Presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer, shprehu sot në Tiranë mbështetjen e Austrisë për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Austrisë, Fischer, theksoi se “mbështesim tërësisht marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Nëse i rikapitullojmë edhe njëherë bisedimet dhe zhvillimet që janë kryer në dhjetor të 2013 besoj se jemi në rrugë të mbarë”.
Duke folur për marrdhënëniet mes Austrisë dhe Shqipërisë, Fischer u shpreh se “ne kemi pasur një raport të mirë sidomos vitet e fundit. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe atë kulturore duhet të forcohet dhe zhvillohet më tej, prandaj duhet shikojmë mundësitë e potencialet për zhvillimin e tyre të mëtejshëm”.
Sipas Fischer, kjo është shumë e rëndësishme për përpjekjet tona të përbashkëta, siç është përmirësimi i klimës së investimeve, lufta kundër korrupsionit, vendosja e shtetit ligjor etj.
Presidenti austriak vlerësoi rolin e stabilitetit që luan Shqipëria në rajon.
“Shqipëria po përpiqet të luajë rol të moderuar në rajon në marrjen e vendimeve dhe negociatave të ndryshme që bëhen, të njëtën gjë përpqen të bëjnë edhe vendet e tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit”, tha Fischer.
Presidenti Fischer i uroi pjesëtarëve të delegacionit ekonomik një qëndrim të suksesshëm dhe biseda të frytshme me partnerët shqiptarë
Archives for May 2014
Lulzim Basha: Aleancë kombëtare kundër narkotrafikut
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi të martën një takim me dyer të mbyllura me krerët e partive aleate për të kordinuar veprimet para mitingut të së premtes, paralajmëruar si një miting madhështor me moton “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas mbledhjes me aleatët, doli në një deklaratë për mediat, duke bërë të ditur se “sot jemi mbledhur të gjitha partitë aleate të kualicionit opozitarë për të bashkënduar me t’a axhendën e aksionit politik, kundër kartelit të drogës dhe kemi konkluduar në një mendje për ngritjen dhe institucionalizimin e një “aleancë kombëtare” kundër drogës e cila do të jetë në ballë të protestës popullore dhe të aksionit opozitarë kundër drogës”.
Po ashtu, Basha theksoi se “S\situata sa vjen dhe rëndohet, sasitë e drogës që kapen ditë për ditë, jo nga doganat shqiptare, jo nga policia, jo nga organet shqiptare të ligjzbatimit, por nga vendet fqinje (dhe vetëm pak minutash u njoftuam për kapjen e një sasie të madhe droge në Itali). Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm dhe marrjen e përgjegjësive, pasi Rama, jo vetëm nuk po tregonë përgjegjëshmëri, por po bëhet mburojë e krimit, përmes mohimit, fshehjes dhe mbështetjes dhe mashtrimit që kanë demonstruar që nga dita e parë që opozita, denoncoi trafikun e drogës”.
Nuk ka reflektim tha Basha, nuk ka marrje përgjegjësie, “Edi Rama, shpenzon kohën dhe energjinë e tij si Kryeministër, duke akuzuar opozitën në vend që të merret me luftën kundër trafikut”.
“Në emër të koalicionit opozitar u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, pa dallim bindjesh politike, t’i bashkohen “aleancës kombëtare” kundër drogës, të bashkohen për t’i thënë jo kartelit të drogës dhe për t’a çuar Edi Ramën në shtëpi”, përfundoi Kreu i PD-së, Basha.
Ja si funksionon mafia shqiptare
Drew Sullivan është kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Ai është gazetar dhe specialist i zhvillimit të medies me bazë në Sarajevë, të Bosnje-Hercegovinës dhe në Uashington DC. Sullivan është themelues i Grupit LLC për zhvillimin e Gazetarisë, një grup novator lider në zhvillimin e medies në mbarë botën. Drew ka punuar nga Azia në Evropë si një konsulent për IREX, Internews, Pace and News Media etj. Ai e ka nisur karrierën në media si gazetar investigativ, e me pas si redaktor i lajmeve, dhe se fundmi si menaxher për Associated Press në Nju Jork. Një ndër themeluesit e Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN) në Sarajevë, e para e këtij lloji e ngritur në Ballkan. Drew Sullivan në një intervistë me Rudina Xhungën, flet për mafien, drogën, rrjetet kriminale shqiptare dhe gazetarinë e munguar investigative në Shqipëri.
…Çfarë informacionesh keni për mafien shqiptare.
Mafia shqiptare është një ndër aktorët kryesorë ndërkombëtare. Nuk operon gjithmonë brenda për brenda Shqipërisë, kryesisht operon jashtë Shqipërisë, dhe megjithëse paraja shpesh herë pastrohet ose investohet në Shqipëri, ku shihen shumë ndërtesa të mira këtu në Shqipëri, mafia shqiptare është shumë aktive në nivel ndërkombëtar. Ndërsa në rajon, ka disa grupe të caktuara dhe një prej tyre është mafia kosovare. Janë rreth pesë familje që operojnë së bashku, ndoshta më saktë dy grupe, që janë vëllezërit Osmani, të cilët operojnë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë, Naser Kelmendi gjithashtu, besoj që shumë ia kanë dëgjuar emrin. Ai është i arrestuar dhe besoj se do të akuzohet shumë shpejt. Por siç ndodh shpesh, rrjeti gjithsesi vazhdon sepse mafia shqiptare e ka aftësinë që të vazhdojë aktivitetin e saj edhe nëse humbet drejtuesit e saj. Ajo çfarë dimë për mafien shqiptare është se ka aftësi shumë të mira për t’u lidhur me diasporën shqiptare në botë. Mafia shqiptare është shumë e lidhur me Italinë, me atë çfarë ndodh në Belgjikë, Londër dhe vendet e tjera. Në fakt, edhe policia e pranon se është mafia shqiptare ajo që kontrollon prostitucionin, drogën, shfrytëzimin e njerëzve, vrasjet në vende si Londra, Belgjika etj. Madje, mafia shqiptare ka mënjanuar edhe shumë grupe të tjera mafioze në Londër. Nuk po them që kontrollon të gjithë tregun, por një pjesë të madhe të tregut të këtyre krimeve. Ka shumë njerëz në këtë rrjet që e ushqejnë këtë sistem dhe mafia shqiptare është unike, mafia shqiptare është e përfshirë në marrjen e drogës direkt nga burimi si Kirgistani, Afganistani, deri në destinacionin përfundimtar.
Është një biznes shumë fitimprurës. Mund të blesh një kilogramë heroinë në Afganistan për rreth 800 dollarë dhe çmimi rritet pastaj deri në 2 mijë apo 3 mijë dollarë, ndoshta edhe më shumë. Kështu që mendoni, është një fitim shumë i madh nga trafikimi i drogës. Mafia shqiptare është shumë efikase dhe janë duke gjetur vende të ndryshme të Evropës, ku kanë rrugët e tyre të shpërndarjes. Sigurisht që ju nuk mund ta shihni këtë në Shqipëri, por po të shohësh se sa shqiptarë punojnë jashtë shtetit, sa pará dërgojnë ata në Shqipëri, atëherë do shihni që është një shumë substanciale dhe kjo është një nga arsyet, pse shumë shqiptarë mund të jenë indiferentë ndaj mafies, madje mund ta shohin edhe si diçka pozitive për vendin. Po të shihni, për shembull, shumë shqiptarë në vende të ndryshme të Europës, janë në burgje. Prandaj është shumë e kuptueshme që mafia shqiptare është një forcë e konsiderueshme. Po të doni mund t’ju përshkruaj pak edhe strukturën e mafies shqiptare dhe çfarë i bën ata kaq të fuqishëm.
Po, patjetër. Në Shqipëri njerëzit i njohin pjesëzat, që ju përmendni, por të shpërndara, pa bërë, ose dashur të bëjnë dot mozaikun?
Atëherë, unë po ju tregoj sesi funksionon i gjithë cikli i mafies. Çfarë i duhet një grupi mafioz? I duhen disa gjëra. U duhet diçka nga e cila të përfitojnë, u duhet një vend ku të jenë të sigurt, dhe u duhet një vend për t’i pastruar paratë e tyre, nga pará të paligjshme në pará të ligjshme. Ajo çfarë shihet zakonisht është përfshirje e mafies në trafikimin e drogës, i fitojnë paratë jashtë dhe i investojnë në Shqipëri, pasi e dinë që këtu ka shumë pak gjasa që t’i arrestojë dikush, apo që dikush t’i konfiskojë paratë e tyre. Po ta bësh këtë gjë në Londër, Shtetet e Bashkuara apo Europë, ka ligje shumë të mira konfiskimi dhe politika shumë të mira. Pra, atje është shumë e vështirë.
Domethënë, paratë e tyre janë këtu?
Po, pjesa më e madhe e parave vijnë këtu. Sigurisht, jo të gjitha sepse ato edhe i qarkullojnë në vende të ndryshme të botës për të mbajtur rrjetet e tyre, por zakonisht paratë i investojnë në vendin e tyre, pasi ky është vendi që njohin më mirë, ku kanë dashur gjithmonë të kenë një hotel të mirë në Tiranë, apo një vilë shumë të bukur në Vlorë. Prandaj, shihet dhe është e dukshme që këto pará kthehen, pasi pastrohen sigurisht dhe këto pará mjaftojnë për gjithë jetën. Atëherë, atë çfarë duhet të shohë publiku shqiptar është se Shqipëria është bërë si një vend i sigurt, si një parajsë e sigurt për mafiozët duke i dhënë pará policisë apo duke u bërë të paprekshëm, duke investuar shumë në partitë politike, duke investuar shumë në polici, duke investuar shumë në kompani private sigurimi, të cilat marrin në punë shpesh herë ish-policë. Ky është një problem shumë i madh sepse influencon shumë në politikën e vendit, i bën gjërat më të vështira për të zbatuar ligjin. Kur ke biznese me miliarda parash, politikanët i shohin këto pará si mundësi, madje iu sulen atyre, për të mbajtur partitë e tyre politike. Në Serbi sigurisht që ndodh e njëjta gjë, por paratë pastrohen përmes oligarkëve që jetojnë aty. Miroslav Mishkoviç, për shembull, është akuzuar tani për pastrim parash por ai ka një dekadë të tërë që e bën këtë gjë, përpara ka pasur pastrim parash për Sllobodan Milosheviç.
Nga njëra anë kemi paratë dhe nga ana tjetër kemi drogën dhe pikërisht aty ku janë paratë, është edhe rreziku. Sigurisht që droga është një biznes shumë fitimprurës, janë miliarda e miliarda dollarë që vijnë në këtë rajon dhe një pjesë e mirë e tyre shkon në investime të ligjshme, një pjesë në investime të paligjshme dhe një pjesë në politikë. Ky është sistemi i ngritur në vite, prej të cilit vështirë se del dot.
A kanë lidhje me njeri-tjetrin emrat e rëndësishëm të krimit të organizuar në rajon? Për shembull, a kanë ata takime mes tyre? A kanë marrëveshje, marrëdhënie, ndarje territoresh?
Absolutisht që po. Si gazetar, unë njoh çdo gazetar në të gjithë rajonin që punon në profilin tim. Mafiozët sigurisht që e njohin njeri-tjetrin në vendin e tyre. Figurat e krimit të organizuar bashkëpunojnë me njeri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Ne dimë, sipas burimeve tona, që në vitin 2007 ka pasur një takim rajonal të figurave të krimit të organizuar ku kanë qenë vëllezërit Osmani, Naser Kelmendi, një mafioz nga Mali i Zi dhe ndoshta emra që mund të mos i keni dëgjuar kurrë, por që janë lordë të nivelit të lartë, njerëz të cilët ndoshta nuk e prekin kurrë me dorën e vet drogën, por që jetojnë si biznesmenë shumë të pasur dhe që janë në të vërtetë të përfshirë në trafikun e drogës. Pra, të gjithë janë takuar në vitin 2007 dhe bënë një lloj marrëveshje, të themi, për trafikimin e drogës në rajon dhe bashkëpunimin mes tyre. Ata krijuan një sistem shumë të mirë, një sistem që ende vazhdon të funksionojë dhe që tregon se vazhdojnë të komunikojnë me njeri-tjetrin. Ajo çfarë vendosën është se cila drogë shkon në cilin vend të Europës. Sigurisht që ky lloj bashkëpunimi i ka bërë fitimprurës gjithë sistemin, po bëjnë shumë pará dhe po të bëjmë një krahasim me Meksikën, për shembull, po ta marrim për frymë, ndoshta kemi po aq drogë në këtë rajon, aq sa ka edhe në Meksikë.
Për ne në Shqipëri nuk ka shifra?
Askush nuk e di dhe ky është problemi. Misteri qëndron tek fakti që gazetarët nuk mbulojnë ato që duhet të mbulojnë. Ne të gjitha këto informacione që i kemi për Serbinë, Malin e Zi, sigurisht që kanë qenë shumë të vështira për t’u gjetur por janë gjetur nga gazetarët e këtyre vendeve duke gjurmuar aktivitetet e kompanive jashtë vendeve, deri në Panama, për të parë se çfarë pronash ka secila kompani. Sigurisht që ka qenë një punë e jashtëzakonshme derisa të arrinim aty ku ta kuptonim të vërtetën. Ndërsa në Shqipëri nuk është bërë ende kjo punë, ka vetëm pak gazetarë që punojnë për këto çështje, për këto tema dhe në fakt nuk është se ndajnë shumë informacion me kolegët e tyre me vendet e tjera të rajonit. Prandaj nuk dimë shumë.
Diçka tjetër është se grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë një lloj strukture klanore dhe brenda këtyre klaneve ka kode heshtjeje që janë shumë të forta dhe njerëzit nuk flasin shumë për to. Si pasojë, ndryshe nga bandat italiane të cilët nuk janë më klane familjare, por fisnore, sepse përfshijnë shumë familje, në Itali nuk ke të njëjtën besnikëri mes grupeve kriminale, siç ndodh në Shqipëri. Për shembull, bandat kriminale shqiptare kanë ende shumë lidhje fisnore apo lidhje në bazë fshatrash, ku nëse flet nuk vritesh vetëm ti, por edhe anëtarët e tjerë të familjes. Kështu që e bën shumë më të vështirë dhe prandaj në Shqipëri janë më të heshtur. Madje edhe gjuha shqipe është më e vështirë për t’u kuptuar nga vendet e tjera. Edhe policia ka probleme në shumë vende të Evropës për të kuptuar bandat shqiptare dhe nuk gjejnë dot njerëzit e duhur që të ndërveprojnë me bandat shqiptare. Shumë nga këta kriminelë, vijnë nga qyteza të vogla të Shqipërisë që shkojnë në vende të ndryshme të botës dhe nuk janë shumë të hapur në vendet ku shkojnë, bëjnë një lloj jete si në fshat me pak fjalë.
Dhe nëse gazetarët e bëjnë, është drejtësia që nuk e vazhdon…
Shqipëria e ka këtë problem siç e kanë edhe vende të tjera të rajonit. Figurat e krimit të organizuar shpesh herë nuk ndiqen penalisht derisa të bëhen armiq të qeverisë pra, shumica e ndjekjeve penale është mbi baza politike dhe prandaj nuk para ndodh që të akuzohen politikanët ose edhe nëse bëhet, nuk bëhet në mënyrë efikase. Për shembull, në Bosnje nga 26 politikanë të korruptuar ka ndodhur një akuzim i një personi madje, personi që u akuzua, iu tregua një natë përpara, që do akuzohej dhe ai u largua nga vendi. Situata këtu më kujton sigurisht situatën në Amerikën e viteve 1930 ku ishte një situatë ku Al Kapone ishte duke bërë shumë para nga pijet alkoolike të paligjshme, sepse këto ishin aktivitetet kriminale në atë kohë, dhe ai kishte bërë kaq shumë para sa kishte mundësi të korruptonte politikanë që i ofronin mbrojtje dhe sigurisht, bordero policësh, gjyqtarësh dhe çdo tendencë për të arrestuar atë apo bandën e tij ishte pothuajse e pamundur. Prandaj ishte një situatë shumë e vështirë, që zgjati për shumë vite në Çikago dhe kjo ngjason me çfarë po ndodh në shumë vende këtu në Ballkan madje këtu është edhe më keq situata se ç’ka qenë në Çikagon e viteve 1930. si u zgjidh situata atëherë në Amerikë? U zgjidh jashtë sistemit. Ishte Qeveria Federale e Uashingtonit që erdhi dhe që emëroi disa persona të paprekshëm dhe këta të paprekshmit ishin një grup oficerësh policie të cilët nuk i raportonin strukturave të zakonshme. Këtu u përdorën edhe prokurorë të Qeverisë Federale dhe jo prokurorët lokalë që mund të komprometoheshin. Ajo çfarë ndodhi ishte se duke përdorur këto teknika, nga të cilat u sulmua Al Kapone, pra ishte krijuar një grup i pavarur dhe i pakorruptuar, dhe për shkak të kohërave të atëhershme, sepse kishte ligje të Qeverisë Federale kundër pijeve alkoolike të paligjshme apo gjërave të tjera të paligjshme, dhe në fakt ata e atakuan Al Kaponen për evazion fiskal dhe kështu u fut në burg Al Kapone, për evazion fiskal. Në Shqipëri është e vështirë sepse ju nuk keni një forcë të jashtme, jashtë sistemit, por nëse qeveria dëshiron t’i tregojë popullit se është serioze, ajo mund të ngrejë një organ apo një zyrë prokurorie të posaçme për korrupsionin apo krimin e organizuar, kundër këtyre njerëzve. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, do të duhet t’i adresojë këto çështje, sepse Bashkimi Evropian nuk ka për ta lënë Shqipërinë si pjesë të saj me kaq shumë probleme dhe ka për t’ia vështirësuar shumë Shqipërisë anëtarësimin. Prandaj Shqipërisë i duhet të demonstrojë, se i merr seriozisht këto gjëra dhe sugjerimi im është që të ketë një zyrë, një organ, të pavarur, të painfluencuar që të paktën të rekomandojë ndjekjet penale.
Nga Rudina Xhunga
Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip” i gazetares Rudina Xhunga
Arvizu apel partive: Punoni bashkarisht dhe tregoni pjekuri politike
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për t’i dhënë apo jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat, Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu i përcjell partive politike mesazhin: Interesat e vendit mbi ato partiake. I pranishëm në konferencën “NATO- 20 vjet partneritet për Sigurinë Euroatlantike” që u zhvillua sot paradite në hotel “Tirana” Arvizu kujtoi rrugën e gjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO falë vullnetit të shoqërisë por dhe partive për të vendosur interesat e kombit mbi ato partiake. Pikërisht këto interesa duhen vendosur prioritet edhe sot. ”Rruga që Shqipëria ndoqi për të arritur anëtarësimin në NATO ishte e gjatë por ndodhi pasi pasqyronte një dëshirë të të gjithë sektorëve e shoqëri për t’u bashkuar së bashku dhe për t’u ngritur mbi politikat partiake dhe për të kapërcyer linjat partiake për të mirën e vendit. Ajo vlerë e të punuarit bashkarisht pavarësisht dallimeve të thella politike të herë pas hershme për të cuar përpara kauzën e përbashkët e një vendi është një karektistikë domethënëse e të treguarit pjekuri politike. Kjo dëshirë e aftësisë e të vendosurit në fillim nevojat e vendit mbetet e vlefshme slot sa 5 vjet më parë” u shpreh ambasadori i SHBA-së në fjalën e tij në konferencën “NATO- 20 vjet partneritet për Sigurinë Euroatlantike” që u zhvillua në hotel “Tirana”
Dy emra të mëdhenjë në letërsinë shqipe nga zona e Cakranit
Nga Halil Bregasi/
Ata i njeh Historia e Letërsisë Shqipe, por në opinionin publik të komunitetit cakranjot, për të mos thënë që nuk njihen, po përdor shprehjen: “njihen pak”. Unë në këtë shkrim, nuk dua të bëjë historinë e letërsisë shqipe, por vetëm të bëjë të njohur këto figura në rrethet intelektuale cakranjote, për aq sa kam mundur të hulumtoj rreth veprimtarisë së tyre poetike.
I pari, por dhe më i vjetri, në këtë fushë, njihet Nezim Frakulla. Të moshuarit e zonës së Cakranit, e dinë shumë mirë se në fshatin Kreshpan, familja feudale “Frakulla”, ka pasur dy shtëpi (Saraje), në të dy skajet e fshatit Kreshpan. Më i njohur në këtë familje u bë Alush Frakulla, që mendohet se është i biri Nezimit, për aktivitetin e tij antiosman dhe drejtues i kryengritjeve të viteve 1833 – 1835. Por le të flasim për Nezim Frakulla.
Lindja dhe formimi i rrymës letrare të bejtexhinjëve, ishte përfundim i dy faktotrëve në ecjen e kulturës e, në përgjithësi, në ecjen ekonomike e politiko – shoqërore të vendit gjatë shekullit të XVIII. Zhvillimi i ekonomisë monetare, fuqizimi i qyteteve, dhe lindja e shtresave shoqërore, rritën kërkesën për shkrimin e gjuhës së vendit. Autorët që asi kohe nisën të vjershërojnë shqip, duke shkruar në alfabet turko – arab, u quajtën bejtexhinj, nga fjala turke “bejt” që do të thotë “vjershë”. Përdorimi i shqipes në krijimet e tyre ishte një akt pizitiv. Prodhimi letrar i bejtexhinjëve shqiptar e bëri jetën fillimisht në gjuhën turke, por dhe në atë persiane dhe arabe, si është rasti i Nezimit. Fillimi qe i tillë por ai vazhdoi pastaj vetëm shqip, duke plotësuar nevojat e shtresës shoqërore..
Prodhimi letrar i bejtexhinjëve njohu dy faza. Autorët kryesorë të fazës së parë ishin Nezim Frakulla dhe Sulejman Naibi.
Sidoqoftë përmes krijimit poetik të bejtexhinjëve, letërsia jonë doli nga kuadri i ngushtë fetar dhe nisi të trajtojë temën laike. Letërsia e bejtexhinjëve u zhvillua më shumë në qytetet si Berati, Elbasani, Shkodra, por dhe Kolonja, Frashëri, Konispoli etj.
Me zhvillimet e lëvizjes sonë kombëtare, në pjesën e dytë të shekullit XIX, letërsia e rrymës së bejtexhinjëve nisi t`ia lërë vendin letërsisë së re të Rilindjes.
Nezimi lindi rreth viteve 1680 – 1685 dhe vdiq më 1760. Ai njihet me emrat: Nezim Frakulla, Nezim Berati, Nezim Ibrahimi, por ka lindur në konakët e familjes Frakulla, që ndodheshin në anën jugëperndimore të fshatit Kreshpan. Ai vinte nga një familje feudale. Pasi ka kryer ndonjë medrese (mendohet në atë të Beratit), vazhdoi studimet në Stamboll ku filloi të vjershëroi turqisht dhe persisht. Në gjuhën turke botoi dhe një divan (përmbledhje poezish).
Rreth viteve 1731 – 1735, shkroi dhe botoi një “Divan” në gjuhën shqipe, me gërma turke, si dhe një fjalor shqip – turqisht në vargje, shkroi dhe shumë poezi të tjera, disa prej të cilave u kënduan dhe disa ngelën dorëshkrime, apo humbën fare. Njihet si poeti i parë që ka shkruar në gjuhën shqipe. Poezia e tij është e hollë dhe ndikoi në hedhjen e bazave të poezisë shqiptare të më vonëshme. Kemi pak të dhëna për jetën e tij, por, si duket, pas disa udhëtimesh në vendet e lindjes, aty rreth viteve 1730 ai kthehet në Berat, si duket i varfëruar, prandaj u detyrua të futet në shërbim të një beu si qahaja.
Lulëzimi që kishte arritur Berati në atë kohë mund ta shohim edhe nga përshkrimi i udhëtarit turk Evlia Çelepi që e vizitoi këtë qytet më 1670 (rreth 60 vjet para se të vinte aty Nezimi). Çelepi e gjeti me 30 lagje, me pesë medrese, me hamame (banjo) të shumta publike dhe private, me shumë teqe e xhamia shumë të bukura, si ajo e Izgurit, e Mushkës dhe e Hysen Pashës, për të cilën thotë se s`e kishte shoqen nga arkitektura. Evlia Çelepi flet me nderim për të diturit dhe poetët e shumtë që kishte Berati. Ata mblidheshin në kafenetë buzë lumit dhe diskutonin për çështjet e diturive. Dhe në të vërtetë, më vonë në kohën e Nezimit, në Berat përmenden një sërë vjershëtorësh. Nezimi aty nisi të vjershëroi shqip, por mjedisi letrar, si e thamë, ishte i mbushur me shumë rivalë. Rivaliteti sidomos me myftiun e vendit, Mulla Aliun dhe me tregtarin izraelit beratas, Sollomonin, e detyruan që të largohet, dhe sipas një vjershe në gjuhën turke, shkoi në Stamboll, ku vendosi të shkruaj turqisht edhe shqip. Gjurmët e tija i gjejmë deri në Hotin e Besarabisë, ku është i internuar. I kthyer në Berat, poeti ra në mëri të sundimtarit të qytetit, Ismail Pashës, që ishte sanxhakbej i Vlorës, Beratit e Ohrit, prandaj iku pak vite në Elbasan. Si erdhi përsëri në Berat, duket u kap dhe u mbajt disa kohë në burg. Interesante është se sado në kushte të vështira, ai nuk e ul veten t`i bjerë kujt ndër këmbë.
Hajde le të jem si të jem,
Nukë qanj, pse të heq elem ;(mundime)
Veç në këtë fani alem, (bota e reme)
Aman kujtdo të mos t`i them.
Si e lëshuan nga burgu, nuk e lanë të rrijë në Berat, po e raportuan duket si njeri të rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe e internuan në Stamboll. Aty, pas ca kohe, u fut në burg. I torturuar, dhe për shkak të moshës, nuk mundi t`u rezistoi torturave e vuajtjeve dhe, vdiq më 1760 (1173). Ky fund tragjik i Nezimit, i pikëlloi miqtë e admiruesit që kishte në Berat. Shokët e tij si Mehmet Akshiu, Fejziu etj., shkruan kronograme. Nga këta më prekës dhe guximtar është ai i Fejziut: “I parë ndër shumë dijetarë, krye ndër falëtarët, mbiemri i dashur Nezim, emri Ibrahim bej, i zoti në fushën e diturive, njohës i hollë i kuptimeve dhe dijetar i lartë. Fati e burgosi pa faj në Dhe` të huaj i torturuar vdiq dëshmor dhe u nis për në parajs”.
Nezimi botoi “Divanin” shqip me 110 vjersha, në të cilat ai nuk i qendroi besnik modeleve orientale, por u përpoq të pasqyronte dhe disa aspekte të jetës së kohës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e vjershave të tij janë “gazele”, ku poeti i këndon bukurisë dhe dashurisë, flasin për miqësinë, çmimin e diturisë etj. Interes paraqesin ato vjersha ku autori ankohet për fatin e tij e për gjëndjen e rëndë të kohës. Ai kaloi një jetë të trazuar aq sa në një vjershë shprehet me dhimbje:
“Të më dihet halli që kam, qante edhe dushmani im”
Duke parë kontrastin midis jetës së atyre që vuanin dhe atyre që nuk dinin ç`ti bënin paratë, si njeri që nuk i eci fati, shkroi:
Unë vuaj e ti në gas,
Kështu qënka takdiri, (qënka thënë)
Pse s`pyet, o dhëmb elmaz, (gur i çmuar)
Në ç`hall është fakiri?
Në vjershat e Nezimit ka elemente dhe figura që burojnë nga realiteti shqiptar. Në këto raste, bejtet fitojnë natyrshmëri dhe origjinalitet, që aq shpesh mungon në krijimet e shumicës së bejtexhinjëve. Në mjaft poezi didaskalike çfaq mendime pozitive, fshikullon ashpër tipe negativë, lartëson punën, zanatin, diturinë, përball mburrjeve të kota për pasurinë dhe fisin.
Nezimi qe novator edhe në mjetet letrare, stilistike dhe teknike. Ai shkoi pas modeleve persiano – turke, gazeleve, kasideve e gjinive të tjera të këtyre letërsive, por këtyre gjinive u dha forma të tjera. Vargu që përdoret më shumë prej tij është tetërrokshi troik. Për t`i shpëtuar monotonisë, këtë varg e shoqëron me gjashtërrokshin e katërrrokshin.
Për Nezimin mund të flitet gjatë, sepse ka ç`farë të thuhet.
JUL VARIBOPA
POETI I PARE I TALENTUAR ARBERESH
Një figurë e ndritur e poezisë shqiptare me origjinë nga zona e Cakranit, është dhe Jul Varibopa. Ai u lind në një fshat të Kozencës në Itali që vendasit e quajnë “Mbuzat”. Sipas shumë autorëve që kanë shkruar për Varibopën, ai u lind në një familje me origjinë nga Mallakastra, dhe sipas Robert Elsie që ka botuar: ”Histori e letërsisë shqiptare” cilësohet nga Mallakastra e Shqipërisë jugore.Të njëjtën gjë e përsërisin në botimet e tyre: De Rada, M.Markianoi, Zef Skiroi, Albert Stratikoi, të cilët i përmënd dhe Akademik Shaban Demiraj, në një material për Jul Varibopën.
Ngulimet e arbëreshëve në Itali janë të periudhave të ndryshme, por sipas të gjitha të dhënave, thuhet se fshati San Giorgio Albanese e që vëndasit e thërrasin Mbusat, është themeluar rreth viteve 1467-1471, pra menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut. Në shqiptimin e emrit ka pak ndryshim. Sipas Robert Elsie quhet Mbuzat, kurse sipas Ak.Shaban Demiraj thirret Mbusat. Duket e parëndësishme, por nga emri mund të përcaktohet edhe prejardhja, ose familja themeluese e fshatit. Nuk dihet në se familja Varibopa është themeluese apo ndër të parat, sepse Juli ka lindur rreth tre shekuj më vonë.
Qysh në fillim më duhet të them, se përse nisa të shkruaj Varibobën ?
Së pari.- Më bëri përshtypje mbiemri i tij, e që lidhet me emrin e fshatit nga është larguar kjo familje. Kishin kaluar me pak se tre shekuj nga emigrimi i tyre dhe ata mbanin akoma për mbiemër, emrin e fshatit të paraardhësve të tyre, e që u kujtonte se ishin nga Varibopi i Cakranit, gjë që do e vërtetojmë më vonë.
Së dyti.-Ky njeri, pra Jul Variboba, është cilësuar nga shumë autor si: ”Poeti parë Arbëresh i talentuar” nga R.Elsie; “Një ndër poetët më të dëgjuar të letërsisë arbëreshe”, nga Sh.Demiraj; ”Si autor i vërtet dhe krijues original” nga S.Hamiti; ”Poeti i parë i vërtet i krejt letërsisë shqipe”, thuhet në Fjalorin Enciklopedik letrar f.287, bot. 2001.
Nisur nga këto, mendoi të bëjë të njohura disa të dhëna për jetën e tij e disa mendime nga studjues të ndryshëm.
Pranohet nga të gjithë që ai ka ndjekur studimet në Seminarin Korsini në Shën Benedithi (San Benedetto Ullano). Ky seminar, sipas Robert Elsie është themeluar në vitin 1732 nga Papa Klementi XII, ndersa sipas De Rada cilësuar në veprën e vet: ”Antologji Albanese” f.59, e cituar dhe nga Shaban Demiraj thotë: Jul Variboba ishte i biri i kryepriftit të Mbusatit dhe i Vashia Kanadese dhe ka qënë një ndër nxënësit e parë të Kolegjit italo-shqiptar të San Benedetto Ullanos, që u themelua në vitin 1733 nga Felice Samuele Rodota, fisnik shqiptar nga San Benedetto Ullano. Pra kemi një ndryshim në vitin e themelimit dhe të themeluesit. Për mua qëndron varianti i dytë, sepse si do dali dhe më poshtë, ky kolegj është i ritit orthodoks dhe në se krijohej nga një Pap, duhej të ishte i ritit katolik, kështu që një fisnik vëndas i fesë orthodokse mund ta themelonte. Sigurisht që kjo ka pak rëndësi në shkrimin tonë, por më poshtë do ndeshemi për këtë problem me Julin.
Me mbarimin e këtij seminari apo kolegji, Jul Variboba u shungurua prift, kjo rreth vitit 1749, sipas R.Elsie, i ritit orthodoks.
Sipas Markianoit, të cituar nga Sh.Demiraj: ”Dialektet e Kalabrisë, të Pulias e të Siqelisë, janë pasqyrë besnike e të folurit të Toskërishtes”, por flitet dhe për koloni arbëreshe të ardhur nga vise të tjera të Shqipërisë së sipërme. Përsa i përket katundit Mbusat, gjuha e të cilit është një torkërishte me disa karakteristika të afërta me çamërishten dhe gjirokastrishten, mund të thuhet me siguri se do të jetë themeluar nga familje të shpërngulura prej Toskërie.
Një analizë më të plotë e me vlerë të leksikut të Varibopës ka botuar Prof. Maksimilian Lambertzi, që citohet dhe nga Sh.Demiraj, ku në faqen 47 të studimit të tij, ai shfaq mendimin se llagapi Variboba lidhet me emrin e fshatit Varibop, d.m.th. stërgjyshërit e Varibopës janë shpërngulur nga ai katund i Mallakstrës, emrin e të cilit e mbajtën si llagapin e familjes së tyre. Ai shton se toponimi Variboba është një nga toponimet e shumta sllave të Shqipërisë dhe do të thotë: ”Zieje groshën”. Mua, artikullshkruesin, ky spjegim nuk më bind e nuk më pëlqen. Më duket më i argumentuar e domethënës mendimi i Spiro N.Konda, i cili fjalën Varibop e spjegon me zbërthimin: Varri i Bobit, e që më duket më bindës. Ndoshta dhe Varri i babit që më vone ka evoluar në varri i bobit.
Përfundimisht, si dhe vërtetohet nga autor të tjerë, pra, nga fshati Varibop i Mallakastrës ku ka vetëm një të tillë, fshati Varibop i Cakranit, prejardhja e tij prej Cakranit është i argumentueshëm. Por le të flasim për veprën e tij…
Me mbarimin e kolegjit, Juli kthehet në fshat për të ndihmuar të atin e moshuar,Xhovani kryeprift i famullisë aty. Duket që ishte i apasionuar pas fesë, prandaj dhe krijoi aty një kongregacion, ku u grumbulluan vajzat më të ndershme të fshatit, që u quajtën: ”Bijat e Maries”.
Nuk dihet në se ishte e vërtet apo shpifje, por kundër Varibobës u hap fjala se paskësh pasur lidhje me një nga këto vajza. Kjo bëri që ai të largohet nga fshati dhe të vendoset në Romë. Aty mendohet se bëri jetë të mbyllur fetare duke iu lutur Shën Mërisë për mëkatet.
Stratikoi thotë se në Romë Jul Varibopën e nderonin shumë për sjellje të mirë dhe diturinë e tij dhe se ishte emëruar sekretar i një Urdhëri fetar, ku mendohet se ka kaluar ditë të mira. Mendohet se pëlqente më shumë ritin katolik të besimit sidomos në Rome.
Sipas gojdhënës të përmëndur nga Stratikoi, prindërit e Varibopës, me që e kishin bir të vetëm, donin ta martonin, para se të shungurohej prift, duke qënë se prifterinjtë arbëresh të ritit orthodoks lejohen të martohen, para se të fillojnë jetën e priftërisë. Sipas shënimeve të A.Chinigo në “Arbri i ri”,-Variboba në fillim kishte pranuar këtë dëshirë të prindërve, e prandaj u kishte thënë se do të shkonte në Napoli për të gjetur gruan më të bukur e fisnike. Kur ishte kthyer, kishte thënë se e kishte gjetur gruan, dhe për çudi të vëndasve që po e prisnin më nuse, ata paskëshin parë shtatoren e Shën Mërisë. Sido që ky tregim ka formën e një anekdode, ai hedh dritë mbi atë që Juli ishte i dhënë fort pas fesë, dhe kjo duket edhe në veprën e tij letrare.
Fakti që Varibopa ka ndjekur mësimet në San Benedetto Ullano e pastaj ka jetuar në Romë si sekretar i një Urdhëri fetar, na bënë të mendojmë se ai ka pasur dituri për kohën. Këtë na e vërteton dhe një anekdodë, që e tregon De Rada në “Antologjia Albanese”. Po e shkruaj shkurt: Kur në kryesinë e Kolegjit të San Benedetto Ullanos erdhi peshkopi Archiopoli, mori në katedrën e lëndëve humanitare një ish nxënës aty, i quajtur Avato, të cilin më vonë e zëvëndesoi me Jul Varibopën. Kjo tregon se Varibopa duhet të ketë pasur një farë kulture dhe inteligjencë të mirë, deri sa peshkopi Archiopoli ka menduar ta bëjë drejtor në këmbë të një tjetri, për të cilin De Rada thotë se ishte një nga nxënësit më të mirë të Kolegjit e me inteligjencë të rrallë.
Por ajo që e bëri Julin të njohur në qarqet letrare është vepra e tij: ”Ghiella e Shën Mëris Virgjër” (Jeta e Shën Mërisë Virgjër), botuar në Romë në vitin 1762. Siç thotë edhe vet poeti në parathënien e kësaj vepre, ai që kur ishte i ri i vinte ndore të shkruante për te qeshur, por e para vepër në gjuhën shqipe është vëllimi me vjersha fetare, që u botua me titullin e mësipërm. Megjithëse Zef Skiroi e ndonjë tjetër thotë se kanë patur në dorë një dorëshkrim me vjersha të tjera fetare të tija, por Skiroi nuk jep spjegim në se ka qenë shtypur ndonjë nga këto vjersha e kur, prandaj Varibopa, në historinë e letërsisë sonë njihet vetëm me veprën:”Gjella e Shën Mërisë Virgjër”.
Kjo poemë prej 4717 vargjesh, me një strukturë pjesësh jo fort te lidhura, e shkruar tërësisht në dialektin e Mbusatit, dëshmon më shumë për një tonalitet lirizmi e balade popullore, duke i shndruar personazhet besimtare të Dhjatës së Re në fshatarë truplidhur kalabrez të shekullit të tetëmbëdhjetë. Varibopa nuk e ka shoqin në letërsinë e vjetër shqiptare si për ndjeshmërinë e kthjellët e të thjeshtë poetike, ashtu edhe për larminë e shprehjes ritmike, ndonëse cilësia artistike e tij ka dallime të mëdha nga vargu në varg. Ajo është ndërthurur siç është me këngë popullore, qëndron madje në stilin realist e konkret. Nje nga pjesët më karakteristike, është Kënka e të zgjuarit, në të cilën Shën Mëria e zgjon të voglin e saj për të marrë adhurimin e barinjve të thjeshtë, Nikolle, Frangut, Xhuditës, Elizabetës, të gjith me dhurata nga fshati.
Si autor i vërtet dhe krijues original,Varibopa krijon lloje vargjesh e figurash krejt origjinale, që hyjnë në fondin e krijimit letrar.Gjithë vepra e tij ka strukturë letrare, trajtë shkrimi të njëhsuar, poezi-vargje dhe shkruhet për qëllime letrare.
Halil Bregasi
Redaktor i revistes “Cakrani”
- « Previous Page
- 1
- …
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- …
- 73
- Next Page »