• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Marshi protestues, i shqiptarëve, me 1822

November 25, 2013 by dgreca

Marshimet e shqiptarëve drejt Prishtinës, në nëntorin e vitit 1988, nëpër sqotë e shi, baltë e të ftohtë, ma kujtonin marshin e madh protestues të shqiptarëve në vitin 1822, në rrugë të pambarim, në këmbë, prej Prishtinës deri në Stamboll e mbrapa./

 Shkruan: Skënder Blakaj/

Në faqet e “Rilindjes”, me titull “Rezistenca pasive”, u botuan pjesë të zgjedhura nga libri i Mahatma Gandit, “Lufta pa dhunë”. Nuk dua të ndalem e ta diskutoj faktin se mos do të thotë kjo se zbuluam njeriun,  burimin dhe mësimet e shenjta për veprim dhe për rezistencë në kushte të okupimit të rëndë, i cili te ne nuk është ndërprerë kurrë, po vetëm është sforcuar, por dua ta përkujtoj një ngjarje të madhe historike të kombit tonë këtu e 180 vjet më parë. Për atë ngjarje është botuar serbokroatisht, me 1969 në Prishtinë, një libër mjaft i dokumentuar(Revolta dhe marshi protestues i banorëve të Kosovës me 1822”, i autorit Omer Nakiqeviq, me plot faksimile, me dokumente të përkthyera nga turqishtja dhe me përshkrim të rrethanave në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane, e posaçërisht në Kosovë, kur edhe u zhvillua ajo ngjarje. Prandaj, unë nuk do të bëj tjetër pos që do t’ua përkujtoj lexuesve këtë ngjarje. Them kështu, sepse edhe me 1978, në serinë e emisioneve dokumentare për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, trembëdhjetë emisione njëorëshe të përgatitura nga TV i Prishtinës, është përmendur ky moment i çuditshëm e tronditës, ajo luftë e rezistencës së pazakonshme pasive e popullatës shqiptare të kadillëqeve të Prishtinës, të Vushtrrisë e të Novobërdës.

Marshimet e kosovarëve drejt Prishtinës në nëntorin e vitit 1988, mijëra sish, për mbrojtjen e atij pak pushteti që ende i kishte mbetur Kosovës,  nëpër sqotë e shi, baltë e të ftohtë, ma përkujtonin marshin e madh protestues të shqiptarëve në vitin 1822 në rrugë të pambarim,  rreth dy mijë km. udhëtim në këmbë, prej Prishtinës deri në Stamboll e mbrapa.  Kurse të huajt këto marshet tona aq të njohura si rezistencë civile,  i zbuluan dhe i mikluan si lëvizje gandiste, e neve u duk se na erdhi mirë për këtë, që na ndodh edhe shkaku i mosnjohjes së historisë kombëtare. Ata që merren me çështje të reinkarnimit të shpirtit, mbase këtu do të gjenin diçka. Ku ta dish mos vajti shpirti i ndonjërit prej prijësve të marshit të madh protestues të shqiptarëve në trupin e Mahatma Gandit dhe vetë ai, mbas më se një shekulli, i përsosi edhe ato forma të rezistencës pasive! Ose, mbasi shqiptarët fort rrallë mësojnë gjë nga vetvetja, ndoshta shpirti i Gandit ka qenë në trupin e ndonjërit nga organizatorët a të prijësit të protestës shqiptare, komandant Ebu Beqirit. Sidoqoftë, në ato javë ngjarjesh të mëdha, as të organizimeve të tjera shqiptare në vitet e nëntëdhjeta, askush nuk diti t’u thotë gjithë atyre gazetarëve të huaj se ne e kishim një përvojë të ngjashme historike, njëqind e kusur vjet para se të shfaqej mësuesi ”ynë”  Mahatma, do të thotë shpirt i madh, siç e quajti populli i vet. Kurse, siç thamë, tanët ne i harruam fare. Nuk janë në asnjë skutë të historisë. Ndoshta për faktin se ky marsh i çuditshëm i shqiptarëve nuk prodhoi ndonjë rezultat. Marshi ndodhi krejt pesë muaj mbas rënies së Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës.

Anash këto, ama del pak si e çuditshme pse disa prej teksteve më të njohura të historisë kombëtare nuk e kapin këtë moment të rëndësishëm, aq më shumë kur ndodh në kohën e vlimeve jashtëzakonisht të mëdha në Ballkan dhe në tërë Perandorinë Osmane, e sidomos ndër shqiptarët (telashet me pashallëqet shqiptare e sidomos me Ali Pashë Tepelenën), prej të cilave edhe vetë ky marsh protestues i më se tremijë vetëve e trandin keqas mbarë Perandorinë? Të jetë kjo për mungesë të dokumenteve, të zbuluara vonë, apo pse forma e tillë e rezistencës nuk është vlerësuar e denjë për të gjetur vend në tekstet e historisë kombëtare, në mos e pastë mbytur zhurma e topave a hija e ngjarjeve të tjera të mëdha të asaj kohe?! Se, nganjëherë, përleshje e gjuajtje të vogla me armë, ku vriten 4-5 andej e 2-3 këndej, kanë zënë faqe të tëra të historisë, të librave e të monografive, janë bërë drama, filma e piktura, e kanë hyrë edhe në këngën e në kujtesën e popullit, kurse kjo hiç ose aq shpërfillshëm, aq sa është botuar libri i përmendur më lart dhe del se është futur  në raftet e harresës!  Pastaj, edhe një gjë paradoksale-Gandin dhe rezistencën e popullit të Indisë (nuk i thashë luftë, sepse, me gjasë,dhe ashtu duket  të jetë, kur je “pasiv”, do të thotë kur nuk lufton, dhe na del paksa qesharake apo, se do të thotë që angazhohesh për liri e pavarësi, por nuk lufton, prandaj nuk të kap as historia, ose disi ngjashëm. Ja, fundja, kanë ndërruar kohët, bindjet e doemos edhe historianët. Gandizmin në botë e popullarizuan rezultatet çlirimtare në Indi,po edhe vetë pushtuesit e Indisë, pra vetë anglezët. Bile ata së voni bënë edhe një vepër madhështore kinematografike, në të cilën pa kurrfarë kompleksi i (ri)treguan botës se si një njeri të cilin mund ta barte në strajcë cilido ushtar anglez, ndërsa dhia e atij Gandit do t’u shkonte mbrapa, e gjunjëzoi Perandorinë e Madhe. Tani le të më thotë kush se Zoti është i drejtë- shkon e u çon indusve për pushtues anglezët e civilizuar, kurse shqiptarëve të zi bizantinët që shkojnë e tretin duke lanë pas vetes dëshmi të pranisë, pos të tjerash, edhe trashëgues e vazhdues të ideve të tyre të tmerrshme, pastaj osmanët, për të cilët nuk del bir nëne që mund ta marrë me mend se me ato shallvare të gjëra e kapin kamerën e bëjnë film për Gjergj Kastriotin apo për Komandantin e marshit protestues shqiptar, Ebu Beqirin. Ose për prijësin madhështor  shqiptar, Dr. Ibrahim Rugovën dhe rezistencën  e tij civile, lëvzijen mahnitëse të mosdhunës, atë lëvizje pozitivisht shumë kryeneçe, siç ishte edhe vetë prijësi i saj, i palëkundshëm në përcaktimin e vet të lirisë e të pavarësisë. Dhe, le ta themi që, në njëfarë mënyre, del se ka popuj që kanë pasur dhe kanë fat edhe me zaptuesit që u dërgon perëndia!(Te plote mund ta lexoni ne Gazeten Dielli te printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: Marshi protestues i shqiptareve me 1822, Skender Blakaj

NJË MOZAIK NË LETËRSI

November 25, 2013 by dgreca

Nga Rasim Bebo/ Chikago/

Prof. Dr . Flori Bruqi, mori rrugёn dhe ndaloi te zalli i lumit gurgullues të letërsisë shqipe. Këtu ulur, filloi të zgjedh një e nga një gurë: të vegjël, të bukur, të shndritshëm, nga ata që ta reflektojnë spektrin e diellit  në fytyrë dhe të verbojnë aty për aty. I radhiti një nga një në një mozaik, të ngjashëm me atë të stërgjyshit tonë pellazg, që ndërtoi të parin mozaik në botë, këtu e mbi 4000 vjet më parë në Nekropolin e Athinës, të zbukuruar më gurë të vegjël të lumit në dyshemetë dhe muret. Prej këndej në të gjithë perandorin pellazge, që shtrihej në tre kontinente: nga Azia e vogël te Priami i madh, në Afrikën e Veriut, duke dalë në Europë te Baskët, dhe deri në veri për gjatë rrjedhjes së lumit Danub me kufi.  E gjejmë kudo këtë mozaik dhe sidomos te Tempulli i famshëm i Dodonës, në Butrint, në Durrës, në Apolloni, në Trojë, në Gjenevë të Zvicrës, (si na vë në dijeni Prof. Dr. Agim shehu) dhe në shumë vende të tjera. Kur i shikojmë këta mozaikë të bukurisë së përkryer, që pasqyrojnë artin  e mrekullueshëm të stërgjyshërve dhe gjyshërve tonë, ne mahnitemi që toka nënë – Demetra – i ruan për mijëra vjet.  Syri ynë i përmbledh me një të parë.

Mirëpo mozaiku i të nderuarit Bruqi, është bërë në Kosove dhe në vend të gurëve të zgjedhur të lumit, ai radhit shkronjat e trashëguar të gjuhës shqipe,  të konfirmuara nga Pema e 63 gjuhëve dhe nga pema, qe pasqyron prof. Dr. Flori e 47 gjuhëve, që për vjetërsi i kalon të gjitha gjuhët e botës mbi 9.000 vjet përpara.  Kështu kemi të bëjmë me këtë mozaik libër, “DIADEMA LETRARE”, që përmbledh: kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi. Mozaikun libër, të Prof. Dr. Florit, nuk mund ta përmbledhim me një të parë, qoftë edhe me dy, sepse duhet kohë për ta lexuar dhe studiuar me vëmendje të përqendruar. Ky grumbullim materiali, i përgatitur nga autori, zëvendëson atë të Akademisë së Shkencave Shqiptare në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë. Sot ato institucione janë në shërbim të kursit sllavo-rus-greke. Ndërsa  Shqipëria është nën drejtimin e Këshilltarit,  Kolonelit,  Akademikut, të asfalisë (sigurimit) grek, Janullatos. Elitat e kulturës së këtyre vendeve, janë të heshtur, të korruptuar, të politizuar, të frikësuar dhe bëjnë:  “Gjumin më të rëndë dhe më të gjatë, si murgjit e pergamenave, që janë mësuar me dhomat e errëta”.  (Z. Prenga).

Duke shfletuar “Diademn letrare” në faqen e parë lexohen rreshtat, që Flori i dedikon babës së tij:  “Babajt tim MAZHUN BRUQI, mësimdhënës, që tërë jetën evet intelektuale e atdhetare ia kushtoi gjeografisë kombëtare”.

Ai e gjeti shkabën dykrenëshe në themelin e shtëpisë të bërë blozë.

Bregu i detit dhe Mesapliku i këndojnë Shqiponjës.                                                         Shkab’e madhe kasaba, / me dy krahë të mëdha, / nuk u dhe dhe nuk u fale.                            Flori Bruqi aty të zgjon historin e Dodonës.                                                                  Ndër 1800 objektet e zhgroposura në Dodonë më 1875-1877, gjithçka (ndërtesa, monumente, dhurata si (ex-voto) etj. drejtpërdrejt, lidhen me mbretin e perëndive pellazge ZEUSIN. Këtu u gjetën shumë shkaba dykrerëshe, që janë  përhapur në Perandorin Pellazge. Një ndër ato mund të jetë dhe ajo që gjeti Prof. Mazhun Bruqi.                                                                  Dodona ndodhet 16 km. në  J. P. të Janinës në Çamëri. Të gjithë autorët e lashtë si Homeri, Hesiodi, Hekateu, Akusilao, Hellaniko, Herodoti, Tukididi etj, siç na i përmend eruditi Flori, na bëjnë të ditur se, para mbërritjes së grekëve në shek e VII p.e.s. vendi banohej nga Pellazgët Hyjnor. Dodona ishte vendi i kultit, apo vendi i Shenjtë parahelen, më i lashti  dhe i vetmi vend i njohur. Zeusin e trajtonin  jo vetëm si pellazg por e cilësonin më tepër si Dodonas.              Dodona është bërë disa herë blozë. Dodona u rrafshua në vitin 219 p.e.s. nga gjenerali etolas, Dorimahu. U rindërtua nga pasardhësit e Burrit të Ledhezës Pirro. Qëndroi e tillë deri në vitin 167 p.e.s. kur vërshuan lukunitё e Paul Emilit. Dodona Pellazge pësoi edhe një rrënim tjetër vdekjeprurës në motin 88-87 p.e.s. prej trakasve aleatë të Mitridatit…  Më 435 e.j. perandori i lindjes, Teodori  urdhëroi “shuarjen e përhershme të Dodonës Pellazge si zjarrishte pagane dhe shndërrimin e saj në një nyje të krishtere më 475 e.j. fillimisht nga vandalët dhe më pas (551), Totila me barbarët ostrogotë, të pasuar nga saraqenët e bullgarët etj., e fshinë përjetë të jetës nga faqia e dheut Dodonën, kryeqendrën europiane të pellazgëve, – populli më i lashtë në kontinent.  (Dhimiter Pilika “Pellazgët”,f. 161).                                                        Flori Bruqi të jep drejtimin dhe te hap rrugë,  për t’u thelluar në “Kujtimet” e Ismail Qemali, që thotë: se, “Në vitin 1866, kur isha këshilltar politik i valiut  të Janinës, gjatë një vizite tek pronat e një miku tim në fshatin Melingus, kisha dalluar disa rrënoja, që i lidha me tempullin antik të Dodonës. Dhjetë vjet më vonë ia tregova mikut tim  në Vlorë  Karapanos”.  Ky filloi menjëherë gërmimet në Dodonë pas 1460 vjetësh, duke nxjerrë në dritë një sasi thesaresh arkeologjike me vlerë të jashtëzakonshme. (P. Xh. “Ilirira”, 6-2-2006, f. 24). Karapano, vllaho-grek, i shkathët, shumë nga këto thesare të Dodonës ua fali si dhuratë delegatëve të Anglisë dhe të Francës, që ishin anëtarë të Kongresit Berlinit. Me qëllim, për të përkrahur kërkesat e qeveris greke në këtë  Kongres.

Prof. Dr. Flori Bruqi, hynë në plejadën e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Ai është trim, i papolitizuar, nacionalist i pastër, me pak fjalë, të hap horizont për t’u futur thellë në ngjarjet historike. E gjeti shkabën dykrerëshe në themelin e shtëpisë të bërë blozë. Ashtu si Dodona u bë disa herë blozë, por prapë u ngjall, se, “fara shqiptare nuk është delikate dhe që të goditet lehtë, e të rrezikojë të zhduket. Është e fuqishme, e ashpër, luftarake, që nuk mund t’i nënshtrohet të tjerëve. Ajo i jep rëndësi kombit, ekzistenca e saj e mposht edhe kohën. Ajo  mbizotëron aty, ku popujt e tjerë dështojnë.  (A. Kola “Arvanitasit” f. 166).                                   Një ndër plagët e mëdha, është Shqipëria Londineze, që eruditi Flori e përmend dhe analizon shpesh në librat e tij të shumta. Prof. Dr. Eshref Ymeri thotë: se Shqipëria nuk ka qenë 116.000 km2 por 134.000 km2, shifër kjo e marrë nga enciklopedia Ruse.

Lexuesin e shtinë Flori për t’u thelluar në problemet kardinale të popullit tonë, i cili ka  kaluar në luftra me pellgje gjaku. Pikërisht Kryengritja e madhe e vitit 1913, që kishte përfshire gjithë trojet shqiptare e ktheu vendin ne shkatërrim dhe mjerim me pellgje gjaku?                           A. Baleta shkruan: “Kryengritjet  shqiptare që u bënë në Kosovë më 1908 – 1910 – 1912, praktikisht ia shtrinë rrugën Serbisë, sepse u harxhuan, u grinë forcat me Turqinë. Sot nuk kemi të drejtë të mos i vlerësojmë ngjarjet si duhet, që të mos i bëjmë të njëjtat gabime,                    Është fakt i njohur tashmë, se përplasja shqiptaro-osmane e viteve 1911-1912 dobësoi ndjeshëm potencialet dypalëshe. Pikërisht, pak jave pas mbarimit të kësaj lufte, Më 18 gusht  po të vitit 1912, filloi sulmi ndaj territoreve shqiptare, nga Mali i Zi, Sërbia dhe Greqia. Nëse lufta e shqiptarëve do të përqendrohej kundër këtyre agresorëve, padyshim që dhe harta e sotme e Shqipërisë do të ishte ndryshe.                                                                                   Në faqen e parë të këtij “Mozaiku Letrar”, Kur Mazhuni gjeti shkabën dykrenore në themelin e shtëpisë bërë blozë të pa dëmtuar, e pastruan nga bloza dhe e vendosën te këndi  si më parë. Shfletojmë librin më tej dhe shikojmë një fotografi familjare me tre breza dhe me 14 veta të grumbulluar si një tufë trëndafilash, që pasqyron një familje shtet brenda shtetit. Sa bukur, kur sheh gjyshërit, fëmijët e tyre dhe nipër e mbesa, të ulur dhe në këmbë me çiltërsi. Kjo është familja, Kosova sot e gjallë, dinamike, e lulëzuar, që e përshkruan biri i saj Flori Bruqi. Jo më larg se 14  vjet, Flori përshkruan: Populli i Kosovës – UÇK-ja dhe NATO = Liria e Kosovës.                    Të ngjethet mishtë kur dëgjon dhe shikon kasaphanën serbe. Gazeta “Iliria” shkruante në atë kohë: Kur shkova në zyrë, thotë, Magdalena Ollbrajt dhe pashe mbi tavolinë gazetën, me fotot e masakrave serbe në Kosovë, u trondita dhe mora Klintonin në telefon, NATO duhet të filloi sulmin për të ndalur këtë gjakderdhje të  këtij populli trim, të përmendur në histori.

Presidenti amerikan Bill Klinton shprehej në qershor të vitit 2002 se: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri të dua kombin shqiptar dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyre morele të saj ndaj vlerave të lirisë”.  Fjala është për shpalljen e Kosovës të pavarur. (Prof. Dr. Saimir Lojla  ”Bota sot” 19-10-2004)                                    

          Tani vijmë te fundi i shekullit që shkoi, te përshkrimi i luftës së Kosovës nga Prof. Dr. Flori Bruqi:  ‘Lufta filloi më 12 shkurt 1998 deri në 23 mars 1999. Më 12 qershor 1999 hyri NATO në Kosovë. Në këtë luftë u dëbuan 800.000 shqiptarë, u vranë 15.000 persona, nga këta, 2400 luftëtarë të UÇK, janë zhdukur rreth 5000 njerëz, janë përdhunuar afër 20.000 femra, janë rrëmbyer mbi 3000 shqiptarë dhe akoma nuk u dihet fati i 2087 të tjerëve, Kanë djegur 1.100 vende banimi, kanë plaçkitur djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, objekte kulture, shkencore, fetare. Ky përshkrim do te mbetet si pjesë e krestomacisë historike, për ta përdorur çdo person i kulturuar dhe sidomos çdo historian për referenca. Kosova fitoi Lirinë.

          Me ardhjen e Titos së vogël në Shqipëri, Miladin Popoviçi si udhëheqës suprem mbi Enver hoxhën, po ta zije në gojë Kosovën dhe Çamërinë, të jepnin karamelen e plumbit pas kokës.   

Grekët Çamërinë e vranë, e therën, e dogjën, përdhunuan dhe e dëbuan, pa pasur asnjë ndihmë nga shteti amë, po vetëm sabotim dhe diskriminim. Kosovën e tradhtuan vetë udhëheqja shqiptare. Djemtë e Shaban Polluzhës, rreth 40-50 mijë frymë dorëzoheshin te vllau shqiptar  dhe ky vëlla tradhtar ja dorëzonte serbëve, që i asgjësonte në masë si në  masakrat e Tivarit etj. Te gjitha këto ngjarje pikëllimi i gjen te libri “Diadema Letrare” të përshkruara në art.

          Ndërsa Çamëria u tradhtua nga qeveria shqiptare dhe Akademia e Shkencave, greku e shpalli  Çamërinë, si toponim që nuk ekziston, duke njoftuar institucionet ndërkombëtare për ta ligjëruar dhe u ligjërua. Arritën deri aty, sa Ministri i Jashtëm grek, deklaroi serbes, pa u trembur fare se “Çamërinë unë nuk e njoh”  dhe qeveria shqiptare hesht, se është bërë Tirana më keq se Athina për kombin shqiptar

          Pikërisht për këtë, historiani sllav në Maqedoni, arriti të nxjerrë nga goja se maqedonasit e sotshëm ishin stërnipërit e Lekës së Madh dhe më tej, “Prof. Polljanski” tha se Skënderbeu nuk ishte shqiptar.  Ne e  pyetëm:  Profesor, për cilën Maqedoni flisni, sepse për ne historianët, ne kohën e Aleksandrit të Madh, ju bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandrit të madh, keni ardhur 10 shekuj më vonë. Polljanski u përgjigj … “Ne, -tha ai,- maqedonët, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhësit e tyre kulturorë por edhe gjenetik.Sot akademikët sllav të Shkupit, nuk duan të dinë fare për saktësitë historike. Për ta, sllavo-maqedonët e ditëve tona, vëllezërit e bullgareve dhe të serbëve, kur e do puna, janë sllavë, kur nuk e do puna, nuk janë sllavë, por pasardhësit e maqedonëve të Aleksandrit të Madh. Ndërsa shqiptarët i quajnë disa “ashkla”, që kanë shpëtuar pa u zhdukur. (N. Muhameti “Maedonia…”, bot. 2009, f. 415).                                                Te “DIADEMA LETRARE” ne shikojmë Flori Bruqin si erudit, i prozës dhe i vargut, duke i zgjedhur gurët e mozaikut dhe duke i radhitur, si nacionalist në plejaden e njerëzve më të shquar të Kombit shqiptar.

ÇABEJ thotë: “Nuk mundet të shkëputet kërkimi gjuhësor, pa pasur parasysh faktoret hitorikë. Flori, me Diademën Letrare, zë vendin e Çabejt që ka vdekur, duke kritikuar “hartën e kulturës indoeupiane, pa e ditur tani se si do të konsiderohemi, në çfarë konteksti si gjuhë e humbur, e rrëgjuar, apo etni, a popull i zhdukur.                                                                           Prof. Dr. Flori Bruqi, zuri vendin e dhjetëra  Profesorëve që punojnë në Akademinë e Shkencave, për të vënë pikën mbi “i”, duke argumentuar me duzina libra dhe tema te ndryshme të tij dhe duke grumbulluar shumë shkrime nga autorë të ngjashëm me veten e tij.                     Ai thotë: “Të gjitha veprat e mija kanë si lajtmotiv i çështjes Shqiptare. Nuk është e rëndësishme çfarë mendon Qosiqi?!
Flori shkruan: “Kam lexuar, po, dhe ç’nuk kam lexuar, madje ç’të lexuar se (!), nga autorë serbë, beogradas dhe jo vetëm, opinione nga më të neveritshmet dhe më përçmueset, nga më përdhosëset dhe më poshtërueset, nga më të përdalat dhe më të përçartat dhe jo vetëm, që të mos them edhe raciste – kundër shqiptarëve. Më vjen ndot edhe t’i kujtoj, e pale më t’i shkruaj a citoj, gjithçka u fol e u shpërfol, gjithçka u shkrua e u nënshkrua, gjithçka u botua e u stërbotua, “nashke”, e jo pak edhe në gjuhë të huaja, që s’i zë në gojë asnjë i çmendur. Dhe as i ka edhe fjalori më i zi me sharje e fyerje, me poshtërime e ofendime, me mallkime e stërmallkime. S’është nevoja të përbaltesh e të pisërohesh me andriqët e çubrilloviqët, sepse balta të baltëron, e pisi të pisëron. Mjafton të ndyesh gojën vetëm me një e të vetmin emër e mbiemër, me atë më “aktualin” dhe më të ziun nga aq të zinj, “babanë e kombit serb” – Dobrica Qosiqin”. Akoma më shumë: Kriminelët serbë “kanë bërë llamba me kafka shqiptarësh të vdekur, u kane prerë kokën, ua kanë zier në tenxhere, u hoqën katër dhëmbë ari, dhe kafkën e kane ngjyrosur, e kane bere llambe tavoline!” ka thënë S. Stojanoviç.       Ata u vranë për Kosovën e lirë… Flori shkruan: “Tridhjetë e një vjet më parë, në rrethin e Shtutgartit në Gjermani, Lëvizja politike për çlirim kombëtar, mori një goditje të rëndë në atentatin kundër Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, tri figurave të rëndësishme politike dhe organizative të lëvizjes kombëtare në emigracion. 17 janari 1982 ishte datë që tronditi zemrat e bashkombasëve të tyre si në trojet shqiptare, ashtu edhe në shtetet perëndimore, ku jetonte dhe vepronte një komunitet i tërë politik”.

Dy vjet para të quajturës demokraci dhe 17 vjet para atentatit kundër tre djemve Kosovar, dënohet me varje në litar për t’i këputur vargun politik, Havzi Nela, nga Presidenti Ramiz Alia i komunizmit, që kaloi president i demokracisë me fjalën: “Enver hoxha ka vetëm ditëlindje”.

Rasim Bebo Addison  Chikago nëntor  2013                          .

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Flori Bruqi, rasim bebo

Dibranët në Amerikë festuan së bashku 101 vjetorin e Paverësisë

November 25, 2013 by dgreca

Manifestimi i dibranëve në “Orion Palace” në qytetin e Brooklynit- Nju Jork, shënoi edhe fillimin e aktiviteteve në zonën e ashtuquajtur e “Tri – Shteteve” me rastin e 28 nëntorit- Ditës së flamurit…../

Nga BEQIR SINA, Brooklyn NY/

BENSONHURST – BROOKLYN NY : Në Nju Jork, ishte Shoqata Atdhetare Dibra, mbrëmë e cila nisi veprimtarit e komunitetit shqiptar me manifestimet për 28 nëntorin Ditën e Flamurit – 101 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët e Amerikës, nëntorin e shohin si muajin më të rëndësishëm, kudo që janë, pasi është ky muaj dhe kjo ditë e shënuar, ajo, që i bashkon të gjithë shqiptarët, prej nga e kaluara e vuajtjes dhe sakrificës, por edhe deri tani tek shpresat që kan për një të ardhme më të ndritur.

Manifestimi i dibranëve në “Orion Palace” në qytetin e Brooklynit- Nju Jork, i cili shënoi edhe fillimin e aktiviteteve në zonën e ashtuquajtur e “Tri – Shteteve” me rastin e 28 nëntorit- Ditës së flamurit, mblodhi së bashku dhjetra familje dibrane, të cilave iu bashkëngjiten në këtë festë, edhe bashkëatdhetar tanë, miq dhe dashamirë nga Shqipëria, Kosova e viset e tjera shqiptare.

Të pranishmit në fillim të darkës solemne, nderuan me qendrim në këmbë; himnin kombëtar të Shqipërisë e atë të Shteteve të Bashkuara. Himni kombëtar Amerikan u këndua nga tenori i ri i talentuar Bledar Maqellara, ndërsa ai i Shqipërisë, u kënduan nga sopranoja e njohur nga Shkupi, Deshira Ahmeti-Kerliu, ekzekutuar nga orkestra Fisnikët.

Më pas me një minutë heshtje të pranishmit qëndruan në këmbë, në shenjë nderimi për të gjithë ata të rënët, martirët dhe dëshmorët e kombit tonë, ata që dhanë jetën për flamurin kuq e zi me shkabën me dy krena gjatë gjithë historisë tonë shekullore –

Në këtë mbrëmje festive mori pjesë edhe përfaqësuesi shtetit të Kosovës, Konsulli i Përgjithshme i Republikës së Kosovës në Nju Jork, ambasadori Bekim Sejdiu, zoti Michael J. Cusick, një ligjvënës i shtetit të Nju Jorkut, i cili përfaqëson Qarkun 63të, tëKuvendit të Shtetit të New York, distrikt ky që ndodhet në ishullin e “dibranëve” Staten Island, Dr.Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Artit, zoti  Rrape Ruci, President i Institutit “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, si dhe veprimtar të tjerë të dalluar të komunitetit.

Manifestim me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e deklaroi të hapur udhëheqësja e kësaj feste, Julinda Daci, e cila kujtojë qysh në fillim të fjalës së saj se së bashku para një viti në mënyrë solmne, në një ambjent tjetër po kaq të bukur, kremtuam jubileun madhështor të njiqind vjetorit të pavarësisë të atdhetut tonë të dashur.

“Ndërkohë, tha ajo sonte rishtazi e kemi për nder të kujtojmë bëmat e rilindasve tonë të shquar edhe në njëqind e një vjetorin e pavarësisë së saj. Të kujtojmë e nderojmë pikërishtë të gjithë ata që frymëzuan masat e gjëra popullore, për një luftë të pa kompromisë ndaj të huajve, të cilët nuk donin vetëm nënshtrimin, si në kohën e turqëve, po më keq se aq: shuarjen e kombit shqiptar, për t’u shtrirë vetë në ato troje”

       Fjalën kryesore në nder të 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e mbajti kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra, zoti Musa Paçuku, i cili pasi falenderoj të pranishmit për pjesmarrjen dhe mysafirët e nderuar, dashamirët dhe miqt e shoqatës, mbajti një fjalim mbi rëndësinë dhe vlerat që mbart kjo festë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

       “Jemi mbledhur  sot në këtë mbrëmje të bukur festive ashtu si për çdo vjet me këtë ditë të shënuar, që të kujtojmë dhe të festojmë 101 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, tha Paçuku, posaçërishtë, atë ditë kur më 28 nëntor të vitit 1912, kur populli shqiptar kurorëzoi ëndërrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij – duke i dhënë fund sundimit më të gjatë në historinë e tij, sundimit osman dhe duke shënuar kështu kthesën rrënjësore dhe historike për fatet e kombit të tij”.

     Gjatë fjalës së tij, ai permendi faktin se Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore, në themelet e së cilës kishte vënë gurë gjithë Shqipëria.
“Ngaqë, jemi dibranë, theksoi më tej kryetari i kësaj shoqate zoti Musa Paçuku, në këtë ditë të shënuar nuk mund të lë pa permendur rolin dhe kontributin e dibranëve në Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntorë 1912. Pra, dëshiroj të potencoj se kontributi dhe lufta e dibranëve, iu bashkëngjitë asaj të gjithë shqiptarëve, prej Kosovës e deri në Çamëri, kudo ku i thonë Shqiptari” permendi Paçuku.
Më pas ai tha se “ky kontribut i dibranëve, ka qenë para dhe pas kësaj periudhe. Mbasi për këtë të shumtë kan qenë  historian, hulumtues dhe studiues të historisë shqiptare vendas dhe të huaj – të cilët mendojë se me fakte dhe dokumente të kohës, kan shkruar shumë për rolin dhe kontributin e shqiptarëve të trevave veri-lindore të Shqipërisë gjatë historisë, ku përfshihen Dibra dhe dibranët të cilët kan një vend historik në rolin dhe kontributin e tyre në Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntorë 1912.”
   Në fund të fjalës së tij kreu i dibranëve pohojë;, megjithëse, Shqipëria, është anëtare e NATO-s, Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe ndodhet sot shumë afër qëllimit të saj strategjik e kombëtar. dhe ajo po aspiron të bëhet nesër pjesë e asaj së cilës i përket gjeografikisht, Evropës së qytetëruar Bashkimit Europian, dhe Kosova sot është e lirë dhe e pavarur, çështja shqiptare ka avancuar shumë, ne të gjithë shqiptarët, kudo që jemi të ndërgjegjëshëm për të thënë; se çështja jonë ende nuk ka përfunduar. Pra, tek të gjithë shqiptarët mendojë se ka shumë për të bërë:  Eshtë çështja çame që duhet zgjidhur, janë më shumë të drejta për shqiptarët që duhen realizuar që ata të mos driskriminohen në Presheve Bujanovc e Medvegje, si dhe në Mal të Zi, e të tjera”

       Më tej, duke i dhënë fjalën folësit të rradhës moderatoria e festes, tha se “nuk mundem të le pa permendur dhe miqesinë tonë me popullin amerikanë, të  R. së Shqiperisë me SHBA, përkrahjen që i kan dhënë Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara prej presidentit Wilson, Bushi i vjetër me “Vijën e Kuqe’ në prag të Krishtëlindjeve, në 1991, dhe deri tek roli i presidentit Klinton gjatë luftës në Kosovë, dhe ai vendimtarë i Presidentit George W. Bush në pavarësinë e Kosovës, si dhe mbështja e administratës Obama” tha ajo duke ia dhënë fjalën përshëndetëse ligjvënësit të shtetit të Nju Jorkut, zoti  Michael J. Cusick, mikut të shoqatës Dibra në Staten Island. I cili, pos përshëdetjes së rastit duek përcjell urimet më të përzemrta të 28 Nëntorit, tha se jam i impresionuar nga puna dhe kontributi i shqiptarëve në distriktin 63të në ishullin Staten Island.
Manifestim me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e përshëndeti në emër të qeverisë së Kosovës, Konzulli i Pergjithshëm i Republikës së Kosovës në New York , ambasadori Bekim Sejdiu,

Në emër të Republikës së Kosovës dhe në emër tim personal kisha dëshiruar me këtë rast të përshëndes shoqatën Dibra, për ftesën të marë së bashku me ju pjesë në këtë festë të bukur, tha ambasadori Sejdiu.

“Me këtë rastë shpreh gjithashtu në emër të Republikës së Kosovës, të cilën unë e përfaqësojë në SHBA, një falemnderim të veçantë për atë që Dibra dhe dibranët bënë për Kosovën, gjatë momenteve më të vështira të saj – eksodin e madh gjatë luftës së Kosovës – për çlirimin dhe pavarësisnë e Kosovës – mbasi poulli i Kosovës dhe R. e Kosovës nuk do t’a harrojë asnjëherë atë që bëtë ju për Kosovën “.

Në këtë përvjetor, viojë Konsulli i përgjithëshëm i Kosovës, të madh ne festojmë e kremtojmë edhe të arritura të mëdha, të gjithë së bashku si komb pavarësisht kudo që ndodhemi.

“Dhe si e dini të gjithë, u shpreh zoti Sejdiu, kemi kaluar në beteja të vështira, mirëpo, kemi shënuar fitore të mëdha, dhe si e theksojë më parë kryetari juaj zoti Paçuku, ceku ai të arriturat e kombit shqiptar dekadat e fundti kan qenë të jashtëzakonëshme : Kosova e lirë dhe e pavarur, Shqipëria në Nato, Shqipëria e Kosova, janë për t’u bashkuar fuqimisht, do të thotë në integrimin e tyre në familjen euro-atlantike, Bashkimit Europian. Pra, shtoi ai të arriturat janë të mëdha; por sfidat na mbesin të gjithëve. Nëse shekulli i kaluar ka qenë ai i vuajtjeve dhe sakrificave, por edhe i përpjekjeve titanike dhe mbijetesës së kombit shqiptarë, shekulli në të cilin ndodhemi tash, u shpreh ai do të jetë shekulli i zhvillimit, dhe i përparimit të kombit shqiptar. Dhe, ashtu si kemi punuar së bashku deri tani jam i bindur se do të punojmë së bashku për të arritur qëllimeve madhore që kemi përpara” tha në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës.

“Mbremja festive e 101 Vjetorit të Pavarësisë, sipas kryetarit të Shoqatës Atdhetare Dibra, zoti Musa Paçuku, do të bëhet edhe si pikënisje e nje tradite te re -Mbasi  Shoqata Atdhetare Dibra në Staten Island, ku jetojnë e punojnë mbi 15 mijë dibranë, çdo 28 Nëntor, do të nderojë me çertifikatën “Mirënjohje Dibrane”, të gjithë ata dibranë dhe dibrane, që kan kontribuar për komunitetin shqiptarë, veprimtarit dhe aktivitetin e tyre në SHBA, Dibrën – edhe Shoqatën Atdhetare Dibra, si dhe figura dhe veprimtar të dalluara nga Dibra e Madhe”.      Me këtë rast, tha Paçuku, meqenëse, ky është fillimi – kësaj rradhe SHAD, vendosi të nderojë këtë persona me motivacionet përkatëse  : z. Haxhi Maqellara,z. Lavderim Cami,z. Ylber Pilku, Dr. Mensur Klloboçishta, znj. Leunora Abdullahu,z. Murat Mela, dhe znj. Julinda Daci, duke i lënë vedin asaj që në 28 Nëntorin e ardhëshëm, ta vazhdojmë këtë nderim me personalitete të tjera, figurave të njohura, këto veprimtarë te dëshmuar të çështjes kombëtare.

Më pas kryetari i SHAD, zoti Musa Paçuku, u dha një respekt të thellë pas vdekjes në emër të shoqatës, tre ish anëntarëve të saj, që nuk janë më në mesin e tonë: i ndjeri Sami Markja, Rexhep Herbeli dhe Beqir Markja

Mbrëmja festive me rastin e festës së 101 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, në “ishullin” e dibranëve Staten Island – New York, u shoqërua me një program të pasur artistik , përgatitur me mjeshtëri nga “Bilibili i këngës Dibrane” këngëtari  dibranë Haxhi Maqellara.

Programi dhe repertori i pasur artistik, i këngëtarve i dhuruan një atmosferë të mrekullueshme kremtimit të ditës së flamurit dhe të pavarësië – në “Orion Palaca” në Brooklyn – New York . Grupit “Fisnikët” nga Staten Isaland iu bashkangjiten në këtë manifestim edhe  Deshira Ahmeti-Kerliu, Arjan Kerliu dhe Bledar Maqellara dhe këngëtari nga Dibra e Madhe Lundrim Paçuku

Pjesëmarrësit, gjithashtu patën rastin të ndjekin çiftin Deshira Ahmeti-Kerliu – Arijan Kerliu me duetin e talentuar  Bledar Maqellara dhe Lundrim Paçuku, të preformojnë me një mjeshtri të rallë pjesë të muzikës të lehtë, klasike dhe asaj popullore shqiptare. Dy vëllezërit dibranë Maqellara, Haxhi dhe Agron e “ndezën” atmosferën me një kolazh të pasur me këngë, valle e melodi, nga të gjitha zhanret dhe tervat shqiptare.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, dibranet, festuan 28 nentorit

HYMN TË VËRTETËS

November 25, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

 e dua të vërtetën/

të pastër si e vërteta/

të shenjtë/
si e vërteta/
shenjtore/
si Nënë Tereza/

uji i burimit është/
i kthjellët si e vërteta/
bora në dimër/
është e vërteta/
dhoma e ngrohtë
ndërsa jashtë
ka furtunë
është e vërteta
e kulluar

deti dhe qielli
janë e vërteta
lakuriqe
si nudot
kryevepra
të Renoir-it

pa të vërtetën
e gjitha është
rrenë
e pështirë
pa të vërtetën
ka kllouniadë
ka folkloriadë
më mirë
ikë nga sytë këmbët

e dua të vërtetën
e thjeshtë
pa fallsitet
injoranca
është e vërtetë pranoje
analfabetizimi është i vërtetë
pranoje

hype ku të duash
të vërtetën
zbrite nga të duash të vërtetën
ajo qendron
në këmbë
e paepur

askush nuk
nuk e fsheh dot të vërtetën
edhe ai që ia tregoi
në legjendë tokës
toka rriti pipëzat
dhe e vërteta
u kthye në këngë
për fyejtë mitologjikë

të vërtetën
nuk e fsheh dot lluksi
Benzi, Jaguari, Rolls-Royce,Ferrari
vilat, kamja, ari
e vërteta
ajo qëndron
mbi gomar
në mes të fushës
e të vjen të qeshësh
me të madhe
sa të të dalin lotët
prej të qeshurës
se si shfaqet

e vërteta mbetet
largoje me dhunë
largoje me intriga
e vërteta prapë është

çliroje nga pushtuesit
çliroje diktatura
çliroje ga sharllatanët
Zoti na rujt prej tyne
sa plehra janë
por e vërteta
i mbijeton gjithçkaje

andaj duhet
shqiptuar
troç
sepse të shtiresh
është lojë e madhe
duhet të aktrosh
në Hollywood që
t’ia dalësh
sepse përndryshe të
del boja
fare

sepse e vërteta
e tregon shëmtimin
katërcipërisht
ashti si je
faqja e zezë e tokës
apo faqja e bardhë
fytyra e nxirë blozë
apo fytyra e pastër
si drita e Zotit
kjo është e vërteta

e vërteta nuk është
e fshehur
e vërteta
është për fushë
ne e dimë
si është e vërteta
ne ia themi vetes tonë të vërtetën
ne ia themi njeriut të zemrës
të vërtetën
dhe çlirohemi

të thuash të vërtetën
çlirohesh nga vargonjtë
e shtirjes
nga vargojntë e diktatit
të inercisë
nga koha e pushtimit

tani s’kemi arsye
të kemi frikë
prej frikës
tani jemi çliruar
prej frikës
për ta shqiptuar të vërtetën
troç
ashtu si është
me rrudha
e shpifur
e shkurtër
e trashë
obeze
e ndyrë
por është e vërtetë

nuk i ikim dot së vërtetës
e vërteta nuk na ikën
dot prej dorës
sepse ajo
është
e përherëshme
prandaj le t’ia hapim kartat
e të flasim
me karta të hapura

pa të vërtetë
e gjitha është fiksion
si në një skenë teatri
me aktorë amatorë
që nuk e dinë gjuhën
shqipe
as ta flasin
dhe as ta shkruajnë
e shkruajnë dhe e flasin
shqipen
në mënyrë rumpallhane

pa të vërtetë
nuk ka memorie
nuk ka kujtesë
historia kthehet
në hiç të hiçit
e ne hymë lopë
e dalim lopë
nga kjo jetë
duke na tërhequr
prej qafe zagari
fallcitet
dhe kudra
hipokrizi

prandaj
mbroje të vërtetën
shqiptoje të vërtetën
shqip
anglisht
në të gjithë gjuhët
që ke mësuar
gjatë këtyre 23 viteve tranzicion

veç thuaje
me sy,
me mimikë,
me gjestikulacion
trupëzoju
me të vërtetën
bëju zëri i saj
thuaje
të vërtetën
troç
më e bukura
ta thuash
alla shqiptarçe troç
kështu e kam për zemër

sepse kur e thua
troç
lind si njeri
je vetvetja
dhe bota
bëhet e vërtetë
si e ka krijuar
Zoti

e kështu jetohet
jeta….
troç
dhe bëhet
më e mirë
bota
për çdo ditë e më e mirë
kur i betohemi
së vërtetës
kur i falemi
së vërtetës
kur i thurim
hymn
të vërtetës
me gjithë shpirtin
e zemrën tonë…

nuk kemi përse të themi
rrofshin liderët
rroftë revolucioni demokratik
rroftë antirevolucioni
rroftë antitranzicioni
mjafton të themi
rroftë e vërteta
dhe i kemi thënë të gjitha
shtershëm
deri në bërthamën e tokës
e deri në kupën e qiellit
ku prehen
shpirtërat
e të dashurve tanë
ku ndodhet Parajsa
jeta e përherësisë
dhe Zoti ….

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Hymni i se vertetes

XHAMIA E PLUMBIT NË VLORË DHE MINAREJA-OBJEKT KULTURE

November 25, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia

1.

Xhamia e Plumbit  në Vlorë njihet në gjuhën vëndase si xhamia e Muradies.Foto historike që kanë fiksuar në celuloidin e tyre qytetin e Vlorës ndër kohëra xhamia  e plumbit shfaqet në shumë raste ,kryesisht jo me pamje që ka sot,objekti I kultit mysliman.Celebiu sjell një dëshmi nga udhëtimet e kronikanit osman, nëpër toka që plluskon nën perandori.

Xhamia e Muradies është ndërtuar në kohën e largët të vitit  1542.Xhamia e Plumbit mendohet se është ndërtuar në kohën kur Sulltan Sulejmani urdhëroi ndërtimin e kalasë së Skelës

Minareja,sipas arkitektëve që vlerësohet nga specialistët, me një bukuri të rrallë, është e hollë, elegante, me seksion poligonal dhe e ndërtuar me gurë të gdhendur dhe me ballkonin e sipërm me korniza të profiluara artistikisht

2.

Një minaret ka këto emërtime në gjuhët e ndryshme: (Persian: menare, Turkish: minare, [ nga arabishtja, Manara (منارة), që nënkupton “far”) është një tipar dallues arkitektonike të xhamive, në përgjithësi një majuc e  gjatë me një kurorë në formë ose konike, zakonisht ose në këmbë të lirë ose shtatlartë të strukturës mbështetëse .

Forma themelore e një minare perfshin nje baze, bosht, dhe galeri.  Styles ndryshojnë sipas  vendit periudhave. Minaret sigurojnë një pikë fokale vizuale dhe janë përdorur për thirrjen për namaz (ezani).

Xhamitë më të hershme, u mungonte minareja  thirrja për namaz është kryer diku tjetër; hadithe rele se komuniteti mysliman në Medinë dha thirrjen për namaz nga çatia e shtëpisë së Muhamedit, i cili u dyfishua si një vend për lutje.

Rreth 80 vjet pas vdekjes së Muhamedit minarejas  e parë u shfaq.

Minaret janë përshkruar si “porta nga qielli dhe toka”, dhe si shkronjës Elif gjuhën arabe (e cila është një vijë e drejtë vertikale).

Minareja masiv  e  Xhamisë së Madhe të Kairouan në Tunizi është minarja e vjetër në këmbë.

Ndërtimi i saj filloi gjatë të tretën e parë të shekullit të 8-të dhe u përfundua në vitin 836 er.

Duke imponuar sheshin-planin , kulla përbëhet nga tre seksione të zvogëluar në madhësinë e arritur 31,5 metra. E konsideruar si prototip për minaret e botës perëndimore islame, ajo  shërbeu si një model për minaret shumë më vonë

Minaren e lartë, në 210 metra (689 ft) është vendosur në Xhaminë e II Hassan në Kazablanka, Marok minaren e lartët është Minar Qutub gjendet në Delhi, Indi.

Në disa nga xhamitë më të vjetra, të tilla si Xhamia e Madhe e Damaskut, minaret kanë shërbyer fillimisht si kulla vrojtimi ndriçuar (pra derivim i fjalës nga

Nurit arabe, që do të thotë “dritë”).

Forma themelore përbëhet nga tri pjesë: një bazë, bosht, dhe një galeri. Për bazë, toka është gërmuar deri në një themel të vështirë Materialet zhavorrit dhe të tjera mbështetëse mund të përdoret si një bazë, por është e pazakontë për minarja të ndërtohet direkt mbi tokë-nivelin e tokës.

Minaret mund të jetë konike (konik), katror, cilindrike, apo shumëkëndësh (faceted). Shkallë .Rrethi bosht në një mënyrë counter-clockëise, duke ofruar mbështetjen e nevojshme strukturore për bosht shumë të zgjatur.Galeri është një ballkon i cili rrethon pjesët e sipërme nga të cilat mund të japi Myftiu thirrjen për namaz.

Ajo është e mbuluar nga një kulm çati-si dhe stolisur me zbukurime, të tilla si tulla dekorative dhe punën tjegull, cornices, harqe dhe mbishkrimet, me tranzicionin nga bosht në galeri tipike sportive muqarnas. Fillimisht I thjeshtë në stil, origjina e një minare në kohë mund të përcaktohet nga niveli i saj i salltanet.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, Vlore, Xhamija e Plumbit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT