• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

“KENI QENË DHE MBETENI YLLI I PASHUAR E DRITËPLOTË I KËNGËS DHE ARTIT SHQIPTAR”

February 7, 2014 by dgreca

-Nderim për zërin himn dhe ujëvarë mali, të Vaçe Zelës-/

Nga Murat Gecaj/

1.

Ndjesi trishtimi e hidhërimi përjetuam të gjithë këto ditë, kur morëm vesh lajmin e ndarjes përgjithnjë nga jeta të këngëtares së shquar dhe të paharruar, Vaçe Zela, nderuar me titujt me të lartë, “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Është e natyrshme për secilin, që e ka njohur, tani të risjellë në kujtesë mbresat e takimeve me të.Me detyrën e gazetarit, në shtypin e kohës, kam patur kënaqësinë dhe nderin ta njoh e ta takoj edhe unë këngëtaren lushnjare, por që shpejt u bë e tërë Shqipërisë e Kombit tonë, Vaçe Zelën. Natyrshëm, kur një njeri ndahet nga jeta, fliten e shprehen fjalë të mira për të. Por, në rastin konkret, nuk mjaftojnë fjalët e Fjalorit të Shqipes, për të evidentuar cilësitë e larta morale e njerëzore të Vaçes sonë, si: dashmirësinë e zemërgjerësinë, thjeshtësinë e sinqeritetin, karakterin e fortë dhe shpirtin e butë njerëzor, zemrën e madhe të saj, pa përmendur këtu talentin brilant të zërit të saj, që ia dhuroi Zoti e diti ta shfaqë, me aq profesionalizëm, në skenat shqiptare, por dhe në ato jashtë Atdheut.

E kam ndjekur shpesh atë në koncertet e ndryshme, me kitaren në dorë, që nga ato në sallat e ndryshme dhe deri te festivalet në RTSH-së. E, kurdoherë, kam ndjerë se sa i bukur ishte zëri i saj, him dhe ujëvarë mali, i cili jehonte fuqishëm në këngët për Shqipërinë dhe në ato me tematikë familjare ose shoqërore etj. Ashtu si të gjithë dëgjuesit e shikuesit tjerë, jam emocionuar pa masë, kur ajo këndoi me zërin e saj aq melodioz, këngën “Fëmija i parë”, ndjekur pastaj nga këngët me theks të dallueshëm atdhetar, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Nëno, moj, do pres gërshetin”, “Shoqet tona ilegale”, “Valsi i lumturisë” etj.etj.

2.

Rasti e ka sjellë që i kam vizituar disa herë trojet shqiptare të Ballkanit, si Shkupin, Preshevën, Prishtinën e Ulqinin. Kudo emri i nderuar i Vaçe Zelës ishte i pranishëm dhe  shumë i respektuar. Në një udhëtim, me disa kolegë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, më qendër në Tiranë, bashkë me poetët e shkrimtarët Zyba Hysa, Namik Selmani e Shefqete Goslaci, bëmë një vizitë në shtëpinë e këngëtares së madhe kosovare, Naxhmije Pagarusha. Gjatë bisedës sonë, ajo na foli me dashuri për Vaçe Zelën dhe, siç thotë populli, e “ngriti në qiell”, për cilësitë njerëzore të saj dhe talentin e rrallë të këngëtares. Pas atij udhëtimi, kam botuar një libër modest, me shënime e përshtypje. Duke u ndalur në takimin e mësipërm me Pagarushën, aty kam nënvizuar këto radhë domethënëse: ”…Por i trgoj edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe thotë se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që  kurrë të mos harrohen këngëtarët as artistët, të cilët me zërin dhe shpirtin e tyre iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët”(“Rrahin zemrat arbërore”, Tiranë, 2011, faqe 57).

3.

Duke patur njohuri për gjendjen e rënduar shëndetësore të Vaçes, por dhe me respektin e pashkëputur për të, në pranverën e vitit 2011, pra afër 3 vjet më parë, shkëmbeva mesazhe me kolegun e mikun tim, Alfred Papuçiu, me banim familjarisht në Gjenevë. Siç e përmenda më lart, në atë kohë,  Vaçja kishte përvejtorin e lindjes dhe, meqenëse e dija se ai mbante lidhje familjare me të dhe unë nuk e kisha e-mailin, iu luta që t’ia dërgonte asaj një urim timin. Tani, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, që po e publikoj, për herë të parë, mesazhin tim, dërguar këngëtares sonë të madhe, Vaçe Zela, e cila jetonte familajrisht në Bazel të Zvicrës. Pra, ja teksti i plotë i përshëndetjes sime:

“VAÇE ZELËS: MESAZH  NDERIMI E URIMI, NË 72-VJETEORIN E DITËLINDJES

E nderuara dhe e respektuara Znj. VAÇE ZELA,
Njeriu i mirë, Artiste e Madhe e atdhetare e shquar,
“Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit” – ZVICËR
Ju përshendes nga zemra dhe ju uroj gjitha të mirat e kësaj bote, në 72-vjetorin
e ditëlindjes suaj!
Ashtu siç e keni shprehur dhe ju shpresën e zjarrtë, për ta parë edhe një herë Shqipërinë, vendlindjen tuaj te dashur, dhe unë kam dëshirën e madhe që kjo ëndërr e bukur t’u realizohet sa me shpejt dhe ju të ndodheni përsëri ndërmjet artdashësve të panumert dhe popullit tuaj, që aq shumë ju do dhe ju respekton.

 
Që në vitet e rinisë sime, ashtu si për intelektualët e tjerë dhe mijëra e mijëra shqiptarë, ju mbaj mend e ju kujtoj, se keni qenë dhe mbeteni Ylli i pashuar dhe dritëplotë i këngës dhe artit shqiptar.
Jam i bindur se zëri dhe shpirti juaj i ndjeshëm, është prekur aq shume gjatë jetës, sa dhe ua ka kufizuar, sadopak në vitet e fundit, gjendjen tuaj shendetësore. Por jam i sigurtë, se ju keni qenë dhe jeni një Shqiponjë, gjithnjë në fluturim dhe e paepur, pra do t’i mposhtni me guxim, si deri tani, të gjitha kufizimet e moshës e të sëmundjes dhe keni për të mbetur përherë e re, në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve, që e kanë përjetuar e dëgjuar zërin tuaj brilant dhe këngën tuaj aq frymëzuese për jetën.
Me dëshirën që mos t’u lodhi me këtë mesazh timin, përfundoj pa u zgjatur, duke ju uruar edhe një herë, shpirtërisht:
Shëndet të plotë e jetëgjatesi, sa ua dëshiron zemra dhe lumturi të pafundme familjare!
Me nderime dhe shumë respekt për Ju:
Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, Tiranë, 8 prill 2011”.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të shprehem se emri, zëri dhe kujtimi për Vaçe Zelën do të mbeten kurdoherë të paharruar e do të ruhen në mendjet dhe zemrat e brezave të shqiptarëve, në të gjitha trojet amtare e në diasporë.

Tiranë, 7 shkurt 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Murat Gecaj, Vace Zela

PPD DORËZOI KËRKESËN NË GJYKATËN THEMELORE TË TETOVËS

February 7, 2014 by dgreca

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dorëzoi sot pranë Gjykatës Themelore në Tetovë kërkesën për riregjistrimin e këtij subjekti politik, që doli me nismën për riaktivizimin e PPD-së në kuvendin e mbajtur më 24 janar në Tetovë, ku kryetar u zgjodh Abdylhadi Vejseli dhe kryetar i kuvendit të përgjithshëm, Nevzat Halili.

Përfaqësuesi i autorizuar i PPD-së, prof.dr. Zemri Elezi i shoqeruar edhe nga Teuta Llalla, Mevlan Tahiri.

Pas dorëzimit prof.dr.Zemri Elezi deklaroje per mediat e shumta te cilat ishin te pranishem.

“Sot dorëzuam dokumentacionin me kërkesën për regjistrimin e partisë ppd në regjistrin e gjykatës në Tetovë qu themelua në kuvendin e 24 janarit 2014. Kërkesa jonë është  bazuar në Ligj dhe e plotësuar në përputhje me ligjet për themelimin e partive. Ne dorëzuam dokumentacionin e plotë dhe ishin gjithë dokumentet që kërkoheshin. Ne sot i kishim të kompletuara mbi 1050 nënshkrime të plotësuara, me të gjitha dokumentet përcjellëse që është kushti thelbësor.  Prej të hënës PPD do të regjistrohet dhe do të rikthehet fuqishëm në skenën politike.

Pas kësaj edhe fillon konsolidimin në terren nëpër degë, nëndegë në të gjitha komunat e vendit”.

Tetovë, 7 shkurt 2014

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, Gjykata e Tetoves, PPD

A ËSHTË UKË RUGOVA DJALI PLANGPRISHËS?! DYSHOJ!

February 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pas arrestimit të Ukë Rugovës kam lexuar komente turlifare nga gazetarë që me kohë e kanë shitur profesionin, nderin dhe integritetin e tyre. Lidhjet klienteliste me politikën i kanë bërë ata bosë të kamur nga pseudogazetaria e tyre e trafikuar që u ka prodhuar mirëqënie, bollëk dhe përfitime. Kokëmajmur dhe qafëmajmur prej darkave, drekave dhe zdërhalljeve, ata tani japin leksione për drejtësinë, kur në fakt janë përçudnues të saj.

Ndërkohë, pozita e gazetarisë klienteliste, u ka hequr atyre të drejtën të flasin në emër të drejtësisë. Pa asnjë fakt, vetëm me akuza. Po a është e mundur që gazetaria investigative të bëhet nga çajtoret dhe kafenetë e Tiranës e Prishtinës apo nga zyrat lluksoze të politikanëve, nga ku prodhohen fabrikate për t’ia shërbyer pastaj shabllon një lexuesi thellësisht të politizuar, që e di se punë dhe bukë gjen vetëm kur je ose militant ose zagar i partive dhe sidomos i politikanëve.

Unë dyshoj tek ato që thuhen për Ukë Rugovën, sepse kam parasysh se kundër tij në prag të zgjedhjeve të 2010 e para u ngrit LDK, kur Uka ishte vetëm 30 vjeç dhe posa ishte kthyer nga një shkollim në SHBA. Nuk e donin në LDK pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në nën flamurin e rrentë të rugovizmit.

Atëherë ata a e urrenin Ukë Rugovën për fajin e vetëm se ishte i biri i Ibrahim Rugovës dhe duke qenë i ri në moshë nuk kishte kaluar si ata nëpër të gjitha ndyrësitë e periudhave të jugosllavizmit, titizmit dhe ish-jugosllavizimit e ish-titizmit. Ata kishin për Ukën një urrejtje të sëmurë të barabartë me atë të armiqve të Ibrahim Rugovës. Që atëherë m’u krijua bindja se kundër Ukë Rugovës posa kishte nisur një gjueti shtrigash nga klani më famëkeq i Kosovës që ka pushtuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës.

Dyshoj në përfshirjen në krim të Ukë Rugovës dhe në kapjen e tij si fajtor, sepse prej 1998 e deri sot në Kosovë flenë mijra dosje të krimeve të pazbardhura, të cilat presin drejtësinë e vonuar dhe të harruar.

Janë vrarë gazetarë, politikanë, biznesmenë dhe deri më sot nuk është kapur asnjë autor. Janë akuzuar dhe burgosur si fajtorë që pastaj kanë dalë të pafajshëm, ndërsa fajtorët bëjnë qejf.

Modus Vivendi në Kosovë e Shqipëri është se zyrtarët e lartë e të korruptuar janë peshkaqenët që nuk i kap kurrë rrjeta e drejtësisë, sepse drejtësia operon me grepa që të zgjedhur për të kapur vetëm cironka.

Bashkimi Evropian në vend që të obligojë kritere reciprociteti, i ve si objektiv Hashim Thaçit përnbushjen e detyrimeve ndaj minoritetit serb, duke lënë totalisht në harresë shqiptarët, që do të thotë shumicën e gërryer nga papunësia dhe pasojat që lindin prej kësaj plage. Thaçi kësisoj synon të përfitojë lobimin e serbëve, sepse ai i ka djegur të gjitha shanset për të fituar në zgjedhje.

Autorja e këtyre rradhëve kërkon barazi midis të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë etnie dhe religjioni kanë, pa harruar kurrë se shqiptarët janë viktima të dala pas një pushtimi mizor dhe lufte.

Për çfarë faji penalizohet shumica e popullsisë në Kosovë, dmth shqiptare, që nuk përfiton ende nga marrëveshja Schengen? A mos populli i thjeshtë i Kosovës ka bërë trafik vizash që trajtohet nga BE si qytetar i dorës së fundit në Europë dhe burgoset me izolim duke u getoizuar?!

Prandaj dyshoj në drejtësinë e cila është në një krizë të plotë morale.

Pastaj shkencërisht është e ditur se baza që i lind kriminelët zakonisht krijohet nga kushtet sociale mizerabël, prej injorancës, ekstremizmave dhe varfërisë, kushte të cilat Ukë Rugova nuk i përmbush. Ai është rritur, edukuar nga një baba të cilin Uka e quan Heroi im. Ne i kemi parasysh të gjithë bijtë e njerëzve të shquar. Ata janë pasardhës të denjë të etërve dhe gjyshërve të tyre. Përjashtim bën vetëm Djali Plagprishës.

Por mua më kujtohet prilli 1999 kur në redaksinë tonë na vinin e këmbëngulnin – më kot – të na impononim të botonim lajme sipas të cilave thuhej se Rugova kishte bërë pakt e shtrëngonte duart me Milosheviçin, ndërsa ne u thoshim me bindje se Ibrahim Rugova ishte peng lufte.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Uke Rugova

PROTESTA- 33 persona të arrestuar, 29 policë të lënduar

February 7, 2014 by dgreca

Deri më tani raportohet se 33 nga protesutesit janë arrestuar nga Policia e Kosovës.Në mesin e këtyre të arrestuarve është Ylli Hoxhaj, i Lëvizjes Vetëvendosje, këshilltar në Kuvendin e Kosovës.

Në mes të përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe Policisë së Kosovës, konfirmohet se janë lënduar tre policë, njëri nga ta i lënduar rëndë.Gjatë fjalimeve të kohëpaskohshme që po mbajnë studentët, thonë se në mesin e turmës ka policë civilë dhe që ju bëjnë thirrje të gjithë protestuesve që kur ti shohin këta policë civil i kapin dhe ti sjellin para policisë.Policia e Kosovës njofton se janë ndaluar nga policia 7 persona. Ndërsa raportohet se është arrestuar edhe anëtari i shoqërisë civile, Ilir Deda.

Për shkak të situatës së krijuar vërehet prani më e madhe e auto-ambulanteve, ndërkohë që është parë që edhe punëtorë të sigurimit të Rektoratit kanë ndihmuar Policinë e Kosovës për të arrestuar studentët.Njëri nga studentët i drejtohet Policisë së Kosovës, që ta lirojnë rektoratin që sipas tij këta të fundit e kanë vendin në stacion policorë.Të cilët po brohorasin “policia jashtë” dhe “mos e shkelni ligjin”.

Në këto momente ka arritur edhe ndihma e parë, që siç duket ka të lënduar.Protestuesit kanë filluar të përleshen me Policinë e Kosovës, duke tentuar të largojnë Policinë nga hyrja e rektoratit, në ndërkohë ata kanë hedhur sprej mbi protestuesit.

Rreth 200 studentë kanë filluar edhe të premten protestën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për të kërkuar kështu dorëheqjen e rektorit, Ibrahim Gashi.Është dita e nëntë që studentët e Universitetit të Prishtinës dhe anëtarë të shoqërisë civile do të protestojnë para Rektoratit të UP-së për të kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.Kërkesë e studentëve është dorëheqja e menjëhershme e rektorit Ibrahim Gashi, fillimi i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitet, përmirësimi i infrastrukturës në Qendrën e Studentëve dhe largimi i ndikimit të pushtetit në Universitet nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit sot do të vendosin për rekomandimet e propozuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas debatit shumë orësh që u zhvillua dje, rreth gjendjes në Universitetin e Prishtinës. (Kortezi:Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: Protesta e studenteve

NGA TAKIMET E PRESIDENTIT NISHANI NE WASHINGTON DC

February 7, 2014 by dgreca

Me 7 shkurt Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me Senatorin Benjamin Cardin, Kryetar i Komisionit amerikan të Helsinkit.

Presidenti Nishani, pasi i vlerësoi marrёdhёniet me Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs, si tё shkëlqyera dhe të një rёndёsie parёsore e strategjike pёr vendin tonё, vuri nё dukje me mirёnjohjembёshtetjen e gjithanshme amerikane, dhe veçanërisht ndihmën e pakursyer për forcimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, duke veçuar gjithashtu bashkëpunimin e dy vendeve tona në fushën e drejtësisë.

Presidenti nënvizoi, më tej, angazhimin tonё maksimal pёr intensifikimin e proceseve reformuese demokratike, forcimin e institucioneve në Shqipëri dhe përmbushjen e standardeve në funksion të mirëqenies sё qytetarëve dhe integrimit evropian.

Duke u ndalur nё rёndёsinё e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, çka, siç theksoi Ai,  reflektohet në ekzistencën e një bashkëjetese paqësore ndërmjet popullsisë shqiptare e pakicave, dhe në qëndrimet pozitive që ka mbajtur shteti shqiptar në respektimin me rigorozitet të parimeve të mbrojtjes së të drejtave të minoritetit, Presidenti vuri nё dukje se shqiptarët, me shpirtin e tyre tolerant, jetojnё nё njё harmoni tё plotё fetare dhe kanё treguar se jo vetëm bashkёjetojnё me tjetrin ndryshe, por edhe sakrifikojnë pёr mbrojtjen e tij, siç ёshtё rasti i shpëtimit tё hebrenjve gjatë Holokaustit.

Kreu i Shtetit e siguroi Senatorin Cardin pёr përkushtimin e Shqipёrisё në luftën kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore dhe kundёr korrupsionit, dhe pёr vendosmёrinё tonё pёr tё qenё pёrkrah Shteteve tё Bashkuara dhe aleatëve tanё në luftën globale kundër terrorizmit, si anёtarё tё koalicionit ndёrkombёtar kundёr terrorizmit, që herët, me deklarata politike dhe veprime konkrete.

Nё lidhje me politikën rajonale, Presidenti Nishani tha se Shqipëria mbetet e vendosur tё ndjekё politikёn e fqinjёsisё sё mirё, tё dialogut dhe bashkëpunimit, si qasje nё favor tё paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik tё vendeve tё Ballkanit dhe, nё kёtё frymё, ajo mbёshtet nё pёrgjithёsi dialogun mes vendeve nё rajon pёr zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve tё diskutueshme, duke u ndalur posaçërisht nё bisedimet Kosovё-Serbi, si modeli mё frymëzues se si, edhe pas njё tё shkuare tё hidhur tё afёrt, mund tё bisedohet, me vёshtrimin tek e ardhmja.

Senatori Cardin, nё reagimin e tij, e uroi Presidentin pёr zgjedhjet e përgjithshme tё verёs sё shkuar dhe e garantoi se Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs do tё jenё prapa Shqipёrisё nё procesin e integrimit evropian, ndёrsa rezervoi njё vlerёsim tё veçantё pёr Presidentin Nishani, pёr, siç u shpreh, pёrkushtimin e plotё dhe vizionin e qartё nё shёrbim tё vendit tё tij.

 Presidenti Nishani merr pjesё nё Mëngjesin e Lutjeve

Me date 6 shkurt Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani, i ftuar nga disa Kongresmenё dhe Senatorё, mori pjesё nё Mёngjesin e Lutjeve, një event i përvitshëm që organizohet nga anёtarёt e Kongresit Amerikan, në Washington D.C., të enjten e parë të muajit shkurt, aktualisht një seri takimesh ku zakonisht marrin pjesë rreth 3500 të ftuar, nga rreth 100 vende të botës.

Gjatё kёtij aktiviteti, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi takime tё shkurtra me Kongresmenё e Senatorё.

Presidenti Nishani u takua me Sekretarin amerikan tё Shtetit, John Kerry, me tё cilin shkёmbyen pёrshёndetje mirёsjelljeje dhe shfrytёzuan rastin pёr tё shkёmbyer mendime pёr marrёdhёniet mes dy vendeve dhe situatёn nё Shqipёri.

Presidenti Nishani takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Boehner

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit me 6 shkurt nё njё takim mirëseardhjeje nga Kryetari i Dhomës së Pёrfaqёsuesve, John A. Boehner, me tё cilin u shkëmbyen pёrshёndetjet e rastit dhe vlerësimet pёr marrёdhёniet ndërmjet Shqipёrisё dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs.

 Presidenti Nishani takohet me Zёvendёs Sekretarin amerikan tё Shtetit, Burns

Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani, gjatё qёndrimit tё tij nё Washington D.C., i ftuar pёr tё marrё pjesё nё Mёngjesin e Lutjeve, u takua me Zёvendёs Sekretarin amerikan tё Shtetit, William Burns.

Presidenti Nishani, nё fillim tё takimit,shprehu mirёnjohjen e thellё pёr çfarё Shtetet e Bashkuara kanё bёrё pёr Shqipёrinё dhe shqiptarёt, ndjenjё e cila do tё pёrçohet brez pas brezi.

Presidenti e siguroi zotin Burns se, si anёtarё tё NATO-s dhe si partnerё tё pёrkushtuar, ne do tё vazhdojmё tё japim kontributin tonё maksimal pёrkrah SHBA-sё pёr paqen dhe sigurinё kudo nё botё, nё luftёn kundёr terrorizmit ndёrkombёtar, si dhe pёr paqen e stabilitetin e qёndrueshёm nё Ballkanin Perёndimor nёpёrmjet politikёs sё fqinjёsisё sё mirё e mirёkuptimit dhe mbёshtetjes sё dialogut e bashkёpunimit rajonal me synimin e pёrbashkёt integrimin euroatlantik.

Mё tej, Kreu i Shtetit vlerësoi shumё lartndihmёn e vazhdueshme dhe tё pakursyer tё Administratës amerikane në fusha të rëndësishme ku janë drejtuar edhe reformat e vendit, për forcimin e demokracisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës, si dhe shprehu bindjen në vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje.

Presidenti Nishani tha gjithashtu se, pas mbёshtetjes vendimtare amerikane pёr anëtarёsimin e Shqipёrisё nё NATO, SHBA-ja ka mbështetur vazhdimisht integrimin evropian të Shqipërisë, duke qёndruar pranë nesh me mbështetjen e reformave, me veprime diplomatike dhe me këshilla miqësore, ndёrsa, e vuri nё dijeni bashkёbiseduesin pёr angazhimin e institucioneve shqiptare dhe pёrgjegjёsinё e tyre nё vazhdimin e reformave pёr arritjen e standardeve evropiane. Nё kёtё kontekst Ai veçoi rolin dhe vendosmёrinё e Presidentit pёr tё mbёshtetur nё tёrёsi procesin e reformave, dhe, nё mёnyrё tё veçantё, reformimin e drejtёsisё bazuar nё parime dhe kritere tё drejta, duke garantuar mbrojtjen e saj nga ndёrhyrjet e politikёs dhe influencat e grupeve tё interesit.

Nё ndёrhyrjen e tij, Zёvendёs Sekretari i Shtetit, William Burns, tha se ndante tё njёjtat mendime me gjithçka u trajtua nga Presidenti dhe shprehu vlerёsimin pёr pёrparimin shumё tё madh tё vendit.

Mё tej, zoti Burns vuri nё dukje se Shtetet e Bashkuara e çmojnё kontributin e Shqipёrisё nё Afganistan, tё cilin e vlerёsoi si pozitivisht disproporcional me popullsinё dhe shfaqi shpresёn nё angazhimin tonё tё mёtejshёm.

Nё lidhje me integrimin evropian, Zyrtari i lartё amerikan theksoi se, edhe pse nuk kanё njё votё nё Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara do ta mbёshtesin sa tё mundin Shqipёrinё nё kёtё proces.

Zoti Burns nёnvizoi se nё Washington admirojnё punёn e Presidentit dhe e inkurajojnё nё pёrpjekjet pёr forcimin e drejtёsisё dhe ruajtjen e dialogut politik.

Bashkёbiseduesit ndanё mendime tё njёjta pёr rolin e Kosovёs si faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal dhe mё gjerё dhe nevojёn qё Shtetet e Bashkuara tё vazhdojnё tё jenё tё pranishme nё Kosovё  dhe rajon.

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT