• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

RANË KËTO DOSJE E U PAMË

January 5, 2014 by dgreca

Cinizmi i fitores së humbësit/

Nga Rexhep Kasumaj/ Berlin/

1./

Ai  merr ashensorin i këndellur në këtë fillimjavë të pranverës ringjallëse dhe niset lirshëm drejt zyrës së tij. Hap derën dhe gatitet me një buzëqeshje të çiltër të përfalet kolegun e ri. Por befas shtanget. Nuk mund tu besonte syve. Përballë, me kundrim nga dritarja, qëndronte një i njohur i vjetër.

Nga koha e virgjër e fëminisë?

Nga vitet çapkenërore të studimeve?

Jo, jo!

Kujtesa e kthente rrufeshëm në një tjetër periudhë të jetës së tij: në motet e trishtuara burgëtare. Po përse ky shqetësim? Ja, një bashkëvuajtës me të cilin do evokonin stuhitë e ikura. Thënia e një urtaku lashtësie se është dëshpëruese të evokosh kohët e gëzuara në mjerësi, tani merrte kuptimin peshëplotë, pikërisht pse, ndoshta, ngjante e kundërta: do kujtonin kohët e liga në fatlumësi! Madje, për më tepër, ndryshe nga të bugosurit ordinarë apo mundimtarët e tjerë të jetës, këta kishin dhe një shtysë djellandritëse më shumë: shihnin të sendërtuar ëndrrën e tyre sublime.

Por çfarë ndodhi?

Përse ky nuk arriti për disa çaste që zgjatën një përjetësi, të frymonte për të thënë dhe një gjysmëfjale? Një pyetje idhtane si re shiu që errëson gjithçka përpara, i erdhi vetimthi e nuk ikte dot: Si ishte e mundur? Ishin po ata sy picërrues që zhbironin urrejtshëm e po ato duar që ruanin ende tizgën e gjakut. Megjithatë, mblodhi veten dhe shqiptoi përshëndetjen mirëmjesore me një zë të mekur e vështrim gati të rrëzuar përdhè. Iu bë se dëgjonte sërish fyerjet e goditjet më mizore dhe psherëtimat e britmat më pikëllimore. Tani, me një lehtësi të padurueshme, bëri rindarjen e roleve dramatike: ky e miqtë e tij të idealit qëndronin këndej, në një anë – në anën e dhimbjes e poshtërimit, kurse tjetri që tani rrinte ulur aty me një qetësi të habitshme përhihur njëj nënqeshje qesëndisëse, gati sfiduese, ishte andej, në anën e shkaktarit të dhimbjes – në anën e ofenduesit të ultë dhe torturantit të pashpirt. Dhe, si dredhë ere që përplas çdogjë, nuk tretej assesi pyetja shungulluese: Si ishte e mundur? Si ishte e mundur që tani, në një kohë të dytë, të ishin sërish të pabarabartë? Ky kishte lirinë për të cilën flijoj njomësinë e djalërisë, po dhe tjetri do të bënte herët një flijim, veçse, për ironi, në kah të kundërt: përdhoste shtegun e po kësaj të shkrete liri, që tash e gëzonte, në altarin e interesit të huaj. Ky kishte, tutje, epërsinë morale, por tjetri kishte armën tjetër që nuk i vjetërohej kurrë, cinizmin triumfues: aq ia bënte atij për etosin, ndërgjegjen dhe pendesën njerëzore!

Ndërsa bluante përfundimin e tillë, i ulur dhe ky pranë skrivanisë, diçka do thyhej e shmagjepsej, për të gurëzuar një zhgënjim të thellë brënda qenies së tij: ishte ideja tragjike se kjo s’ishte piktura e lirisë, por hirnosja e saj. Kurse  ai tjetri, mentori dhe ekzekutori i rrëzomës së kazamateve e të popullit  të ndaluar, që kishte nisur, ndërkaq, të dërdëlliste për punën – i dukej tmerrsisht i fituar!

2.

Kjo traumë i do ti ndodhte një të burgosuri politik, në beharin e shkuar, në një nga institucionet e rëndësishme politike të Kosovës së lirë. Dhe unë do endja atë në këto radhë, i frymëzuar nga paralajmërimi belgradas, si detyrim Europe, për të hapur dosjetë e Udb-së famkeqe që pat nxirë jetën shqiptare, aherë dhe pështjellon shpirtërat e saj, sot.

Dhe le të hapen, më në fund, o Zot!

Le të shohim, ditën për diell, cilët kjenë zyrtarë rrogtarë, e cilët bashkëpunëtorë të fshehtë!?

Mandej: Cilët ishin vullnetarë të zellshëm shërbimi dhe cilët sish rekrutë të zorit: pra, të dhunës e varfërisë!?

Tutje poashtu: Cilët i përkisnin rangut të ulët dhe cilët patën përbetuar në rrathët e sipërm të kierarkisë!?

Pastaj: Cilët janë përshpëritur a nofkuar, po, mbase, nuk paskëshin qenë të tillë!?

Dhe akoma: Cilët naltçmoheshin si burra të ndershëm kombi, madje duke ngjitur dhe karrierë me këtë profil publik, dhe nuk kjenë të këtij soji, por, përkundrazi, sigurimsa sekretë!?

Mëtej prapë: Cilët kishin autorizime vocërrane lajmdhënëse, e cilët ishin misionarë realizimesh “madhore”, nga ngujimi i lirisë e deri tek privacioni i jetës!?

Tutje: Frekuentonin vetëm këtë agjenturë apo, në multifunksione, dhe të tjera?

Dhe së fundmi: Cilët janë shuar dhe ç’bëjnë të gjallët? Kanë lënë zejen apo ushtrojnë ende pasionshëm e aktivisht atë dhe ku? Në ç’instancë e me ç’objektiv?

3.

Nëse, prandaj, nga Belgradi nuk vjen një mashtrim i ri çorientimor dhe, njëkohësisht, nëse shqiptarët, kthjelluar  kulture shtetërore e jashtë komleksesh provinciale, ndërtojnë një konsens nacional për të diferencuar kristalisht të mirën dhe të keqen – aherë Republika ende e brishtë, duhet të bënte lustrifikimin e kësaj  mbeturinë të neveritshme e, poaq, gjakmpikëse në trupin e saj.

Por dhe nëse eprorë të kastës politike nuk reflektojnë, prirë nga pragmatizmi votëprurës apo solidarësia natyrale e racës me ta, së paku ne vdektarët e pashibluar ti njohim bëmat dhe fytyrat e tyre. Dhe, duke i njohur, të mos i njatjetojmë respektshëm në udhë e sheshe të pafajshme. E, së mbrami, me një ofshamë klasike të themi çlirueshëm: ranë këto dosje e u pamë!

R.Kasumaj / janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: e u pame, Rane keto Dosje, Rexhep Kasumaj

1914…100 VJET MA PARË…NJË GJAMË DËSHPËRIMI

January 5, 2014 by dgreca

Ne Foto: At Gjergj Fishta OFM (Grafikë nga FRadovani 2010)/

NJË  GJAMË  DËSHPËRIMI/

Nga At Gjergj FISHTA OFM/

Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka; /

Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit/

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá/

Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:/

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,/

Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!/

2. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;/

Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

3. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull luani xêhêt fjetun?!…

4. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

5. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

6..E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

7. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

 

8. O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

9..Me parsme tona n’ ata t’ hershmet mota

Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

11. E kur per pesqind vjet na nder veriga

Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,

N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na ngjiti.

12. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

13. Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’ gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sot Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

14. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

Shkoder 1914.
Komenti u përgatitë nga At Viktor Volaj, në vitin 1941, botue me titull“Lirikat”.

Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.

U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.

1.Mbaroi Malcija!…: Malësia e Madhe, e cilla shpesh përdoret edhe pa mbiemën.

Megjithse Malazezët nuk pushtuen tjetër zonë veç Hotin e Grudën, me të drejtë Poeti thotë se humbi Malësia, pse Hoti e Gruda janë bajrakët e parë në Malësi e Hoti prini ndër lufta. – Lekë: Kështu thirrën malësorët e Malësisë së Madhe. – me drrasë t’krahnorit: me parzëm; Drrasa e krahnorit asht pjesa e krahnorit ku lidhen brinjtë. – Anmiku shkja…s’ka pse dron: Malësorët ishin kurdoherë nji pritë e fortë kundër sllavëve qi donin të pushtonin Shqipninë. – i dbuem: i karmuem, i qitun jashtë; – pa plang pa shtëpi: pa truell pa strehë banimi. Në këte rasë 575 shtëpi të Hotit e Grudës ikën e lanë vendet e veta, për mos me jetue nën sllavë. Këto dyndje janë kenë të vazhdueshme edhe ma vonë.

2. lkundun: përkundun. – tue lavrue: tue e thye, tue e punue tokën. – pengue: lidhë. – Qi bindën shekullin…: Të cillët çuditën mbarë botën tue luftue në vitët 1911-1912 kundër Turqve të Rinjë.

3. strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ: Me 16 prill natën, Mali i Zi rrethoi Malësinë me 12 bataljone, tue i gjetë Malësorët në befasi. Poeti i krahason me luanin e xanun në strofull fjetë.

4. t’shkelzyeshem: t’shkelqyeshëm, vezulluesa. – pre’ Empirit: pjesa ma e naltë e qiellit. – permallshem: mallëngjyeshem. – tue ferfllue: tue vezullue, tue shndritë. – vreni m’sharte t’nierit: kundroni fatet, punët e njerzimit.

5. viset: krahina; t’perligjuna me luftë e gjak: të shperblyeme, të mbrojtuna me luftë të përgjakun.

6. E mallkue kjoftë Evropa…: “Kjo namë ngjiti me të vërtetë! Mbas tre muejsh, me 28 Korrik 1914, shpertheu ajo luftë e tmershme, e quejtun Lufta e Parë Botnore, e cilla zgjati deri në Nandor të vitit 1918. Në ketë luftë mbetën dhetë miljon të vdekun. Kjenë shkretnue vise, vorfnue shtete, rrxue dinasti të vjetra, as nuk muejt me i prue botës nji paqë të qendrueshme, por shqetësoi zemrat e popujve me traktate të dhunëshme, tue kallë luftën e sotme.” (1941).

7. E prej Lirijet …: Me ia ndalue vrapin qi don me marrë kah Liria. – gobsija e kuj në Malësi…: Me kenëse nuk janë vende të frutëshme as Hoti as Gruda për me mëkambë Malin e Zi, asht politika shoveniste ruse e Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë.

8. sosë: mbarim. – Kaina të kunorzuem: Gjaksorë të kunorzuem; kryetarët e mbretnive, me ketë emen Poeti përmbledhë shtetet qi kundërshtojnë Lirinë e Shqipnisë. – t’ sharruem: të humbun.

9. pallen: shpatën. – shtroje të buta: Poeti paraqet luksin e ambjentit oriental.

10. tue dredhun: tue vringllue. – Tartarit: Me ketë emen quen në përbuzje Turqit e Azisë.

– e poshtnueme: e poshter, për mos mirënjohjen ndaj Shqyptarve, qi kjenë pararojë e sajë.

Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skenderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqipninë.

11. ngelëm: mbetëm. – reshte: bante, shkaktonte tue na nxitë, tue na mundue.

12. sa u nis me u endun: porsa xu fiell, porsa filloi. – skami e kobi: vorfnija e mjerimi.

13. Qyshë nji strofë ma përpara Poeti vé në dukje se shpesh ndera kthehet me dhunë në ketë botë dhe e mira harrohet. Megjithkëte nuk i mbushet mendja pse Evropa, pra: do Mbretni të Mëdhaja, tash qi të gjitha shtetet e Ballkanit kanë dalë me vete dhe Shqypnisë i asht dhanë Pamvarsija, kërkojnë me e cungue.

14.O Zot i lum….Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit. Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.

– pa hiri: pa dije, pa pritë e pa kujtue, pa pritmas, pa dashje. – heret si n’e vona: gjithmonë i Pushtetshëm, në të gjitha kohët i Pushtetshëm.

***

Shenim FR: Botohet në 100 vjetorin e padrejtësive ndaj Popullit Shqiptar.

Përgatiti: Fritz RADOVANI/Melbourne, Janar 2014.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: At Gjergj Fishta, Fritz radovani, Nje Gjame deshprimi

SHQIPTARËT E SELANIKUT NË SHEKUJT XVIII-XX

January 5, 2014 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA SHBA/

Selaniku lulëzoi edhe falë punës së Shqiptarëve nën administrimin e Perandorisë Osmane. Disa mijëra shqiptarë në mesin e shekullit 18-të punonin si shërbëtorë në hamame, shitësa bozash, armëbërës, gurëpunues, truproje ose punë stine si çobanë apo ngarësa karrocash me kuaj. Shumë punë zyre  vareshin nga ata duke  e bërë  më të lehtë rritjen e fuqisë punëtore për pronarët e tokave në rajonin verior të Selanikut.

Pronari i tokave të Doiran kishte në dorë shumicën e pashallarëve të Selanikut ishte i aftë të nxirrte tre mijë shqiptarë në fushë kundër armiqve të tij, i njëjti formacion që krahasohej me trupën që Porta e Lartë urdhëroi kundër tij. Shumë pronarë tokash të asaj pjese të Maqedoninë ishin në mes tyre prej origjinës Shqiptare.

Autoritetet Turke në shekullin e tetëmbëdhjetë kishin një mospëlqim fundamental të migrantëve dhe kishin dyshime të thella për Shqiptarët edhe pse shumë zyrtarë të rangut të parë ishin me origjinë Shqiptare.

Më 1730 Sulltani urdhëroi të gjithë Shqiptarët , ty dyja palët Myslimanë dhe Kristianë të linin përfundimisht Stambollin.

Këto qëndrime të Portës së Lartë ndaj Shqiptarëve intesifikuan probleme në provinca duke rritur numrin e bandave dhe krimit dhe dalëngadalë kujdesi i qeverive ra në to gjithashtu.

Ja si i shkruante konsulli Francez Parisit për shqiptarët në fund të viteve 1700-të

“…Të gjithë burrat me një zë kanë shpresë këtu se Kapudan Pasha do të ndjekë shembullin e Topal Osman Pasha i cili …mbuloi me lumenj gjaku Shqipërinë sipas urdhrave të Sulltan Muhametit më 1731.

Pa këtë veprim është frikë se ky komb, i cili është shumë në numër dhe shumë i varfër në të njëjtën kohë do të abuzojë me sjelljen e tij duke marrë armët dhe të bëhet i fuqishëm dhe i rrezikshëm për këtë Perandori. Të gjithë qytetet e hapura të Perandorisë janë të ekspozuara të shkatërrohen,gjë e cila mund të udhëheqë tek portat e Konstantinopojës, në qoftë se burra ambiciozë dinë si të fitojnë numrin dhe kurajon dhe disiplinën e këtij kombi. ”

Pas luftës Ruso-Turke në mesin e shekullit të 18-të trupat Shqiptare që i shërbyen Sulltanit në Peloponez  vazhduan të keqsilleshin në tokat Greke deri sa pas Sulltan Abdyl Hamiti I, erdhi në fuqi admirali reformues Gazi Hasan Pasha që urdhëroi të merreshin masa edhe karshi Shqiptarëve.

Kështu, më 1779 Admirali Turk Hasan Pasha me 30 mijë forca Turke u sul me masakra kundër shqiptarëve në Peloponez duke vrarë këdo që gjente përpara.

Hasan Pasha urdhëroi Grekët dhe  Turqit se vrasja e shqiptarit nuk përbën krim! Ai ofroi pesë lira për një shqiptar që ja dorëzonin atij. Vetëm në Selanik, guvernatori detyroi të linin qytetin më shumë se 4000 ( katër mijë) Shqiptarë në pesë ditë, edhe shërbëtorët e tij dhe lejoi të jetonin në Selanik vetëm ata Shqiptarë që ishin residentë për një kohë të gjatë aty.

Shqiptarët nuk i bindeshin më urdhrave të Vezirit. Dhe filluan përsëri të sillnin shqetësime. Kur pashai tentoi të arrestonte Alizotoglou më 1793 ai kishte në shtëpi më shumë se 150 shqiptarë, furnizime dhe armë.

Pashai thirri të gjithë myslimanët e vërtetë ti vinin në ndihmë dhe përdori topat kundrejt shtëpisë së Alizotoglou, por kundërshtari  i tij doli nga qyteti duke marrë pengje me vete për sigurinë e tij dhe kërcënoi pashanë se do të kthehej me 2000 forca Shqiptare.

Më 1803 u lëshua një urdhër që bënte fjalë për pastrimin e Selanikut nga një numër i panjohur Shqiptarësh dhe të tjerë të kësaj kategorie që nuk bënin asnjë shërbim me asnjë profesion të sigurtë dhe për ata që mblidheshin në Incongrouoslu.

Ali Pasha i Janinës, Bonoparti Mysliman, siç e thirri Bajroni, bëri ligjin nga bregu perëndimor i Ballkanit deri afër portave të Selanikut dhe kishte më shumë kontroll se sa guvernatori i qytetit të Selanikut.

Ali Pasha jepte urdhra për mbrojtje efektive me shkrim dore në një Greqishte shumë të keqe në copa letrash që kërcënonin çdo Turk që keqtrajtonte murgjërit në manastire apo i ekzekutonin ata.Ky pasha Shqiptar ishte duke ndërtuar shtetin e tij dhe afronte mbrojtje për rajonet Kristiane ku Sulltani nuk mund të garantonte me siguri.

Më 1926 Sheiku Bektashi, Shqiptari Ahmet Siri Baba i gjeti Teqetë bosh, të abandonuara në Selanik, në kohën kur myslimanët ishin detyruar të linin qytetin si rezultat i marrëveshjes Greko-Turke më 1923 për ndërrimin e popullsive. Pra, kur filloi të zbatohej Greqizimi i Greqisë moderne duke pastruar edhe Shqiptarët.

Për materialin më sipër u përdor vepra studimore “Salonica city of ghosts” e autorit Mark Mazower.

Sipas historianit Arben Llalla që ka jetuar e hulumtuar për Shqiptarët në Greqi kemi edhe këtë dëshmi të drejtimit ushtarak të Selanikut nga Shqiptarët  nën Perandorinë Osmane : “Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 tetor 1912, komandanti turk me kombësi Shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pasi dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku edhe në moshën 73 vjeçare vdiq në Lozanë në vitin 1918. Aty edhe u varros. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e Shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesara.

Në varrezat shqiptare në Selanik ka patur varrin edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina, eshtrat e të cilit u kthyen në Shqipëri në vitin 1976”, pasi varrezat kombësive të tjera u prishën nga qeveria Greke.

Në dekadën e fundit të shekullit të njëzetë Shqiptarët emigrantë, më së shumti nga Shqipëria, u rivendosën sërish në Selanik duke hapur shkollë për mësimin e gjuhës Shqipe.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Artur Vreto, Shqiptaret e Selanikut

VIZITË NË QENDRËN MUZEALE “BIODOME” MONTREAL

January 5, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Në kryeqyteti Kanadaz, Ottawa,  ku banoja prej gati  një muaji, kisha dëgjuar shpesh të flitej për pikat turistike më interesante për rreth dhe kisha mësuar se vend nderi zinin: “Nodre Dame” (Kisha Katolike më e madhe në vend) dhe “BIODOME”, (qendër muzeore e madhe), të dyja të vendosur në Montreal, Provinca Kebek, në qytetin e dytë më të madh në vend, pas Torontos.

Sa kishim festuar me madhështi “Krishtlindjet” dhe “Vitin e Ri 2014”, pikërisht më  1 janar 2014, ditë e Mërkurë, pasi përshkuam rreth 200 km rrugë, kryesisht në autostradën 417 dhe pas gati 2 ore udhëtim pa trafik të renduar, natyrisht  me shpejtësi marramendëse, mbërritëm në Montreal dhe u akomoduam te Hoteli “Delta”, një hotel me katër yje, në Zonën Qendrore të qytetit.

Të nesërmen, herët në mëngjes, për të arritur te objektivi ynë, na u desh të bënim vetëm pak kilometra rrugë, po në një të ftohtë të pazakontë, sepse jashtë temperatura shënonte -31 gradë C. Pasi parkuam makinat dhe paguam biletat, e pamë veten qysh në fillim të befasuar nga të papriturat e muzeut te madh shumëplanësh, që në të njëjtën kohë ishte bashkim  dhe kombinim akuarium- zoopark- kopsht botanik, në kushte të njëjta natyrore origjinale përkatëse Kanadeze-Amerikane Veri Jug dhe Polare Veri-Jug.

“BIODOME MONTREAL”, ky muze i gjallë gjigand, është vendosur në ish Velodromin e Montrealit, ndërtuar fillimisht si “Qytet Sportiv” në Olimpiadën e Lojnave Verore të Montrealit të vitit 1976, në pjesën përkatëse në një sipërfaqe prej rreth 7000 m2, Objekti me arkitekturë të përshtatur bukur, ishte konvertuar si Muze përfundimisht në vitin 1992, me rastin e 350 vjetorit të themelimit të qytetit Montreal. Inisiator për këtë transformim madhështor të ish Velodromit në Muze shumëprofilësh bionatyror, u bë ish Drejtori i Kopshtit Botanik të Montrealit, z.Pierre Borque, që duhet kujtuar me nderim të posaçëm, për arritjen e tij tepër te suksesshme, origjinale e të dobishme.

Përshtatja u bë në një hapësirë racionale e kryesisht të mbyllur, që tërheq çdo vit rreth një milion vizitorë nga e gjithë bota. E veçanta e këtij muzeu të gjallë peshqish, shpendësh, reptilësh, kafshësh dhe speciesh bimore të origjinave të larguar nga njeri tjetri, është krijimi i kushteve origjinale në katër ekosisteme të ndryshme. Kjo do të thotë përshtatje respektove të njëkohshme në vegjetacion, klimë, dritë, temperaturë, teren me ndryshim e luhatje stinore. Këto ndryshime në hapësirat përkatëse, janë ndërtuar edhe pse të papërputhshme, në një sipërfaqe relativisht të kufizuar, duke përdorur teknika të veçanta ndarëse, izoluese, ngrohëse, ftohëse, lëvizëse, aromatike, ndriçuese errësuese, etj., duke lejuar ndërveprime normale në ndryshimin e mjedisit dhe  në përshtatje të kushteve jetësore të specieve, llojeve dhe varieteteve.

Biodomi i Montrealit mund të soditet bukur ne kohë të mirë edhe nga kulla madhështore e Stadiumit Olimpik të Qytetit Montreal të Provincës Frankofone të Kebekut. Prej andej sheh dhe përfytyron se vizitori ndjek një rrugë vetëm prej 500 ml.: Pasi kalon hyrjen dhe kryen pagesën e vizitës,  ndeshe me bllokimin e parë në formë tuneli, i quajtur “EcoTransit”, i projektuar (si dhe të tjerët që pasojnë) për të ruajtur ndryshimet e temperaturës. Më pas  hyn në paretet e izoluara nga një strukturë xhami për të siguruar në Abitatin “Amerika” lagështinë ajrore prej 75% , që kërko  mjedisi sipas popullimit dhe temperatura në rritje në 28 ° C gjatë gjithë ditës.

Pasi kalon te . EcoTransiti i dytë, ofron qasje në Laurentian Maple Forest , i frymëzuar, freskuar dhe  nga peizazh malor i “Mauricie”, Kanada .

Në një tuneli të dytë, nëpërmjet EcoTransitit përkatës, risigurohet rënie e mjaftueshme dhe e shpejtë në temperaturë para “Gjirit Shën Lawrence”  dhe aty del befasueshëm  dhe shpaloset me madhështi bukuria e një pishinë gjigande.

 

EcoTransit fundit i jep qasje në një korridor tjetër, kalimit në botën polare veri e jug.

Prezantimet të mëtejshme vënë në dispozicion të vizitorëve pamje po kaq të bukura, në një sipërfaqe madhështore, kombinuar nga autorët artistikisht, të ambjenteve thuajse natyror  me piktura të sajuara të mjediseve përrallore. Tamam këtu vihet  në dispozicion të vizitorëve një amfiteatër tepër panoramik dhe i këndshëm, sidomos për . fëmijët, që mund të luajnë e të kënaqen me pamjen e natyrës thuajse reale, me shpendët, peshqit dhe kafshët  për rreth.

“Biodome Montreal” është një muze madhështor, natyrisht me shpenzime vjetore maksimale për mirëmbajtjen dhe shërbimin e aseteve të tij, për mbarështimin dhe ushqimin e kafshëve, peshqve, reptilëve dhe shpendëve, për kultivimin e bimësisë dhe për harxhimin e energjive përdoruese, në përballim të nevojave të për mbi 4800 kafshëve të 229 llojeve dhe të 750 kultivarëv

bimorë.

Veç kësaj aty bëhet një punë e mirëfilltë studimore e shkencore për mbijetese, riprodhim dhe pasurim sasior e cilësor. Stafi i kualifikuar në nivel të lart shkencor, interesohet tej kufirit rajonal e shtetëror, përshtatur nga një politikë në përputhje me standardet ndërkombëtare të rritjes dhe mbarështimit të kafshëve dhe  kultivimin  e seleksionimin e bimëve.  Veprimet e ruajtjes dhe të shtimit të specieve dhe kultivarëve me tendencë përmirësuese në Biodome,  bëjnë që gjallesat të jetojnë në koleksionet e tyre, por edhe për ruajtjen e përmirësimin e mjedisit natyror..Specialistët e profesioneve përkatëse në Biodome marrin pjesë në disa programe kombëtare e ndërkombëtare të konservimit për të parandaluar humbjen dhe për të promovuar rifutjen e specieve të rrezikuara, në mjediset natyrore përkatëse.

Të nesërmen Kanadaja u bllokua nga bora dhe furtunat, me deri pemë të rrëzuara e ndalim trafiku ajror, tokësor e detar. Pas pak orësh me forca të shumta, shpejt në mbarë vendin, çdo gjë arriti normalitetin.

Largohem për në vendin tim me përshtypjen e një shteti të fuqishëm, duke e ndjerë më të sigurt edhe jetën e pasardhësve të mi, që punojnë e banojnë prej vitesh këtu.

Ottawa Kanada, 05.01.2014

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bidome, Luan Cipi, Montreal

SHBA : Aeroplani me 35 udhëtarë rrëshqet dhe del nga pista në New York

January 5, 2014 by dgreca

Ndërpriten përkohësisht të gjitha fluturimet në aeroportin ndërkombëtare të New Yorkut,  JFK.Shërbimi pritet të rifillojnë rreth orës 11:30, e cila ka të ngjarë të shkaktojnë vonesa për pjesën tjetër të ditës dhe ndryshim oraresh të disa linjave/

Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK CITY : Aeroporti ndërkombëtar i New Yorkut JFK, është mbyllur përkohësisht këtë mëngjes, pasi një avion rrëshqitijashtë duke dalë jashtë piste për shkak si thuhet nga shtypi lokal të akullit, borës dhe nji shiu të imt të ngrirë.

Televizioni lokal NY1 tha se Aeroplani i vogël që mbante 35 njerëz përfshirë ekuipazhin mendohet se bëri nji ulje në mënyrë të sigurtë – por mbasi përshkroi disa mile në pistë rrëshkiti menjëherë duke ndryshuar drejtim e përfunduar në një grumbull bore të mbledhur jashtë piste.

Nuk u raportuan viktima nga përplasja me grumbullin e borës të aeroplanit të aerokompanisë Delta Connection 4100, i cili u ul në 8:00 të mëngjesit, tha zëdhënësja e Administratës Federale të Aviacionit Kathleen Bergen e cila shtoi se  Avioni është i tipit CRJ2 dhe plotësonte të gjitha kushtet teknike të fluturimit , tha ajo .
Autoriteti Portual i New York dhe New Jersey , me të cilin operon kjo kompani në këtë aeroport , tha se 35 njerëz ishin në bord të avionit, dhe fatmirësisht asnjeri prej tyre nuk është i lënduar .
Aeroporti është pezulluar përkohësisht nga operacionet për fluturime vendore dhe ndërkombëtare për shkak të ndalesës dhe se ekipet e pastrimit të pistës kan filluar larjen me ujë të pistës për të evituar rrëshkitjet e aeroplanëve.

Shërbimi pritet të rifillojnë rreth orës 11:30, e cila ka të ngjarë të shkaktojnë vonesa për pjesën tjetër të ditës dhe ndryshim oraresh të disa linjave.
Autoriteti Portual rekomandon udhëtarët të kontaktojnë me informacionin për kontrolluar linjë ajrore të tyre para se të nisen për në aeroport. Kjo duket të jetë një disponim i përgjithshëm i pasagjerëve edhe në aeroport deri në orën 11;30 të mesdrekës

Megjithatë, fluturimet janë duke vepruar normalisht në aeroporte të tjera në zonën e qytetit të New Yorkut – , duke përfshirë aeroportin tjetër në LaGuardia dhe në New Jersey Newark Liberty , tha Autoriteti Portual .
Ndërkaq si shkak i një stuhie të fortë që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë sot  temperaturat e ajrit janë ulur së tepërmi, dhe pritet një ulje edhe më drastike, ditët e fillim javës.

Sipas ekspertëve, kolona e mërkurit mund të zbresë deri në -34 gradë Celcius, në orët në vijim, gjë që do të çojë në një temperaturë të përgjithshme mesatare nga 23 në 29 gradë Celcius, nën zero.

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: aeroplani del nga pista, New York, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT