• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

NË PRAGUN E 95 VJETORIT … NA LA PJETER GJONI…

March 1, 2014 by dgreca

PJETER GJONI (23 Mars 1919 – 28 Shkurt 2014)/

Nga Fritz RADOVANI/Në një prej krahinave të njohuna Ilire me emnin Iballe e Pukës, jo larg prej qytetit të Shkodres, me daten 23 Mars 1919, ka le Atdhetari Pjeter Gjoni.Në Shkoder u formue me edukaten qytetare tue vazhdue shkollen pranë Jezuitëve, ku me nektarin e kulturës së vjeter të atij qyteti të lashtë, mori edhe ndjesit e para fetare aq fort të lidhuna me Atdhedashuninë. Okupacioni komunist e gjeti me probleme serioze të shndetit, dhe tue u parashikue nga jezuitët e ardhmja e vështirë e persekucioni i tyne nga bolshevikët, Pjetri, u këshillue prej tyne, me fillue punen si kuzhinjer dhe shofer i një makinë që kishin ata per nevojat e atij institucioni.

Nuk shkoi gjatë, jezuitët u dëbuen nga Shqipnia, dhe Pjetri vazhdoi punen e shoferit, per me fitue buken e gojës, mbasi nevojat familjare i kishte shumë të mëdha e të vështira.Kenja e Pjetrit pranë atij institucioni kulturor e fetar aq të urrejtun nga komunistët, e rreshton edhe këte, nder Njerzit e “padishrueshem” të sistemit perbindsh e diktatorial, antikulturor e antifetar komunist.

Shkodra e temeleve të kulturës, ku lulzonte perditë e ma shumë formula “Atdhe e Fe”, e kultivueme dhe e brumosun tek Shqiptarët e Veriut, nga Françeskanët Shqiptarë, ishte perqafue dhe po meaq dashuni punohej per Te, nga dijetarët At Zef Valentini, At Gjakomo Gardin, At Gjovani Fausti e deri tek fratel Sala e Gjon Pantalia, sa të gjithë Ata studentë katolikë e muslimanë, pa dallim feje, që kishin perfundue shkollat fetare të Shkodres, konsideroheshin “anmiqë të komunizmit” dhe per pasojë duheshin zhdukë, vra e masakrue…me tortura, shpifje e procese fallso që të çonin drejt e në pushkatim.

Nuk kishte si ti shpetojë këtij terrori antinjerzor, që ishte një Gjenocid i vertetë kunder Klerit Katolik dhe nxanësve të shkollave të tyne, as Pjeter Gjoni. Arrestohet edhe Pjetri dhe pergatitet pushkatimi i tij…

Ishte i pranguem dhe i lidhun në vargoj e hekra tue pritë çdo mengjez kur po hapën dryjt’ e shulat për me ikë këso jete! Shkodra, e Rozafës kreshnike, qyteti i tri urave të Bunës, Bahçallekut e Kirit ishte kapërthye në të katër anët me re të zeza si futa, veç pritej kur po fillon rrëbeshi i shiut përzi me breshën, që s’merrej vesht se janë gurë apo kambë kulshedrash, si nder prrallat e vjetra, ata që kalojnë mbi pullaze të mbulueme me tjegulla, që porsi kroje shprazën në rrugët e ngushta të qytetit të harlisun e të çueme peshë nga Vetë Dora e Perendisë!

Një natë e frikëshme por, që me padurim e priste i ndryem në qeli Pjetër Gjoni… Këputi dritat, iku, bujti atë natë tek Miku i vet Mark Mirashi, në rrugen e Luigj Gurakuqit… mori malet nga Puka, iku, iku ndër shpella e skuta ku flejnë vetëm bishat, por jo, ma t’egra se ato që jetën deshtën me ia këputë bash në lule të saj, u iku pa dijtë ku shkon… iku se Ai ishte urdhni i Zotit, që Pjetri prej Shna Ndout, pat nxjerrë me lutje, për me shpëtue jetën nga plumbat e pamëshirshme të dhunës komuniste, që për 50 vjet shkretnoi e vorfnoi sa zemra nanash, motrash, vllaznish, bijsh’ e bijash të Qytetit të Lashtë të Shkodres Martire antikomuniste…

Ishte Nana Yte Pjeter, që mendoi se rrugët e vështira nuk bahen pa shoqni!Bani me dijtë njeriun e dashtun të zemres s’ Ate…E, sokolesha e Atyne maleve, Katrina, mbathi këpucët e nusisë, e me bohçe përpara si kje nëpër shtëpi, vrapoi mbas Teje…në betejen e madhe për jetën e fitueme në prag të këputjes së penit…e, erdhi me Ty ndër male, ndër gergja, shpella e prroska, bash aty, ku nuk ndihet asgja tjetër veç zanit të bylbylit e jehonës së rrahjes së krahve të Shqipës Dykrenare, që Ju mori në mbrojtje bash në çerdhe të Saj…

Sot, mbas Katrinës s’ Ate fort të dashtun, duhet të jeshë pershëndetë si dikur pershëndeteshin Burrat e tokë kokë per kokë me Pashuk Bibë Mirakaj, Pashko Leten, Zef Luken, Vat Staken, Pal Miraken, Prengë e Gjin Keqanin, Fran Kolen, Kol Çunin, Kol Ujken… e sa të tjerë, gati të gjithë vra nder Male per Liri.
Ikët, të zbathun, të çveshun, të uritun, të etun e të zharitun për dashninë prindore që hasmi Ju bani, me e dishrue gjithë jetën, por… si dy pëllumba çilët në çerdhën Tuej dy lule… dy lule Vilmën dhe Bernardin …e ndër rrugët e largëta vazhduet shtegtimin ….drejtë Botës së Lirë!

Pershkuet shtigjet e Kosovës, Kroacisë e arrijtët në tokën e Italisë…gjithkund me strajcen e vorfen, por plot Besë e dashni…tue bajtë me vete “kafshaten e thatë” të fëmijëve…Tuej, dritës së synit…
Australia Ju priti!…dhe Ju, ia mbushët shtëpinë e Saj mikpritëse me nipa, mbesa e stërnipa, që të gjithë me lot perfaqe, po presin me t’dhanë “lamtumiren e Fundit!”

E sikur, vetem nga një fletë libri të shkruente per jeten Tande, sot këtu, sejcili, do të kishte në dorë nga një volum me 95 faqe të bardha si bora, që mbulon majet e maleve të Pukës s’ Ate, male që rrethojnë Iballen…Po, Pjeter  Gjoni,

Bash Djepin Tand, e të sa Burrave të Mëdhaj të Historisë së Shqipnisë!Prandej, me të drejtë sot Emni Yt i Pavdekshem, renditet nder “Njëqind Shqipet” që keni luftue per Liri të Atdheut… E Ti, je i fundit nder Ata Burra që po shkon në Lumni Qiellore me nder e lavdi si i ka hije Djelmëve të Shqipes Arbnore!Kujtimet e veprat e Herojve, Shqiptarët do ti perjetsojnë…

E në fleten e fundit në pergamenë, do të shkruehet me shkronja t’ arta:“Pjeter Gjoni, ishte shtetas dhe qytetar i Nderuem i Melbourne t’ Australisë, Atdhetar e Burrë trim, besnik e bujar i Shkodres së Shqipnisë, dhe Luftar’ i vendosun dhe i pathyeshem deri me daten 28 Shkurt 2014,

I Besimit në Zotin…e Gjithësisë…”

Pushofsh në Paqë, i dashtun dhe shtrenjti Mik!

Fritz Radovani

Melbourne, 28 Shkurt 2014.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, na La, Pjeter Gjoni

NJË MËNYRË TJETËR PËR TË THËNË TË VËRTETËN

March 1, 2014 by dgreca

 nga Albert HABAZAJ/

Fillimisht nuk më shkaktoi ndonjë ndjenjë të këndshme titulli i këtij libri “Revolucion” për vetë faktin se më ngjau si ato shprehjet tradicionalisht të lodhura dhe thashë me vete: “Po kjo Ermelinda, çupë e re, gocë qyteti, vajzë me kulturë…, si nuk gjeti një titull të bukur, një metaforë të gjallë për këtë libër, se që librin e parë të saj, që më dhuroi i ati Pëllumbi, miku im, e pati realizuar goxha mirë “. Por qysh në poezinë e parë vërejta se Ermelinda kishte të drejtë, sepse ndjeva që varg pas vargu e vjershë pas vjershe po rritej një urugan pështjellimi ndaj venitjes së vlerave e virtyteve të kulluara njerëzore, që kanë ardhur brez pas brezi si margaritarë të shoqërisë, të ruajtura e të pasuruara për ta bërë më të bukur jetën, duke e vlerësuar si gjënë më të shtrenjtë dashurinë e pastër dhe fisnikërinë e familjes. Sidomos poezia “Etër të përdalë” më bindi plotësisht se titulli i shkonte përshtat pëmbajtjes së materialit që më dha për redaktim autorja. Në këtë kohë të kalbur, kërkohet plugim në mentalitet, në sjellje, në sjellje, në veprim, në edukimin estetik e artistik, sepse jemi Njerëz. Dhe NJERIU visaret më të çmuara në jetë ka Emrin dhe Nderin. Dhe për këtë synim të lartë, si me frymëzim hyjnor jep mesazhet e saj Ermelinda Nebiu për të bërë gati një revolucion biblik.Po i jap që në krye lexuesit një klithmë rrëqethëse të kohës nga pena e autores së re me të nesërme letrare, E. Nebiu: “Etër të përdalë!

Ku jeni ju, fëmijë nënash? / Ju tradhëtarë,/ Që Emrin dhe Nderin e përfolët si të ulët!/ Mallkuar qofshi ju, etër epshndjellës!/ Ju, mëkatarë trutharë,/ Që kurrë s’do të keni sy për të parë!/ Mallkuar qofshi të gjithë ju, etër,/ Që zemrave të njëjtin emër i vutë!/ Ju s’keni as gjak, as lavdi, as nder/ Por veç helm, që lëndojnë shumë./ Përdalësinë, përkatësinë e rreme/  Ditët ta zbukuronit plot nur./ Në këtë botë të ndyrë e të përmjerme,/ Etër të etur ka ca si shumë.” Kjo vajzë e thjeshtë Vlore ka marrë jo penën, por vërtet levën e Arkimedit dhe i thotë shoqërisë: Shkundu! ” Etër të përdalë” është një vjershë tronditëse, por fatkeqësisht plazmë e hidhur e realitetit, që lëviz nga themelet njerëzimin, apo të paktën këtë mikrokozmos njerëzor që ne njohim dhe autorja e rrok artistikisht si një bulëz migjeniane. Me një varg larg folkorizmit të vjetër dhe artificializmave, embrioni poetik i Ermelindës çeli zërin individualist të protestës së sotme, të zhgënjyerën dinjitoze, që nuk bën poezi për moral, por MORALIN e ngre në art, sepse ka forcë depërtuese sa që pastaj ka shpresë e del mbi natyrën pesimiste depresive, të diktuar nga rrethanat e kohës së kalbur me liliputët e saj të shpërfytyruar nga viruset e skamjes morale. Ajo lëshon kushtrimin qytetar tepër e shqetësuar:” O njerëz, o bij nënash, o etër, o meshkuj të pështirë! Mblidhni mendtë e kokës e mos e shkatërroni këtë begati të shëndetshme që quhet FAMILJE”! Në këtë shoqëri njerëzore, ku familja ka qenë, është e duhet të jetë bekimi i jetës së qetë e të lumtur dhe burimi i energjive të pastra, autorja me neveri këlthet djemve të nënave, që prishën familjen, venitën shoqërinë, saqë e thanë jetën si një gjethe të kalbur vjeshte.“Me ç’ krahë do të shtërngoj, kur s’ më kanë mbetur?” nga tradhëtia e pabesë.  Revoltimi i autores është ngritur dhe artistikisht në nivel, kështu që bëhet më shpotitës, më civil, më papajtues dhe bën efekt tek lexuesi. Për mirësinë njerëzore ajo flet me erën, me retë, me diellin, bën aleancë qiellore për të mos guxuar askush të bëjë biznes me zemrat.Ajo shkund shpirtin e prishur të njeriut dhe i drejtohet pjesës lakmitare të gjinisë mashkullore,  me dinjitetin e virtytshëm të femrës shqiptare si motër, si vajzë, si shoqe- atyre bijve të nënave, meshkujve, burrave (që kuptohen se janë të tillë jo nga vlerat shpirtërore e morale, por thjesht nga seksi).Ajo ka një logjikë të fortë dhe argumenton bindshëm me pak fjalë mendime të mëdha, të forta, të qartë, konkretë, të dobishëm, të guximshëm. Shprehjet lakonike dhe të figurshme ilustrojnë botën e brendshme të autores: të pasur, të pastër, të shëndetshme, që nuk pranon të bëhet pis nga soji i lyrashëve zuzarë. Ajo me vargjet e saj i shkul veset e tyre si krisjet në arë. Ajo s’ kërkon as fytyrë, as shpirt dhe as gjak fals. Forca e abstraksionit ngjizet me këtë realitet  harbutërisht tallazitës dhe mendimi krijues vezullon kthjellët, sa që ” Kafshatën e thartë kapërdiva me dhembje“- vjen si një ofshamë migjeniane në trajtë të re, kur ajo shikon lakuriqësitë e ëndrrave, kur poshtërsia përdhunon realitetin, kur zjarr i zhveshur nga të tjerë vjen si ngadhënjim i çliruar ligësie. Të flas nuk dua/ për një askush pa emër/ që e humbët kur e donit/ Të zbuloj dua një askush të humbur. Me shigjetën e mprehtë të vargut të ri poetja vlonjate fshikullon kopenë demode maskiliste, që rrezikon të shndërrohet shoqërisht e dëmshme dhe logjikisht e papranueshme. Dhe autorja e enjtur rend pas buzëqeshjeve, pa fjalë si ushtarë të paepur,kur siluetat botërore të ndyra e zvarrisin si lypës i fatit të trishtë, kur tradhëtohen kaltërsitë e grisen mijëra herë,s’ka kthim tek ti, se thyhet dashuria, s’ka as rrugë, as pema s’mbin më. Mëshiron autorja dhe përsëri shumë denjësisht. Ajo pothuaj  shprehet:” Nuk vij tek ti, por do të kërkoj një kishë ku të falem për ty, se je një lamash që s’di se ç’bën!”. Përsëri ajo ka guximin qytetar ta imponojë me virtytet e larta që mbart atë, të cilit i besoi, por që ai s’ e meritoi, sepse  u katandis në një frymor që e rrëmbeu vesi në pellgaçet me zhul. Ajo e imponon robin e vesit: “ Të nderosh ndjenjat e mia- hesht/ të mos bëhem pis nga fjalët e ndyra, o mbret i zemërimit!”. Është një fjalë e vjetër persiane:” Humbe paranë-s´ke humbur asgjë. Humbe shëndetin- ke humbur diçka. Humbe dinjitetin- ke humbur gjithshka”.  Ermelinda Nebiu  dinjitetin e ka frymën, shpirtin, pasqyrën dhe të vërtetën jetësore, duke u bërë një model i ri shembullor qytetarie,  natyrshëm dhe simbol i ri i karakterit të vajzës së sotme vlonjate. Në këtë libër të vogël në volum, por të mirë në realizim gjejmë dhe sentenca si “ Realitetin e urrej/ por urejtjen s’e çmoj” apo dhe fjalëformime si fundëron:” fundëron ndjenjat e mia “. Ndihet vargu modern, solemniteti i fuqisë artistike të autores. E enjtur rend pas buzëqeshjeve. Siluetat botërore të ndyra e zvarrisin si lypës i fatit të  trishtë, se është faji i dhembjes që  forcë s’ka, thotë shumë e sinqertë në vjershat e saj poetja e re nga Vlora, një talent premtues sikurse Alisa Velaj e pak të tjera, që po të punojnë mund të përfaqësojnë poezinë moderne nesër. Libri “Revolucion” është vëllimi i dytë me poezi i Ermelinda Nebiut dhe ngjyrat befasuese që poetesha e re ka zgjedhur për të pasqyruar kozmosin e saj jetësor janë tejet emocionuese e tronditëse. Lexuesi shtanget qysh në fillim, sapo hedh një vështrim nga dritarja artistike e Ermelindës, sepse ajo e sheh botën me një sy tjetër, të freskët, duke hedhur poshtë apo shpërfillur shumë nocione apo paragjykime të pranuara jo vetëm nga një shumicë qytetare por edhe nga mjaft librabërës. Tek kjo autore e re e me kulturë vërej rikthimin me elegancë te letërsia dhe mishërimin e shprehjes që theksonte Kassireri (Cassirer): “ Njeriu prej kohësh nuk jeton vetëm në botën fizike, ai jeton edhe në një farë bote simbolike”.  Autorja e re është në rezonancë me kërkesat e reja, kërkon dimensione të reja, ekzistenca yjësish, duke u bërë grimcë dhe valë e pluhurit kozmit të krijimit.   “Me ç’ krahë do të shtërngoj, kur më s’ më kanë mbetur? – shkruan autorja- se “Gjithësia luan me lotët ” e bën të kthejë në gllënjkë me ëndrra dhe përsëri beson se mbi fletët e bardha ka një  qenie plot botë!  Vargu i Ermelindës ka dritë, ka muzikalitet, ka ngjyra, horizont e botë. Ka ritëm të brendshëm në vargjet e saj,. Ka poezi të bukura si “Hirësi e marrë”,”Love+”, “Poshtërsi”,”Etër të përdalë”,” Lodhje”,”Revolucion”,”Aleanca qiellore” etj. Kur ajo mërzitet harron të psherëtijë, ende më poshtë zbret në mbretërinë e heshtjes, fjalorin tres, thotë dhe regjistron jo lehtë me dëshpërim në kujtësën e shkruar mendimin e sintetizuar, të shtrydhur si musht, për ta fisnikëruar këtë jetë nga kjo palo kohë e kalbur. Lumturia shkon si dhe unë-  konkludon autorja në një poezi, ndërsa mua mu kujtua një shprehje e  poetit nobelist Janis Ricos “…ndjenja, mendimi , fjala, lidhen në një bashkim monolit të pathyer ”. Mu kujtua, si duket, nga që edhe Ermelinda ka ditur ta respektojë këtë pirosti magjike të artit. Arrij në këtë përfundim sepse vargu i saj lëviz, është në veprim, ka ngyrë, ka erë, ka terren, ka fenomene, ka hapësirë e të gjitha këto jo të ngjyera me art, por dalin nga bërthama e artit të fjalës.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, NJË MËNYRË TJETËR PËR, TË THËNË TË, VËRTETËN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT