• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

AMBASADORI GAZMEND PULA ÇDO DITË E KA “MËNGJES LUTJE” PËR KOSOVËN

May 14, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Ajo ditë vjeshte e tetorit 2008 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës kishte shenjtërinë e saj. Në historinë shqiptare po vinte i pari ambasador i shtetit të ri të Kosovës në Shqipërinë Londineze, dr. Gazmend Pula. Ishte një nga nëntë të parët, krahas atyne në Uashington, Nju Jork, Bruksel, Londër, Paris, Berlin, Vjenë, Ankara. MPJ e Shqipërisë, e drejtuar asokohe nga Lulzim Basha, kësaj dite ia kishte dhanë peshën e vet të pazakontë. Mikpritje e veçantë diplomatike në përkujdesje të Protokollit të Shtetit. Njëherash, të pranishëm në Rinas ishin edhe zv/ministre e jashtme, Edith Harxhi, si dhe drejtorë, diplomatë e punonjës të MPJ, nga Drejtoria e Përgjithshme e Marrëdhanieve Shumëpalëshe, Drejtoria e Ballkanit, Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD), e cila, kjo e fundit, kishte hartue enkas edhe një program pune me dy faqe për pjesën e saj të pritjes diplomatike e vllaznore e veçmas për zyrat përkohore të Misionit Diplomatik të Kosovës e të qëndrimit të ambasadorit të saj në Bllokun e Ambasadave të metropolit shqiptar.
Isha dhe vet aty në Rinasin e pritje-përcjelljeve, si zyrtar emnor në DSHTD. Asaj mbramje iu gëzohesha shqiptarisht mëngjezeve të tilla me ardhmëri kombëtare. Si mëngjezit të 17 shkurtit 2008 të lindjes pagëzuese shqiptare e euro-atlantike të shtetit ma të ri të botës, Kosovës dardane. Si këtij eventi jo veç diplomatik i mirëseardhjes e pritjes kaq lartnore të ambasadorit të parë të Kosovës në Tiranë, dr. Gazmend Pula, të cilit ia kisha ndie kaherë zanin për mirë, qyshse në dekadën ’90, në kapërcyell të shek. XXI, si kryetar i Komitetit të Helsinkut të Kosovës, si një përfaqësues i shoqërisë civile e luftëtar i të drejtave të njeriut, si një elitar i botës akademike me ligjërime auditoriale e botime autoriale, si një zyrtar model ndër kohëna të vështira, një qytetar i denjë shqiptar në rrjedhat e jetës panshqiptare e ndërkontinentale.
Nga dera e pritjes së personaliteteve të larta shtetërore hyri ambasadori Gazmend Pula me valixhe diplomatike në dorë…dhe me vargavijë makinash shkuam në Bllokun e Ambasadave, tek zyra e pritjeve të DSHTD. Një shqiptar shtatlartë, dardan listar. Një hyu i kohës. I lumnuem deri në buzëqeshjen e syve. Klas në t’pame të parë. I veshun shik. Plot sharm. Krejt elegancë. Rrezatonte kulturë genetike, librore, jetësore, bashkëkohore. Qeshte vrellshëm. Komunikonte trup e fjalë, edhe me elekuencë. Me një timbër zani të vetin me gurgullimë akustike alpine, atlantike, kuvendtare, pentagramore. Te tana këto i jepnin përveçi natyrore, njerëzore, zyrtare. Edhe kur erdhi si ambasador i Kosovës. Edhe kur iku si personalitet i lartë i saj. Gjithmonë në lëvizje. Gjithnjë tue i mbajt lartësitë.
Dr. Gazmend Pula dukej se u lind në Zveçan të Mitrovicës dhe u rrit’ si kontribut e atribut genetik breznor e vetjak, familjar e shoqëror, si prurje e kohës e me prurje në kohë, për me kanë i tillë: kryetar i Komitetit të Helsinkut (Komiteti Kosovar i Helsinkut), personalitet i botës akademike në universitete shqiptare e të huaja, ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë, ambasadë e vendosur ma pas nga shteti shqiptar në një nga vilat ma të bukura në qendër të kryeqytetit, pranë Kuvendit e Kryeministrisë së Shqipërisë, midis ambasadave të Serbisë e Rusisë, në një godinë që dikur ishte e “Bllokut të Udhëheqjes” e në vite të demokracisë edhe seli e Ambasadës Britanike e tevona e OSBE në Shqipëri.

2.
Dr. Gazmend Pula, ambasador i parë i një ambasade shtetërore legjitime të re, i shtetit ma të ri të shekullit e një nga shtetet ma të vegjël të globit, me një staf të pakët, të ri, kombëtar, aktiv e cilësor, punonte sikur të ishte ma e madhja ambasadë në Shqipëri, sikur të ishte në shtetin ma të madh të botës.
Edhe në një ditë të vetme të ishte ambasador në Tiranë dr. Gazmend Pula do të ishte nder për shtetin e ri të Kosovës emri i tij i formatit të lartë akademik, i shoqërisë civile, etj. e jo ma të ishte edhe si ambasador i parë i saj i pas Pavarësisë e kontributor në dy vite (tetor 2008-shtator 2010) në këtë detyrë diplomatike emblematike e fisnike çka i bani nder shtetit të Kosovës dardane.
Ambasador Gazmend Pula i mbante lart e afirmonte në çdo kohë dy mbiemnat e detyrës së tij diplomatike: I Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë.
Dr. Gazmend Pulajt nuk i dilte asnjiherë boll koha e hapësira për të kryer detyrat e veta kombëtare diplomatike për Kosovën e, megjithatë, gjente kohën, vendin e mënyrën e duhur për t’i kryer ato masëmiri e jo rrallë përtej çdo të pamundure e objektivi të pritshëm. Kryefjala e tij diplomatike ishte Kosova. Ai kishte interesim të lartë diplomatik për njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Ai iu përkushtohej tërësisht lidhjeve tw gjithanshme Kosovë-Shqipëri prej nga turizmi tek energjitika, nga një abetare e përbashkët tek tarifat doganore e pikëkalimet kufitare, etj. Ai sapo kryente një takim të frytshëm me kryeministrin shqiptar Sali Berisha luante një lojë tenis në mbramje në hotel Rogner edhe me ambasadorin gjerman në Tiranë, të cilin e kishte njoft përgjatë veprimtarive të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (IHF). Ai shkonte si ligjërues periodik (profesor-mysafir) në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të Akademisë së Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), ku iu fliste oficerëve të lartë për tematika aktuale të Diplomacisë dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Diku merrej me një hapje ekspozite pikture për Kosovën, etj. Ai pinte një “kafe pune” me ambasadorin amerikan në Hotel “Sheraton” apo ambasadoren britanike në Tiranë tek Blloku i Ambasadave dhe merrte pjesë e kumtonte në Akademinë e Shkencave në Tiranë në promovimin e librit “Korridori i Shqiptarëve” (Autostrada Durrës-Prishtinë) apo në Pallatin e Kongreseve në promovimin e librit “Brenda dhe Jashtë…Parlamentit” të dr. Bujar Leskaj, deputet, ish ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, ministër kulmor i integrimeve kulturore Shqipëri-Kosovë. Ai jepte intervista si në ABC News kundër Planit 6 Pikësh të Ban Ki Mun – Sekretar i Përgjithshëm i OKB, apo tek News 24 tue theksue se “Kosova është e interesuar për zhvillimet në Shqipëri” ose shkruante një shkrim për turizmin e Kosovës në Shqipëri. Ai sapo merrte pjesë në një ekspozitë të ish Të Përndjekurve Politikë për krimet tragjike të komunizmit në Shqipëri shkonte në një takim me krerë të enteve fetare apo në një koncert në piano të mjeshtres Nora Çashku, etj.
Ambasadori Gazmend Pula çdo ditë të punës së tij e kishte “Mëngjes Lutje” për Kosovën, për shtetësinë e saj, progresin e saj.
Aty tek Blloku i Ambasadave, asokohe kur punoja në DSHTD, takoheshim bukur shpesh me ambasadorin Gazmend Pula, pasi na ndante vetëm një hap me vendndodhjen e parë të Ambasadës të Kosovës në Rrugën “Skanderbeg”, e teksa flisnim për Kosovën e Shqipërinë, i hiqnim në biseda kufijtë e padrejtësive të Fuqive të Mëdha. Ndonëse ishim në Tiranë kujtoja se jam edhe në Prishtinë. Ndaj shpesh i thoshja me të qeshur: “Kur të flasim unë po them Tirana e ju Prishtina, që të mos i ngatrrojmë bisedat ndërveti”! Po shpesh e “thyenim” këtë “pakt”, se realisht tashma në zemra, biseda e realitete nuk kishte ma kufij në mes Shqipërisë Londineze e Kosovës euro-atlantike.

3.
Ajo çka më lidhte edhe ma fort e ma mirë me ambasadorin e shqiptarin e mirë Gazmend Pula, përveçse etno-historia e Kosovës dardane, ishte edhe përkatësia e tij shpirtërore, idealiste e praktike si anglo-sakson. Ai e ka pasë fatin e hershëm që ta njoh Amerikën, Tempullin e Demokracisë, Miken e Shqipërisë, qyshse në vitin e fundit të shkollës së mesme, kur nga Prishtina shkoi për një vit (1972) në Kaliforni në kuadrin e shkëmbimeve ndërkombëtare studentore.
Kjo i shtoi dashuri e i dha shtysë, që si bursist në Universitetin e Prishtinës, krahas studimeve në Fakultetin Teknik (seksioni i elektronikës) të ndiqte edhe një fakultet të dytë, Fakultetin Filozofik, për Gjuhë dhe Letërsi Angleze, të cilat, të dyja, i kreu më 1977 me notë mestare mbi tetë e me lëvdatën meritore “Student i Dalluar”.
Te dy: Gazmendi e Fati e ndoqën njani-tjetrin si bashkudhtarë e, përndryshe, edhe kësaj here, Amerika ishte fatsjellëse e tij. Teksa kryente studime pasuniversitare me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin Elektronik të Universitetit të Zagrebit përzgjidhet më 1979 asistent në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Elektronik, në Katedrën e Prodhimit dhe Bartjes së Energjisë Elektrike. Ende pa e mbrojt punimin e magjisturës në Zagreb, në fill vit 1980, si bursist i Fullbrajtit, shkon prapë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në studime pasuniversitare në Universitetin George Washington University në Washington DC, të cilat i kreu shkëlqyeshëm, në kohë rekord, me një tjetër lëvdatë si “Student i Dalluar” në maj 1981.
Një herë e tretë në Amerikë. Pikërisht në vitin 1986. Prapë si bursist i Fullbrajtit. Sërish në George Washington University, në kryeqytetin e SHBA. Do të mbronte doktoraturën, por pas një periudhe gjashtëmujore i ndërpret këto studime për shkaqe familjare dhe i rikthehet punës në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë si mësimdhënës dhe vazhdon punimin e doktoranturës që e mbron me sukses në vitin 1995.
Ish ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, tashti me titullin shkencor “prof. asoc. dr.“, vazhdon punën pedagogjike-shkencore si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku ligjëron si profesor edhe sot, si në studimet e rregullta ashtu edhe në studimet pasuniversitare dhe të doktoranturës pranë këtij fakulteti. Mban lëndët e katedrës së prodhimit dhe bartjes së energjisë elektrike si bartja dhe distribuimi i energjisë elektrike, rregullimi i sistemeve elektro-energjetike, eksploatimi i sistemeve elektroenergjetike, elektroenergjetika, ngasjet elektromotorike, etj.
Gjithashtu, Gazmend Pula ka ligjëruar edhe si profesor universitar i gjuhës e letërsisë angleze në disa institucione të arsimit të lartë në Kosovë. Në Universitetin “AAB-Riinvest” të Prishtinës në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Letërsinë e Vjetër dhe Mesjetare Angleze, Gjuhën Angleze profesionale për Shkencat Politike, Juridike dhe Ekonomike. Njëherash, kësisoj, edhe në Universitetin Mbretëror “Illyria”, në Universitetin “FAMA”, në Universitetin “Victory” (Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë).

4.
Event i veçantë e mirënjohje e lartë për dr. Gazmend Pula. Në vitin 1998 i jepet Çmimi Amerikano-Europian për Demokraci dhe Shoqëri Civile (US and EU Democracy and Civil Society Aëard) për angazhimin e suksesshëm në domenin e shoqërisë civile në Kosovë.
Një privilegj meritor: ky çmim ndërkombëtar iu dorëzua në një ceremoni në kohën e Samitit SHBA-BE në Londër (Mbretëri e Bashkuar) nga presidenti amerikan, Bill Klinton, e kryeministri britanik, Tony Blair.
Dr. Gazmend Pula në fillnisje të dekadës ’90 të shek. XX, me rënien e Murit të Berlinit, me përshkallëzimin e krizës politike në Kosovë, angazhohet në laminë e të Drejtave e Lirive të Njeriut në kuadër të Deklaratës Universale të OKB, Konventës Europiane, etj. Themelon Komitetin Kosovar të Helsinkut (KKH) dhe e antarëson në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkut me seli në Vjenë. E udhëheq për 17 vite KKH, deri më 2006. Në shumë konferenca e tubime ndërkombëtare ka referue e ligjërue lidhur me Çështjen e Kosovës. E ka denoncue botnisht diktaturën e përgjakshme millosheviçiane për shkeljet e Lirive e të Drejtave të Shqiptarëve në Kosovë. I ka ofruar mjaft miq të rinj Kosovës në udhën e saj me dinjitet e sakrifica drejt Lirisë (1999) e Pavarësisë (2008).
Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ndër vite, shpeshtas e në mënyrë të përseritur, e ka vlerësuar lart punën e kontributin e Komitetit Kosovar të Helsinkut (KKH) dhe të kryetarit të saj, dr. Gazmend Pula, në proçese e zhvillime kombëtare e demokratike të Kosovës.
Dr. Gazmend Pula për disa vite angazhohet si antar bordi i Qëndres për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore (The Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe) në Selanik të Greqisë. Në karierën e tij akademike ka disa botime universitare të kahershme si “Bartja dhe Shperndarja e Energjisë Elektrike” (EBTMM, Prishtinë, 1986), “Elektroenergjetika”, (EBTMM, Prishtinë, 1987), etj. Për kontributet e tij është nderuar edhe nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me çmimin “Pjetër Bogdani”.

5.
Vjena, kryeqëndra e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkut, në vitet ’90, teksa shkonte atje për veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, iu kthye në një nga vendet magjike e manjetike të jetës e veprimtarisë të prof. asoc. dr. Gazmend Pulajt në tri dekadat e fundit. Përndryshe, cilësohet edhe si gjermanik, me lidhje shpirtërore, pune e familiare me dy shtetet gjermanike, me Austrinë e me Gjermaninë.
Gazmend Pula kaherë shkoi në Gjermani për studime inxhinierike e të gjuhës gjermane: qyshse më 1978 e pikërisht në Universitetin Teknik të Dresdenit dhe, kësokohe, kryen edhe një kurs të lartë për Gjermanistikë. Pas një viti, më 1979, vazhdoi studime përkohore edhe në Institutin Gëte në Rothenburg ob der Tauber në Gjermani.
Dr. Gazmend Pula, në cilësinë e Shkenctarit Mysafir e bursist i Fondacionit Gjerman KAS e DAAD, qëndroi për një vit (1995-’96) si hulumtues në çështje të Kosovës pranë Institutit të Europës Juglindore në Munih të Gjermanisë, ndër institutet më renome në Gjermani për studimin e analizën e çështjeve ballkanike. Në të njëjtën cilësi, Shkenctar Mysafir, për tre muaj më 1999 kreu studime në Institutin për Çështje Sociale në Vjenë të Austrisë. Prej vitesh është antar i bordit drejtues të “Institut fuer Sudost Europaeische Studien” të Universitetit në Graz në Austri.
Dikush më pati dvet nji herë se Gazmend Pula është më shumë “amerikan” apo “gjermanik” e m’u desht me ia kthye gjegjën: “I ka të dyja. Është euro-atlantik”.

6.
Vjet, revista “Kosovarja” (nr. 16) devizonte se “Luljeta Pula-Beqiri, e harruar apo e vetëharruar, është një protagoniste pa të cilën nuk mund të shkruhet historia e re e Kosovës”. Kjo kandidate për Presidente e Kosovës në vitet ’90, ish kryetare e Grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish kryetare e PSD të Kosovës, prof. asoc. dr. në Fakultetin e Teknologjisë në Mitrovicë e njëherash drejtore e Institutit për Hulumtime pranë këtij fakulteti, është motra e ambasador Gazmend Pulajt.
Kur thashë se diplomati, profesori, veprimtari e qytetari Gazmend Pula është anglo-sakson kisha të drejtë, veçse duhet t’i shtoja edhe faktin se e tillë është krejt familja e tij, vllau e motrat e tij. Mrs. i shkencave mjekësore Shpend Pula, specialist i anesteziologjisë, jeton prej vitesh në Nju Jork, “kryeqendrën e botës” dhe ligjëron në Kolegjin Mjekësor të Nju Xhersit, “qytetin e kopshtijeve”. Edhe në dhera të largëta po merr lartësi.
Në fundvitin 1979 e kam pasë ndjek në një sallë të madhe e të mbyllur tek ish Shkolla e Lartë e Partisë në Tiranë filmin artistik “Kur pranvera vonohet” (sipas ditarit partizan të Fadil Hoxhës) me regji nga Ekrem Kryeziu, skenarin Azem Shkreli e Ymer Shkreli, muzikën Rauf Dhomit, etj. Tek ky film 124 minutësh, prodhim i “Kosovafilmit” (12.07.1979), më pati ba përshtypje të veçantë aktori Enver Petrovci, sëbashku me Abdurrahim Shalën, Faruk Begollin e Pejës, Hadi Shehun, Xhevat Qorraj. Para tre vitesh, djaloshi 57 vjeçar i Prishtinës, i madhi Enver Petrovcki në spektaklin tejet popullor në Tiranë “Dancing with the stars” (Tring Dixhital e TV Vizion Plus) u shpall ma i miri, i mori notat ma të larta e çmimin e madh – vetura Jaguar, etj. Befasia ime e madhe ishte kjo: nusja e tij tek asht motra e ambasadorit Gazmend Pula. Nuk e dija. Ajo e mban emrin e lumit të vendlindjes time: Valbona. Është pedagoge e pianos në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. E pas këtij fakti nuk kam me dvet ma sepse aktori e regjisori i pamatë Enver Petrovci gjeneron gjithmonë kaq shumë energji në skenë e në jetë.
Në përvjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2009) ambasadori i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës të Kosovës, dr. Gazmend Pulaj me zonjën e tij, Lejla (Haxhiu)-Pula, shtruan një pritje klasike madhore në hotel “Sheraton”. E pata njoft prej atëherit. Me kulturë të shumanshme e lartësore. Ligjëron në anglisht e gjermanisht, sikurse edhe vet bashkëshorti i saj dinjitar. Mjeshtre e pianos si rrallkush. Në skenat ma klasike të botës euro-atlantike ka marrë duartrokitje nga spektatorët e ngritur në kambë e me përulje nderuese. E, kësisoj, është pedagoge e pianos në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka krye specializime e qëndrime studimore në SHBA, Austri, Gjermani, etj. Mirënjihet si kryetare e Shoqatës Kosovare të Chopenit, pasi prej pesë vitesh në cilësinë e drejtores artistike, organizon “Chopin Piano Fest” në Prishtinë me pjesmarrje të pianistëve të dalluar të globit, një festival i cili sjell “meloditë e pavdekshme të klasikëve”.
Një fjalë e moçme thotë: amblesina në fund. Edhe në kit’ rast nuk ka se si të ndodh ndryshe. Ambasadori Gazmend Pula i ka dy fëmijë: vajzën Nita e djalin Leonati, të cilët e kalojnë jetën në mes Gracit e Prishtinës. Secili flet nga tre gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht e italisht. Kanë kujt t’i ngasin. Prindrit i kanë shembuj emblematik për mirë. Nita, sikurse i ati, ka krye dy fakultete: për Drejtësi në Grac e Akademinë e Siguracioneve pranë Universitetit të Vjenës. Studimet e doktoraturës i ndjek në Universitetin e Gracit. Si pedagoge e Universitetit Juridica në Prishtinë ligjëron lëndët E Drejta Kushtetuese dhe E Drejta Publike. Leonati rinor e ka përfundue Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Gracit të Austrisë e sivjet, po aty, po i përmbyll studimet për master në drejtimin Studimet Globale. Është i angazhuar edhe si konsulent në domenin e IT.
Dr. Gazmend Pula për disa vite angazhohet edhe si antar bordi i Qëndres për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore (The Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe) në Selanik të Greqisë. Në karierën e tij akademike ka disa botime universitare si “Bartja dhe Shperndarja e Energjisë Elektrike” (EBTMM, Prishtinë, 1986), “Elektroenergjetika” (EBTMM, Prishtinë, 1987), etj. Për kontributet e tij është nderuar edhe nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me çmimin “Pjetër Bogdani”.
Ambasadori Gazmend Pula këto ditë i kap 60 vjet në udhajetën e tij atdhetare, akademike, diplomatike, veprimtare, qytetare e ngaqë kam kohë pa u takue me kit’ mik të mirë thashë t’ia shkruaj një 6 faqe esse për ditëlindje. Dua të jem i pari që uroj të parin ambasador të Kosovës në Tiranë, i cili çdo ditë të jetës së tij e ka “mëngjes lutjesh” për Kosovën.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gazmend Pulaj, Kosove, Mengjes Lutje, Ramiz Lushaj

Ma mbaj pak doçin,sa t’i them dy fjalë dobiçmadhes!

May 14, 2014 by dgreca

Nga LEK MIRAKAJ/
Mu kujtua kjo thënje gjatë kohës që ndiqja deklaratën e kryeministrit,gjoja para mediave ,ku nuk u pa asnjë gazetar dhe duke mos pasur gazetar, nuk kishte as pyetje që mund ta vinin në siklet kryeministrin.Ndëgjuam se sa i ndershëm është Beluli (d.m.th.kryeministri) mungoi vetëm betimi,qafsha nanën ashtë e vërtetë.Ndëgjuam se sa keq ka qeverisur qeveria paraardhëse,mbase e vërtetë,po deklarata nuk ishte për buxhetin apo arsimin.Nejse kishte të drejtë kryeministri të ishte i zemëruar me opozitën,që nuk bashkohet me qeverinë për ta mbuluar këtë incident,nuk nxiren teshat e palara në dritare që ti shohë bota ,jemi apo s”jemi patriotë,Në fund të fundit,nuk është e ndershme që ti gëzohesh fatkeqësisë së tjetrit,Ndëgjuam se në Divjakë nuk ka pasur asnjë ulje para kësaj ,se nuk ka folur njeri veç opozitës dashakeqe.Kryeministri nuk e dinte se janë edhe ca televizione po aq te pa ndersheme sa opzita, që intervistojnë ca fshatarë të pa shkollë të cilët pretendojnë se kanë parë edhe në rrugën e Bedatit aeroplanë që janë ulur,po të gjithë e dimë se ata janë ulur, ja ashtu kot sa për lezet,sa për të marrë një sy gjum.Intervistohet një injorant, që megjithse ka qenë aty me ndonja njëzet të tjerë ,nuk dallon dot pulëbardhat nga aeroplanat.Sa keq më vinte kur shihnja kryeministrin e vendit tim, të cilin ca mbeturina të qeverisë parë(FAJIN E KA SALIU) e mbajnë në injorancë totale dhe nuk e vënë në dijeni se kanë qenë dhe ca banorë të tjerë të asaj republike ,që pretendojnë se kanë parë ca si puna e kësaj mushkonjës së Divjakës ,diku në Kardhiq,diku në Lumalas apo edhe në një toponim të pandigjuar po të shpikur nga opozita ,Gjadër,thonë gojët e liga se quhet.Burrnija thonë nuk ka të paguar .Dhe kryeministri ynë e nxori pallën dhe e mbrojti si burrat ministrin tonë të Brendshëm.Me siguri nuk e ka parë deklaratën e Tahirit që gati nuk po qante ,i nxirë në fytyrë,ndërsa lexonte një gjoja deklaratë dhe na siguronte se aeroplani kur është kontrolluar nga policia ka qenë bosh.Nejse vetëm dy orë kishin kaluar para se policia e Z.Tahiri të arrinte në vendin e fatkeqësisë. ,Mbase dikush i kishte sugjeruar që të buzëqeshte dhe të mburej për suksesin e aksionit spektakolar,po Ai nuk ishte aq budalla të buzëqeshte,që pastaj Ata të mëdhenjtë,e kam fjalën për Ata fare të mëdhenjtë ,ta akuzonin se Ai kishte gisht në difektin e turistit nga vendi fqinj.ZOTI KRYEMINISTËR LE TË JEMI PAK MË SERIOZ,JU EDHE NE..Ju e dinit se paraardhësi juaj në bisedë me gazetarët,dy orë para deklaratës Tuaj, kishte përmendur emra konkretë,që simbas Atij kishin shoqëruar pilotin e drogës nga dera anësore.Për këtë të na kishe sqaruar,është e vërtetë apo jo.E di se është e vështirë po të jetë e vërtetë ta përgënjeshtrosh,mbasi me siguri duhet të ketë pasur dëshmitar dhe besoj se janë edhe kamerat e sigurisë.Po të jetë e vërtetë,do mjaftonte vetëm ky fakt që jo vetëm të shkarkoje Tahirin ,po edhe ta vije para përgjegjësisë penale,d.m.th t’ja dorezoje drejtësisë .Po ashtu, ishte dhe është detyrë jotja ta shkarkosh komunistin Naço nga detyra e ministrit të drejtësisë.Ti përkulesh në shenjë nderimi diktatorit,që të gjitha këto probleme që shoqeria shqiptare përballon sot, na i ka lënë peshqesh i mallkuari.është jo vetëm fyerje për të gjallët,po edhe për viktimat e shumta që nuk kanë edhe sot e kësaj dite një varr,ku të prehen si qenie njerëzore.Një ministër drejtesie në Gjermani që do të nderonte Hitlerin ,do kishte detyruar tërë kabinetin të dorëhiqej.Nga Ty po kërkojmë shumë pak .Shporri të diskretituarit,në mungesë të provave që e komprometojnë ,të pa aftin Tahiri dhe komunistin e pa ndreqshëm Naço.

Filed Under: Opinion Tagged With: dobiçmadhes!, dy fjalë, lek mirakaj, Ma mbaj, pak doçin, sa ti thëm

Ligjvënësi nga Nju Jorku nën 20 akuza penale

May 13, 2014 by dgreca

Ligjvënësi republikan Michael Grimm, i Nju Jorkut, përballet me një mori akuzash penale që kanë të bëjnë me aktivitetet e tij të biznesit para se të zgjidhej si anëtar i Kongresit. Ndaj ish agjentit të FBI-së po hetohet gjithashtu për shkelje të mundshme të ligjeve për mbledhjen e fondeve për fushatë.
“Kjo gjueti shtrigash politike është projektuar për të arrituar disa gjëra, por mbi të gjitha, për të vrarë karakterin tim dhe për të më hequr nga detyra.”
Kështu u shpreh ligjvënësi amerikan Michael Grimm duke folur para gazetarëve, pasi kishte deklaruar në një gjykatë federale se ishte “jo fajtor” për 20 akuza penale të lidhura me aktivitetet e tij të biznesit para vitit 2010, kur fitoi postin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve.
Prokurorja Loretta Lynch lexoi akuzat e ngritura kundër ish agjentit të FBI-së, i cili gjatë asaj detyre hetonte vetë raste mashtrimi apo lloje të tjera korrupsioni.
“E akuzojmë për pengim dhe bllokim të punës së agjencisë së taksave (IRS), për konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, me anë të krijimit të të dhënave të rreme në dokumentet tatimore, për mashtrim financiar me postë, për mashtrim me anë të teknologjive të komunikimit, për mashtrimin të sistemit të kujdesit shëndetësor, për dëshmi të rreme, për pengim të një procedure zyrtare dhe për punësim të punonjësve pa dokumente. Këto akuza rrjedhin nga aktiviteti i Michael Grimm-it si administrator i një restoranti që kishte në pronësi dhe që drejtoi nga viti 2007 deri në vitin 2010.”
Qeveria federale thotë se zoti Grimm fshehu më shumë se një milion dollarë në faturat e restorantit të tij në Manhattan, i quajtur “Healthalicious”.
Gazetarja Alexandra Jaffee, e gazetës politike The Hill, tregon për një tjetër hetim ndaj ligjvënësit nga Nju Jorku, këtë herë lidhur me mbledhjen e fondeve për fushatë.
“Një rabin dhe mbështetës së tij e ndihmuan zotin Grimm për të grumbulluar gjysmë milioni dollarë. Dhe ka pretendime se këto fonde u mblodhën në mënyrë të parregullt, ndoshta duke u siguruar nga shtetas të huaj, të cilët nuk lejohen të japin para për një anëtar të kongresit amerikan, apo në mënyra të ngajshme. Hetimi është ende në vazhdim,” thotë gazetarja.
Si pjesë e këtij hetimi, ish e dashura e zotit Grimm, Diana Durand, u deklarua “e pafajshme” ndaj tre akuzave kriminale për veprimtari të paligjshme financiare të lidhura me fushatën e tij të vitit 2010.
Ligjvënësi Grimm refuzoi të japë dorëheqjen dhe zotohet se do të rikandidojë në zgjedhjet e nëntorit.
“Unë e di që jam një njeri me moral, një njeri me integritet. Dhe e di që kam më tepër shërbim dhe udhëheqje për t’i dhënë këtij vendi.”
Ndihmës Drejtori i FBI-së për Nju Jorkun George Venizelos e sheh atë krejt ndryshe, duke e publikuar kohët e fundit një deklaratë ku e akuzon zotin Grimm për shkelje të motos së FBI-së për besnikëri, trimëri dhe integritet duke e zëvendësuar me “mashtrim, dëshmi të rreme dhe bllokim.”(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: 20 akuza, Ligjvënësi nga Nju Jorku nën, penale

Albanian Excellence – Krijohet “Union of Vlora Excellence”

May 13, 2014 by dgreca

Personazhet nënshkruajnë letër drejtuar parlamenteve dhe ministrave te Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë/
Nga Flora NIKOLLA/
TIRANE, 13 Maj /ATSH/.- Personazhet e librit, “Vlora-Histori suksesi”, kanë firmosur një letër drejtuar Parlamenteve dhe ministrave te Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, gjatë aktivitetit shumë dimensional “Vlora ime”, organizuar në qytetin bregdetar , më 9-10 maj , nga Albanian Excellence , Agjencia Telegrafike Shqiptare me mbështetjen e Bashkisë Vlorë.
Ideja e hedhur nga z. Fate Velaj, këshilltar për diplomacinë kulturorë pranë kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, njëherazi personazh në librin “Vlora –Histori suksesi 2014”, është përkrahur nga të gjithë personazhet e librit që kishin ardhur enkas në qytetin e tyre, për të marrë pjesë në këtë aktivitet , ku u promovua me një seri aktivitetesh, jeta e tyre profesionale dhe suksesi i tyre në botë.
Me këtë rast u krijua, me propozim të z. Velaj edhe “Union of Vlora Excellence”, Union i cili ka si qellim te mbajë kontakte mes të 76 personave të shpallur të suksesshëm, ne organizimin e takimeve mes tyre si dhe krijimin e një “axhende e cila do te pasurohet nga personazhet me ide e mendime si duhet të jetë Vlora në vitin 2021.
“Duke Ju përshëndetur nga Vlora, ose siç njihet ndryshe, “Qyteti i Pavarësisë”, duam t’Ju falënderojmë për mbështetjen dhënë vendit tonë, Shqipërisë, në të gjitha këto vite të tranzicionit, ndihmë që kishte për bazë idetë dhe vizionet tona të përbashkëta për Europën, si dhe respektin reciprok mes vendeve tona.Ne ndihemi krenarë kur, përpara miqve tanë europianë e cilësojmë vendin ku ne u lindëm, si “vendi i europianëve. Ne jemi më se të bindur se, shqiptarët e meritojnë një gjë të tillë dhe nuk kanë bërë më pak reforma europiane se të tjerët, që tashmë e shijojnë dhe përjetojnë marrjen e statusit për ëndrrën europiane”, thuhej ndër të tjera në këtë letër.
Më 10 maj, në Teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, Albanian Excellence. Agjencia Telegrafike Shqiptare me mbeshtetjen e Bashkisë Vlorë, u organizua një Mbrëmje Gala, ku u nderuan me medaljen e mirënjohjes “Vlora Excellence” 76 personazhet e librit “Vlora-Histori suksesi”.
Në këtë eveniment , i ftuari special i mbrëmjes ambasadori italian, Masimo Gaiani, i dorëzoi z. Fate Velaj, përveç medaljes “Vlora Excellence” edhe çmimin special “Albanian Excellence Award”.
Për gjatë dy ditëve në Vlorë , u organizuan nje mori aktivitetesh në nder të personazheve që kishin ardhur për këtë event i cili pasoi, aktivitetitin e organizuar një javë më pare, “Dje dhe sot në Fier” , i kurorëzuar me librin “Fieri-Histori suksesi “, si dhe me organizmin e një seri aktivitetesh të finalizuara po me një mbrëmjë gala, e cila ashtu si edhe ne Fier u drejtua me mjeshtëri nga artistja e njohur Rajmonda Marku , tashmë simbol i aktiviteteve të Albanian Excellence. Pjese e mbrëmjeve Gala, ishte edhe imazhi i Albanian Excellence, aktori Ardian Cerga.

Filed Under: Kulture Tagged With: Nga Flora NIKOLLA/Albanian Exellence

FESTIVALIN E VLORES E FITOJNE ITALIANET

May 13, 2014 by dgreca

Fitues i Festivalit “Aulona Interfolk”- Grupi “Citta di Palagianello” nga Italia/
Nga Harilla Koçi/.- Grupi “Citta di Palagianello”, nga Taranto, Itali fitoi kupën e edicionit të 6-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, i zhvilluar në qytetin e Vlorës.
Ky aktivitet, që nisi në datën 10 maj, ditën e çeljes së sezonit turistik veror 2014, u zhvillua në një skenë të ndërtuar në Skelë, ku grupet performuan në një mjedis të mbushur nga qindra qytetarë që e ndoqën atë përgjatë tre netëve. Në natën e tretë të këtij festivali, të gjitha grupet pjesëmarrëse intepretuan pjesë të zgjedhura nga repertori i tyre, duke krijuar një atmosferë tepër festive.
Artistët popullorë të 8 grupeve pjesëmarrëse mes të cilëve, “Bilbili”, nga Vlora, ata të ansamblit “Uchetilite” nga Sofia(Bullgari), “Epirus”, Selanik, Greqi, “Cita di Palagianello”, Taranto(Itali), “Kemajl Aziz”, Viti, Kosovë, “Bizovac”, Bizovac(Kroaci), “Jahi Hasani”, Gostivar(Maqedoni), “Silesiane”, Katovicë(Poloni), sollën për të pranishmit këngë e valle të interpretuara me mjaft ngrohtësi, të cilat ishin dëshmi e traditave të folklorit të tyre.
Në përfundim të kësaj nate, juria e festivalit veçoi profilin e grupit “Citta di Palagianello”, duke e vlerësuar atë me Kupën e këtij aktiviteti.
Festivali Folklorik Ndërkombëtar, “Aulona International Folk Festival”, organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona”, me mbështetjen e Bashkisë së këtij qyteti, si dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban e Turizmit, Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe një sërë subjektesh të tjera në qytet dhe më gjerë.
Në këtë edicion morën pjesë 8 grupe, mes të cilave nga Polonia, Kroacia, Maqedonia, Greqia, Kosova, Italia, Bullgaria dhe Shqipëria.
“Aulona International Folk Festival”, vlerësohet si aktiviteti i vetëm në Shqipëri i këtyre përmasave, i instaluar si gërshetim i drejtpërdrejtë i turizmit kulturor me atë natyror dhe që prej vitit 2009, i ka dhënë sezonit turistik të Vlorës një dimension të ri sa kulturor ashtu edhe masiv e ndërkombëtar. “Në këto edicione, për shkak të zhvillimit të këtij manifestimi folklorik ndërkombëtar, kanë patur rastin të jenë në qytetin e Vlorës rreth 1800 artistë popullorë nga vende të ndryshme të Evropës si, Sllovakia, Polonia, Kroacia, Italia, Greqia, Turqia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia etj, pa përmendur këtu shqiptarët e Kosovës”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli.
Ndërkohë, Presidenti i Nderit për këtë edicion, shkrimtari Dritëro Agolli, dërgoi një mesazh që u lexua në natën e parë, nga moderatorja, Silvana Braçe,. Në përshëndetjen e tij, shkrimtari i madh theksonte mes të tjerash: “Le t’i rikëndojmë dhe le t’i rikërcejmë këngët dhe vallet e gjyshërve, duke shtuar diçka nga zëri dhe lëvizjet tona, pa ua cënuar harmoninë e përhershme tingujve, lëvizjeve dhe ngjyrave të fjalëve”. Sipas tij, edhe gjyshërit ndër këto krijime shtuan zërat e tyre, prandaj ato kanë ardhur deri tek ne më të plota dhe me të qëndrueshme. Një valë gjyshërish ka hequr e ka shtuar diçka, një valë tjetër gjyshërish, gjithashtu, ka vënë një ngjyrë e ka sjellë një tingull një tingull në trupin e tyre, prandaj ato nuk janë harruar. “Edhe ne poetët kemi marrë hua të madhe nga stërgjyshërit, kemi marrë vargje dhe vjersha të tëra, duke bërë pak krehje dhe me shumë përkëdhelira. Pastaj po të hyjmë thellë kohëve dhe thellë vendeve, edhe nga vendet prej nga vijnë festivalistët e huaj të “Aulona Folk Festival”, do të gjejmë Robert Bërnsin, Longfelloun, Pushkinin etj, që kanë marrë kaq shumë hua, jo vetëm nga popujt e tyre, por dhe nga popujt përreth”, shtonte më tej në përshëndetjen e vet, Agolli.
Sipas tij, muzika: kënga vallja dhe meloditë me vegla komunikojnë mes popujve duke qënë një gjuhë e kuptueshme prej të gjithëve. Popujt e kuptojnë njeri tjetrin prej muzikës, lëvizjeve edhe pse fjalët mund të mos ti kuptojnë. Prandaj dhe, sipas Agollit, “Aulona” festival është një mundësi më shumë për të komunikuar mes nesh, mes popujve të rajonit dhe më gjerë, për ti kënduar paqes dhe për të shkëmbyer kulturat tona. “Këndojini dhe kërcejini edhe në Vlorë këngët dhe vallet e gjyshërve tuaj, qofshin ata shqiptarë, grekë, turq, italianë, malazes etj. Këngët e gjyshërve janë tradita e botës dhe si e tillë kudo ku mbahet gjallë ajo është si në shtëpinë e vet. E po, nga mos u heqësh kapelen në shenjë nderimi këtyre gjyshërve tanë të mëdhenj?”, nënvizonte në përshëndetjen e vet për festivalistët, shkrimtari Dritëro Agolli.
Organizatorët i dhanë atij një dimension të veçantë këtij edicioni, jo vetëm në gjeografinë e shpërndarjes së grupeve pjesëmarrëse, por edhe në intensitetin e zhvillimit të tij.
Për tre ditë me radhë, ngjyrat e kostumeve popullore dhe muzikës folklorike të vendeve të ndryshme të Evropës, mbushën qytetin. Performancat zhvilloheshin gjatë orëve të ndryshme të ditës në pika të ndryshme, ndërkohë që në mbrëmje, fokusoheshin në skenën e festivalit në Skelë.
Organizatorët e kanë shndërruar tashmë festivalin në një traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF(Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike).
Spnsori i përgjithshëm i këtij festivali është Bashkia e Vlorës, si dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Instituti Italian i Kulturës, një numër subjektesh, ku përfshihet edhe Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Furrë Buke Karabash, Hotel “Bolonja”, një numër hotelesh e resortesh etj.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fitues i Festivalit “Aulona Interfolk”- Grupi “Citta di Palagianello” nga Italia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT