Ditën e mërkurë, datë 23.04.2014, Akademia e AIITC “Popuj dhe Kultura” organizoi takimin e saj të katërt me temë: “Arbëreshët e Italisë dhe revista arbëreshe “Lidhja” – Një kontribut i çmuar kombëtar jashtë Shqipërisë”, ku i ftuar ishte At Antonio Bellusci, themelues i revistës dhe drejtor i Bibliotekës Ndërkombëtare Shqiptare “A.Bellusci”, Frascineto (Cosenza).
Ky takim vinte në kuadër të leksioneve që kjo akademi organizon, me synim për të kontribuar pozitivisht në kulturën shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror.
Një pjesë e pandarë e kulturës kombëtare shqiptare është kultura e trashëguar nga arbëreshët e Italisë. Për t’u njohur më thellë me jetën kulturore dhe intelektuale të kësaj popullsie, si dhe për të mësuar më shumë rreth përpjekjeve të tyre për ruajtjen dhe forcimin e traditave dhe identitetit të tyre kombëtar në Itali.
Në takim referoi At Antonio Bellusci, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim, duk e themeluar i një sërë institutesh kulturore dhe akademike si: revista arbëreshe “Lidhja” dhe Biblioteka Ndërkombëtare Shqiptare”A.Bellusci”, në Frascineto (Cosenza).
I gjendur në Shqipëri në kuadër të një delegacioni arbëresh nga rajoni i Unggrës, z.Antonio Bellusci iu përgjigj pozitivisht ftesës nga AIITC, për të zhvilluar një takim në mjediset e Institutit, me qëllim prezantimin e veprimtarisë së tij në shërbim të kulturës arbëreshe.
Me këtë rast, delegacioni arbëresh, i shoqëruar nga Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve z. Ilir Hoxholli, kreu një vizitë dhe në ambientet e AIITC. Atje u pritën nga Drejtori i AIITC Dr. Ramiz Zekaj, Kryetari i Bordit Dr. Faruk Borova, kryeredaktori i revistës “Univers” prof. dr. Arian Kadiu dhe një numër bashkëpunëtorësh.
Në takim morën pjesë një numër studiuesish, intelektualë dhe njerëz të librit si, gjuhëtarët prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Hasan Çipuri dhe Dr. Genciana Abazi, historianët Bedri Telegrafi dhe Ibrahim Hoxha, botuesi Xhevahir Lleshi dhe shumë të interesuar të tjerë.
Akademinë e hapi At Antonio Bellusci me një prezantim të veprimtarisë së Bibliotekës së tij. Z. Bellusci tregoi se Biblioteka Ndërkombëtare Shqiptare”A.Bellusci”, Frascineto (Cosenza) u themelua në vitin 2001 me ndihmën e baskisë së qytetit Frascineto, për të qenë në shërbim të komunitetit italo-arbëresh prej 30 mijë vetësh.
Ishte kjo nismë finalizimi i përpjekjeve shumëvjeçare të bëra prej tij si etnolog, folklorist dhe studiues i gjuhës shqipe dhe traditave arbëreshe. Biblioteka përmbante një literaturë të pasur në gjuhën shqipe nga të gjitha kohët. Por ai që binte në sy, ishte fakti se biblioteka ishte kthyer si një muze etnografik. Përveç librave, ajo përmbante piktura, një vegjë tezgjahu, qilima me motive shqiptare, fotografi edhe shumë objekte të tjera të kulturës kombëtare, të cilat arbëreshët ia kanë ruajtur ndër shekuj.
Më pas ai prezantoi veprimtaritë e ndryshme që kishte zhvilluar biblioteka këto 13 vite, ku vuri një fokus të veçantë te vizitat e shumta të zhvilluara nga personalitete të ndryshme shqiptare ndër vite. Artistë, shkrimtarë, politikanë, nxënës e studentë të shumtë nga Italia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka pritur ajo bibliotekë. I gjithë prezantimi u shoqërua me një kolazh këngësh tradicionale arbëreshe, që z. Bellusci i kishte mbledhur për këtë rast.
Më pas fjalën e mori kreu i delegacionit arbëresh Mons. Donato Oliverio, i cili e falënderoi Institutin për mundësinë që i dha të takohej me një auditor të nderuar dhe u shpreh se një nga vlerat më të çmuara të popullit shqiptar që ai e vuri re shumë qartë gjatë kësaj vizite, është toleranca fetare e mrekullueshme që ekziston mes shqiptarëve, çka duhet ekspozuar më shumë ndërkombëtarisht.
Në përfundim të takimit, Drejtori i AIITC dr. Ramiz Zekaj e falënderoi At Antonio Belluscin dhe delegacionin arbëresh që e kishin pranuar ftesën e tij për vizitë. Ai rrëfeu mbresat e tij gjatë një vizite që kishte kryer disa kohë më parë në bibliotekën “A. Bellusci”, ku kishte mbetur i habitur nga mënyra si kishin mbetur të ruajtura shumë elementë të traditës kombëtare shqiptare atje. Dr. Zekaj u shpreh se tashmë At Bellusci kishte pranuar ftesën për të qenë anëtar i Bordit Këshillimor të revistës “Univers” dhe i uroi mirëseardhjen në gjirin e kontribuuesve të kësaj reviste. Pas disa konsiderata nga të pranishmit, veprimtaria u mbyll me një koktej të përgatitur me këtë rast, gjatë të cilit At Bellusci pati mundësi të shënonte përshtypjet e tij në Librin e Vizitorëve të AIITC.
Archives for April 2014
PLATONI E MUZIKA
Nga Miftar Spahija /
Nryshimi i mensisë, i botkuptimit të nji populli fillon me nryshimin e muzikës, thotë diku Platoni. Tehemteh sod në Shqipni nigjon kangë të muzikës sërbe e greke.
Me e pytë at shqiptarin e Shkodrës, të Lumës, të Dibrës, pse more të knaqet veshi me nigjue kangë serbe?
Muzika asht nërkomtare, të thotë me kreni qortuese; si me thanë, ti nuk din gja; e ke menën te ngushte sa grushti!
Me e pytë korçarin, gjinokastritin, sarandasin, vlonjatin, pse nigjon kangë greke kaq shum? Ka me tu gjegjë si ata qi nigjojne kangë serbe.
Po. Muzika asht nërkomtare; po parase me qenë nërkomtare ka qenë edhe asht komtare. Mija vjetët kan ngjeshë shpirtin, flishen (soul) e komit; kështu pra thona, kemi nji muzikë shqiptare, italjane, gjermane, turke, e të dheta e dheta komeve tjera. Kur thomi muzikë, kemi thanë za. Zani mund te jetë i gzueshëm apo i dhimshëm; i ithtë apo i amel. Aj za e ato fjalë shprehin, jashmojnë, gzimet e dhimet e komit shqiptarë. Pra, nqoftse ti nigjon muzikën e kangve serbe e greke e ato shqiptaret i masdore, kjo don me thanë se ti je tue u largue prej gzimeve, dhimve, idhnimive, vujtjeve, botkuptimit, pikpamjeve të shqiptarit e je tue u futë në rrethin e gzimeve, dhimve, idhnimeve, vujtjeve, synimeve, botkuptimit serbjan apo grek: je tue u nërkomsue, je tue u largue prej dashnisë, prej krenise qi duhet te kesh per komin tan shqiptarë; ke fillue mos me ba dallime komsije shqiptare, sërbjane, greke; ke fillue me u ba nji fare laramani albano-serbo-grek! Nji kamaleon!
Shkrue në Korrik 1996.
Shenim: Botue nga autori me përmbledhjen e shkrimeve të tij përgjithësisht në anglisht me titullin About Kosova nga Shtëpia Botuese “Koha”, Tiranë, 1998. Libri About Kosova asht përkthye në shqip nga Ahmet Kolgjini me titullin Rreth Kosovës, dhe botue nga Shtëpija Botuese “Koha”. Tiranë, Tetor 1999.
*ne Foto: Miftar Spahija (1914-2005)
Filozofija e nacionalizmit mistik të Putinit
Veprimet e fundit por edhe ato të mëparshme të Putinit e kanë bërë shumë të kujdesshëm Kryetarin e SHBA-ve Barak Obama që të mos e thirrë Rusinë për t’iu bashkuar “ fuqisë rajonale” dhe kështu mund të konstatohet se këta burrështetas nuk janë partner të barabartë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Samiti i mbajtur në Gjenevë në mënyrë të qartë dëshmoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në territorin e Ukrainës dhe shi për këtë partnerët u pajtuan që të filloi plani i çarmatimit të grupeve të armatosura pro- ruse që i kanë zënë ndërtesat qeveritare në pjesën lindore të këtij vendi. Mirëpo, separatistët pro- rus nuk duan t’i ulin armët. Ndaj, shlirshëm mund të thuhet se situata në Ukrainë është serioze. Shumë serioze.
Tani pretendohet se lufta e ftohtë është rikthyer. Këtë term e kemi të njohur tash e njëzet vjet më parë. Rritje tensioni mes Rusisë e Perendimit mund të jetë një shenjë alarmante. Nga shumë debate që po zhvillohen lidhur me krizën e kapluar nga aneksimi i territorit ukrainas nga Rusia , vlen të përmendet ai që po zhvillohet nga intelektualët gjerman të cilët me të drejt pyesin nëse Gjermania është në të vërtetë shtet perëndimor apo lindor. Ç’është e drejta, për shumë njerëz në perëndim krahasimet e gjendjes aktuale janë në shpërpjesëtim me pretendimet se tani kemi të bëjmë me rikthimin e Luftës së Ftohtë sepse , nëse mund të thuhet kështu, konflikti i fundit i madh është “ “ fituar” nga perëndimi. Putini është ai që Luftën e Ftohtë e ktheu prapa, por në të njëjtën kohë edhe Rusinë e ktheu prapa. Sa mund të jenë të sakta pohimet se Putini “ mbanë mend shumë deri sa ishte punëtor i shërbimit sekret KGB, për poshtërimin rus gjatë kolapsit ekonomik, pastaj grabitjet oligarkike dhe zgjerimi i NATO-s deri në kufijtë e Rusisë që është një dimension që flet shumë për fillimin e kësaj krize. Dhe shtrohet pyetja se në këtë situatë të imponuar nga Rusia a mund të jenë si partner të barabartë kryetari i SHBA-ve Barak Obama dhe ai rus Vladimir Putin. Zatën, kjo është arsyeja kryesore pse Obama tregohet kaq i kujdesshëm për të thirrur Rusinë për “ fuqi rajonale. Pra, sillesh kah të sillesh Rusia nuk mund të jetë një partner i barabartë as i perëndimit e as i SHBA-ve.
Putin përpiqet me siguri të “gatuaj” diçka vet, por edhe të marrë diç edhe nga filozofët e vjetër rusë. Pra, filozofia e tij është nacionalizmi mistik i kohës kur Rusia ishte bashkësi e shpirtërave. Historiografia e komunizmit e mbërthen veprimin e Putinit dhe asesi një formë e nostalgjisë kombëtare si një ëndërr e një rusi që besonte në diçka. Fakt është se simitizmi i Putinit nuk është një histori e madhe e botës. Kjo, në të vërtetë, është një histori që ka të bëj me vetë Rusinë.
Prapë po i kthehemi Luftës së Ftohtë. Ka mbaruar ajo, apo është aktuale edhe tani. Mendoj se ajo ka mbaruar që moti dhe është “ fituar” nga perëndimi, sepse ajo çka shihet e po ndodh është diçka tjetër. Kuptohet, ideologjitë e perëndimit dhe lindjes janë diametralisht të kundërta, por lidhjet e tyre ekonomike janë të forta. Tash edhe Rusia edhe SHBA-të janë më të forta se sa ishin dikur, edhe moralisht edhe financiarisht. Historia në këtë rast nuk mund të përseritet. Kjo mund të jetë një “ triller spiunazhi”, por një “ triller spiunazhi” i formës së re.
Dhe krejt në fund. Mafiozët rusë dhe oligarkët mund të ndërhyjnë si “ djem e burra” të këqinj kudo e kurdo në territorin e tyre sepse kjo i takon natyrës së fuqisë dhe ideologjisë së pushtetit të tyre i përcjellë me karakterin e tyre të pastër të lakmisë. Është vështirë për të përshkruar më shumë dimensionin e mafiozëve rusë të goditur nga “ paratë” në shuma miliardësh. Sigurisht se në këtë punë është e përzier edhe qeveria e regjimit rus dhe për të çorientuar popullin nga kapitullimi ndaj kësaj strukture të rrezikshme, Putini zgjodhi aneksimin e Krimës, por ndoshta edhe pjesëve tjera të Ukrainës. Nuk është vetëm kjo. I ardhur në pushtet sipas dëshirës së tij me ndërrim funksionesh sikur të ishte pronë e tij, populli rus nuk e pëlqeu këtë dhe është e natyrshme se e dënon këtë me gjithë forcën. Thënë konkretisht, reputacioni i tij kishte rënë në pikën më të dobët dhe për ta ngritur atë u deshtë të aneksoj toka të huaja. Kësisoj kishte vepruar edhe Daçiqi me prangimin e dy policëve kufitar të Kosovës dhe arrestimit e dënimit me burgim të shumë qytetarëve të pafajshëm të Luginës së Preshevës. Kësaj i thonë politikë sllave. Caku qëllohet në taborin e huaj. Dhe siç dukët këto aktivitete çmendurake po “hutojnë” popullin për t’ua dhënë votën e për t’i përkrahur haptas. Edhe ky është një nacionalizem mistik sllav apo jo. Po ashtu edhe historiografi e komunizmit.
MALI I ZI, INTEGRIMET EUROPIANE DHE PROTESTAT E SHQIPTARËVE
Nga Xheladin Zeneli*/
Pothuajse gjithë faktorët relevant ahqiptar,si politik dhe jo politik, janë në pajtueshmëri të plotë me faktin se pozita e shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon gjithënjë të jetë e pavolitshme.Mjafton vetëm që t’ju hidhet një sy programeve të subjekteve politike shqiptare dhe të vërtetoheni në listën e tyre të gjatë të kërkesave dhe çështjeve të pazgjidhura të shqiptarëve.
Gjithashtu,gjatë 23-vjeçarit të fundit jemi dëshmitarë të bashkëqeverisjes dhe marrëveshjeve të shumta në mes subjekteve të caktuara politike shqiptare dhe partisë që udhëheq me pushtetin qendror, por pa rezulltate apo me rrezulltate të kufizuara.Njëkohësisht jemi dëshmitarë të premtimeve të vazhdueshme ,nga ana e qeverisë së Malit të Zi dhe kryeministrit Gjukanoviq kur janë në pyetje realizimi i të drejtave të shqiptarëve,premtime këto që kanë mbetur të zbrazta. Gjatë gjithë kësaj kohe, ka pasur projekte ,elaborate të ndryshme, reagime,propozime të amandamenteve ligjore nga ana e përfaqësuesve shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, por pa një sukses të konsiderueshëm.
Duke u nisur nga këto parametra, si dhe nga shqetësimi i diasporës shqiptare për pozitën e përkeqësusar të bashkëkombasve të tyre në vendlindje, organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet etnike në Mal të Zi që veprojnë në SHBA ,organizuan demonstratën paqësore në Washington me 8 Prill 2014, në të njëjtën ditë kur kryeministri malazez, Gjukanoviq u takua me z/presidentin amerikan,Biden,në Shtëpinë e Bardhë .Kjo demonstratë pati përkrahjen e shumë organizatave tjera shqiptare në SHBA dhe pati një jehonë të madhe në mediumet dhe në hapësirën shqiptare. Gazeta shqiptaro – amerikane ” Illyria” e përshkruan këtë demonstratë si “Protesta më e madhe shqiptare e dekadës në Washington”,kurse Albanian News Agency ( AlbPress) shkruan:”Kjo demonstratë konsiderohet si një ndër më të organizuarat pas luftërave në Kosovë dhe Maqedoni”.Si rrezulltat i kësaj demonstrate ,anëtari i Komitetit për marrëdhënie të jashtme i Kongresit Amerikan, z. Eliot Engel,menjëherë pas përfundimit të demonstratës,ftoi në zyrën e tij të Kongresit,përfaqësuesit e disa shoqatave shqiptare dhe disa aktivistë të tjerë të komunitetit me në krye anëtarin e Asamblesë së New York-ut, z. Mark Gjonaj,ku u parashtruan kërkesat kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në të njëjtën ditë,pra me 8 Prill 2014 dhe në koordinim me shoqatat shqiptare në SHBA, u mbajt në Plavë protesta paqësore me moton ” Kërkojmë të drejtat tona”, e organizuar nga Unioni i pavarur i studentëve shqiptar në Mal të Zi (Dega Plavë -Guci). Këto djem dhe vajza meritojnë mirënjohje të veçantë për vendosmërinë dhe kurajon e tyre që treguan me rastin e realizimit të kësaj proteste. Kurse,dy ditë më parë me 6 Prill, në Tuz të Malësisë u mbajt ,gjithashtu protestë kundër politikës diskriminuese të pushtetit malazez ndaj shqiptarëve, e organizuar nga Forumi Demokratik për Integrim (FDI) dhe e përkrahur nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë si i vetmi subjekt politik i cili i ka dhënë përkrahje paraprake protestave të shqiptarëve.
Pyetjeve që nuk mund ti shmangemi dot është se përse protestat paqësore nuk patën përkrahjen e duhur të subjekteve të tjera politike shqiptare ? Përse nuk u përkrahen protestat e studentëve shqiptar në Plavë të cilët dualën në rrugë pa kurrfarë interesave politike por thjeshtë që të ngrisin zërin e tyre ndaj padrejtësive që iu bëhen shqiptarëve ? Gjithashtu,përse nuk u përkrah demonstrata e diasporës shqiptare në Washington ?. Këto janë vetëm disa pyetje,përgjegjën e të cilëve e dijnë vetëm subjektet politike shqiptare.
Një ndër arsyet e organizimit të protestave në fjalë ishte edhe ajo,se ky vit është vit i vendimtar për Malin e Zi në aspektin e përmbushjes së kushteve dhe kriteriumeve lidhur me anëtarësimin e tij në NATO dhe në BE. Prandaj,ky është moment i rëndësishëm që shqiptarët të riaktualizojnë çështjen e tyre duke sfiduar integrimin europian të Malit të Zi në aspektin e mos realizimit të të drejtave të plota të shqiptarëve sipas standardeve të vetë asaj bashkësie ,pjesë e së cilës Mali i Zi pretendon të bëhet,pra pjesë e BE. Është i papranueshëm fakti që Podgorica zyrtare, në njërën anë aspiron të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE, kurse në anën tjetër iu mohon të drejtat elementare të shqiptarëve.Prandaj edhe një ndër parrullat e protestuesve shqiptarë në Washington ishte “Nuk ka integrim në NATO për Malin e Zi pa të drejtat e shqiptarëve !”
Kur dialogu dhe rruga institucionale nuk jep rrezulltate të pritura të zgjidhjes së problemeve,atëherë protestat paqësore duhen të kuptohen si vazhdimësi e një proceci demokratik dhe si mekanizëm mbrojtës ndaj padrejtësive evidente të pushtetit malazez dhe si element plotësues i aplikimit të trysnisë ndaj këtij pushteti.
Duke u nisur nga kjo premisë, atëherë përse pjesa dërmuese e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi ngurrojnë apo hezitojnë që të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore? Të drejtën për të protestuar iu mundëson edhe kushtetuta e Malit të Zi ( neni 52). Derisa në të kaluarën ka pasur protesta të shqiptarëve në Mal të Zi me karakter lokal,deri më sot nuk ka pasur asnjë protestë masive të tyre.Një protestë masive eventuale e gjithë faktorit politik shqiptar bashkë me organizatat joqeveritare shqiptare,para institucioneve ku legjitimohet diskriminimi i shqiptarëve siç është parlamenti dhe qeveria në Podgoricë, do të dëshmonte unitet të pashembullt, dhe do ishte një mesazh i fortë i vendosmërisë së tyre në zgjidhjen e problemeve që preokupojnë shqiptarët si dhe do të tërhiqte vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.
Një dukuri tjetër ,që pak a shumë dominon në opinion shqiptar e posaçërisht dominon në retorikën e strukturës udhëheqëse të partisë së Gjukanoviqit ( PDS), është logjika sipas të cilës “nuk bën që të kundërshtohet diçka që përputhet me kundërshtimet e serbëve në Mal të Zi “!? Nëse serbët në Mal të Zi kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, këtë ate e bëjnë për arsyet e tyre, kurse shqiptarët e bëjnë për shkaqe të tjera. Serbët e kundërshtojnë anëtarësimin e Mali të Zi në NATO sepse e urrejnë NATO-n ,kurse ato shqiptarë që kundërshtojnë anëtarësimin e Malin e Zi në NATO, e adhurojnë aleancën ushtarake të Përendimit, por njikohësisht kërkojnë që Mali i Zi ti respektojnë të drejtat e tyre ,si anëtare e mundshme e NATO-s.
Me vite të tëra, një ndër strategjitë e pushtetit malazez ka qenë edhe ajo se shumë prej kërkesave të tyre janë kategorizuar si kërkesa të cilat “çojnë ujë në mullirin e pakicës serbe” (!?). Shembulli më i mirë i kësaj është kërkesa për statusin e komunës së pavarur dhe të plotë të Tuzit ( Malësisë). Qeveria e Malit të Zi dhe partia udhëheqëse e saj ( PDS) e arsyeton mos realizimin e komunës së plotë të Tuzit ( Malësisë) me preteks se me shkëputjen eventuale të Tuzit si komunë në vehte mund të ndikojë në ate që udhëheqja politike e Podgoricës të “kalojë në duart e opozitës serbe”, arsyetim ky i cili mund të merret edhe si llojë kërcnimi. Si rrjedhim i kësaj kemi të drejtë të pyesim se përse shumica shqiptare e Malësisë duhet të vazhdojë që të sakrifikohet apo të përdoret për interesat politike të partisë në pushtet ( PDS) ? Deri kur shumica shqiptare e Malësisë do të mbahet peng e llogaritjeve politike të partisë së Millo Gjukanoviqit e cila ka për qëllim vetëm vazhdimësinë e mbajtjes së pushtetit , dhe jo plotësimin e mirëfilltë të kërkesave të shqiptarëve ?.
Deri tani,përkrahja që shqiptarët i kanë dhënë partisë në pushtet dhe Malit të Zi,ka qenë më e madhe se asnjë popull tjetër pakicë në këtë shtet. Gjukanoviq dhe partia e tij kanë përfituar më shumë ndaj përkrahjes së shqiptarëve se sa shqiptarët kanë përfituar nga politika e tij. Në të vërtetë përkrahja dhe lojalizmi i tyre asnjëherë nuk iu është kthyer.
Prandaj,për dallim nga e kaluara, tani është koha që shqiptarët të mendojnë për vetëveten dhe interesat e tyre .Ata nuk duhen të brengosen shumë me faktin se a do të anëtarësohet Mali i Zi në NATO apo BE, por duhet të mendojnë se cili do të jetë statusi i tyre në një Mal të Zi europian.Vendimi për anëtarësimin e Malit të Zi do të merret në qendrat vendim-marrëse siç është Washington-i dhe Brukseli dhe shqiptarët nuk kanë nevojë të jenë avokatë i integrimit të Malit të Zi në strukturat euro-atlantike. Shqiptarët,në rend të parë duhen të jenë avokat të vetëvehtes sepse askush tjetër nuk do t’a bëjë këtë,nëse ata vetë nuk angazhohen për çështjen e tyre.
(* Ne foto: Autori i shkrimit gajte protestes se 8 prillit 2014 ne Washington)
24 Prill 2014
Ligjeratë për Kosovën në Mercy College në New York
Ambasadori Bekim Sejdiu : “Rruga e Kosovës drejt integrimit të plotë në familjen e shteteve sovrane është e pandalshme….”
Nga BEQIR SINA, New York/
NEW YORK : – Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ambasadori Bekim Sejdiu, ka mbajtur të martën ligjeratë para profesorve dhe studentëve të Kolegjit Mercy të Nju Yorkut. I cili, është i themeluar në vitin 1950, dhe është një institucion jo-fitimprurës – privat i arsimit të lartë kombëtar Amerikan.
Mercy College ka një program të ashtuquajtur PACT, i cili është parë në llojin e vet dhe tani shërben si një model i njohur në shkallë kombëtare për mentorimin e shumë ngjarjeve ndërkombëtare, përfshirë luftat anemban botës, krizat politike dhe konfliketet globale, duke thirrur të ligjerojnë në audicionet e tij ambasadorët e vendeve më të fuqishme dhe më të mëdha të botës, akredituar në Kombet e Bashkuara.
Njëri prej tyre, megjithse një shteti jo anëtar i OKB-së, shtetit më tëri të botë Kosovës, ishte me ligjeratën e thuktë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York , Ambasadori i Bekim Sjediu. Ambasadori Sejdiu, me anë të kësaj ligjerate shpalosi situatën që nga konteksti historik, e deri tek prioritet e sotme të Republikës së Kosovës.
Kjo lloj ligjerate i stilit “hard talk” në anglisht – tradicionalisht organizohet në Kolegjin Mercy dy herë në vitë dhe kësaj rradhe i përzgjedhuri i saj nga kryesia e Kolegjit ishte Ambasadori Sejdiu, i cili në këtë rast prezantoj situatën e Kosovës në kontekstin global kryesisht nga thjerrëza e të drejtës ndërkombëtare, shtetëndërtimi dhe konsolidimi institucional i Republikës.
Duke folur në këtë ligjeratë para auditorit Ambasadori Sejdiu u shpreh se :”Populli i Kosovës ka vuajtur shumë nën pushtimin e shtetit serb. Ndërhyjra e NATO’s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, ishte luftë për të mbrojtur vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar ombrella Evro-Atlantike. Rruga e Kosovës drejt integrimit të plotë në familjen e shteteve sovrane është e pandalshme….”
Ambasadori Sejdiu i përshkroi përpjekjet e diplomacisë së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në afrimin me Kombet e Bashkuara dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ndër të tjera u theksuan prioritetet e Kosovës që nga përmbyllja e njohjeve, anëtarësimi në Organizatat Ndërkombëtare, Evropiane dhe Rajonale.
Ndër të pranishëmit në këtë ligjërat në Mercy College ishin profesor dhe student të cilët këmbyen pyetje dhe mendime me focus të veçant edhe mbi fushën ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Moderator i kësaj ligjerate ishte z. Ahmad Kamal, Profesor nga Qendra e Kombeve të Bashkuara për Trajnim dhe Hulumtim-UNITAR. Në fund Ambasadori Sejdiu – Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, shfrytëzoi rastin t’i njoftoi të gjithë studentët për mundësin e vijimit të Shkollës Ndërkombëtare Verore të Universitetit të Prishtinës, për të cilin lajm patë shumë interesim ndër të pranishmit.
- « Previous Page
- 1
- …
- 9
- 10
- 11
- 12
- 13
- …
- 70
- Next Page »