• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Rrëfehet Spanja PIPA me serenatën ndër buzë….

December 9, 2013 by dgreca

Intervistë ekskluzive për Gazetën DIELLI,  me Serenatisten e parë korcare, Spanja PIPA/

Bisedoi: Raimonda MOISIU/

Serenata – kjo “pupë korcare e bukur”, që të josh të prekësh, të ëmbëlson e të ndjesh deri në shpirt ngrohtësinë e ledhatimeve të  saj. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra,  këndon shpirti. Serenata – kjo lidhje  shpirtërore e fenomenit me esencën e ndjenjave dhe lindur nga perëndesha e tyre:Dashuria! Serenatat janë hymni i veneracionit të dashurisë eternale. Sa herë i kthehem vëndlindjes, aq më shumë më shtohet malli për to, që gjithmonë më shtyjnë në ngasje   për t’iu bashkuar nostalgjikëve të pandreqëshëm –serenatistëve të Korcës tonë, e cila prodhon çdo cast; Art dhe Artistë, që mbi të gjitha pëlqejnë Olimpin e heshtjes së lavdisë së tyre. Në magjinë e Olimpit të serenatave kanë vegjetuar e vegjetojnë breza të tërë serenatistësh. Në brezat e artë të serenatës, -Himnit të dashurisë korcare –sikundër shprehet Prof. Vangjush Ziko-në librin e tij,  ndër to është edhe serenatistja e parë korcare -Spanja PIPA-që duket sikur del nga Muzeu një shekullor e gjysëm i magjisë së këngës korcare, sikur del nga Epokat e Trashëgimisë të Artit e Kulturës qytetare korcare. Në këtë rrëfim emocionues e mbresëlënës, Artistja korcare rrëfen si kurrë ndonjëherë dashuritë e jetës së saj-Dashuria për Serenatën, Korcën dhe familjen. Dhe jo vetëm kaq! Me guxim intelektual e qytetar, me pjekurinë e saj artistike, me dlirësinë dhe brishtësinë e saj femërore, Spanja nuk ngurron e na tregon edhe për dashurinë e saj të parë që kalon përtej eternitetit. Me mirënjohje dashuri e respekt ajo përmend breza të tërë serenatistësh që nuk jetojnë më dhe   ata që sot vazhdojnë të mbajnë frymën e origjinalitetit të serenatës korcare. Por Spanja nuk është vetëm serenatistja e parë korcare, ajo është parodiste dhe aktore që ka luajtur krahas aktorit të shquar korcar të skenës, humorit e artit skenik, Aleko Prodani dhe aktores parodiste Lefkothe Kane,  Pandi Rraidhit, Sotiraq Bratkos etj.etj. Ajo c’ka e bën këtë intervistë shumë interesante të bukur e emocionale, është se Spanja cdo pyetje i përgjigjet me serenatën ndër buzë….

 

Përshendetje znj.Spanja, jeni me një karrierë të gjatë e të admirueshme  në artin e muzikës, e njohur si këngëtare e serenatave. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni kënduar për herë të parë dhe cila është kënga e parë? Cfarë viti?

 

Kam filluar të këndoj që në moshë të vogël, nuk e mbaj mend mirë sa vjece isha. Në shtëpinë time këndonin  që nga babai, motrat dhe vëllezërit e mij. Unë ulesha pranë tyre dhe mundohesha të kapja e bëlbëzoja fjalët e tingujt e këngëve që këndonin ata. Dëgjoja cdo ditë në radio Anita Take dhe Pavlina Nika, këngëtare që rrallë i vijnë një kombi. Gjithashtu miqësia e familjes sime me kompozitorin e shquar korcar Pavllo Sholla, i cili më dëgjoi mua dhe motrën time duke kënduar një duet, do të ishte fillesa e karrierës sime  në rrugën e bukur të muzikës. Dhe ishte pikërisht Pavllo Sholla që  bëri zgjedhjen time dhe më mbështeti. Kënga e parë që  kam kënduar ishte një  këngë kineze, e cila  doli me sukses për atë kohë. Që prej atij casti jam ndjerë se dicka mund të jepja në artin e muzikës,  megjithëse ishte shumë e vështire të këndoje atëhere për mentalitetin e kohës. Por origjina ime nga një  familja autoktone, intelektuale e qytetarise korcare, artdashës të kulturës e muzikës korcare,  më mbështetën mua në udhën e mrekullueshme e të bukur,  të artë të këngës,  vecmas asaj të traditës së qytetit tonë, serenatës, të cilën e vazhdova derisa dola në pension. Më pas u aktivizova dhe kam kënduar në estradën e ushtarit një këngë lirike dashurie  e cila ka lënë mbresa të jashtëzakonshme në kujtesën time:

“Kur u nis ushtar me tha nja dy fjale”. I këndoja dashurisë së një djaloshi që po largohej nga e dashura e tij, të kryente shërbimin e detyruar ushtarak të asaj kohe.

 

–Fillimet e karrierës tuaj  a konsideroheshin  thyerje e tabuve, për mentalitetin e kohës?

 

Në vitin 1960-ë fillova punë si këngëtare-soliste –në Estradën e Qytetit  të Korcës –me regjizor artistin,  Aleko Skalin dirigjent muzike dhe  me Abas Ajron, një  ndër kompozitorët më të mirë e të shquar të kulturës e muzikës korcare.  Ju më pyesni a ishte tabu kjo? Sigurisht që ishte! Me sakrifica,  guxim,  kurajo, talent dhe mbështetjen e artistëve e shoqërisë korcare, të prindërve të mij,  unë sfidova dhe vazhdoja të jepja sa kisha mundësi nga potenciali im artistik.

 

-Deri më parë, ato vajzat korcare  thjesht i kishin dëgjuar serenatat nga pas perdes, deri në momentin kur vetë edhe ju si Spanja do të bënit  dicka të tillë…Si e ke përjetuar këtë nismë artistike?

 

Shumë vetë më identifikojnë; “Spanja e Serenatave”-por unë nuk dilja të bëja serenatë, – unë i këndoja serenatat  mbas dritares duke mënjanuar perden,  teksa dëgjoja e shikoja  djelmurinë korcare të këndonin në rrugicat e Korcës-serenatat. Dhe kjo tashmë dihet se vajzave korcare, djelmuria u ka thurrur e kënduar  serenata, dhe ato si hyjnesha i dëgjonin mbas perdeve.  Serenata është dicka e fshehtë ashtu si vetë shpirti që është i fshehtë. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra,  këndon shpirti. Këngët e serenatës lindnin spontanisht.  Sigurisht kishte edhe nga ata që nuk ishin kompozitorë apo kantautorë të serenatave,  por kompozonin e krijonin serenata kaq të bukura. Dhe ne vajzat  i dëgjonim me kënaqësi, sepse ata  nuk shkonin vetëm te vajza që ata dashuronin, por shkonin e i këndonin me kitarë e mandolinë në dorë në të gjithë sokakët me gurë e të pastër të qytetit të dashur, Korcës sonë, si vetë dashuria e pastër dhe e sinqertë e të rinjve. Ne i dëgjonin këngët dhe e ndjenim veten se ishim brenda serenatës. Ato fjalë e tinguj na dukej sikur i përkisnin jetës sonë: Shpesh pyesja veten: Mos vallë po e këndojnë për mua këtë serenatë? Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se  kompozitori dhe fizarmonicisti  i shquar korcar Abaz Ajro ja u gjente “telat serenatave”. Këto ishin tamam serenatat,  si p.sh ka bërë serenatën “Sofati”.Kjo serenatë lindi për  dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati  duke qëndisur apo bënte centro me grep, pra pajën e saj:

“Shkoj përditë rrugës sate si më parë/por më parë të kisha ty/dhe sot kam mallë/”

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh). Serenata tjetër e Abaz Ajros: “Ti më erdhe në netët e qeta”

Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartëte kjo  serenatë. Jeta ka caste të bukura  caste mërzitje e gëzimi, vecmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjece dhe isha nën”ethet” e  dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike dhe po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti:-Cfarë ke?

Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që do të  sillte tekstin e serenatës, që përmenda më lart: “Ti më erdhe në netët e qeta! Po ky cast melankolie e mërzitje  solli edhe këngën tjetër “Festë sonte ka e gjithë bota”

 

-Përvecse si këngëtare e  serenatave dhe muzikës popullore, cfarë talenti tjetër keni shpalosur?

 

Unë nuk kam kënduar vetëm serenata, por edhe aktore, luaja parodi dhe theatër. Kam luajtur parody, krahas parodistes Lefkothe Kane, dhe aktorit të  shquar të skenës e humorit shqiptar,  Aleko Prodanin, që ishte  miku im më   i mirë dhe i zemrës, miku  dhe bashkëpunëtori më i  ngushtë me rolet e mija në theatër. Kam qenë krenare dhe e lumtur që kam aktruar krahas këtij aktori të madh shumëdimensional i skenës shqiptare, por që fati u tregua kokëfortë me  ne të  dy -por edhe  të ndahej shumë shpejt nga jeta. I paharueshëm do të mbetet për mua si aktore  roli i Maries  në “Nata e 12-të”, e Shekspirit,  me rregji të të  shquarit Piro Mani. Kam luajtur në dramën e Namik Dokles “Era e lartësive”, rolin e Erës, vajzës gjeologe. Këtu kam luajtur në kitare,  duke i rënë vetë,dhe  duke kënduar me kolegët e mij si  Pandi Rraidhi e Sotiraq Bratko (loton e këndon): “Këndo kitarë me mua/por djalin mos ma zgjo/rri sonte ti me mua/tërë natën e këndo/edhe nesër kur të gdhihet/asgjë mos trego//se edhe unë përgjërohem/prandaj po të këndoj/.”

Kjo është serenata! Jo ajo e deformuara që këndojnë sot!

 

-Më lart ndave me mua një moment mërzitje, Pse ishe e merzitur? Lotët rrjedhin  o nga gëzimi o nga trishtimi dhe  një vajzë e bukur dhe me sytë jeshilë e të vecantë, si ju por edhe  e dashuruar, cfarë kishte ndodhur?

 

-Miqësia dhe kënga janë të lidhura me njëra tjetrën sikundër është dashuria me dhimbjen, apo ndarja, apo tradhëtia e mikut të zemrës – dhimbje e bukur është dashuria, apo jo…?(Buzëqesh dhe fillon të këndojë):

“Ti më erdhe në netët e qeta/në krahët e mij si demon/më dehe me puthjet e fshehta/ si ëndrra që vjen edhe shkon/” Kjo serenatë është për  dashurinë  time të  parë, për  mikun e zemrës sime….. Ajo serenatë solli edhe tjetrën e tjetrën, që janë zinxhir në kujtim të dashurisë e miqësisë sime të parë, që jeta na hodhi në kahe të kundërta,  por gjithsesi ajo vazhdoi me të mirat e të trishtat e ndarjes…. Sa e dëshpëruar isha aq edhe e lumtur, kur këndoja,  sepse këto këngë  ishin shpresë e optimizëm, për të përballuar humbjen e dashurisë, ndarjen, me dhanë forcë e kurajo, për të kënduar dhe gëzuar jetën në vazhdim…

“Sonte festë ka e gjithë bota/ botë moj gjithmonë pac gëzim/ verë e kuqe derdhet nëpër gota/ bora jashtë shtrohet si qilim/ Të gjitha shoqet në gostira vanë/ vetëm unë sonte nuk festoj/ trimi e zemrës, që se kisha pranë/ me mendime do ta shoqëroj…”. Miku im i zemrës   ngjiti shkallët e karrierës dhe u bë një nga artistët më të shquar të humorit, ekranit e skenës shqiptare, por që fatkeqësisht nuk jeton më. U prehtë në Paqe!

 

-Një moment i vështirë?

 

Momenti më i vështira në jetën time ka qënë  vdekja e nënës sime në moshë relativisht të re, por iku edhe me brengën që nuk më martoi. Nuk më hiqet nga mendja, nata e një koncerti  me pjesëmarrjen e njerëzve të pushtetit në Korcë. E  kemi dhënë te lulishtja e njohur me emrin simbolik “Panda”. Vetëm  pesë ditë,  që nëna ime e shtrenjtë  ishte ndarë nga jeta. Unë vërtet këndova, packa se zemra më këndonte dhe sytë  lotonin. Ishte moment tejet i vështirë e mbresëlënës në jeten time. Por edhe ideja se nëna ime ishte  në qiell dhe unë në tokë –këndoja  mes hyjnores e njerezores.

 

-Një situatë mbresëlënëse?

 

Pak kohë të ndarjes nga jeta të nënës tonë u fejua vëllai i madh. Ndjemë gëzim, aq më tepër, që ky gëzim erdhi mbas hidhërimit e dëshpërimit për nënën. Ashtu të trishtuar sikundër ishim në familje për mungesën e nënës tonë në orën  12 të natës dëgjojmë një grup djemsh që këndonin jashtë (shokët e vëllait) –që dëshpërimin ta kthenin në gëzim, duke i kënduar serenata vëllait e të fejuarës së tij. Ndërkohë  cohem dhe hap derën dhe i mirëpresim ata  djem duke kënduar serenatën:  “ Oh këtë dritare sa herë e kam parë/ hënën lozonjare dhe ne me kitarë”. Për një cast harruam trishtimin që kishte ngërthyer familjen tonë, dhe  na sollën gëzim e hare, së bashku me shpirtin e nënës që na vështronte nga qielli. Dhe dicka tjetër. Babai im ishte nostalgjik dhe dashamirës i pandreqëshëm i muzikës –e shpreh me fjalën popullore të dialektit korcar -“Bekri”- ia thoshte edhe gotës së rakisë dhe këngës. Ishte aq i dhënë pas muzikës sa babai para se të ndahej nga jeta gjithmonë shokëve iu thoshte në bisedë  e sipër: “ mos më qani kur të vdes/ por më këndoni! Ditën e parë të vdekjes së babait nuk  mundej të këndonim,  sipas traditës dhe riteve të lamtumirës së fundit, por ata shkuan më të nesërmen te varri i babait dhe kënduan me kitarë, si Ilo Trebicka, Mico Plluska,  Koli Toroveci dhe Lako Pema.

Momente mbresëlënëse kam shumë,  unë kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj në gëzime familjare, të motrës e vëllezërve, nipërve e mbesave. Gjitashtu  me shoqëri mbildhemi akoma dhë këndojmë. Kënga dhe Serenata më mbajnë optimizmin e shpresën, na mbajnë gjallë,  pamvarësisht se mosha bën të vetën dhe ne mplakemi (qesh me shpirt e nis këndon):

“Se do plakesh, do thinjesh si dele/do shurdhohesh, do krusesh një ditë/ do të shkojnë të ëmblat përkëdhelje/ dhe buqeta me lule mos prit!” Por mos u trishtoni se serenata dhe dashuria nuk njohin mplakje… kanë vetëm përjetësi…

 

-Ndryshimi mes serenatave të vjetra dhe atyre që këndohen në ditët e sotme…

 

Për mendimin tim  serenata e kohës sonë ka qenë një serenatë brilante. Ndjehem keq e kam shprehur gjithmonë se kur dëgjoj sot, ta deformojnë serenatën sipas dëshirave apo kopjimeve që i bëjnë nga muzika e huaj, dhe jo që  cdo këngë që krijojnë ta quajnë serenatë. JO,  cdo tinguj apo muzikë  quhet serenatë! Prandaj e përsëris me ndjenjën e artistit -serenatist, serenata qe sekreti i zemrës e këndonte sinqeriteti i zemrës, e  këndonte sekreti i shpirtit, këndonte ndjenja, këndonte dashuria-sepse këngës, muzikës,  po nuk i dhe ndjenjën, nuk mundesh ta këndosh.

 

-Përvecse serenatave dhe si aktore,  a keni kënduar këngë të muzikës së lehtë apo popullore ?

 

-Sigurisht që kam kënduar këngë popullore të kompozuara nga Abaz Ajro, Pavllo Sholla dhe nuk mund të lë pa përmendur me respekte e mirënjohje kompozitorin e shquar të muzikës së lehtë e popullore, Josif Mingën. Ja këngën e parë popullore që kam kënduar: “Të erdha në porta, gjeta ca fëmijë/brenda nuk hyra se nuk ishe ti/nëna sec më nxorri gotën e rakisë/unë nuk e piva se nuk ishe ti!” Po ju sjell një këngë popullore, që mu ngjit si “pullë postare’. E kam kënduar duet me Niko Qiricin: “ Që nga majë e malit/ta shtira dylbinë ty/nga të gjitha cupkat/ më e bukura je ti/-ndërsa unë i përgjigjesha: “ them të rri beqare/them të mos martohem/si vapë e korrikut/digjem përvëlohem”. Dhe vërtet u “përvëlova”, se unë nuk u martova, mbeta beqare.

 

-A i keni mbledhur serenatat që ju keni kënduar  në CD –I ?

 

Me sakrifica të mëdha, arrita të bëja një CD-i me serenatat e vjetra, të nxjerra nga “sëndyqi i serenatave”. Kënaqem kur i dëgjoj dhe mallëngjehem në të njëjtën kohë. Gjithashtu kënaqësia ime është kur shumë fansa të mij nostalgjikë të pandreqshëm të serenatës ma kërkojnë këtë CD-i. Ja një moment tepër mbresëlënës. Para do kohe më erdhi një mik i fëmijërisë, por edhe një nga fansat e mij më të “cmendur”, emigruar prej 10 vitesh në USA, 24 karat korcar -Orjon Trebicka. Për hir të së vërtetës edhe Orioni ka pasë kënduar serenatën dikur, si tërë djalëria korcare. Jemi takuar me plot mall e përzëmërsi, kujtuam plot mbresa dhe filluam të këndonim serenatat, që këndonim dikur te sofati i portës. Ajo c’ka më bëri mua krenare e të lumtur se ai i këndonte serenatat plot pasion, ruante me nostalgji e fanatizëm tingujt melankolikë e të ëmbël të serenatës, sa as vetë nuk e kuptonim që po këndonim, dhe lotë na rridhnin nga sytë e të dyve, sigurisht ishin lotë gëzimi, lotë malli –lotë miqësie e shoqërie.Të vecantë janë edhe dy vëllezërit e mij, që  vazhdojnë t’i këndojnë serenatat. Vëllai i madh ka kënduar  me djelmurinë korcare në rrugicat e pastra me kalldrëm të Korcës. Vëllai tjetër, megjthëse zanati i tij është doktor, i ruan dhe i këndon të gjitha serenatat origjinale dhe plot të tjera këngë, dhe është aq origjinal, sa bën edhe vërejtjet e duhura kur gabon ndonjë tingull apo stonon—duke më qortuar e thënë se  duhet kështu. Dhe pikërisht është ky vëlla doktor që ashtu sikundër jep ‘ilacin e duhur” për të shëruar pacientin e sëmurë, ashtu jep edhe mesazhin:Të ruajmë serenatën si një perlë e trashëgimisë e traditës së qytetarisë korcare.Mesazh të cilit i bashkohem edhe unë.

 

-Cfarë dëshiron të shtosh në mbyllje të kësaj interviste…?

Në mbyllje të kësaj interviste dëshiroj të bëj homazhin solemn e shpirtëror, për ata serenatistë të pandreqsheëm, kantautorë e artistë, njerës modestë, por shumë të nderuar e respektuar, që kanë dhënë shumë nga talenti dhe shpirti i tyre, por që nuk jetojnë më, sikundër: I mirënjohuri Piro Sulioti, do e quaj të madhin e të pavdekshmin Abas Ajro, Sotiraq Mite-apo Raqka i serenatave, një nga kantautorët më të njohur i viteve ’50, të shekullit të kaluar,  Sotiraq Qanon-princin e serenatave, të mrekullueshmen Afërdita Katundin, kantautorin e ndarë para pak viteve nga jeta Piro Visarin, dirigjentin Aleko Skali, kompozitorin e shquar korcar Pavllo Sholla, Naskë Bicollin, Nesti Miska, Aristidh Themeli, të paharruarin që shpresoj e besoj koha duhet ta vleresojë Nusret Frashërin,  Qeti Cicon,etj, etj. Dua të përshëndes, inkurajoj e falenderoj pasardhësit e brezit të artë të serenatistëve, brezin tonë e atë të ri,  që i kënduan e vazhdojnë t’i këndojnë serenatat, për ta ruajtur këtë perlë të pazvendësueshme të trashëgimisë sonë kulturore qytetare korcare, që nga e mirënjohura dhe e talentuara Fatbardha Hoxha, një nga këngëtaret më profesioniste të kohës.Megjithëse kanë kaluar dekada në e ruajmë miqësinë e bashkëpunimin, vazhdojmë të këndojmë serenatat kur mblidhemi me shoqërinë. Do dëshiroja shumë që kritika e artit të muzikës, të hedhë sytë nga Bardha Hoxha, duke i dhënë vlerësimin dhe vendin që asaj i takon në historinë e artit e kulturës shqiptare. Përshëndes e falenderoj Ermira Babaliun, që aty në Amerikën e Largët con peshë zemrat e emigrantëve  shqiptarë me serenatat korcare, -të mrekullueshmen e të mirënjohurën Eli Fara,  Laxarela Detin-vajzën korcare që i këndon me shpirt serenatat dhe këngën popullore korcare, Mimoza Paravelin –një nga këngëtaret më të spikatura të serenatës korcare, Jorgjeta Lalazin-korcaren 24 karat serenatiste e dalë nga  fisi Lalazi- i njohur për serenatat, së bashku me vëllain e saj Koco Lalazi, po ashtu nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli, Ritvan Shëllira,  Mihallaq Zallëmi, Naskë Kondili,  Kico Sholla, Gjergji Peleshi, Ilia Peleshi Mihallaq Andrea, Ilkë Vinjau,  Nonda Kajno, Ermira Kola Strati, vëllezërit Stefi & Endri Prifti, Vaskë Gaqi, Vaskë Nico, Devis Xherahu, Gena Lito, Maksi Kulla, etj, etj.

Ju faleminderit!

Ne Foto: Spanja Pipa duke i rene kitares te drama “Era e Lartesive” e Namik Dokles ne rolin e vajzes gjeologe  dhe rrotull saj kendojne aktore te shquar si Pandi Rraidhi Sotiraq Bratko etj,.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Raimonda Moisiu, Spanja Pipa

Poet i mjerimit të djeshëm dhe profet i mjerimit të sotëm

December 9, 2013 by dgreca

Ne Foto: Migjeni 1911-1938/

Shkruan:  Gani Qarri/ Zvicer/

Migjeni u lind më 13 tetor të vitit 1911 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq në moshë të re i mundur nga sëmundja e Tuberkulozit,atëherë kur mjerisht ende nuk i kishte kaluar të 27-at, duke ndërruar jetë më 26 gusht të vitit 1938,në spitalin Tore Peliçe afër Torinos në Itali.

Emri tij i vërtetë ishte Milosh Gjergj Nikolla dhe vinte nga një familje e varfër shqiptare, jeta e të cilit do të rëndohej gjithnjë e më tepër nga vdekja në vdekje dhe fatkeqësi të rënda e të njëpasnjëshme, të cilat i morën anëtarët më të ngushtë të familjes.

Migjenit,qysh në moshën 5 vjeçare, së pari do ti vdiste e ëma,kurse tetë vite më vonë kur ai ishte vetëm13 vjeçar ,do ti vdiste edhe i ati, për të mbetur jetim dhe nën mbikëqyrjen e vëllezërve të sëmurë dhe gjyshes plakë e të lodhur nga vitet.

Por, për fat keq,nuk do të vononte shumë dhe do ti vdisnin edhe gjyshja bashkë me vëllezërit, njëri pas tjetrit, duke lënë Migjenin krejt të vetmuar me sëmundjen e rëndë të tuberkulozit e cila e vetmja  i qëndroi “besnike” dhe nuk iu nda asnjë herë deri sa e mori në moshën më të mirë rinore,duke e quar në mënyrë të parakohshme në përjetësi.

Shkollën fillore ai e mbaroi në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër,për të vazhduar seminarin në Tivar, ndërsa nga viti 1928 deri më 1932, përfundoi mësimet teologjike në Manastir. Migjeni, edhe pse qëndronte nën kontrollin e mjekëve,nuk do të shkonte shumë kohë dhe do të mundej nga sëmurja e Tuberkulozit nga e cila pati humbur edhe të ëmën dhe anëtarët tjerë të familjes.

Megjithëse shteti i atëhershëm do ta dërgonte për mjekim në Sanatoriumin “Shën Peliçe” të Milanos,fatkeqësisht edhe atje, ai nuk do të gjente shërim, duke vdekur shumë i ri dhe në moshën më të mirë djaloshare,mu atëherë kur pritej krijimtari e bujshme me vlera të larta letrare.

Më 1933,Migjeni do të punësohej fillimisht në Vrrakë, fshat i vogël ky në afërsi të Shkodrës, i cili do të bëhej i njohur për të gjithë shqiptarët dhe më gjerë,edhe për faktin se atje do të punonte ai si mësues.

Përveç punës arsimore, ai merrej edhe me shkrime, të cilat fillimisht do ti botonte te Revista “Iliria”përmes të cilave shprehte pezmin shpirtëror kundër mjerimit social dhe jetës së zymtë në vend.

Vjershat dhe tregimet që shkruante, do ti botonte në disa gazeta dhe revista të kohës, si; “Iliria”,”Përpjekja shqiptare ” “Jeta dhe Kultura”, “Kuvendi Kombëtar”, “Shqypnija e re” etj. Ndërsa krijimet e tij poetike më 1936, do ti botonte në librin “Vargjet e lira” të cilat, për shkak të pasqyrimit të gjendjes së vështirë sociale në vend, do të ndaloheshin nga censura e atëhershme shtetërore.

Gjatë gjithë kohës sa punoi si mësues, ai dimër e verë nga Shkodra deri në Vrrakë,  do të udhëtonte nëpër borë dhe shi  me biçikletë, të cilit do ti përkeqësohej aq shumë gjendja shëndetësore sa që për kurimin e tij,do të dërgohej në Itali,por nuk të gjente  shërim as atje.

Ndaj, nga sëmundja e tuberkulozit e cila ishte ndër sëmundjet më të rënda në ato kohë, nga e cila pak kush mundi të shpëtonte,Migjeni më 26 gusht të vitit 1938,kur ishte vetëm në moshën 27 vjeçare, do të ndahej nga jeta dhe mbyllte sytë përgjithmonë në vend të huaj.

Pas vdekjes,do të varrosej në Tore Pelice të Torinos, trupi i të cilit,atje do të qëndronte më tepër se sa zgjati vet jeta e tij, pra mese 28 vite me radhë.

Në vitin 1954, apo 26 vite pas vdekjes së kësaj figure madhore të letrave shqipe, së pari do ti botohej vepra e plotë,kurse dy vite më vonë,apo në pjesën e dytë të viteve të pesëdhjeta, nga Italia në Shqipëri do të ktheheshin edhe eshtrat e tij,për tu varrosur me nderime të mëdha, më 5 shkurt të vitit 1956, në Shkodër.

Vepra e plotë e Migjenit,do të ribotohej disa herë,në vitin 1954,më 1957 dhe 1961, si edhe pas viteve të 90-ta.

Ai,përkundër jetës së shkurtër,pati një krijimtari të bujshme e cila e bëri që Migjeni të jetë njëri nga autorët më të çmuar shqiptar me gjithë kohën e kaluar-gati njëshekullore,që nga vdekja e tij.

Për hir të së vërtetës,duhet cekur se përkundër shndërrimeve të shijeve në letërsi dhe artin e shkrimeve nëpër kohë, si dhe të gjitha zhvillimeve kulturore e letrare të  gjeneratave shqiptare, Migjeni,me veprën e tij mbetet i pazëvendësueshëm e shumë i pranishëm ndër shqiptarët,që nga vendlindja e tij Shkodra dhe kudo flitet e frymohet shqip.

Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër,se  krijimtaria e tij, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë brezat dhe gjeneratat,pa dallim moshe. Ai qe i pari i cili në letrat shqipe gdhendi dhe skaliti me mjeshtri të rrallë modelin e njeriut të mjerimit, të cilin e përjetësoi dhe bëri të pavdekshëm për popullin tonë,përjetimet e të cilit nuk ndryshojnë shumë, nga koha kur ai shkroi, me gjendjen në të cilën jetojnë edhe sot një numër i madh shqiptarësh.

Njeriu i mjerimit ndër ne,edhe sot, jo vetëm se vuan e heq të zitë e ullirit si personazhet e Migjenit dikur, por ai kohë pas kohe i mbytur nga pesha e vuajtjeve të “shekullit të ri”,vetëvritet diku publikisht, herë duke u hedhur nga lartësitë shumëkatëshe, herë duke ia shkrepur vetes, apo edhe duke u vetëdjegur me benzinë në vende publike, para syve të qindra kalimtarëve i cili ndoshta kurrë nuk ka qenë më prezent dhe kaq vetë-flijues, siç është tani.

Ndaj, vetë gjendja e shqiptarëve , edhe në këto kohë,bënë që temat e shkrimeve të Migjenit të mbeten aktuale dhe përmbajtja e tyre të ketë karakter të përjetshëm kombëtar edhe për faktin se mjerimi si i vetmi fenomen,sado fatkeq që mund të jetë-është ruajtur dhe trashëguar me “besnikëri” dhe më shumë se çdo dukuri tjetër në këto troje.

Nga e gjithë kjo dëshmohet se nuk është vetëm magjia e shkrimeve migjeniane ajo që në trojet shqiptare mbijeton ndër vite dhe mote, por është edhe gjendja aktuale e njeriut tonë këtu,e cila mjerisht  përsëritet si  këngë e dhembshme e një “dashurie” të vjetër. Pra është mjerimi, prodhimi më origjinal vendor i cili tek shqiptari vazhdon pa mbarim dhe garanton bashkëjetesën e veprave letrare të Migjenit me këtë popull, si ushqimet “BIO” të cilat jetojnë më gjatë dhe bëjnë kalimin përtej kohëve.

Gani Qarri  Cyrih,  Dhjetor 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Migjeni, poeti i mjerimit, profet i mjerimit te sotem, te djeshem

BAJRONI PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT SIPAS ANDRE MORUASË

December 9, 2013 by dgreca

Shkrimtari  SPIRO GJIKONDI e solli në gjuhën shqipe enkas për Gazetën “DIELLI”/

Shkrimtari francez Andre Morua (Andre Maurois, 1885-1967,) midis veprave të shumta letrare, monografike e memoriale, në vitin 1930 botoi librin “Bajroni”, ku përshkruan e analizon jetën dhe veprimtarinë letrare të poetit të madh anglez Xhorxh Gordon Bajron. Libri u përkthye në anglisht nga Hamish Miles dhe u botua në Amerikë në vitin 1964. Sipas një reviste të kohës së botimit të parë, kjo është monografia më e saktë dhe më e lexueshme për poetin romantik të Anglisë. Në një kapitull të vecantë të librit përshkruhet udhëtimi i parë i Bajronit në vende të ndryshme të Evropës, në të cilin vend të vecantë i ka lënë autori kalimit të poetit nëpër Shqipëri. Më poshtë po japim të përkthyer nga anlishtja pjesë që përmbajnë opinione dhe detaje të autorit për Shqipërinë dhe shqiptarët që mendojmë se janë me interes edhe aktual.

***

Më 26 qershor, 1809, të dy shokët, Bajroni dhe Hobhauz 1) hypën ne anijen “Bijtë e Kapitenit”, që shkonte në Lisbonë. Hobhauz, të cilit i silleshin nëpër tru copëza shënimesh arkeologjike, kishte marë me vete rreth njëqint pena, dy gallone boje shkrimi dhe disa pako me letra të bardha. Ndërsa Bajroni ishte shndëruar në një “magnet natyror” për një trupë të tërë shoqëruesish. Meri plak, do të ishte me ta gjer në Gjibraltar, pasi era e detit i bënte shumë mirë shëndetit të tij. Detyrat e tanishme të shërbëtorit të trupës i ishin besuar Flecerit, gardërobistit të Njustedit, i cili kohët e fundit ishte martuar dhe qahej shumë se po ndahej nga gruaja e tij, Sely. Vargu plotësohej nga Robert Rashton, një pazh i ri i njohur si Bob, djalë fermeri që Bajroni e pëlqente “sepse, ashtu si unë, edhe ai duket si një “kafshë pa shoqëri”, si dhe nga një garderobist gjerman që ja kishte rekomanduar dr. Batler i Harrout.

Hoxhson mori një përshkrim në vargje heroiko-komike për këtë prag-udhëtimi dhe për Hobhauz që villte herë ushqimin e mëngjezit dhe herë përshtypjet e tij për atë udhëtim të parë. “Donte Providenca të futej midis tij dhe njerëzve të tjerë që vuanin, dukë i cuar një herë ndrydhjen e kycit të dorës dhe një herë derdhjen e bojës së shkrimit, që ai të mos shkruante.” “Po e lë Anglinë me keqardhje, ( do shkruante Bajroni, shen.yni S.Gj).- Do të kthehem sërish pa qejf. Unë jam si Adami, i dënuari i parë për tu larguar, por unë s’kam Evë dhe s’kam ngrënë mollë të ndaluar, por dicka që është më e thartë se gaforja.” Edhe Zonjës Bajron ai i shkroi letrën e tij të lamtumirës: “Bota është e gjitha para meje dhe po e lë Anglinë pa keqardhje e pa ndonjë dëshirë për të vizituar sërish c’përmban ajo, vec teje dhe banesës tënde të tanishme.” E kishte lënë atë të kujdesej për arushën, qenin e gjahut dhe vajzat gazmore…

Në përshkrimin e kalimit të bajronit në Shqipëri Morua thotë:

Shqipëria në atë kohë ishte një vend pothuajse i panjohur. Malet e egër i kujtonin Bajronit Skocinë, të cilën ai e kishte njohur që në fëmijëri. Burrat vishnin fustanella që u shkonin deri në gju, jo tamam si keltët, si dhe guna të dhirta. Aliu, Pashai i Janinës, një burrë i njohur për guximin dhe ashpërsinë e tij, ishte njoftuar prej Ministrit Anglez per ardhjen e xhentelmenit te ri prejfamiljeje fisnike dhe e ftoi per vizite ne sarajet e tij. Cdo gje qe e rrethonte e magjepste Bajronin. Shqiptarët e veshur me tunika të qendisura, Tartarët me kapucët e gjatë, shërbëtorët zezake, kuajt, daullet, madje edhe muezini që thërriste nga maja e minaresë së xhamisë: “Nuk ka Zot tjetër vec Allahut.”

I tmershmi Ali Pasha ishte shtat-vogël, në të shtatëdhjetat, njëegjashtëdhjetëpesë i gjatë, me një mjekër të bardhë, por me sjellje dinjitoze plot respekt. Ai, i njohur për papërtueshmërinë e tij për të pjekur në hell armiqtë, apo për të mbytur njeherësh në liqen pesëmbëdhjetë gratë vetëm e vetëm se ato i kishin mërzitur nusen e djalit, e pyeti bajronin sepse e kishte lenë vendlindjen në një moshë kaq të re dhe shtoi se do ta kishte vënë re menjëherë prejardhjen e tij fisnike prej veshëve që i kishte të vegjël, nga flokët gjithë dredha dhe nga bardhësia e duarve.. Këto fjalë i bënë përshtypje të madhe Bajronit dhe, për shumë muaj ato do të ndeshën pothuajse në të gjitha letrat e tij. Ali Pash për një kohë të gjatë mbeti hero i Bajronit. Etja për pushtet, përcmimi ndaj moralit dhe ligjeve të shoqërisë, një shije për  ta mbështjellë misterin, – gjithë personaliteti i Aliut e prekën Bajronin thellësisht. Bandite, korsare, kapedanë kacakësh,- gjithë këto qenie të një klase të jashtëligjëshme, i pëlqenin atij si një kundërvënie ndaj hipokrizisë dhe si vlerësim për guximin. Por simpatia e tij nuk mbeti pa u shpërblyer. Në rrugën e kthimit Ali Pasha i paisi të dy anglezët me një grup shoqëruesish të armatosur.

Të udhëtonin nëpër një vend të egër nën mbrojtjen e ca ushtarëve gjysëm-barbarë ishte një aventurë e vërtetë.. Bajroni zbuloi, ashtu sic mendonte, se ishte ne shpirt nje njeri i veprimit. Nuk kishte frike nga asgje. I pelqenin keta luftetare shqiptare sepse ishin te thjeshte e besnike dhe sepse kishin dicka primitive qe te ben ta humbasesh mendjen pa u shqetesuar. Ishte ne mesin e tyre ne Janine kur ai filloi te shkruante vepren e vet Cajld Burun, te cilen, pasi kishte mbaruar kengen e pare, e titulloi Cajld Harold. Ai e shkroi ate ne strofa Spenseriane, nentevargeshe, sepse, sic mendonte, kjo i jepte mundesi per ndryshueshmeri tonesh. Hobhauz, nga ana e vet, vazhdonte te mbante shenime per dicka tregimtare.

Prej Shqiperise ata donin te shkonin ne Greqi por u penguan gjate udhetimit nga stuhia dhe paaftesia e lundertareve. “Gati humba jeten ne nje anije luftarake turke per shkak te paditurise se kapitenit dhe te ekuipazhit, edhe pse stuhia nuk ishte aq e forte. Fleceri logatej per gruan e tij, greket thirren ne ndihme gjithe shenjtoret, myslimanet thirren Allahun, ndersa kapiteni shpertheu ne lot dhe zbriti nga kuverta per te na thene ti luteshim edhe ne Zotit.” Velat e anijes u shqyen, detaret ishin te paafte per ta drejtuar anijen dhe Fleceri ulurinte vazhdimisht, jo pa duartrokitje, se ata po i priste nje fund i tmerrshem ne nje “varr ujor”.

Bajroni, te cilin e pengonte kemba te jepte ndonje ndihme sado te vogel, hoqi dore nga perpjekjet e tij te kota per te qetesuar Flecerin dhe, duke u mbeshtjelle me gunen shqiptare, u shtri ne kuverte dhe qetesisht e zuri gjumi. Kur u zgjua stuhia kishte pushuar dhe anija kishte dale ne breg ku ata u priten nga Suliotet me nje mirseardhje te ngrohte. Ky klan malesoresh krenare dhe fisnike kishte mundur te mbetej nje popullsi e lie, duke i sherbyer Pashait, por gjithmone si mercenare qe paguheshin perpara se te hynin ne beteje. Ata kishin nje nam te keq, por i mirseardhen bujarisht udhetaret e shpartalluar prej stuhise; u thane rrobat e qullura, u dhane per te ngrene dhe, ne mbremje, organizuan per ta nje shfaqje me valle perreth zjarrit e kenduan nje kenga te cuitshme me nje refren ku lavderoheshin se ishin “hajdute te Parges” Me vone, kur Bajroni i luti te pranonin prej tij si shperblim disa monedha, kapedani i tyre i tha: “Une dua qe ti te me duash, jo te me paguash.” Kjo thenie i pelqeu shume Bajronit. Ai admiroi keta njerez me pasione te fuqishme, te afte edhe per vrasje, edhe per shoqeri.

Perbuzja e tij per fete e zemeronte shume. Ne nje hapesire kohore prej disa javesh, gjate udhetimit te tij, ai kishte pare Katolike dhe Protestante, Myslimane dhe Ortodokse dhe kishte verejtur gjithmone tek ata te njejten “kafshe njerezore”. Ndersa per shqiptaret do te shkruante: ” I dua shume shqiptaret. Ata nuk jane te gjithe turq, disa fise jane kristiane, por feja nuk ndikon shume ne sjelljet e tyre.” Nje teme e preferuar ne letrat e tij ishte kontrasti midis te shkretit Uiliam Flecer te Njustedit qe ankohej vazhdimisht nen nje ombrelle per shiun ne malet shqiptare dhe shoqeruesit e tij te rinj, te cilet ishin mosperfilles dhe te shkelqyar.. ” Fleceri, si gjithe anglezet, eshte shume i pakenaqur edhe pse disi i ngushelluar nga nje dhurate prej tetedhjete pjastrash qe ja dha Veziri… Nuk vuan nga asgje, vec prej te ftohtit, te nxehtit dhe paraziteve, porse nuk eshte trim dhe ka frike hajdutet e stuhine..

Si kundershtuan rrugen detare, ata vendosen te arrinin ne Greqi me rruge tokesore. Ishte nje udhetim i mrekullueshem mes malesh. gjate mbremjes Suliotet kendonin strofa kengesh, qe Bajroni i perkthente me ndihmen e perkthyesit. Me ne fund arriten ne disa pllaja e ndaluan ne nje qytet te vogel qe quhej Mesollongj, buze nje kenete te gjere. Kishin arritur ne Greqi.

Morua, ne monografine e tij per Bajronin  do ti kthehet serish temes se shqiperise e te shqiptareve. Gjate qendrimit te dyte te Bajronit ne Greqi, pasi u kthye prej Konstandinopolit, ai thote se:

… Bajroni beri disa vizita ne More, duke shkuar deri ne Tripolica, dhe gjithmone bente nje ndalese ne Patra, ku nje konsull angles, Z.Strane, sherbente si bankieri i tij. I pelqente ky port ku anijet me trupin e tyre te holle, qe i kujtonin floten e Agamemnonit, shpaloseshin nen qytetin e bardhe e te rrepirte. Por Patra ishte nje vend jo shume i shendetshem; kur frynte era e Mesollongjit dhe ne stinen e miskonjave, malarja mbreteronte. Bajroni gati vdiq prej saj. Shkroi edhe nje epitaf te vogel per vete.

Fleceri kishte humbur mendjen, por, fatmiresisht, shqiptaret qe e shoqeronin e qe kujdeseshin per te , i thane doktorit se do ta vrisnin neqoftese zoteria i tyre do te vdiste. Ishte fuqia e Jovit, Rinia e tij apo ky kercenim i shqiptareve qe e ngriten ate serish ne kembe? “E pashe vdekjen si nje shpetim prej dhimbjeve, pa aspak deshire per nje jete tjeter, por me besim se Zoti qe ndeshkon per se gjalli do ta kishte braktisur ate azil te fundit i lodhur e i keputur.” Dhe shtoi ne greqisht “Vdes i ri ai qe perendia e do.”

Perkthimi dhe shenimet nga Spiro Gjikondi

1. Hobhauz: shok shkolle ejetei bajronit e me vone zyrtar i i larte anglez.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bajroni per shqiperine, dhe shqiptaret, sipas Andre Morua, Spiro Gjikondi

FRYMA NDIHMËDHËNËSE E AMERIKËS

December 9, 2013 by dgreca

*Amerikanët japin më shumë ndihma se çdo komb tjetër në Botë/

*Amerikanët, si individë, bëjnë me miliona orë pune pa pagesë, çdo vit për të ndihmue njerëz e kauza, duke kontribuar tri orë në javë për njeri/

Megjithëse çdo vjet, me fillimin e fazës së festave të fundvjetit, ku njerëzit blejnë peshqeshe për të afërmit e tyne; asht e lehtë të harrohet nji fakt me randësi. Ky fakt asht, se gjatë gjithë vjetit,Amerikanët japin ndihma të llojeve të ndryshme, miliona e miliona njerëzve të vendeve të ndryshme të botës. Kjo vepër tejet humanitare ua pakson vuejtjet, shumë njerëzve të prekun nga fatkeqësi të ndryshmë natyrore.

Marrim si shembull Organizatën Bamirësë Amerikane “Spirit of Amerika”e cila bashkëpunon me personelin e Ushtrisë Amerikane, që jep ndihma humanitare në të gjithë botën. Kjo organizatë mbahet krejtësisht, nga ndihmat që japin organizatat dhe individë të ndryshëm. Kjo organizatë dërgon personelin e sajë, në vende të damtueme nga lufta si në Afganistan e Guiana ku çojne llojë të ndryshme pajisjesh elektronike, batanie e të tjera.Ata meremetojnë puset e ndryshm, dhe dhurojnë kompjutera për të ndihmue shkollat vendase.

Kur Ushtria Amerikane ne Mauritania, pati nevojë për të qetësue, disa zona të kërcënueme nga dhuna e shkaktueme nga Alkaeda, iu drejtue organizatës “Spirit of America”,ushtria vuni re se nji nga gjanat ma të nevojshme ishte shendeti i bagëtive; kështu që organizata në fjalë filloj vëprimin, për të stërvitun personelin dhe për të dhanë paisjet e nevojshme për të përmirsue shëndetin e gjedhëve dhe dhive, në zonën në fjalë.

Nuk janë vetem grupet si për shëmbull, “Spirit of America” që japin ndihma të tilla njerëzve të ndryshëm. Amerikanët, si individë, bajnë me miliona orë pune , pa pagesë, çdo vjet,për të ndihmue njerëz e kauza, duke kontribue tri orë në javë për njeri. Amerikanët japin ma shumë, për të ndihmue njerëzit që kanë nëvojë, se çdo komb tjeter, në bazë të të ardhunavë për njëri.

Me të vërtetë Amerikanët i pëgjigjën thirrjes së George Uashingtonit i cili pat thanë,”Lejeni zemrën tuej, ta ndjeni dhimbjen dhe shqetësimin e çdo kujt dhe brenda mundësive, ndihmoni të tjerët.

Kur ngjajnë fatkeqësi natyrore, Amerikanët mblidhen rreth flamurit, ma shumë se asnji popull tjetër në botë. Mbas fatkeqësisë që shkaktoi stuhia “Katrina”përgjatë gjinit të Meksikës, Amerikanët dhanë ndihma me nji vlerë prej ma shumë se tre miliardë dollarë, për rindërtimin e asaj zone të damtueme dhe për të ndimue ata që humbën gjithçka nga ajo stuhi.Këto ndihma u dhanë, megjithëse njerëzit e dinin se qeveria federale do të jepte me dhjetra miliarda dollarë ndihma për zonën në fjalë.

Bujaria e Amerikanëve nuk kufizohet vetëm brenda për brënda Shteteve të Bashkueme.Çdo herë dhe në çdo vend që preket nga ndonji fatkeqësi, Amerikanët gjenden gjithmonë pranë, për t’u dhanë njerëzve ndihmë.Përveç ndihmave ushtarake, dhe ndihmave financiare, qe qeveria amerikane jep, Amerikanët japin nga xhepi i tyre njerëzve qe kanë nevojë për ndihme.

Mbas nji stuhije tejet shkatërruëse, që ngjau në zonën e Oqeanit Indian, në vjetin 2004,nga e cila humbën jetën 230 000 njerëz, dhe mbetën pa strehim, me miliona njerëz, Amerikanët dhanë nji ndihmë prej ma shumë se 3 miliardë dollarë, për rindërtimin e zonës së damtueme.

Në vjetin 2010, mbasi nji tërmeti shumë të fuqishëm që shkatrroi kryeqytetin e Haitit Porto Prens, nga i cili humbën jetën ma shumë se 200.000 njerëz dhe mbetën pa strehim 1.5 milionë njerëz, Amerikanët dhanë nji ndihmë prej 1.3 miliardë dollarë.37 përqind e kësaj ndihme humanitare u dha si rrjedhim i fushatës të organizueme nga kisha të ndryshme të Shteteve të Bashkueme.

Bujaria amerikane nuk paksohet, edhe nëse gjendja ëkonomike mund të jetë e dobët. Për shembull, ndihmat që ju dhanë popullit të Haitit, u dhanë edhe pse në Shtete e Bashkueme, në atë kohë ekzistonte, nji ngadalsim i dukshëm i veprimtarive ekonomike.

Amerikanët kanë dhanë me miliarda dollarë, në vende të ndryshme të botës, të prekuna nga fatkeqësi të ndryshme natyrore. Populli amerikan dha nji ndihmë prej 74 milionë dollarë popullit të Maimarit,kur ai vend u prek nga Stuhia{cikloni} Nargis, edhe pse qeveria e atij vendi mbante nji qëndrim anmiqësor ndaj Shteteve të Bashkueme.

Organizatat private bamirëse, si edhe ndihmat që kanë për qëllim të ndihmojnë popullin në përgjithësi, janë sigurisht, disa nga që njerëzit kanë ndaj shoqënis njerzore, pat thane njiherë \Toas Xhafersoni dhe amerikanët e kanë vazhdue me përkushtim këtë traditë. Kjo asht nji gja, që ne me të vërtetë, duhet të jemi falnderues, gjatë festave të fundit të vjetit.

*Këtë shkrim të  gazetës The Washington Times me autor  Ed Feulner e solli në gjuhën shqipe enkas për Gazetën “Dielli” z. Gjon Kadeli, vatran i degës së Washingtonit/

 

Filed Under: Featured Tagged With: e Amerikes, Fryma ndihmedhenese, Gjon kadeli

Michigan : Policia në kërkim të vrarësit të pronarit shqiptar në Detroit

December 9, 2013 by dgreca

Një ngjarje rrëqethëse e cila është regjistruar nga kamerat e sigurisë ka ndodhur të premten mbrëma në Detroit, ku mbeti i vrarë një shqiptar nga Kosova, Altin Avdyli 31 vjeç/

Nga BEQIR SINA, New York/

Harper Woods – Detroit :   Policia thotë se po “gjurmonë” për vrasësin e Harper Woods pronarit shqiptar të lokalit që u vra të premten në mesnatë prapa derës së retorantit Royal Grill në Kelly Road – Harper Woods, Detorit në Miçigan.  Shtypi lokal shkruan se konsumatorët thanë se Altin Avdyli ka punuar shumë gjatë vitit të kaluar për të rimodeluar restorantin e blerë prej tij shkruan Macomb Daily
Një letër e shkruar me shkrim dore në derën e qelqit të dielën konsumatorët kan shkruar në mënyrë të përmbëledhur se si mendonin fqinjët për vrasjen me armë të pronarit të këtij lokali që ata e frekuetonin çdo ditë.
” E tmerrshme , tragjike , e pakuptimtë ” është shkruar me gërma të mëdha në letër.
Policia Harper Woods sipas gazetës Macomb Daily thonë se po vazhdon të hetojë vrasjen e Altin Avdylit në Roseville , i cili u qëllua për vdekje të premten vonë në rrugicën prapa restorantit të tij në Kelly Road afër me State Fair Road. Për policinë kjo është një vrasje në një grabitje të dukshme .
” Z. Avdyli ishte anëtar i njohur i komunitetit Harper Woods, bujaria e tij dhe zemërmirësia do të mbahen mend në masë të madhe , ” tha drejtori për Siguri Publike në Harper Woods zoti Jim Burke në një deklaratë për shtyp .
Sipas njoftimit Policia ka  thënë se pronari i këtij restauranti, është 31 vjeçari Altin Avdyli, i cili mendohet të jetë vrarë të premten, natën në parkingun tek dera e prapëme e lokalit të tij “Kelly Road”, ndërsa procesi i vrasjes është kapur nga kamerat e sigurisë.

Videoja tregon viktimën duke ecur për te makina e tij dhe një person tjetër i fshehur i cili shkonte pas. Pas një përballje të shkurtë, personi që i kishte zënë “pritë”, kishte shtënë me armë në viktimën.Sekonda më vonë, i armatosur kishte ikur bashkë me makinën e viktimës

Fqinjët dje gjatë ditës kan vendosur një buqetë me lule të freskta dhe një tullumbace në shenjë respekti ndërkaq në derën e parë së bashku me një letër ata shkruajnë : ” Zoti ju bekoftë . Ne jemi ndjer aq shumë  keq për humbjen tuaj . Kjo është :”e Tmerrshme , tragjike , e pakuptimtë – Fqinjët tuaj !. ”
Një klient i rregullt në Royal Grill ka thënë Avdyli kishte marrë përsipër biznesin nga pronari i mëparshëm rreth një vit më parë dhe kishte punuar  shumë që të rimodeloj lokalin .
William Jones nga Detroiti , i cili jeton disa blloqe larg e përshkroi Avdylin si një njeri ” të respektueshëm ” dhe ” të miqësor me të gjithë klientët të tij . ”
Policia në Harper Woods të dielën tha se deri tani askush nuk ishte në paraburgim dhe se automjeti nuk është gjendur ende. Automjeti i vjedhur i viktimës është ngjyrë gri, tipi “Chevy Camaro” 2010, me shirita të zinj. Targa e makinës është: CFZ 9555. Çdokush që ka informacion duhet të telefonojë në numrin: 911, ose policinë në Harper Woods 313-343-2530 ose në mënyrë anonime numrin 1-800-SPEAKUP.

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Altin Avdyli, vrasja ne Michigan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT