• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Studiuesi, diplomati dhe pedagogu Dr. Pjetër Ndoc Pepa (1942 -2014)!?

March 25, 2014 by dgreca

Këto ditë pranvere qyteti martir i Shkodrës, me tradita të lashta historie dhe kulture, humbi sot një bir të denjë të vetin. Me vdekjen e Dr. Pjeter Pepës, bashkëqytetarët tanë, kanë humbur një intelektual të nderuar dhe respektuar. Prof. Pepa, gjatë gjithë kohës, hulumtoi dhe punoi papushim si bleta punëtore, me përkushtim dinjitoz, për të nxjerrë në dritë të Diellit, malin e madh të kalvarit dhe mundimeve mbinjerëzore, që kaloi mbi shpinën e përvuajtur qyteti ynë. Pikërisht, gjenocidit e madh dhe më makabër në llojin e vet, të ushtruar padrejtësisht prej 1944-1990, nga diktatura dhe diktatori ndaj djepit të qytetërimit dhe identitetit të pastër shqiptar Shkodrës dhe Shqipërisë, studiuesi shkodran Dr. Pepa, e mblodhi dhe botoi në shumë libra më profile të ndryshme./

Nga Klajd Kapinova/

Ditë dhimbje për vendlindjen

Dr. Pjetër Pepa (1942), lindi në qytetin e Shkodrës, në lagjen e famshme Arra e Madhe, ku, kreu mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960-1965, kryen me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Ai emërohet mjek stomatolog, në klinikën e qytetit të Shkodrës.

Falë pasionit për mjeksinë, merr pjesë aktive, në sesionet e para shkencore në shkallë vendi, që zhvillohen në vitin 1967, në vendlindje e rrethet të tjera të Shqipërisë, sidomos ato të Fakultetit në kryeqytet.

Në vitet 1969-1970, shërben në lokalitetin e thellë malor të Dukagjinit, ku, vijon të mbledhë materiale e botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme.

Gjatë vitit 1974, specializohet pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Falë pasionit të spikatur, për dijën dhe kulturën kombëtare dhe të huaj, ai jep provimet pasuniversitare, në gjuhët: italisht, frëngjisht, rusisht etj.

Më vonë, me dëshirë të madhe mëson gjuhën e bukur gjermane. Pengohet, për motive politike, të mbrojë disertacionin, për gradën Doktor i Shkencave, të cilën e merr në vitin 1992, me temën: “Epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike në fëmijtë e qytetit të Shkodrës”.

Në periudhën 1990-1997, përfshihet në proçeset demokratike, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura rradhazi.

Profesor Pepa, kryen detyrën e diplomatit si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë (Vatikan), Romë gjatë vitit 1997.

Më 1998, kthehet në profesion të lirë dhe përkohësisht si pedagog i jashtëm, pranë Fakultetit të Mjekësisë, në profilin e Ortodontisë.

Botimet e para shkencore, i ka filluar në vitin 1966, në revistat periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore”, “Buletini Shkencave Mjeksore”, “Buletini Stomatologjik”, në organet e shtypit periodik, ku, ka botuar artikuj të karakterit historik dhe kulturor. Eshtë autor i afro 100 botimeve shkencore.

Studiuesi Dr. Pepa, ka botuar, disa libra politikë dhe kulturorë. Ka qenë antar i Këshillit Shkencor të rrethit të Shkodrës dhe Kolegjumit të Stomatologjisë, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për periudha të ndryshme kohore.

Në vitin 1972, ka përfunduar me sukses kursin 3-mujor në Universitetin Shteteror Tiranë, ku, ka dhënë disa provime mbas universitare, në Fakultetin e Histori-Filologjisë për gjuhët perëndimore, si: italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Dy vjet më vonë, më 1974, është specializuar pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti.
 Për 10 vjet, ka drejtuar në mënyrë profesionale repartin e shërbimit të fëmijëve në qytetin e lindjes.

Gjithashtu kujtojmë, se ai mbante detyrën e Shefit të Shërbimit të Pedodontisë, pranë ‘Universitetit Shqiptar’ (Albania University) dhe Shefi Sektorit Shkencor të Departamentit të Stomatologjisë të Universitetit.

Duke parë punën e madhe shkencore historike, mbi shumë figura të shquara të klerit katolik shqiptar dhe njohur nga afër jetën dhe veprën e shumë martirëve, studiuesi Dr. Pepa, ishte Anëtar i Komisionit Historik, për Kanonizimin e Martirëve Shqiptarë, për Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Për punë me përkushtim dhe merita civile, ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Trimërisë”.

Dr. Pjetër Pepa, ishte i zgjedhur nga Kuvendi Popullor, me detyrën e Anëtarit të Bordit Drejtues të Institutit Studimor për Krimet e Komunizmit në Shqipni.

Botime të autorit

 I – Botime shkencore:

1.   “Të njohim sëmundjet stomatologjike”, 1980.

2.   “Stomatologjia praktike” (Përkthim), 1981.

3.   “Anomalitë e numurit të dhëmbëve”, 1981.

4.   “Epidemiologjia e sëmundjeve të gojës tek fëmijtë”, 2002.

5.   “Stomatologjia Terapeutike” (Përkthim, 600 faqe), Për botim.

II – Botime politike:

6. “Dosja e diktaturës”, 1995.

7. “Paggine sulla dittatura”, Terlizzi, 1998.

8. “The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator”, 2003.

9. “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike ne Shqipëri”, 2007.

10. “Dosja e Diktatures e plotesuar”, Ribotim,  2009.

 III – Botime kulturore:

11. “Pranë dhe Larg”, 2000.

12. “Proverba nga gjithë bota”, 2001.

13. “Gjosho Vasija – Meteor i humorit shqiptar”, 2001.

14. A. Shopenhauer, “Arti si të jemi të lumtur” (Përkthim), 2001.

15. A. de Mello, “Urtia popullore e Lindjes” (Përkthim), 2002.

Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini (Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë)

 (Refleksione rreth librit të Dr. Pjetër Pepës: “DOSJA E DIKTATURËS” (“The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator”), Ribotim i plotësuar me dokumente të reja, Tiranë, 2009)

“Kur një shkrimtar e qortuan, se kishte marrë një skenë nga tragjedia e dikujt, ai u përgjigj:  Ishte një vajzë, që e largova nga shoqëria e keqe, për t’a dërguar tek një më e mirë. Mora dhe unë dëshmi e fakte, deklarata e këshilla, mendime e thënie proverbiale, nga dijetarë e profetë, filozofë e martirë e si lule të bukura i grumbullova dhe i thura në kete “kurore”, që si këngë e mjelmës, vepër e parë dhe e fundit, ia kushtova dhëmbjes shqiptare.”

Dr. Pjetër Pepa, Ish Ambasador i Shqipërisë së Selinë e Shenjtë në Vatikan

Me këtë hyrje, autori në vitin 1995,  plot 19 vjet më parë, boton librin: “Dosja e Diktaturës”, një ndër veprat më të bukura dhe të sukseshme për lexuesit shqiptarë në vendlindje dhe diasporë.Në mënyrë sintetike dhe dokumente origjinale arkivore, studiuesi i palodhur Dr. Pjetër Pepa, na jep me fakte tronditëse historinë e martirizimit të bijëve më të mirë të popullit shqiptar. Hulumtuesi shkodran, përmes malit të pafund të dosjeve, ofron para lexuesve mbarëshqiptarë fakte autentike, që nxjerrin në pah peshën e madhe të pasqyrimit të diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, prej vitëve 1944-1990.

Për këtë vepër, ambasadori italian në Shqipëri i asaj periudhe, diplomati Dr. Paolo Foresti, do të shkruante:

“…Ky libër, është një deshmi e mrekullueshme mbi një nga çastet më tragjike të jetuara nga Shqipëria gjatë diktaturës enveriste. Për të gjithë ata, që pyesin si nuk u revoltuan shqiptarët ndaj një rregjimi kaq përvers, shifrat e këtij gjenocidi të dokumentuar në faqet e këtij libri mbetën përgjigja më bindëse….”.

Ndërsa  Kardinal i Parë, në trojet etnike shqiptare tash 2000-vjet të krishtërimit ndër shqiptarë, Shkëlqësia e Tij Imzot Mikel Koliqit (1902-1997), do të shkruante:

“Të lumtë! Një meritim i madh, për të mbetë në histori. Populli, që vjen mbas nesh, ka për të pa me dokumenta ç’ka asht ba në vendin tonë. Në veçanti Mons. Gjini, ka kenë një  figurë e shqueme. Ngjarjet i kam ndjeke nga burgu dhe me pikëllim thojsha: A do të vinte ajo  ditë, që të dalë pafajësia e atyne njerëzve fatkeq!?. Tash po vdes kondend, se e pashë me sytë e mi, që ti e bane këtë me librin tënd.”

“Në kohë mllefesh dhe inatesh”- do të shkruante, po për veprë në fjalë Mandela i shqiptarëve, Kryetari i Kuvendit Popullor, shkrimtari Pjetër Arbnori, është fisnikëri të zbulosh të vërtetën, për martirët dhe viktimat e rena nën kosën e diktaturës. Studiesi pasionant Dr. Pjetër Pepa, me punën e tij shkencore dhe voluminoze, ka bërë një punim serioz, që duhet marrë si shembull nga historianët, që punojnë të ndriçuar nga faktet dhe liria.”

Ky libër, që u prit aq mirë nga lexuesi, pothuajse u zhduk (ble) menjëherë nga vitrinat e librarive edhe pse viti i botimit ishte 1995, ai do të botohej  i përkthyer italisht me titullin: “Paggine sulla dittatura -Terlizzi 1998”, dhe në anglisht, me titullin: “The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator” – në vitin 2003.

Duke e mbyllur librin me ngjarjet tronditëse të 2 Prillit 1991, në qytetin e tij të lindjes (Shkodër), në paragrafin e tij të fundit autori, do të shkruante:

“Eshte ky “post – scriptumi”, i birit tënd, që nesër për të vërtetën, që rrëfeu mund të përfundojë në një tufë lulesh …”.

Por jo. Ishte premtuar, që të ndodhte ndryshe. Hulumtuesi i palodhur Dr. Pjeter Pepa, mbasi kalonte disa vite në politikën shqiptare (deputet i Kuvendit Popullor), pak kohë në diplomacinë shqiptare (Ambasador pranë Selisë së Shenjtë), e më pas në profesion të lirë dhe pedagogjik, nuk do të ndahej nga shkrimet e shumta, në organet e ndryshme të shtypit, në internet dhe botimet, qofshin ato kulturore, politike apo shkencore.

Një tjetër vepër madhore kuptimplote dhe shumë e mirë është: “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike në Shqiperi” (2007), ku, mbas dhjetë vitësh hulumtime dhe kërkime të gjata në arkivat e të gjitha niveleve brënda e jashtë vendit, Dr. Pepa, në dy vëllime (me rreth 1500 faqe), paraqet denjësisht dhe gjerësisht gjithë gjenocidin e madh, që pësoi Kleri dhe Kisha Katolike në Shqipëri, gjatë 50 viteve të diktaturës ateiste komuniste.

Ndërsa “Dosja e Diktatures”, iu dhurua përsonalisht me autograph Atit të Shenjtë, Papa Gjon Palit II, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale  dhe Të Lumes Nënë Terezës, me rastin e ngjarjeve tragjike të vitit 1997 në Shqipëri. Është me interest ë theksohet, se ky dy-vëllimesh i vyer, autori Pepa, ia përkushtoj pikërisht dy figurave madhore, për Vatikanin dhe Botën, Të Lumturuarve Papa Gjon Pali II dhe bijës apo krenarisë mbarëshqiptare Nënës Terezes, i cili, ia dorëzon përsonalisht në vitin 2009 Papa Benediktit XVI, në Shjeshin e Shën Pjetrit në Romë…

Në fundvitin 2009, studiuesi i palodhur Dr. Pjetër Pepa, rishfaqet  mbas 15 vjetesh, me  ribotimin e veprës: “Dosja e Diktaturës”, e plotësuar dhe përmirësuar në cilësi dhe përmbajtje, duke shtuar në vepër edhe pjesën e dytë, në paraqitjen e së cilës shkruan:

“Plot 15 vjet më parë, fillova të qemtoj ndër arkiva dhe të mbledh materiale historike, për tubime përkujtimore, që çuan shpejt në një libër, që me sugjerimin miqësor të një poeti (Visar Zhitit), mori titullin: “Dosja e Diktatures”, që u pëlqye dhe më përgëzuan gjithandej.

E thashë, që në fillim, se ajo që permblodha nuk ishte veçse maja e një “ajzbergu” të asaj diktature. Mblodha me vonë dhe botova tjera materiale dhe pas 15 vjetesh, tashti qe po behet ribotimi i “Dosjes”, mendova të fus edhe diçka, që u mblodh e u shkrua gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare.

Pra, të bëhet një dalje përtej asaj periudhe 15-vjeçare, të bëhet një kalim i shpejtë nëpër tjera raste të dhimbshme e tragjike, që pësuan fatkeqet e pafajshem gjatë asaj diktature të zezë. Rastet që shtohen, tashmë në pjesën e dytë, i përkasin shtrirjes kohore disa vjeçare dhe kanë kryesisht figura të shquara klerikësh e intelektualësh.

Shpresojmë, që kjo t’i ketë shtuar diçka me vlerë “Dosjes së Diktaturës”, që u prit kaq mirë nga lexuesi i parë. Urojmë të ja kem arritur qëllimit.”

Pas kësaj hyrjeje të pjesës së dytë, futemi sërish në “qeli e burgje”, për të vuajtur më të pafajshmit, që torturohen e vritën barbarisht jo nga të huajt, por nga vetë shqiptarët, duke aplikuar mjerisht atë thënjen lapidare: “Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini.” (Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë) dhe, sërish edhe në këtë pjesë, lexuesi tronditet, kur në copëza të shkurta e konçize lexon e jeton çaste të dhimbshme, për të gjithë ata, posaçërisht klerikë, që vuajtën, u torturuan e vdiqën nën egërsinë e një diktature të paprecedent.

Cilët janë disa nga temat e librit?

Lexuesi, menjëherë do të përballet me tituj tronditës si: “Kleriku që e hëngrën qentë e Sh’Palit, Mirditë – Dom Mark Gjani”, “Visaret e Kombit të përgjakur nga diktatura – At Bernardin Palaj”, “Bab e bir të denjë për njeri – tjetrin – Hafiz Ali Kraja (Tari) e Mehdi Kraja”, “Si e pushkatuan në Permet meshtarin e ri – Dom Dede Maçaj”, “Si u vra i katërti i universit Gazullian – Dom Nikoll Gazulli”, “Ikja nga Ferri i pushkatimeve –  Imz. Zef Shestani, Imz. Frano Karma, Imz. Zef Oroshi etj.

Sërisht vijojnë momentet e ankthit, tek lexon, si: “Vdiq apo e helmuan oratorin e sapo shuguruar – D. Matish Lisna”, “Kardinali fatkeq shqiptar – Dom Kolec Prendushi”, “Martirët e Revolucionit famkeq kulturor – Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Shtjefën Kurti”, “Nga altari tek morgu i studentëve të mjekësisë – fati tragjik i një kleriku – Dom Mikel Beltoja”, “Meshtari që dihej si i vdekur – At Anton Luli”, “Recquiem për autorin e këngës ‘Kacurrelat e tu’ – seminaristin Gac Çuni”, “Si u mbyt në tortura Dom Engjell Deda?”, “Si u pushkatua Imzoti më i ri i botës – Imzot Gjergj Volaj”, “Si u pushkatuan misionarët gjerman – Dom Alfons Tracki e Dom Zef Marksen”, “Odiseja e klerikut patriot nga Mirdita – Dom Nikoll Kimza”, “Funerali që solli shumë viktima – Imz. Gasper Thaëi”, “Kleriku i parë martir nga Korça – At Papa Pandi”, “Meshtari, që u detyrua të ndërpresë rrugën meshtarake – At Petraq Isaku”, “Si vdiq në tortura i pari ipeshkëv katolik – Imzot Frano Gjuraj”, “Të mbyturit ndër tortura – në Koplik: Dom Aleksandër Sirdani e Dom Pjetër Çuni; në Lezhë: At Serafin Koda, Dom Jak Bushati etj.”, “Kleriku i parë martir i diktaturës komuniste – At Lekë Luli”, “Si e vranë regjentin – P. Anton Harapi”, “Klerikët shqiptare nën plumbat e komunistëve jugosllavë – At Leonard Tagaj, At Bernardin Llupi, Dom Nikoll Tusha”, “U mbyt baltërave të Maliqit – At Josif Papamihajli”, “Si e vranë kolegun – Dom Luigj Pici etj…”

Libri mbyllet me materialin historik, që i kushtohet “Gjenocidit komunist mbi Klerin katolik ne Shqipëri”, ku, ndër të tjera autori Dr. Pepa, paraqet, që në hyrje sakrificën e tyre me fjalet: “Ata bënë nëntë shekuj shkollim të lartë në pesëdhjetë e pesë universitete në dhjetë shtetëve të botës për Atdheun e tyre. Ata u shperblyen me pesëmbëdhjetë shekuj torturë, hetuesi e burgje nga Atdheu i tyre!”

Më poshtë, me dokumenta e fakte rrënqethëse diplomati studiues Dr. Pjetër Pepa, rrëfen se  çfarë ndodhi me Klerin Katolik në Shqipëri, duke paraqitur një tabelë shumë të shkurtë, por tepër domethënëse:

Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë, rezulton se:

1.   Janë pushkatuar 29 klerikë (13%)

2.   Janë  mbytur  ndër  tortura 29 klerikë (13%)

3.   Janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%)

4.   Kaluar ndër kriza mendore deri në çmendi 6 klerikë (3%)

5.   Janë detyruar të arratisën ose s’jane lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%)

6.   Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%)

7.   Kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur 15 klerikë (7%)

Këto dhe shumë si këto, veç sa tjerash, si: replika politike me Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën, politikanë të kohës etj., lexuesi do të ketë mundësi t’i shohë tashmë në faqet e “Dosjës “ së ribotuar.

Janë rreth 500 faqe dhimbje e sakrifice, vuajtje e gjakderdhje, hetime e tortura, dënime e pushkatime të shkruara me një ndjenjë të veçantë dashurie e faljeje kristiane, që hulumtuesi i kujdeshmëm Dr. Pepa reflekton, në çdo faqe e në çdo figurë të përshkruar.

Lexuesi gjithashtu,  mund të mësoj me dhimbje e dashuri  në këtë libër, që sapo ribotohet me materiale, që dalin për herë të parë nga arkivat e Mininistrisë së Punëve të Brendshme (Sigurimi të Shtetit ose Policisë Sekrete të Shqipërisë) e shumë burime tjera arkivore brenda e jashtë vendit.

Në mbyllje, libri paraqet disa nga opinionet e falënderimet, që i kanë ardhur autorit, mbas botimit të “Dosjës” së parë  nga qytetarët shqiptarë brenda e jashtë atdheut, por edhe prej ambasadorëve të vendeve të tjera të botës, titullarë të Selisë së Shenjtë në Vatikan etj.

Një kopertinë e bukur e mjaft domethënëse e përpunuar nga piktori i talentuar Jozef Martini, dhe një biografi e shkurtë për autorin, që hijshëm e shoqëron këtë vepër historike.

Ribotimi i librit, u mundësua nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve dhe u botua me profesionalizëm, nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Kumi”.klajdkapinova@yahoo.com

 

Filed Under: Featured Tagged With: diplomati, Pjeter Pepa, Studiuesi

ÇERÇIZ TOPULLI,KAPEDAN I JUGUT QË U VRA NË VERI TË SHQIPËRISË

March 25, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

   “MILAZIM LARGO TABORRE/

 SE TË KUQ,TË BËJ ME BOJË/

ÇERÇIZ TOPULLI MË THONË » /

 Në një lagje të qytetit të Gjirokastrës,ende sot qëndron si një kështjellë krenare,shtëpia e Topullarëve.Ago Topulli,ai burrë i mençur e trim i cili pat bashkëpunuar me Abdyl Frashërin,pati plot 18 fëmijë,të cilët i edukoi me dashurinë për Gjirokastrën dhe krejt  tokën arbërore.Me pasurinë e vet,Ago Topulli,do t’i vinte në ndihmë sidomos mikut të ngushtë të tij,Koto Hoxhit i cili ishte shndrruar në pishtar të çeljes së shkollave shqipe në gjithë jugun e Shqipërisë.  Çerçiz Topulli lindi në vjeshtën e vitit 1880,në ate shtëpi të madhe që ushtonte nga zërat e shumtë të fëmijëve,të miqve dhe dashamirësve të Ago Topullit.Ai që në fëmijëri u shqua si djalosh guximtar dhe ndonëse vazhdonte shkollën osmane të qytetit,do të ishte përkrah punëve të vështira të atit të tij.Natyrisht ai do të kishte një model ku mund të mbështetej,një dasiuri të shenjtë ku mund të guxonte të hynte,ky ishte vëllai i tij më i madh Bajo Topulli,i cili asaj kohe mësonte e jetonte në Stamboll.Ndër ditët më të lumtura të fëmijërisë së Çerçizit,ishin pikërisht ato,kur në shtëpinë e madhe në Gjirokastër,vinte Bajo i cili i fliste sidomos për takimet e tij me Naim Frashërin dhe Koto Hoxhin.Duke dëgjuar fjalët e ngrohta të Bajos,për ato burra të shquar të Shqipërisë,Çerçizi ndjente t’i rritej në shpirt,flaka e shqiptarizmës.Dalëngadalë,ndonëse larg,Bajo, përpiqej të mbante lidhje me vëllanë e vet i cili po i lutej ta merrte me vete në Stamboll.Por qëndrimi i Bajos në Stamboll,në vitet 1901-1903,ishte tejet i rrezikshëm.Ai ishte lidhur ndërkaq me Shahin Kolonjën,Gjergj Qiriazin,Grigor Cirkën,Mid’hat Frashërin,Ibrahim Temon e patriotë të tjerë shqiptarë të cilët parashihnin në fundin e Perandorisë osmane,një lëvizje të domosdoshme autonomiste për shqiptarët.Vetëm kështu mund të përballej rreziku i madh që i vinte Shqipërisë pothuaj nga të katër anët.Ngase ka rënë në sy të spiunëve të Stambollit,Bajo,merr rrugën për në Manastir dhe fillon punë aty si mësues.Më pas në vitin 1905,Bajon do ta shohim në krye të atdhetarëve shqiptarë për krijimin e Klubit të fshehtë të Manastirit.Ngase reputacioni i tij ishte i madh sidomos në Kolonjë,Korçë dhe Gjirokastër,ai dërgohet atje për të formuar degët e klubit Qendror të Manastirit.Ka qenë pikërisht ky mision i cili ka bërë të mundur bashkimin e dy vëllezërve Topulli,me ç’rast vetëm vdekja mund t’i ndante.Bajo,shkon në Gjirokastër dhe bisedon me të vëllanë,Çerçizin,tashmë 25 vjeçar,trupgjatë, syshqiponje,me një mjekër që i kishte hije,Çerçizi nga ana e tij i tregon se pas tij mund të shkonin 40-50 djem trima të jugut,të gatshëm për të luftuar e për të dhënë jetën për atdheun.

“Pas disa ditësh,Bajua largohet fshehurazi nga Gjirokastra,sepse mytezarifi po dergonte aty forca ushtarake,Bajua duke kaluar në Korçë së bashku me Çerçizin dhe luftëtarë të tjerë,ndalet në Humelicë të Gjirokastrës në familjen e Papa Kristo Negovanit ku i thonë familjarëve se çeta e tyre do të merrte hakën e patriotëve të vrarë”.(J.Dilo”Çerçiz Topulli me shokë”Tiranë 1961,faqe 14).

Papa Kristo Negovani,ky dëshmor i shkronjave shqipe,pat rënë i mbuluar prej gjaku,nga dora vrastare e dhespotit të Korçës,grekomanit Foti.Dhe shpagimi nuk vonoi,Vetëm shtatë ditë,pasi u përshëndetën me familjen e mësuesit Papa Kristo Negovanit,dhespoti i Korçës,Foti,u shtri si qen përdhe,nga plumbat e luftëtarëve.Shtypi i asaj kohe,duke dashur të intrigojë për vrasjen e dhespotit,shkruajti për ndikime vllehe apo bullgare në çetat shqiptare.Por përgjigjja që ua dha Çerçizi,në fshatin Starje të Kolonjës,në prani të dhjetra trimave,ishte se plumbi që pat shtrirë në tokë dhespotin e Korçës,kishte dalë prej pushke shqiptare dhe ajo pushkë nuk do të pushonte,deri në çlirimin e plotë të gjithë trevave shqiptare.Ndërsa në vjeshtën e vitit 1906,Çerçizi dhe Bajo Topulli shkojnë në Gjirokastër,për të organizuar aty në fshehtësi,çetat e jugut.Por bëmat e tyre kanë alarmuar Stambollin dhe katër vëllazërit Basriun,Dautin,Banushin dhe Halilin nuk i gjejnë në shtëpi.Me urdhër të mytezarifit të qytetit,ata ishin lidhur me pranga dhe ishin dërguar në burgun famkeq të Janinës.Arrestimet nuk i trembin dy vëllezërit,dy trimat ndaj ata porositin vëllezërit e tjerë të bëjnë kujdes dhe vetë nisen sërish në fshehtësi për në Manastir.Gjatë udhëtimit çeta e Çerçiz Topullit bie disa herë në prita nga ushtritë osmane duke luftuar trimërisht.Por turqit i ndjekin trimat këmba-këmbës,edhe në trevat e Manastirit,Strugës e Resnjës, Tetovës e Shkupit dhe falë komiteteve të këtyre trevave,Çerçiz Topulli mbëriti në Sofje,ku i pritën me madhështi nga shqiptarët e shumtë që jetonin aty,me ç’rast u mblodhën për të përshëndetur trimat.E vërteta është se për mbrritjen aty të vëllezërve Topulli,shkruajti edhe shtypi i kohës,duke bërë me dije krejt Evropën se Shqipëria do ti dalë zot fateve të saj me komitat e vet trima dhe të mençur.Natyrisht se Bajo dhe Çerçizi,do të ishin atje,më së shumti,në shoqërinë e Shahin Kolonjës.Ata do të diskutonin me te jo vetëm fatet e Shqipërisë por edhe rrugët e mundshme të organizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare.Çerçizi pos të tjerave do të ndikonte në këtë lëvizje edhe me idetë e tij përparimtare.Në faqet e gazetës “Drita” protesta e tij kundër Portës së Lartë do të ishte e fuqishme.Në një prej artikujve të shumtë pos të tjerave Çerçiz Topulli do të shkruante : “E fëlliqura Turqi,shqiptarët i ka rrjepur dhe i ka varfëruar kaqë shumë,sa mund të themi se carfëri si e shqiptarëve nuk gjendet gjëkundi.Pa shtëpi pa bagëti,pa mësim e pa më të voglën shpresë kanë mbetur.Dhe prap pagesatë brenda i paguajnë Turqisë e cila i merr ushtarrë që të venë e të vdesin nga klima dhe nga shigjetat e Mahmut Jahjait,ndë Arabi”.

( Gazeta “Drita “ Nr. 86 , dhjetor 1906 ). Dhe po në këtë artikull duke u bërë thirje bashkëkombasve të vet që t’i lanë menjanë përçarjet dhe dasitë fetare,shkruan tekstualisht ; “Duhet të bëjmë kurban,sakrifice e gjdo gjë që kemi,që të shpetojmë nga Turqia.Dua prap të them,se vdes per nji shqiptar të krishterë,se ay është gjak prej gjakut tonë dhe se ka eshtra prej eshtravet tona,ndersa me turqit ndryshojmë si dita nga errësira,si jeta nga vdekja !”.

  Në janarin e vitit 1907,me porosi të Shahin Kolonjës dhe Bajo Topullit,Çerçizi shkon në Bukuresht.Edhe aty një grup shqiptarësh i mblidhen rreth kapedanit të Gjirokastrës duke e respektuar.Aty Çerçizi takohet edhe me atdhetarin tjetër shqiptar,Mihal Gramenon,me të cilin do të ndanin paskëtej gëzimet,shpresat dhe zhgënjimet e çetës së tyre.Në fillimin e shkurtit të vitit 1907, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno,hartojnë së bashku një thirrje drejtuar popullit shqiptar ku flitet për njëmijë e një të zezat e nga sundimi osman.Thirrja përfundon me fjalët ; “Rroftë kryengritja e Shqipërisë së robëruar e cila do t’i sjelle asaj lirinë dhe mirëqenien”.

Në marsin e po këtij viti,Grameno së bashku me Çerçizin,marrin rrugën për në Itali,pse vetëm nëpërmjet detit,do të kishin më të lehtë të hynin në atdhe.Në Beograd,arrestohen dhe serbët duan t’i nisin për në Stamboll.Ka qenë sigurisht ndërhyrja e dy-tri patriotëve shqiptarë,me ç’rast trimat u lanë të lirë.Pas kësaj me nxitim udhëtuan për në Itali dhe prej aty,më 1 maj 1907 mundën të shkonin në Shqipëri,të malluar sa s’ka më për trojet ku patën lindur.Prej majit të vitit 1907 e deri në dhejtor,Çerçiz Topulli  i ndejkur këmba këmbës nga hafijet dhe çetat osmane,do të luftonte sa në Vlorë aq në Delvinë,sa në Gjirokastër aq në Kolonjë,sa në Përmet aq në Tepelenë.Pas trimit të madh,ishin me dhjetra djem të jugut,të cilët mundën të zhvillojnë luftime të mëdha,ndonëse nuk kishin armë moderne e fishekë të shumtë.Në librin me kujtime të Mihal Gramenos,i cili gjatë kësaj kohe ndiqte në çdo hap çetën e Çerçiz Topullit,dëshmohen dhjetra episode trimërie e guximi ku bijtë e shqipes dhanë edhe pranverat e tyre të njoma për lirinë e Shqipërisë.Çeta e Çerçiz Topullit, pos luftimeve kundër ushtrisë osmane,do të mbronte edhe shkollat shqipe të sapoçelura që u ngjanin luleve të pranverës.Çerçizi do të ishte mik e vëlla me Sevastinë,Parashqevin e Gjergj Qiriazin,në përpjekjet madhore të tyre për mbajtjen çelur të shkollave së vashave në Korçë e cila rrezikohej të mbyllej prej shovenëve grek.Madje edhe Katerina Cilka,bashkëshortja e Gligor Cilkës,do të bashkohej me çetën e Çerçiz Topullit,kundër synimeve të mbrapshta greke.Në kujtimet e veta Grameno pos të tjerave shkruan ; “Kjo interesohet për luftëtarët tanë.U qep këtyre nga një qese të madhe për të vënë bukën dhe u thotë që thërrimet t’i mbledhin me kujdes,se mund t’u duhen kur të jenë ngushtë”. ( Mihail Grameno “Kryengritja Shqiptare “ faqe 71 ).

   Nga kujtesa e luftëtarëve,nuk do të mund të harrohet lehtë,trimëria e Çerçiz Topullit në qytetin e Përmetit.E vërteta është se për shumë ditë çeta e tij qendroi në teqenë e famshme të Frashërit,vetë Lidhja shqiptare e Prizërenit.Në këtë faqe Çerçizin e bëjnë me dije se në Përmet ka mbërritur peshkopi i Korçës i cili kërkon të përçajë shqiptarët në ortodoksë e mysliman duke dashur në fakt të përçajë vet lëvizjen kombëtare shqiptare.Natyrisht të hyje në qytetin e Përmetit për të luftuar ishte e vështirë pse garnizoni rruhej nga forca të konsiderueshme.Çerçiz Topulli ndërkaq vishet me uniformën e kapidenit të ushtrisë osmane,dhe fill vetëm futet në Mitropolinë e qytetit.Kur gjendet përballë peshkopit,i thotë këtij se është vetë Çerçiz Topulli dhe kësaj radhe “vetëm sa të këshilloj të heqësh dore nga punët e liga,ndërsa radhën tjetër ju e kuptoni si do t’ju flas”.Me këtë rast,konsulli austriak njoftonte Vjenën se “komitat si Çerçiz Topulli bëjnë gjëra që nuk rrëfehen”.(Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë.Sipas dokumentave të Vjenës,shkresa dt.4 dhjetor 1907 ).

Në shtëpinë e Çerçiz e Bajo Topullit,në Gjirokastër,turqit arrestuan të gjithë burrat,ndërsa për kapjen e Çerçizit,Mytezarifi i Gjirokastrës dhe ai i Janinës patën dërguar mjaftë ushtarë.Në kushte të disa luftimeve të ashpra që çeta e Çerçizit zhvilloi në Përmet e Kolonjë (ku mbetën të vrarë edhe disa trima) kapedani i Gjirokastrës i dërgon një korier,mikut të vet,atdhetarit të Çamërisë, Musa Demi,që ky t’i gjnete ndonjë vend për të strehuar çetën disa kohë.Është interesante përgjigjja që Musa Demi i dërgon,me anën e një letre,ku pos të tjerave i shkruan Çerçiz Topullit :

“I turpëruar të shkruaj se sot për sot,s’është koha që të vish këtu,nga shkaku që ka një muaj që kanë ardhur dy koshadhe turke,të cilat janë vetëm për komita,nuk vështrojnë gjë tjetër.Nuk është puna se mos pësojmë ne,ndonjë të ligë,por Zoti mos dhëntë,pëson zotëria juaj ndonjë të ligë,pastaj s’na mbetet sy e faqe të dalim në sy të shqiptarëve”. ( Arkivi Qendror i shettit – Tiranë. Fondi 101, dosja 27,fleta 3).

Pikërisht në këto kushte binbashi turk,Musa Beu,urdhëronte repartet e tij që të gjurmojnë se kush e fsheh dhe mbron Çerçizin,madje burgos disa prej tyre në kalanë e Gjirokastrës.Me këtë akt ai do të mjell terror,dhe siguron Portën e Lartë për qetsinë e vendosur.Madje ai mban të lidhur me zinxhirë edhe të vëllanë e Hajredini Tremishtit,bashkëluftëtarit të Çerçizit duke dashur të shtjerë në dorë,këtë të fundit.Futja e Çerçizit në qytet ishte e pamundur pasi tashmë ai njihej prej të gjithëve.Për këtë vendoset që në Gjirokastër,të hyjnë të veshur si fshatarë dy prej trimave më të afërt të Çerçizit, ndërsa çeta do të mbronte tërheqjen e tyre në disa gurë e shëkëmbij,poshtë teqesë së famshme të qytetit.Trimat janë përqafuar (mund të mos shiheshin më) dhe kanë pritur bimbashin turk të dalë prej shtëpie sa hap e mbyllë sytë,në çastin kur bimbashi dhe rojet e tij,kanë dalë nga shtëpia ai ishte qëlluar drejt e në zemër nga plumbat e trimave.Xhandarmët,të lebetitur janë vënë në ndjekje të trimave por në gurët poshtë teqesë ka shpërthyer beteja e madhe.Pas kësaj trimat e udhëhequr nga Çerçizi i janë drejtuar fshatit Mashkullore.Në javët që erdhën më pas,kundër çetës së Çerçiz Topullit,Porta e Lartë mobilizoi gati dy batalione me ushtarë dhe oficerë.Por trimi i Gjirokastrës, linte dy-tri shokë të tij të shkrepnin ndonjë batare maleve dhe së bashku me trimat e tjerë ndërmerrte inkursione të tjera luftarake,pikërisht në rrethina të qytetit duke dëshmuar edhe një herë guximin e madh të tij.Ndonëse këta trima e dinin se qeveria turke kish paguar florinj për kokën e tyre,ata nuk trembeshin.Është me vend të sjellësh këtu,një letër të Çerçiz Topullit,shkruar enkas për Shahin Kolonjën,por që ky i fundit,me disa shkurtime e boton në Sofje,në gazetën e tij.Pos të tjerave,Çerçizi aty shkruan : “Kishin ndërmend që këtë dimër ta shkonim jashtë Shqipërisë,po muarrëm vesh se Islam Bej Këlcyra i është zotuar Hilmi Pashës,se dotë zëre të gjallë,ose të vrarë dhe se Maliq bej Vila përpiqet të na bënjë varrë.Nga ky shkak nuk do të dalim jasht Shqipërisë,le të bëjnë ata ç’të duan”.( Gazeta “Drita” – Sofje më 15 shkurt 1908 ). Ndërsa vetë Shahini në numërin tjetër të “Dritës”,dy javë më pas,duke analizuar ngjarjen në fjalë shkruante : “Ta zëmë se këta shqiptarë ia arritën qëllimit t’i vrasim këta djem që ndodhen në mes të zjarrit,për lirinë e Shqipërisë… Une nga ana ime u jap një këshillë : hiqni dorë nga tradhëtia e poshtër,mblidhni mendjen e rrini urtë,përndryshe nuk u shpëton dotë as sulltani dhe as pengameri,sikur edhe në brinjët e buallit të futeni”.

Merret me mend që në letrën e Çerçizit,dërguar Shahin Kolonjës,është folur edhe për shumë halle që kalonte çeta e trimave,në male të Labërisë.Me ushqime bëhej si bëhej sepse shqiptarët e ndanin kafshatën e fundit me djemtë e tyre,por mungonin veshjet,armët,municionet.Disa shpresa të pakta kishin pasur prej shqiptarëve që jetonin në Rumani,(miq të dikurshëm të Mihal Gramenos) sa vinin e shiheshin.Ndonëse aty formalisht kishte edhe një komitet që merrte porosi nga komiteti Qendror i Manastirit,por ndihma e tij,për çetën e Çerçizit,ishte shumë e vogël,krahasuar me hallet që kalonin luftëtarët.Me të drejtë patriotët shqiptarë,lidhur me këtë shkruanin:”Një komitet i tillë nuk duhej askujt”(Arkivi Qendror i shtetit,Tiranë fondi 9 , dosja 30 fleta 302 ).

Megjithatë çeta e udhëhequr nga Çerçiz Topulli nuk e ndërprehu aktivitetin luftarak të saj.Lufta e Mashkullores mbetet ende sot,një epope e ndritur e guximit dhe trimërisë shqiptare,ku 300 burra me fishekë të numërruar luftuan për 32 orë rresht kundër 2000 e ca ushtarëve dhe oficerëve turq.Po ashtu,vlen të përmenden edhe luftimet e ashpra të zhvilluara në Frashër,Delvinë dhe fshatin Labove.Të udhëhequr prej kapedan Çerçizit,trimat e jugut,ndofta se patën menduar se do të hynin qysh herët në këngët e popullit të tyre.Kështu pas betejës në Delvinë,kur Çerçiz Topulli pat paralajmëruar komandantin turk të mos i zinte pritë,në fund të betejës ku numëroheshin dhjetra turq të vrarë,populli ngriti këngën ;

                                                     “ Milazim largo taborre

                                                       Leri djemt e mij të shkojnë

                                                       Se të shkuq të bej me bojë

                                                       Çerçiz Topulli më thonë “

Korriku i vitit 1908,do të sillte ngjarje të reja për krejt lëvizjen kombëtare shqiptare.Turqit e rinj,duke qenë të interesuar për të marrë pushtetin në duart e tyre,nuk munguan të deklarojnë disa liri aq shumë të kërkuara prej shqiptarëve.Në këto kushte,nga  atdhetarët shqiptarë të Manastirit,u parapa si domosdoshmëri një organizim i çetave të komitëve të cilat ishin vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare.Nga Komiteti i Manastirit,dërgohet urdhëri që Çerçiz Topulli duhet të takohet patjetër me Nijazi Resnjën,edhe ky një tjetër patriot në trevën e Maqedonisë shqiptare.Të dy çetat e komitëve,takohen në pyllin e Pirgut,pranë Pogradecit,më 20 korrik 1908.Takimi ka qenë i ngrohtë dhe dy burrat kanë mundur të bisedojnë gjatë mbi fatet e Shqipërisë.Në fund të këtij takimi,pos të tjerave u ra dakord që : “të luftohet bashkarisht për rrëzimin e regjimit autokratik”.(Mihal Grameno “Kryengritja Shqiptare” faqe 106). Pas takimit me Nijazi Resnjën,Çerçiz Topulli ndihmon të formohen çeta të reja të luftëtarëve shqiptarë,sidomos në trevat e Korçës dhe Kolonjës.

Prania e Çerçizit në Kongresin e Manastirit,do të ishte një ngazëllim i madh për te.E vërteta është se ka qenë Bajo Topulli,si përfaqsues i Gjirokastrës në këtë kuvend,por kjo nuk ka penguar patriotët e mbledhur aty,të përfaqsohen dhe njihen nga afër me trimëritë e Çerçizit.Gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të Manastirit,fjala e Çerçiz Topullit do të dëgjohej me respekt,sidomos në pikëpamje të organizimit të çetave të luftëtarëve.Edhe në vitet që rrodhën më pas,1909-1912,çeta e bijve të Gjirokastrës,do të jetonte në hallet e popullit të vet,do të luftonte për t’i shuar ato halle.

Ndërsa në ngjarjet pas ngritjes së flamurit në Vlorë,më 28 nëndorë 1912,Çerçiz Topulli dhe trimat e tij,i shohim në beteja të mëdha,në ruajtje të kufijve jugorë të Shqipërisë.Nëse furitë e andartëve greke,u ndaluan me dhjetra e dhjetra herë në Tepelenë,Vlorë,Korçë e Kolonjë,kjo nuk e harroi askurrë vendin e vet në male të Shqipërisë , në krye të trimave të vet.Këtu do ta kishte gjithmonë vendin,ky bir i Gjirokastrës edhe kur rrëmbeu armët dhe vrapoi në Shkodër,të luftonte kundër forcave malazeze që pushtuan qytetin.Në fushë të Shtoit,më 15 korrik të vitit 1915,binte nga dora vrastare kapedani i jugut,trimi i paepur Çerçiz Topulli.Ai binte,por populli i Shkodrës,duke e përcjellë për në varr,me mijëra ,betohenin se do të ecnin në rrugën e ndriçuar prej tij,për liri e bashkim kombëtar,nga jugu në veri,nga lindja në perëndim,një komb e një shtet.

Bern-Zvicër

Filed Under: ESSE Tagged With: Cerciz Topulli, Eugen Shehu

LARGOHET NGA FERRI ELENI LEKA

March 25, 2014 by dgreca

Nga Bedri Blloshmi/Eleni Rrodhe e bija e deputetit dhe tregtarit më të madh të qytetit të Korçës, vatranit të orëve të para, (Kol Rrodhe, i cili dha shpirt në burgun e Burrelit) pushoi së rënkuari. Zhuli do mbaronte për mësuesi dhe fati e hodhi në shkretëtirat e Librazhdit, si mësuese. Në atë shkollë u njoh me një djalë nga Bërzeshta, Genc Bardhi Leka edhe ky mësues. Njohja dhe biografia bëri që këta dy të rinj të krijojnë familje. Forcimi dhe egërsia e luftës së klasave, që zhvillohej ndaj klasës sonë të përmbysur nga orteku i kohës, bëri që të dy të pushohen nga arsimi, në vitin 1967. Të heshtur e kokë ulur, duke iu bindur fatit të zi dhe të pafuqishëm për ta ndryshuar, bënë çdo punë të rëndomtë për një intelektual. Grykësia komuniste bashkë me sigurimin gjakatar, ju vunë këmba – këmbës Gencit që nga viti 1959 deri ditën që e arrestuan më 31gusht 1976.  Eleni lindi dy fëmijë, Petrikën dhe Eglantinën. “Kuajt” e Komitetit Qëndor vendosën që Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, do i pushkatonin duke u lënë të parit dy fëmijë dhe të dytit një fëmijë jetim. Mbas 17 korrikut 1977 ditën që Zhulit ia copëtuan, shkatërruan jetën duke pushkatuar Gencin, iku nga sytë këmbët duke marrë nën sqetull fëmijët jetimë si klloçka që merr zogjtë. Duke qarë dhe ulëritur e duke shkulur flokët për hatanë që e gjeti, vendoset në qytetin e lindjes në një kthinë pa  çati. Aty jetoi si gjarpri nën gurë pa ia dhënë dorën askush. Ashtu nën brengën, nën dhimbjen e vuajtjet që i shtoheshin përditë, shpesh kjo grua me një shall dhe shami të zezë e me dy fëmijë kapur përdore, merr rrugën për tek varrezat e Librazhdit. Aty nga mesi i parcelës të binin në sy dy varre gati të përbashkët dhe mbi pllakën e ftohtë të mermertë janë dy fotografi me emrat e tyre. Genc Leka lindur më 23 mars 1941 dhe pushkatur  më 17 korrik 1977. Krahë kësaj fotografie është dhe fotografia tjetër Vilson Blloshmi, lindur më 18 mars 1948 dhe pushkatur më 17 korrik 1977, pra kanë të përbashkët fundin e tyre. Zhuli mbasi i përkëdhel të dy fotografitë me dorë, u pastron pluhurin, ulet përballë tyre e vazhdon të fshijë lotët që i bien mbi buzët e thara e i dridhen vazhdimisht. Qëndron e heshtur dhe pa iu përgjigjur pyetjeve që i bëjnë fëmijët, sepse nuk ka dëshirë, mbasi ata janë akoma të vegjël për të mësuar tragjedira të tilla, që janë vënë në skenë në regjimin diktatorial. Për t`ju shmangur, ngrihet me fëmijët për dore e largohet me shikimin nga mbrapa, derisa shikimin ja zë një kodër e zhveshur dhe e rrjepur nga erozioni i viteve. Para më shumë se një vit kjo zonjë e plakur nga pesha e halleve, nuk e merr më rrugën për të ardhur më e ta shohë apo të bisedojë me njeriun që lidhi jetën dhe krijoi familjen dhe komunistët e dërguan në dhe para kohe, sepse i vuri shpatullat shtratit, për të mos u ngritur më. Lëngoi e lëngoi, ashtu zvarrë – zvarrë vjen me shpirt ndër dhëmbë, për të fundit herë me disa tufa me lule, i vendos dhe i mbulon me lule. Në krah të varrit të bashkëshortit të saj, është dhe një varr tjetër me fotografinë e një zonje, mbuluar gjysmën e ballit me një sharp të zi. Shikimi i kësaj hallëmadheje, tretet e tretet me një vëmendje që duket se pret një përgjigje. Ky shikim është drejt njeriut të saj të dashur, bashkëshortit Bardho Leka, i cili ka ndërruar jetë në korrikun e vitit 1968 dhe prehet në varrezat e Prizrenit, nën krahët e pishave shekullore. Ja pra se si e pësuan familjet atdhetare, që deshën dhe luftuan për vendin e tyre, shumë nga këta atdhetarë patriotë shqipëtarë të zhuritur për mallin dhe dhimbjen e familjeve të tyre, treten në largësi marramendëse, larg deteve e oqeaneve dhe me sigurinë që kurrë nuk do të kthehen më në vendlindje. Eh histori? Si thua, do i shkruash, do i thuash ndonjëherë këto të vërteta? Ngrije zërin dhe thuaje të vërtetën, e mos i lër më nën pluhurin e harresës.

Bedri: “Mbrëmë më vdiq nëna. E tretur, e rrudhosur nën rënkimin e sëmundjes, na thirri pranë krevatit e me ballë të djersitur na shikonte me rradhë, mua, Tinën dhe dy fëmijët e mi. I përqafoi. i puthi, më bëri shenjë me vetullat e lodhura. Me sa kuptova unë duhet ta ngrija nga pozicioni që ishte. E ngritëm, i vendosëm një jastëk tek koka e krevatit, mbas shpine. Mbasi e rregulluam, duke menduar se do gjenta rehat në atë pozicion, e pyeta: hë mama, je mirë kështu?  Ajo nuk po rënkonte më dhe nuk ktheu asnjë përgjigje… . e përqafova përsëri kur vura buzët tek faqet e rrudhosura,ato kishin filluar të ftoheshin. Të gjithë sa ishin filluan të qanin”.

Po, Zhuli ishte larguar nga kjo botë e zhgënjyer . . .

Filed Under: ESSE Tagged With: Bedri Blloshmi, ELENI LEKA, LARGOHET NGA FERRI

TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

March 25, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hague me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës.  Udhëheqsit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, ”Deklaratë e Hague-ës”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.  Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se “ky grup ishte formuar për shkak të  vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera.  Udhëheqsit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.

Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare.  Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë.  Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime.  Ata nënvijuan se “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë.”

Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të “vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”.

Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë.  Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?

Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”, shtoi Paul Ivan dhe nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike.  Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.

Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”.

Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend.  Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.

Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës — tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke  sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë   nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t’a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal.

Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund.  Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore.   Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë  për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane.  Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës — për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.

Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, “perandoria e së keqës”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

DY HARRESAT E 22 MARSIT

March 25, 2014 by dgreca

22 MARS 2014 – U FESTUA SULLTAN NOVRUZI – U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ DHE 22 MARSI 1992!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri  të plotë. Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë. Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor. Por politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë. Në kalendarin e Shqipërisë kjo është një festë fetare zyrtare.

Më 22 Marsin e 2014, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, e cila do të duhej të ishte një festë kombëtare, për ta kremtuar të gjithë, nuk u fol gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.Si ditë e bektashizmit që kudërmonte nga era e kanellës mbi hashure, ishte rasti që të frymëzoheshe e të kujtoje vëllezërit e Rilindjes Frashëri. A nuk do të shkonte shumë bukur sikur  tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!” Politikanët shqiptarë e kanë kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vendin, as gjuhën e as kulturën.

Nuk u kujtua as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes. Në memecërinë e surrealit shqiptar, më 22 mars 2014 askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”. Shikoni sa bukur tingëllojnë: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….” Në Tiranë nuk u mbajt asnjë takim përkujtues për Samiun dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”, që këtë vit mbush plot 105 vjet nga drita e botimit; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit, edhe ai bektashi. Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!

Por tani kur themi Rilindje nënkuptojmë partinë dhe anasjelltas. Ndërsa kur themi 22 Mars e çfarë kujtojmë?

E para që do të duhej të kujtonte 22 marsin 1992 duhej të ishte PD- e cila nuk u ndie fare. Vetëm Berisha e nisi ditën e djeshme fejsbukiane, duke uruar në fillim Sulltan Novruzin e pastaj  22 Marsin 1992 duke sjellë fotografi që e çonin në një kohë që e bënte të psherëtijë e murmurijë: “O tempora e mores”.

Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhet të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.

Unë isha atë 22 mars. Raportoja si gazetare e bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë. Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija, dhe flamujt blu të PD-së. Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani 22 vjet pas 22 marsit 1992 janë kthyer në iluzione dhe deluzione. Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 22 vjet.

Por megjithatë, të gjitha zhgënjimet dhe pësimet së bashku nuk e cënojnë bukurinë dhe magjinë e ringjalljes të sovranit atë 22 mars 1992. 22 marsi 1992 është dita e kauzës të lirisë. 22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.

22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.

Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 ende jo.

Edhe Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë të tillë ku dekulturimi i zë plotësisht vendin vlerave të kulturës dhe traditës. Nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.

Jam dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishte bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.

Po ku janë sot shqiptarët, 22 vjet pas asaj dite të bekuar? Diktatura i mbajti në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër. Dinozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve. Prandaj klasa politike e ka hequr nga kalendari këtë ditë e datë të shenjtë, duke e futur në karantinë. Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, edhe për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT