• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

KOMUNITET- DISKUTOJNE PER BASHKEPUNIMIN NE BIZNESE

May 28, 2014 by dgreca

Një grup biznesmeve dhe veprimtarëve të komunitetit diskutuan në Nju Jork, së bashku bashkëpunimin në mes tyre/
Nga BEQIR SINA, New York/
Në mes të muajit maj në Prishtinë është themeluar Unioni i Bizneseve të Diasporës me kryetar veprimtarin dhe biznesmenin e suksesshëm Nazar Mehmeti dhe Nënkryetar i Unionit për Amerikën Veriore u zgjodh Elmi Berisha, ndërsa nënkryetar për Evropë u zgjodh Yll Blakaj nga Austria
NEWBURGH NEW YORK : Nënkryetar i Unionit të Bizneseve të Diasporës Amerikën Veriore, binznesmeni Elmi Berisha, kryetar i degës së Vatrës së Qarkut Hudson Valley, mbas një turneu dhe serë takimeve të mjaft të suksesshme, të zhvilluara në Kosovë, së bashku me një grup te benesmeneve nga Australia, Europa dhe Amerika, organizojë një darkë, ne lokalin luksoz “Cena2000 Bar- Restaurant” – Newburgh, NY, me një grup veprimtar dhe biznesmen të suksesshëm në zonën e ashtuquajtur të Tri-Shtetshit.
Në këtë takim morën pjesë; zoti Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, Musli Mulosmani, Mehmet Kadriaj, Xhaferr Berisha, Noni Junçaj, Anton Raja, Sejdi Husenaj, Sali Quka, Florim Krasniqi, Xhaferr Gecaj, Avni Gecaj, dhe Gjokë Deçkaj,
Në diskutim u përfshinë, të gjithë të pranishmit, dhe diskutuan në një formë të hapur dhe të lirë, me gjërë, për aktualitetin në Shqipëri, dhe çështje të tjera shqiptare. Me theks të veçantë, ata nënvizuan se si shqiptarët e Amerikës duhet të japin, sot kontributin e tyre, në Amerikë, në bazë të eksperiencës së saj të kaluar, rolit historik, dhe natyrisht lidhjeve të mira që kan krijuar me kongesmenët dhe senatorët, miq të dalluar tëshqiptarëve,. Ata përmenden me këtë rast, si shembull rolin dhe kontributin, që kan pasur shqiptarët e Amerikës, në luftën për të drejtat e shqiptarve nën ish – Jugosllavi atëhere, luftën që bënë ata rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, dhe dy dekadat e fundit në çlimrimin e pavarësinë e Kosovës.
Mikëpritësi, i këtij takimi të bukur, zoti Elmi Berisha, tha në fillim të fjalës sëtij se : Qëllimi i këtij takimi, ishte që nëpërmjet themelimit të Unionit të Bizneseve të Diasporës Amerikën Veriore, me kryetar biznesmenin e sukssshëm dhe verimtarin e njohur Nazar Mehmeti( Dallas -Texas) t’ju bëjë të ditur që së bashku duhet të punojmë qëtë nxitet dhe të shtrihet sa më shumë, kjo lidhje ndërshqiptare në fushën e biznesit – edhe këtu në Shtetet e Bashkaura”.
Biznesmeni, Gjokë Deçkaj,(anëtarë i këtij unioni), mbasi vlersoi lart turneun në Kosovë dhe takimet, atje tregojë se në fund ky Unioni, nxori edhe një deklaratë të përbashkët, pas punimeve që zgjatën tre ditë, ku si tha ai morën pjesë edhe disa nga biznesmenët më të shquar shqiptar nga Evropa dhe Amerika, dhe veprimtar të këtij komuniteti, dhe themeluan në Prishtinë, atë që ata e quajtën : ” Unionin e Bizneseve të Diasporës”.
Deçkaj, u shpreh se me vota unanime nga të pranishmit, kryetarë i Unionit të Bizneseve është zgjedhur biznesmeni dhe veprimtari i njohur Nazar Mehmeti, ndërsa nënkryetar për Amerikën Veriore, u zgjodh shoku ynë Elmi Berisha, tha ai.
Kurse, me këtë rast, duke folur në emër të këtij unioni nënkryatri i saj zoti Elmi Berisha, tha se afaristët nga diaspora shqiptare, të cilët me iniciativë të Ministrisë së Diasporës, në kuadër të obligimeve që dalin nga përkrahja dhe koordinimi i investimeve nga jashtë, shprehën edhe njëherë përkushtimin e tyre që maksimalisht të angazhohen në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke nxitur të gjithë biznemenët në diasporë, dhe sidomos ne këtu në SHBA, që të kontribojmë sa më shumë që investimet tona dhe mundësisht t’i shtrijmë ato drejt Kosovës, Shqipërisë e viseve të tjera shqiptare, nga vendorigjina jonë”.

Ai duke marrë si shembull edhe dy investitorët e fuqishëm dhe veprimtarët e dalluar Rrustem Gecaj dhe Harry Bajraktari, të pranishëm në këtë takim në Newburgh loaklin Cena2000, tregojë, se sa dhe si mundet të ndihmohet, sot Kosova, si shteti më i ri, me bizneset nga diaspora, dhe se si mund të fitohet ose të behet biznes i suksshëm edhe në Kosovë.
Berisha, tha se ka edhe përkrahjen e madhe të shtetit të Kosovës, qeverisë atje, edhe të Ministrisë së Diasporës, personalisht të ministrit Ibrahim Makolli, i cili ishte mikëpritësi i atij forumi dhe pas përfundimit të punimeve të Forumit, përgëzoi të gjithë të pranishmit, për përkushtimin dhe punën e tyre, ndërsa ai premtoi që ky projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, do të gjejë gjithmonë mbështetjen e shtetit dhe institucioneve të Kosovës.
Ministri i Diasporës, zoti Ibrahim Makolli, tha Berisha, me atë rast falënderoi të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, Organizatat Ndërkombëtare dhe afaristët nga Diaspora, të cilët kanë përkrahur fuqishëm procesin e Rrjetëzimit të Bizneseve dhe krijimin e këtij Unioni.
Berisha dhe Deçkaj gjithashtu thanë se ishin impresionuar dhe kishin ngelur shumë të kënaqur nga mikëpritja dhe vizita e delegacionit i bizneseve nga diaspora, gjatë vizitës, kur qëndruan edhe në komunën e Rahovecit, Gjilanit dhe Gjakovës, Prishtinës, Junikut, Kamenicës, Ferizajt, nga ku ata tha ai patën rastin për të u takuar edhe me anëtarë të qeverisë, së Kosovës, kryetar të partive, lider, dhe personalitete të shquara, miqt të shumtë të tyre në Kosovë, dhe biznesmen të susksshëm nga Kosova.
Edhe gjatë këtyre takimeve u diskutuan forma të ndryshme të mundshme për bashkëpunim, ndërsa komunat shprehën gatishmërinë e tyre që t’u ofrojnë afaristëve infrastrukturë dhe mundësi të të bërit biznes, si dhe unanimisht shprehën përkushtimin për luftimin e çfarëdo pengese në të cilën ata mund të hasin gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre afariste.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Diskutojne per bashkepunimet, mes bizneseve

JA PËRSE DATA E THEMELIMIT TË VATRËS ËSHTË 28 PRILLI

May 28, 2014 by dgreca

Përse është fiksuar dhe është festuar gjithmonë 28 prilli dhe jo 31 marsi si dita e themelimit të Vatrës? Arsyeja është e thjeshtë dhe historike. Në rekordet e Vatrës është shënuar e zeza mbi të bardhë: 28 Prill 1912 –BASHKIMI I SHOQËRIVE MORI FUNT!”-U KRIJUA FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS VATRA”!
Pas 31 Marsit u bënë edhe tri mbledhje të tjera; me 9 prill, 14 dhe 28 prill 1912, e fundit.
Le t’i shfletojmë rekordet:
I- Mbledhja e 31 Marsit për Bashkim (rekordi nr.VI)
Kjo mbledhje u bë në sallën e Kishës Shën Gjergji. Fillimish drejtuesi i takimit njoftoi vendimin e Kombëtares se Worchesterit, që ishte pjesë e bashkimit dhe kërkonte që të zëvendësohej delegati i saj Kosta Vasil me z. Kostikë Treska, nga që i pari nuk kishte mundësi të ishte i pranishëm. Propozimi u pranua. Pas kësaj vazhduan bisedimet aty ku ishin lënë me 24 Mars 1912. Zotërinjët Faik Konica dhe Kristo Floqi, që ishin ngarkuar me hartimin e Kanunores nga një avokat amerikan, raportuan se e kishin gati. U votua që shoqëritë të sillnin së bashku shumën prej $70.00, që duhej për njohjen nga Qeveria amerikane.
Pika tjetër e diskutimeve ishte emërtimi i Shoqërisë. Ndër emrat e propozuar u duartrokit ”VATRA”.
“Ky emërim u prit me gëzim dhe me kërcëllime duarësh të zjarrta. Shoqëria e Re u qojt ”Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra”-shkruhet në rekordin nr.6 të Vatrës publikuar në Kalendarin Kombëtar të vitit 1918.
– Në rekord lexojmë se pagesa do të ishte $3.00 në mot dhe $1.00 për ç do anëtar të ri kur pranohej fillimisht.
Mbledhja tjetër u la për 9 prill. U caktua si rend dite: ”Ç ështja që do të bisedohet do të jetë votimi i Kanunores”. Pra ende nuk ishte diskutuar Kanunorja dhe pa kanunore dhe zgjedhjen e drejtuesëve të përkohshëm, nuk kishte si të funksiononte Vatra.
II- Mbledhja e 9 Prillit
Rekordi nr. VII përmban ecurinë e takimit të 9 prillit 1012. U mblodhën bashkë Komisioni dhe delegatët. Ishte ditë e Martë , 9 prill. Takimi u mbajt sërish në sallën e Kishës Shën Gjergji, në adresën 227 tremont Street, Boston. Chairman i mbledhjes ishte Fan S. Noli. U lexua Kanunorja në inglisht dhe u përkthye në shqip, duke u lexuar shumë herë me radhë dhe nyje për nyje. Pas shumë bisedimeve u votua një pjesë e Kanunores, e cila përmblidhte fillimin, qëndrimin, qëllimin e Federatës dhe detyrat e Komisionit qendror, i cili do të përbëhej nga një sekretar i përgjithshëm, një arkëtar i përgjithshëm, dhe tre kontrollor. Gjithësej 5 vetë. Mbledhja vazhdoi deri në orën 10 të natës, por për shkak se delegatët nuk arrinin dot trenin, u ndërpre për të vazhduar me 14 prill në orën 3 pasdite.
III- Mbledhja e 14 prillit, që është mbajtur në rekordin nr. VIII, arriti:
a- U votua e gjithë Kanunorja e Vatrës.
b- U porosit ç do përfaqësues që në mbledhjen tjetër , 28 prill, të sillte një raport të detajuar ku të pasqyrohej:
1- Numri dhe emrat e anetrëve të shoqërisë që përfaqësonte
2-Kapitali i thatë që kishte shoqëria
3-Materialet e tjera që kishte shoqëria.
Takimi i fundit u la që të bëhej me 28 prill 1912 në sallën e Kishës së Shën Gjergjit në orën 3 pasdite. Ç ështja kryesore do të ishte zgjedhja e Komisionit të Përkohshëm të Federatës Vatra, i cili do të vepronte derisa të organizoheshin plotësisht degët.
IV- Mbledhja e fundit, 28 prill 1912, është ruajtur në Rekordin IX, që ruhet në Vatër.
Ishte ditë e dielë, 28 prill 1912. Komisioni i bashkimit dhe delegatët në mbledhjen që mbajtën me 28 prill 1912, pasi panë raportet e Shoqërive që bashkohen i dhanë fund diskutimeve, që kishin nisë që në dhjetor 1911:
1- E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra prej shoqërive”Besa-Besën”, “Flamur’ i Krujës”, “Kombëtare” dhe “Dallëndyshja’(klube dhe shoqata të tjera iu bashkuan më vonë Vatrës.
2- Emërohen pleqësi e përkohshme këta zotërinj: Sekretar-At Fan Noli- Arkëtar Lambi Ç ikozi, Manager i Diellit Kristo Kirka- Organizatorë të degëve; Faik Konitza, Kristo Floqi-Mbikqyrës të Diellit:Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil.
3- Konferenca e parë për të filluar degën e Bostonit do të bëhej ditën e dielë me 12 Maj 1912 dhe për fshatrat e tjerë sipas programit që do të botohej në Dielli.
Besojmë se është e qartë përse ditëthemelimi i Vatrës është 28 prilli dhe jo 31 Marsi 1912.

Filed Under: Vatra Tagged With: DATA E THEMELIMIT TË VATRËS, ËSHTË 28 PRILLI, JA PËRSE

Epitafi i hipokrizisë

May 28, 2014 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/
Një ditë të djelë m’u tek të shkoja në varrezat e qytetit. Përse, do të thoni ju? Desha të vendosja nga një tufë lule në varret e miqve të mi që nuk jetojnë më. Kaloja nga njeri varr në tjetrin dhe lexoja epitafet e shkruara në to.
Në hyrje të varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, pa autor, të gdhendur në pllakën e mermerit:

Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e trupërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!

Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty.
Nga kjo gjendje më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
– Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
– Jo, or mik, – iu përgjigja, – nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër me këtë epitaf.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
– Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që, kur ishin gjallë, kishin dy fytyra, njërën për natën dhe tjetrën për ditën.
Këto tha plaku dhe iku duke më lënë në meditimet e mia. Thartoja trutë për të gjetur të ngjashmit e këtyre që citonte epitafi. Para syve më dilnin portretet e disa kryetarve të parlamentit apo partive të ndryshme, deputetve apo funksionarve të shtetit, historianëve apo analistëve të shquar, përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme apo edhe disa që e quajnë veten “të pavarur”, duke mbajtur fjalime prekëse lidhur me një përvjetor të harruar të një ngjarje të periudhës së “luftës së madhe”, sipas tyre. Ndërsa këta karafila ligjëronin, një turmë nga ata që quhen “veteranë”, brohorisnin për një djall të kuq me brirë, që vetë ky popull e përmbysi disa vite më parë, madje duke mbajtur në dorë portretet e tij. Unë nuk e di se çfarë veteranësh janë ata se, nga pamja e tyre, më i vjetri nuk i kalonte të 70 vjetët dhe nuk e kuptoj se ku e dinin historinë e asaj ngjarje, kur ende në atë kohë nuk kishin lindur. Bëjë një llogari me veten time. Lufta ka 70 vjet që ka përfunduar. Që të jesh një veteran i asaj lufte duhet të jesh të paktën 85 vjeç sot, domethënë të kesh marrë pjesë qysh në moshën 15 vjeçare në luftë. Por mua nuk më zuri syri asnjë të asaj moshe. Sa veteranë të kësaj moshe mund të jenë gjallë sot në Shqipëri?
– Ne nuk kemi parë gjë, nuk kemi dëgjuar asgjë, – i tha njeri nga ligjëruesit gazetarëve kur
e pyetën.
Të njejtën përgjigje kishte thënë edhe një miku i tij nja tre javë më parë duke përkujtuar atë që ata e quajnë “dita e dëshmorëve”. Të ngratëve! Mirë veshët që i paskan lënë, po sytë çfarë i gjeti.
Për cilët dëshmorë e kanë fjalën këta karafila? Mos vallë Shqipëria paska dëshmorë vetëm ata që kanë rënë me yll në ballë? Po ata me zhgabën dykrenore/ Po ata që u masakruan pas marrjes së pushtetit prej tyre? Mos vallë ata nuk janë dëshmorë? Çështë kjo ndarje e popullsisë së këtij vendi të vogël në “çlirimtarë” dhe “bashkëpuntorë”? Më kujtohet një këngë që këndohej në kohën e luftës:

Çohi, o vllazën, pa dallim feje,
Krahine dhe ideje,
Në një front të përbashkët,
Në luftë kundra fashizmit,
Çohi të gjithë,
Se ma koha nuk na pret!

Fjalët e kësaj kënge i dëgjoi një popull i tërë. Ai u ngrit i gjithë, dikush majtas dhe dikush djathtas. Sipas fjalëve të këngës ata luftonin në ndihmë të njeri-tjetrit. Kjo vazhdoi deri sa djalli i kuq e ndërroi tekstin e këngës me parullën “pushteti buron nga gryka e pushkës”. Kur vuri re se forcat e djathta kishin fituar epërsi ndaj atyre të majta, djalli i kuq vendosi t’i godiste ato. Një luftë e paparë civile shpërtheu në vend. Vëllai luftonte kundër vëllait. Vëllai vriste vëllanë, dhe, kur mori pushtetin, i shpalli kundërshtarët “kolaboracionistë të fashizmit”. Vini veshin! A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës të shpallen kolaboracionostë më shumë se gjysma e qytetarëve të një kombi. Këtë bëri bisha e kuqe.
Por, fatkeqësisht, kjo frymë vazhdon edhe sot, kur bisha është përmbysur, por në një formë tjetër. Sot kërkohet të lihet në heshtje kontributi i dhënë nga e djathta gjatë luftës për liri dhe të hymnizohet i ashtuquajturi heroizëm i paparë i së majtës. Figurat e shquara të së djathtës, që nga rilindja deri tek pavarësia, që nga pavarësia deri më sot, janë lënë qëllimisht në hije. Nuk flitet asnjë fjalë për to. Nuk shkruhet asnjë rresht nëpër gazeta, libra apo tekste shkollore. Emrat e tyre nuk figurojnë në asnjë shesh, rrugë, shkollë apo institucion tjetër. Epo Shqipërinë e bëmë bashkë dhe bashkë duhet t’i ndajmë meritat e saj. Oligarkia komuniste nuk u përmbys dhe demokracia nuk erdhi vetëm me kontributin e dhënë nga studentët e lëvizjes së dhjetorit 1990. Nuk erdhi me përpjekjet e vetëm atyre katër ditëve. Por është kontributi i dhënë nga e djathta shqiptare gjatë 46 viteve të një rezistence të papare në historinë e vendit dhe që u finalizua me lëvizjen studentore të dhjetorit, shto këtu edhe kontributin e madh të politikës amerikano-perëndimore që e detyruan sistemin socialist të kapitullonte pa kushte./
Po përse e majta shqiptare dhe, veçanërisht, brezi i ri i saj vazhdon, pothuajse, të njejtën politikë diskrimuese me të djathtën tradicionale? A thua të kenë ata ëndërrime për atë sistem që vetë një pjesë e tyre e shembën në vitin 1990? Unë nuk e besoj. Unë nuk besoj që bosët e së majtës që drejtojnë verndin, të duan të humbin milionat e fituara me mënyra nga më të ndryshmet pasi, po të rikthejnë sistemin e përmbysur duhet t’i thonë lamtumirë atyre, pasi ai sistem nuk shkatërroi vetëm të djathtën tradicionale, por u bëri varrin edhe shumë nga protagonistve të atij sistemi. Një fat të tillë ata nuk mund ta pranojnë. Nuk mund ta pranojnë atë sistem bosët që shpenzojnë vetëm për një ditëlindje disa dhjetra shishe verë me vlerë disa qindra dollarëshe. Vetëm pak kohë më parë një funksionar i lartë australian dha dorëheqjen pasi kishte pranuiar si dhuratë një shishe verë të kësaj kategortie. A ka fuqi një funksionar i vendit tonë të jap dorëheqje për një veprim të tillë/ Asnjë.
Atëherë përse? Vargjet e epitafit të përmendur në krye të këtij shkrimi na tregojnë arsyen. Është hipokrizia politike që ata përdorin për të mashtruar një popull të tërë. Ata janë zbatuesit më besnikë të sentencës së thënë nga Seneka i madh se: “Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret”. Për këtë përdorin demagogjinë. Kërkojnë të ndajnë periudhën totalitare nga ajo e luftës. Kërkojnë t’i paraqesin “heronjtë e luftës” të ndryshëm nga ata të periudhë totalitare. Madje edhe djallin e kuq kërkojnë ta paraqesin ndryshe gjatë kohës së luftës dhe ndryshe gjatë periudhës totalitare. Ata bëjnë sikur harrojnë se, djalli i kuq, ishte njësoj djallëzor dhe përbindësh si në kohën e luftës dhe pas saj. Se pikërisht, në kohën e luftës, ai kreu krimet nga më të rëndat, siç janë shfarrosjet e grupeve të tëra kundërshtarësh politikë apo qytetarësh të pafajshëm. Ai arrti deri në atë pikë deri sa të eliminonte edhe bashkëluftëtarët e tij më besnikë. Ky ishte djalli i kuq që sot kërkojnë ta ringjallin.
Por rrota e historisë nuk mund të kthehet më prapa. Ajo periudhë e errët e historisë së vendit tonë ka perënduar përgjithmonë. Së bashku me të edhe ithtarët e saj. Shqiptarët sot kërkojnë më shumë qetësi, më shumë mirëkuptim. Nuk duan më ndarje në patriotë dhe tradhëtarë. Shqiptari nuk e ka pasur traditë tradhërinë. Tradita e tij ka qenë besa dhe ajo duhet të sundojë në vend. Mjaft më me ndarjet abstrakte të qytetarëve. Kur do të lindë ai burrë shteti që do të sjellë paqen në marëdhëniet ndërmjet vëllezërve të një kombi? Kjo është dita e shumëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Epitafi i hipokrizisë, reshat kripa

PINJOLLE, KOHA E ENVERIT KA PERENDUAR!

May 28, 2014 by dgreca

Nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë/
Deklaratë për shtyp/
Zërat e korbave të zinj kanë filluar të këlthasin përsëri në kaskierën politike shqiptare. Përfaqësuesit e rinj të një force politike, siç është LSI-ja, që pretendojnë se kanë qenë në rradhët e atyre studentëve që u ngritën për përmbysjen e regjimit totalitar komunist, në dhjetorin e vitit 1990, kanë marrë flamurin e ringjalljes së atij sistemi gjakatar dhe të figurës së diktatorit më të urryer që ka sunduar në vendin tonë.
Figura të njohura të kësaj force politike, si Ilir Meta, Luan Rama, të shoqëruar edhe nga Gramoz Ruçi e kompani, janë parë të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore kushtuar të ashtuquajturit Kongresi i Përmetit, një nga faqet më të errëta të historisë së luftës së popullit tonë për liri. U panë duke folur para portreteve të diktatorit të përmbysur nga populli shqiptar më 20 shkurt 1991. U panë duke folur në prani të brohoritjeve të ekzaltuara të një turme te indoktrinuar “veteranësh të luftës” ku, më i madhi prej tyre, në atë periudhë as që kishte lindur fare.
Pamje të tilla u shfaqën edhe para tre javëve në ceremonitë e zhvilluara me rastin e së ashtuquajturës ditë e dëshmorëve. Njeri prej tyre, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço u pa të përulej me hipokrizi para portretit të diktatatorit. Hipokrizia arriti kulmin kur një grup fëmijësh ishin instruktuar të nderonin me grusht para varrezave të të rënëve, me nderimin simbol të pushtetit komunist.
Ne, ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë, u themi atyre pinjollëve të regjimit totalitar, se koha e tyre ka perënduar, se koha që gëzojmë është koha e jonë, se ne jemi sakrifikuar për këtë sistem që gëzojmë sot, se fitoren tonë e kemi larë me gjakun e mijra martirëve të rënë në luftën kundër komunizmit. Fitimtarët jemi ne, kurse ju jeni humbësit. Juy keni perënduar së bashku me sistemin që kishit gatuar. Të vdekurit nuk mund të ringjallen më.
Ndaj u themi: Hiqni dorë nga veprimet tuaja të mbrapshta! Shkëputuni nga mentaliteti komunist dhe kthehuni në një forcë të vërtetë Europiano-Perëndimore, siç janë gjithë partitë simotra të vendeve demokratike! Përndryshe fundi i juaj nuk do të vonojë. Duhet të keni parasysh se Europa Demokratike nuk mund të pranojë kurrë, në gjirin e saj, individë të sëmurë nga flama komuniste. Ndaj, mos harroni! Po vazhduat në këtë rrugë, të vdekurit që ju kërkoni t’i ringjallni do t’ju marrin me vete.
Mos na harroni neve! Ne do të luftojmë me të gjitha forcat për të ruajtur rendin demokratik dhe sistemin kapitalist që po ndërtojmë. Ne kemi përkrahjen e pjesës më të shëndoshë të popullit shqiptar që dëshëron një Shqipëri moderne, ku çdonjeri të zgjedhë rrugën që dëshiron dhe të mos e shikojë tjetrin si armik, ku historia të shkruhet ashtu siç ka ndodhur dhe jo sipas interesave të disave. Për një Shqipëri ku të sundojë parimi i demokracisë perëndimore

Nga Shoqata Antikomuniste
e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë.

Tiranë, më 28 maj 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: demokrate, KA PERENDUAR!, KOHA E ENVERIT, PINJOLLE, Shoqata e te perndjekureve

Korça çel sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve

May 28, 2014 by dgreca

Nga Nikolla Lena/Korça çel sezonin turistik këtë vit me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve që do të nisë më 7 Qershor.Kjo festë e bukur, bazuar në një nga traditat më të spikatura të qytetit të kulturës, fton në Korçë vizitorë nga e gjithë Shqipëria si edhe shumë turistë të huaj të cilët së bashku me qytetarët korçarë, të festojnë e të shijojnë paradën e grupeve të karnavaleve dhe të bëhen pjesë e festimeve.
Me sloganin “Korça qyteti i festave”, Bashkia e Korçës prej vitesh tashmë ofron një paketë të plotë eventesh festive të cilat sjellin në qytet një numur të madh vizitorësh. Sezoni turistik i qytetit malor, kulmon çdo vit në gusht me Festën e Birrës, këtë vit nga data 13-17 gusht.
Karnavalet edhe këtë vit do të sjellin paradën muzikore, gazin dhe harenë e maskave si dhe koloritin e kostumeve të shumta. Rreth 30 grupe pjesëmarrëse do të paraqiten me fabulën e tyre të shoqëruar me koreografi dhe skenar të veçantë. Krahas grupeve nga Korça dhe qytete të tjera të vendit, festivali i përmasave ndërkombëtare do të sjellë edhe karnavalet nga trevat e Ballkanit.
Veç grupeve pjesëmarrëse edhe qytetarët e Korçës veshin maskat dhe kostumet e tyre dhe i bashkohen festimeve.
Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 Prill të vitit 1994, në Korçë u organizua Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri. Një vit më pas u organizua Festivali i Dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri sot, grupi i Karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane.
Korça është pjesë e FEEC (Federata e Karnavalit Europian). Në vitin 2013 qyteti i Korçës përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, Srumicë- Prilep 2013 në Maqedoni. Në këtë festival merrnin pjesë 57 grupe, që përfaqësonin shtete të ndryshme të botës si Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Polonia, Ukraina, Belgjika, etj.

Filed Under: Kulture Tagged With: Korça çel sezonin, me Festivalin Ndërkombëtar, të Karnavaleve, turistik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT