• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Majtistët filandeze tërhiqen nga Qeveria

March 26, 2014 by dgreca

Shkas se sipas grupit parlamentar propozim buxheti është shumë i ashpër për familjet me fëmijë të vegjël dhe atyre me të ardhura mesatare/

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Geteborg, 26 mars – Partia Majtiste e Finlandës është tërhequr nga Qeveria. Këtë vendim e konfirmuan lideri i kësaj partie Paalo Arkinneki , që ishte edhe minister i kulturës, dhe ministrja komunikacionit, nga kjo parti, Merja Kyllynen. Shkas për këtë largim nga ekzekutivi ishte se grupi parlamentar i kësaj partie nuk e dha dritën jeshile përkatësisht votën për propozimbuxhetin ngaqë ai, sipas tij, është shumë i ashpër për familjet me fëmijë të vegjël dhe atyre me të ardhura mesatare. Po ashtu, kjo familje nuk ishte në dakord me planifikimin e ngrirjes së mbështetjes materiale për studime dhe të pensioneve.

Tash qeveria e kryeministrit Jarki Katainens  është e përbërë nga pesë parti politike. Se sa do të ndikojë tërheqja e partisë majtiste nga qeveria e këtij vendi nordik mbëtet të shihet.

Filed Under: Rajon Tagged With: Majtistët tërhiqen nga Qeveria, Xhavit Citaku

Përsiatje për një deklaratë të shkrimtarit amerikan Glen Donovan

March 26, 2014 by dgreca

Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri/

Në ditët e para të Vitit të Ri 2014, në faqet e internetit qe botuar një deklaratë e shkrimtarit amerikan Glen Donovan(Glenn Donovan), lindur në Nju Jork në vitin 1962. Me sa duket, deklarata e tij lidhet me zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, të cilat gjatë janarit dhe shkurtit patën zhvillime shumë dramatike. Deklarata e tij titullohet “I hate the Russian people” (Unë e urrej popullin rus).Para përsiatjeve të mia për deklaratën në fjalë, lexuesve të nderuar po iu përcjell fillimisht përkthimin e plotë të saj:Ju ende nuk e keni takuar kurrë një njeri si puna ime që e urren kaq shumë popullin rus, për faktin që ai e ka braktisur lirinë, të cilën ne, gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, patëm synuar aq shumë për t’ia dhënë.

Që ta merrni vesh, në vitin 1973, kur isha 11 vjeç, unë pata lexuar “Arkipelagun Gulag” të Aleksandër Solzhenjicinit. Unë u rrita, duke vëzhguar baraspeshën e forcave në botë, e cila po kolovitej mbi tehun e thikës dhe e dija se sa i tmerrshëm ishte Bashkimi Sovjetik, si për vetveten, ashtu edhe për gjithë të tjerët në botë.

Unë ndihesha krenar për faktin që ndodhem në anën e duhur, përballë sovjetëve, dhe herë-herë mendoja se populli rus do t’u jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë e vet. Mua nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i nënshtrohen (si tani gjatë qeverisjes së BO – kështu e quajnë amerikanët Barak Obamën – KC) vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili, çdo ditë, na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi që ka një pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe antiliberale. Unë rri e vras mendjen herë-herë: mos ndoshta rusët e kanë pas merituar Stalinin? Ka mundësi që, si në rastin e Sadamit në Irak, ky popull, brenda sekondës, kur t’ia heqin çizmen nga qafa, do të fillojë nga vrasjet me njëri-tjetrin për shkaqe nga më të papërfillshmet. Kjo për mua është diçka vërtet e parëndësishme. E qartë është një gjë: që Rusia dhe populli i saj nuk janë të denjë të ulen në një tryezë si të barabartë me vende, shoqëri dhe njerëz të qytetëruar dhe të lirë. Unë e urrej popullin rus për faktin që ai e ka lejuar një gjë të tillë. Ne duhej t’i kishim atomizuar ata me bomba dhe Rusinë ta kishim degdisur drejt mosqenies dhe natyra atje të riniste nga fillimi

Ajo që për dikë tingëllon si propagandë, për dikë tjetër është e vërtetë. Qeveria jonë duhet të jetë plotësisht jashtë lojës, përderisa ne nuk jemi në gjendje lufte me vendin përkatës, siç kemi qenë në kuptimin më konkret me Bashkimin Sovjetik gjatë dyzet vjetëve.

Për mua nuk ka rëndësi se çfarë po bën Rusia tani dhe nëse janë të lira ose jo masat e saj të çmenduara. Kjo nuk është punë për mua. Mua më shqetëson vetëm fakti se çfarë po bën Putini kur një gjë e tillë ndikon mbi interesat tona kombëtare. Për ne nuk është e nevojshme të mundohemi “të përhapim kulturën tonë”, duke ndikuar përmes mjeteve të informimit masiv. Kultura jonë tashmë njihet mirë. Unë kam ardhur në përfundimin se rusët janë të mangët në aspektin filozofik, ata vetë nuk janë të aftë për të qeverisur dhe ata këtë e dinë: këtu e ka zanafillën dashuria e tyre për tiranët. Ata kanë qejf të kenë gjithçka, të shtypin dhe të shfrytëzojnë njëri-tjetrin, deri sa t’u mbushen zemrat me kënaqësi. Unë nuk dua të harxhoj as edhe një santimë në përpjekjen për ta ndryshuar një gjë të tillë. Ne kemi harxhuar miliarda dollarë për shembjen e Bashkimit Sovjetik, kurse rusët na kthyen krahët shpejt e shpejt dhe vendin e tyre, me vullnetin e vet, e lanë në dorën ish-kreut të KGB-së. “Boll më!”, si i thonë një fjale. Nuk duhen harxhuar paratë për gjëra të liga. Populli rus e meriton gjithçka që mund t’i ndodhë” (Citohet sipas: Glenn Donovan. “I hate the Russian people”. Marrë nga faqja e internetit “KAVKAZCENTER.com”. 03 janar 2014).

Që ta duash apo ta urresh një popull të caktuar, në këndvështrimin tim, duhen ndjekur rrugët e zhvillimit historik, nëpër të cilat ai ka kaluar në rrjedhën e shekujve. Sepse në këtë mënyrë mund të krijohet një ide më e plotë për formimin psikologjik të tij. Sepse kështu do të kuptohen dhe do të interpretohen drejt raportet e popullit me pushtetin, me elitat drejtuese, me mbretërit apo me diktatorët.

Në këtë aspekt, dëshiroj të theksoj se duhen parë etapat historike të formimit psikologjik të popullit rus, i cili ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ndërtimin e raporteve të tij me pushtetin.

Kjo për faktin se populli rus asnjëherë nuk ka qenë i lirë: në fillim ka qenë nën shtypjen e bujarëve dhe të oborrtarëve, nën zgjedhën tataromongole që vazhdoi 250 vjet, nën vargonjtë e çifligarëve në kuadrin e të drejtës së bujkrobërisë që zgjati disa qindra vjet dhe nën diktaturën komuniste, e cila rusët i shndërroi në bujkrobër të shtetit.

Pikërisht në kushtet e një shtypjeje të tillë, në psikologjinë e popullit rus ka ardhur e është formuar këndvështrimi i tij rreth mitit të pushtetit.

Për pasojë, krejt historia e Rusisë përfaqëson në vetvete historinë e autokracisë në njërën ose tjetrën formë. Njerëzit e kanë shtyrë dhe vazhdojnë ta shtyjnë jetën me shpresën tek agai “zemërmirë”, te cari, te sekretari i përgjithshëm i partisë apo te presidenti. Shumicës dërrmuese as që i bie ndër mend fare se në këtë jetë punët mund të ecin ndryshe. Se fati i tyre nuk mund të varej dhe nuk mund të varet as nga Jelcini dhe as nga Putini, por nga vetë ata.

Një dukuri e tillë sot vihet re sheshit. Opinioni i njerëzve duket në pëllëmbë të dorës, prirja e tyre e jashtëzakonshme për autoritarizmin e pushtetit bie menjëherë në sy. Pra, sipas mendësisë së rusëve, problemi qenka më i thjeshtë kur dikush tjetër përkujdeset për ta. Nën peshën e një mendësie të tillë, njerëzit nuk janë në gjendje të vetëdijësohen se ndokush do të kujdeset më shumë për vetveten sesa për të tjerët.

Sipas Nina Shçerbinës, profesore e politologjisë në Universitetin e Tomskut (qytet në Siberi), “në traditën politike të Rusisë “modeli i pushtetit” ka ardhur e është formuar nga tiparet e mëposhtme: nga fryma hyjnore (fetare, qiellore, përtejtokësore, irracionale, mistike që ndryshon nga gjërat, nga nocionet, nga dukuritë e zakonshme), nga fryma personifikuese, nga fryma e barazimtarisë dhe nga etatizmi apo nga ideologjia absolutizuese e rolit të shtetit në shoqëri… Në “Rregulloren Klerikale” të Pjetrit I (1672-1725), cari emërtohej drejtpërsëdrejti si “Krishti Perëndi”. Më vonë, në fjalët e lutjeve me rastin e kurorëzimit të shenjtë, çdo car i ri që hipte në fron, quhej, gjithashtu, “Krisht”. Madje qe ndaluar zyrtarisht “që t’i kushtohej vëmendje seksit dhe moshës të sovranit dhe të sovranes”, se, demek, cari, si njeri-perëndi, nuk mund të kishte tipare “tokësore”! Jo më kot portretet e perandorëve zakonisht vendoseshin në ikonostasin e qoshes së shenjtë të shtëpive fshatare, kurse pas Luftës Patriotike kundër Napoleonit, në radhët e fshatarëve patën një përhapje të gjerë ikonat që pasqyronin Krishtin me fytyrën e sovranit-perandor” (Citohet sipas: Anton Çablin.“Rezervati i liberalizmit. Aktiviteti përmes protestave në Rusi ka arritur një minimum historik. Cila është arsyeja që shoqëria “ka rënë në gjumë”?”. Marrë nga faqja e internetit “kavpolit.com”. 26 janar 2014).

Me sa duket, kjo duhet të jetë edhe arsyeja që në gjuhën ruse haset një shprehje kuptimplote: “Zoti është lart, cari është larg”, që do të thotë: njeriu i thjeshtë e ka të vështirë ta gjejë të vërtetën (drejtësinë). Sipas mendësisë popullore, njeriu i thjeshtë, për të zgjidhur një hall, Zotit nuk i qahej dot se ky ndodhet lart, në qiell, dhe ishte e pamundur ta takoje. Por edhe për të takuar carin (mbretin), ai, po ashtu, e kishte të pamundur, meqenëse cari ndodhej shumë larg. Kësisoj, sipas kësaj mendësie, cari nuk na qenkej fajtor për padrejtësitë që njeriu i  thjeshtë provonte mbi kurriz, meqenëse shërbëtorët e tij e quanin si zëdhënësin e Zotit mbi dhé.

Nga sa më sipër, rezulton se rusët heqin dorë me vetëdije nga vetvetësia (individualiteti) në të mirë të një të tillë pushteti “të hyjnizuar”, i cili, në historinë ruse quhet “pushtetbesnikëri” ose besnikëri ndaj pushtetit. Prandaj edhe populli është i gatshëm t’i durojë të gjitha fatkeqësitë që i bien përsipër për faj të pushtetit.

Duke pasur parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar.

Nga një sondazh që është bërë para disa vjetësh, rezultoi se  “njerëzit që e konsideronin veten klasë të mesme në vitin 2008, përbënin 20% të popullsisë, kurse në vitin 2011 kjo shifër zbriti në 12%. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë për t’u shënuar sepse kur njerëzit u pyetën nëse do të dilnin në rrugë për të protestuar, 73% e tyre dhanë përgjigje negative” (Citohet sipas: Sean Guillory. “Pse nuk e prekën Rusinë protestat e vitit 2011” (“Al Jazeera”, Katar). Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 22 nëntor 2011).

Prandaj me shumë të drejtë mund të arrihet në përfundimin se prirja instinktive e rusëve për të pasur një “dorë të fortë”, mund ta shpjegojë dështimin e Jelcinit, i cili, mbi mbeturinat e mitit komunist, u mundua të ngrinte një “botë” liberale. Dhe, në heshtjen e tij dëshpëruese, jo rastësisht një ditë para Vitit të Ri 2000, ai iu drejtua rusëve nën zë:

       “Ju nuk më deshët mua, atëherë e gëzofshi dorën e fortë të pushtetit të Putinit”.

       Për studimin e psikologjisë së popullit rus janë marrë sociologë rusë dhe të huaj. Ndër më kryesorët mund të përmendet Nikollaj Berdjajev (1874-1948), Ksenia Kasjanova (1034-2010) etj. Në njërin nga studimet e veta, Kasjanova shkruan:

“Para nesh shfaqet një kulturë shumë e hershme dhe e rreptë, e cila kërkon nga njeriu një vetëkufizim të fuqishëm, një represion të impulseve të brendshme dhe të qëllimeve të veta të drejtpërdrejta, në të mirë të vlerave kulturore globale” (Citohet sipas: Prof. Ludmilla Poçebut (1949). “Psikologjia e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “rosbalt.ru”. 05.03. 2014).

Mes studiuesve të huaj që janë marrë me këtë temë, mund të përmendet antropologu social amerikan Klajd Klakhon (Clyde Kluckhohn – 1905-1960). Në veprën e vet me titull “Pasqyra për njeriun. Hyrje në antropologji”, ai thekson se për rusët është karakteristike “nevoja për t’iu nënshtruar pushtetit” (Citohet sipas burimit të lartpërmendur).

Një psikolog rus në moshë të re nga qytetit i Novosibirskut, shkruan:

“Populli rus, psikologjikisht, është gati t’i nënshtrohet nje pushteti të fortë dhe madje diku thellë, në nivelin e nënvetëdijes së vet, ai e kërkon një gjë të tillë. Si provë e këtij fakti mund të sillet dështimi i plotë i reformave demokratike perëndimore të njëzet vjetëve të fundit. Dhe po të sjellim ndër mend historinë, atëherë mund të thuhet se periudhat më të mira, kur Rusia ka qenë “në ngritjen” e vet, janë pikërisht ato periudha, kur pushteti ka qenë i përqendruar në një mënyrë monarkiste” (Citohet sipas: Pjetër Zarubin. “Psikologjia karakteristike e popullit rus”. Marrë nga faqja e internetit “peter-zarubin.ru”. 06.03. 2013).

Në fjalët e këtij psikologu të ri bie në sy një e vërtetë e pamohueshme, të cilën e pati pohuar edhe politikani i shquar britanik Çurçilli (Sir Winston Leonard Spencer-Churchill – 1874-1965) që dikur pati deklaruar:

“Stalini ishte diktatori më i madh që nuk mund të krahasohej me askënd në botë, por që Rusinë  e gjeti me parmendë dhe e la me armatim atomik”.

       Popullit rus, gjatë shekujve, i kanë futur në gjak “shenjtërinë” e pushtetit, para të cilit duhet të jesh i bindur dhe i nënshtruar, sepse, sipas politikës zyrtare, cari na qenkej “vetë Jezu Krishti” dhe prandaj, “kur pushteti të shuplak njërën faqe, populli duhet të kthejë faqen tjetër për të pritur shuplakën e radhës”.

Duke pasur parasysh qëndrimin nënshtrues të rusëve ndaj pushtetit, kreu i bashkësisë moskovite të tatarëve të Krimesë Ernest Kudusovi, deklaroi publikisht se rusët janë skllevër brez pas brezi. Këtë deklaratë ai e lëshoi në studion e televizionit publik rus. Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtuesit të emisionit se në ç’masë Krimeja, sipas mendimit të tij, është e ndarë mes pjesëve të popullsisë rusishtfolëse dhe të tatarëve të Krimesë, ai deklaroi:

“Ne duhet t’i kthehemi një çikë historisë. Së pari, populli tatar i Krimesë është popull rrënjës. Së dyti, ai është popull i përndjekur. Domethënë, në vitin 1944 atje nuk mbeti asnjë tatar për be. Stalini vendosi t’i zhdukte tatarët e Krimesë sepse ai nuk është popull që përulet si skllav, ai asnjëherë nuk e ka njohur skllavërinë. Kurse Stalini ishte mësuar të qeveriste skllevër. Prandaj ai i donte aq shumë rusët, ish-skllevërit, skllevër brez pas brezi. Është një skllavëri mijëshekullore, nuk ke ç’i bën” (Citohet sipas: “Kreu i bashkësisë së tatarëve të Moskës: “Rusët janë skllevër brez pas brezi”. Marrë nga faqja e internetit “smi2.ru”. 21 janar 2014).

Por dikush mund të pyes se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë inteligjencia, e cila duhej të kishte marrë përsipër me kohë rolin e vet historik për emancipimin e njeriut rus, në mënyrë që ky të ndërtonte të tjera raporte me elitat qeverisëse, jashtë bindjes dhe nënshtrimit kristian para autoritarizmit të pushtetit? Pyetja është me vend, por halli është se edhe inteligjencia ruse, e dalë nga gjiri i popullit rus, ka qenë dhe vazhdon të jetë viktimë e po të njëjtit mentalitet që mbizotëron në formimin psikologjik të popullit rus në apektin e marrëdhënieve me pushtetin. Prandaj edhe ajo ka rënë në gjunjë para pushtetit.

Politologu, analisti, gazetari dhe publicisti ukrainas Viktor Kaspruk, duke u ndalur në qëndrimet e fundit të Putinit ndaj Ukrainës, shkruan:

“Gjithë vitet e qeverisjes së tij, janë vitet e turpit të popullit, janë vitet e heshtjes së turpshme, janë turpi i inteligjencies, e cila, në shumicën e vet dërrmuese, është tërhequr zvarrë para këtij njeriu pa kurrfarë vlere” (Citohet sipas: Viktor Kaspruk. “Putini gaboi rëndë me Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “argumentua.com”. 07 mars 2014).

Qëndrimi i inteligjencies ruse të ditëve të sotme ndaj pushtetit, zbulon po të njëjtin qëndrim që ajo ka mbajtur tradicionalisht ndaj tij edhe në kohën e carit. Prandaj edhe Anton Çehovi (1860-1904) e stigmatizon me rreptësi një qëndrim të tillë:

“Unë nuk i besoj inteligjencies sonë, një inteligjencie kjo hipokrite, e paqenë, histerike, e paedukuar, mashtruese, nuk i besoj madje edhe kur ajo vuan dhe ankohet, sepse përndjekësit e saj dalin po nga radhët e saj”. (Citohet sipas: “Letër N.I. Orllovit”. 22 shkurt 1899. Marrë nga faqja e internetit “livejournal”. 22 mars 2009).

Nga sa vërehet, mund të thuhet pa mëdyshje se fatkeqësia e popullit rus qëndron në faktin se ai është i prirur për t’i besuar shumë më tepër propagandës së pushtetit, sesa bëmave të tij. Një dukuri e tillë nuk mund të mos i binte në sy fiziologut të shquar rus, akademikut I.P. Pavllov (1849-1936), i cili, katër vjet  para se të kalonte në pasjetë, ka shkruar:

“Më duhet të shpreh pikëpamjen time të trishtuar për njeriun rus: ai ka një sistem trunor kaq të dobët, saqë nuk është i aftë ta rrokë realitetin si të tillë. Sipas këndvështrimit të tij, ekzistojnë vetëm fjalët. Reflekset e tij të kushtëzuara janë të bashkërenduara jo me veprimet, por me fjalët” (Citohet sipas faqes së internetit “censor.net.ua”.  15 shkurt 2010).

Santa Barbara, Kaliforni

25 mars 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: deklarata, Glen Donovan, Prof. dr. eshref Ymeri

BOJKOTI NUK U VLEN SHQIPTAREVE

March 26, 2014 by dgreca

Dibranët në Amerikë angazhohen me çdo kusht për zgjedhjen e deputetit shqiptarë Tefik Abdullai/

Nga Beqir Sina, Staten Island- Nju Jork/

Nju Jork, 25 mars –  Dibranet në Nju Jork, thone se do të marren pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të 26 prillit, të cilat janë për njësinë zgjedhore numër 8të që përfshin Shtetet e Bashkuara dhe Kanadan.

Musa Pacuku kryetar i Shoqates Atdhetare Dibra, ne Nju Jork thotë se pas takimeve me shoqatate shqiptarëve të diasporës është arritur një pajtim që të punohet së bashku për regjistrimin e qytetarëve që kanë të drejtë vote, dhe se ne takimin qe kan pasur ne Nju Xhersi nuk eshte permendur fjala “bojkot” por eshte thene mbas ketyre votimeve duhet te mblidhemi se bashku te gjithe dhe te analizojme situaten brenda komunitetit, te krijuar mbas takimit per zgjedhjen e kandidatit nga Diaspora.

“Problemi kryesor është se duhet pare menyra se si u anashkaluan shume shoqata dhe grupe te tre komuniteteve me te medha me shqiptar te ardhur nga Maqedonia ne SHBA, ata nga Dibra, Kercova dhe Struga – – thotë Pacuku duke shtuar se ne jemi tani te gjithe per Tefik Abdullain pavaresisht qejfmbetjeve qe kemi- duhet te regjistrohemi sa me pare se koha nuk pret dhe te shkojme ne votime me 26 Prill per kandidatin tone shqiptar”.

Ndërkaq, edhe mediea shqiptare  nga Maqedonia e ka konfirmuar te njejten gje, se Dibranet jane per deputetin Tefik Abdullai.  Gazetat shqiptare atje shkruajn  se Shoqata Dibrane ka lënë mënjanë pakënaqësinë e shprehur më parë për mosrespektimin e duhur gjatë përzgjedhjes së kandidatëve që do të garojnë për të përfaqësuar diasporën.

Sipas shtypit shqiptar ne Maqedoni thuhet se Shoqata Dibra jo vetëm që do të merr pjesë por edhe do të angazhohet në sensibilizimin e mërgatës dhe në procesin e regjistrimit të mërgimtarëve me të drejtë vote. Kete e ka pohuar edhe anëtarit të kryesisë së Shoqatës Dibrane, arkatari i saj Dini Radoveshi, duke shtuar se edhe anëtaret e kësaj shoqate do të angazhohen që në këto zgjedhje të fitojë kandidati shqiptar.

“Shoqata kurrë nuk ka përmendur fjalën bojkot. Ne shprehem pakënaqesinë tonë për procedurën e kandidimit, por nuk kemi deklaruar se do të bojkotojmë zgjedhjet. Të bojkotosh zgjedhjet do të thotë të bojkotosh veten dhe t’ia lehtësosh fitoren kandidatit maqedonas”- shprehet Radoveshi.

Kurse, ne telefon te njejten gje pohoi edhe zoti Musa Pacuku kryetari i Shoqates Dibra ne Nju Jork, per gazeten Bota sot, i cili tha se jo vetem nuk kemi thene se i bojkotojme zgjedhjet por kemi bere thirrje dhe po punojme qe te rritet numeri i te regjistruarve per te qene gati per votime ne 26 prill diten e zgjedhjeve.

Veprimtari i dalluar ne kete komunitet, biznesmeni i suksesshem Refik Kosovrasti, i cili ka qene mjaft i angazhuar per kete fushat , i tha gazetes Bota sot, ne SHBA, se dibranet kan per te siguruar edhe autobuset, te cilet do te transportojne votuesit ne diten e zgjedhjeve me 26 Prill, ai shtoi se jane ngritur grupe vullnetaresh per regjistrimin e Dibraneve, prane Xhamise dhe zyres se Shoqates ne Staten Island.

Kosovrasti, u shpreh se edhe vajza e tij Medihaja, qe ka qene manaxhere e fushates se kandidatit shqiptar per ne Keshillin e Bashkise se qytetit te Nju Jorkut, Ken Biberaj ne vitin 2012, eshte e angazhuar me asistence dhe konsulence ne keto zgjedhje.

Ndërkaq për gazetën Zhurnal, Murat Mela, një aktivist i shquar për cështje me interes kombëtar, pavarësisht angazhimeve në biznes, gjen kohë për t’u angazhuar në sensibilizimin dhe regjistrimin e shqiptarëve që kanë të drejtë vote.

“Personalisht, deri tani kam regjistruar rreth 100 persona. Fatkeqësisht, ky nuk është ndonjë numër për t’u krenuar, por arsyet janë të shumëllojshme. Ka pakënaqësi nga qasja e partive politike, shumë dibranë nuk i kanë pasaportat e reja biometrike, pastaj bëhet fjalë për një shtrirje të madhe gjeografike, njerëzit janë të zënë me punë dhe nuk gjejnë kohë për të ardhë deri në pikat ku bëhet regjistrimi”- thotë Mela.

Simbas gazetes Zhurnal thuhet se :”Një pikë tjetër regjistrimi është Xhamia në Staten Island, ku pritej të bëhet pjesa më e madhe e regjistrimit për shkak të frekuentimit, por edhe imami i kësaj xhamie Omer Papraniku numëron të njejtat arsye, megjithatë paraqitja dita ditës po shtohet, thotë Papraniku. Në proces janë përfshirë edhe aktivistë të pavarur, të cilët lobojnë që diasporën e Maqedonisë në Amerikë ta përfaqësojë një deputet shqiptar për të korrigjuar kështu lëshimin e zgjedhjeve të vitit 2011. Arif Mashkulli, një filantrop dhe aktivist për cështje me interes kombëtar vazhdon sensibilizimin e komunitetit dibran për të regjistruar mërgimtarë me të drejtë vote.

 “Mërgata duhet të dalë në zgjedhje dhe të zgjedh një deputet shqiptar, i cili do të na përfaqësojë denjësisht në kuvendin e Republikë së Maqedonisë dhe të ngre zërin ashpër për cështje si projekti “Fusha e Lukovës”, ku drejtpërsëdrejti dëmtohen dibranët”- thotë Mashkulli.

Mërgimtarët shqiptar të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kërkojnë që vendvotimi nga përfaqësia konsulare e Maqedonisë në Manhatan të zhvendoset në xhaminë në Staten Island si vendi më i afërt dhe më i përshtatshëm për komunitetin shqiptar të kësaj ane. Afati i regjistrimit të diasporës me të drejtë vote përfundon më 29 mars. Qytetarët që nuk janë regjistruar nuk mund të realizojnë të drejtën për të zgjedh ditën e votimit, më 26 prill 2014, shkruan gazeta shqiptare  Zhurnal nga Maqedoni

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Abdullain, Beqir Sina, shqiptaret e S Island, votojne

DEMOKRACIA NUK HAHET ME “GISHTA” !

March 25, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

 “Historia asht mësuesja e jetës!” Asht një thanje e vështirë me u kuptue kur një popull nuk ka histori të shkrueme, ose edhe ma keq kur asht e shtrembnueme. Kishe marrë maturen në shkollen Pedagogjike në Shkoder, në vitin 1956 jo, nga mësues të pa aftë, por me libra të shkruem me ngjarje të shtrembnueme e ma shpeshë, të paverteta. As nuk diskutohej vertetësia, kur diktatura ishte në kulmin e shkatrrimit.

Në vitin 1961, nga Prof. Gasper Ugashi, pata fatin me u njohë me gazeten “Ora e Maleve” (1923 – 1924), dhe autorët ma të mëdhej të Demokracisë në Shqipni, në 1924.

Më shtynte me dijtë truni im bosh per ngjarjet e viteve 1911, me të Madhin Dedë Gjo’ Luli dhe arritja e Pavarsisë së Shqipnisë në 1912, per të cilen punova një grafikë me bojë kine, një pasion që sa vinte tue më pushtue mendjen dhe zemren.

Fjala Demokraci, shtjellohej nga Don Lazer Shantoja, At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, dhe vinte e plotsohej perkufizimi me “poziten dhe opoziten”, dy terme që nuk ekzistonin në “Shqipninë Republikë Demokratike as Socialiste”…

Shqipnia e vitit 1924, kishte fillue me shkrue “historinë”, të cilen shumë shpejtë shovenistët sllav e fshine me veglat e veta anadollake A. Zogun (1925) dhe E. Hoxhen, në vitin 1944, kur Shqipnia kaloi nen pushtimin sllavo komunist të Titos dhe të Stalinit, dhe kur mbetëm “jetimë” në 1961, na mori në kopshtin e tij zoologjik Mao Ce Duni. Edhe këte periudhë, “historianët” tanë e quejnë “Shqipëria e çliruar nga komunistët e orëve të para…”. Edhe pse Shqipnia ishte e pushtueme nga diktatorët fashistë e nazistë, duhet pranue se “Tokat Shqiptare të lirueme në vitin 1941, nga fashistët e të tjerat ma vonë nga nazistët…”, në vitin 1944 të gjitha ata Troje dhe Shqipnia Nanë, u pushtuen nga sllavët e Titos, të mbështetun nga bolsheviku Stalin, presidenti Rusvelt dhe firmëtari i tretë Çërçill i “Vendimeve të Konferencës së Jaltës, së Shkurtit 1945”…që mbeti në fuqi deri në vitin 1989, kur ra “Muri i Berlinit”…bashkë me mbeturinat e komunizmit bolshevik.

Stalini i çoi kufinjtë e Bashkimit Sovjetik deri në lumin Elba…në saje të Rusveltit  presidentit paralitik në trup dhe në tru, që jo vetem simpatizonte sistemin komunist, po edhe e ndihmonte até si e si me shkatrrue Europen, vetem nga dominimi mendor dhe shndetsor i diktatorit ma të madh të shek. XX, bolshevikut Stalin kundrejt tij. Miljona e miljona njerëz kaluene ma shumë se një gjysë shekulli nen diktaturen komuniste, dhe disa qinda miljonë tjerë të vramë e masakruem nga diktaturat barbare skllavnuese.

Pa vdekë mirë Rusvelti, mbaroi edhe miqësia “komuniste” nga vetë Stalini.

Deri në vitin 1961, që erdhi në fuqi Presidenti Xhon Kenedi, mardhanjet në mes të amerikanëve e sovjetikëve mbaheshin pa u “qelbë” me kallepë akulli, gjoja lufta e ftohët.

Per me ruejtë interesat e veta të paprekuna, u vra Presidenti Kenedi. Mbeti gati edhe 30 vjet të tjera Bota aty ku ishte. Presidenti Reagan kje i vetmi pasues i Kenedit.

Mos të kishim fat me ardhë si Presidentë Reagan, Xhorxh Bush e Bushi Jr., ne edhe sot, do të vazhdonim me kenë të rrethuem me tela me ferra në burgun komunist.

Gjithnjë sovjetikët edhe pse ishin të shkallmuem ekonomikisht, qendronin me armë në dorë, tue vra popujt e robnuem prej tyne dhe tue i shitë “sherbesllek” ShBA.

Asnjëherë shtetet Perëndimore “nuk deshten me e kuptue” (edhe ky një shans tjeter per sunduesit diktatorë); se kasta drejtuese komuniste punon per me sigurue sundimin dhe pasunimin e vet dhe të trashigimtarëve, edhe pse Populli ngordhë urije!

Asnjëherë një qeveri komuniste nuk ka dhanë dorheqje se asht keqsue gjendja ekonomike ase Populli asht i paknaqun nga ajo qeveri. Sa ma keq të shkojnë zhvillimi ekonomik aq ma e rrebtë bahet diktatura. Shpresat per Liri veniten dhe Populli pranon prangat e robnisë komuniste vetem me mbijetue edhe pse diktatura shkon në ekstrem.

Nëse para 1989 ishin burgjet e kampet mbushë me njerëz skllav antikomunistë, mbas vitit 1990 të gjithë ata të “paknaqun”, ikën jashta atyne shteteve komuniste, dhe tue mos u dënue as sistemi as kriminelët, sunduesëve të djeshem dhe bijve të tyne, iu dha edhe njëherë e drejta me vazhdue prap qeverisjen komuniste si perpara, nder shumë prej atyne shteteve. Pra, edhe vetë “hapja” e kufinjëve, ishte një favor per sunduesit, të cilëve nuk ua preku kush as postin dhe as pasuninë e grabitun dhe të pervetsueme.

Rasti konkret asht presidenti Putin. Disa herë persëritet se ishte njeriu i KGB…

Po cili nga drejtuesit e shtetit Shqiptar, tash 24 vjet nuk ishte njeriu i besueshem i “sigurimit të shtetit” dhe zbatues i perpiktë i udhzimeve të Nexhmije Hoxhës?

Rreshtoni presidentat dhe kryeministrat, dhe do të shihni cili asht “pa dosje”?

Presidenti amerikan Obama, mendon se duhen rishikue “masat” ndaj Rusëve!

E mandej, kur të ngjasin kjo, presidenti Putin “me siguri do të japi dorheqjen!?”

Perveç, keqsimit gjendjes së Popujve të robnuem nga neokomunistët, asgja tjeter!

Né që kemi mbijetue nga diktatura komuniste, dhe vetem NE, mund të dijmë dhe kuptojmë sa perqind e Popullit Rus apo Shqiptar e don “komunizmin”, ndersa, një amerikan apo Perëndimorë, komunizmin e ka pa nder filma tue pi wisky…

Masat e Perëndimit perplasen vetem per Popujt nen robninë komuniste! Masat e para duhen marrë ndaj atyne që lejojnë me u rifuqizue diktaturat komuniste!

Pasojat e mosdënimit të diktatorëve komunistë, agjentëve dhe bashkpuntorëve të tyne, mos hapja e dosjeve të kriminelëve dhe e ideatorëve të krimit, shumë shpejtë ka me sjellë pasojat e veta rrenuese dhe vrasëse ndaj Demokracisë dhe Europës Perparimtare!

Demokracia duhet të perfaqsohet nga Idealet ma të nalta të njerzimit Perparimtar dhe, kurrë, nuk duhet lejue të drejtohet dhe të shperdorohet nga vrasësit e djeshem apo hajdutët e sotëm, si tash 25 vjetë…

***

Po ua rikujtoj Shqiptarëve një “porosi” nga Don Ndre Mjedja:

***

E pasha, ndêjun mbi thasê t’ florive

Nder valle jevkash, n’ lodrë dudumash,

Tallet i knaqun prei zanit t’ flive

Si qen mbas trumash.

 

O pjellë e keqe! O dhun’, o kore!

Qé shtojzavallet, pa dijt’, po kcejnë

Me ty e zgerdhihen, e ‘j kangë mortore

Nen za shperthejnë.

***

Dhe e mbyllë me thirrjen:

Del, mizuer, këndenaj, del; prej merzijet,

Zgaq i perbuzshem, Shqipnia t’ volli:

Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,

T’ pret Anadolli.

(D.Nd. Mjedja, “Mustafa Pasha në Babune”)

 

Melbourne, Mars 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: DEMOKRACIA NUK, Fritz radovani, HAHET ME “GISHTA” !

RINDEZJA E DRITAVE MBI EUROPË

March 25, 2014 by dgreca

Betejat e Amerikës për Kontinentin mëmë/

Nga Rexhep KOSUMAJ/ Berlin/

1. “Dritat po fiken mbi Europë dhe s’kemi për ti parë më të ndizen sa të jemi gjallë”! A nuk ishte ky trishtim i E. Grey-t, tek shihte të fikeshin dritat në Whiteholl, natën kur britë e gjermanë filluan përballjen e armëve, një thirrje përligjëse e ndihmës në pragun e “megavdekjes”? Dhe, poashtu, shpresë e përkorë e një bekimi? Po nga të vinte? Nga qielli demoniak i luftës?

S’ishte e para herë që ato shkimeshin mallkueshëm e pa shpresë. Europianët ishin përgjakur luftërash kronike që, ndonjëherë, zgjasnin dhe 100 vjet. Veçse e mnershme e totale dhe idhujtare e fantazmagorike, do t’kje epoka e re, kur ajo ndodhej akoma e vetmuar në kobet e saj. Ishte jehu i Monrosë (James Monroe, President i Shteteve të Bashkuara) dhe e doktrinës së tij të vitit 1823, që përskajonte pikëthemele strategjike të Amerikës: njëra, izolacionizmin selektiv, pra ajo mund të identifikonte interesa gjithandej botës, mjaftonte të mos përzihej në punët e Europës dhe, tjetra, funddhënja e kolonializmit, hapsirë, vakumin e së cilës gatitej ta rimbushte ajo vetë.

Por doktrina e famshme do të evoluonte. “Ajo ( interpretuar sugjestivisht nga G.G.Smith, Prof. i Yale-it), si fjala e Zotit, parathoshte shumë gjëra, për njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme”! Përshtatja e saj me sprovat e botës dhe fuqizimin planetar, deri aherë modest, të kolosit që po lindte, do ta bënte Amerikën në nisje të qindvjetit  të shkuar, pjesë e arbitër fatprerës të zallahive të Europës. Megjithatë dijetarë të temës ngrejnë akoma dilemën se ç’do të ndodhte sikur Hitleri, të mos ishte ngashnjyer nga Londra e Parisi për të invaduar në Poloni, i gjendur ashtu papritur e frikshëm përballë Rusisë e Amerikës dhe, poashtu, sikur t’mos i shpallte luftë kësaj të fundit, luanit që dremiste? Sidoqoftë, ai u zgjua dhe u nis për të rindezur prapë dritat mbi Europë!

Pa u tretur në përimtime historike, biografia e bujshme politike e Europës rrëfen për shumë beteja që do ti shkaktonte vetë, për të ngelur në fund veçse një peng i tyre i plagosur. E kush i zgjidhte ato ndër vite? Ndër “mote fluturakë kur e shkuara nuk kthehej, e ardhmja kje shtyrë dhe e tashmja ishte e hidhur” (Hobsbawn)? Aleatja dhe, njëherësh, rivalja e fuqisë që i ka llastuar paq europianët me komocionin e zotërisë i cili ka gjithë të drejtën të punojë, të kamet e gëzojë lirshëm – se për të tjerat punë është strehësi i madh i përtejdeteve…

 

2.

Është, prandaj, krejt logjike pyetja: do ta fitojë Amerika (me mënyrën dhe mjetet e mundshme) si kampione e lirisë, dhe “betejën e re ukrajinase” për Europën?

Në fakt, kjo do ishte beteja e pestë për qenien e saj. E para kje arritur në mbyllje të Luftës së parë të 14-tës, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), kur fuqitë e errta latino-sllave kishin shkrojtur kartat e zeza, ku shlyheshin si një njollë, popuj të tërë, midis të cilëve sidomos populli i lashtë shqiptar. Padrejtësia kishte ndodhur. Trungu shqiptar ishte prerë. Mirëpo Wilsoni legjendar me parimin etnikogjuhësor të vetëvendosjes së “një komb-një shtet-i”, së paku, do të shpëtonte atë gjysmë trualli Atdheu, të lodhur Azie e të shqyer Sllavie.

Mandej, e dyta betejë e Amerikës, e cila tash e tutje do të inaugurohej në instancë vendosjeje e ikonë moraliteti planetar, ishte çlirimi i Europës nga hekurat e makthit arianist të messhekullit, kur pëllumbat, të trëmbur nga gjakprishja njerëzore, nuk fluturonin më mbi Katedralen e Salzburgut dhe as trëndafilat e përbuzur nuk çelnin më në fushat e Shlezisë!.. Ajo Luftë në Europë s’ishte më një përplasje e kufizuar aristokratësh e nuk kallej për hire të fisnikërisë. Ishte, si e cilësojnë paksa përçudshëm, “demokratike”, e kjo dmth totale e popullore, plot armë shfarosëse, urrejtje e helm. Për të mposhtur Gjermaninë që ndehej nga tokat spanjole e deri në Ural, u deshën afro 4 vjet, ndërkohë që Japonia e sertë do të mposhtej vetëm për tre muaj!..Ndaj, sikur Amerika të mos impenjohej në katrahurën e saj vetëshojtëse, Rajhu i tretë, nëse aq, do të mbijetonte shumë gjatë, harrueshëm gjatë!

Një mesbetejë tjetër që do ti printe asaj të mëpasmes, ishte dhe ribërja e Europës së rrënuar nga vetë bijtë e saj. Natyrisht, kjo nuk rezultonte vetëm një dalzotësi familjare (mes ëmës e të bijes) dhe as mbëltim idealesh të lirisë. Ishte poaq, si sot e përherë, interes i saj kombëtar. Vetën një ekonomi dhe treg i riaftësuar europian, do të konsumonte mbiproduket amerikane. Po interesat e ndërsjellë, nuk hijesojnë askurrë solidarësinë: rrethimi rus i Berlinit, ura ajrore dhe duart e të pandihmëve që zgjateshin drejt qiejve – janë prova e saj e gjallë dhe e paharruar.

Amerika do të mandatohej, kështu, misionarisht për ta rilindur Kontinentit mëmë: me rimëkëmbjen e ekonomisë së rrëzuar (Plani Marshall –oficialisht ERP- që përfshinte kredi, mallra e ushqime në vlerë prej afro 14 miliardë dollarësh), mandej me arkitekturën e sigurisë (Nato, që do të ngrihej pas idesë çërçilljane të Perdes së hekurt, 1949), dhe me asistencë kultivimi politik të demokracisë. Qarkullonte, tashmë, ngutshëm shprehja apotheotike “përtrirje materiale”, sepse duhej të shprishte ekuivalencën paraprake të saj që kishte shpikur imagjinata negative naciste. “Materialschlacht”, krahas mortit kolektiv, ishte nocioni programatik për asgjësimin e të mirave materiale të armikut, si taktikë ndihmëtare për gjunjëzimin e tij. Rinisja e një jete të mirëqenë duhej, njëkohësisht, të zvetnonte agjitacionin e bolshevistëve që, si rregull, vigjëlonin gjasën e nxënjes së idesë në gjëndjen e demoralizuar dhe skamnore të turmave. Sovjetët imnspironin e nxisnin grupe ekstreme majtiste për të destabilizuar botën e “kalbur” kapitaliste, porse do të ndeshej me doktrinën e Trumanit (Harry S.Truman, President i Shteteve të Bashkuara), të vitit 1947, që angazhohej “të mbështeste gjithandej kombet e lira nga ataku i pakicave të armatosura”! Pikërisht për këtë, do t’rrjedhonte më e lehtë ringritja infrastrukturale e ndërtesave, fabrikave, udhëve e shkollave të bëra hi e pluhur, sesa ana tjetër vitale e misionit madhor: rikuperimi shpirtëror i njeriut!

E mëtej, beteja e tretë e kurorëzuar prapë, kje triumfi në Luftën e ftohtë dhe disfata spektakulare e komunizmit. Ajo do ti printe frontit paralel kundër së “Perandorisë së të keqes”. Si u quajt drejtësisht (nga  furiozi Ronald Regan) shteti lubi i Sovjetëve. Përmes prangash vorfnore që i shtrëngonte gara e pandjekshme në armatim (“Lufta elitare e yëve”), do të gërryhej përtokshëm ngreha mizore e carëve të kuq. Shkërmoqja e Murit berlinez dhe bashkimi i dy Gjermanive i pararendnin ashtu, si një sihariq historie, bashkimit të të dy Europave: të vjetrës, të lirë dhe të së resë, të shtypur e robnuar 50 vjet nën sundin e zotërve barbarë të Kremlinit! Berlini i ri (që kishte bërë katarsis e nuk ushqente më andrrallat e “shpirtit superior që do të përtrijë botën”) merrte përsipër rolin e Piemontit për tu dhënë krahun e për të këndellur jo veç bashkëkombësit e saj, por mbarë fqinjësinë e sfilitur.

Dhe kur dukej se dielli do ndrinte të gjithë, në zemër të kontinentit të harbuar, kishte ende terr. Populli i viktimizuar në altarin e paqes së pistë të një “Belle Époque”-e të dytë dëshirake, (si e thotë diplomati anglez në përfundim të Konferencës së Londrës, 1913), ishte pranguar ende nën zinxhirët e pushtimit serbian, barbarë e të vjetër sa bota. Ishte një epigon i vonë e voglan, i shartuar egërsisht nga mbeturinat ariozofike dhe frymësia testamentale e Naçertanies hegjemoniake, me emrin përjetësisht të urryer, Millosheviq, që orvatej me hekur e gjak të përligjte stau-quo-në koloniale edhe në Rendin e ri, të vranshëm e të pakthim. Kishte provuar të pamundshmen, holokaustin e dytë në mbarim mijëvjeçari. Por, Amerika, në gjurmë flijimi, gati biblik, të vetë shqiptarëve, do ta fitonte dhe këtë betejë: betejën për ndreqjen e ligësive fatale të europianëve miturakë, për mëvetësinë e Kosovës dhe arkivimin e gjithmonshëm të Jugosllavisë serbiane, sajesë e trilluar burgëtare nga ruso-francezët për ta vënë në unazë rrethimi hapsirën jetike gjermanike. E, pra, kishte bërë dhe betejën e katërt sublime për Europën: lirinë dhe natyrshmërinë e saj.

Në fakt, mëvetësia e Kosovës nuk është akoma epilogu, kapitulli i fundmë i lirisë së Europës. Ka gjithnjë popuj a pjesë të tyre (shqiptarë në Iliridë, Malit të zi, Preshevë, pastaj baskë të shumëvuajtur, katalonës, skocezë…), për të cilët kuptimi dhe shija e lirisë janë një ëndërr e ndaluar.

3.

“Koncerti” i Fuqive të mëdha të Europës (si shkruan H.Münkler) patën dikur dy tipe ose nivele kufijsh: kufijtë e qartë e të paprekshëm të shteteve territoriale dhe, poashtu, kufijtë e tjerë alternativë të perandorive koloniale. Europa e sotme, ndërkaq, ndërdyshet midis kufijsh të shteteve territoriale dhe kufirit të jashtëm, kuazi-perandorak të saj, krejt fluid e i pahorizont! Dhe pikërisht ky është, shpesh, nyjëtimi i orientimor: hapi i pasigurtë dhe e ardhmja e amullt e saj. Nëse më parë kufijtë kolonialë kishin prerje të rreptë, por nuk përfaqësonin njësojshmëri identitare, Europa tani ka përmasë e strukturë tjetër: gjeografia (kufijtë) dhe filozofia (vlerat) mund të pleksen në një tërësi traditash e asimetrish të pashmangshme, po të bukura dhe unike të saj.

Së mbrami, pra, a kanë marrë mësim europianët për të mos krijuar kriza e nyjëtime që nuk mund ti zgjidhin vetë? E prapë: a do laurohen ata ngadhnjimësisht apo, si kurdoherë, do të jetë sërish Amerika që do ta bëj këtë për Europën, e cila konfirmohet a goditet këtoditshëm në votrën e Kijevit?

Real-Politika, mbi të cilën Putini mbajti një leksion shkollaresk, ka përcaktuar përherë marrëdhëniet ndërkombëtare. E drejta, etika a parimet janë përfillur, ose është parë ashtu, vetëm kur kanë përkuar me interesat e zhveshur. “Bota tjetër” ku, sipas kancelares Merkel vegjeton Putini, është e vërtetë dhe e arsyeshme (konsideron kolumnisti i “Sternit”). Është, vijon ai, bota e të mashtruarit në vitet 90-të, kur mori premtimin jokontraktual se sistemi i Nato-s nuk do të përshtrihej në Lindje dhe tani, aspiratës së rishfaqur, iu gjegj me Politikën e Fuqisë, që së paku, Flota 200 vjeçare e Detit të Zi, të mos bjerë në radiusin e tyre. Cila do të jetë hullia, poashtu, real-politike e Europës dhe protektorit të saj ndanë revanit rus? Do të pozicionohet maturisht si pledon, bie fjala, Laschet i CDU-së diktuar nga sensi i përfitimeve (gati 200 miliardë dollarë europianë gjenden “në flakë” në Rusi), ose me abstinencën absolute të majtistëve dhe ekologjistëve, që i pat bezdisur zbarkimi i aleatëve në Kosovë (viti çlirimtar 1999) dhe tash lexojnë Krimenë si faturë për të? Apo, ndoshta, me Politikën e pashmangshme të Fuqisë, që nuk nënkupton përherë vringëllimën e armëve?

Europa? Do të bëj ajo politikë krye në vete? Dhe a ishte vrulli lindor vetëm ide e menagjim i saj? Vështirë e besueshme!

Sidomeqenë, Rusia despotike, e njëj populli të skamur e nëpërkëmbur, që hodhi gurin e precedentit me ngasjen dinake për ta turbulluar Europën, nuk bën të dalë e fituar kurrësesi! Do të ishte, që s’mund të jetë, një traumë kundërhistorike dhe, rrjedhimisht, një brejë në portat e trandura të perëndimit të lirë.

Berlin, mars 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: mbi Evrope, Rexhep Kasumaj, Rindezja e dritave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT