• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2014

Varfëria dhe zhvillimi ndër shqiptarë

July 25, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/New York/
Në asnjë libër të profesorëve dhe ekonomistëve më të njohur të planetit nuk kam mundur të gjej përkufizim më të ngjeshur të varfërisë se sa nga një plak nga Malisheva në Republikën e Kosovës dhe nga një grua e ve nga Kruma në Republikën e Shqipërisë. Definicioni i plakut: “Varfërinë e sheh cullak këtu. Shikoje shtëpinë time dhe numëroj vrimat në të. Hajde futu brenda dhe shihi enët e vjetra dhe mobiliet e rrëzbitura. K’ qyri rrobat që i kemi veshë. Shiko përreth dhe shih se, përpos natyrës, këtu gjithçka është e mjerë. Kjo është varfëria!” Definicioni i gruas së ve: “Për të varfrin si unë çdo gjë është e tmerrshme. Njeriu i varfër është ulok. Ne të varfrit frikësohemi nga çdo gjë sepse ne varemi nga mëshira e të tjerëve. Ne si vyejmë askujt. Ne jemi mbeturina të cilat çdokush ka dëshirë t’i humbë diku pa nam e nishan!”
Varfëria nuk është faj apo mëkat, ose, nëse duhet të jetë faj apo mëkat, më shumë është faj dhe mëkat kolektiv se sa individual. Por a është varfëria fatalitet? A ka shpresë që kjo “fatkeqësi” mund të zhduket në trojet tona dhe çdo shqiptar dhe shqiptare mund të jetojë me dinjitet njerëzor?
Shpëtimi nga varfëria do të vije nga zgjidhjet që i ofron disiplina më të bukur e shkencës së ekonomisë e quajtur ekonomia e zhvillimit. Kjo lëmi është fusha më e re dhe më sfiduese e ekonomisë ndonëse ka profesionistë që mund të këmbëngulin se Adam Smith në fakt është ekonomisti i parë zhvillimor me librin e tij “Pasuria e kombeve” (Wealth of Nations) botuar në vitin e largët 1776.
Shkenca e ekonomisë përqendrohet në efikasitetin e akordimit të burimeve produktive si dhe në zgjerimin optimal të këtyre burimeve. Pra ekonomia tradicionale merret me një botë kapitaliste të avancuar me tregje perfekte, konsumatorë sovran dhe çmime që përcaktohen automatikisht nga takimi i kërkesës dhe ofertës. Ekonomia e përgjithshme supozon se sistemi ekonomik është rezultat i një racionalizmi të pastër dhe orientimi të qartë vetjak dhe material të subjekteve ekonomike. Ndërkaq ekonomia politike shkon një hap përtej ekonomisë duke e veneruar aktivitetin ekonomik në kontekst politik ndërsa tenton të shkrijë analizimin ekonomik me politikat praktike.
Megjithatë ekonomia zhvillimore qëndron më lartë se dyja— edhe se ekonomia, edhe se ekonomia politike. Ekonomia e zhvillimit është disiplina e cila studion dhe tregon rrugët se si një ekonomi mund të transformohet prej prapambetjes në rritje dhe prej statusit me të ardhura të vogla në status me të ardhura të mëdha. Kjo disiplinë e re i ndan shtetet e botës në dy grupe: 1) në vende me shumë të zhvilluara (VSHZH) dhe 2) në vende më pak të zhvilluara (VPZH). Shtetet e shqiptarëve bëjnë pjesë në VPZH.

Dallimi mes VSHZH dhe VPZH qëndron në faktin së në VPZH shumica e tregjeve të mallrave dhe burimeve janë jashtëzakonisht imperfekte, konsumatorët dhe prodhuesit kanë informacion të limituar, ndryshime të mëdha strukturale janë në proces e sipër si në shoqëri si në ekonomi dhe në vend të një ekuilibri, zakonisht, ekzistojnë disa ekuilibra, bile disekulibrat janë shpeshherë të pranishëm. Në shumë raste në vendet që janë në grupin VPZH kalkulimet ekonomike dominohen nga prioritetet politike dhe sociale— siç fjala vjen unifikimi i kombit, zëvendësimi i këshilltarëve dhe tutorëve të jashtëm me vendimmarrës vendor dhe ruajtja e substancës kulturore. Në fazën e parë të kalimit të një shteti nga VPZH drejt nivelit VSHZH ndërhyrja e qeverive është më se e nevojshme për shkak të lëvizjeve dhe ndryshimeve të mëdha që kërkojnë shtetin si faktor me fuqi dhe peshë, por më vonë, nëse qeveritë përzihen, ato vetëm sa e pengojnë zhvillimin. Është e rëndësisë së veçantë që ekonomia zhvillimore e një populli duhet ta marrë parasysh sistemin social, strukturën organizative të shoqërisë, përfshirë vlerat, kodet, strukturën hierarkike dhe traditat e saj, përndryshe modelet e eksportuara apo të papajtueshme me kulturën dhe traditën mund të sjellin rritje negative dhe regres.
Zhvillim nuk do të thotë domosdo rritje e të ardhurave për krye banori ose PPB-së, mirëpo sa janë realizuar tri objektivat themelore të zhvillimit, e të cilat janë: 1) aftësia për të mbajtur vetveten, që përfshinë mallrat dhe shërbimet bazike si ushqimi, veshmbathja dhe kulmi mbi krye— të nevojshme për mbijetesë; 2) vetërespekti, që reflekton ndjenjat e vlefshmërisë që pjesëtarët e një populli i ndiejnë përkundrejt dhe për sistemin social, politik dhe ekonomik që kanë krijuar; dhe 3) liria— situata në të cilën njerëzit kanë në dispozicion alternativa të ndryshme me të cilat mund t’i plotësojnë dëshirat individuale dhe kolektive duke pasur mundësinë të zgjedhin sipas vullnetit dhe preferencave të tyre.
Në shtator të vitit 2000, 189 anëtarë të OKB-së u morën vesh për arritjen e tetë Qëllimeve Zhvillimore të Mileniumit (Milleneum Development Goals) duke u betuar që do të bëjnë përparim substancial për zhdukjen e varfërisë ekstreme dhe urisë, mundësim të shkollimit primar në tërë botën, eliminim të pabarazisë gjinore, ulje të mortalitetit të fëmijëve, përmirësim të shëndetit të nënave, luftim të virusit HIV dhe sëmundjeve si SIDA, malaria dhe sëmundje tjera me rrezikshmëri epidemike, ruajtje të ambientit dhe krijim të një partneriteti global për zhvillim.
Republika e Shqipërisë si anëtare e OKB-së është bashkëzotuese për këto qëllime fisnike dhe Republika e Kosovës si shtet që mëton anëtarësimin në OKB duhet të përqafojë dhe përmbushë të tetë qëllimet. E ardhmja e varfërisë dhe zhvillimit tashmë janë të kodifikuara në nivel global dhe qeveritë që nuk punojnë t’i jetësojnë synimet mileniumale të OKB-së dhe që nuk përfshihen në aplikimin e zgjedhjeve që propozon ekonomia zhvillimore janë të destinuara të përmbysen. Madje mund të thuhet që rreziku më i madh ekonomik— e në esencë— ekzistencial i kombit shqiptar është dhe do të jetë varfëria. Si çdo kund në botë, ashtu edhe ndër shqiptarë, nuk mund të ketë dy të ardhme: një për një pakicë të pasurish dhe një për një shumicë të madhe të të varfërve. Në fjalët e një poeti— ose do të ketë një të ardhme për të gjithë, ose për askënd!

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe zhvillimi ndër shqiptarë, Uk Lushi, Varfëria

Çfarë po ndodh në Maqedoni?

July 25, 2014 by dgreca

Joe dhe Shirli DioGuardi Informuan kongresisten, aktualisht Kryetare Emeritus i Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie me Jashtë Ileana Ros-Lehtinen, mbi atë çfarë po ndodh në Maqedoni
Nga Beqir SINA/
WESTCHESTER – NY: Dy udhëheqësit e lartë të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane – u takuan të dielën në mbrëmje, me Ileana Ros-Lehtinen, kongresisten republikane – Distrikti 27-të, në Florida, gjatë një takimi në kuadrin e takimeve të saj me komunitetin hebraik në Westchester – New York.
“Mikja jonë e mirë Ileana Ros-Lehtinen, aktualisht Kryetare Emeritus i Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie me Jashtë erdhi në Westchester County, New York, të dielën për të u takuar me disa lider hebrenjë të cilët janë njehereshit dhe miqtë hebrenj të tanë (çifiti DioGuardi)” thuhet në një postim në rrjetin social facebook të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane.
Në takim kan qenë Ron dhe Karen Rettner, dhe aktivistë hebrenjë-amerikan të cilët punojnë së bashku si pjesë e Rrjetiti Politikë Hebraike të kantonit Westchester .
Shirley dhe unë, shkruan DioGuardi, në postimin e tij së bashku me një fotografi me miken e tyre Ileana Ros-Lehtinen, u ftuam si mysafirë të posaçëm për të marrë pjesë në tubimin i cili ishte kryesisht i i fokusuar në shqetësimin e tyre për krizën në Izrael pas ngjarjeve në Gaza.
DioGuardi thotë se :” Në fund të takimit, unë dhe Shirli u takuam me Ileana privatisht për të dhënë një informacion asaj mbi atë çfarë po ndodh në Maqedoni me margjinalizimin e vazhdueshme të popullit shqiptar atje.”
Ish kongresmeni republikan i Nju Jorkut, Joe DioGuardi Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane Shirley, shkruan se Këshilltaria e Çeshtjeve Ballkanike Shirli Cloyes – DioGuardi i dorzoi kongresistes republikane nga Florida – Ileana Ros-Lehtinen, një raport me shkrim për krizën që ajo të marrë për ta parë me stafin e saj në Uashington.
Ish kogresmeni DioGuardi, tha se e falenderoi kogresisten Ileana Ros-Lehtinen duke e velrësuar atë si një zë i fuqishëm në Kongresin Amerikan, krahas miqëve të tjerë, në Capitol Hill në përkrahjen dhe mbështetjen që i dhanë Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarve në Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Bujanovc, Medevegje dhe Çamëri.
Ai tha se shqiptarët, kudo i janë mirënjohes dhe faleminderojnë të gjithëve ata, politikanë, kongresistë dhe senatorë të cilët, shqiptarët i konsiderojnë miqtë e tyre, në Washington.
Kongresistja Ileana Ros-Lehtinen, është fëmija e një familje emigrante Kubaneze. Familja e saj anti-komuniste kubaneze, pati fatin e mijërave familjeve shqiptare nën rregjim komunist të diktatorit Enver Hoxha, kur ajo me prindërit e saj, u arratisën dhe për dekada jetuan në si emigrantë në Florida.
Në kujtimet e saj ajo shkruan se “Isha 8 vjeçe, kur lamë Kubën, për të mos e parë më kurrë. Ajo u rrite dhe u edukua në SHBA-e, duke i ngjitur shkallët e suksesit deri në majat më të larta. Mbasi ka punuar disa vite në komitetet të ndryshëm të kongresit, senatit dhe administrates amerikane, më vitin 1989 , ajo është e para femër amerikano – kubaneze, e cila zgjidhet kongresiste. Ka fituar 11 – ligjistatura dhe është ri kandidate e fuqishme për mandatin 12-te.

Filed Under: Rajon Tagged With: Çfarë po ndodh në Maqedoni?, Ileana Ros-Lehtinen, Joe, Sirli DioGuardi

MAZHORANCA DHE OPOZITA NË UNISON

July 25, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Mazhoranca dhe opozita janë në unison. Sado absurd që të duket ky fakt, kur ke para sysh se si bëhen mish për qofte në Kuvendin e Shqipërisë, se si e poshtrojnë pala palën, me fjalët më të pështira, më të ndyra që i kanë zili horrat e horrave me gjithë zhargonin e tyre të rrugëve.
Mazhoranca dhe Opozita janë në unison. Sepse e bojkotuan të dyja palët ligjin e ri për KLD – që kërkonte një votim me të paktën 84 vota.
E keni dëgjuar ju premierin e Shqipërisë si krenohet me 1 milionë votuesit e 23 qershorit. Ku i kishte dje?
Ku i kishte kryeministri i Shqipërisë deputetët kur dje dështoi votimi i ligjit për reformën në drejtësi? Ku ishte Tom Doshi, Armando Prenga, Pjerin Ndreu, Parid Cara dhe Mark Frroku? Në ditëlindjen e Mark Frrokut? Si ndihet premieri i Shqipërisë kur deputetët e PS tallen me të kësisoj?!
Sepse Tom Doshi vetë i pestë a nuk e diskreditoi dje Edi Ramën?
Ndihet sot mirë premieri i Shqipërisë pas sfidës të djeshme, kur Tom Doshi ia hodhi dorashkën turinjve? Do ta kalojë si pa u vënë re këtë skandal të deputetëve të tij Edi Rama?
Cila është përgjigjia që kryeministri i Shqipërisë i jep popullit shqiptar, kur deputetët e mazhorancës, që e kanë votuar atë në postin e kryeqeveritarit, e nëpërkëmbin, e poshtrojnë dhe nuk përmbushin një detyrim as si shumicë dhe as si deputetë të PS? Kur nga të gjitha anët bien kambanat e alarmit.
Apo kjo është lojë dhe inskenim i Edi Ramës?! Të gjithë kemi të drejtë ta çojmë në mendje, sepse ne e dimë se Edi Rama është autoritarist në parti, ashtu si edhe Berisha dhe nuk lejon asnjë mizë të fluturojë pa lejen e tij?
Por, ndërkohë, anën e Tom Doshit, Armando Prengës, Pjerin Ndreut, Parid Carës dhe Mark Frrokut kishte marrë edhe opozita, për një kinse arsye tjetër, se gjoja i paska mbetur hatri nga regjimi i urryer i Edi Ramës që ka eleminuar demokracinë në Parlamentin e Shqipërisë, ku kryeparlamentar është Ilir Meta, një aleat i vjetër i PD, me të cilin opozita në një simbiozë perfekte drejtoi vendin për katër vite?!
Po kujt ia hidhni këto. Popullit shqiptar? Po a e kanë matur Koeficientin e Inteligjencies deputetët e Kuvendit të Shqipërisë? Se sa lë për të dëshiruar?
Prandaj them se shumica dhe pakica janë në unison, ashtu si kanë qenë gjithnjë bashkë në të gjitha të ligat që i kanë ndodhur Shqipërisë, vetëm për faj të tyre.
Dhe nëse Shqipëria vazhdon të hiqet zvarrë me një sistem totalisht të dështuar, kjo i dedikohet unisonit PD-PS.
Ligji për KLD do të rivotohet javën që vjen. Ilir Meta ka lajmëruar se PD ka nisur parakohe pushimet verore, ndërsa Ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu është takuar me disa deputetë të PD-së, të cilëve u ka nënvizuar faktin e njohur se reforma në Gjyqësor është imperative dhe për realizimin e saj duhet gjithpërfshirje. “Ne ramë dakord që reforma është një nevojë urgjente për vendin,” u shpreh Arvizu pas takimit.
Të njëjtën gjë e pohojnë si PD edhe PS sa për demagogji, por kur vjen puna për reforma bojkotojnë. Dhe bojkotojnë në unison. Në mënyrën më perfide të mundëshme. Bojkotojnë pesë deputetë të PS dhe gjithë opozita.
Dhe kështu ka 23 vjet që nuk ndal kjo lojë me duar të pista, duke e lenë vendin të mbetet peng i oligarkëve të politikës dhe mafies.
Unë do të doja të ndihesha e sfiduar e javën që vjen ky ligj të votohet prej shumicës.
Por nëse Edi Rama nuk do të jetë në gjendje që të ketë ndikim tek deputetët e tij, ai duhet të mendojë ta çojë vendin në zgjedhje të reja, ku si kusht i nevojshëm dhe domosdoshëm duhet të vihet integriteti i deputetëve, të cilët duhet të votohen me një sistem që i krijon mundësi të plotë konkurencës së lirë dhe i heq kreut të partisë të drejtën uzurpuese që të vendosë ai se cilët do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, MAZHORANCA DHE OPOZITA, NË UNISON

Toponimia e Darsisë

July 25, 2014 by dgreca

Nga Muarrem Sharka/
Për etimologjinë e toponimit Darsi-a
Të shprehesh për etimologjinë e emrit të një krahine pa vërejtur më pare se ç’toponime të tjera mbulohen në atë terren, puna bëhet më e vështirë. E shohim me vend dhe dobiprurëse, që zgjerimi i fushës së kërkimit,duke u mbështetur në dritën e mikrotoponimeve, hidronomisë,emrat e rrugëve, të vendbanimeve, arave,kodrave etj. na ndihmon më shumë për të dhënë një mendim të drejtë në etimologjinë e toponimeve.
Në lidhje me toponimet E. Çabej sqaron se: Ka dhe emra, sidomos toponime, me kuptim të paditur,si Lura, Dajti, Erzeni, Darsia ,Vjosa ,Labëria, Çamëria e plot të tjera. Në vijë të përgjithshme mund të thuhet se emrat sa më të reja të jenë ,aq më të qarta paraqiten për nga ana e domethënies dhe e burimit të tyre;sa më të moçme të jenë,aq më të paqarta e më të errëta janë.
Duke i pare të veçuar, këto toponime që numëron Çabej ,natyrshëm që paraqesin vështirësi në qartësimin e origjinës së tyre. Mendoj se do ishte me vend që të bëjmë një ndarje, konkretisht kur përmendim Erzeni apo Vjosa, zgjidhja është e kufizuar vetëm rreth një toponimi, ndërsa në rastin e Lurës ,Darsisë,Labërisë, Çamërisë etj që janë emra krahinash,problemi duhet pare ndryshe.
Të kihet parasysh se toponimet në përgjithësi, janë parë të veçuar, duke i krahasuar me fjalë të gjuhëve të tjera, janë pare në lidhje me ndryshime të karakterit fonetik e gramatikor, duke lënë mënjanë një vështrim të tyre në bashkësi, e në marrëdhënie midis tyre.
Konkretisht ,rrugën e hapur nga gjuhëtari ynë i shquar E. Çabej, në lidhje me etimologjinë e emrit Darsi , mund ta mbështesim më tej, nëse e shohim atë bashkë me toponime të tjera.
Sipas Çabejit: Një nga parimet që duhet të ketë parasysh etimologu,dhe që për gjuhën shqipe e ka theksuar dhe sqaruar Norbert Jokli në disa raste është ky,që në shpjegimin historik të një fjale, para se ta krahasojmë atë me fjalë të gjuhëve të tjera,të vështrojmë njëherë se mos lidhet përbrenda gjuhës me ndonjë fjalë a me fjalë të tjera… Atëherë dhe interpretimi etimologjik i saj s’ka se si të mos jetë më i mire, duke qenë më real dhe i mbështetur mbi një bazë të shëndosh.
Po për të pare një toponim në një marrëdhënie më të gjerë, nevojitet lënda. Këtu qëndron dhe problemi, se për një mendim të drejtë dhe një qasje bindëse, në rastin tone,toponimit Darsi , nevojitet vargu i gjatë i toponimeve të gjithë zonës .
Etimologjia nga Çabej se Dars, nga një Dardhës,Dardhs me zhdukje të spirantit në një grup tri konsonatesh. E më tej: Aty pas gjase ,si një zgjerim kolektiv më –i ,emri i krahinës Darsi-a në Shqipëri të Mesme, në qoftë se ka dale nga një Dardhsi; për kuptimin kolektiv të sufiksit –I Xhuvani-Çabej 47.
Megjithatë toponimia e një krahine jo domosdoshmërish lidhet ne mënyre te drejtpërdrejtë me emrin e saj. Hulumtimi i toponimeve ne një territori me te gjere mund te japë një pamje me te plotë. Mund të shohim konfiguracionin e toponimeve dhe brenda një njësie,pra brenda territorit të një krahine,megjithëse kjo rruge jo gjithmonë është gjithpërfshirëse dhe ndriçon si duhet dritëhije në çështje që janë unike ne rastin e tyre,pra që nuk mund të përgjithësohen.
Në mbështetje të variantit të dhënë nga Prof.E.Cabej mbi etimologjinë e toponimit Darsia ,mund të themi që kjo fjale përveçse jeton dhe si mikrotoponim, ka në dukje dhe një tendence drejt dendronomisë (emërtime nga drurët),e cila shfaqet në të gjithë zonën, në emra vendbanimesh,lagjesh,malesh(në fakt kodrash),grykash etj.
Është e udhës të përmendim këtu emra fshatrash si Dushk,Shegas, Mollas,Murriz,ndoshta dhe Xibrrake,Manasufaj e Gramsh;emra lagjesh si Dardhas (Gjyshaj),”lagja e poshme”e “lagja e cipme”qe thirren ndryshe dhe Dardha e Kuqe”e”Dardha e Zeze”,(Matjan),”Lagja e Qarrit”(Karbunarë e Vogël);emra malesh e kodrash si “Mali i Dardhas”(Gjyshaj),”Kodra e ferrës”(Matjan),”Sopi i Qarrit”(Çelhakaj),”Sopi i Drizës”(Karbunarë e Vogël); një varg i gjate toponimesh e mikrotoponimesh si “Gryka e Blinave”,”Fusha e Frashnit”,”Gryka e Fikut”(Gramsh),”Gryka e Hisllit”,”Ullijtë e Gjatës”,”Ullijt e Shumtë”,”Shkoza e Zeze”,”Thonat e shpeshta” (Çelhakaj), “Mollas”, ”Gryka e larushkut” “Shkoza e matjanëve”, “Shkoza e gështenjës”, “Shpati i dardhës zezë”, “Gryka e blinit”, “Shpati i lithatës”(Matjan), “Linorja”, “Fiku i Paleut”, “Bathorja”, “Baça e Çaponëve”, (Vashaj), “Qarri veç”, “Meli i Sinapit”(Shegas), “Dardha e zezë”, “Gryka e dërdhockës”, “Shpati i mollës” “Blinishta”,”Shkoza”, (Garunjas), “Dardha lbores”, “Qafa e lbores”, “shkëmbi i lbores” (lbore, emër dardhe, ndoshta dardhë elbore,që piqet në një kohë me elbin), (Hajdaraj), “Shkoza e Gjinalit” (por dhe gjinarit), “Shkoza e Sharkës”, “Frashnët”, “Tranafilas”, “Dardha e Bardhë”, “Qarrishta”, “Vau i Vidhit”, “Gorica vgjethit”, “Dardha e mokut”, (shqiptohet edhe dardamoku),”Dardha shytë”, (Ballagat); e kështu me radhë një varg i gjatë toponimesh të kësaj natyre, të cilat nuk po i rendisim të gjitha këtu. Prania e një konfiguracioni të tillë toponimesh dhe mikrotoponimesh, mbështetur në emra bimësh e drurësh, nuk është se justifikon plotësisht mundësinë e emërtimit të zonës Darsi-a, nga “Dardhë”, “Vend dardhash”, por duke parë logjikën fonetike të ndjekur nga prof E. Çabej, si dhe shfaqjen në masë të toponimeve dhe të mikrotoponimeve, aq sa mund ta quajmë një fenomen, mendoj se kjo etimologji duhet pranuar si e tillë.
Mund të sjellim raste të ngjashme,ku emri i një bime shërben për të emërtuar një vend,pra ka kaluar në funksionin e një mikrotoponimi:dardhas,mollas,përcëllimas(nga një lloj bime e quajtur përce),tranafilas,lqinjas,shegas,shpardhas(lloj bime e quajtur shpardhë);dhe më tej fjalë që lidhen me karakteristikat e terrenit apo veçori të tjera si:rremas,shalcas guras,burgjas,vështallas,shemas,kuqas,fushas,toshas etj.
Në planin tjetër,për ta parë më gjerë këtë ecuri fonetike,duke e krahasuar me fjalë të tjera që ligjërojnë këtë dukuri,na duhet të shohim raste të ngjashme. Problemi që e kufizon këtë etimologji,është se forma të tilla të ngjashme,të një shumësi në –i (thanas,thanas-i;dushk,dushkës-i etj.)mungojnë ose janë shumë të rralla. Një rast që mund ta marrim si të tillë(gjithmonë nëse kjo etimologji qëndron) lidhet me toponimin “Gryka e Verrisë”,”Verria”,ku verr ,lloj plepi i bardhë,në shumës verr-i~verri~verria. Këtë fjalë e shqyrton Çabej në librin “Në botën e arbëreshëve të Italisë”,verr,verrë,verri,(lloj plepi,plep i bardhë).
Jo për të anashkaluar çështjen e mësipërme,por është e njohur ndër gjuhëtarë marrëdhënia mes teorive dhe fakteve gjuhësore,dhe shihet më e suksesshme rruga nga faktet gjuhësore,nga studimi i tyre në tërësi e në mënyrë shteruese,dhe duke kaluar nga përshkrimi filologjik në interpretimin historik të tyre,arrihet në përgjithësime teorike më të shëndosha sesa kur rrihet udha e përkundërt,kur zbritet nga disa teori në faktet gjuhësore.
Për më tej duhet shtuar që përveç toponimit të zonës,Darsia,kjo fjalë na del dhe si mikrotoponim në formën Darsias,ke Darsias,Arat e Darsias (në fshatin Gjuzaj).Prania e një mikrotoponimi me përbërje fonetike të njëjtë,brenda territorit të zonës,na shtyn të mendojmë që edhe nëse nuk është ky mikrotoponim burimi i emrit të kësaj krahine,duket i pamohueshëm fakti që funksioni emërtuesi tij lidhet me një tendencë a veçori që vepron në të gjithë zonën në fjalë.
Në funksionin e toponimit, kjo fjalë shfaqet dhe në vise të tjera. Të tilla kemi: Dardha, fshat në rrethin e Korçës,në anën jugore të malit të Moravës;Dardha,fshat në rrethin e Librazhdit,që përmendet në regjistrat osmanë të vitit 1467 me emrin “Dardan”;po ashtu Dardha, fshat në rrethin e Pukës ,në rrëzë të malit të Korabit,i përmendur si vendbanim që në shekullin e XV;Darsi, fhat në rrethin e Matit, përmendet që në shekullin e XV në trajtën Dardas dhe në pjesën perëndimore në kufi me Xibrin, ndodhet kalaja ilire e shek. të IV p.e.r; Darzeza, fshat në rrethin e Gramshit ,në bregun e majtë të Devollit,njihet me këtë emër që në fund të shekullit të XVII,më parë quhej Dardhë e zezë;njëkohësisht Darsia, zonë kodrinore midis fushës së Myzeqesë në perëndim e në jug, dhe pllajën e Dumresë në lindje.
Duke rimarrë dhe njëherë atë që thamë më lartë,tendencën e toponimeve të zonës drejt një fenomeni që mund ta quajmë dendronomi, pra emërtimi i vendeve nisur nga emrat e bimëve; praninë e një mikrotoponimi darsias,që shkon në të njëjtën rrugë me emrin e zonës,toponimin verri-a,parë në këndvështrimin tonë si një shumës i verr(plep i bardhë):verri; toponimi Darsi, Darsia, me një shpërngulje të theksit(aksentit)inicial,në theksin parafundor, mendoj se i jep një mbështetje etimologjisë së gjuhëtarit tonë të madh E. Çabej ,dhe pse jo, pa “në qoftë se”.
Duke e parë këtë problem më gjerë, pra dhe në rastin e krahinave të tjera të përmendura më lartë ose jo,besoj se një fakt është i qartë ,që studimi sistematik i toponimeve në Shqipëri do të sillte dritë dhe fakte të reja,në ndihmë të një gjykimi objektiv mbi origjinën e toponimeve në trojet shqiptare. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu gjuhëtarin tonë të madh E.Çabej, i cili duke shqyrtuar qëndrimet e studiuesve të huaj,del në përfundimin se shumë deduksione të tyre,e në veçanti argumenti i G.Vajgandit për mbizotërimin e toponimeve sllave në trojet shqiptare, do të jetë e nevojshme të rishikohen, po të kemi përpara një listë të toponimeve e mikrotoponimeve nga gjithë territori ku jetojnë shqiptarët. Duke shmangur metodat selektive në mbështetje të qëndrimeve të ndërtuara mbi baza teorike,dhe gjykimeve nisur nga harta, mund të jemi më të plotë e të drejtë,kur nisemi nga mozaiku i plotë i vend emërtimeve, pa shmangur asnjë prej tyre.Nëse ne nuk do të kemi një studim tërësor të lëndës toponimike, kuptohet natyrshëm që debatet në këtë lëmë do të jenë të pambështetura dhe në kufijtë subjektivitetit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Muharrem Sharka, Toponimia e Darsisë

INDIVIDI KY ‘’KURBAN” I TOTALITARIZMIT

July 24, 2014 by dgreca

nga Marjana Zeneli BULKU/
Nëpër rrugëtimin e gjatë në kohë dhe hapësirë, individit si pjesëz shoqërore i është dashur të përjetojë ;sisteme,konflikte,situata me armiq imagjinarë dhe reale. Dhe si në cdo terren ku kaosi apsurd prodhon ‘’botën pa jetë’’,dikush arrin në fund të rrugës, dikush e humb atë, dikë tjetër e hedhin tej ,dikush kërkon,humbet një tjetër,vdes nga uria, thërret si ai fëmija e vogel që ‘’prindi i papergjegjshem’’- shtet e la vetëm pa ia mësuar mirë ‘’hapat’’ e domosdoshëm. Ky është individi dhe fati i tij përherë i brishtë,gjithmonë ‘’ i vogël’’duke tentuar cdo cast ‘’të rritet’’ në ‘’botën e pa jetë’’ ku ligjet e shkruara mbeten jo pak herë nëpër letra, ndërsa ato të pashkruara bëjnë ligjin. Për ta sjelle në jete ,nga ‘’asfiksia’’e gjatë këtë lloj bote ku sistemet thuren dhe shthuren nga roli i Njëshit( theksoj roli,jo nga njëshi personalisht, pasi jemi vete ne ato që amplifikojmë atë) nuk mjafton vetëm liria,por edhe rregullat, nuk mjafton vetëm dis/informacioni,por edhe sistemimi dhe edukimi me të,nuk mjafton vetëm ajri,por edhe cilësia e tij. Mjaftueshmëria dhe pamjaftueshmëria shfaqen në një përballje të vazhdueshme; Kemi mjaftueshem parti,por pak liri (duke nënkuptuar edhe rregullin këtu), Mjaft premtime,por pak realizime,ka mjaft pushtetare,por sa pak eficence,mjaft slogane gjithpërfshirese,por sa pak shtrëngime të sinqerta duarsh me mikun,kolegun,kundërshtarin. Dicka tepër e rëndësishme ka humbur nëpër këtë rrugëtim edhe pse ndryshoi modelin , asnjëhere thelbin e vet.Eshtë fjala për një lloj tjetërsimi që ndodh në kushtet e dhunimit të karakterit nga poseiduesit e fuqisë që ndodhi gjate…aq gjate sa nuk po di ta fiksoj kalendarisht,as te parashikoj fundin për fat të keq. Di vetëm se ky lloj individi urren dhunën që e ka tjetërsuar dhe rebelohet në forma të tërthorta ndaj saj dhe asnjëherë nuk shpërthen ndaj dhunuesit të vet ,duke viktimizuar të tjerët ndërkaq.Mungesa e durimit dhe tolerances, mungesa e dialogut dhe komunikimit dhe prirja për revansh jane FYTYRA e vërtetë e metamorfozës së shpirtit të individit që totalitarizmi e përcudnoi. E nëse plaget mjekohen,injektohen,mbyllen, shpirtrat e plagosur i gërryen dhembja… KUJDES me ta! Fenomeni i tjetërsimit të individit në kushtet e dhunimit të karakterit nuk e prodhon vetëm sistemi politik,por edhe ai kulturor,ekonomik dhe shoqëror.Ky tjetërsim shfaqet si : -mbijetesë dhe si-interes në t% dyja rastet me pasoja negative pasi të privon nga bota e gjallë e vetvetes. ‘’Loja’’ me individin i ngjan asaj me maska ku rolet nuk jane pjesë e karakterit (ai është nën trysni të vazhdueshme) .I brishti,tolerant ,rebeli,agresivi, ,,nën fytyra maskash dhe kur kjo bie ,ai i brendëshmi karakter shpërthen. Nuk jetoi vërtetesisht,i privuar nga vetvetja dhe të tjerët në një realitet ku vetëm shpresa se rregulli është mbi cdo lloj lirie është garanci. Dhe ndoshta akoma shpreson apo pret që E DREJTA të orientoje tregun e gjerë të padrejtësive.E ndërsa individi përfshihet në luftën mes këtyre të dyjave mos vallë është detyruar të tjetërsohet për të ‘’përfituar’’ një të drejtë më shumë në botën që mund të bëhet gjithnjë e më e padrejtë nëse nuk funksionojnë disa rregulla?! Të drejtat e minoriteteve, të drejtat e homo…,etj,etj,etj….Po për të DREJTAT e të DREJTEVE a do kujtohet kush ne botën që vrapon?! Mos ndoshta duhet të tjetersohen edhe këto në të padrejte e të hyjnë në rreshtin e gjatë të përfituesve?! Vështirë të ketë shoqëri perfekte,kjo tashmë dihet por mbikqyrje kujdesi ndaj saj duhet të ketë në mënyrë të vazhdueshme,madje në cdo qelize(familje,institución). Rreshtojmë mënyrën e tyre të të votuarit,por kurrë problematikat që gjeneron një shoqëri e për më tepër e dhunuar e që cdo ditë imiton atë. 1.Mbikqyrja ekonomike dhe 2. Mbikqyrja sociologjike janë dy nga sfidat e rëndësishme për të strukturuar atë që shpesh herë duket e pamundur ;INDIVIDIN. Personalisht këmbengul që përmes procesit te EDUKIMIT pse jo edhe atij fetar mund te iket nga tjetërsimi .Vetëm përmes edukimit mund të iket nga kompleksiteti provincial,nga frika se e panjohura është errësire e pakapercyeshme,iket nga TOTALITARIZMI. Dua të sjell në vëmendje Frojdin (ashtu sic bej zakonisht) dhe kompleksin e tij të Edipit ikja prej të cilit bëhet përmes edukimit nënë-bir/bije.Apo Ikja nga kompleksi i Rozafes që sipas Fugës, bëhet po nëpërmjet EDUKIMIT pasi themelet e forta nuk kanë nevojë për kurbane jete ,por për cilësi dhe perfeksion,planimetri dhe parametra bashkëkohor. Ikje nga tjetërsimi i individit nëpërmjet CLIRIMIT të tij! (Botuar te gazeta REPUBLIKA 24 tetor 2012)

Filed Under: ESSE Tagged With: I TOTALITARIZMIT, INDIVIDI KY ‘’KURBAN”, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT