• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Më 25 gusht Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do diskutoi për Kosovën

August 7, 2014 by dgreca

Ban Ki – moon :” Sfidat mbeten në zbatimin e disa arritjeve të marrëveshjes së Brukselit”
Nga BEQIR SINA- OKB/
NEW YORK – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet më 25 gusht për të diskutuar raportin e rregullt tremujor nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun për situatën në Kosovë, theksuan burime zyrtare në Selia e Kombeve të Bashkuara në New York.
Të njëjtat burime pohuan se kësaj radhe një orar i përkohshëm i seancave, është botuar në faqen e internetit të OKB-së, e cilaka thënë se debati mbi situatën në Kosovë duhet të mbahet në orët e mëngjesit kohës lokale, për ndryshim nga heret e tjera kur debatet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë mbajtur gjithmonë mbasdite, po me kohën lokale.
Në debatin e fundit zoti Ban Ki – moon – Sekretari i Përgjithshëm i OKB, pati thënë se:” Sfidat mbeten në zbatimin edisa arritjeve të marrëveshjes së Brukselit”, thuhej në raportin e fundit për Kosovën raporti që i ishte përgatitur për periudhënmes 21 janarit dhe 15 prill .
Duke shtuar se :”Kjo, megjithatë, nuk duhet të errësojë përparim të dukshëm të arritur në dialogun Beograd-Prishtinë”, ku Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun, pati thënë për raportin e parë të këtij viti (periudhën mes 21 janarit dhe 15 prill)në Kosovë, teksa pati vënë në dukje, se “duke i inkurajuar të dyja palët që të “vazhdojë të bëjë përpjekje në drejtim tëzbatimit të plotë dhe besnik të marrëveshjes ne po i japim shtytje procesve në Kosovë”.
Meqenëse, ende nuk ka dalë qeveria e re – mbas zgjedhjeve të fundit, ka shumë gjasa që delegacionin nga Kosova në – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i cili do të mblidhet më 25 gusht për të diskutuar raportin e rregullt tremujor ngaSekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun për situatën në Kosovë, t’a udhëheqë Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Në maj të këtij viti, në seancën Këshillit të Sigurimit, presidentja Atifete Jahjaga për her të fundit në New York, kërkoi njohjen e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe të gjitha vendet anëtare të OKB-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për suksesin e përbashkët, bashkëpunimin mes shteteve të rajonit të Ballkanit, Jahjaga theksoi se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit do t’i japë forcë edhe perspektivës evropiane të rajonit.
“Marrëveshjet e negociuara dhe të nënshkruara në Bruksel i kanë përforcuar perspektivat evropiane të Kosovës dhe Serbisë, bazuar në bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, edhe pse secila në rrugëtim të veçantë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ban Ki-Mun, Beqir Sina, Keshilli i Sigurimit, kosova

SHEJTNIA E TIJ, PAPA FRANÇESKU VJEN NË TIRANË…

August 7, 2014 by dgreca

Shtrohet një “sofer” pa sofrabez dhe mësalla shkodrane…/
Nga Fritz RADOVANI/
■Qellimi i vizitës së Shejtnisë së Tij Papa Françeskut në Shqipni…
Papa Françesku ka thanë se Shqipnia asht vendi i parë europian që ai ka në plan të vizitojë në shtator, me qëllim që me nderue të gjithë Ata që vuajtën nën komunizëm.
■Programi i shpallun per viziten… Botue në gazeten “Dielli” me 31 Korrik 2014:
Është përmbyllur programi i plotë i vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator 2014 në të gjitha detajet e tij. Koordinatori i përgjithshëm i vizitës së Papës, Doktor Albert Nikolla, ka lexuar sot programin dhe logon e vizitës në një konferencë shtypi në katedralin e “Shën Palit” në Tiranë.
Më 21 shtator 2014, ditë e dielë, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Shën Tereza”, shoqëruan nga fjala e Papa Françeskut në fund të saj.
Në orën 13:30, Papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, Papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” e aty do të mbajë një fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
***
■Çka pritet nga ky program?! Hartuesit e tij a i pergjegjen qellimit të vizitës?!
E tham me bindje të plotë se jo!
Në program mungon “vizita e qendres së Gjenocidit komunist në Europë” ku, u ushtrue në mënyren ma barbara Gjenocidi komunist kundrejt Klerit Katolik Shqiptar, i mungon SHKODRA MARTIRE e masakrueme nga viti 1944 – 1991…
“Besa, Bujaria dhe Burrnia” janë të daltueme në Gurët e Kështjellës Rozafat!
Atje asht edhe “Burgu i Kishës së Fretenve”… Ma i tmershmi n’ Europen komuniste, ku, krimet dhe torturat ishin ma mizoret… Kleri i sotëm a e di këte?!..
Po lumi Kir e Drinaz ku, barbarët e Shek. XX, tretën Trupat e Bekuem të Vorrezava të Kishës Katedrale, të Jezuitëve, Kishës së Zojës tek Kalaja, Kishës së Fretenve dhe disa mija kufoma të vramish e të dhunuemish nder Male e burgjet komuniste… ku janë?!
Vizitës i mungon Bekimi i Vorrezave të Martirëve t’ Atdheut dhe të Fesë…nder zallishta e prroje pa asnjë Kryq tek koka… I mungon ndezja e një qirit pranë Pendës së Kirit, dhe ajo e palejueshmja, i mungon Bekimi i një “Monumenti” të dishruem tash sa kohë!..
***
Në Tiranë Papa Françesku, do të takojë disa nga persekutorët dhe shumë trashigimtarë e atyne që kanë krye Gjenocid kunder Popullsisë dhe Klerit Katolik Shqiptar, pikrisht, vrasësit ma barbar t’ Europës, dhe jo, të persekutuemit nga Gjenocidi.
Mbas 70 vjetësh masakra dhe shfarosje, Vorrezat e Martirëve të Atdheut dhe të Fesë Katolike presin Bekimin e Papës… Presin Shejtnimin e të gjithë të zhdukunve nga lufta e pamëshirshme antikatolike dhe antishqiptare… dhe jo, perjashtimin e Atyne që nuk kanë kursye as jeten, as vepren per “Fé e Atdhé”! Presin Shejtnimin nga Papa, të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptar e Atdhetarë, që nuk u perkulën nga tortura dhe masakrat kur U asht kerkue “shkëputja nga Papa dhe Vatikani”, po dhane jeten e Tyne tue thirrë: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnoftë Feja Katolike, Rrnoftë Shqipnia!”

Melbourne, Gusht 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Papa francesku, SHEJTNIA E TIJ, VJEN NË TIRANË

Karadyzenat e komunitetit

August 6, 2014 by dgreca

Pamflet/
Nga Pjetër Jaku/
Fukurallëk hava,- tha dikush, tek lëpinte kockat e një darke gjysëm te rjepur, duke parë karadyzenat tek kurdiseshin si knusat për të mbajt fjalime. Qitapet me ngjyra patriotike dhe me disa defterë përmrena, sa krejt gjyksi i tyne, të linin me kuptue se akshami po vinte si një karaqytyk kryelmuet me një aparat pushtlliqesh, tuj rrotullue gjuhën në gojën e flliqun prej do fjalësh të çartallueme, bash si sytë e tyne të pshurrun prej një kohë të vranët. Tuj lyp do lule dhe do f’mi të veshun kombtarisht, dhe tuj u shpurdh si pordha nëpër brekë, sic thotë populli, kinse po i hyn në qef presidentit ( të biznesit kuptohet ), vraponte pa e ditur se ku, si pula kryepreme. Sharlatanit me medalje për shërbime që u kishte ba tan sekretarve të byrosë, nja dy dritëshkurtër ia kishin dhanë dekoraten, tuj mendu se do bahej dikushi, edhe pse me rrakitizmin e tij revolucionar karaqytiku ishte klasifikuar si një spiun i rrezikshëm i ish të dënuarve nga idhuli i tij. Njëri prej karadyzenave shante ambasadorin pse paska guxue me ndal nji mramje në nji kafe shqiptare, ndërsa shifte se mos dikush po i shifte tuj ba veprime kryekput prej manjakësh badihava, që gjithkuj du’n me i dalë përpara, gjoja se po e presin, gjoja se po ia japin një ndihmë me njoftë ata, që sipas tyne, po e ngatrrojnë komunitetin, pse nuk i lanë (shumicen sipas tyne) me dirigjue turmat, pa asnjë të drejtë e mundësi përfaqësimi. Pritësit dhe propozuesit e dekoratave ( sipas karadyzenave ) marrkan një randsi, që ata po i vritka ma keq se rrufetë e Zeusit e, per ma shumë kur haberet veç u japin gajret për sabahun e nesërm.
Tuj u ra damllaja, përditë e ma shumë po u rrëshqiste gjuha prej mendjes e po lypnin bela në akordimin e telave, që asesi nuk nxirrnin tingull, veç si do gjygyma haramgji të mykun e pa namuz. Me teorinë e prehjes së lapsave u lëshuen me ndreq do punë në komunitet, pa pasë një cent një xhep, duke u turr si bishti mas spatës me kritikue e me dhanë mend nëpër do dallap mediatik. Teorinë e binasë ( vendit të dukshëm ) e kishte dhanë një ashikli e kalemxhi, që nuk ishte ma shumë se një ngatrrim zorrësh në nje bark që bante përpara, sa herë u donte bytha kambve me leviz.
Të randë sa mendimet që i lëshonin përroit të kritikave, pa i lidh me asnjë llojë rrypi, pasi pantollonat, zakonisht i mërthenin veç me pulla, ndërsa deklaratat për mungesë portofoli i kishin dhanë prej kohësh, duke qënë disi ma të lehtë pa peshën e parasë dhe pa cicërimën e celularit, pasi edhe ky alet u mungonte.
Ata po u binin do tupanave, që zani i tyne nuk u shkonte ma larg se te veshët, me mendimin se po i jepnin xhevap miletit.
Ata po i rrenonte tymi e qoftet e festave dhe, për ma shumë, kur këto baheshin në qendrat e fesë, pa menduar se emigrimi ato i ka të vetmet, ku mund të dallohet nacionaliteti e ku mund të ruhet pak gjuhë e pa shkelun nga harresa.
Me do bidate me turlifarë emnash ishin turrë me u vu në ballë të ndryshimeve, pa mujt me ndryshue kurrë kostumin, tuj u sjellë nëpër salla si do teneqe zhurmuese, veç me mujt me ju afru sofres së nderit, kinse po bisedojnë me ndonjë përsonalitet të ransishem, me i marrë kartviziten dhe të nesermen me e thirr për do padi ordinere, tuj mendu se raporti i tyne do të ketë bereqet.
Mjaullima e kollareve bishtprerë dhe trokitja e këpucëve me majë nuk po i çonte ma larg se përfillja e askujt, edhe pse donin medeomos me ra në sy të gjithkujt.
Mos o Zot ma keq!
Në ndonjë rast rahmetlijtë u përballen edhe me ndonjë azgandajak në filhall hyzmetin e xhullurdisë që kurdisën për të marrë një nga kalatë fetare të komunitetit.
Llahtar ushkurët serbes vihen përballë komunitetit të pa sabër dhe pa ra në ujdi me njani tjetrin, se kush do t’i printe kësaj zallamahie për mosnjohjen e konsullit, thua se konsulli u kishte marrë hisen e diellit, siç do të thonte dikur Baca Adem! ( Adem Istrefi, poet). Disa prej jazeklinjve kopukë që kishin përfitu prej konsullit, dhe disa kohë më parë e mbronin si hyzmeqarë të pashoq, filluan sulmin me topanxhat e pa shenjestër, duke i rënë më shumë vetes se konsullit.
Mezallah se mirrnin vesh këta insane, me një masraf të ngutshëm donin me hek konsullin, biles dhe priftërinjtë që banin aktivitete kombëtare. Zullumqarët e padamshëm shkuan ma larg se kaq! Nuk po u pëlqente as ambasadori. Përpjekjet me ndrru ambasadorin vazhdojnë edhe sot. Thua se Ambasadori nuk asht njeri i lirë. Dhe ku?! Në vendin ma të lirë të botës. Problemi u ba pse ai na paska marrë pjesë në dasmën e një te riu shqiptar! Siç paraflitet, ai nuk paska marrë pjesë në një takim pa krye të tyne, me ndonjë ftesë verbale të papërfaqësuar! Aksham karadyzenat po i quajn ambasadorët lidërship artificial. Me një hyxhym yrysh të papamë e me një halis të pashoq dhanë ide, se ku e si duhen ba aktivitetet e shqiptarëve, se kush mund të kishte tagër me i udhëheq ato, se si duhej me u ndërtu një Qendër Kulture e të tanë shqiptarëve. Sytë e mufatun u hanin sheshjollin nga nervat, derisa mbrriten te një dollap milet për me dhanë mend, sikur do të banin batërdinë në ata shqiptarë që nuk u bindeshin atyne. Edhe pse pak haber kishin në ato punë, hapnin sytë ka kryekaradyzeni, për të ndrruar temën e bisedës. Kryekaradyzeni qerrata, kur e pa se po e tepronin me problemet komunitare, i çoi përnjëherë në Lazarat, ku një xhullurdi e pashoqe po bahej atje. Njëni, bajagi i ditun, përsëri doli aty ku duhej; komuniteti!
Veç kësaj, veç vetes së tyne, tanë të tjerët ia paskan me hile komunitetit, tuj fajësua emigrantët që u shkonin mbrapa prijësve fetarë dhe konsullit.
Si zabitllarë të rënë nga fiku, kacavirreshin në “aftësitë” për t’i treguar rrugën komunitetit e për t’i bindur se, pa qënë ata prezent, asgjë s’mund të bëhëj si duhej. Disa sish mburrin njëri-tjetrin për heroizma të imagjinuar dhe epitete legjendare, duke mos menduar se dogri komuniteti i ka parasysh bëmat e tyne.
Sahatmbetësit në kohën pa krye, me fortmençuninë e hallakatun, i binin legenit kulturor për mbosmbajtjen e aktiviteteve, askund tjetër veç në odat imagjinare, që nuk mund t’i bajë askush në udhë kolektive, veç shtetit shqiptar, nëse do bindej në fitimin ( mbasi të rregullonte Amabsaden ), ose ndonjë pasaniku që do ta merrte përsipër administrimin.
Afeder senez, por dikush duhet me ndreq një akllagi me t’hollue mendjet e tane kajmekamave të emigrimit, kudo e cilëtdo qofshin, që ta kuptojnë mediokritetin, për të mos e quajtur vlerë!
Ishalla u jep Zoti ymer e ja bajnë hyzmetin mendjes me kuptue veten, se na, halia s’po mund i kuptojmë!
vazhdon….
Michigan,06 Gusht 2014(mbremje)

Filed Under: Komunitet

Do pika drite… për Ahmet Kolgjinin

August 6, 2014 by dgreca

nga Jozef Radi/
…në të 15 vjet të ikjes së Tij!/
Me shkruejtë për Ahmet Kolgjinin, kam mendue gjithherë sa asht gjaja ma e lehtë që mund të baj, bile mund ta baj edhe me sytë mbyllë, edhe në gjumë, edhe midis çorodisë së përditshme… mundem me thanë… çka s’mundem për Ahmet Kolgjinin: mundem me shkrue me lehtësinë e çeljes së lules apo ramjes së gjethes, mbasi akumulimi im i gjatë e i heshtun, për çdo grimcë të dhunueme të jetës së këtij djaloshi të ikun herët, ndër ato kohna të përgjakuna shtazësh të egra, ka pikue në mue si dhimbje hane dhe rrin ashtu i mbledhun dhe pret… prandej them se gjithçka mund të shfaqet ashtu si nji krue që rrjedh pa ia kërkue askush, thjesht pse Ahmet Kolgjini hyn te ajo kategori e njerzve që mbeten “djaloça të përjetshëm”, pse shpirti i tyne ka nji përmasë të veçantë e të papërsritshme, që e ndalon moshën me ecë dhe i jep krahë pegasit të shpirtit me i grah qiellit kah të mundet, deri sa ta lodhë atë…
Shpesh e mendoj dhe i bahem dalazotas i jetës dhe veprës së këtij njeriu modest, pse ai i dha vuejtjes kuptimin ma madhështor të jetës, pse diti me i ba vend vetes ndër miq e shokë, po edhe ndër urrejtsa, pse edhe fëmijë ndër vuejtje e tortura të mnershme ndejt si burrë; pse edhe i rritun pa babë, po nën kujdesin e veçantë të nji partie që s’e la me gëzue nji ditë të vetme n’at përmasën e tij njerzore të papërmasë… e megjithatë Ahmeti mbijetoi.
Sot i përkujtojmë të pesëmbëdhjetin vit të ngjitjes ndër qiej, dhe jam i bindun se ai kqyr mbi ne, kqyr me shumë dhimbje gjithçka ndodh, pse shumçka asht ashtu si ai s’e kishte andrrue… e sigurisht ndër qiej ai përlotet jo për çka hoqi e vuejti, po për çka andrra e tij për vend të vet vazhdon të jetë andërr…
Sot po e përcjell kët nderim ndaj tij me disa poezi që ai mbrriti me i ba libër pak para se ti mbyllte sytë, për me dëshmue që edhe pse futën në burg pa mbushte të 18 vitet, edhe pse bani 20 e kusur vite burgjeve të tmerrit, edhe pse u rrit pa babë; edhe me pse motra rrugëve të krejt kampeve të tmerrit, ai do të mbahet mend e do të kujtohet si poet, si poet delikat i asaj dashnie që mbetet veç andërr…
Ky njeri i brishtë e i tejdukshëm, ky zog vetmitar kange, fitoi betejën ma të madhe të jetës së vet: betejën me urrejtjen, mbasi kish fitue betejën mbi trishtimin, betejën e pafund me burgjet dhe interrnimet, betejën me provokuesit e ndytë që s’i lanë nji ditë me e gëzue si duhet… betejën e të mbetunit Njeri, Njeri i Dashuruem… kur bishat të shkelnin me kambë e me dhambë…
Nderim, respekt, mirnjoftje dhe do pika loti të spërkatuna me dritë… për Ju zoti Kolgjini!
2 gusht, 2014
*Botohet me lejen e autorit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Do pika drite... për Ahmet Kolgjinin, Jozef Radi

DIELLI: KANDILI KOMBËTAR

August 6, 2014 by dgreca

Janë shkruar shumë artikuj në fletore dhe të përkohëshme shqiptare mbi historin’ e DIELLIT prej njerësve të ndryshmë se si dhe qysh u-themelua ky kandil kombëtar, dhe pa dyshim njerës të tjerë do t’shkruajnë në t’arthmen mbi këtë pikë.
Me mbylljen e gazetës “Kombi” në Boston dhe të revistës “Albania” në London, qe nevojë e domosdoshme për botimin e një gazete kombëtare jashtë Shqipërisë që të lëftonte për të drejtat e popullit shqiptar. Dhe kjo nevojë u duk më tepër kur Xhon-Turqit burgosnë Dervish Himen sepse i gjetnë Flamurin e Shqipërisë me vete, dhe asnjë gazet’ e brendëshme nuk guxoj dot të fliste për mbrojtjen e tij nga frika e Xhon-Turqve.
Ahere Faik Konitza në London dhe Fan Noli në Boston u-muarnë vesh për botimin e një gazete shqip n’Amerikë.Ata nukë njiheshin personalisht, njohja e tyre qe me anë të shkrimeve në shtyp dhe të letre-këmbimit, dhe ashtu u-lith miqësia në mes të dyve. Natyrisht patnë dhe shokë të tjerë që e biseduan çështjen e gazetës, po fakti është se ata të dy qenë shkaktarët kryesorë për botimin e DIELLIT. Me përpjekjet e tyre u-ndes ky Kandil Kombëtar më 15 shkurt 1909, dhe është mbajtur ndezur gjer sot nga Vatranët e dedikuar dhe patriotë të vërtetë që s’janë larguar kurrë nga VATRA.
Kush e pagëzoj DIELLIN me këtë emër, nuk e di dot, kjo gjë munt të jetë shënuar në rekordin e shoqërisë “Besa-Besën” kur u vendos botimi i tij, po ku munt t’a gjejmë atë rekord? Kurse për themelimin e VATRES gjenden plot dokumenta historikë, ndonëse shumë herë janë shtrëmbëruar nga njerës të pakujdesur, besoj kjo është fjala më e urtë që munt të përdorim. Për shembëll, kur u-festua Dekata e Parë e Federatës Vatra, dolli një numër i posaçmë i DIELLIT me 16 faqe, dhe atje është botuar një artikull i gjatë prej Faik Konitzës mi historin’ e VATRES, i cili në paragrafin e fundit thotë këto: “Për emërin, formën federale, kanunorën, regulloren, dhe shpiritën e parë të VATRES, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që VATRA, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajsh, u-rit, u-madhua, u-bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe n’atë shvillim unë s’kam patur as një pjesë. (DIELLI: KANDILI KOMBËTAR
Pjesë e nxjerrë nga “Historia e Federatës VATRA” e Refat Xh. GurrazezitDIELLI: 31 Mars 1922).

Filed Under: ESSE Tagged With: DIELLI: KANDILI KOMBËTAR, Refat Xh Gurrazezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT