…Këtu të gjithë ndjehemi të kërcënuar, këtu secili prej nesh potencialisht është një kufomë e masakruar në rrugë, a në një nga kafenetë e panumërta që e kanë mbushur kryeqytetin e parazitizmit, ndërkohë që politikanët i bien defit duke thirrur zëçjerrë si kasnecë mesjetarë sikur gjoja jetojmë në një epokë të ndritur dhe të jetosh edhe si skllav në këtë vend ku sundojnë ata na qënka një lumturi e madhe./
Nga KOLEC TRABOINI/
Nuk mendoj se ka alibi në krim, nuk mendoj se një krim i përbindshëm mund të kthehet në një melodramë familjare. Është krejt e kote çdo përpjekje për ta manipuluar situatën, për tia zbutur egërsinë me të cilën u shfaq dhe për të mjegulluar shkaktarët e vërtetë. Kur kryhet një krim në asnjë rast nuk është fajtor veç krimineli por edhe ata që ndihmuan sadopak për të qënë kriminel dhe ata të tjerët që në vend ta parandalojnë krimin e stimuluan, dhe vetë ata që me zell në dëshirën e informimit a qëllime të tjera na i sjellin fytyrat e kriminelëve përditë e përnatë në ekran apo në faqet e gazetave duke e bërë portretizimin e Shqipërisë si fytyra më e zezë e krimit në Europë. Kudo ndodhin krime por kriminelit nuk i lihet aq shumë vend sa të thuash që në sytë e të rinjëve shqiptarë të duket si trim, si një personazh me doza heroizmi. Kjo shoqëri e sëmurë ka një faj të madh, se lejon politikën të los edhe kartën e krimit në manovrat e saj për të siguruar pushtet. Këtu politika los me kufoma. Ja përplasin kufomat njëri –tjetrit por vrasësit nuk dënohen. Edhe kur dalin të flasin politikanët tanë, kjo është karta më e fortë me të cilën përpiqen të përballojnë kundërshtarin, çfarë të çon në mendimin se pak gjasa ka ky vend të bjerë ndonjëherë në qetësi. Këtu dëgjon edhe mynzyra të tilla, ku media ndikuar nga politika të jep edhe prognozën, që krimineli që ka vrarë 5 vjetë mund të dënohet nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Natyrisht nuk kanë se çfarë të thonë tjetër kur kanë dëgjuar kryeministrin të thotë se ai krimineli që ka vrarë 5 njerëz, “e ka të gjatë rrugën ë kthimit në shtëpi”. Më të vërtetë të vesh duart në kokë sepse i lihet shteg një krimineli që ka vrarë 5 njerëz të kthehet sërish në shtëpi, dhe…që të profanojmë edhe ne si qytetarë-qyqarë të dështuar të këtij vendi, të kthehet krimineli të vrasë edhe 50 shqiptarë të tjerë. Na ruaj Zot prej kësaj mendësie. Sepse ai kriminel edhe për një njeri të kishte vrarë në krim të përsëritur, duhej ti jepeshin dy dënime me burgim të përjetshëm dhe pa asnjë të drejtë apelimi për uljen e dënimit. E kjo duhej bërë sepse krimi në Shqipëri ka marrë dhenë. Këtu krimineli nuk ka frikë as shtetin, as policinë, as popullin, këtu krimineli është në pushtet të plotfuqishëm dhe meqë ka edhe para mund të ngjitet lirisht nëpër shkallët e politikës dhe të shtetit. Të gjithë bëjnë sikur nuk dinë por populli flet se jo më votat por edhe vendet e deputetëve në Parlament shitën dhe pazari shkon deri në 400 mijë dollarë. Shkoni në popull e flisni me njerëzit e thjeshtë, ata që votojnë dhe të cilët i mallkoni nëse e shesin votën për një çap bukë. Ata janë e vërteta juaj lakuriq e jo gazetat e televizionet që të shfaqen si prostituta ideologjike. Këtu ligjet mbi krimet duhen ashpërsuar e jo zbutur në pamundësi për të vënë dënimin me vdekje. Po kush të dëgjon? Po si qenka o marrokët mediatikë të vendit tim, o prokurorë të çoroditur, o gjykatës të korruptuar deri në palcë dhe laskandraqë të politikës, që për 5 njerëz të vrarë të dënohesh me 20 vjet burg. Po më krijohet përshtypja se Shqipëria është kthyer në një çmendinë dhe qytetarët e thjeshtë i kanë kthyer në Guinplenë, u kanë prerë buzët dhe duket sikur qeshin. Kjo është një çmenduri kolektive, jo thjeshtë një fjalë por një realitet absurd i postdiktaturës të mikluar si demokraci. Këtu burgosen për energji të papaguar a përdorur në mënyrë të paligjëshme, ndërsa guvernatorin e vjedhjes së miliona dollarëve fare thjeshtë me një paraqitje. Çfarë Gjykate e Lartë është kjo a më thoni. Pse është e kujt i duhet. Kryekreje kujt i shërben? Se veç populli jo, kurrë. Ky është një shtet me mentalitet shtetarësh mesjetar. Një shtet marrok ku politika loz funksionin e impulsimit të çmëndurisë ndërsa ata që vinë në pushtet vetkastrohen në tru të vogël, jetojnë në delire, bëjnë dasma nëpër kështjella si princër e mbretër, udhëtojnë nëpër botë me parat e popullit që varfërohet përditë. Këtu njerëzit sapo vinë në pushtet bëhen sofistë të pandreqshëm, përpiqen tu mbushin mendjen qytetarëve se e zeza është e bardhë, por atyre gabueshëm u duket e zezë, se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet, por ju do të paguani më shumë, se ne si shtet nuk do t’ju përgjojmë telefonat, por do t’ju ndjekim hap pas hapi, ku të jeni e ku të mos jeni me celular. O Zot, çfarë psikologji ordinere që as në Afrikën Qendrore nuk shkojnë më, ndërsa në Europë jo që jo. Dhe na thonë se i kanë bërë shkollat jashtë, por mësimet ama i paskan marrë së prapthi. Edhe kjo masakër e 4 nëntorit 2014 u kthye në melodramë kombëtare për tragjedinë e nënës së një vrasësi të pesëfishtë në vend të vrasim mendjen e ti biem kambanave të alarmit së pari për 4 të vdekur në pak minuta, por edhe se këtu të gjithë ndjehemi të kërcënuar, këtu secili prej nesh potencialisht është një kufomë e masakruar në rrugë, a në një nga kafenetë e panumërta që e kanë mbushur kryeqytetin e parazitizmit, ndërkohë që politikanët i bien defit duke thirrur zëçjerrë si kasnecë mesjetarë sikur gjoja jetojmë në një epokë të ndritur dhe të jetosh edhe si skllav në këtë vend ku sundojnë ata na qënka një lumturi e madhe.
Archives for November 2014
DEKLARATA E AMBASADORES JACOBSON DHE STATUSI I MOHUAR I DORUNTINA E.MALOKUT
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ambasadorja Amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson në një debat të organizuar sot nga FOL nën sloganin Fol Hapur, në deklarimin e saj, përveç të tjerave, përdori një zhargon popullor të gjuhës shqipe, i cili në rrjetet sociale pati reagime të ndryshme, të cilat e mbështesnin dhe jo mënyrën jo diplomatike të Ambasadores Tracey Jacobson.
Kur po mbushen 5 muaj plot pas mbajtjes të zgjedhjeve dhe kur pritet një ndërhyrje nga Faktori Ndërkombëtar, sidomos ai Amerikan, zonja Jacobson në deklaratën e sotme u shpreh hapur kundër thirrjeve për protesta. Po ashtu, ajo tha se të gjitha palët janë të ngatërruara me afera korruptive, se “korrupsioni është traditë e liderëve” dhe në fund përdori shprehjen shqip “Mos i dhini punët”, çka çoi që, brenda disa minutash, deklarata e saj të bënte xhiron e botës, e shpërndarë përmes Youtube-it dhe e botuar në të gjitha gazetat dhe platformat e gjuhës shqipe.
Nëse do të kishte përdorur ndonjë shprehje anglisht, nuk do të shkaktonte këtë reaksion, por në gjuhën shqipe ngjalli përshtypje. Duket qartë se Ambasadorja Amerikane ka njohuri të gjuhës shqipe dhe kjo është diçka shumë pozitive, pasi njohja e gjuhës shqipe e ndihmon të mos ketë nevojën e interpretëve për të marrë direkt informacione dhe kontakte, por gjithsesi duhet të ketë kujdes, sepse, nëse disa ekspresione të tipit që ajo përdori në shqip, ato në anglisht mund të kenë përdorim të gjërë, përfshi edhe zhargonin diplomatik, ndërsa në rastin konkret, kumtuar në shqip pati një tingëllim bizar. Ajo ndofta e përdori këtë ekspresion nisur nga tema e debatit “Fol Hapur”.
Siç e thashë, deklarata e zonjës Jacobson mori dhenë. Ajo u botua dhe u shpërnda kudo, përfshi edhe rrjetin social Facebook. Dhe menjëherë pas saj reagoi deputetja e LDK-së Doruntinë E.Maloku përmes një statusi vendosur në profilin e saj zyrtar, i cili menjëherë pati të njëjtën shpejtësi qarkullimi si deklarata e zonjës Ambasadore. Në status Doruntina shkruan tekstualisht si më poshtë: “A eshte roli i nje diplomati te nivelit te larte, siç eshte ambasadori, qe t’u tregoje lidereve te nje shteti te pavarur e demokratik se a e kane dh.. apo jo punen ne vendin e vet?” “Për me shume” vazhdon më tutje Doruntina “hapeni faqen e Departamentit te Shtetit te SHBA -se dhe shihni rolin qe ka ne nje shtet te huaj – nje ambasador i emeruar nga Presidenti i Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe i konfirmuar nga Senati!”.
Statusin e Doruntinës e botoi menjëherë gazeta Express, e cila po ashtu me shpejtësinë e dritës botoi përgënjeshtrimin po nga Doruntina, sipas të cilës këtë status nuk e kishte shkruar ajo, por një administrator i saj.
Një tjetër flop brenda ditës. Kësaj here nga një deputete e re e Parlamentit të Kosovës, e bija gazetarit dhe publicistit të shquar Enver Maloku, martir i fjalës të lirë, i cili në kohën e terrorit prej pushtimit nuk frikësohej por e përhapte të vërtetën që përjetonte populli i Kosovës.
Doruntina E.Maloku ishte një nga deputetet e votuara nga sovrani më 8 qershor, pikërisht si bija e Enver Malokut. Është normal. Fatmirësisht tani lufta ka marrë fund dhe Doruntina nuk i ka ato vështirësi që përballte i jati i saj i nderuar. Por duhet të ketë kujdes. Të mos ia lejojë vetes që të bëjë këtë figurë aspak interesante që bëri duke e shkruar statusin dhe duke e hequr, ose duke mos e shkruar ajo statusin, por duke e shkruar në murin e saj, me emrin e saj një lloj administratori. Kjo është e papranushme. Aq më tepër kur deputetët e Kosovës janë të papunë prej 5 muajsh dhe të paktën të mos ua lënë profilet e tyre zyrtare të Facebook-ut administratorëve, por t’i mbajnë vetë, sepse aty kanë emrin dhe fotot e tyre, të cilat i ndërrojnë për të treguar se janë të bukura. Po Doruntina është e bukur pa dyshim, por duhet të bëjë edhe politikanen, sepse kur thotë se është person publik, duhet t’i dale zot kësaj pune. Dhe jo vetëm ajo.
GURI I BESIMIT I SHOVENISTËVE SLLAVË E KOMUNISTË ME ANADOLLAKËT TANË…
Nga Fritz RADOVANI*/
Ne foto:Enver Hoxha me Dushan Mugoshen-Fotografia eshte marre nga libri ne serbisht i Dushan Mugoshes/
■Horrat e vagabondët marrin frymë me kërthizë…se i ka ba një “nënë”… Ata në çdo kohë mendojnë me mushë barkun dhe xhepat, po, asnjëherë koken. Edhe disa “dijetarë” prej tyne shka thonin në mbramje mbas “akshamit”, nuk e thonin në mengjes herët…
Të gjithë librat e tyne të shkrueme mbas vitit 1944, me të cilët, janë krenuen per 47 vjetë rresht deri mbas vitit 1991, po, edhe sot mbas 70 vjetësh të përmbytjes së Shqipnisë nga robnia shoveniste sllavokomuniste e anadollake, jo vetëm, nuk mund të besohen asnjeni per shtremnimet e fallsifikimet historike, po, edhe se presin “rilindjen” e komunizmit.
■Fatkeqësia e madhe e robnisë në Shqipni, fillon menjëherë me Shpalljen e Pavarsisë, e kjo vërtetohët me “dorëzimin e Shkodres, malazezëve në vitin 1913”… nga tradhëtari i njohun në gjithë Ballkanin, dhe vetë turqit, agjenti sllav Esad Pashë Toptani. Ja dhe vlersimi i një “akademiku” per Esad Pashën: “Esat Pasha bëri gjithë të mundshmen që të detyrojë të largohet një mbret i huaj i krishterë, i cili ishte injorant për çështjet e shqiptarëve dhe që i ishte imponuar Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.”
■Sigurisht, largimi i Atij të “krishtëri” nga Shqipnia, i justifikon të gjitha tjerat…
■Po kush e vrau Hasan Riza Pashën, dhe ua dorzoi malazezëve Shkodren?
■Po sa u pague nga malazezët Esad Pasha për këte tradhëti a dihet?
■Edhe këta përgjegje i keni të shkrueme nga At Justin Rrota, tek “Rrethimi i Qytetit 1912 – 1913”, faqe 113 dhe 179… “Fatkeqsisht” edhe Ky asht Klerik Katolik Shqiptar…
■Marrëveshja tjetër ndërmjet kryeministrit Esat Pashë Toptani me ministrin e Punëve të Mbrendshme të Serbisë, lidhet në Tiranë më 28 qershor 1915. Neni 1 i kësaj marrëveshje thotë: “Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë coptimin e saj, por ajo do të mbetet si tërësi shtetërore, e cila, për jetë në aleancë dhe bashkësi në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli”. “Më 15 (28) qershor 1915, Kryetari i qeverisë Esat Pasha”. Edhe kjo “marrëveshje” u nënshkrue në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. “Dhurohet Shkodra” me nënshkrime turqisht!
■Po Dedë Gjo’ Lulin… në bashkpunim me serbët, kush e vrau në Mirditë me 24 Shtator 1915 ? At Anton Harapi tha: “Ai kje tri herë Fatos, se i fali Atdheut dy djelmët dhe veten, tue u ba Sheji i salvimit të xhonturqëve, të sllavëve e esadistëve …” (“Ora e Maleve”1924)
Edhe këte një Klerik Katolik tjetër…Po këte e “vramë” se dinte edhe tjera histori…
MARRËVESHJA Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu; Gusht, 1924…
1924.
“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë A. Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.
3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti . . . dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.
9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.
10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare do të varet nga ajo Jugosllave.
12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre…
13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.
Ky është një dokument që gjendet në Arkivin Qëndror Shtetëror. Fondi Nr 253, dosja 105, fleta 2, 4-5, viti 1924. Ky dokument është botuar gjithashtu në librin me titull “Italia e Albania 1924 – 1927” nga P. Pastorelli, botuar në Firence në vitin 1967. f. 221.
Marrëveshja u nënshkrua në gusht të vitit 1924, mes Kryeministrit serb Pashiç dhe Ahmet Zogut, kur ky i fundit kishte gjetur strehim në Jugosllavi i përzënë nga forcat e revolucionit demokratik të udhëhequra nga Fan Noli. (Nga libri Sh.Hysit).
***
8 NANDOR 1941
1941.
■Mbi tavolinen ku qendronin dy themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha, të mbështetun me brrylat e tyne, edhe sot kanë shenjat e gjakut edhe pse kanë kalue 73 vjetë që ata brryla vazhdojnë me drejtue. Terrori, krimi, zhdukjet, dhuna e shfarosjet e mashtruesëve vazhdojnë sundimin nga 1944 per 70 vjetë… Hoti, Gruda, Kosova, Çamëri e Maqedoni, me të gjitha Trojet tona të Atdheut… Prap u dhunuen nga shovenistët sllavë, tue ua lanë PKSh e Enver Hoxha atyne nën thundren barbare. “Çeshtjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që në 8 nandorin e ’41-it.” – shkruen V. Dedejeri, ish biografi e Titos. (V.Dedejer, Kujtime, botim i vitit 1949, Beograd).
■Shqipnia e Trojet rrethuese të saj me 29 nandor 1944 u robnuen nga Serbia komuniste.
■1 korrik 1946, Enver Hoxha, i pari i huej që dekorohet “Hero i popujve të Jugosllavisë”.
■15 Dhjetor 1947, Enver Hoxha deklaron në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh: “Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …” (1947)
■As nuk kuptoj pse Miladin Popoviq e Dushan Mugosha, i kishin pseudonomet “Ali dhe Dushani – Sali….” (nga letrat e “Tarrasit”), kur ata vinin nga një komshijë i yni shumë “dashamirës” sllav…? Ky “Ali”, mos ka lidhje me filmin “Ali Baba me 40 hajdutët”?
■Këta dokumenta vertetojnë se njenimbastjetrit:
“Shqipes së Gjergj Kastriotit…
I prenë kokat…I verbuen sytë…I shituen gjuhët…I shporuen zemren…
I cunguen krahët… I këputën kambët…I coptuen trupin… dhe,
e… gozhduen si Krishtin!..”
Autori.
Vazhdon Pjesa II: 1943 – 1944…
*(Nga cikli: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…)
Melbourne, Nandor 2014.
Ajo ç’është mjaft, është mjaft
NGA HARRY BAJRAKTARI/*
Kosova ka njevojë për liderë që e duan shtetin dhe punojnë për të, që e duan popullin dhe i sjellin lumturi atij: zhvillim ekonomik, të mira materiale, e jo për liderë që luftojnë për poste, për pozita dhe për interesa të tyre personale. Lufta politike e paarsyeshme çon në vetëshkatrrim, e aq më tepër lufta e inateve që do të duhej t’ i përkiste së kaluarës. Mjerisht, mentaliteti i së shkuarës po na godet si çekani i “kovaçit” edhe në këtë fillimshekulli. Të tjerët janë ndarë moti nga këto botëkuptime e ne po vazhdojmë. Liderët tanë qe pesë muaj, kur u mbajtën zgjedhjet nacionale, e duke përfunduar edhe ditën e sotme e mbajnë Kosovën dhe popullin e saj peng, të bllokuar dhe të dëshpëruar. Çfarë kuptimi ka kjo tash, pas gjithë atyre vuajtjeve, pas gjithë atyre sakrivicave dhe pas gjithë vetëflijimeve që janë bërë për lirinë e Kosovës, për pavarësinë dhe demokracinë e saj. Liderët tanë më së paku kanë nevojë të bëjnë luftë të brendshme, luftë mes veti e ndërveti. Këtë “energji” shkatërruese duhet ta orientojnë dikah tjetër. Luftën duhet ta bëjnë me Serbinë, ku shumë çështje kanë mbetur të pa zgjidhura dhe, fatkeqësisht, askush nuk e kthen kokën andej. Sa keq. Sikur të mendohej me logjikën e shëndoshë, me përgjegjësi dhe ndërgjegje kjo s’ do të duhej t’i ndodhte Kosovës, madje as një ditë të vetme. Populli ka dhënë votën e tij, jo për ta keqpërdorur, jo për të manipuluar me të, por për të krijuar institucione stabile, demokratike që garantojnë perspektivë, zhvillim dhe ardhshmëri.
Kosovës i duhet një luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit që po e gërryen ekonominë e saj, jetën e popullit dhe të ardhshmën e tij. Kosovës i duhet një qeveri që zvogëlon numrin e madh të pa punëve, që ndal ikjen e qytetarëve të saj në vendet tjera, një qeveri që punon për popullin dhe begatinë e tij.
Diplomatët e shteteve mike në Prishtinë dhe miqtë tanë në SHBA dhe në Evropë janë shumë të zhgënjyer me zhvillimin e situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Ata janë të befasuar me pamundësinë e kapërcimit të vetëvetes, me sëmundjen që po i përcjell liderët tanë për pushtet, me pasojat që kanë për qytetarët e Kosovës. Reagimet e tyre kanë qenë të ashpra dhe shumë kritike. Me këto sjellje të partive politike, me lojën e votës së popullit, po u japim material armiqve tanë, të cilët e kanë përsëritur shumë herë një frazë fatkeqe, se Kosova nuk mund të bëhet dhe nuk mund të jetë shtet stabil. Këtu duhet të ndalemi dhe të shikojmë ku jemi, për kënd po punojmë?! Ata që i ka zgjedhur populli, duhet të punojnë pë popullin. Kjo është e vetmja alternativë për të dalë nga ky hendek ku ka rënë Kosova.
Në këtë kontekst dëshiroj të përmend fjalët e ish presidentitit Bush kur ishte çështja e pavarësisë së Kosovës: “Ajo çka është mjaft është mjaft”, pat thënë ai. Jo që është bërë tepër por kjo zvaritje ka kapërcyer të gjithë kufijtë e pritjes.
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan me shqetësim të madh po i përcjell ngjarjet në Kosovë. Të gjithë e dinë se çfarë ka bërë ky komunitet për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ne nuk mund të rrimë indiferent, ne kërkojmë nga liderët tanë që mos të vazhdojnë më me degradimin dhe komprometimin e Kosovës, ne kërkojmë nga ata të mos sillën kështu si po sillën. Me këtë logjikë, me këtë kokëfortësi, me këtë mentalitet po turpërohemi të gjithë. Kjo e keqe duhet të ndalet. Nuk bën të vazhdohet më.
*Shkrimi u dërgua edhe për gazetën DIELLI. Autori është veprimtar dhe biznesmen e njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.
REPUBLIKANËT TRIUMFOJNË ANË E MBANË SHTETEVE TË BASHKUARA
* Në zgjedhjet e kësaj jave republikanët shënuan një fitore dërmuese që mund të konsiderohet historike– sepse sipas analistëve, një shumicë të tillë dërmuese në Dhomën e Përfaqsuesve, republikanët nuk e kanë patur ç’prej kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Truman./
*Por…Sarah Palin, ish-governatore e shtetit Alaska dhe ish-kandidate për zëvendës presidente e Partisë Republikane, paralajmëroi republikanët se votuesit të martën hodhën votën e tyre kundër mosfunksionimit të qeverisjes në Washington dhe jo medoemos në favor të Partisë Republikane/
* Anëtarët e Kongresit të ri bëjnë betimin në fillim të vitit që vjen/
Nga Frank Shkreli/
Të marten, më 4 nëntor në Shtetet e Bashkuara u mbajtën zgjedhjet gjysëm-mandat për 36 vende nga 100-anëtarët që ka Senati Amerikan dhe për të gjithë ligjvensit në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit amerikan. Anëtarët e Senatit zgjidhen çdo gjashtë vjetë dhe kandidatët për anëtarë të Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan përballen me votuesit çdo dy vjetë. Përveç zgjedhjeve për anëtarët e legjislaturës kombëtare amerikane që është Kongresi, u zhvilluan gjithashtu zgjedhje edhe për governatorë shtetesh, si dhe për mandate të ndryshme në nivele të pushtetit vendor dhe shtetëror në mbarë Amerikën. Votuesit amerikanë të pakënaqur mbi shumë çështje të rëndësishme të mbrendshme, përfshirë gjëndjen ekonomike, dhe sfida me të cilat përballen amerikanët çdo ditë por edhe të shqetësuar edhe mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe për rolin amerikan në botë vendosën të martën që të votonin në mënyrë dërmuese kundër një numri zyrtarësh të Partisë Demokrate në të gjitha nivelet dhe në favor të kandidatëve të Partisë Republikane opozitare. Ishte gjithashtu një shfaqje e pakënaqësisë së votuesve me politikat e Presidentit Obama, përfshirë ligjin mbi përkujdesjen shëndetsore, ligj ky i cili gjithnjë kundërshtohet nga shumica e amerikanëve, por që Presidenti Obama insiston se nuk do ta ndryshojë. Analistët thonë se humbja e demokratëve u pa ç’prej fillimit dhe se problemi ishte vet Presidenti Obama, pasi sipas tyre, sado të zotët të jenë kandidatët si individë, ata nuk mund të artikulojnë politika ekonomike dhe financiare dhe as nuk mund të përpilojnë një vizion për politikëne jashtme. Është presidenti dhe adminstrata e tij ata që duhet të përcaktojnë një vizion të përgjithëshëm për tonin dhe qëndrimet politike të partisë së tyre për zgjidhjen e problemeve mbrenda dhe jashtë vendit, gjë që sipas ekspertëve ata nuk e bënë.
Votuesit amerikanë jo vetëm që ndëshkuan shumicën demokrate në Senat duke i siguruar Partisë Republikane mbi shumicën e nevojshme në atë dhomë, por republikanët ndonëse nga zgjedhjet e dy viteve më parë ata gëzonin shumicën në Dhomën e Përfaqesuesve, në zgjedhjet e kësaj jave ata shënuan një fitore dërmuese që mund të konsiderohet historike– sepse sipas analistëve, një shumicë të tillë dërmuese në Dhomën e Përfaqsuesve, republikanët nuk e kanë patur ç’prej kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Truman. Pothuaj në çdo rajon të Shteteve të Bashkuara, nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, republikanët shënuan fitore në pothuaj të gjitha nivelet e pushtetit federal dhe në nivelet shtetërore. Fitorja ishte aq e madhe dhe aq gjithëpërfshirse sa që habiti edhe vet republikanët. Përveç fitores së madhe të Partisë Republikane në të dy dhomat legjislative të Kongresit, republikanët tani udhëheqin edhe 32 nga 50-shtetet e Amerikës. Domethënja e fitores së governatorëve republikanë në 32 shtete anë e mbanë vendit, pasqyron më së miri thellësinë e humbjes së Partisë Demokrate edhe në nivel shtetëror, pasi governatorët republikanë siguruan fitorenë shtetet që historikishtjanë dominuar nga Partia Demokrate, shtete liberale siç janë Mariland, Masaçusets dhe madje edhe shteti Illionois nga vjen presidenti Obama.
Por megjithë entuziazmin e merituar të republikanëve për fitoren e partisë së tyre në zgjedhjet e kësaj jave, Sarah Palin, ish-governatore e shtetit Alaska dhe ish-kandidate për zëvendës presidente e Partisë Republikane, paralajmëroi republikanët se votuesit të martën hodhën votën e tyre kundër mosfunksionimit të qeverisjes në Washington dhe jo medoemos në favor të Partisë Republikane. Me fjalë të tjera, Palin thotë se vota e djeshme mund të ketë qenë më shumë një votë proteste kundër politikave të mbrendshme dhe të jashtme që ka ndjekur administrata e Presidentit Obama gjatë 6 viteve të kaluara, se sa një votë në favor të republikanëve.
Sidoqoftë, zgjedhjet e së martës hynë histori si një ndër fitoret më të suksesshme të Partisë Republikane dhe tani të dy partitë dhe udhëheqsit e tyre kanë filluar të vlerësojnë efektet dhe të shqyrtojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve duke përpiluar planet e tyre për të ardhmen, përfshirë edhe Presidentin Obama të cilit i mbeten edhe dy vjetë në mandatin e tij. Një ditë pasi republikanët siguruan shumicën në Kongresin amerikan dhe pas fitoresdramatike anë e mbanë vendit dhe në të gjitha nivelet e psoteve politike, përfshirë edhe governatorët në 32 shtete, filluan reagimet e para zyrtare.Paspas një mbrëmjeje demoralizuese dhe disfate për Partinë e tij Demokrate, Presidenti Obama mbajti një konferencë shtypi të mërkurëndhe pranoi se “Mbrëmë, për republikanët ishte një natë e mirë dhe se ata meritojnë kredi për zhvillimin e një fushate të mirë.” Gjatë sesjonit me gazetarët, Presidenti u pyet nëse pas humbjes së PartisëDemokrate ai do të ndryshojë agjenden e tij politike gjatë dy viteve të ardhëshëm, kryedemokrati u përgjegj duke thënë se ndonëse kishte “dëgjuar” zërin e votuesve, ai do të vazhdojë politikën e tij, por shtoi se njëkohsisht do të përpiqet të bashkpunojë me republikanët për të identifikuar fushë ku mund të punojnë së bashku.Po megjithë shprehjet për bashkpunim, Z. Obama, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi imigracionin, sfidoi Kongresin e ri të dominuar nga republikanëtduke thënë se ai do të veprojë në mënyrë të njëanshme në lidhje me reformën e ligjeve të imigracionit, duke kërcënuar se do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv, që merret me mendë se do të jetë një urdhër për amnisti për imigrantët ilegalë në këtë vend – nëqoftse Kongresi nuk propozon një plan të gjithanshëm për reforma në fushën e imigracionit. Analistët thonë se kjo kërkesë e Presidentit Obama mbi imigracionin, mund të përbëjë konfliktin e parë të tij me Kongresin e ri republikan, pasi aisipas tyre, po kërkon diçka që nuk është e mundur të arrihet deri në fund të këtij viti, ashtu siç kërkoi dje presidenti. Për më tepër, kur të dy palët kanë qëndrime krejtë të ndryshme mbi këtë çështje, do të nevojitej më shumë kohë që të dy palët të arrijnë në një marrveshje të pranueshme për të dy palët. Ekspertët theksojnë gjithashtu se një kërkesë e tillë nga Presidenti Obama nuk është reale pasi megjithë këmbënguljen e tij në të shkuarën për një ligj mbi imigracionin, ai nuk e arriti këtë qëllim as gjatë gjashtë vitevetë kaluara të mandatit të tij, ndonëse gjatë mandatit të parë të tij, Partia e Demokrate që ai kryeson ka kontrolluar të dy dhomat e Kongresit.
Ndërsa Kryetari i ri i shumicës Republikane në Senat, Senatori Mitch McConnell, në reagimin e parë pas zgjedhjeve u tha gazetarëve të mërkurën se zgjedhësit amerikanë, në votimet të martën që kaloi, dërguan një mesazh të qartë se të dy partitë duhet të qeverisin së bashku. Ai shtoi se megjithëse amerikanët kanë zgjedhur një qeverisje ku Shtëpia e Bardhë kontrollohet nga presidenti demokrat ndërsady dhomat e Kongresi të ri kontrollohen nga republikanët, nuk do të thotë shtoi ai, se amerikanët, “duan që ne të mos bëjmë asgjë”. Përkundrazi, tha ai, “Unë mendoj se votuesit amerikanë duan që ne të përpiqemi të identifikojmë fusha bashkpunimi”, për zgjidhjen e problemeve të vendit. Senatori McConnell tha se ka disa fushë në të cilat të dy palët mund të bien dakort dhe se detyra e parë e tij është që t’a bëjë Senatin të funksionojë përsëri, pasi sipas tij, nga pikpamja institucionale, “Senati,gjatë disa viteve të fundit, pothuaj nuk ka bërë asgjë, hiç.” Senatori McConnell u tha gjithashtu gazetarëve se pas verdiktit të votueseve, Presidenti Obama i telefonoi atij për ta uruar për fitoren e madhe të republikanëve, duke u thënë gazetarve se “zhvilluam një bisedë të mirë dhe miqësore me të”.Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi bashkpunimin e palëve në Washington, Senatori McConnell u tha gazetarve se shumica e senatorëve të ri republikanë nuk mendojnë se janë zgjedhur për të zhvilluar luftë politike me njëri tjetrin dhe se mezi presin të shkojnë në Washington për të bërë diçka për zgjedhësit e tyre.
Megjithëse gjatë takimeve me përfaqsues të medias Presidenti Obama dhe Senatori republikan McConnell premtuan se do të bashkpunojnë për të mirën e vendit, Presidenti Obama, gjatë konferencës me shtypin të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, theksoi se ai do ndjekë idetë e veta gjatë dy viteve të ardhëshme, madje edhe nëqoftse ato nuk u pëlqejnë republikanëve në Kongres. Ndërkaq, Presidenti Obama njoftoi se kishte ftuar udhëheqsit e lartë të Kongresit për një takim në Shtëpinë e Bardhë të premtën për të biseduar mbi planet e ardhëshme legjislative, përfshirë ndër të tjera edhe çështjen e imigracionit.Ndërsa ata u angazhuan për bashkpunim me njëri tjetrin — nga deklaratat e kryetarve të dy partive të mërkurën — duket se Presidenti Obama dhe udhëheqsi i ri i republikanëve në Senat, Senatori Mitch MccConnell, megjithkëtë do të ndjekin politikat e tyre dhe do të mbajnë qëndrimet që i dallojnë ata. Ndaj, mbetet për t’u parë gjatë dy viteve të ardhëshme se sa seriozë janë ata për bashkpunimin e deklaruar me njëri tjetrin për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballetAmerika dhe bota. Zgjedhësit amerikanë bënë detyrën e vet duke u dërguar të dy partive një mesazh të qartë të këtë javë, se ata presin, që megjithë dallimet politike midis tyre, të punojnë së bashku për të mirën e vendit.
Anëtarët e Kongresit të ri bëjnë betimin në fillim të vitit që vjen/
ROLI I KONGRESIT: Anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara përfaqësojnë shtetet dhe zgjedhësit në degën legjislative, njerës prej tri degëve të qeverisë federale. Dy të tjerat janë, Dega Ekzekutive (Presidenti) dhe Dega Juridike (Gjykatat). Secila prej këtyre degëve qeveritare luan rolin dhe ka funksionin e saj të posaçëm në bazë të artikujve 1,2 dhe 3 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Dega legjislative përbëhet nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqsuesve dhe të dyja së bashku njihen si Kongresi i Shteteteve të Bashkuara. Senati përbëhet nga 100 anëtarë, dy senatorë nga secili prej 50-shteteve të Amerikës. Ndërkohë që përsa u përket anëtarve të Dhomës së Përafqsuesve, numri i ligjvensëve në këtë dhomë ndryshon nga shteti në shtet, varësisht nga popullësia e secilit shtet.Dhoma e Përfaqsuesve ka gjithsejt 435 anëtarë.Për shembull, shtetet New York, Kalifornia, Teksas dhe Florida kanë numrin më të madh të liigjvensve në Dhomën e Përfaqsuesve, sepse janë edhe shtetet me popullësitë më të mëdha. Arsyeja se pse themeluesit e këtij kombi vendosën për një qeverisje me tre degë ishte se ata donin që asnjë person ose parti të mos ketë mundësi të monopolizonte pushtetin dhe të vendoste një sistem totalitar qeverisjeje. Kështu, ata vendosën sistemin e ashtuquajtur “checks and balances”, që do të thotë se veprimtaria e secilës degë të qeverisë kontrollohet dhe frenohet nga tjetra. Si rrjedhim, pushteti dhe kompetencat e Presidentit kontrollohen nga Kongresi, i cili ndër të tjera mund të refuzojë miratimin e emërimeve të tija dhe kushtetuta i njeh Kongresit të drejtën — që në rast se ai shkelë kushtetutën — për ta korigjuar presidentin, madje edhe për ta detyruar të largohet nga detyra në rast të abuzimitdhe të shkeljeve të rënda të detyrës nga ekzekutivi. Nga ana tjetër, Kongresi miraton ligjet, por presidentit i jep kushtetuta të drejtën e vetos, nëqoftse nuk pajtohet me ligjet që i dërgon Kongresi për aprovimin e tij. Në një rast të tillë, atëherë Kongresi me shumicë dërmuese votash, prej dy të tretën e votave, hedhë poshtë veton e presidentit. Ndërsa dega juridike, që është Gjykata e Lartë mund të vendos nëse një ligj është në përputhje me kushtetutën ose jo, dhe kushtetuta amerikane i jep Kongresit të drejtën — që me miratimin e dy të tretës së shteteve amerikane — mund të ndryshojë kushtetutën.
Të dy dhomat e Kongresit luajnë rolin e tyre të posaçëm sipas kushtetutës, por Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve kryejnë disa funskione të përbashkëta, siç është rregullimi i tregëtisë, transportit dhe i komunikacionit ndërshtetëror dhe nevojitet miratimi të dy dhomave në rast të shpalljes së luftës kundër ndonjëvendi të huaj.
Por, detyra kryesore e anëtarve të dy dhomave të Kongresit është miratimi i ligjeve. Ky është një proces i ndërlikuar i cili nevojitë pjesëmarrjen e përkushtuar të ligjvensve. Senatorët, si individë ose si grup, sponsorizojnë një projektligj nga përpilimi i tij e deri tek në fund kur të miratohet si ligj, me shumicë votash. Procesi i miratimit të ligjeve fillon me përpilimin e projektligjit, i cili pastaj i paraqitet për shqyrtim komisionit përshtatës nga një senator ose më shumë. Pasi komisioni ta ketë shqyrtuar projektligjin, Senati debaton meritat e tij dhe senatorët gjatë debatit propozojnë amandamente. Atëherë, Dhoma e plotë e Senatit voton projektligjin dhe amandamentet e miratuara dhe i dërgohet Dhomës së plotë të Përfaqsuesve.Nëse edhe Dhoma e Përfaqsuesve e aprovon projektligjin, atëherë i këthehet përsëri Senatitdhe nëqoftse projketligji nuk ndryshohet në Dhomën e Përfaqsuesve, atëherë Senati nënshkruan projektligjin dhe i dërgohet Shtëpisë së Bardhë (presidentit) për aprovim dhe nënshkrim. Kështuqë në fund të fundit, është në dorë të presidentit që ta aprovojë projektligjin me nënshkrimin e tij për ta bërë ligj ose të përdor veton kundër projektligjit. Një ndër rolet kryesore të Senatit është përcaktimi i taksave dhe miratimi i buxhetit dhe i shpenzimeve të qeverisë federale. Në fushën e politikës së jashtme, Dhoma e Senatit miraton gjithashtu traktatet ndërkombëtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara me shtete të tjera dhe luan një rol kyç në këtë fushë, pasi sipas kushtetutës, Senati duhet të aprovojë të gjitha emërimet në postet e larta të diplomacisë dhe të politikës së jashtme amerikane, përfshirë ambasadorët dhe si të tillë pra senatorët ushtrojnë një influencë të madhe mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Megjithëse jo sa Senati, edhe Dhoma e Përfaqsuesve luan një rol të konsiderueshëm në politikën e jashtme të Amerikës nepërmjet procesit të aprovimit të buxhetit për Departamentin e Shtetit agjencitë e tjera që merren me punët ndërkombëtare. Si pjesë e përgjegjsive të tyre në lidhje me politikën e jashtme, shpeshherë anëtarëte Kongresit amerikan, nga koha në kohë, vizitojnë vende dhe rajone që mendohet se janë të rëndësishme për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ligjvensit amerikanë gjithashtu përfaqësojnë shtetin e tyre në debatin mbi çështjet kombëtare dhe shërbejnë si ndërmjetës midis qeverisë federale dhe shtetit ose zgjedhësve të cilët ata përfqësojnë.Dhe i konsiderojnë si pjesë të detyrës së tyre kontaktet e vazhdueshme me zgjedhsit që ata përfaqësojnë, për të dëgjuar hallet dhe problemet me të cilat ata përballen, por edhe për të mësuar se cilat janë çështjet që votuesit i konsiderojnë të rëndësishme për veten e tyre, për shtetin ku jetojnë dhe për interesat e vendit në përgjithësi.
- « Previous Page
- 1
- …
- 54
- 55
- 56
- 57
- 58
- …
- 69
- Next Page »