• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Ne New York U zhvillua festivali 29- të “Festivali i Artë Ballkanik”

January 20, 2014 by dgreca

Muzika shqiptare e kënduar nga Merita Halili dhe shoqërurua nga grupi i drejtuar nga Raif Hyseni  magjepsën adhuruesit amerikan të këngës e valles popullore, duke ngritur në peshë sallën e mbushur përplotë me spektator

Nga Beqir SINA/

BROOKLYN NEW YORK CITY: Ritmet tradicionale të Ballkanit përmbushën me më shumë se 4 mijë spektatorë për dy netë me radhë sallën e madhe me llozhat e saj në Grand Prospect Hall në Brooklyn më 17 dhe 18 janar, me zhvillimin e Festivalit te Arte të 29të “Golden Festival”. Kjo është padyshim ngjarja më e madhe tradicionale e muzikës nga Ballkani, dhe shtete për rreth tij në  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbahet në qytetin e Brooklynit në New York, ngjarje e cila këtë vit festoi 29 vjetorin e krijimit të saj.Në këtë festival marrin pjesë kryesisht adhurues të rinj e te  reja amerikan të muzikës folklorike ballkanike dhe mesdhetare.

Sipas themeluesit të këtij festivali  z. Michael Ginsburg, ” Festivali i Artë” që mbahet në mesjanarin të çdo viti në Brooklyn New York City, është ngjarja më e madhe vjetore e Muzikës dhe Valles nga Ballkani dhe më gjerë, dhe është bërë një festë e muzikës Ballkanike , e ushqimit tradicional nga këto vende, veshjeve popullore dhe të ekspozimit të arteve të bukura, pikturave, librave , DVD, dhe CD e të tjera .

Gjatë këtij festivalit preformuan për dy netë 70 grupet me orkestrat e tyre, duke interpretuar këngë e valle nga i gjithë Ballkani dhe vendet e tejra nga Europa. Më shumë se 4000, të dashuruar pas muzikës folklorike ballkanse, kënduan e vallëzuan në ritmin e muzikës popullore nga Ballkani për dy ditë me rradhë .

Ky festival është themeluar në vitin 1986 nga orkestra e tunxhit  “Gojrat e Arta” – dhe është e vetëmja ngjarje në New York, për të dëgjuar këngë e valle të muzikës tradicionale nga Ballkani

Vendet e përfaqësuara në këtë festival përfshijnë Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë , Greqinë, Maqedoninë , Serbinë, Turqinë , Gjeorgjinë , Hungarinë , Poloninë, vendet skandinave Norvegjinë dhe Suedinë , Grupet rome dhe ata që lujnë muzikë Klezmer nga ish vendet e Europës juglindore, ku jetuan hebrejtë mbas Luftës së Dytë Botërore.

Në mesin e 70 grupeve pjesëmarrëse, për të 17të, vit me rradhë ishin edhe dy “ambasadorët” e muzikës shqiptare, jo vetëm në SHBA, por edhe anembanë botës, ata që i kanë dhënë botës zërin e artë të muzikës popullore shqiptare, Merita Halili – princesha e këngës popullore, si dhe Mjeshtri i fisarmonikës Raif Hyesni nga Mitrovica – Kosovë.

Në Grand Prospect Hall në Brooklyn më 18 janar, në kuadrin e Festivalit të 29të, të Artë, për 40 minuta u dha koncerti në një sallë të tejmbushur plot e përplot me spektatorë, ( 4.000 spektatorë) i këngëtares Merita Halili dhe grupit të Raif Hysenit  të cilët janë pjesëmarrës të rregullt të këtij festivali.

Mbas shumë paraqitjeve gjatë Festivalit të Artë Ballkanik, salla i përshëndeti me ovacione të shumta, dhe e ngritur e gjitha në këmbë, duke kënduar e vallëzuar edhe ata së bashku me ritimin e këngëve e valleve shqiptare, të cilat krijuan një atmosferë me të vërtet madhështore.

Muzika shqiptare e kënduar nga Merita Halili dhe shoqërurua nga grupi i drejtuar nga Raif Hyseni  magjepsën adhuruesit amerikan të këngës e valles popullore, duke ngritur në peshë sallën e mbushur përplotë me spektator.

Paraqitjen e shqiptarëve në Grand Prospect Hall në Brooklyn më 18 janar, Festivalit e 29të, të Artë, e ndoqi edhe asamblesiti i parë shqiptarë në Asamblenë e New Yorkut, zoti Mark Gjonaj dhe kryetari i Shoqatës Ana e Malit Ismet Kurti.

Në fund të këtij festivali patëm rastin të bisedojmë me dy protogonistët shqiptarë të Festivalit të Artë Ballkanik, Merita Halilin dhe Raif Hysenin si dhe me Drejtorin e këtij festivali zotin Michael Ginsburg.

B Sina : Si u lindi ideja për pjesmarrjen ne  Festivalin Ballkanik?

Merita Halili: Ne kemi 17 vite që marrim pjesë në këtë festival, dhe ideja ishte që, duke qenë të njohur në vëndin tënd, do me thënë Shqipëri , Kosovë, organizatorët dhe muzikologët e këtij festivali na ftuan ne si përfaqëues të muzikës Shqipëtare.

B.Sina : Çka ju motivon ju dhe Meritës  për të marrë pjes në festivale të tilla nëpër Amerikë  ?

Raif Hyseni : Janë disa motive. Kuptohet që muzika është primare, me anë të së cilës ne përfaqësojmë kombin tonë dhe të gjithë Shqipëtarët në Ballkan e sidomos këtu në Amerikë. Një ndër motivet tjera është  që, ne si Shqipëtar sjellim diçka autoktone, pastaj kulturën, traditën dhe vlerat tona që ne kemi si komb.

B. Sina:  Sa ishte interesimi i publikut amerikan për këngët e vallet shqiptare ?

Merita Halili : Shfrytezoj rastin që juve personlisht t’ju falenderoj për gatishmërin tuaj që juve gjthmonë na keni ndjekur pothuajse në ç’do aktivitet tonin qoftë atë në nivel kombëtar, dhe internacional. Juve vetë ishit present, mbrëmë në pranin e 4000 vetave se si ne u pritëm. Eshtë kënaqësi që gjithë kjo audiencë këndonin këngët Shqipëtare me një zë të vetëm, e ky është një rezultat i punës disa vjeçare që ne kemi bërë këtu në Amerikë.

B Sina: Si mund të bëhesh pjesë e Festiavlit Ballkanik ?

Raif Hyseni : Festivali është i hapur për të gjithë, mirëpo ne përfaqësojmë muzikën Shqipëtare në këtë festival qe 17 vite,dhe prezentimi jonë profesional i jep një karakter shumë origjinal në çdo segment.

B.Sina : Kur pritet të kemi një tjetër event të tillë dhe si keni menduar t’a organizoni? Cilat do të jenë Festivalet  e tjera ndërkombëtare që do të merrni pjesë ?

Raif Hyseni: Ne marrim pjesë në festivale të ndryshme internacionale këtu në Amerikë, dhe në botë, festivali tjetër i radhës që marrin pjesë mbi 7000 veta, dhe mbi 30 vende të ndryshme nga mbarë bota, do të jetë në fund të muajit Maj në shtetin e Nju Xhersit. Ne kemi disa koncerte në muajt që vijnojnë si për shembull, në shtetin e Vermontit, Massachusetts, Philadelphia, New Jersey, New York, si dhe kuptohet seminari tradicional që mbahet çdo vit në California.

Drejtori i Festivalit të Artë zoti Michael Ginsburg:

B.Sina : Çfarë mendimi keni ju për përfaqësimin e grupit të shqiptarëve – Albanian American Ensemble?

Michael Ginsburg:  Unë e dua muzikën e Merita Halilit dhe Raif Hysenit, dhe se unë jam shumë i nderuar kur ata më pyesin të luaj me trompet  me ansamblin e tyre. Merita dhe Raifi janë me të vërtet mjeshtër të muzikës Shqipëtare, por ata janë edhe mjeshtër që e kuptojnë dhe e luajnë muzikën botërore. Ata janë ambassador të mëdhenj të Shipërisë dhe Kosovës sepse ata janë qytetarë të botës dhe i duan dhe gëzojnë kënaqësin me popujt të ndryshëm nga mbarë bota.

B.Sina :  Çfarë shikoni ju se e tërheq më shumë publikun në këngët e vallet shqiptare, kostumet e tyre folklorike ?

Michael Ginsburg:  Publiku menjëherë e ka sensin që gjinden në një presencë madheshtie, kostumet shumëngjyrshe dhe të larmishme, këngët dhe muzika popullore shqiptare kur Merita dhe Raifi performojnë. Muzika vetevetiu është shumë e lehtë t’a kuptosh, edhe pa e ditur gjuhën Shqipe. Meloditë janë të bukura,  ngacmuese, të llojllojshme, dhe me ritëm që i bën njerëzit të kërcejnë.

B. Sina:  Çfarë karakteri ka ky Festival dhe a është bërë tradicional?

Michael Ginsburg: Festivali është në vitin e tij të 29-të, dhe gjithmonë ka qene fokusuar në muzikën tradicionale që vjen prej Ballkanit, por ne ftojmë edhe grupe të tjera. Ky festival ka të përfshirë muzikën që nuk është strikt tradicionale, por që eshtë e inspiruar nga muzika tradicionale, dhe se rrënjët e muzikës tradicionale, mund të vërehen shumë qartë. Ka pasur edhe disa shkëndija të muzikës nga pjesët e tjera botërore. Këtë vit, ka pas muzikë tradicionale nga Italia, Norvegjia, Suedia, Armenia, Ukraina, Egjipti, si dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme. Gjithashtu, ka pasur një prezentim të fuqishëm i muzikës Xhuishe – Jews, ng ate dyja atë Safardike dhe tradicionale të Europës Perendimore. Gjithësesi mund të them se është një festival tradicional i cili vitin e ardhëshëm ka jubileun i tij 30 vjetorin.

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Beqir Sina, Festivali i 29, i arte Ballkanik, Merita Halili, Raif Hyseni

Shtëpia e Martin Luther King në Alabama

January 20, 2014 by dgreca

Sot në SHBA është Dita e Martin Luther Kingut,  udhëheqësi i vrarë i të drejtave civile. Është një ditë pushimi për të përkujtuar predikuesin baptist, i cili u bë zëri i lëvizjes për të drejtat civile në vitet ’50 dhe ’60. Një nga arritjet e tij më të mëdha e ka zanafillën më shumë se 50 vjet më parë në qytetit e Birmingamit të shtetit Alabama.

Martin Luther King erdhi në Birmingam në vitin 1963, në vendin që ai e quante qyteti më i ndarë racor në Shtetet e Bashkuara. “Për të dramatizuar këtë padrejtësi flagrante. Dhe për të kërkuar që qeveria federale të mos i japë fare të holla këtij qyteti nëse nuk vendos të heqë dallimet racore,” ishin fjalët e Martin Luther Kingut.
Zoti King dhe udhëheqës të tjerë të të drejtave civile filluan një fushatë për të nxitur qytetin të shfuqizojë ligjet që ndanin zezakët dhe të bardhët nëpër shkolla, restorante dhe vende të tjera publike.
Disa prej protestave u bënë të dhunshme dhe qindra demonstrues u arrestuan. Për t’i shpëtuar kaosit dhe për të patur një vend për të punuar, zoti King kërkoi strehim brenda kësaj shtëpie sekrete në Birmingam. Jeff Drew, prindërit e të cilit kanë qenë miq të Dr.Kingut, tani është pronari i shtëpisë.
“Ai mund të bënte çfarë të donte pa frikën e ndonjë hakmarrjeje brenda këtyre mureve. Shtëpia për të ishte vend për t’u lutur dhe për të shkruar.”
Por kjo nuk ka qenë një lagje e qetë 50 vjet më parë, pasi në atë kohë organizoheshin shpërthime bombash me motive racore, duke i dhënë këtij komuniteti pseudonimin “Dynamite Hill” – Kodra e Dinamitit.
Bombat shpërthenin afër dhe shtëpia ishte në mes të zjarrit nga të bardhët racistë.
“Kjo dhomë mbrohej nga ai muri i madh atje për të ndaluar plumbat të vinin këtu.”
Drew thotë se Dr. King qëndroi në shtëpi 20 herë gjatë fushatës në Birmingam. Ai fjeti në këtë dhomë dhe gjatë ditës u takua me udhëheqësit e të drejtave civile për të biseduar  rreth strategjisë dhe për të negociuar mbi një marrëveshje me pronarët e bardhë të bizneseve.
“Këtu është vendi ku u negociua fundi i bojkotit të bizneseve të Birmingamit. Udhëheqësit e biznesit ranë dakord të punësojnë zezakët si shitës dhe të heqin shenjat nëpër tualete që i veçonin të bardhët dhe zezakët.”
Drew kujton gjithashtu kur ka dëgjuar një bisedë telefonike të tensionuar mes zotit King dhe presidentit John Kennedy, kur zoti King kërkoi që qeveria federale të ndalte dhunën.
“Zoti King thotë gjatë bisedës: ‘Ne duam që i gjithë vendi ta dijë se administrata juaj mbështet pabarazinë racore dhe brutalitetin këtu në Birmingham. Ne do t’i vazhdojmë demonstratat.’ Pastaj ai mbylli telefonin dhe e përplasi në tokë.”
Mëngjesin tjetër zoti Drew thotë se trupat federale të dërguara nga presidenti vendosën një postbllok jashtë shtëpisë dhe tensionet u zbutën.
Lawrence Pijeaux, President i Institutit të Birmingamit për të Drejtat Civile thotë se suksesi i zotit King në qytet pati një ndikim në mbarë vendin.
“Një ligj i ri bëri që njerëzit tanë të kenë mundësinë e arsimimit, strehimit, kujdesit shëndetësor, dhe të drejtës për të votuar. Këto gjëra u arritën kryesisht për shkak të asaj që ndodhi në Birmingam, të Alabamës.”
Zoti Drew dëshiron ta ruajë shtëpinë për t’u kujtuar njerëzve sakrificat e bëra nga zoti King dhe nga mijëra afrikano-amerikanë.(VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: ne alabama, Shtepia e Martin Luther King

Dr.Zijadin Sela në Çikago:Shqiptarët janë keq

January 20, 2014 by dgreca

Nga Skënder Karaçica/Chikago/

Gjatë vizitës në Çikago të kryetarit të komunës së Strugës,dr.Zijadin Sela,ai pati një takim të ngrohtë me aktivin e gjerë të KSHA-së dhe foli për disa aspekte aktuale të gjendjes së sotme të shqiptarëve në Maqedoni.Programin e udhëhoqi aktori i njohur shqiptar në Amerikë Pajazit Murtishi me recitimin e vargjeve të rilindasit të fundit shqiptar Ali Asllani,ndërsa kryetari i KSHA-së dr.Luan Elezi përshëndeti vizitën e të parit të Strugës dhe kërkoi që takimet me përfaqësuesit polititik shqiptar të jenë më të shpeshta e të programuara me lidhjet më afër me trevat amtare.

Ka kohë që janë bërë e po bëhen analiza  të gjithmbarshme të gjendjes së sotme  të shqiptarëve në Maqedoni,e filloi diskutimin dr.Zijadin Sela,për të vënë në spikamë spektrin e gjerë shkencor,por edhe si problem politik,të pozitës së popullsisë shqiptare si popullsi e dytë e madhe  në këtë vend.Për tërë këtë rrugëtim të historisë sonë kemi argumentet e forta  historike,etnike dhe juridike të kohës që kërkojnë rrugën më të drejtë kombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare me marrëveshje të re kushtetuese(shtetfomues)në Maqedoni.Qendresa ndaj shtypjes politike,që në 80-vjetët e fundit mori formën e një gjenocidi të hapur,si edhe përpjekjet në fushën politike,të arsimit dhe të kulturës për të përballuar ndikimet asimiluese sllave,përbëjnë objektin tonë kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.Si gjithë populli shqiptar ,edhe shqiptarët në Maqedoni kanë ruajtur mëvetësinë e tyre kombëtare,që flasin qartë për një popullsi shqiptare,kompakte dhe autoktone në trojet  veta ,me vijimësi historike,gjuhësore e kulturore të ruajtura në tiparet thmelore kombëtare.Më tej duke polemizuar më të thënat ,,shkencore,,të akademikëve dhe me Enciklopedinë maqedonase(të publikuar me paratë shqiptare),dr.Sela nënvizoj se të dhënat e fushave të ndryshme vërtetojnë se trevat shqiptare në Maqedoni janë vijim etnik,gjeografik,historik,gjuhësor e kulturor gjitëkombëtar dhe nuk dëshirojmë që të kemi kufijtë politik izolues  e as forca ndikuese në këtë vend(jashta kushtetuese)të rendit të dytë.
Në pyetjet e shumta që kishin të bënin me gjendjen aktuale në Maqedoni,dr.Zijadin Sela,afroi argumente të forta se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka ndryshuar për të mirë.Akti më i larë juridik i Kushtetutës ka mbetur po ajo me tërë privilegjet (vetëm)për popullin jo shumicë maqedonase,ndërsa për shqiptarët si popullsi e dytë më e madhe në këtë vend me një përberje prej 40 për qind,na kanë lanë në tryezën e pakicave të bullgarëve dhe të serbëve(!).Për kohën e vitit 2001 dhe konflikti për të drejtat shqiptare në Maqedoni,Dr Sela vuri në dukje se nuk bëhet luftë për të drejta të njeriut,por lufta bëhet për ndarje nga regjimi i huaj për ne.Po sot jam për ndarjen e Maqedonisë dhe të shkohet edhe në varintin tjetër të një marrëveshje të re(e pati kuptimin për ndryshimet e Kushtetutës),ku do të krijoheshin vijat e reja të federalizimit të Maqedonisë.Marëveshja e Ohrit,nuk ka sjellë asnjë të mirë për popullin shqiptar,ndonëse ajo me tërë ,,kornizën ligjore,,më shumë ka mbetur në tovilinën politike dhe të diplomacisë si (torte e prishur)që nuk ka asnjë shije  për kohën shqiptare,nënvizoj dr.Sela.Po kësaj marrëveshje ia pamë sherrin kur në vitin 2008,në disa ndryshime kushtetuese,për qudinë tonë nuk di sa ishin të vetëdijshëm përfaqësuesit e kualicionit (pa marrëveshje paraprake)të BDI-së në qeverinë aktuale tash e tetë vjetë,që gjuhën shqipe e sollën të mbeshjtellur me qefinë(sic!)që mbi këtë bazë,,ligjore,,komuna e Strugës ka mbetur pa aktin e statusit dhe të rregullorës së punës(!).Prandaj lidhur i bëjë thirrje subjektit politik(BDI)të dalë e të thotë të vërtetën se çfarë ndodhi me ,,ndryshimet,,kushtetuese në vitin 2008 sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit,,kornizës ligjore,,që sipas standardeve ndërkombëtare ato nuk mund të jenë të përgjithmonshme.
Fjalimi i dr.Zijadin Sela në Çikago u prit me ineteresim prandaj edhe vërshuan shumë pyetje nga të pranishmit,për të cilat i pari i Strugës iu përgjigj me maturi dhe me argumetin koha shqiptare sot në Maqedoni.Problemet ekonomike dhe papërspektiva ka krijuar disa vija gjeografike të zbrazjes së truallit shqiptar.Kur ndër vite kishim me 12 e më shumë paralele në shkollat shqipe,sot atje e kemi gjendjen alarmuese,kur na kanë ngelur me dy-tri klasa me pesë nxënës e të tjerët kanë migruar në vendet e botës deri në SHBA.Përkitazi me këtë subjekti në qeverinë aktuale(BDI)asnjëherë nuk doli me një program konkret për të parandaluar migrimin si një plagë e rëndë që tash e një shekull po e përcjell me dhimbje popullin shqiptar në Maqedoni.Subjekti politik shqiptar PDSH-ja në opozitë nuk është fajtore për përqarje të skajshme politike,ne nuk qendruam gjatë në pushtet,na mbeti vendi në opozitë dhe BDI-ja e mori drejtimin e çështjes shqiptare dhe tashti po shihen rezultatet e ,,kualicioneve,,pa marrëveshje të nënshkruar me partnerin e vet Nikolla Gruevski.Po sot në Shkup para syve tanë dhe të BDI-së po sendetohet programi antishqiptar,,Shkupi 2014,,me tërë ato përmendore për gjoja historike deri me vendosjen e Car Dushanit,i cili në shekullin e orëve vrastare ndaj shqiptarëve,e përgjaku tokën e tonë etnike.Sot shqiptarët në Maqedoni jetojnë të pasigurt,ata rrahen e sulmohen në pikë të ditës dhe askush asnjë fjalë e ndonjë përgjegjësi prej oraganeve të shtetit.Shqiptarët në Maqedoni janë keq!Tërë pushtetin lokal e kemi jashta kornizave të Konventës Europiane dhe i centralizuar në Shkup në zyrat e qeverisë aktuale të Nikolla Gruevskit.Prej atje na vijnë direktivat dhe mjetet buxhetore ,që për fatin e keq e kemi arkën bosh dhe,për qudinë e kohës,ata edhe ato pak mjete që i kemi kur duan mund ti marrin brenda pak minutash ashtu si na ndodhi me komunën e Strugës.Sa i përket politikave ekonomike për investimet në mjediset tona as që mund të flitet ndonjëherë.Prandaj,ka ardhur koha që ne e duam hisën tonë të buxhetit të ndarë në mënyrën e barabartë dhe me ndryshimet e rrafshit të ri kushtetuese edhe populli shqiptar të bëhet i barabartë(shtetformues)me popullin maqedonas e jo në këndin e ,,pakicave,,dhe të,,komuniteteve,,(sipas subjektit politik të BDI-së),kështu iu përgjigj pyetjeve në Çikago dr.Zijadin Sela.
Në fund tëkëtij takimi i pari i Strugës u bëri thirrje diasporës shqiptare në Amerikë dhe në botë që të kthejnë në tokën amtare për të jetuar e për të investuar,sepse pasuritë dhe resurset që i kemi mund të ndërtojmë e zhvillojmë bashkarisht ekonominë e lirë dhe biznesin me standardet e tashme,brezat tanë shqiptarë nuk e meritojnë të jenë vetëm mërgimtarë të rrugëve të botës,por në vendin e vet me dinjitet dhe me vlerat kombëtare e demokratike.Të ndalet udha e mërgimit,valixhja dhe lotët e ndarjes në Maqedoni,që tsh e një shekull po na përcjell me zbrazjen e truallit që pushtetit aktual i konvenon sa më pak shqiptar në tokën amtare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne Cikago, Skender Karacica, zijadin cela

Rama pse kaq inferior para Beogradit?!

January 20, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/Kaliforni/

 Përmes mjeteve të informimit masiv është dhënë edhe ky informacion: “Edi Eama, Kryeministri i ri i Shqipërisë, pritet që të vizitojë Beogradin gjatë muajit shkurt, në kuadër të një turneu diplomatik nëpër vendet e rajonit, ka njoftuar Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivan Mrkiç përrmes mediave serbe, transmeton agjencia e lajmeve “B52” (Citohet sipas: “Edi Rama do të vizitojë Beogradin”. Marrë nga faqja e internetit “Tirana Observer”. 19 janar 2014).

Një informacion ky vërtet i çuditshëm. Në vend që këtë lajm publiku shqiptar ta mësojë nga zyra e informacionit e Kryeministrit Rama, ai e merr vesh nga mjetet serbe të informimit masiv.

Madje gazeta “Politika” e Beogradit e datës 17 janar 2014, paska zbuluar edhe një të vërtetë aspak ngushëlluese për publikun shqiptar të mbarë trojeve tona etnike. Ministri Mrkiç paska deklaruar:

“Beogradi e mirëpret iniciativën e Ramës të vijë në Serbi”.

Një njoftim ky që “Tirana Observer” e ka censuruar në faqen e vet të lartpërmendur të internetit.

Iniciativa e çuditshme e Kryeministrit Rama me siguri që nuk ka ngjallur ndonjë interes në Beograd, për të mos thënë që është pritur me shpërfillje, përderisa ministri Mrkiç deklaron:

“…nuk dihet data e saktë e vizitës së Ramës në Beograd, sepse Beogradi zyrtar është i zënë më çështje

të tjera të rëndësishme, disa prej tyre negociatat me Prishtinën dhe fillimi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE” (Citohet po sipas faqes së mësipërme të internetit të gazetës “Tirana Observer”).

          Pas kësaj deklarate të ministrit të jashtëm serb, zoti Rama, normalisht, në mbrojtje të dinjitetit te vet si Kryeministër i Shqipërisë, duhet të deklarojë për anulimin e vizitës në Serbi, meqenëse Beogradi zyrtar nuk e vlerësuaka të rëndësishme vizitën në fjalë. Kur Beogradi del me një deklaratë të tillë publike pas 66 vjetë marrëdhëniesh të tendosura me Shqipërinë, pas një gjenocidi mbinjëshekullor që ka ushtruar kundër popullit shqiptar të Kosovës, kjo do të thotë se ai, edhe pas bombardimit të Serbisë në vitin 1999, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdon të mos ushqejë kurrfarë respekti ndaj klasës politike të Tiranës. Deklarata shpërfillëse e ministrit të jashtëm serb për vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, dëshmon se mendësia millosheshiçiane ndaj etnisë shqiptare vazhdon të mbetet mbizotëruese në formimin psikologjik të klasës politike serbe.

Po si shpjegohet që Kryeministri Rama e ka mbajtur të fshehtë nga publiku shqiptar planin e vet për të vizituar Beogradin, madje duke e ndërmarrë vetë iniciativën për një vizitë të tillë, pa pritur ndonjë ftesë zyrtare nga homologu serb?

Në këtë mes dëshiroj të theksoj disa gjëra:

Së pari, zoti Rama nuk ka respekt për opinionin publik shqiptar, sepse atë, në formimin e vet si intelektual, e mban të karfosur fort ideja sekrete enverhoxhane, sipas së cilës udhëheqësi qëndron mbi popullin, sepse populli duhet të bëjë atë që i thotë udhëheqësi, se udhëheqësi është, demek, i pagabueshëm. Kjo ishte edhe arsyeja që Enver Hoxha kishte hedhur parullën: “ç’thotë partia bën populli”. Prandaj, duke mos pasur respekt për opinionin publikun shqiptar, Kryeministri Rama nuk e quan të arsyeshme që atë ta vërë në dijeni për hapat që ndërmerr në politikën e jashtme dhe sidomos në marrëdhëniet me fqinjët.

A nuk ishte Kryeministri Rama ai që, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vjeshtën që kaloi, duke shpërfillur tërësisht opinionin publik shqiptar, pranoi të bëhej çaktivizimi i armëve kimike siriane në vendin tonë? Kjo ngjalli një valë të fuqishme zemërimi në radhët e rinisë shqiptare në mbarë vendin, e cila, me shumë të drejtë, u ngrit peshë më këmbë dhe nuk e lejoi të vihej në jetë premtimi që ai u kishte dhënë autoriteteve amerikane.

Së dyti, si kuturis Kryeministri Rama të ndërmarrë iniciativën për të vizituar Serbinë, ndërkohë që Serbia nuk ka kërkuar ndjesë publike për krimet e pallogaritshme dhe për tragjeditë e rënda që i ka shkaktuar mbarë kombit shqiptar dhe veçanërisht popullit shqiptar të Kosovës, sidomos në gjysmën e dytë të viteve ’90? Po kur të shikojnë Kryeministrin Rama duke vizituar Beogradin, ç’do të mendojnë pronarët e atyre 200 mijë shtëpive të djegura në mbarë Kosovën? Ç’do të mendojnë nënat e atyre dëshmorëve që e lanë me gjak mbarë Kosovën gjatë luftës me makinën ushtarake të Millosheviçit? Çdo të mendojnë familjet e atyre gati 2 mijë të zhdukurve pa nam e pa nishan, për të cilët Beogradi vazhdon të mos i tregojë vendgroposjet e tyre? Ç’do të mendojnë ato 20 mijë gratë dhe vajzat kosovare që i përdhunuan shtazërisht kriminelët serbë? Ç’do të mendojë popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës që përjetoi me dhembje shkuljen e memorialit në nderim të dëshmorëve që ranë në përleshje me bandat e Millosheviçit? Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit (UÇPMB) luftoi për të drejtat e veta kundër kriminelëve millosheviçianë, por memorialin në nderim të dëshmorëve të saj, e shkuli pas 14 vjetësh kryeministri i tanishëm serb Daçiç, i cili, me këtë akt barbar që kreu, vërtetoi se është mbështetës i fuqishëm i veprës kriminale të Millosheviçit. Me veprimin barbar kundër memorialit në fjalë, çka ishte një fyerje e rëndë për mbarë popullsinë  shqiptare të Luginës së Preshevës dhe për luftëtarët e saj, Serbia dëshmoi se ajo gëzon një përkrahje të fuqishme në Evropën Perëndimore. Ish-Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ka deklaruar:

“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. (Citohet sipas: Lamberto Zanier. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit. 16.04. 2011).

Së treti, i karfosur keq nga ideja e përngrirë (fikse) enverhoxhane në ushtrimin e pushtetit, siç e përmenda më lart, Kryeministri Rama shpërfill tërësisht  mendimin intelektual shqiptar lidhur me qëndrimin paradoksal të Serbisë për mosdënimin e fajit në raport me popullin shqiptar të Kosovës. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mos dënohet platforma kriminale e akademikut Çubrilloviç e vitit 1938 për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta etnike. Ca më tepër, nuk ka as edhe një shfaqje të vetme të ndjesës apo të pendesës kolektive nga klasa politike serbe dhe nga mbarë opinioni publik serb për dënimin e krimeve të Millosheviçit kundër Kosovës, e cila sot është shtet i pavarur dhe sovran. Si është e mundur që Kryeministri Rama të mos e ketë parasysh mendimin e Kadaresë në këtë pikë:

“Është jashtë çdo dyshimi se do të ishte pozitive njohja pa ngurrim e Kosovës. Madje, do të kishte qenë edhe më mirë sikur Serbia do të kishte qenë e para që ta bënte një gjë tillë! Në fundin e mijëvjeçarit, në Ballkan ndodhi një dramë. Kur një dramë mbaron, që ajo të mos përsëritet, fill pas uljes së perdes, duhet të ndodhë shqyrtimi i ngjarjes. Shqyrtim do të thotë, në radhë të parë, dënimi i fajit. Procesi kulmon me shqyrtimin e ndërgjegjes, çka do të thotë, me brerjen e saj, pra me pendimin. Në rastin e konfliktit të fundit ballkanik, procesi, për fat të keq, u ndërpre në mes. U ndëshkua faji me anë të bombave, por thelbi, ndërgjegjja fajtore, pothuajse nuk u prek” (Citohet sipas: Kadare: “Serbët duhej të ishin penduar për masakrën ndaj shqiptarëve”. Marrë nga faqja e internetit “Mapo online”. 19 janar 2014).  

Gazeta “Mapo” ka bërë shumë mirë që e ka botuar intervistën e Kadaresë pikërisht pas deklaratës së ministrit të jashtëm serb Mrkiç për nismën e zotit Rama për të vizituar Serbinë. Fjalët e Kadaresë le t’i shërbejnë Kryeminstrit Rama si kujtesë se ka ndërmarrë një hap të pamatur.

Së katërti, me nismën që ka ndërmarrë për të vizituar Serbinë, zoti Rama e ka prezantuar veten si një politikan inferior. Dhe inferioriteti i Ramës para Beogradit, e lëndon keq çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare. Me shfaqjen e inferioritetit para Beogradit, zoti Rama ka ringjitur në skenë traditën e inferioritetit dhe të servilizmit politik të Enver Hoxhës në kuadrin e marrëdhënieve me Jugosllavinë e kohës së Titos.

Ja një fakt konkret që vërteton katërcipërisht se Enver Hoxha as që donte t’ia dinte për opinionin publik shqiptar dhe çdo vendim e merrte me kokën e vet. Në një letër që i dërgonte Titos në mars të vitit 1948, ai, me ndjenjën e inferioritetit dhe të servilizmit politik që e karakterizonte kokë e këmbë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, ishte duke vënë në pikëpyetje pavarësinë edhe të kësaj cope Shqipërie që i kishte shpëtuar thikës evropiane të copëtimit:

“Shoku Marshall,

…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për Federatën [Jugosllave] dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat… Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.

Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore.

Enver Hoxha

Tiranë, 17 mars 1948” (Nxjerrë nga AQSH, Fondi 14/AP, dosja 4, 1948. Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 207).

Kjo letër dëshmon ditën për diell se ç’udhëheqës servil dhe pa dinjitet kombëtar ka patur në krye Shqipëria. Inferioriteti dhe servilizmi politik i Enver Hoxhës para Titos kishte arritur deri në atë derexhe,  saqë ai, pasionin e vet të zjarrtë për ta bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë, kishte guximin ta shiste për pasion të popullit shqiptar.

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç, nuk e ka pranuar ftesën e Presidentes kosovare Jahjaga për të marrë pjesë në samitin e vendeve të rajonit që do të zhvillohet në Kosovë në vitin në vazhdim. Prandaj Kryeministri Rama le të nxjerrë mësimet e duhura. Le ta dëgjojë fjalën e Kadaresë për pendesën që Serbia duhet t’i kërkojë botërisht Kosovës për krimet e rënda që ka kryer kundër saj dhe pastaj këtu jemi. Le të shkojë për vizitë në Beograd. Ne me Serbinë jemi vende fqinje, me Kosovën në mes, dhe me të dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe me mirëkuptim, por gjithsekush në shtëpinë e vet. Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, në kushtet ekzistuese të mosdënimit të fajit nga ana e Serbisë, tingëllon si një fyerje e rëndë jo vetëm për ata që përmenda më lart, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si brenda trojeve etnike, ashtu edhe në diasporë.

Santa Barbara, Kaliforni

19 janar 2013

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Beograd, inferior, Prof. dr. eshref Ymeri, Pse Rama

Kisha e përgjakur e “Shën Markut” në Kabash!

January 20, 2014 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/

Foto: Rrënojat e Kishës së Kabashit, ku u krye masakra në mes mars të vitit 1913!/

Tash e 101 vite më pare diku kah mbarimi i mesit të marsit të vitit 1913 Serbia bëri një kasaphane të paparë në fshatin malor të Kabashit të vendit,fshat ky që shtrihet në komunën  e Prizrenit.Faktet historike flasin për 120 shqiptar të masakruar, kurse rapsodi popullor flet për nëntëdhjetë, masakrën e kishte bërë Spirrë Kapetani me çetnikët e tij, dhe të gjithëve ua kishte prerë kokat duke i hedhur pastaj në kërshet e malit, çetnikët ja afronin njerëzit me duar e gojë të lidhur te cungu i arrës dy degësh dhe ai Spirroja u mëshonte me sopatë në kokë dhe i hidhte tutje. Populli rrëfen se Spirroja ishte veshur me pështjellak të grave, se nuk donte t’i përlyente rrobat me gjakun e shqiptarit, gjithashtu i kish përvjelur mëngët e xhaketës ushtarake si kasap…Ushtria dhe xhandarmeria çetnike serbe bëri plojën në Kabash, që solli zi e dhembje në gjithë Shqipërin. Sa lot e gjak u derdhen, pikllim e vrerë të grumbulluar në shpirtrat e familjeve kabashe. Nënat e mbetura me duar në gji, shumë motra mbetën pa u martuar nga hidhërimi e zemra e ndarë përgjysmë, shumë nuse u kthyen në familjet e veta, shumë gra të mbetura shtatëzëna, e shumë gra të veja, shumë fëmijë jetima pa njërin prind, disa familje e mbyllën për gjithmonë derën me therra… familje të tëra i mbështolli zia, nëna, nuse e motra të futuara, në vend se t’i gëzoheshin pranëverës që po vinte, tek kishin kaluar një dimer të rendë që merr nëpër malësi me s’kamje e një mijë halle të malësorëve, mbi ta rëndoi pasha e rendë e robërisë së re, Ku populli shprehet: Shkoi Jonuzi , erdhi Domuzi.Pra shkoi Perandoria Otomane Tureke ndërsa erdhi Mbretëria Serbo Kroato Sllovene.

Mbasi kreu masakrën Spiro Kapetani ishte lodhur aq shumë sa mezi arriti në kopshtin e Kishës së”Shën Markut”,duke i ngritur sytë nga qielli ku ju duk se qielli kishte marrë ngjyren e kuqe të gjakut,nga gjaku i derdhur i shqiptarëve të fisit kabash,në sytë e tij  rrotulloheshin disa rrathë të kuq gjaku nga burrat shqiptar me koka të prera me sakic nga dora e tij,,nisën mëpastaj të lëvizin dhe luajnë rreth  e rrotull tij,- në çast u dridh,ndjeu sikur një burrë me plis të bardhë,me këmish të bardhë e me tesha veshur në të bardha,sikur qëndroi mu pranë tij.- Shikoi dhe vrejti një burrë paksa të gjatë,me një shall të mbështjellur rreth koke,me një fytyrë të verdhë,paksa të zgjatur e të hajthme më sy të skuqur në të përflakur,ai e shikonte drejt në sy,ai Spiroja mbylli sytë me ato duar të përgjakuar që ende nuk iu ishte tharë gjaku.-Pse gjelat na preve kokën me goj të mbyllur e me duar mbrapa lidhur!Pse na mbytët të vendi i Kishës,po a nuk është ky vend ku njerëzit i drejtojnë lutje Zotit!!!Më dëgjon o Spir,o mëkatar,o i poshtër dhe zemërzi si Djalli!O, Satana!O,Luçiferr Spira!-bërtitnin me dhjetra zëra.Paksa më vonë ai erdhi në vete,u ngrit i trembur duke fshirë pakuptim me duart e veta rrobat e përgjakura e s,fliste asgjë.-Më pastaj murmuriste si derrë i dehur nga që e kishte zënë gjaku i të masakruarve të pafajshëm…ja çfarë të keqe bëra!Në këta njerëz qytetar shqiptar,me të cilët jetuam në fqinjësi të mire.

Ngo kjo ngjarje ishte neveritur edhe vetë ai.Ja se çfarë frymëzimi na jep Udhëheqja dhe Kishën Ortodokse Serbe.-“Jo,kjo është e tmerrshme…fqinji…s,vlenë…shqiptari është i mire vetëm i vdekur…Përveç vrasjeve,dëbimeve dhe dhunës që u bëmë popullates shqiptare në Kosovë, ndërmorëm aksione për t’ua ndërruar fenë, për t’i kryquar dhe për ti serbizuar,  si shqiptarët musliman,ashtu edhe ata katolikë.Këtë masë të konvertimit e ndërmorëm me pushtetin malazez në Rrafshin e Dukagjinit,në pjesën që e kishim aneksuar.Nëpërmjet diktaturës ushatarake e policore i tubonim shqiptarët me dhunë se Perandoria Otomane Turke po jepte shpirt,ata shqiptarët i vënim në rresht me flamurin serb përpara dhe i çonim në Kishë,i vramë e i pushkatuam me mijëra vetë e kushedi edhe sa të tjerë do ta kenë këtë fat të zi në të ardhmën.Kjo kryqëzat e ushqyer me helmin urrejtës fetar e kombetare serbo-malazeze,shekuj me radhë nga kisha ortodokse e qevrit,korrëm shumë viktima të pafajshme.Fshatarët shqiptarë i rrethonim,i plaçkitnim dhe u venim flakën disa i digjnim për së gjalli.Fshatra të panumërta u rrënuan për tokë,u shëndrruan në grumbuj gërmadhash.Oficeret serbo-malazez shpallnin se:” paqja efektive në Shqipëri mund të arrihet vetëm duke i shfarosur krejtësisht shqiptarët.”Urdhëri supreme i Beogradit dhe Podgoroicës ishte i prerë:”Duhet mësuar ai popull i egër për të jetuar në një shtet modern.”Pastaj,në gazetat serbe shkruhej:”Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohet çfarë bëmë serbo-malazezët ndaj tyre.”Më në fund i vajti mendja,ka ndodhë çfarë ka ndodhur.” U nis në brendësi të Kishës së “Shën Markut”,ku ishte ulur gjenerali serb në tavolinën e drunjtë rrumbullake së bashku me kryemurgun Serafim dhe dhaskal Petrin me disa të tjerë që ja kishin filluar të hanin e të pinin për shtatë pale qejfe,e ftuan Spiron të ulëj në mes të gjeneralit dhe kryemurgut.Për një çast të gjitha mendimet i largoi nga koka,bile trishtimi i pakmëparshëm disi ju duke se i kaloi,filluan ti ngrsnin gotat me raki shlivovice njërën pas tjetrës,copëtonin si ujqër mishin e pjekur të qingjit nga murgesha e Kishës.Por ky çast gëzimi ishte i përkohshëm tek mirrte lavdata për shërbimin e madhë që i kishte bërë krajlit dhe vetë shtetit Serb,së shpejti u zhyt në mendime duke u dalldisur tutje duke mos vërejtur asgjë rreth vetës,mendimet po pshtjelloheshin,se si pakë orë më pare kishin kryer një masakër,një krim të rëndë njerëzor,mbytëm në gjak dhjetra kabashas,e tani mbi gjakun e tyre të derdhur po bëhet festë,po bëhet gosti për shatë pale qejfe.-O,Zot! Sa e tmerrshme është kjo puna e krimit shtetëror serb,a është e mundur,a është e mundur këtë tmerr,këtë llahtar,ta bëjnë njerëzit normal,kjo nuk përkon asgjë me njerëzorën…koka më zien dhe nuk kuptoj asgjë normale…kam dalur jashtë normalitetit…udhëheqja serbe nuk është normale…Kisha Ortodokse Serbe ka dalur jashtë kontrollit njerëzor fetar…kjo është më shumë se marrëzi,më shumë se apsurditet!-Shtoi Spiroja me mendimin e turbulluar,unë jam bërë Spiro i tmerrshëm,më i zi se Ivani i tmerrshëm.-A është e mundur ta kem bërë një kasaphane,një masakër kaq të tmerrshme për njerëzimin!Kjo është ndyrësi,është vepër e Djallit, e Dreqit të mallkuar,e Statnasë,e Luçiferrit…kjo është zemërligësi e shtetit serb,është satanizëm,është gërdi…e ne jemi ulur brenda në Kishë e po festojmë këtë satanizëm neveritës.Por,jo!Jo!i tërë ky turbullim mendor tashmë është i kotë,krimi i rend në mjedis të Europës tashmë është kryer…nuk ja vlenë të mendohem e assesi të pendeohem,sepse krimi është kryer me paramendim nga shteti Serb dhe krajli i Serbisë…me bekimin  e Kishës Ortodokse Serbe…nga ne sherbëtorët e popullit serb që na kanë helmatisur me propagandë anti shqiptare…na kanë verbuar duke na frymëzuar me shovenizëm serbomadh…sepse krime e masakra të tilla knë ndodhur ndaj shqiptarëve edhe para nesh…do të ndodhin edhe pas nesh…e Rusia cariste do ta detyroj Europën orrospi të heshtë…të mos i ndihet zëri…asnjëherë në historin  e tyre serbet nuk kanë ndjer ndonjë dhembshuri ose pendim kur kanë ushtruar dhunë e kanë bërë masakra ndaj shqiptarëve atukton…i këtij karakteri jam edhe unë,fliste Spiroja më vetën e tij…prandaj unë Spiro Dobrosavljeviçi jam kafshë qyshse më ka lindur nëna shkinë!-Bile kafshë satanike,prandaj dua të pi raki shlivovice të dehem dhe të harroj gjithçka që ka ndodhur  disa orë më pare…kështu ai dëgjonte zëra burrash shqiptarë me koka të prera,i erdhi si një dëshprim padashje tek mbështeti kokën mbi tavolinë- por vazhdoi ai ta ngriste here pas here kokën dhe ngriste dollin me bashkë kriminelët e tij.Gjenerali serb i Divizionit të Shumadisë dhe aradhave malazeze me ne krye majorin Ostoiç nën ndikimin e alkoholit,fliste se duhet pushtuar të gjitha tokat shqiptare,e në ato toka të mos jetoj asnjë shqiptar,kështu i udhëzonte serbet lokal gjenerali çetnik i shtetit Serb…Ndërsa Spiroja ashtu i dehur bërtiste nga rakia shlivovica…a kuptoni,a kuptoni gjeneral,çdo të thotë kjo masakër?E pra cili është krimineli,a nuk ju vie keq për këtë,çfarë soji jemi ne kriminelët serb?Hë?Ju vjen keq për mua?Më thoni zotëri,gjeneral,në ju vjen keq a jo? Ha-ha-ha!

Ai u mundua të pinte akoma,por nuk kishte se çfarë të pinte.Shishja me raki shlivovice ishte e zbrazur.-Ti vije keq!-e përse ti vije keq briti papandehur kryemurgu Serafim,me një fare inspirimi të vendosur,na duhet të zgjerohemi në tokat shqiptare,këtë e kemi për mission të përhershëm,këtë në lutjet fetare ortodokse serbe e thotë edhe Patriarku serb…Ti kemi falur të gjitha mëkatët edhe tani Spiro,do ti falë Zoti të gjitha krimet…nuk ka kthim prapa…Disa flakë qirinjesh e ndriqonin brendin e Kishës…Njeriu i poshtër mësohet me krime të tilla!-Klithi Spiroja…hera-herës i dukej se po e pinte shishën e mbushur me lëng gjaku,oborri i Kishës është larë me gjak shqiptari.-E gjaku i dukej se shpejt i sosej nga shishja!-Çfarë gjaku?…Pyeti vetën!-Po,pikërisht në këtë vendë u premë kokat me sakic dhjetra burrave nga Kabashi…në oborrin e Kishës është bërë një moçal i tërë gjaku,aty të arra dy degëshe,aty u premë kokat me sakic burrave shqipëtar…i dukej se dëgjonte britma të tmerrshme.O,Zot,çfarë britma janë këto!Ca tinguj të panatyrshëm,ulërima të tilla,s,kishte dëgjuar ndonjë here,thirrje të tilla llahtarie,kërcëllim dhëmbësh,goditje sakice në qafë dhe koka u binte për tokë,ç,shtazëri,ç,harbim,ishte ajo skenë makabriteti,kokat e prera dhe trupat e mbytur i gjuanim në lumin që rridhte midis fsahtit Kabash…Spiro gjelati mori sëpatën,e çoi më të dy duart dhe preu kokën e pare të shqiptarit me gojë të lidhur,e më duar të lidhura prapa kurrizit,Rexhë Ukë Dakën,mu aty në cungun dy degësh të arrës të livadhi i Kishës së”Shën Markut” në Kabash,pastaj ra koka tjetër për tokë ajo e Hakiut,Bislimit,Hysen Adem Kabashit,Tahirit,Saliut,Skënderit.

Spir Shejtani kish përvjelur mangët e këmishës dhe kish veshur kanacin e një gruaje nga Kabashi,goditja tjetër ra mbi qafën e burrit kabashas, Liman Dakës,Arif Shaban Ahmetajt,Abdullahut,Shabanit.

Kokat binin përtokë  njëra pas tjetrës,pastaj u rrokullis për tokë koka e ndarë nga trupi i Isufit, Sadikut, Abazait, Sylës, Bekës, R,ramës, Rushitit, Abdylit, Shaban Ramë Ahmetajt, e Qerimit,Shaban Zenun Memajt,Aliut,Hajrushit,Haxhiut,Sejdiut, e të tjera…u prenë nëntë dhjetë koka burrash shqiptar.Zylfijen e Arif Shaban Ahmetajt e kishin djegur për së gjalli në shtëpi,poashtu Kada Memaj-(gruaja e Aliut,ishte nga Lubizhda e masakroi Jovani i Lubizhdës).Të nesërmën Spiro Gjelati shkoi në shtëpin e tij në fshatin Delloc komuna e Suharekës,ku ky fshat kishte pothuaja një ngjashmëri gjeografike me Kabashin,edhe këtë fshat e ndante lumi midis dy bjeshkëve.Pasi u desh,duke u dridhur i tëri,u shtri në shtart pranë Ljubinkës.U zgjua dikur vonë nga një ditë e tmerrshme marsi.Ai u dridh mënjëherë si thupra e thanes,ai i njohu këta zëra të burrave shqiptar që u kishte prerë kokat në Kishën e “Shën Markut”,në Kabash.-Uji,është gati?Hajde e ftoi Ljubinka,mi jepe rrobat,kurse ai hyri në hamamxhik të lahej,ta hiqte nga trupi i tij erën e gjakut.

Ljubinka mori teshat e tij që ishin të ulura në gjak,ashtu e habitur pyeti Spiron çka është tërë ky gjak në rrobat tua,a ke qenë në kasapnic të krajlit a?…mori të gjitha rrobat e gjakosura për ti larë,e kapi një ankth.Perëndi! Çka është kjo?-Çka ka ndodhur?O zot e kapi kokën me të dy duart,po sikur të jetë i tërë ky gjak i derdhur në rrobat e tij duke ua marrë jetën fqinjëve shqiptar?E kam dëgjuar shpesh ti fliste Filës së Sahisë me urrejtje për fqinjët shqiptar!I shtrëngoi me dhëmbë buzët që zunë ti dridheshin,kështu desh e mbyti këlthitja që i doli nga krahërori.Ngadalë i ofroi peshqirin me të cilin fshiu trupin Spiroja dhe mori e veshi rrobat e pastra.Ljubinka Dobrosavleviçi u sul te dritarja aty në karrigën e drunjtë në këndin e shtëpisë,ishte vendosur një enë e madhe  dheu me ujë,e përgaditur për larjen e rrobave të pista.Ndërkohë dhoma e pritjes në shtëpin  e tyre filloi të mbushej nga fqinjët që kishin ardhur  për vizit,ata kishin dëgjuar nga Fila për masakrën e Kabashit,banorët serb të këtij fshati malor paten një ndjenjë të çuditshme të kënaqësisë dhe admirimit për”heroin” e tyre kasapin gjakpirës Spiro Dobrosavljeviçin,ata nuk po ndjenin asfarë keqardhjeje  për fatkeqësin e gjëmën e madhe që u kishin shkaktuar fqinjëve të tyre shqiptar,pasi dëgjuan lavdatat për masakrën nga goja e Spiros tek mburrej e lavdërohej se kishte bërë një shërbim të madh krajlit serb,e për këtë vepër kriminale kishte marrë bekimin nga kryemurgu Serafin.Sado që prapa derës u dëgjua zëri i mekur i Ljubinkës,e për çfarë trimërie flet ore Spir,ti i paske prerë të gjithë ato koka burrash shqiptar,me gojë të lidhur me shami,e me duar të lidhura prapa shpine!Kjo është një faqe e zezë për ju dhe Serbin.Unë nuk jam lajkatare si këta fqinjët tanë serb që të shprehin kënaqësi për krimin e kryer,në vend se të shqetësohen e të dilnin hapur kundër këtij krimi mizor të orkestruar nga udhëheqja e Beogradit dhe Kisha Ortodokse Serbe.Spiroja i habidur nga ky kundërshtim i hapur të bashkëshortës së tij tha,përse ky kundërshtim nga ju Ljubinka?!Të gjithë e dinë se sa miq e përkrahës kam në rrugën për ta bërë në trojet shqiptare,Serbin e madhe.- Oh,Zot!I tërë ky krim paska përkrahës!Sa keq!-Foli ajo me dëshprim,oh,jetë e mallkuar!Ai e dëgjoi dhe heshti.me atë shikimin e trembur,kërkonte me sy,shikimi i tij i egër u ndal në Ljubinkën e cila prapa dere dridhej sikur të qe në ethe.Fqinjët në çast me përulësi u përshëndetën me Spiron,tek sejcili shkoi në shtëpin e tij.-A…a…bënte shenj nga ajo me nervozizëm.donte të thoshte diç..-Bërtiti Ljubinka në kupë të qiellit,ç,kërkon akoma?Ke për ta ngrënë kokën tënde,shqiptarët kurrë nuk kanë për ta harruar,e as nuk kanë për ta falur kurrë këtë krim.Me shikim të tërbuar briti sa mundi Spiroja.-Hesht bushtër!-Klithi me zemërim dhe i dha goditjen me grusht hundëve dhe sharje të panumërta,një harbim,një shatzëri të tillë kurr nuk e kishte marrë me mend ajo.Nga frika u mundua të hapë derën e të ikte nga ky harbut,por qe e kotë, nga ai vazhdoi rrhaja,kukama dhe sharjet sa bëheshin më të fuqishme.

Ajo Ljubinka, gjëmonte,klithte,e i thërriste në ndihm fqinjet,por askush nuk po dëgjohej gjëkundi.Zëri i atij harbuti që e rrihte nga mllefi e tërbimi bëhej aq i tmerrshëm saqë dëgjohej në tërë fshatin Delloc.

Filoja u dridh nga kjo ngjarje e papritur,ai e njihte këtë njeri ,e njihte këtë zë,ishte zëri i tërbuar i Spiro Dobrosavljeviçit,i cili po e rrihte zonjën e shtëpisë.Po e godiste me shqelma,,kokën e saj po e përplaste për dere të shtëpisë.-Kjo po dëgjohej qartë,nga gjëmimet nga goditjet!Po përmbyset bota!Pse a ka mundësi ta ketë zënë gjaku i të masakruarve.Oh,Perëndi!Po atë ditë erdhen familjaret e saj me nje qerre dhe e morën atë me duar e këmbë të thyera.Nëna e saj Angjelika ulërinte pranë shtartit të Ljubinkës,dëneste.Tek iu drejtua bashkëshortit të saj Çedomirit,pse e rrahu,pse e përgjaku,pse ia ka thyer duar e kembë.Pse?!-Ai e shikoi me vemendje dhe plot dhimbje gruan dhe vajzën e tij,-sepse e ka kundërshtuar hapur para fshatarëve serb në Delloc,për kasaphanën e bërë ndaj burrave të Kabashit.,në Kishën e “Shën Markut”,në atë vend ku është faltorja kundërmon erë gjaku!-Gjak…çfarë gjaku?-Murmuriste duke u zverdhur në fytyrë Angjelika,teksa zbrapsej nga muri.-Ajo tashmë quhet Kisha e përgjakur.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kisha e pergjakur, ne kabash, shen Marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT