• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

GURËT E RUBINIT ATDHETAR TË AZGAN HAKLAJT

February 2, 2014 by dgreca

Nga Sali MANDRI/

Personaliteti i Azgan Haklaj përbëhet nga tre gurë të ndritshëm Rubini.Guri i parë është guri politik, ku Haklaj me karizmën dhe qëndresën e pashembullt u bë një model i triumfit të lirisë dhe të drejtave njerëzore, qoftë edhe nga qelitë e neo-diktaturës ku e izoluan për shkak të hapsirave të lirisë që ai zotronte brenda shpirti të tij.

Guri i dytë është guri artistik. Artist i lindur, bir i ujrave të kristalta dhe i drurëve magjik shekullor. Haklaj e kishte dhe e ka “thembrën e Akilit” në këmbë, teksa në valle fluturon si shqiponjat e maleve të tij krenare.

Guri i tretë, jo më pak i ndritshëm, është ai publicistik, angazhimi i tij në vektorin e të drejtës shqiptare kundër devijimit dhe manipullimit historik, kundër dallkaukëve dhe puthadorëve, kundër jeniçerëve të së keqes dhe kurorëshkelësve të atdhetarisë.

Të tre këto gurë vezullues bashkohen e shkrihen me diamantin e madh të veprimtarit të përkushtuar të çështjes kombëtare, duke vazhduar devizën e të parëve të tij, që u bënë flakadanë lirie në qiellin e qëndresës shqiptare.

Nëse të parët e tij i kulmuan armët e lavdisë në betejat e trojeve etnike Azgan Haklaj, ky pinjoll i ri i derës historike kulmon mbresa, reflektimet, replikat, shpirtin polemik në qindra shkrime dhe opinione që synojnë të mbajnë ndezur pishtarin e të drejtës kombëtare.

Azgan Haklaj e ka marrë gurin e vendlindjes, gurin e Shkëlzenit dhe e ka mbjellë me dashuri kudo ku ka shkelur:  në Tiranë, Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Gjilan,Artë e Filat, e ka mbjellë në Sarandë në thellësi të ujrave të Jonit, në malet e Sharrit, në grykat e Kaçanikut, në ugarët e Lushnjës e Ksamilit, në Shosh, Theth, Kelmend, Dibër, Lumë, Drenicë, bashkë me tingujt magjikë të Arif Vladit, Fatmira Breçanit, Gëzim Nikës, Shaban Zenelit, bashkë me trazimet poetike të Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Ismail  Kadaresë, Dritëro Agollit, Hamit Aliajt, në ujëvarën e hapave magjik të Besim Zekthit, Rexhep Çelikut e Liri Cingut duke qenë vetë një artist i përmasave europiane.

 

Si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, ka mbjellë në çdo cep të Shqipërisë jo vetëm këngën dhe vallen, vargun poetik dhe meloditë e etno-fisnikës sonë kolektive, por edhe shpirtin e tij të bardhë si bora e Korabit dhe Shkëlzenit.

Azgan Haklaj e ka marrë gurin mitologjik të Sifizit dhe e ka ngjitur përpjetë kohës së tij me një kurajo dhe mundim sizifian, por ndyshe nga heroi mitik Haklaj e çon gurin gjer në majë dhe nuk e lë të rrokulliset poshtë.

Shqiptaria e Haklajt, shqiptaria e Fishtës, Konicës, Lasgushit, Mjedës, Ali Ahmetit, Dedë Gjo Lulit, Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës, Ismail Kadaresë, Ramush Haradinajt, është Shqiptaria Reale, e cila tashmë nuk është një iluzion por një realitet në veprim.

Për nga shpirti polemist Haklaj mund të quhet një Konicë i ri. Por ai nuk e ka polemikën qëllim në vetëvete, por një mundësi për të shprehur opinion e tij të shëndetshëm dhe për të vënë piketa atdhetarie në kohën e tij.

Librat e Azgan Haklajt janë dëshmi e gjithë kësaj tabloje mbresëlënëse, të cilën ai e ka krijuar me një përkushtim të admirueshëm.

Librat e tij janë një tjetër Gur Rubini që i bashkohen vektorit të shpresës shqiptare për një komb natyral në Europë.

* Poet, publicist,   Dibër

 

Filed Under: ESSE Tagged With: atdhetar, Azgan haklaj, guret e rubinit, Sali mandri

ME 26 PRILL DO TË MBLIDHET KUVENDI I VATRËS

February 2, 2014 by dgreca

 Të dielën me 2 Shkurt 2014 u mblodh Këshilli i Vatrës, i cili vendosi që me 26 prill 2014 të mblidhet Kuvendi i punës i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”./

Të dielën me 2 shkurt u mblodh në mjediset e Shtëpisë së Vatrës Këshilli i Vatrës nën drejtimin e dy nëkryetarëve , z. Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati.

Takimin e ka hapur zv/Kryetari Agim Rexhaj, i cili e njoftoi Këshillin me rendin e ditës dhe informoi për zhvillimet në viset shqiptare, gjendjen në Shqipëri, mosmarrja e statusit, gjendja në Maqedoni- shqetësimi i bashkadhetarëve për devijimin e lumit Radika, problemet në Kosovë, bisedimet Kosovë-Serbi, që nuk i kaën dhënë asgjë Kosovës, ndërsa Serbisë-statusin e kandidatit për në BE, ndërkohë që Shqipërisë i refuzohet, ndërsa Evropa hesht për mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nga ana tjetër shqiptarët në Mal të Zi, vazhdojnë të prezantojnë mosmarrëveshje mes forcave politike, duke shtuar në zinxhirin e humbjeve edhe humbjen e mazhorancës në Ulqin, -ai prezantoi edhe problemet e pazgjidhura të komunitetit cam etj.

Zv/kryetari i Vatrës, z. Asllan Bushati informoi Këshillin për protestën kundër Peshkopit grek të Shqipërisë të udhëhequr nga “Rrënjët Shqiptare” dhe e mbështetur fuqisshëm nga Vatra dhe organizatat e tjera të komunitetit. Ai tregoi për të gjitha takimet që u zhvilluan para protestës, duke u ndalur vecanërisht në takimin që u zhvillua mbrëmjen e 27 Janarin në zyrën e ansambleistit Mark Gjonaj, i cili ishte moderator i takimit. Z. Bushati solli detaje nga qëndrimi i përfaqësuesëve të Vatrës në këtë takim si dhe përcjelljen e mesazhit të Kryetarit të Vatrës, dr. Gjon Bucaj, për  bishop Nikon.

Më pas z. Bushati informoi për protestën që u zhvillua në mbrëmjen e 28 Janarit në hyrje të Universitetit të  Fordhamit, ku përfaqësimi i vatrës ishte i kënaqshëm.

Në këtë pikë të rendit të ditës informoi edhe anëtari i Këshillit të Vatrës, Zef Balaj, i cili ishte i pranishëm në të dy takimet, si në atë që u zhvillua në datën 25 janar në Shtëpinë e Vatrës ashtu edhe në takimin e dytë të zhvilluar në zyrën e z. Mark Gjonaj.

Në këtë pikë diskutuan edhe Kris Kirka, Dalip Greca, Uk Gjonbalaj, dr. Skënder Murtezani,  e të tjerë.

Një informacion të zgjeruar solli zv/kryetari Bushati edhe rreth veprimtarisë përkujtimore kushtuar Gjeneral Abaz Kupi, ku pati përfaqësimine  vet edhe Vatra, vizitës që bëri në Vatër z. Eduard Ndreu etj.

Një informacion të detajuar për gjendjen financiare të Vatrës dha arkëtari Marjan Cubi. Edhe rreth kësaj pike pati diskutime.

U shoqërua me duartrokitje dhurimi i 1000 dollarëve nga vatrani Mustafë Elezaj.

Editori i gazetës, Dalip Greca paraqiti një raport me shkrim për gazetën Dielli, gjendjen e saj, problematikat e trajtuara, bashkëpunimet, etj. Ai kërkoi më shumë bashkëpunim nga degët e Vatrës, më shumë kontribute në shkrime nga Kryesia e Vatrës, nga Këshilli, më shumë mbështetje financiare nga biznesmenët vatranë etj. Po ashtu ai kërkoi që Dielli duhet me domosdo të ketë edhe editorin e anglishtes me qëllim që gazeta të ketë më shumë efekte në insitucionet amerikane. Gazeta , tha ai, shkon në Departamentin e shtetit, në Librarinë e Kongresit, në Librari të shumta, Universitete dhe institucione amerikane, dhe duhet të ketë më shumë shkrime në anglisht. Një arsye tjetër për të forcuar këtë seksion është edhe shtimi i interesimit të berzit të ri të lindur në ShBA. Që ta marrin gazetën ata duhet të gjejnë veten.

Gjatë mbledhjes së Këshillit u diskutua edhe për komisionin që po punon me Kanunoren duke i bërë shtesa në përshtatje me kohën e sotme. Ky komision i kryesuar nga juristi Bashkim Musabelliu, ka në përbërje të vet edhe juristë të tjerë si: Adrian Neritani, Vedat Gashi, Adrian Gjoka, Ylli Cakami, Nazo Veliu. Në këtë komision kontribuojnë edh kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj,editori i Diellit Dalip Greca, Kris Kirka, Zef Balaj , Zef Përndocaj etj.

Ky komision do të cojë më tej punën e nisur që nga Kuvendi i shkuar për të sjellë përmiërsimet e diktuara nga koha Kanunores.

U bënë diskutime edhe rreth Kuvendit të Vatrës dhe u ra në një mendje që ai të mblidhet me 26 prill 2014. Ai do të jetë një kuvend pune.

U diskutua edhe për masat përgatitore për festimin e 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës me 16 Shkurt 2014 në Maestro’s Restorant.

U diskutuan  edhe probleme të tjera të parashikuara në rendin e ditës.(Korresp i Diellit)

Filed Under: Komunitet Tagged With: 26 prill-Kuvendi i vatres, U mblodh keshilli i vatres

KONFERENCA E MUNIHUT DHE OLIGARKIA E BALLKANIT

February 2, 2014 by dgreca

Ne Foto:  Salla ku u mbajtë konferenca në Hotel Bayerischer Hof (Kuhlmann).

Nga Frank Shkreli//

Të djelën më dy shkurt, në Munih të Gjermanisë morën fund punimet e “Konferencës së Munihut”, e 50-ta e radhës mbi sfidat e sigurisë në Europë dhe në botë.  Sipas organizuesve, në konferencën e sivjetme morën pjesë, përveç afër 20 udhëheqës shtetesh e qeverishë dhe rreth 50-ministrave të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes, edhe shumë përfaqsues të medias dhe të shoqërive civile nga vende të ndryshsme.  ”Konferenca e Munihut”, gjatë dekadave të kaluara është e njohur si një prej forumeve ndërkombëtare më me rëndësi, ku janë debatuar dhe shkëmbyer mendimet nga vendimarrësit më të lartë ndërkombëtarë në lidhje me sfidat e mbrojtjes dhe të sigurisë, me të cilat përballet bota tani dhe në të ardhmen, por tema kryesore e bisedimeve të kësaj konference ka qenë gjithmonë zhvillimi  dhe përforcimi i marrëdhënjeve trans-atlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës.”Konferenca e Munihut”, kryetar i së cilës është ambasadori Wolfgang Ischinger, u hap të premten nga Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, i cili foli mbi rolin e Gjermanisë në botë.   Udhëheqsi gjerman tha se, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë gjithmonë një burim i pashterrur sigurie” dhe bëri thirrje , “që Gjermania dhe aleatët e saj europianë, duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.”Për më tepër, theksoi Presidenti gjerman Gauck — i cili vet e ka pësuar keq për disa vite në burgjet komuniste të ish Gjermanisë Lindore — “se për Gjermaninë dhe për aleatët e saj duhet të jetë diçka e natyrshëme, që të mos refuzojnë kurrë, por të mbështesin popujt e të tjerë kur shkeljet e të drejtave të tyre bazë, përfundojnë në gjenocid, në krime lufte, në spastrime etnike ose në krime kundër njerëzimit.”Ish i burgosuri i regjimit komunist gjermano-lindor, tani president i Gjermanisë, njërit prej vendeve më të fuqishme në botë, i tha “Konferencës së Munihut”, se “Regjimet brutale nuk duhet të lejohen të fshehen pas perdes së parimeve të sovranitetit shtetëror dhe të mos ndërhyrjes”.Ainënvijoi  edhekonceptin e ”përgjegjësisë për të mbrojtur” të pafajshmit e cilit do vend qoftë nga barbarizmat çnjerzore, si një “përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar”, kur vet shteti dhe qeveria e tyre dështojnë të bëjnë një gjë të tillë.  Presidenti gjerman u bëri thirrje bashkombasve të vet që të vazhdojnë të jenë të angazhuar ndaj bashkpunimit me “aleatët tanë europianë dhe me miqët tanë në organizatën e Atlantikut Verior”, ashtuqë të “mos harrojmë, të mos lëmë pas dore dhe të mos tradhëtojmë vlerat universale të njeriut, por t’i zbatojmë ato së bashku me miqtë dhe aleatët tanë, të jetojmë në bazë të këtyre vlerave të përbashkëta dhe t’i mbrojmë ato kudo e kurdoherëqë të kërcënohen ato”, përfundoi Presidenti i Gjermanisë Federale.

Shtetet e Bashkuara u përfaqsuan në ”Konferencën e Munihut” me një delegacion të nivelit të lartë, kryesuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel,ndërkohë që përfshinte edhe anëtarë të Kongresit, si dhe ish-zyrtarë të lartë, siç është Henri Kisinger.   Xhon Kerri, duke kujtuar fëmijërinë tij në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, ku i ati shërbente si diplomat në atë kohë, ndërsa po fliste për Planin Marshall të ndihmave amerikane për rindërtimin e Europës së pas luftës, i tha konferencës se sot, “Vizioni i guximshëm i Xhorxh Marshall-it, kërkon prej nesh që të mendojmë për diçka më shumë se vetëm të ngrejmë ndërtesa të reja.  Periudha e Xhorxh Marshall-it ishte një periudhë që dëshmoi mbështetjen dhe angazhimin amerikan për ri-ndërtimin e një kontinenti.  Por ajo periudhë ishte diçka më shumë se rindërtimi i një kontinenti”, tha ai. Sekretari Amerikan Kerri vazhdoi duke thënë se Plani Marshall, ” në të vërtetë ishte, rindërtimi i një ideje, ishte rindërtimi i një vizioni, i bazuar mbi një seri parimesh, që përfundoi në themelimin e një aleance, që vetëm disa vite më pare, as që nuk mund të merrej me mendë se mund të krijohej.”

Sekretari Amerikan i Shtetit tha se gjatë gjithë jetës së tij ishte i vetdijshëm se, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë më të forta kur janë të bashkuara për paqë dhe begati, kur kemi të njëjtin qendrim për një mbrojtje të fortë dhe  për një siguri të përbashkët, por njëkohësisht edhe kur së bashku mbështesim lirinë dhe vlerat e përbashkëta njerëzore.” Përballë sfidave me të cilat përballet sot bota, ai tha se “duhet të bëjmë më shumë, në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta, dhe jo vetëm të flasim për to”.Dhe shtoi se duhet të mendojmë më seriozisht dhe të punojmë më shumë ashtuqë të mund të përballemi me kërcënimet ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe universale të njeriut.

Kryediplomati amerikan përmendi kërcënimet nga terrorizmi, nga ekstremizmi dhe radikalizmi fetar që, sipas tij, rrezikojnë  shtetet e dështuara dhe ato në dështim e sipër.  Europa, tha Zoti Kerri nuk është ende e ”tërë, e lirë dhe në paqë”, dhe shtoi se për t’u përballur me sukses me sfidat e sotëme, “Amerika ka nevojë për një Europë të fortë, por dhe Europa ka nevojë për një Amerikë të angazhuar” dhe jo izolacioniste.  Izolacionizmi, tha Xhon Kerri, nuk është një opcion për asnjërën palë.

Kryediplomati amerikan qe shumë i sinqertë me të pranishmit, duke thënë se të gjitha këto që i tha nuk ishin një leksion për askënd, pasi pranoi se vet demokracia amerikane nuk është e përsosur, në të vërtetë tha Zoti Kerri, është një sistem që gjithmonë është në përsosje e sipër, ”Jemi krenarë”, shtoi ai, se ”ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, tha ai, ne i bashkohemi  këtij dialogu me ju këtu në Munih, duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera duke u bazuar në pikpamjet dhe vlerat tona.  Ai foli për ngjarjet në Ukrainë, duke thënë se lufta për për një të ardhme demokratike në Europë, sot për sot, nuk është askund më e rëndësishme se në Ukrainë.  Sekretari Amerikan i Shtetit u angazhua se, “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian qëndrojnë pranë popullit ukrainas në këtë luftë”, dhe shtoi se shumica e popullit ukrainas dëshiron të jetojë në një vend të lirë, demokratik, në siguri dhe begati.   Ai tha gjithashtu se nuk duhet të ketë asnjë dyshim në qëndrimin tonë për të folur haptazi dhe me vendosmëri, në raste kur të  shkelen vlerat dhe interesat tona, kudo në botë.

Duke vazhduar të fliste për vlerat e përbashkëta, nga fundi i fjalimit të tij, Zoti Kerri një kritikë të posaçme rezervoi për ata që i quajti ”oligarkë” në Europën Lindore dhe në Balkan, duke thënë se, “Fakti është se ne shohim tendenca shqetsuese në shumë rajone të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në vendet e Ballkanit.  Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike, dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave dhe njëkohësisht ata përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar”, në ambientin e tyre, tha Xhon Kerri.

Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin politikanëve dhe të zgjedhjeve, është një referencë e  qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me pasurinë e përbashkët tëvlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut, me vendet ku oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe ku kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median për interes të tyre. Analistë të çështjeve ballkanike kanë thënë se përqendrimi i medias në duartë e këtyre oligarkëve dhe politikanëve të fuqishëm, kërcënon seriozisht pavarësinë e medias, pasi mungesa e pavarësisë financiare të enteve mediatike i bën ato të varen politikisht dhe të kontrollohen nga këta oligarkë.   Kjo gjëndje përkeqsohet edhe më shumë kur oligarkët vendas, sidomos ata të vendeve ballkanike, bashkpunojnë me oligarkët nga shtete të tjera, veçanërisht ata të ardhur nga Rusia, Turqia dhe ndonjë vend tjetër.  Shtypi i huaj ka shkruar shpesh për këta oligarkë të Ballkanit dhe për influencën e tyre negative në zhvillimet demokratike të këtyre vendeve, por mund të jetë hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan, në nivelin e kryediplomatit Kerri, i përmend oligarkët si një klasë e veçantë me influencë në këtë pjesë të botës, të cilët përbëjnë pengesën kryesore të zhvillimit  të mirëfilltë demokratik, ndër të tjera të pavarësisë së gjykatave, të lirisë së medias dhe lirive të tjera demokratike.  Siç duket, Sekretari i Shtetit me deklaratën e tij në Munih në lidhje me atmosferën negative politike dhe ekonomike të krijuar nga oligarkët në Ballkan tha tërthorazi se, për derisa kjo gjëndje nuk përmirësohet  –me këto vende nuk mund të ketë partneritet serioz as ndarje të vlerave perëndimore, siç janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, zbatimi i ligjit dhetë drejtat bazë universale të njeriut.  Si rrjedhim, shtoi ai, Europaende  nuk është ende “një e tërë, në paqë dhe e bashkuar”.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck tha se këto vlera universale duhet të mbështeten dhe të mbrohen së bashku me miqtë dhe partenerët tanë në organizmat euro-atlantike, përfshirë NATO-n.  Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel, duke llogaritur në një përkrahje më të madhe nga partnerët europianë, tha se “Partneritet, do të thotë partneritet!  Çdo vend anëtar duhet të marrë pjesë dhe të luaj rolin që i takon”, dhe shtoi se “nëqoftse konsiderohet se sigurimi i një kombi nuk meriton një investim të tillë partneriteti dhe nëqoftse udhëheqja e një vendi nuk dëshiron të punojë për një investim të tillë, atëherë ai vend” sipas tij, “nuk ka udhëheqjen që meriton — dhe siç na mëson historia, mund të thuhet se e ardhmja e atij vendi është në rrezik”, paralajmëroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel.  Andaj, minimizimi i rolit dhe i influencës mbytëse të oligarkëve në jetën politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit, do të ishte një ndër hapat kryesorë që do të përshpejtonte integrimin e plotë euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Për ndryshe fjalët e udhëheqsve të këtyre vendeve, se ata janë serioz për integrimin e tyre në Bashkimin Europian, si dhe për një partneritet të denjë dhe me vlera të përbashkëta  mbeten vetëm aq, fjalë dhe asgjë tjetër. Të pakën kjo është historia e 20-vjetëve të fundit!

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Konferenca e Munihut, Oligarkia e Ballkanit

Enver Hoxha,varrmihësi i nacionalizmit shqiptar

February 1, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

[Të dashur bashkatdhetarë, brenda trojeve etnike dhe në diasporë! Brenda mundësive që keni, mundohuni ta lexoni librin e dr. Vasfi Barutit, me titull: “Enver Hoxha në optikë të re”. Autori ka punuar 8 vjet për përgatitjen e kësaj vepre. Librin e ka nxjerr nga shtypi Shtëpia Botuese UEGEN dhe e ka hedhur në qarkullim në qershor të vitit 2013. Në këtë libër, mbi bazën e dokumenteve arkivore, zbulohet lakuriq fytyra e vërtetë e Enver Hoxhës dhe roli i tij, si varrmihës i nacionalizmit shqiptar.]

  Sot, në Shqipërinë Londineze, në mjetet e informimit masiv, si zor të haset kund termi nacionalizëm (nga frëngjishtja nationalisme). Jo vetëm kaq, por edhe kur përmendet, ky term shoqërohet me një mbiemër qesënditës: nacionalizëm folklorik. Por një herë e një kohë, kur komunistët nuk kishin dalë në skenën e jetës shqiptare, ky term ishte mjaft i respektuar. Madje për lartësimin e kuptimit të këtij termi, ishin të interesuara drejtpërsëdrejti strukturat më të larta të shtetit shqiptar, deri te vetë Mbreti Ahmet Zogu. Dhe një interesim i tillë nuk ishte i rastësishëm. Sepse nacionalizmi, në thelb, përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një orientim të politikës që ka si parim themelor tezën për vlerën e kombit, si formën më të lartë (më supreme) të unitetit shoqëror në procesin e shtetformimit. Nacionalizmi, si një lëvizje politike, ka si pikësynim mbrojtjen e interesave të bashkësisë kombëtare në raport me pushtetin shtetëror. Në themelin e vet, nacionalizmi predikon besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë politike dhe punën në të mirë të popullit, ngritjen kulturore dhe shpirtërore të tij, bashkimin e vetëdijes kombëtare për mbrojtjen e kushteve të jetesës së kombit, të territorit ku ai banon, të resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore. Ai mbështetet mbi ndjenjën kombëtare, e cila do të thotë atdhetari. Si ideologji, nacionalizmi ka për qëllim të bashkojë shtresat e ndryshme të shoqërisë, pavarësisht se ato mund të kenë edhe mospërputhje interesash.

Në librin e dr. Vasfi Barutit flitet me fakte konkrete për vlerat e nacionalizmit shqiptar në kohën e Mbretërisë:

“Mbreti Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me ndjenja patriotike e nacionaliste. Më 1927 Ministria e Arsimit shpalli konkurs kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e nacionalizëm”, konkursin e fitoi Kristo Floqi, një intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me lejë nr. 1290, datë 24. XI. 1927, botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i detyruar “Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë 1928”, shkruhet në faqen e parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë që edhe sot nga të rritur e të rinj do të lexohej me kënaqësi” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re”. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206.

Në vazhdim, Dr. Vasfi Baruti, nga libri në fjalë, ka shkëputur një fragment mjaft domethënës:

“… Po cili është atdheu juaj? Atdheu juaj s’është kodra ose fusha e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit tuaj, minaretë ose kambanoret kryepërpjeta, oxhakët e shtëpive ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është Shkodra për Korçarin, Korça për Kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin e Grudasin, Hoti e Gruda për Devollasin, Devolli për Bregdetasin dhe Çamin dhe Çamëria e Himara për Dibranin e Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë Shqipëria ku flitet, si thamë, gjuha e lehtë zanore shqipe dhe ku jetojnë shqiptarë, është gjaku jonë, ai gjak i vlertë që kanë derdhur gjyshstërgjyshët tanë mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij, është bashkimi jonë dhe ndjenja e dëshira për një rrojtje të lirë e të panjollë; është Qielli i bukur e i kaltër që mbulon Shqipërinë; është Dielli i flakët dhe i ëmbël që ndriton Shqipërinë; është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlak zallet e Shqipërisë; janë fushat e malet e kodrat e bregoret e pllajat e lumenjtë e kulluar të Shqipërisë. Atdheu është kombi jonë, të cilin kemi detyrë ta duam e ta ndërtojmë e ta mbrojmë me mish e me shpirt kundër çdo msyësi e invadori e të mos lëmë kurrë asnjë pëllëmbë dheu të shkelet prej thundrës së një të huaji. Ky duhet të jetë programi e ideali juaj, o djelmosha!…” (po aty).

Është shkruar e ç’nuk është shkruar për themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Por sipas burimeve arkivore partiake, me të cilat dr. Vasfi Baruti është njohur nga afër, rezulton një e vërtetë tragjike. Në mbledhjen themeluese qe aprovuar një Rezolutë, të cilën e patën përgatitur paraprakisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Pikërisht në atë rezolutë, “mbillet, që atë natë, fara e helmët e rrezikshmërisë që vjen nga nacionalizmi shqiptar për Shqipërinë natyrale dhe Rezoluta publikohet për herë të parë po nga Hoxha në shkrimin e tij kushtuar Titos në revistën Shqipëri-Jugosllavi (nëntor 1947)” (po aty, f. 229).

Të vërtetën tragjike për rrezikshmërinë që vjen nga nacionalizmi shqiptar, e pranon edhe biografi i Titos V. Dedijer, në librin me titull “Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri”, 1949, f. 25 (po aty, f. 255).

Dhe dr. Vasfi Baruti vjen në një përfundim logjik:

          “Fara e helmët e kundërnacionalizmit që u hodh në mbledhjen themeluese të Partisë prodhoi fryte të helmëta për “dekorimin” me plumb pas shpine të qindra nacionalistëve gjatë luftës e pas lufte, me “rrezikun” e nacionalizmit u përgatit dhe strategjia për qëndrimin antikombëtar ndaj Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Titos” (po aty, f. 256).

Shovinizmi serbojugosllav, përmes përfaqësuesve të vetë Popoviçi dhe Mugosha, më 8 nëtor 1941 përgatiti turrën e druve dhe mbi to vendosi nacionalizmin shqiptar. Pastaj turrës së druve i vuri zjarrin. Enver Hoxha shkoi e hodhi edhe një krah shkarpa mbi atë turrë drush. Pikërisht ky qëndrim prej tradhtari i Enver Hoxhës, më kujton një ngjarje nga mesjeta e largët:

Luftëtarin e madh të popullit çek që luftonte për çlirimin e tij nga dhuna gjermane, Jan Gusin (1369-1415), në kohën e inkuizicionit,  katedralja kishtare katolike e pati dënuar me vdekje me djegie mbi turrën e druve, duke e cilësuar si heretik të rrezikshëm, si armik të kishës së vërtetë. Tek po e priste vdekjen mbi turrën e ndezur të druve, ai vuri re një plakushe të rrëgjuar, një besimtare katolike kjo, e cila, duke qenë plotësisht e sigurt se po bënte një punë të mirë, solli në sheshin e ekzekutimit një krah me lëmishte dhe i hodhi në zjarr. Atëherë Jan Gusi klithi me një nënqeshje ironike plot dëshpërim: “О plakushe naive!”

Por në këtë krahasim ka një dallim të vogël: ajo plakushja çeke ishte besimtare naive deri në verbëri, kurse Enver Hoxha ishte i bindur dhe i vendosur deri në çmenduri për aktin e tradhtisë së lartë që po kryente kundër nacionalizmit shqiptar.

Nën parullën e antinacionalizmit enverian, komunistët shqiptarë i lejuan shovinistët serbomëdhenj të kryenin masakrën e rëndë të Tivarit. Nën këtë parullë antikombëtare, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga tirania serbe për në atdheun amë, Enveri ose i kalbte në burg, ose ia kthente Titos në kufi për t’i pushkatuar apo për t’i varrosur për së gjalli nëpër burgjet apo kampet e përqendrimit të Jugosllavisë. Nën parullën e antinacionalizmit enverian, iu vu një gurë i rëndë përsipër Çështjes Çame dhe u la në heshtje bashkëpunimi i ngushtë i nazifashizmin grek me nazifashizmin gjerman. Prandaj shovinizmi nazifashist grek masakroi dhe dëboi në mënyrën më barabare popullsinë e krahinës sonë të Çamërisë. Nën parullën e antinacionalizmit enverian, krimineli Ramiz Alia lejoi pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej Janullatosit, pararojës së shovinizmit grekokaragjoz në Shqipëri. Me këtë akt të tradhtisë së lartë kombëtare, antinacionalizmin enverian Ramiz Alia ia përcolli dhe ia la trashëgim klasës politike shqiptare pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë. Produkt i antinacionalizmit enverian janë mbajtja e pushtuar e kreut të kishës fanoliane që prej verës së vitit 1992 prej shovinistit Janullatos, ngritja e varrezave, e memorialeve dhe e manastireve në nderim të ushtarëve agresorë grekë, me kontributin e drejtpërdrejtë të Janullatosit, prapa të cilit Athina rri në gatishmëri. Klasa politike shqiptare dhe Tirana zyrtare, duke e pasur antinacionalizmin enverian si yll karvani, ka heshtur për deklaratat e Janullatosit kundër bombardimeve të NATO-s dhe në mbrojtje të barbarisë serbe kundër popullit shqiptar të Kosovës, për deklaratat e tij në gazetën “Katemirini” për çrrënjosjen e shqiptarizmit nga vetëdija e kombit shqiptar që mishërohet në parullën “feja e shqiptarit është shqiptaria”, për shpifjet e ulëta  para gazetarit amerikan Fred Reed se në Shqipëri po ngrihet një shtet fundamentalist islamik, për sulmet që ka ndërmarrë kundër emigrantëve shqiptarë, duke u radhitur përkrah partisë nazifashiste “Agimi i Artë”. Ajo ka heshtur për deklaratën plot ngazëllim të historianit grek Nikolas Stavros, i cili, pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej kishës shoviniste greke, e vlerëson si fitoren më të madhe të Greqisë në shek. XX. Antinacionalizmi enverian i klasës politike të Tiranës, ka bërë që të dalin në skenë lakenj të llojllojshëm, që nga Tirana deri në Nju Jork, të cilëve, me sa duket, shovinizmi grekokaragjoz ua ka ngrohur mirë xhepin dhe ata, si sahanlëpirës të rëndomtë të Athinës dhe të lobit grek në Amerikë, kanë dalë në mbrojtje të Janullatosit, deri në faqet e gazetës internetike “Tribuna Shqiptare”, duke u pozicionuar haptas kundër kontributit të Fan Nolit dhe të Mbretit Ahmet Zogu për themelimin e Kishës së Pavarur Ortodokse të Shqipërisë.

Emisarët jugosllavë Popoviçi dhe Mugosha nuk e patën fare të vështirë ta kultivonin farën e antinacionalizmit në vetëdijen e Enver Hoxhës, si njeri pa kurrfarë morali kombëtar, si edhe te tërë kasta komuniste  që ishte e zhveshur krejtësisht nga një moral i tillë. Dëshminë më të pastër për mungesën e këtij morali kombëtar në qenien e tyre, e jep Mehmet Shehu dhe Fiqrete Shehu në letrën që i dërgonin Dushan Mugoshës më 22 prill 1944:

“Nuk kishim parti, por kishim dhe ishim bashibozukë, ishim një “turli” me zarzavate të hidhura e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat tuaja mundëm të seleksionoheshim, të formojmë partinë tonë komuniste, ta forcojmë. Na dhatë dorën, na mësuat, na ngritët si nëna foshnjën”. (Citohet sipas faqes së internetit AlbDreams.Net. 05 tetor 2010).

Dhe Popoviçi me Mugoshën e bën seleksionimin që duhej: në bashkëpunim të ngushtë me Enver Hoxhën, varrosën nacionalizmin shqiptar, bashibozukët komunistë i ngritën në poste të larta, i vunë në shërbim të sllavizmit dhe nxitën histerinë antinacionaliste, e cila u manifestua me egërsinë më të madhe në luftën civile që shpërthyen komunistët prej shtatorit të vitit 1943, pas hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes. Rezultat i padiskutueshëm i antinacionalizmit të klasës së sotme politike shqiptare, trashëgimtares së denjë të antinacionalizmit enverian, është gjendja jonë e mjerueshme në marrëdhëniet me fqinjët, të cilën, me një profesionalizëm të lartë prej publicisti nacionalist, e ka vlerësuar zoti Skënder Buçpapaj në analizën me titull “Fqinjët janë në ekspansion, ne jemi ne restriksion”, të botuar në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” të datës 31 janar 2014. Rezultat i antinacionalizmit enverian është dhunimi i Përmendores në Llogara, për çka është njoftuar si më poshtë:

“Dhunohet nga grekofonët Përmendorja në Llogara në rrugën Vlorë-Himarë, që përkujton masakrat greke 1912-1917. Kjo përmendore tregon luftën heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Përmendorja është dhunuar me rastin e 100-vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë” (Citohet sipas: “Dhunohet përmendorja kundër gjenocidit grek në Llogara”. Gazeta “Dielli”. 26 janar 2014).

Pas këtij njoftimi, Tirana zyrtare s’është bërë e gjallë të thotë një fjalë se noton në ujërat e antinacionalizmit enverian. Por, çuditërisht, hesht rinia vlonjate, hesht rinia e Labërisë, hesht rinia përmetare, në vend që të rrëmbejë kazmat dhe varetë dhe t’i shkatërrojë me themel varrezat dhe memorialet në nderim të ushtarëve agresorë grekë dhe t’i japë një leksion të mirë nacionalist mbarë klasës politike shqiptare dhe sidomos Tiranës zyrtare. Por kjo rini hesht se i janë venitur ndjenjat nacionaliste, se antinacionalizmi enverian e ka bërë punën e vet, i ka lënë pasojat e veta në vetëdijen e saj. Hesht Aleanca Kuq e Zi, e cila, me sa duket, rezultoi një flakë kashte. Hesht Klubi i Patriotëve të Rinj, i cili, siç po del, paska qenë thjeshtë një tym myshku. Prandaj edhe dhunohet Përmendorja e Llogarasë dhe mbeten të paprekura përmendoret në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Ç’të bëjmë! Enveri, me kastën e vet komuniste, dha shembuj tragjikë të nënshtrimit të pështirë ndaj shovinizmit gjakatar serbojugosllav, Tirana zyrtare ka 23 vjet që po vazhdon të japë shembuj të nënshtrimit të neveritshëm ndaj shovinizmit të shpifur grekokaragjoz.

Antinacionalizmi enverian i Tiranës zyrtare, manifestohet më së miri në heshtjen para shovinizmit grekomaqedonas, i cili po përpiqet të mbyllë përfundimisht damarët jetëdhënës të lumit Radika dhe Vjosa dhe t’i shkaktojë ekonomisë sonë dëme të pallogaritshme.

Santa Barbara, Kaliforni

31 janar 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Hoxha, Eshref Ymeri, varrmihes i nacionalizmit shqiptar

DOLI NË DRITË NJË VËLLIM I RI I POETIT NEKI LULAJ

February 1, 2014 by dgreca

  (Vesa mbi gurë, Jeta e Re, Prishtinë, 2014)/

  Nga Namik Selmani*/

   Kur je pranë “Vesës mbi gurë”/

 Kur nisa të shkruaj për poezinë e poetit Neki Lulaj që banon në Gjermani dhe është nga Kosova martire, përnjëherë ndjeva se u futa në sinorët e befasisë. Ndjeva të më futet brenda fryma e saj. E kjo ndodhi çuditërisht që me leximin e parë. Në ato çaste të bukura që t’i jep vetëm një poezi ndjesore, m’u ndërmend  i madhi Johan Volfang Gëte. Pa mëdyshje gjeta sa e sa pika mes Gëtes dhe mikut tim Neki. Është e vërtetë se ata janë dy poetë që i përkasin dy kombeve të ndryshëm me kulturë të ndryshme, po që i bashkon edhe Ombrella dritësore e Evropës si të ishin një pjergull rrushi kokërrmbushur.

Pa droje e mora guximin që t’i shkruaj një nga një. Edhe kombe të vegjël si ky yni kanë Gëtet e vet të paktën në disa pika, me të cilat mund të bashkohen me frymën gjeniale të këtij njeriu të madh me kulturën e gjermanizuar  e të mbarë botës. E për ta forcuar edhe më shumë  fjalën time aspak avokatuese për të po kujtoj këtu në këtë sinor livadhi fjalësh për Neki Lulajn një djalosh pejan që e kam takuar këto kohë në Kosovë e pikërisht në Pejë fare afër vendlindjes së Neki poetit që është Broliqi. Këtu ka lindur Nekiu vetëm 6 muaj para se të lindët Heroi i Kosovës dhe i Kombit, Sali Çeku.

E çka më tha djaloshi pejan? Kishte shkuar në Gjermani para lufte dhe kishte parë kudo gjermanë me libra, me kulturë. Kudo. Në aeroport. Në shitore. Në lulishte. E pas do kohësh i kishte thënë vetes se mund të merrte  edhe ai këtë atmosferë librore që kishte Evropa që t’ia sjellë kombit të vet, qytetit të vet Pejës. E pra pa asnjë mëdyshje, Neki Lulaj, ky poet i 6 librave shumë cilësorë, por edhe një organizator i shkëlqyer i aktiviteteve letrare kishte shumë gjëra të ngjashme edhe pse mund të mos e kishte takuar asnjë ditë djaloshin pejan. Neki Lulaj është poeti i modeleve. Në poezitë e tij takon modele të trimërisë, të atdhedashurisë, të vargut flakadanë të epopeve kombëtare apo edhe universale.

Por, pa droje duhet thënë se edhe ai është një model i vërtetë i mesazheve të fuqishëm poetikë, që përcjell në poezitë e tij. Ai dhe shumë prej nesh vuan mungesën e kritikës. Librat që botohen nga shqiptarët diku në një cep të truallit të Kosovës, Shqipërisë, në Maqedoni apo edhe më larg në diasporë nuk lexohen nga ata që iu kushtohen. Libri në radhë të parë është komunikimi me kombin që i përket autori. Se aty është ngjizja e vargut, e ndjenjës, e dhimbjes dhe e gazit. Nuk është mëkat që të themi se edhe librat e Nekiut janë modele të bukura njerëzore, shpirtërore, për këdo në trojet tona.

Ndaloni pak në stacionet e jetës luliane! Mësuesi që kishte mësuar shkronjat e shqipes vetëm katër vite më parë, kishte mësuar Heroin e Kombit, Jusuf Gërvallën. Ai ishte bash Ramiz Popovci. Këtij mësuesi të nderuar një ditë terri do t’ia ketë treguar poezinë e tij të parë që ishte grishja për natyrën hyjnore. E nëse do të bënim një llogari të thjeshtë ai ka rreth 50 vjet që merret me fjalën e shkruar. Ishte ai mësues që do të ulte kokën mbi fytyrën engjëllore të nxënësit Neki Lulaj në fshatin Prapaçan të Deçanit. Emri i Nolit si poet e si atdhetar, që ishte vënë në ballinën e shkollës, do ta ndiqte poetin e ardhshëm në një fshat pak të njohur të Pejës, në Kryshec.

Ideja e vëllazërimit shqiptar me simbolikën e frashërllinjve që ishte po kaq e ndezur edhe në Deçan e bëri dhe atë një shqiptar të mirë duke qenë një nxënës shembullor në shkollën  e mesme “Vëllezërit Frashëri”. Në Gjakovë do të merrte frymën  e artit të fjalës së të paharruarit Din Mehmeti, që do t’ia lante një “borxh” qoftë edhe pak të vogël me poezinë e botuar në Antologjinë kushtuar mësuesit të tij të hartuar nga poeti e studiuesi Halil Haxhosaj. E pra që në moshën më të vogël, ai do të bënte një KONTRATË të përjetshme me poezinë. Tani rruga e poezisë së Neki Lulajt është shumë më konkrete. Ai ka botuar libra poetikë si “Dardania ime”, ”Në kështjellën e përjetësisë”, “Zjarri i shpirtit”, “Bukuri e bekuar”, “Balada e heshtjes”. Ndërkohë që është shumë aktiv në botimet që bën në shumë organe letrare në Kosovë, Shqipëri, diasporë, etj.

Që nga koha ku ai botonte me shumë gëzim në revistat e fëmijëve në Kosovë, kanë kaluar mjaft kohë. Tani në Gjermani ai është një zë i njohur. Mbi të gjitha, është një njeri i jashtëzakonshëm në komunikim me poetët, e sidomos me më të rinjtë. Merret me talentet e rinj poetikë duke përcjellë përvojën e tij. Ka një grup recituesish  me të cilët punon, është një nga edukatorët më të mirë në një shkollë gjermane. E, për të thënë të drejtën të marrësh këtë “kurorë” në një shkollë gjermane nuk është e lehtë, nëse nuk e meriton.

Ëshë i përfshirë në 5 antologji, duke pasur një kulm, atë kushtuar poetit dhe heroit Tahir Desku, të titulluar “Një mijë fijet e bohemit”. Ka bërë tekst për heroin Sali Çekaj. Është pjesëmarrës edhe në një antologji poetike rumune. Është nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve,  Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Në Takimet e Poetëve të Diasporës që organizoi në vitin 2013 Ministria e Diasporës në Prishtinë, Neki Lulaj, mori pjesë në të dy seminaret në Orën Letrare me karakter garues dhe poezia e tij “Pasqyrë shpirti “zuri vendin e parë dhe u shpërblye si poeti më i mirë i diasporës.

Nekiu është bashkëpunëtor i rregullt në gazetën “Bota sot”, në gazetën “Dielli”, në portalet elektronike dhe në ato pjesë ku organizohen tubime kulturore dhe promovime veprash letrare. Aktivitet i ngjeshur ishte edhe organizimi i 93- vjetorit të lindjes së akademik Mark Krasniqit, që u mbajt në Mynih, ku ai ishte një bashkorganizator i tij. E duke lëçitur poezitë e Neki Lulajt të punuara me durimin e filigranistit m’u kujtua bashkëpatrioti ynë i përbashkët ose legjenda e fjalës shqipe që, për rastësi të bukur, ka jetuar e ka punuar në Mynih, Martin Camaj.

Jetëdhembshuri Camaj nuk arriti ta shohë Dukagjinin, Shqipërinë dhe Kosovën pas ardhjes së demokracisë. Dikur do të vinte aty nga Dukagjini, nga Roma. E studimet e tij në Prishtinë  për disa vite ia kanë rritur edhe më shumë zjarrin e shqiptarizmit atij E bash kështu po me duket edhe mua sot kur hedh dritë në jetën e Neki Lulajt. Kudo ku udhëton ai dërgon e ngjiz fjalën e bekuar e të bukur shqipe si majat alpine. E pikërisht  në Mynih që ka sot edhe hapat e shumë poetëve shqiptarë nga Kosova e nga Shqipëria do të shkruajë poezinë e tij edhe miku ynë e i shumë lexuesve në trojet amtare. Unë dua të besoj se me këto vëllime poetike të tij e të autorëve të tjerë shqiptarë kryesisht nga Kosova, po përtërihet edhe më mirë tradita bashkëkohore e një poezie të re shqipe në Gjermani. Do të vazhdojë tradita e vjershërimit dhe e mësimit shqip të lënë në mes nga i madhi Martin Camaj.

Lirika e tij është e brishtë dhe plot aromë vendlindjeje

 

Fort i guximshëm është në poezi Baca Neki kur shkruan: “E kërkoj çarçafë që të mbledh me duar hënën/ Po lumi i territ po më bën udhën si  muranë/ Në /degët e lisave mbledh vesën e ëndërrt/ E zogut ia prek flatrën e imët e të bardhë.“ Poezia e tij edhe në Gjermaninë e dritësuar zgjon odën e mençur malësore kur thotë me shumë dashuri për to: „Frëngjitë hapnin veshët nga rrufeja /E këngët linin gjurmë, hapash në shkrepat e larta /Në ujëvarën e mendjeve dukeshin të bardhat mjegulla /pellgjeve të shpirtit oda mbillej nëpër gjenerata”.

Poezia e tij është një udhëtim poetik në Ibër, në Gjakovë, në Koshare, në Drenicë, Tiranë, Prizren, Prishtinë e vetë poezia e tij është një bredharake e bukur e lehtë, e madhërishme, e lakmuar nga shumë poetë të vjetër në moshë e më të rinj. Poezia e tij ka një metaforë të bukur, të thyeshme, të dritësuar me aq aromë shqiptarie. Ka një leksik shumë të pasur që përbën një nga meritat më të rëndësishme të librit.

Në një prej poezive ai ka vënë edhe moton e tij poetike që nis të paktën që nga malli i atdheut po edhe te obligimi atdhetar që ka ai kudo ku prek troje të tjera: “Do të iki atje, te dielli e dheun do ta hedh mbi supe/Mallin për Atdhe, shallin e bardhë të kujtesës ma hedh babai/Pëllëmbë  e pëlhurë, e  praruar si të ishte kurorë me lule /Krenari dardane me marshim të bekuar, përjetësisht  të gjallë.

Nuk dua të bie në grackën e disa kritikëve që nisin të bëjnë analiza të gjata  të vargjeve të një libri për të cilin duan të shkruajnë. Në një farë mënyre në vend të misionit të bukur që ata i vënë vetes, bëjnë një lloj mëkati se duan të bëjnë komentin e një poezive, të cilën secili e sheh me sytë e shpirtit të vet. Po vargjet e mësipërme, shumë vargje që i pasojnë ato dhe vetë vëllimi i radhës së Neki Lulajt nuk kanë nevojë për koment. Ato kanë frymë poetike të spikatur, një frymë që nuk duket si një mjegull që ikën që me rrezet e para të një dielli dimërak.

Kanë një frymë që kërkon ta gjesh në të gjithë qelizat e trupit, kur ke të bësh me durimtarë e vëzhgues symprehtë si Nekiu. Nëse do të bënim një sugjerim miqësor do të ishte fort mirë që disa cikle të tij të botoheshin edhe në gjermanisht. Është detyra jonë dhe e shteteve respektive në Kosovë e në Shqipëri që shpirti i bukur i qëndresës, dëshira për të jetuar paqësisht e kulturalisht e shqiptarit poet me vendet e diasporës ia kalon shumë më tepër fjalës së ambasadorëve me çfarëdo diplome që të kenë në xhepat e tyre.

  • Autor i librit

Filed Under: Kulture Tagged With: “Vesës mbi gurë”, Namik Selmani-parathenie, neki Lulaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT