• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare

January 6, 2014 by dgreca

Nga At Gjergj Fishta*/

Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.
Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.
Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrwnjwve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.
Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë.
Por çka se, simbas teorisë wilsonjane (të Presidentit amerikan Willson) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?
Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni: “Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.
Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.
botën mbarë në zi do ta mbështillte. – Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje,me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.
E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbreda Greqisë kundra elementit turk.
Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë. E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.
Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë a) barbarë, b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun… Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe europjane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme? Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar.
Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”………Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen – fyerjen e parë.)
Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “JO!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetetë! – se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.
Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, – sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete.Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet. E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë.
…
Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar. U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj… E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.
Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.
…
Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë a) për nji pamvarësi politike; b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.
Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. – Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.
Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar. “
Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.
Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”
Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.
Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë… Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull!”
*Fjalimi është mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris – 1919

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjala e At Gjergj Fishtes, ne Konferencen e Paqes

Histori: Çfarë ka ndodhur më 7 janar?

January 6, 2014 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/Zeri I Amerikes/

1558 – Franca merr Pas-de-Calais, zotërimi i fundit i Anglisë në Evropën kontinentale. Rajoni ishte aneksuar nga Edward III i Anglisë në vitin 1347 dhe u rrit në një qendër për prodhimin e leshit. Banuar që nga koha parahistorike, rajoni Pas-de-Calais u popullua nga keltë, belgë, romakë, frankë dhe alemanë. Disa nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore u zhvilluan në Pas de Calais. Memoriali Vimy përkujton betejën e Vimy Ridge dhe është memoriali më i rëndësishëm i Kanadasë për të nderuar ushtarët e saj të rënë në Evropë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Pas-de-Calais ishte gjithashtu në shënjestër të Operacionit Qëndresa, një plan i Forcave Aleate për të mashtruar Gjermaninë naziste se zbarkimi i tyre do  të ndodhë këtu, dhe jo në Normandi.

1698 – Zjarri shkatërron qytetin Jamestown në koloninë britanike të Virginias. Kolonët e parë anglezë në Amerikë kishin mbërritur aty më 14 maj 1607, dhe fillimisht ndërtuan një fortesë prej druri dhe e quajtën James Fort. Rreth Fortesës u krijua Jamestown. Në vitin 1698, një zjarr aksidental shkatërroi ndërtesat e bashkisë, legjislaturës dhe të selisë së qeverisë të cilat pastaj u zhvendosën në një plantacion pak më në lindje – vendbanimi i ri shpejt u be qytet dhe mori emrin Williamsburg.

1797 – Flamuri modern italian u përdorur për herë të parë. Flamuri i përbërë nga 3 shirita me gjerësi të barabartë vertikal, tre-ngjyrësh; të bardhë, të kuq e të gjelbër, ku e bardha përfaqëson Alpet e mbuluar me dëborë; ngjyra e gjelbër përfaqëson fushat dhe kodrat e vendit; e kuqja, gjakun i derdhur në luftërat italiane për pavarësi. Një interpretim tjetër është se gjelbra përfaqëson shpresën; e bardha besimin, dhe e kuqja dashurinë hyjnore; Këto ngjyra, gjithashtu u referohen 3 virtyteve teologjike (besim, shpresë, bamiresi).

1887 – Thomas Stevens përfundon udhëtimin e pare rreth botës me biçikletë; kjo është një nga ato ngjarje kur njeriu i bën pyetje vetes – Vërtetë ka ndodhur? Thomas e filloi udhëtimin në prill 1884. Ai u nis me biçikletë nga San Francisko në Boston; me anije shkoi në Angli; përsëri me biçikletë; me anije e përsëri me biçikletë nëper Francë, Gjermani, Austri, Hungari dhe Ballkan; aty shlodhet mes njerëzve të cilët kishin dëgjuar për Amerikën; ata e pyesnin dhe ai u përgjigjej; priti pastaj derisa të arrinin njoftimet se rrugët ishin të lira nga banditët dhe me biçikletë kalon nëpër Anadoll, Armeni, Kurdistan, Irak, dhe Iran, ku e zë dimri dhe qëndron mysafir i Shahut. Kur moti u ngroh, Thomas mori një avullore në Konstandinopojë dhe prej andej në Indi; një tjetër avullore e çoi atë nga Kalkuta në Hong Kong dhe Kinën jugore; kalon me biçikletë në Kinën lindore, dhe merr anijen për në Japoni. Pjesa me biçikletë e udhëtimit të tij nëpër botë përfundon 17 dhjetor 1886, në Yokohama. Thomas Stevens u kthye me anije në San Francisko në janar 1887. Gjatë gjithë udhëtimit ai dërgonte letra a raporte të hollësishme për revistën Harper; këto shkrime më pas u përmblën në një libër dy-vëllimesh prej rreth 1 mijë faqesh “Around the World with a bicycle”. Një kopje e botimit të pare të këtij libri sot kushton rreth 400 dollarë.

1919 – Luftëtarë malazezë kundërshtojnë aneksimin e planifikuar të Malit të Zi nga Serbia, por dështojnë. Kryengritja filloi ditën e Krishtlindjeve ortodokse dhe hyri në histori si Rebelimi i Krishtlindjeve. Shumë familje dhe shtëpitë malazeze u shkatërruan, shumë separatistë u burgosën; përkrahësit e kryengritjes ikën në Itali apo dolën maleve, duke vazhduar një luftë guerile që zgjati deri në vitin 1929. Historianët thonë se për nxitjen e kryengritjeje, rol të rëndësishëm luajti edhe Italia, e cila ishte kundër bashkimit mes sllavëve të jugut.

1920 – Asambleja e shtetit të Nju Jorkut nuk lejon që 5 deputetë socialistë të zgjedhur në mënyrë të rregullt të zinin vendet e tyre në asamble.

1945 – Lufta e Dytë Botërore: General britanik Bernard Montgomery mban një konferencë shtypi ku thotë se ai dhe forcat e tij kishte fituar betejën e Bulges (në Francë). Deklarate tij shkaktoi zemërimin e amerikanëve që kishin luftuar në atë betejë duke lënë mijëra të vrarë e robër; general Montgomeri për pak sa nuk u shkarkua nga detyra. Gjenerali amerikan Omar Bradley u ankua tek komandanti i lartë i forcave aleate në Evropë, Dwight D. Eisenhower, dhe ky ia përcolli ankesat kryeministrit Çurçill. Më 18 janar, kryeministri britanik doli para Parlamentit në Londër dhe deklaroi se Beteja e Bulges kishte qenë një betejë amerikane dhe fitorja u takon atyre.

1959 – Shtetet e Bashkuara e njohin qeverinë e re kubane të Fidel Kastros. Megjithë këtë fillim premtues, marrëdhëniet mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara u përkeqësua thuajse menjëherë. Zyrtarët amerikanë kuptuan se Kastro ishte ushtruesi i vetëm i pushtetit në Kubë. Politika e tij në lidhje me shtetëzimin e pronave amerikane në Kubë dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike dhe politike me vendet komuniste i bindën zyrtarët amerikanë se regjimi i Kastros dhej rrëzuar. Më pak se dy vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Havanën, dhe në prill 1961, ndërmorrën operacionin ushtarak klandestin kundër qeverisë së Kastros, por pa dobi – Operacioni i Gjirit të Derrave rezultoi në dështim të plotë për amerikanët.

1999 – SHBA – Senati fillon gjyqin ndaj Bill Klintonit, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara, nën dy akuza; dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë. Senati e shpalli presidentin të pafajshëm më 12 shkurt 1999. Por thjesht gjykimi krijoi një ndjenjë të papëlqyeshme në publik; imazhi personal i Klintonit u dëmtua dhe nënpresidenti Al Gore u distancua orej tij, perçarje që ndihmoi kandidatin George W. Bush në fushatën e tij presidenciale në vitin 2000.
Mendim i ditës
“Për të shmangur kritikat, mos bëj gjë, mos thuaj gjë, mos u bë gjë”.
Elbert Hubbard

Filed Under: Histori Tagged With: 7 Janar, Astrit Lulushi, Cfare ka ndodhur

PAÇ MOSHËN E TRI VEPRAVE TË TUA, O SELIM MATOSHI !

January 6, 2014 by dgreca

Shkruan Ramiz LUSHAJ/

1.

Ma së parit më lejoni që me dinjitetin e malësorit e si nxanës i dijes të përulem me mirënjohje para veprës së vyer të historianit Selim Matoshi, përballë tre librave të tij për arsimin, për kulturën e për sportet në trevat e Tropojës.

Një nga shenjtëritë e fjalës poetike shqipe, Hamit Aliaj, këta tre libra të Selim Matoshit, në parathënien e veprës për sportet, i cilëson si një “triptik madhështor, kujtesë kombëtare, vlerë kombëtare…”.

Parasëgjithash, me këto tre vepra shkencore historiani Selim Matoshi ka punue si një akademi më vete, ka ba një punë akademike, ia ka qitë dhe ia ka rritë ma mirë kontributet e atributet Tropojës dhe ka nderue vetëveten dhe vendlindjen e tij.

2.

Kur e lexon veprën e fundit për sportet në viset e Tropojës kujton se je kah hyn në një minierë të rrallë. Aty, faqe pas faqeje, dalin medalje ari, medalje bronxi, medalje argjendi, të meritueme nga sportistët e Tropojës në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare në gjithato shtete të botës, në Australi, në Kinë, në Kolumbi, etj.

Aty gjejmë emnat e mëdhenj të sportit krenari tropojane e kombëtare si Arkand Mehdi Qerimaj dy herë kampion bote në peshëngritje, dy herë nënkampion bote, tre herë kampion Europe, etj.  Mundësi Ndoc  Qokaj, gjashtëmbëdhjetë herë kampion kombëtar. Mjeshtrit e Merituar të Sportit në qitje: Rexhë Ndreu, Sadik Azem Kuçana. Sportistët e atletikës: Zhujë Bajko (Breçani) e Valbona Gani Lauka. Alpinistët Azem Malë Hyka e Nuredin Elez Seci. Karateisti Ramiz Ali Ismailgeci, tetë herë kampion kombëtar. Vllaznit Gega në futboll. E të tjetër, e të tjerë.

Aty gjejmë arritjet në sportet kolektive si ekipi i basketbollit “Valbona” pesë herë kampion kombëtar, këtar herë fitues i Kupës së republikës dhe katër herë i Super-Kupës.

Këto figura emblematike të sportit shqiptar dhe dhjetra të tjerë e kanë pasurue “minierën” e sporteve, në të cilën ka pasë rast e fat të punojnë historiani Selim Matoshi për të na e dhanë këtë vepër.

Nëse nga minierat e nëntokës së Tropojës shkojnë duke u pakësue e nxjerrin mineral për ta shitë jashtë, sportistët tanë po i pasurojnë çdo vit “minierën” e vlerave sportive e njerëzore me medalje që i mbeten në gjerdanin e krenarisë së saj.

Tropoja ka dy vargmale paralele: njëri janë vargmalet natyrore dhe tjetri janë vargmalet me figura emblematike të sportit, të kulturës e të arsimit në Tropojë, për të cilët ka folë Selim Matoshi në tre veprat e tij, që mbeten piedestale e autostrada për brezat e sotëm e të nesërm.

3.

Në veprat e Selim Matoshit ka vlera kulturore, arsimore e sportive, po edhe njerëzore.

Veçoj njanin prej tyne: në janar 1980 alpinistët banë një ngjitje dimërore në malet e luginës së Valbonës, në Grykat e Hapuna. Aty, mjeshtrit të merituar të sportit, Aleksandër Bojaxhi, i humbi ora në thellësi të borës. Më 5 maj 1980, pas katër muajsh, alpinistët tropojanë, mjeshtrit e sportit, Nuredin Seci e Hazir Malaj, ribanë një ngjitje alpinistike të veçantë në këtë lartësi alpine vetëm për të gjetë orën e mikut të tyre alpinist, të cilën ia çuan në dorë menjëherë.

Në vitin 1978 në Majën e Arapit, 2.217 metra mbi nivelin e detit, mjeshtri alpinist, tropojani Azem Hyka do t’i shpëtonte jetënn Mariodon Hitos të ekipit “Studenti”.

Veprat e Selim Matoshit janë shumëdimensionale, prandaj i qëndrojnë kohës, ecin në tri fusha pothuajse të pashkeluna nga të tjerët, prandaj sjellin vlera, iu ngrejnë hymn figurave emblematike prandaj do të përcillen në breza.

Besojeni se Selim Matoshi e ka tepër të vështirë që në tre vepra të përfaqësojnë gjanësisht të gjitha figurat emblematike, sepse Tropoja i ka aq të shumtë e të mëdhenj sa nuk i nxanë kaq libra, kjo sallë, kjo kohë. Ata janë të të gjitha kohërave që ikën e të atyne që vijnë në ardhmëri.

4.

Shpesh e kam ndigjue shprehjen se Selim Matoshi e ka justifikue veten e vet për 11 vite si shef i arsimit, kulturës e sporteve në Tropojë, pasi i ka botue këto tri vepra të suksesshme. Përndryshe, këta duan me thanë edhe kështu: “Selim Matoshi e ka hallall bukën e shtetit”.

Po sikur ne të themi anën tjetër të medaljes: Shteti po ia hanë djersën e thinjave e të dijenive Selim Matoshit, sepse nuk e ka vlerësue punën e tij me titullin “Qytetar Nderi” në qytetin tonë alpin apo në komunën e Tropojës, nuk iu ka dhanë Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” të Klasit të Parë, etj.

Në miradijen time Selim Matoshi në asnjë kohë nuk ka punue me marrë vlerësime të tilla, ashtu sikurse çdo kohë i mbetet borxhli punës e veprës së tij.

Selim Matoshi, ashtu sikurse i vllai i tij, Dr. Ramë Matoshi, astenjë kohë me problematikat e veta nuk e ka marrë tepër seriozisht, ashtu sikurse në çdo kohë në gjanat ma të rëndësishme është tregue naltësisht serioz, dinjitar.

Këtë e dëshmon edhe me këto tri vepra që nuk i kap bryma e as nuk i rrëmben vorbulla e politikës, në të cilat i përmbledh tana epokat nga lashtësia deri më sot, pa cungime apo fragmentizime, etj.

Më lejoni që në këtë ditë të librit të gashjanit Selim Matoshi të shpreh mirënjohje për djemtë e Gashit: shkenctarin Xheladin Gosturani, gjuhëtarin e publicistin Avdyl Sula, studiuesin Veli Haklaj, vllaznit krijues Baliaj (Isai, Azemi, Artani, Adriatiku), poetin e çmimeve kombëtare, Shkëlzen Zalli, gazetaret Valentina Madani e Afwrdita Haklaj, poetin e prozatorin Skënder Haklaj, poeten Manjola Brahaj, publicistin Azgan Haklaj, studiuesin Halil Hajdari, fotoreporterin Beqir Drejtova, poetin Riza Haklaj, e të tjerë.

 

5.

Në të tre veprat e Selim Matoshit, në ballinën e fundit, ka një pasakëtsi të “vogël” në dukje, po me vlerë të madhe. Selim Matoshi po don me na e mbush mendjen se ka lind në vitin 1934, se është 77 vjeç.

Historiani Selim Matoshi në moshën 70 vjeç na e dha veprën shkencore për arsimin në Tropojë, ndërsa në moshën 74 vjeç na e dha veprën tjetër shkencore për kulturën në Tropojë, kurse në moshën 77 vjeç veprën e sotme shkencore për sportet në Tropojë. Pra, kësisoj, në shtatë vjet kohë vjen me tri vepra shkencore, për të cilat ka punue 70 vjet, nga hapje e Abetares deri tek kjo punë akademike e vyer në breza. O miku ynë, Selim Matoshi, kur të vini me veprën e katërt shkencore, duhet të kesh pak kujdes se mos na thue se je, fjala vjen, 80 vjeç.

Latinët e kanë një thanie të moçme: Heronjtë vdesin, po shkrimtarët e historianët kurrë. E tillë do të jetë vepra shkencore e Selim Matoshit dhe emni i tij si autor i tyre.

O Selim Matoshi, paç moshën e tri veprave të tua!

Tani, në përmbyllje, fjalën e parë dhe të fundit po i përmbledh në një të vetme, me një kryefjalë: Faleminderit, o Selim Matoshi!”

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Pac moshen e tri, Ramiz Lushaj, Selim Matoshi, veprave

NË SHTËPINË E KAFSHËVE

January 6, 2014 by dgreca

( Mështjerrë zeza me të zeza/ me një mëzat rri në shtrat/

Herë pi bozë herë limonadë/ e ditët ikin krejt pa datë!…)
fragmente nga libri i Nebih Bunjakut, „Një samit për simit“/

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani/

Letërsisë së humorit dhe të satirës në Kosovë, iu shtua edhe një libër me vlera të mirëfillta artistike, “Një samit për simit”, shkruar nga poeti, Nebih Bunjaku. Ky libër i munguar i humorit, satirës, dhe sarkazmës është një dhuratë e shkëlqyer për adhuruesit e saj. Mirëpo, për ata që qeshin pak e rrjedhshëm, libri “Një samit për simit” është një mik shumë i nderuar. Personazhet  në  këtë  libër ,  nuk janë njërëz, por figura, ndjenja që duken, dhimbje që  fshihen. Në  këtë  libër poetik, kinema e „kafshëve të papërgjegjshme“, janë gënjeshtrat, mashtrimet, dhe anarkia e përvetësimeve të gjërave. Gjuha e figurshme në „Samit“ është e pasur, e qartë, e saktë dhe fshikulluese. Liria nën dehjen e „kafshëve“ kurrë s´ është  e  mirëfilltë, sepse, degjëneron  shumë  nga të qënit e dëshiruar. Shoqëritë me disa pushtete, jo rrall formatojnë anarki nga më shpërbërëset. Populli di të mësojë si të  jetë i përgjegjshëm, por, nuk di si të mësohet injoranti, thashethemxhiu, zgarraveqi. Prandaj, shkruan autori, nuk është vështirë të bëhesh gomar, as ndihmës i fallexhiut në një pazar hamallësh, se gjuha e gomarit është gomerishtja. Sa herë dëgjoj gjuhën derrërrisht, edhe  derrat  edhe  gomerët, ankohen, se  s´u  bënë  synet, se stina u iku krejt në internet, etj, e tjerë.

Libri, „Një samit për një simit“, është një vepër e ardh artistikisht. Për kafshët e pyllit, është normale shkruan Nebih Bunjaku, të jenë  kafshërore, ku shumë  prej  tyre  në  këtë botë llapin me pangopësinë më të madhe, kafshatën e tjetrit. Mbushet sheshi deputetë/ në kryesi zgjedhen vetë/ lakmon derri dhe ariu/ lakmon macja edhe miu!.. Këto dhe vargje të tjera dëshmojnë për një libër të mirëfilltë dhe me spec të kohës .

Poezia e Nebi Bunjakut, në librin „Një samit për simit“, fshikullon guximshëm instinktin banal dhe anarkinë. Janë plot gabimet dhe replikat kundërthënëse që flasin gomerët. Kafshët e poemës në librin “Një samit për simit”  bëjnë  luftën  e  barkut  dhe  mishërave të  ndezur. Në  këtë  poemë  me  kafshë  e zhgabonja  të  pranishëm në  koalicion janë: derri, ariu, ujku, macja, dhelpra, gomari dhe minoritetet e tjera të kandrrave. Mirëpo, hiç më pak të angazhuar nuk mbesin as parlamenti dhe as deputetët  e  pyllit, moderatorët e mashtrimit, arixheshat me defa dhe qeniet e ftohta si gjarpëri dhe miu i gjirizeve.

Libri “Një samit për simit” është një libër artistikisht dhe estetikisht i realizuar bukur. Sepse në këtë libër fshikullues për veset e shoqerisë sonë, jo rrallë, gomari reciton gomarin, qeni lexon qenin, ndërsa ariu përqesh ariun… Frymëzimi i pulsit poetik: hëna, dielli, deti, mbrëmja, gratë janë figura anësore që rrezatojnë fuqishëm brënda poemës. Në këtë botë me plot trazira janë shumëzuar , zgërlaqët, keqbërësit e padukshëm, intrigantët , të fajshmit e pushtetit. Nuk kam prova se gomari ka hequr dorë mga gomarllëku, thotë autori, sepse gomarët në kohën tonë janë shtuar shumë. Andaj, „kujdes i dashuri gomar“! I tërë ky ahur është shtëpia e kafshëve, shtëpia ku zhgrryhet i dehuri.

Në librin “Një samit për simit” ka shumë për të lexuar për veset e shoqërisë sonë. Me të rrëxuar e me të shtrirë nuk bëhemi të qytetëruar. Me këmbët poshtë e lart, dhe më të poshtëruar të çasteve, nuk jetohet mirë. Baltërat e bodrumeve mbysin edhe cilësinë e kafshëve. Këto dhe peizazhe të tjera të poemës janë mesazhe që autori ia parashtron realitetit tonë. Do bëjmë teatër, ama teatër!.. që edhe ëndrrat të zihen me ëndrrën. Mbrëmë kam fjetur mirë, se në ëndërr  gjeta para dhe një femër të bukur.

Të qeshurat në „Samit“ jo rrallë  pikojnë dhimbje. Në fragmentin ; /Buçet himni nis kuvendi/ s´ka rëndësi cili është rendi/ kryesore të zihet vendi/ jo vendimet që nxjerr samiti/ po fitimet që lakmon fyti…Janë shpërthime cilësore të poetit, për ata që korruptojnë të vetët dhe popullin e tyre. Nëse kjo vepër lexohet ashtu si duhet, libri, “Një samit për simit” është vepra më e realizuar  artistikisht e kësaj gjinie në letërsinë tonë të bukur. Libri „Një samit për simit“, ka  një  gjetje  të  shkëlqyer  poetike, ku brenda personazheve, derri, miu dhe gomari, bëjnë  teatrin  e  të  pandehurve. Në libër, shihen qytete të  tëra të mbushura me  arixhesha, dhe me  gjithëfarë  thashethemxhinjë, të kafeneve të kafshëve të pyllit.

Etja  për  pushtet  nuk  ka  të  shuar, nga kafshët e poemës; / një gërdallë sikur në përrallë / për një pelë djeg një mëhallë…/ këto dhe vargje të tjera tregojnë satirën e mprehtë të shkrimtarit, Nebih Bunjaku, Nebih Bunjaku është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, Komuna e Mrdvegjës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës – Gllogofcit, në gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit. Ndërsa, prej vitit 1993 punoi në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Pegasit” të Gjirokastrës për Prishtinë, si dhe Sekretar i përgjithshëm i Unionit të Shkrimtarëve dhe të Kritikëve Shqiptarë të Kosovës. Nebih Bunjaku është autor i 6 librave me poezi; 1.Dalje nga balada (1994) 2. Gramatikë zemre (2004) 3. Terapia e dashurisë (2005) 4. Një samit për një simit (2007) 5. Prushimë buzësh (2008) 6. Zemra nuk ka dimër (2009). Sukses autorit dhe shëndet!.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjermani, Ne shtepine e Kafsheve, Nebi Bunjaku, Rrustem Geci

Epigrame nga Angjelina Krasniqi

January 6, 2014 by dgreca

PIKTURA/

Tek një pikturë ngjyrë e derdhur,/

Mos gjykoni e prisni menjëherë,/

Kornizës që e mbështjell dredhur,/

Mos i dhuroni më shumë vlerë!…/

MULLIRI  LLAFAZANIT/

Ka mulli që bluan misër dhe grurë,

Mulli që bluan mendim dhe kulturë.

Por ka dhe mulli që bluan ujë e det,

Gjithë jetën fërkohet han veten e vet…

 

Sot shumë mullinj të tillë kanë dalë,

Bluajnë mburrje dhe prodhojnë fjalë!…

 

ÇELSI  I  KUJDESIT

Të kesh një çelës,ke në dorë një portë,

Një portë që hyn dhe del në të çdo ditë,

Ky çelës për mua shumë gjëra më thotë,

Duhet ta ruash e ta mbash si të florinjtë…

Ndryshe mbetesh jashtë, dhe flë me minjtë !

KOKËFORTI

Kokëforti është një qukapikth,

Ulet në degë pranë trungut,

Me sqepin e tij rreh në një pikë,

Vrima dëmtuese bënë dhe ikë!…

E MIRA DHE E KEQJA

E mira dhe e keqja janë si një pemë,

Po nuk e krasite si duhet e me kujdes,

Do hap degët anë e mbanë pa plan,

Dhe me kohën pjesa e frutshme vdes.

VITET

Rroba e lënë nën shi e vjerrë,

Nën diellin që nxeh e përvëlon,

Lëkundet,laget e thahet përherë,

Pa e kuptuar ngjyra i ndryshon!….

 

BESIMI

 

Besimi është si thjerrëzat e syrit,

Shikimin e kthjellët e ndihmon,

Po ra nga syri xhami i saj grrithet,

Si më parë të shikosh nuk ndihmon!….

 

BESNIKËRIA

 

Qeni bredh gjithkund

Edhe mbi ndonjë ndytësirë,

Kur kthehet në shtëpi

Lëpihet dhe bishtin e dridhë!….

 

BUKURIA  E  SHPIRTIT

Gruaja e matur me vetën adhurohet,

Edhe pse mbart pak bukuri e freski,

Si për më të bukurën flitet,shkruhet,

Për shembëlltyrën që ka në mbrëndi!…

BUZËQESHJA  CINIKE

Gota e përplasur e thye copë e grimë,

Lëshon një cingërrim,sikur të të vrasi,

Kujdes në copat e thyera mos shkelni

Pret ashpër si tingëllima cinike e një gazi!….

Filed Under: Featured Tagged With: Angjelina Krasniqi, Epigrame

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT