Nga Nikolla Lena/
Një nga perlat e turizmit Shqiptarë është ajo pjesë e bregdetit Vlonjat që quhet Karaburun, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar.
Gadishulli i bukur ndodhet 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore.Ai ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë. Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty. Udhëtime të tilla organizohen kryesisht gjatë stinës së verës, ndërsa synohet që ato të shtrihen gjatë gjithë vitit.
Peizazhi natyror, i gërshetuar me atë historik, e bënë atë një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar. Gadishulli formon një hark të madh e të butë, që i përgjason gishtit të madh të dorës, të shtrirë. Ai ndan gjirin detar të Vlorës nga Kanali I Otrantos dhe ka një gjatësi prej rreth 15 km, me një gjerësi që shkon deri në 4.5 km. Në skajin veriperëndimor të Karaburunit (në turqisht gjuha e zezë), ndodhet Kepi I Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë. Në pjesën më të lartë të këtij masivi, ndodhen tre maja, ajo e Kores 826 metra mbi nivelin e detit, si dhe e Dafinës dhe Ilqes, respektivisht 732 dhe 687 metra. Pjesa perëndimore është shkëmbore dhe e copëzuar vertikalisht, me shpella, të çara, gjire e plazhe të vegjël. Këtu gjenden plazhi i vogël i Dafinës, bregu i Bitrit, Shpella e Panaisë. Përkundër kësaj, në pjesën lindore të gadishullit që shikon nga gjiri i Vlorës, bregdeti është më i formuar dhe më pak i thyer. Masivi i Karaburunit, në tërësi është i varfër në bimësi, por i pasur në kullota. Në pjesën më të ulët dhe më të ngushtë të tij, ndodhet pllaja e Ravenës, një qendër blegtorale e njohur në jug të vendit, që shfrytëzohet nga banorët e fshatit Dukat për mbarështimin e të imtave. Nga pikëpamja gjeologjike, masivi i Karaburunit është i përbërë nga gëlqerorë,të cilët janë shfrytëzuar që në lashtësi për prodhimin e mermerit. Cilësia e këtij produkti dallon nga ai i zonave të tjera të Shqipërisë. Mungesa e bimësisë dhe e ujërave sipërfaqësore e kanë bërë gadishullin të pabanueshëm
Historia
Në skajin veriperëndimor të gadishullit, në kepin e Gjuhëzës, ndodhet shpella e Haxhi Alisë, një emër i njohur në historinë e piraterisë detare. Ky objekt natyror, sipas gjeografëve, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Kjo, sepse, në pjesën perëndimore të gadishullit, gjendet dhe shpella e Gramës, brenda të cilës janë zbuluar mbishkrime të shumta, që përkojnë me periudha të ndryshme të historisë. Gjiri i vogël i Gramës, që ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit, është një nga surprizat më të veçanta të gadishullit, në pikëpamjen historike. Sipas historianëve, ky vend ka shërbyer që në lashtësi si vendpushimi për anijet.
Në muret e shumta të gjirit, konstatohen fare lehtë shumë shkrime të gdhendura nga marinarët, ku shprehet mirënjohja ndaj Poseidonit. Shkrimet e para i përkasin shekullit IV para Krishtit. Në shkrimet latine, që përkojnë me shekullin I pas Krishtit, gjenden emrat e Mark Antonit e të Pompeut, si dhe vizatime të ndryshme, mes të cilave anije, kryqe, spiranca, mburoja etj. Në këtë gji, ndodhet dhe shpella që mban të njëjtin emër, në muret shkëmbore të së cilës dallohen vizatime e shkrime, ku shprehen falenderime për bujarinë e mikpritjen.
Me këta elementë dhe mjaft të tjerë, gadishulli i Karaburunit përbën një nga zonat më atraktive, në funksion të zhvillimit të turizmit.Në stinën e verës, shoqëri të ndryshme turistike, ofrojnë udhëtime ditore, deri në Kepin e Gjuhëzës, ku është një plazh i virgjër. Pushuesit, kalojnë në rërën e pastër orë mjaft të këndshme.Ka edhe një shërbim detarë për të vizituar Karaburunin.
Mund të nisesh nga qyteti i Vlorës dhe për disa minuta arrin në plazhet më të bukura dhe të qeta të vendit tonë.Karaburuni është një intrigë për të gjithë ata që pëlqejnë detin dhe peshkimin.
Amatorët e peshkimit mund të ushtrojnë sportin e tyre të preferuar në guvat shkëmborë të këtij gadishulli si dhe të notojnë në ujrat e kaltër e të pastër të të kësaj zone.Turistët dhe vizitorët mund të zgjedhin rrugën tokësore apo atë ujore për të arritur në gadishull.Shërbimi taxi nis nga qyteti I Vlorës apo ai i Orikumit
Archives for May 2014
Tre kartëpostale të vitit 1920 nga patrioti i Pavarësisë Spiridon Ilo
Nga Harilla Koçi/.Kjo kartëpostale eshtë botuara në vitin 1920, nga patrioti dhe një nga personazhet më të njohura të Pavarësisë Kombëtare, Spiridon Ilo, një nga 40 firmëtarët e këtij akti madhor në historinë e Shqipërisë.
Këto kartpostale, që i publikova dy vjet më parë për herë të parë përmes ATSH-së, dëshmojnë aktivitetin patriotik të Ilos, i cili ndonëse u largua në emigracion, nuk rreshti përpjekjet për mbajtjen gjallë të patriotizmit dhe të atdhedashurisë tek shqiptarët, kudo që ata ndodheshin.
Arkitekti dhe studiuesi i njohur vlonjat, Pirro Stefa, që e ka siguruar në rrugë private setin e kartëpostaleve, ku përfshihet edhe ajo që paraqet flamurin origjinal që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali, në 28 Nëntor të vitit 1912 dhe që u publikua pak ditë më parë nga ATSH, thotë se, “Spiridon Ilo, lufton si një patriot intelektual e artist për vetëdijen kombëtare të shqiptarëve në Shqipëri, Bukuresht e Boston”. Sipas tij, ky patriot i vijës së parë të momentit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe konsolidimit të shtetit të ri shqiptar, është i ndërgjegjshëm për përpjekjet që duhen bërë në vazhdimësi për të mbajtur të ndezura idealet e 1912-ës.
Aktiviteti i Ilos, qoftë në Shqipëri, qoftë në emigracion, është mjaft intensiv. Kjo reflektohet edhe në botimin e këtij seti kartpostalesh dhe që u botuan në vitin 1920-të. Krahas funksionit të tyre të komunikimit mes njerëzve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ato përcjellin mesazhe të fuqishme të patriotizmit dhe vetëdijes kombëtare. Këtu qëndron në rradhë të parë, sipas Stefës, rëndësia kryesore e këtyre kartëpostaleve, që kanë një përmbajtje domethënse të konkretizuara nëpërmjet grafikave që janë realizuar nga vetë Ilo. Kështu, në aspektin figurativ, kartëpostalet paraqesin respektivisht një shqiptar të veriut, një tjetër të jugut dhe një femër që simbolizon vetë Shqipërinë. Në të tre figurat e realizuara spikasin elementët dhe simbolet kombëtare, të cilat mishërohen në veshjet, në ngjyrat e flamurit dhe në vetë flamurin, që në të tri rastet është ai që është ngritur në Vlorë në 28 Nëntor të vitit 1912. Sipas studiuesit Stefa, duket se ky flamur, që përbën pikën lidhëse të këtij seti kartëpostalesh, shërben edh si simboli bazë për idetë që përcjell botuesi i tyre. Autorësia e Ilos edhe në grafikat e këtyre botimeve, vërtetohet, sipas Stefës, me nënshkrimin e tij, në thellësi të tyre, ku spikasin fare qartë “SP. T. ILO”.
“Ilo, që njihet jo vetëm si edituesi i kartëpostaleve, por edhe i disqeve të para me këngë patriotike e popullore shqiptare, vulave e flamurëve, ishte i ndërgjegjshëm për rolin që kishin ato në forcimin e vetëdijes kombëtare”, shprehet Stefa. Për të, kjo veprimtari shumëdimensionale e Ilos, paraqitet me një rëndësi të madhe edhe në një aspekt tjetër, në atë të kontributit qytetar. Sipas tij, kjo dëshmohet me përmbajtjen e një vule që duket qartë në njerën prej kartëpostaleve ku lexohet “FOR THE BENEFIT OF THE ALBANIAN RED CROSS”, që do të thotë se ai kontribuon me kartëpostalet e botuara me paratë e veta, për të mbledhur ndihma financiare për Kryqin e Kuq Shqiptar. “Në këtë këndvështrim, autori i tyre është i ndërgjegjshëm për problemet që kalonte vendi dhe për kapërcimin e të cilave kërkohej kontributi i të gjithëve”, nënvizon Stefa. Ai shton se, mbrapa kartëpostaleve shkruhet COPYRIGHT( një numër serial ) BY S. T. ILO 1920, gjë që provon që janë botuar nga ILO në vitin 1920 dhe numrat janë 143858, 143860, 143861…Stefa thotë se, për momentin nuk e ka të qartë se sa është numri i këtyre kartëpostaleve, por, për të minimalisht mungon një në këtë set, që vërtetohet edhe nga mungesa e numrit identifikues 143859. Gjithesi, pavarësisht kësaj, publikimi i këtij seti përcjell një aspekt të rëndësishëm të aktivitetit të patriotit Spiridon Ilo, por edhe të përpjekjeve që janë bërë nga elita e kohës për të mbajtur të gjallë frymën dhe vetëdijen kombëtare.
Seti i karteposteleve te edituara nga patrioti i Pavaresise Spiridon T. Ilo ne vitin 1920 Foto Harilla Koçi (2)Spiridon T. Ilo, është një nga 40 firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, si përfaqësues i Korçës. Duke qenë një nga drejtuesit e komunitetit shqiptar në Bukuresht, ai mori pjesë në mbledhjen e zhvilluar në 5 nëntor të vitit 1912 në Hotel “Kontinental” në kryeqytetin rumun, ku Ismail Qemali hodhi për herë të parë idenë e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Më tej, ai shoqëroi Ismail Qemalin gjatë rrugëtimit të tij për në Vlorë. Pas emigrimit të tij në SHBA, Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike “Albanian Phonograph Records” përmes të cilës luajti një rol të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare. Ai realizoi rregjistrimin e parë të himnit kombëtar, i cili u këndua nga vetë Ilo dhe tenori arbëresh Giuseppe Mauro
Bujar Kapexhiu,ekspozite me karakitarura “Drejt Europës”
Në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian në Tiranë, u çel ekspozita e karikaturës politike, e autorit Bujar Kapexhiu, e titulluar “To Europe” (Drejt Europës).
Vjosa Berisha, drejtoresha e kësaj qendre u shpreh se, “kjo ekspozitë hapet në kuadër të aktiviteteve të Javës evropiane 5 – 9 Maj 2014, që organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri në bashkëpunim me Qëndrat e Informimit të BE-së në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër, Ambasadat e vendeve anetarë të BE – së në Tiranë, si dhe një sërë Institcionesh publike e partnerë të ndryshëm vendas”.
Ndërsa zv/ambasadori i BE-së në Tiranë, Clive Rumbold u shpreh se, është nj kënaqësi e veçantë për të çëlur këtë ekspozitë me karikatura që quhet “Drej Europës”
Celet ekspozita me karikatura nga Bujar Kapexhiu Foto Agim DobiSipas zv/ambasadorit Rumbold, “arti ka formësuar diskursin politik. Arti nuk është vetëm një armë më shumë në armaturen gazetareske, por nëpërmjet tij mund të jepen mesazhe të forta në mënyre të këndshme Këto karikatura tregojnë diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Arti jo vëtëm është formë e të shprehurit, por edhe gjuhë universale”.
“Karikaturat e artistit Kapexhiu na japin mesazh për nevojën e një dialogu politik, nevojën për konsensus për reforma të rëndësiahme dhe ndihmën e BE-së për Shqipërinë për të arritur këto reforma”, tha Rumbold.
“Hapja e ksaj ekspozite dhe botimi këtij albumi nuk janë gjë tjetër veçse pasioni i Ambasadorit Sequi për artin e karikaturës dhe vlerësimi profesional e argëtues i këtij zhanri komik, duke e vendosur atë në rreshtin e parë, si zë të fuqishëm e origjinal, të korit mediatik. Psejo, herë pas here edhe si solist”, tha artisti Bujar Kapexhiu, në fjalën e tij Kapexhiu, falenderoi stafin e Mapo-s që u shpreh ai, “më ka dhënë një parcelë ku nxjerr prodhimet e mia BIO, jo OMGJ”.
“Karikaturistët futen në thelb të çështjeve dhe më pas i deformojnë pak çështjet e politikës shqiptare, për t’u dhurar të qeshura edhe poltikanëve vetë”, tha Kaexhiu.
“Mos u mburr së rri serioz, por merakosu se nuk di të qeshësh”, ishte mesazhi i Kapexhiut.
Ndërsa, Drejtori i botimeve MAPO, Artur Zheji, u shpreh në fjalën e tij se “Bujari, si të gjithë artistët e interpreton politikën në mënyrë të përditshme, por dhe e avancon atë. Bujari do që politikanët të qeshin, por me karikatura ata mund t’i vënë edhe gishtin kokës. Me një karikaturë jepet mesazhi që ne gazetarëve mund të na duhen faqe për ta dhënë
400 Vjetori i Tiranës në Ekspozitën e Piktorit lushnjar Ilir Çakalli
TIRANË,6 Maj/Kryebashkiaku i Tiranes, Lulzim Basha ishte i pranishëm sot pasdite në hapjen e ekspozitës së pikturës me tematikën e “400 vjetorit të qytetit të Tiranës” të piktorit Ilir Çakalli.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur punime të ndryshme në pikture, me motive nga peisazhi i Tiranës. Piktori Ilir Çakalli ka sjellë në pikturat e tij pamje nga Pazari i Vjetër e deri në periudhën kur u ndërtua qëndra e re e Tiranës.
Kjo ekspozitë është hapur në kuadër të aktiviteteve që Bashkia e Tiranës organizon së bashku me komunitetin artistik të qytetit te Tiranës, me Shoqatën Tirana, familjet e vjetra të Tiranës, por dhe çdo qytetar tjetër të këtij komuniteti artistik për të përkujtuar 400-vjetorin e qytetit tonë.
“Duan apo nuk duan ata që kanë sindromën e “vitit zero”, tiranasit autoktonë, den baba den apo të ardhur, e dinë që ky qytet ka një histori dhe kjo është një pjesë e përpjekjes për të treguar historinë e qytetit të Tiranës dhe për të vlerësuar kontributet e të gjithë atyre, në radhë të parë të familjeve autoktone, të atyre që në dekada dhe shekuj s’e ndërruan shpirtin tolerant, gjithëpërfshirës, shpirtin e lartë qytetar të Tiranës, që ishte kaq i gjerë dhe kaq i madh, saqë bëri të mundur të shtresëzoheshin në të përfaqësuesit e çdo treve të Shqipërisë, për ta quajtur sot Kryeqytetin e shqiptarëve. Dhe duke përgëzuar organizatorët e kësaj ekspozite, duke falënderuar për bashkëpunimin vetë autorin, Shoqatën Tirana, kryetarin z. Tafaj, komunitetin e artistëve, i ftoj të gjithë artdashësit dhe Tiranë-dashësit ta vizitojnë këtë ekspozitë dhe të bëhen pjesë e kundrimit dhe shijimit të aktiviteteve të shumta kulturore që Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën Tirana dhe komunitetin artistik po organizon me rastin e “400- vjetorit të qytetit të Tiranës” deklaroi kryebashkiaku Basha”.
Ekspozita e hapur në qendrën TEN ofron një shumëllojshmëri punimesh dhe një kombinim mes peisazhit të kodrinave dhe atij historik të Tiranes.
“Në radhë të parë do të falënderoj Bashkinë e Tiranës që më dha këtë mundësi dhe qendrën kulturore TEN, që të ekspozoja këtu një pjesë të veprave të mia kushtuar Tiranës së vjetër, Tiranës së bukur, Tiranës kryeqytetit tonë të dashur që e kemi të gjithë shpirtin dhe mendjen tek ky qytet i madh. Në këtë ekspozitë kam shprehur si të thuash skorce antike dhe skorce të periudhave të ndryshme të Tiranës, duke alternuar me peisazhe të kodrinave me peisazhe historike. Jam munduar që të jap një pikturë me dritë, ekspansive, ekspresioniste dhe njëkohësisht të jetë dhe e pëlqyeshme dhe nga shikuesit dhe artdashësit” theksoi piktori, Ilir Çakalli.(Kortezi: Nga Gjergji Mima)
“GJYNAHQARËT E DYNJASË” SHQIPTARE?
Nga Fadil LUSHI/Disa ditë më parë vizitova pjesën oksidentale të Stambollit për të takuar Motrën e madhe, atë heroinën fatkeqe të gjeneratës së saj. Më rastisi të takoj edhe ca shqiptarë më të moshuar se unë të cilët shumë kohë më parë, ashtu pavullnetshëm, kishin braktisur vatanin për t’u degdisur në një cep të Dardaneleve…, për një jetë, ndoshta, më të mirë. Tek ata vërejta se u mungonte kujtesa pamore; ajo dëgjimore – po, mbase edhe ajo mekanike a logjike, hiq mënjanë atë kujtesën emocionale, prej së cilës nuk kishte mbetur dot gjë. Më gostitën në një ndejë “haramash”. Atë që “para kohe bëhej tapë gjegjësisht atë që çorientohej në kohë dhe hapësirë” si dhe ata që e “fëlliqnin fjalorin” i largonin dhe i dërgonin në shtëpi. Matanë ndejës ku më “sistemuan” përkohësisht kishte një tjetër “mexhlis (veror) besimtarësh” që kishin për “obligim” të bënin duatë për shiun e munguar. Këta të fundit i konceptonin si “gjynahqarë”, sepse kishin shkelur mbi parimet e librit të shenjtë, gjegjësisht mbi disa kapituj të Kuranit famëlartë. Moralin e “mexhliseve” në fjalë e kishin ndërtuar “kryepleqtë” e tyre. Përkundër dyshimit tim, më duhej të vij në një përfundim pragmatik: të dy “mexhliset ishin hileqare dhe mbase gjynahqare” pavarësisht se frekuentuesit e këtij të dytit ishin “namusqarë” dhe besimtarë të devotshëm!
Axha Abdullah (një ish-kundërshtar i papajtueshëm dhe i përbetuar i njëmendjesisë dhe një njeri goxha i moshuar), duke e vërejtur “dalldisjen” time të skajshme, m’u drejtua me dy pyetje. E para: “Ti arnavut, a mos vallë e fillove shkrimin e radhës”!? Po, ia ktheva. Por, ama, do ta përfundoj në Tetovë, respektivisht atje ku asnjëherë nuk përfundojnë thashethemet mes vëllezër shqiptarë. Fatkeqësisht, ca mendime a ca “fiqire” më ikën dhe më “mbetën” në varrezat e Erenkoy (aty ku prehen eshtrat e Shemsettin beut, ideologut kryesor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare) dhe në qytezën e Ibrik Tepes (aty ku lindi Fani, ai eruditi mendjefemër). Pyetja e dytë e tij ishte: “Në çfarë organizimi politik jetojnë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë”!? Përgjigja ime ishte: “në DEMAGOGJI”!? Mendimet që më “mbetën” te lapidari i Samiut dhe te vendlindja e Nolit, por që i duhen këtij shkrimi, do t’i zëvendësoj me një paragraf të huazuar nga shtypi ditor i Tiranës, që llafos një retorikë shumë të rrallë dhe “tejet të çuditshëm dhe mosbesues” të kryeministrit të Shqipërisë në detyrë, ku, përveç të tjerash, thuhet: “Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se pavarësisht konflikteve politike, kur vjen puna për çështjen e Kosovës, shqiptarët janë bashkë. Ai shprehu mirënjohje për ish-kryeministrin Berisha dhe mbështetjen e tij për Kosovën gjatë qeverisjes së të djathtës… Shpreh mirënjohje dhe për Sali Berishën e PD, kur ishte në qeverisje, si pjesë e përbashkët shqiptare për pavarësinë e Kosovës dhe për të arritur në këto ditë. Nëse e kthejmë në çështje politike, ne ngatërrohemi edhe sa është ora, apo është mars a prill, por fatmirësisht nuk ndahemi te çështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës, por sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve”. Se kjo retorikë a kjo e thanë e kryeministrit nga kryeqendra e shqiptarëve u tha me “tamam” a jo, unë nuk e kam “takatin politik ta konfirmoj”, por ama se është demagogji pa dyshim se është e tillë.
Sot ka shumë njerëz që në kohë të gabuara frekuentojnë “ambiente” të gabuara (siç e bëra unë me shumë “qejf” një të tillë). Të thuash se ato hapësira vërtet janë të tilla, nuk mund të thuash, nga fakti se për këtë duhet të parashtrosh fakte a argumente. Këto hapësira a ambiente të gabuara, logjikisht duhet të jenë përjashtuese për njerëzit me mendje të shëndetshme, aty ka vend vetëm për njerëz me moral të dyfishtë respektivisht për ata të cilët përjashtojnë fjalën humane dhe atë emancipuese. Lukman El Hakim (i urti Lukman), i njohur si mbledhës fjalësh nga goja e popullit, në përmbledhjen e tij kishte përfshirë edhe këtë thënie: “Dy gjëra duhet harruar në këtë botë: një të mirë që ia ke bërë dikujt dhe një sharje a fyerje që ta kanë bërë ty”! Thonë se kjo e para disi mund të harrohet, por e dyta, shumë vështirë mund të kapërdihet a të falet, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarë kokëkrisur. Parashtrohet pyetja se cili është morali i këtij proverbi, është vetëm një i tillë a mbase i dyfishtë dhe, a mos vallë kjo sot, është bërë një kryefjalë në komunikimin e bastarduar te shqiptarët, në veçanti tek ata që profesionalisht merren me politikë. Lëre që kjo e para do të përmendet, po aq edhe do të keqpërdoret.
Nëse morali i parë (i këtij proverbi popullor) është racional, atëherë i dyti mbetet të jetë irracional. Kjo e para pak po duket në përditshmërinë tonë. Në këtë të fundit (në atë irracionalen) kanë “hise” njerëzit të cilët mëtojnë të tallen në vazhdimësi me “frikën tënde”, me varfërinë mendore si dhe me atë materiale, të tallen me njerëzit të cilët jetojnë me “shqetësimet e vatanit”, me ato të fëmijëve dhe me ato personalet…, me njerëzit të cilët dikur “shkonin për gjah dhe vetë u bënë për gjah”, me njerëzit që u janë shterur mendja e takati…, t’i ofendojnë me atë thënien ”kështu i do mushka drutë”…, me njerëzit që aq shumë janë frikësuar, saqë “pordha u shkon deri në zemër!” e të tjera. Çfarë ishte dikur kodi moral i organizimit dhe komunikimit politik këtej në Republikën e Maqedonisë?! Thonë se ky kod nuk ishte i ndërtuar sipas vullnetit të shumicës, përkundrazi ai ishte produkt i ideatorëve të saj. Ky moral i sistemit njëpartiak, ndonëse irracional, në vijimësi “mbikëqyrej, kontrollohej dhe, në instancë të fundit, ata që e shtrembëronin edhe ndëshkoheshin”…, ky moral u interesonte vetëm kryeparëve, të tjerëve nuk u hynte në punë për arsye se aty nuk mund të ndryshoin gjë, dhe e kundërta, sot partitë politike kanë kodin moral të tyre, por kjo gjë nuk u intereson lidershipëve të tyre, kjo i përket atij që jep votën, thjesht, me këtë moral nuk merret lidershipi, përkundrazi kjo i takon elektoratit…, i cili “detyrohet” të pajtohet a ta “aminojë” fjalimin retorik të lidershipit, një retorikë që kur nuk “lekturohet dhe nuk redaktohet”, atëherë ajo shndërrohet apo kalon në retorizëm të rëndë dhe fyes…, kalon në retorikë të sajuar, të denigruar, pa parime e standarde dhe madje edhe me mendjelehtësi a mendjeligësi politike.
Nëse nuk më “gënjen mbamendja”, më duket se axhës Abdullah i thash se këtë shkrim do ta përfundoj në Tetovë!? Si duket e gënjeva pa qëllim. Nuk do ta “përfundoj” pasi që ende nuk kanë përfunduar inatet homerike dhe thashethemet ndër vëllezërit shqiptarë. Dikur moti qehallarët, respektivisht kujdestarët e pasurisë së beut, e tridhnin dashin që ruante delet!? Pse e bënin këtë, unë nuk e di.
- « Previous Page
- 1
- …
- 61
- 62
- 63
- 64
- 65
- …
- 73
- Next Page »