• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Pëllumb Xhufi po n’a shet librat e Hoxhës…

February 26, 2014 by dgreca

Opinion nga Ajet Nuro/

Historiani Pëllumb Xhufi, mori përsipër të bëj një vlerësim të figurës së Enver Hoxhës dhe kuptohet që nisja e shkrimit është vërtet simpatike nga ana e tij. Ai thotë pak a shumë, nuk mund të flasim sot për Enverit, është herët dhe e di që do më kritikoni por unë as që dua t’ia di…Kjo edhe për të thënë se ndonjë nga skllevërit e Hoxhës edhe mund të flasi por, ai e ka nga inati, nga emocionet etj etj. Madje për të mos u kritikuar ai n’a flet për të drejtat e njeriut të nëpërkëmbura nga Hoxha por kjo nuk ka rëndësi …

Po guxoj të jap një mendim ndonëse edhe unë do bie viktim e faktit që të kundërshtosh një historian është e paimagjinueshme, madje sipas mendimit popullor ne mund të hamë ç’do lloj produkti të servirur nga historianët shqiptarë. Pikë.

Por, po marr guximin e të them se z. Xhufi gabon dhe gabon rëndë. E para, kur shkruan një historian nuk shkruan llafe pazari si « filani e ka vlerësuar dhe ai tjetri e ka hedhur poshtë » por publikon dokumenta ku vërtetohet njëra dhe tjetra. Dhe të them të drejtën nuk më bënë përshtypje që historiani ka qenë dëshmitar kur është pyetur Sali Berisha se çfarë mendon për diktatorin Hoxha. Nuk më bënë përshtypje as fakti që pasardhësi i radhës së partisë së Hoxhës, Edi Rama është antienverist. Ajo që më bënë përshtypje është përkufizimi i nacionalizmit dhe sidomos fakti që në Shqipëri fjalën nacionalist (siç e njohim ne në kuptimin më të mirë të saj) nuk ka të drejtë t’a përdorin ata që u quajtën balli i kombit, as legalistës por pikërisht Hoxha. Dhe kjo me një përgjithësim absolut duke cituar edhe emra nacionalistësh që nuk ishin gjë tjetër veç ca provincial që shikonin veç interesat e ngushta të krahinës që i përkisnin. A nuk duket pak simplist (i thjeshtëzuar…) ky gjykim? A nuk n’a mëson të njëjtën gjë Enver Hoxha me librat e tij që i nxorri çuditërisht para se të vdiste? Hoxha nuk thoshte asgjë tjetër veç asaj që të gjithë nacionalistët që nga kunati i tij, ishin kundër interesave të Shqipërisë dhe që të gjithë ata që nuk iu bindën atij merituan plumbin. Pra, Xhufi, po n’a shet librat e Enverit?

Mund të ketë të drejtë z. Xhufi se shoqëria shqiptare nuk është e gjitha shoqëri historianësh dhe ata i gëlltisin të gjitha por, lutje, shkruani çfarë të doni veç mos shkruani se këtë e bëni në emër të së vërtetës historike. Sepse, do të duhej të shkruanit diçka për Mukjen, për ata bij nënash që u vranë pikërisht pse ishin nacionalist dhe e donin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën, se do të duhej të shkruanit se Enveri tërhoqi 2 divizione partizane nga Kosova fill pas çlirimit të saj për t’i hapur rrugë raprezaljeve të Tito-Rankoviçit, ndërsa, nacionalisti që vetquhej « internacionalist » që gjoja i qenka ankuar Stalinit e dinte mirë se pas ’45 kufijët nuk mund të ndryshoheshin me dhunë.

Sa ishte gjallë Hoxha, nuk linte rast pa thënë : « Ne jemi diktaturë e proletariatit ». Do të desha që historiani Xhufi, të më nxjerr një proletar që i doli para Enverit për t’i thënë « unë shuku Enver jam proletar dhe në pushtet, më lejon mos të shkoj në votime? Më lejon të ha bukë gruri dhe jo bukë misri, më lejon të shkoj të jetoj në Tiranë, aty ku ka edhe historianë? …» Nëse e gjeni këtë proletarin që ishte në pushtet, quajeni Enverin hero, se dekoratat i ka ai, veç përditësojani. Por, të gjitha këto diskutime për diktaturën dhe diktatorin bëhen sepse ai kurr nuk u gjykua dhe siç po duken punët po përgatitet edhe kthimi i tij triumfal. Mjerë proletarët që do vijnë në pushtet me të ….

Montreal, 26 shkurt 2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: e Enver Hoxhees, pellumb xhufi, po na shet librat

Trajtimi i hapësirave publike në Kosovë

February 26, 2014 by dgreca

Shkruan:arch. Ylber Vokshi Ylli/ Prishtinë/  

 Hapësirat publike urbane dhe rurale janë hapësira të qyteteve dhe fshatrave tona, janë të ndërlidhura me hapësirat fizike dhe  jetën e përditshme. Ato janë të shumë qëllimshme,hapësira të arritshme të cilat janë të dallueshme, këto hapësira kontribuojnë në formulimin tonë të identitetit urban rural. Ato janë hapësirat e përvojës së përditshme të jetuarit, ku njerëzit punojnë, udhëtojnë, pushojnë, dhe ndërveprojnë, si për shembull, rrugët e këmbësoreve dhe biciklistëve, sheshet e vendbanimeve, parqet, bibliotekat, aeroportet etj. Në princip uzurpimet e hapësirave publike urbane dhe rurale janë në kundërshtim me normat dhe standardet Hapësinore dhe Urbanistike ndërkombëtare.

Në procesin e rindërtimit në Kosovë pos shkatërrimeve të mëdha gjatë luftës së vitit 1999,ka pasur shumë anomali teknike dhe urbanistike,të cilat disi janë toleruar për një kohë të shkurtër në emër të një qëllimi madhor. Po si janë trajtuar hapësirat publike këto pesëmbëdhjetë vite ?Një fenomen,i cili për momentin nuk është aktual në Kosovë,është dehumanizimi i hapësirave publike,dhe tendencat e shoqërive të zhvilluara për të kthye ato ne relacione normale. Kemi studime të shumta që po trajtojnë anën humane,urbanistike,arkitektonike,sociale,psikologjike,filozofike,për me e avancuar ketë problematikë. Kemi raste të shumta ku janë krijuar vendtubime të jashtme (kafe-bare) edhe në hapësirat ekzistuese të gjelbëruara (parqe),natyrisht me shërbime të domosdoshme përcjellëse për këto raste.

Ndoshta pa vetëdije,duke i kopjuar modelet perëndimore në qytetet tona e posaçërisht në Prishtinë po vërehen tendenca që hapësirat publike të rregulluara si janë terrasat e lokaleve hoteliere të “shkrihen” në një me lëvizjet e caktuara për këmbësor,që në aspektin e humanizimit të hapësirave publike është pozitive dhe duhet përkrahur si “trend” i ri.

Aspekti tjetër është edhe ofrimi i shërbimeve të ndryshme në këto hapësira,assesi nuk duhet larguar këto shërbime të cilat i bëjnë ma atraktive dhe ma humane këto hapësira. Me zgjidhje urbanistike profesionale duhet caktuar numrin,vendet,llojet e tyre kurse me konkurse lokale duhej të zgjedhën format adekuate arkitektonike (dizajni urban) për vendbanimet e ndryshme në Kosovë,kjo është praktikë normale në tërë botën e civilizuar.

Rast për tu përshëndetur është rruga këmbësore “Nëna Tereza” në Prishtinë,Çarshia e Madhe e Gjakovës,ku është arritur në mënyrën ma të mirë të bëhet sinkronizimi i funksioneve hoteliere,zejtare dhe të lëvizjes së këmbësorëve në një pjesë të saj pa komunikacion,që duhet vlerësuar. Raste të ngjashme kemi edhe në disa qytete në Shqipëri,rruga e këmbësorëve në Shkodër,“pedenalja”në qendër të qytetit të vjetër funksionon me vite,ku kjo dukuri e humanizimit të hapësirës publike është normale,dhe është treguar e suksesshme.

Ishim dëshmitarë të veprimit të përgjegjësve komunal në Prishtinë,me largimin herë pas hershme e shitësve ambulant nga bulevardi qendror i kryeqytetit,kjo u tregua e pa suksesshme. Duhet pranuar realitetin e ri ,duhet respektuar ata shitës që me ofrimin e shërbimeve të tyre vetëm begatojnë hapësirën publike aty. Nga aspekti urban duhet lejuar funksionimin e tyre me disa kushte paraprake dhe reale si është dizajni arkitektonik dhe urban i celulave-pulteve shitëse,caktimi i saktë i lokacioneve në përputhje me kërkesat dhe kriteret urbane për të mos penguar lëvizjen e banorëve, caktimi i llojeve të shërbimeve që do të dalin nga një studim apo projekt detal urban. Kjo metodë e punës preferohet edhe për vendbanimet e tjera në Kosovë.

Si duket edhe vendimmarrësit në kryeqytet për ketë kohë sado të shkurtë që janë në pushtet,kanë filluar të binden se në trajtimin e hapësirave publike duhet ndryshuar diçka pozitivisht. Nuk duhet pasur mendësi të para pesëdhjetë viteve,këto hapësira duhet trajtuar ndryshe me kërkesat e gjeneratave të reja të shekullit XXI. Dukurit “shqetësuese” për banorët që jetojnë në ato hapësira janë  çështje teknike që kanë zgjidhje,përderisa menaxhohen si duhet nga Komuna.

Ideja për mbylljen e rrugëve për qasjen e automjeteve jo rezidente në qendrën e vjetër të qytetit do të duhej përkrahur,si është rasti me rrugën “Rexhep Luci” e cila me kthyerjen e sajë në rrugë këmbësore (pedonale),vetëm kishte mundësuar kthimin e qetësisë që banorët e asaj rruge po e kërkojnë që shumë vite. Me një studim profesional urbanistik dhe intervenime të vogla urbane,do të mundësohej qasja në parkingje dhe garazhet ekzistuese të vetë banorëve rezident në ketë zonë. Furnizimi me orar të caktuar i lokaleve,e çka është ma e rëndësishme kontroll rigoroz dhe permanent i funksionimit të atyre lokaleve hoteliere si pika potenciale të zhurmës,duhej të ishin qenësore për Komunën.

Në ketë mënyrën do të zhdukej komunikacioni në ketë rrugë “qorre” si shkaktari ma i madh i zhurmës dhe ndotjes së mjedisit dhe “konflikteve” të përditshme në ketë rrugë,për fat të mirë pa pasoja fatale. Do të fitohej një funksion i ri urban me ndërlidhje me pjesën lindore të qytetit me rrugën këmbësore “Nëna Tereza”,kështu do të ishte mirë të mendohet edhe për rrugët tjera që gravitojnë qendrën e qytetit.

E dimë,jemi të vetëdijshëm se trajtimit të këtyre hapësirave aspak nuk iu është përkushtuar ndonjë vëmendje e duhur,ashtu si e kërkojnë kërkesat e kohës dhe të gjeneratave të reja. Pushtetarët ma shumë kanë qenë të angazhuar se si me i keqpërdor këto hapësira se sa me i humanizuar ato dhe me i bërë sa ma të afërta banorëve. Ka pasur disa tentime sporadike individuale por ato janë të pa mjaftueshme. Nuk jemi ne ata të gjykojmë fajtorët e të kaluarës,koha do të tregon atë.

Ka mundësi të shumta që me pak mjete materiale,me intervenime të vogla urbane,me angazhimin e të gjithë atyre që e kanë detyrë dhe përgjegjës,jeta urbane në kryeqytet dhe në vendbanimet tjera në Kosovë të begatohet të  fitoi kualitete të reja ,të avancuara drejt një jete normale të banorëve të saj.

Prishtinë,Me 26.02.2014                                                                 

arch. Ylber Vokshi Ylli,  arkitekt i pavarur ylberv@yahoo.com

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, ne Kosove, Trajtimi i hapsirave publike

VIKTIMAT E DHUNES NE FAMILJE MUND TE FITOJNE STATUS TE LIGJSHEM

February 26, 2014 by dgreca

NGA DEA SHKUPI/ Avokate/

Shume shpesh me bie rasti te takoj emigrante, sidomos gra dhe nena shqiptare qe kane ardhur ne Shtetet e Bashkuara me bashkim familjar pas nje martese te shpejte ne Shqiperi dhe pa e njohur mire bashkeshortin. Per fat te keq shume nga keto martesa nuk funksionojne dhe shkaktojne nje vartesi te personit te sponsorizuar nga bashkeshorti me status qytetaresie apo me karte jeshile.

Shume njerez qendrojne ne keto martesa dhe durojne situata nga me te rendat, per shkak te frikes se do t’i kthejne nga kane ardhur. Ato durojne shume dhune e shume fyerje e poshterime me shpresen se nje dite do te fitojne statusin legal. Shpesh sponsorizuesi e perdor kete per t’i mbajtur shtypur e per te vazhduar abuzimin.

Pasi kam marre shume e-maile dhe telefonata per kete ceshtje, kam vendosur t’i drejtohem publikut Shqiptar me disa shpjegime persa i perket statusit te viktimes se dhunes ne familje.

Ne qofte se ju jeni martuar me nje qytetar Amerikan ose Permanent Resident, dhe jeni duke vuajtur per shkak te abuzimit te ketij personi ndaj jush ose femijeve tuaj, ju nuk keni pse te qendroni ne ate situate por mund te aplikoni per te marre status si viktime e dhunes ne familje. Kjo dhune nuk ka nevoje te jete vetem fizike. Abuzimi psikologjik konsiderohet gjithashtu i mjaftueshem per te kerkuar statusin si viktime e dhunes ne familje. Ne qofte se bashkeshorti ose bashkeshortja juaj, ju ofendon me fjale te ndyra, ju flet ne nje menyre te tille qe ju ben gjithmone te ndiheni i/e poshteruar, ka shume mundesi qe juve mund te fitoni status si viktime e dhunes ne familje. Shembuj te tjere jane: ne qofte se bashkeshorti/bashkeshortja juaj kontrollon gjithe financat e shtepise dhe nuk ju lejon juve te dini ose te merreni me gjendjen financiare te familjes tuaj; bashkeshorti/bashkeshortja juaj lejon abuzim ndaj jush prej anetareve te tjere te familjes; etj.

Pas aprovimit te aplikimit te statusit te viktimes se dhunes ne familje, juve mund te aplikoni per green karte nje vit pas aprovimit te statusit. Qeveria Amerikane i ka dhene mundesine me kete peticion, mijerave emigrante qe te bejne hapa drejt legalizimit pa qene nevoja te qendrojne nen zgjedhen e nje bashkeshorti/bashkeshorteje abuzuese.

Megjithese ligji mbi te cilin bazohet ky peticion quhet Akti Kundra Dhunes ndaj Grave (VAWA), ky ligj i aplikohet gjithashtu edhe burrave te martuar me qytetare amerikane ose permanent resident qe vuajne nga nje situate e tille ne familje. Dhuna ndaj familjareve eshte shume me shpesh psikologjike sesa fizike, dhe shume njerez mund te ndodhen ne nje situate te tille dhe nuk e kuptojne as vete.

Martesa dhe familja jane institucione te shenjta dhe eshte krim te abuzosh situaten dhe te ushtrosh dhune ndaj personit me te afert ne familje, sidomos kur ata varen nga ju. Shteti Amerikan e lufton dhunen ne familje me ane te ligjeve te ndryshme qe i hapin rrugen viktimave te kerkojne ndihme dhe strehim nga dhuna e familjareve te tyre. Keto ligje perfshijne edhe emigrantet te cilet nuk duhet te kene frike te kerkojne ndihme ne situtuata te padurueshme dhe cnjerezore.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: avokate, Dea Shkupi, mund et fitojne, ne familje, status te ligjshem, Viktimat e dhunes

Përvjetori i një masakre të pashembullt

February 26, 2014 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Duke parë filmin në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Në të njejtën kohë kujtoj edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera që u degdisën në vendet më te humbura të atdheut tonë. Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” thuhet: “Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa. zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi: Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë, duke i etiketuar kolaboracionistë të fashizmit e të tjera epitete.

Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e Komunizmit’ Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata  të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, zotit Ilir Meta, por ajo mungoi. Përse? Deri në vitet 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Lidhur me këtë  në një intervistë që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë,  kohë  më  parë, televizionit  “Top Channel”,  deklaroi:

Në  Gjermani  dhe  në  Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument, aq më tepër kur ekziston edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave për të? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar këto ditë, kur kremtuam përvjetorin e rrëzimit të  atij  monumenti.  Ky  do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër:

  Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.

 Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze.

          Për sa më sipër, unë mendoj se megjithëse kanë kaluar mbi njëzetetre vjet nga ndryshimi i sistemit politik, në vendin tonë vazhdon të mbizotërojë mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike dhe realitetin e sotshëm. Sot, në vendin tonë, kemi një armatë të madhe të rinjsh, të shkolluar në universitetet më në zë të botës perëndimore, me tituj dhe urdhëra të çmuar. Përse nuk thirren ata dhe të vendosen në vendet kyçe të institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore, por vazhdojnë të qëndrojnë ende figura të përlyera nga sistemi komunist?

Vajza e një mikut tim, emirante në Greqi, përfundoi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Shtatë universitete amerikane u vune në garë se kush do ta merrte. Sot ajo vazhdon studimet atje. Po Shqipëria deri kur do të lejojë t’i rrjedh truri i saj? Kur do të kujtohet për bijtë e vetë që ndodhen në botë?

Kjo pyetje kërkon përgjigje.

*   Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Filed Under: Opinion Tagged With: i nje masakre, pervjetori, reshat kripa

OPOZITA DHE POZITA KOPJE TË NJËRA TJETRËS …

February 26, 2014 by dgreca

OPOZITA PA KAUZA DHE PA KREDIBILITET NDËRSA POZITA PA SHTET/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Votimi kundër i KLD për ish-prokuroren Ina Rama tregon se sa e përfshirë është politika në institucionin e drejtësisë. Pa pavarësi, ky institucion është farsë. Pa drejtësi, sistemi nuk funksionon dhe shteti kthehet në rrezik për shoqërinë.
Siç po duket,po ngjet ajo që pritej. Në vend të civilizimit, bashkëpunimit, konsensusit, marrëveshjes – politika po riciklon veten duke ndryshuar vendet. Atë që bënte ish-opozita, tash po e bën ish-maxhoranca. Politikanët shqiptarë janë mjeshtra të trafikut. Pa moral, pa ideale, pa katharsis, pa kauza.
Vendi vuan nga varfëria, shqiptarët vuajnë tmerrin nga krimi dhe kriminelët e paguar, nga frika e largimit prej punës, sepse, sa vjen në pushtet një maxhorancë e re, gjithë administrata publike pararendëse, e kompozuar si formacion militantësh, detyrohet t’ia lëshojë vendin armatës së re të militantëve.
Prandaj seicila palë kërkon fitore me çdo kusht dhe pushtet me çdo kusht. Jo për të qeverisur më mirë, por për të vazhduar keqqeverisjen e cila po i penalizon shqiptarët prej 23 vitesh rradhë.
Janë me mijëra studentë shqiptarë, të diplomuar shkëlqyeshëm në Univerisitetet europiane të cilët nuk kanë asnjë shans punësimi as në vendin e tyre dhe as në shtetet e BE, sepse Shqipëria është jashtë Europës. Ky kontigjent, që do t’ia ndryshonte faqen vendit, nuk ka asnjë treg pune në Shqipëri, sepse këtu nuk ekziston kultura e meritokracisë dhe Shqipëria dallohet si një vend që prodhon tonelata diploma fallco. Degradimi është i thellë. Disa ditë më parë ministrja e Arsimit shkoi në gjimnazin e Pogradecit, sepse, nga 400 e ca nxënës, ky gjimnaz frekuentohej vetëm nga 60 syresh.
Në këto kushte, vendi ka nevojë të shpallë gjendjen e alarmit të kuq, të rrezikut eminent. Vendi ka nevojë që politika të bëj deal, për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura e antiligjit. Kjo kërkon konsensus.
Por opozita në vend të katharisit pas humbjes, s’ka bërë gjë tjetër veç i ka zëvenndësuar bilbilat e ish-opozitës në paralament me vuvuzelat në bulevard.
Ish-opozita më 21 janar 2011 synonte skenarin e një Pranverë Arabe, sot ish-maxhoranca synon skenarin e Ukrainës.
Po më thoni cili është Viktor Yanukovych-i shqiptar antieuropian? Përgjigja e menjëhershme: klasa politike është Yanukovych-i shqiptar, e cila nuk po lejon integrimin e Shqipërinë dhe shqiptarëve në Europë, ëndërra e të cilëve ka qenë „ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa“. Ky slogan përbënte edhe kauzën për ata qindramijë shqiptarë që u ngritën në këmbë për të përmbysur diktaturën.
Sot opozita është pa kauzë dhe gati pa lider, sepse Lulzim Basha s’ka vizion personal dhe është në funksion të atij që e emëroi.
Por ajo që është fondamentale, është se opozita nuk ka as kauzë dhe as kredibilitet.
Ne shohim vetëm katrahura parlamentare me sharje, fyreje dhe akuza. Një opozitë pa kauza, që operon si kopje e ish-opozitës, është mjerim kombëtar.
Mungesa e drejtësisë, ku ligjin e bën më i forti, e ka ngritur në kult pandëshkueshmërinë. Përgjegjësi për këtë mban pozita dhe opozita së bashku, që janë duke u kthyer në rrezik kombëtar për vendin, sepse, për mosintegrimin e Shqipërisë në BE, ata prodhojnë armiq inagjinarë, në vend që të penalizojnë fajtorët e vërtetë.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, kopje te njera-tjetres, Opozita dhe pozita

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT