• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Shqiptaro-amerikania, Elizabeta Pllumbi, “Miss Malësia 2014”

August 8, 2014 by dgreca

Nga Gaspër Marku/ – Është vetëm 15 vjeçe, ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por prindërit e saj emigrantë ia kanë ushqyer shumë dashurinw vendlindjen, Elizabeta Pllumbit, aq sa ftesës së organizatorëve për të qenë njëra ndër 25 vajzat e konkursit të bukurisë “Miss Malësia 2014”, iu përgjigj me kënaqësi. Me thjeshtësinë, mençurinë dhe intelektin e saj dhe padyshim edhe me vlerat e padiskutueshme që mbart në vetvete portreti i saj, aq simpatik, nuk kishin se si të mos i mbushnin mendjen jurisë që unanimisht ta votonte atë si më të mirën mes konkurenteve malësore nga Malësia e Shqipërisë dhe e Malit të Zi, duke e kurorëzuar “Miss Malësia 2014”.
“Të dashur miq! Sot ishte një krenari shumë e madhe që isha pjesë e një spektakli aq madhështor në Malësinë time të bukur, Razëm. Ju falenderoj me gjithë zemër të gjithve për përkrahjen tuaj. Jam shumë krenare të prezantoj Malsinë e Madhe, Miss Malsia 2014! Ju dua të gjithëve, Faleminderit!”, shprehet tejet e entuziazmuar menjëherë pas spektaklit të organizuar në Pikën Turistike të Razmës, fituesja e çmimit të parë, numri 12-të, Elizabeta Pllumbi.
Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, Elizabeta, thotë se fitorja e “Miss Malësisë”, është gjëja më e bukur në jetën e saj. “Dhe me sinqeritet jua them, që jam shumë krenare që jam malësore. Dhe sa do sukses të kem në jetë, unë kurrë nuk do të ndryshoj. Edhe pse isha shumë e emocionuar që nuk i kisha prindërit e mi të pranishëm, malësorët më bënë që të ndihem shumë mirë. Për këtë i falenderoj me gjithë zemer për mbështetjen që më dhanë”, shprehet shqiptaro-amerikanja, Elizabeta Pllumbi.
Më tej, duke vlerësuar vendin e origjines së familjes së saj, Elizabeta, thotë se edhe pse ka lindur në USA dhe është rritur atje, Malësia është vendi më i bukur në botë për të. “Kjo është falë prindërve të mi që më kanë sjellë çdo verë me pushime këtu dhe kujtimet më të bukura të jetes time i kam në Malsi.”, vijon ajo.
Jeta në Amerikë
Teksa dëshirojmë të dimë diçka më tepër për të dhe familjen e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elizabeta e fillon me prindërit. ”Babai im quhet Gjergj Pllumbi prej Dedajve, mama quhet Diella Turmalaj nga Vrrithi. Ne jemi tre fëmijë Elsoni 17, unë 15 dhe vëllai i vogël Danjeli 3. Jetojmë në Bronx, NY prej 17 vjet. Baba punon në ndërtim, kurse mama ka mbaruar universitetin atje dhe punon mësuese Matematiket në shkollë publike 8 vjeçare.”, thotë Elizabeta.
Të përkushtuar dhe të nderuar si një nga familjet shqiptare më të respektuara në komunitetin shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, prindërit e Elizabetes, bënë gjithçka që fëmijët e tyre të merrnin edukimin e duhur përkrah bashkëmoshatërëve të tyre. Dhe për këtë Elizabeta dhe dy vëllezërit e saj i janë shumë mirënjohës prindërve për gjithçka që ata po bëjnë për to dhe se me punë e përkushtim maksimal do të përpiqen t’ia shpërblejnë atyre, në mënyrë që ato të ndihen krenarë për fëmijët e tyre. Më së shumti, për Elizabetën, mirënjohja e tyre për prindërit e tyre është se falë tyre, janë të edukuar me shpirt malësori, që për to është një gjë shumë e shtrenjtë e jetes së tyre.
Talenti
Në vijim të bashkëbisedimit me Elizabetën, njihemi edhe me jetën dhe aktivitetin e saj, si dhe e dy vëllezërve të saj, Elsonit, dy vite më i madh se ajo, dhe Danielit të vogël. “Unë studioj në një shkollë private katolike shumë të mirë dhe jam në vitin e dytë. Elsoni sapo ka mbaruar shkollen e mesme. Angazhimet deri tani kanë qënë vetem sportive. Njëkohësisht luaj football për shkollen, plus merrem me çdo aktivitet që zhvillon shkolla ime.”, thotë Elizabeta, ndërkohë që përmend edhe moden. “Përsa i përket modes, që kur kam qënë e vogël kam ëndërruar të jem një modele dhe aktore me famë botërore. Të them të drejtën, kërkesa kam pasur për modele, por deri tani nuk kam firmosur ndonjë kontratë, por tashti kur të kthehem po mendojmë për një gjë të tillë”, vijon ajo. Por, nuk është vetem Elizabeta që kërkon të bëhet e famshme. Ajo ndiehet shumë e lumturuar për talentin që ka në fushën e futbollit vëllai i saj, Elsoni,. Sipas saj, këto ditë, mamaja e saj, Diella, është në Londër me Elsonin, sepse ai është një footbollist i talentuar. “Elsoni ka shkuar në prova tek një klub shumë i madh. Nuk mund t’ia them emrin për momentin, deri sa të firmosi kontratën zyrtare, por sigurisht që ju do të jeni i pari që do të informoheni për këtë, për t’ia përcjellë mediave të Shqipërisë”, citon Elizabeta..
Por, ndërsa ka folur për veten e saj dhe të vëllait Elson, Elizabeta, nuk mund të lërë pa komentuar edhe vëllain e vogël, Danielin, apo siç e quan ajo, “zemra e jeme”. Ai është fëmia më i bukur dhe me i lumtur në botë, është ëmbëlsira e shtëpisë tonë. Edhe ai ështe krenar që ështe malësor, dhe kur e pyesin në Amerikë, se prej nga je, thotë me njëherë që jam prej Dedajve te Shkrelit. Edhe ai e ka pasion sportin, luan futboll e basketboll, dhe edhe për të, të dhënat janë shumë premtuese, por sipas Elizabetes, është shumë shpejt për të vendosu në lidhje me profilin e aë ardhmes së tij.
Mesazi i Elizabetws
E brumosur fort prej pasionit dhe dashurisë për vendin e origjinës së saj, që thuajse në çdo pjesë të bisedes, ajo e rikujton vazhdimisht me shumë krenari, në mbyllje të kësaj interviste, Elizabeta, ka edhe një mesazh. “Kam një mesazh për të gjithë Malësinë time, popullin shqiptar. Rrënjët tona nuk duhet t’i harrojmë kurrë dhe të jemi krenar që jemi Shqiptar. Dhe të vazhdojmë t’ia shtojmë edhe më shumë vlerat këtij populli fisnik.”, shprehet e mbushur me emocione, vajza 15 vjeçare, Elizabeta Pllumbi, e lindur në Amerikë, por që me krenari pohon se është shqiptare, duke rifalenderuar edhe një herë prindërit e saj, Gjergj Pllumbi nga Dedaj dhe nënën e saj, Diella Turmalaj nga Vrrithi, të cilët e ushqyen më së miri me gjakun dhe traditat shqiptare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: “Miss Malësia 2014”, Elizabeta Pllumbi, Gasper Marku, Shqiptaro-amerikania

Liga e Kampioneve- Hidhet shorti i ndeshjeve të play off

August 8, 2014 by dgreca

Liga e Kampioneve- Hidhet shorti i ndeshjeve të play off/
8 gusht / – Te premten eshte hedhur ne Nion (Zvicer) shorti i ndeshjeve te play off-it te Liges se Kampioneve. Ndeshjet do te luhen me 19/20 gusht (vajtja) dhe 26/27 gusht (kthimi).
Besiktas (TUR) – Arsenal (ANG)
Standard Liège (BEL) – Zenit Saint-Pétersbourg (RUS)
FC Copenhague (DAN) – Bayer Leverkusen (GJER)
Lille (FRA) – FC Porto (POR)
Naples (ITA) – Athletic Bilbao (SPA)
Maribor (SLLO) – Celtic Glasgow (SKO)
Salzbourg (AUT) – Malmö (SUE)
Aalborg (DAN) – Apoel FC (QIP)
Steaua Bucarest (RUM) – Ludogorets (BULL)
Slovan Bratislava (SLLO) – BATE Borisov (BJE).

Filed Under: Sport Tagged With: Hidhet shorti, i ndeshjeve, Liga e Kampioneve-, të play off

MARTIRËT E LLASHTICËS

August 8, 2014 by dgreca

Nga Qamil S. LLASHTICA/
Kishte ma shumë se 100 vjet që turqit po I binin në qafë popullit të fushës së Moraves për punë të fesë. Perandoria turke kërkonte me ngulm konvertimin e shqiptarëve,ajo kështu synonte ta siguronte qetësinë e saj të mbrendshme. Katundet e rrafshit najna mbas tjetrës po sulmoheshin nga ushtria turke. Kudo që shkonin ata mbillnin tmerr dhe vdekje, mbrapa linin shkrumb e hi. Ishin rrahun njerëz e përgjakun, ishin kall shtëpi dhe katunde të tana. Nga casti në qast pritej që t’ia mësyenin edhe Llashticës, ashtu siq kishin veprue me shumicën e katundeve të tjera. Llashticasit po jetonin në ankth frikë e tmerr.
Tashma të gjithë e kishin të qartë se ushtria turke nuk do ta kursente as këtë katund. Pleqt e katundit thojshin se “edhe neve nuk kanë me na lanë ma kështu, veq kur t’i shohim nji ditë këtu”. Banorët mjaft kishin qëndrue po edhe mjaft kishin ba lëshime, po kjo nuk I kënaqte turqit. Ata e kishin pranue fenë e turkut vetëm sa për sye faqe; kishin hequn dorë nga mbajtja e derrave, shumica e mashkujve përpos emnit të tyne kishin marr edhe nga nji emen turk, mashkujt kishin fillue të rrethpriten, vet katundarët e kishin hequn kryqin e madh që ndodhej në mes të katundit me qëllim që ta largonin vëmendjen e turqve, kishte sa vjet që nuk mbahej mesha e së dielës, kisha kishte fillue të rrëzbitej. Për shërbime fetare vinte prifti nga Depca I bamun tebdil, të shumtën e herave ai udhëtonte natën dhe gjithmonë vet I dyti. Kryqi dhe ikona të Shën Marisë, ndodheshin në çdo shtëpi të tyne. Ishin vendosun përmbi derë, në ballë të oxhakut, përmbi votër, në magje, në çerepë, në djepat e fëmijeve, etj. Këtë e dinin turqit fort mirë. Dy herë ma parë për këtë punë kishte ardhun këtu nji hoxhë prej Kaçanikut I cili iu kishte folun për të mirat e fesë së re, hoxha ishte largue I paknaqun.
Ishte mëngjesi I nji dite të pranverës së hershme, gjashtë javë para Shën Gjergjit. Njerëzit ishin të lodhun e të rraskapitun dhe mezi që dolën nga dimni për shkak të mungesave të ushqimeve për njerëzit dhe kafshët. Ishte fillimi I pjesës së dytë të shekullit XIX. Dy toborre ushtarësh turq ia kishin mësye Llashticës, me ta ishte edhe “ hoxha” I Kaçanikut, pa u vonue shumë erdhi edhe nji tog tjetër ushtarësh, sigurisht si përforcim, ata kishin marr me vete edhe dy civilë zeshkanë nga qyteti të cilët në nji mushk kishin ngarkue dy hekura të randë, u nisën menjiherë drejt Vorreve të Vjetra që ishin përmbi katund. Ishte kjo hera e dytë që turqve u pengonin të vdekunit dhe vorret e shqiptarëve të këtij katundi. Para 30 vjetësh deri sa një tog ushtaresh turq po zdirgjej nga Malet e Depcës, kush e di se çfarë mund të kenë përjëtue ata atje, me t’i pa këto vorre , zabiti dha urdhnin e tij të kobshëm: ushtaret iu vërsulën vorreve, thyen, rrëzuen e damtuen gurët e tyne. Ma vonë katundarët u munduen me i rregullue dhe drejtue kryqat të cilët kishin shpëtue. Sot ishte puna ma ndryshe, sepse ata kishin marr me veti ata hekurat, donin që të vdekunve t’u jepej goditja e fundit.
Në katund ishte lamë e vërtet; ushtarët hynin nëpër shtëpi, shkallmonin dera, burra të lidhun e të përgjakun, gra e fëmijë të trishtuem, plakat, nuset dhe vajzat shprishnin flokët, qanin dhe vajtonin, bagëtia napër kambë, lehje qensh, britma dhe lebetitje. Nga shtëpitë dilnin ushtarët me kryqa në duer, ikona, qirij, rruzare, djepa fëmjësh, etj. Të gjitha këto I hidhnin në zjarr. Ato shtëpi të cilat nuk e kishin kryqin në derë shpëtuen ma leht ndërsa derat e shtëpive të tjera përfunduen në zjarr. Ma së keqi e pësuen ata burra të cilëve iu gjet kryqi në qafë. Ata të vorreve nuk u vonuen shumë, u bashkuan me të tjerët dhe u nisën në drejtim të Zhegrës. Mbasi ishin largue ata, populli filloi të merte frymë dhe ta merte veten, i zgjidhën ata burra që kishin mbetun të lidhun, ua lidhnin varrët të rrahunve dhe të të plagosunve dhe I futën nëpër shtëpi. Të rijtë I lëshuen kafshët dhe bagëtitë e imta për në kullosë. Atëherë katundi nuk kishte ma shumë se 30 shtëpi. Nji nga të rrahunit ishte edhe Brahim Larçi, i cili ishte trupmadh dhe ende I fortë ndonse I ishte afrue të gjashtëdhetave. Ai nuk fliste, vetëm fshante, shikonte njërzit,shtëpitë dhe katundin se çka e kishte gjetun. U nis kah cungu I druve, I mori dy druj dhe I lidhi me nji dredhë dhe ashtu si kryq I nguli në mes të yrtit, ra në gjuj dhe filloi t’i lutej Zotit. Në këtë kohë turqit kishin përdorun nji dredhi; mbasi ishin largue nga katundi, ishin kthye majtas, ishin ngjitun kodrës së ilisë dhe me shpejtësi hynë përsëri në katund kësaj rradhe nga ana e Lugut të Shtrembt. Me furi u futën në yrtin e Brahim Larçit të cilin e gjetën tue u lutun para kryqit, e rrahën pa mëshirë dhe e lanë për të vdekun. Kësaj rradhe nuk banë gja tjetër u mblodhën me shpejtësi dhe u nisën kah Pisjani për në Gjilan. Brahimin I cili nuk ishte as I gjallë as I vdekun, I përgjakun, thye brij e kurriz, e mbështollën në lëkura të deshve. As nuk hante ,as nuk pinte, as nuk fliste dhe në krye të dy javëve I mbylli sytë dhe kaloi në amshim. I thojshin Brahim Larçi sepse e kishte nji syë të larëm,Baçë ishte emni I tij I vërtet. I kishte pesë djem të cilëve Zoti iu kishte falë fëmijë, vajzat I kishte përcjell kaherë. Brahim Llashtica ishte burrë zotni,ishte në za, i mençëm dhe I pashëm. Rrinte vetëm në shpinë të atit. Ishte kapuç I fisit, e thirrshin me krenue, shkonte nëpër pajtime e marime, në dasma, ahengje, sparime e fatime,nëpër të pame e vorrime, në tregje e kuvende, etj. Shtëpia e tij ishte ma e mira në katund, kishte dy pend qe, pela hergele, tri torishta me lopë, dhen e dhi, bletë shumë, etj.
Plaka Kunë ishte nga familja Kaza, kështu quheshin ata përpara, ndërsa sot quhen simbas emnit të kësaj plake. Ajo ishte besimtare e devotshme, atë ditë shtëpia e saj kishte mbetun pa derë. Plakës Kunë I kishin shpëtue vetëm rruzaret të cilat I mbante në duer. Ajo kishte thanë “nuk due me jetue në atë shtëpi në të cilën nuk ka kryq”. Atë natë ajo e kaloi në nji kthinë në mes të hambarit dhe koshit. I lidhi dy krande me nji pe dhe ashtu si kryq I vari te koka. Ma vone asaj ia sollen nji kryq të punuem dhe nji ikonë të Shën Marisë të cilat I mbante te koka. Aty ajo e kaloi atë natë,u mbështoll me lëkura, çerga e plafa dhe aty jetoi për disa vjet deri sa në nji mëngjes të ftohët dimni u gjet e shtangun, ndërsa shpirti I saj ishte ngritun në qiell dhe ishte bashkue me engjuj. Këta janë dy martirët e Llashtices, nji burrë dhe nji grue të cilët përjetuen mundime, u flijuen dhe ranë theror për besën e Zotit, për fenë e të parëve tanë dhe për tokën e Shipnisë.

Qamil S. LLASHTICA
Toronto, Kanada

Filed Under: Histori Tagged With: MARTIRËT E LLASHTICËS

PARTI KOMUNISTE APO PARTI TERRORISTE

August 8, 2014 by dgreca

Mendime e vlerësime rreth librit me të njëjtin titull të Enver Memishaj – Lepenica/
Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Në fund të vitit 2013, studjuesi i njohur tashmë në fushën e historisë Enver Memishaj – Lepenica nxorri në dritë librin e tij të trembëdhjetë “Parti komuniste apo parti terroriste”
Në këtë libri me afro 600, faqe autori ka përmbledhur dokumenta historike të Ballit Kombëtar, të nxjerra nga arkivat e Shtetit Shqiptar.
Libri hapet me gjykime dhe mendime të Prof. Dr. Beqir Metës, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut, dhe udhëheqësit të Ballit Kombëtar Mid`hat Frashërit.
Sapo nis e shfleton këtë libër të bije në sy fakti se autori siç thotë edhe vetë ai, ia ka hequr të drejtën vetes që të mbaj qëndrim rreth dokumentave që botohen në libër, por ua lë këtë të drejtë lexuesve që të shfaqin lirshëm përshtypjet, mbresat dhe ndiesitë e tyre ndaj dokumentave që autori boton, në këtë libër.
Libri është i ngjeshur me dokumenta interesante që pasqyrojnë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore 1939- 1944, me përplasje idesh, me deklarata të shumëllojta, me fakte, me argumenta, me kurthe, intriga, vrasje, tmerre, krime që u vunë re kur në gjirin e popullit tonë nisi vëllavrasja, një virus hibrid ky i ardhur nga jashtë, i cili bëri hatara të papara e gjëma të padëgjuara.
* * *
Siç dihet, nevoja e luftës për çlirim nga pushtuesit, nxorri në dritë si një domosdoshmëri imperative krijimin e dy forcave kryesore politike, të cilat i vunë detyrë vetes që ta orientonin e ta udhëhiqnin popullin tonë në luftë kundër armiqëve nazifashistë: atë të Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste, më pas doli edhe Lëvizja e Legalitetit. Të dyja forcat u shprehën për mobilizimin e popullit në luftë, por bazat ideologjike dhe mënyrat e organizimit të asaj përpjekje qenë krejtësisht të ndryshme.
Balli Kombëtar qe e para forcë që reagoi kundër ekspasionit fashist, ku nëpërmjet “Dekalogut”, të hartuar prej përsonalitetit të shquar të historisë sonë, Mid`hat Frashërit lëshoi kushtrimin dhe i bëri thirrje popullit për luftë, për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër armiqëve për realizimin e idealit kombëtar për një Shqipëri të lirë Etnike, demokratike me baza shoqërore moderne për flamurin kuq e zi , për një Shqipëri të drejtuar nga shqiptarët të cilët nuk ishin kursyer në çdo kohë e rrethanë për të mirën e shpëtimin e këtij vendi.
Edhe komunistët kishin në programin e tyre luftën kundër pushtuesve, por lanë jashtë vëmëndjes Shqipërinë Etnike e veçanërisht Kosovën, dhe për të realizuar qëllimin e tyre patën më shumë favore të ndihmuar prej disa faktorëve të brendshëm e të jashtëm. Komunistët u favorizuan nga fakti se pjesa dërrmuese e popullit ishte e pa rasimur, të varfër dhe, si pasojë të varfërit duke mos pasur mundësi për analiza të thella u besuan premtimeve boshe dhe ëndërrave të bujshme. Komunistët propoganduan se kasta e vjetër politike ishte plakur dhe e lodhur, ishte e paaftë të përballonte lëvizjen e re demokratike.
Edhe aleatët duke parë këtë lloj gjëndje pothuajse përkrahën komunistët. Po ashtu influencoi edhe përçarja e brendshme. Balli Kombëtar ishte për republikë, Legaliteti, veriorët, nuk qenë dakort me ta sepse shumica mbështesnin mbretërinë. Kjo gjendje lehtësoi udhën e komunistëve për të dalë hapur, kundër platformës së Ballit Kombëtar dhe udhës drejt marrjes së pushtetit. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtari ftuan komunistët ose Nacionalçlirimtaren, për bashkëpunim e bashkërendim të forcave në luftë, edhe pse u bë Marrëveshja e Mukjes, komunistët të nxitur prej jugosllavëve: Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës e tradhëtuan Mukjen, minuan linjat e mirëkuptimit, mobilizuan çetat partizane dhe i shpallën luftë të hapur Ballit Kombëtar, u nxit vëllavrasja, e cila solli dëme të papara e pasoja fatale për vendin. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtar u tradhëtuan pabesisht prej komunistëve, Nacionalçlirimtares, ata nuk bënë krime në popull, por vazhdimisht e ftuan popullin që të bashkohej pa dallim krahine për luftë për çlirimin e vendit. Ata kundërshtuan propogandën demagogjike të Nacionalçlirimtares se gjoja Balli Kombëtar lindi si reaksion i Frontit Nacionalçlirimtar, apo si një krijesë e pushtuesit dhe provuan se ata ishin një alternativë me një program për bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit.
* * *
Këtë pamje të Luftë së Dytë Botërore 1939 – 1944, ka marrë përsipër ta tregojë Enver Lepenica në librin që analizojmë “Parti Komuniste apo parti terroriste”, në një formë të re: pa foluar ai vetë, por nëpërmjet dokumentave të Ballit Kombëtar, të nxjerra me mundim nga arkivat e Shtetit shqiptar.
Në këtë pikpamje libri paraqet interes për lexuesin dhe studjuesin e historisë, pasi kemi një vështrim të ri të historisë, e pa njohur për masën e gjerë të popullit shqiptar.
Autori librit vë të gjith potencialin mendor dhe i server lexuesit një libër me vlera, me fakte tronditëse, krime të papara çnjerzore, plane djallëzore, prapaskena të rrafinuara, kurthe të mirëkurdisura të udhëheqies komuniste kundër Ballit Kombëtar, duke vrarë e prerë këdo që nuk mendonte si ata.
Dokumente të shumta, që autori ka sjellë në këtë libër, pasqyrojnë skenën tragjike të Lëvizjes Antifashiste: vëllavrasjen e inicuar prej Jugosllavëve dhe e zbatuar në praktikë nga Nacionalçlirimtarja, shkakëtoi gjakderdhje në gjirin e popullit shqiptar, skenarë serial tragjik me vrasje primitive ta luftëtarëve të Ballit Kombëtar, vrasje që nuk ishin parë as në mugëtirat e shekujve të kaluar.
Dokumentat provojnë se ishin vënë në shënjestër intelektualë përparimtarë që e donin vendin e tyre dhe lirinë, por ishin kundër ideologjisë komuniste, për këtë “faj”, komunistët e Enver Hoxhës, të Hysni Kapos e Mehmet Shehut realizuan eleminimin fizik të tyre nëpërmjet atentateve të njëpasnjëshme. Kjo tragjedi e popullit tonë u pasqyruar edhe në vajet dhe këngët e popullit. Një nënë dukatase lëshon klithmën:
Vendin e mbuloi zija,
Se na u vra djalëria,
I vrau dhelpër Partia!
Dokumentat që ka publikuar në këtë libër Enver Lepenica, flasin me emra konkret dhe për krime konkrete: Më 29 janar 1944, Shefqet Peçi, një kriminel legjendar me urdhërtë Enver Hoxhës pasi kapi dhe vrau filozofin, që ishte shkëputur nga ideologjia komuniste, Zai Fundon, e lidhi pas kalit dhe e tërhoqi zvarrë, për të ngjallur frikë, tmerr, terror e panik në popull. As në zakonin e hershëm të gjakmarrjes nuk keqpërdorej viktima, përkundrazi para se të qëlloheshin u bëhej thirrje që të mos vriteshin në pabesi, pastaj kufomën e kthenin mbarë e i vihej diçka e but nën kokë. Këto ishin zakonet e popullit tonë, ndërsa terroristët komunistë me zakone dhe urdhëra të marra nga serbët u tregun të pa shpirt dhe shpërfillës të çdo lloj zakoni e traditë të mirë të popullit tonë.
Dokumentat që siell Enver Lepenica, autori librit, provojnë se politikanët e shquar të Ballit Kombëtar u përpoqën vazhdimisht që të mos prisheshin marrëdhëniet me komunistët, Nacionalçlirimtaren, dhe gjithmonë tentuan të shmangin konfrontimet, të ndalin gjakderdhjen, kështu kur kapeshin robër nga ana e Ballit Kombëtar, respektoheshin dhe liheshin të lirë, e kundërta ndodhte me komunistët ata i torturonin dhe i vrisnin ballistët.
Në këtë libër autori ka botuar dokumenta me fakte tronditëse kriminale, dëshmi të llahtarshme krimesh, krime të pa imagjinueshme kundër popullit të pafajshëm sipas urdhërave që komunistët merrnin nga padronët e tyre jugosllav.
Në dokumenta del qartësisht përçarja që me aq kujdes kanë mbjellë në tokën shqiptare Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të sjelljeve të ulta çnjerzore që mbollën vazhdimisht urrejtje ndaj kundërshtarëve të tyre politik ballistëve dhe zogistëve, duke krijuar disa ndiesi çnjerzore dhe larg traditës sonë: djali partizan kërkonte të gjente baban t`i jepte një kokërr plumbi, sepse nuk qe partizan si ai!, vëllai partizan mohon vëllan sepse ishte luftëtar i Ballit Kombëtar!, motra partizane nuk qan për vëllan sepse ishte ballist!, Halim Xhelo, Dukati, mohon babanë dhe veten e quan Halim Stalini!, etj., etj.
Dokumentat e botuara, në këtë libër, flasin për emra dhe mbiemra konkret të vrarë pabesisht, në prita, si kundërshtar të komunistëve, apo pse ishin dëshmitar të veseve çnjerzore të Enver Hoxhës si: Skënder Çami, Veli Vasiari, Tasim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, Zefa Kadare, Javer Hrushiti, Kol Tromara etj., etj.
Në dokumentat e shumta del i qartë dhe pohohet nga vetë komunistët se qëllimi final i tyre ishte marrja e pushtetit me grykën e pushkës, nëpërmjet vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, propogandës demagogjike se nën udhëheqien e tyre populli do të jetonte i lumtur dhe do të hanin me lugë floriri!. Për këtë qëllim komunistët luftuan më shumë për eleminonin pa gjyq të kundërshtarët e tyre politik, sesa luftën kundër pushtuesit.
* * *
Libri “Parti komuniste apo parti terroriste”, të shtyn në mendime të thella, leximi tij, e detyron lexuesin të kthejë kokën prapa dhe të shoh se ç`ka ngjarë të tokën e tij, në fshatin e tij, në fisin e tij, pra të reflektojë për atë që ka ndodhur, kështu më ngjau edhe mua: libri më futi në mendime të thella për vendlindjen time, Smokthinën, ku kuçedra komuniste hodhi kthetrat makabre dhe e përgjaku rëndë atë me gjak vëllai. Krahina jonë Smokthina, nëpërmjet këngëve, që për atë kohë ishin edhe shtyp, edhe kronikë, edhe arkiv, demaskoi e denoncoi pa mëshirë këtë gjakderdhje që erdhi si mallkim, si pasojë e vëllavrasjes. Tragjikisht shembujt janë të shumtë:
Djalin 20 vjeçar të Isak Metes, në pragmartese, e rrëmbejnë nga fshati, Ramica, dhe e torturojënë aq barbarisht sa ai dha shpirt në duar të komunistëve vlonjatë. Populli e përjetësoi në këngë:
Një kuje te xha Isaku,
Rëndë u godit oxhaku,
Si krua derdh lotët plaku,
Se nxinte brenda konaku…
Helmi për humbjen e jetës së këtij djaloshi, qe aq i madh sa nuk e nxinte brenda konaku, dhe shumë preks është amaneti që djaloshi 20 vjeçar u lë të afërmve të tij para se të largohet nga kjo botë:
Vëllezër, prindër mos qani,
Me gazep po më del xhani,
Dhe ti nënë mos u sëmur,
Se vuaj e heq torturë,
Jam kurban për diktaturë…
Po ashtu nëpërmjet këngës, populli ka gdhendur në kujtesë Fejzo Rukën, kundër të cilit komunistët derdhën plumba pabesije në një pritë, për të vetmin faj se ai ishte simpatizant i Ballit Kombëtar:
Mbi Ramicë të zunë pusinë,
Ktheu Fejzo me partinë,
Hiq shkabën dhe vur yll,
Ja lëshuan breshërinë,
Të dy çapokët ia grinë…
Një bir i denj i Smokthinës Edison Musaraj, në librin e tij “Smokthina dhe smokthinjotët”, akuzon rëndë komunistin e kësaj krahine Mevlan Dervishin me njësitin e tij gueril:
Se mohuan nënë e babë.
Dhe për prind njohën Dushanë,
Dhe për nënë partinë putanë…
Në dokumentat e librit të Enver Lepenicës, që analizojmë, janë evidentuar krimet e Njësitit gueril terrorist komunist të Smokthinës nën udhëheqien e Mevlan Dervishit dhe Bako Dervishit, që kanë vrarë pabesisht në prita, pa asnjë faj, mbi 25 fshtarë të tyre, vëllezër të tyre, sepse ata nuk u pajtuan me Partinë Komunistë që urdhërohej nga Dushan Mugosha, si: Halim Derraj, Hasan Osmën Deliaj, Muharrem Derraj, Mahil Shaban Leskaj, Qani Liçaj, Malo Zigur Lelaj, Hysni Jaupaj, Murat Sullaj, Hasan Muçohasani, etj.
Populli gjith zgjuarsi në krijimtarinë e vet lavdëron ata që nuk bënë krimë dhe derdh urrejtje ndaj atyre që bënë vëllavrasjen:
Smokthinë të treti meraku
Mxorre një celulë nga barku,
Të mbyti kërma e gjaku,
T`u nxi porta e oxhaku,
Dëgjuat ca popoviçër,
Ca rrufianë ca dobiçër
Në Tërbaç s`u vranë as qentë,
Ju smokthinjotë pse u çmëndët?!…
* * *
Libri i Enver Lepenicës “Parti komuniste apo parti terroriste”, Dokumenta të Ballit Kombëtar, është shumëvlerësh. Ky libër të tërheq për vërtetësinë e ngjarjeve, të provuara me dokumenta, ku ne disa raste trishtohe e ligështohe kur njihesh me krimet makabre të vëllavrasjes dhe pasi e mbaron së lexuari këtë libër me dokumenta bindesh plotësisht se Balli Kombëtar nuk u mund me argumenta e drejtësi, por me intriga, prapaskena, pabesi, hipokrizi e kurthe karakteristike për komunistët shqiptarë.
Nuk është hera e parë, që Enver Lepenica, të dallohet për studime të thelluara, të vlerësuara edhe nga personalitete të shquara të historisë.
Ai i ka vënë vetes si detyrë të çmontojë e të çvidhos mekanizmin e egër të diktaturës komuniste dhe të denoncojë krimet që ata ushtruan për afro 50 vjet ndaj popullit shqiptar.
Kur njihesh, nëpërmjet dokumentave të këtij libri, me krimet komuniste, del e qartë se Partia Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, nga Hysni Kapo e Manush Myftiu, e kupton se ata veç krimeve në luftë, ushtruan dhunë dhe terror edhe në kohë paqie. U pushkatuan dhe u shfarosën pothuajse të gjith komandantët e komisarët që udhëhoqën njësitet e armatosura gjatë luftës, eleminuan dhe mënjanuan gjith personalitetet e luftës, vranë aspirantët e vërtetë të demokracisë.
Në krye të kësaj bande për afro 50 vjet qëndroi Enver Hoxha, kriminel shumëplanësh, paranojak, diktator specifik, kësaj mostre i duhen faturuar edhe mëkatet që u bënë pas vitit 1990, sepse shumë elementë të atij sistemi “të kalitur në kudhrën e Partisë së Punës”, infiltruan në partitë e pas 90-tës duke i sjellë dëme të mëdha demokracisë së brishtë shqiptare.
Lexuesi shqiptar duke lexuar librin që analizojmë do të njohë nëpërmjet të dokumentave të vërtetat historike të asaj kohe, dhe kështu do të ndihmohet për të mësuar historinë e vendit të tij, sepse vetëm e vërteta i bën njerzit më të lirë fizikisht dhe moralisht dhe për këtë ka dhënë ndihmesën e tij edhe Enver Lepenica me veprën e tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: APO PARTI, Enver Memishaj, Lepenica, Parti Komuniste, Petrit Derraj, terroriste

Dashuria shqiptare e Gerd Mylerit

August 8, 2014 by dgreca

Nga: Aleko Likaj/
Një histori e pazakontë dashurie në distancë. Deri ne kufijtë e të pabesueshmes. Por aspak e panjohur. E rrallë për atë kohë, por edhe me një personazh nga më të njohurit në fushën sportive të futbollit botëror, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lojën magjike. Gerd Myler një nga yjet që sapo nis të përshkëndis në futbollin gjerman, nuk e kishte menduar asnjëherë se, në vendin më të izoluar e hermetik të Ballkanit, do të njihej me një vajzë shqiptare, e cila jo vetëm që i trazoi jetën atij, por edhe e « shkatëroi ». Ngjarja në fjalë është lakuar disa herë në shtypin gjerman, anglez dhe europian e midis yjeve të at’hershëm të futbollit të këtij vendi, por edhe në atë shqiptar. Madje sot gjënden edhe personazhe nga kjo botë e sportit, e bashkohës në aktivitetet të asaj kohe me « Mylerin e Madh » ,të cilët e pohojnë këtë histori. Madje edhe në medjat tona.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada, historia e dashurisë së futbollistit gjerman me vajzën krejtesisht të panjohur shqiptare, diku në ambjentet e brendëshme te « Hotel Dajti », vazhdon që të përmendet edhe tani. Këtë herë një gazetë periferike në perëndim të Francës, përmend faktin se Ylli gjerman, « vjedhësi i golave dhe tmeri i vërtetë i portave kundërshtare « ishte i trazuar nga dashuria, për një vajzë të vendeve nga lindja, të cilën e kishte njohur sapo kishte shkelur në kryeqytet. I është mohuar kjo dashuri, jo nga e sapo njohura, për nga vetë shteti komunist i asaj kohe. »
Gerd Myler, një futbollist krejt i ri dhe i konsideruar si një nga talentet e të ardhmes gjermane, ka mbritur në Shqipëri në vitin 1967. Nuk dihet se pse Helmut Shëni i Madh, tranier i përfaqsueses në atë takim përballë modestes shqiptare ku drejtonte i Madhi ynë Loro Boriçin, nuk e aktivizoi Mylerin. Pas dy ditësh në « Hotel Dajti », vendi ku ishte akomaduar ekipi i përfaqsueses gjerman, ai ka mundur që të qëndronte në stolin e rezervave në atë takim. Por nuk i ka ardhur keq që nuk ka qenë në fushë. Mbase aty në stol, ndërsa topi lëvizte në hapsirat e fushës tek të dy ekipet, ka patur mundësi që të përjetonte një tjetër ndjenjë, pas njohjes e takimit me një vajzë shqiptare, e cila i a ka robëruar menjëherë zemrën djaloshare. Ndoshta bukuria e saj, sharmi i një vajze krenare, e kanë bërë yllin e së ardhmes së ekipit të huaj që të vuaj shpirtërisht. Në vend që të mendonte për skema, ku mund të kalonte topi që të gjente rrugën e rrjetës te portës së vendësve, ai me siguri mendonte e thurte plane e skema njëkohësisht, për të siguruar qoftë edhe në një moment të vetëm, takimin që e tundonte dhe po e cfiliste, me vajzën që i kishte hyrë tashmë në ëndërat e tij. Nuk dihet në se këtë sekret at’ çast ai e kishte zbuluar edhe me të tjerët, shokët e ekipit, mikun e tij Bekenbauer, Netzerin apo Overatin që ishin në zenith të shkëlqimit të tyre, duke e bërë Gjermaninë të rëndësishme në fushën e blertë dhe një ekip trofesh. Por të nesërmen e ndeshjes ai është larguar, jo më shumë i shqetësuar nga ai barazim se sa nga « braktisja e vajzës së zemrës »
Pastaj do të duheshin plot katër vjet që të prekte sërish tokën shqiptare. Mezi e ka pritur. Në vitin 1971, Gjermania Perëndimore rikthehet në tokën shqiptare. Këtë herë pa Shenin e Madh. E plotë dhe me përforcime tepër serioze për të realizuar objektivin e vet. Ndërkohë që Gerd Myler tashmë është një futbollist i famshëm në të gjithë botën. Nga më të rëndësishmit në strategjinë e futbollit të skuadrës gjermane. Njeriu gol.
Ekipi shqiptar nga ana tjetër mendon për të. Për neutralizim total. Një prej mbrojtësve tanë më me emër të asaj kohe, Bujar Canit, i ngarkohet detyra që ta ndalojë Mylerin. Madje për shkëmbim « rregullimin e biografisë « pas kësaj. Gjë që nuk ndodhi në fushë. I “ përhumburi” Gerd që deri në minutat ku loja po shkonte drejt fundit të saj në baraspeshë, në një sparkade në krahun e majtë të portës, gjysëm i shtrirë ka devijuar dhe i ka ndryshuar drejtimin topit për ta përplasur në rrjetë. Mbase edhe për ti kujtuar vajzës shqiptare, e cila duhej qê tê ishte pas ekranit, se ishte një futbollist i madh, dhe se e meritonte një vend në zemrën e saj të drobitur.
Pas kësaj ekipi gjerman u kthye në “Hotel Dajti” triumfator. Protagonist ishte njeriu që kishte tentuar dashurinë shqiptare në të njëjtin vend, me një prej vajzave të personelit të tij. Hoteli atë mbrëmje pa tjetër që ka mundur ti rezevojë dashnorit-futbollist një çast tjetër magjik, fshehje nga « syu shqiponjë », i njerzve që kontrollonin gjithçkah tek të huajt.
Nuk dihet në se kishte rënë në sy të tyre, historia e gjermanit me vajzën e hotelit deri në atë çast, por dihet mirë se pas largimit te ekipit gjerman, në tavolinat e sigurimi të shtetit dhe ministrit të brendshëm të asaj kohe, ishte zbardhur romanca e dashurisë së Gerd Mylerit, nëntë herë « Kepuca e Artë e Europes ». Mund që të jetë bërë edhe objekt bisedime në njerëz të veçantë të byrosë politke, që kishin në varësi ministrinë e brendshëm dhe sigurimin. Njoftimi duhej që të ishte i plotë, ku përfshiheshin të tre ditët e qëndrimit të skuadrës gjermane në ambjentet e brendëshme te Hotel Dajtit, me vajzën që shërbente në atë lokal. Ndofta ka shërbyer vetëm një çast që e ka tradhëtuar këtë dashuri të heshtur e të mbyllur, e më pas hetimet kanë hedhur dritë mbi lidhjen që kishte filluar katër vite më parë.
Myleri ndërsa po largohej nga Rinasi është ndjerë keq shpirtërisht, edhe pse u kishte dhënë shokëve të tij dhe ekipit tre pikë të çmuara, pasi kishte lënë diçka nga vetja, atje në mes të Tiranës. Kishte mundur dhe ishte mundur. Kishte mundur ekipin shqiptar dhe ishte mundur nga një vajzë po shqiptare. Me këtë plagë në zemër pastaj, do të jetonte ditë të këqia në jetën e tij sentimentale. Ndërsa emri i tij kishte zënë pozicione të reja popullariteti në futbollin botëror. Mbreti i golit që shkatëronte ekipe dhe emra të mëdhenj në skakierën futbollistike , jetonte me një plagë në zemër, që shumë pak vete e dinin. Ky intimitet po e lodhte dhe po e sfiliste. Ashtu si gjithë dashnorët e kësaj bote mjerane, divi i futbollit gjerman jetonte të kaluarën, çastet që kalonte në fshehtësi atje në « Hotel Dajti », në qendër të kryeqytetit shqiptar. Shpesh herë në intervistat e shumta që jepte indirekt për jetën e tij, atë të fshehtë dhe të mbyllur, theksonte se në Shqipëri femrat ishin të bukura. E kishte përsëritur disa herë këtë gjë, si në Tiranë, ashtu edhe më vonë në Gjermani, apo para mediave të huaja. Siç duket kishte një arsye se pse ta bënte. Por fati me sa duket po e dënonte. Ekipi nacional nuk po bënte pjesë më në grup me shqiptarët. Çështje shorti. Por as edhe ndonjë nga ekipet gjermane që luanin në ligat europiane, nuk po përballej me ekipe nga vendi ku ndjehej tej i dashuruar. Kur po ndjente që po i afrohej tashmë edhe fundi i karierës, dhe pasi kishte luajtur për një kohë në kontinentin e largët përtej Atllantikut me ekipe amerikane, mëson se skuadrën e HJK Helsinki, shorti e ka vendosur përballë Flamurtarit tonë në Kupen e Kupave. I u duk se pa një dritë në fund të tunelit të dashurisë së tij. Këtë herë nuk mund që ta humbte këtë shans. Ishte vitit 1985 kur kishte vdekur edhe diktatori shqiptar. Por ndonjë nga shokët e miqtë e afërt që i a dinin hallin këtij dashnori klasik, që si futbollin e kishte edhe këtë një perëndi, me siguri nuk i a ka rekomanduar këtë marrëzi. Gerd Myler i vendosur në skemën e tij hyn menjëherë në tentativa, dhe arrin që tu mbushë mendjen drejtuesve të ekipit filandez, që të jetë në përbërje të grupit të tyre për të udhëtuar drejt Tiranës. Ishte i sigurtë që vajza e zemrës e priste atje, edhe pse nuk kishte mundur që të kontaktonte me të asnjëherë. Kjo edhe për shkak se ajo tashmë ishte në ndjekje të shumëfishte nga sigurimi i shtetit shqiptar
Por shtypi sportiv i ditës në Europë, që qëmton dhe publikon pikërisht qëllimin e vizitës së Yllit të futbollit gjerman në Shqipëri, ndofta i a dogji kartat në duar dashnorit të përvëluar. Me siguri që në Tiranë është gatuar mosardhja. Ai tashmë figuronte në skedat e sigurimit, e dikush nga lart ka dhënë edhe urdhërin fatal. Ndërkohë që popullariteti i tij në gjithë Shqiperinë e kishte kthyer atë në një mit. Në qytetin e Durrësit ishte ngritur edhe shoqata me emrin e legjendës gjermane. Shteti i asaj kohe, në agoni të plotë, me siguri që ka bërë një lloj kompromisi me veten, ndërsa kanë lënë të legalizohet kjo shoqëri me emrin “Gerd Myler”, si për ti thënë jo vetëm atij, se ishte i papërlyer në Shqipëri, dhe se historia e tij, as që edhe ishte diktuar. Ky futbollist i madh që me magjinë e këmbëve të tij, kish rrëmbyer zemrat dhe mendjet e mijra shqiptarëve, nuk kishte mundur që të bëhej më pas dhëndëri i tyre. Të pafat të dyja palët
Kjo ishte një goditje tej e madhe për Njeriun-gol, madje tronditëse e fatale. Më pas, ai nuk mund që ta përballonte dot këtë, dashurinë e tij të humbur, ndaj tashmë pa asnjë shpresë se mund që ta ritakonte sërish vajzën që i tronditi ëndërat djaloshare, u lëshua në krahët e alkolit. Kërkonte shpëtim aty. Ishin vite të një depresioni të madh e të fuqishëm që së bashku me alkolin e shkatëruan dhe e rënuan tërësisht si njeri. Miqtë i ka pasur kurdoherë pranë. Frans Bekenbauer e shkëputi më pas duke e afruar pranë dashurisë së tij të parë, topit magjik, si këshilltar e specialist. Atje ku është edhe sot.
Tashmë që i është afruar moshës së tretë është kthyer si një « qingj i butë » dhe i vëmendshëm, madje edhe i heshtur, thotë shtypi i huaj europian që nuk i a ka kursyer anjëherë kronikat rozë në qendër të Tiranës.
Po kush është vajza që e tjetërsoi dhe i a prishi ëndërat djaloshare, dhe e bëri që të vuaj legjendën e futbollit Gerd Myler?
Kronikat që e kanë ndjekur pas gjithë këtë histori dashurie, do ta quanin me emrin Hojna, shqiptaren e Hotel Dajtit. Ndërkohe që ish pjestarë e punonjës të Hotelit, rezidencës së të huajve në atë kohë, nuk pranojnë që ta kenë njohur me këtë emër, ndonëse historia pëshpëritej edhe në ambjente të mbyllura futbollistësh, edhe tek ekipi përfaqsues shqiptar. Por Myleri i Madh kështu e ka prezantuar atë, që ka njohur dhe takuar në vitin 1967, dhe katër vite me pas. Ta ketë gënjyer vajza për emrin e vërtetë të saj për shkak të frikës?. Apo vetë Ylli i kombëtares gjermane e ka prezantuar me këtë emër, edhe ky për të njëjtin shkak qe ka pasur edhe e dashura e tij, duke i a ruajtur të fshehtë e të gdhendur brenda mureve të zemrës së tij?
Dilemat janë për tu zgjidhur. Në këtë mes nuk përjashtohet edhe mundësia që e « dashura » e Mylerit mund që të kishte qenë veçse një punonjëse e fshehtë e sigurimit shqiptar, nga ato që ishin me tepri në ketë ambjent e mjedis të huajsh, të cilët kontrolloheshin si në birë të gjëlpërës, për ta tërhequr djaloshin që vinte nga veriu i Europës, si talenti i së ardhmes. Edhe pse nuk duhet që të jemi skeptik për këtë të fundit, gjasat janë. Kjo do të ishte më tepër se sa fyese për një Yll Bote si ai
Nuk dihet më pastaj, se si vazhdoi kjo sagë dashurie midis Gerd Mylerit dhe punonjëses së hotelit shqiptar, pas shumë vitesh, atëhere kur u rrëzuan muret dhe komunizmi ra si një dinosaur prej letre. Të paktën këtë herë nuk kishte kush ti pengonte zemrat e lidhura në një dashuri gati të perjetëshme. A erdh’ dhe e shkeli sërish tokën shqiptare Myleri në kërkim të asaj që kishte humbur këtu e 43 vjet më parë?. Të paktën për të mësuar të vërtetën. Qoftë edhe e hidhur kjo. Por ai nuk është prononcuar më. Aq më tepër që të flasë për të shkuarën e jetës së tij. Kjo mbetet ende enigmë. Të tjerat dihen tashmë. I gjen në shtypin e kohës, por edhe tani. Gazeta franceze « Sud west » e ripohon sërish këto ditë këtë të fshehtë të Gerd Mylerit te Madh, po pa e caktuar vendin e vajzës së ëndërave të trazuara e dashurisë fluide të legjendës.

Filed Under: Histori Tagged With: Aleko Likaj, Dashuria shqiptare, e Gerd Mylerit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT