• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Gjuha shqipe në Shqipëri

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr. Agron F. Fico/Tirane/*

Titulli i shkrimit  dikujt, ndofta, do t’i duket i habitshëm ose edhe i panatyrshëm, por dëshiroj të shpreh thjesht një shqetësim qytetar, një alarm dhe mbi të gjitha një ndërgjegjësim të domosdoshëm për gjendjen e çoroditur të gjuhës shqipe në ditët tona.

 “Mirëseerdhët”, pra me një shqipe të cunguar, shkruar mbi qemerin e portës së hyrjes kryesore të qendrës së re moderne tregtare “Concord Center”, vizitori hyn në sallat plot njerëz dhe mallra nga më të ndryshmet. Ishte dita e dytë dhe tek hyrja kishte radhë, duhej të prisje; kështu gjeta mundësi të flisnim me rojet për këtë gabim drejtshkrimor. Atyre iu duk i pakuptimtë, në mes asaj zallahie të turmës ky meraku ynë i vockël. Hymë brenda dhe, si vizituam disa sektorë mallrash, u ulëm dhe rufisëm nga një filxhan kafe në mes të shtëllungave të tymit. (Ligji për ndalimin e duhanit në mjediset publike është futur në arkivat e buriokracisë administrative). Duke rufisur kafe e duke dialoguar me gruan, edhe ajo është një mësuese e pasionuar e gjuhës shqipe, se cili do të ishte shkrimi i saktë i fjalës në qemerin e ndërtesës, shkrova në një skedë variantet e saktë: Mirë se erdhët!, Mirë se vini! (Shih: “Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe”, 1973, f.132, parag.67 B, f). Në dalje të ndërtesës skedën ia dhashë njërit nga rojet. Ai qeshi dhe, si e palosi skedën, e futi në xhepin e pasmë të pantallonave.

Ai ishte në të drejtën e tij, se shkolla nuk ia kishte mësuar drejt dhe saktë rregullat e drejtshkrimit. Ky lokucion pasthirrmor ishte shkruar jo saktë, ashtu siç janë me dhjetëra e dhjetëra tabela institucionesh e dyqanesh, emra rrugësh etj. me gabime gjuhësore. Po edhe këto nuk janë aq shqetësuese para masakrës gjuhësore, që bëhet në seancat e ndryshme të Parlamentit shqiptar. Aty do të dëgjosh  jo vetëm  dialektet dhe nëndialektet e shqipes,por edhe të folmet  e fshatrave dhe lagjeve  të ndryshme  nga qytete  dhe rrethet e Shqipërisë.

Në fjalimet, replikat, dialogjet e mjaft deputetëve kolltullofagë do të dëgjosh, në gojën e tyre të çthurrur e plot broçkolla, se si përlyhet dhe njolloset gjuha e bukur shqipe.

Këta parlamentarë shqip-prishës janë po ata që përdorin edhe më shumë fjalë, ndërtime dhe shprehje gjuhësore të huaja.

 

Masmedia, qoftë ajo e shkruar ose e folur, është më e papërgjegjshmja për thesarin gjuhësor. Gjen ose dëgjon ndërtime, fjalë dhe shprehje larg standartit të gjuhës letrare. Përgjithësisht ka një varfëri të leksikut dhe, rallë tepër rallë, gjen përdorimin e mënyrave habitore, dëshirore, që i japin ngjyrimin shqiptar frazës së shkruar ose të dëgjuar. Mungon dora e redaktorit gjuhësor nëpër gazeta ose programet televizive.

Më e pakëndshme është gjuha shqipe në librat e përkthyer. Edhe pse janë përkthyer e përkthehen shumë tituj nga letërsia e popujve të ndryshëm të botës e ke vështirë të gjesh ndonjë përkthyes të përkushtuar. Dihet se përkthimi është krijim/ punë krijuese. Ne kemi  tradita të pasura në lëmin e përkthimit dhe kemi pasur përkthyes të shquar me Fan Nolin në krye. Po përmendim pak prej tyre si: Skënder Luarasi, Vedat Kokona, Sotir Caci, Enver Fico, Rober Shvarc, etj. Përkthimi i dobët, cilësia e ulët ka qenë dhe është edhe një ndër faktorët e rënies së interesit për librin e huaj dhe shitjes së tij.

 “Gjuha shqipe, ka shkruar gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, është tabani i tabaneve të kombit”. Këtej buron edhe nevoja e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe institucioneve të saj për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe në standartin e shoqërisë demokratike e europiane që po kërkojmë të ndërtojmë. Rol parësor dhe kryesor ka institucioni i shkollës. Është për të ardhur keq që gjuha shqipe është hequr nga plani mësimor i shkollave të mesme. Pra brezi i ri shkollor e shkëputet mjaft herët nga mësimi i gjuhës shqipe. Kjo ndihet qartë edhe në vitet e univeristetit. Është viti i dytë që jap anglisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe studentët në fillim të semestrit të parë shfaqin dobësi dhe mungesa në gjuhën shqipe, prandaj u them se “kam ardhur t’ju mësoj gjuhën shqipe, se kështu do ta keni më lehtë të përvetësoni gjuhën e huaj, anglishten.” Përfundimet janë të dukshme në fund të vitiiti mësimor.

Ministria e Arsimit duhet ta rishikojë seriozisht vënien e gjuhës shqipe në shkollat e mesme, të nxisë hartimin e teksteve seriozë dhe të qëndrueshëm për gjuhën shqipe me bashkëpunimin e specialistëve të njohur të gjuhësisë e me mësues me përvojë të ciklit të shkollës së mesme.

Ministria  e Arsimit dhe Sporteve, si dhe shoqëria civile , duhet të alarmohen nga shiftat tronditëse të  rritjes së analfabetizmit. Të mendohet me përgjegjësi dhe në mënyrë krijuese.Krahas masave dhe progrmave shtetërore  mund te kerkohej edhe ndihmesa e arsimtartëve tane, atdhetarë dhe të përkushtuar.

Është ogur i mbarë për gjuhën shqipe që qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorti, që në ditët e para të saj vendosi detyrën e redaktorit gjuhësor në institucionet kryesore. Madje vetë Kryminstri  Edi Rama, ka një përkushtim  e kujdes të veçantë  për gjuhën shqipe.Kjo u pa dhe  ra në sy, siç e vri  në dukje edhe  masmedia,   në  fjalimin dramatik për amët kimike siriane. Dilema hamletiane “Të pranohet apo të mos pranohen armët kimike siriane”, që ishte thelbi i dalogut midis qeverisë, popullit, kombit shqiptar dhe kryemikut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shtjellua në një stilistikë gjuhësore në të cilën gërshetohej stili nolian me përdorimin e mënyrës kushtore të së ardhmes dhe sarkazma therëse e Konicës. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëkombasit tanë, kudo që janë, bashkë me vendimin e mundimshëm, por të drejtë e historik, shijuan edhe pamfletin e bukur gjuhësor.

Në fund një sqarim, që të mos shqetësohen si dashamirësit e shkrimit edhe ata jodashamirës. Esenë e shkrova thjesht si qytetar, ose më saktë me përgjegjësinë time qytetare për gjuhën e shtrenjtë dhe të shenjtë shqip e jo si profesionist. Për më tepër, larg qoftë, të hyjë në sferën e Akademisë sonë të Shkencave ose Qendrës së Studimeve Albanologjike, të cilat të lodhura nga heshtja “akademike” rrinë larg sfidave madhore dhe detyrimeve ndaj taksapaguesve shqiptarë. Nuk thanë asnjë fjalë, madje as gjysmë fjale për armët kimike siriane (shih shkrimin tim “Letargjia e Akademisë së Shkencave” tek “Shekulli”, 23 nëntor 2013, f.9). Ndërsa për gjuhën shqipe, një ndër kulmet e diskutimeve të tyre është përcaktimi se cilat fjalë të gjuhës shqipe duhet duhet të shkruhen me “ë” me dy pika dhe cilat fjalë me shronjë të madhe!

Me  më shumë dashuri dhe përkushtim për “gjuhën tonë” shqipe, i dashur lexues, dhe të frymëzuar nga filozofia e Rilindasit të madh, poetit Naim Frashëri për gjuhën shqipe si “gjuhë e mirë, e ëmbël… e bukur e plot vlerë”, dhe ajo do të krenohet me folësit e saj.

Tiranë,  dhjetor 2013

*Falenderojme autorin qe e dergoi artikullin per Diellin

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: gjuha shqipe, ne Shqiperi

Parlamenti Europian voton “Pro” statusit te Shqiperise

December 12, 2013 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur mbështetjen që Parlamenti Europian i dha vendimit të Komisionit Europian per ti dhene Shqiperise statusin e vendit kandidat per anetar te Bashkimit Europian.

Berisha vlerëson se vota e sotme historike në Strasburg ,eshte nje vleresim i madh per suksesin e reformave te medha e te gjithanshme te ndermarra nga Shqiperia vitet e fundit.

“Ky vendim, qe u bllokua vjet nga Edvin Rama duke mos votuar tre ligjet per te cilat ishte rene dakord, deshmon gjithashtu se ky neobllokmen vertete arriti ta bllokoje perkohesisht statusin e vendit kandidat, te shtyje me nje vit kete votim historik, por nuk arriti ta bllokoje ate perfundimisht” shkruan Berisha në fb.

Lideri i demokratëve ka shprehur mirënjohjen edheper grupin e deputetëve të PPE për votimin e rezolutës per Shqiperine. Dhe në fund ai e mbyll me një urim:

“Le te urojme ne se bashku qe me dt 17 dhjetor Keshilli i Ministrave te BE te miratoje statusin e vendit kandidat per Shqiperine!”

PD: Votimi i rezolutës nga PE, vlerësim për përpjekjet tona për integrim

Edhe Partia Demokratike përmes ish-Ministres së Integrimit Majlinda Bregu ka përshëndetur votimin e rezolutës në mbështetje të dhënies së stasusit kandidat për Shqipërinë. Në deklaratën për mediat Bregu tha se Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane

“Parlamenti Europian me një votim historik i tha po rezolutës që mbështet Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Parlamenti Europian me këtë rezolutë ka njohur përpjekjet e kombit shqiptar, të shoqërisë sonë, të politikës dhe veçanërisht të qeverisjes së 8 viteve të fundit, për arritjen e rezultateve të kërkuara në rrugën jo të lehtë të integrimit europian, duke plotësuar detyrimet e kërkuara nga Komisioni Europian për marrjen e statusit europian në drejtim të 12 prioriteteve në reformimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në rezolutën e miratuar vlerësohet standardi i lartë i zgjedhjeve të fundit dhe tranzicioni i butë politik i realizuar nga Partia Demokratike. Po ashtu, theksohet roli i rëndësishëm që ka dhe duhet të ketë opozita në rrugën e mëtejshme të integrimit evropian të vendit.Partia Demokratike e konsideron këtë akt të Parlamentit Europian një gur kilometrik në aspiratën tonë kombëtare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.Partia Demokratike falenderon Komisionin Europian për nxitjen që i ka dhënë integrimit të vendit dhe punën e madhe të bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare, sidomos në 8 vitet e qeverisjes së PD.Partia Demokratike falenderon europarlamentarët e të gjithë kaheve politike, për impulsin dhe energjinë që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.Rezoluta e Parlamentit europian është një inkurajim për vendin tonë që të ecë më shumë në rrugën e integrimit, dhe është një lajm i mirë për stabilitetin dhe progresin në rajon.Kjo rezolutë është edhe një detyrim i ri për të gjithë ne, veçanërisht për qeverinë shqiptare, që të rrisë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që kërkohen për negociatat, në përputhje edhe me Rezolutën e miratuar unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë” tha Bregu.

Bregu vlerësoi se është një rastësi e bukur që kjo rezolutë miratohet pikërisht sot, me 12 dhjetor, ditëlindjen e Partisë Demokratike, që është në fakt partia e integrimit evropian të Shqipërisë.

Parlamenti Europian “pro” statusit, rezoluta kalon me shumicën e votave në sallë

Parlamenti Europian, i mbledhur në seancë plenare në Strasburg, votoi pro rezolutës për Shqipërinë megjithëse rrëzoi disa amendamente. Rezoluta mbështet dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqiperinë pa humbur kohë.

Në rezolutë vlerësohet progresi i vendit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, tranzicioni i pushtetit.

Rezoluta bën thirrje për një bashkëpunim të qëndrueshëm midis mazhorancës dhe opozitës, rezultate konkrete të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërtimin e një administrate publike efikase dhe të pavarur dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Votimi i sotëm në Parlamentin Europian është mbështetja e dytë e fortë pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian që i drejtohet Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për akordimin e statusit të kandidatit Shqipërisë në 17 dhjetor.

Filed Under: Featured Tagged With: Parlamenti Europian, Pro sttausit, te Shqiperise

PD mbush 23 vjeç

December 12, 2013 by dgreca

Pas 8 vitesh në pushtet, Partia Demokratike ka festuar 23 vjetorin e themelimit në opozitë dhe pas shumë vitesh me një kryetar të ri.Ditëlindja e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar ka mbledhur shumë miq, themelues dhe anëtarë të rinj të PD-së. Nuk mungonin as diplomatë e drejtues të lartë të politikës si ambasadorë të SHBA e BE-së por edhe ish-partnerë e kundërshtarë politikë si Ilir Meta.Ka munguar kreu i qeverisë Rama i cili këtë herë ka qënë i justifikuar me vizitën e tij të njëkohëshme në Itali.

Ndërkohë mbërritja në sallë e ish kreut të Partisë Demokratike , Sali Berisha, është pritur me ovacione nga të pranishmit

Pas një dokumentari të rrugëtimit 23-vjeçar të PD-së, Lulzim Basha, lideri i ri i partisë që solli demokracinë premtoi të ardhme të sigurtë për demokratët. Një parti më të madhe e të hapur për tu rikthyer në vendin që i takon kësaj force.

“PD lindi dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe e të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe e integrimit, ppartia e interesit kombëtar, forca e shpresës dhe integrimit Europian të Shqipërisë. Në vitin e 23 të kësaj partie, kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të cilin e përjetoj si përgjegjësi dhe të uroj të gjithë anëtarët e PD-së kudo që ndodhen për ditëlindjen e partisë sonë.

Kjo është një ditë për të kujtuar, për të nderuar, për të respektuar themelimin dhe themeluesit, shikojmë përpara dhe përshëndesim të ardhmen.  Duke kaluar përpara syve të mendjes Dhjetorin e përmbysjes së madhe të vitit 1990, me flamurin kombëtar pa yll në duart e njerëzve të çliruar nga robëria, me himnin e plotë kombëtar në koret e gjokseve të tyre, me dy gishtat e fitores ngritur lart, dhe me thirrjet për herë të parë në gjuhën shqipe Liri-Demokraci. Nderimi dhe mirënjohja ime ju drejtohet të gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga më i vjetri tek më i riu”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe disa pjestarë të familjes politike të Partisë Demokratike, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe. Basha kujtoi me mirënjohje Azem Hajdarin, prijësin dhe heroin e Lëvizjes studentore, Gramoz Pashkon, liberal-demokratin pa rekselansë dhe themeluesin e orëve të para të PD-së, Pjetër Arbnorin, “Mandelën” e Shqipërisë, simbolin e kurajos dhe urtësisë, Sokol Olldashin, nismëtarin, drejtuesin, deputetin, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur.

Por kreu i Partisë Demokratike nuk ka lënë pa përmendur gjithashtu edhe paraardhësin e tij, Ish kreun e PD-së, Sali Berisha, të cilin e ka cilësuar si liderin historik të demokratëve.

“Demokracia shqiptare dhe Sali Berisha janë një binom i pakrahasueshem, demokratët janë krenarë për Berishën që kanë patur një lider të këtyre përmasave.”- theksoi Basha.

Kreu i PD-së, Basha tha se sfida për të hapur një kapitull të ri dhe një histori suksesi të re në PD, është e madhe, por theksoi ai, është sfida e re e PD-së.

“Kjo është sfida jonë e re, për fillimin e ri, ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë, dhe në qeverisje me ide të reja. Për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë zonjë mes vendeve si motra.”- tha Basha, duke shtuar se kjo sfidë e re, po merr një përmasë të re, me çesjen e një Kuvendimi të madh të të gjithë anëtarësisë, për çfarë kemi bërë mirë, çfarë nuk kemi bërë mirë, dhe çafrë duhet të bëjmë me hapjen e fuqishmë të PD ndaj brezit të ri.

Ky 23 vjetor e ka gjetur PD në opozitë dhe para sfidave të mëdha përsa i përket riorganizimit të brendshëm të saj pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

Filed Under: Featured

Presidenti Bujar Nishani në “Tonight Ilva tare”: PRESIDENTI ESHTE MBI PARTITE

December 12, 2013 by dgreca

Emisioni “Tonight Ilva Tare”, në RTV “Ora News”, këtë mbrëmje ka patur një të ftuar të veçantë, qytetarin e parë të Shqipërisë, Presidentin Bujar Nishani./

Si e përjetuat 23 vjetorin e themelimit të PD-së? Nuk shkuat në ceremoni?

Presidenti i vendit është jashtë partive politike, edhe nga pikëpamja formale duhet të qëndrojë jashtë aktiviteteve që organizohen nga partitë politike. Unë i uroj festën PD-së. Ajo është një aset i rëndësishëm i jetës publike, poltike të vendit. Është partia e parë e krijuar pas pluralizmitnë Shqipëri.

Ju erdhi keq që nuk shkuat në festën e PD-së pasi ju keni qënë një nga përfaqësuesit më të lartë të saj?

Qëndrimi i drejtuesve të institucioneve të pavarura siçështë presidenca, nuk varet nga pikëpamja formale por nga mënyra e sjelljes dhe përmbushja e detyrimeve ligjore. Nuk do të ishte problematike vatja por unë mendoj se presidenti duhet të zbatoj me rigorozitet parashikimet që ka ky rregull dhe formalitet.

Si e shikoni faktin që PD humbi në zgjedhjet e 23-Qershorit? E kishit parashikuar këtë fakt?

Sistemi që ne kemi hyrë pas viteve 90’ është sistemi i rotacionit politik, sistemi i qeverisjes, i marrjes përsipër të përgjegjësive, I kontributeve dhe kostove që mund të kesh marrë gjatë qeverisjes. Unë mendoj se 8 vite në qeverisje në mënyrë normale mund të pritet dhe rotacioni politik

A ishte një largim i merituar?  

Gjykimi ishte i qytetarëve shqiptarë dhe askush nuk mund ta gjykojë këtë vendim. Prëderisa qytetarët vendosën se duhet të kishte rotacion ky vendim duhet respektuar. Vota duhet respektuar si kur je në mazhorancë ashtu edhe kur je në opozitë.

Si e shikoni PD tani në opozitë?

Natyrisht që ka angazhime të mëdha dhe dinamike. Së pari përgjegjësinë që ka një opozitë për jetën politike sociale dhe shoqërore të vendit, çka është detyra parësore dhe nga ana tjetër pjesën e dinamikës së jetës së brendëshme partiake të PD-së. Unë mendoj që jo vetëm ata që janë të lidhur me PD-në por për të gjithë është me interes që këto proçese të jenë të konsoliduara dhe me standartet e merituara.(Pjese nga intervista)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilva Tare, presidenti Nishani

Malësorja që takoi Mbretëreshën e Suedisë

December 12, 2013 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

1.

Ka kaluar disa kohë, nga dita kur unë mora një mesazh nga Teuta Halilaj, bija e kolegut e mikut tim, nga Kukësi dhe tani me banim në Tiranë, Isa Halilaj-“Mësues i merituar” dhe autor i disa librave, sidomos në fushën e arsimit tonë kombëtar. Rasti e solli që, pikërisht tani, ta rilexoj atë mesazh, kur po punoj për përgatitjen e një libri kushtuar disa krijueseve tona. Jam i ndërgjegjshëm se është një ndër “përjashtimet”, që po bëj. Pra, Teuta vërtet nuk është shkrimtare as poete e mirëfilltë. Por ajo është njeri me shumë ndjenja, me një botë të pasur shpirtërore  dhe, me siguri, në ndonjë bllok të saj vetjak ka shkruar e shkruan. Kështu, krijimtaria e saj “e fshehtë” mund të ketë brenda: poezi, ditare për ngjarje e dukuri të jetës, skica ose rrëfenja. Por këtë “sekret” të saj nuk do ta zbulojmë kësaj here. Këtë radhë, mjafton të pohojmë se ajo ka mbaruar Universitetin e Tiranës, ku studioi për gjeografi e histori dhe pak vjet iu dha mundësia të jepte mësim  në vendlindjen e saj ose në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Po, për shkak të një adsidenti të rëndë automobilistik, prej të cilit Teuta u bë “pre” e karrikes me rrota, ajo nuk mund ta ushtronte profesionin e mësueses, aq të dashur për të, pasi asnjë shkollë në Shqipëri nuk kishte përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuar. Të dhënurit mësim në shkollë, për Teutën, ngeli një ëndërr ose dëshirë e madhe, qe ajo nuk do ta realizonte kurrë në Shqipëri.

2.

Megjithëse njihesha me babain e Teutës, mësuesin veteran Isa Halilaj, për herë të parë, e mësova dhimbjen e plagën e rëndë të kësaj malësoreje të hekurt, vetëm kur TVSH-ja e kishte ftuar në një emision të posaçëm. Aty, plot emocione, ajo rrëfeu historinë e vet, foli për jetën e saj të trazuar.

Më vonë, babai i Teutës më tregoi episode të ndryshme. Ndër të tjera, më kujtohet tani, që ai më tha se  Teuta kishte mundur të sistemohej për rehabilitim në Mbretërinë e Suedisë. E rrethuar nga kujdesi i veçantë i specialistëve të atij vendi mik me Shqipërinë, një ditë shkoi në qendrën e tyre, Mbretëresha e Suedisë. Duke  u përshëndetur e biseduar me persona të ndryshëm aty, ajo u ndal edhe para Teutës. E pyeti se nga ishte, si quhej dhe si e ndjente veten. Malësorja jonë, fillimisht, i tha asaj që vinte nga Shqipëria dhe se emiri i saj ishte Teuta, pra emri i mbretëreshës se Ilirëve, të të parëve të shqiptarëve.  Pastaj, me mjaft emocione, ajo i falënderoi përzemërsisht, si atë dhe vendin e saj, mik të Shqipërisë dhe me aq ndjeshmëri të larta njerëzore, që atë e kishin mundësuar të shkonte aty, për ta përmirësuar shëndetin.

Pasi e dëgjoi me shumë vëmendje Teutën, Mbretëresha e Suedisë e përqafoi ngrohtësisht atë dhe, duke qeshur, i tha që në atë sallë ndodheshin dy mbretëresha, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Suedisë. Sigurisht, siç është e kuptueshme, pranë tyre ndodheshin shumë gazetarë, të shtypit të shkruar dhe atij elektronik. Menjëherë, fjalët e Teuta Halilajt qarkulluan dhe prekën zemrat e mijëra banorëve të Suedisë, te cilët dhanë ndihmesën e tyre edhe financiarisht për reabilitimin e mëtejshëm të saj. Pra, si me magji, asaj iu hapën menjëherë dyert “katërkapakësh”, për të ardhmen e saj.

3.

Nuk do të tregoj imtësira, por,  në vazhdimësi, pasi u kthye nga Suedia, Teuta erdhi pranë familjes së saj, në Shqipëri dhe megjithëse ishte me aftësi të kufizuara, e ulur në një karrike me rrota, ajo nuk u ndal para asnjë vështirësie, që jeta i serviri. Kështu, me shumë guxim përballoi gjithçka, duke u bërë shembull pozitiv për mjaft persona të tjerë, me aftësi të kufizuara. Teuta ka qenë dhe është veprimtare e shquar e lëvizjes në përkrahje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke u bërë zëri i tyre, si brenda dhe jashtë Atdheut në shumë takime, kombëtare e ndërkombëtare. Por, megjithatë,  ëndrra e saj e madhe, për të dhënë mësim në një nga shkollat e Shqipërisë, nuk iu realizua snjëherë!

Tani, konkretisht,  Teuta Halilaj ndodhet në Angli dhe që andej, ajo ma ka dërguar edhe mesazhin, të cilin po e publikoj, për herë të parë, i cili u bë dhe shkak të bëj këtë shkrim modest për të.

Pra, ja mesazhi i Teutës, për të cilin folëm në hyrje të këtyre radhëve. Por ai nuk është i vetmi. Kështu, përmes e-maileve ose “Facebook”-ut, ne kemi shkëmbyer disa herë mesazhe. Gjithashtu, me kënaqësi i kam nisur shkrime, që kam përgatitur për publikim. Dhe, kurdoherë, ka shprehur nderimin e respektin, për takimet, që bëjmë dhe lidhjet që kemi, unë e babai i saj.

“Profesor Murati,  si të kam? Shumë faleminderit për  vlerësimet dhe respektin e veçantë, që i bën babit tim, Isa Halilaj! Një falënderim të veçante ke nga unë për mundësimin e daljes së babit te emisioni special, me rastin e Festës së 7 marsit 2013. Na kënaqe, se na e solle babin nëpermjet ekranit te ne dhe nuk ka gëzim më të madh, kur je e lumtur dhe krenare për babain tënd. Kështu që shumë faleminderit, se më ke bërë të të lumtur!

Unë, mirë jam. Jam duke kryer këtu ca studime  për mësuese dhe, gjithashtu, po aplikoj për punë, mësuese në një shkollë, këtu afër. Jam e gëzuar se do të nisi punë pasi, në të vërtetë, më është plotësuar një ëndërr e prerë në mes, qëkur ndodhi aksidenti. Para tij, unë kisha vetëm 2 vjet punë mësuese dhe pastaj nuk u ktheva më kurrë në shkollë! Ka qenë një nga brengat më të mëdha të jetes sime. Pavarësisht se në Tiranë u mora më se 12 vjet me mësimdhënie (kurse private të gjuhes angleze), përsëri ëndrra për të shkuar e për të dhënë mësim, në një nga shkollat e kryeqytetit tonë, mbeti e parealizuar kurrë. Prandaj jam shumë e gëzuar, që do të filloj përsëri punë me fëmijët.

Po ua nisi adresën time të e-mail-it dhe, si deri tani, përherë të m’i dërgosh shkrimet tua, se unë me kënaqësi do t’i lexoj ato, pasi me pëlqejnë, si të shkruarit dhe të lexuarit.

Profesor, uroj që ky mesazh t’u gjejë sa më mirë, si ty dhe bashkëshorten tënde! Kur të vij në Tiranë, patjetër që do të takohemi…Me respekt: Teuta Isa Halilaj”.

Ndërsa, siç shkruan ajo aty, kur erdhi më pas në Tiranë, në muajin prill të këtij viti, i bëra një vizitë në shtëpinë e prindërve të saj, bashkë me drejtoreshën e “Radio-Kontakt”, gazetaren Jolanda Lila. Me atë rast, me atë dhe të atin, Isanë, bëmë disa fotografi, të cilat i ruaj si një kujtim i rrallë.

Tani, kur lexuesit tanë u njohën me një nga mesazhet e Teuta Halilajt, nuk na mbetet gjë tjetër, veç t’i urojmë nga zemra asaj: Shëndet sa më të mirë, punë të mbarë në profesionin për edukimin e fëmijëve, gëzime dhe lumturi në jetë! Besojmë e shpresojmë që, një ditë, nga kjo malësore e fortë, e papërkulur dhe optimiste, të lexojmë një libër të bukur, i cili të tregojë e dëshmojë për jetën e deritanishme dhe forcën e saj të madhe shpirtërore.

…Për rastësi të bukur, shkrimi që bëra për Teutën, përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Prandaj, ju uroj të gjithëve: Jetë, forcë dhe guxim! Sepse askush nuk mund t’ua mohojë atyre të drejtën për të jetuar njëlloj, si gjithë njerëzit e tjerë.(Ne Foto: Kujtim i paharruar, Tiranë, 9 prill 2013 (Djathtas: T.Halilaj, J.Lila, M.Gecaj e I.Halilaj)

Tiranë, 12 dhjetor 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: malesorja qe takoi, Mbretereshen e Suedise, Prof. Murat. gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT