Nga Fahri Xharra/
“Sipas tij, aksioni ishte njëjtë i ekzagjeruar ashtu qysh kishte ndodhur në Shqipëri kohë më parë.“Më ngjason me një version të ekzagjeruar të atij që u krye në Shqipëri para disa kohësh ku akuza ndaj të arrestuarve pak a shumë ishte për rekrutim njerëzish për të shkuar në Irak. Mirëpo nuk di se sa mund të jetë përgjegjës ligjërisht dikush për atë se i mbush mendjen një të rrituri që të shkojë në Siri të luftojë kundër Asadit. Mua kjo më kujton nenin e Agjitacionit dhe Propagandës në kohën e regjimit diktatorial”, thotë ai. Sipas tij, arrestimet mbajnë erë “luftë parandaluese” dhe lehtë mund të konsiderohet se Shteti i Kosovës po ushtron terror ndaj komunitetit mysliman në interes të amerikanëve” ( pjesë nga intervista me F. Lubonjën)
Mos he burrë! Mos he burr` i dheut , mos ndjell antiamrikanizëm , se boll po mbjellin fqinjët tanë . Ki mendjen , ne kemi për çka të shkruajmë, të analizojmë apo të kritikojmë !
“Edhe kjo ndikon që unë ta kem të vështirë të kuptoj se çfarë quani ju “ekstremizëm islamik” në Kosovë për të mundur të ndaj pastaj atë që mund të quhet rritje e fundamentalizmit islamik në Kosovë nga një vepër penale siç është krimi terrorit. Sepse sapo jam kthyer nga një udhëtim pesë ditor në një pjesë të Kosovës dhe nuk mu duk se ndjeva aty ndonjë fundamentalizëm apo ekstremizëm islamik në veprim.” po thua ti .Pse ore nuk e thua të vërtetën ?
Eh mjerë ne që mbesim , të na analizoj një kritik dhe shkatërrues i ndjenjës kombëtare.
Të njofim më herët me qendrimet tua , antiNëna Terezë, antiSkënderbe, anti Kadare dhe anti , e anti,gjithmonë antishqiptare .
“Ç’besë munt të ketë Shqipëria prej atdhetarësh nga interesi, atdhetarë sot, armiq e tradhëtorë e gjakspirës nesër? Ç’fitim do të ketë Kombi prej njerëzsh të blerë, e gati kurdoherë të shiten te kush do japë më tepër? “F.K. – “Albania”, dhjetor 1902. “ e thoshte Faik Konica dikur , që moti dikur . Po ,pse sot na e thot përseri ai nga bota e amshuar ?
Çele gojën aty ku i bën nderë kombit , dhe jo kur ti do !
E ke lexuar këtë: “Ramiz LUSHAJ – Doli i Gucisë i çon një Kartolinë lutje Papa Franceskut para vizitës në Shqipëri
Doli është një fshat i vogël shqiptar tokëngjit qytetit të Gucisë, i shtrirë në fushë, i kapet edhe malit. Një pozicion gjeo-strategjik i lakmueshëm. Vendi i bollekut për tokë buke e mbajtje të blegtorisë. Në rregjistrimin shtetëror malazez të vitit 2011 i figurojnë 102 banesa. Popullsia e tij është ma e madhe në emigracion se sa në trojet e veta etnike. Një rast i ngjashëm, dukuri gangrenë e përgjithshme, për krejt krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë, e cila ka rreth 3.000 banorë në dykomunshin, e po të kthehet tanësisht mërgata shqiptare bahen 13.000 banorë shqiptarë, sa ç’asht krejt popullsia e sotme e saj me shqiptarë, boshnjakë, malazezë, serbë, etj.
Doli ka mbet i vetmi fshat me popullsi katolike në krejt krahinën e madhe etno-historike të Plavë-Gucisë. E ka edhe kishën e vet. Prej hejcekurit thirret “Kisha katolike e Dolit”. Këta qëndrestarë të rrallë të mos asimilimit etnik e fetar përngjajnë si një “oaz”, pasi ortodoksit malazezë e serbë dhe muslimanët boshnjakë iu thonë: “shqiptarët katolikë të Dolit”. Gjithmonë dyert e Dolit kanë nxjerrë burra të mirë, të meçëm, luftëtarë, dijetar, të cilët ia kanë mbajt lart emrin e veprat visit të vet etnik shqiptar…..
Dolit të vogël, sivjet, në kit’ gusht 2014, i ka ra një hall i madh, për të cilin po ia çon një kartolinë publike Shkelqësisë së Tij, Papa Franceskut, para vizitës në Shqipëri, tue iu lut për ndihmë direkte, për ndërhyrje të shpejtë, pasi shteti i Malit të Zi të Gjukanoviçit po ua grabit tokat e të parëve të vet, po ua shtetëzon me të padrejtë ato, po kryhet një akt i ri neokolonial, po synohet asimilimi fetar e etnik i popullsisë e tokës së tyre etnike…. “
Pse nuk flet për këtë rast ? E ke zërin dhe namin e madh . Çele gojën për shumë e shumë raste të ngjajshme !
Me shkas : “Priftë ortotodoks serbë me forca të shumta policore malazeze kanë vërshuar në fshatin të banuar kryesisht me shqiptarë, Martinaj të Gucisë duke tentuar që mbi themelet e Kishës së vjetër katolike të ndërtojnë një kishë ortodokse. “ E ke ndëgjuar këtë lajm.? Ju e dini fort mire qëllimin sllav dhe lojën e tyre me shqiptarët , ju e dini që “Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. “ (Vesnik Srpske Crkve”) se me muslimanët shqiptarë e kanë më lehtë.
Nuk të ha palla për Plavë e Guci , për Hot e Grudë? Po Vuthajt athua si janë ? Po Kosova si vete?
”Po unë si shqiptar që rastësisht i kam takuar besimit musliman , apo ti gjithashtu si shqiptar që rastësisht edhe ti i ke takuar besimit ortodoks :ne pranojmë që bashkëkombasit tonë shqiptar të fesë katolike t´i katandisim nëpër botë , dhe në këtë mënyrë të bëhëmi bashkëpjesëmarrës në çfarosjen e një pjeseje të madhe kombëtare , të jemi në vijën e Serbisë. ? Jo. Unë jo. Por as Ti ,jo!
Përshendetje Zoti Lubonja , ruaju dhe mos fol va e pa va !
Archives for August 2014
Nga dosja e krimeve komuniste: PLAGET TONA
RIVARRIMI I NËNËS/
Nga Teki dhe Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/
Qysh vdiqe moj nëna ime,/
Me një det me hidhërime,/
Me burgje dhe internime,/
Ajo çika zemër trime./
T e k i u /
Më datën 5 gusht 2014, arritëm të rivarrosëm në vendlindje, Tragjas, prindërit tanë të dashur. Me shumë vonesë, pasi më 5 gusht të vitit 1990, ne emigruam nga atdheu për në Shtetet e Bekuara të Amerikës, për t`i shpëtuar vuajtjes së pa fund që kishim provuar në atdheun tonë.
***
Unë Tekiu, arrita së fundi të hedh një grusht dhe, mbi varrin e nënës sime të dashur, sepse kur ajo dorëzoi shpirtin e saj të bardhë dhe të vuajtur, më 15 prill të vitit 1982, unë nuk u ndodha pranë saj, pasi vuaja në burgun komunist të Ballshit, për idetë e mia.
E kujtoj si sot, se atje ku isha, në skëterrën komunistë, atë natë pashë një ëndërr që më tronditi jashtë mase: M`u bë sikur u ndërpre lidhja telefonike me nënën. U besoj ëndërrave dhe prandaj menjëherë i nisa nënës një telegram. Pasi nuk mora përgjigje të nesërmen nisa një telegram tjetër, por përsëri asnjë përgjigje. Në përgjigje të telegramit të tretë më shkruhej: ”Personi që kërkoni ka vdekur. Në fund të telegramit ishte shënuar dërguesi:Posta”.
Me telegramin në duar që më dridheshin pa fund, nuk e durova dot dhimbjen dhe ulërita si fëmijë. Shumë më vonë, mara vesh se kjo përgjigje ishte kthyer nga Zonja e nderuar, bashkëshortja e të ndierit Leka Kruta, që punonte në postë.
Vdekja e nënës, ndodhi në kohën kur kisha vetëm 5 ditë që kisha dalë nga labirinthet e skëterrshme të Sigurimit të Shtetit, ku vuajta 5 muaj hetuesi çnjerzorë, tmerr, që besoj se helmoi dhe përshpejtoi vdekjen e nënës sime të dashur e të vuajtur.
Në gjendjen që u ndodha, bashkëvuajtësit në burg, Safa Çeloaliaj dhe zotrija që sot më nderon në këtë ceremoni përkujtimore Dilaver Çeloaliaj, brenda pak minuatve shtruan një batanije në fund të kapanonit me dërrasa, ku ishte ulur Faik Margaritari, një i moshuar i burgosur rreth të tetëdhjetave, mik i familjes time por më fatkeq se unë, i cili më përqafoi dhe pasi fshiu dy pika loti, drodhi një cigare dhe ma tha:
– Djalë bëhu i fortë! Pasi heshti pak e hoqi në zemër vazhdoi:
– Mua më dënuan pa asnjë faj 25 vjet, më pas më pushkatuan djalin, ndërsa djali tjetër vdiq nga vuajtja dhe mungesa e barnave në burgun e Spaçit dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto tmerre,- më pushkatuan edhe dhëndërrin: Sezai Çeloaliaj dhe prapë bëj durim dhe bëhem i fortë.
Kështu filluan bashkëvuajtësit e mi, të vinin e të më ngushëllonin, atje tek batanija e shtruar për tokë duke më hedhur edhe nga një cigare dhe duke treguar sejcili historinë e tij.
Njeri më thoshte unë kam qënë në Burrel me babanë tuaj, një tjetër më tha jam shok i Muratit, vëllai jonë që vuante në burgun e Spaçit dhe për çudi ndryshe nga të tjerët më dha dy cigare: një për mua dhe një për vëllanë tonë Muratin, pasi nuk kishte se ku e gjente dhe ta ngushëllonte edhe atë për vdekjen e nënës.
Pastaj erdhi duke qarë Sherif Merdani, ai këngëtari i famshëm, Sherua siç i thërrisnim ne, me të cilin kisha qenë edhe ushtar në repartin e punës në Dushk- Lushnje. Edhe ai duke qarë bashkë me mua, më tha: ”Po mbi një batanije, në burg, i priti cigaret për babanë, edhe vëlli juaj dhe shoku im, Murati. Ishte 29 qershor i vitit 1976, atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Në se një ditë do të hapen dosjet e diktaturës komuniste, drama e familjes tuaj do t`i tronditë shqiptarët!”
Miku i familjes tonë Pipi Konomi erdhi bashkë me një mikun e tij: një burrë të gjatë me trup të drejtë, i cili më dha dorën dhe më tha:
– Burrat nuk qajnë! Unë u befasova, kur Xha Faiku më tha se ai ishte komunisti Andon Sheti nga Vunoi i Vlorës. Vuajtja dhe burgu ia kishin zbutur zemrën këtij komunisti…
Kështu të dashurit e mi, këta që përmënda dhe shumë të tjerë, më ngushëlluan për vdekjen e së mirës nënës sime.
Të nesërmen i nisa një letër Finlandës, bashkëshortes sime, e internuar në fshatin e Tragjasit, të cilën e porosisja që të mbante afër fëmijët dhe ta duronte dhimbjen, siç ishte mësuar edhe ajo t’i duronte dhimbjet, kur i kishin pushkatuar babanë, kur ishte arratisur xhaxhai, dhe kur e kishin internuar familjen e saj.
Në fundin e asaj letre i shkrova një elegji për nënën:
Qysh vdiqe moj nëna ime,
Me një det me hidhërime,
Me burgje dhe internime,
Ajo çika zemër trime.
***
Ne u njohën me komunizmin që fëmijë dhe që athere kuptuam, se ai sistem nga luga e floririt që premtonte do ta shpinte popullin të hante me lugën e drurit! Ishte 24 dhjetor i vitit 1944, kur dy partizanë erdhën në shtëpinë tonë, në lagjen Skelë, buzë detit, dhe arrestuan babanë. Ne, katër vëllezër, ende fëmijë, iu qepëm nga prapa babait duke qarë, por komunistët e pa shpirt na shtynë me urrejte, me qytat e pushkëve duke shfryrë:
– Kulishët e ballistit! Fjalë që ne nuk arrinim t`i kuptonim asokohe…
Kurrë nuk mund ta harrojmë nënën tonë të dashur, e cila edhe ajo duke qarë dhe mallëkuar, na mblodhi rreth vetës si zogj shqiponje duke na thënë se babai do të kthehej shpejt, ndofta edhe ajo, nëna jonë, besonte se ai, babai jonë do të kthehej me të vërtetë. Por babai u kthye në shtëpi pas dhjetë vjetësh, kur ne në vuajtje e mjerim, tashmë ishim rritur…
Kjo e keqe na ndoqi gjithë jetën. Pas babait, vëllai jonë Qamili u hodh në det nga brigjet e Sarandës dhe doli me not në Korfuz. Më pas Memishahu, në moshën 16 vjeçare përfundoi në burg. Pas Memishahut radhën e kishte Murati i cili vuajti në burgjet komuniste mbi 18 vjet të jetës së tij dhe i fundit isha unë Tekiu…
Finlanda bashkëshortja e Tekiut e tregon kështu ditën e arrestimit të tij: “Pas arrestimit të Tekiut të Vlorë, ia behën në shtëpi 5 oficerë të Sigurimit të prirë nga i famshmi Xhebro Shalari… Ata do të kontrollonin shtëpinë e armikut të popullit tashmë të arrestuar, por edhe do të terrorizonin një grua pa mbrojtje dhe fëmijët,- më i madhi vetëm 14 vjeç… Në largim Xhebro Shalari i drejtohet Finlandës, me një krenari prej krimineli:
– Ku e ke Tekinë ? Dhe ajo si grua vërtetë shqiptare iu përgjegj:
– Sa herë që Tekiu vinte në Vlorë ne dilnim në shkallë dhe e prisnim. A do të kthehej, apo do arrestohej? Tani që ju e morët nuk kemi se ç`farë të presim më. Na i pakësuat vuajtjet, shtoi ajo me një qëndrim burrneshe… „
***
Që nga 24 dhjetor i vitit 1944, familja jonë kishte vuajtur e provuar kalvarin çnjerzor komunist. Vuajtjet shpirtërore ndofta as varri nuk do t`i shërojë, por u ndamë nga vuajtjet fizike, 24 vjet më parë, pikërisht në një ditë si sot më 5 gusht të vitit 1990, kur u lartguam zemër djegur nga atdheu ynë që na kishte bërë të vuanim aq shumë.
Atë ditë kisha hipur në traget i përcjellë nga tre- katër miq, ndërmjet tyre edhe profesor Bejkush Birçe, që më ka nderuar edhe sot me praninë e tij në rivarrimin e nënës…
Ndërsa trageti u nis, hodha sytë me mallëngjim në brigjet e Adriatikut, atdheut tim të dashur, po mendimet e mia m’i ndërpreu Finlanda, bashkëshortja ime dhe im bir Fatmiri, athere 11 vjeç të cilët më thanë:
– A ke forca ta fillosh jetën nga e para?
Përgjigjia ime ishte: Po!
-Athere, më thanë ata në nje gojë, ne do ta gëzojmë jetën dhe sot e tutje nuk do të guxojë njeri të na diskriminojë e të na fyej si komunistët e Tragjasit. Jeta nën diktaturën komuniste na mësoi si të duronim dhimbjen fizike e shpirtërore.
Në varrimin e babait morën pjesë vetëm 15 vetë…
Kur dola nga burgu, nje njeri i mirë nga lagjja Llonxhë ku banonte nëna, me ftoi për një kafe dhe më tha: „Kam qënë këtu, ulur, kur është përcjellë nga kjo lagje, në përjetësi nëna juaj vetëm me 7 vetë. Në fund ishte Beshiri, varrmihësi, por edhe ai u ndalua nga një anëtar i Këshillit Popullor, sepse gruaja që përcillej ishte e veja e një Ballisti, dhe grua që kishte lindur vetëm armiq të popullit të cilët partia i kushte burgosur… „
***
Një familje e tërë, e dënuar mizorisht: Babai, Muhamet Gjonzeneli (1907 – 1978) i dënuar me 30 vjet burg, Qamili, djali i madh, i arratisur jashtë shtetit,Tekiu i dënuar me 8 vjet burg, Memishahu i dënuar me 6 vjet burg, Murat Gjonzeneli dënuar me 20 vjet në burg.
Zonja (1908 – 1982), nëna e katër djemëve të dënuar, ajo grua heroinë që e kishte kalur gjithë jetën nëpër dyert e burgjeve dhe që i kishte larë udhët e Shqipërisë me lot, duke ndihmuar sado pak bijtë nëpër burgje dhe kampe e qante të shoqin me lot hidhërimi:
Muhamet e varfëra,
Po e keqia s`tu nda,
S`të qan motër, as vëlla
As fis as akraba.
Për ta kuptuar dhimbjen e kësaj nëne, për ata që nuk e jetuan atë kohë, sqarojmë se Muhameti si shumë të tjerë në atë kohë ishte njeri i braktisur nga njerëzit, më të afërt, nga fisi dhe miqësia sepse ishte “armik populli”! Edhe në përjetësi ai burrë i rëndë u përcuall nga një grusht njerzish.
***
Më 5 gusht 2014, ne bijtë e atyre prindërve të vuajtur arritëm që prindërit tanë t`i rivarrosim në vendlindjen e tyre në Tragjas, në baltën që i kishte lindur, rritur dhe vuajtur pa fund, pranë të afërmve dhe të dashurve të tyre nga të cilët ishin ndarë në gjallje dhe ndofta Perëndia i bashkonte në atë jetë.
Në njëqind vjetët e luftës
Ukraina, Palestina, Izraeli, Siria dhe Iraku janë kriza të ndërlidhura, të ziera dhe nganjëherë, në dukje, kanë qenë statike nga lufta e parë botërore.
Vehabizmi është religjion shtetëror në Arabinë Saudite, që ishte udhëzues për super- terroristin Osama bin Laden/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Është ironike që udhëheqësit e botës fjalë për fjalë shpërthejnë tani e shumë kohë më parë se me siguri kemi mësuar nga historia se masakra të tmerrshme nuk duhet të përsëritën më. Mirëpo, këto tmerre tash e njëqind vjet më parë prej kur është gdhendur guri i bardhë i ndarjes së kufijve në Lindjen e Mesme, ato nuk pushuan kurrë për të mos thënë me pauza të gjata apo të shkurtra.
Si u ndanë kufijt e Lindjes së Mesme?
Kur Superfuqitë e botës ndanë mbetjet e Perandorisë Osmane Kryeministri Britanik, Lloyd George, kishte kërkuar që Britania e Madhe të sundoi mbi Palestinë nga Dan-i deri të Beer Sheva, si zona të shënjta të Biblës. Kryeministri, megjithatë, nuk ishte i sigurt se çfarë sihte Dan-i në të vërtetë. Ai kishte shfletuar Atlasin e Biblës të viteve 1800, por prapëseprapë nuk e kishte gjetë këtë qytet të lashtë. Një vit më vonë Komandanti Britanik në terren gjenerali Allenby e gjeti Dan-in por ai vend nuk ishte as përafërsisht ashtu siç e kishte paramenduar Kryeministri.Fuqitë e mëdha kishin rënë dakord se si ata do t’i ndajnë kufijtë në Lindjen e Mesme, që u mbështeten nga një fjalë e shpikur nga politikani britanik Mark Sykes, një zotëri nga klasa e mesme dhe ekspert i vetëshpallur në këtë fushë. Sykes dhe kolegët e tij injoruan zonat dhe kufizimet e mëparshme. Në konvikte kishin mësuar përshkrimet e lashta hartografike greke dhe emërtimin e zonës dy mijë vjet më parë. Pastaj at vënë drejtuesit lokal në krye të shteteve të porsaformuara dhe menduan se kishin krijuar funksionimin e rendit në ato shtete. Kështu u lind, siç duket me këto fjalë si lehtë, Lindja e Mesme ashtu siç ne e njohim tash atë. Dizajni i hartimit dhe vënies së kufijve ishte i paraparë dhe i menduar që bile në njëqind vjet të qëndroj si i tillë. Mirëpo, tash ajo kohë, ai plan dhe ai projekt mirë i menduar është një gjë e kaluar dhe ndoshta për shumë kë situata e tashme në atë rajon nuk është një gjë e papritur. Ne po shohim se si kombet në atë rajon po luftojnë për të mbijetuar, por shikuar në trendin e tashëm të përçarjes e të luftës, njëri nga ta edhe mund të zhduket.
Ukraina kishte një periudhë të shkurtër të lirisë gjatë kaosit pas luftës së parë botërore, por, pastaj, mori dominimin e Perandorisë Ruse përsëri. Tani ky shtet është duke u përpjekur për të humbur luftën dhe Perandorin Ruse përsëri, ndërsa Rusia dëshiron për të rivendosur rendin e vjetër, së pari me vjedhjen e Krimes, pastaj me luftën me intensitet të ulët në Ukrainën Lindore.
Bota nuk qeveriset mençur
Mund të thuhet dhe të konstatohet lirshëm se bota nuk po qeveriset mençur. Presidenti amerikan e pati “ pushtuar” Irakun dhe krijoj kaos në të cilin orgjitë e gjakut po gjejnë ushqim. Putin është duke ndjekur hijet e Perandorisë Ruse dhe ky është një problem serioz me një kompleks inferioriteti. Izraeli merr pjesë- pjesë të tokës palestineze, vrau afër 2000 veta, prej tyre shumë fëmijë, gra e pleq. Shkatërroi shkolla, banesa e shtëpi dhe në këtë mënyrë më këto ndërhyrje të tmerrshme ushtarake Izraeli ua nxiu jetën palestinezëve. Edhe në Siri mbretëron kaos i vërtetë. Në këtë shtet, për fat të keq, po shkojnë për të luftuar edhe shqiptarë që janë të përfshirë në masakra dhe tmerre të luftës që nuk kanë lidhje as me fe e as me Islam.
Ekspert dhe politikanë përshkruajnë skenar të ndryshëm për të ardhmen. Por e vetmja gjë që ne dimë është se nuk dijmë asgjë. Me 16 dhjetor 1915 ministri britanik i luftës z. Lord Kitchener kishte dilemë nëse vehabizmi mysliman ekzistonte edhe më tej. Ndërkaq, eksperti Sykes iu kishte përgjegjës: Unë mendoj se vehabizmi është një zjarr që po fiket. Në shumë ngjarje që ndodhen e mund të ndodhin akoma në të ardhmen po shihet se ky sekt fetar jo që është fikur por zjarri ka marrë flakë që zor se do të mund të fiket edhe për një kohë të gjatë. Vehabizmi sot është religjion shtetëror në Arabinë Saudite, që ishte një udhëzues për super- terroristin Osama bin Laden.
Atdhetari, mësuesi, gjuhëtari,Ilia Dilo Sheperi
Nga Anton Cefa/
Lindi në vitin 1872, në Sheper të Zagorisë, në atë trevë të begatshme atdhetarizmi, plot vlagë ideali, ndjenje dhe vullneti patriotik. Jetoi në periudhat më kyçe të historisë sonë, vlerësoi me zgjuarësi detyrat parësore të secilës prej tyre dhe i ndriçuar nga ato, përcaktoi rrugën e vet të jetës e të punës, duke u rreshtuar gjithnjë në krahun më përparimtar të shqiptarizmës dhe, me përkushtim fisnik, nuk kurseu asgjë në dobi të Shqipërisë.
Në periudhën e parë të jetës, duke ndjerë jehonën burrërore të Lidhjes së Prizrenit, u bë shërbestar i gjuhës. Tek dituria, që fillon me gjuhën e ëmbël të nënave, ai vendosi altarin tek i cili do të lutej dhe edhe do të flijohej, po qe nevoja, për lirinë dhe begatinë kombëtare. Vetëm kultura do të davariste mjegullat e iniorancës që kishte endur robërimi shekullor, do të dritësonte ndërgjegjet e tulatura dhe do të ndizte zjjarrin e shenjtë të dashurisë për atdheun. Kështu, që në moshë të re, Ilia zuri vend në llogoret e arsimimit të popullit, edhe pse e dinte fort mirë se atje ai do të ndeshej, për jetë e për vdekje, me armiqtë e kombit: pushtuesit osmanë dhe Patrikanën e Stambollit.
Patrikana, armiku më i egër i gjuhës e i shkollës sonë- një nga armët më të rrezikshme në sendërtimin e qellimeve djallëzore të greqizimit të krahinave tona të Jugut- e ndoqi dhe e përndoqi me të gjitha mënyrat që dinte e që përdorte ajo dhe në të gjitha shtigjjet e liga dhe rrugët kriminale, që përshkonte ajo tinëzisht e haptas; por burri nuk jepej. Atëherë ajo vendosi ta zhdukte. A nuk kishte dënuar e ekzekutuar në mënyrat më barbare sa e sa kolegë të shkollës e të idealit të Ilias?
Nën padinë se “mësonte gjuhën shqipe dhe se shkollën greke të fshatit e kishte kthyer në shkollë shqipe, Patrikana e dënoi me vdekje. Padia qe më se e vërtetë: megjithse, shkolla shqipe në Sheper u hap në vitin 1917, Ilia e pati kthyer shtëpinë e vet në shkollë, ku mësohej gjuha shqipe, që në vitin 1907.
Dënimit kapital të Patrikanës, mësuesi i urtë iu përgjegj me stoicizmin e idealistit të vërtetë: “Edhe kur të më prisni kokën, në grykën time do të gjeni një “a”, një “b’ dhe një “c”. Nuk di ndonjë shkollë tjetër kombëtare që të jetë ndërtuar mbi themele të tilla të lavdishme vetëflijimi e heroizmi, por këtë dukuri kaq të thjeshtë e kaq të faktuar nuk e kanë pranuar dhe nuk duan ende ta pranojnë kojshitë tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite, na e mohojnë gjuhën dhe shkollën amtare në Çamëri dhe gjithandej nëpër Greqi.
Mbas shpalljes së Pavarësisë, Ilia Dilo Sheperi e afirmoi veten si personalitet i fuqishëm në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, duke bërë një punë të madhe për hartimin e teksteve dhe programeve mësimore të shkollave të shtetit të ri shqiptar, në përshtatje me kushtet e reja të krijuara në vendin tonë.
Idealin e përvojën e tij për ngritjen e shkollës kombëtare shqipe, ai e dëshmoi, gjithashtu, si pjesëmarrës aktiv i Kongresit Arsimor të Lushnjës (1920) dhe Kongresit Arsimor të Tiranës (1922).
Gjatë këtyre viteve, ai punoi pa u lodhur, si mësues në shkollat e mesme dhe si inspektor arsimi në zonat e Gjirokastrës e të Vlorës, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zgjërimit të rrjetit shkollor, pa lënë mbas dore përmirësimin cilësor të mësimit e të edukimit.
Veprimtarinë e frytshme në fushën e shkollës dhe të arsimit, Ilia, gjithnjë e shoqëroi me një aktivitet të dendur, në fusha të tjera në shërbim të çështjes kombëtare.
Në vitin 1919, më 23 nëntor, në prag të Kongresit të Lushnjës, ai qe në radhën e parë të atyre intelektualëve patriotë gjirokastritë, që themeluan shoqërinë “Vëllezëria”, në Gjirokastër, e cila zhvilloi një veprimtari të dendur “për mbrojtjen e kufijve të Atdheut, për njohjen e të drejtave tona kombëtare nga Fuqitë e huaja,… si edhe në drejtim të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shoqëria shënoi, gjithashtu, disa arritje sidomos në fushën kulturore-artistike, sportive, etj.” (Shefik Osmani, “Fjalor i pedagogjisë”, Tiranë, 1983, f. 705).
Dashuria e flaktë për gjuhën shqipe, aftësitë e shquuara intelektuale dhe përvoja e tij e gjatë si mësues u jetësuan në një hulli të veçantë të veprimtarisë së Ilia Dilo Sheperit, në atë të shkencës gjuhësore. Në vitin 1927, ai botoi tekstin: “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe”, i vlerësuar si një nga tekstet më të mira të gramatikës sonë për arsimin e mesëm. I ndërtuar mbi kritere të rrepta shkencore, ky tekst ndikoi mjaft për të konsoliduar shumë pikëpamje deri atëherë të pastabilizuara. Për vlerat shkencore të kësaj vepre, prof. Enver Hysa ka shkruar: “Gramatika e tij plotësonte një zbrazti, dhe vinte një gur themeli në gramatologjinë shqipe. Kjo gramatikë është një burim me rëndësi për historinë e zhvillimit të gjuhës letrare e të terminologjisë shkencore gjuhësore të përdorur në të, ajo shërben edhe sot në punën e gramatikanëve si një vepër me vlerë të madhe që nuk mund të mos merret parasysh për idetë dhe mendimet e reja, për zgjidhjet shkencore që ka dhënë për probleme të veçanta, sidomos të morfologjisë, të fjalëformimit e të gjuhës letrare në veçanti.” (“Zagoria”, gazetë e shoqatës atdhetare-kulturore “Çajupi”, nr. 2, prill 1997, f. 3).
Mbas daljes në pension, në vitin 1933, ai iu kushtua punës shkencore. Me politikën, Ilia merrej kur atdheu dhe politika kishin nevojë për personalitetin e tij. Pavarësia qe fituar, shteti shqiptar i 1913-ës i shpëtoi copëtimit të plotë, sado që një pjesë e mirë e trojeve mbetën nën robërinë e fqinjve. Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës i rivendosën themelet e Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai kishte dhënë ndihmesën e vet, ndihmesën e vyer të një patrioti të madh. Për Shqipërinë e robëruar i qante zemra dhe i dhimbte shpirti, por e mbante shpresa. Një ditë qe shprehur: “Shqipëri pa Kosovë nuk ka, ashtu siç nuk ka Kosovë pa Shqipëri”.
Pushtimin fashist e priti me fyerjen dhe urrejtjen e një atdhetari. Ftesën “e politikës” me shkue në Romë për t’i vënë Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut, e priti me përbuzje dhe e hodhi poshtë në mënyrë të prerë. Jetoi, duke u gëzuar për luftën kundër pushtuesit dhe i kënaqur që djali i tij, Jani, pa u lajthitur si shumë të tjerë nga propaganda pansllaviste me lëvozhgë internacionalizmi e demokracie, qe rreshtuar në krahun e drejtë të atdhetarëve të vërtetë, në krah të Mithat Frashërit; por e pau, e ndjeu dhe e paralajmëroi rrezikun e madh komunist që po i kërcënohej Shqipërisë.
Në vitet e luftës përjetoi edhe një fatkeqësi: djegien e bibliotekës nga gjermanët, me hjekësinë tinzake të Dushan Mugoshës. Pau aty të digjet e të bëhet shkrumb puna shkencore e sa e sa viteve: botimi i dytë i përpunuar i Gramatikës, përfunduar që në vitin 1935, një tekst stilistike për shkollat e mesme, punën e nisur për një fjalor të gjuhës shqipe, shënime dialektologjike, materiale folklorike e etnografike të mbledhura me mund nëpër fshatrat e Zagorisë, një libër të përkthyer nga greqishtja dhe një tjetër të përkthyer nga anglishtja dhe, sidomos, dy vëllime me fjalimet e tij, letra dërguar Patrikanës, Papës së Romës, personaliteteve të ndryshme evropiane, albanologëve, etj., shumë dokumenta të historisë sonë – një pasuri e vërtetë kombëtare e pa zëvendësueshme.
Vdiq në vitin 1945 dhe u varros në fshatin e tij të dashur, në Sheperin e sofrës së madhe patriotike, i nderuem prej të gjithëve.
Fatkeqësitë do ta ndiqnin edhe pas vdekjes. Fanatizmi komunist, me veprime të huaja për natyrën dhe zakonet shqiptare, të huajtura nga sllavët, simbas mësimeve të Miladinit dhe Mugoshës, nuk mjaftoi që i varrosi gjithë vlerën e veprimtarisë patriotike të një jete të tërë, por i dhunoi edhe kufomën dhe varrin.
Në vitin 1979, me urdhër nga qarqet më të larta të diktaturës, i thyen varrin dhe mbasi i zvarritën kockat rrugëve të katundit, i hodhën në humnerë. Ky procesion i llahtarshëm u krye në sytë e banorëve të Sheperit, nën mbikqyrjen e forcave të sigurimit. (Sipas dëshmisë së Foni Dilos, nip i Ilias).
Demokracia bëri përpjekje për vlerësimin e figurës së tiJ dhe i dha titullin “Mësues i Popullit”. Me jetën dhe veprën e tij atdhetare e shkencore, ai qe dhe do të mbetet mësuesi i të gjitha breznive të ardhshme shqiptare. Lapidari i tij, i ngritur me afsh dashurie e dhimbjeje, në zemrën e popullit të thjeshtë, që di të vlerësojë më shumë se të gjitha organizmat shtetërore dhe akademitë, pret një të ardhme më të qetë të atdheut, për t’u ngritur i mermertë mbi truallin për të cilin shkriu jetën
Botuar në “Dielli”, April-June 2000
Pirro Marconi drejtor i misionit arkeologjik italian në Shqipëri në vitet 1936-1938
Nga Gëzim Llojdia*/
1.Ardhja dhe qëllimi i një misioni arkeologjik italian në viset shqiptare dëshmohet nga të dhënat e AQSH,raporte,fotografi të ruajtur nëpër arkiva,fonde personale,shkrime gazetash etj.
2.Misioni Arkeologjik Italian në Shqipëri është themeluar në vitin 1924 nën patronazhin e Ministrisë së Jashtme Italiane. Ishte një element i një programi, që synon të zgjerojë hegjemoninë italiane me Adriatikun lindor …(Gilkes & Miraj 2000).
3.Prof Pirro Marconi në vitin 1939,shkruan për zbulimet e rishta arqeologjike në Shqipni (ekspoatimet) sic i quan mediumi shqiptar.Në pranverën e vitit 1924,thotë Marconi një misioni ynë i veçantë u nisë për në Shqipëri me qëllimin kryesor të këqyrë sipërfaqen e saj sidomos nga pikëpamja vjetërsirave romake. Marconi thotë se këqyrjet që do të kryenin në territorin shqiptar do të hedhin shumë dritë. Gërmimet që çuan në ringjalljen e Butrintit janë për shkak të misionit arkeologjik italian , i cili ka punuar për më shumë se 10 vjet nën drejtimin e L. M. Ugolini, P.Marconi dhe në fund të D. Mustilli shkruan , Benvenuto duke sjell një panoramë të përgjitshme të siteve arkeologjike dhe ekspeditave, që përshkruan këtë vend nga fillimi i shekullit të XX.
Pas vdekjes aksidentale të Pirro Marconi, i cili e kishte paraprirë atë edhe në karrigen universitare, Mustilli ka drejtuar në mes të viteve 1938 dhe 1941, Misionin arkeologjik italian në Shqipëri .
”Me 20 Mars 1937 pasardhësi i Ugolinit, Pirro Marconi”shkruan Prof. As. Dr. Lida Fabian Miraj , vazhdonte gërmimet në zonën ndërmjet Teatrit e kanalit, që lidhte liqenin e Vivarit me detin, jashtë mureve rrethuese të periudhës greke, gjë që konfirmonte se Teatri ishte totalisht i gërmuar nga Ugolini. …”
Gazeta “Drita” 19 prill 1939, publikon në një seri shkrimesh nga cikli:” Zbulimet e rishta arqeologjike në Shqipni” të Prof Pirro Marconi,kur prof. italian flet për gërmimet e kryera rishtas në Finiq,kryesisht nekropoli i Finiqit dhe më pas Butrinti në epopenë virgjiliane,pozita e Butrintit etj.
Në një numër tjetër të gazetës, pra ai shkruan: I pari eksploatim arkeologjik,misioni arkeologjik i tanishëm, etj nëntituj, që i kushtohen misionit arkeologjik në jug të vendit të shqiponjave.
4.Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë dhe Italisë për Shqipërinë datojnw disa vite më parë dhe kishte një matricat jashtëzakonisht politike dhe strategjike,cilëson Stefano Magnani, në fakt ka një rëndësi jetike për kontrollin e Adriatikut dhe në të njëjtën kohë për një strategji më të gjerë të ndikimit politik dhe ekonomik në Ballkan….
Interesat strategjike dhe ekonomike (sidomos në sektorin e minierave dhe në sektorin e naftës), megjithatë, vazhdoi dhe arkeologjia u bëri thirrje për të luajtur një rol të rëndësishëm, funksioni i mbuluar në kontrollin shqiptar të situatës, sidomos pas konferencës së paqes e vitit 1921, kishte ofruar Italisë, mundësinë e kthimit për të pasur një rol aktiv në Ballkan. Deri në vitin 1923 vëmendje italiane në Shqipëri nga hetimet arkeologjike ishte thjesht episodik. Në tetor , ajo ishte e njëjtë, Paribeni ka bwrw bërë një vizitë të shpejtë, dhe më së fundi P. Biagio, i cili më pas ka botuar një llogari të gërmimeve dhe kërkimi i kryer në Shqipëri nga misioni italian dhe se jo çuditërisht kishte shpresuar se disa studiues të rinj italian e kanë pritur, në të ardhmen një studim të plotë arkeologjike të rajonit. Rasti është prodhuar në vitin 1923. Në shtator të atij viti, u nënshkrua një marrëveshje midis Francës dhe Shqipërisë e cila i dha mundësinë për të kryer gërmime dhe hulumtime në zona të mëdha të Evropës veriore dhe qendrore . Italia deri në atë kohë kishte shikuar, me besim tek një rezultati negativ të negociatave franko- shqiptare, edhe pse ishtë e qartë se misioni francez, i cili kishte qenë mbështetur fuqimisht dhe miratuar nga Justin Godart ,gjithashtu për qëllim konsolidimin e pranisë dhe interesat ekonomike të Francës në Ballkan.
5.
Pirro Marconi . Biografia e tij është vendosur në fjalorin biografik italian vëllimi 69( 2007). Nga një vështrim i përgjithshëm shqyrtohen të dhëna të rëndësishme për jetën dhe punën e Marconit.
P.Marconi : ka lindur në qytetin e Veronës më 1 janar 1897 dhe prindërit e tij ishin : violinisti Pietro , dhe Antonella (Nella) Levi . Ai u bashkua me fakultetin e letrave në Romë , ndërpreu studimet e tij në maj të vitit 1915 për tu marrë si vullnetar në Alpe . Ai u bë një oficer rezervist ,por mbeti në shërbim gjatë gjithë kohëzgjatjes së Luftës së Parë Botërore . Përvoja e luftëtarit do ti sillte dy medalje argjendi në vlerën e Kryqit Ushtarak të Meritës, ( Batalioni Monte Berico : Shkurt 1915 – gusht 1919 , Romë 1923) .
Pas shkarkimit të tij, ai ishte në gjendje të rifillonte studimet e tij, që kishte përfunduar në korrik 1920, me një tezë mbi përfaqësimin e Antinous , të dhënë për shtypin disa vjet më vonë (Antinoo. Saggio sull’arte dell’età adrianea, in Monumenti antichi pubblicati per cura dell’Accademia nazionale dei Lincei, 1923-24, vol. 29, cc. 1-302).
Biografia e karakterit ,asimilimi të figurave mitologjike dhe me sfond ideologjik të kultit të tij kanë ngjallur interesin e P.Marconi vetëm në bazë të analizës formale e përfaqësive dhe përcaktimin e ndikimeve të statuja tradicionale , të identifikuara të artit egjiptian .
Marconi pa në korpusin e përfaqësive një ” përmbledhje e artit Hadrian ” ,shprehje e një shije origjinale që nuk mund të zgjidhet në gjysmën e dytë të modeleve ikonografike ekzotike apo klasik , por është fjala për krijimin e një lloj krejt të ri, duke arritur për të krijuar një imazh të idealizuar të bukurisë melankolik e.
Pas diplomimit , Marconi mori pjesë në Shkollën italiane të Arkeologjisë në Romë , ku u takua me gruan e tij të ardhshme, Jole Bovio , me të cilin ka ndarë përvojën e shokut në Shkollën italiane Arkeologjike të Athinës ( 1923-1924 ) , në të njëjtën kohë ai mori një diplomë në filozofi ( 1923) . Në shtator 1925 ai mori shkallën në arkeologji dhe si rezultat i konkurrencës (1926) ai u bë inspektori i parë në mbikëqyrjen e Venetos dhe më vonë ( 1927) në Muzeun Kombëtar të Palermos , nga e cila ai u emërua drejtor në vitin 1929 .Vitet e veprimtarisë në Sicili shënoi prodhimin e Marconi: më shumë se njëqind veprave të tij , duke përfshirë monografi , duke pasqyruar aktivitetet intensive të gërmimit të kryera në krahinat e Agrigento , Palermo dhe Trapani .
Monumentet dhe topografia e Agrigento arkaike dhe klasike përfaqësojë një nga pikat kryesore të interesit të “periudhës siciliane” të Marconi.Tashmë në vitin 1926 ai botoi zbulimin e katër eshtrave, zbuluar kohët e fundit në jug të tempullit (I telamons Olympieion Agrigento, në Buletinin Art, VI [1926], f. 33-45)
Në të njëjtin vit pas një marrëdhënie të gjatë të gërmimeve në disa kisha i përshkroi hulumtimi i kryer në kishat e S. Biagio dhe S. Nicholas , kryesisht matëriali ka të bëjnë me vendet e caktuara të adhurimit , të tilla si të ashtuquajturit: ” oratori i Phalaris ” dhe tempullin e Demeter.
Një monografi e interesit të përgjithshëm për qytetin ( Agrigento , Firence 1929 ) u pasua nga një e dytë e Agrigento . Shenjtë i hyjnisë dhe tempulli i quajtur Volcano chtonie ( Romë 1933) . Në këtë publikim Marconi ka vijuar me rezultatet e një gërmimi të kryer në veriperëndim të portit V, të fortifikimeve të qytetit , gjatë të cilit solli në dritë një vend të shenjtë kushtuar hyjnive chthonic , i zhvilluar në tarraca me pamje nga Kolymbethra shkëmbore . Me interes të barabartë është hulumtimi i kryer në Segesta , në skenën e teatrit , hulumtim i skenës dhe teatërit. Lajme nga gërmimet e antikave , në tempullin e Fitores ( gërmimi i tempullit të Fitores dhe TEMENOS , Romë 1931) .
Marconi solli në dritë tempullin e prishur në vitet 1928-1929 . Sipas një praktikë të përhapur në atë kohë , gërmimet përbëheshin nga një gërmim i vërtetë i cili kishte për qëllim për të liruar vendin nga ndërtesa, e cila i përkiste viteve të 480-460 p.e.s. Vëmendje e konsiderueshme i është kushtuar dekorimeve. Arti figurativ (Selinunte adoleshente , Romë 1929 Skulpture dhe plastike në Sicilin e lashtë (Historia , IV [ 1930 ] , f 645-674). Italicity në artin e Greqisë së lashtë , në të cilin ai shkoi përcaktimin tiparet e një ” teori arti ” , ndikuar menjëherë nga trendet mbizotëruese në kulturën italiane dhe politikë të periudhës ,neo – idealizmi dhe nacionalizmi i mbështetur nga regjimi fashist .
Në të njëjtët vite, Marconi publikoi një studim të përgjithshëm të pikturës së romakëve ( Romë 1929) .Në këtë vëllim ai përshkruan rreth tre shekuj e pikturës , nga shekulli i dytë para Krishtit, shkatërrimin e Pompeit , me qëllimin e deklaruar për të demonstruar origjinalitetin e artit romak .
Afresket në Villa e Mistereve të cilit Marconi më vonë u ka dedikuar një studim monografik (Villa e Mistereve , Bergamo 1938) të cilat përfaqësojë shembullin më të dukshëm të këtij arti , pas të cilit sipas tij , është e mundur për të identifikuar një personalitet të plotë artistik .
Nga vitet 1931-1933 , Marconi ishte superintendent i Antikiteteve. Në dhjetor 1933 ai u emërua profesor i jashtëzakonshëm i arkeologjisë, në Universitetin e Cagliari (tetor 1935). Prodhim shkencor i këtyre viteve u fokusuar kryesisht në çështjet e Artit romake (Augustus i Ankona , në Buletinin Art , XVI [ 1932 ], f . 149-157 , Roman Verona, Bergamo 1937) dhe Picena kultura artistike . Puna e bërë në rajonin e Piceno (shekujte V – VII para Krishtit) , duke bërë publike disa komplekset të një rëndësie dhe adresimin e çështjeve në thellësi deri tani të injoruara .
Në dhjetor 1936 u emërua drejtor i misionit arkeologjik italian në Shqipëri .
Në vitet 1937-1938, ai ka hulumtuar pjesët e brendshme të zonës arkeologjike të Butrintit , duke e kthyer vëmendjen e saj , në sajë të bashkëpunimit edhe me Luigj Cardini në fazat parahistorike .
Kjo stuhi e aktivitetit u ndërpre tragjikisht pas kthimit nga një udhëtim në Shqipëri ,ishte 30 prill 1938, kur Marconi humbi jetën në një aksident ajror në qiellin e Formia .
Mbeti e papërfunduar , ndër të tjera , hartimi i një sinteze të re të përgjithshme të artit romak , që Marconi ishte gati për të kryer në vitet e mësimdhënies në Napoli .
- « Previous Page
- 1
- …
- 25
- 26
- 27
- 28
- 29
- …
- 59
- Next Page »