• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

NDERIM PËR ATDHETARIN, PEDAGOGUN DHE GJUHËTARIN

December 14, 2013 by dgreca

Në 25-vjetorin e ndarjes nga jeta: Prof. Dr. Selman Riza-“Mësues i Popullit”/
Ne Foto: Prof. Dr. Selman Riza (25 dhjetor 1909-16 dhjetor 1988)/
Shkruan: Prof. Murat Gecaj/
1. Disa vjet më parë, është venë në qarkullim, në Tiranë, libri i Engjëll Angonit: “Selman Riza, gjuhëtar dhe atdhetar i shquar”. Që në fillim, janë dhe pak fjalë të autorit, për lexuesin: “Ndërkaq, nuk mund ta fsheh kënaqësinë, që kam ndier gjatë gjithë punës për hartimin e këtij libri, sepse kështu pata mundësinë që ta njoh dhe ta çmoj edhe më tepër, siç e meriton, jetën dhe veprën e tij aq të pasur, që e bëri të pavdekshëm”. Ndërsa në parathënien e tij, prof.dr. Shaban Demiraj-Akademik nënvizon: “Më në fund, gati dhjetë vjet pas vdekjes, dikush kishte marrë përsipër t’i bënte të njohur një publiku të gjerë jetën aq të brengosur dhe veprimtarinë aq të pasur të këtij shkencëtari dhe atdhetari të rrallë” e më tej: “Ky libër, i shkruar me një qartësi tërheqëse dhe me një dokumentim bindës, na e shpalosë, si në një ekran, jetën plot vuajtje e brenga dhe arritjet e mëdha shkencore të këtij personaliteti të shquar të shkencës shqiptare”. Autori e ka ndarë këtë libër (me afër 200 faqe, me dokumente e foto) në katër pjesë kryesore. Në të parën, flet për jetën dhe veprën. Aty mësojmë se prof. Riza kishte lindur më 25 dhjetor 1909, në qytetin e Gjakovës-Kosovë. Më tej, kishte qenë nxënës në shkollën plotore “Naim Frashëri” të Tiranës dhe në Liceun Kombëtar të Korçës. Pastaj vijoi dy fakultete të larta, në Toluzë të Francës dhe u kthye pedagog, ku ishte vetë nxënës, pra në Liceun e Korçës.

Si gjatë qëndrimit në Shqipëri e në Kosovë, ai u tregua atdhetar i flakët dhe i papajtueshëm ndaj çdo armiku. Prandaj u përndoq e u persekutua: U burgos e u internua, nga rregjimi fashist dhe u burgos nga dy rregimet diktatoriale komuniste (në Kosovë e në Shqipëri); në vitet e fundit të jetës e larguan nga puna si shkencëtar e pedagog dhe, pasi iu bë një “gjyq” inkuizicional, u dërgua “për riedukim” në muzeun e Beratit. Ndërsa, në vitin 1970, u nxor në pension para kohe. Pastaj e munduan sa s’ka më: sëmundja e rëndë dhe e gjatë, mjedisi i heshtur dhe mospërfillës i shtetit monist. Ja, pra, se çfarë provoi ky atdhetar, pedagog e shkencëtar i madh, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta, në Tiranë, më 16.12.1988.

 

2.

Zotërues i disa gjuhëve, prof. Selman Riza ishte pedagog i  gjuhësisë, në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, të Akademisë së Shkencave. Me vullnet të jashtëzakonshëm për punë, njerëzor e tepër korrekt, këmbëngulës e dashamir ndërmjet studentëve e kolegëve dhe gjithë atyre, që e njohën, -ai  la pas një pasuri të paçmuar në praktikën pedagogjike dhe në lëmin e studimeve gjuhësore.

Jeta dhe vepra e prof.dr. Selman Rizës janë nderuar e vlerësuar në Kosovë, ku është bërë botimi i disa vëllimeve, në serinë e studimeve të tij. Ndërsa në vitin 1994 (pra, pas vdekjes), u botua në Tiranë libri i tij me interes: “Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore”. Punimet e prof. Rizës  rrokin fusha të gjera të gjuhësisë shqiptare, por dhe të tjera. Të tillë përmendim: autorët e vjetër, historinë e gjuhës së shkruar, dialektet e shqipes, drejtëshkrimin, gramatikën e shqipes (bien në sy studimet për pronorët, nyjën, foljen) etj.

Pas viti 1990, në Shqipëri dhe në Kosovë, për prof.dr. Selman Rizën është shkruar në shtyp dhe janë organizuar veprimtari përkujtimore, ku është theksuar ndihmesa e tij e madhe në fushën e arsimit kombëtar dhe të shkencës shqiptare. Atij i janë dhënë titujt e lartë “Mësues i Popullit” dhe “Punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës”. Jeta dhe vepra e tij e mundimshme janë burim frymëzimi për brezat që të kenë atdhedashuri të paepur dhe vullnet të çeliktë e punë të palodhur, si për Shqipërinë dhe “Kosovën shqiptare”, siç e quajti ai, në pak radhët e amanetit të  fundit.

 

3.

Më kujtohet se, kur autori i librit, që përmenda në fillim të këtij shkrimi, E.Angoni kishte nisur mbledhjen e dëshmive, dokumenteve dhe kujtimeve, për hartimin e librit kushtuar prof.dr. Selman Rizës, më kërkoi të shkruaja kujtimet e mia, pasi kisha qenë student i këtij. Sigurisht, shpreha kënaqësinë dhe gatishmërinë për ta plotësuar kërkesën e bërë.

Kur i fillova studimet e larta, në Universitetin e Tiranës, sigurisht ishte një ngjarje e rëndësishme për mua, pasi vija nga një krahinë e largët malore dhe e prapambetur, në të kaluarën edhe për zhvillimin arsimor. Me sa më kujtohet, deri atëherë, në shkollën e lartë, nga krahina jonë kishin ardhur pak bijë e bija të malësorëve. Pa u zgjatur, kujtoj se në kursin tonë ishin rreth 30 studentë: nga Tirana, por dhe nga rrethe të tjerë e disa të huaj, nga ish-Bashkimi Sovjetik e bile deri nga Mongolia e Vietnami. Përpara tani kam një polifoto, që  është bërë në vitin 1963, kur u diplomuam, “mësues i shkollës së mesme, për lëndët gjuhë-letërsi shqipe”. Përveç  bashkëstudentëve të mi, aty janë dhe fotot e disa   prej drejtuesve e pedagogëve tanë. Ndër ta, është  fotografia e pedagogut  Selman Riza.

Atë e njoha mirë, që në vitin e parë, sepse vija në Universitet nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe më kishin thënë se ai ishte nga Kosova. Pra, ishim pothuaj bashkëkrahinas dhe, si në heshtje, ndieja që diçka më tepër, se me të tjerët,  më lidhte me këtë pedagog. Kur paraqitej rasti, këtë gjë ai ma shprehte në ndonjë bisedë të përbashkët, sidomos kur ishte fjala për veçoritë gjuhësore të të folmes së Shqipërisë Veri-Lindore dhe të Kosovës.

Prof. Selmani na dha kursin e autorëve të vjetër të shqipes së shkruar. Por, në leksionet e seminaret e tij, aq serioze dhe të përgatitura me korrektësi e aftësi të lartë shkencore, gjente rast të na fliste jo vetëm për  figura të tilla, si Buzuku, Budi, Bogdani etj., për lashtësinë dhe veçoritë e shqipes së shkruar, por dhe për bukurinë e saj dhe mundësitë e shumta, që ajo ka për t’i shprehur qartë e saktë mendimet tona. Pra, nënkuptonte  dhe kritikonte  ata njerëz, që gjuhën shqipe e mendonin “gjuhë të varfër”, që  “nuk lejon mundësi shprehjeje, si gjuhët e huaja” etj. Veçanërisht, ishte këmbëngulës dhe kërkonte saktësi, gjatë shprehjes së mendimeve nga ne, studentët, jo vetëm në përgjigjet e ndryshme në  leksione, seminare a bashkëbisedime, por dhe në bisedat e lira. Me dashamirësi e takt pedagogjik, por dhe me qortim, kur paraqitej nevoja,  na drejtohej, kur përdornim në të folur, fjalë të huaja të panevojshme ose kur nuk i shprehnim drejt, fjalët a mendimet tona. Kujtoj se ai studionte me zell të veçantë pronorët e shqipes. Për këtë gjë  na fliste me pasion në auditore, por dhe kishte botuar në revistat tona shkencore

Gjej rastin që të shtoj dhe diçka tjetër. Sidomos në dy vitet e para të studimeve, kisha vënë re se ndonjë pedagog i yni rrinte si më ” i tulatur” dhe “i ndrojtur”. I tillë ishte jo vetëm prof.Selman Riza, por bile dhe prof.Eqrem Çabej. Në atë kohë, nuk e dinim se ata na paskëshin “njolla” në biografi, sipas rregimit të asaj kohe, gjë që e kuptuam më vonë. Dhe, “gjynahet” e  prof. Rizës na paskëshin qenë se: “Është i pabindur”,  “kërkon të bëjë studime  në kokën e tij” ose “nuk e njeh materializmin dialektik” etj.

Kur përgatisja temën e diplomës, nga fusha e dailektologjisë, në vitin e fundit të studimeve universitare, prof. Riza nuk e kaloi këtë punë timen në heshtje. Përkundrazi, më përgëzoi dhe, pas kohës së mbledhjes së materialeve në terren, sistemimit  dhe interpretimit të tyre, më pyeste dhe më nxiste: “Si po të shkojnë punët?  Nëqoftëse ke ndonjë gjë për t’u konsultuar, jam i gatshëm. Puno me zell e kujdes, se do të dalësh faqebardhë…”.

Me prof.Selman Rizën  jam takuar disa herë edhe pasi mbarova studimet e larta.

Në kohën e fundit të jetës, ai nuk ishte mirë nga ana shëndetësore dhe kjo më therte në zemër. Në vitet 1974-1975, kam patur nderin e kënaqësinë që ai të më bënte dhe vizita në banesën afër ish-pasticeri “Flora” të kryeqytetit, kur isha vetëm në një dhomë, me gruan e tre fëmijë të vegjël. Por dhe ia kam kthyer atij vizitën, pra kam shkuar në shtëpinë e tij, jo larg nga ne dhe kemi pirë kafe bashkë. Në bisedat tona zinin vend: Malësia e Gjakovës, Kosova, gjuha shqipe etj, por dhe problemet tona familjare.

Jam pikëlluar pa masë, kur mora vesh vdekjen e Profesorit dhe mikut tim të paharruar, prof. Selman Riza. Sa herë e kam kujtuar jetën e tij ose kam sjellë ndërmend vuajtjet shpirtërore e fizike, që i janë shkaktuar padrejtësisht, thellë në shpirt kam ndjerë dhimbje të madhe. Kam kënaqësinë dhe nderin të pohoj se, me sjelljen, diturinë dhe karakterin e tij, ai ka ndikuar mjaft  në formimin tim të përgjithshëm, sidomos në atë gjuhësor dhe inteklektual. Prandaj, dëshiroj dhe e kam detyrim moral, që dhe  tani, 25 vjet nga ndarja e tij përgjithnjë nga jeta, të përulem me respekt e nderim të thellë përpara kujtimit, jetës dhe veprës së shquar të prof. Dr. Selman Rizës! Ai do të mbetet përherë i gjallë, jo vetëm në kujtesën time, por dhe tërë  brezit tonë të studentëve të tij.

Tiranë, 13 dhjetor 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: atdhetari, gjuhetari, Murat Gecaj, pedagofu, Selman Riza

Ambasadori Arben Çejku promovon në Shkup e Prishtinë romanin”Dymbëdhjetë”

December 13, 2013 by dgreca

SHKUP – PRISHTINE : Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku promovoi romanin e tij “Dymbëdhjetë” në Panairin e Librit në Tiranë, kështu të paktën njoftoi axhenisa prestigjoze e lajmeve në gjuhën shqip në Maqedoni Illyria News Agency INA.  Kjo axhensi në raportimin e saj thotë se “Ky botim i shtëpisë “Pegi” sjell te lexuesi një histori të cilën secilit prej nesh i duket se mund ta “prekë” vetëm me një zgjatje dore, por që njëherësh e ka të pamundur ta besojë.

Ndërsa duke folur për përmbajtjen e librit “Dymbëdhjetë”, të autorit Arben Çejku, Ina shton se” E vërteta është që njerëz të ndryshëm ndërveprojnë në këtë histori nëpërmjet “komunikimit” që kanë bërë me personazhin kryesor, Lek Drini në “Facebook”.
Ai e “ringjall” Lekën përmes “Facebook”-ut dhe për çdo ditë e ushqen jetën virtuale të vëllait duke gërryer botën reale të vetes dhe të miqve, duke përfshirë edhe familjen e tij.
Sa më i gjallë e i përditshëm bëhet Leka, aq më ndjeshëm transformohet dhe vuan vëllai i tij. Por në lojë tashmë kanë hyrë edhe të tjerë.
Vallen e heq Eda, një vajzë e pafajshme dhe bukuroshe, e cila pasi njihet me “princin” e saj, përjeton një sërë të papriturash befasuese.” Janë këto disa përshkrime nga libri i diplomatit shqiptar, i cili mbylli mandatin e tij diplomatik në Maqedoni ka njoftuar në lajmet e saj INA.

Sakaq, edhe portali  Kurir Shqip ka shkruar se “‘Dymbëdhjetë’ sjell te lexuesi një histori të cilën secilit prej nesh i duket se mund ta ‘prekë’ vetëm me një zgjatje dore, por që njëherësh e ka të pamundur ta besojë, .

Ky protal thotë se legjenda shqiptare tregon sesi Konstandini u ngrit nga varri që të përmbushte amanetin e së ëmës për t’i sjellë Doruntinën, kur atë ta merrte malli. Është pikërisht malli ai që nxit vëllain e Lekës për të nisur një aventurë, që për pak do t’i kushtojë shtrenjtë.

Ai e ‘ringjall’ Lekën përmes ‘Facebook’-ut dhe për çdo ditë e ushqen jetën virtuale të vëllait duke gërryer botën reale të vetes dhe të miqve, duke përfshirë edhe familjen e tij. Sa më i gjallë e i përditshëm bëhet Leka, aq më ndjeshëm transformohet dhe vuan vëllai i tij. Por në lojë tashmë kanë hyrë edhe të tjerë. Vallen e heq Eda, një vajzë e pafajshme dhe bukuroshe, e cila pasi njihet me ‘princin’ e saj, përjeton një sërë të papriturash befasuese ka shkruar në faqen e saj të internetit Kurir Shqip.

Edhe autori i këtij libri diplomati shqiptar Arben Çejku i ka shpërnadr faleminderimet e tij në mes Prishtinë dhe Shkupit, dy kryeqytetet ku ai shërbeu për afro një dekadë si Ambasdor i R. Shqipërisë.

Kështu ka shkruar në rrejtin social face book autori i librit “‘Dymbëdhjetë’ zoti Arben Çejku: “Falenderoj edhe një herë të gjithë miqtë në Shkup e Prishtinë, ata që morën pjesë në promovimin e romanit tim, veçanërisht Rektorin e UEJL-se, Prof. Dr. Zamir Dika, studiuesin e letërsisë Prof. Fatmir Sulejmani etj për fjalët e mira që thanë në Shkup më datë 12.12.2013 si edhe Akademikun Ali Aliu, shkrimtarin dhe botuesin Nazmi Rrahmani, redaktoren e librit, Alda Bardhyli për vleresimet që bënë edhe RTK, Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë, Librarinë e Çarshisë në Shkup dhe gjithë miqtë që u angazhuan dhe më ndihmuan, natyrishtë edhe median shqiptare në Shkup e Prishtinë. Faleminderit të gjithëve nga zemra!” është shprehur nëpërmjet facbukut të tij ish- ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë dhe Shkup zoti Arben Çejku.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arben Cejku, dymbedhjete, ne Shkup-Prishtine, promovon, romanin

Zgjedhjet e Fundit në Kosovë: Kush e Kah?

December 13, 2013 by dgreca

Shkruan: Faton Bislimi/*

Zgjedhje të Lira dhe Historike?/

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, sikurse edhe balotazhi i 1 dhjetorit, shënuan zgjedhjet e para të lira e demokratike të mbajtura në të gjithë territorin e Kosovës. Me gjasë, për shkak të këtij përceptimi, ato edhe po llogariten si historike. Them përceptim, pasi që në themel, zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës, në komunat me shumicë serbe, por edhe nëpër disa komuna tjera në jug të Ibrit, po ashtu me shumicë serbe, zgjedhjet jo domosdoshmërisht ishin të lira. Sikur në kandidatët ashtu edhe në preferencat e votuesëve në këto komuna, influence të rëndësishme dhe kryesore pati një shtet i huaji, Serbia. Andaj, se sa të lira ishin këto zgjedhje, të paktën në aspektin esencial të fjalës, mbetet cështje e hapur.

U vlerësuan si zgjedhje historike, pasi që sipas Prishtinës zyrtare, ato futën edhe serbët e Kosovës, e veçanerisht ata të komunave në veri të vendit nën ombrellën e institucioneve dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, menjëherë pas përfundimit të balotazhit, në shumicën e komunave me shumicë serbe fituan kandidatët për kryetar nga rradhët e Listës “Sërbska,” iniciativë politike kjo kryekëput e themeluar, udhëzuar, e përkrahur nga Beogradi, të cilët deklaruan se do të jenë në shërbim të Serbisë dhe se asnjëherë nuk do ta njohin “të ashtuquajturën pavarësi dhe shtetësi të Kosovës.”

Deri më tani, këta kryetar komunash llogariteshin si jolegjitim, si dhunues të rendit kushtetues të Kosovës, por tani që iu ‘nënshtruan’ procesit zgjedhor në Kosovë, ata janë legjitim dhe si rezultat i marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes të Prishtinës e Beogradit, këta kryetarë komunash me shumicë serbe në Kosovës do të themelojnë edhe Asociacionin apo Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës, një mekanizëm ky që, siç kam thenë edhe më herët, rrezikon të defunksionalizojë edhe më tutje Kosovën si një shtet unitar. Nëse në statutin e këtij asociacioni nuk përkufizohen mirë dhe kjartë të drejtat, përgjegjësitë, dhe funksionet e tij, ky asociacion shumë shpejtë mund të dale komplet nga rendi kushtetues i Kosovës dhe të kthehet në një bazament mbi të cilin do të ndërtohet një entitet i posacëm serb brenda Kosovës. Serbët këtë e kanë kalkuluar shumë mirë, si duket. Ata e kanë parë, tanimë nga përvoja, se cfarëdo sistemi ilegal që ata krijojnë në Kosovë, fillimisht do të refuzohet e injorohet nga autoritetet kosovare por edhe ato ndërkombëtare, mirëpo pas një kohe, të njejtit, përmes procesit dialogues, do të legjitimohen në një mënyrë apo në mënyrën tjetër si faktorë në kuadër të shtetit të Kosovës. Kështu ndodhiu thuajse me sistemin paralel komunal serb në veri, tash e njejta po bëhet me inkuadrimin e pjesëtarëve të deritashëm të MUP-it në Policinë e Kosovës, etj. Pse, atëherë, të mos shpresojnë dhe punojnë serbët që edhe ‘asociacionin’ e tyre një ditë ta kthejnë në një mini-shtet, apo rajon autonom brenda Kosovës, por me lidhje direkte me Serbinë?!

A Fituan të Gjithë?

Ndërsa, në pjesët tjera të Kosovës, duket se procesi zgjedhor kaloi pa ndonjë problem madhor. Kurse, e veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte se ato prodhuan një rezultat kompleks dhe jo lehtë të kapshëm për shumëkë, e aq më pak për politikanët. Shumë matematika të paraplanifikuara nuk dolën askund. Shumë bastione u shembën? Ajo që duket kjartë, sidoqoftë, është fakti se votuesit ndërruan pushtetin lokal në shumicën e komunave. Pushtetarët, zakonisht, u dënuan dhe si rezultat fituan kundërkandidatët e tyre. Kjo posaqërisht vlenë për rezultatet e balotazhit, ku përjashtim bën Prizreni, nga të gjitha komunat e mëdha të Kosovës që shkuan në balotazh. Por, nuk është larg mendëve që edhe Prizreni do kalonte në duart e taborrit opozitar, LDK-së në këtë rast, sikur këta të fundit të kishin paraqitur një kandidaturë të re, më energjik, më gjerësisht të pranueshëm për shumicën e prizrenasëve.Në anën tjetër, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Mitrovicë, Gjakovë, Viti, Suharekë, Lipjan, Pejë, e Malishevë, partitë që paten pushtetin në përgjithësi u ndëshkuan dhe në krye të këtyre komunave erdhën kandidatët nga taborret opozitare. Partia nuk bëri përjashtim këtu—pushtetarët e ndëshkuan, qofshin ata të LDK-së, PDK-së, apo AAK-së. Ky fakt tregon për një ngritje të vetëdijes qytetare në Kosovë, të paktën vis-à-vis pushtetit. Ata votuan për rrokadë pushteti. Prandaj, ua pamundësuan partive të flasin për favorizim elektoral të njërës apo partisë tjetër. Të gjitha partitë në pushtet, përgjithësisht, u ndëshkuan. Psh. LDK humbi Prishtinën, Kamenicën, Obiliqin, e Novobërdën, por fitoi Gjilanin, Pejën, Vitinë, Lipjanin, Suharekën, dhe Ferizajn; PDK humbi Malishevën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën e Jugut, Vitinë, por fitoi Kamenicën, Rahovecin, si dhe mbajti Prizrenin, Klinën, Vushtrinë, e Dragashin; AAK humbi Pejën, Rahovecin, Suharekën, e Gjakovën, por fitoi Obiliqin dhe mbajti Junikun; kurse për here të parë në krye të komunave vijnë kandidatët e Vetëvendosjes (Prishtinë) dhe AKR-së (Gjakovë e Mitrovicë).

Andaj, rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk i japin komoditet asnjë partije politike. Realisht, këto rezultate japin rast të mirë për partitë politike që të fillojnë të mendojnë kritikisht në lidhje me raportet e tyre me votuesit si dhe në lidhje me organizimin e tyre të brendshëm. Përkundër kësaj harte të re politike në vend të prodhuar nga rezultatet e zgjedhjeve lokale, edhe PDK edhe LDK, edhe AAK, por edhe Vetënvedosje e AKR thonë se kanë dalë fituese. Por, a janë realishtë të gjithë fitues?

PDK: Përtej Drenicës Krenare!

PDK thot se është partia e parë për nga numri i votuesëve në tërë Kosovën, duke e nxjerrë këtë shifër nga votat e qytetarëve për asambletë komunale. Ky fakt qëndron. Realisht, PDK ka marrë rreth dhjetë mijë vota më shumë se partia kryesore rivale, LDK, në zgjedhjet për asamble komunale. Tutje, PDK vazhdon të qeverisë me numrin më të madh të komunave në Kosovë, dhjetë sosh, një më shumë se rivalja LDK që do të qeverisë me nëntë sosh. Por, a duhet të llogaritet ky fakt si fitore e PDK-së, kur ajo humbi qeverisjen në disa qendra kryesore të Kosovës si në Gjilan, Ferizaj, e Mitrovicë? A e ka forcuar ky rezultat PDK-në, kur kësaj i shtohet edhe fakti që humbi edhe Malishevën në mes të Drenicës? Çarjet tanimë të dukshme në PDK, e veçanërisht largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit si dy figura kyçe të partisë që nga themelimi i saj, duket të kenë dhënë efektet e para negative për partinë e kryeministrit Thaçi. Përderisa PDK ndihet komod që ende ka më shumë vota (nga rezultatet e zgjedhjeve për asamble) se partitë tjera, ajo nuk mund të llogaritë në këtë komoditet për të fituar edhe njëherë zgjedhjet nacionale që po afrohen shpejtë. Në shumë komuna kryesore ku PDK ka humbur primatin dhe qeverisjen, ajo do të dobësohet edhe më shumë sepse aty do të ndodhin rirreshtime politike. Grupe të ndryshme të interesit tanimë do të kalojnë në taborret e fitimtarëve, duke ia khtyer shpindën PDK-së që ishte në pushtet deri më tani. Të tjerë do të shfrytëzojnë humbjen e partisë nëpër këto qendra për të avancuar intereset e veta dhe si rezultat mund të çojnë në çarje edhe më të thella partiake. Psh, a nuk mund të thot Zenun Pajaziti dhe përkrahësit e tij se sikur paria e partisë të kishte kandiduar me Pajazitin në Gjilan, sot PDK ende do të kishte pushtetin aty? Të njejtën dilemë mund ta ngrisin edhe njerzit e Xhevat Bislimit në Viti, apo ajo? Dilema të ngjashme mund të ngrisë edhe disfata e gjeneralit në Prishtinë. Prandaj, PDK-së i ka dale kogja punë tani për të rimëkëmbur edhe njëherë të gjitha strukturat partiake, për t’i ruajtur ato (që mos t’i përsëritet ndonjë ‘Malishevë’ tjetër), dhe për ta rigjeneruar partinë. Gjerësa të udhëheq me qeverinë e Kosovës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka mundësinë që të ‘rehatojë’ shumë nga këta të pakënaqur nëpër pozita publike. PDK po ashtu do të duhet të tregohet e kujdesshme edhe në rigjenerimin e rradhëve partiake. Ajo ka pasur prurje të reja, por shumica e tyre janë fokusuar në Prishtinë. PDK tani duhet të atraktojë gjak të ri edhe nëpër komunat tjera, në përpjekje për të rritur suksesin politik në betejat e ardhëshme zgjedhore.

 

LDK: Larg Duket Kryeqyteti!

 

LDK thot se tanimë është partia e parë në Kosovë, dhe këtë shifër të fitorës duket se e nxjerrin nga përqindja e votuesëve të tyre në garën për kryetar komunash ku kandidatët e LDK-së për kryetar komune, në nivel vendi, kanë marrë më shumë vota se ata të rivalit kryesore, PDK-së. Ky fakt poashtu qëndron. Tutje, LDK shënoi fitore bindëse në Gjilan dhe mori qeverisjen edhe në disa qendra kryesore të Kosovës si në Pejë e Ferizaj. Tani, ajo do të qeverisë në nëntë komuna në vend. Por, LDK dhe mbi të gjitha, lideri i saj, Isa Mustafa, humbi në Prishtinë. A e kompenzojnë humbjen e Prishtinës, kryeqendrës së Kosovës që LDK e qeverisi pandërprerë pas luftës, e veçanërisht liderit Mustafa, fitoret në komunat tjera të Kosovës? LDK edhe nën udhëheqjen e Mustafës, përkundër premtimeve të panumërta, asnjëherë nuk arriti të çojë deri në fund reformat e shumë përfolura partiake. Disa mburren me fitoren e LDK-së nëpër shumë komuna dhe rritjen e numrit të votave që kjo parti ka marrë tani duke e krahasuar atë me numrin e votave të zgjedhjeve të vitit 2007 e 2009, duke harruar rrethanat në të cilat LDK ishte në atë kohë, veçanërisht pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe ndarjes thuajse në dysh të partisë me krijimin e LDD-së. Me kalimin e kohës dhe rënien e përkrahjes elektorale për LDD-në, normalisht se është përmirësuar përkrahja elektorale për LDK-në. Por, edhe LDK mbetet larg prej komoditetit se do të fitojë zgjedhjet nacionale. Nuk është racionale të mendohet se votat e dhëna për kandidatët për kryetarë të LDK-së nëpër shumë komuna ku ata fituan janë domosdoshmërisht vota të LDK-së. Një pjesë e madhe e këtyre votave kanë qenë vota kundër pushtetit të deritanishëm në ato komuna. Prandaj, nuk mund të llogariten këto vota si përkrahje direkte për LDK-në edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Psh, të gjithë ata që votuan kandidatët e LDK-së në balotazh për të marrë pushtetin kundrejtë atyre që po kërkonin vazhdim të mandatit, jo domosdoshmërisht do e votojnë LDK-në në zgjedhjet nacionale. Sidoqoftë, inercioni është pozitiv për LDK-në dhe nëse shfrytëzohet mençur, ajo mund të ketë sukses në zgjedhjet nacionale. Mirëpo, edhe LDK-së i ka dale kogja punë pas rezultatit të këtyre zgjedhjeve, përtej humbjes së Prishtinës. Jo në të gjitha komunat ku kandidatët e saj kanë fituar do të mund të rehatohen të gjithë ata që llogariten, ose vetllogariten, si faktorë kyç të fitores. Pushteti rritë lakminë. Lakmia e tepërt mandej mund të çojë në prishjen e rradhëve të partisë fituese. Dhe, kjo do të ishte e padëshiruar në prag të zgjedhjeve nacionale. Andaj, LDK-së i duhet që të rigjenerohet dhe që në pushtetet lokale ku ka marrë timonin të ofrojë njerzë profesionistë, të rinj, dhe të përkushtuar për qeverisje të mirë, efikase, dhe efektive.

 

AAK: Atij Anekënd i Këndojmë!

 

AAK thot se ka shënuar rritje të konsiderueshme si parti dhe tanimë është konfirmuar fuqishëm si forca e tretë politike në vend. Ky rezultat duket se nxirret nga numri i votave të fituara në zgjedhjet për asamble komunale. Dhe, ky fakt qëndron. Tutje, AAK fitoi edhe Obiliqin dhe vazhdoi qeverisjen në Decan e Junik. Por, ajo humbi Gjakovën dhe Pejën, dy komuna të mëdha të Kosovës këto që konsiderohesh bastione të saj. A kompenzohen humbjet në këto dy komuna me fitoren e AAK-së në Obiliq dhe rritjen e numrit të asambleistëve të vet në nivel vendi? A e ka të sigurtë AAK, realisht, pozitën e të tretit në skenën politike tanimë? Rezultatet tregojnë se lavdia dhe meritat e luftës të kryetarit Ramush Haradinaj, përkundër faktit që janë pjesë e përherëshme e historisë sonë më të ndritur, nuk mund të shërbejnë tutje si kartë e sigurtë për fitore në zgjedhje as edhe në Dukagjin. Përceptimi në publik se AAK qëllim të parë dhe të fundit ka ardhjen në pushtet (veçanërisht atë qendror) përmes çfarëdo lloj matematike a koalicioni qoftë edhe me PDK-në, menjëherë pas kthimit triumfal të Haradinajt nga Haga, dëmtuan rolin e një opozitari të mirëfilltë për këtë parti. Dihet se 100 ditët e udhëheqjes së qeverisë nga Haradinaj kanë patur efektin e vet dhe vlerësohen për së mbari. Roli i tij prej në burrshtetasi që vë në vend të parë shtetin u dëshmua edhe kur ai la postin e kryeministrit dhe u vetdorëzua në Hagë. Por, partia iu dëmtua nga mungesa e tij gjatë kohës sa Haradinaj ishte padrejtësisht i paraburgosur në Hagë. Tani e tutje AAK-së i duhet të flasë më një zë të kjartë dhe solid. E ardhmja e saj do të përcaktohet nga drejtimi që partia do të marrë në përgatitje për zgjedhjet nacionale dhe roli që ajo do të luajë në komunat ku është pjesë e opozitës dhe në ato ku është pjesë e pushtetit.

AKR: Alternativa Kështu Rilindë!

AKR, e cila deri më tani nuk ka udhëhequr me asnjë komunë të Kosovës, tash e tutje e ka rastin të drejtojë dy komuna të mëdha të vendit—Gjakovën dhe Mitrovicën. AKR është fituese në garët e balotazhit sepse në të dy komunat ku ishte në balotazh, ajo korri fitore. Por, a e kompenzojnë këto dy fitore trendin në rënje të përkrahjes elektorale të AKR-së që nga themelimi i saj? AKR-në e pret punë e madhe në të dyja këto komuna. Ajo ka pak kohë që deri në zgjedhjet nacionale të vitit që po vjen të tregojë vehtën në këto dy qendra. Sidoqoftë, rastin e ka. Si partia me fokusimin më dinjitoz në program të zhvillimit ekonomik, AKR tani duhet të dëshmojë gatishmërinë e vet, përkushtimin e vet, dhe punën e ndershme që gjithëherë e ka proklamuar. Gjakova dhe Mitrovica, e sidomos Gjakova (pasi që në Mitrovicë koalicionet e para-balotazhit e veshtirësojnë punën e kryetarit të ri, i cili siç duket nuk do ta ketë shumicën në asamble) janë raste për t’i kthyer postulatet e AKR-së në punë praktike për interesa të qytetarëve. Lideri i AKR-së, ish-Presidenti Pacolli, ka vizion për zhvillim ekonomik dhe, kohëve të fundit sidomos, ka treguar një virtyt të lartë prej një politikani gjithëpërfshirës duke iu krijuar mundësi shumë të rinjëve të kyçen në skenën politike përmes AKR-së dhe me pëkrahjen e AKR-së. Partia e drejtuar nga ish-Presidenti Pacolli ka treguar vullnet për rimëkëmbje dhe shenja për rritje si forcë politike e moderuar. Prurjet e fundit në AKR janë nismë e mirë, e cila nësë vazhdon ka mundësi që t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes dhe sforcimit politik të partisë. Intensiteti i punës në këtë parti duhet të rritet dhe assesi të bije tani duke gjetur kënaqësi në fitoren e dy komunave. Besimi se fitorja në Gjakovë dhe Mitrovicë janë “kartë e gjeblër” për zgjedhjet nacionale është i pabazë. Psh, a mendoni se të gjithë ata që i votuan kandidatët e AKR-së për kryetarë në ato dy komuna ku edhe AKR triumfoi, domosdoshmërisht do e votojnë AKR-në në zgjedhjet e afërta nacionale? Përgjigja dihet. Prandaj, kjo fitore e AKR-së është vetëm hapi i parë i rifuqizimit politik të saj. Hapat tjerë pritet të shihen në ditët dhe javët në vijim, dhe po këta hapa do të jenë vendimtarë për rezultatin e AKR-së në zgjedhjet nacionale. Nëse paria e kësaj partie e tejshijon fitoren e 1 dhjetorit, duke lënë anash angazhimin për rigjenerim dhe riorganizim të partisë nëpër të gjithë Kosovën, rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme nacionale mund të jenë jo të mira për të.

LV: Lëkundjet Vazhdojnë…

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shkuar në balotazh në asnjë komunë, pos kryeqytetit ku edhe kandidati i saj fitoi balotazhin. Të fitosh karrigën e të parit të kryeqytetit është kogja fitore. Por, a e kompenzon kjo fitore rënien e ndjeshme që Vetënvedosje ka pësuar gjithandej Kosovës në aspektin e përkrahjes elektorale? Fitora e postit të kryetarit të kryeqytetit është aq e madhe sa edhe sfida që vije me të, pasi që numrat në asamble nuk shkojnë në favor të Vetëvendosjes nëse kjo e fundit nuk bënë “pazar politik” për ndarje të pushtetit me ndonjërën ose me disa nga forcat politike të përfaqësuara në kuvendin komunal të Prishtinës. Tutje, diferenca aq e madhe në mes të numrit të votave që Shpend Ahmeti mori në balotazh dhe atyre që Vetëvendosje mori për asamble komunale janë indicator i fuqishëm i orientimit të një pjese të madhe të votes prishtinase më shumë kundër pushtetit të deritanishëm se sa pro Vetëvendosjes. Kuptohet dhe duhet të ketë qenë e pritshme se një pjesë e madhe e votuesëve të partive kryesore rivale të LDK-së, e veçanërisht i atyre të PDK-së, në balotazh do të votonin Ahmetin kundrejtë Mustafës, me qëllim të vetëm humbjen e liderit të LDK-së. Për PDK-në ka qenë, kuptueshëm, më e rëndësishme humbja e Mustafës sesa fitorja e Ahmetit apo Vetëvendosjes. Fundja, Prishtina ka një mori problemesh që jo lehtë mund të zgjidhen, e aq më pak, kur në krye të saj vije një burr që nuk e ka mbështetjen e sigurtë të kuvendit komunal. Bile, për PDK-në, fitorja e Ahmetit mund të konsiderohet edhe sikur “të vrash dy zogjë me një gur.” Pamundësia eventuale e Ahmetit, jo për shkak se i mungon profesionalizmi, dija, apo sinqeriteti e burrëria, por për shkak se mund t’i mungojë përkrahje e nevojshme politike në kuvendin komunal, për të realizuar premtimet e tij dhe programin e Vetëvendosjes në Prishtinë do t’i jepte edhe një argument shtesë PDK-së, por edhe partive tjera, për të atraktuar votuesit e Vetëvendosjes kah vetja duke bërë me gisht tek dështimet në Prishtinë. Prandaj, para Shpend Ahmetit, në veçanti, dhe Vetëvendosjes në përgjithësi gjendet një sfidë e madhe e qeverisjes. Suksesi në Prishtinë do t’i ndihmonte Vetëvendojes të ecte tutje si formacion politik, me kusht se reformohet dhe me doemos do të ndryshojë disa qendrime (psh, nuk mund të injorojë në vazhdimësi simbolet shtetërore të Kosovës, por ato duhet t’i praktikojë përditë). Por, dështimi eventual në Prishtinë do të mund edhe të dobësonte fuqishëm Vetëvendosjen.

*Faton Bislimi është studijues pranë Qendrës së Ekselencës të BE-së në Universitetin e Albertës në Edmonton dhe profesor vizitor në Universitetin Seton Hill në Penssylvania, SHBA.

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Faton Bislimi, zgjedhjet en Kosove

PËRBINDËSHI NUK MERR MË FRYMË………

December 13, 2013 by dgreca

Nga Ditari i Burgut…./

Nga Pëllumb LAMAJ/New Jersey/

11 Prill…..1985………..Është Pranverë dhe edhe ne të harruarit nga Zoti e bota kemi filluar të ndjejmë ardhjen e saj edhe pse rreth e rrotull shikojmë vetëm tela me gjemba ,ushtarë që na kanë drejtuar mitrolozët dhe shkëmbenj të copëtuar ….që rrethojnë kampin .Jemi duke lëvizur si zakonisht në atë pak hapësirë të kampit kur në kamp ja behin policë të shumtë duke shoqëruar komandantin e burgut.Pasi qëndrojnë disa minuta duke soditur të burgosurit,na japin urdhër të futemi të gjithë në sallën e kulturës.Është ora dymbëdhjetë dhe Radio-Televizori shqiptar jep një komunikatë ku njoftohet vdekja e diktatorit…..Ajo ç’ka ndjemë në ato çaste ishte një përzjereje habie,mosbesimi e gëzimi bashkë.Fshehtas filluam të vështrojmë e përshëndesim në heshtje njeri tjetrin dhe kjo heshtje më e madhe se çdo heshtje tjetër,pushtoi sallën….Ndërkohë jepet urdhëri të dalim nga salla dhe të burgosurit,me sytë që ju shkëlqejnë nga gëzimi,në heshtje,me grushtat e shtërnguar dalin nga salla dhe sejcili në ato çaste sublime, përfytyron Lirinë e aq dëshiruar e pritur në dekada që do të trokas së shpejti …të paktën kështu kishte ndodhur dhe në B.S kur kishte ngordhur Stalini….por me një ndryshim,Atje miliona turmat e Siberisë kishin bërtitur e ulëritur,ndërsa ne e kishim pritur në heshtje këtë gëzim që dukej se zbriste nga qielli,në të kundërt na dukej se Demoni do të ngjallej e do të na përpinte të gjithë….Edhe pse e kishim dëgjuar me veshët tanë,edhe pse e kishim lutur e dëshiruar për katër dekada,prapë na dukej si ëndërr……diktatori kishte ngordhur edhe pse ishte shndrruar në pamundësi në ndërgjegjen e gjymtuar të popullit. Për dyzetëvjetë me rradhë nëpërmjet një terrori sistematik e të paparë në historinë njerëzore,ky diktator i neveritshëm kishte mundur të gjymtonte aresyen e një kombi të tërë duke e shndruar atë në një mit……Fotografinë e tij të varur në murr do ta gjeje pothuajse në të gjitha familjet shqiptare dhe në këmbët e tij që kullonin gjak do të hidheshin aq shumë lule sa që dhe vet Napoleoni,Hitleri,Stalini e gjithë mbretërit e botës do ta kishin zili……

Është dita e dytë  e zisë kombëtare të shpallur për nder të diktatorit,flamuri qëndron në gjysëm shtizë duke e nderuar atë që e tradhëtoi këtë flamur…Me detyrim na fusin na sallën e kulturës të ndjekim ceremoninë….Është e tmerrshme,ironike,poshtëruese kur shikon që një popull i tërë poshtëron veten duke u përrulur e derdhur lot përpara arkivolit të diktatorit…Të persekutosh një popull për gjysëm shekulli dhe ky popull të vajtoj vdekjen ,ky është paradoksi më i madh njerëzor në histori për botën perëndimore e të civilizuar që nuk e provoi e as imagjinoi terrorin e kuq,terror që politakanët e tyre jua bënë dhuratë popujve të tjerë…..

Është dita e tretë e zisë dhe ceremonive dhe një i burgosur informator i komandës i shoqëruar nga policë ,shkon në çdo kapanon duke kërkuar firmën e çdo të burgosuri ….Bëhet fjalë për një telegram që do ti dërgohet K.Q.P .P SH së dhe lejdit Makbedh ,Nexhit…Një pjesë e madhe fatkeqësisht por dhe ish kuadro komunist firmosin atë paçavure por ka dhe të tjerë kurajozë që as nuk u trembet syri….I burgosuri informator më afrohet dhe më zgjat bllokun…..Pasi e shoh me neveri i them të largohet ….policët që e shoqërojnë pasi më shikojnë me urrejtje duke lëvizur kokën në shenjë kërcënimi,ja bëjnë me shenjë të vazhdojë me të burgosurit e tjerë……Me sa kuptojmë,është një lojë e ndyrë e sigurimit të shtetit për t’i poshtëruar e vrarë politikisht të burgosurit e që në të ardhmen t’a përdorin si dokument poshtërues në histori…..

Sot është dita e fundit e ceremonive dhe turmat të përulura deri në poshtërim nga frika,mbushin me lot e lule rrugët e Tiranës së kuqe duke i dhënë lamtumirën e fundit Përbindëshit të kuq…..Gjithë makina e propogandës së kuqe nën ingranazhet e së cilës janë përpëlitur të gjitha institucionet,ka vetëm një devocion…nderim diktatorit….Shiu nuk ka të pushuar sikundër dhe kortezhi njerëzor që nuk ka të mbaruar veç një gjë është e sigurt….Përbindëshi ka ngordhur………Ditët,javët ndjekin njëra tjetrën dhe asnjë shenjë Lirie nuk po shfaqet në horizont e të burgosurit natyrshëm kanë filluar të humbin durimin dhe mjerimi e shpresat mizore kanë filluar të mbulojnë fytyrat e tyre …..

Pak nga pak po i afrohemi Dimrit dhe sot ka filluar dëbora e parë e ashtu butë -butë ka shtruar çarçafin e bardhë…..Më në fund trokiti dhe Dita e vitit të Ri që shumica mendonte se do ta kalonte në Liri pranë të dashurve të tyre që dhe ata mezi i prisnin…..

Është kohë darke dhe të burgosurit si zakonisht janë rreshtuar për të ngrënë darkën,atë pak supë nga mbeturinat e gjellës së ushtarëve kur nga menca del një i burgosur i shoqëruar nga policët që i bërtasin e ulërijnë.Ai ka gjetur një krimb në supën e tij dhe jua ka treguar të burgosurve të tjerë të cilët në rradhë,njeri pas tjetrit, e kanë derdhur supën në kazanin e plehrave….Ndërkohë lajmërohet komanda dhe në kamp vjen oficeri rojës i cili pasi i ka reshtuar të gjithë të burgosurit pyet se kush prej tyre e ka gjetur krimbin….Një i burgosur ,duke ngritur dorën i përgjigjet oficerit të rojës e ndërkohë oficeri rojës i bën shenjë të dalë nga rreshti e të qëndroj përball turmës se të burgosurve dhe pastaj ju drejtohet të burgosurve;e shikoni këtë armik të betuar?ky maskara ka hedhur krimbin në gjellë për të diskretituar komandën dhe qeverinë ?Ju e dini shumë mirë që ushqimi është i bollshëm dhe i pastër dhe qeveria e partia kujdeset per ju…..ky armik i betuar i popullit nuk ka për tu reabilituar kurrë dhe do të ngordh si krimbi në burg…….dhe pasi jua bëri me shenjë policëve , duke u larguar nëpër shkallët që të çonin në zyrat e komandës….Policët e mbërthyen prej krahësh fatkeqin dhe pasi e lidhën e morën në drejtim të birucave …..Të burgosurit në turmë filluan të mermërisnin ndërkohë që policia dha urdhër të shpërndaheshin e të niseshin drejte fjetores……U nisa drejtë shkallëve për të shkuar në fjetore dhe dikush me preku supet ….Ishte një shoku im që gjithmonë bënte shaka,edhe në momente dramatike….Ku shkon më tha duke qeshur? E vështrova një çast pa folur dhe pastaj me buzën në gaz ju përgjigja;në krevatin e kashtës të mbuloj kokën me batanije e të pres plakun e Vitit të ri….Në moment fytyra e tij u vrejt,më vështroi me dhimbje dhe dhe u nis drejt dhomës së tij pa folur ….Ah,harrova i thashe me zë të ulët…Çfarë më tha bashkëvuajtësi?…Krimbi ishte dhurata më e bukur e Vitit të Ri dhe sonte do të shkruaj një dramë…..Kujdes më tha ai….sonte ka shumë policë vërdallë dhe po të kapën do të të kalbin në qeli dhe u largua…..Dhe atë natë,me kokën mbuluar me batanijen e grisur e të pistë,unë shkruajta një nga dramat e shumta por pa mundur t’a hedh në letër ngaqë policët hynin e dilnin pa pushim nëpër dhoma….Dëbora vazhdonte të binte pa pushim dhe britmat e ushtarëve që ndërronin shërbimin,dhe ndonjë fishekë drite që hidhej për të ndriçuar telat me gjemba ,më kujtuan se kishte trokitur Viti i Ri 1986….Zbulova kokën dhe i hodha një vështrim dhomës ….të gjithë kishin mbuluar kokat me batanije…doja ti zgjoja,tju tregoja se kishte ardhur Viti i Ri por mu duk se do t’u prishja ënderrën…Zot thashë me vete…Çfarë të kemi bërë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nuk merr fryme, Pellumb Lamaj, perbindeshi

Polica e New Yorkut shkatërron një bandë të vjedhjeve të makinave luksoze

December 13, 2013 by dgreca

16 të dyshuar u arrestuan në bastisjen e policisë të hënën dhe të martën , edhe pse policët janë ende në vëzhgim për dy të fundit (simbas raportit të policisë nga emrat të paktën tre prej të arrestuarve mund të jenë shqiptarë)/

Nga BEQIR SINA, New York/

QUEENS NYC : Polica e New Yorkut – NYPD, në një dekleratë, thotë se kanë zbuluar një grup hajdutësh të vjedhjes së makinave luksoze. NYPD njoftoi këtë javë se ata kan arrestuar 16 persona të dyshuar dhe dy janë në kërkim për përfshirje në një super vjedhje, e cila ka kushtuar multi – million dollar nga vjedhjet e makinave luksoze në zonën e “Tri-Shtetshit” .

“Të dyshuarit ishin të shkathët dhe mjeshtër të këtyre vejdhejve  të paktën kështu i ka paraqitur në dekleratën e saj poliicia. Vjedhësit, sipas saj kurrë nuk e thyen një dritare makine gjatë vjedhjeve, por ata me anë të çelsave kopje i kan hapur dyert e makinave, njësojë sikur ato të ishin makinat e tyre .”

Rrjeti, i cili ka funksionuar në zonën e ashtuquajtur të Tri-Shtetshit, New York City , New Jersey , Connecticut, me bazë në Westchester dhe Long Island për tre vitet e fundit , është përgjegjës për rreth 311 makina të vjedhura , dhe të humbura me një vleftë 15.500.000 dollar përfitim vjetor . Policët, thonë se një nga të dyshuarit , kryesor i cili u bë dhe kooperativë me policinë, është një banor i qytetit Queens dhe quhet Albert Natanov , 29 vjeç , ai ka qenë një tregtar i madh i kokainës dhe lëndëve narkotike në qytet..
Të dyshuarit thuhet në raportin e poliicisë u përqëndruan në vjedhjen e makinave luksoze me një nga preferencat më të lartë për makinat më të shtrejta Mercedes-Benz , BMW, Range Rover , Lexus dhe Audi . Gjatë aksionit të vjedhjeve ka konstatuar policia, se ata në vend për të thyer dritaret apo “shqyer” dyert, autoritetet thonë se hajdutët ka përdorur çelësat makinave të kopjuar nga pronarët kur ata kan parkuar makinat e tyre , në parking valets dhe ndonjë rast edhe të mara prej shitësve të makinave , madje duke shkuar aq larg sa për të vjedhur çelësat identike me makinat, ata kan observuar në internet nga një kompani që jepte makina me qira , duke u vendosur një GPS në makinë që përputhen me çelsat indentike, pasi ishte marrë me qira .

” Ky rreth i vjedhësve (ring) që janë të arrestuar në këtë rast do të dëshmojnë se ku i kan shitur makinat , parkingjet ku i kan marrë makinat dhe çelsat dhe pikat e grumbullimit dhe vende të tjera si dyqanet e tyre personale për shitjen e tyre , ” tha komisioneri i policisë Ray Kelly, në një deklaratë .
NYPD dyshon të paktën tek tetëmbëdhjetë njerëz që të jenë të përfshirë në kët super-vjedhje , dhe ata kanë qenë duke hetuar bandën e vjedhësve të makinave super luksosze duke u informuar se ata kan marr – kopjuar të dhënat mashtruese të inspektimit qysh në vitin 2012 . 16 janë të dyshuar që u arrestuan në bastisje të hënën dhe të martën , edhe pse policët janë ende në vëzhgim për dy të fundit thuhet në raportin e NYPD.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: banda, Policia e nju Jorkut, vjedhsit e makinave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT