• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Shëngjergji

August 10, 2014 by dgreca

Tregim nga Hazir Mehmeti/
Lauresha u ngrit e përgjumur, fshiu sytë dhe pa nga xhami i krisur i dritarёs sё rrezet e kishin prekur majën e Fushës së Pëllumbave. Kjo tregonte se mëngjesi kishte hapur krahët gjithandej si paralajmëruese e ardhjes së shpejtë të diellit sipër Bjeshkëqyqës hijedhënëse mbi fushëgropën malore ku fshati në shekuj kishte ngritur themelet e tij. Zërave të një ditё të re iu prinin kikirikët e gjelave të njëmijë e njëqind lloje zërash.
U ngrit, mori shportën, shatëthin dhe gati pa u vërejtur doli në rrugën e kalldrëmtë ku e pritnin shoqet e saj.
-Ku je moj, tani e sa po të presim. Dielli nuk duhet të na sheh në punën tonë, -foli Dranja, vajza e vetme në familjen e Gurrdiellite njohur për bujari.
Asnjëra nuk donte të zgjatej në bisedë, u përshëndetën dhe filluan rrugën. Secila e dinte se ishte Nata e Shëngjergjit dhe duhej ngutur në mbledhjen e bimëve të sapo ringjallura pas dimrit të gjatë. Herët, pa lind dielli në Ditën e Shёngjergjit ato duhet t’u jepeshin bagëtive për t’i ngrënë. Bisqet e reja të lajthive, shelgjeve, frashnajave, thanave e shumë bimëve tjera t’i vendosnin gjithkah ku mund të dukeshin bukur, nguliteshin në plasaritjet mureve të lyer me baltëbyk disa nga të cilët ishin të gëlqerosura. Shumica e mureve asnjëherë nuk kishin parë bardhësinë e gëlqeres dhe nuk ishte e rrallë përzierja e bykbaltës me bajga. Muret e ndonjë balline në mesore të kullës dukeshin përplot figura provokuese të imagjinatës fëmijërore dhe shpesh qëndronin orë të tëra duke biseduar rreth tyre. Uleshin në minën përballë dhe bënin gara se cili do gjej më shumë figura. Njëherë motra e madhe pyeti se mos dallonin figurën e djallit. Të befasuar asnjëri nga fëmijët nuk dinte se çfarë pamje kishte djalli edhe pse të gjithë e imagjinonin diçka shumë të shëmtuar, me brirë e herë pa ta, me bisht e herë pa bisht, me fytyra të ndryshme nisur nga majmuni e deri tek kaçadreri me grremçat e tij gjigant që këput lisa, rrezon shtëpi, han njerëz nga të cilët fëmijët i ka më të preferuar. Secili e parafytyronte sipas ngjarjeve nga përrallat dhe gojëdhënat e dëgjuara. Gjyshja tregonte përrallat me dreqin nga Karpatet.
Sido që të jetë zbukurimi i çilerit ishte më i lehtë. Aty mes çatmave nga bujashkat e drunjtë kishte hapësira mesore vertikale dhe po i shikove drejt nuk dukej asgjë nga brenda. Bisqet me sythe e gjethe të para të tyre nguliteshin pjerrtas dhe rrinin bukur për disa ditë derisa thaheshin nga ajri i ngrohtë i ditës edhe pse freskia e natës me plotë lagështirë ua shtonte jetën.
Lauresha nuk u arsyetua, përshëndeti shpejtas dhe krah për krah me Norёn filluan rrugën drejt përroit në llërën e të cilit gjarpëronte Ujëbardhi shekullor me ujin e ftohtë bjeshke gurgullima e të cilit ishte e zëshme në fillimpranverë. Brigjet e lumit tani kishin zënë të ngjallën në fillimbotën e gjelbërimit. Gjethet e para nga sythët e hershme kishin zënë të rriteshin duke u pri gjetheve me radhë majave të degëve që tani hynin në vitin e dytë të jetës. Më herët gjethonin bimët luginës e cila gjarpëronte poshtë rrafshlartës ku pranvera prekte tokën më herët.
Grupi i vajzave u nda në katërshe, secili nga tri veta. E lanë të takohen atëherë kur hija e do arrinte tri këmbë tek Ahu pranё Kroit. Lugina jugore dallohej me qepën e egër, burgalemin, dellëzimin e vogël e ndonjë bimë tjetër. Lugina perëndimore me Përroin e Bardhë ishte e pasur me Gencianën, kungullin e egër, amonin, luleshpatën, lulgjakun, purrigjarpërin. Në shpatet mes dy luginave, lëndinave dhe skaj tyre rriteshin bimët gramore e aty këto ndonjë qepore. Purrini i egër skaj ferrave nga ana juglindore, luleshurdha, aguliçja ndër të cilat më e njohura ishte shtari të cilin banorët e rrethit e njihnin dhe e përdornin mjaft mirë si ilaçe. Në Fushën e Pëllumbave gjatë gjithë verës gjen erëshalqinin, një bimë e vogël me gjethe të vogla në rozetë dhe lulesën me lule të vogla të cilave u vjen era shalqi. Rrënjët e saj mblidhen për Shëngjergj dhe përzihen me bimët tjera.
Në fillim mesdite takimi ishte caktuar tek Ahu i Ariut. Grupi i vajzave nga Pjerrina e Knusit ishte i fundit në pritjen e shoqeve të cilat u dukën në zbritjen e tyre pjerrinës përballë nën degët e ahut me shportat e tyre përplot, disa nga të cilat kishin zbukuruar rrethshportën me lule që vareshin deri poshtë saj.
-Sikur na humbet,- iu drejtua Nora shoqeve duke qeshur.
-Më shkoj mendja tek ariu i zgjuar tani nga strofka,- foli Lauresha
– Do i thosha në vesh ariut, se kam një shoqe të bukur e të dashur dhe do më falte,- qeshi Hana, vajza më e rritur e Guranve të njohur me kullat e tyre në gjithë rrethin e Malësisë Perëndimore të Bjeshkëqyqes.
Pranë kroit nën ahun e vjetër i cili sapo kishte nisur gjethet e para formuan rrethin, nxorën bimët para veti dhe filloi ndarja. U fillua me filizat e lajthisë me lulesat e tyre të zgjatura dhe përplot pluhur të gjelbër poleni. Të gjitha ngritën filizat, asnjërës nuk i mungonte, pastaj vazhduan me radhë. luleshalqinin e ndanë me shoqe ato që vinin nga shpatëmali. Me shporta e mbushura përplot bimë të vëna bukur që dalloheshin nga larg u kthyen në fshat tani i gjallëruar nga jeta gjithandej hapësirave nën brushën e cila çdo ditë derdhte tonelata gjelbërim.
Tek porta e vjetër e muranës Norën e priste gjyshja. Një përqafim i mbesës ia hoqi merakun, i cili e kishte mbërthyer. Nuk ishin të rralla kafshimet e gjarpërinjtë në pranverën e hershme kur ata ishin agresiv edhe pse nuk mbahej mend se dikush kishte vdekur në fshat nga helmi i tyre. Shumica e kafshimeve kishin kaluar lehtë me largimin e helmit duke e thithur nga ata që kishin dhëmbët e shëndoshë apo duke e lidhur gjymtyrën për ta penguar qarkullimin e gjakut me helm. Me gjilpërë therej vendkafshimi apo pritej me teh brisku dhe derdhej gjaku bashkë me helmin. Kështu ishin shpëtuar shumë veta. Në fshat jetonte plaka të cilën të gjithë e thërrisnin Dada Hyrë, edhe pse kishte një emër tjetër sipas bisedave që dëgjoheshin mes grave të fshatit. Ajo e vetmja e dinte vjershën e gjarprit dhe thuhet se i kishte shpëtuar shumë bagëti e fëmijë nga kafshimi i kafshës helmuese. Fshati kishte ligjet e veta, rregullat e njerëzit e tij të mësuar me to që nga lashtësia.
Lauresha e kujtonte Sokolini cili kishte kohë që ishte larguar për punë në Mal të Zi dhe nuk kishte asnjë fjalë nga ai. Puna e tij në guroren e Zetës ishte e rëndë, vetëm Goli- Otoku thuhej se mund të krahasohej me te. Aty dergjeshin me vite shqiptarë nga gjithë trevat shqiptare. Kjo e digjte në shpirt Laureshën. Fshati i Sokolit në shpatbjeshkën ku rrokullisej shkami dukej i zhytur në bardhësinë e luleve të kulumrijave e kajsijave të cilat vizatonin kufij arash e oborresh në gjelbërimin e sapo nisur pranveror.“E Sokol, sa shumë u lavdëroje se nuk do të largoheshe këtej. Thoshe, tani të kam ty zemër dhe kurrkush s’mund të na ndaj, vetëm vdekja”.
Laureshës i pëlqente të dëgjonte gjyshen ku rrëfente ngjarje nga festimi i Shëngjergjit, i tregonte me shpirt e humor. Vajza hapte sytë e mëdhenj, dukej sikur nuk merrte frymë nga kureshtja. “Dikur në lashtësi doli kuçedra, e cila donte të pinte tërë ujin dhe toka të shkretohet, mirёpo i doli përballë Shëngjergji- dragoi i fuqishëm dhe me shigjetë e godet për vdekje kuçedrën. Ajo ditë u pagëzua me emrin e dragoit dhe në kujtim të tij çdo Shëngjergj bie gjithmonë shumë shi”- tregonte gjyshja e mbushur frymë. “Para Shëngjergjit nuk duhet të hysh nën hije, sepse nuk është e shëndoshë dhe mund të të kapnin ethet” kështu ishte krijuar bindja tek të gjithë. Këtë e përsërite gjyshja sa herë që kërkonim mbrojtjen nga dielli pёrcёllues. Ndodhte që në rrugët shpatmali të piqte dielli derisa e kaloje përpjetën, ndaleshe dhe s’bënte të hyje nën hije.
Dita e Shëngjergjit sillte fat atyre që zgjoheshin herët, para se të lindte dielli. Nënat ngriheshin para agimit dhe mbushnin kazanët me ujë të vakët ku venin hithra, i lanin fëmijët e pastaj me hith i preknin në trup. Luteshin për shëndetin e mirë dhe mbrojtje nga ligësitë gjatë gjithë vitin, duke nanurisur magjishёm “I shëndosh si hithi, i fortë si çeliku”
Kështu ishte spërkatur çdo vit Lauresha, por tani ishte rritur dhe përgatitej që nesër para agimit të zgjohej, të mblidh hithra përskaj avllisë, ti vente në ujë dhe t’u dëshironte shëndet e mbarësi të tjerëve deri në Shëngjergjin tjetër.
– Laureshë, Laureshë moj! – u dëgjua thirrja e Norës, e cila vinte oborrit dhe shikonte gjithandej sikur kërkonte njeri të humbur, apo njeri që duhej t’i thoshte diçka me rëndës.
– Ja ku jam, eja shkallëve- foli Lauresha i cila nga kati i kullës, vëzhgonte fshatin përballë në kërkim të një premtimi që sot e mundonte më shumë se zakonisht.
Në sytë e laureshës Nora dukej tjetër.
-Ç’kemi moj, përse dukesh kështu e shqetësuar?
Nora ngriti kokën, hapi sytë dhe vuri të dy duart mbi supet e Laurshës, e gëzuar tha: “Sokoli moj, Sokoli, ka ardhur. E takova duke kaluar kalldrëmit, por dukej i zbehtë në fytyrë. Ja letrën për ty”. Nxori letrën nga gjiri dhe ia drejtoj Laureshës duke shikuar me kujdes anash mos dikush e përgjonte.
Nata filloj të lëshon hijen e saj skajeve duke gllabëruar gjithçka. Vetëm yjtë ndrinin rreth hënës me fytyrën e saj e cila sonte dukej e qeshur. Dukej sikur edhe ajo i gëzohej Shëngjergjit. Ajo shihte të gjithë, i dinte të gjitha edhe kthimin e Sokolit, i cili kushedi ku gjendet tani kur gjumi i humbur nuk duket gjëkundi. Për një çast mbylli sytë dhe pa Dragoin me shigjetë drejtë kuçedrës kishte fytyrën e Sokolit i cili godiste si dikur Shëngjergji që shpëtoi ujin e tani binte rrëke nga qielli në mijëra zëra gurgullues së burimeve Bjeshkëqyqes, prej nga vinin ndarje legjendash ehistorish shekujve. Ndërkohë një meteor vizatoi ndriçimin gjerë poshtë kapakëve të dritareve, mbarimi i së cilit skuqi qiellin e kthjelltë në miliarda ndriçime.
– O zot, fshani Lauresha, ngadalë shqeu skajet e zarfit dhe me kujdes nxori letrën.
-Orkestra gjëmonte nën hijet e qarreve shekullore me tingujt që mbushnin luginën e rrethuar nga pylli me lisa të vjetër. Klarinetisti zgurdullonte sytë e mëdhenj e faqe të fryra veç sa nuk pëlcitnin.Guxhumi në dorën e djathtë të tupanxhiut përulej në lakimin e tij goditjeve të lëkurës e cila lëshonte gjëmimin e shoqëruar me dridhëset mes gishtave që vallëzonin mbi lëkurën e regjur nga rrahjet. Gjithçka frymonte gjallërues në lëndinën poshtë fshatit. Secili kishte sjell diçka të zbukuruar nga ringjallja e ngrohtësisë diellore të fillim majit, ku rendi i fshatarëve me kafshët e tyre të zbukuruara me kurora e vargje gjithfarë lulesh, bisqesh, tufash që vareshin në lloj-lloj ngjyrash, kumona e cingare, shirita pëlhurash e tjerrësh tregonin gjallërinë e Shëngjergjit. Gurgullima e lumit i fshehur pas mështeknave sfidonte flakën djegëse të kuçedrës hija e së cilës kishte mbetur shekujve me paraqitjen e saj të herë pas hershme Luginës së Dragoit.
Ashtu siç kishte shkruar në letrën e tij, Sokoli, qëndronte kaluar mbi gjokun pullali me qafën harkore ku jelja e tij fije-fije varej si ylber pranvere që pinte ujë përtej shtatë kodrave në Kroin e Mollës. Hingëllima e tij në vrapin përtej Shkëmbit me dy kalëruesit shkrihej gjithandej në jetën gjelbëruese. Shigjeta godiste shpellat e Lugajës prej nga Kuçedra nxirrte kokën moteve. Lauresha në prehrin e Dragoit kalëronte shtigjeve të rrëpirëta. Shëngjergji ishte aty. Gjithkund. Në dheun e bekuar dardan.

Besnik, korrik 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hazir Mehmeti, Shëngjergji

GJAKOVE-Organizohet sesioni shkencor mbi ripushtimin jugosllav pas LDB-së dhe qëndresën shqiptare

August 10, 2014 by dgreca

Nga Enver Sulaj/
Organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, të shtunën, më 9 gusht 2014, në hotel “Europa” në Gjakovë u mbajt sesioni XII shkencor “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe i trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe qëndresa shqiptare”. Në këtë sesion shkencor, ligjëruesit nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora shqiptare, përmes fakteve dhe argumentimit të mirëfilltë shkencor kanë hedhur dritë mbi zhvillime të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe pasojat që solli ripushtimi sllav. Sesioni i ka filluar punimet pas intonimit të himnit të flamurit tonë kombëtar dhe një rikujtimi në formë referati nga Nue Oroshi, nënkryetar i shoqatës „Trojet e Arbërit“, për për katër veprimtarët e ndjerë të kësaj shoqate, Mark Avdyli, Hajriz Demaku, dr. Pjetër Pepa dhe Mentor Quku, të cilët u ndanë nga jeta kohë më parë.
Larmia tematike, qasja origjinale dhe shtrirja problemore në tërë hapësirën etnike shqiptare ishin tiparet dalluesve të kumtesave të këtji sesioni. Një vend të dalluar në punimet e këtij sesioni zuri portretizimi i figurave të rezistencës sonë kombëtare antikomuniste, por edhe i familjeve të tyre, kontribut ky që për një gjysmë shekulli nuk u vlerësua drejt nga historiografia shqiptare. Poashtu u trajtua kontributi i gruas në lëvizjen antikomunsite, por edhe burgosja dhe tortuarat që ato iu nështruan, si Marie Shllaku, Kartarina Josipi etj. Nuk u la anash as kontributi i klerit dhe përjekjet që ai bëri për të ruajtur qenësinë tonë kombëtare përballë së keqes që po i kanosej vendit, si edhe puna e madhe që është bërë në mërgim nga shoqatat dhe organizatat e emigracionit shqiptar të të gjitha periudhave për çështjen shqiptare. Megjithëkëtë, u theksua nevoja që studiuesit në punën e tyre të gjitha çështjet e lidhura me këtë periudhë t‘i trajtojnë duke u mbështetur në metodologjinë shkencore, të udhëhequr nga faktet dhe argumentet e bollshme, duke mënjanuar qasjet përjashtuese dhe krijimin e polarizimeve në studimet historike, që do të ishte i panevojshëm dhe joprodhimtar.

Nuk u la anash edhe trajtimi i çështjes çame, që në këtë sesion u trajtua nga studiuesi i Institutit të Studimeve Çame, Ahmet Mehmeti.
Gjatë punimeve të sesionit pati referate që u vlerësuan edhe për kontributin në qartësimin e nocioneve shkencore kur flitet për këtë periudhë, por edhe për informacionet e panjohura më parë që për publikun e gjerë do të jenë me interes.

Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të më se 10 subjekteve politike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, si dhe të ftuar të shumtë, në mesin e tyre anëtarë të familjeve atdhetare që kanë kontribuar për çështjen kombëtare. Gjatë sesionit, prof. dr. Muhamet Shatri, kryetar i shoqatës „Trojet e Arbrit“ paraqiti propozimet drejtuar institucioneve shtetërore në vend që Instituti Albanologjik i Prishtinës të emërohet me emrin Instituti Albanologjik Anton Çetta. ndërsa Institut i Gjeografisë të emërohet me emrin e gjeografit të parë shqiptar profesor Ahmet Gashi. Në mesin e 85 ligjëruesve sa ishin paraparë në program, në këtë sesion u paraqitën prof.dr.Muhamet Shatri, prof. dr. Jahja Drançolli, Ahmet Mehmeti, dr. Riza Sadiku, dr. Izber Hoti, dr. Mehmet Rukiqi, mr. sci. Nue Oroshi, Tomë Mrijaj, Mentor Kaçi, Leonora Laçi, Selman Etemi, Artur Roshi, Sulejman Gjana, Frrok Kristaj, Prend Buzhala, Fatbardha Mulleti -Saraqi, Xhemal Meçi, Avni Bilalli, etj. Në fund të sesionit, para të pranishmëve nënkryetari i shoqatës mr.sci. Nue Oroshi lexoi një deklaratë programore ku paralajmërohet përgatitja e një memorandumi drejtuar fuqive të mëdha për bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët, marrja e një nisme kombëtare për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në trojet etnike shqiptare.
Shoqata “Trojet e Arbrit” ka kërkuar nga mekanizmat përgjegjës për sigurinë që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve, jo vetëm të Kosovës, dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit.

Filed Under: Histori Tagged With: gjakove, mbi ripushtimin jugosllav pas LDB-së dhe, Organizohet, qëndresën shqiptare, sesioni shkencor

VLORA DHE KOSOVA

August 10, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/* Gjakovë, 9 gusht 2014/
Dua të filloj këtë kumtesë me një pjesë të letrës që atdhetari, dhe personaliteti i shquar vlonjat, Ago Shero Agaj, e shkroi disa muaj para se të mbyllte sytë:
“O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram, dhe pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.”
Ishte dhimbja e thellë që Plaku i Vlorës ndjente për ndarjen e atdheut. Sot, në gjashtëvjetorin e realizimit të ëndrrës shekullore të bijve më të mirë të këtij kombi, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dua të them disa fjalë për dy nga bijtë më të shquar të qytetit tonë që kanë kontribuar në arritjen e kësaj dite, që ne përkujtojmë sot. Kanë qenë të shumtë ata burra që morën rrugën e Kosovës për të kontribuar në shkëputjen e saj nga thundra serbe. Por unë sot, për mungesë kohe, do të flas vetëm për dy prej tyre: Ago Agajn dhe Kudret Kokoshin.
Ago Agaj ishte një nacionalist i kulluar, që në rini të tij ëndërronte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ëndërr për të cilën luftoi gjithë jetën. Këtë ia përforcoi edhe më shumë qëndrimi në Kosovë me cilësinë e Prefektit të Mitrovicës. Duke përfituar nga ky rast ai e shfrytëzoi për të vizituar dhe njohur hollësisht këtë vend që e quante “Djepi i Shqiptarizmës”. Atje ai njohu Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, Gjakovën e Abdulla Pashë Drenit që zgjodhi vdekjen përpara humbjes së nderit, Plavën dhe Gucinë historike të Ali Pashë Gucisë, Cernalevën dhe Kaçanikun ku shkelqeu heroizmi legjendar i Isa Boletinit dhe Idriz Seferit, mençurine e devotshmërinë deri në vdekje të Hasan Prishtinës, Rugovën e viganëve kokë mbështjelle, si i quajti ai, Drenicën heroike të Azem Galicës. Njohu monumente të lashta të kulturës dhe historisë të atyre trevave, si tyrben e famshme të Ghazi Mestan Pashajt që përpara betejës iu lut Zotit që më parë t’i jepte fitoren dhe pastaj vdekjen si dhe Fushë-Kosovën ku Milloshi legjendar goditi për vdekje Sulltan Muratin e parë. Kështu ai u bë “Kosovari nga Vlora” . U rrit me dashurinë për Kosovën, u burrërua duke punuar për të, dha shpirtin me brengën se a do të vinte dita që ky vend të bashkohej me atdheun nanë? Atij i dhimbte zemra për gjakun e derdhur, për lotët, djersën e atyre që shpëtuan nga vdekja. Ai ishte i mendimit se një Shqipërie të bashkuar nuk do mund t’i kanosej asnjë rrezik pushtimi nga të huajt, se gjokset e pesë ose gjashtë milion shqipëtarëve do të dijnë t’i bëjnë ballë kujtdo. Por ai ishte në pritje të një burri, të një Skënderbeu të ri që do ta kryente këtë bashkim. Ago Agaj shkruante:
“Ai që do të kurorëzojë këtë bashkim do të realizojë themelet e hedhura në Vlorë më 1912 dhe 1920. Ai do të jetë Burri më i madh i historisë shqipëtare.”
Më 17 prill 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u pushtua dhe u coptua. Atëherë Xhafer Deva bëri përpjekje të organizonte administratën e Mitrovicës, e cila ruante statusin e “Autonomisë” nën juridiksionin gjerman, me nëpunës kryesisht shqiptarë. Për këtë kërkoi ndihmë nga Tirana. Ndër të parët që erdhën ishte Ago Agaj që u emëruar Prefekt i Mitrovicës. Ai filloi menjëherë shqiptarizimin e administratës. Kryetar gjyqi caktoi Shefqet Shkupin, prokuror Kudret Kokoshin, Komandant xhandërmarie Bajazit Boletinin, djalin e Isa Boletinit e të tjerë. Kishte vetëm disa ditë që kishte mbërritur në Mitrovicë, kur u bë dëshmitar i gjykimit të tre shqiptarëve që akuzoheshin se gjoja kishin vrarë disa ushtarë gjermanë. Duke dëgjuar gjyqin vuri re se përkthyesi nuk përkthente mirë, duke i çoroditur gjykatësit. Atëherë foli gjermanisht:
“Zotnia nuk po përkthen mirë!”
Gjyqtarët e dëgjuan dhe e pyetën se kush ishte. Ai u tregoi dhe shpjegoi gjithçka. Iu lutën që të përkthente ai. Me oratorinë e tij bëri të mundur lirimin e tre shqiptarëve. Në qershor të vitit 1944 u mbajt mbledhja e dytë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbledhja e parë ishte mbajtur më 16 shtator 1943. Ago Agaj ishte delegat i saj. Në këtë mbledhje u zgjodh Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit me këtë përbërje:Bedri Pejani, kryetar (i dënuar nga gjyqi partizan), Musa Shehzade, nënkryetar (i pushkatuar), Nexhip Basha, Sylejman Akshia, Esat Berisha (i pushkatuar), Mahmut Basha, Rexhë Meta, Ekrem Jegeni, doktor Agolli, Asllan Bolentini dhe Isa Çavolli antarë. Qëllimi i formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishin përpjekjet e nacionalistëve kosovarë dhe shqiptarëve të atdheut mëmë, për të penguar tradhtinë e komunistëve që bënin pazare për t’ia rikthyer përsëri Kosovën martire padronëve të tyre, serbomëdhenjve. Ago Agaj i ka kushtuar Kosovës dy nga librat e tij: “Milloshi, heroi i Kosovës” dhe “Xhafer Deva – jeta dhe veprimtaria”. Ndërsa në të parën vë në pah kombësinë shqiptare të heroit që vrau sulltan Muratin, në të dytën, siç kuptohet edhe nga titulli, bënë një analizë të hollësishme të atdhetarit dhe antikomunistit të shquar kosovar dhe gjithë Shqipërisë. Ja si shkruan Mexhit Yvejsi për të:
”Isha duke lexuar në bibliotekën e teqesë kur erdhi Baba Rexhebi e më tha me përzemërsi: “Mexhid, të lutem, lëre librin pakëz, eja me mua”. Më muarr për dore dhe zbritëm në kuzhinën e teqesë, ku Ago Agaj ishte duke pirë kafe me Dervish Arshiun e Baba Bajramin, dhe më tha: “Ja, ky është z.Aga Agaj, kosovar nga Vlora”! Të gjithë qeshëm…Atëherë iu drejtue z.Ago duke i thanë: “Ky djalë është Mexhid Yvejsi, nga Gjakova, vendlindja e Baba Bajramit…” Në fillim nuk e kuptova, as që kisha idenë se si mund të quhet një vlonjat kosovar…!Por, brenda ditës, në muhabet e sipër, mësova aq shumë prej tij, sa nuk e përmbledhë anjë enciklopedi…!Në mbrëmje, z.Aga Agaj më dha dorëshkrimin e librit :“Miloshi Heroi i Kosovës” duke më thënë: “Lexojeni e pastaj bisedojmë!” E lexova brenda natës, nuk fjeta tërë natën! Një libër i vogël, por me vlerë të madhe…Të nesërmen ia dorëzova, duke i thënë: “Marsh’Allah! Të ’lumshin duert”! Atëherë, z.Ago më thotë: “Lum qofsh! A keni mundësi me më ndihmue rreth librit, para se ta botoj? Më duhen disa fotografi nga vendi i ngjarjes, ku u zhvillue Beteja e Kosovës”..? “Kjo punë u krye”, – iu përgjigja! U gëzue shumë e më përqafoi fortë! Brenda muajit më erdhën nga Amserdami mbi tridhjetë fotografi në një zarfë, që i kishte fotografue një shokë i imi , atëherë student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës,
Ndërsa më poshtë Mexhit Yvejsi Vazhdon:
Ndërrojmë temën e bisedës. Ago Agaj ka dëshirë t’i rikthehet Kosovës. Si zor të ketë tjetër dëshmitar të gjallë që mund të përshkruajë gjendjen e kësaj treve nën pushtimin gjerman, apo luftërat e Shaban Polluzhës kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviçit. Bashkëbiseduesi ynë ka marrë pjesë vetë në luftë dhe i ka parë me sy tmerret e saj. Ka qenë në krye të administratës së Mitrovicës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Xhafer Devës Desha me këtë rast që edhe juve t’ju rrëfej për trimëritë e kosovarëve kundër serbëve, sidomos të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Burra të mirë e trima kanë qenë. Kemi luftuar bashkë. Kur unë isha prefekt i Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjermanët erdhën në Kosovë, këta patriotë më erdhën në ndihmë, se Mitrovica nuk mund ta bënte vetë luftën. Ja, edhe këtu i ke në libër, – tha Agaj duke më zgjatur librin “Xhafer Deva – Jeta dhe veprimtaria”. Gjithë veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, ai e ka përshkruar me një stil të ngrohtë në disa faqe libri. “Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën”, fillon shkrimi i tij dhe vazhdon: “Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor – martir i shqipëtarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”. Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën. Kur ajo u bashkua me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë, pjesa më veriore e saj, prefektura e Mitrovicës, kishte mbetur si provincë autonome nën Serbinë. Kjo provincë përfshinte dhe tri nënprefektura: Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri me popullsi shumicë shqiptare. Shkaku që ajo ishte shkëputur nga Kosova qenë minierat e pasura të Trepçës, për të cilat Gjermania, sidomos gjatë luftës, kishte nevojë të madhe dhe nuk mund t’i linte në dorën e Italisë që sundonte Shqipërinë bashkë me Kosovën, pas bashkimit të tyre. Autoritetet gjermane, të nxitura energjikisht nga Xhafer Deva, i kishin akorduar kësaj province shqiptare që drejtohej nga Ferhat Draga, Rexhep Mitrovica e Bedri Pejani, një autonomi, e cila ekzistonte në kartë, por nuk ishte vënë asnjëherë në zbatim për shumë arsye. Një nga shkaqet ishte mungesa e elementit shqiptar të përgatitur për administratë. Ago Agaj me një grup specialistësh vullnetarë nga Shqipëria si, veterinerë, doktorë, mësues, nëpunësa finance etj., vendosën të shkonin atje për të ndihmuar në organizimin e prefekturës.
Më 24 dhjetor 1994 në Clearëater të shtetit Florida në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pushoi së rrahuri zemra e Ago Agajt. U zhvillua një ceremoni funebre madhështore. U mblodhën shqipëtarët nga të gjitha anët e Amerikës, ashtu si ishin mbledhur më 1949 kur përcillnin në banesën e fundit Mit-hat Frashërin, ashtu si kishin ardhur sa herë pushonte së rrahuri zemra e ndonjërit prej atyre që jetën ia kishin kushtuar kombit, por që kombi i kishte harruar në dhe të huaj. Më lejoni që, për të përfunduar me këtë figurë të shquar, të lexoj pak fjalë nga letra që citova në fillim, shkruar disa muaj para se të ndërronte jetë:
“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës time. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshëron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqet rrezik edhe për Shqipërinë. Pra unë, kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën!” /////////////////
Një figurë tjetër e madhe e qytetit që ka kontribuar në rrugën e gjatë të pavarësisë së Kosovës është edhe ajo juristit, poetit dhe përkthyesit brilant Kudret Kokoshi. Ai i përkiste një familje të njohur qytetare vlonjate, me tradita dhe kontribut të shkëlqyer në tastierën e historisë kombëtare shqiptare., duke arritur majën më të lartë me përfaqësuesin më në zë të saj, firmëtarin e aktit të pavarësisë më 1912, njërin nga udhëheqësit e Luftës së Vlorës më 1920, nacionalistin e shquar, mbyllur sytë i dënuar nga komunistët, në burgun e Vlorës më 1946, Qazim Kokoshin. Kalvari i familjes Kokoshi do të vazhdonte dhe më gjatë. Dy të pushkatuar nga diktatura, Abdyli dhe Metua. Një i rënë në luftën me okupatorët italianë, Astriti. Shtatë të dënuar politikë Kudreti, Engjëlli, Burimi, Fatoshi, Hasani, Seiti dhe Dinushi, të gjithë me mbi dhjetë vjet burg Si shumë shqiptarë nacionalistë të tjerë, Kudret Kokoshi mendonte se një Shqipëri e coptuar dhe e ndarë, pa Kosovën dhe Çamërinë, nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë synimeve shoviniste të fqinjve grabitqarë që prisnin rastin më të vogël për të gllabëruar këtë komb, i cili nuk e kish ulur kokën as në çastet më të vështira të historisë. Kështu pranoi pa hezitim propozimin e “Apostullit të shqiptarizmës”, Mitat Frashërit, për të shkuar në Kosovë, sipas kërkesës së Prefektit të Mitrovicës, Ago Agaj. Emërohet Kryeprokuror i Shtetit. Para vetes i dalin shumë detyra të vështira. Duhej organizuar sistemi i drejtësisë me kuadro shqiptare, që deri në atë kohë mungonin krejt. U end nga qyteti në qytet për të realizuar këtë qëllim. Rezultatet filluan të shfaqen shpejt. Drejtësia kosovare filloi të hyjë në një etapë të re. Fryma shqiptare mbizotëronte kudo. Ndihmoi pa u lodhur shqiptarët e asaj krahine në zgjidhjen e problemeve gjyqësore. Bëri të mundur shfuqizimin e disa vendimeve të padrejta dhënë në dëm të tyre. Organizoi takime midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre që kishin ardhur me punë nga Shqipëria, ku diskutoi për të ardhshmen e kësaj krahine dhe të gjithë Shqipërisë. Më 28 nëntor 1942 ishte në ballë të demostratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri kosovar të xhandërmarisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja, duke e hequr nga kthetrat e milicisë që, megjithse i plagosur, vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja dhe me plagë në kokë, ky kosovar atdhetar e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua. Gushti i vitit 1943 e gjeti në Mukje, si pjesëmarrës i konferencës historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime të tradhtisë së madhe. Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkoi në Kosovë, ku vazhdon veprimtarinë e tij intensive. Ishte i palodhur kur fjala ishte për atdheun dhe ai me fjalën atdhe nënkuptonte edhe Kosovën. Pas pak kohe arrestohet nga gestapoja dhe u internua në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe në kufirin Austro-Hungarez.U lirua pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit, e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar frances, pronarit të uzinës së makinave “Renault”, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës u spiunua nga agjentët e UDB-së. E arrestuan dhe të lidhur ia dorëzuan Shefqet Peçit në kufirin shqiptar. Kështu filloi Kalvari i gjatë i burgut komunist që do të vazhdonte për 20 vjet, por që s’do ta mposhte kurrë karakterin e tij burrëror. Kudret Kokoshi vdiq më 26 maj të vitit 1991, kur sapo kishte filluar të linde demokracia e re, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:
“Unë po vdes, oh. le të vdes, Vetëm shqipja le të rrojë!”
Personalisht u njoha me të shumë vonë, pasi doli nga burgu. Por personalitetin e tij e kisha njohur qysh kur isha fëmijë, kur im atë, mik i familjes së tyre, e quante “më të diturin e Kokoshajve”, kur ime motër, mësuese letërsie, më lexonte fshehurazi vargjet e tij. Por më tepër e njoha në ato vite burgu, kur duke u endur nga njëri kamp në tjetrin, megjithëse nuk pata fatin ta takoja asnjëherë personalisht, emrin e tij e gjeja gjithmonë përpara. Për të më fliste Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Patër Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Avdurrahman Kreshpa dhe Tahir Hoxha, Engjëll Kokoshi, dhe Meçan Hoxha Vargjet e tij i kishin mësuar përmendësh pothuajse të gjithë moshatarët e mi. Ato na jepnin forcë dhe shpresë për të ardhmen.
Nuk do ta harroj kurrë atë natë shtatori të vitit 1955 në kampin-burg të Bulqizës. Me nismën e mikut të tij, doktor Isuf Hysenbegasit, organizuam fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar tridhjetepesë vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte çaji i ftohtë pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e poetit. U deklamuan “Toto Bolena”, “Epopeja”, “Luftëtarit të Kombit”, “Vegimi epik”, “Vlorës”, “Këngën më të bukur këndoj”, “Spartaku”, “Neroni”, “Nënës” dhe “Gruas shqiptare”. Mua më caktuan të recitoja poezinë “Një ditë vjeshte”:

Unë pashë një ditë vjeshte, një flamur bër çika-çika
Një flamur me shkab’ të zezë, që qe prer me njëmijë thika.
Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar
I përcjell nga disa burra, që të gjith duke kënduar.
E përcillnin njëmijë trima, me shkopinj e krrabë në dorë,
Kryet lidhur, gjokset thyer… un i pashë një ditë në Vlorë
Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,
Që i dhanë fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!
Oh, thanë zemrat, oh, sa bukur përmbi Vlorë shkaba valon!
Unë pashë një ditë vjeshte, epopen e kombit tonë!

Natyrisht, atë natë përfunduam të gjithë në qeli.
Kështu ai u rrit në imagjinatën time rinore si një Ante që merrte forcë nga toka qe e kishte lindur, si një Promete që sfidonte diktaturën, si një Danko që shkulte zemrën e tij për t’i ndriçuar rrugën popullit të vetë.
Lidhur me sa thashë më lart, prisja vlerësimin e këtyre figurave të nacionalizmit nga autoritetet përkatëse shqiptare. Për këtë Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, qysh në vitin 2012 i drejtoi Presidentit të Republikës, propozimin për dekorimin e tyre me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, por kërkesa ra në vesh të shurdhër. Një kërkesë të tillë përsëriti edhe ish Ministri i Kulturës së Shqipërisë, ish i dënuari politik, poeti i mirënjohur Visar Zhiti në vitin 2013, por, përsëri, veshët ishin të shurdhër. Në të kundërt, çuditërisht, me këtë titull u nderuan ata që Kosovën martire ua dorëzuan pushtuesve serb. Si shembull sjell këtu dekorimin me titullin “Nderi i Kombit”, të njerit nga përgjegjësit e masakrës së Tivarit, “hallvaxhiut”, komandantit te njësiteve guerile që urdhëronte vrasjen e nacionalistët të shquar vlonjatë gjatë periudhës së luftës, ish gjeneralit komunist, Rahman Perllaku. Përse? Po mundën le të përgjigjen.

Më 17 shkurt 2008 pata fatin të isha në Kosovë, për të kremtuar së bashku me vëllezërit tanë ditën e shenjtë të pavarësisë. Kudo shihja fytyra të ngazëllyera nga lumturia. Shihja burra të moshuar që qanin. Qanin nga gëzimi, por qanin edhe nga dhimbja për mijra të rënët gjatë rrugës së gjatë të pavarësisë. Një parullë e madhe e vendosur në çdo skaj të Prishtinës shkruante:
“Bacë, u kry!”
Kosova kujtonte bijtë e saj të rënë në luftën për liri dhe pavarësi. Bashkë me ta edhe unë kujtoja bijtë e Shqipërisë etnike të rënë në luftën e gjatë për liri dhe pavarësi. Në ato ditë të paharruara m’u duk vetja sikur isha në Vlorën time të vitit 1912, përkrah Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, përkrah Mit-hat Frashërit dhe Rexhep Mitrovicës si dhe gjithë atyre burrave të shquar që bënë të mundur krijimin e shtetit shqiptar.
Ju faleminderit!
*Kumtesë mbajtur në sesionin XII shkencor,organizuar nga shoqata “Trojet e Arbërit”, me temë: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës e i viseve të tjera (1944) dhe qëndresa shqiptare”, në Gjakovë më 09.08.2014./

Filed Under: ESSE Tagged With: reshat kripa, VLORA DHE KOSOVA

VEZIR ADEMAJ, DESHMORI I KOSOVES NDEROHET NE NJU JORK

August 10, 2014 by dgreca

Nju Jork : Asambleja dhe Bashkia – nderoi me Proklamatë; dëshmorin e lirisë së Kosovës, Vezir Ademaj/
Me rastin e rënjes së tij – dëshmori i lirisë së Kosovës, Vezir Ademaj – u nderua me një Proklamatë dhënë nga Anetari i Keshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, Ritchie Torres, të sponsorizuar nga Shoqëria Shqiptaro – Amerikane me President Easd Rizain – së bashku me proklamatën e Asamblesë së Nju Jorkut, me sponsorizmin e asambleistit shqiptar, në Albany, zotit Mark Gjonaj/
Nga BEQIR SINA, New York City/
NEW YORK CITY : Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane dhe të Bijve dhe Bijave të Shqipëria në Amerikë, “Sons and Daughters of Albania in America”, kanë disa vite prej krijimit të tyre – që në metropolin e botës qytetin e Nju Jorkut – Bashkinë e saj, po nderojnë dhe respektojnë me rastin e datave të shënuara për kombin shqiptar, disa veprimtarë të dalluar në diasporë, si edhe të disa figurave të tjera të kombit, të cilët prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, i dhanë aq shumë kombit tonë – luftuan dhe punuan për demokracinë në Shqipëri, si dhe dhanë një kontribut të çmuar për një Kosovë të lirë e të pavarur, zgjidhjen e çështjes shqiptare në tokat e tyre.
Për këtë qëllim, në vijim të aktiviteteve Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane dhe të Bijve dhe Bijave – Shqipëria në Amerikë, “Sons and Daughters of Albania in America”, me President zotin Esad Rizai – të cilët kan sosnsorizuar çdo vitë në Bashkinë e Nju Jorkut, disa respektime dhe nderime – por në mandatin e parë të tij – edhe anëtari i Assemblesë së shtetit të New Yorkut, zoti Mark Gjonaj – nëpërmjet Asamblesë së Nju Jorkut, me Proklamatë – e cila është nderimi më i lartë në Nju Jork – ka nderuar 28 nëntorit Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe disa personalitete – shoqata dhe organizata, individ të ndryshëm në të gjitha komunitetet e distriktiti 80-të – përfshirë edhe shqiptarët.
Kurse kësaj rradhe me rastin e rënjes heroike – 25 korrikut 1998, të dëshmorit të UÇK – ës, i rënë për lirinë e Kosovës – gjatë luftimeve të ashpëra- ku në atë ngjarje të paktën 7 shqiptarë ishin vrarë në Junik që nga fillimi i atyre luftimeve, të cilat nisën me luftën për çlirimin e Kosovës, u nderua nga dy institucionet më të larta të qytetit – Bashkia dhe Asambleja e Nju Jorkut, dëshmori Vezir Ademaj – i njohur në luftë me emrin “Alfredi”- në shenjë respekti dhe përkujtimi për këtë datë.
Me rastin e rënjes së tij – dëshmori i lirisë së Kosovës, Vezir Ademaj – u nderua me një Proklamatë dhënë nga Anetari i Keshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, Ritchie Torres, të sponsorizuar nga Shoqëria Shqiptaro – Amerikane me President Easd Rizain – së bashku me proklamatën e Asamblesë së Nju Jorkut, me sponsorizmin e asambleistit shqiptar, në Albany, zotit Mark Gjonaj.
Ceremoni zyrtare e marrjes se dy proklamatave, e cila u zhvillua në sallën qendrore të Bashkisë së qytetit më të madh në SHBA – New York, më 25 korrik në prezencën e anëtarit të Këshillit Bashkiak Ritchie Torres dhe stafit të tij si dhe të përfaqësuesit zyrtar të zyrës së asamblesitit të Nju Jorkut, zotit Mark Gjonaj, u shoqërua me prezencën e zyrtarve të kësaj bashkie me fjalime rasti. Ajo ishte një ceremoni e thjesht – por dinjitoze, ku mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Çamëria, anëtari i një familje të martirizuar çame, zoti Sali Bollati, si dhe televizioni Albanian American News TV- me pronar dhe drejtor z. Skender Pali.
Në proklamatën e Anetarit të Keshillit bashkiak të Nju Jorkut, Ritchie Torres dhe në atë të Asambelesë (Kuvendit) të Nju Jorkt, motivacionin e saj thuhet :
Se: “Vezir Ademaj u lind më mars 1971 në Sheremetaj fshatit pranë Gjakovës, në Kosovë, në një shtëpi prej guri të njohur si Kullë, një perlë arkitektonike nga ato të shekullit të XVIII-të e cila ka qenë një fortesë natyrore për kryengritësit lokale kundër pushtuesve të huaj. Kur ishte i ri, Veziri emigroi në Zvicër, thuhet në proklamatë për të shmangur shërbimin e tij në ushtrinë serbe – isj jugosllave, i cili kishte kryer krime kundër njerëzimit në Kroaci dhe Bosnje., Ndërsa, si një emigrant, ai ka punuar shumë për të mbështetur familjen e tij dhe kthehet në Kosovë , megjithëse kishte ndjekur një karrierë në kickboxing, për t’u bërë kampion i Zvicrës dhe më pas kampion i Evropës, Ndërsa : Vendi i tij – Kosova u zhyt në luftë, si rezultat i masave ekstreme represionit nga regjimi i diktatorit famëkeq serb Sllobodan Millosheviç, Vezir Ademaj u kthye për t’u bashkuar me luftëtarët në rezistencën lokale në mbrojtje të popullatës civile, duke dhuruar për luftën që sapo kishte nisur të gjitha kursimet e tij për kauzën dhe të ofruar aftësitë e tij sportive për trajnimin e të rinjve që qenë vullnetarë për të luftuar .

Kulla e tij – shtëpia e tij u bë edhe një herë një qendër për rrjetin nëntokësor për njësitë e para të sapolindur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ai u gradua komandant i Njësisë Komando të Zbulimit të Zonës Operative të Dukagjinit,
Në Proklamatë thuhet se ndërsa : Vezir Ademaj vdiq si një hero për kauzën, kur pas një beteje të armatosur në Kallavaj, afër Junikut, më 25 korrik 1998, ai refuzoi të largohet, duke marrë nga fronti një mik të plagosur për të mos e lënë të bjerë në duart e armikut. Ndërsa: Kosova u çlirua në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Ajo është sot një vend sovran, një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, si dhe një aleat besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vezir Ademaj – është shpallur një martir i Kosovës, shkollës në Sheremetaj, ku ai dikur ka studiuar dhe ëndërruar për t’u bërë një mësues sot mban emrin e tij; dhe Kulla, ku familja e tij jetoi për shekuj me radhë është bërë një muze historik i asaj ane për të treguar brezave jetën tij dhe dhe të rezistencës dhe të traditës kombëtare.
Vëllai i tij, Dr Hasan Ademaj këtu në Nju Jork, është sot një aktivist i respektuar dhe i suksesshëm mjek profesional dhe në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në New York, ku sakrifica kurajoze e vëllait të tij dëshmorit Vezir Ademaj – i njohur në luftë me pseudonimin “Alfredi”- le të shërbejë si një frymëzim për të gjithë. dhe një përkushtim për kauzën e lirisë dhe demokracisë – pavarësinë e Kosovës.”
“Ata luftuan duke bër sakrifica sublime deri sa edhe u flijuan për lirinë – çlirimin e Kosovës nga tirrania sllavo serbe – sundimi i egër sllavo – komunist, andaj duhen nderuar, respektuar dhe përkujtuar jo vetëm nga ne shqiptarët, por edhe opininioni amerikan – përfaqësuesit e institucioneve amerikane. Kurse, neve na mbetet vetëm t’i nderojmë për jetë, të përulemi para veprës së tyre, sakrificës sublime – për të gjithë ata dëshmorët të lirisë. Se, vetëm atëherë, të rënët për Kosovën, do prehen të qetë dhe brezat që e gëzojnë sot lirinë do ta kenë ndërgjegjen e pastër kombëtare”, tha Easadi Rizai, presidenti i Fodnacionit Shoqëria Shqipatro Amerikane.
Kurse, veprimtari i dalluar i çështjes së Çamërisë në SHBA – zoti Sali Bollati, në këtë ceremoni, u shpreh :” Me këtë rast duhet të falenderojmë Bashkinë e Manhattanit, qyteti më të madh në vend – Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane me President zotin Esad Rizai, dhe anëtarin e Assemblesë së shtetit të New Yorkut, zotin Mark Gjonaj – që janë duke nderuar disa prej figurave të ndritura të kombit tonë, nga ky metropol gjigand si Manhattani, i cili, për çdo vjet po nderon Shqiperinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë….Për, mendimin tim vazhdoi Bollati, “në menyrë të veçantë, ky është një nderim që i bëhet gjithë komunitetit shqiptaro-amerikanë, të cilët, janë krenarë me identitetin dhe kulturën e tyre entike shqipëtare, por janë po ashtu shumë krenarë që i takojnë kombit te madh amerikan, i cili e ka dëshmuar madhështinë e tij në mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë, në krijimin e saj dhe përpjekjeve të Kosovës për liri dhe pavarësi….”
Në fund vëllai i dëshmorit, Dr Hasan Ademaj një dentist i njohur dhe kirurg i cili praktikon profesionin e tij në një lagje të njohur emgirantësh shqiptar në Bronx, veprimtar i komunitetit, e ka vlersuar lart nderimin që i kan bërë vëllait të tij të martirizuar, me rastin e rënjes së tij në Bashkinë e qytetit të Nju Jorkut.
Ai me këtë rast u shpreh se dëshironte të faleminderojë në emër të tij dhe familjes Ademaj – ngrohtësisht anëtarin e këshillit të bashkisë së Nju Jorkut, zotin Ritchie Torres, dhe stafin e tij – Presidentin e Bronxit Ruben Diaz, dhe ish Presidentin e qytetit të Manhattanit, Scott M.Stringer, dhe posaçërisht, sponsorizuesin e këtyre proklamatave, zotin Esad Rizai dhe asamblesitin shqiptar në Asamblenë e Nju Jorkut – zotin Mark Gjonaj.
“Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane dhe të Bijve dhe Bijave – Shqipëria në Amerikë, “Sons and Daughters of Albania in America”, me President zotin Esad Rizai , thotë dr Hasan Ademaj, duhet përgëzuar dhe falenderuar se për vite me rradhë, ai ka sponsorizuar nëpërmjet institucioneve të larta njujorkeze, vlerësimin dhe nderimin që u është bërë, shqiptarëve si në atdhe dhe diasporë, në data të shënuara për shqiptarët, përfshirë legjendën për lirinë e Kosovës, Adem Jashari, presidentin e parë të Kosovës Rugovën, Isa Boletinin dhe Tahir Sinanin – një luftëtar i shquar për lirinë e trojeve shqiptare(pjesëmarrës në 3 lufta), si dhe dëshmorin e lirisë Luan Haradinajn, e të të tjerë, figura të ndritura të kombit shqiptar në vite”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: DESHMORI I KOSOVES, nderohet, ne Nju Jork, Vezir Ademaj

REMINISHENCË E MAGALI IDESË

August 10, 2014 by dgreca

Koço Danaj: Greqia reagon për marrëveshjen detare në reminishencë të Megali idesë, me Himarën dështoi për të ndërhyrë në punët tona të brendshme/
Nga Joana Tafa/
Kryetari i “Lista për Shqipëri Natyrale”, Koço Danaj, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka komentuar qëndrimi e palës greke sa i përket shitjes së detit dhe reformës territoriale, thirrjet antishqiptare të Greqisë, inferioritetin e politikës greke ndaj asaj shqiptare, si dhe problemin e çështjes çame, një problem që mbetet ende i pazgjidhur. Ndërsa pak ditë më parë Prokuroria hapi dosjen për marrëveshjen detare, Greqia doli hapur në mbrojtje të një prej kryenegociatorëve kryesorë Lulzim Basha. Në këtë kuadër, Danaj e ka konsideruar këtë qëndrim të palës greke si një reminishencë e Megaliidesë greke që herë pas here shfaqet në Greqi sa herë ajo ka probleme me fqinjët. Sipas Danajt, politika greke sillet ndaj Shqipërisë si “aneks” i Agimit të Artë. Ai tha se politika greke është inferiore përballë Shqipërisë dhe politikës së saj, dhe sipas kreut të “Lista për Shqipëri Natyrale”, Greqia duke mos e përballuar këtë politikë me metoda bashkëkohore, ka thërritur në ndihmë Megaliidenë e Janis Koletisit të para 165 vjetëve. Ndërsa sa i përket pretendimeve të Athinës për ndarjen territoriale, kryesisht për Himarën, Danaj tha se janë një përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi sovran.

Si e shikoni reagimin e Greqisë për marrëveshjen detare. A është kjo një ndërhyrje në punët e brendshme dhe cenim i sovranitetit?

Po, nuk është asgjë tjetër, veçse një reminishencë e Megaliidesë greke që herë pas here shfaqet në Greqi sa herë ajo ka probleme me fqinjët. Po ju sjell një shembull, qeveria greke, institucionet e drejtësisë greke kanë hapur një proces brenda vendit kundër deputetëve dhe militantëve të Agimit të Artë. Dhe kjo është shumë pozitive. Por…e njëjta qeveri në marrëdhëniet me fqinjët, pra edhe me Shqipërinë, sillet sikur të ishte aneks i Agimit të Artë. Ndërsa, lidhur me sovranitetin e Shqipërisë, Greqia është e paaftë dhe e ka të pamundur ta cënojë atë.

A mendoni se politika shqiptare është më inferiore se politika greke?

Jo, nuk e mendoj një gjë të tillë. Më inferior është ai që në marrëdhëniet me fqinjët përdor kode politike të para 100 vjetëve. Pra është politika greke që është inferiore përballë Shqipërisë dhe politikës së saj. Dhe duke mos e përballuar këtë politikë me metoda bashkëkohore, “thërret” në ndihmë Megaliidenë e Janis Koletisit të para 165 vjetëve.

Si i shikoni pretendimet e Athinës për ndarjen territoriale, kryesisht për Himarën?

Si një përpjekje të dështuar për të ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi sovran. Por që dështoi pa arritur të formësohet qoftë edhe si përpjekje.

Sipas vlerësimit tuaj, çfarë zgjidhje duhet t’i jepet çështjes çame dhe sa janë shanset për zgjidhjen e saj?

Është tashmë një problem i shtruar për zgjidhje dhe do të zgjidhet në përputhje me normat dhe klauzolat e marrëdhënieve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka një problem që duhet evidentuar më hapur nga politika shqiptare dhe politologjia shqiptare. Greqia përballë problemit të Çamërisë, ndodhet përballë dy problemeve të mëdha. Problemi i parë ka të bëjë me faktin se duke e njohur si çështje të pazgjidhur, do ti duhet të pranojë gjenocidin që ushtroi në vitin 1944, pra duhet të pranojë të dënohet si çdo shtet që ka kryer gjenocid. Dhe problemi i dytë, ka të bëjë me territorin, ajo do të detyrohet të lëshojë një pjesë të territorit që ja ka grabitur padrejtësisht Shqipërisë. Nocioni “Çamëri” nuk mund të eliminohet duke e quajtur “Thesproti”, ashtu si Qafa e Botës në Konispol nuk mund të tjetërsohet duke e quajtur “Mavromatis” (Syri i Zi”)

Cili është komenti juaj për thirrjet antishqiptare të komandove grekë?

Si një tregues konkret i shndërrimit të qeverisë greke nga qeveri demokratike në aneks i Agimit të Artë kur vjen puna e marrëdhënieve të saj me fqinjët, veçanërisht me Shqipërinë.

Sipas mendimit tuaj, cilët janë faktorët nxitës të linjës antishqiptare në Greqi?

Ekzistenca e doktrinës së Megaliidesë në thelbin e politikës greke sa herë që flitet për Shqipërinë. Shteti grek është shtet Teokratik dhe politikanët e tij e dinë fare mirë se ata nuk janë pasardhës të helenëve, pavarësisht përpjekjeve të mbretit të parë të tyre, gjermanit Oton. Prandaj ata janë xhelozë kur shikojnë se ngjitur me ata, ekziston një shtet dhe një shoqëri siç janë shqiptarët që vazhdojnë të kultivojnë Pluralizmin e Zotave njësoj si dikur në lashtësi, njësoj si helenët e lashtë. Grekët ë sotëm dhe politikanët e tyre kanë më shumë libra historie, shqiptarët e sotëm dhe politikanët e tyre kanë më shumë histori reale që vjen qysh nga lashtësia. Ky është thelbi i antishqiptarizmit të tyre.

Si e shikoni faktorin shqiptar në rajon në raport me atë serb dhe grek?

Faktorin shqiptar që nga Presheva në Prevezë, që nga Durrësi e deri në Shkup e shikoj si faktorin kryesor paqebërës të rajonit. Ndërsa faktorin sërb dhe atë grek, si faktorin kryesor destabilizues në rajon. Uroj ta kuptojnë këtë sa më parë në Berlin, Uashington dhe në Bruksel. Ashtu siç uroj të civilizohet edhe politika greke e ajo serbe. Nga ky civilizim i tyre, rajoni do të ketë përfitim të madh.

-Ku ndryshon Shqipëria Natyrale nga Shqipëria e Madhe?

Shqipëria e Madhe, e para është një apelacion nazisto-fashist, që lindi pas marrëveshjes Çiano- Ribetrop të tetorit të 1941-it, pasi ishte pushtuar i tëri Ballkani. Sipas kësaj marrëveshjeje, u vendos që një pjesë e trojeve shqiptare, si Presheva, Bujanovski, Kumanova, Kaçaniku, t’i jepeshin Bullgarisë së Madhe. Veriu i Kosovës t’i jepej Serbisë. Pjesa tjetër u quajt Shqipëria e Madhe. E para, nuk është Shqipëria e Madhe në kufijtë e saj Natyrorë. E dyta, është një apelacion nazisto-fashist. Ndërsa Shqipëri Natyrale, do të thotë që, Shqipëria të jetë në kufijtë e saj natyrorë, të cilën e shpallën zyrtarisht, me akt juridik ata 40 burra në Kuvendin e Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Dhe këtë akt juridik të Nëntorit 1912 nuk është çështja që Fuqitë e Mëdha e diskutuan dhe e hodhën poshtë. Përkundrazi. Nuk e mori fare parasysh. Ne kërkojmë një të drejtë, si çdo komb tjetër. Që hajdeni, të ulemi e ta diskutojmë. Nëse ky akt juridik, ju, bashkësia ndërkombëtare, nëse keni dokumente, le ta hidhni poshtë dhe ne le të pranojmë këtë Shqipëri artificiale që është sot. Por, nëse argumentet janë në favorin tonë, atëherë, do të na jepni ne, shqiptarëve të drejtë. Eduard Grej thotë në kujtimet e tij: “Ne i copëtuam kufijtë e Shqipërisë me të drejtën e forcës të së madhit, mbi të voglin”. Sot jemi në një kohë tjetër e flasim me forcën e së drejtës, forcën e argumenteve. Për forcën e fakteve. Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta lejojë Shqipërinë Natyrale, dhe ta ketë të qartë, që vetëm kjo Shqipëri Natyrale e qetëson dhe e stabilizon paqen në Ballkan. Joana Tafa

Filed Under: Interviste Tagged With: E MAGALI IDESË, Koco Danaj, REMINISHENCË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT