• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

BERISHA-RAMES: JEP DOREHEQJEN; LULZIM BASHA: KERKOJINI NDJESE QYTEAREVE!

November 15, 2013 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një reagim fill pas deklaratës refuzuese për armët kimike të Ramës, Berisha thekson se këtij Kryeministri që mashtroi botën, aleatët dhe shqiptarët nuk i beson më askush.

“Rinia shqiptare ngadhënjeu mbi mashtrimin e Edi Ramës. Ajo, me protestën e saj historike, mposhti njëriun që mashtroi botën, aleatët dhe shqiptarët!I bëj thirrje Edi Ramës, për hir të Zotit dhe të Shqipërisë, jep dorëheqjen në qoftë se të ka mbetur qoftë dhe një grimcëz përgjegjësi dhe dinjitet. Jep dorëheqjen se kush mbi këtë tokë, shqiptar apo i huaj, nuk të beson më!! Zoti e bekoftë rininë e kombit tonë, nëntorin e bijëve e shndërroi në dhjetorin e etërve të tyre!” shkruan Berisha në fb.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi më herët se Shqipëria e ka të pamundur që të përfshihet në operacionin e shkatërrimit të lëndëve kimike siriane. Në një deklaratë disa minutëshe të ndjekur, Rama shprehu qëndrimin e tij, arsyet se përse e çuan në këtë vendim, ndërsa sulmoi ata që tentuan të hedhin baltë mbi procesin e diskutimeve me aleatët, duke e akuzuar atë se kishte mashtruar shqiptarët dhe se e kishte marrë tashmë vendimin për sjelljen e këtyre lëndëve në Shqipëri.

Basha: Rama problemi i madh i vendit, duhet tu kërkonte ndjesë qytetarëve

Një veprim krejtësisht të imponuar nga revolta e qytetarëve shqiptarë. Kështu e ka vlerësuar lideri i opozitës , Lulzim Basha, refuzimin e armëve kimike të Sirisë nga Kryeministri Rama. Basha tha se opozita ndihet pjesë e gëzimit mbarëpopullor, ndërsa kujtoi se opozita bëri detyrën e saj në shërbim të qytetarëve me dorëzimin e kërkesës për referendum.

“Pak minuta më përpara gjithë populli shqiptar i dha fund alarmit duke detyruar Edi Ramën për bashkimin e jo-së së mekur të tij me jo-në e madhe të popullit kundër ardhjes së armëve kimike në vend. PD dhe mbarë opozita shqiptare ndihen pjesë e gëzimit të ligjshëm mbarëpopullor, sepse ishte pa asnjë ekuivok në krahun e qytetarëve dhe bëri detyrën e saj për të demaskuar gënjeshtrën flagrante dhe mashtrimet e Kryeministrit, duke dorëzuar kërkesën për referendum popullor. Si qytetar u shpreh mirënjohjen të gjithë të rinjve dhe të rejave, qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë për Kryeministrin në paligjshmërinë e tij”tha ai.

Basha akuzoi kryeministrin Rama se tentoi të luante me shqiptarët për interesa të ngushta personale. Kreu i PD-së theksoi se Rama nuk u konsultua më askënd, nuk bëri transparencë me askënd, pasi kërkonte të fitonte kapital politik me armët kimike, të cilin po e humb me shpejtësi në Shqipëri.

“Një problem u zgjidh, një tjetër ka dalë, ai është kryeministri, Edi Rama. Ai u ofrua jo si Kryeministër për shkatërrimin e armëve kimike, por si hileqar, çifligar, për interesa të ngushta meskine. Nëse do ishte treguar ndryshe do ishte treguar serioz me aleatët, duhet të ishte konsultuar me Presidetin, Kuvendin, aleatët e tij pa qenë nevoja ta fuste në siklet aleatin tonë me garancitë e tij arbitrare. E mbajti për vete për ta kapitalizuar për vete, e gënjeu mendja për shumë gjëra. Rama gënjeu publikun se armët kimike ishin çështje e NATO-s, ai mbeti i vetëm në rrethin e gënjeshtrave të tij, i pabesueshëm për publikun shqiptar dhe aleatët. Sot në vend se tu kërkojë ndjesë qytetarëve dhe aletatit tonë më të madh, ka kurajon të merret me sulmet ndaj opozitës” theksoi Basha.

Në përgjigje të akuzave të Kryeministrit Rama lidhur me raportet me SHBA, Basha akuzoi vetë Kryeministrin si përgjegjës për këtë ndodhi të pakëndshme me aleatin tonë strategjik.

“Rama ka cënuar besimin e qytetarëve shqiptarë dhe besimin e SHBA. Për PD marërdhëniet me SHBA janë dhe do jenë kyçe. Qeveria demokratike ka bashkëpunuar si një aleate e ngushtë për një mbarë çështjesh me rëndësi globale, të karakterit politik dhe sigurisë. Aletatët tanë e njohin shumë mirë përkushtimin e plotë të Shqipërisë nën drejtimin tonë” deklaroi kryetari i PD.

E ndërkaq shefi i opozitës ka siguruar qytetarët se do të vazhdojë të kërkoj transparencë për këtë çështje derisa Kryeministri të marrë përgjegjësinë e plotë të papërgjegjshmërisë së tij.(Foto:Arkiv)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Berisha-Basha, rama jep dorheqjen

MEDIA BOTERORE PASQYRON”JO”-NE E SHQIPERISE

November 15, 2013 by dgreca

Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare pasqyrojnë vendimin e Shqipërisë për armët kimike siriane. BBC, Reuters, EuroNews, ishin ndër të parat që lajmëruan botën për vendimin e Shqipërisë menjëherë pasi kryeministri Edi Rama bëri publik vendimin e tij kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri.

“Shqipëria nuk do të shkatërrojë armët kimike të Sirisë”- shkruan Reuters, duke theksuar se, Shqiperia ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për të pritur çmontimin e armëve kimike të Sirisë. Kryeministri i një vendi të NATO-s, tha “Është e pamundur për Shqipërinë të përfshihet në një operacion të tillë”.

Ndërkaq, lajmit i ka dhënë jehonë në kohë reale edhe ABC News, duke shkruar se

Kryeministri ka kundërshtuar kërkesën e SHBA-së që të shkatërrojë armët kimike.
“Shqipëria i thotë “JO” shkatërrimit të armëve kimike”- shkruan Corriere della Sera.

BBC po ashtu shkruan se Shqipëria shmangu shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

Portalet më të rëndësishme kudo në botë kanë pasqyruar zhvillimet e fundit në vend, protestat kundër ardhjes së armëve kimike siriane në vend, duke e vënë Shqipërinë në fokusin e ditës.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Jo e Shqiperise, Media boterore

QEVERIA SHQIPTARE”JO” ZYRTARISHT ARMEVE KIMIKE TE SIRISE NE SHQIPERI

November 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Pamje nga protesta ne Tirane/

Qeveria shqiptare i thotë zyrtarisht jo ardhjes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Pas protestave në rrugë të qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë, kryesisht të rinj kryeministri Edi Rama është sinkronizuar me qëndrimin e tyre, duke refuzuar kështu kërkesën e partnerit dhe aleatit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një rrëfim të gjatë për opinionin publik dhe ata që protestonin përballë Kryeministrisë, Rama tha se nuk do të mund të merrte kurrë, për asnjë arsye asnjë vendim që do të cënonte apo vinte në rrezik jetën e qytetarëve.

“Lërini në marrinë e tyre ata që duan ta bëjnë përsëri lëmsh mendjen e këtij populli duke nxitur një antiamerikanizëm që na turpëron si komb, si vend, si shoqëri, si shqiptarë e si qytetarë; ata që duan t’ju helmojnë e çorodisin përditë me shpifje, gënjeshtra e mllefe gjithëfarë, siç kanë bërë me vite këtyre anëve; ata që duan t’ju ngopin me lugën bosh të injorancës e të ligësisë së tyre të njohur ndaj këtij vendi.  E për t’i ndarë gjërat duke ndarë edhe gjënë për të cilën ju protestoni, ka vetëm një pikë ku unë u ndala pa mundur ta kapërcej dot në diskutimet me partnerët tanë: Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike – jo thjesht financiarisht apo me ekspertizë sepse të tilla ka, por flas për pjesëmarrje direkte. Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë. E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme. Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju njësoj si për mua, sot mungon. Dhe prandaj, me besnikërinë e  plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion” deklaroi ai.

Menjëherë pas kësaj qindra protestues të përfshirë kanë shpërthyer në gëzim para Kryeministrisë.

Menjëherë pas kësaj qindra protestues të përfshirë kanë shpërthyer në gëzim para Kryeministrisë.

Ndërkaq ai sulmoi ata që tentuan të hedhin baltë mbi procesin e diskutimeve me aleatët, duke e akuzuar atë se kishte mashtruar shqiptarët dhe se e kishte marrë tashmë vendimin për sjelljen e këtyre lëndëve në Shqipëri.

“E këtu tani, u vjen natyrshëm radha paraardhësit tim si edhe atyre që shkruan kapitullin më të turpshëm të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, duke e çarë dje, për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, dhe duke e kthyer parlamentin në një skenë skizofrenie politike ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Asadi;  Dhe ku mbeti pa u thënë vetëm që Asadi do që të shfarosë sirianët, kurse Presidenti Obama do që të shfarosë shqiptarët. Unë e di sa ju dhemb zonja e zotërinj opozitarë jo thjesht humbja e 23 qershorit, po ende më thellë, sa ju dhemb humbja e pushtetit mbi paratë e shqiptarëve dhe goditjet e njëpasnjëshme që po merr bota e ulët e krimeve ekonomike, të cilën e ndërtuar si një mallkim damkosës në trupin e Shqipërisë.Por që dhimbja juaj të ishte kaq e madhe, sa të kapeshit pas Asadit dhe bombave të tij, për të qëlluar me histeri edhe Amerikën përveçse qeverinë e mua personalisht, këtë vërtet nuk ma tha asnjëherë imagjinata. Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarëve të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg sa të bëni thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci!  Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun” për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës? Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj, është ky operacion humanitar o ju që në Gërdec, i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e Lula të vocërr të varfërisë që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë? Po pse, çfarë janë Kombet e Bashkuara, çeta juaj e zullumqarëve që vazhdon rend pas një të marri, i cili, pasi e ktheu Shqipërinë në një kosh plehrash importi, nxjerr Lulin e vet të vocërr të zullumeve të mëdha për të kërkuar referendum popullor kundër Amerikës? Nguleni në kokë sot dhe deri kur nuk do ta lini plakun në vetminë e vet, se referendumin popullor kundër plehrave Shqipëria e bëri në 23 qershor! Ku e keni vendimin që thatë se ishte marrë pas shpinës së shqiptarëve dhe do shpallej sot, të premten?  Asnjë vendim s’është marrë, sepse asnjë vendim nuk mund të merrte Shqipëria pa ata 1 milionë të cilët e bënë njëherë referendumin kundër plehrave dhe pa ato gra e burra që janë përfaqësuesit e 1 milionë shqiptarëve në parlamentin e vendit. Në këtë pikë dua t’ju them tani gjithë shqiptarëve, të mos lejojnë askënd të tallet me ta përmes krahasimit të shëmtuar mes plehrave që e mbytën Shqipërinë për biznes deri në 23 qershor, dhe lëndëve kimike të një lufte të njerëzimit kundër armiqve të tij të betuar. Ju fola në fillim për pjesën e vështirë të rreshtimit krah për krah me të fortët e botës, si shqiptarë dhe si anëtarë të NATO-s. Teksa po shkoj drejt mbylljes, dua t’ju pyes: A nuk mendoni se pikërisht Shqipëria, po po, kjo Shqipëria jonë e vogël dhe e drobitur nga shumë padrejtësi e fatkeqësi, nuk mundet dot të ishte as e para, as e dyta dhe as tjetra me radhë që të refuzonte përfshirjen në këtë operacion, po duhet të qëndronte, deri në fund, e të përpiqej besnikërisht për krijimin e kushteve më optimale që do të mundësonin përfshirjen e saj(?) – sipas mundësive e nevojave të saj?  E pra, unë s’kam dilema për këtë dhe këtë bëra, në emrin tuaj e të Shqipërisë. Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike!”; As duke u kuturisur të krahasohemi kot më kot me të tjerë, më të mëdhenj e më të fortë se ne, të cilët për arsye krejt të tjera mbajnë qëndrime të tjera nga tonat” tha Rama.

Rama tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që nënshkroi rezolutën për Sirinë u radhit krah atyre partnereve që mbështesin paqen dhe demokracinë nëpër botë. Rama konfirmoi se në këtë diskutim, Shqipëria parimisht ishte pro, sepse ishte detyrim i saj për të qenë krah aleatëve të mëdhenj.

“Në 11 shtatorin e saposhkuar, kur i’u drejtova parlamentit për programin e qeverisë së re, e nisa fjalën time me tragjedinë e kullave binjake dhe barbarinë e regjimit vrastar në Siri.Ishte koha kur armët kimike të Asadit kishin bërë një kërdi që tronditi botën dhe çdonjërin nga ne po ashtu. Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, shpallën përgatitjen për sulmin ushtarak ndaj Sirisë.Në përputhje të plotë me boshtin strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë, si edhe me programin e ri qeverisës, unë theksova se Shqipëria do të ishte, si gjithnjë, “në krah të Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë”.Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve çoi në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për çarmatosjen pa luftë të regjimit sirian, përmes shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit kriminal të Asadit. Këtë rezolutë e mbështeti plotësisht dhe Shqipëria, në përputhje të plotë me nderin e me dinjitetin tonë si vend i angazhuar botërisht, për të kontribuar për lirinë, demokracinë, paqen, kudo në botë.Më pas, u kontaktuam drejtëpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë. Dhe përgjigja jonë, ashtu si përgjigja e një sërë vendesh të tjera, ishte ajo që imponon historia jonë e këtyre njëzet e tre viteve; boshti strategjik i politikës sonë të jashtme, pa dallime partiake deri dje paradite; detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara:Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtëpërdrejtë. Prandaj gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën, duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera” sqaroi kryeministri Rama.

Kryeministri sqaroi se nuk foli më herët për fazën e diskutimeve me aleate, për arsye se ky nuk ishte subjekt i një debati publik, por një operacion i komplikuar sa civil aq edhe ushtarak.

“Ky të dashur miq është një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak, dhe si i tillë përgatitja e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik. Kjo nuk ndodh në asnjë vend serioz, ku qeveria, publiku dhe parlamenti thirren në debat vetëm kur ka një plan operacional e jo gjatë ndërtimit të planit operacional.Por, për më tepër, dua t’ju siguroj sot se në gjithë procesin e diskutimeve intensive të gjithë këtyre javëve, ne jemi përqëndruar me vëmendje e vullnet të madh përmes një grupi teknik, duke kërkuar nga ekspertiza e partnerëve përgjigje për çdo pyetje të ngritur nga ambientalistët, çdo shqetësim të shprehur nga ju, çdo argument ekspertësh apo pseudoekspertësh që ngrinin peshë mendjen tuaj nga ekranet e faqet e gazetave. Ndërsa unë jam përpjekur me shumë vullnet e pasion, të marr jo vetëm sigurinë e plotë për moscënimin e asnjë fijeje floku dhe mosmbetjen e asnjë mbetjeje në territorin shqiptar, po njëkohësisht edhe mirëkuptimin që në këtë përpjekje të madhe të fuqive të mëdha, supet e vogla të Shqipërisë të mos ngarkoheshin përtej mundësive të tyre. Kemi gjetur përgjigje të njëpasnjëshme, kemi marrë garancira të njëpasnjëshme, por është dashur kohë. E ndërkohë, përveç gatishmërisë në parim, siç ju kam thënë, nuk kam marrë asnjë angazhim përfundimtar, për ta çuar këtë çështje për vendim para qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë. Sepse kam qenë gjithë kohën i vetëdijshëm se nëse do ta hidhja këtë hap, duhet të kisha bindjen më të plotë jo vetëm tek garancia plotë e sigurisë teknike, por edhe tek përfitimi që shoqëria jonë, vendi ynë, kombi ynë meritonte të nxirrte nga ky kontribut fantastik për mbarë njerëzimin. Më vinte sot përmes dritares thirrja e përsëritur e protestuesve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, dhe lejomëni t’jua them sot, hapur, në sy, se për këtë jam përpjekur tërë këto ditë e netë diskutimesh. Këtë u kam përsëritur papushim miqve tanë të mëdhenj amerikanë dhe europianë, duke u thënë: Na ndihmoni t’i tregojmë Europës se ne jemi pjesë e saj dhe jo një kosh plehrash në mes të Europës!Na ndihmoni të dalim më të pastër e më të fortë nga kjo histori që edhe ne t’ju ndihmojmë me çfarë kemi mundësi!Na ndihmoni të kontribuojmë për të mirën e njerëzimit, duke kontribuar edhe ju për të mirën e njerëzve tanë!” tha ai.

Kryeministri u kujtoi shqiptarëve se aktualisht në vend ndodhen 31 zona mbetjesh kimike që vrasin përditë dhe se në pjesën e diskutimeve me aleatët ai kishte kerkuar të mos shkuleshin nga Shqipëria derisa vendi te pastrohej totalisht nga këto substanca të rrezikshme.

“Dua t’i pyes ata që me plot të drejtë thërrisnin sot, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, a e dinë që në Shqipëri ka 31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara, të cilat nuk plasin po vrasin ngadalë? Janë zona që dihen prej vitesh, të shenjuara në listën e zezë të planetit, po Shqipëria e varfër, ashtu si çdo vend i varfër në këtë botë, nuk mund të lerë pa paguar rrogat e pensionet për të pastruar mbetje të tilla që kushtojnë qimet e kokës. Një nënë e re nga një pikë e tillë në Elbasan më çonte një mesazh, “O kryeministër, në fshatin tonë ka fëmijë me tumor çdo vit kurse ti do me na i vra krejt fëmijët”. Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit – po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Fushë Arrëz, Prrenjas, Burrel, e me radhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor.U kërkova edhe pastrimin e mbetjeve të mëdha inerte në gryka lumenjsh, nëpër rrugët kombëtare e nëpër plazhe dhe pak nga pak, u mirëkuptuam.  Po ashtu më në fund u mirëkuptuam edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike siriane. Sepse o miq, në Shqipëri nuk do të na mbërrinin bombat e famshme të cilat çmontohen në Siri, po lëndët kimike të nxjerra prej tyre (pra jo fishekët po baruti). Ndërsa djegia dhe varrosja e mbetjeve pas trajtimit të lëndëve që do të vinin këtu, të bëheshin gjetkë, në vende të tjera. Kështu mbi tokën e Shqipërisë nuk do të mbetej më absolutisht asnjë thërrime lëndë kimike.Siç po mundohem t’jua rrëfej të vërtetën me përpikmëri ndaj fakteve dhe besnikëri absolute ndaj jush, në gjithë këtë proces unë ju kam përfaqësuar ju dhe Shqipërinë, me respektin më të madh për Shtetet e Bashkuara po edhe përunjësinë më të plotë për interesin tonë kombëtar e publik” tha më tej Rama.

Rama theksoi se situata e krijuar solli edhe reagimin e pabazë dhe të pakuptimtë të atyre që shkaktuan Gërdecin, me 26 viktima të pafajshme dhe që kërkonin të mos kishte më Gërdec.Po ashtu Kryeministri preku edhe kërkesën e PD-së për referendum popullor, të cilin e konsideroi si referendum kundër Amerikës, ndërsa theksoi se përgjigja e këtij referendumi është marrë më 23 qershor.Rama shprehu vlerësimin se protestat në rrjetet sociale dhe në rrugë, kanë qenë e vetmja dallëndyshe e pastër.

“Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë, ka qenë e vetmja dallandyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë.  Edhe pse ju ka përfshirë në protestë mbingarkesa në shpirt prej gjithë kësaj propagande histerike, unë ndjehem shumë mirë për ju; ndjehem mirë sidomos për shumë prindër që deri dje i frikeshin protestës ndërsa sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forca speciale e gryka pushkësh në dritaret e kryeministrisë; ndjehem mirë për këtë erë të freskët demokratike që solli 23 qershori. Kam plotësisht respekt për kurajon tuaj dhe njoh jo pak ndër ju që ishin përditë bashkë me mua deri në 23 qershor, në rrugën e paharrueshme të përpjekjes për Rilindjen që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë që duam.   Asnjë problem, nothing personal siç më shkruante dje mikja ime Elsa Lila përpara se të hidhte videon e vet në youtube.Sot nuk është dita për t’ju ndryshuar mendjen,  e di këtë dhe nuk ju’a kërkoj. Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mirë. Por sot është dita që unë t’ju them vetëm këtë:Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz, po janë vrarë e vriten, më shumë se të gjithë të tjerët, në fronte lufte për të mirën e njerëzimit” përfundoi fjalimin e tij Kryeminsitri.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Jo armeve kimike, kryeministri Rama, Qeveria shqiptare

“VIZION 21”, LETER AMBASADORIT SHQIPTAR NE WASHINGTON DC

November 15, 2013 by dgreca

“Asnjëherë vetëm për vete, gjithmonë për të tjerët!/

Asnjëherë vetëm për një komb, gjithmonë për të gjitha/kombet”. – Moto e Vizion 21

14 Nëntor 2013/

Uashington/

Letër e hapur Shkëlqesisë së Tij Ambasador Galanxhi Shkëlqesia juaj,/

Në emër të Vizion 21, po ju shkruajmë që të shprehim shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin tonë për vendimin për të marrë në konsideratë shkatërrimin e plotë apo të pjesshëm në Shqipëri të arsenalit kimik të Sirisë. Duke u bashkuar me mijëra shqiptarë të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ftojmë qeverinë shqiptare të gjykojë me maturi dhe të peshojë pasiguritë e ndryshme në mënyrë të duhur dhe transparente.

Vendit tonë i mungojnë burimet e nevojshme për të trajtuar në mënyrë të sigurtë kimikatet toksike. Disa raporte flasin që mbeturina të rrezikshme nga arsenali i vet I vogël kimik janë ende të pasiguruara gjashtë vjet pas asgjësimit, me rrezik për jetën e njeriut dhe mjedisin. Përvec kësaj Shqipëria ka një historik me trajtim të pasigurtë municionesh. Në Gërdec, me qindra tonelata municionesh shpërthyen duke vrarë 26 njerëz, duke plagosur mbi 300 dhe duke shkatërruar ose dëmtuar seriozisht mbi 500 shtëpi dhe ndërtesa. Projekte të ngjashme, por me përmasa dhe me kompleksitet më të madh, mund të jenë shkatërrimtare për popullin dhe vendin tonë.

Një gjë që na alarmon edhe më shumë është fakti se një sërë ekspertësh nga vende të ndryshme nuk kanë gjetur konsensus rreth sigurisë të asgjësimit të armëve dhe kohëzgjatjes së procesit. Vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dështuar në mënyrë të përsëritur për të përmbushur afatet për asgjësimin e një arsenali më të vogël, ndërsa Norvegjia e ka refuzuar këtë ofertë menjëherë duke cituar mungesën e objekteve të nevojshëm. Duke pasur parasysh natyrën komplekse dhe procësin e gjatë të asgjësimit, kërkojmë të tërheqim vëmendjen tuaj për të marrë parasysh rreziqe të tjera të panjohura dhe evituar pasoja të padëshiruara.

Shkëlqesia Juaj, Këto fakte kanë shkaktuar shqetësim në rajon dhe në të gjithë botën, sidomos mes shqiptarëve. Ndërsa shkruajmë këtë letër, reagimi i publikut shqiptar ka qenë I shpejtë dhe i jashtëzakonshëm kundër këtij vendimi.

Brenda dy javësh më shumë se 35,000 nënshkrues kanë kundërshtuar këtë vendim në një peticion të organizuar në Avaaz.org të quajtur ” AKIP – Jo armëve kimike të Asadit në Shqipëri ” . Më shumë se 120,000 të tjerë kanë shprehur kundërshtimin e tyre në grupin në facebook të quajtur “1 milion Shqiptarë kundër asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri.” Raportet e fundit në media janë veçanërisht shqetësuese dhe flasin për tensione në rritje në Shqipëri. Disa intelektualë të njohur e kanë quajtur këtë “përdhunim” dhe të tjerë parashikojnë “trazira”. Këto zhvillime të kohëve të fundit mund të ndikojnë në stabilitetin në vend gjatë transportimit apo asgjësimit të armëve kimike dhe njëkohësisht përbëjnë një kërcënim për demokratizimin e brishtë dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Ne jemi të shokuar nga disa media që portretizojnë këtë kërkesë standarde si presion të tepruar nga ana e Shteteve të Bashkuara mbi Shqipërinë dhe një fait accompli, ndaj të cilit qeveria shqiptare është e pafuqishme. Kjo mund të ndikojë negativisht në opinionin publik shqiptarë, në një kohë kur shumë shqiptarë mendojnë se jetët e fëmijëve të tyre mund të jenë në rrezik. Kjo gjithashtu mund të çojë në manipulimin e opinionit publik shqiptar brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare.

Për këto arsye ne ju bëjmë thirrje që të përdorni çdo mundësi për t’iu kundërvënë kësaj tendence në të gjitha takimet me shqiptarët, sidomos gjatë protestave. Ne gjithashtu ju nxisim ju dhe qeverinë shqiptare që të marrë përgjegjësinë e vet dhe të komunikojnë në mënyrë efektive me publikun. Së fundi, është thelbësore që të ritheksojmë aleancën e natyrshme me Shtetet e Bashkuara si një kauzë vlerash dhe traditash të përbashkëta, por edhe në kuadrin e interesave jetike kombëtare për shqiptarët.

Ju falënderojmë paraprakisht për vëmendjen dhe mbesim me shpresë se kërkesa për asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri do të refuzohet për të mirën e të gjithëve.

Sinqerisht,

Faton Limani,

Bashkëthemelues, Vizion 21

Shkolla e Qeverisjes Kennedy në Harvard

Faton.Limani@gmail.com

 

Genti Miho, Bashkëthemelues

Genti.Miho@gmail.com

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Leter ambasadorit, Ne Washington, shqiptar, Vizion 21

SHQIPTARET: JO ARMEVE KIMIKE EDHE NE WASHINGTON DC

November 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Petraq Pali/

Edhe në Washington DC, shqiptarët që banojnë në këtë komunitet si edhe të ardhur nga Arlingron, Virxhinia, Mariland, megjithe se ishte ditë pune, protestuan përpara Ambasadës shqiptare për t’i thënë: “JO ,JO JO JOOOO importit te Armeve Kimike ne Atdhe!”
Në kujdesin e organizatorëve znj. Aneta Xhiku (Mihali) dhe Znj. Elsa Xhaferi (Pali) që kishin lajmëruar për të dalë në këtë protestë të miratuar nga Autoritetet dhe Qeveria Amerikane.
Në orën 12 .30 u mblodhën para ambasadës dhe të gjithë njëzëri i thanë plot gojën “Jo importit te armeve kimike ne Atdhe.” Njerzit me maska mbrojtëse në fytyrë me flamuj dhe banderola, kënduan Hymnin e Flamurit dhe me pas këngën legjendare: “E dua më shumë Shqipërinë!”
Femijët tanë kishin lënë shkollën dhe morën pjesë në protestë.
Znj Antoneta Xhiku e më pas znj. Elsa Pali, mbajtën fjalën e rastit.
Më pas znj. Pali, intervistoi dhe incizoi të gjithë pjesëmarrësit, një nga një, për të thënë fjalën e tyre reth kesaj ngjarje tragjike për kombin tonë.
Nga punonjësit e Ambasadës nuk pati asnjë lloj impenjimi as denjuan, as doli asnje qoftë dhe për ëe takuar organizatoret.
Mitingu ishte shumë paqesor dhe policia e mbeshteti.
Pwrgatitjen e e banderolave, tw maskave e flamujve e sponsorizuan Skerdi dhe Elsa Pali dhe krye nwn kujdesin e tyre.
Washington DC

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jo armeve kimike, ne Shqiperi, Petraq Pali, Proteste ne washington

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT