• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Rusofilia e serbofilia s’duhet të zëvendësohen me turkofili

February 16, 2014 by dgreca

Është qesharake të shtrojmë pyetjen a ishin më pak mizor serbët, turqit apo grekët? Është më e arsyeshme të përqendrohemi në aleancat properëndimore më ata që s’na përgjakën asnjëherë gjatë historisë. /

Nga Gani MEHMETAJ /

“Në përputhje me traditën që ekzistonte më parë… të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…”. “Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. …Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit… Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap fap – i ekzekutonin…. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe”.

“Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra… Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. …Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”, shkruan në kronikën e tij Tursun Beu. .
Ka ndonjë shqiptar me mend në kokë, pasi ta ketë mësuar edhe këtë fakt që do të thoshte  se turqit ishin më të mirë se serbët, grekët e rusët?  Ka fytyrë dikush të shpif kinse u islamizuam me dëshirë? Njeh dikush shqiptar që i di 36 shkronjat, që do të vazhdoj të mbroj diçka që s’mund të mbrohet? Në mbrojtje të turqizmit e islamizmit nëpër faqe elektronike kryekëput janë gjysmë analfabetët e ndonjë mercenar shqipfolës, të cilët e flasin dhe e shkruajnë për faqe të zezë gjuhën tonë.

Me kot përpiqet edhe Abdi Baleta t’i veçoj turqit, të cilët sipas tij duhet t’i duam, ndërsa t’u ruhemi Serbisë, Greqisë e Rusisë. Ku dallonin Turqia, Serbia e Greqia në mizoritë ndaj shqiptarëve? Askund. Por koha e mizorive ishte e ndryshme. Kujtesa historike nuk mund të shlyhet me një të rënë lapsi as me ca lira turke që janë shpërndarë gjithandej. Turqia duhet ta dëshmojë miqësinë, por jo me nxitje të përçarjes fetare përmes mercenarëve të vet.  Një mike me tregoi në FB se vetëm Arabia Saudite ka dhënë 70 milion dollarë për përhapjen e vehabizmit. Po Turqia e Irani për përhapjen e islamizmit agresiv, sa kanë dhënë në Kosovë e në Shqipëri? Vëllazëria myslimane e Egjiptit më rrëmujë brenda shtetit të vet, sa para u jep ithtarëve në Kosovë? A janë futur këto fonde edhe në xhepat e 30 deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës? Nëpër kuluare dyshohet më të madhe.  “Deputetë-talibanë”, kanë nis t’i quajnë nëpër kafenetë e Prishtinës.
Pra nuk duhet t’u ruhemi vetëm Serbisë, Greqisë e Rusisë, por edhe Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite e Egjiptit. Të gjitha këto shtete janë rrezik real me talibanizmin e tribalizmin.

Baleta në një thirrje publike na këshillon t’i hidhemi në përqafim Turqisë!? Pse? Sepse sipas tij është i vetmi shtet që po na i hap dyert. Me çka po na i hap dyert: me korruptimin e bizneseve, e të politikanëve tonë, me rekrutimin e shqiptarëve për luftë kundër sirianëve, me blerjen e hoxhallarëve që flasin pastaj kundër personaliteteve shqiptare.

Sa për freskim kujtese: Çekia e vogël e Vacllav Havelit dha më shumë ndihma materiale e mbështetje morale se sa Turqia e madhe. Mos ti përmendim SHBA-n që na shpëtoi, Britaninë e Madhe që i futi e para trupat tokësore në Kosovë e na çliroi, pastaj Gjermania, Italia. Madje edhe Franca bëri më shumë se sa Turqia sot e dje.

Ti quash të gjithë ata që s’ta pranojnë këshillën për dashurinë ndaj turqve, filoserb e filorus, është diskualifikim tipik stalinist.

Nuk mendoj se duhet ta kemi aleat strategjikë Turqinë, por SHBA-n, Gjermaninë e Britaninë e Madhe. Nuk duhet të ndryshojmë kursin properëndimor me asnjë çmim. Është gabim fatal po e bëmë një gjë të tillë.

Si do t’i dukej A. Baletës po e tha sipas simpatisë fetare shqiptari ortodoks se Greqia është shpëtimtari ynë? Vetëm shpirti i shitur apo mendja e skllavëruar do ta thoshte një gjë të tillë për Greqinë e për Turqinë.

Ndërkaq, rusofilia të cilën e dramatizon aq shumë Baleta është një episod enverist, mbetjet e të cilit besoj janë fare të pakta në Shqipëri, nga ndonjë plak i rrjedhur, që e kujton me nostalgji rininë e humbur, ndërsa serbofilia (apo jugosllavofilia) ka shkulm nostalgjie në Kosovë e Maqedoni, por jo sa të krijojë rreziqe. Duhet të ndryshojmë mendësi e jo të bëjmë turrë e vrap të hidhemi në përqafim të atyre që na vranë e na përvëluan.

Kemi aleatë që bënë shumë për neve. Ata nuk do të na braktisin, na e përsëriti zyrtari i lartë amerikan në Bruksel.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Rusofilia, serbofilia, turkofili

Gibbon dhe roli i dyfishtë i Skenderbeut

February 16, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Në Londër më 17 shkurt 1776 botohet vëllimi i parë i librit “Tkurrja dhe rënia e Perandorisë Romake” nga Edward Gibbon (1737 – 1794). Gibbon ishte historian anglez dhe anëtar parlamenti.Puna e tij më e rëndësishme, “Historia e tkurrjes dhe rënie së Perandorisë Romake”, në gjashtë vëllime u botua mes viteve 1776 -1788. Libri është i njohur për prozën ironike dhe cilësore, përdorimin e burimeve primare, dhe kritikat e hapura ndaj fesë së institucionalizuar. Gibbon ishte ai që krijoi shprehjen mb Shqipërinë si “një tokë që shihet nga brigjet e Italisë, dhe njihet më pak sesa brendësitë e Amerikës”.

Në vëllimin VI të librit te tij, Gibbon i kushton rreth 10 faqe Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Gibbon përgëzon Marin Barletin për hollësitë nga jeta e Skënderbeut, por edhe kritikon autorin herë-herë për pasaktësi, për shembull, kur Barleti thotë se Gjergj Kastrioti u muar peng  në moshën 9 vjecare nga Sulltan Muradi, ndërsa këtij i duheshin edhe 9 vjet të bëhej sulltan.

Gibbon gjithashtu shprehet i zhgënjyer sesi Barleti nuk sjell thuajse asnjë hollësi rreth Gjon Kastriotit, atit të Skënderbeut. Por edhe Gibbon gabon kur thotë se Skënderbeu vdiq me 1466; viti 1468, i përcaktuar nga Fan Noli, tashmë është pranuar si viti i saktë i vdekjes së heroit.

Gibboni i bën gjithashtu një përshkrim karakterit të Skënderbeut: “Sjelljet e tij ishin popullore, por disiplina e tij ishte e rreptë, dhe çdo ves sado i vogël nuk kishte vend në ushtrinë e tij: me shembullin e vet forcoi komandën, dhe nën sjelljen e tij, shqiptarët ishin të pamposhtur sipas medimit të tyre dhe atë të armiqve të tyre”.

Edward Gibbon kritikon edhe kultin e individit; kur fati i një populli lidhet ngushtë me atë të një personi të vetëm, dhe e argumenton këtë me ngjarjet që pasuan pas vdekjes së Skënderbeut; “Shkatërrim i menjëhershëm i vendit të tij mund të kontribuojë për lavdinë e heroit, por, sikur ai t’i kishte peshuar pasojat e dorëzimit dhe të qendresës, një atdhetar ndoshta nuk do ta kishte pranuar garën e pabarabartë e cila do të varej nga jeta dhe gjenialiteti i një njeriu të vetëm” (shqiptarët nuk do të kishin ikur masivisht, dhe vendit nuk do t’i ishin dashur 500 vjet për t’u rimëkëmbur nga goditja hakmarrëse e osmanëve).

 

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi, Gibbon dhe roli i dyfishtë, i Skenderbeut

VATRA FESTOI ME MADHËSHTI 6 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2014 by dgreca

 Nga Dalip Greca/

 Të dielën në mesditë Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe bashkësia Shqiptare nisën festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ishte një festë  madhështore e mbushur me emocione, ku kishin ardhur jo vetëm nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi dhe Kënektikat fqinjë, por edhe nga Uashingtoni, Virxhinia, Portland (Oregon), Çikago, madje edhe nga Kosova e Tirana. Salla e dekoruar me flamuj amerikanë, shqiptarë dhe atë të Republikës së Kosovës, hijeshohej dhe me dy figurat Simbol të Kosovës, portertet e dr. Ibrahim Rugovës dhe e heroit kombëtar Adem Jashari. Festa përcillej tek moshat përmes pjesmarrjes masive të fëmijëve dhe të rinjëve. Ishte një festim familjar përmes një familjeje të madhe siç është Vatra 102 vjeçare.

Në festimin e Vatrës ishin të pranishëm edhe shumë mysafirë si: Z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A me bashkëshorten, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara z. Petrika Jorgji me zonjën,Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, Minister Keshilltar ne Ambasaden e Republikes se Kosoves ne Uashington, zoti Sami Kastrati,Konsullja e Republikes se Shqiperise ne Nju Jork, zonja Irena Dai. Mysafire nderi: Prof. Jusuf Buxhovi, Profesor Muharrem Digzhiu me bashkeshorten, Pinjolli i familjes se Hasan Prishtines, Ferki Veliu me bashkeshorten Patricia. Po ashtu kishte ardhë edhe kryetarja e degës së Vatrës në Washington znj. Mertia B McCormack me bashkëshortin John e fëmijët.

Takimin e ka hapur zëvendës /kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, duke uruar: Ta Gëzojmë së bashku Pavarësinë e Kosovës! Duke iu drejtuar personaliteteve diplomatike dhe përfaqësuese, dhe të gjithë pjesmarrësve, z. Rexhaj tha: Në emër të Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Buçaj,në emër të Kryesisë dhe të  këshillit të përgjithshëm , në emër të gjitha degëve të Vatrës në ShBA dhe Kanada Ju përshëndes dhe ju uroj Gëzuar Gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor por edhe përvjetorë të tjerë do të kujtojmë me nderim të madh burrin mendjendritur të idealit shqiptar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, arkitektin e lirisë, demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës, njeriun e vizionit historik për Kosovën e popullin Shqiptar, njeriun dhe heroin e paqes, simbolin e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor të pavarësisë, tha Rexhaj, i kujtojmë me nderim të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për Kosovën. Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit sublim të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, duke kujtuar edhe komandantët legjendar Sali Çekaj, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, e të tjerët.

Mirënjohje dhe falenderim të gjithë Shqiptarëve kudo që janë që e ndihmuan Kosovën në ditët më të vështira, Shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë.

Mirënjohjen e thellë dhe falenderimin e madh edhe botës demokratike, mikut tonë të madh dhe të përjetëshëm SHBA, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd botës që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.

Të falenderojmë dhe të përulemi me respekt para rolit dhe kontributit të madh të shqiptarëve të Amerikës.

Fjalimin përshëndetës, zv/kryetari i Vatrës e mbylli me urimin: Uroj që të kalojmë një pasdite të gëzueshme dhe me hare; edhe me më shumë vite të tjera së bashku, në harmoni, paqe e liri me shpresën se në një të ardhme jo të largët, degët e Shqipes do të bashkohen rreth trungut Kombëtar, dhe në vitet në vijim ta festojmë, së bashku me pavarësinë e Kosovës edhe bashkimin e kombit shqiptar !Më pas ai ka prezantuar moderatoren e veprimtarisë festive, zonjën Rafaela Prifti.

Festa ka vazhduar me përcjelljen e Himneve Kombëtare të SHBA-së, Himnit Shqiptar dhe të Kosovës, që u intepretuan nga këngëtarja e re Dea Elezaj e shoqëruar nga orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmond Xhani.

Lutjen fetare e ka bërë Imam Edin Gjoni, i Qendrës Islame Shqiptare në Quins. Lutja e Imam Edin Gjoni nisi urimin:Paqa dhe Bekimi i Zotit Qoftë me Ju!Ai uroi pjesmarrësit, përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare, kryetarin e Vatrës dhe të gjithë vatranët.

Sot, tha Imam Edin Gjoni, është dita kur kujtojmë rezistencën e parreshtur, pothuajse një shekullore të popullit kosovar, popullit dardan, kundër regjimit zullumqar të Serbisë. Në kvtë ditë tha ai, kujtojmë guximin e atij grupi të rinjësh të cilët do ta themelonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosoëvs, për të dalë vendosmërisht përpara atij pushtuesi gjakpirës dhe përballë me të, ndonëse më të dobët me qindra herë ushtarakisht, por me mijëra herë më të fortë moralisht, të gatshëm për të dhënë edhe jetëne vet, për atë copë të shtrenjtë dhe’u, që ishte dhe është i tyre, për të ruajtur dhe për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor dhe Kombëtar Shqiptar, për të folur lirshëm gjuhën e vet shqipe. Për të ecur vendit të vet pa u fyer, ofenduar, rrahur, madje vrarë: Për ta besuar dhe ndjekur lirshëm fenë e vet, pa u përqeshur me të, për ta mësuar pa çensurë Letërsinë dhe Historinë e vet dhe më në fund për të vendosur vetë për fatin e vet. Mbi të gjitha, tha Imam Gjoni, kjo është edhe dita ku pikërisht para gjashtë vitesh ëndrra shekullore realizohet në një ditë të ftohtë të shkurtit, në pergamentin 700 vjeçar, u vendosen firmat për të nënshkruar njëherë e përgjithmonë, ajo që quhet ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës’.

Imam Edin Gjoni do ta mbyllte lutjen e tij: Ja rris Lavdinë Zotit për këtë mirësi të paskajshme që na e dha Shqipërinë dhe Kosovën!

Lavdi dëshmorëve tanë me në krye Heroin Adem Jasharin! Qofshit nën prehjen e Zotit të mëshirshëm! Ia rris nderin të gjithë shteteve mike dhe aleatëve tanë, e sidomos një miku tonë të pahile, që na përkrahu në ditët më të vështira, kur ishte çështja”Të jeshë apo të mos jeshë”!, dhe akoma vazhdon që të na ndihmojë, atë me të cilët Zoti i madhërishëm, e lidhi fatin e të qenurit tonë dhe suksesit tonë, si Komb dhe si shtet, Kosovë e Shqipëri, e kam fjalën për këtë tokë të bekuar ku jetojmë, SHBA.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin shqiptar kudo ku jeton, Zoti I bekoftë ët gjitëh miqtë dhe aleatët tanë!

Zoti e bekoftë SHBA!

Urime Pavarësia e Kosovës!-përfundoi Imam Edin Gjoni, i përcjellë me duartrokitje.

z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A, përshëndetjen e tij e nisi me urimin: Kosovës sonë heroike ju bëftë dita njëmijë! Gëzuar ditëlindjen Kosovë! Bekuar qoftë liria e pavarësia! Bekuar qofshin shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë!

Për mua, tha ambasador Galanxhi, ashtu si edhe për të gjithë ju, është emocionues fakti që sot festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtu tek “Vatra” e shqiptarëve, tek foleja e dallëndyshes së parë shqiptare që paralajmëroi ardhjen e pranverës së lirisë e të bashkimit të kombit, tek “Vatra” e Fan Nolit dhe Faik Konicës, e Kristo Floqit dhe Llambi Chikozit, e Elia Tromarës dhe Naum Çeres, e Kosta Kottës dhe e shumë e shumë patriotëve të tjerë, që të vendosur për bashkim e veprim kombëtar, për shpëtimin e Atdheut, themeluan në 28 prill 1912 këtë fole patriotike që ka mbajtur, mban e do të mbajë gjallë shpirtin patriotik kombëtar shqiptar.

Gjashtë vjet më parë, tah ambasador Galanxhi, dëshira shekullore e pothuajse gjysmës së kombit shqiptar u bë realitet falë heroizmit të luftëtarëve të lirisë, që shtuan në Flamurin tonë kombëtar edhe gjakun e tyre, për ta bërë këtë flamur akoma më të bukur, akoma më krenar, akoma më të pavdekshëm. Përjetë i nderuar dhe i paharruar qoftë kujtimi i martirëve të Kosovës heroike!

Gjashtë vjet më parë, shteti më i ri i Europës nisi rrugëtimin e tij demokratik plot energji e besim, pasi këtë herë në timon kishin Prishtinën që i drejtoi drejt Brukselit, drejt Washingtonit, drejt botës së lirë dhe demokratike. Dhe sot, vetëm gjashtë vjet më vonë, shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës; dhe ajo që është më e rëndësishme është se e kanë njohur dhe mbështesin miqtë më të mirë të Kombit Shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Thank You U.S.A.! e kanë njohur dhe mbështesin shtetet demokratike më të rëndësishme të globit e të Bashkimit Europian, që dita-ditës po i hapin portat e mirëseardhjes e bashkëpunimit – Faleminderit të gjitha demokracive perëndimore dhe shteteve mike të Kosovës!

Embëlsira gjithmonë lihet për në fund – dhe ajo i takon Diasporës së kombit shqiptar këtu në Amerikë, që me përkushtim e patriotizëm të pashoq ka punuar e luftuar çdo minutë e çdo ditë, çdo çast e çdo vit për të ardhur kjo ditë e bekuar – dita e lirisë – që sot po festojmë. Bekuar qofshi Ju dhe para-ardhësit Tuaj fisnikë, trima e të mençur, që bënë dhe vazhdoni të bëni mrekullinë, bënë dhe bëni që Amerika da dojë Shqiptarinë.

Le ta gëzojmë këtë ditë, por të mos harrojmë se kemi akoma punë për të bërë në dobi të Kombit e Mëmëdheut.

Por, për një gjë jemi të bindur: “Ditë të mira paskëtaj vijnë; Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë!”

Edhe një herë: Gëzuar Pavarësinë Kosovë! , përfundoi përshëndetjen e vet ambasador Galanxhi.

Mysafiri nga Kosova Prof. Jusuf Buxhovi, autor i librit enciklopedik ”Kosova, nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati Ndërkombëtar” i sapo botuar ehde në gjuhën angleze, u prit me duartrokitje. Ai përcolli mesazhin e shqetësimit intelektual për gjendjen reale të Kosovës dhe rrezikun që vjen nga shmangia e intelektualëve. Ai kujtoi se ishin intelektualët ata që në hyrje të vitit ’90 me në krye presidentin historik dr. Ibrahim Rugova erdhën në Uashington dhe paraqitën kauzën e lirisë të Kosovës së robëruar. Po ku janë sot intelektualët? Ç’po ndodh sot me Kosovën, ku ushtrusja e genocidit ndaj saj, po anëtarësohet në BE? A mund të ngrihet ndonjë kurth në udhëtimin e vështirë të Kosovës, ku pavarësia të vihet në rrezik? Ai kërkoi kontributin e Shqiptarëve të Amerikës, për t’i bërë apel Amerikës, aletatit tonë besnik, që të mos rrezikohet projekti i Kosvës së lirë, që ka për arkitekt SHBA.
Nga fundi i viteve të tetëdhjeta, tha Prof. Buxhovi, kur lëvizja jonë kombëtare e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton për liri, demokraci dhe barazi nisi procesin e pandalshëm historik të shkëputjes nga pushtimi serb dhe të rrënimit të ideologjisë komuniste, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat jo vetëm që inspiruan këtë proces historik, por u vunë në mbrojtje të tij, duke garantuar edhe sukesin e tij, po qe se shqiptarët do të silleshin në përputhje me parimet e qytetërimit perëndimor dhe të përkatësisë ndaj tij. Koha tregoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën premtimin, gjë që për ta nxjerrur Kosovën nga pushtimi i gjatë serb, krahas diplomacisë, e cila nganjëherë dukej se lëshonte pe ndaj Beogradit, përdorën edhe ultima ration, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të mars-qershorit të vitit 1999. Shtet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, ishin ato që i dhanë fund gjendjes së protektoratit ndërkombëtar, duke u vu në anën e pavarësisë së Kosovës, e cila do të shpallet më 17 shkurt të viti 2008.
Por, siç po shihet, në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të aleatit të madh, për të parandaluar procesin e degradimit të sovraniteti të saj shtetëror, që ka filluar nën trysninë e vendeve evropiane, të cilat, në emër të gjoja parimeve europiane të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në Kosovë,, gjithnjë e më shumë po e involvojnë interesin e Serbisë! Ky zhvillim i dëmshëm, që si po shihet, mund të prodhojë realitete të tilla politike, që mund të çojnë te ndarja e Kosovës sipas kutit serb, jo vetëm që nuk do të jetë në përputhje me të ashtuquajturën politikë të integrimeve evropiane, por për të kundërtën, ngaqë degradimi i mëtutjeshëm i sovranitetit shtetëror të Kosovës, do të çojë te kthimi i Serbisë në një faktor rajonal, pa marrë parasysh se ajo, deri më dje prodhoi luftra dhe gjenocide. Po ashtu, degradimi i sovranitet shtetëror të Kosovës në dobi të Serbisë, nuk mund të jetë as në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,të cilat, janë angzhuar aq shumë për lirine dhe pavarësinë e Kosovës.
Andaj, është koha e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë që të mos lejojnë të persëritet historia tragjike, të cilës shqiptarët u kanë paguar çmim të madh.

Kanë përcjellë përshëndetjet e tyre Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara Petrika Jorgji dhe ansambelisti i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

Të pranishmit u argëtuan nga Gëzim Nika, Mithat Saliu(Kino), Kleopatra Skarço- Dokle dhe orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmon Xhani. Poeti Ilir Spata recioti një  poezi të  tij kushtuar dëshmorëve të Kombit.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, festuan 6 vjetorin e pavaresise, vatar dhe bashkesia shqiptare

BURAT E SHQIPËRISË ME FLOKË TË SAPOLYERA IA KANË ELEMINUAR GERMËN E 25-TË ALFABETIT TË SHQIPES

February 16, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Nga televizionet shqiptare për çdo ditë na shfaqen figurat publike të vendit. E kam fjalën për burat e Shqipërisë. Që e kanë minimalizuar përgjegjshmërinë e tyre duke reduktuar fare gërmën e 25 të alfabetit të shqipes që brenda fjalës „burrë“ duke u shqiptuar si një onomatopei dëshmon rëndësinë e pranisë së mashkullit në një shoqëri, sidomos në shoqërinë maskuliste shqiptare, ku roli i femrës kishte funksionin e ornamentit dhe makinerisë për të lindur fëmijët.
Edhe në folklorin shqiptar, në trashëgiminë shpirtërore, burri njihet si shtylla e familjes, shtylla e vendit dhe e shtetit. Skënderbeu ishte një burrështeti, sepse u ndesh me Perandorinë turke dhe triumfoi. Nuk iu tremb as luftës dhe as sakrificave. Ky është burri i vërtetë brenda konotacionit të rolit që ka. Dhe jo vetëm për shqiptarët, por për gjithnjë njerëzimin. Sakrificat i kanë bërë burrat, arritjet dhe hopet gjigande po ashtu iu dedikohen burrave. Natyrisht femrat nuk janë vetëm Kleopatra, Kasandra,Çirçe, Helena apo kurtizane. Ato janë edhe Zhan D’Arka, Teuta, Mari Kyri, Nënë Tereza, Margaret Thatcher, Madeline Albright, Hillary Clinton që është profili i gruas kontemporane e cila kërkon të fitojë pozitë të barabartë me burrin duke garuar përmes kompetencave dhe aftësive.
Pra autoria e këtyre rradhëve, ndërsa po e shkruan këtë opinion, nuk niset aspak nga pozita feministe, por nuk luhatem të pohoj se femra sot meriton vendin që i takon barabartë me burrin. E bëj këtë si grua, si bijë, si nënë, si qytetare, si profesioniste kur shoh se vendi im po shkon drejt tatëpjetës dhe nuk po del asnjë burrë që të bëj deal me një tjetër ashtu si thotë edhe Kadare në intervistën më të fundit se Noli, Konica dhe Zogu ikën nga kjo botë të pajtuar.
I them Kadaresë se asnjëri prej këtyre politikanëve që na kanë parë sytë këta 23 vjet nuk është as Noli, as Konica dhe as Mbreti Zog. Sepse këta 23 vjet në Shqipëri është mbjellë urrejtje dhe luftë e paskrupullt për pushtet në kurriz të shtetit dhe qytetarit.
Konica, Noli dhe Mbreti Zog ishin burra dhe për më tepër burrashteti. Konica shkriu pasurinë për Shqipërinë. Noli dha një kontribut të pashoq për Kulturën, Gjuhën dhe Kishën autoqefale shqiptare, ndërsa Mbreti Zog ndërtoi shtet.
Buri i pushtetit të tranzicionit shqiptar shfaqet përpara ekraneve me flokë të sapolyera. Kjo është risia që ka sjellë. Ai nuk lodhet të lexojë ndonjë liber, të frymëzohet nga bëma të burrështetasve shqiptarë apo të botës, por gjithë energjitë e tij, që janë totalisht energji të harxhuara kufizohen në pasurimin vetjak dhe pamjen e jashtme, ndërsa vazhdon që të konservojë një prani uzurpatore në raport me femrën. Jo si supermaci vlerash, por muskujsh dhe kulisesh. Përpara disa ditësh pamë se si gratë deputete të dy formacioneve të së majtës në aleancën qeverisëse jepnin dorëheqjen dhe në vend që të zëvendësosheshin nga gra, sipas ligjit, vendet e tyre uzurpoheshin nga burra të asaj kategorie që vazhdon të bëjë ligjin si në një shoqëri tribale duke e lënë vendin pa ligj,,pa shtet, me një sistem të përçudnuar që po shkon drejt greminës.

Kjo lloj burërie vazhdon ta lejë gruan shqiptare në pozitat e kurtizaneve dhe konkubinave, le të themi një imitim banal i llojit të Holland apo të Berluskonit, ta lejë femrën shqiptare në rolin e sekretareve të kolme, që kontrollojnë moshën biologjike të njëra tjetrës,se kush është më e re se tjetra. Apo të jenë përfituese të posteve për hir të klaneve apo simpatisë të kryeburit të partisë. Këto gra deri tani nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë kthyer në tellalle të mirënjohjes ndaj atij që e përfshiu në listë apo të klanit që e zgjodhi dhe i vuri në atë rol.
Kryeministri Rama është i rrethuar prej grave. Në pamje të jashtme kjo shkakton entuziazëm pozitiv, nëse nuk i paragjykojmë se ato mund të vërtiten si satelite rreth Diellit Mbret.
Pa e zgjatur, në Shqipëri mungon roli i burrështetësit, i atyre burrave të cilët thërrasin rreth vetes pjesën më të zgjedhur për nga vlerat dhe aftësitë e së bashku, ndërmarrin vendimet më të rëndësishme për vendin, shoqërinë dhe fëmijët.
Jo më kot vendi ku i kemi shtrirë rrënjët brez pas brezi quhet Atdhe, Mëmëdhe, fjalë të përbëra, ku dheu dhe toka janë të lidhur me Atin apo Mëmën, me burrin dhe gruan, me prindërit e dheut e të tokës.
Jo më kot burrat e shtetit që marrin mbi vete përgjëgjshmërinë për të marrë mbi shpatulla fatet e vendit, për të nxjerrë në dritë vendin nga një tunel apo nga një ferr prej kaosit të antiligjit, quhen At apo Etër të Kombit.
Pater Patriae, ky lokucion latin që do të thotë Baba i Kombit ishte një titull onorifik nga antikiteti romak. Jul Qezari përshembull ishte Pater Patriae. Ai i kishte të gjitha atributet e një burrështeti. Ishte ushtarak, konsull, perandor, orator dhe shkrimtar, i konsideruar njëri nga personazhet më me ndikim i historisë. Ai mbahet si shembulli i shtetarit,që asnjëherë nuk iu shmang rrezikut dhe sakrificave për hir të vendit të tij.
Më thoni se cili nga burështetasit shqiptarë këta 23 vjet tranzicion ka sakrifikuar pushtetin e tij për të mirën e vendit?
Tek Wikipedia në listën e Etërve të Kombit në krah të Gandit dhe Qemal Ataturkut, gjendet edhe emri i Ibrahim Rugovës si At i Kombit. Po shikoni luftën që i bëhet Rugovës, ku edhe të vdekur nuk e lënë të prehet i qetë nga burat shqiptarë. Shikoni luftën që i bëhet Kadaresë, ku janë burat shqiptarët ata që luftojnë që të mos marrë Nobelin!
Të gjitha ata burrështetas që kanë marrë përsipër diçka shumë të rëndësishme për kombin, vendin, dhe atdheun e tyre, njihen nga popujve të tyre si “Baba i Kombit”, “Baba i Atdheut”, “Ai i Vendit“ ose është Hero Kombëtar si Gustavi I i Suedisë që e shkëputi Suedinë nga pushtimi i Danimarkës apo si Skënderbeu.
Asnjëri prej Etërve të Kombit nuk ka rendur pas privilegjeve, vilave, pasurive, sekretareve, kurtizaneve apo salloneve të bukurisë me qëllimin diabolik për t’ia zgjatur vuajtjet atdheut, përkundrazi të gjithë kanë ndërmarrë veprime sublime, të cilat kanë patur rëndësi dramatike për fatet e atdheut të tyre që ata kanë përfaqësuar.
Cili prej politikanëve të Shqipërisë tranzicionale mund t’i shkojë ky emër?
George Washington,John Adams,Thomas Jefferson, James Madison, Benjamin Franklin njihen si Founding Fathers – Etërit Themelues, që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë për shkëputjen nga kurora britanike dhe pastaj morën pjesë në formimin e Kushtetutës së ShBA. Washington përkufizohej si një personalitet që “ishte i pari në luftë, i pari në paqe dhe i pari për të fituar zemrën e popullit të tij”. John Adams ishte një burrështeti, diplomat, avokat brilant, promovues i republikanizmit, Jeffersoni dishepull i edukimit dhe arsimit… e kështu me rradhë. Sipas këtij modeli udhëhoqën Rilindasit e Shqipërisë, emrat e të cilëve sot përveç emrit të Ismail Qemalit, në Shqipëri nuk i njeh askush.
Për faj të diktaturës dhe diktaturës së tranzicionit.
Pas diktaturës gjysmëshekullore që ishte një tragjedi kombëtare sepse pati si parim themelor luftën vëllavrarëse për shkaqe ideologjike, Shqipëria dhe Shqiptarët kishin nevojë për një Rilindje.
Por më thoni cili prej politikanëve të Shqipërisë, ata që me veprat e tyre të padenja ia e kanë reduktuar alfabetin e gjuhësh shqipe me 35 shkronja, do të meritonte emrin e madh të Rilindasit Modern të Kombit?
Më thoni se cili prej tyre, janë të njëjtat emra që i shohim në konfiguracione të ndryshme politike, gjithnjë si arrivistë, si profiterë pushteti, por asnjëherë si patriotë apo si përçues të idealeve kombëtare europianiste…
Deri tani, mjerisht asnjëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, germa 25 e alfabetit, me floke te sapolyer

SI E PUSHTUAN 15 MIJE SHQIPTARE TIME SQUARE

February 16, 2014 by dgreca

Shpallja e pavaresise se Kosoves u festua ne menyre madheshtore edhe nga shqiptaret ne New York

Nga Beqir SINA/ 

TIME SQUARE – NEW YORK : Epiqendra e festimeve të papara ndonjëherë në historinë e SHBA-së, u bë 17 Shkurt 2008 – në mesdrekë në metropolin e botës qytetin e 12 milion banorëve , metropolin e botës New Yorkun. Mënyra se si e festuan shqiptarët në New York, është e rrallë dhe e pa parë ndonjëherë në historinë e emigracionit shqiptarë. Manifestimi i shqiptarëve i ka çuditur amerikanët, të cilët siç u shpreh edhe një ruajtës i rendit – punonjës policie me uniform veteran i NYPD,: “kurrë në jetën e time, tha ai nuk kamë parë kaq shumë njerëz entuziast, me flamurin kuq e zi dhe atë të SHBA-së, të “derdhen” si lumë në sheshin më famozë të botës Time Square.” Ndërkohë, shpallja e pavaresisë së Kosovës , lindja e shtetit më të ri të Europës, ka bërë që më shumë se 15 mijë shqiptarë t’a “pushtojnë” sheshin Time Square, për rreth shtatë orë duke kënduar e vallëzuar, në mes të sheshit, duke defiluar me veturat e tyre, valvitur flamurin kuq e zi dhe atë të ShBA-së.

Ky manifestim madhështorë, krejt spontan dhe pa ndonjë “udhëheqës”, ku binin në sy një numër i madh i nxënësve të klasave tetvjeçare, atyre të mesme dhe universiteteve amerikane, ka mahnitur për orë të tëra kalimtarët e shumtë, dhe milona turistë vendasdhe të huaj. Manifestime të ndryshme pati edhe në shoqata, organizata, institucionet fetare dhe partitë politike shqiptare në New York, e shtet e tjera përrreth tij.

Vetëm në sheshin Times Square kan qenë më shumë se 15 mijë shqiptarë  të zonë së ashtuquajtur e Tri-Shteteve, New Yorkut, New Jersey, dhe Connecticut, – shqiptarë të ardhur prej qyteteve kryesore të këtyre shteteve, ku më së shumti banojnë shqiptarët, pikërishtë ia befën në orën kur në Prishtinë, po zhvillohej mbledhja e Kuvendit të Kosovës për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Shume prej tyre të veshur me fanelat kuq e zi, e simbole të tjera kombëtare, kostume folklorike të Kosovës, grupe – grupe “befas” ia kanë mësyer sheshit më të madh të New Yorkut, Times Square (aty ku para nje muaji rreth nje milon njujorkas festuan ndrrimin e viteve),  për të marrë pjesë në manifestimin madhështor pas shpalljes zyrtare të pavarësisë së Kosovës.

Para për të dëgjuar nga ai shesh me autorpolant fjalët më historike që kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi i shqiptoi para deputetëve të Kosovës, para miliona shqiptarëve dhe para botës: “Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë… Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran.”

Asnjëherë, në historinë e emigracionit të shqiptarëve të Amerikës, nuk janë parë kaq shumë shqipëtarë, nga Kosova, Shqipëria, Presheva, Bujanovci, Medvegja, Çamëria, Mali i Zi , Maqedonia, Arbereshët e Italisë, diaspora e të tjerë. Asnjeherë, nuk ishin parë kaq shumë flamurë kuq e zi – që thuaje se e mbuluan kuq e zi sheshin më të madh të botës.

Shqipëtarët nga New Yorku, dhe shtetet për rreth tij – dolën në rrugët e sheshet e Amerikës,  për të festuar këtë ditë të madhe – ditë historike, e cila vjen menjëherë pas asaj të viti 1912, kur Shqipëria mëmë e shpalli pavaresinë e saj më 28 Nëntor 1912. Manifestimi i New Yorkut, në sheshin e famshëm Time Square u zhvillua me moton festojmë pavarësinë e Shtetit më të ri të Europës – Kosovës duke mos harruar asnjëher se kemi me vete edhe mikun e madh dhe të përjetëshëm Amerikën! si na e ka lënë amanet Presidenti historik i Kosovës – Rugova

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt, për konçidencë ishte në të njëjtën ditë kur edhe vetë amerikanët ishin duke e festuar ditën e Presidentit te SHBA- Presidnent Day . Çdo shqiptarë në Amerikë nuk ka për ta nxjerr nga mremorja e tyre, këtë manifestim madhështor duke u bërë edhe ai pjesë e historisë së kombit tonë. Manifestimi i New Yorkut, do të mbetet në histroinë e emigracionit shqiptarë , për gëzmin, entusiazmin , dashurinë për Kosovën. Ai kaloi pa as më të voglin incident ose problem me punonjësit e ruajtjes së rendit.

Policia njujorkeze megjithse nuk kishte dhënë lejen për të festuar në sheshin e famshëm Times Square, me ndihmën e policive shqiptarë të cilët shërbejnë në rradhët e uniformave të policisë NYPD , ua lëshoi sheshin shqiptarëve për më shumë se 5 orë.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Si e pushtuan 15 mije shqiptaret, Time Square

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT