• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

PSE THIRRI FAUSTIN NË TIRANË NOVRUZ XH. SHEHU

October 1, 2014 by dgreca

Nga Prof.Dr. Kleanth Zoto/
« Fausti mbrriti né Tiranë.Mbas një vizite në të gjithë planetin, erdhi pikërisht në Tiranë…»nis novela poetike e poetit dhe studjuesit të njohur Novruz Xh Shehu… Pse erdhi, ç’mision kish e ka, ç’ndryshime kérkon, duke këmbëngulur të vendoset dijetari në poltronin e duhur?!
Fausti i të madhit Gëte,( ashtu si dhe gjermani i ditëve tona), ka monoplin e kulturës së tre disiplinave ( korrektsës, punës, muzikës ) dhe kërkon të vendoset pusheti i Dijes në Tiranë, në këtë kryeqytet të trazuar të kontinentit europian.
Njerëzimi bëri rrugë të gjatë ndër shekuj ,që nga shoqëria fisnore, në të cilën nuk njihej familja, shteti, derisa Fausti po béhej « simbol i borgjezisé sé re , njeriu qé kérkonte té fitonte dijen, njohjen e gjithë sekreteve të natyrés , e të vendoste pushtet mbi natyrën e mbi forcat e saj.Një figuré e tillë u pérgjigjej aspiratave karakteristike për gjithë iluminizmin evropian. Ishte e kuptueshme, që forcat revolucionare të iluminizmit gjerman e kapën këtë figuëé për të mishëruar luftën e tyre, për të emancipimin e njeriut, ashtu siç kapën figurëe Prometeut, të Spartakut,si figura simbole… »(Gëte.Fausti.Vepra té Zgjedhura 1, f.50)
Novruz Xh Shehu, ka patur parasysh një mënyrë të tillë të vepruari e të realizuari të synimeve të tij artistike e filozofike, duke sjellë në Tiranë pikërisht Faustin, këtë simbol të dijetarit, kërkues të paepur gjer në përmasën e perëndisë së Dijes, nëse mund të përdorim në këtë rast fjalorin e kulturës antike.
… « I ngjan Adamit i cili zbuloi në brinjë Dashurinë, për lindjen/ e botës së pafundme,…Si dhe Sokrati shqyhet së qeshuri/, në sokakaët e Athinës, duke luajtur poker me gjyqtarët dhe jetën,/ Shnërrohet në potretin e Jesuit, duke shikuar nga sytë e plagëve,/ gozhdëtarët…..Në portretin e Galileo Galileit shndërrohet ,/Ndërsa mban në pëllëmbë këtë globth të vogël … » (Fausti në Tiranë- f.4)Pra autori i vesh Faustit tërë mëncurinë dhe sakrificën e njerëzimit në të gjithë shekujt, duke i dhënë statusin e të dërguarit të Zotit, për të shpurë cfar duhet në Gjyqin e Qiejve nga Tirana e shndërruar në Simbol të një epiqëndreje të mbushur tërë drama, komedi, tragjedi, marrëzi e bëma intelektuale të përmasave të pazakonta.
Është një Faust sa klasik aq modern, sa mistk aq real, po aq i domosdoshëm në Tiranë e në komunitetin njerëzor, sa në periudhën e Gëtes…Rithirja e Faustit është është një akt artistik sa edhe filozofik, politik e në të njëjtën kohë shprehje e re e iluminizmit bashkëkohor.
*
Fausti, me të mbrritur në Tirané, bën përpjekje të takohet këtu me ata që kanë krijuar kapitalin e Historisë e të Dijes…Fillimisht përballet me Partizanin e Panjohur në majën e piedestalit, në krenarinë e përjetëshme të fitores, e në thirrjen e përjetëshme të shndërrimit të shoqërisë njerëzore nëpërmjet të Armës, ndërsa nën këmbët e tij është një partizan tjetër, i cili ka qënë në burg politik, nën diktatin e Komunizmit, e që beson në shndrrëmin e evolimin e shoqërisë nëpërmjet të Librit…Miti i armës dhe miti i Librit, përshfaqen para Faustit i cili shënon këtë kontradiktë, që dëshmon antagonizmin e përjetshëm midis tyre, një zhurmëri marramëndëse, thuajse e padurueshme, e pjesë e karakterit dhe ndërgjegjes, saqë të krijohet bindja se nuk mund ta kuptojë egzistencën pa atë konlikt.
«…Partizani i Panjohur nxiton në kërkim të ecjes,/Zërit,/zemërimit, lavdisë së arratisur./ Pranë tij Partizanai i Njohur shet libra, copa gazetash, me kronika nga Lufta e Dytë Botërore… / »f.11.
Kemi realitete pothuaj krejt të ndryshme deri në përmasën e habisë së shkakut që i ka sjellë :I Panjohuri merr pushtetin dhe qëndron për njëgjysmë shekulli me Armën dhe krenarinë e luftës duke e quajtur armik partizanin e Njohur i cili shmanget nga revolucioni, duke u bërë ithtar i evolucionit nëpërmjet të Dijes (librit) e seicili këmbngul se ka të drejt në veprën dhe filozofinë e tij për Jetën.
Autori arrin të jap psikologjinë e seicilit me të njëjtën gjakftohtësi filozofike, me të njëjtin nderim për personazhet në konflikt, me të njëjtat shprehjetë spikatuara metaforike ne dialogun e tyre që e bën Faustin të shkruaj për ta në deklartën që do t’i jap Gjyqit të Qiejve.
« I Panjohuri:/Ekstremist,/Ke hak bronxin tim të shndërrohet në pranga …I Njohuri/ :Arma jote(hahaha po më bën të vdes së qeshuri)/Është thjesht një lodër dhe ti një aktor. ? »(f15)

***
Mandej kontradikta e Tiranës, përfshin tërë planetin, në dy kahjet kryesore të Luftës midis Librit dhe Armës, pra dijes dhe Padijes, mirësisë dhe dhe keqësisë, Paqes dhe Krimit, Dashurisë dhe Urrejtjes, duke marrë kështu Libri përmasën e një mesazhi sa kombëtar aq universal dhe Arma po ashtu ruan statusin e vet me të njëjtën këmbëngulje.
« Befas, tufani i mad , I Njohur- i Panjohur, u sul /Rrugë pa rrugë në Shetitoren Dëshmorët e Kombit,/…Mijëra Të Njohur- Të Panjohur kanë braktisur kafkat/,Kafka të cara ngaku dalin të tjerë « Të Njohur – Të Panjohur/… »(f.18-19)
.Kthimi i kohés prapa, pra fyerja ose mos nderimi i Dijes, është sa i përkohshëm aq edhe i pamundur, sidomos në ditët tona.Andaj i thuhet Faustit nëpërmjet të Njeriut, personazh tiranas: « Kanë hobi që të djegin patjetër pelerinën tënde/Me shkëndijat e këpucëve gjatë gatifluturimit/…Tek ne e kanë lënë pa gojë Servantesin e gjorë/e kanë lënë të mbështillet atje né Spanjë e të mos/Pëshpërijë asnjë fjalë nga Bibla…» (36)
Këtu jepet donkishotizmi shqiptar në ekstrem, marrëzi totale, shkatërrime e krime, fyerje e Njeriut të Dijes,pra përdhunim i Librit dhe nderim i Armës….Një katarurë tiranase në arkitekturë, arsim, politikë, kulturë, marrdhëniet njerëzor saqë autori jep ankthin e tmerrin duke e quajtur këtë një skenar katovician,: »Vërdallepsemi në analet e Katovicës,/kësaj mbledhjeje me shkërdhatëri të famëshme.. »f.24.
Me të drejtën qé na jep e Vërteta, theksojmë se shoqëria njerëzore ,veç të tjerash ,në përbërje té saj ka dhe ka patur në vazhdimési shtresa ekstreme ,të cilat i kanë sjellë vetëm të këqija njeriut…
Ndaj autori pohon : « Fausti nuk éshté Hitleri »(13) ndërsa Partizani i Panjohur e akuzon dijetarin vetëm se është nga vendi i Hitlerit…Autori jep qartë idenë se një militant i verbër, produkt i ekstremizmit, éshtë njé mefistofel në minaturë, në këtë sy ai është njeriu më i përpunushëm nga politika e që në Tiranë janë të kudoshëm .
Të trondit vëzhgimi hyjnor i Faustit në diëlog me Njeriun, ku më tejë një grua në anën e Lanës mundohet të dënenocojë padrejtësins, më tejë Fituesi i famshëm i Ginesit (Saimir Strati) zbret nga dollari presidentin e Amerikës, duke vendosur Homerin si simbol të artit…Këtu shohim bindjen e autorit se arti është prioritet vendosës në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, është Barka e Noes, për t’i dhënë shpëtimin…
*
Kërkon përgjigje pyetja: Pse zbriti nga qiejt Fausti, në Tiranë « me pelerinë të vjetër e të pluhurosur? »…Pse poeti thirri pikërisht Faustin, duke i dhënë statusin e të Dërguarit prej Zotit ?
….Dhe përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjejmë po të studjojmë me kujdes këtë libër , një traktat sa artistik e poetik, aq filozofik në parametra që të nxisin , ku artisti i kërkon ndihmë Dijetarit për të nxjerrë shoqërinë nga kaosi si produkt i poltikës : « Sali, Fatos, Edi, Enver,/ Zog i arratisur, mbret pa kurorë…. /Bulkthat qëndisin tregime të gjata,të ngatërruara ,pa titull./ »(f11)
***
Fausti, Qentë dhe Margarita, dalin befas në faqet e fundit të librit.Një regjiment qenësh me rraca, ngjyra, sy të të gjitha llojeve i sulen për ta shqyer, për ta zhdukur në këtë tokë Njeriun e Dijes. « Një regjiment i pazakontë me qenër kthejnë sytë :të zez, të kaltër, të akullt, gri, paqësr,habishprehës, tëbues të tërbuar….me bebëza të formave të llojllojshme :katrore, trekëndore, ciindër, …me verdhërimë të dukëshme si të përfshirë në hepatitin kronik…Qen me emra mbetërish apo presidentësh….duke u përmbledhur e duke u stërzmadhuar në një simfoni me tinguj të mbledhur si helmi në gushën e gjrprit…që përmbajnë e zbrazin thirrjen e kryeturmës :Poshtë Fausti !….Ta largojmë Faustin !…Të na lërë të qetë në këtë hartë që gëlltit vetveten….I… »(f58)
Por befas «Faust !…. Një zë hyJnor përfshiu kryeqytetin…. ».(f.59)Ndërsa Fausti sa s’kapet nga dhëmbët e regjimentit shqyes, i vjen pranë zëri ëngjëllor i asaj që ka dashur, zëri i Margaritës.Natyisht e nis Zoti për të dërgurin e tij, për ta shpëtuar së bashku me tërë aktpadinë, që mundi të shkruaj, për tek Gjyqi i Qiejve.
E kush më shumë se Dashuria mund të shpëtojë Njeriun e Dijes, e për pasojë komunitetin njerëzor që ai ka marrë përsipër ta mjekojë ? »
….Kjo vepër e botuar në shumë gazeta brënda dhe jashtë Shqipërisë, në letër dhe Online, ka tërhequr vëmëndjen e mjaft personaliteteve të letrave të cilët e kanë vlerësuar atë si Ardian Kycyku, Visar Zhiti, Laureta Petoshati, Kozeta Zylo, Blerina Shalari, Rashela Hoxha, Rita Hoxha, Dalan Luzaj etj, Kam bindjen se është ndër veprat më të arrira bashkëkohore e që duhet vëmëndj e duhur ndaj saj.
Tiranë , shtator 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Fausti ne Tirane, Kleanthi Zotaj, Nuvruz Shehu

I DËNUAR TRI HERË ME VDEKJE…

October 1, 2014 by dgreca

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. PËRBALLË TRADHËTARËVE/
Ne foto: At Mati PRENNUSHI O.F.M.(2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948)/
Nga Fritz RADOVANI/
Me daten 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit tha:
“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.
Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Nga E. Merlika, Revista “Buzuku”, nr. 18, me 22 tetor 2005, Ulqin.)
***
At Matia ka lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 350 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por, që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, që ka vdekë në vitin 1904 e asht varrosë në Rrëmaji, ku janë vorret e kësaj familje.
Don Matia ishte i njohtun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e Tij, mbasi pikërisht atë vit kur Ai vdiq, ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe iu kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohtun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë paraprëgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm se ishte forcë e madhe, por edhe ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të gjitha fushat. Pergatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904.
E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata Shqiptarë që edhe pse ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma.
Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht.
Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe mbas një viti shkon në Katund të Kastratit, ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.
Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas Tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria…”
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, Ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa! Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej, sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.
Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti.
Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. Një veper sa Fetare aq Atdhetare e papersëritëshme.
Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..”
E, mbas Tij, fluturuen edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DEDË GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË…
Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruan edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin.
Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.
Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni “nuk kishte”…që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit një anëtar i trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”….dhe, At Matia me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën por edhe e liroi dhe ja dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert e mija. Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe.
Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kryesisht ai Françeskan kundër regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen!
Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm, ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po, prej tyne Ai konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmi e At Dioniz Makës.
Në Tiranë ai u njoh me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentët arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njohun ruen respekt për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian e liberal shumë i kulturuem.
Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e Kishash në zonat e Tiranës. Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame të ruejtuna në Arkivin e Shtetit Tiranë. (shif librin “Françeskanët”)
Në vitin 1943 vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi rruga e ndjekun me At Anton Harapin për aprovimin e Tij në Regjencë vazhdoi aq kohë. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje: Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.
Po filloj me citue At Konrrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi.”. Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së tij Provinçial.
Në fq. 65, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”.
Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore.
Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At Matia deklaron: “… U bisedue në se mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).
Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.)
Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës. Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe tradhëtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vete. Në këtë letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën. Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurtë e vitit kobzi 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj., që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944. Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne antiatdhetare.
●Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve e tradhëtarëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?
●Në fillim të Janarit 1945, At Matia asht i pari klerik katolik që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!” Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit!
●At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte atë vëllau i kuvendit. Per këte flasin dokumentat e Dosjes 1302.
●Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia ishte elokuent, të bante për vete, se ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e Tij mirëpritej si prej Atit.
●Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi zemër u vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.
●PADËR MATI PRENNUSHI, me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit para pushkatimit tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”
(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

Melbourne, Tetor 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: At Mati Prenushi, Fritz radovani, I DËNUEM, me vdekje, TRI HERË

“Dënesa në qiell” e Dhori Thanasit

October 1, 2014 by dgreca

Esse nga Përparim Hysi/
Kisha kohë pa e takuar mikun tim, Dhori Thanasi. Kish qenë tek djali në Amerikë dhe, porsa u kthye, u takuam tek “Taiwani”. Atje kisha ftuar dhe miken time, Meri Lalaj. Pra,qe një takim miqësh dhe miq letrash. Që të tre shkruajmë dhe, për të qenë më i drejtpërdrejtë, më rrallë nga të tre, shkruan Dhori. Pra, më rrallë duket në shtyp. Sa u takuam, ai tak dhe nxori nga çanta e tij e vogël një libër të vogël, me format xhepi. Kur vjen puna për librin, Dhori, pothuaj, është një profesionist i vërtetë. Ai jo vetëm shkruan në prozë e poezi ( me profesion të parë: mësues gjuhë-letërsie dhe për shumë kohë, në postdiktaturë, gazetar në A.T.SH. apo dhe në organe të tjera të shtypit), por i modelon, i korrekton, i redakton ose ca më shumë: me një gjuhë kulinare: është amvisa që merret jo vetëm me përgatitjen e brumit, por dhe e pjek bukën me aq terezi, sa mund ta ketë zili çdo njeri që merret me përgatitjet e librave për botim. Nga kjo anë, Dhori Thanasi ka një përvojë të çmuar se jovetëm është administrator i Website “fotjonart.com, por edhe si Editor në botimin “Antologji me poezi të shqiptarëve në Amerikë”. Sado që më shumë ka qenë i angazhuar me “hallet e botës”, ai, megjithatë, si krijues në prozë e poezi gjen kohë të dalë para lexuesëve me krijimet e veta. Biografia e tij si krijues dhe si editor është e tillë që ia rrit vlerat, por ai në jetë dhe, sidomos, në jetën krijuese i ngjet atij kallirit të grurit me plot kokrra që kokën e mban ulur a për të patur një përfytyrim pak më intim: si një adoleshente që do t’u shpëtojë syve të botës. Më thjesht se kaq nuk ka se ku të vejë. Më thoshte dikur:- Dua të nxjerr një libër dhe e di me sa kopje? Ndërsa prisja që të bëja pyetjen:- Me sa kopje? Pa më lënë t’ia bëja atë të shkretë pyetje, më tha:- Vetëm me një kopje!!!! Se aq më ka xhepi. Natyrisht, e prita si me të qeshur, por ja që qenka e vërtetë. Ma zgjati librin formatxhepi dhe më tha:- Donatore qe imeëmë! Dhe u përlot. E ngushëllova se e ëma ka ndërruar jetë para ca kohësh dhe trupi m’u mbush me mornica. Poetët… krijuesit: nga më të vobektit! Botuesit: nga më të pasurit. NJë raport diskret. Në Myzeqe, nga jam, ende, shetit gojë më gojë një proverb: “Punon Shabani dhe ha Kahremani!”. Dhori Thanasi është një nga ata, Shabanët, ku bëj pjesë dhe unë e qindra krijues shqiptarë. Se shteti as që do të dijë për njerëzit e letërsisë dhe të artit. Dhe, në ka prej këtyre “Shabanëve” që e kalojnë mbroth, dihet që janë nga ajo lloj specie amorfe që kanë zënë “myk” në tempuj, kur thoshte Migjeni.

* * *
Po Dhori Thanasi nuk është as puthadorë dhe as nuk di të zvarritet. Është nga ata që nuk ka turp nga varfëria e vet. Sado i papunë, prej kohësh, ai di ta shfrytëzojë kohën me racionalitet. Në Websiten “ftojonart.com ai u lë vend gjithë krijuesëve dhe kujdeset që atje të gjejnë veten krijues nga gjithë viset shqiptare apo dhe më tej: në emigrim. Veç këtyre vlerave, ai është një fotograf, pothuaj, profesionist. Kudo që i ka shkelur këmba, ka sjellë me aparatin e tij: bukuritë e natyrës dhe aktualen. Pa frikë, si fotograf, ai mund të hapë qysh nesër një ekspozitë ku shikuesi do të mbetë me gojë hapur. Se dhe në fotografitë, Dhori Thanasi, ka patur intuitën e një poeti apo të një njohësi të mirë arti. Vetëm me një vështrim, kalimthi, mund të them: Dhori Thanasi nuk është fotograf amator, por një profesionist që, edhe në këtë fushë, nuk grefoset e të rrahë gjoksin për ta bërë vrimë. Është natyrë prej babaxhani. Më i thjeshtë se thjeshtësia, mund të thosha.

* * *
Libri “Dënesa në qiell” me këtë titull kaq simbolik, nuk të lë që “dënesën” ta dërgosh larg e lart në qiell, por të dënesësh këtu, në tokë. Ke shumë arsye që të “dënesësh: a nuk është krejt unikal ky donacion? Nëna, pensioniste, ashtu si një pikë që bie nga çatia dhe i vë tepsinë për të shpëtuar prej saj, e mblodhi thërrime-therrime atë të shkretë pension dhe ia bëri darovë të birit, poet!!! Darovë më të dhimbshme zor se gjen në faqet e gjithë letërsisë së shkruar. Dhe Poeti e ka “gdhëndur” si të gjallë në një kornizë që aq bukur di ta modelojë vetëm ai. Tek e sheh ashtu si të gjallë, në këmbë, me atë veshjen tradicionale të jugut, tak dhe mbërthehesh nga mbresa të gjalla e të dhimbshme të atij raportit nënë-bir! Vetëm kaq, nuk mjafton. Qëndro dhe shikoje me syrin e një vëzhguesi skrupuloz dhe ke për të arritur në atë përfundimin aq domethënës: dashuria e nënës- mbi gjithë dashuritë. Kur them për librin, se është një libër xhepi që ta “shqyen” xhepin, mos kujtoni se metafora është hiperbolike. Jo. Përkundrazi: metafora është krejt e qëlluar. Poezitë jo vetëm që janë plot mesazhe, por dhe me figura të goditura artistikisht. Poeti nuk bën llafollogji dhe as nuk zgjatet e strërzgjatet për arritur atë që do të thotë. Flet shkurt, por sakt: me shumë domethënie. Ja një poezi e tillë! Titullohet “Pasqyra”
Kam parë tek ti, pasqyrë/ atë që dëshiroja të shihja/ Pashë vetëm njëherë veten/ u prapësa, i trembur!!!/ Ose sa dhimbje përciell poeti në poezinë “Çorapet e leshit”. Nuk ke si mes “ngrohtësisë që sjellin këto çorape në dimër, s’ke si mos vësh re vargun sinjifikativ: “qe dimri i parë pa timeëmë!? Dhori Thanasi gjatë jetës në Amerikë ka pësuar një dramë familjare. Djali i madh i tij, Fotjoni, një nga dyqindstundentëthonorë të Amerikës, para 10-vjetësh, vdiq aksidenatlisht.. Ky shok i rëndë psikologjik e ka shoqëruar atë tërë jetës. Poezia”10-vjet pa ty, biri im” është një homazh i madh dhimbjeje. “Brenda meje male dhe shkëmbinj vërtiten më kot/ të shkërrmoqin dhimbjen e ta nisin në portat e amshimit/ a ca më shumë: “… kur flas me të tjerë, është aty përreth kurdo/ kur jam fillikat/ i qesh e flas pa belëbëzuar/

* * *
Poeti Dhori Thanasi nuk dënes vetëm për hallet e tij apo të familjes. Gjeografia e dhimbjes, në mund të shprehem kështu, ka shtrirje hipotetike më të madhe. Si poet ai zë dënes edhe për çka ndodh në Atdhe, por dhe jashtë kufijve gjeografikë. Syrit të tij prej poeti, nuk i shpëton as rrënimi i monumenteve historikë dhe as “karshillëku” po historikë ndaj të huajëve. Tek poezia “Rrënim” ai vë re se, ndërsa prishen lapidarët, ngrihen “varreza madhështore” për të rënët e huaj( në jug e veri) dhe, metë drejtë, poeti shtron pyetjen aq retorike: “… do mbesi ndonjë ngastër për ne, për nesër? Po për pasnesër?!
Natyrisht, sado libërxhepi, por mos kujtoni se i tillë është. Jo. Ashtu si një ferrë e vogël që fsheh një lepur të madh, Dhori Thanasi ka trajtuar tema të ndryshme. Aty gjen dhe poezi të peizazhit, gjen lirika të mirëfillta ku i këndohet dashurisë me pathos të vërtetë ashiku.
Shikoni poezinë “Shushatje”: “Me dredha, me ledha/ ma mbështolle trupin/ me fëshe, me pëshe/ ma shkërrmoqe turpin/ dhe mund të vazhdoja me vargje të tjerë plot ëmbëlsi. Me sa konçizitet dhe me sa bukuri e jep dashurinë për gruan: “Shkëndijë të mora/ M’u bëre diell, nuse moj!/ dhe më tej: “Tani venitur/ me dritëhëne/ por ndrit njëlloj. Nuk ka se si jepet gjithë ai densitet real dashurie me 6 vargje që kanë aq domethënie.
Vlerë të veçantë marrin poezitë kushtuar Atdheut apo dhe ato me temë sosciale-shoqrëore. Me pak fjalë, poeti thotë: në Atdhe është një pemë/larg Atdheut- një gjethe! Dy fjalë ndajnë detin. Më bukur nuk ka se si i këndohet.
Marrë në tërësi ky libërxhepi mirë do të qe të ishte botuar në qindra e qindra kopje. Jo vetëm se është lehtësisht i përdorshëm, por, mbi të gjitha, për vlerat artistike- letrare të tij. Për fat të keq, “darova” kaq qe. Mbasi e lexon, s’ke se si përjeton të njëjta përjetime me autorin. Dhe të vjen keq që të ndahesh me të. Në se nuk qëndrova në vlerat gjuhësore e letrare të autorit, kjo ndodhi se m’i dogji “letrat nga duart” mikja ime, Meri Lalaj. E impresionuar nga libri, ajo shkroi për këto vlera. Unë, duke e mbyllur shkrimin tim, e falnderoj zonjën Meri Lalaj për shkrimin aq të goditur dhe, njëkohësisht, poetin Dhori Thanasi për librin. Në se sot ky libër është i kufizuar për lexuesin, nesër ai do gjejë vendin e vet në memorien e lexuesëve shqiptarë.

Tiranë, 1 tetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: denesa e Shiut, Dhori Thanasi, perparim Hysi

8 QERSHORI – NYJA GORDIANE

October 1, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Nodus Gordius, Nodo gordiano, Gordischer Knoten, Gordian Knot, Nœud gordien, Nudo gordiano, Nó górdio, Gordia nodo, Γόρδιος δεσμός, Gordion Düğümü, e tjerë, e tjerë.
Shprehja e mësipërme, shqip Nyja Gordiane, nisur nga burimet enciklopedike, e ka prejardhjen nga letërsia dhe legjendat, me të cilat është e lidhur një rrëfenjë nga jeta e Aleksandrit të Madh. Me kohë, shprehja, në gjuhë të ndryshme, ka marrë një vlerë metaforike, duke treguar se një problem zgjidhja e të cilit është vështirësuar tej mase, saqë konsiderohet i pazgjidhshëm, mund të zgjidhet në mënyrën e Aleksandrit, thjesht duke e këputur. Nga kjo rrëfenjë vijnë shprehjet “të presësh, të këputësh nyjën gordiane”.
Nyja të cilën, po them edhe unë, e preu Aleksandri i Madh në Shekullin IV para erës së re, kishte diku katër shekuj që priste të zgjidhej. Kuptohet, të gjithë ata që kishin provuar para tij, vetëm sa e kishin ngatërruar më shumë nyjën, e kishin bërë më nyjë. Aleksandri i Madh duket se doli shumë shpejt në këtë përfundim, prandaj vendosi të mos humbë kohë, nxori shpatën dhe e këputi, e preu nyjën.
Autorët e zërave enciklopedikë përkatës, përtej kureshtjes së ngjarjes së famshme, të ndodhur apo të fantazuar, shpjegojnë se këputja në këtë mënyrë e Nyjës Gordiane, i dha fund një rendi antik që ishte shndërruar në një pengesë paralizuese për shoqëritë e atyre kohëve.
Enciklopeditë e ilustrojnë aktin e këputjes, përkatësisht prerjes së Nyjës Gordiane nga Aleksandri i Madh me një tablo të Jean-Simon Berthélemy (1743–1811), me titull “Aleksandi i Madh këput Nyjën Gordiane”.
Falë veprimeve të papërgjegjshme të PDK-së dhe falë mosveprimit – të pakuptueshëm të VLAN, 8 qershori 2014 tashmë ka pamjen e Nyjës Gordiane në zhvillimet e Kosovës.
Katër muaj, si katër shekuj për Kosovën, ka që pret zbatimi i verdiktit të 8 qershorit 2014, ku partia që kishte qeverisur shtatë vjet nuk i mori votat për ta vazhduar qeverisjen. Për shkak të raporteve që kishte krijuar gjatë 15 viteve të fundit, ku ajo vetëm 2-3 vite ishte në opozitë, PDK nuk u pranua si partnere në institucionet e reja të Kosovës nga asnjëra prej partive politike.
Dihet si ua ka punuar me të pabesë PDK partnereve të saj në spektrin politik të Kosovës: që nga ORA, LDK e deri tek AKR, dihet si ua ka punuar me të pabesë lideri i PDK partnerëve të tij në kreun e këtyre partive apo kolegëve në vetë partinë e tij dhe në krahun e luftës, që nga Fatmir Sejdiu, tek Veton Surroi apo tek Behgjet Pacolli, që nga Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj e tjerë. Prandaj asnjë nga partitë shqiptare të Kosovës, asnjë nga liderët e politikës nuk pranon të shkelë në dërrasën e kalbur, ku është rrëzuar gjatë këtyre 15 viteve.
Gjatë këtyre katër muajve, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosja janë druajtur se mos, me veprimet e tyre, krijojnë precedentë negativë në historinë e zhvillimeve demokratike të Kosovës. Këtë drojë e ka shfrytëzuar pa asnjë ngurim Partia Demokratike me levat e saj, Presidenten dhe Gjykatën Kushtetuese. PDK kësisoj ka krijuar një mori precedentësh, të cilët ekzisitojnë tashmë vetëm në historinë e Kosovës. Bjerini rruzullit anembanë, mos lini gjë pa shfletuar, mos lini kënd pa pyetur, nuk keni për të gjetur askund në historinë e ndonjë vendi precedentë si këta që janë krijuar në Kosovë prej 8 qershorit. Për këta precdentë kam shkruar disa herë gjatë këtyre muajve, kam shkruar edhe për mënyrat e kapërcimit të tyre, prandaj këtu nuk do të kaloj në shpjegime thjeshtëzuese të mesazheve të shkrimeve të mëparshme.
I vetmi precedent që e kanë krijuar në këta katër muaj LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosja është mosveprimi. Nëse ky mosveprim ka ardhur nga droja, nuk ka asnjë arsye të shëndoshë pse droja e metejshme t’i shtyjë këta faktorë që të mos e bëjnë një precedent të dytë. Dhe vendimtar. Në këtë mënyrë, ta çlirojnë Kosovën nga pengmarrësit e pamëshirshëm, t’ia çlirojnë asaj Kuvendin dhe t’ia japin institucionet e reja, për të cilat votoi më 8 qershor 2014.
Nëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lë asnjë hapësirë për veprim, atëherë do këshilluar me kushtetutat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, do parë si janë zgjidhur situata të vështira në realitetet politike të atyre vendeve dhe të ecet përpara pa i humbur kohë të mëtejshme Kosovës së pasçlirimit nga okupatori, Kosovës së passhpalljes zyrtare të pavarësisë.
Do të ishte një precedent i mirëpritur historik që do t’iu jepte fund edhe kësaj morie të predentëve të krijuar nga PDK këta katër muaj.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, nyja gordiane, Skender Bucpapaj, zgjedhjet e 8 qershorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT