• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

Ne tregojme me krenari qe i kemi “Duarte e Pastra”

May 27, 2014 by dgreca

Nga Teuta Berisha/ Kandidate per deputete nr.72/AAK/
Ne Kosove çdo celule e jetes eshte perfshire ne klimen zgjedhore. Te gjitha grupet jane ndare me partite perkatese dhe sulmojne njera tjetren me çdo mundesi. Si shembull mund te marrim sulmet me te fundit kunder liderit te partise Aleanca per Ardhmerine e Kosoves (AAK) Ramush Haradinajt. Eshte per te ardhur keq fakti qe vetem per pushtet perdoren te gjitha mjetet dhe harrojne qe ishin luftetaret e UÇK qe ia dhane pavaresine Kosoves. Jane keta heronj qe moren perballe rrezikun e vdekjes dhe ne kushte jo te pabarabarta u ngriten per lirine e Kosoves. Por pikerisht tani para zgjedhjeve publikohen dokumente kunder shume figurave ne Kosove.
Por nese duhen dokumente edhe une po jap dokumente. Ramush Haradinaj u perball me gjykaten e Hages dhe ne perfundim te proçesit doli i pafajshem. Ky eshte nje tregues shume i rendesishem qe tregon pafajesine sepse e dime shume mire qe Gjykata e Hages ndryshe nga gjykatat ne Kosove nen qeverisjen e partive ne pushtet nuk korruptohet. E pame shume qarte nje gjyqtar te Gjykates kushtetuese i cili beri fushate pro partise PDK. Gjykata e Hages vertetoi qe Haradinaj i ka duarte e pastera.
Fatkeqesisht sot Kosova per shume vjet nen kete qeverisje ka shume probleme por grupet e caktuara mundohen tu hedhin hi syve te votuese duke premtuar miliona te rinj. Zona ku une jam asambleiste dhe jam kandidate per ne Kuvendin e Kosoves Komuna e Kastriotit (Obiliq) eshte nje nder religjionet me te pasura ne Kosove por per shkak te qeverisjes e cila nuk ka dhene fönde te mjaftueshme per Komunen dhe vazhdon te jete nje nder zonat me te ndotura ne Kosove. E kam ngritu zerin dhjetra here qe te merren masa per gjendjen e mjeruar por duke qene qe jam vetem nje asambleiste dhe zeri im nuk u perfill nga qeveria. Por nje nder arsyet se pse komuna e Obiliqit eshte me shume probleme eshte nuk ka pasur asnjehere deputet ne Kuvendin e Kosoves. Edhe keto zgjedhje fatkeqesisht nuk u be reforma zgjedhore prandaj perseri deputete me emer dhe me pozite bejne fushate ne çdo cep te vendit. Por kete here Obiliqi duhet te votoje nje perfaqesues nga vendi i tij dhe duhet te votoje Drejtimin e Ri per Kosoven. Prandaj dhe une vendosa qe te kandidoj per Deputete edhe ne keto zgjedhje sepse duke qene vetem asambleiste eshte e pamundur qe ti ndihmoj banoret e Obiliq’it.
Ketu qellimi nuk eshte vetem per propogande politike por qeveria qe qeverisi per 2 mandate deshtoi. Atehere nese dikush nuk eshte i zoti ne punen qe ben e nuk zvendesohet fundoset bashke me punen e tij. Prandaj qe te mos fundosemi me qeverine qe deshtoi erdhi koha qe Kosova te votoje nje Drejtim te Ri me Ramush Haradinaj. Gjithashtu duhet theksuar fakti qe Haradinaj nuk ka qeverisur asnjehere me vite ne Kosove dhe askush nuk ka se si mund ta kritikoje ne qeverisje. Keshtu qe Kosova ka nevoje per nje lider qe i ka duarte e pastra si Ramush Haradinaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Duart e e Pastera”, me krenari qe i kemi, Ne tregojme, Teuta Berisha

QEVERIA THAÇI E KA HUMBUR LEGJITIMITETIN…

May 27, 2014 by dgreca

… POR KËTU EKZISTON DYSHIMI I MADH SE E KEMI KËTË QEVERI SI MAFIOZE, PASI KËSHTU E DESHËN TË HUAJT/
INTERVISTË ME JUSUF BUXHOVIN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Jusuf Buxhovi, një emër i madh në aradhen e figurave më të spikatura në historinë moderne të këtij gjysmëshekulli, krahas Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, të cilët i dredhuan letërsisë për një kauzë të madhe si vazhdon të mbetet në sendërtimin e paqes, në një rrugëtim që nis prej çlirimit e deri tek shteti ligjor.
Pas çlirimit të Kosovës, Jusuf Buxhovi duket sikur i ka dredhuar politikës, ndërkohë mospërfshirjen në politikën aktive ai e ka plotësuar me një angazhim të jashtëzakonshëm për të demonstruar permes shkrimit identitetin evropian të shqiptarëve. Për të rrënjosur atë që është synuar të çrrënjoset, rrënjët e shqiptarëve, produkt i së cilës ishte edhe lufta e Kosovës, si e fundit pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Vepra e tij historiografike në tri vëllime “Kosova” ështe një Monumet, që mund të kishte ardhur si rrjedhojë e punës të Akademisë të Kosovës a asaj të Shqipërisë, o të dyjave sëbashku, ndërsa Jusuf Buxhovi e ka arritur vetë. Shoqëruar nga një sukses i jashtëzakonshëm i publikut shqiptar në trevat shqiptare dhe diasporë. “Kosova” e Jusuf Buxhovit është ribotuar disa here, kështu edhe romani i tij më i ri “Jeniçeri i fundit”.
Pikërisht në kohën më të zezë të krizës për librin shqiptar, ku shitjet janë minimale, librat e Jusuf Buxhovit arrijnë kuotat më të larta të shitjeve si bestseller. Ai ka pohuar të kundërtën e Ivo Andriçit. Si një të vërtetë qetësuese, e cila është ilaç në kohën e integrimeve për të gjithë, kur Ballkani thuhet se e ka humbur konotacionin e dikurshëm si “FuçiBaruti”, ndërsa keqqeverisjet shqiptare iu ngjajnë fuçive të barutit.
Shitja e veprës tregon se ai gëzon një besim të padiskutueshëm tek publiku shqiptar, i cili, nëse Jusuf Buxhovi do të përfshihej në politikë, do t’i shndërrohej në votëbesim.
Unë si gazetare e kam ftuar ashtu si Ismail kadarenë, edhe Jusuf Buxhovin të përfshihet në politikë, sepse përfshirja e tij do të gjeneronte katarsis dhe do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm për të mirën e Kosovës dhe lexuesit të tij. Deri tash nuk më ka dëgjuar.
Bashkë me pyetjet për intervistë, katër syresh, pasi përgjigjeve që dha të cilat do t’i lexoni pak më poshtë, i dërgova këtë shënim:
“I nderuari Profesor, ju falënderoj shumë. Ju jeni emri i vetëm në Kosovë i padiskutueshëm për ato që shprehni dhe që shkruani. Nga kjo rrjedh suksesi juaj, të cilin e garantoni me personalitetin që keni. Njerëzit e dinë edhe kur ju ende e keni veprën në laborator, pa e publikuar, se ajo që keni shkruar e po thoni përmes shkrimit, është padiskutueshmërisht me vlerë. Pra lexuesi ju beson, sepse këtë besim ju e keni ushqyer. Prandaj angazhimi juaj në politikë është shumë i rëndësishëm, jo për ju, por për Kosovën dhe shqiptarët.
Shqiptarët kudo që jetojnë janë të etur të dëgjojnë të vërtetën ku ndodhemi dhe si dalim prej kësaj baltovine. Mos u shqetësoni kurrë prej zagarëve. Kaloni në rivistë se çfarë i kanë bërë Rugovës, Kadaresë, Nënë Terezës dhe Skënderbeut. Sulmet e zagarëve merrini si sport dhe angazhohuni. Kurrë nuk jeni vonë. Tani gjithsesi koha duket më fatlume, sepse ka të paktën 15 vjet dështime në qeverisje. Ne ju duam shumë dhe vlerësimet tona janë të padiskutushme, deri në qiell. Presim të takohemi, këtu apo atje. Shumë të fala Zonjës, fëmijëve, mbesës dhe nipave – Gjinit të vogël, që e dini se ju ngjan fort. Shumë të fala prej nesh, me përqafime, Elida“

Më poshtë vjen intervista.

Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia së paku do të heshtnin – tek ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!

Elida Buçpapaj: Përfaqësuesi i CDU në Bundestagun gjerman Michael Brand ka dalë deklaritivisht hapur kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë. „Deri tani – tha ai përpara Parlamentit – në Kosovë nuk kemi as stabilitet, as shtet ligjor, as struktura stabile shtetërore“. Në këto kushte, a ka të drejtë partia e Hashim Thaçit të pretendojë fitore të zgjedhjeve ?
JUSUF BUXHOVI: Edhe pa vlerësimet e qëlluara te zotit M. Brand, qeveria Thaçi qysh moti e ka humbur legjitimitetin qeverisës. Mjafton të shihet shkalla e korrupsionit, pastaj kriminaliteti dhe dukuri të tjera ku shteti zhvatet në të gjitha segmentet e tij, ndërkohë që qytetarët lokalë gjenden në një situatë kur shteti jo vetëm që nuk ua jep ato që ka për detyrë, por edhe ua merr edhe ato që kanë.
Pos këtyre është edhe çështja e krimeve të luftës dhe të tjera me të cilat ngarkohen shumica e bosëve të partisë së Thaçit, të cilët janë në qeveri dhe faktori ndërkombëtar (SHBA, Bashkimi Europian dhe NATO) përditë bëjnë me gisht kah ata.
Mjafton të shihet se si këto ditë fushata zgjedhore e kësaj partie përcillet po ashtu me një seri shkrimesh në “Kohën ditore” me plot e përplot akuza për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga pjesa më e madhe e liderëve të kësaj partie!
Në secilin vend demokratik personat e apostrofuar nga drejtësia, së paku do të heshtnin përderisa gjyqi ta thotë fjalën e fundit. Te ne, ngjet që edhe nga burgjet jo vetëm që drejtohet shteti, por edhe bizneset, dhe madje edhe fushatat zgjedhore!
Elida Buçpapaj: Po në Bundestagun gjerman, në debatin e organizuar për qeverinë e Prishtinës, u fol për „Mafien politike të Kosovës.“. Nisur nga fakti që Ministrja gjermane e Mbrojtjes nuk u takua me kryeministrin në ikje, çfarë do të thonë këto fakte ?
JUSUF BUXHOVI: Sa i përket “Mafias politike”, që zunë n‘gojë gjermanët, ata e dinë më mirë se ne se çfarë janë përmasat e saj, siç e dinë edhe amerikanët dhe të tjerët, të cilët, megjithatë nuk mund të bëjnë vetëm me gisht, siç po bëjnë tani, kur ata kanë përkrahur këto garnitura qeverisëse dhe shumë prej tyre i kanë përdorur dhe shfrytëzuar për të futur në dorë resurset e caktuara ekonomike të Kosovës (Telekomin e Kosovës, Elektroekonominë dhe resurset tjera).
Këtu tashmë ekziston dyshimi i madh, se ne kemi këtë qeverisje mafioze pse si të tillë e deshën të huajt, ku nuk mund të përjashtohen as gjermanët, që kanë të përzgjedhurit e tyre në këtë lëmsh kriminal, të cilët i futën në lojë qysh para luftës dhe veçmas gjatë saj, pasi përjashtuan intelektualët dhe idealistët që e donin shtetin e Kosovës të pastër dhe properëndimor.
Është për keqardhje kur dihet se Kosova si projekt perëndimor euro-atlantik, që u vu nën protektoratin ndërkombëtar, instaloi një armatë të tërë mekanizmash ndërkombëtarë nga ata të sigurisë e deri te ekspertët dhe këshilltarët e shumtë, të cilët në vend se të punonin për këtë qëllim, vepruan për të kundërtën, gjë që katandisja e Kosovës në këtë gjendje është edhe meritë e tyre e madhe!

Në farsën mediale nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar

Elida Buçpapaj: Në Bundestag u përmend edhe liria e mediave, e cila në Kosovë është pothuaj 100 % e komprometuar, çfarë do të thotë kjo për një gazetar me përvojë dhe krijues si ju, dhe çfarë duhet të bëhet?
JUSUF BUXHOVI: Liria e mediave në Kosovë ka kohë që nuk ekziston. Kemi një farsë mediale, fund e krye në sherbim të bosëve politikë, të cilët e kanë degraduar profesionin e gazetarit tmerrësisht! Me ndonjë përjashtim të vogël, gazetat dhe televizionet drejtohen nga politika dhe interesat e tyre. Edhe këtu nuk mund të mos fajësohet edhe faktori ndërkombëtar, i cili, në vend se të forcojë fjalën e lirë dhe gazetarinë e pavarur, ka investuar te disa grupe dhe mediume që kanë qenë në shërbim dhe grupeve politike dhe mediale. Kështu që mizeria politike në të cilën ndodhet Kosova nuk do të mund të ishte e tillë pa meritën e gazetarëve dhe të gazetarisë së Kosovës dhe pa sponsorët e jashtëm, që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë vasalë dhe jeniçerë!

Me librat e mi i kundërvihem rënies të madhe morale

Elida Buçpapaj: Jeni gjithnjë në aktivitet krijues, me trilogjinë Kosova, të përkthyer edhe në anglisht, me Jeniçerin e Fundit, gjithkund jemi i zënë në promovime, librat tuaja janë më të shiturit, ndërsa Kosova është në degradim, a nuk duhet t’i ktheheni angazhimeve qytetare si pjesë e elitës, sikur keni bërë bashkë me inteligjencien 24 vjet më parë kur themeluat LDK ?
JUSUF BUXHOVI: Është e vërtetë se librat e mia (“Kosova” dhe “Jeniçeri i fundit”) janë më të shiturat dhe më të kërkuarat, gjë që tregon se jo gjithçka e ka humbur besimin. Kjo më bën edhe më të përkushtueshëm. Përcaktimi kah krijimtaria nuk është vetëm një satisfaksion për krijuesin e dëshpëruar në kohë krize të thellë siç është kjo e jona, por është një mjet i fuqishëm që t’i kundërvihet kësaj të keqeje. Suksesi i veprave të mia si dhe interesimi i madh për to e dëshmon këtë. Ndaj, nuk do t’i kthehem politikës së papastër, e cila të kthen në shërbëtor dhe jeniçer, por do të mbetem te librat, në mënyrë që me anën e tyre t’i kundërvihem rënies së madhe morale, shoqërore në për të cilën po kalojmë.

27 Maj 2014

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Legjitimiteti i humbur, QEVERIA THAÇI

NË MES TË PYLLIT DO VEMI…

May 26, 2014 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Me Marie Terenzin, një nënë rreth 79 vjeç, e qeshur e tërë humor, u takova në oborrin e vilës së saj në Saugus, Mass. Atë ditë korriku bënte shumë vapë dhe ne mikeshat, unë e Sofia Manthoja propozuam të hynim në pyllin aty pranë. Në fund të oborrit me bar, në një selishtë
të pjerrët, ishte rritur një pyll i vogël bredhash plot freski e hijeshi. Qetësia dhe errësira e pyllit më kujtuan një këngë të moçme korçare. E fillova si me shaka këngën, ndërkaq atë e
pasuan njëherazi edhe Maria me Sofinë. Por, mbi të gjitha, dëgjohej zëri i Maries.
O vemi, o s’vemi
Në mes të pyllit do vemi…
Vazhduam të këndonim edhe dy-tri këngë të tjera korçare e përmetare. Maria, e cila fliste me vështirësi shqip, për habi fjalët e këngëve i shqiptonte shumë mirë.
– Sa mirë i këndoni këngët shqip! – i thashë.
– E dini? – tha ajo e përlotur. Dikur unë hapja programin në Radion “Zëri i Shqipërisë” (Voice of Albania) në Boston, duke kënduar këngë shqip. E para këngë ishte “O moj ti me sytë e zinj”. Dhe, e dini kush më mësoi për këtë? I përndrituri Fan Noli ynë i paharruar.
Sa herë që hapja emisionin me ndonjë këngë shqiptare, e dija dhe e ndieja se atë çast po më dëgjonte edhe Fan Noli…gëzohesha e bëhesha me krahë…
Ndërkaq, Maria u ngrit për të na sjellë diçka për të pirë dhe Sofia, bashkëmoshatarja dhe shoqja më e ngushtë, më tregonte për jetën e saj. Maria ishte lindur në Amerikë më 1917. I ati,
Luigj Pirro dhe e ëma Eftalia Karçini, erdhën në Amerikë nga Përmeti në vitin 1915. I ati kishte një dyqan grocerie, por vdiq shpejt më 1919 nga një epidemi e rëndë gripi. Maria mbaroi shkollën e mesme dhe hyri në punë në fabrikën e këpucëve e më vonë në General Eletric. “Ajo nuk u martua si unë, me burrë shqiptar”, – përfundoi Sofia, – e mori të huaj, italian.”
Maria, që po priste me tabaka në dorë, dëgjoi bisedën dhe, duke qeshur, iu drejtua Sofisë:
– Pse nuk i tregove që unë s’jam vluar si ti me mbles, por me dashuri.
– Domosdo, ta mori mendjen yt shoq, me serenata! – i tha teto Sofia.
– Kush ta ka ngjallur pasionin e këngëve shqiptare? – e pyeta
Marien.
– Ne në shtëpi të gjithë këndonim, – tha ajo. – Unë i bija
mandolinës, im shoq kitarës. Megjithëse burrin e kam patur
italian, ai i pëlqente dhe këngët tona. Ime motër, Viktoria,
këndonte për çdo 28 Nëntor në Boston, kur festonim Ditën e
Flamurit. Atë ditë vishja një jelek të qëndisur që e kishte sjellë
nëna nga Shqipëria.
– Kur vije në Boston për festë, e takoje edhe
Fan Nolin?
– Posi, kushedi sa herë. Kam qenë edhe nëpër darka e
piknikë. Ishte burrë i thjeshtë, i mençur e nuk i pëlqente fancy.
Dëgjoni ç’m’u kujtua: Fan Noli kishte shkruar fjalët e një kënge:
“Nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” dhe im kushëri,
Sokrat Totoni, e kompozoi. Këtë këngë e këndonim rëndom në
ditët e “emrave”, nëpër piknikë dhe në emisionin e radios.
– Si i festonit ditët e “emrave”?
– Ishte një zakon fetar i sjellë nga Shqipëria. Gjithësecili
festonte e kujtonte ditën që i ishte vënë emri. Por, “sebepi” i
“emrit” bënte që të shtoheshin vizitat te familja e njëri-tjetrit,
të takoheshim më dendur e të ruanim zakonet e traditat
shqiptare.
Maries diç iu kujtua e buzëqeshi.
– Në ditët e “emrave”, – vazhdoi ajo, – i zoti i “emrit”
shtronte darkë për mysafirët. Në fillim uleshin burrat, hanin e
pinin e bënin muhabet sa kishin qejf, ndërsa gratë e fëmijët
prisnin të vinte radha e tyre. Ndonjëherë fëmijët i zinte gjumi
pa ngrënë. Këtë traditë të sjellë nga Shqipëria, e respektonim
edhe këtu në Amerikë. Më vonë, e solli koha që zakoni “të
berberosej” e të uleshim që të gjithë në një tavolinë. Kështu
ishte më mirë, se ishim të gjithë së bashku, këndonim e
vallëzonim. Janë kujtime të paharruara.
– Edhe piknikët?
– Oh, yes. Në pikniqe shkonim me bus. Sapo zbrisnim nga
busi, dëgjonim së largu gërnetën e Spiros dhe na lëshonte goja
lëng nga aroma e shishqebapëve dhe nga qengji që piqej në
hell. Janë kujtime shumë, shumë të bukura…
Maria na solli disa fotografi. Në njërën, dalë në një piknik,
midis tyre ndodhej edhe Fan Noli. Ishte një fotografi interesante:
Fan Noli, dalë në profil, i qeshur e gazmor, kishte shtrirë krahun
e djathtë në drejtim të Spiros, i cili i binte gërnetës. (Kjo foto i
bënte jehonë dëshirës, vullnetit e këmbënguljes së Nolit student
kur u regjistrua në New England Conservatory për të marrë
mësime në një fushë të re në atë të muzikës…dhe “Rapsodisë
shqiptare” të kompozuar prej tij.)
Një foto tjetër interesante mbante datën 1938. Fan Noli ndodhej
në rreshtin e parë , midis punonjësve shqiptarë të radios
“Zëri i Shqipërisë” në Boston. Fan Noli ishte me kostum të zi,
me një xhaketë mbërthyer deri lart, ku dallohej jaka e bardhë,
rrethore e priftit.
-Fan Noli ishte bërë si i shtëpisë në radion tone,- thotë Maria,-
Shpesh ne lexonim artikujt e tij botuar nëpër gazeta ose e merrnim
edhe në intervistë. Ishte i thjeshtë, popullor dhe humorin s’e ndante
nga goja. Kur lexoja ndonjë artikull të tij, më dridhej zëri
dhe emocionohesha, sepse e dija që ai më dëgjonte dhe
kushedi sa gabime pikaste.

Tashmë dielli kishte marrë në të perënduar dhe Maria na
ftoi të hynim brenda në vilën moderne tri katëshe. Apartamenti
i saj ishte në katin e parë, ndërsa në të dy katet e tjera banonte
çdonjëri nga djemtë e saj.
– Maria është grua nikoqire, – më sqaroi teto Sofia – dhe po
ashtu i ka mësuar edhe djemtë e saj. Ata kanë një fabrikë në
Worborn, Mass., për pjesë këmbimi për pajisjet elektroshtëpiake.
Tani fabrikën e kanë zgjeruar. Në zyrat e saj punon edhe Maria,
dy-tri ditë në javë. Ajo është profesioniste në kompjuter.

Kur hymë brenda, në dhomën e ndenjes, Maria, ishte ulur
pranë kompjuterit me dy nipat e vegjël dhe ndiqte programin.
– Po ua mësoj kompjuterin nipave, – tha ajo. – E dini? Ky
më i vogli është tre vjeç dhe mëson për bukuri.
Atë çast u afruan për të na përshëndetur djali i Maries,
Stefani, dhe nusja e tij. Nga mënyra e sjelljes së tyre kuptova se
sa shumë e donin dhe e respektonin nënë Marien.
– Sapo mësova se ju jeni një biznesmen, – i fola anglisht
Stefanit. – Me sa keni dëgjuar nga nëna juaj për Shqipërinë, a
keni ndonjë kureshtje a interes ta vizitoni e ta njihni më afër?
– Sigurisht, – tha ai, – po të kisha kohë të lirë. E di çka?
Nënën e kam shqiptare, babanë italian, gruan nga Santa
Domingoja. Të trija vendlindjet i kam të shtrenjta. Ku të shkoj
më parë?
– Domethënë, i thashë Maries, – këta dy nipçet e vegjël
s’merret vesh çfarë gjaku kanë.
– Merrem unë me ata, – tha Maria, – me siguri do të marrin
shumë nga gjaku im.
– Çfarë u mësoni atyre?
– Shumë gjëra të bukura: këngë, përralla e lodra shqiptare.
Ju ndoshta qeshni. Unë me nipat luajmë letra, “kollçinë”. Kur
jeshë shumë e vogël, prindërit i kishin sjellë nga Shqipëria letrat
e bixhozit dhe “kollçina” ishte loja e parë që mësonim ne fëmijët.
Ajo diç u bëri me shenjë nipave dhe ata u afruan e na
treguan disa fletë me vizatime. Në njërën prej tyre kishin
vizatuar një vapor me flamur shqiptar.
– Me këtë vapor ka udhëtuar stërgjyshi nga Shqipëria në
Amerikë, – tha nipi më i vogël duke përdorur një fjalor gjysmë
anglisht e gjysmë spanjisht.
– I kanë vizatuar vetë, – tha Maria, – por i kam ndihmuar
edhe unë.

Në bibliotekë e kudo gjendeshin piktura, portrete,
punime të vogla në reliev etj, të pikturuara nga duart e arta të
Maries. Kureshtjen filloi të ma hiqte dalëngadalë Sofia.
– Që kur ishte 5 vjeç, Maria filloi të vizatonte, – tha ajo, –
portretin e nënës e të babait, pastaj me radhë njerëzit e farefisit,
fëmijë, lule, kafshë etj.
Por, ato që të linin gojëhapur, ishin pikturat e bëra me gurë
të vegjël, të ngjashëm me fiçorët e lumit. Ishte një mënyrë
origjinale e pikturimit e zbuluar vetëm nga Maria.
– Qysh e vogël, – shpjegoi ajo, – mblidhja nëpër plazhe gurë
të lëmuar dhe vizatoja mbi ta portrete, kostume kombëtare
shqiptare, panorama etj.
Ajo na tregoi disa syresh. “Kali dhe kalorësi” të pikturuar
në një copë të vogël guri sa një kopsë, dukeshin të zmadhuar
nga xhami i rrumbullakët ku ishte fiksuar guri. Ishin punime
aq fine, sa dukej e pabesueshme t’i kishte punuar dora e njeriut.
-Kjo është kopje,- tha Maria,- origjinalin e “Shën Gjergjit
mbi kalë” , ia kam dhuruar Fan Nolit ditën e Shën Gjergjit.
Ai e vlerësoi shumë punën time, u gëzua kur ia dhurova e
më premtoi se do ta mbante në tavolinën e punës…

– Para disa vjetësh, – vazhdoi ajo, – erdhën në shtëpi gazetarët
e Televizionit, të cilët filmuan dhe dhanë një program prej 20
minutash për pikturat e mia në gur.
– Kur e ke bërë shkollën për pikturë? – pyetën ata.
Ajo qeshi. Nuk kishte kryer asnjë shkollë për pikturë. Kishte
vetëm talentin dhe dëshirën të krijonte vepra të bukura.
– Vazhdon akoma të pikturosh?
– Tani do të të them një gjë! – tha ajo tepër e mallëngjyer. –
Këto vitet e fundit pikturoja më rrallë…, për punë të
syve…pleqëria…Por që kur keni filluar të vini ju njerëzit e rinj
nga Shqipëria, unë kam ndryshuar… për Perëndi! Më vijnë e
më takojnë kushërinj që kanë pasur baballarët në Amerikë.
Kur i shikoj, thërres emrin e babait të tyre. Sa u ngjajnë! Ju po
na sillni gjak të ri prej vatanit, moj bijë. Po na rinoni dhe ne.
Sytë e mi tani shohin më mirë e më ka hipur damari prapë të
pikturoj. Jam me fat që rroj akoma e shoh shqiptarë të rinj! …
Po ti… a më bën një nder? – më tha Maria me sy lutës.
– Sigurisht, – i thashë. – Në qoftë se e kam të mundur.
– Tërë jetën kam pasur një dëshirë që nuk m’u plotësua. I
kam shumë qejf malet. Nga prindërit kam dëgjuar se Shqipëria
ka male e pyje të bukura. Atje doja të pikturoja një peisazh.
Por tani është vonë. Jam në pleqëri e nuk udhëtoj dot. Mos të
ndodhet ndonjë fotografi shqiptare me male, të ma huash për
ca kohë?
– Posi, u kujtova unë, – më kanë dërguar nga Shqipëria një
kartolinë me pyllin e ahut, në fshatin tim, në Dardhë. Unë do
të ta jap me gjithë qejf dhe kam besim se ti, zonja Marie, me
ato sytë e zinj, do ta pikturosh pyllin po aq bukur sa ç’këndon
edhe këngën “…Në mes të pyllit do vemi!…”

Filed Under: ESSE Tagged With: DO VEMI…Rozi Theohari, NË MES, TË PYLLIT

PAPA I PAQES

May 26, 2014 by dgreca

Nga Rafael Floqi/
Në Jeruzalem të dielën , Papa Francesku u takua me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu , kreun e Kishës Ortodokse . Të dy burrat , që përfaqësojnë tradita të krishtera me marrëdhënie ftohta qysh prej 1.000 vjetësh , u lutën së bashku në publik për unitetin mes të krishterëve . Takimi ishte pjesë e e vizitës tri-ditore të udhëtimit të Papës në Lindjen e Mesme .
Lutja e përbashkët e së dielës u zhvillua në Kishën e Varrit të Shenjtë, për të nderuar në traditën e krishterë , si duke u sendërtuar në vendin e kryqëzimit , varrimit dhe ringjalljes së Jezusit . Ndërsa, duke u lutur së bashku, për unitet të mëtejshëm midis degëve Lindore dhe Perëndimore të krishtërimit , të dy krerët fetarë u gjunjëzuan krah për krah në Gurin eVajosjes , ku thuhet se ka qenë shtrirë trupi i Jezusit para varrimit.
Më parë , Papa Francesku dhe Patriku Bartolomeu I , udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë të botës , nënshkruan një premtim historik për të ndjekur një dialog të përbashkët që riafirmon vlerat e përbashkëta të kishave katolike dhe ortodokse .
” Takimi ynë vëllazëror i sotëm është një hap i ri dhe i nevojshëm në udhëtimin drejt unitetit e bashkimit në diversitetin legjitim , ” lexohet në deklaratë . Premtim u nënshkrua në praninë e përfaqësuesve të 13 kishave katolike dhe ortodokse në Jeruzalem .
Takimi, që ishte si arsyeja kryesore për udhëtim tre-ditor të Papës në Lindjen e Mesme , përkujtonte afrimin historik midis dy degëve të kishës së krishterë 50 vjet më parë , kur Papa Pali VI u takua dhe përqafoi Patriarkun Athinagora . Ky takim shënoi lehtësimin e parë të tensioneve në mes Kishave qysh nga Skizma e Madhe në shekullin e 11-të , që ndau Romën nga, selia e Ortodhoksisë , Konstandinopoja ( Stambolli i sotëm) .
Më parë të dielën ,Papa bëri një ndalesë të paplanifikuar para një pengesëebetoni që Izraeli po ndërton në të gjithë Bregun Perëndimor , duke mbajtur një lutje në heshtjer . Ky mur, është burim kryesor i grindjes mes Izraelit dhe palestinezëve .Izraeli thotë se ai është i nevojshëm për qëllime të sigurie , ndërsa palestinezët e shohin atë si një përpjekje për t’ua rrëmbyer vendin e tyre.
Për shumë njerëz një takim midis udhëheqësve të krishterë të veshur me kapele të ndryshme, nuk mund të duket si një takim i një rëndësie të lartë politike. Por, në fakt , kjo ishte arsyeja e vërtetë e udhëtimit tre-ditor te Papës Francesku në Tokën e Shenjtë . Pesëdhjetë vjet më parë , në janar 1964 , një papë dhe një patriark u takuan për herë të parë qysh prej shekullit të 15-të. Kjo ngjarje shënoi një afrim në rritje në mes të katolikëve dhe të krishterëve ortodoksë .
Vëzhguesit, duke pasur parasysh ngrohtësinë e takimit mund aë pyesin veten , nëse të dyja kishat mos janë pranë dhënies fund skizmës së madhe , një ndarje që filloi zyrtarisht në vitin 1054, kur Kardinali Humbert , përfaqësuesi e papës , marshoi në Katedralen e Shën Sofisë në Konstandinopojë dhe vendosi një bulë shkishërim të Papës mbi mbi altar. Bisedimet që kanë pasur për qëllim një bashkim eventual janë mbajtur që nga fundi i viteve 70-të,tëi nxitur nga ideja se ndarja në mes të krishterëve është një, skandal . Këto ditë katolikët nuk ndeshen me kishën ortodokse . Nga ana e tyre dallimet teologjike duken të vogla . Megjithatë, ekspertët thonë se uniteti është një rrugë e gjatë – dhe se ai , ndoshta ,nuk do të ndodhë këtë shekull .
“Dy pikat fërkimive teologjike mbeten të njëjta tani, si ato të vitit 1054. Njërasyresh është vetë papa . Të krishterët ortodoksë do të ishin të lumtuar me një figurë fetare , të ngjashme me rolin e Mbretëreshës së Anglisë, për kishën anglikane , por janë të alarmuar me idenë, se ai mund të ndërhyjë në punët e tyre ose të shefit e të patrikëve të tyre. Pasi në mësimiet katolike, thonë se Papa ka ” pushtet të plotë , suprem dhe universal ” .” shkruante gazeta “The Guardian”, megjithëse është e qartë që ai ka mundësi të kufizuara për ushtrimi juridiksion në Lindje .
Problemi tjetër ështëFilioque . Kjo i referohet fjalëve ” dhe Biri ” shtojcë e bërë në mënyrë të njëanshme nga ana e kishës perëndimore në shek e 11-të në formulën e shenjët të besimit, për ë cilën qe rënë dakord qysh prej Concilit te Nikesë (përmbledhje e besimit të krishterë për të cilën qe rënë dakord qysh në shekullin e katërt dhe qe një nga faktorët kryesore që çuan në skizmën e madhe në mes të Lindjes dhe Perëndimit e përbën përfshirja në nenin e formules për Frymën e Shenjtë se Fryma “vijon nga ati dhe Biri.”
Historikisht i kishte ndezur marrëdhëniet Lindje-Perëndim aq shumë sa nëvitin 867 pas Krishtit, Patriku Foti i Konstandinopojës e quajti Papën e zgjedhur aso kohe një ” heretik që e shkatërron vreshtin e Zotit ” . Ky ndryshim në vetvete është një diçka teologjike mjaft delikate . Ai e mërziti kishën ortodokse asokohe , sepse ajo besonte, se çdo ndryshim i tillëi një pjese thelbësore doktrinare të besimit, duhej të miratohej më parë me konsensus nga një këshill i përbashkët .
Shumica e teologëve tani mendojnë Çështja Filioque është diçka e vogël -, se ajo është një variant i pranueshëm mes Lindjes dhe Perëndimit . Megjithatë qasjet për ta relaksuar, kjo nuk do të kapërdihet nga shumë të krishterë ortodoksë , për të cilët ndryshimi është ende një herezi serioze . Dhe nuk është gjë e vogël pasi, një numër i madh krishterësh fanatikë ortodoksë ende ndjejnë fuqishëm se katolikët janë heretikë . Kjo ide, është ndoshta më e zakonshme në Greqi . Vizita në Greqi në vitin 2001 e Papës Gjon Pali II shkaktoi protesta të furishme , kur një grup priftërinjsh e përshkruan atë, si një ” përbindësh grotesk me dy brirë ” .
Skizma nuk është shkaktuar nga dallimet komplekse teologjike , por nga fakti se Evropa Lindore dhe Perëndimore janë bigëzuar dhe larguar njëra nga tjetra . Këto qëndrime u theksuan më shumë pas grabitjes së Konstandinopojës , qendrës së perandorisë ortodokse , nga kryqtarët në 1204.
Ndërsa katolikët sot nuk janë përgjithësisht armiqësorë ndaj të krishterëve ortodoksë , ata janë fajtorë , të paktën , përse janë keq informuar . “Një klerik ortodoks në Angli thotë, shkruan “The Guardian”, se disa katolikë janë të mbërthyer ngushtë nga ideja se ç’është një prift dhe e shohin priftin ortodoks si një ” variant mutant, qesharak të një prifti katolik ” .

Megjithatë në negociatat e tanishme ,lojtar kryesor është kisha Ortodhokse e Rusisë , e cila ka rreth 150 milionë besimtarë , më shumë se gjysmën e të krishterëve ortodoksë të botës . Rusët , ndryshe nga grekët , kanë pasur historikisht më shumë admirim për Perëndimin . Megjithatë, në ditët e sotme kjo vihet në dyshim. Në fillim, ata ishin të ofenduar nga aktivitetet misionare agresive të disa grupeve katolike në Rusi në vitet 1990, por në vitet e fundit qëndrimi i tyre është formësuar më shumë nga tërheqjet më të gjera të rusëve ndaj Perëndimit . Metropolitani Hilarion, episkopi i ngarkuar me punët e jashtme të Kishës Ortodokse ruse , madje ka thënë se” bashkimi nuk do të ishte i arritshëm brenda këtij mijëvjeçari “.
Zhvillimet në Ukrainë kanë theksuar më shumë dasitë , duke vënë përballë kishës pro – perëndimore katolike të Ukrainës, kishën ortodokse pro – ruse . Mitropoliti Hilarion thotë se konflikti ” na çon përsëri në situatën kur katolikët dhe ortodoksët nuk e konsiderojnë veten si aleatë , por si armiq ” . Ukraina gjithashtu shërben për t’u kujtuar jo të krishterëve, pse bisedimet mes katolikëve dhe të krishterëve ortodoksë janë të rëndësishme . Edhe në qoftë se uniteti është një rrugë e gjatë. Prandaj papa dhe patriarku duhet tëpërqafojnë fort njeri- tjetrin”, pohonte shtypi perëndimor.
“Ky Papë vlerësohet mbi të gjitha nga imazhet , simbolet dhe gjestet – nuk ka asnjë substancë në fjalimet e tij , “ankohet një gazetar që mbulonte pelegrinazhin e Papa Franceskut në Tokën e Shenjtë , Por kjo është pikërisht ajo që e bën . ” Papën nga fundi i botës ” mjaft elokuent dhe vizitën e tij të paharrueshme, moderne sepse ai i beson imazhit më shumë se gjuhës. Kur Papa Francesku u ndal pranë ” barrierës famëkeqe të sigurisë në rrugën e tij nga sheshi i Grazhd itnë Bethlehem , drejt Jeruzalemit , duke, u lutur në heshtje në mur dhe pastaj preku me butësi konkrete – sikur po prekte ballin e atyre që e kanë pësuar dhe vazhdojnë të vuajnë në këtë rajon me konflikte, – ai gjithashtu preku edhe zemrat e gjithë atyre çka dëshmon se me gjestin e tij ai arrity aty ku s’ka retorikë që mund ta bëjë .
Disa orë më vonë , ai e ftoi presidentin izraelit Simon Peres dhe presidentin palestinez Mahmud Abas për t’u lutur me të në Vatikan . Shumë izraelitë i janë përgjigjur këtij sugjerimi me skepticizëm . Peres është pranë fundit të presidencës së tij dhe nuk ka sidoqoftë një mandat për të negociuar. Ai përsëri bërëi histori për ditën e dytë , kur vendosi një kurorë të hënën mbi varrin e themeluesit të sionizmit , duke u bërë papa i parë që e bërë këtë , në një gjest i mbështetje për Izraelin pas disa sinjalesh simbolike, Një ditë më parë ai i ngriti lart aspiratat shpirtërore të palestinezëve për sovranitet . Ky gjest ndoshta ndoshat do ti vijë për anë , dy peshkopëve ortodoksë grekë, që kohët e fundit shkruan një letër prej 89 – faqesh ku e denonconin Papën Franceskun , duke thënë se përzgjedhja e tij, ishte rezultat i një komploti çifut.
Të dielën , vetë zoti Netanyahu e përshkroi Papën me një person me” lidhje të veçanta me kombin hebre ” dhe e quajti vizitën ” një kapitull shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet në mes hebrenjve dhe të krishterëve ” që daton dy mileniume më parë. Ndersa Papa të hënën u ndal në disa vende simbolike. Ai hoqi këpucët e tij për të hyrë në Kupolën e Shkëmbit , pjesë të asaj që myslimanët e quajnë Vendi i shenjtë më fisnik dhe hebrenjtë e quajnë Mali i Tempullit . Ai qëndroi për disa minuta me pëllëmbën e tij të djathtë mbi gurët e lashtë të Murit Perëndimor para se të vendoste një shënim të shkruar me dorë në spanjisht -të lutjes ” Ati ynë ,” mes gurëve .
Në Memorialin e holokaustit Yad Vashem , ai puthi duart e gjashtë të mbijetuarve të Holokaustit –të ruajtur si një fëmijë nga një familje katolike – si dhe dëgjoi tregimet e tyre të veçanta , dhe , duke i bërë jehonë një Mantra hebreje, kur tha , ” Kurrë , Zot , kurrë përsëri ! “.
Ky ëshë Papa Francesku , papa që shkruan në Tëitter dhe flet me një simbolikë që prek zemrat , që s’ka marifet , PR ta mësojë. Pasi ai ka ardhur për të qenë “papa i paqes” mes njërëzve.

Filed Under: Opinion Tagged With: NJË PAPË I PAQES, Rafael Floqi

LDK NË ZVICËR – KA PLOT ENERGJI POZITIVE TË RINGJALLET… POR SA MË LARG FAQEZINJVE DESTRUKTIVË

May 26, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit, Skënderi dhe unë, ndërmorëm një akt simbolik, duke aderuar në LDK në Zvicër. Ashtu si ne, vepruan edhe figura të njohura. Jo se frynte era e pushtetit, por sepse frynte era e rrezikut, e Kosova rrezikohet nga mafia.
Kemi të paktën çerek shekulli, që si intelektualë e gazetarë e kemi ndjekur fatin e kësaj lëvizje politike kombëtare, e cila lindi e inicuar nga ajka e inteligjencies shqiptare në Kosovë dhe u udhëhoq nga lideri europianist Ibrahim Rugova.
E kemi përcjellë LDK-në, në çdo kohë, në ditë të mira e të liga, në ditë të trishta e të lumtura, në ditë ngrice e akullnajash. E kemi mbështetur LDK-në kur na këcënonin me jetë, edhe kur është treguar me ne e ashpër. Asnjëherë si homo politicus apo si homo sentimentalis, por si homo per la patrias. Nga pozita thellësisht të civilizuara dhe europiane. Nga pozita ku integriteti ynë është i pastër dhe i pacënuar. Si profesionistë, si krijues dhe si shqiptarë.
Kemi qenë vazhdimisht kritikë. Qëndrimi ynë kritik është bërë shumë i mprehtë kur Fatmir Sejdiu, për hire klanore, degjeneroi demokracinë brenda partisë dhe e shpartalloi trashëgiminë e Rugovës. Dhe, për këtë, në zgjedhjet e 2007, LDK humbi dy të tretat e elektoratit. Jo për fajin tonë. Por Sejdiut kjo nuk i prishi punë. Ai fitoi postin e presidentit dhe gjënë e parë që bëri sa erdhi në pushtet me Hashim Thaçin, ndikoi tek pronari i gazetës Bota Sot që pas dhjetë vitesh sakrificash dhe mundi, që nisën në 2008, në prag të masakrës të familjes të Adem Jasharit deri 2008, në prag të pavarësisë të Kosovës, të largonte nga gazeta kryeredaktorin dhe një nga editorialistet kryesore, që ishim Skënderi dhe unë. Merrni dhe botojini editorialet tona të përditshme gjatë këtyre dhjetë viteve, për të parë se sa libra bëhen, si dëshmi e historisë dhe punës tonë të ndershme. Gjatë këtyre dhjetë viteve prej 1998-2008, Bota Sot, u kthye në një institucion të fjalës të lirë. Nuk shkonte gjithçka perfekt, sepse po kalohej në ndryshime epokash, dhe ndikimi i një krahu të politikës në Prishtinë ishte destruktiv, por pikërisht në këtë periudhë, kjo gazetë arriti një shitje të paparë, që përbën rekord në historinë 100 e sa vjeçare të shtypit shqiptar, ku vetëm më Perëndim shitja ka arritur nga 120 mijë deri 200 mijë kopje tirazhi në ditë, në Kosovë 50 mijë kopje, në Maqedoni 20 mijë kopje e kështu me radhë. Për herë të parë gazetarët paguheshin për punën që bënin dhe gazeta mbijetonte me punën e vet. Në atë kohë gazeta kishte disa redaksi në Europë, SHBA, Shkup, Tiranë, ndërsa në redaksinë e Prishtinës ishin të punësuar të paktën 200 vetë. Rrënimi i gazetës nisi me largimin tonë. Gazetaria hulumtuese mund t’i vejë shumë mirë pikat mbi “i”.
E mbështetëm Isa Mustafën në prag të zgjedhjeve të 2010, me shpresë se ardhja e tij, do ta shpëtonte këtë parti nga kapja prej klanit më të egër që formohet prej emrave, të cilat elektorati i LDK-së në Kosovë nuk i do dhe i sheh si shkaktarë të humbjeve.
E kritikuam Isa Mustafën kur hyri në zgjedhjet e 2010 pa asnjë aleancë dhe duke ia lënë varur në qafë partisë figura që me gjithçka e kthyen LDK-në në mjet për arrivizëm dhe pushtet personal.
Qëndrimet tona kanë paralajmëruar pikë për pikë atë që ngjau në LDK, e cila ka patur çmim jo vetëm për partinë, por edhe për Kosovën. Paralajmërimet tona bënë që plehnajat, ata që LDK-së ia larguan elektoratin e Kosovës, të na shpallin «armiq».
Por ne vazhduam rrugën tonë. Dhe sot i kthyem sytë nga LDK në Zvicër, për hir të shpresës dhe të ardhmes së Kosovës. Si kemi vepruar gjithë jetën tonë. E bëmë këtë, sepse LDK-ja në Zvicër vetëm i ka dhënë Kosovës pa i kërkuar çmim për këtë, pa i kërkuar tendera dhe karrige deputetësh apo ministrash, i ka dhënë Kosovës që kur Kosova dukej krejt si e pashpresë, sipas asaj thënies së njohur të John F.Kennedyt: «Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet se çfarë ke bërë për vendin tënd.» Sigurisht diaspora ka të drejtë përfaqësimi në institucionet e dala nga vota e lirë, por kjo është një temë tjetër.
Iu kthyem LDK-së në Zvicër me një gjest simbolik, sepse ne jemi gazetarë e krijues, me statusin tonë të pavarur, për të dhënë ndikimin tonë sa mundim për ringjalljen e saj në Zvicër, duke e parë si një domosdoshmëri riorganizuese, unifikuese, sepse LDK-ja në Zvicër ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës dhe frymës unifikuese. Iu kthyem LDK-së në Zvicër në kohë alarmi. Sepse ka patur burime njerëzore të mrekullushme dhe ka burime të tilla, sepse ka kontribute të jashtëzakonshme dhe ka energji të jashtëzakonshme për progres. Ndërkohë i bëjmë thirrje që t’i kthehet kohës së saj më të mirë, të gjithë bashkë, por larg sharlatanëve që vetëm e çidentifikojnë dhe e depersonalizojnë lëvizjen më të madhe në historinë moderne të shqiptarëve, e cila në rradhët e saj në kohët më dramatike i përfshiu 95% të shqiptarëve, përfshi këtu edhe krahun e luftës, sepse drejtohej nga elita e inteligjencies.
Prandaj LDK-ja është LDK, sepse është lëvizje që në gjenezë e intelektualëve, pasi shtetin e formësojnë intelektualët, të cilët e kanë fituar lirinë e mendimit të parët, dhe i kanë thyer vargojtë e robërisë të parët.
Duke i hedhur një vështrim retrospektiv rrugës që kemi lënë pas, rrugëtimit tonë gati çerek shekullor prej hapjes pas rrëzimit të Murit të Berlinit e diktaturës, në këtë rrugëtim, ne iu kemi ndejtur larg formacionioneve partiake, të cilat rezultojnë sot se e kanë shkatërruar LDK-në, sepse aty janë bërë vetëm pazare. Marrëdhëniet tona bashkëpunuese dhe komunikuese janë mjaftuar me Ibrahim Rugovën.
Ndërkohë, ca zagarë gjoja militantë, sepse s’kanë tjetër asnjë atribut, veç injorancës, qarkullojnë thashethemnaja se ne paskëshim patur lidhje me Bujar Bukoshin. Këta zagarë analfabetë nuk kanë asnjë provë dhe lehin, sepse dikush në LDK, pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në dhe e çuan në dizastër, i kanë urryer Buçpapajt. Pikërisht klani më famëkeq i LDK-së. Prej të cilit është imperative që LDK të largohet. Dhe kemi besim se do ta bëjë këtë në zgjedhjet e 8 qershorit.
Sa për sqarim publik, me Bujar Bukoshin jemi takuar vetëm një herë a dy herë, kur Skënderi ishte drejtor i RTSH, në lidhje me projektin e televizionit satelitor, të cilin e projektoi Ibrahim Rugova, ndërsa qeveria e Kosovë në mërgim e mbështeti financiarisht. Unë e kam intervistuar Bujar Buloshin kur ishte kryeministër në egzil, si korrepondente e Zërit të Amerikës, ashtu si kam bërë me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, sidomos me Ibrahim Rugovën, me të cilin kam të paktën tri intervista të botuara në shtypin e Tiranës dhe SHBA, ndërsa Skënderi i ka marrë intervistën e parë që Rugova ka dhënë në Shqipëri.
Kur e mora në intervistë Bukoshin, nuk kisha diktofon dhe intervistën e bëra me shkrim. Në këtë gjendje ishin edhe gazetarët e RTSH në fillimet e demokracisë, ishte viti 1992. Prandaj qeveria e Kosovës u dhuroi disa mjete pune gazetarëve. Midis tyre edhe mua një diktofon të vogël gazetarësh. Kaq është e gjitha. Dhe nëse dikush do të guxojë të hedhë ndonjë fishekzjarre tjetër artizanal,primitiv, ta dijë se me atë fishekzjarre do të djegë veten, sepse shpifjet qarkullojnë në periudha inkuzicioni, mesjete, tribalizmi, në diktaturë, por jo në një shoqëri të mileniumit të tretë. Dhe aq më pak në Zvicër.
Por fakti i vetëm që e kemi mbështetur Rugovën, kur këtij nuk i jepeshin mjete për të lëvizur në Europë dhe SHBA, kur Rugovën e kapnin si peng lufte dhe kur ne e merrnim në mbrojtje ndërsa të gjithë e sulmomin, është dëshmia më eksplicite për integritetin tonë intelektual dhe profesional. Aq më tepër kur Rugova dhe Bukoshi ndaheshin me një vijë demarkacioni midis. Njëri kishte ideale dhe mbështetjen popullore, ndërsa tjetri kishte mjete financimi.
Për 25 vjet mbështetje, nga LDK nuk kemi marrë kurrë asnjë cent. Bile nuk kemi marrë asnjë mirënjohje. Prandaj e kemi patur gojën e hapur dhe mendjen e kthjellët që, si përfaqësues të pushtetit të katërt, të kritikojmë kush e meriton.
Por megjithatë, ne jemi gazetarë që kemi jetuar me punën dhe djersën e ballit. Nuk kemi akumuluar pasuri, nuk jemi shitur në këmbim të pasurive, nuk iu kemi shërbyer politikanëve, asnjërit në emër të interesave personale. Ne jemi të pasur me idé, pasuria jonë është profesionalizmi dhe integriteti, të domosdoshme këto që gazetarët ta jetojnë jetën me punën që bëjnë. Ndërsa në shoqërinë shqiptare, gazetaria, shtypi dhe mediat sot janë total nën kontroll dhe peng i politikës dhe oligarkëve. Prandaj i bëjmë thirrje LDK-së në Zvicër, se ka ardhur koha të mendojë për organizimin e komunitetit të shqiptarëve këtu, si subjekti që mbështet frymën e tolerancës dhe ushqehet nga fryma rugoviste, i cili iu afrua LDK-së që në ngjizje pavarësisht se kjo ishte në kontradiktë me personalitetin e intelektualit, por për hir të një ideali të madh siç është ideali i lirisë. Dhe për ta mbajtur gjallë këtë ideal dhe për ta kthyer në një realitet të prekshëm, që është shteti i së drejtës, duhet fjala të lirë dhe gazetarë të lirë e me integritet që të guxojnë e ta shprehin të vërtetën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, LDK e Zvicres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT