi se asgjë nuk ka ardhë nga Gorbaçovi dhe se asnjë mbledhje nuk ishte bërë në Byronë Politike, për kalimin e pushtetit sipas tezave të Gorbaçovit. Të gjitha këto ka gjasa të jenë të vërteta, por ç’rëndësi ka?
Në vështrimin tim nuk ka rëndësi fare nëse ka egzistuar apo jo një dokument i tillë. Është organizuar apo jo një mbledhje e Byrosë Politike, ku Ramiz Alia të ketë dhënë udhëzime që në fakt i gjejmë të materializuara sot në Shqipërinë e trazuar. Katovica është një dukuri e vendeve të Lindjes, ku klasa që kishte pushtetin përpiqej ta lëshonte atë përkohësisht me rënie të lirë, të runate kokën, dhe mundësisht gjithçka të realizohej pa viktima nga radhët e saj. Fakti se Katovica e Gorbaçovit ka ndodhë, askush nuk e mohon.Tezat, janë po ato që “dokumenti” i Katovicës shqiptare i vë në gojën e Ramiz Alisë.
Është e vërtetë se pluralizmi nisi me njerëz të besuar,janë të pakët ata që e kundërshtojnë këtë tezë. Hidhini një vështrim historisë 23 vjeçare të partive shqiptare dhe shihni se kush i ka udhëhequr ato.Tek të gjitha ka një skemë si nisje me porosi nga lart, diku me gjurmë të lexueshme, e diku jo. Po i referohemi vetëm njërës, Partisë Social Demokrate të ish Ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushi. Lëvizjet e tij duket se janë të përllogaritura dhe të inskenuara fort mirë: E dha dorëheqjen në ditët e shkurtit 1991, pasi kishte qenë tek gjuri i Ramiz Alisë në ditët e nxehta të grevës së studentëve. Më 20 shkurt u rrëzua busti i Enver Hoxhës, me 21 shkurt Gjinushi mblodhi Komisionin nismëtar në një nga zyrat e Pallatit të Kulturës të kryeqytetit, ku u vetëshpall me urdhër nga lartë, kryetar i Partisë Socialdemokrate. Një miku im, pjestar në atë takim, më ka treguar se gjithçka dukej e parapërgatitur. Paradite u mblodh komisioni, programi kishte qenë gati pa u themeluar partia, dhe nuk e kishin mbajtë të fshehtë autorin e atij programi, ishte Agim Popa, i njohur si teoricien i Komitetit Qendror të PPSH, (thonë se një pjesë e programeve të partive të reja kaluan nga duart e Sofokli Lazrit). Po në atë mbledhje të prirur nga Gjinushi, pjesmarrësit ishin njoftuar se pasdite do të vinin nga rrethet 300 vetë, që do të ishin edhe firmëtarë të krijimit të Partisë. Një nga të nëntë themeluesit në atë takim, ishte ngritur dhe kishte guxuar të shtronte një pyetje: Po si u lajmëruan këta 300 vetë dhe kur? Ne po mblidhemi për të parën herë, apo jo?! Përgjigja ishte rrëshqitëse. Dhe pasdite të treqindët kishin ardhë edhe pse në bulevard ishin tanket, që ishin nxjerrë për të treguar forcën e pushtetit në rënie, mbledhja ishte bërë në godinën qendrore të Universitetit. Skenari flet vetë. Po partitë e tjera, si u krijuan me kryetarë të gatshëm? Ndoshta kjo nuk ka më rëndësi pas 23 vjetësh.
Mendoj se nuk ka nevojë që të debatohet gjatë, e lagu s’e lagu, ka apo jo dokument të Katovicës shqiptare, gjasat janë se ajo nuk egziston, por nga ana tjetër, Katovica shqiptare si fenomen, ka ndodhur. Ky është fakt sepse tezat e Gorbaçovit të hedhura në Katovicën Polake, janë të materializuara në Katovicën shqiptare, qoftë edhe rastësisht. Fatkeqsisht, në Shqipëri, demokracia ka mbetur e brishtë, e thyeshme, pushteti vazhdon dhe po i merr frymën shtetit. Për të marrë pushtet shkatrrohet shteti, nuk respektohen institucionet. Ëndrrat e studentëve kryengritës për ta parë vendin në Europë, është bërë tepër e largët dhe tranzicioni ka mbajtur peng integrimin. Marrja e ftesës si vend kandidat për në BE, kot serviret si sukses i politikës, kaq i tejzgjatur, ai dëshmon dështimin e klasës politike, mungesën e kulturës demokratike, moskrijimin e klasës së politikanëve profesionistë, mungesën e qytetarisë të të bërit politikë, dominojnë sherret në vend të dialogut, pozita dhe opozita flasin me njëra tjetrën si prapa gardhit, jo ballazi. Korrupsioni përbën plagën lënguse që po i zë frymën shoqërisë, militantizmi dhe nepotizmi, u kanë zënë vendin profesionistëve etj.
Shqipëria është ende në udhëkryq, pronarët janë mes katër rrugëve, vazhdon odisea e kërkimit të pronava deri në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, të përndjekurit janë ende të pa integruar, nacionalizmi tradicional nuk ka mundur të ngrejë kokën dhe nuk ka përfaqësim konkurues politik, partitë e djathta tradicionale, u copëzuan, ish komunistët u kthyen më shpejt se ç’pritej në kapitalistë, madje më shpejt se ç’pretendonte Katovica. Shihni statistikat e Parlamentit shqiptar, në ç’krah janë më të pasurit? Janë tek e majta. Shtypi na ka servirur lista se ndër 10 deputetët më të pasur të Parlamentit Shqiptar, tetë janë të së majtës që zotërojnë miliona, ku kampioni socialist numëronte më shumë se 30 milionë Euro!
Katovica shqiptare ka dhe një tjetër tregues, përveç kthimit të komunistëve në kapitalistë të pasur; ata janë rikthyer edhe me plot pushtet politik absolut, pra kanë ruajtur dominionin udhëheqës. Shtypi flet se shumë pinjollë të ish KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të Byrosë politike, vegjetojnë në administratën e pushtetit qendror. Nga Ministria e Jashtme vjen shifra e 18 punonjësve të atillë! Lustracioni i përfolur ka mbetur në letër. Prona nuk ka shkuar tek i zoti. Të përndjekurit ende nuk kanë marrë hakun e krahëve të vet përveç kalvarit të mundimshëm të dënimeve. Dënimet e ish përgjegjësve të krimeve të komunizmit nuk është kryer. Ish pjestarët e nomenklaturës udhëheqëse janë në pushtet politik dhe atë ekzekutiv. Në Parlament, ku bëhen ligje demokratike, ka ende ish ministra të sistemit komunist. Ç’rëndësi ka nëse është diskutuar apo jo në Byronë Politike nga Ramiz Alia për skenarin e kalimit të pushtetit në duar të besuara? Komunistët edhe sot bëjnë ligjin.Ata gjende me shumicë edhe në pushtet edhe në partitë politike, -në pozitë po se po, por nuk mungojnë as në opozitë. Kjo është Katovica shqiptare, që duhet të na shqetësojë.
KATOVICA
Gjithe jeten i kenduat perbindeshit
Kur ngordhi e qate ne c’do varg
Tani si jashteqitje sllavokomunizmit
S’ju mbetet gje tjeter vec te pshtyni lart
Te paret qe ngritet dy gishtat lart ishit ju
Sekretaret e partise,konsomolasit e rinise
E peshtyte,me kembe e shkelet pacavuren e kuqe
Dhe oh,u gdhite pishtare te demokracise
Te paret qe ja mbathet ne Perendim ishit po ju
Birbo te kuq,pa fe` e atdhe`
Ju qe mbi mbi boten e vjeter kapitaliste
Do ndertonit internacionalen ,boten e re
Ju qe gjithe jeten shkelet mbi varre
E hija e vdekjes ju ndjeke nga pas
Mos harroni shkrepetimen qe zbret nga qielli
Ahet dhe mjerimin e nje populli te pafat……….