*Moren pjesë ish Sekretarët e Shetit duke përfshirë diplomatët të kalibrit si Henry Kissinger, James A. Baker III, Madeleine Albright, Colin Powell dhe Hillary Rodham Clinton/
*Madeleine Albright, ish Shefja e diplomacisë amerikane, diplomatia që mishëroi gjatë mandatit të saj udhëheqjen morale dhe vazhdon të frymëzojë, edhe sot diplomatët amerikanë, kudo që shërbejnë”, sidomos për punën e saj në dhënien fund të luftërave në Kosovë dhe Bosnjë”
NGA BEQIR SINA, New York/
WASHINGTON D.C: Gjashtë Sekretarët e Shtetit të çerek shekullit të fundit në Shtetet e Bashkuara, u takuan në Uashington, dje, në një takim të rrallë, siç e komentoi shtypi amerikan për të hedhur gurin e themeleve të një Muzeu dhe Qendre të Diplomacisë, që do të ndërtohet në përkujtim të historisë së Departamentit të Shtetit.
Nga të gjithë ata ish sekretar shteti që janë gjallë – u tha se vetëm ish Sekretarët e Shtetit Condoleezza Rice dhe George Shultz nuk ishin të pranishëm.
Ka qenë vetë Shefi aktual i Diplomacisë amerikane, John Kerry ai që udhëhoqi dhe që përshëndeti ceremoninë. Në fillim të kësaj ceremonie ai përshkroi të gjithë paraardhësit e tij – që jetojnë, duke përfshirë diplomatët të kalibrit si Henry Kissinger, James A. Baker III, Madeleine Albright, Colin Powell dhe Hillary Rodham Clinton, duke i bërë ata së bashku republikan e demokrat në Uashington për ceremoninë e përurimit të një muzeu të ri të dedikuar për të arriturat e diplomacisë amerikane, gjatë gjithë historisë së saj.
Të shtatë ish-sekretarët e shtetit, që ende jetojnë, thuhet se secili prej të cilëve, do të jenë drejtorët nderi të Muzeut dhe Qendrës së Diplomacisë së SHBA.
Sekretari i Shtetit John Kerry, tha me këtë rast se është kundër izolimit të kamufluar amerikan, duke e bërë atë sot në botë, që udhëheqja e SHBA, të jetë thelbësore në këtë kohë të pasigurtë. Ai e bëri këtë koment në pritjen që dha në këtë takim të rrallë publikë, të pesë të paraardhësve të tij – në Uashington dje.
Ndërsa, duke folur në hedhjen e themeleve të Muzeut të ri dhe Qendrës së Diplomacisë – ato janë për të treguar arritjet e diplomacisë amerikane, Kerry, ndërkohë shtoi se “Shtetet e Bashkuara, duket se kan sot përgjegjësinë e saj, mbasi angazhimi ynë tha ai – është mëse e nevojshme, dhe më shumë se kurrë”.
Në këtë ceremoni kishte ardhur dhe emri më i përfolur për në Shtëpinë e Bardhë – Hillary Clinton e kthyer në Departamentin e Shtetit – dy vjet mbasi ajo është larguar. Ajo kishte ardhur për t’u bashkuar me paraardhësit e saj Henry Kissinger, James Baker, Madeleine Albright, dhe Colin Powell, si dhe pasardhësi i saj, i fundit që zuri vendin e saj – në zgjedhjet e fundit Sekratarin e Shetit John Kerry.
Muzeu dhe Qendra e Diplomacisë së SHBA, është vendosur të ndërtohet në afërsi të godinës së Departamentit të Shetit – “Harry S. Truman Building”, dhe do të jetë një muze dhe qendër kombëtare edukimi që do të “demonstrojë mënyrat – në të cilat çështjet diplomatike, tani kan rëndësi gjatë gjithë historisë amerikane ”
Kerry më pasë përshëndeti secilin nga sekretarët e mëparshëm të cilët morën pjesë në këtë ngjarje.
Ai vlerësoi zonjën Hillary Clinton për atë që ai e quajti se gjatë mandatit të saj : “Diplomacia amerikane pati marrë një frymë, e jetë të re në partneritetet e vjetëra, duke i dhënë një kuptim tjetër “diplomacisë personale”. Më pasë ai foli për Gjeneralin në pension ish Sekretarin e Shtetit Colin Pauell – për ta vlersuar atë për atë që bëri për të bashkuar botën kundër al-Kaidës – pas sulemeve terroriste të 11 shtator 2001″.
Ndërsa, ish Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, ai e përshkroi si ” ish Shefen e diplomacisë amerikane që mishëroi gjatë mandatit të saj udhëheqjen morale dhe vazhdon të frymëzojë, edhe sot diplomatët amerikanë, kudo që shërbejnë”, sidomos për punën e saj në dhënien fund të luftërave në Kosovë dhe Bosnjë”, tha Kerry.
Kurse , ish Sekretari i Shtetit James A. Baker III, tha ai, krijoi “standard të reja në atë kohë në kohën e ndryshimeve të mëdha” sidomos në kampin komunist dhe në prag të Luftës së Gjirit në vitin1991. Kerry tha se edhe sot diplomacia amerikane do të përdori atë si një udhëzues në mënyren se si ai veproi në atë mision për të krijuar një front të bashkuar – kundër militantëve islamikë, që veprojnë edhe sot në Irak dhe Siri. ”
Dhe, për ish Shefin e Diplomacisë Amerikane Harry Kissinger , tha shefi aktual i diplomacisë amerikane nuk duhen shumë fjalë, se :”Ai vetë e ka shkruar fjalë për fjalë, librin e historisë së diplomacisë së SHBA,” tha Kerry.
Muzeu dhe Qendra e Diplomacisë së SHBA, është duke u ndërtuar në afërsi të godinës së Departamentit të Shtetit – “Harry S. Truman Building”, me 25 milionë dollarë në mbledhura në fushtata private. Ajo do të jetë pjesë e Departamentit të Shtetit dhe përbëhet nga 40.000 metra katrore ,
Qëllimi i Muzeut dhe Qendrës së Diplomacisë së SHBA, është të demonstrojnë mënyrat në të cilat diplomacia, është çështje tani dhe ka rëndësi gjatë gjithë historisë amerikane. Diplomacia dhe puna e diplomatëve amerikanë në mbi 250 ambasadat( përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën- Shqipëria, duhet cekur se është një nga vendet më të para – që ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me SHBA, ishte, Mbreti Zog ai që vendosi marrëdhëniet e para me SHBA), konsullatat, dhe misionet e tjera diplomatike janë jetike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë energji, imazhi, dhe aftësia e saj për të çuar përpara interesat e saj rreth globit. Nëpërmjet objekteve historike, videovedhe materialeve me një teknologji të re, ekspozita do të sse sa vitale dhe çfarë roli luan diplomacia amerikane në sigurimin e kombit amerikanë dhe për të siguruar prosperitetin e SHBA.
Muzeu do të ketë një serë pavionësh me ekspozita interaktive dhe objekte që do të u ofrojnë vizitorve dhe studentëve programe edukative. Muzeu dhe Qendra e Diplomacisë së SHBA, pritet të përfundojë mbas një vitë e gjysmë, për rreth 18 muaj.
Archives for September 2014
Testamenti “i heshtjes” në vargëzimet e një poeti…
Persiatje meditative rreth Vëllimit poetik “Vesa mbi gurë” – Neki Lulaj/
Shkruan: Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI/
Njohja me shumë krijues shqiptarë të Mërgatës, shkëmbimi i librave dhe shpalosja e botëkuptimit letrar e kombëtar, të bën të ndihesh e përgjegjshme, jo vetëm për atë që lexon në vepra, por edhe për nëntekstin e tyre, që si nën dritën e një llampadani, dalëngadalë rrezëllinë për të gërryer realitetin. Në atë realitet e gjen “palcën” e ëndrrës që ata kanë. Të këtillë e perceptova edhe veprën e Neki Lulajt, një nga poetët që, me qasje transparente, e sajon udhëtimin poetik nëpër sheshtinat e lodhura…, e me ilustrimet vargëzuese të shpie shekuj larg thesareve të Atdheut.
Një çast, kujtesa ime ndalon në takimin me poetin Neki Lulaj, në Koblenz (Gjermani), kur sapo mbaroi Kongresi – I i Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, më afrohet për të më uruar për fjalën time përshëndetëse në Kongres.
Fjalim i bukur…, duhet botuar në ndonjë gazetë me prestigj! Do ta dërgojmë në “Dielli”, më thotë, pas pak, z. Lulaj.
Gjithsesi e falënderova, nën entuziazmin e një ëndrre që bëhej realitet…! Ishte po ai “Dielli” i tandemit të çmuar të Letërsisë shqipe, Noli – Konica. Me pak fjalë, ky është poeti Neki Lulaj, atdhetari që e ndanë diellin e përbashkët me krijues të tjerë, përderisa vetë ai mbetet “rob” i diellit të Atdheut, me misionin e poetit që do t’i rrëfejë lashtësitë e lavdishme.
Të lexosh veprën “Vesa mbi gurë”, e ke kënaqësi, por ta kuptosh poezinë e tij, duhet të gjurmosh mbi mijëra vjet histori, meqë tek atëherë të hapen drita mëngjesesh të largëta, ngjarje krenarish kombëtare e padyshim edhe shumë kujtime të ajthme, që do të doje t’i zhbëje si ndonjë kujtim prej rëre. Të kuptosh tingullin e fjalës, në vargjet e Lulajt, duhet ndjerë atë varg që shkruhet nga thellësitë e shpirtit, përmes sprovave metafizike, të përshkosh thesare testamentesh të fshehura diku larg brigjeve të kësaj toke.
Të tëra këto janë klithma që zbulohen nga thellësitë, ku ndihet gëzimi i jetës, ritmet e ngarkesave të shpirtit dhe malli i mbetur pa diell: “…Me baladat e vjetra të shpendëve pa gojë, Të anatemuarit prangosur mbeten pa dëshmitarë/Bebëzat u drodhën nga thellësia e shpirtit që vlon” (“Gurgullimë”, 53). Parashikime këto që kuptohen, edhe kur nga pak bie heshtja “metaforike” mbi dashuritë e lashta ilire, atje ku shpesh ndalet për t’u prehur frymëmarrja e poetit.
Saga e vendlindjes
Një vorbullë ngjarjesh, ku përfshihen disa breza (si rrëfimi mbi Noan dhe bijtë e tij), rishfaq aktualitete edhe mbi historinë shqiptare. E tillë është historia jonë që ndër vite njohu përshkallëzime nga më të ndryshmet. Në një farë mënyre, është vetë kuptimi simbolik i brezit “të izoluar” dhe atij “të hapur” që ndërfuten te njëri-tjetri si një ngjizje katalogjizimesh të ngjarjeve historike.
Ëndrra e poetit Neki Lulaj që shtegëton mbi Kosovën e historive të trishta dhe malli i mërgimtarit që nuk shteron, në poezi, mbeten të freskëta si vesa mbi gurë. Vendlindja, në imazhin e poetit, merr gjithmonë tjetër pamje, për të sajohet “Dashuria engjëllore vargjeve u jep ngjyrë ylberi/Natën muzat shpirtërore mbi lumin e qetë thurin kurorë” (“Shtatë zanore”, 50). Mirëpo, jo gjithmonë, vendlindja shtrihet në avlëmendin ku thuren lumturitë për të…, me raste, ajo ndodhet para rreziqesh të mëdha. Me këtë sens, poeti shkruan: “Sulem në stolin e parkut të braktisur mbi gurin e shenjtë…/…Se nëna më iku dhe iku me tregimet e moçme shqiptare/E mbrëmjeve koburen e Shotës e fshihte/Në vetullën e kurorës së gardhit” (“Ka ikur”, 60).
Poeti, nuk e honeps faktin që vendi i tij qëndron me një këmbë në det, e tjetrën në tokë…, për këtë pasiguri ne vuajmë për të humburën dhe gjithmonë na ndjek një copë errësirë në formë zemre ngujuar në gjoks…, dhe shpresojmë në këtë Atdhedashuri. Përderisa beson se engjëjt jetojnë, ai vargëzon një ”Serenatë nate e rritur me frymëzimin në Lumbardh” për të vijuar në katrenën më pas: “Diku shoh perlat e fshehura në testament/Dikund thellë në arën pa vadë/Nëna ime e shtrenjtë nuk ke mbetur pa diell/Çamëri motra ime e dashur s’do të mbetesh pa ëndrra” Të kësaj tematike, përpos “Alienët” janë dhe ca poezi tjera: “Ecje vertikale”, “Ecëm”, “Natë e gjatë”, “Balada e heshtjes”, “Në prehrin e Lokes”, “Lindje – perëndim”…, e kështu, shqetësimet nuk kanë të sosur dhe të duket se “Bebëzat u drodhën nga thellësia e shpirtit që vlon” (“Gurgullimë”, 53). Herë-herë, në vargje ndesh copëza ëndrrash të liga, e do të doje të degdisje larg gjurmëve të tyre, sado që “E vërteta është e ëmbël dhe që sytë na kanë qejf ta shohim diellin” (“Kishtari”, përktheu: Lluka Qafoku). E ky është edhe dielli i ëndrrimit të poetit-mërgimtar, Neki Lulaj.
Miti i heroit
Mitet janë kujtimet e përherëshme mbi të kaluarën, janë si ato “kujtime të përtejme” që ngjiten flatrave të muzave e me hiret e tyre zbresin në ëndrrat e poetit. E poeti i jetëson ato si pentagrame, melodia e të cilave prek çdo ndjesi, rizgjon çdo kujtim. Aty diku ndeshet edhe pulsimi i kohës. Po ky “tik-taku i kohës” e sjell botën, i palos vitet që ikin e ikin për të mos u kthyer kurrë më te kulla stërgjyshore. Lulaj, gjen forcën krijuese dhe e laton penën e tij nga ca paradigma të vjetra, aty ku në heshtje rrënkojnë plagët e Atdheut…, aty ku u stolisën Nëntoret e bardha.
Koha nuk e ndaloi historinë shqiptare! As troku i kalit më të shpejtë s’e ndalon këtë hap kohe, gjersa diku këputen dallgët e kohës nga ato “me uniforma djalli” e trishtimi i reve të hirta e mbulon Kosovën, si të ishte një mallkim i qiellit. Një pëngjasmim ideor dhe formësor ky i shtjellimit të idesë me poetin Jean Follain…, “Shekujt” “Duke parë gjurmën e thundrës/së kalit të tij të përgjakur/kalorësi në atë gjurmë të harkuar/ku tashmë insektet përgatisnin kantierin e tyre/zbuloi shtypshkronjën e ardhshme/pastaj për ta pyetur për rrugën/iu afrua karpentierit/që pranë një trëndafili/duke u çlodhur sodiste luginën/e nuk lexonte kurrë libra”.
Libri “Vesa mbi gurë” është si ditar vargëzimesh. Në të, poeti ngre imazhin mbi mitin e lashtësive dhe kohëve tona, sepse miti bashkëjeton me ne, me poetin e të gjitha kohërave. Miti është bashhkëdyzim i historisë dhe përjetimit-aktualitetit…
Po heroi, si lind heroi?
Në kohë të trazuara, heronjtë janë shpëtimtarët e kohëve të skëterrshme! Janë copëza meteorësh që të tundin si “Gjumë i mërguar”, megjithëse poeti nuk lejon që edhe heroi i tij, të largohet nga kjo botë si shumë të tjerë: “pa një fjalë, pa një cak, pa epitaf/Pa një rrasë varri të shkretë…” (“Hiri”, 46). Heronjtë e poetit janë të shumtë, të ndryshëm, dhe jo vetëm ata të shpatësh e plumbit, por edhe eruditë që e udhëhoqën kombin drejt binarëve të jetës.
Atdheu i Neki Lulajt, nuk ka vetëm erë gjaku, por “Kjo tokë ka erë molle, ka erë trëndeline”, edhe atëherë kur për të derdh një gjerdan lotësh, plot krenari mbi gjurmët e të parëve tu, plot gurë, plot plisa… tokë që “Dremit mbi thesare e mbjellë me lapidarë” (56). Është e madhe dashuria e poetit për truallin e lashtë Dardan, tek shkruan: “Toka ime zbërthen ngjyrat e gjurmëve/Të ashtit që i falen dheut/E unë qofsha ideal Atdheu im është tokë e saj”. Një sërë poezish e trajtojnë këtë motiv, pikërisht mitin e heronjëve e “Pikojnë stërkala shiu mbi mermerin e bardhë të praruar”, e më pas: “…martirët e Dardanisë po ngjallen/duke dalë nga zemra e dheut…” (“Te pllaka”, 61).
Me këtë tis anatemimi, poeti identifikon shkaktarët e zisë së kësaj toke “Në kapakët e kafkave karpatiane do të gjunjëzohet sërish/me varre kuçedra sllave këtu do të mbesë…”, e koha do të ndrisë mbi lapidarët e: Maxhun Smajlit, Zenun Gjocajt, Bajram Bahtirit, Ahmet Krasniqit, Sali Çekut…, Baladën e Gocës së Kaçanikut, Ngjarjeve të Koshares, Loxhës, Prekazit e Gllogjanit…, e të tjera figura erudite si Migjeni, Ali Podrimja, që erdhën pikërisht kur “Zanoret i mbyti heshtja e ti në Rilindje qetësi nuk gjen” (39).
Në përmbyllje të këtij motivi i rivendos dy strofat e poezisë “Atdheu im”, që vijnë si antiteza metaforike:
“Atdheu im është tokë me eshtra të pa tretura
Atdheu im është fushë me kufoma të pagjetura
Atdheu im është tokë dëshmorësh me shekuj
Atdheu im është tokë e bekuar që ka vetëm engjëj.
Atdheu im është tokë me trima e heroina
Atdheu im është tokë e mbushur me legjenda
Atdheu im është tokë me beteja ku ecën lavdia/
Atdheu im është tokë e kullë ku flet rezistenca.
Atdheu im është feniks…
Të gjitha këto, nuk janë thjesht vargëzime, por janë kangjela që bëjnë vend në shpirtin shqiptar, pikërisht “Për ata që nuk vdesin”…, sepse jetojnë në Parajsën e Pavarësisë. Në syrin e përmalluar të mërgimtarit pasqyrohet Feniksi, që ngihet dhe nga hiri për të dëshmuar madhështinë e dashurisë. “Atdheu im është feniks”, shkruan poeti, e mesazhet e poetëve janë jetike, janë gravura që e gërvishtin monotoninë e njëtrajtshmërisë së kullës së Babilonit, sepse Atdheu shqiptar kundërmon erë të përhershme gjaku, por ka erë të këndshme trëndelinash e lulkuqesh!
KUJTIME NGA KOMUNITETI I BOSTONIT
Nga ROZI THEOHARI/
1. STEFANIA/
Sa herë afrohen pashkët dhe vezët e kuqe, kujtoj Stefaninë, shoqen time të kursit të poezisë në kolegj. Stefi (e thërrisnim shkurt), një poete me origjinë greke, dallohej për dy cilesi: poezitë e saj i shkruante vetëm me 2-3 vargje dhe… ishte një vajzë shumë e bukur. Cipa e fytyrës tejet e bardhë, profili grek, sytë e mëdhenj jeshilë dhe flokët e zes, të rënde e të ndritshëm, e hijeshonin jashte mase. E vetëdijshme
për bukurinë e saj, ishte mjaft kryelartë dhe e paafruar me të tjerët. Çdo student e quante privilegj nëse ajo denjonte ndonjëherë t’i falte një përshëndetje. Siç dukej, poetja magjepsëse filloi të miqësohej pak nga pak me mua falë fqinjësisë së dy vendeve tona, besimit tone te njejte fetar dhe mbiemrit tim që ajo pohonte se ishte grek, ndaj i shtonte një “s” në fund.
“Zonja Theoharis,” më thotë ajo një ditë, “kam dëshirë t’ju ftoj me gjithë zemër të vizitojmë Katedralen greke të Bostonit në darkën e pashkës. Eshtë një kishë madhështore dhe ka për të të pëlqyer me siguri!” Nuk ia prish dhe, të shtunën e pashkës në orën dhjetë të natës, ngjitëm shkallët e Katedrales së mermertë. Stefi përshëndetet me të afërmit e saj, ndërsa unë ndalem te ballkoni i katit të dytë nga ku duket salla e madhe festive e katit të parë. Kolonat e larta të mermerit dhe gjithë mjedisi janë stolisur me lule të bardha natyrale, fjongo të bardha mëndafshi dhe qirinj të mëdhenj, gjithashtu në ngjyrë
të bardhë. Të vriten sytë nga mitra (kapela) e dhespotit, zbukuruar me gurë shumëngjyrësh të shkëlqyeshem dhe nga pelerina e tij e qëndisur me ar. Tok me shikimet depërtuese të shenjtorëve nga afresket e mureve e të tavanit dhe tymit dalldisës të qirinjve e të temjanit, të ngjallet pa dashur ndjesia
se me të vërtetë ekziston një Zot dhe ne duhet t’i falemi atij me përkushtim, përulje e përdëllim.
Tashmë janë zënë të gjitha karriget nga qindra besimtarë greqishtfolës; gjithsecili duke mbajtur nga një qiri të ndezur në dorë. Stefi, veshur me një fustan bojë qielli të hapur, e ndriçuar në fytyrë nga rrezet kurorë të qiririt, i shembëllen një Shën Marie të vërtetë. Befas, kridhem e gjitha në kujtimet e paharruara të fëmijerisë kur festonim pashkët në kishën tonë të fshatit Dardhë. Kostumet e bukura të grave dardhare, qirinjtë e llambadhet, tufat me lule agulice dhe manushaqe të mbledhura me mundim bregut të lumit ose rrezë përrenjve, sigurisht i errësojnë mjaft ndriçimet e kësaj Katedraleje. Po
ashtu, zëri i ëmbël e kumbues i priftit të fshatit, Papa Kristos…
Ndiej Stefin të më tërheqë për krahu: “Krishti u ngjall!”- më thotë ajo,- “E dëgjon këngën e dhespotit?”
Ora ka shënuar 12. Sallat e kishës oshëtijnë nga zërat e grekëve. Atë çast po, më kujtohet edhe mua kënga:
“Krishti u ngjall së vdekuri,
Me vdekje vdekjen shkeli
Edhe të varrosurve
U fali jetën…”
Pra, filloj të këndoj dhe ta ngre zërin lart e më lart sipas melodisë, e mrekulluar nga jehona e tingujve të fjalëve shqip që përplasen në kubetë e mermerta të ndërtesës…
Ndiej një pëshpëritje dhe lëvizje kokash në drejtimin tim. Një xhaxha me mustaqe e syze ulur para meje, lëviz kokën paksa majtas dhe mban vesh fjalët e këngës sime. Pastaj kthehet i gjithi nga unë dhe flet disi i papërmbajtur: “Zonjë, si duket…keni ardhur gabimisht në kishën tonë..” Zbres nga qielli në tokë. E kuptoj se mund të ndodhë një situatë e pakëndshme.
Megjithatë, vazhdoj të këndoj dhe, kur mbarojnë të gjithë, ia kthej me një buzëqeshje: “ Kjo është edhe kisha ime!” Në mënyrë demonstrative unë vendos gishtat në ballë e bëj kryqin.
“Atëherë, – thotë ai,- këndo greqisht…Ja…fillo kështu “Kristos anesti…” “Unë e di këngën, zotëri!”- i them qetësisht. Plakushi skuqet edhe më në fytyrë dhe në sytë e tij dalloj shkëndija kërcënimi. Vë re se edhe Stefi, pas një ngurrimi, mundohet të më bindë se duhet të këndoj në gjuhën e tyre. “Dëgjo sa bukur
tingëllon”,- thotë ajo dhe më zgjat tekstin e këngëve. Unë i zgjas dorën e i uroj natën e mirë. E shoh se lëndohet. Ndoshta u nxitova ca, po ashtu ma tha zemra. Tek e fundit, shkak u bë këmbëngulja e plakut, jo ajo.
Duke zbritur shkallët, qëndroj për disa minuta pa lëvizur, duke soditur në mur pikturën e Shen Gjergjit i cili, nuk e di pse, më shëmbëllen me Marko Boçarin mbi kalë…
2. LE TE FLASIM SHQIP
E gjithë biseda u zhvillua në telefon. Vetëm pak, shumë pak e njoha Varvarën nga qyteti i Swampscott-it. Në fillim më foli në anglisht pastaj, pas një pauze, dëgjova: “Unë e di shqipçen” -”Jeni shqiptare?”- e pyeta. Ajo qeshi sepse e priste këtë pyetje nga unë. “Jam greke,”- tha. “Kam ardhur nga Greqia më 1940 e jam martuar me një amerikan. Burri im kishte biznes dhe shoqëri të ngushtë me një shqiptar që quhej Spiro.
Nuk mund të gjendej njeri më i nderçëm, më nikoqir dhe më i dashur se ky shqiptari. Me ndihmën e tij biznesi na shkoi mbarë.
Por, i gjori Spiro, mendjen e kish te Shqipëria, te gruaja e dy fëmijët. Kur psherëtinte ai, neve na këputej zemra. Burri im dhe unë provuam të mësojmë shqipçen nga Spiroja. Veçse kështu ai do të zbavitej e nuk do te mërzitej. Dhe e mësuam shqipçen nga Spiroja dhe miqtë e tij shqiptarë që na vizitonin ngaherë. Dhe Spiros i qeshte nuri kur ne i flisnim fjalët e gjuhës së tij. Por ka vjet që miku ynë me emër të mirë, zoti Spiro, u kthye përgjithnjë në Gjirokastër dhe ne me burrin e ndiemë shumë mungesën e tij. “Kishit letërkëmbim?” e pyeta unë. “Posi, letrat e dhuratat nuk sosnin deri sa vdiq. Por ajo që do të të
rrëfej e që ngjan ca e çuditshme, është se burri dhe unë vazhdonim të flisnim shqipçe. Kështu na voliste më mirë nga se na kujtohej edhe Spiroja. Veç…, kur me vdiq burri para dy vjetësh…, unë mbeta tamam jetime. Jo se jam pa njeri…Kam, të më rrojnë, djem e çupa, po unë humba burrin dhe shqipçen
së bashku. Kam dy vjet, moj çupë, që s’e flas me njeri shqipçen.
Më dëgjon? Flas çkoqur? “ “Flet shumë mirë” -ia ktheva.
“Ndofta ti s’më beson, por më hipi në kokë: ja të gjej një “shqipçe njeri,” ja s’ka! Mora vesh se kanë kapërcyer Atlantikun shqiptarë të rinj. Pyeta kishë më kishë në njihnin ndonjë rob.
Dhe ja…të gjeta ty!” “Jam e lumtur që të dëgjoj zërin,” i thashë.
“Oh…, e lumtura jam unë,”- psherëtiu ajo,- “që tani nuk jam
e vetme. A mundem, sometimes, të të kall e të llafosemi prapë
në tellofon?”- “Sa herë të dëshironi”- iu përgjegja dhe i tregova
se në çfarë ore mund të më gjente në shtëpi.
Kështu, Varvara u bë gati si pjesëtare e familjes sonë, sepse
telefononte çdo javë; tregonte si i kalonte fundjavet dhe
pushimet me fëmijët e saj, çfarë gjellësh gatuante dhe çfarë
këngësh shqiptare kishte dëgjuar nga kasetat e Spiros.
Planifikuam disa here të takoheshim, por ajo ishte e sëmurë e
nuk pati mundësi. Kohët e fundit thoshte se qëndronte
vazhdimisht brenda. Kaluan muaj dhe gjendja e saj u rëndua.
Tani në një moshë të shtyrë mbi 90 vjeç. Edhe bisedat telefonike
u rralluan. Kur më fliste, jo vetëm që i shqiptonte fjalët me zor,
por nganjëherë i ngatërronte me anglishten. I kisha premtuar
se do t’i vija një javë para pashkëve, të takoheshim, dhe me
këtë rast, do t’ia skuqja vezët e pashkës. I numëronte ditët.
Kur… më lajmëruan nga kisha se kishte vdekur para një
jave. Përveç keqardhjes që ndjeva, më mbeten peng dy gjëra. E
para, që nuk e takova e ta përgëzoja për dëshirën e vullnetin e
saj për të mësuar gjuhën shqipe, pa mësues e pa libra. E dyta,
duhej t’ia kisha regjistruar zërin…Ia vlente që shumëkush ta
dëgjonte atë shqiptim…
3. BORZILOKU I LEFTERISE
Dhembja dhe pendimi që më shkaktoi vdekja e Varvarës
më dha një mësim se duhet mbajtur premtimi qe u bejme
pleqve. “Plaku sot është, nesër s’është,” thotë populli. Hap
bllokun e shënimeve dhe lapsi qëndron tek emri i nënë Lefterisë,
një shqiptaro-amerikane e moshuar që banon diku, në periferi
të Lynn-it. E kisha takuar vetëm një herë në kishë para gjashtë
vjetesh.
Lë çdo punë dhe nisem…Qëndroj para gardhit të drunjtë
që rrethon shtëpinë e saj. Dëbora ka mbuluar kopshtin para e
mbrapa shtëpisë. Një drithërimë më pushton trupin kur
vështroj se rrugica deri te porta e saj e ka dëborën të pashkelur.
Zgjas dorën t’i bie ziles, por në vend të saj gjej një dorë hekuri
që shtrëngon në gishtërinj një top metalik. (Si dyert e korçarëve).
Kur e prek atë “dorë”, korrenti i kujtimeve të largëta më lëndon
zemrën. Në dritaren e katit të parë lëviz një perde me hoja
permes se ciles dalloj fytyrën e paqme të një plake të moçme,
aq shumë të ngjashme me fytyrën e një nënë korçare.
Kur takohem e i them se jam nga Korça, një ngjyrë e kuqe
mbulon fytyrën e saj të zbehtë, tërë rrudha e gropa. Pa folur,
ajo më merr për dore e më çon në dhomën e saj të thjeshtë me
dy krevate e një komo. Në murin nga ana e lindjes është varur
një kandile me vaj e cila ndriçon dy ikona. Ajo tregon me një
zë të dridhur: “Eshtë kora e Shen Pjetrit dhe e Shen Thomait,
janë kora të drunjta, të vjetra shumë, që i kam sjellë nga Korça.”
Pastaj, ngre dorën e thatë deri te balli e bën kryqin. Bëj edhe
unë kryqin. Ulemi në shtratin e saj të mbuluar me një kuvertë
rozë, punuar me mjeshtëri nga duart e saj.
“ U martuaçe me 1935. Afërnaj vinin djem të rinj pe Amerike,
kërkonin nuse, në Korçë. Une isha çupë e re, e bukur
doemos…Nëna më ushqente me reçel luleshtrydhesh të
mbledhura ne pyll. Po qëndisja në gjergjef ulur te pragu i portës,
kur e pashë djalin që u vlova. Nëna e babai nuk donin…, më
kishin bijë të vetme…Por unë isha e re…fiu-fiu…doja të vija në
Amerikë, si shoqet. Dhe erdha. Pa shtëpi, pa katandi. Burri kishte
punë të rëndë në fabrikën e lëkurëve. Atje u sëmur. Kur punonte,
kur s’punonte. U detyrova hyra vetë në punë, në fabrikën e
karameleve. Që pa gdhirë e gjer në të vonë të ditës…mbështill
sheqerka me duar.” Ajo zgjat dorën e djathtë dhe vërej se akoma
gishti i madh e ai tregues lëvizin automatikisht në ajër sikur
mbështjellin diçka. “E kam peshqesh nga fabrika”- nënqesh ajo.
Ia marr dorën që dridhet në dy duart e mia e ia puth.
“S’ma ka puthur njeri dorën gjer më sot,” -thotë ajo,- “bile,
as ime bijë!” “Keni një vajzë?” e pyes. “Kam një çupë të martuar,
po ç’e do ! U bë amerikankë, jo shqiptarkë.” Plakës i del një
“Oh…”, një rënkim nga shpirti. “Siç të thashë, burri u sëmur,
shtëpia desh blerë, çupa desh shkolluar. Të gjitha këto u bënë
me djersën time. Prandaj kjo shtëpi, që u ngrit nga duart e
mia, mbeti shtëpi korçare që nga themeli e deri te kulmi. Këtu
brenda nuk hyri Amerika kurrë. Nuk më ngjiti, dhe s’më ngjiti,
e s’më ngjit më ky vend. Me këto duar të shtrembëruara punova
në avlemend qilimat, rrugicat, perdet e kuvertat, siç i sheh, të
ka rehat shpirti!”
Nënë Lefteria më nxjerr një tabaka me reçel luleshtrydheje
e një gotë uje me akull. “Më kujtohet nëna,”- thotë, -”e nuk
resht kurrë nga likotë, që i bëj për merak.”
Mbi komo qëndrojnë disa fotografi me korniza të praruara.
“Ay që qesh atje, është i ndjeri, im shoq. Po nuk i shkoi jeta me
të qeshur. Vojti i gjori, goxha! Dhe vdiq i ri…Mbeçë qyqare…Më
vdiq nëna e babai në Shqipëri…atëherë mbeçë bonjake. Qaj
ditë e qaj natë, sa i rrezova krepallat e syve. Gabim që s’falej që
shkela Amerikën. Dhe zoti ma shpërbleu. Lashë nënën e babanë
t’i qajnë bota, që s’do të më tretë dheu kurrë!”
E prekur nga lotët e saj, mundohem të ndërroj bisedë. “Ti
nënë Lefteri je me famë për borzilokun tënd. Apo s’është
kështu?” Ajo më merr prapë për dore e më çon në verandën e
shtëpisë. Dhjetëra vazo të vogla e të mëdha gjelbërojnë nga
gjethet e borzilokut. Dora e dridhshme e plakës kalon me
përkëdhelje mbi degëzat delikate dhe një kundërmim erëmirë
përhapet rreth e rrotull. “Po,”- thotë ajo,- “jam me famë, se ky
është borzilok i rritur nga dora e nënës sime në Korçë. E kam
sjellë farën që me 1934 e që atëherë e mbjell cdo sene, në
prandverë. I sheh këto dy vazot e mëdha? Janë për varret e
nënës e të babait.” Unë s’po kuptoja gjë. “E di që do të çuditesh,-
thotë,- po unë kam ngritur dy varre në fund të kopshtit. E di
që s’janë pe vërteti, po ama kam vend ku të qaj e të shfrej mallin
për prindërit. I mbuloj varret me borzilok e qaj, e qaj me kuje e
me ligje. Ky është dhe sebepi që çupa më iku shpejt nga shtëpia.
“Po tani ku ndodhet ajo?”- e pyes duke ia puthur dorën përsëri.
“Eshtë martuar…,ka bërë edhe fëmijë, por rrallë më shikojnë”
“Po ti i ke tmerruar me ato ulërimat e tua dhe me varret!”- i
them unë me një ton qortues. “Ah…jam kjo që jam…s’ndreqem
më! Jam pleqëri, jam e sëmurë dhe e di që do te vdes së shpejti.
Por jam e gëzuar, se atë orën e fundit do të më shfaqet nëna e
babai e do të më marrin në prehër përgjithnjë…”
4. NENA E DHIMITRIT
Atë që nuk e bëri dot Lefteria me të bijën, e bëri nëna e
Dhimitrit me të birin. Dhimitrin e takova kur zhvillohej një
aktivitet me shqiptarët e Massachusettsit, në “Pier 4” në Boston.
Ai ka lindur në Worcester Mass nga prindër shqiptarë, që kanë
emigruar në Amerikë qysh me 1906. Dhimitri, një mesoburrë
me flokë të bardhe e fytyrë të qeshur, tregon: “Nëna e babai me
pagëzuan me emrin “Dhimitër”, emrin e gjyshit, dhe ata nuk
lejuan që të regjistrohesha në shkollë apo në dokumentet e tjera
me emrim Xhim. Kur isha
fëmijë dhe shokët me vinin ne shtëpi të me thërrisnin për të
luajtur, në qoftë se më thoshin emrin “Xhim”, nëna nuk më linte
të delja me ta. Kështu, unë i porositja shokët që në shkollë, të
mos harronin të më thërrisnin me emrin “Dhimitër”. Kjo u bë
shkak që shokët e klasës të më vinin nofka, duke ironizuar emrin
e gjyshit tim. Sigurisht, kthehesha në shtëpi nervoz dhe i
zemëruar, por nëna e babai mundoheshin të më bindnin se emri
im ishte më i bukuri nga të gjithë sepse ishte emër
shqiptar…Babai e nëna zbatonin një disiplinë të rreptë familjare,
sipas normave shqiptare. Vetëm një herë dola nga shtëpia për
të luajtur me fëmijët e tjerë, pa i marrë leje nënës dhe babai më
dënoi. Çdo ditë duhej të përktheja fragmente nga bibla anglisht
në gjuhën shqipe dhe në mbrëmje, kur babai kthehej nga puna,
duhej t’ia lexoja. Kjo vazhdoi gjatë gjithë pushimeve verore të
shkollës.” “Dinit të lexonit e të shkruanit shqip?” e pyes.- “Ishim
shumë nxënës shqiptarë që mësonim në shkollën e kishës sonë
shqiptare të Worcesterit. Babi im ishte arkëtar e sekretar në atë
kishë e shpesh më nxirrte në shërbesat kishtare të thoja
përmendsh pjesë nga ungjilli, në gjuhën shqipe…”
Deri në ditën e sotme, Dhimitri nuk eshte ndare asnjëherë
nga aktivitetet në dobi të çështjes shqiptare. Që në rini të hershme
merr pjesë në shoqërinë teatrale “Dora d’Istria” te Worcesterit,
më vonë bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Liria” të Bostonit, dhe
deri tani, përgatit e transmeton vullnetarisht një orë emision në
radio, në gjuhën shqipe. Emisioni titullohet “Ora Shqiptare” dhe
jepet çdo të shtunë. Dhimitri është edhe anëtar i Organizatës
Amerikano-Shqiptare për Ndihmë Shqipërisë. “Deri tani,- thotë
ai,- kemi dërguar në atdhe shumë ndihma për spitalet, shkollat,
bibliotekat etj. Jam shqiptar,- vazhdon Dhimitri,- pa qenë asnjë
ditë në Shqipëri. Jam shqiptar nga emri im, nga gjuha ime shqipe
e folur dhe e shkruar, nga ruajtja e kultivimi i zakoneve dhe
traditave më të mira shqiptare”. “Dhe të gjitha këto së bashku
e kanë zanafillën tek nëna juaj!”- i them. “Po, – pohon ai,- emri
im i veçantë, për të cilin nëna këmbënguli aq shumë, më kujtonte
gjatë gjithë jetës se duhet të bëhem i vlefshëm për shoqërinë
shqiptare, qoftë këtu, qoftë në mëmëdhe.” “Po afrohen pashkët,-
i them,- çfarë keni vendosur të transmetoni në emisionin e radios
të shtunën e pashkës?” “Do të transmetojmë, thotë ai, meshën
që ka mbajtur Fan Noli për pashkë; e kemi të inçizuar së bashku
me shumë mesha të tjera të tij.”
Sa prekëse dhe emocionuese do të jenë ato minuta për
shqiptarët e Worcesterit, kur në eter do të kumbojë zëri i
dhespotit tonë të madh, Nolit të pavdekshëm, për të lajmëruar
edhe një herë, me gëzimin e ngadhënjimit, ngjalljen e Jezu
Krishtit.
Boston, 2004
“Dita e të Humburve” dhe mundësia që s’duhet të humbasin shqiptarët
Nga Sulejman GJANA/
Në bazë të Rezolutës 65/209 të dt. 21 dhjetor 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB e ka shpallur datën 30 Gusht si “Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve/Humburve”. Tashmë kjo datë shënon në shume vende të qytetëruar kujtimin e të gjithë të zhdukurve e të humburve nën regjimet diktatoriale, mbështetjen për viktimat dhe familjarët e tyre, rëndësinë e veprimeve që duhen ndërmarrë kundra krimeve të këtij lloji, si dhe për gjetjen ose kthimin e të zhdukurve dhe zhdëmtimin e tyre.
Sigurisht që kjo datë do të mund të ishte një përkujtimore e mirëfilltë për të gjithë ato viktima shqiptare që jo vetëm kanë humbur jetën, por edhe për ato viktima që ende rezultojnë të humbura (të pagjetura). Bëhet fjalë për viktimat e sistemeve totalitare, nazizëm e komunizëm, sisteme këto që shpesh kanë vepruar në simbiozë dhe kanë pasur si emërues të përbashkët dhunën dhe krimin.
Për shqiptarët pa dallime ndërkufitare, humbjet më të mëdha dhe të humburit (të pagjeturit/të zhdukurit) më të shumtë rezultojnë si pasojë e dhunës dhe represionit mizor komunist. Komunizmi në Kosovë e Shqipëri nuk njihte vërtet kufij kur Dushani, Miladini dhe të ngjashmit e tyre, jo vetëm që drejtonin skalionet goxha të ideologjizuara e antikombëtare të shqipfolësve, por ishin edhe porositësit e ekzekutimeve për sa e sa nacionalistë shqiptarë që luftonin për Atdheun mbi të gjitha, për Shqipërinë dhe shqiptarët etnikë. Këto krime vazhduan përgjatë gjithë kohës së regjimit komunist në Shqipëri si dhe gjatë pushtimit të Kosovës nga Serbia. Zhdukja e atdhetarëve shqiptarë shkruhej në projektet antikombëtare dhe ishte po ashtu edhe një prej mënyrave për të krijuar terror ndër shqiptarët për ti mbajtur ata të nënshtruar.
Në Kosovë, 30 gushti 2014 pati një jehone për t’u admiruar. U përsërit kërkesa e kthimit nga Serbia të 1700 shqiptarëve të zhdukur. Nderim e vlerësim për të gjithë politikanët e Kosovës që e çmuan këtë ditë duke dëshmuar se plaga është ende e hapur për mbarë shoqërinë dhe se vërtet nuk duhen harruar viktimat dhe familjet e tyre që ende nuk kanë mundur as të mbyllin zinë. Do të vijë pa dyshim dita kur në rend të ditës të bisedimeve me Serbinë do të shënohet edhe kërkesa për kthimin e të gjithë shqiptarëve të humbur (zhdukur) gjatë pushtimit serb.
Ndërkohë që ne Shqipëri, fati i shqiptarëve që u zhdukën gjate luftës civile të viteve 1943-44 dhe gjatë diktaturës komuniste e që ende nuk u dihen varret, nuk është përmend ndonjëherë nga ata që ua morën votën shqiptarëve për 23 vjet (dhe sigurisht, jo më 30 gushtin që sapo kaloi). Duket sikur partitë parlamentare shqiptare dhe politikanët e ‘’lartë’’ janë gjithnjë me pushime kur bëhet fjalë për çështje që prekin të kaluarën e errët komuniste dhe traumat që la ai sistem në shoqërinë tonë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe as këtë vit. Komunizmi dhe trashëgimia e tij, jo vetëm vazhdon që të ketë pushtet, por është edhe model për shumicën e politikanëve shqiptarë që sot qëndrojnë në ndenjëset e Kuvendit.
Për këtë arsye, nuk mund të gjendet edhe shtysë apo motiv për të ngritur në këmbë politikanët tanë, kryesisht parlamentarë, që të përkujtojnë me respekt e mirënjohje kontributin e të rënëve dhe të humburve për Shqipëri të njësuar dhe në kundërshti të hapur e pa kompromis ndaj totalitarizmit komunist, të ndryshuar gjatë rrugëtimit djallëzor edhe në nacional-socializëm.
Ndodh kështu se shumica e politikanëve shqiptarë, kryesisht parlamentarë, nuk janë ndarë ende nga hijet e së shkuarës moniste. Janë vijuesit e asaj ideologjie vrastare, që sot ka ndryshuar vetëm mjetin e luftës, por jo mentalitetin. Janë bijtë ideologjikë të atyre që kryen masakër pas masakre, pa e vrarë shumë mendjen se i kryenin këtej apo andej Drinit të Zi, në dobi të shovinistëve serbë; këtej apo andej “gjakut lumë” të Devollit, në dobi të shovinistëve grekë.
Për vrasjet e nacionalistëve shqiptarë, internacionalistët kuqalashë vepronin në të tërë hapësirën e Shqipërisë Etnike, edhe pse truallin që përshkonin dhe e spërkasnin me gjak shqiptari, e urrenin ta shihnin të njësuar. E për këtë ogur të zi antikombëtar, ishin gati dhe bënë kurban jo vetëm ato viktima që u dihet nami e nishani, por edhe ato viktima që mbeten ende pa nam e pa nishan.
Heshtja ndaj krimeve të komunizmit është bashkëfajësia moderne e bashkëjetesës së politikanëve e parlamentarëve në Shqipëri, pavarësisht sa prej tyre ulen majtas e sa djathtas (apo sa kalojnë nga majtas në djathtas, apo edhe anasjelltas) poltronit të kreut të kuvendit.
Çka mbetet e rëndësishme në këtë dukuri, lidhet me krimin që ka mbetur ende pa ndëshkim real. Hapja e dosjeve do të ishte fillimi i terapisë më të mirë për të kuruar këto plagë të së shkuarës së largët e të afërt që ende kullojnë gjak.
Ky veprim i përligjur do të mundësonte në mënyre reale edhe ndërmarrjen e hapave të duhur e ligjore për t’i shkuar kurës deri në fund; dhe jo duke belbëzuar tek-tuk, sa për të larë gojën, përpara politikanëve të lartë perëndimorë ose para elektoratit shqiptar në kohë fushate.
Në të kundërt, të pagjeturit do të mbeten gjithmonë të humbur si për të provuar se kjo është interesi i kësaj kaste politikanësh; që e djeshmja të humbasë në harresë, të mbetet e pagjetur. Sepse kështu humbet mundësia për ‘pastrimin’ real të politikës shqiptare, sidomos asaj parlamentare, që ka llogari ende të pambyllura me krimet e komunizmit dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Koha nuk pret, madje jemi vonë. Integrimi real i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë mund të kryhet veç atëhere kur krimi të njihet, e me pas të ndëshkohet ligjërisht.
Kjo mund të ndodhë kur xhelati dhe porositësi të mos jenë të vetmit që e dinë se ku e kanë groposur viktimën. Ndryshe, viktimë dhe peng i së shkuarës mbetet fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kjo do të ishte e pafalshme për gjeneratën tonë që mezi pret të integrohet në Europën ku ishim të integruar deri nga fundi i viteve ‘30-të, por që fatkeqësisht, për 70 vite, mbetemi ende të pa integruar, për arsye se shumica e politikanëve janë akoma peng të sistemit komunist.
Rilindja, Komisarin e diktatures e emeron shef komisariati ne Demokraci
I dënuari për genocid që pushkatonte të rinjte në kufi bëhet shef komisariati!/
Rifat Çoku është emëruar shef Komisariati në Malësinë e Madhe ndërsa qeveria është përpjekur që këtë emërim ta kalojë në heshtje. Rifat Çoku ka shërbyer si Komisar në zonën kufitare gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe në datën 2 tetor të vitit 1986, ai ka qënë pjesëmarrës në pushkatimin e të riut Sokol Veshti, të cilin e kishin ndaluar fillimisht në tentativën për të kaluar kufirin e më pas e ekzekutuan barbarisht. Në vitin 1996, Rifat Çoku u denua me burg per krimin e genocidit nga Gjykata e Shkodrës, por pas trazirave te vitit 1997 doli shpejt nga burgu.
Sot, Rifat Çoku ka rilindur nga oligarkia në pushtet, e cila komisarin e terrorit dhe vrasjeve e ka emëruar Shef Komisariati në Malësinë e madhe. Ky emërim tregon më së miri inkriminimin e përditshëm të policisë dhe shtetit , teksa sigurinë publike të qytetarëve të Malësisë së Madhe do e ketë në dorë një xhelat i diktaturës me bekimin e Ramës dhe Metës. Ky akt shpjegon më së miri se dyshja Rama Meta qëndron pas vandalizimit të monumentit kundër dhunës së diktaturës komuniste në qendër të Tiranës, dhe prapa çdo akti tjetër që frymëzon e frymëzohet nga e kaluara e gjakatare e diktaturës komuniste në Shqipëri .
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt kriminal dhe e cilëson si një përdhosje ndaj mbarë shoqërisë shqiptare dhe vlerave të saj të arritura në këto 23 vite. Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të shoqërisë, ish të përndjekurve politikë, por edhe elitës intelektuale në vend, të reagojnë ndaj këtij akti monstruoz të dyshes Rama Meta.(BS)
- « Previous Page
- 1
- …
- 49
- 50
- 51
- 52
- 53
- …
- 57
- Next Page »